• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Testet e antitrupave: disa përgjigje por më shumë pyetje

May 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Pashko CAMAJ*

Derisa me vëmendje vazhdojmë të shikojme për lajme të mira në luftën kundër koronavirusit, jo veç në kërkime të vaksinës, barnave dhe ilaçeve kurative, dhe një nga gjërat që ka qenë në fokus të aktiviteteve, ditëve të fundit, është testimi i antitrupave ndaj Covid-19. Ky testim ka qenë një nga faktorët kryesorë në procesin vëndimmarres, për të hapur bizneset dhe për të rikthyer përsëri në një farë normaliteti të cilin të gjithë mezi e presim. Natyrisht, për gjëra të ‘reja’ pritën dhe pyetjet – Çka është ky test? Si punon? Çka do të thotë nëse delni pozitiv, për antitrupa ndaj Covid-19?  Në këto dy-tre paragrafë të shkurtëra, do të jap disa përgjigje:

Thënë thjesht, testimi për antitrupa është një mënyrë për të shikuar nëse sistemi ynë imunitar është përgjigjur ekspozimit ndaj një virusi, bakterie apo patogjenëve të tjerë. Në rastin e Covid-19, ky testim është një mënyrë për të parë se kush ka qenë i ekspozuar dhe se kush e ka pas koronavirusin e ri. Testet e antitrupave ndryshojnë nga testimet ndaj virusit, ku ky i fundit përdoret për diagnozat konfirmuese të sëmundjes. Megjithëse testet e antitrupave, për disa nga patogjenët tjerë, mund të përdorën dhe për të diagnostifikuar sëmundjet, ato nuk janë në veçanti të dobishme për diagnozat e Covid-19. Kjo ndodhë sepse antitrupat që luftojnë kundër këtij virusi nuk formohen deri të paktën 1-2 javë pas simptomave të para të sëmundjes. 

Çka janë antitrupat dhe pse janë të rëndësishme testet për antitrupa?

Kur ne expozohemi ndaj virusit, kryesisht përmes piklave te vogla, që përmbajnë viruse, nga të kolliturit, apo teshtja e ndokujt në afersinë tonë, qelizat tona imunitare menjëherë anagazhohën në mbrojtje.  Aty, një grup qelizash shumë të specializuara sulmojnë virusin dhe e copëtojnë atë në fragmente të vogla. Këto fragmente u paraqiten më vonë një grupi tjetër të qelizave të specializuara, të quajtura qelizat ‘B’.  Kur fragmentet e virusëve futen në qelizat B, këto qeliza shndërrohen në fabrikë antitrupash që i lëshojnë ato në qarkullimin e gjakut. Pra, thelbi i testit të antitrupave është të konfirmohet prania e këtyre antitrupave në gjakun tonë, por mjafte me imunologji për këtë seancë!  Rezultatet e testit të antitrupave do të luajnë një rrol kritik në luftën kundër Covid-19, duke ndihmuar autoritetet e kujdesit shëndetësor dhe të shëndetit publik të vlerësojnë reagimin imunitar tek popullatat dhe individët, duke i ndihmuar ata që të marrin vendime për njerëzit që kthehen në punë, dhe ndoshta lehtësimin e masave te distancimit shoqëror.  

Dime se nuk dime! A e konfirmon imunitetin ndaj Covid-19 testi pozitiv per antitrupa?

Për të parafrazuar ish Sekretarin e Shtetit të SHBA’s, Donald Rumsfeld, i cili në një kohe kritike gjat ngjarjëve të 11 Shtatorit, deklaroi se ka gjëra që “ne e dimë se nuk dimë.” Duke qenë se ky është një virus i ri, për të cilin mësojmë çdo ditë, aktualisht testi i antitrupave nuk është një gjë e sigurt për të konfirmuar imunitetin ndaj Covid-19. Nëse ekziston imuniteti dhe mbrojtja, gjithashtu nuk dihet se sa mund të zgjasë kjo mbrojtje. Disa studime me numër relativisht të vogël të mostrave tregojnë “përmirësime të konsiderueshme” në simptomat e pacientëve, pasi u trajtuan me serum nga ata që mbijetuan Covid-19. Një gjë tjetër që testi i antitrupave mund të na tregojë është se sa larg jemi nga i ashtuquajturi imuniteti i “tufës”, ku njerëz ne numer te mjaftueshëm (60-80% e popullatës) kanë formuar imunitet ndaj virusit. Nga kjo ne jemi shumë larg! Optimale do të ishte nëse pas ekspozimit ndaj këtij virusi, trupi i përgjigjet me antitrupa që zgjasin tërë jetën, sikurse imuniteti ndaj fruthit dhe disa infeksione të tjera viruale. Tani për tani, duhet të jetojmë gjatë kësaj periudhe pasigurie dhe ankthi, ndërsa t’u japim shkencëtarëve të gjitha mjetet që u duhen për të dalë me përgjigje dhe zgjidhje efektive për pyetjet që i kemi të gjithë.

Përfundimisht, një shënim pozitiv në kërkim të vaksinave:

Ditëve të fundit, një raport shpresëdhanës nga puna e Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA, me një grup bioteknik nga Massachusetts, tregon se në provën klinike të Fazës I, në 40 persona, pjesëmarrësit e këtij studimi kanë zhvilluar antitrupa që neutralizojnë virusin, pa efekte negative për pjesëmarrësit e këtij studimi. Është ky një hap i parë dhe i madh në drejtim të vaksines efektive dhe të sigurt që do të ndalojë koronavirusin  dhe do t’i japë fund kësaj pandemie globale.

  • Autori është nënkryetar i Vatrës

Filed Under: Analiza Tagged With: dr. Pashko Camaj. Antitrupat

DARDANIA (KOSOVA), ALTARI I ARBËRISË 1910- 1941


May 22, 2020 by dgreca

IMZOT LAZER MJEDA, KRYEIPESHKËV 1869-1935 DHE
ARBËRIA NË KOHËN E TIJ/


Dokumente të pabotuara, të mbledhur, të mikrofilmuar dhe të përgaditura për shtyp nga Gjergj Gashi.


            PARATHËNIE
“Nuk do të them pothuajse asgja për vuejtjet e arbërorëve
muhamedanë që në fillim të pushtimit serb, sepse të tregosh torturat e kryeme ndaj tyne, do të duheshin vëllime”. Dok.
Nr. 4.(shënim: 25) “E ndërsa serbve (qeveria) u jep armë e municion,muhamedanët dhe katolikët arbër i torturojnë për t’u nxjerrë ato armë që nuk i kanë….”
Lazer Mjeda -Kryeipeshkëv i Shkupit me d. v. Prizren me 29 gusht 1919

Përgatiti për Diellin: Gjon Kadeli/ Në këto të dhana, përfshihet kryesisht pjesa e popullsisë katolike e Kosovës martire, udhëheqsi shpirtnor i të cilëve ka qenë Kryeipeshkvi i Shkupit. Lazer Mjeda në atë kohë bani nji përmbledhje të masakrave që serbët banë kundër kësaj popullsie, në zonat qe ata banoshin ne Kosove.
Kryeipeshkvi Mjeda bani çdo përpjekje, tuej u shkrue letra
autoriteteve Austriake në Vjenë, të Vatikanit në Rromë e tjera, që tëndërhyjnë për ndaljen e masakrave që serbët po bashin kundër shqiptarëve të Kosovës, por,fatkeqsiht këto përpjekje dështuen.
Në vazhdim vihen në dukje nji pjesë e masakrave të ndryshme që serbët banë prej 1910-1941.
Në Shkup gjatë 18 ditëve të para të operacioneve ushtarake, çdo mbramje hidheshin në lumin Vardar 20-30 vetë dhe e njëjta gja u ba edhe me të plagosunit që ishin në spital. Të gjithë këta ishin të besimit mulsiman.
Në Ujzi të Gjakovës, ku pothuejse të gjithë ishin muslimanë, ushtarët morën burra, gra e fëmijë, i mbyllën nëpër shtëpitë e tyne dhe u vunë zjarmin ku vdiqën 74 vetë, mandej me dinamit shkatrruen shtëpitë.
Në qytetin e Pejës, natën e Bajramit u rrahën të gjithë muslimanët qëndesheshin rrugës, pa përjashtue edhe Myftinë që ishte i vjetër dheudhëheqsi fetar i qytetit. Ditën e Bajramit vranë nji hoxhë, ndërkohë që kthehej në qytet, mbasi kishte shkue me ba nji shërbim fetar në nji
katund.
Në Berishë 6 vetë u vranë, të tjerë për të shpëtue paguen 400 lira turke dhe me i dhanë komandarit (komandantit) 28 deshë.
Në Borodosane dogjën 40 shtëpi, vranë 46 vetë, midis të cilëve edhe gra e fëmijë.
Në Bjelushë u dogjën 36 shtëpi, u vranë 68 vetë tuej përfshi edhe tri gra me fëmijë në gji, plaçkitën çdo gja dhe përdhunuen gratë.
Në Ballobrad u dogjën 28 shtëpi, 18 vetë u vranë, 33 mashkuj dhe 6 gra u therën me bajoneta.
Në Plavë u dogjën 18 shtëpi, 18 mashkuj dhe 4 gra me fëmijë në gji u therën me bajonetë, plaçkitën çdo gja që gjetën.
Në Lojma katundi u dogj, 93 mashkuj dhe të gjitha gratë me fëmijë që u gjetën u vranë.
Në Kolovoz të gjithë banorët u zhdukën dhe vetë katundi u dogj.
Në Nimcë u dogjën 64 shtëpi e 130 mashkuj u vranë.
Në Breki dogjën 65 shtëpi e vranë veç grave e fëmijve edhe 80 burra.
Pebrek, nga ky katund që përbahej prej 112 familje vetëm katër fëmijë,mbetën gjallë.
Shumica e këtyne masakrave tejet barbare kanë ngja nëpër katundet rreth Gjakovës dhe Pejës ku ka banue popullsija e besimit katolik.

Filed Under: Histori Tagged With: Altari i Arberise-Dardania, Gjon kadeli, Ipeshkevi Lazer Mjeda

Fundi tragjik i një teatri

May 22, 2020 by dgreca

Nga Migena Andoni/ New York/

20 vite më parë nisa të punoj si gazetare, duke raportuar debatet që nisën mes artistëve dhe politikës për iniciativën e ish-Ministrit të Kulturës Edi Rama, për ndryshime në “Ligjin për Teatrot” si dhe shembjen e Teatrit Kombëtar. Të gjithë artistët, mes tyre ikona të Teatrit dhe Kinematografisë
Shqiptare, një  pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, (sic ishte Vangjush Furxhi),  kundërshtuan me forcë këtë ide, e cila do të rrënonte jo vetëm një godinë, që aso kohe ishte pjesë e trashëgimise kulturore dhe historike, por edhe  shpirtin e artit skenik, mishëruar nga interpretimi i kryeveprave të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore. Godina arriti të rezistonte, artistët vijuan punën.

          Në këto 20 vite, Rama ngjiti shkallët e karrierës, duke u zgjedhur fillimisht Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më pas Kryeministër i vendit. Koha dhe veprimet treguan se ai nuk e harroi bastin që i vuri vetes: të ndryshojë “Ligjin për Teatrot” dhe të shembë Teatrin Kombëtar për të ndërtuar në truallin e tij jo pak, por 6 kulla shumëkatëshe. Sot pas 20 vitesh, duke qenë vetë Maliqi dhe Ligji i vendit, Rama e hoqi Teatrin Kombëtar nga lista e monumenteve të kulturës, duke i dhënë të drejtën ndërtuesit që teatrin e ri ta ngrejë në një prej bodrumeve të gradacelave. 

Synimi: pastrimi i parave, pasi Shqipëria tashmë konsiderohet edhe nga ndërkombëtarët si lavatriçe e parave të pista.
           Në këto kushte, në një akt banditesk, ku shumë artistë ishin në ambjentet e Teatrit Kombetar, me urdhër të Kryeministrit, punonjësit e Bashkisë goditën me fadromë Teatrin Kombëtar, në orën 4 të mëngjesit të datës 17 Maj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj edhe në këtë rast u bë vegël e Kryeministrit, që është njëherësh dhe Kryetari i Partise se tij. Si fillim, Bashkia synoi që ndërtimin e Teatrit të ri, (pra, të kullave shumëkatëshe), t’ia besojë kompanisë “Fusha”, me të cilën ka bashkëpunuar për shumë afera, sikundër ishte ai i Landfillit të Tiranës. Kujtoj këtu, 17- vjeçarin e ndjerë Ardit Gjoklaj, i cili u gjend i vdekur nën rrënojat e Landfillit, për shkak se kompania “Fusha” nuk kishte plotësuar asnjë kusht për mbarëvajtjen e punës. Ndërkohë që për këtë punë skllavëruese, kjo kompani kishte punësuar fëmijë, një prej të cilëve edhe Arditi. Ende sot për këtë tragjedi, që i mori jetën një djali vetëm 17 vjeç, nuk ka asnjë të dënuar.  

Për të konkretizuar synimin e tij, Kryeministri (Maliqi) bëri një tjetër ndryshim ligjor. Truallin e Teatrit Kombëtar ai e kaloi në varësi të Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Veliaj në një mbledhje online, në shkelje të plotë të legjislacionit dhe pa asnjë projekt të ri për ndërtimin e Teatrit.

Pas 20 vitesh godina ra, por artistët vazhdojnë rezistencën.
Uniformat blu, pa numër identifikimi, i dhunuan artistët, qytetarët, gazetarët, përfaqësuesit e opozitës që ishin të pranishëm, duke i arrestuar dhe mbajtuar për disa ditë në ambjetet e komisariteve të Tiranës. Qytetarët që vijuan të shtoheshin në mbrojtje të Teatrit Kombetar, u bënë sërish pre e dhunës së paprecedentë. Përfaqësuesit  e medias kanë dokumentuar këtë tragjedi që ndodhte para sheshit të Teatrit, tashmë të shembur, duke i dhënë jehonë kësaj ngjarjeje edhe në shtypin ndërkombëtar. Artistët, qytetarët dhe opozita kanë nisur protestat masive kundër këtij vendimi arbitrar, antikushtetues, një shembje që ndodhi në kushtet kur Bashkia e Tiranës ende nuk kishte një projekt për ndërtimin e Teatrit te ri. Artistët që aderojnë në Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe opozita duan që kjo godinë të ringrihet në këtë vend, me arkitekturën tipike që kishte, ndërtuar në vitet ‘30, falë projektit italian.
Ata akuzojne se ndertimi i Teatrit te Ri eshte vetem ALIBIA, pasi qëllimi i vërtet i qeverisë është toka e këtij Teatri në zemër të Tiranës (pronë publike), për ndërtimin e kullave shumëkatëshe, edhe pse ky projekt stonon me godinat përreth, të projektuara nga arkitektët italianë, si nje kompleks gjeometrik në harmoni me njëra-tjetrën. Sot Tirana, është i vetmi kryeqytet në botë që nuk ka Teatër.  Me të drejtë artistët dhe qytetarët thonë ’Kemi parë qytet pa bulevard, por kurrë pa Teater“.

I mirëkuptoj dhe jam sinkron me artistët, artëdashësit dhe kolegët e mi gazetarë, në revoltën e tyre kundër shkatërrimit të kësaj vlere,
artistike dhe historike. Ata janë të gatshëm deri në fund, për t’I rezistuar dhunës, tashmë me qëllimin për të mos lejuar Kryeministrin të përmbushur ambicien e tij personale, që mbi rrënojat e Teatrit.
Kombëtar të ndërtojë kullat e larta të pastrimit të parave. Sot ata kanë në krah edhe ndërkombëtarët, të cilët kanë reaguar për këtë masakër të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të vendit, duke e krahasuar veprimin e Qeverisë të ngjashëm me veprimet terroriste te
talebanëve. Ky veprim banditesk i Qeverisë u rreshtua madje dhe në listën e problematikave që pengojnë integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Ndihem e keqardhur që edhe pas 20 vitesh vendi im lundron mes të njëjtave debate. Këtë herë me një ndryshim shumë të madh. Në krye të vendit është i njëjti person që 20 vite më parë ishte ministër kulture, por që sot është 20 herë më arrogant, 20 herë më prepotent, 20 herë më i pasur, 20 herë më i fuqishëm politikisht, që për egon  dhe ambiciet e tij do të shëmbte dhe digjte çdo pëllëmbë tokë, ashtu si Neroni dogji Romën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Migena Andoni, teatri, vdekja tragjike

Kryeparlamentarja Osmani takohet me ekipin e OKB

May 22, 2020 by dgreca

Kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani u takua sot me Ekipin e Kombeve të Bashkuara të Kosovës (UNKT) dhe përfaqësues të Agjencive të KB-së /

Osmani: Partneriteti në frymën e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm është garanci për përballje me sukses të sfidave socio-ekonomike 

Kryetarja e Kuvendit, Dr. Vjosa Osmani u takua sot me Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, znj. Ulrika Richardson dhe përfaqësues te Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.Me këtë rast, Kryetarja Osmani e falënderoi znj. Richardson dhe të pranishmit për rolin aktiv dhe kontributin thelbësor që Agjencitë e KB kanë dhënë në adresimin e sfidave socio ekonomike gjatë periudhës së pandemisë. Ajo vlerësoi lart përkushtimin për një menaxhim sa më efikas dhe human të kësaj situate.“Angazhimi i UNKT dhe agjencive të KB gjatë kësaj periudhe është modeli më i mirë se si përmes partneritetit të mirëfilltë dhe të sinqertë mund t’ia dalim që me sukses të përballojmë situata të tilla të përmasave jashtëzakonisht sfiduese” – theksoi Osmani.

Nga ana e UNKT, Znj. Richardson potencoi që ishte shumë me rëndësi që masat janë ndërmarrë dhe para paraqitjes së rastit të parë në Kosovë, dhe që për shkak paraqitjes së mëvonshme të virusit në vend, institucionet kishin fatin të mësojnë nga eksperienca e vendeve të tjera.

Tutje, palët diskutuam rreth modaliteteve për angazhim të përbashkët në promovimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm – OZHQ. U theksua se OZHQ-të kanë për qëllim prosperitetin e një shoqërie andaj duhet të ju kushtohet vëmendje e veçantë në mënyrë që kjo agjendë global të shënoj progres edhe në Kosovë.  Në mes tjerash, në frymën e muajit për rëndësinë e shëndetit mendor, në takim u përmend dhe rëndësia e kujdesit ndaj shëndetit mendor, me theks të veçantë në impaktin që ka pas përballja me pandeminë tek popullata dhe profesionistët shëndetësor. ​

Filed Under: Kronike Tagged With: Ekipi OKB, Osmani, takim

Qëndresa Llugiqi, reporterja e 20Minuten: Më ofendojnë dhe më kërcënojnë, por unë nuk dorëzohem!

May 22, 2020 by dgreca

Qëndresa Llugiqi, reporterja e 20Minuten: Më ofendojnë dhe më kërcënojnë, por unë nuk dorëzohem! 

 

Nga Elida Buçpapaj/

Mundësia më ka ardhur si shumë sende të bukura që më vijnë në jetë: pa pritur e pa kujtuar, normal që kisha patur dëshirë edhe më herët të arrija diçka të tillë, si gazetare apo si autore. Por shumë njerëz në atë kohë më thoshin se «Ahhh një shqiptare s’ka shanse ne Zvicer». Kur më erdhi mundësia,  e arrita ëndërrën ta bëj realitet me punën time, të le përshtypje dhe ja ku jam e përgjigjia për pyetjen “pse” është e thjeshtë: se kam dëshirë me analizu, me hulumtu, me i futur hundët kudo ! Hahahaha !

——–

Në kohë të Covid 19 dhe distancës sociale kisha lënë të takohesha me një gazetare të re që punon për 20Minuten, gazetën më të lexuar zvicerane.

Në orën e caktuar të takimit kisha përballë një vajzë shtatlartë e të bukur, që dikush mund të vinte bast se ishte zvicerane nga Alpet e Bernës. Vajza mund të ishte gjithashtu një nga 180 shtete të botës që popullojne një Zvicër multikulturale me një përqindje të konsideruar të huajsh. Qëndresa Llugiqi, kështu quhet, është një zvicerane me prejardhje nga Kosova. Për ne shqiptarët emrat Qëndresë, Fortesë, Granit, Leutrim, Liridona etj kanë lidhje me ëndërrat dhe dëshirat e prindërve për Kosovën dhe bijtë e tyre.

Për zviceranët emri i Qëndresë është problem shqiptimi, por tashmë i tejkaluar. Qëndresa është një e re zvicerane, që nuk i harron rrënjët nga vjen. Kur e pyes për dallimin midis Zvicrës dhe Kosovës (ajo ka ardhur në Konfederatën Helvetike kur ishte 4 vjeçare) më thotë sikur midis Nanës e Babës.

Do të pyesni si e qysh e njoha unë Qëndresa Llugiqin. Edhe unë fillimisht u befasova nga emri, duke naviguar 20 Minuten online ose duke e shfletuar nëpër trama e trena.

Është diçka e rrallë të lexosh në shtypin zviceran emra gazetarësh me prejardhje shqiptare. Jo për faj të zviceranëve. Por kur je i zoti apo e zonja, zviceranët nuk kanë paragjykime. Kur e meriton, zviceranët të hapin dyert e shpirtit. Xherdan Shaqiri, per shembull, në kohën e kampionateve futbollistike ishte nëpër postere dhe ekrane në të gjitha supermerkatot dhe televizionet e Zvicrës, po kështu Rita Ora, Dua Lipa kanë fanset e tyre. Mund të themi, tani zviceranët i shohin me një sy të mirë shqiptarët! Nga shembujt e mirë. Pra, sa më tepër të tillë!

Qendresa Llugiqi padyshim që është njëri prej tyre. Të punosh tek 20Minuten,  si reportere e gazetës që për nga madhësia këmben vendin e parë me të dytin vetëm me Blick në një garë dhe konkurencë të fortë, e që të kesh emrin Qëndresë, duhet të jesh më e mira fare. 20Minuten shpërndahet falas nëpër stacione tramash dhe 150 stacione trenash në gjithë Zvicren. Mbi 2 milionë lexues në ditë (online ky numër është më i madh), tashmë janë mësuar prej pesë vitesh ta shohin emrin e saj nëpër storiet e kronikave. Shpesh herë e ndesh Qëndresën edhe në tren kur ajo shkon e kthehet nga redaksia, por nuk e dallon dot duke e krahasuar me fotot e saj gazmore pak hipi në Instagram.

Kur u takuam, mund të kishim shkëmbyer të puthura në faqe, por respektuam udhëzimet, duke bërë një shkelje të vogël sepse shtrënguam duart. Të dyja jemi gazetare dhe e dimë prej statistikave se Covid 19 në Zvicër është në rënie dhe kurba e të infektuarve vjen duke u rrafshuar, megjithë frikën se heqja e lockdown mund të shkaktojë një valë të dytë.

Përballë kam një të re që i ka realizuar një pjesë të ëndërrave dhe thurr të tjera edhe më të bukura. Qëndresa e ka realizuar kuptimin e emrit të saj!

Për komunitetin e madh të shqiptarëve, që me e pjesën e natyralizuar bën rreth gjysmë milioni, nuk duhej të ishte diçka e rrallë që në mediat zvicerane të kishte emra shqiptarë. Megjithatë, të rinjtë me prejardhje shqiptare, ndryshe gjenerata e dytë, (fëmijët e emigrantëve që quhen shpesh me emrin e çuditshëm me rrënjë italiane dhe mbaresë spanjolle “secondos” ), studiojnë nëpër Universitetet zvicerane dhe janë në kërkim të një të ardhmeje ndryshe nga prindërit e tyre, që erdhën në Zvicër si punëtorë sezonalë apo emigrantë politikë, sepse Kosova nën pushtim ishte pa të ardhme. Gjeneratat e para të komunitetit shqiptar, ardhur nga Kosova, Lugina e Preshevës, Maqedonia u dalluan për sakrificat, sepse një pjesë të të ardhurave e dhanë si kontribut për funksionimin e shtetit paralel dhe çlirimit të Kosovës.

Tashmë ky komunitet ka ngulitur rrënjët prej më tepër se 5-6 dekadash dhe është integruar, megjithëse jo pa vështirësi, punë e mundim si pjesë e së tërës dhe rinia që ka thithur edukatën dhe kulturën zvicerane, bashkë me dashurinë si për rrënjët, ashtu edhe për degët, është e motivuar drejt suksesit.

Qëndresa Llugiqi është një shembull i padiskutueshëm suksesi. Ajo nuk e ka gjetur shtruar, por me pasion, ngulm, e punë ajo ka zbuluar edhe vetveten edhe rrugën e realizimit me sukses të ëndërrave.

Biseda jonë mori rrugë. Unë që e kisha nisur profesionin e gazetares në Tiranë pas rrezimit të diktaturës komuniste kur Qëndresa sapo kishte lindur, ndërsa ajo karierën e saj po e ndërton në një vend multikulturor si Zvicra neutrale, me një demokraci direkte dhe shtet të së drejtës të konsoliduar.

Dëshira ime për të treguar portretin e Qëndresës lidhet me rrugën e arritjeve të saj që të frymëzojë rininë zvicerane me prejardhje shqiptare, e integruar mrekullisht edhe si pjesë e Zvicrës por që nuk i harron rrënjët kurrë. Gjermanët, francezët apo italianët e natyralizuar për shkak të emrave dhe gjuhës integrohen shpejt dhe përfshihen deri në politikë soft dhe pa zhurmë, ndërsa shqiptarëve, dhe jo vetëm, u duhet më shumë djersë.

Qëndresa ka lindur në Lipjan 29 vjet më parë. Është vajza e parë midis katër fëmijëve. Babai i saj kishte studiuar në Universitetin e Prishtinës ekonomi, por situata e rëndë në Kosovë e detyroi të emigronte në Zvicër dhe, kur të krijonte një bazë të sigurt jetese, të merrte gruan me dy fëmijët e parë të lindur në Kosovë, dy të tjerët lindën në Zvicër. Qëndresa ishte vetëm 4 vjeçare.

Më poshtë po e sjell bisedën që patëm në shtjellën e një interviste.

Si do ta përkufizonte Qëndresa Qëndresën?

Qëndresa Llugiqi: Jam një e re luftëtare, nuk dorëzohem lehtë. Jam e pavarur, ashtu më rritën prindërit e mi. Jam një e re që e dua lirinë, kryesisht lirinë shpirtërore. Nuk lejoj që dikush të më vërë pranga në kurdofarë mënyre. Por jam dhe një e re shumë emocionale. Shumë njerëz këtë e vlersojnë si dobësi, por një profesionist shumë i zoti njëherë më ka thënë: emocionaliteti yt është forcë… Pasi ai u zgjodh në një pozitë të lartë  dhe u tregua shumë emocional, nuk pati frikë ta kallzojë këtë publikisht. Dhe unë e kuptova se nuk është dobësi të jesh emocional…

Kur të pashë nga pamja dukesh si një studente 20 vjeçare, por pastaj mësova prej teje se ke ndërtuar familjen dhe je mami e Noah Akil, një djali gati 3 vjeçar. Çdo të thotë për ty kjo? 

Qëndresa Llugiqi: Jam mami me shpirt e me zemër. Djali im Noah Akil m’i ka hapur sytë që ta kuptoj botën po edhe njerëzit ma kthjellët. Pasi një kohë, nën ndikimim e shumë njerëzve dhe shumë vështirësirave, thuajse isha duke e humbur veten dalëngadalë. Lindja e bebit tim më bëri të ndryshoj. Hap pas hapi e gjeta veten dhe tash jam duke e rikrijuar një Qëndresë që i qëndron çdo situate. Djali më bëri luaneshë.

Njejtë edhe shoku im i jetës. Bashkë jemi aq bukur të lidhur me njëri-tjetrin në atë nivel që të tjerët s’mundin ta kuptojnë dashninë tonë. Veç kur marr frymë ai e kupton a jam e lumtur apo a më bën diçka stress. Më pëlqen se ai është i vendosur dhe plot temperament sikur unë dhe është pranë meje kur unë çartem, është si shkëmbi solid në dallgë. Kjo më pëlqen sepse nuk jam personazh i lehtë, nuk e kam një jetë të lehtë gjithashtu as profesionin dhe më duhet sikur thonë zviceranët «ein Fels in der Brandung». Jam e sigurt që me të lirisht shkoj në luftë dhe ia dalim…

Fole per djalin. Por ti: Si e ke patur fëmijërinë?

Qëndresa Llugiqi: Nuk kam patur një fëmijëri të lehtë, por një fëmijëri që më ka pjekur para kohe dhe tash jam e lumtun që fëmija im mundet me qenë taman fëmijë e jo si unë që isha si njëfarë plake në trupin e një fëmije. Tash bashkë me djalin mundem me qenë si fëmijë. Djali e rihapi një derë të një bote që kurrë tamam nuk e shijova, por tash e shijojmë bashkë. Plotësisht tranohemi bashkë prej lumturisë ! Hahaha !

Më përpara the se prindërit e tu të kanë bërë të pavarur. A mund të na tregosh më shumë për ata?

Qëndresa Llugiqi: Ju shpreh mirënjohjen prindërve të mi që më kanë bërë femër të fortë dhe më kanë përgatitur mjaft për këtë jetë – mami më ka treguar se me punë e durim gjithçka arrihet, njëlloj edhe babi, por ndryshe nga mami, e cila nuk flet kurrë keq për dikënd, babi më ka përgatitur për negativitetin e kësaj bote, më ka treguar edhe për botën e krimit, për pislliqet që bëjnë disa njerëz, duke na treguar ne të katër fëmijëve, jemi dy motra e dy vëllezër, se çfarë ka përjetuar ai ose njerëz të afërm. Kjo edukatë ka pasur shumë ndikim në lidhje me zgjedhjen e profesionit tim, me mënyrën se si jetoj dhe çka pres nga njerëzit dhe nga jeta…

Kur fletper veten apo per femrat, tingllon te ishe feministe. A je e përfshirë në këto lëvizjet feministe?

Qëndresa Llugiqi: Nuk është e para herë që pyetem a jam feministe. Shiko: Termin feministe shumica e përdorin për të nënvleftësuar dikënd. Por në të njëjtën kohë ka patur raste që më kanë quajtur antifeministe. S’jam as njëra dhe as tjetra në kuptimin tipik ose në të cilën identifikohen këto grupacione. E kam të edukuar prej familjes dhe kjo më ka bërë të kuptoj se i kam të njëjtat të drejta si meshkujt dhe që mundem të arrij atë çka arrijnë ata, bile edhe më shumë – nëse jap mund për diçka. Identifikohem me atë lloj Feminismus që të lejon të luftosh për të drejtat e tua si femër, por edhe të jesh Sexsymbol, ta ndjesh, ta tregosh dhe ta veshësh veten ashtu si je…

Cili është gabimi më i madh që mundet të bëjë dikush ndaj teje në jetën private por edhe profesion?

Qëndresa Llugiqi: Si në jetën private, ashtu edhe në atë profesionale nuk lejoj kërkënd me ma hup mundin. Ky është gabimi më i madh që dikush mundet me vepru ndaj meje. Ka ndodhur që disa njerëz komplet i kam fshirë nga jeta ime ose kur kam patur ndikim i kam «riedukuar» në atë aspekt që «Jo, me mua s’ke të drejtë të sillesh ashtu, ose ndrysho, ose s’ke çfarë lyp në jetën time». Dhe ka pas efekt.

Por si dhe pse u bëre reportere ?

Qëndresa Llugiqi: Mundësia më ka ardhur si shumë sende të bukura që më vijnë në jetë: pa pritur e pa kujtuar, normal që kisha patur dëshirë edhe më herët të arrija diçka të tillë, si gazetare apo si autore. Por shumë njerëz në atë kohë më thoshin se «Ahhh një shqiptare s’ka shanse ne Zvicer». Kur më erdhi mundësia,  e arrita ëndërrën ta bëj realitet me punën time, të le përshtypje dhe ja ku jam e përgjigjia për pyetjen “pse” është e thjeshtë: se kam dëshirë me analizu, me hulumtu, me i futur hundët kudo ! Hahahaha !

Puna e reporteres të detyron të shkruash edhe për ngjarje ku marrin pjesë shqiptarë, kur ata kryejnë vepra të dënueshme. Të mirëkupton lexuesi, e kupton pozicionin tënd?

Qëndresa Llugiqi: Shumica më mirëkupton natyrisht, por ka edhe nga ata që më etiketojnë si «ajo gazetarja që flet keq për shqiptarët». Por unë asnjëherë nuk kam folur keq, unë thjeshtë e kam treguar realitetin. Më vjen keq që shumica e atyne kritikuesve nuk e njohin profesionin tim ose e kuptojnë, por i mbyllin sytë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Unë thjeshtë e shkruaj atë që është, nëse nuk e shkruaj unë sikur është, do ta bëjë një gazetar tjetër. Është shumë e thjeshtë. Një shembull: Kur një shqiptar këtu e vrau gruan e tij, ne raportuam për të. Atëherë unë u sulmova me fyerje nga shqiptarë të ndryshëm. Shqiptari ishte i dyshuari për krim, jo unë apo ne në redaksi.

Në faqet e 20 Minuten gjenden shpeshhere lajme për shqiptarët…

Qëndresa Llugiqi: Disa na kritikojnë që 20 Minuten veç do me provoku me lajme për shqiptaret. Unë po u them keshtu: Asnjëherë nuk është qëllimi i 20 Minuten për të mërzitur keq shqiptarët ose për të provokuar pjesën tjetër të popullatës zvicerane me tema që lidhen me shqiptarët. Përkundrazi: 20 Minuten si një gazetë e pavarur mundohet me iu dhënë të gjithëve një zë. Është e saktë që ne raportojmë perseri e perseri per shqiptarët në Zvicër. Pse? Është e pamundur që t’i injorosh kur ata janë një nga grupet më të mëdha të emigrantëve dhe i përkasin grupeve tona të rëndësishme të lexuesve sepse, ashtu si italianët në të kaluarën, shqiptarët kanë një ndikim të fortë kulturor (psh. në Slang) dhe e jetojnë fuqishëm tamam identitetin e tyre.

Je ndjerë e kërcënuar gjatë ushtrimit të profesionit?

Qëndresa Llugiqi: Paramendo jo vetëm që më kanë ofenduar apo më kanë kërcënuar mua direkt qindra herë persona publikisht, po i kanë thirrur dhe prindërit e mi. Një person njëherë i tha babës tem në telefon: jam në gjendje dhe me e vra Qëndresën e me shku në burg. E tash, më trego, si kishe reaguar ti? A është fair? Besoj që shumë rrallë kolegët e mi zviceranë përjetojnë çka kam përjetuar unë…

Si gazetare me 30 vjet eksperiencë kam marrë kërcënime dhe i jam drejtuar menjëherë organeve përkatëse, ndërkohë kam shprehur publikisht qendrimin tim se cilido shqiptar që kërcënon në Zvicër gabon vendin dhe adresën. Në Zvicër i kërcënuar nga ligji është ai që kërcënon, ndërsa të kërcënuarin shteti e merr në mbrojtje. Sepse këtu funksionon shteti i së drejtës. Fjalori sharës dhe gjuha me kërcënime a të shkakton stress dhe t’i paralizon energjitë?

Qëndresa Llugiqi: Njëherë një shok më pyti «E si mundesh ta përballosh gjithë këtë mobbing?» Është shumë e thjeshtë: kam elasticitet dhe rezistencë në nivel të lartë. Unë nuk e ul kryet, veç se pse dikush më kritikon. Kam arrit’ një pikë ku them: «Ok, më ofendojnë dhe më kërcënojnë, por unë nuk dorëzohem dhe vazhdoj punën time.” Por është fakt që kam ndërmarrë në disa raste diçka. Ka ardhur puna edhe deri në kallzim në gjyq kundër personave të ndryshëm…

Çfarë nuk lejon Qëndresa në jetë dhe profesion?

Qëndresa Llugiqi: Nuk lejoj struktura – qofshin nga politika, feja ose thjeshtë nga prejardhja – apo njerëzit që të ma dirigjojnë jetën. Jam open minded, besoj se është diçka themelore për një gazetare neutrale, të pavarur. I ndëgjoj njerëzit e tjerë se çfarë mendimesh kanë edhe në qoftë se mendimet e tyre nuk përputhen me konceptin e jetës time, sepse ne të gjithë e kemi të drejtën e të shprehurit, e sa nuk lëndojmë askënd e kemi këtë liri.

Je mama, grua po edhe reportere. A ke kohë të lirë dhe si e kalon?

Qëndresa Llugiqi: Boah, rrallë që kam tamam kohë për veteveten. Por kohën e lirë e shfrytëzoj duke shëtitur botën ose duke lexuar. Më pëlqejnë librat e Paulo Coelho (Der Alchemist), Robert Greene (Die 48 Gesetze der Macht), Yuval Noah Harari, John Strelecky dhe Rolf Dobelli. Një libër që e lexoj prapë e prapë është ai që ma ka propozuar një milioner: «Lebe begeistert und gewinne» – Jeto me entuziasëm dhe fito –  e autorit Frank Bettger. Ndërsa kur dua të humbas mendjen nga kjo botë, lexoj Harry Potter ose Perallat e Brüder Grimm – Vëllezërve Grim.

Çfarë thotë e ardhmja për ty Qëndresa?

Qëndresa Llugiqi: Në të ardhmen çfarë dua, është të rris fëmijë të fortë dhe të pavarur, ta çoj një jetë të ëmbël me ata dhe partnerin tim, t’ua kushtoj një projekt shumë personal femrave shqiptare se thjesht e meritojnë dhe të arrij në profesionin tim si gazetare nivele të larta, duke e zhvilluar vetveten dhe në lami të tjera..

Të uroj që t’i arrish e tejkalosh të gjitha ëndërrat e tua dhe jam e sigurt për këtë!

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Qëndresa Llugiqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 570
  • 571
  • 572
  • 573
  • 574
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT