• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA- ARTA RAMADANI NOMINOHET PËR CMIMIN GJERMAN TË GAZETARISË

November 5, 2012 by dgreca

Arta punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat/

Gazetarja e re shqiptare Arta Ramadani që prej disa vitesh punon në televizionet gjermane, është nominuar për çmimin prestigjioz që ndan qeveria e Gjermanisë për kontributet më të mira në lëmin e gazetarisë kushtuar migracionit, “Kausa 2012”.

Ajo është nominuar për kategorinë e televizionit, ndërsa çmimi do të ndahet në një solemnitet që mbahet më 5 dhjetor.

Arta punon si reportere dhe redaktore në magazinën e njohur “Nano” të televizionit gjerman 3sat.

E lindur në Prishtinë para 31 vitesh, Arta me prindërit ka ardhur të jetojë në Gjermani që në fëmijërinë e saj të hershme. Ajo ka studiuar për etnologji, politikë, medie dhe shkenca të komunikimit në Boston (SHBA) dhe Heidelberg e Mannheim.

Karrierën si gazetare e ka filluar në transmetuesin televiziv për të rinj “Sunshine Live” dhe ka kryer një numër praktikash dhe trajnimesh në televizionet si SWR dhe HR. Pastaj ka mbaruar një voluntariat (praktikë) njëvjeçare në ZDF.

Ndërsa, para se të kalonte në 3sat, Arta ka punuar si redaktore në emisionin e ZDF-së “Hallo Deutschland”.(Kortezi AlbInfo.ch)

Filed Under: Kulture Tagged With: Arta Ramadani, ne Gjermani, nominohet

PROFILET E DY KANDIDATEVE PER PRESIDENT TE SHBA

November 4, 2012 by dgreca

Profil i kandidatit demokrat, Barack Obama/

Me afrimin e zgjedhjeve të 6 nëntorit, Presidenti Barak Obama duket se i ka forcuar pozitat, pas prezantimit të dobët në debatin e parë presidencial kundër rivalit republikan Mitt Romney. Në ditët e fundit të fushatës, Presidenti po përpiqet ta prezantojë veten si udhëheqës me potencë. Në vazhdim, një portret i politikanit që shënoi një moment historik në vitin 2008 dhe shpreson që ta përsërisë atë fitore të martën:Para 4 vjetësh, Barack Obama u zgjodh presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara.
Partia Demokrate e emëroi atë në një kuvend që u përqëndrua në pakënaqësinë e publikut me problemet ekonomike të vendit. Zoti Obama përfitoi nga kjo gjendje me moton e tij, “Ndryshime tek të cilat kemi besim”.
Gjatë administratës katër vjeçare të Presidentit Obama, ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa ç’kishin shpresuar shumë njerëz. Disa ekspertë politikë thonë se zoti Obama ka mësuar ndryshimin e madh që ekziston mes fushatës dhe qeverisjes.
Jennifer Lawless drejton Institutin e Grave dhe të Politikave në Universitetin Amerikan.
“Shumë prej premtimeve të tij vareshin nga ideja se në Uashington do të bëheshin përpjekje ndërpartiake. Dhe menjëherë pasi John Boehner u zgjodh Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve u pa qartë se objektivi numër një i republikanëve ishte që përpjekje të tilla të mos bëheshin”.
Një shembull i tillë ishte projektligji për imigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia imigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi. Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e imigrantëve që mbroheshin nga deportimi në bazë të projekt-ligjit të imigracionit. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetueshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilëve General Motors dhe Chrysler.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve.
Kur zoti Obama u përball me rivalin e tij republikan Mitt Romney në debatin e parë presidencial, Presidenti kishte një avantazh të vogël por të qëndrueshëm në anketat e opinionit në shkallë kombëtare, por ai nuk doli mirë në debat dhe zoti Romney avancoi.
Zoti Obama e ka përqëndruar mesazhin e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme. Gjatë javëve të fundit, ekonomia është përmirësuar pak gjë që mund ta ndihmojë Presidentin Obama.
Në javët e fundit të fushatës, zoti Obama anuloi fushatën për t’u përqendruar tek përgjigja e qeverisë kundër uraganit Sandy. Guvernatori republikan i Nju Xhërsit, i cili më parë ka qenë kritik i ashpër i presidentit, lavdëroi zotin Obama për rolin e tij në përpjekjet pas uraganit.
Barak Obama lindi në Havai në 1961. Ai dhe bashkëshortja e tij Michelle kanë dy vajza, Malia dhe Sasha.
Nënpresidenti Xho Bajden është edhe këtë radhë kandidati demokrat për nënpresident. Zoti Bajden ka shërbyer për gjashtë mandate si senator dhe konsiderohet si ekspert në politikën e jashtme.( Carolyn Presutti VOA)

 

Profil i kandidatit Mit Romney

Ish-guvernatori i Masaçusetsit dhe kandidati republikan për president Mitt Romney është në një garë të ngushtë me Presidentin Obama pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të së martës. Në vazhdim, ju sjellim një profil të kandidatit republikan, i cili mund të bëhet presidenti i 45 amerikan nëse fiton ndaj Presidentit Barak Obama. Partia Republikane përfaqësohet në zgjedhjet e nëntorit me kandidatët Mitt Romney dhe Paul Ryan. Në fushatën për t’u bërë Presidenti i 45 amerikan, zoti Romney përpiqet të vërë në pah aftësitë e tij për të rimëkëmbur ekonominë amerikane. “Unë i kuptoj këto gjëra, dhe dua që ta shfrytëzoj këtë përvojë për të krijuar punë të mira për të gjithë amerikanët që duan punë”. Nëse zgjidhet, zoti Romney thotë se do të ulë taksat, do të shkurtojë shpenzimet qeveritare dhe deficitin buxhetor si dhe do të anulojë ligjin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor. Ai thotë se do të krijojë 12 milionë vende pune gjatë mandatit të tij të parë katër vjeçar.
Zoti Romney bëri fitime prej miliona dollarësh, kur ishte një ndër drejtuesit e kompanisë Bain Capital, një ndër firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ai ndihmoi për të shpëtuar nga problemet financiare Lojërat Olimpike Dimërore 2002 në Salt Lake City dhe ishte guvernator i shtetit Masaçusets për një mandat. Zoti Romney nuk pati sukses katër vjet më parë, kur u përpoq të merrte emërimin e Partisë Republikane, si kandidat për zgjedhje. Por këtë radhë, ai i rezistoi konkurrencës nga rivalët më konservatorë Rick Santorum dhe Neët Gingrich dhe kapërceu dyshimet për fenë e tij mormone. Zoti Romney tani kryeson përpjekjet e partisë së tij për të mundur Presidentin Obama të martën, thotë analisti John Fortier: “Mitt Romney mund të mos jetë kandidati më entuziast, por dëshira për të mundur Presidentin Obama është një faktor i fortë motivues për republikanët”.
Në frontin e politikës së jashtme, zoti Romney thotë se, Presidenti Obama ka dëmtuar marrëdhëniet me aleatin e Amerikës, Izraelin dhe nuk është treguar i ashpër sa duhet ndaj Iranit, Kinës dhe Rusisë. Ai ka kritikuar Presidentin për reagimin ndaj sulmit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë. Katër amerikanë humbën jetën në këtë sulm. “Në marrëdhëniet me vende të tjera, Presidenti ka treguar besim tek njerëz që nuk e kishin fituar këtë besim, ka ofenduar njerëz që nuk e meritonin dhe ka kërkuar ndjesë atje ku nuk duhej”. Zoti Romney është përqendruar tek problemet e ekonomisë. Në debatin e parë presidencial me Presidentin Obama, zoti Romney gjithashtu premtoi se, nëse zgjidhet president ai do të bashkëpunojë me të dyja partitë në qeverisjen e vendit. “Republikanët dhe demokratët e duan Amerikën, por ne kemi nevojë për një udhëheqje të fortë në Uashington që do të bashkonte njerëzit dhe do të bënte punën. Për mua nuk ka rëndësi bindja partiake.

Filed Under: Politike Tagged With: kandidati Romnny, President Obama

KALENDARI I VEPRIMTARIVE TË 100-VJETORIT TË PAVARËSISË

November 4, 2012 by dgreca

01 Nëntor 2012, e enjte
Vizitë zyrtare në Shqipëri e Sekretares Amerikane të Shtetit, Znj. Hillary Clinton

02 Nëntor 2012, e premte, 11:00
Ekspozitë “Koha e memorandumeve”, me koleksionet e rralla të Bibliotekës Kombëtare ( 2 – 10 nëntor)
Vendi i organizimit: Biblioteka Kombëtare

03 Nëntor 2012, e shtunë, 17:30
Festivali Mbarëkombëtar i Filmit, i cili do të hapet me premierën e kopjes së restauruar të filmit artistik “Nëntori i Dytë”. Në këtë festival do të shfaqen 34 filma artistik me metrazh shkurtër dhe të gjatë, 17 filma dokumentarë, 12 filma të animuar ( 3 – 9 nëntor)
Vendi i organizimit: Kinema Millenium, Tiranë

04 Nëntor 2012, e diel, 11:30
Premierë e filmit dokumentar “100 Vjet me Hymnin e Flamurit”
Vendi i organizimit: Kinema Millenium, Tiranë

05 Nëntor 2012, e hënë, 18:00
Ekspozita “Veprimtaria e kolonive shqiptare të mërgimit në Rumani, Bullgari dhe Egjipt për çështjen kombëtare”
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar

06 Nëntor 2012, e martë 19:00
Mbrëmje artistike “Rituali i Muzave” kushtuar grave artiste
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit

07 Nëntor 2012, e mërkurë, 18:00
Ekspozitë etnografike me veshje tradicionale nga trevat shqiptare, (7-28 nëntor)
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar

08 Nëntor 2012, e enjte, 10:00
Konferencë shkencore “Koleksionet albanologjike në shërbim të Historisë së Shqipërisë”, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, (8 – 9 nëntor)
Vendi i organizimit: Biblioteka Kombëtare

09 Nëntor 2012, e premte, 09:00
Konferencë e nivelit të lartë e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës me temë “Diversiteti në Europë-një forcë për të ardhmen”
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 19:00 – Festivali Mbarëkombëtar i Filmit, mbrëmja Gala, ndarja e çmimeve
Vendi i organizimit: Kinema Millenium, Tiranë,

10 Nëntor 2012, e shtunë, 19:00
Hapja e Festivalit Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe me pjesëmarrjen e 17 trupave teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, (10-21 Nentor)
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar, Tiranë
Ora 20:00 – Premiera e dramës “Ëndrra e Ismail Qemalit”, kushtuar 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë”
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar, Tiranë

11 Nëntor 2012, e diel, 11:00
Homazhe në memorialin e ushtarëve britanikë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore
Vendi i organizimit: Kodrat e Liqenit

12 Nëntor 2012, e hënë, 11:00
Konferencë shkencore me rastin e 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e mbi 24 përfaqësuesve nga akademitë e shkencave në mbarë botën
Vendi i organizimit: Salla e Universitetit të Arteve
Ora 12:00 – Ekspozita e Mesharit të Gjon Buzukut (12 – 28 nëntor) Vendi i organizimit: Biblioteka Kombëtare
Ekspozita “Koha e memorandumeve”, (12 – 28 nëntor)
Vendi i organizimit: Prishtinë

13 Nëntor 2012, e martë, 18:00
Përurimi i ekspozitës «100 Vjet Pavarësi» me koleksione dhe eksponate të rralla nga bukinistët dhe koleksionistët shqiptarë. Turi i kësaj ekspozite do të hapë siparin në Tiranë, më datat 13-17 nëntor dhe do të vijojë në Prishtinë më 18-21 nëntor, Prizren 22 nëntor dhe Vlorë 24-28 nëntor
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar

14 Nëntor 2012, e mërkurë, 11:00
Çelja e edicionit XV të «Panairi Kombëtar i Librit Tirana 2012″. (14 – 18 Nëntor)
Vendi i organizimit: Pallati i Kongreseve, Tiranë

15 Nëntor 2012, e enjte, 11:00
Ceremonia e dhënies së “Çmimit Kombëtar të Bibliofilsë, “Lumo Skëndo”
Vendi i organizimit: Biblioteka e Vjetër, Salla “Lumo Skëndo”

16 Nëntor 2012, e premte, 18:00
Ekspozitë fotografike “Historia e Shqipërisë nëpërmjet Marubëve” dhe përurimi i librit “Marubi” (16-28 Nëntor)
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar, Salla gri

17 Nëntor 2012, e shtunë, 10.00 – 12.00
Homazhe dhe ceremoni zyrtare me rastin e kthimit të eshtrave të Mbretit Zogu I në atdhe
Vendi i organizimit: Pallati i Brigadave, Tiranë
Ora 16:00 – Ekspozita “Kolonitë arbëreshe dhe Pavarësia e Shqipërisë”
Vendi i organizimit: Salla e konferencave, Pallati i Kulturës

18 Nëntor 2012, e diel 11:00
Ekspozita “Personalitete franceze për Shqipërinë dhe shqiptarët”
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar
Ora 19.00 – Vënia në skenë e Operas “Scanderbeg”. A Vivaldi. (në datat 18 – 19 dhe 20 nëntor)
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit

19 Nëntor 2012, e hënë, 12:00
Koncert me veprën fituese të Konkursit Mbarëkombëtar të Muzikës kushtuar 100 vjetorit, lindjes së Nënë Terezës. Promovimi i albumit “Lutjet e Nënë Terezës”, V. Zhiti, R. Tasho
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit
20 Nëntor 2012, e martë, 11.00
Ceremonia e përurimit të shtatores kushtuar Azem Hajdarit
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 14:00 – Kupa “100-Vjet Pavarësi” në futboll, (ndeshja e parë, Mitrovica-Prishtina)
Vendi i organizimit: Kukës

21 Nëntor 2012, e mërkurë, 11:00
Ceremonia e përurimit të shtatores kushtuar Presidentit Willson
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 14:00 – Kupa “100-Vjet Pavarësi” në futboll,(ndeshja e dytë Tiranë- Otrant)
Vendi i organizimit: Shkodër
Ora 18.00 – Mbyllja e Festivalit Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe me shfaqjen e Trupës Teatrore të Prishtinës
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar, Tiranë

22 Nëntor 2012, e enjte
Mbërritja në Shqipëri e shpatës dhe përkrenares së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 14.00 – Kupa “100-Vjet Pavarësi” në futboll (ndeshja e tretë Shkëndia Tetovë- Renovë)
Vendi i organizimit: Pogradec

23 Nëntor 2012, e premte, 10:00
Konferencë e studiueses dhe albanologes Prof. Luçia Nadin me temë “Studime mbi Mesharin e Gjon Buzukut”
Vendi i organizimit: Biblioteka Kombëtare
Ora 18:00 – Festivali Ndërkombëtar i Filmit (TIFF)
Vendi i organizimit: Tiranë

24 Nëntor 2012, e shtunë, 10:00
Konferencë e studiueses dhe albanologes Prof. Luçia Nadin, mbi zbulimet e saj në arkivat veneciane dhe motivet e Kishës së Shën Sebastianit
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar
Ora 12:00 – Ceremonia e përurimit të shtatores kushtuar Mbretit Zog
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 18:00 – Ekspozita “Dorëshkrime Bizantine dhe Pasbizantine në Shqipëri” – ekspozimi i 15 kodikëve origjinalë
Vendi i organizimit: Muzeu Historik Kombëtar

25 Nëntor 2012, e diel, 11:00
Ceremonia e përurimit të bustit të Petro Markos
Vendi i organizimit: Dhërmi
Ora 19:00 – Ceremoni e madhe festive organizuar nga Ambasada e RSH në Maqedoni dhe Këshilli Organizativ për Festimet e 100 vjetorit, nën kujdesin e ZV/.Kryeministrit të Maqedonisë Z. Musa Xhaferri, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Sali Berisha dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.
Vendi i organizimit: Shkup, Salla e Sporteve “Boris Trajkovski”

26 Nëntor 2012, e hënë, 09:00
Konferencë shkencore “100 – Vjet Pavarësi e Shqipërisë” me pjesëmarrjen e rreth 100 studiuesve shqiptarë dhe të huaj
Vendi i organizimit: Hotel Tirana International
Ora 11:00 – Ceremonia e përurimit të shtatores kushtuar Ismail Qemalit
Vendi i organizimit: Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Tiranë
Koncert artistik – Bashkia Tiranë
Vendi i organizimit: Tiranë, rruga pedonale
Ekspozitë artistike “100 – Vjet Tirana” – Bashkia Tiranë
Vendi i organizimit: Tiranë

27 Nëntor 2012, e martë, 10:00
Përurimi i autoststradës Morinë – Prishtinë
Vendi i organizimit: Kosovë
Ora 17.00 – Finale e Kupës “100 vjet Pavarësi” në futboll
Vendi i organizimit: Vlorë
Ora 18:30 – Koncert festiv në Vlorë me pjesëmarrje trupash artistike nga vendi. Marrin pjesë Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri i Shqipërisë, Trupi Diplomatik, Kryetari i Bashkisë Vlorë
Vendi i organizimit: Vlorë

28 nëntor 2012, e mërkurë, 10:00
Hapja zyrtare e ceremonisë së kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë, homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe vendosje kurorash mbi varrin e Ismail Qemalit
Vendi i organizimit: Vlorë
Ora 13.00 – Ceremonia e vendosjes së kurorave dhe nderimit pranë monumentit Nënë Shqipëri
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 14:00 – Koncert festiv në Sheshin Skënderbej
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 17:00 – Parada e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në “Sheshin Skëndërbej” dhe mbajtja e fjalës së rastit nga Presidenti i Republikës
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 17:30 – Ceremonia e përurimit të përmendores kushtuar «100 – Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë»
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 18:00 – Mbrëmje solemne akademike në Pallatin e Kongreseve
Vendi i organizimit: Tiranë
Ora 19:30 – Koncert i madh përmbyllës në Sheshin “Nënë Tereza”
Vendi i organizimit: Tiranë

29 Nëntor 2012, e enjte

30 Nëntor 2012, e premte, 20:00
Koncert me vepra nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë
Vendi i organizimit: Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit

04 Dhjetor, e martë, 10:00
Ekspozitë me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Ushtrisë
Ora 18:00 – Koncert me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Ushtrisë

07 Dhjetor, e premte
Festival Muzikor “Different Trains” në datat 7- 9 dhe 10 dhjetor, organizuar në Akademinë e Arteve, Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit

20 Dhjetor, e enjte
Ceremonia e ndarjes së “Çmimeve Kombëtare të Letërsisë”

Filed Under: Kulture Tagged With: i veprimtarive, Kalendari, per 100 vjetor

100 VJET PAVARESI-PËRKUJTOHET FIGURA E RIZBULUESIT TE FLAMURIT, FAIK KONICËS NË BRUKSEL

November 4, 2012 by dgreca

Pllakë përkujtimore për KONICËN në Rue d’Albanië, në Bruksel /

 

nga  Agron  Shele/

“…më 7 të Prillit 1939, Flamuri ynë

u çduk në gjak; edhe në qoftë se duket,

duket i lidhur me litarin e robërisë.

Por vazhdon së valuari lirisht në zemër

të çdo Shqipëtari që ka sedrë, nder dhe kuptim.

Edhe ka për të valuar sa kohë që të mbetet në faqe

të dheut një shqipëtar i vërtetë.”

 

                                                                                                           Faik KONICA

 

 

Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë  Shqipërisë, jeta social-kulturore e komunitetit shqiptar këtu në Bruksel është përfshirë nga një sërë  aktivitetesh dhe  eventesh  të ndryshme, si :restaurimi bustit të Skënderbeut , takimet simbolike në Parlamentin Evropian, vendosja e pllakës përkujtimore të martirit dhe heroit Enver Hadri,i cili ishte  themeluesit i së parës shoqtatë për të drejtat e njeriut, të drejta që sensibilizuan Komunitetin Evropian dhe atë Ndërkombëtar  për dhunën dhe represionin serb në Kosovë, , takime të ndryshme me tematikë  historike dhe letrare si dhe botimi antologjisë poetike në gjuhën frënge me rreth 80 autorë shqiptarë nga mbarë trevat shqiptare.. Nën këtë nismë “Shoqata Kulturore Konica”, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë , në  27 Tetor 2012, organizuan një tjetër event të rëndësishëm, sikurse ishte vendosja dhe inagurimi i pllakës përkujtimore të personalitetit te madh kombëtar   Faik Konica, në ish shtëpinë ku kishte jetuar, punuar  dhe botuar gazetën “Albania”, si dhe orën letrare me të ftaurin special nga Uashigtoni Z. Ilir Ikonomi, autorin e librit “Faik Konica, Jeta në Uashington”.

Fillimi i aktivitetit do të niste në rrugën “Rue d’ Albania, rrugë në të cilën kishte jetuar Faik Konica , ku të gjithë pjesmarrësit dhe të ftuarit do priteshin sipas traditës shqiptare nga  Znj  Hadri, bashkëshorte e martirit Enver Hadri, dhe  poseduesja e kësaj prone sot. Ngrohtësia e krijuar nga  kjo  familje tipike shqiptare, si dhe përfaqësimi pjesmarrësve  nga gjithë trevat shqiptare do krijonte një sferë shumë të këndshme dhe shembull për tu ndjekur nga komunitetet e tjera  shqiptare në vende të ndryshme të botës.Në këtë takim nderonin  me pjesmarrjen e tyre   ambasadori  i  Shqipërisë Z.Ilir Tepelena, ambasadori i  Kosovës Ilir Dygolli ,përfaqësuesi ambasadës së Maqedonisë Daim Iliazi dhe përfaqësuesit shqiptarë pranë NATO-s .Vendosja e pllakës përkujtimore ishte nismë e drejtëpërdrejtë e komunitëtit shqiptar, Shoqatës “Konica” dhe mbështetje e komunës Sint-Gilles, në Bruksel. Fjalën e hapjes në cermoninë e inagurmit të  pllakës përkujtimore e bëri Kryetari Shoqatës Kulturore “Konica”  z. Genti Metaj, i cili foli për kontributin  e  Konicës në Bruksel, mesazhin e madh  dhe rolin e Gazetës Albania në komunitet dhe më gjerë, si dhe potencialin e tij intelektual, potencial që u vu në shërbim të interesave të mëdha kombëtare. Ambasadori i Shqipërisë z Tepelena do përshendeste të pranishmit, do falenderonte inisiatorët, si dhe do ndalej në modelin e krijuar nga ky personalitet në fushën e diplomacisë. Më pas përshëndetën dhe ambasadorët e tjerë dhe së fundi fjalën përmbyllëse e mbajti historiani, poeti, përkthyesi dhe piktori Lek Pervizi. Përfaqësuesja e Shoqatës Kulturore “Konica”  znj Alisa Aliu dhe ambasadori shqiptar Z Ilir Tepelena zbuluan pllakën përkujtimore mes duartrokitjesh dhe një sfere shumë të gëzushme për gjithë pjesmarrësit, duke e berë rrugën Albania më Shqiptare, më të plotësuar dhe më emblematike .

 

Përurohet libri i Ilir Ikonomit: “Faik Konica, jeta në Uashington”

 

Pas cermonisë së inagurimit të pllakës përkujtimore, pjesmarrësit u drejtuan për në sallën e Shërbimit Social të Hebrenjve, sallë ku zhvillohet shumica e aktiviteteve shqiptare dhe kjo jo rastësisht, por me domethënie të plotë  për miqësisë dhe mirënjohjen e madhe që ka populli  izraelit  për mbrojtjen dhe ndihmën që ju  afroi Shqipëria dhe shqiptarët gjatë viteve më të vështira të mbijetesës dhe egzistencës së tyre në  Luftën e Dytë Botërore.

 

Për auditorin u zhvillua një bisedë e hapur me autorin e librit “Faik Konica, jeta në Uashington”, z. Ilir Ikonomi i cili kishte ardhur posaçërisht për këtë event përkujtimor nga Uashingtoni. Monitorimin e kësaj bisede mbi përmbajtjen dhe faktet historike të librit e animoi znj.Shqiponja Duro, koordinatore e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë. Biseda e hapur u ndal në rolin e Konicës si diplomat, marëdhëniet e tij me ish-Qeverinë e Zogut, replikat e tij me Fan Nolin, aspekte të krijimtarisë së tij eseiste, letrare…si dhe u cekën disa elemente nga karakteri i tij dhe jeta e tij private.  Z. Ikonomi u ndal në faktin se Konica kishte armën më të fortë në atë kontekst kohor: erudicionin, ironinë, sarkazmën dhe humorin. Fakti që Konica, qysh djaloshar 20-vjeçar çeli gazetën Albania në Bruksel; dëshmojnë për formimin e tij të hershëm.

 

Në Uashington ai mbrriti me misionin e njohjes së vendit të vogël që ai përfaqësonte dhe këtë mision e kreu me sukses edhe mbasi ish-Qeveria e Zogut u rrëzua mbas pushtimit të vendit nga Italia (1939). Konica ishte në atë kohë-shton autori i librit- diplomati më i përgatitur se gjithë diplomatët e tjerë të botës. Kjo mund të ilustrohet edhe me marrjen e çmimit të Konicës “kapelja e lartë” nga revista më elitare në Uashington “Gjykatësi”.Përsa i përket replikave të tij me Nolin; ato kishin karakter konkurues, por në fund, në emër të idealit të përbashkët, ata pajtohen dhe se bashku takohen për herë të fundit në pallatin e vogël të Konicës (mbas pushtimit të vendit Konica nuk pranoi të përfaqësojë Qeverinë e pushtuesëve Italianë në Tiranë, dhe humbi kështu akreditimin si diplomat). Për auditorin, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, znj. Duro recitoi vargjet e Konicës për flamurin shqiptar:

 

“…më 7 të Prillit 1939, Flamuri ynë

u çduk në gjak; edhe në qoftë se duket,

duket i lidhur me litarin e robërisë.

Por vazhdon së valuari lirisht në zemër

të çdo Shqipëtari që ka sedrë, nder dhe kuptim.

Edhe ka për të valuar sa kohë që të mbetet në faqe

të dheut një shqipëtar i vërtetë.”

 

                                                                                                           Faik KONICA

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Agron Shele, Faik Konica, ne Bruksel, perkujtohet

100 VJET PAVARESI-BAJRAM DAKLANI, FLAMURTARI I SHKUPIT

November 4, 2012 by dgreca

Clirimi i Shkupit dhe ngritja e Flamurit Kombëtar nga Bajram Daklani më 12 gusht të vitit 1912/

Që nga marrja e vendimit për luftë të përgjithshme, forcat kryengritëse shqiptare deri në fillim të gushtit të atij viti do të çlironin shumicën e fshatrave dhe qyteteve gjithë andej vilajetit të Kosovës dhe më gjerë./

Pas shumë përpjekjesh të pa suksesshme të elitës së atëhershme politike dhe intelektuale shqiptar për të arritur krijimin e një shteti kombëtar në hapësirat e katër vilajeteve të banuara nga shqiptarët dhe pranimin e autonomisë së këtij shteti nga ana e Perandorisë turke, nga 21 deri më 25 maj të vitit 1912, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës,do të organizohej Kuvendi i Junikut, ku në marrëveshje edhe me Ismail Qemalin dhe miratimin e udhëheqësve kryesor të kryengritjes,Bajram Curri, Isa Buletini, Bajram Daklani e shumë të tjerë, do arrihej vendimi për kryengritje të përgjithshme kombëtare.
Ndaj,që nga marrja e vendimit për luftë të përgjithshme, forcat kryengritëse shqiptare deri në fillim të gushtit të atij viti do të çlironin shumicën e fshatrave dhe qyteteve gjithë andej vilajetit të Kosovës dhe më gjerë.
Kurse më 9 gusht të vitit 1912,krerët e kryengritjes nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, do ti dorëzonin edhe një Memorandum komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum 48 orësh,për pranimin e kërkesave të arsyeshme të shqiptarëve para se ta çlironin Shkupin.
Por pasi që qeveria turke edhe pas kalimit të këtij afati,nuk kishte dhënë përgjigje, luftëtarët shqiptar të grumbulluar në Ferizaj, përgatiteshin për çlirimin përfundimtar të Shkupit, kryeqytetit të Kosovës.
Për këtë qëllim,më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj kishte arritur edhe Bajram Daklani me luftëtarët e tij si njëri ndër udhëheqësit kryesor të luftës nga Krasniqja e Reka, i cili bënte pjesë në grupin e rangut të prijësve madhor të kryengritjes së përgjithshme kombëtare.
Si pjesëmarrës aktiv dhe strateg i shumë betejave të mëdha të zhvilluara gjithandej trojeve tona etnike, ai me 200 bashkëluftëtarët e tij trima,që me 12 gusht të vitit 1912,nga Ferizaj do të futej triumfalisht në kryeqytetin e sapoçliruar të Kosovës në Shkup ku sipas gazetës “Shkupi” të datës 19 gusht të vitit 1912, pas 500 vjetësh sundimi turk, Bajram Daklani i pari do ta ngrinte lartë dhe me krenari, Flamurin Kombëtar Shqiptar.

Ndërsa Hasan Prishtina me bashkëluftëtarët e tij dhe udhëheqësit e kryengritjes; Bajram Currin, Isa Buletinin, Idriz Seferin, Mehmet Derallën, etj.,ditët në vijim do të arrinin edhe ata në Shkup, ku do të vërshonin mbi 30 mijë luftëtarët shqiptar nga të gjitha anët, megjithëse shumica nga ta pa armatim apo vetëm me nga një kobure në brez. Pas çlirimit të Shkupit, si kryeqytet i vilajetit të Kosovës,Udhëheqja Shqiptare e luftës do t`i shkarkonte të gjithë qeveritarët dhe administratorët turq, si në Shkup ashtu edhe në qytetet e tjera të çliruara shqiptare kudo, duke liruar nga çdo funksion edhe përkrahësit e mbetur të perandorisë së shuar turke.

Kurse,Bajram Curri me të arritur në Shkup, pas marrjes së postë-telegrafit, ai me bashkëluftëtarët e tij, do të lironin nga burgu edhe rreth 1000 të burgosurit shqiptarë,të mbyllur nga turqit,që para çlirimit të vendit.

Me ngritjen e Flamurit kombëtar më 12 gusht të vitit 1912, nga Bajram Daklani në Shkup dhe çlirimin e tij si kryeqytet i Kosovës,jo vetëm se do trazohej e gjithë qeveria xhonturke e Perandorisë së atëhershme osmane,por kjo ngjarje historike për kombin shqiptar, do ta rrëzonte edhe vet kryeministrin e atëhershëm turk, Seid Pasha-in nga pushteti perandorak.

Kurse pas ardhjes së kryeministrit të ri, zhagitja disavjeçare e kërkesave shqiptare,më në fund më 18 gusht të vitit 1912 do të plotësohej por vetëm pjesërisht,pasi që edhe tani Qeveria Turke deklarohej zyrtarisht se i pranonte 12 por jo të 14 kërkesat, sa ishin të parashtruara, sipas dokumentit të njohur me emrin “14 pikat e Hasan Prishtinës” që kërkonin kryengritësit shqiptarë.Mjerisht,aty mungonin dy kërkesat kryesore dhe më të rëndësishmet për mundësinë e shtetformimit nga ana e shqiptarëve, të cilat dallonin nga të tjerat, dhe kishin domethënie të veçantë për ardhmërinë e Shqipërisë dhe Kombit tonë në përgjithësi. Megjithatë, Perandoria Turke as në momentet e fundit të ekzistencës së saj në Ballkan, nuk donte ti njihte Shqiptarët si Komb dhe as ta pranonte Shqipërinë si shtet, madje as si përcaktim hapësinorë e gjeografik në territorin e saj, për të cilat kryengritësit gjatë gjithë kohës kishin luftuar dhe ishin përpjekur,në mënyrë që të arrihej edhe ndërkombëtarisht pranimi i kombit dhe shtetit të tyre kombëtar.

Mospranimi i emërtimit të trojeve shqiptare si Shqipëri dhe mosnjohja e popullit tonë si komb-shqiptar,jo vetëm se ishin shumë dëshpëruese për kryengritësit,por ato vinin në pikëpyetje edhe ekzistencën e shqiptarëve në Ballkan. Madje,për fat të keq,as gëzimet e fitoreve të mëdha dhe liria e arritur pas 500 vitesh robërie, nuk kishin domethënie të plotë dhe as ishin jetëgjata për kombin tonë të vuajtur.

Bile menjëherë pas çlirimit të Vilajetit të Kosovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Shkup,pranimi i vetëm 12 nga 14 pikat për autonominë e Shqipërisë etnike, nga Perandoria Turke do të mjaftonte për Fuqitë e Mëdha që të parashtronin kërkesat e tyre të vendosura për çarmatosjen e menjëhershme dhe të detyruar të shqiptarëve,ndalimin e të gjitha aksioneve luftarake dhe përfundimin sa më parë të kryengritjes së armatosur për mbrojtjen e tokave të tyre me armë.

Kjo gjë,vetëm pakë kohë më vonë do të vërtetohej se ishte parapërgatitje e dorëzimit pa luftë të trojeve tona kombëtare, vendeve pushtuese ballkanike të cilat me pëlqimin dhe miratimin e Fuqive vendimmarrëse të kohës, do të pushtonin dhe copëtonin pjesë të mëdha të kombit dhe atdheut të shqiptarëve.

Demobilizimi i detyruar i shqiptarëve nga Fuqitë e Mëdha

Deklarimi i Fuqive të mëdha për përfundimin e luftimeve dhe kërkesat e tyre për çarmatosjen me çdo kusht të kryengritësve shqiptar me arsyetimin se nuk do të pranohej rezultati i luftës së tyre çlirimtare dhe as ndryshimi i kufijve të Perandorisë Turke, detyruan Hasan Prishtinën dhe bashkëluftëtarët e tij që në fund të gushtit të vitit 1912 të pranonin kërkesat e Fuqive të Mëdha për çarmatosjen e luftëtarëve, dërgimin e tyre në shtëpi dhe ndërprerjen e aksioneve të mëtejme çlirimtare,pa dashjen e tyre.

Ndërhyrjet diplomatike dhe qëllimkëqija të Fuqive të Mëdha, të cilat nuk pranonin fare krijimin e një shteti shqiptar, sado i vogël dhe i kufizuar qoftë ai, siç ishin Rusia dhe Franca në atë kohë, kurse Anglia, Austro Hungaria dhe Italia, nuk pajtoheshin me formimin e një shteti të pavarur shqiptar sipas kufijve të Shqipërisë etnike në Ballkan, shkaktuan përçarje të mëdha në mes krerëve të kryengritjes së shqiptarëve, të cilët nuk e pranonin largimin nga Shkupi,detyrimin për demobilizim të dhunshëm dhe shkuarjen pa armë në shtëpi, para se të përcaktohej fati i Atdheut dhe ardhmëria e vendit të tyre, për lirinë e të cilit ata muaj me radhë në qindra beteja të ashpra kishin luftuar, kundër 60 mijë trupave pushtuese të Perandorisë Osmane.

Ndaj ,me të drejt, pjesa më e madhe e krerëve të kryengritjes së përgjithshme kombëtare, refuzonin me këmbëngulje çarmatosjen e shqiptarëve, gjë që vetëm pak kohë më vonë do të dëshmohej jo vetëm si veprim i ngutshëm dhe i pamenduara mirë, por edhe si gabim i madh dhe me pasoja fatale për kombin, ngase që nga momentet e para të çarmatosjes së shqiptarëve, kjo ishte shfrytëzuar hapur dhe pa asnjë ndrojtje nga shtetet fqinje për pushtimin e tokave tona të pambrojtura etnike.

Kështu që shtetet ballkanike, të trimëruara nga kjo çarmatosje dhe të nxitura nga Rusia,aksionet e tyre për pushtimin e tokave shqiptare i kishin filluar më herët,por më 26 tetor të vitit 1912, edhe zyrtarisht shpallën Luftën e ashtuquajtur të Aleancës Ballkanike, me arsyetimin absurd të spastrimit nga turqit, e cila nuk kishte arsye as qëllim tjetër përveçse okupimin e trojeve të sapo çliruara shqiptare.

Pas demobilizimit të dhunshëm të kryengritësve shqiptarë dhe dërgimit të tyre nëpër shtëpitë e veta, pushtimi i pjesëve më të mëdha të trojeve tona kombëtare nga ushtritë okupuese serbe, greke, bullgare dhe malazeze, pothuajse më nuk kishte të ndalur,aq sa për kohë të shkurtër shumica e tokave shqiptare, me përjashtime të vogla, pothuajse do të pushtoheshin në tërësi.

 

Tërheqja e ushtrisë turke dhe mashtrimi për mobilizimin e shqiptarëve

Pas demobilizimit të kryengritësve shqiptar,ushtritë e vendeve ballkanike grumbullimin e armatave të tyre pushtuese rreth e rrotull kufijve të atdheut kishin filluar ta kthejnë në fronte lufte dhe kërcënim të hapur ndaj vendit, të cilët vetëm prisnin urdhrin e nisjes së aksioneve për pushtimin e tokave tona kombëtare.

Para këtyre rreziqeve nga të cilat ishin trazuar së tepërmi shqiptarët ,dhe kishin nisur mobilizimin e tyre me çka kishin dhe si mundnin,ministri i luftës së ushtrisë perandorake,për qetësimin e gjakrave të ndezura kombëtare, kishte shpallur sa për sy e faqe, mobilizimin dhe armatosjen me mbi 50 mijë pushkë të vullnetarëve shqiptar,për mbrojtjen nga pushtimet e shteteve hegjemoniste fqinje të trojeve tona etnike.

Por mashtrimi i madh i tyre u vërejt që në fillim të luftimeve në frontin e gjatë, nga Rashka në Besianë,sidomos me rastin e sulmeve serbe në Merdare ku nga 14 deri më 18 tetor të vitit 1912,për pesë ditë e net me radhë do të zhvilloheshin luftimet më të rrepta për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimet sllave, ku ushtria turke një ditë para fillimit të luftimeve do të tërhiqej nga vijat e frontit.

Pastaj si në çdo vend tjetër,kur para çdo sulmi të ushtrive serbo-malazeze, ushtrija turke tërhiqej nga fronti,ajo nuk veproi kështu vetëm në Merdare por edhe në Kumanovë duke lënë të vetmuar vullnetarët shqiptar jo vetëm pa ndihmë e orientim në zhvillimin e luftimeve nga oficer dhe ushtar të perandorisë por edhe pa municion e armatim të premtuar për qëndresë dhe ndaljen e marshimeve të armikut në trojet tona.

Kjo për fat të keq do të vërtetohej edhe një herë më tepër në gjithë përmasën e saj tragjike edhe gjatë luftimeve të zhvilluara në mbrojtjen e Kumanovës,nga 22 deri më 24 tetor të vitit 1912,kur edhe këtu pas një qëndrese të shkurtër nga fronti do të tërhiqej ushtria turke dhe në luftime do mbeteshin vetëm vullnetarët shqiptar, të cilët sipas dëshmive të oficerëve turq,edhe pse të mbetur pa armatim e municione, për shqiptarët nuk kishte zmbrapsje.

Ata, heroizmin e tyre më së miri do ta dëshmonin me flijimin në luftë jo vetëm të vullnetarëve por edhe të gjithë efektivit të luftës së Batalionit shqiptar kundër mese 126 mijë ushtarëve të armatës së parë serbe që kishin mësyrë Kumanovën,pas tërheqjes nga fronti të armatës turke të vardarit.Sipas shkrimeve të historisë sonë kombëtare, për mbrojtjen e Kumanovës vetëm Idriz Seferi, kishte arritur që në rajonin e Moravës dhe Karadakut ti mobilizonte mbi 6 000 luftëtarë shqiptar, të cilët edhe pse të lënë vetëm, të tradhtuar dhe mbetur pa armatim e municione nga ushtria turke, për 7 ditë e net me radhë do të luftonin heroikisht me gjithë çka kishin dhe mundnin,ku shumë nga ta edhe do të binin trimërisht duke mbrojtur vendin nga pushtimet serbe.Këto vërtetohen edhe nga dëshmitë e shumta të oficerëve turq nga luftërat ballkanike,të cilët shprehen se shqiptarët edhe pas tërheqjeve të herëpashershme të ushtrive turke nga frontet e luftës,jo vetëm se nuk do të tërhiqeshin edhe ata nga vend-luftimet por për mbrojtjen e atdheut të tyre, do të luftonin me aq trimëri, sa që vetëm për mbrojtjen e Kumanovës, do të vriteshin mbi 10 mijë mbrojtës vullnetar të vendit, me ç`rast me nder dhe heroizëm të rrallë e të pa parë deri atëherë në frontet e luftës, do të binte edhe i gjithë efektivi i batalionit të ushtarëve shqiptar.

Ndaj kjo dihet botërisht dhe nga të gjithë se Kumanova,në duart e pushtuesve serb, do të binte vetëm pas rënies së mbrojtësve shqiptar, pasi që ushtria turke, ishte larguar që më parë nga fronti i luftës,kështu që me 26 tetor të vitit 1912 edhe Shkupi do të binte pa asnjë kundërvënie të ushtrisë perandorake turke,ngase shqiptarët e ç`armatosur dhe të braktisur nga kjo ushtri e cila u kishte premtuar atyre ndihmë dhe armatime ,nuk kishin më mundësi që duarthatë të organizonin ndonjë qëndresë të fortë luftarake.

Madje në rrethinat e Shkupit në nëntor të vitit 1912,derisa ata përpiqeshin për riorganizimin e rezistencës kombëtare atje,do të ziheshin me tradhti edhe prijësit e qëndresës shqiptare si Hasan Prishtina, Idriz Seferi,Nexhip Draga e disa udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare, nga të cilët për lirimin e tyre ,ushtria pushtuese serbe do të kërkonte nënshkrimin e një DEKLARATE për “Besnikëri ndaj Serbisë”.
Por heronjtë e luftës dhe qëndresës së trojeve tona për asnjë kusht as çmim, madje as me kërcënimin për jetë që e përdorte kundër tyre Serbia, nuk do të pranonin një poshtërim të tillë nga pushtuesi të cilin do ta luftonin gjatë gjithë jetës, ndaj edhe u dërguan dhe mbyllën në burgun e Beogradit, ku vetëm pas ndërhyrjeve të fuqishme të Anglisë dhe Austro-Hungarisë e ndonjë diplomacie tjetër evropiane, ajo do të detyrohej që me 16 maj të vitit 1913, ti lironte ata.
Pas burgosjes së prijësve kryesor të qëndresës kombëtare, vërshimet e ushtrive pushtuese ballkanike,pothuajse më nuk kishin të ndalur. Madje ushtria serbe nën udhëheqjen e gjeneralit gjakatar Jankoviq, jo vetëm se kishte hyrë thellë në tokat shqiptare por ai mu në pragun e planifikuar të shpalljes së pavarësisë kombëtare, me shpejtësi do t`i afrohej Shqipërisë së mesme dhe Elbasanit,i cili kishte mësyrë Durrësin dhe planifikonte daljen në bregdetin shqiptar e me këtë edhe pengimin e tërësishëm të shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar.

Ndaj si pasoj e këtyre zhvillimeve dramatike për vendin dhe kombin, plani për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Durrës,jo vetëm se do të anulohej, por tanimë rrezikohej më shumë se asnjëherë më parë edhe vet shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, sikur Isa Buletini dhe gjeneral Mehmet Deralla,me bashkëluftëtarët e tyre të mos arrinin që në momentet e fundit,të ndalonin turrin e marshimit të ushtrisë serbe dhe bllokimin e saj në mes të Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, për ç`shkak,heroi Isa Buletini i zënë nga luftimet, nuk mundi që më 28 Nëntor, por një dit pas aktit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare,të arrinte në Vlorë.

 

Gani Qarri Cyrih, nëntor 1912

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet, Bajram Daklani, Gani Qarri, pavaresi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5715
  • 5716
  • 5717
  • 5718
  • 5719
  • …
  • 5723
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Doracaku i një tirani”, kur pushteti bëhet më i rëndësishëm se populli
  • Koreografi Bekim Murati: “Grupi i valleve “Besa”, kontribut në ruajtjen e rrënjëve shqiptare dhe edukimin e brezave të rinj në Florida”
  • “Vjeshta Arabe” në Europë dhe Shqipëria
  • 𝗔𝘃𝗼𝗸𝗮𝘁𝗶 𝗶 𝗣𝗼𝗽𝘂𝗹𝗹𝗶𝘁 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗼𝗶 𝘀𝗼𝘁 𝗴𝗷𝗲𝘁𝗷𝗲𝘁 𝗲 𝗺𝗼𝗻𝗶𝘁𝗼𝗿𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗽𝗿𝗼𝘁𝗲𝘀𝘁𝗲̈𝘀 𝗻𝗲̈ 𝟮𝟰 𝗼𝗿𝗲̈𝘁 𝗲 𝗳𝘂𝗻𝗱𝗶𝘁
  • Mark Gjonaj: Thirrje Kryeministrit Rama t’i japë fund dhunës ndaj protestuesve dhe të japë dorëheqjen
  • 2500 euro për të ruajtur përbindëshin: Rama, Frankenstein- i dhe shpresa e një populli
  • Qeveritar i tmerrshëm që ka shkatërruar perspektivën dhe ka kriminalizuar çdo qelizë e policisë, qeverisë e parlamentit
  • KUR PËRDHOSET E SHENJTA, TRONDITET SHPIRTI I KOMBIT
  • “The Versailles Order and the Making of Albania, 1918–1926”
  • Political Power Is Temporary. The Soul of a Nation Is Not
  • STOP DHUNËS NDAJ STUDENTËVE!
  • JO NJË KATOVICË TË DYTË! – SHQIPËRIA KA NEVOJË PËR NJË FILLIM TË RI, JO PËR RICIKLIMIN E PUSHTETIT!
  • “Humanoidët”, një çast në atelierin e Artur Muharremit
  • Life in “Time Shelter”
  • Akademia e Shkencave kujton sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta poetin e madh të kombit që i dha zë Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT