• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË NJU JORK U VARROS BIRI I FAMILJES PERLLESHI DHE GJAKU I GJAKUT TIM-VILSON PËRLLESHI

April 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Telegram ngushëllimi familjes e mikut tonë të shumfisht dhe të shtrenjtë,
veprimtarit të mirënjohur shqiptar , z. HIL PËRLLESHI me rastin e kalimit në amshim të birit të tij-VILSONIT
I dashtun miku im i shtrenjt, HIL PËRLLESHI,
E dashtuna DADA MARI,
Bashkëshortja e VILSONIT dhe fort të dashtun fëmijë e vëllezër të VILSONIT!
I dashtuni DAJA i të ndjerit baca TOMË,
……
E nderuara familja PËRLLESHI, sot në oret e hershme të mëngjesit me keqardhje pranuam lajmin e trishtë për kalimin në amshim të birit, bashkëshortit, babait, vëllait, nipit fort të dashtunit VILSON PERLLESHIT, ndaj LUTENI në emrin tim personal dhe të familjes së ngushtë dhe të gjerë MRIJAJ nga Zllakuqani e Klina, pranoni ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për kalimin në amshim të VILSONIT apo me konkret po e themi: “DJALOSHIN E GJAKUT TË GJAKUT TIM”.
Fort të çmuar familjarë e farefis i të ndjerit po e potencoj se edhe pse jemi larg jush, me gjithë zemër jemi pjesë e kësaj dhimbje të rëndë me ju dhe të tërë familjen e farefisin tuaj që i keni për zemër…
Ikja e nipit tonë të dashtun është një humbje e madhe për familjen e tij
përfshirë babain HILIN, dadën MARI, Bashkëshortën, fëmijët, vëllezërit, dajët e tij dhe mbarë komunitetin shqiptaro amerikan përfshirë edhe KISHËN KATOLIKE DHE APOSTOLIKE SHQIPTARE.
Nipi ynë VILSONI ishte shembull i shkelqyer, njeri i urtë, mik i shkëlqyeshëm dhe i nderuar kudo në mesin e miqve, shokëve dhe mbarë të dashurve të tij ndaj si të tillë edhe ne bashkëndajm dhimbjen me juve dhe nuk do ta harrojmë asnjëherë pra veprat e tija të mira do ti trashegojmsë bashku përjetësisht..
Ai, përjetësisht do të mbetet në mbamendje si një djalë, bashkëshort, baba, nip shok i dashtun dhe i mrekullueshëm për të gjithë të dashurit e tij, pikërisht një djalë tejët energjik për kontributin, besimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm ndaj familjes, miqve, shokëve, dajëve, komunutetit mbarë shqiptar dhe KISHËS në të cilën besonte me devotshmëri…
E dashtuna familje PËRLLESHI, i dashtuni BACA TOMË edhe familja MRIJAJ
bashkëndanë dhimbjen me JU, pra LUTENI qe DHIMBJEN TA SHËNDRRONI NË URATË QË TË BËHET FORCË PËR JU, njëkohësisht për ti dhënë lehtësi dhe freski që trupi i të ndjerit të të prehet dhe të pushoj në qetësi në amshim!
ZOTI ju lasht shnosh dhe ju dhashtë forcë juve dhe familjes tuaj të ngushtë dhe të gjerë për ta tejkaluar këtë moment të vështirë morti.
I përhershëm qoftë kujtimi për të dhe i lehtë i qoftë dheu”. Jepja o Zot pushimin e pasosur, pushoftë në paqe me Krishtin, u Lut për të gjithë të dashurit e tij të botës tokësore.
Me shume respekt, në emër të familjes Mrijaj nga Zllakuqani dhe Klina e
Kosovës, ju ngushëllon Lekë Mrijaj, publicist e gazetar i pavarur shqiptar.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Familjes Perlleshi, Telegram Ngushellimi, Tom mrijaj

“COPËZA” KUJTIMESH QË NUK I KA TRETUR KOHA

April 30, 2020 by dgreca

-Me rastin e 60 vjetorit të Televizionit Publik Shqiptar-/

Nga Fuat Memelli*/

Kjo ngjarje e shënuar në historinë e Televizionit Shqiptar, më zgjoi plot kujtime edhe mua, si shumë të tjerëve që kanë patur fatin të punojnë aty. Ishte një punë që nuk e kisha ëndërruar. Botimet në shtyp qysh student dhe sidomos kursi dy vjeçar i gazetarisë që mbarova tok me rreth 20 studentë të tjerë nga fakultete të ndryshëm, ndikuan në rrugën time gazetareske. Një pjesë e studentëve si Namik Doklja, Qemal Sakajeva, etj, filluan punë në shtyp, Zhuliana Jorganxhi në radio e disa në televizion. Ishte shtatori i vitit 1969, kur hyra në godinën e Radio Tiranës, në katin e parë të të cilës ndodhej studjoja e regjistrimit dhe trasmetimit. Me 60 vjet jetë, ai tani mund të quhet  i “moshuar”,  por më  i moshuar se ai është brezi im që punoi aty, i cili i ka kaluar të 70-at. Por, njeriu ron me kujtime. Disa “copëza” kujtimesh që nuk i ka tretur koha, do të tregoj edhe unë nga ato vite kur TVSH-ja  ishte ende “fëmijë”. 

KOLEGËT QË GJETA ATY

Jo vetëm studjoja por edhe ato pak zyra të televizionit, ndodheshin në godinën e Radio Tiranës. Në zyrën ku shkova unë gjeta Andon Deden, Mevlllan Shanajn, Petro Latin, Ylli Pepon, Vladimir Grillon, Alfons Gurashin, Gazmir Shtinon, Natasha Çipin, Tomor Toporen, Milto Bakën, Dhimitër Rëmbecin, Mërkur Bozgon, Kadri Metohun si dhe piktorin e parë të dekorit, Edi Hila e ndihmësen e tij, Sofika Ziri, etj. Shumica ishin ishin të rinj, beqarë, me moshë  23-25 vjeçare,  që nisnin rrugën e bukur të televizionit.  Shefi im dhe i disa redaktorëve të tjerë ishte Kliton Gilani, njeri me kulturë e shumë fisnik. Shef tjetër ishte Fuat Bozgua, njeri i shkathët dhe me kulturë , ndërsa  drejtor i TV  qe Klimi Misja një njeri i mirë, i dashur e që nuk i bënte keq njeriu, ndërsa drejtor i përgjithshëm ishte Thanas Nanua. Kameraman në studjo qe Beqir Dërhemi, i cili kishte filluar para nesh. Ai është  kameramani i parë i TV-së. Tok me të ishin kameramanë në studjo edhe Stefan Gajo e Pali Kuke. Spikere ishte Stoli Beli, e cila bënte edhe emisione,  është e para spikere në TVSH-së. Punohej me film negativ 16 mm, i cili lahej në Kinostudjo e montohej nga gazetarët e operatorët, në fund të koridorit.Pas ndonjë viti e ca, u ndërtua godina e re e televizionit e projektuar nga një grup specialistësh, kryesuar nga Inxh. Alfred Xhufka, i cili u bë edhe kryeinxhinier. U shtuan programet televizive me koncerte që regjstroheshin aty por edhe në natyrë; u shtuan dokumentarët  e më pas edhe filmat televizivë me regjisorët e shquar Mevlan Shanaj,  Albert Minga e më vonë edhe Ylli Pepo.. Më pas erdhën nga Kinostudjoja edhe Vladimir Prifti e Kristaq Dhamo, të dy regjisorë të shquar, por që nuk vazhduan shumë vite në televizion. Në godinën e re erdhën më vonë  një brez tjetër regjisorësh që gjithashtu lanë gjurmë të pa shlyera si Jani Tane, Osman Mula, Esat Teleiti, etj. Nga Kinostudjoja erdhi edhe regjisori i montazhit, Ismail Balla, i cili  hodhi bazat e montazhit profesional. Ai punoi tok me montazhieret e para të filmit si Flora Gjika, Nadia Orjeti, Mimoza Tafaj, etj. “Brumi” ku zinin fill emisionet e shumta, ishin redaktorët, idetë dhe skenaret e të cilëve materializoheshin më pas në ekran. Ndër redaktorët me emër do të përmendja Xhemal Maton me emisionet shkencore, i cili më vonë mori edhe titullin pas regjisor. Gjurmë të pashlyera lanë Andon Dedja me emisionin “Shqipëria –atdheu ynë”, Petro Lati me emisionin e fëmijëve e pastaj me “Enciklopedisë televizive”,  Azis Gjergjin me emisionit “Ngjarje dhe data”, Flamur Topi me emisionin “Trupi dhe shëndeti”, Vladimir Grillon me smisionin sportiv, Gëzim Gjyrezin me emisionet e artit e të rinisë, Dhimitër Pecanin me emisionet e trashëgimisë kulturore, Bajram Hoxha me emisionet ekonomike, etj. Nga operatorët që u bënë mjeshtra do të veçoja Stefan Gajon, Pali Kuken, Bujar Kokonozin, Valter Qarrin, Astrit Omerin, Ilir Kasnecin e më pas Gaspër Shllakun, Bujar Koren, Naun Laskun, Agim Kurin, Esat Çuçllarin, operatorin e zërit Kristaq Kristo, etj. Për mua “zemra” e televizionit ishte montazhi, Në montazhin elektronik u bënë nga më të mirët, Andon Beqari, Fedra Rama, Milena Panajoti, etj. Nuk mund të le pa përmendur spikerin e shquar, të ndjerin Kiço Fotiadhi si dhe një brez tjetër të mëvonshëm si Virgjil Kulen një nga më të mirët, i cili u bë edhe drejtor i TV-së,  Silvana Braçe e Zerina Kuke, Dhimitër Gjoka, i cili vazhdon edhe sot, Tefta Radin, një nga ikonat femra të ekranit, Angjelina Xharën, spikerin dhe regjisorin e njohur, Xhelil Aliu, etj.  Inxhinier me emër kanë qënë Emil Plumbi,  Gjergj Shteto, Çlirim Balluku, Genc Tomço, etj, ndërsa teknikët e parë ishin Natasha Shuza, Spiro Qirko dhe Vezir Hoxha. Teknikë të tjerë duarartë që mbanin gjallë paisjet televizive  ishin Jani Melja,  Gjergji  Capo, Mina Shagla, etj. 

PROGRES, POR EDHE TRONDITJE NGA ARDHJA E TODI LUBONJËS

Një fytyrë të re mori radjoja e televizioni kur në vënd të Thanas Nanos erdhi drejtor I Përgjithshëm Todi Lubonja, njeri me kulturë të gjerë dhe me prirje liberale. Ai mbështeti kuadrot e aftë dhe filloi të largojë të paaftët . Mbaj mënd që dha porosi për redaktorët që për të kaluar “provimin” e qëndrimit ose jo në televizion,  sejcili të përgatiste një emision me temën që deshte vetë dhe kur të trasmetohej, të njoftonte Todin për ta parë. Unë zgjodha për temë të “provimit” një telereportazh me sharrëtarët e Fushë-Arrësit. Shkuam aty bashkë me Tomor Toporen i cili në fillim punonte operator e më pas kaloi redaktor. Qëndruam disa ditë aty dhe përgatitëm një emision të bukur për punën dhe jetën e sharrëtarëve të cilin e titullova ”Miniera e gjelbër”. Në orën e trasmetimit isha edhe aty pasi  muzika dhe titrat futeshin direkt. Sapo mbaroi emisioni, Todi mer në telefon Fuat Bozgon, shef i programacionit në TV i cili ishte në trasmetim dhe i thotë: “E pashë emsionin e atyre djemve dhe më pëlqeu shumë. I thuaj që e kaluan provimin”.  Prej lajmit që mora, fluturoja nga gëzimi. Ndër njerzit që largpi Todi Lubonja ishte edhe drejtori i Televizionit, Klimi Misja. Më erdhi keq për atë njeri të mirë. Nga trishtimi Klimi u sëmur, pësoi një paralizë dhe u nda nga jeta para kohe. Fryma liberale e Todi Lubonjës kulmoi në Festivalin e 11-të që u mbajt më 22-25 dhjetor të vitit 1972. Prezantues ishin Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, ndërsa regjisor Mihallaq Luarasi. Festivali pati muzikë të bukur dhe  ritmike, veshje më  elegante dhe një çlirim  nga qëndriumi statik i këngëtarëve. Por, gëzimi i festivalit të bukur, nuk zgjati shumë. Enver Hoxha i cili e kishte ndjekur nga Vlora ku ishte me pushime, lëshoi rrufetë për organizatorët e në rradhë të parë për Todi Lubonjën. Filluan mbledhjet për dënimin e festivalit i cili spias diktatorit kishte shfaqje të huaja, që nuk pajtohshin me moralin komunist. Të deleguarit e komitetit të partisë e Komitetit Qëndror,  shkonin e vinin. Dihen masat ekstreme që u morën. Todi u shkarkua dhe u çua në Lezhë ku më pas u arrestua. Drejtor i përgjithshëm rikthehet Thanas Nanua, i cili kishte dalë në pension por erdhi me propozim të Enver Hoxhës. U dënua regjisori i festivalit, Mihal Luarasi, këngëtari  Sherif Merdani, Justina Aliaj, etj. Stina e paranverës që kishte filluar të lulëzojë në radio e televizion, u përmbys. Thanasi që njihej për frymën e tij konseravatore u rikthye me dorë të hekurt dhe rihabilitoi njerzit që kishte larguar ose ulur në detyrë Todi lubonja. Pas Pleniumit të 4-t fryma liberale në art e kulturë u dënua në të gjitha instancat, në qendër e në rrethe. U dënua Fadil Paçrami, sekrtar i komitetit të partisë së Tiranës për artin e kulturën, etj. Më pas filloi një fshesë tjetër në radio e televizion jo vetëm e atyre që ishin marë me festivalin por u kaluan në “sitë” biografitë e gjithë punonjësve.

NGA “FSHESA” NUK SHPËTOVA AS UNË

 Vazhdonin  me orë të tëra mbledhjet e partisë. Unë nuk isha në parti por fjalët dilnin. Të gjithë ishin në tension. Ndihesha i qetë pasi nuk e futja vetën te njerzit me “njolla”, pasi kisha motrën komuniste, xhaxhanë po ashtu, një kushëri të parë të babajt dëshmor, emrin e të cilit e mbante shkolla e fshatit.  Gazeari Andon Dede,  një nga më të aftët dhe kurajozët  e televizionit, më thoshte:”Kap ndonjë njeri se situata është e vështirë”, por unë vazhdoja shërbimet nëpër rrethe. Pas pak ditësh ishin “kopsitur” mirë personat që do largoheshin nga televizioni. Kur shkoj në mëngjes në punë, polici nuk më lejoi te hyj në godinë.”E ke emrin në listë, më tha, nuk kam çfarë të bëj”. Pësova një trishtim të madh. Më pas takova drejtorin e TV Marash Hajatin, i cili më tha:”Jeni larguar për qarkullim”. Në kuadër ku gjithashtu u ankova, më treguan dosjen time, e cila shumica ishte e zezë. Kishte vetëm një rresht që gjatë luftës familja ka mbajtur qëndrim të mirë e pastaj vazhdonte me emrat e dy kushërinjve të mi të dytë, njëri i vrarë në kufi ( siç doli më pas, ishte vrasje nga shteti) ndërsa tjetri ishte nxënës i shkollës së mesme që kishte tentuar të kalonte kufirin. U mundova ta sqaroj , por ishte e kotë. “Ne i besojmë këto që ke në dokumenta”, më tha ajo. Më pas mësova se karakteristikën time e kishte nxirë një sekretar partie i fshatit bashkë me ndonjë tjetër dhe jo vetëm mua, por edhe disa sinicarëve  të tjerë. Shumica e të larguarve përfunduan në rrethet e veriut, ndërsa unë pas gjashtë vjet pune në TV, më çuan agronom në kooperativën e Petrelës . Isha me fat që nuk përfundova në veri si shumë të tjerë pasi nuk dihej se kur mund të ktheshesha. Pas tre vjetësh  u riktheva në sektorin e filmit të Ministrisë së Bujqësisë, ku vazhdova punën me dokumentarë  dhe emisione për bujqësinë, të cilët trasmetoheshin në televizion. Pra, në një farë mënyre më larguan nga dera dhe u futa nga dritarja. Me këtë punë u mora deri në vitin 2011 kur dola në pension. Por, kudo që punova, televizioni mbeti dashuria ime e parë dhe kjo dashuri nuk harroet. Historia e plotë e Televizionit Shqiptar është pasqyruar në librin e shkrimtarit dhe komentatorit të shquar sportiv, Skifter Këlliçi. Unë solla vetëm disa “copëza” kujtimesh nga puna ime 6 vjeçare aty, ku isha redaktor i parë i emisioneve të bujqësisë. Më pas e vazhduan këtë punë Tomor Toporja, Shkëlqim Aliaj, Thoma Tole e së fundi Marash Mirashi. Të më falin  shumë punonjës të tjerë që kanë punuar aty dhe i kushtuan jetën televizonit e që nuk mund t’i përmend. Një gjë duhet theksuar: TVSH-ja  u rit e u forcua në rradhë të parë nga pasioni e përkushtimi i krijuesve dhe sektorit teknik, pa harruar edhe bashkëpunimin me radion nga erdhën disa gazetarë, spikera, teknikë e inxhinierë.

                                                                    ***

Brezi i kolegëve të mi në televizion, ka dalë në pension. Një pjesë jetojnë në Shqipëri, të tjerë në emigracion, disa edhe kanë ndruar jetë. Pas viteve ’90, në Shqipëri lindën televizione privatë  si Top Chanell, TV Klan, Neës 24, Vizion Plus, e plot të tjerë . Dy të parët kanë ecur përpara dhe ia kaluan televizionit të “ moshuar”, por nuk duhet harruar se disa nga kuadrot që i ritën këto televizione si dhe shumë filmime të vjetra, i kanë nga TVSH-ja, i cili  mbetet pionieri i televizioneve në Shqipëri. 

Boston, 29 prill 2020, dita kur në Tiranë u përkujtua 60 vjetori i TVSH-së. 

*Me shame fotografi I genie ne fb dielli vatra

Filed Under: ESSE Tagged With: 60 Vjet TVSH, Fuat Mememlli

Por edhe me pensionet e gjete o legen?

April 30, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Kjo do të ishte ulërima më normale e ditës dhe më kuptimplota për të bërë dallimin esencial midis qytetarit që do demokracinë dhe shushunjave që flasin në emrin e tij. Por në përgjithësi njerëzit e kanë të vështirë t’i bien kokës njëshit dhe merren me bishtat apo me argatët, me shërbyesit që nuk e kanë problem të lyhen kokë e këmbë me mut. Kështu po ndodh edhe tani, të gjithë sot i janë vërsulur ish ministrit Beqja si gjoja ideatori i uljes së pensioneve dhe pagave në administratë, por nuk është ai. Akoma nuk e kuptoni se si funksionon në sojin e hienave në politikë, në sojin e dështakëve të një ekonomie komplet informale. I madhi fare merr në telefon dhe i thotë vemjeve të përdorura dil diku dhe thuaj që do ulim pensionet, kaq se të tjerat i rregullon shefi. Se këta për kësi punësh paguhen madje bëhen pronarë të mëdhenj ose oligarkë siç kemi filluar t’i quajmë. Nuk e kanë për gjë të vënë në shërbim gjithë familjen, ekrane, gazetarë siç edhe ka plasur sot me ca vipa province që nga një anë mbrojnë idetë e Edi Ramës dhe nga ana tjetër marrin shuma të majme në borderotë e Erionit. Eshtë thjesht një tatim i pulsit social për t’i rritur vlerat Ramës, i cili jo rastësisht doli mbrëmë dhe tha që nuk ulen pensionet, pra ideatori mori një tjetër plus karshi popullit. Megjithatë është e dhimbshme ta mendosh se në një vend ku shesin pordhë të gjithë se i duan prindërit, si ”heronj” që ua bëjnë deri më një, e çon nëpër mend uljen e pensionit si një strategji në ndihmë të ekonomisë. Eshtë absurde pasi konvertuar me vitet e punës dhe në raport me vendet perëndimore, etërit tanë apo nënat tona janë shtresa më e diskriminuar. Por Edi e ka çuar nëpër mend pasi beson në strategji të tilla si ”çfarë thotë partia e bën populli”. Nga ana tjetër përse e çon do thoni ju? Ai e di shumë mirë që pjesa dërrmuese e të moshuarve nuk jetojnë me vlerën monetare që marrin nga sigurimet shoqërore, ata kanë hisen e tyre nga fëmijët emigrantë. Ndryshe nga brezat e tyre në botë ku duhet thënë se pensioni kudo është i pa mjaftueshëm, por jo diskriminues, shoqëritë perëndimore jo pa qëllim aplikojnë pensionimet private si shtesë, politika shëndetësore efikase, por edhe tregun e lirë për krahun e punës i cili kush ka nevojë dhe do akoma të punojë. Në Shqipëri një mundësi e tillë është thuajse zero, bilës quhet i mbaruar një burrë 50 vjeçar, jo më ai tek të 70-tat, prandaj pensionistët janë sot një kontigjent dominosh, kafenesh dhe mbledhjesh partish ku edhe nuk luajnë nga istikami me një fanatizëm gati të pabesueshëm.

Pensioni nuk vlen të mbylli ciklin mujor të nevojave jetike si drita, uji, medikamente për sëmundjet tashmë imunitare të tyre si diabeti, tensioni etj.,asesi. Ata që i përmbushin janë fëmijët jashtë, ose pagat e pa meritura në bordero si rasti i këtyre dy bibave që dominojnë studiot deri në një ditëlindje banale a një ndarje nga jeta të ndonjë familjari të tyre. Rama dhe surragot e tij nuk e kanë problem të thonë mes tyre për pensionistët, e mo t’i mbajnë fëmijët. Për më tepër mund të kenë kaluar në shoshë edhe vlerat monetare të shumë prindërve emigrantë, por në pension, që kanë marrë rrugën dhe ndihmojnë fëmijët e tyre ku janë. Para pak muajsh një nënë vlonjate u bë mish për top pse tha që jetonte me ujë me sheqer, pra ka kohë që përbuzja ka nisur. Dhe kjo ndodh për të përmbushur rrogat extra për bibat e studiove, jo për të rritur pensionet. Megjithatë ka edhe një domethënie të frikshme si shpjegim, rënien fundore të ekonomisë shqiptare e cila po të ketë gojë do i hajë të gjalla këto shushunja të 30 viteve ekonomi e tregut. Kini parasysh që sipas FMN-ës muajt e ardhshëm borxhi publik i Shqipërisë do kapi shifrat 91% të prodhimit vendas dhe kjo ka emrin falimentim. Prandaj mos i sillni Beqajt por Ramiut…, ideatorit. Në një vend perëndimor një si Beqja nuk do riciklohesh kurrë në politikë nëse do shkarkohej nga Gjykata Kushtetuese siç ndodhi me ‘të në 2015. Por Edi Rama e ricikloi, i dha mandat të ri, madje e përdor si ideator të planeve të tia dhe ne si shoqëri e toleruam, këtë dhe shumë të tjerë si ky.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Pensionet

MARSYAS…

April 30, 2020 by dgreca

 Nga Astrit Lulushi/Sokrati ishte i varfër, nga një familje e shtresës së ulët, por fuqia e fjalës së tij ishte e jashtzakonëshme. Megjithëse kishte një farë besimi në shoqërinë e lartë athinase, ai tregohej i kujdesshëm ndaj saj. Fjalimet e Sokratit, që kur ishte gjallë, krahasoheshin me muzikën e satyrit Marsyas, i cili duhej vetëm të vinte fyellin e tij në buzë për të magjepsur njerëzimin. Mitologjia thotë se Marsyas u ‘muar sysh’ për shkak se mburrej me talentin e tij. Apollo u hakmuar dhe trupin i tij e hodhi nga një shkëmb që u bë burim i lumit Marsyas. Në Romën e lashtë, Marsyas u bë gjithashtu eponimi i Marcii, një nga popujt e lashtë të Italisë. Nga emri tij lindi edhe koncepti filozofik “parrhesia” – të folurit e së vërtetës përballë parisë, sy-për-sy me të fuqishmit. 

“Dallimi midis jush dhe Marsyas”, i thotë Alcibiades Sokratit gjatë një bisede, “është se ju mund të sillni të njëjtin efekt pa asnjë instrument – me asgjë përveç disa fjalë të thjeshta, madje as me poezi. Dhe zemra ime hidhet dhe lotët fillojnë në sytë e mi….Ky Marsyas i ditëve të mëvonshme, këtu, shpesh më ka lënë në një gjendje të tillë mendore sa jam ndjerë se thjesht nuk mund të vazhdoj të jetoj ashtu siç kam bërë … Ai më bën të pranoj që ndërsa po e kaloj kohën time në politikë, unë jam duke lënë pas dore të gjitha gjërat që janë duke qarë për vëmendjen në veten time”. Sokrati, kur kishte qenë ushtar në luftë, i kishte shpëtuar jetën gjeneralit athinas, Alcibiades.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi

Dr. Rifat Latifi tregon përballjen personale dhe profesionale me COVID-19

April 29, 2020 by dgreca

Dr. Rifat Latifi është kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester një nga pikat e hershme të nxehta të koronavirusit në Nju Jork. Para disa javësh, Dr. Latifi u bë një nga mjekët që u prek nga COVID-19, ashtu si edhe bashkëshortja dhe vajza e tij. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, dr. Latifi tregon se si e përjetoi sëmundjen dhe sfidat që pandemia paraqet për gjithë botën. Dr. Latifi, krijues i programeve të telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë, foli me kolegen Keida Kostreci përmes Zoom edhe mbi mundësitë që kjo formë mjekësie paraqet në realitetin e ri të krijuar.

Zëri i Amerikës: Dr. Latifi, fillimisht desha t’ju pyes se si jeni me shëndet, sepse juve, bashkëshortja dhe vajza kishin koronavirusin, kështuqë desha të dija se si jeni të tre?

Dr. Rifat Latifi: Ju faleminderit për këtë pyetje, është kujdes shumë i madh nga ana juaj. Ne jemi jashtëzakonisht mirë. Tani kemi kaluar fazën akute, unë jam në punë prej dy javësh. Dy javë kam punuar prej shtëpisë. Tash të gjithë jemi shëndoshë e mirë. S’kemi asnjë problem.

Zëri i Amerikës: Ma shpjegoni pak për publikun se si e përjetuat sëmundjen, cilat ishin ndjesitë, shenjat?

Dr. Rifat Latifi: Ky infeksion, kjo sëmundje, dy pacientë nuk i kanë shenjat e njëjta. Mund të kenë shenja të ndryshme prej atyre që janë shumë të rënda, ka nga ata që kanë insufiçencë të mushkërive dhe duhet të ndihmohen me respirator, deri tek ata që nuk kanë fare shenja. Unë kam qenë diku në mes. Ne kemi qenë me një kollitje të thatë, një kollitje

të mbrapshtë. Kam pasur kokëdhimbje, unë kurrë nuk kam kokëdhimbje, vetëm në anën e djathtë, rreth syrit, mbrapa syrit. Temperaturë nuk kam pasur kurrë, nuk kam pasur humbje të shijes, por nuk e ndjeja veten mirë 100 %, ndonëse edhe gjatë atyre ditëve këtu në oborrin tonë, ne dilnim për të bërë ushtrime, mundoheshim të jetonim sa më normalisht. Pas katër-pesë ditësh që simptomat nuk kalonin, u testova bashkë me shoqen dhe të dy rezultuam pozitivë. Vajza nuk u testua, por edhe ajo e ka pasur, 100 për qind e ka pasur, të paktën për nja dy ditë.

Zëri i Amerikës: Kjo që thoni ju tregon se jo të gjithë njerëzit e përjetojnë njëlloj këtë sëmundje pra…

Dr. Rifat Latifi: Absolutisht, ka pasur edhe dy elementë të tjerë që nuk i thashë. Kam pasur problem të flija për dy netë dhe një natë nuk mundesha të mbyllja sytë, sepse sa mbyllja sytë, mendoja se do më ndalej fryma, se do të harroja të merrja frymë. Dhe një natë tjetër kam pasur haluçinacione aq të tmerrshme, ëndrra aq të tmerrshme, që nuk më lanë as të flija. Kështuqë është shumë e qartë se ky virus po ndikon edhe

në sistemin nervor qendror, edhe në sistemin kardiak, edhe në mëlçi, edhe në veshka, edhe në organe të tjera.

Zëri i Amerikës: Ju mendoni se kjo është pasojë e shqetësimeve që kishit jo, ose që kanë njerëzit në përgjithësi, apo është një simptomë mjekësore apo një kombinim i të dyjave

Dr. Rifat Latifi: Mund të jetë një kombimin i të dyjave, unë absolutisht nuk kam pasur shqetësim nëse diçka e tmerrshme do të ngjajë me këtë, pasi unë jam në gjendje shumë të mirë fizike, siç është edhe shoqja dhe vajza ime, por unë kam përshtypjen se virusi po ndikon në sistemin nervor, qendror, edhe në sistemin epitelial të gjakut, siç është në zemër dhe në inde të tjera.

Zëri i Amerikës: Spitali ku jeni ju ishte në një nga pikat më të nxehta ku pati një numër të madh rastesh me COVID-19. Çfarë do të thotë kjo për mjekët e qendrës suaj, përfshirë juve. Si e përballoni ju këtë situatë?

Dr. Rifat Latifi: Unë po shkruaj një artikull për COVID-19 dhe në parathënie shkruaj se jemi bërë të gjithë “ekspertë” të COVID-19, sëmundje që para katër muajve nuk e dinim që ekzistonte, por me të

vërtetë është dashur të mësojmë një sëmundje të re, mekanizma të rinj dhe të adaptohemi për ta përballuar këtë sëmundje. Spitali ynë Westchester Health Center që është në Westechester, në pikun e tij, ka pasur 90 pacientë në respiratorë, pra gati çdo ditë kemi pasur 200-220 pacientë. Shumica e tyre kanë dalë nga spitali, por ka një numër ende të shtruar. Nuk është gjithmonë njeriu plak që vdes nga kjo sëmundje. Vdesin të rinj, vdesin edhe ata që nuk kanë pasur sëmundje përpara

Zëri i Amerikës: Po ta shihnim në shkallë globale si do ta përshkruanit krizën e koronavirusit?

Dr. Rifat Latifi: Ashtu siç e ka përshktuar organizata botërore e shëndetësisë: pandemi. Kjo është një katastrofë e madhe, është një gjendje e tmerrshme për njerëzimin. Por të mos harrojmë se në vitin 1918, 500 milionë e popullsisë së botës është infektuar nga gripi spanjoll, prej të cilëve 50 milionë kanë vdekur. Unë nuk besoj se do të shkojmë në atë gjendje, sepse kemi mundësi të tjera t’i mbajmë gjallë njerëzit, por megjithatë kjo është mjaft e rëndë.

Zëri i Amerikës: Cili është rreziku më i madh në fazën ku jemi për momentin?

Dr. Rifat Latifi: Rreziku i momentit është që ne të relaksohemi shumë shpejt, sepse tani meqë nuk po e shohim virusin para nesh, të hapemi shumë shpejt, të hapim shtetet, të hapim ekonominë dhe të kthehemi, siç ishim para 4-5 muajve. Ky ka për të qenë rreziku më i madh pasi është shumë e mundshme që të kemi edhe riinfektime, shkencëtarët janë të ndarë. Duhet t’u them shikuesve tuaj se unë nuk jam infektolog, jam kirurg. Fakti që ke antitrupa nuk do thotë që nuk e ke në qarkullim. Domethënë ne seriozisht duhet të kemi shumë kujdes që të përhapet sa më ngadalë dhe të mos t’i heqim maskat nga fytyra dhe dorezat.

Zëri i Amerikës: Ju po thoni se duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos nxitojmë në rihapjen e shteteve. Si ekspert i mjekësisë, çfarë do t’u thonit atyre që thonë se në këtë vend kaq të madh si Shtetet e Bashkuara, jo të gjitha shtetet janë njëlloj. Nju Jorku vazhdon të jetë epiqendër, por për shembull një shtet si Arizona ku ju keni qenë më parë, mund të mos ketë aq shumë raste?

Dr. Rifat Latifi: Këto janë argumenta me rëndësi dhe vlerë të madhe. Unë megjithatë prapë e them se edhe në Arizona, edhe ne Georgia, edhe në Karolina, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ketë hapje

masive, të mos shkojnë në stadium ose në bar, të mos rrinë shumë afër njëri-tjetrit. Nëse hapen shtetet, si po thuhet fazë e re, atëherë ne duhet prapë të jemi të kujdesshëm, mos ta riinfektojmë, ose infektojmë njëri-tjetrin. Ndonëse jeta duhet të vazhdojë, ne duhet të kemi shumë kujdes që të mos hapemi shumë shpejt.

Zëri i Amerikës: Dr. Latifi, ju jeni kreu i kirurgjisë në spitalin tuaj. Si ka ndikuar tek puna juaj koronavirusi?

Dr. Rifat Latifi: Puna veçanërisht e kirurgëve dhe kirurgjisë është prekur më së shumti prej të gjitha degëve të tjera të mjekësisë, për shkak se ne kemi rastet akute dhe tani në spitalin tonë bëhen vetëm rastet urgjente, por rastet elektive nuk po bëhen ende. Është edhe një viktimë tjetër që nuk po flitet shumë për të, ndonëse në qarqet shkencore po flitet mjaft: Janë ato që nuk janë prekur me domosdoshmëri nga virusi, janë sëmundjet e zemrës, të mushkërive, të mjekësisë së përgjithshme, ata që janë me tumor, që kanë nevojë për transplantim të organeve. Plot njerëz po vdesin në shtëpi. Njerëzit kanë frikë të shkojnë spital. Pra është problemi i Covid-it, por problemi edhe më i madh është se ne nuk po

bëjmë kirurgji normale. Unë besoj se kur të hapemi tani, rastet tona kanë për të qenë shumë më të larta se vitin e kaluar.

Zëri i Amerikës: Dr. Latifi, ju jeni krijuesi i programeve të telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë. Në kushtet e sotme, telemjekësia po del si një nga mënyrat kryesore të trajtimit të pacientëve. Si ju bën kjo të ndjeheni?

Dr. Rifat Latifi: Nëse do ta mbaj mend Covid-in për diçka të mirë, kjo do të jetë sepse ka popullarizuar telemjekësinë jashtëzakonisht shumë në gjithë botën. Tashmë nuk është vetëm një luks i madh i dalë prej disa entuziastëve, sikurse unë dhe ekipi im i mjekëve në gjithë botën, por është bërë pjesë e realitetit. Çdo spital, gjithkund në botë po e përdor. Sidomos në Shtetet e Bashkuara. Ne duhet ta përdorim telemjekësinë për dy arsye: I ndihmojmë të sëmurët, pacientët, qytetarët tanë në shtëpitë e tyre derisa të kujdeset mjeku për ta. E dyta: I mbrojmë mjekët, i mbrojmë infermierët, i mbrojmë punonjësit e tjerë shëndetësorë në spital që të mos ekspozohen ndaj atyre që janë simptomatikë, por edhe atyre që janë asimptomatikë, sepse ka pasur raste nëpër botë, që punëtorë shëndetësorë, mjekët, përfshirë që shok timin shumë të ngushtë, që unë

kam kryer specializimin me të, që ka vdekur nga koronavirusi. Dhe së fundmi telemjekësia që ne e kemi bërë për 20 vjet në Kosovë dhe 10 vjet në Shqipëri, po aplikohet dhe do të aplikohet rreth e rreth botës. Kjo më bën të lumtur. Nëse ka një gjë pozitive është kjo. Dhe i ka ndërgjegjësuar edhe politikëbërësit se është shumë më e lehtë dhe shumë më lirë, shumë më mirë për pacientin që të shihet në distancë, sesa të vijë dhe të infektojë edhe 4-5 veta të tjerë, kur sillet pacienti në spital.

Zëri i Amerikës: A do të ishit të gatshëm të ofroni shërbimet që i keni ofruar përmes telemjekësisë, edhe tani në këtë kohë të vështirë?

Dr. Rifat Latifi: Absolutisht! Programi i telemjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë, është i pavarur prej gjithkujt tjetër. Në qendrën e telemjekësisë në Tiranë dhe Prishtinë, të gjitha instrumentet, të gjitha elementet që duhet me i pasë në vende të ndryshme. Nuk ka asnjë arsye që dikush të vijë prej Korçe në Tiranë, që të vërtetojë a e ka Covid-in apo jo. Këto mundet të bëhen të gjitha nga distanca. Prandaj me kënaqësi të posaçme

unë i kisha ndihmuar, por tani është në Ministri të Shëndetësisë për të dyja shtetet.

Zëri i Amerikës: OBSH-ja thotë se koronavirusi mund të rigjallërohet në vjeshtë. Si e shihni në vazhdim ecurinë e kësaj krize globale?

Dr. Rifat Latifi: Unë kam të njëjtin mendim, sikurse autoritetet mjekësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OBSH-së, se ne mund të përjetojmë edhe një valë të re dhe ndoshta edhe vitin e ardhshëm, edhe më tutje dhe ne duhet të mbrohemi, ta ndërtojmë infrastrukturën, një infrastrukturë të mençur, funksionale. Po që bota jonë ka ndryshuar 100 për qind, nuk ka asnjë dilemë. Prandaj ne do ta krijojmë një normalitet të ri. Nuk e di se çfarë normaliteti do të jetë: a do te jem me maskë gjithë kohën kur e bëj vizitën me pacientët. Unë natyrisht kam dy maska kur bëj operacion. Por a do të jetë ky një normalitet i ri? Këtë nuk e di, sepse nuk dimë gjithçka për këtë sëmundje. Ndoshta shkenca virale në muajt e ardhshëm, sa më së, mund të përgjigjet me vaksinë, por megjithatë besoj se do të kemi një rrugë të gjatë përpara.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje të fundit: A ka arsye për optimizëm dhe ku qëndrojnë këto arsye për optimizëm?

Dr. Rifat Latifi: Unë gjithmonë e kam parë gotën gjysmë të mbushur. Unë besoj se do t’ia dalim për shkak se shkenca, niveli shkencor kurrë nuk ka qenë më i lartë në jetë. Tani ne na duhet bashkëpunim i teknologjisë me shkencën dhe unë besoj se shumë shpejt do t’ia dalim. Por kjo shumë shpejt në terma shkencore mund të zgjasë vite, nuk mund të jetë javën e ardhshme. Ndërkohë ne do duhet t’i ruajmë dhe t’i mbajmë gjithë organet e atyre që janë të infektuar dhe duhet të bëhemi qytetarë të mirë dhe të dëgjojmë ata që na japin urdhra, që nuk mund të jemi më afër se dy metra prej njëri-tjetrit, se nuk mund të shkojmë në dasëm, ose funerale. Jeta jonë ka ndryshuar jashtëzakonisht.

Filed Under: Interviste Tagged With: Kejda Kostreci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 612
  • 613
  • 614
  • 615
  • 616
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT