• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI

May 3, 2020 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA, NJERIU QË KA FRYMËZUAR HEROIN E KOMBIT, AGIM RAMADANI/

                                                    Nga Frank Shkreli/

3 Maji shënoi ditëlindjen e Heroit Kombëtar, Agim Ramadani.  I lindur me 3 Maj, 1963, ai sot do mbushte 57 vjeç.  Çdo vit kjo ditë është shënuar me manifestime tradicionale kulturore në sheshin e lirisë në fshatin Zheger të Gjilanit, aty ku edhe ka lindur heroi. Shënohej kjo ditë në vendlindjen e tij dhe jo vetëm në vendëlindjen e tij por edhe në Mirditë, nga ku thuhet se ai dhe familja e tij kanë origjinën – për të nderuar dhe kujtuar veprën e tij heroike për çlirimin e trojeve shqiptare.  Siç duket, për arsye të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, sivjet nuk u mbajt ndonjë manifestim për të shënuar ditëlindjen në vemdlindjen e tij ku kishte kryer edhe shkollën fillore, të mesme.  Pasi kreu shkollën e mesme, Agim Ramadani vazhdoi mësimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb, ku siguroi përvojë ushtarake, të cilën e përdori me mjeshtri më vonë, në luftën për çlirimin e Kosovës, anë e mbanë zonës së Rrafshit të Dukagjinit.

Nga biografia e tij lexojmë gjithashtu se ai kishte dezertuar nga ushtria ish-jugosllave dhe me familje është larguar për në Zvicër ku kishte gjetur strehim.  Por, ndonëse e kishte rregulluar jetën në Zvicër me statusin e emigrantit, në vitin 1998 atij nuk i rrihej dhe iu përgjigj thirrjes së Atdheut duke u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, megjithëse iu desh të linte pas bashkshorten Shukrijen me tre fëmijë.

Perëndia i kishte falur atij talente edhe për për art, letërsi, humor e aktrim.  Por mbi të gjitha, Agim Ramadani është njohur në luftë si një strateg i dalluar ushtarak, shumë i dashur dhe i pëlqyer nga ushtarët e tij, me të cilët, historia do shënojë se ai së bashku me bashkëluftarët e vet, thyen kufirin shqiptaro-shqiptar.  Shokët e tij kanë thënë se Agim Ramadani ishte njeriu i parë që hoqi, me duart e veta, piramidën kufitare në Kosharë, midis Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë.  Fatkeqësisht për të, për familjen e tij, për Kosovën dhe për mbarë shqiptarinë, pas aktit heroik të thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, Heroi i Kombit Shqiptar, Agim Ramadani ra heroikisht në luftën për çlirimin e trojeve shqiptare – për të mos vdekur kurrë – si njëri prej heronjve më të njohur të historisë moderne të Kombit shqiptar. 

Sot me 3 Maj, 2020, bashkshortja Shukrije e kujtoi të dashurin e saj dhe Heroin e Kombit, në 57-vjetorin e lindjes së tij me një deklaratë të fortë dashurie e kujtese, por dhe mjaft kritike ndaj gjëndjes aktuale në Kosovë, duke thënë se ideali i dëshmorëve si Agim Ramadani, është shkelur dhe harruar.  Në një shpërthim emocional por plot të arsyeshëm, që siç duket i referohet bisedimeve rreth mundësisë së ndryshimit të kufijve — si pjesë e të ashtuquajturit dialog midis Kosovës dhe Serbisë – Zonja Shukrije Ramadani, kujton ditëlindjen e të dashurit të saj në një postim në faqen fejsbuk duke thënë se,  “Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë më anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë, e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra juaj”, shënon ndër të tjera Shukrije Ramadani në postimin dedikuar bashkshortit të saj, aq prekës sa që meriton të botohet i tërë: “Për ditëlindjen tënde — si ta uroj ditëlindjen shpirti im?!  Në lulen e rinisë me gjakun tënd lave ëndërrat tua për Shqipërinë e Bashkuar. Shumë gjëra u bënë ndryshe që 21 vite të mungesës sate!  Erëra të forta po fryjnë kufijve tanë me shpresën se mund të ju lëvizin, shtyjnë ma anash për ca hektarë, ose të ju përvetësojnë e me emrin tuaj të na bindin se kjo ishte edhe ëndrra e juaj.  Po harrojnë se gjaku i derdhur ecë lirshëm damarëve të tokës së lashtë pellazge e cila nuk falet aq lehtë, se frymon dhembje, krenari e trimëri!  Ti prekësh ata damarë, e prek shpirtin e epokave të qëndresës.  Ndoshta më mirë që na u mbyllën rrugët kah ju, e.lulet u vyshkën në duar, se do të habiteshe me pamjen e përçudnuar të botës njerëzore që do të vizitonin”.  “Njerëz pa fytyra, veç me sy.  Kishin ardhur aq shumë sy e ua kishim prishur qetësinë.  Ti ke ditur t’i lexosh sytë e njerëzve, të zbulosh të fshehtat e tyre e thikat pas shpine, që t’i ruanin.  Po tash janë shumuar thikat shpirti jem, në çdo anë secili therë secilin, e fshehet pas maskave të liderëve.  Ideali u shkel e u harru, si të zhdukurit e luftës.  Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës.  Asesi s’po e gjejmë kush është Diogjeni, kujt t’ia besojmë shpirtin kur dreqërit me rroba engjëjsh po vishen e mbi kokat tona daullet e patriotizmit i rrahin në emër të dheut e atdheut.  Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon! Pusho i qetë shpirti im, se t’i vetëm ditëlindje ke! Pusho, me bindjen se ngjyrat e lirisë janë ashtu siç i ëndërrove e pikturove me dashurinë e përjetshme” përfundon bashkshortja e Agim Ramadanit kujtimin e saj në këtë ditëindje të dashurit të saj të renë heroikisht për çlirimin e Kosovës.

Siç thashë më lartë, viteve të kaluara janë gjetur mënyra për të shënuar denjësisht ditëlindjen e Heroit të Kombit, Agim Ramadani, përfshir mitingje kulturore madje edhe në Mirditë, nga ku thuhet se rrjedhë familja e Agim Ramadanit dhe në vendlinjen e tij në Zheger të Gjilanit janë mbajtur rregullisht manifestime tradicionale në kujtim të këtij heroi.  Përveç kujtimeve në mënyrë unikale, një manifestim i tillë tradicional kulturor është mbajtur dy vjet më parë, më 3 maj, 2018 në sheshin e lirisë të fshatit Zheger të Gjilanit, në përvjetorin e lindjes së legjendarit Agim Ramadani e ku morën pjesë Ansambli Mirdita “Mjeshtër i Madh” dhe artisti i Kombit Reshat Arbana, të ardhur nga Shqipëria: https://www.youtube.com/watch?v=X1XipE-3fSc

Ishte me atë rast, që bashkshortja e legjendarit Agim Ramadani, Zonja Shukrije Ramadani me mirënjohje të thellë, para mijëra vetave pjesëmarrës në atë manifestim, falënderoi organizatorin e tij manifetsimi, Besnik Pacin nga Mirëdita, duke iu drejtuar me këto fjalë: “I dashuri vëlla, kënaqësinë që na ofrove sot duke na nderuar me grupin e mrekulluellueshëm nga Mirdita dhe me të Madhin Reshat Arbana, është e papërshkrueshme.  Pak është të them faleminderit, por nuk mund të mos them që sot prania e mirditorëve më dha ndjenjen e Bashkimit Kombëtar.   Më ofroi ëndërrën e realizuar të Agimit.  Ne ishim bashkë sot dhe bashkë përkujtuam Agimin tonë.  A nuk është kjo liria për të cilën u flijua Agimi ynë.  Ai sot festoi bashkë me ne, në sheshin e lirisë. Qofshi me jetë të gjatë e të lumtur e këndofshi për lumturinë dhe dashurinë e gjeneratave të reja”, është shprehur ajo me përmallim. Ndërsa, njëkohësisht, në përshëndetjen e saj drejtuar artistit të madh Reshat Arbana, ajo do të fliste për lidhjen e bashkshortit të saj — legjendarit, Heroit të Kombit, Agim Ramadani — me zërin e interpretimit të vargjeve të Fishtës së Madhe nga artisti i Madh i Kombit, Reshat Arbanës.  Ajo zbuloi, me atë rast, dashurinë e bashkshortit të saj për poezitë e Fishtës duke thënë se para se të nisej për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës.“Deshta me ju lanë një kujtim, kur e pashë të Madhin Reshat Arbana kur erdhi.  Agimi kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh.  Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha, shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut..Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë.  Dhe sot kur e shoh para nesh Reshat Arbanën, u them të drejtën se u emocionova pa masë” u ka thënë të pranishmve Shukrije Ramadani, se si bashkshorti i saj dhe Heroi i Kombit, Agim Ramadani, mbushej me frymëzim nga vargjet e At Gjergj Fishtës. 

Sa doemthenës ky kujtim i Shukrije Ramadanit, që e ndanë me të gjithë ne — respektin që kishte bashkshorti i sa Agim Ramadani për Poetin Kombëtar, At Gjergj Fishtës, i cili, siç shkruan At Danijel Gjeçaj, “qau me lotë gjaku kur padrejtësitë e të mëdhejve dhe dhuna e të fortëve ndau prej trupit të Atdheut, Kosovë e Çamëri, Hot e Grudë, Plavë e Guci”.

Mjerisht. At Gjergj Fishta, gjithnjë, “ashtë i mbuluem me mëni tradhëtie në Atdhe”, ka shkrua Gjeçaj.  Duke lexuar fjalët e Shukrije Ramadanit, “Çdo herë jam lutur t’i çelësh sytë e të shikosh lirinë që me gjak e lave, sot shpresoj që nuk na sheh e na dëgjon”, në kujtimin sot të bashkshortit të saj, mu kujtua një shkrim i At Daniel Gjeçajt për Fishtën e Madh: “Perse, sakt Fishta, po të çonte kryet prej vorri, kish me na mallkue dhe me namë mal të thatë kish gjaku i Deshmorve, që krah për krah ranë flije që Bashkimin kombëtar me e ruejt.. se prej fjalorit të shqipes, Bashkimin duen me e shlye dhe në lojë vemë burrat që për ‘të veprojnë…”. Ndërkohë që sipas Shukrije Ramadanit sot, “Ëndrrat e bukura u shëmtuan e po shndërrohen në makthe të humburish që se gjejnë rrugën e dritës”.

Në 57-vjetorin e lindjes së Heroit Kombëtar, vet Agim Ramadani do t’i ankohej Perendisë me fjalët e frymëzuesi të tij, Poetit Kombëtar At Gjergj Fishtës: 

                    “O Perendi, a ndjeve? 

                    Tradhtarët na lanë pa Atdhe

                    E ti rrin e gjuen me rrufe,

                    Lisat nepër male, kot” (Gjergj Fishta)

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Ramadani, At Fishta, Frank shkreli

5 gjëra që jam duke mësuar gjatë COVID 19-karantinës

May 3, 2020 by dgreca

Nga Manjola Barçi-Kozi*/

Shënimi i Editorit të Diellit: Ky shkrim i mësueses që jep mësim në New York, Manjola Barçi- Kozi nuk është publikuar vetëm pë “Like”. E rëndësishme është ta lexoni dhe të shfaqni mendimin dhe përvojën tuaj.Eshtë kërkesë edhe e mësuese Manjolës. Lexim të këndshëm:

                 Rreth një muaj e gjysëm më parë shkollat në NY u mbyllën. Me këtë rast edhe unë nuk shkova më në punë. Nuk shkova fizikisht në ndërtesën e shkollës, por punën e vazhdova dhe e vazhdoj nga shtëpia. Nga këtu ku jetoj më duhet rreth 50 minuta që të shkoj në ndërtesën e shkollës por unë ngrihem shpejt–ora 4:30 e mëngjesit më gjen zgjuar. Në fakt më pëlqen shumë të fle në mëngjës dhe të zgjohem në 4:30 nuk është kënaqësi për mua. Por besoj në faktin që jam një profesioniste dhe para se të filloj punë duhet ta pasaqes veten si të tillë-me një fjalë me zgjimin në mëngjes deri në ora 6 që dal nga shtëpia kujdesem për veten. Pastaj duhet të shkoj herët në punë sepse pas orës 7 nuk gjej dot më as parking. Sakrificë e madhe thotë mamaja ime…

E shkruajta këtë parathënie për të justifikuar faktin që përreth dy javëve të para më pëlqeu të punoja nga shtëpia. Në fund të fundit, nga ora 4:40 deri në 7:30 që zgjohesha nga gjumi i thonin edhe tre orë të tjera qetësi. Jo trafik, jo nxitim, dhe si përfundim më pak stres. Ose të paktën kështu mendova… 

Ka gjëra në jetë që sado të vjetër të jemi nuk i kuptojmë deri sa ti provojmë vetë mbi kurriz. Në fund të fundit bari është gjithmonë më i gjelbër në anën tjetër, sepse pa dyshim edhe plehu (kuptohet me gjithë përbërjen e tij) është më i shumtë…

Dhe kështu gjithçka vazhdoi. Këtu e mbyllyr në shtëpi po mundohem të bëj gjthçka që mundem. Por edhe po mundohem të mësoj diçka nga kjo përvojë. Këto janë 5 nga  gjërat që kam mësuar nga kjo situatë … Deri tani bëhet fjala. Sepse, jam e sigurt se do të mësoj shumë më tepër nëse kjo karantinë vazhdon….

Mësimi # 1

Është shumë e vështirë të mësosh fëmijët e tu. 

Është shumë e vështirë të mësosh fëmijët e tu gjithë ditën, çdo orë mësimi, të gjitha lëndët. Ju lutem,   nëse ka ndonjë që nuk pajtohet me mua, më njoftoni, dhe ju lutem me tregoni sekretin. 

Epo, si mësuese që je do të thonit ju, unë të paktën duhet të jem në gjendje t’i mësoja vetë fëmijët e mi!  Në fund të fundit nëse nuk mund të mësoj të mitë, si mund t’i mësoj fëmijët e të tjerëve? Si mund të më besojnë  prindërit e tjerë nese nuk mundem ta bëj këtë? Ok, gjykomëni sa të doni por qenka e vështirë. Jo për faktin se nuk kam njohuri, jo për faktin se më mungojnë strategjitë, madje as sepse  nuk kam durim. Kjo është për shkak se ata nuk dëgjojnë! 

Manjola, do të thoni ju. Je shqiptare apo jo? Një shpullë (apo dy) do t’i sillte në vijë! E vërtetë, shqiptare jam por fëmijët pretendojnë se janë Amerikanë, apo jo? Dhe siç themi ne shqiptarët-siç është vendi bëhet kuvendi. Kundërargumenti: Unë jam nëna – unë jam gatur për t’i dashur, për ti kuptuar, dhe jo për ti bërtitur dhe për ti dhënë urdhra. Larg qoftë për ti futur nga një shpullë!  Dhe kështu që unë vazhdoj t’u flas e flas fëmijëve të mi, si një papagall i zellshëm,  që të mbarojnë detyrat, që të mësojnë apo lexojnë, nganjëherë me zë të ulët, pastaj me të bërtitura kur më ka ardhur në majë të hundës–por ata prapë bëjnë të tyren…Derisa mësuesit e tyre u telefojnë dhe si me magi gjithçka kompletohet. Zoti i bekoftë mësuesit kudo që janë… !

Mesimi # 2 

Është shumë stresuese agonia e parashikimit të asaj që mund të ndodhë.

Ndërsa shtrihem  për të fjetur shumë netë mendoj se si do të përfundoj ky  makth. Kush e ka radhën të shuhet sot? Po nesër? Mendoj për fëmijët, prindërit, vëllezërit, motrën, gjithë të afërmit dhe them—epo edhe vetja më dhimbet apo jo?  Si ta përballoj këtë stres? Hajde Manjola do të thoshte ndokush. Më një pije mundësisht si shqiptare që je, dhe i harron të gjitha. Epo unë nuk pi – ose të paktën nuk pi gjatë orarit të punës, kështu që vendosa të shoh psikologun(vizitë virtuale sigurisht). Mendoj se e meritoj të them se u promovova–më parë kisha një psikolog tani një psikiatër. Kështu bëra. Psikiatri më vuri në Zoloft për rreth një muaj, derisa nuk munda më. Nuk isha unë! Nuk mund të ndieja asgjë. As për të qarë nuk qaja dot. As një pike loti po ju them. A e imagjinoni dot një shqiptare që të mos qajë, të mos mërzitet, apo të bërtas sa ta dëgjoj komshia??  Më në fund ndalova. Dy javë më vonë lëshova një pikë lot pas kaq shumë kohësh. Halelujah! Telefonova gjithë dynjanë dhe u dhash lajmin a mirë…

Mësimi # 3

Sa të hapësh dhe të mbyllësh sytë mund të humbësh gjithçka. 

Edhe pse nuk dua e gjej veten shpesh duke menduar se si, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, mund ti humbësh të gjitha.  Shëndetin, punën, makinën që nuk mundesh më ta përballosh sepse ke humbur punën që paguante për të… Dhe pastaj LIRINË. Ah, liria e bekuar! Kush do të dëshironte të jetonte pa të?! Mundohem ta bind veten se kjo gjendje është vetëm e përkohshme. Je e lirë të dalësh patjetër, çfarë të pengon-i them vetes. Por prapë ndihem si një zog i mbyllur në kafaz. Dera është e hapur por unë prapë rri ngujuar. Po e jap lirinë time me dëshirë! Lirinë për të dalë kur të dua dhe nga të dua, pa u trembur nga askush dhe asgjë, pa u fshehur pas një  farë maskë apo dorëza, të çilat  jam e lumtur që i bleva para se ky ferr të lirohej, gjë që më çon tek ajo që doja të thoja: Sa e lehtë është të humbësh gjthçka, dhe më e frikshme është kur mendon se jo vetëm natyra mund të jetë krimininele por ne njerëzit vetë. Dhe nëse pas kësaj eksperience makabre nuk hapim sytë, dhe mësojmë nga ç’po katandisim, herën tjetër do të jetë shumë vonë… tepër vonë.

Mësimi # 4

Qenka shumë e vështirë të rrish para kompjuterit gjithë ditën. 

Koha e teknologjisë. Sa të lumtur jemi që po e jetojmë. A mund ta imagjinoni më të jetoni sikur edhe një ditë pa telefonin celular? Apo pa laptopin? Epo me fat jemi! Nga ora 8:00 e mëngjesit -2: 30 pasdite unë  duhet të qëndroj para kompjuterit  tim. Në ora 8:00 am mbledhje kolektivi në google. Nga ora 8:30 deri ne 10:30 postoj detyrat e nxënësve për gjithë ditën. Nga ora 10:00 deri ne 11:30 marr pjesë në takimin e parë me nxënësit. Nga 12:00 deri në 1:00 takimi i dytë vijon. Dhe pastaj në ora 1:00 mbledhje kolektivi përsëri. Në 1:30 deri në 2:30 mbledhje me kabinetet e ndryshme ditore. Aspak nuk kam për qëllim të ankohem se po punoj, vetëm se po përshkruaj rutinën ditore. Pastaj, më dhemb shpina, gishtat më lëshojnë miza dhe zëri më është ngjirur nga të ulëriturat gjithë ditën. Pastaj dua të përmend edhe sytë. Sytë e mi të dobët … kam syze tani në çdo cep të shtëpisë, nuk mund të lexoj më pa to, shkronjat dhe aplikimet ne telefonin dhe tabletin tim janë të zmadhuar deri në maksimum. 

Vendosa të hulumtuj. Çfarë po ndodh me mua? Mosha bën të vetën themi ne, po kaq shpejt vallë? Nga hulumtimi i zellshëm, mësova se duke qenë para një ekrani shpeshherë, sytë punojnë më shumë se ç’duhet. Si rezultat mund të zhvillojmë simptoma të lidhura me shikimim. Disa nga këto simptoma sipas Shoqatës Optometrike Amerikanë janë: Presion në sy, dhimbje koke, shikim i turbullt, sy të thatë si dhe dhimbje në qafë dhe shpatull, midis të tjerave. 

Shikimi i një kompjuteri apo ekrani dixhital shpesh i bën sytë të punojnë më shumë. Si rezultat, karakteristikat unike dhe kërkesat e larta vizuale të shikimit të pajisjeve kompjuterike dhe digjitale të ekranit i bëjnë shumë individë të ndjeshëm ndaj zhvillimit të simptomave të lidhura me vizionin. Shumë nga simptomat vizuale të përjetuara nga përdoruesit janë vetëm të përkohshme–shoqata përmend–dhe do të bien pas ndalimit të punës së kompjuterit ose përdorimit të pajisjes dixhitale. Sidoqoftë, disa individë mund të përjetojnë aftësi vizuale të vazhdueshme, siç është vizioni i paqartë në distancë, edhe pasi të ndalet puna në një kompjuter. Zot na ruaj!!! Edhe fillin nuk e fus dot më përmes gjilpërës–i them mamasë time ta bëjë.  

Mësimi # 5

E kuptoj se tani më shumë se kurrë kam nevojë që gjërat të kthehen në normalitet

Tani që gjërat janë ndryshe nga zakonisht e kuptoj që dua më shumë se kurrë që ato të kthehen në normalitet. Le të çohem në 4:30 të mëngjesit, le të shkoj në punë në orën 7 edhe pse një orë para se fillon mësimi. Kam dëshirë të udhëtoj shtigje të aftërta apo të largëta, të shkelura apo të pashkelura pa u frikësuar se larg qoftë virusi e ka ndotur. Kam dëshirë të përqafoj motrën, nipin, mbesën time pa  u dërguar një puthje nga larg–poshtë maskës së puthitur fort. Kam dëshirë të takoj një shoqe dhe të shijoj një margarita, një të premte mbas pune, mbas një jave të lodhshme. Kur gjithçka të jetë kthyer në normalitet, nuk do mendoj shumë se cilën nga këto gjëra do bëj më parë-vetëm do ti bëj me një vlerësim që nuk besoj se e kam pasur ndonjëherë…

Epo edhe këtij përçmimi që na ka gjetur, me emrin virusi corona do ja vemë vulën, siç thotë një shprehje.Dhe kështu le të bëhet! Këtë pranverë do ta kalojmë me karantinën, me të ndenjurit brenda, me të ndenjurat gjithë ditën para kompjuterit, me të mësuarit gjithsëcili fëmijët e vet… Edhe për këtë të fundit shqetësohem si një edukuese e brezit të ri, dhe një prind gjithashtu. Sa shumë mangësi do kenë fëmijët tanë në edukimin e tyre këtë vit!  Por pastaj më kujtohet shprehja:  Më mirë një gomar i gjallë sesa një doktor i vdekur! Shpresoj që do të dalim më të fortë nga kjo situatë, dhe për më tepër do të mësojmë të vlerësojmë çfarë kemi, sepse ndoshta vetëm ndoshta, ndonjë ditë do na duhet prapë të mbyllim sytë dhe kur ti hapim, asgjë nuk do të jetë më si më parë. 

  • Komentoni më poshtë: Cilat janë disa nga gjërat që ju po mësoni gjatë kësaj karantine? (Publikoi Dielli online www.gazetadielli.com)

Filed Under: Opinion Tagged With: COVID-19, Manjola Barçi

PROTESTË 3 MAJI: GAZETA RILINDJA E DREJTË E SHKELUR

May 3, 2020 by dgreca

-Gazeta tradicionale Rilindja, protestë në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga autoritetet/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 3 Maj 2020/ Në këtë 3 Maj të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, protestohet duke shpërndarë te institucionet e mediat faqe të botimeve protestuese të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, të dëbuar e mbyllur para 18 viteve, ku është shkruar:

Gazeta Rilindja e drejtë e shkelur (kryetitull në ballinën e para 15 viteve – 3 Maj 2005). 

Rilindja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit ka këtë mesazh: Në Kosovë nuk ka liri shtypi derisa ka gazetë të mbyllur e të dëbuar padrejtësisht nga autoritetet.

A e shihni ku e kani ngujuar gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – Alarm nga bunkeri – Arkivi i Rilindjes pasuri kombëtare që po shkatërrohet.

Shpërdajmë edhe foto nga protestat e gazetarëve e punëtorëve të tjerë të Rilindjes, që në këtë 3 Maj nuk dalin në protestë në sheshe duke respektuar masat e ballafaqimit me pandeminë.

Me dëbimin dhe mbylljen detyrimisht të gazetës tradicionale e historike Rilindja është bërë shkelja më e rëndë dhe e pashembullt e të drejtës dhe lirisë së shtypit në gjithë botën e lirë e demokratike, dhe çuditërisht kjo ka ndodhur në Kosovën me administrim ndërkombëtar dhe me institucionet e veta.

Para 18 viteve, në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, u dëbua dhunshëm nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut.

Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme, e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë.

Para 15 viteve, pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi para 12 viteve – në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 75 vitesh, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. 

Në monografinë “Rilindja 60 vjet” shkruan se “shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”.

Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të kohëpaskohëshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale Rilindja u bë  edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e Pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues, të shtypur, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Në arsyetimin e  kërkesës theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Edhe në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit e ritheksojmë sqarimin për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, apo edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë dhe do ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, duke qenë edhe pjesë e këtij procesi.( Autori Behlul Jashari – Kryeradaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson). Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi dy javë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm

Filed Under: Analiza Tagged With: proteste, Stypi I Lire

SUKSESI I GJERMANISË NË LUFTËN NDAJ COVID-19. ROLI I MJEKËVE SHQIPTARË

May 3, 2020 by dgreca

Intervistë ekskluzive për gazetën Dielli e bashkëshortëve mjekë Dr. Learta Pervizaj-Oruqaj dhe Dr. Gani Oruqaj, të cilët punojnë në Giessen Gjermani, dhënë gazetarit Sokol Paja./

Gjermania është shteti evropian më i suksesshëm në luftën ndaj covid-19. Masa e menjëhershme të qeverisë gjermane dhanë sukses në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19, në mbrojtjen e popullatës së rrezikuar, rritjes së kapaciteteve mjekësore dhe uljen e numrit të vdekjeve në përgjithësi. Masat e ndërmarra në fillim ishin strikte, mirëpo më të lehta se në vendet tjera. Shoqërimi maksimal me jo më shumë se 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajtja e distancës prej 1,5m, mbajtja e higjienës personale, dezinfektimi në supermarkete, mbajtja e maskave në institucione shëndetësore, ndalimi i vizitave për të moshuarit, ndalimi i vizitave familjare tek të sëmurët në klinika përveç përjashtimeve të caktuara te fëmijët ose personat me nevoja të veçanta sipas bashkëshortëve mjekë Dr. Learta Pervizaj-Oruqaj dhe Dr. Gani Oruqaj dha një sukses të madh. Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani ka marrë një nismë që nga fillimi i pandemisë, si dhe ka mbledhur gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani nën një kulm për t´u vënë në shërbim të pacientëve shqiptarë përmes fushatës sonë në Facebook, krijimit të grupeve të punës dhe mjekëve në dispozicion për landet në Gjermani për konsultime rreth COVID-19. Personat të cilët kanë shqetësime rreth simptomave, mund të kontaktojnë mjekët në dispozicion të paraqitur në linkun e shoqatës në Facebook.

SITUATA NË GJERMANI

Aktualisht në Gjermani gjendja është në përmirësim e sipër. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 164478, numri i të sëmurve kritik është 2105, ndërsa i të shëruarve  129000, dmth. mbi 78% janë shëruar nga COVID-19, ndërkaq vdekshmëria ka një trend të vogël të rritjes rreth 4 %, ashtu edhe si pritej nga ekspertët e Institutit Robert Koch, por është shumë më e ultë në krahasim me vendet tjera të prekura. Numri i personave të shëndoshë që infektohen nga një person i infektuar është nën 1, i cili ishte edhe qëllimi i Institutit Robert Koch, pasi që dihet se një person i infektuar mund të infektojë 2-3 persona të tjerë. 

SUKSESI I MODELIT GJERMAN

Testimi i popullatës është shumë me rëndësi. Gjermania ka testuar deri tani mbi 2,5 milion, mbi 30000/1 milion banor, pacientë me simptoma apo persona të kontaktit. Ekzistojnë disa faktorë për suksesin e Gjermanisë, numër 1, mendoj që masat parandaluese ishin në kohë dhe vetëdijësimi i qytetarëve për të respektuar këto masa ishte në nivelin e duhur. Arsyeja numer 2, numri i testimeve është bërë tek njerëzit e grupmoshave më të reja, mosha mesatare rreth 49 vjeç, dhe kështu është shkëputur zinxhiri i përhapjes së infeksionit tek grupmoshat e rrezikut, si psh. personat me sëmundje kronike, sëmundje kardiovaskulare apo respiratore, sëmundje me imunitet të dobësuar, diabet, adipizitet apo me kimioterapi tek pacientet me tumore. Dhe numër 3, faktori kyç gjithashtu është përgatitja e sistemit shëndetësor duke rritur kapacitetet e veta, angazhimi i mjekësisë primare dmth. mjekësisë familjare përmes testimit të pacientëve me simptoma dhe karantimit të tyre pastaj, si dhe rritjes së kapaciteteve në kujdesin intenziv duke anuluar operacionet elektive, dhe duke ofruar personel shëndetësor shtesë dhe material shpenzues gjatë pandemisë.  

MASAT QË NDËRMORI SHTETI GJERMAN

Masat preventive të ndërmarra nga shteti gjerman kanë dhënë sukses në ngadalësimin e përhapjes së COVID-19, në mbrojtjen e popullatës së rrezikuar, rritjes së kapaciteteve mjekësore dhe uljen e numrit të vdekjeve në përgjithësi. Masat e ndërmarra në fillim ishin strikte, mirëpo më të lehta se në vendet tjera. Shoqërimi maksimal me jo më shumë se 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajtja e distancës prej 1,5m, mbajtja e higjienës personale, dezinfektimi në supermarkete, mbajtja e maskave në institucione shëndetësore, ndalimi i vizitave për të moshuarit, ndalimi i vizitave familjare tek të sëmurët në klinika përveç përjashtimeve të caktuara te fëmijët ose personat me nevoja të veçanta. 

SHQIPTARËT NË GJERMANI

Shoqata e mjekëve shqiptarë në Gjermani ka marrë një nismë që nga fillimi i pandemisë, si dhe ka mbledhur gjithë mjekët shqiptarë në Gjermani nën një kulm për t´u vënë në shërbim të pacientëve shqiptarë përmes fushatës sonë në Facebook, krijimit të grupeve të punës dhe mjekëve në dispozicion për landet në Gjermani për konsultime rreth COVID-19. Personat të cilët kanë shqetësime rreth simptomave, mund të kontaktojnë mjekët në dispozicion të paraqitur në linkun e shoqatës në Facebook. Unë kam pasur disa pacientë në konsultim, të cilët i kemi ndihmuar për diagnostifikim apo udhëzime të mëtejshme, në lidhje me masat që duhet marrur për pacientet në fjalë.

KTHIMI I GJERMANISË NË NORMALITET

Masat parandaluese kanë filluar për momentin tani të zbuten, mirëpo mbeten akoma në fuqi masat, si shoqërimi maksimal me 2 persona, përveç nëse janë të së njëjtës familje, mbajta e distancës prej 1,5 m, si dhe tani nga java e kaluar mbajtja e maskës së thjeshtë në vendet publike. Dyqanet deri në 800 m2 janë të hapura, përpos hoteleve dhe restauranteve të cilat do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë të pacaktuar. Rreth hapjes së shkollave ekziston një diskutim akoma se te cilat grupmosha duhet filluar mësimi, grupi i parë mendon që higjiena të nxënësit e shkollës së mesme do të ishte më e mirë dhe të fillohet me ato klasa njëherë, mirëpo nuk ka pajtueshmëri për momentin në mes të landeve dhe do të vendoset ashtu që secili land të marrë vendimin ndaras.  Pushimet dhe udhëtimet jashtë shtetit me gjasë janë të ndaluara deri në qershor ose korrik. Ndërsa, organizimet me numër të madh të pjesëmarrësve do të mbeten të ndaluara deri në verë. Nëse të gjithë bashkëpunojmë, mund të jetojmë të lirë, të vazhdojmë punën pa masa të rrepta dhe orë policore, dhe gjithashtu do të mund t´i themi Good bye COVID-19. 

E ARDHMJA E GJERMANISË

Kurba e të infektuarve tani është në rënie, ka gjithnjë e më pak raste të reja me COVID-19, shkaqet e vdekjes janë sigurisht pneumonia virale me shok septik, koinfeksion bakterial apo dhe distres akut respirator (ARDS), zakonisht te pacientët me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo imunitare. Fundi i pandemisë është i panjohur edhe për ekspertët në Gjermani, do të shpresohet në zbulimin e shpejtë të vaksinës, apo imunizim të personave përmes kalimit të sëmundjes. Trendi i paraqitjes së rasteve parashikohet të vazhdojë dhe për një kohë, apo në rastin më të keq do të ketë një valë tjetër të pandemisë, gjatë sezonës së dimrit. Vaksina përveç që duhet të jetë efikase dhe e sigurtë, duhet testuar gjithashtu që të kalojë dhe testin e imunigjenitetit dhe të krijimit të antitrupave te personat e vaksinuar. Dhe këto tre faza testuese të vaksinës mund të marrin kohë 6-12 muaj. Përderisa, terapi specifike për virusin nuk ka ende, por vetëm medikamente në testim për të ndaluar futjen e virusit në qelizat alveolare, apo terapi antivirale dhe antiinflamatore, duke bllokuar interleukine të caktuara, si dhe studimi me Imunoglobuline nga personat të cilat kaluar sëmundjen. Remdesivir, nje bër i inhibimit të RNA virale ka treguar sukses në prognozën e sëmundjes.  Suksesi i disa tjerave medikamente në shumë studime është kundërthënës. Prandaj mbetet të shihet në grupe më të medha të studimeve për suksesin e tyre. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE BASHKATDHETARËT NË USA

Mesazhi jone për lexuesit është, që të kenë durim në kalimin e pandemisë. Kujdes duhet shtuar distancimit fizik, prevenimit, higjienës personale, të shmangim kontaktet me personat e grupit të rrezikut, dhe vetëm kështu do të pengojme eskalimin e situatës dhe vetëizolimit tonë, pasi që institucionet e shtetit do të jenë të detyruara të marrin masa më të rënda, në rast të rritjes së numrit të të infektuarve, të cilat do të kishin vështirësuar edhe mëtej jetën e qytetarëve. Rregullat strikte preventive duhet të mbeten nëpër institucione shëndetësore si psh. klinika, shtëpi për përkujdesje të të moshuarve, si dhe duhet bërë rivlerësim i gjëndjes në mënyrë permanente. Institucionet tjera si shkollat, kopshtet e femijëve duhet t´i kthehen në mënyrë graduale normalitetit duke bërë rivlerësime të situatës kohë pas kohe.

KUSH JANË ÇIFTI I BASHKËSHORTËVE MJEKË ORUQAJ

Dr. Laerta Pervezaj Oruqaj.

Dr.sc. Learta Pervizaj-Oruqaj, Ka mbaruar doktoraturën në Justus Liebig Universität, Gießen në 2016. Masterin në Analiza bio-farmaceutike në Universitetin e shkencave të aplikueshme në Idstein Gjermani, dhe studimet bazë në Farmaci në Universitetin e Marmaras në Stamboll. Punon aktualisht si Postdoc në kërkime shkencore të distresit akut respirator-ARDS, të shkaktuar nga virusi Influenza. Instituti i kërkimeve shkencore për semundje infektive pulmonale, Universiteti Justus Liebig, Giessen.  Dr. Gani Oruqaj, MD, PhD është doktor i shkencave mjekësore, i cili ka mbaruar doktoraturën – PhD për sëmundjet e mushkërive përkatësisht fibrozën pulmonale në Justus Liebig Universität Gießen më 2016, është i specializuar në Biologji Molekulare dhe Mjekësi e Mushkërive (Molecular Biology and Medicine of the Lung Graduate Program), specialist i mjekësisë interne dhe urgjente, punon në Klinikën Universitare të Giessen, në pneumologji dhe kujdesin intenziv internistik te pacientët me Covid-19. 

Filed Under: Featured Tagged With: Mjeket shqiptar ne Gjermani, Sokol Paja

KORONAVIRUS, MBRAPAKTHIMET E SHUMTË TË OBSH: NGA TAMPONET TEK MBULESAT E GOJËS (DERI TEK MODELI – SUEDI)

May 3, 2020 by dgreca

Nga IRENE SOAVE/

Përktheu Eugjen Merlika/

Kundërshtia e fundit ka qënë mbi “rastin Suedi”. “Një shembëllim për t’u ndjekur në rrugën e një normaliteti të ri”: kështu e ka përcaktuar në një konferencë shtypi të 30 prillit Mike Ryan, shefi i programit të emergjencave shëndetësore të Organizatës botërore të shëndetësisë. Por që nga fillimi  i emergjencës agjensia ka mbështetur efektshmërinë e të kundërtit “shëmbëllim kinez”, pra të një kundërveprimi ndaj epidemisë, të përqëndruar veçanërisht mbi masa mbylljeje tepër t’ashpra. Këto javë presidenti amerikan Donald Trump e ka sulmuar Organizatën botërore të Shëndetësisë, duke e quajtur “filokineze” e duke ndërprerë derdhjen e kuotave të përkatësisë. 

Por n’adresë të agjensisë – mandati i së cilës përmban edhe mbikqyrjen dhe parandalimin e emergjencave shëndetësore botërore – janë ngritur kritika nga shumë anë. Mbulesat e gojës: në fillim të përcaktuara “të kota”, pastaj mbas shumë kohe të këshilluara; porosia për të përdorur tamponët vetëm për ata që kishin shënja të dukëshme , në fillim, për të bërë një prapakthim të papandehur duke këshilluar që të përdoren  sa më shumë; ngadalësia e përgjithëshme e OBSH për të shpallur njërën pas tjetrës gjëndjet e gatishmërisë së përgjithëshme që çuan në një pandemi ”që është larg të qënit e mundur” (kështu tha drejtori i agjensisë Tedros Adhanom Ghebreysesus). OBSH a mund të kishte qënë më e efektëshmenë luftën kundër koronavirusit?

Një agjensi shumë “filokineze”

Padia më politike është ajo e paraqitjes shumë “filiokineze”. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka pezulluar financimet amerikane të OBSH (janë 17-18 përqind të bilancit) që e përcakton “qole” të Kinës”; por edhe nënkryeministri japonez Taro Aso ka këshilluar polemikisht t’a ripagëzojnë “Organizata Kineze e Shëndetësisë”. Çështja e Taivanit, ende e papranuar mes Shteteve antare të OBSH (sepse republikë de facto jo e njohur nga Kina, megjithë një përballim shëmbullor me epideminë, që ka patur në këto kohë një jehonë të gjërë ndërkombëtare, dhe një kryeartikulli t’ashpër të Wall Street Journal që e ka përcaktuar OBSH “Lost in Beijing”, e humbur në Pekin.   

Vonesat në temën e përcjelljes “nga njeriu te njeriu”

Virusi u rendit për të parën herë në një laborator të Wuhanit më 27 dhjetor. Kina i përcolli të dhënën OKB dy javë më vonë, më 10 janar. Por drejtori i përgjithshëm Ghebreysesus tuitoi edhe një herë: “Shpejtësia dhe tejpamja e Kinës në këtë dallgë është tronditëse”. N’ato ditë Taivani lajmëroi (më kot) organizatën për rrezikun e përcjelljes njerëzore të virusit, po ashtu sikurse mjeku -hero kinez Li-Wenliang (pastaj i vdekur me Covid-19): nuk bëhet asgjë. Më 14 janar Ghebreysesus tuiton përsëri. “Nuk ka prova që virusi përcillet nga njeriu tek njeriu”Sapo ka takuar Xi Jingping në Pekin, duke i lëvduar tejpamjen. Më tutje, ndërsa bota e tërë nuk i besonte të dhënat zyrtare të njoftuara nga Republika Popullore (vetë autoritetet e së cilës, në prill i ripanë në ngritje të përmbajtur), Organizata  Botërore e Shëndetësisë vazhdonte t’i mbante për të sakta: përfshirë edhe vërejtjet e ardhura nga Wuhani mbi përcjelljen e virusit ndërmjet njerëzve. “OBSH nuk kishte mjete për t’i vërtetuar në vend” ka thënë Larry Gostin, funksionar i OBSH, tek New York Times.” Ose, nëse duam të jemi më pak të mëshirshëm, nuk ka bërë asgjë për  t’a vërtetuar, i besoi Kinës”.

Pacientët asintomatikë

Në fazat e para të pandemisë, një hulumtim i Hong Kongut kundërshtoi të dhënat kineze: nuk peshojnë pacientët asintomatikë. Por një raport i OBSH: “Pacientët asintomatikë janë të rrallë, e vështirë se përcjellin mikrobin” Në mars një studim i botuar në revistën Science i vesh asintomatikëve përgjegjësinë e 80 % të infektimeve. Që aty e mbrapa OBSH  pushon së zvogëluari rolin, dhe më një prill epidemiologia e saj Maria van Kerkhove porosit në leksionin e Gjenevës,“rëndësinë e gjurmimit të asintomatikëve  që shpejt a vonë do të arrijnë të zhvillojnë shenjat”.

Vonesa për të thënë: “Është pandemi” dhe parashikimi (bosh) i shtatorit

Vetë përcaktimi i “pandemisë”, që vetëm OBSH është e ngarkuar zyrtarisht t’a thotë, ka ardhur kur prej kohësh të gjitha zonat e planetit ishin të prekura nga urgjenca: më 11 mars. Më parë kishin qënë një sërë raportesh qetësuese: vetëm më 28 janar kërcënimi i epidemisë kineze ishte bërë “i lartë”, nga “i përmbajtur” për pjesën tjetër të botës. E megjithatë që në shtator, në një raport të titulluar “A World at Risk”, Organizata Botërore e Shëndetësisë paratha edhe një kërcënim “shumë real” të “një pandemie shumë vdekjeprurëse të shkaktuar nga një mikrob patogjen i rrugëve të frymëmarrjes, që do të mund të vriste deri në 50 – 80 milionë njerëz e do të fshinte 5 % të ekonomisë botërore”. Arsyet e hamendësuara: kryesisht përhapja aksidentale ose me qëllim e një virusi të frymëmarrjes të renduar në laborator. “Bota nuk është gati për këtë” përmbyllej raporti. Alarmi ra në zbrazësirë i tejkaluar nga realiteti: pandemia globale nga koronavirus që u vërtetua më vonë erdhi shumë shpejt, vetëm pak javë më mbrapa.

Mbrapakthimi mbi tamponët

Së fundi ka kritika edhe në pështjellimin e direktivave të OBSH përsa i përket testimeve sierologjike, tamponëve dhe mbulesave te gojës. Mbi tamponët: direktivat e para të OBSH, që ndoshta kanë ndikuar edhe në mungesën dramatike të testeve e tamponëve në shumë Vënde, ashtu si edhe n’Itali, kanë qënë që të përdoren “vetëm në rastet e dyshuara”. Pra vetëm tek njerëzit me shenja frymëmarrje të mprehta apo kontakte të sigurta me pozitivët, ose me të dyja rastet. Vetëm më 16 mars drejtori Ghebreyesus tuiton: “Ka vetëm një mesazh për të gjithë shtetet antarë: testime, testime, testime”. Andrea Crisanti, mikrobiolog i Universitetit të Padovës që ka bashkërenduar përgjigjen e Venetos ndaj epidemisë, ka kritikuar OBSH sepse nuk ka këshilluar me njëherë tamponët për asintomatikët.

Mbrapakthimi mbi mbulesat e gojës

Edhe mbi nevojën për të vënë mbulesat e gojës, njoftimet e OBSH dhe direktivat e saj Vëndeve, kanë qënë shpesh në kundërshti me njëra tjetrën. Në fazat fillestare të pandemisë agjensia u shpreh qartë: janë të kota për t’u mbrojtur, t’u lihen mjekëve dhe infermierëve. Përsëri më 6 prill Ghebreyesus porosiste: “Këshillojmë përdorimin e mbulesave mjekësore të gojës  atij që është i sëmurë apo duhet të kujdeset për një njeri të sëmurë, ose Vëndeve në të cilët larja e duarve dhe qëndrimi në distancë janë të vështirë të zbatohen. Na shqetëson fakti që përdorimi në masë i këtyre mbulesave nga ana e njerëzve mund të rëndojë mungesat”. Pastaj mbrapakthimi. Dy ditë më pas eksperti OBSH Mike Ryan shpiegon: “Mund të jenë të dobishme në luftën e përgjithëshme ndaj pandemisë”. Më 13 prill zëdhënësi i OBSH David Navarro thotë se “Mbajtja e tyre duhet të bëhet normë”.

Të shëruarit “nuk janë imunë”

Së fundi polemika e mbrapme mbi imunitetin e fituar nga të shëruarit: nuk ka asnjë provë, ka deklaruar OBSH pak ditë më parë, që njerëzit e shëruar nga Covid-19 kanë kundërtrupa në gjëndje që t’i mbrojnë nga një infeksion i dytë. Në këtë pikë të pandemisë ”nuk ka mjaft dukuri që venë në dukje efektshmërinë e imunitetit  të dhënë nga kundërtrupat për të siguruar “një pashaportë imuniteti” apo një “certifikatë lirie nga rreziku”. Por është një maturi e drejtë vetëm në teori, simbas shumë imunologëve: deri sot nuk ka siguri të njerëzve të sëmurur dy herë nga Covidi. Një studim i fundit në revistën Nature Medicine zbulon se “në të gjithë të sëmurët hasen kundërtrupa brënda 19 ditësh nga shfaqja e Covidit”.

“Corriere della Sera”, 2 maj 2020       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: IRENE SOAVE, Modeli Suedez

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 606
  • 607
  • 608
  • 609
  • 610
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT