• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ISH PRESIDENTI TOPI PREZANTOI DEPARTAMENTET E PARTISE

November 2, 2012 by dgreca

1. Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë do të drejtohet nga znj. Alketa ÇOÇKA MATI

Znj. ÇOÇKA MATI është diplomuar në Universitetin e Ilinoisit në SHBA në Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Pas disa vitesh aktivitet profesional, humanitar dhe politik në SHBA është rikthyer në Shqipëri me angazhime në fushën akademike.

2. Departamenti i Integrimit Evropian do të drejtohet nga Prof. Asoc. Dr. Mirela BOGDANI

Zonja Bogdani është një emër i njohur në jetën publike dhe botën akademike. Ajo ka kryer studimet master në Universitetin e Oksfordit për “Politika Evropiane”, si dhe në Universitetin e Kardifit, njëkohësisht edhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, për “Politika Publike Evropiane”. Është doktoreshë në shkencat mjekësorë. Zonja Bogdani është lektore në disa universitete evropiane dhe shqiptare, autore e disa botimeve shkencore dhe eksperte nga më të njohurat në fushën e studimeve evropiane.

3. Departamenti i Arsimit dhe Shkencës do të drejtohet nga Prof. Dr. Edmond DRAGOTI

Profesor Dragoti është një personalitet në jetën publike, psikolog dhe pedagog, autor i shumë teksteve universitare dhe studimeve shkencore. Z. Dragoti ka përvojë të gjatë akademike, por edhe politike dhe është një nga ekspertët më të njohur në trajtimin e çështjeve të arsimit dhe shkencës.

4. Departamenti i Shëndetësisë do të drejtohet nga z. Aleksandër SALLABANDA

Zoti Sallabanda është një personalitet i njohur publik, me një CV të pasur profesionale dhe politike. Ai është mjek, ekspert i shëndetit publik, Doktor i shkencave mjekësore. Në karrierën politike janë të njohura angazhimet e tij si Zv/ministër i Shëndetësisë dhe Ambasador i Shqipërisë në SHBA.

5. Departamenti i Marrëdhënieve Publike dhe Medias do të drejtohet nga znj. Edlira Gjoni

Zonja Gjoni është një analiste e njohur politike dhe pedagoge në universitet. Ka kryer studimet master dhe është doktorante në fushën e komunikimit në Suedi. Zonja Gjoni sjell një eksperiencë dhe përqasje të re në fushën e marrëdhënieve me publikun, ku pjesën qendrore, e zë pikërisht ndërtimi dhe përcjellja e mesazhit politik ne interes te publikut.

6. Departamenti i Politikave të Administratës Publike, të Decentralizimit dhe Pushtetit Vendor do të drejtohet nga z. Andi SEFERI

Zoti Seferi është jurist dhe ekonomist, ka kryer studimet master në qeverisje në Universitetin e Palermos, dhe Universitetin Katolik në Perugjia, Itali. Ka një përvojë të gjatë angazhimi në disa organizata ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri e Kosovë dhe në programe trajnuese si ekspert i metodave bashkëkohore dhe kooperimit ndërkombëtar.

7. Departamenti i Çështjeve Kushtetuese, Ligjore dhe i Politikave të Institucioneve të Pavarura do të drejtohet nga zonja Edlira Abazi

Zonja Abazi është juriste, specialiste e Shkencave Politike, Master “Për të Drejtën Kushtetuese dhe Administrative” dhe për “Marrëdhënie ndërkombëtare”. Ajo ka përvojë të gjatë pune në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucione akademike e universitare, ku është lektore.

8. Departamenti i ish të Përndjekurve Politikë do të drejtohet nga z. Bedri BLLOSHMI një nga emrat simbol të disidencës antikomuniste në Shqipëri

Zoti Blloshmi është një emër shumë i dashur në publik. Ai në mbrojtje të ideve demokratike kaloi shumë vite burgim politik në regjimin komunist dhe sot në demokraci është një shkrimtar e autor me disa botime me vlerë historike. Zoti Blloshmi është diplomuar në shkencat juridike. Vëllai i Bedriut, poeti Vilson Blloshmi u pushkatua bashkë me poetin Genci Leka nga regjimi komunist. Familja Blloshmi numëron 12 të pushkatuar nga regjimi komunist.

9. Departamenti i Çështjeve të Pronësisë do drejtohet nga zonja Arjola TOLA (TABAKU)

Zonja Tola është juriste dhe inxhiniere, me studime master në administrim publik dhe me përvojë të gjatë profesionale në çështjet e pasurisë dhe pronësisë në Shqipëri. Aktualisht është eksperte teknike dhe konsulente ligjore në çështjet e pronësisë së paluajtshme.

10. Departamenti i Politikave Ekonomike, Burimeve Natyrore dhe Pasurive Kombëtare do të drejtohet nga z. Alfred CAKO

Zoti Cako është gjithashtu një figurë e njohur publike, ish deputet në parlament gjatë viteve 2001-2005. Z. Cako ka kryer masterin në administrim biznes në programin e Universitetit të Nebraskës. Ka përvojë të gjatë politike dhe profesionale, është botues i suksesshëm dhe analist politik në media.

11. Departamenti i Politikave Financiare dhe Rregullimit të Tregjeve do të drejtohet nga znj. Gerta GUMENI

Zonja Gumeni është gjithashtu një emër i njohur i fushës financiare, eksperte ekonomie, diplomuar në Menaxhim Biznes në Universitetin e Torontos, Kanada. Zonja Gumeni ka përvojë të gjatë administrimi dhe drejtimi, duke qënë drejtuese kryesore për disa vite në INSAT, në Drejtorinë e Tatimeve dhe në Ministrinë e Shëndetësisë. Aktualisht ajo drejton “Qendrën e Zhvillimeve Post Tranzicion”.

12. Departamenti i Marrëdhënieve me Biznesin do të drejtohet nga znj. Mimoza PREKU, specialiste e njohur e biznesit dhe Dhomave të Tregtisë.

Zonja Preku ka kryer studimet master në shkencat administrative dhe ka përvojë të gjatë pune në Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Gjatë aktivitetit të saj ka koordinuar projekte të ndryshme në fushën e biznesit, dhe aktualisht është Drejtore e Departamentit të Misioneve të Biznesit dhe Panaireve në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë.

13. Departamenti i Infrastrukturës, Rregullimit të Territorit dhe Transporteve do të drejtohet nga Stavri RISTANI.

Inxhinier Ristani ka një përvojë të gjatë akademike dhe profesionale, është Doktor i Shkencave në inxhinierinë e strukturave (Itali), dhe prej 30 vjetësh është lektor në Universitetin e Tiranës. Ka gjithashtu përvojë politike në angazhimet politike si Zv/ministër apo edhe si ekspert direkt i fushës, duke qenë një nga autorët e reformës në sektorin e furnizimit me ujë dhe të shërbimit të kanalizimeve që po implementohet në Shqipëri.

14. Departamenti i Bujqësisë dhe Ushqimit do të drejtohet nga Prof. Dr. Aleksander Flloko

Zoti Flloko është biolog i njohur, pedagog prej 30 vitesh në Universitetin Bujqësor të Tiranës, me përvojë të gjatë profesionale, politike dhe administrative. Zoti Flloko ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në çështje të veçanta të bujqësisë dhe ushqimit, si dhe për pesë vjet ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë. Ai është autor dhe bashkëautor në disa botime, përfshirë studime shkencore brenda e jashtë vendit në fushën e bujqësisë.

15. Departamenti i Politikave të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të drejtohet nga z.Agron XOXA

Zoti Xoxa është një nga ekspertët më me përvojë në fushën e kulturës, pianist dhe publicist i njohur, me studime pasuniveristare në Gjermani dhe Belgjikë, si dhe me eksperiencë administrative e drejtuese në disa institucione kulturore. Ai ka qenë drejtor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, si dhe këshilltar pranë PNUD dhe në Ministrisë së Kulturës. Zoti Xoxa është prej vitesh pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura.

16. Departamenti i Çështjeve Sociale dhe Shoqërisë Civile do të bashkë-drejtohet nga z.Kliton ZGURI dhe znj. Edlira SEFERI SHETA

Zoti Zguri është psikolog, ka kryer studimet master për Qeverisje dhe Politika të Zhvillimit të Territorit. Ai ka një eksperiencë të gjatë në radhët e shoqërisë civile, ku në fokus të këtij aktiviteti kanë qenë gjithmonë çështje me interes dhe ndjeshmëri të lartë për publikun.

Zonja Seferi SHETA ka kryer studimet pasuniversitare në Itali për sipërmarrje, marketing dhe menaxhim në sektorin social – shëndetësor. Ajo është menaxhere në sektorin privat, eksperte në fushën e sipërmarrjes dhe sektorit social, me përvojë të gjatë në OJF humanitare ne Shqipëri dhe Itali.

17. Departamenti i Diasporës dhe Emigracionit do të drejtohet nga z. Lisandër SARAÇI

Zoti Saraci është matematicien dhe ekspert në financë, me master në Universitetin e Parisit dhe Institutin e Shkencave Financiare dhe Aktuaristike, Francë. Ka një përvojë të gjatë në rrjetin e organizatave shqiptare të emigracionit, në promovimin dhe organizimin e komuniteteve tona në diasporë, si dhe në angazhimin e tij si këshilltar i Presidentit për cështjet e sigurisë kombëtare.

18. Departamenti i Çështjeve të Sigurisë Kombëtare do të drejtohet nga z. Klajdi Mati

Zoti Mati është ekspert i njohur me përvojë të gjatë profesionale në Shqipëri dhe në SHBA në fushën e sigurisë dhe rendit publik. Është diplomuar për Drejtësinë Kriminale, dhe ka kualifikime të ndryshme në SHBA. Ai ka gjithashtu përvojë në çështjet e sigurisë edhe në Shqipëri, me angazhimet e tij si drejtues pranë zyrës së delegacioneve të huaja, Këshilltar i Ministrit të Drejtësisë apo Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në këtë ministri.

19. Departamenti i Turizmit do të drejtohet nga z. Fisnik Brovina

Zoti Brovina ka kryer studime në shkencat ekonomike dhe ka eksperiencë në mësimdhënie në universitetet shqiptare. Zoti Brovina ka qenë një nga drejtuesit në institucionet përgjegjësisë për politikat e turizmit në Shqipëri.

Filed Under: Politike Tagged With: bamir topi, departamentet e FRPD

NDAHET NGA JETA LIRAK BEJKO

November 2, 2012 by dgreca

Një nga ish të dënuarit politik në Shqipëri, Lirak Bejko i cili i vuri flakën vetes në tendat ku ish të përndjekurit zhvilluan në Tiranë një grevë urie, u nda sot nga jeta në një spital të Barit në Itali ku ishte shtruar për një kurim më të specializuar.
Sipas familjarëve të Bejkos, ai kishte patur komplikacione për shkak të plagëve të rënda që i shkaktuan flakët në trup. Bejko ishte një ndër 20 ish të dënuarit të cilët në fund të muajit shtator zgjodhën një formë ekstreme të protestës për të kërkuar dëmshpërblimet për vitet e kaluara në burgjet e diktaturës komuniste.
Megjithë presionin ndërkombëtar qeveria refuzoi të hynte në bisedime me ta duke këmbëngulur se kishte respektuar ligjin që përcakton rregullat dhe procedurat e shpërndarjes së dëmshpërblimit, qëndrim i cili detyroi edhe gjashtë grevistët e fundit që kishin mundur të rezistonin, t’i jepnin më pas fund grevës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Lirak Bejko, u nda nga jeta

SHQIPTARET E KANADASE, FESTE ME ELITEN E KULTURES SHQIPTARE

November 2, 2012 by dgreca

Albanian Canadian Events sjell elitën e kulturës shqiptare për 100 vjetorin/

Nga Nora Kalaja, New York/

Kanadaja nëpërmjet punës fisnike të Albanian Canadian Events ka filluar përgatitjet për Koncertin e madh të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me në krye, organizatorin dhe biznesmenin e suksesshëm z. Tonin Ndoja, komuniteti shqiptar dhe kanadez po angazhohen për realizimin e këtij manifestimi madhështor.  Të pranishëm do jenë tenori Kastriot Tusha, Myferete Laze , Vellezrit Endri & Stefi Prifti dhe Mera Zymeri. Gjithashtu e Ftuar speciale Mjeshtree madhe Tinka Kurti, zëri legjendar i Mera Zyberit, grupi përfaqësues i New Yorkut (aktorët Shaban Lajci, Tomë dhe Blerina Gjergji), grupi i shquar valltar, ‘Bijtë e Shqipes’, orkestra e famshme Alba, dhe të ftuar nderi. Koncerti zhvillohet me 24 nëntor 2012 (www.albcanevents.com).

Shqiptarët  e Kanadasë përgatiten për 100 vjetorin e Pavarësisë

Intervistë Eksklusive me Z. Tonin Ndoja, Albanian Canadian Events

 Më 24 nëntor, pra pak ditë para startimit të ditës që plotëson 100 vite të pavaruara për shqiptarët, edhe në Kanada do të festohet. Cilat janë disa nga përgatitjet e albaniancanadian për për këtë ditë?

 Tonin Ndoja: Po është e vërtetë. 24 nëntori i këtij viti që shënon plot 100 vite pavarësi do të jetë një ditë e madhe feste për shqiptarët e Kanadasë. Për vetë rëndësinë e madhe që ka kjo festë për shqiptarët, ne si staf i Albanian Canadian Events kemi punuar që herët që festa të përcillet me madhështinë që meriton. Që në praneverën e këtij viti, menjëherë pas përfundimit të koncertit në traditë të pranverës, kemi filluar të marrim masat përgatitore. Fillimisht kemi rezervuar sallën për aktivitetin, ndërkohë që vetë kam udhëtuar për në Tiranë ku edhe kam nënshkruar kontratat përkëtëse me artistët, si edhe jam marrë me dokumentacionin e tyre. Duke qenë se akoma vendi ynë Shqipëria  akoma nuk ka shkëmbime në nivel ambasadash, kam adresuar një menagjer i cili ka pasur tagrin për të udhëtuar drejt Romës për të siguruar vizat e udhëtimit.Në këtë kontekst nuk mund të lë pa vlerësuar ambasadën kanadeze në Romë, e cila ka qënë një mbështetëse dhe dashamirëse e të gjithë aktiviteteteve tona në Kanada.

Puna ka vijuar me informimin e publikut me të gjithë format tashmë të njohura si me postera, postcard-s, e-maile, fb-linked, twitter, Tel dhe TV.

 Z. Tonin, deri tani keni organizuar shumë koncerte, festivale, mbrëmje kulturore. Ç’far  nënkupton festa me datën 24 nëntor, sidomos për rëndësinë historike të 100 vjetorit të pavarësisë?

 Tonin Ndoja: Të  gjitha evenimentet kanë rëndësinë e vet, por aktiviteti i  100 vjetorit është  një motiv më shumë, pasi finalizohet një shekull luftë e përpjekje për mbijetesë të shqiptarëve. 100 vite liri dhe shtet, por fatkeqësisht jo për të gjithë shqiptarët në trojet e tyre. Pak më shumë se një dekadë më parë edhe Kosova ju bashkëngjit listës së shteteve të pavaruara të globit, por ende pjesë të trungut të shqiptarëve janë të shkëputuara si një mallkim antishqiptar që ende vazhdon, ndonëse është në momentet e fundit. Janë Camëria, Lugina e Preshevës e Bujanoci etj. Shqiptarët në Mal të Zi dhe në Maqedoni ende nuk i kanë të drejtat që meritojnë dhe u takojnë. Megjithatë optimizmi ndër shqiptarë nuk mungon. Kjo shikohet qartë në organizimet dhe festat e përbashkëta.

 Ndonëse janë të shpallur në postera, cfar mund të thuash më shumë për artistët shqiptarë që do të entuziasmojnë sallën në ditën e shqiptarëve?

 Tonin Ndoja: Për vetë specifikën që paraqet evenimenti, ne jemi përpjekur të sjellim elitën e kulturës dhe muzikës shqiptare. Janë të mirnjohur ndër shqiptarë anë e mbanë botës si tenori i madh shqiptar Kastriot Tusha, ikona e muzikës së lehtë Myfarete Laze, këngëtarët tipkë të veqantë si Endri & Stefi Prifti. Por ky event do të sajdiset me elitën e teatrit dhe kulturës shqiptare, aktoren e madhe Tinka Kurti.

Nuk mund të mungonte një zë i fuqishëm nga Kosova e lirë Mera Zyberi me këngën më të fundit të saj “Ora e historisë”. Një realizim i shkëlqyer dhe i merituar për që i kushtohet festës së 100 vjetorit.

Ndërsa nga New-Yorku do të jenë pjesmarrës aktorët Shaban Lajci, Tomë dhe Blerina Gjergji të cilët do të interpretojnë momente historike që kanë shoqëruar ngritjen e e flamurit.

Edhe komuniteti shqipëtar këtu në Kanada do të ketë përfaqësuesit e vet gjatë interpretimeve. Konkretisht është ftuar këngëtarja Grace Paci e cila do të interpretojë himnin e flamurit shqiptar dhe atij kanadez, si dhe muzikanti Sami Pacolli me vjazën e tij do të përshëndesin publikun dhe artistët e ardhur nga Shqipëria.

 Për vetë rëndësinë e aktivitetit, a do të ketë pjesmarrje autoritetesh si shqiptare ashtu edhe kanadeze?

 Tonin Ndoja: Jemi ne kontakte  te vazhdueshmë  me ambasadoren e RSH në Ottawa, Z. Elida Petoshati, e cila na ka  përkrahur në shumë aktivitete, edhe kësaj rradhe kanë konfirmuar se do të jenë prezentë, ku edhe janë parashikuar përshendetje në emër të Ambasadës që përfaqëson republikën e Shqipërisë.  Po ashtu do të ketë pjesmarrës nga parlameti i  Ontarios dhe të Canadas, por pritet që edhe ministra te qeveris Kanadeze të ndjekin evenimentin e shenjëtë të shqiptarëve. Megjithatë gjatë ditëve në vazhdim websiti ynë do të jetë në shërbim të të interesuar me informacion të përditësuar.

 Atmosfera por dhe niveli i aktivitetit janë më ndryshe këtë vit. Cili është ndryshimi,  dhe çfarë mund të presi publiku nga përjetimet dhe eksperiencat në këtë koncert?

 Tonin Ndoja: Albanian Canadian Events tashmë eshte konfirmuar dhe vlerësuar nga komunitetiti shqiptar këtu por edhe më gjerë. Kësaj rradhe  stafi është edhe më me përvojë, pasi ka kaluar me sukses edhe aktivitete të tjera. Vecoj faktin se koreografja Denajda Dhrimaj ka filluar pregaditjet me grupin e valleve “Bijte e Shqipes” një grup i krijuar nga Albanian Canadian Events. Gjithashtu dhe dy prezantuesit e kesaj mbremje te madhe,  aktori shqiptaro-kanadez Indrit Kasapi dhe Edlira Cini,  po punojme ngushtë me njeri tjetrin per te realizuar programin sa me professional. Javen që vjen kemi takim me inxhinieret e salles se koncertit për finalizimin e dritave, skenografisë, dhe detaje te tjera, cdo gje falë teknologjisë do bëhet live dhe do trasmetohet nëpër monitorve ne cdo ambjent të pallatit të koncerteve. Ky koncert do mbetet për shumë kohë ne kujtesën e ç’do pjesmarrsi.

 Keni ftuar enkas dhe orkestrën e famshme Alba të New Yorkut. Çfar  ofron programi këtë natë?

 Tonin Ndoja: Orkestra Alba Edmond Xhani (drejtues),Maksim Vathi saxophone, Ilir Dangellia, Zini Borova jan nje garanci me shum per suksesin. Ketij grupi i shtohet dhe xhez bandisti Kanadez  Barete Santourdjian dhe Lola Kecaj  violin

 Mesazhi juaj për publikun për koncertin dhe mesazhi për shqiptarët për festën e 100 vjetorit.

 Tonin Ndoja: Unë do uroja që komuniteti shqiptar do gjejë një motiv më shumë të marrë pjesë ne Koncertin e 100 vjetorit të organizuar nga Albanian Canadian events, por dhe në të gjitha aktivitetet që do organizohen nga individdë apo shoqata te ndryshme këtu në Kanada, pasi motivi është i njëjtë:  të festojme të gjithë së bashku dhe të percojmë tek brezi i ri vlerat tona të muzikës dhe artit.  Shprehja ime e vjetër ka qenë atë si nuk arrin ta bëjë politika, le ta bëjë muzika dhe ne te bashkohemi dhe ne vllazërim me njeri tjetrin vetem te festojme dhe te gezojmë, për një të ardhe më të mirë.

 Ruajtja e traditave forcon identitetin kombëtar, sidomos në diasporën shqiptare jashtë vendlindjes. Cili është angazhimi i komunitetit shqiptar në Kanada në këtë drejtim ?

 Tonin Ndoja: Komuniteti shqiptar këtu në Kanada është shumë i ndjeshëm dhe në një mënyrë apo tjetër e shpreh se i mungon Atdheu , por ka arritur me punë dhe dinjitet te integrohet plotësisht ne jetën kanadeze. Unë do thoja se suksesi i nje elite shqiptaresh këtu në Kanada, të cilët kanë arritur të gjejne vende  pune si ne arsim finance, kërkime shkencore dhe bisnes ne identifikohemi si shqiptar per mire. Por eshte per tu vlersuar lart dhe puna ambicioze e studenteve shqiptarë ku shquhen për rezultate te larta në të gjitha universitetet kanadeze.

 Cila mendoni se do të jetë pjesëmarrja, sa prisni të vijnë në këtë manifestim kulturor, dhe ku do zhvillohet?

Tonin Ndoja: Pjesmarrja pritet te jet madheshtore, kjo tregon dhe fakti i interesimit te madh qe tani, parashikojme një  pjesmarrje masive dhe ne ju kemi ofruar nëpërmjet websitit tone www.albcanevents.comrezervimin e vendeve dhe online duke paguar me visa, mastercard, american expres. Gjithashtu me telefon 289-937-6523.

Falemiderit!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ermira Babamusta, feste me eliten, i Kanadase, Komuniteti

PLAGET E DHIMBJES

November 2, 2012 by dgreca

Ketu gjithçka është e qetë, zë i gjallë nuk dëgjohet, por prapëseprapë unë, gazetari dhe fotografi zviceran, të cilët me shoqëruan për albinfo.ch, ndihemi të ndrydhur nga pesha e dhimbjes që mbretëron para derës së të ndjerit, Gëzimit, 29-vjeçar.

Laurent-i, gazetari zviceran, vështron palët e këpucëve të radhitura para derës në fjalë, dhe nga numri i shumtë i tyre rrëqethemi. Zemra ime nuk zë vend prej rrahjeve që nxitohen nën ushtimën e dhimbjes, këtu dikush ka marrë jetën e dikujt tjetër. Babai i të ndjerit hap derën, ndërsa djali i tij më shikon ngulshëm, buzët e tij i dridhnin tërë shprehjen e fytyrës. Në shenjë përshëndetjeje, shtrëngoj fort dorën e babait sikur për të ngrirë heshtjen e varrës. Për një çast harrova gazetarët pas meje, sytë e babait më kujtuan trishtimin që kam parë shumë herë në sytë e prindërve shqiptarë të të njëjtës moshë, prindër gjithnjë të detyruar të pajtohen me fatin katil. Vëllai i të ndjerit qëndronte pas babait, ai mezi mbante derën e hapur. Haberi i zi kishte kapluar fuqinë e tij, tronditja e bënte të mbajë me zor edhe trupin e tij. Më pas gratë punonin në heshtje, dukej që zëri i pamjes ishte fikur, sikurse nuk duhej prishur gjumin e të ndjerit.

Shpjegoj me shumë vështirësi që ne, albinfo.ch në bashkëpunim më shtypin zviceran deshëm të takojmë familjen për të ndarë dhembjen dhe për ta kuptuar situatën. I tregoj se hapi ynë kishte për qëllim t’u japim mundësi lexuesve shqiptarë dhe zviceranë të vetëdijesohen për këtë fatkeqësi. Pak para se t’i gaditet zëri, babai afrohet: «Të shtunën nisem për Kosovë, shpinë e kam plot. Nuk mund t’ju flas shumë gjatë. Familja ime është e qetë dhe pa probleme. Ne kurrë nuk kemi qenë të njohur nga policia për dhunë apo gjëra të tilla. Po nuk po mjaftuaka për t’i ikur të keqes».

Nuk mjafton…

Para se të tërhiqemi, sërish shtrëngoj me zemër dorën e babait të vjetër, të cilit dukej që edhe shpirti iu kishte tharë.

Laurent-i, gazetari zviceran, largohet me mua. Ndërkohë, duke zbritur në ashensor me thotë: «Çfarë burri, plot dinjitet ishte ky baba, qëndrimi i tij stoik më ka befasuar pa masë. Si është e mundur që gjëra të tilla të prekin njerëz kaq të butë».

Edhe pse fjalët më mungojnë, mendimet nxitohen njëra pas tjetrës dhe vështroj me shumë pikëllim se për një shtresë të popullit shqiptar plumbi vazhdon të jetë armë e komunikimit. Si të mos më shkojë mendja te puna e palodhshme e Anton Çetës dhe akolitëve të tij. Më kujtohen dhomat e stërmbushura me burra të mbledhur për të luftuar dhunën në mes të shqiptarëve në diasporë për hir të popullit dhe familjes.

Nisemi, gazetari, fotografi dhe unë, me plot pyetje në krah dhe zemrën e luhatur. Pas nesh qëndron ndërtesa ku një familje e tërë është dërrmuar në shpirt, nëna, babai, vëllezërit, motra, bashkëshortja dhe tri drita të syve, dy vajza (1 dhe 7 vjeç) dhe një djalë 5 vjeç.

Familja Hasani tregon adresën e varrimit të Gëzim Hasanit

Familja Hasani njofton të gjithë miqtë, shokët dhe dashamiret saj që me rastin e

vdekjes tragjike të djalit, vëllait, babait të tyre,

Gëzim Hasani

varrimi do të bëhet në ora 14:00,
të shtunën me 3 nëntor 2012
në fshtin Godanc të epërm,
Komuna Shtimë.

 

Vritet kosovari 29 vjeçar në rrethana misterioze

Në një garazh në Chavanes-pres-Renens të kantonit Vaud, në afërsi të Lozanës është gjetur kufoma e një 29 vjeçari të vrarë. Fjala është për një shtetas zviceran me prejardhje kosovare, njofton policia.Në trupin e të vdekurit janë gjetur disa projektile. Policia është njoftuar për rastin të hënën në orën 15.40, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kantonit Vaud, e cila e kishte gjetur trupin e të vdekurit të shtrirë në garazh. Në oborr ndodhej vetura e tij, motori i të cilës vazhdonte të ishte i ndezur.Policia është dujke ndjekur disa pista të krimit, ka thënë një zëdhënës i saj për mediet zvicerane. Viktima nuk ka qenë e njohur për policinë deri më tash. Kufoma e tij do t`i nënshtrohet obduksionit.30 policë me dy qen gjurmues kanë vëzhguar të martën terrenin ku është gjetur i vrari por nuk kanë gjetur asnjë indikacion. Policia shpreson se do të ketë të dhëna rreth vrasjes pas shpalljes së kërkimit të dëshmitarëve të rastit.

Kunati, vrasësi i kosovarit në Renens

Pak pas vrasjes, hetuesit e Policisë në Vaud kanë identifikuar të dyshuarin për vrasjen në Renens. Në bazë të hetimeve dhe intervistave me dëshmitarët, hetimet kanë çuar te autori i dyshuar për vrasjen, në një apartament në La Chaux-de-Fonds.
Këto informacione i janë dhënë policisë së Neuchâtel-it, të cilët natën rreth orës 11:30 edhe e kanë arrestuar të dyshuarin dhe katër persona të tjerë.
Një armë që i përkiste të dyshuarit është gjetur në banesën në La Chaux-de-Fonds.
I dyshuari është një kosovar 27-vjeçar, banor i qytetit të Lozanës, i cili është marrë në pyetje nga policia e Vaud-it. Ai ka pranuar se ka kryer vrasjen duke qëlluar tri herë me armë në drejtim të viktimës, i cili ishte kunati i tij. Sipas hetimeve paraprake, mosmarrëveshjet familjare ishin motivet e këtij rasti në Lozanë.(Kortezi Albinfo.coh)

Filed Under: Kronike Tagged With: 29 vjecar, ne Zvicer, Plaget e dhimbjes, vrasja e kosovarit

NE 100 VJETORIN E LINDJES TE MONS. ZEF OROSHIT

November 2, 2012 by dgreca

Lutja në 49-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë: “Paqe në botë dhe liri për popujt e robnueme”/

Nga Tomë Mrijaj/

Historia e klerikut të shquar Mons. Dr. Zef Oroshi, është e lidhur me vendlindjen e tij në Kaftall të Oroshit, aty ku zënë fill ngjarjet e mëdha të Derës së Kapidanëve të Mirditës, që për pesë shekuj me radhë luftuan pareshtuar kundër mizorive të Perandorisë Otomane, duke ruajtur gjithnjë identitetitn kombëtar, gjuhën, fenë, traditat dhe kulturën tipike iliro-arbërore-shqiptare.

Më 23 Nëntor të vitit 1912, pikërisht pesë ditë para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën historike, në ato ditë, kur vendit i vinte era e tymit të barutit të nxehtë, lindi fëmija, që u pagëzua me emërin Zef Çoku, në Kaftall të Mirditës.

Mësimet fillesatare Zef Oroshi i mbaroi në vendlindje, ndërsa studimet e mesme i nisi në vitin 1927, në Seminarin Saverian (1859) të Urdhërit Jezuit në Shkodër. Ai shquhej si femijë i zgjuar e i zellshëm mes shumë nxënësve të tjerë të shkollës.

Pader Ejëll Serreqi S.J. spikat tek nxënësi mirditor zgjuarësinë dhe vokacionin e mundshëm për klerik, duke e drejtuar Zefin në Seminarin Pontifikal në Shkodër, qytet i njohur për kulturë, fe dhe traditë.

Ish nxënësi i Mjedës dhe Fishtës, studenti Oroshi, më 1936-1940, niset në Romë, për të vijuar studimet e larta filozofiko-teologjike, pranë Universitetit të Urbinos, në “Propaganda Fide”, ku, më vonë shugurohet meshtar në Itali.

Ai ishte shumë i gëzuar, se po thoshte meshën e parë, por edhe i prekur, sepse atë vit më 1940 kaloi në amshim “Poeti Kombëtar” At Gjergj Fishta O.F.M. (1871-1940), të cilin ai e kishte takuar disa herë kur ishte nxënës në Shkodër dhe student në Itali.

Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste (7 Prill 1939), i riu energjik e priti me një shqetsim të madh, duke mbajtur në dhomën e gjumit flamurin e Skënderbeut. Ndjenja e lartë e lirisë, ishte shumë e zhvilluar në shpirtin e tij. Kjo vinte me sa duket nga edukata e shëndoshë atdhetare, që kishte marrë në familje dhe më vonë në kuvendet katolike në Shkodër, që ishin dhe mbetën vatra, nga ku shpërndaheshin rreze të ngrohta të atdhedashurisë pakufi për trojet, historinë, kulturën dhe qytetërimin autokton shqiptar.

Mbas studimeve rikthehet në vendlindje. Ipeshkëvi Imzot Frano Gjini e emëron famullitar në Kishën e Shën Marisë Magdalenë në Ungrej të Mirditës dhe sërisht më vonë e cakton Oroshin si ndihmës të tij në dioqezën e Mirditës.

Ishte kohë e kobshme, kur komunizmi kishte nxjerrë tentakulat e veta kancerogjene dhe po shkatërronte me themel çdo vatër të kulturës dhe qytetërimit perëndimor europian dhe shqiptar.

Studiuesi dhe albanologu gjerman bashkëkohor Dom Dr. Markus W. E. Peters, në librin e tij: “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996” (Tiranë, 2010), ndër të tjera shkruan:“… dihej se D. Zef Oroshi në mars të vitit 1951 donte të organizonte një kryengritje në Mirditën katolike. Në atë periudhë, pati përpjekje sporadike nga Italia, për të infiltruar agjentë, me qëllim përmbysjen e sistemit në Shqipëri. D. Zef Oroshi me Jak Përjakun, u përpoqën ti organizonin këta njësi sëbashku me familjet mirditore. Si rezultat zona katolike e Mirditës u sulmua më shumë se të gjitha zonat e tjera të Shqipërisë. Bilanci ishte: mbi 200 të vrarë ose të denuar me vdekje, mbi 270 të burgosur dhe mbi 500 të internuar… Siç shihet D. Zef Oroshi ishte një ndër personat më të kërkuar në Shqipërinë e atëhershme.” (f.197).

Ndërsa studiuesi tjetër Dr. Pjetër Pepa, në librin e tij: “Tragjedia dhe lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri” (Tiranë, 2007, Volumi II), duke nxjerrë në dritë qëndrimin burrëror antikomunist të meshtarit mirditor, vlerëson: “Mons. Dr. Zef Oroshi, për lidhjet që ka realizuar me Vatikanin, përmes “diversantëve”, lidhur me mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet në Shqipëri, për miratimin e Statutit, kërkohet më çdo kusht arrestimi i tij nga komunistët, ndaj ikën dhe bashkohet me luftëtarët antikomunistë, maleve të Shqipërisë. Mbi bazën e dokumenteve arkivore të Ministrisë së Brendshme, rezulton se ikja e tij, në kufirin shqiptar të asaj periudhe, ka qenë e një rëndësise të veçantë. Mehmet Shehu, vetë tregoi interesim të veçantë për te dhe, për të evituar ikjen përtej kufijve e për ta kapur me çdo kusht, perveç forcave të ndjekjes, aktivizoi edhe disa klerikë, që i dërgoi në Mirditën e atyre ditëve, për ta kërkuar e gjetur me çdo mënyrë, nëse ishte ende brenda kufijve të Shqipërisë, këtej maleve të Mirditës.” (f.260)

Mirditori i shquar, u bë kleriku më me peshë në botën shqiptare të Amerikës. Intelektuali erudit Mons. Dr. Zef Oroshi, qysh në vitin e parë, kur shugurohet meshtarë e kthen në traditë festimin e 28 Nëntorit 1912, ngjarjen më të madhe të historisë së lavdishme të trojeve shqiptare, sikurse ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e përkujtuar me një meshë speciale të përvitshme, me anën e së cilës ai lutej me gjithë shpirt sëbashku me besimtarët për të gjithë deshmorët e kombit shqiptarë, të rënë gjatë shekujve, për interesat e larta të Atdheut.

Meshtari Dom Rrok Mirdita (sot Shkëlqësia e Tij Arqipeshkvi i Arqipeshkvis Metropolitane Tiranë-Durrës), që zëvendësoi Mons. Oroshi, mbas kalimit të tij në amshim e vijoi edhe me tej traditën e përkujtimit, me anë të një meshe special, për shpirtin e të gjithë dëshmorëve të rënë në kohëra të ndryshme, për idealin e shenjtë kombëtar.

Kleriku i përkushtuar, atdhetari i palodhur i Përndershmi Dom Pjetër Popaj, si vijues i binomit Fe e Atdhe, përveçmeshës së përshpirtshme përkujtimore, për të gjithë dëshmorët e trojeve etnike, tashmë të kthyer në traditë, ai me krenari nën tingujt e Hymnit Kombëtar ngre Flamurin Shqiptar, në datën e shënuar të 28 Nëntorit, mbi kumbanorën e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale New York.

Kur dëgjonim në heshtje, kumbimin e zërit melodios të fjalëve të zjarrta, plot frymëzim atdhetarie, të predikuesit shembullor Mons. Dr. Zef Oroshi (Themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA), tek qindra shqiptarë të pranishëm prej çdo krahine, pa dallim feje dhe ideje, rritej tek ne emigrantët e Amerikës edhe më shumë atdhedashuria për trojet tona amtare.

Ai në qelën e tij qendronte deri në orët e vona të natës, duke punuar me shumë përkushtim dhe kujdes për hartimin e mesazhit apo lutjeve shpirtërore për popullin shqiptar dhe në veçanti atë fatkeq, që jetonin nën thundrën e hekurt brenda burgut të madh të rregjimit komunist në Shqipëri.

Mons Oroshi, shpesh në biseda të lira, mes bashkëatdhetarëve të vet në Kosovë, Itali dhe sëfundi në SHBA, shprehej me shumë zemërim për përsekutimin e pashembullt ateist, që rregjimi komunist i bënte popullit shqiptar dhe klerit katolik në veçanti.

Me shqetësim të madh, ai tregonte për përdhosjen e simbolit kombëtar të Gjergj Gjon Kastriotit, flamurin e larë ndër shekuj me gjak trimash.

Kujtoj, me shumë respekt, disa raste mbresëlënëse të meshtarit tonë me ndjenja të larta dhe të thella patriotike.

Kështu, mbaj ende të freskët në kujtesë një detaj shumë domethënese, kur Mons. Oroshi, nuk lejoj turmen e dasmorëve të hynte në Kishën “Zoja e Kshillit t’Mir” (sot “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York) me flamur me yllin e verdhë bolshevik rus, mbi shkaben dykrenare, të cilën e quante një dhunim dhe krim të madh, që komunistët gjithnjë në vendlindje dhe diasporë i bënin Simbolit Kombëtar të heroit tonë Gjergj Gjon Kastriotit, Flamur,i cili, ishte ngritur pas shumë vitësh robërie nga fatosi i lirisë Dedë Gjon Luli me malësorët e tij (më 6 Prill 1911 në majën e Deçiqit) dhe përfundimisht u shpall Pavarësia e shumëpritur, një vit më vonë nga plaku i urtë mjekërbardhë Ismail Bej Qemali sëbashku me shumë patriotë të tjerë, më 28 Nëntor 1912.

Gjatë hulumtimeve të mia dhe kontakteve të përditshme, që kam pasur me miqtë e Mons. Oroshit, kam mundur të siguroi një dokument, që titullohet: “Lutja e Dom Zef Oroshit”.

Ajo që bie në sy, është fryma me përmbatje të thellë atdhetare, që e përshkon këtë Mesazh-Lutjeje, e cila është e njëjtë me shumë lutje të tjera, që ai ka predikuar çdo vit në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për herë të parë mbas 51 vjetëve, para lexuesve shqiptarë, po sjell këtë dokument (Në kremtimin e 28 Nëntorit të Pavarësisë së Shqipërisë, New York, 1961), që titullohet LUTJE për mbarë shqiptarët nëpër botë dhe në veçanti për komunitetin e vogël në SHBA.

“O Zot i gjithpushtetshëm e i amshuem, krijuesi i qiellit dhe i dheut, zotnues i popujve, kombeve e i qeveritarëve të tyne, ke Ti ma së parit po e çojmë mendjen dhe naltësojmë zemrat, në këte ditë përkujtimore të 49-vjetorit të Pamvarësisë s’onë kombëtare, bashkë me miq e dashamirë të Kombit t’onë, të cilët në nji front me ne përpiqen e luftojnë për të njajtën kauz të shënjtë: Paqe në botë dhe liri për popujt e robnueme.

Emni Yt ishte i nderuem dhe i lavduem nga Populli shqiptar i tri besimeve, kur gëzonte atë liri që Ti vetë në sheshtimet e Tua të pamatëshme ke ndikue me ndergjegjen e secilit njeri e, rrjedhmënisht, të së cilit komb e krejt gjinisë njerëzore.

Por sot, n’atë vend të lamë me gjakun e të parëve t’anë për ta rifitue e mbrojtë atë liri, Emni i Yt asht sha e përbuzë, faltoret ndërtue për nderimin t‘And janë shkretue, rrëzue ose sjellë në përdorime të pa deja, nga nji tok bijsh të verbuem t’atij populli.

Por na po të lutemi, përfaqsuesit e tri besimeve këtu tok sikur jemi, të lidhun e të vllazënuem me gjak, ideal e besimin ngulmënisht në Ty, jo për meritat t’ona, por n’emen t’atyne vllazënve t’onë që kanë mbështet uzdajën në Ty ndër vuejtje e salvime, për mundimet e sa e sa të pafajve të ngujue rreptësisht në burgjet ose ndër kampet e vdekjes të punimeve të detyrueshme, n’emën të gjakut të flijuem nga vllaznit ma të mirë për t’i ndejë ngulmënisht besimit në Ty, o Zot, e moralit dhe traditës së Kombit të tyne, sjelli sytë e Tu të mëshirshëm mbi Kombin t’onë, Shqipninë. Shikoji me përdëllim vuejtjet e atij populli.

Ndriçoji sot të gabuemit e të verbuemit; ndaji e shpërndaji, shkatërroji e shfarosi fuqitë e mbrapshta që veprojnë me hollësi satanike për zhdukjen e shrranjosjen e Emnit t’And deri nga zemrat e foshnjeve e të popullit t’And shqiptar.

Bekoje, o Zot emigracionin t’onë! Jepi fuqi e organizim për të nderue Emnin t’And e t’Atdheut nder kombe mikpritëse ku gjendet. Shtojau e persosjau idealin e shenjtë që kërkon momenti historik i Kombit, bashkimin e vllaznimin. E sikundër nepër duert e pafuqishme të Juditës, asgjasove madhështinë e Holofernit e nepër duert akoma të njoma të bariut David plandose per dhe blasfemuesin e Emnit t’And, viganin Goljath, ashtu forcoje Emigracionin t’onë për t’i ba ballë me nder, bashkarisht e vllaznisht me të gjitha kombet e botës së lirë, luftës së gjithanëshme të komunizmit atheist e agresiv, mohues dhe luftues i çdo lirije dhe besimi.

Jepu, o Zot, dritë, paqe e lumni të përjetëshme gjith patriotëve bashkëvllazën që, o ndër malet e thepisuna o ndër burgjet e kampet e vdekjes, flijuen jetën e tyne ne altarin e Atdheut për t’i ndjejë besnik Ligjes s’Ate dhe lirisë së Kombit shqiptar e për jetë i pashlyeshëm qoftë kujtimi e shembulli i tyne ndër zemrat e mendjet t’ona e të breznive t’ardhëshëm në tokën t’onë shqiptare.

Bekoje, o Zot, e jepi mirëvajtje këtij Kombi ku gjindemi e gjith popullit liridashës së tij, që me nji bujari, vetmohim dhe humanitarizëm shembullor, ka ndihmue e ndihmon Emigracionin tonë dhe çashtjen e shejtë tonën për liri.”

Filed Under: Histori Tagged With: Mons. Zef Oroshi, Tom mrijaja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5719
  • 5720
  • 5721
  • 5722
  • 5723
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT