• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mbajti mbledhjes e radhës

April 16, 2020 by dgreca

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga kryeparlamentarja dr. Vjosa Osmani.

Pikë e rendit të ditës e kësaj mbledhjeje ishte procedimi për mendim në Qeveri i nismave ligjore: Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, të iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani dhe mbështetur nga pesë deputetë, si dhe Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19” dhe Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, të iniciuara nga GP i PDK-së.

Në mbledhje u zhvilluan diskutime të gjera lidhur me raportin midis Qeverisë dhe Kuvendit, në rrethana pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, e rrjedhimisht edhe për dërgimin e iniciativave ligjore për mendim në Qeveri nga ana e Kuvendit dhe marrjen e përgjigjes nga ana e saj.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani, theksoi se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e potencon rolin themelor të Kuvendit që të rregullojë me ligj të veçantë kufizimin e të drejtave e të lirive të njeriut në kohë pandemie. Prandaj, sipas saj, Kuvendi duhet ta ndërmarrë një hap të tillë sepse është në interes të shëndetit publik. 

Ajo ka theksuar se pavarësisht mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, Kuvendi është funksional, ndaj duhet ta ushtrojë kompetencën thelbësore të tij, që është ligjbërja. 

Në fund të mbledhjes, anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e grupeve që ishin të pranishëm u dakorduan që Kryetarja e Kuvendit së  shpejti t`i takojë shefat e grupeve parlamentare që të tentojë sërish të harmonizojë qëndrimet në lidhje me arritjen e konsensusit për procedimin e mëtejmë të tri nismave legjislative.​

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryesia e Kuvendit

Lamtumirë Luis Sepúlveda Calfucura! –Humbi betejen me COVID-19

April 16, 2020 by dgreca

(Shkrimtari kilian që do të lexojë histori dashurie në Parajsë…)/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Sot humbi betejen me Coronavirusin kinez, Covid 19 shkrimtari dhe gazetari i shquar kilian Luis Sepúlveda Calfucura (4 tetor 1949 – 16 prill 2020) 

Shkrimtari kilian Calfucura ishte një kundërshtar i rrepte  i regjimit diktatorial të Augusto Pinochet -it, ai u burgos dhe u torturua nga diktatura ushtarake gjatë viteve 1970.

Sepúlveda ishte autor i librave me poezi dhe tregime të shkurtra; përveç gjuhës se tij amtare, ai foli edhe anglisht, frëngjisht dhe italisht. Në fund të viteve 1980, ai pushtoi skenën letrare me romanin e tij të parë, “Njeriu i Vjetër që lexoi romane dashurie.” 

Një nga thëniet që më pëlqen më shumë është:

“It’s very easy to accept and love those who are like us, but to love someone different is very hard.” Që përkthehet: “Është shumë e thjeshtë të pranosh dhe të duash ata që janë si ne, por të duash dikë ndryshe është shumë e vështirë.”

Pas grushtit të shtetit kilian të 1973-it i cili solli në pushtet Gjeneralin Augusto Pinochet ai u burgos për dy vjet e gjysmë dhe më pas fitoi një lirim me kusht përmes përpjekjeve të degës gjermane të “Amnesty International” dhe u mbajt në arrest shtëpiak.

Ai arriti të shpëtojë duke u fshehur për gati një vit. Me ndihmën e një shoku që ishte drejtues i ekskluzivitetit të Aleancës në Valparaíso ai ngriti një grup qe interpretonin dramat dhe që u bë fokusi i parë kulturor i rezistencës. Ai u rikthye përsëri ku iu dha një dënim i përjetshëm (më vonë e zvogëluan në njëzet e tetë vjet) për tradhti dhe përmbytje.

Ai shkoi në Hamburg në Gjermani për shkak të admirimit të tij për letërsinë gjermane (mësoi gjuhën në burg) veçanërisht romantikët si Novalis dhe Friedrich Hölderlin dhe punoi atje si gazetar që udhëtonte gjerësisht në Amerikën Latine dhe Afrikë sipas Wikipedias.

Në 1982, ai erdhi në kontakt me Greenpeace dhe punoi deri në 1987 si anëtar i ekuipazhit në një nga anijet e tyre. Ai më vonë veproi si koordinator midis degëve të ndryshme të organizatës.

Në 1988 ai fitoi cmimin “Tigre Juan” për romanin e tij “Njeriu i Vjetër që lexoi romane dashurie.” dhe në 2009 ai fitoi Premio Primavera de Novela për romanin e tij “Hija e asaj që ishim.”

Më 1 mars 2020, ai u konfirmua si njeriu i parë në rajonin e Asturias të Spanjës që u infektua nga COVID-19. Deri më 11 mars, u raportua se Sepúlveda ishte në gjendje kritike, se ai ishte në gjendje kome të induktuar me frymëmarrje të asistuar për shkak të dështimit të shumëfishtë të organeve në një spital të Oviedo.  Ai vdiq më 16 prill për shkak të coronavirusit kinez.

Ai shkruajti rreth 20 romane, kronika, histori dhe libra për fëmijë.

Po sjellë një paragraf nga romani i famshem:  “Plaku që lexon histori dashurie”

Nga mosrespektimi i tyre ndaj pyllit të shenjtë të Amazonës, Antonio zhytet ne mjetin e shkatërrimit të njeriut të bardhë – armë – në lumë, duke mallkuar të gjithë ata që kanë komplotuar të shkatërrojnë Amazonën. Duke u ndier i turpëruar dhe i padenjë për të mos pasur zgjidhje tjetër përveçse të vriste “kafshën madhështore”, Antonio kthehet në fshat, në mënyrë që të mund të jetë vetëm dhe të rifillojë të lexojë tregimet e tij të dashurisë. Libra të tillë e ndihmojnë atë të harrojë mizoritë e njerëzimit, zemrën e tij të thyer dhe hapësirën e paqartë që zë midis burrit të bardhë dhe burrit të lindjes në një botë të plaçkitur.

“Ai shpesh dëgjoi që mençuria vjen me moshën, dhe ai priste, duke besuar se kjo mençuri do t’i sillte atë që donte më shumë; kjo aftësi shërbeu për të udhëhequr kujtimet e tij dhe të mos bjerë në grackat që ata shpesh i vendosnin për të.”

Duke lexuar romanin “Plaku qe lexon histori dashurie” ndjen se historia përsëritet si me personazhin e tij të dashur Antonion që nuk e përballoi dot luftën me shkaterrimtarët e pyllit të shenjtë të Amazonës.  Shkrimtari kilina humbi betejën me Corona virusin kinez që ka marrë mijëra jetë njerëzish përfshi dhe Luisin.  Ai iku duke qetësuar shpirtin e tij për të lexuar histori dashurie në Parajsë atje ku e ka vendin kjo racë shkrimtarësh.

(dita e 32-të e izoluar brenda mureve nga Lufta pandemike botërore)

16 prill, 2020

New York 

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Luis Sepúlveda Calfucura

Nga “dom Pali” te”Frat Engjëlli”- Kur Kinematografia Komuniste Sulmonte Klerin Katolik

April 16, 2020 by dgreca

NGA SOKOL PAJA/

Pas ardhjes në pushtet, komunistët shënjuan klerin fetar me qëllim nënshtrimin e tij dhe më pas eleminimin gradual. Regjimi komunist bazohej në diktaturën e proletariatit dhe në luftën e klasave. Në projektin ateist të partisë-shtet, ideologjia fetare nuk mund të mbijetonte në një sistem ku parimi bazë i funskionimit të shtetit ishte ideologjia marksiste-leniniste. Për shkak të nivelit të lartë të formimit intelektual të klerikëve dhe ndikimit që kishin në popull, kryesisht në veriun e Shqipërisë, regjimi komunist vë në qendër të sulmeve klerikët katolik. Propaganda shtetërore ateiste përdorej për të glorifikuar arritjet e regjimit që po instalohej dhunshëm në Shqipëri dhe për të përligjur politikat bolshevike në çdo sektor të organizimit dhe veprimtarisë shoqërore në shtetin diktatorial. Pas gjyqeve publike farsë në salla e kinematë e qyteteve ku kleri linçohej e akuzohej pa prova e fakte, pasi i pushkatoi, i burgosi dhe i internoi, pasi u konsfiskoi pronat, mediat, shkollat e shtypshkronjat, nevojitej linçimi propagandistik nëpërmjet artit, letërsisë e kinematografisë. Propaganda kundër klerit kaloi tashmë nga veprimet fizike dhe ligjore në kundërshtim me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, në shfaqje teatrale, skenike dhe kinematografike me qëllim bindjen e masave punonjëse për domosdoshmërinë e eleminimit të fesë. Komunistët, në kuadër të realizimit të “njeriu të ri” komunist dhe shoqërisë ateiste, nuk e pranonin dot zotin, pasi në projektin e tyre ideologjik, zoti po zëvendësohej me liderin e partisë shtet, diktatorin Hoxha. Cdo përpjekje për opozitë apo qëndrim kundër raprezaljeve shtetërore ndaj klerit, likujdohej me plumba.

Figura e klerikut katolik poshtërohet në kinematografinë shqiptare të kohës duke e nxjerrë si nëvojë jetike eleminimin që komunistët i bënë klerit dhe instucioneve fetare. Në filmin “Shembja e idhujve” prodhim i vitit 1977 nga “Shqipëria e re”, prifti i fshatit Kalcë, Kelmend, Malësi e Madhe, Frat Engjëlli paraqitet si zhvatës i pasurisë së fshatarëve, si ngatërrestar, si bashkëpunëtor i fashizmit, si mbështetës i politikës së Mbretit Zog, si parapërgatitës e mbështetës i pushtimit italian të Shqipërisë, fetarizimin e arsimit publik, pengues i zhvillimit arsimor e kulturor të vendit etj. Sa më shumë që të poshtërohej figura e klerikut në kinematografi aq më shumë krijohej ideja e komunistëve në masat punonjëse se eleminimi i fesë kishte qenë një domosdoshmëri jetike për regjimin e ri. Në filmin “Komisari i Dritës” i prodhuar nga “Shqipëria e re” më 1966 vë në qëndër Dom Palin një klerik katolik në malësinë e Mirditës i cili sipas propagandës ateiste pengonte zhvillimin komunist të Shqipërisë së asaj kohe duke bashkëpunuar me bajraktarët e zonës kundër vendosjes së regjikmit diktatorial. Dom Pali paraqitet në film si imoral, refraktar, nxitës i kryengritjeve kundër regjimit komunist, kundërshtar i thekur i regjimit, mbështetës i fashizmit, nxitës i vëllavrasjeve në malësi, mbajtjen e shoqërisë në prapambetje etj. Përveç kinematografisë që dha një ndihmëse të jashtëzakonshme në luftën e shtetit komunist ndaj fesë, në shërbim të aksionit ideologjik u vunë edhe letërsia e teatri, ku dramat dhe shfaqjet e ndryshme teatrale shënjestronin klerin dhe institucionet fetare si tradhtar dhe armiq të botëkuptimit materialist, bolshevik e marksist-leninist. Kinematografia në shërbim të propagandës ateiste duke ironizuar e sulmuar klerikët dhe institucionet fetare u dha një ndihmesë të çmuar komunistëve shqiptar në ndërtimin e njeriut dhe shtetit pa Zot. 

Filed Under: Histori Tagged With: diktatura komuniste, Sokol Paja

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.

April 16, 2020 by dgreca

Arsyetimi i majorit anglez Eden dhe figura e Qazim Koculit/

Komunizmi shqiptar nuk foli kurrë për këtë epope të fisnikërisë njerëzore, të shfaqur në tokën e tij, sepse ai e kishte përdhosur atë me krimet e tij brënda racës, brënda kombit, brënda popullit që pati meritën t’a prodhonte. Ata qindra jetë hebrenjsh që shqiptarët shpëtuan nga rreziku i asgjësimit nazist, u kompensuan nga njëqindfishi i krimeve mbi vetë shqiptarët, madje mbi pjesën më të vlefshme e më fisnike të saj. Atë kurajo, guxim e zemërgjërësi që treguan shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjvet, bandat kriminale të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut e të ngjajshmëve të tyre, u a zhdukën në pak ditë, në sajë të një terrori, para të cilit edhe ai i SS-ve gjermanë ishte një hije e zbehtë.

            Por si u arrit në këtë gjëndje? Si i u dorëzua Shqipëria kësaj sprove fatale tmerri të historisë së saj? A ishte një fatalitet i pashmangshëm, apo një fatkeqësi që e gatuam me duart tona? A kemi kurajën sot, mbas 80 vjetësh t’i shohim e t’i analizojmë me gjakftohtësi ngjarjet e atyre viteve, tepër të vështira, e t’i afrohemi gjykimit të historisë që ende nuk e ka dhënë vendimin e saj? 

            Qeveria Mustafa Kruja lindi si pasojë e lindjes së PKSH, të organizuar e  të pagëzuar nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të dërguarit e PK Jugosllave, të cilëve komunistët laramanë e folklorikë shqiptarë i u drejtuan për ndihmë, mbasi Baba Stalini u rrezikua nga sulmi i “pabesë” i mikut të tij, Hitlerit. Ajo i vuri vehtes dy synime kryesore : të konsolidonte Shqipërinë etnike me strukturat e saj administrative, arsimore, ligjore, kulturore e ekonomike e të ndalonte fuqizimin dhe ardhjen në pushtet të komunistëve sllavofilë shqiptarë. Kjo ishte vija e asaj pjese të nacionalizmit shqiptar që i besoi politikës së bashkëpunimit me Italinë, për të arritur synimin e Shqipërisë së bashkuar. Po të njëjtin synim kishte edhe pjesa tjetër e nacionalizmit shqiptar që nuk pranonte asnjë lloj bashkëpunimi me pushtuesit italianë e, më vonë, me ata gjermanë. Në parim kishin të drejtë këta të dytët, por në praktikë problemi reduktohej në një alternativë tepër të vështirë që i ngjante një nyje gordiane.

            Në librin e fundit të Ali Këlcyrës “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” ka një pjesë që është tepër shprehëse e idesë së mësipërme. Majori britanik M.F. Eden, mik i shqiptarëve, që vjen në Gjenevë për të takuar Qazim Koculin dhe Ali Këlcyrën, bisedon me këtë të fundit pak ditë mbas 7 prillit 1939 :

            “ Eden-i më tha : Lufta e përgjithshme, duket e shpejtë dhe e pandalshme. Në qoftë se do të fitojnë Demokracitë Shqipëria do të jetë indipendente, por e shumta do të ketë kufijtë e 1913-ës. Po të fitojë Boshti nuk do të ketë pavarësinë e duhur, por shqiptarët do të përmblidhen në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist.. Unë, si mik i shqiptarëve, për interesin e tyre kombëtar, do të pëlqeja më mirë një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë, qoftë dhe jo indipendente, në vend të një Shqipërie të gjymtuar të 1913-ës, e cila, në rast se del triumfuese në fund të luftës, nuk do të mund të sigurojë lehtë, përballë fqinjëve të saj ballkanikë, as dhe kufijtë e saj të sotëm. Unë, si patriot anglez po të kisha bindjen se populli shqiptar do të luante një rol me rëndësi në luftën botërore që po përgatitet, do t’ju këshilloja të vazhdonit përpjekjet tuaja. Por meqë një bindje të tillë nuk e kam dhe meqë ajo që kishit parathënë me kohë e me kaq insistim në të gjitha anët e botës për 14 vjet me rradhë u vërtetua plotësisht, pasi fashizmi e pushtoi me bajonetë të zbërthyer aleaten e tij të vogël, e duke qenë në nji mëndje me bashkatdhetarët e mi, miq të Shqipërisë, ju këshilloj nxehtësisht të ktheheni një orë e më parë në atdhe. Qëndrimi i juaj i mëtejshëm në mërgim, në gjëndjen e sotme, më duket jo vetëm i kotë, por edhe kundërprodhues. Kam besim se ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare, e ndoshta deri në njëfarë pike edhe çështjes së përgjithshme, po të vijë rasti, duke qëndruar të organizuar në malet e Shqipërisë dhe jo në vendet e lira të perëndimit. Aty duhet të prisni zhvillimin e ngjarjeve, pasi aty do t’ju paraqitet rasti të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj.”[1]

            Koloneli anglez i ka  bërë  një diagnozë tepër të saktë s’ardhmes së Shqipërisë e, në ndershmërinë intelektuale të shpalosur në bisedë, merr qëndrim në dy rastet e mundëshme të zhvillimit të ngjarjeve. Si “mik i shqiptarëve” uron Shqipërinë e bashkuar e i paraprin mendimit të Mustafa Krujës që tre vjet më vonë, kur shqiptarët ishin përmbledhur “ në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist” do të deklaronte, në një fjalim të tij të rëndësishëm: “Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njânën dysh : a mâ mirë me humbun Kosovën a lirín, pëlqejmë mâ parë të humbasim lirín, mbasi këtê, të bashkuem me Kosovën, jemi të sigurtë se mund t’a fitojmë prap” 

            Hipoteza e dytë që profetizon koloneli anglez është alternative e asaj që ai do të parapëlqente në rrobat e një miku të Shqipërisë. Aty vështrimi shkon më larg dhe rrok interesat e Vendit të tij, që në një luftë të pritëshme, edhe se nuk parashikohet një rol i rëndësishëm për Shqipërinë, dëshiron të ketë dikë “të organizuar në malet e Shqipërisë”, për t’i shërbyer “çështjes së përgjithshme”. Me shumë mirësjellje e njerëzi koloneli anglez i paralajmëron mikut shqiptar fatin e tij dhe atë të Vendit të tij, duke uruar një bashkëpunim me Mbretërinë e bashkuar, që “të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj”, por gjithmonë në kufijtë e 1913-ës, të cilët edhe “mund të rrezikohen”. 

            Hipoteza e parë, ajo e fitores së Boshtit me Shqipërinë etnike të bashkuar me Romën, shihej si rruga e vetme e zgjedhjes nga ata që e quanin problemin kombëtar si çështjen më me përparësi të jetës shqiptare. Pra, në këtë rast, ata që krijonin mundësinë e sendërtimit të tij, duheshin quajtur miq. Zgjedhja ishte bërë me shpresën se me kohë gjërat do të ndryshonin, se gjysëm liria e bashkimit me Romën do të kthehej në liri të plotë në kuadrin e një bashkimi më të gjërë. Në këtë drejtim ishte me interes një artikull i botuar në “Il Giornale d’Italia” të datës 9 janar 1942, me firmën e kontit Çiano e me titullin ngacmues “ Bashkimi i Shqipërisë me Italinë ishte i pari shëmbull i rendit të ri evropian”, në të cilin, mes tjerash, thuhet :

            “Bashkimi italo-shqiptar ka kthyer në realitet parimin e bashkësisë së popujve, në të cilin, si nga pikpamja historike si nga ajo shoqërore, ripohohet, përsoset e kalohet parimi i kombësisë…

            Për popullin italian bëhej fjalë për të futur në jetën e tij të përditëshme parimin e respektit të shenjtë dhe absolut të të drejtave e detyrave të popullit të ri e vëlla, që ishte pritur si i barabartë në familjen e tij politike dhe ekonomike…. Duhej të arrihej tek qytetari italian, veç një ndjenje të re mirëkuptimi, një ndjenjë të re përgjegjësie; të asaj përgjegjësie që binte mbi mbarë   Italinë nga funksioni që merrte përkundrejt kombit vëlla.

            Duhej mundur mosbesimi i natyrshëm, që edhe para nismash më të hapura e më bujare, përcaktohet në Vendet e vogla, kur ata krijojnë lidhje me Vendet më të mëdha. Së fundi, ishte e domosdoshme të përforcohej në shpirtërat dhe në   hapësirë ideja e kombit shqiptar. Prandaj është e nevojshme të shpihej drejt origjinave të tij perëndimore struktura njerëzore dhe ekonomike shqiptare, për t’i dhënë  mundësi të sigurojë zhvillimin e një jete në harmoni me atë italiane, kusht i domosdoshëm që bashkëpunimi vëllazëror të mund të vepronte, duke shfrytëzuar arsyeshëm energjitë e ndërsjellta…”[2]

            A ishin këto mendime, pararendëse të një epoke që ne sot mund t’a njëjtësojmë me atë të Etërve themelues të Evropës së Bashkuar, apo ishin thjesht prodhim i një evolucioni të brëndshëm të ministrit Çiano, gjithënjë e më tepër i zhgënjyer e në kundërshtim me aleatët gjermanë? Konceptet e shprehura në atë shkrim, sigurisht kapërcenin mendësinë e Perandorisë e të Fuqisë së madhe. Nëse ishin të sinqerta e të pranuara nga regjimi do të kishin qenë me të vërtetë një bazë e sigurtë ku do të mbështetej “rendi i ri”, i kuptuar jo vetëm si një rivendosje drejtësie territoriale për të ndrequr padrejtësitë e së shkuarës, por edhe një projekt i ndërtimit të një bashkësie popujsh që nëpërmjet respektimit të vlerave themelore të solidaritetit, ndihmës së ndërsjelltë, lirive e të drejtave njerëzore, do të krijonte kushtet për një epokë të re në historinë e Evropës. Sikur bërthama e parë e këtij projekti të ishte bashkimi i Shqipërisë me Italinë, siç mëtonte autori i shkrimit, qoftë edhe teorikisht e si synim, meritonte  një vëmëndje të veçantë, megjithëse pikëpyetjet që ngrinte trajtimi i tezës së Çianos nuk mungonin. Ajo më e thjeshta ishte : a mund të sendërtohej një projekt i tillë madhështor nga diktatura që imponoheshin me fuqinë e armëve, ku ligjin e bënte gjithënjë më i fuqishmi?

            Sidoqoftë artikulli u botua edhe në Shqipëri e pati një kor përgëzimesh për Ministrin e Jashtëm, sepse i përgjigjej pozitivisht shpresave të atyre që besonin në një t’ardhme të përbashkët miqësie me Italinë.

            Fillimi i vitit 1943 jepte sinjale të qarta se nga do të anonte fitorja e luftës. Dorëheqja e Qeverisë së Mustafa Krujës, si pasojë e vrasjes së Qazim Koculit dhe ngurimit të italianëve për të ndëshkuar fajtorët, ishte një paralajmërim i dështimit të projektit politik të tij, që synonte ndalimin e rritjes së forcës së komunistëve në vend. Ndaj  luhatjes e premtimeve të pambajtura të politikës italiane, që nuk po i jepte mundësi të kishte një forcë milicie të organizuar shqiptare në vartësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë që, në synimin e M.Krujës, do të ishte mjeti kryesor në përballimin e rrezikut komunist, por edhe bërthama e një fuqie që, në çastin e duhur do të kthehej në rolin e saj të çlirimit kombëtar, nëse rrethanat do t’a kërkonin, ai dërgoi në Vlorë Qazim Koculin. Zyrtarisht ai ishte Komisar i lartë i Qeverisë për Vlorën, në fakt misioni i tij ishte shumë i fshehtë : fillimi i organizimit të qëndresës kombëtare nacionaliste në krahinën ku lëvizja komuniste ishte më e fuqishme. Personaliteti i spikatur i Koculit  në lëmën e shqiptarizmit jepte garancitë e nevojshme për një sukses të projektit. Italianët e nuhatën dhe, nëpërmjet Halil Alisë e Selim Gjetanit, e vranë heroin e Vlorës, duke i hequr mundësinë të përsëriste 1920-ën. 

            “Në nji ditë vere të vitit 1939, në Vlonë, në mes meje e Qazim Koculit, u zhvillue kjo bisedë : – Ty, Qazim, nuk të ka hije   me hy në Partinë Fashiste e me u përzie kaq tepër me italianët.

            – Na, Faik, nën maskën e bashkëpunumit, duhet të përgatitemi me i ra Italisë. Duhet të përsërisim Luftën e Vlonës.

            –  Ç’thue për mikun tand, Mustafa Krujën?

            – Në rast të nji lufte në mes të Shqipnisë e Italisë, Mustafa asht me Shqipninë. Në nji luftë të tillë, Mustafën kërkoje prej meje. Atë do t’a marr unë për krahu.

            Me të vërtetë, me gjithëthanat e thaçat, akuzat e shpifjet, Qazim Koculi, në krye të vitit 1943, u vra prej italianëve, si drejtues i çetave shqiptare kundër Italisë. Si nji hero, ai ra dëshmor, gjatë asaj rruge që përpiqej me ia mbërrijtë : luftës kundër pushtuesit.”[3]

            Kështu shkruan në librin e tij të kujtimeve kolonel Faik Quku, ish antar i udhëheqjes së Ballit Kombëtar. Është një nga librat më objektivë në trajtimin e periudhës së luftës. Autori mbron pikëpamjet e tij dhe të forcës politike që përfaqëson, por i sheh me sy realist ngjarjet e gjykimet për to nuk i nënështrohen as miratimit të çdo ideje e veprimi të anës së tij politike, por gjithashtu, as dënimit e nxirjes së veprës së kundërshtarit. Njohës i mirë i gjithë harkut politik shqiptar, nga përvoja në vetë të parë, jep një tablo mjaft të paanshme e reale të Shqipërisë para komuniste. 

            Tezën e Qukut e pohon edhe një tjetër drejtues qëndror i Ballit Kombëtar, Ali Këlcyra, tepër kritik ndaj Mustafa Krujës dhe vijës së tij. Në shkrimin “Krijimi i Frontit të Rezistencës në Shqipëri” ai tregon një episod të marrredhënieve me Koculin e nxjerr përfundimin përkatës:

            “Të gjithë shokët e mërgimit që ndodheshin aty pranuan të merrnin pjesë në rezistencën me përjashtim të Qazim Koculit, i cili më tha se i kishte dhënë fjalën Mustafa Krujës se nuk do të merrte pjesë në asnjë organizatë të fshehtë pa e vënë atë më parë në dijeni. Qëndrimi i Koculit na habiti e na hidhëroi të gjithëve, dhe me gjithë lutjet dhe këmbënguljen time ai mbeti i patundur në mendimin e tij. Kam bindjen se ai, nën mbrojtjen e Mustafa Krujës shpresonte që në momentin oportun të luante një ditë rolin e luajtur më 1920. Kjo i hëngri kokën…”[4]

            Ali Këlcyra, si njohës i mirë i të dyve, ndoshta mund të ketë patur ndonjë sinjalizim prej tyre. Nëse nuk është kështu, tregon mprehtësinë politike për të lexuar përtej asaj që duket.(VIJ


[1] Ali Këlcyra  “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” Onufri  f. 166-167

[2] Francesco Jacomoni di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania”  F. 284 – 285

[3] Faik Quku  “Qëndresa shqiptare gjatë luftës së dytë botërore”  Vëllimi I  F. 185 – 186

[4] Ali Këlcyra “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” F. 176

Filed Under: Analiza Tagged With: Nacionalizmi 4

EPITAFI I YNË PËR FËMIJËT E VITEVE DYZETË

April 16, 2020 by dgreca

Nga ANTONIO SCURATI/

            Kishin lindur me luftën botërore e vdiqën nga shkaku i pandemisë globale. I kishin mbijetuar bombave, urisë, shpërnguljeve e mbaruan nga një maisje mushkërish. Kishin dalë në jetë nën shtypjen e Hitlerit apo Musolinit dhe e lanë atë nën shenjën e një shkurtese pavetore, Sars-CoV-2. U pagëzuan me zjarrin e një bote në flakë e do të vdesin pa mirosjen e fundit në një pavion të shkretë e të ftohtë. Nuk ka fate më të mira apo më të këqia, ka vetëm fate. Ai i brezit të korrur në këto javë, kërkon pikëllimin tonë, borxhin tonë të dhimbjes së përgjithëshme. Familjarët e viktimave nuk duhet të lihen vetëm për të qarë të vdekurit e tyre, sepse ata janë të vdekurit tanë. Ata janë shokët e një jete, janë etërit e rinisë sonë, janë gjyshërit e fëmijërisë të bijve tanë. Ndërmjet dhjetra mijërash, më të shumtit kishin 80 vite. Qenë foshnjet e viteve 40, bij të apokalipsit, të lindur në orën “e shënuar nga fati”, qenë djelmoshat e shpresës, njerëzit e rindërtimit, të moshuarit e zhgënjimit.

            “Po shkojnë – thuhet në një thirrje në rrjet – po shkojnë të hidhëruar e të heshtur, siç ndoshta ka qënë e përvuajtur dhe e heshtur jeta e tyre, plot punë e flijime. Po ikën një brez, ai që ka parë luftën, që i ka nuhatur erën dhe mangësitë… Po shkojnë duar të ngurtësuara nga kallot, fytyra të shënuara nga rrudha të thella, duar që kanë zhvendosur gërmadha, që kanë gatuar çimento, kthyer hekurat, në kanotierë e me kapelen prej letrës së gazetës. Po ikin ata të Lambrettave, të Fiateve 500, të frigoriferëve të parë, të televizionit bardh e zi. Na lenë të mbështjellë në një çarçaf, si Krishti në çarçafin e lirit, ata të hopit ekonomik, që me djersë kanë rindërtuar këtë kombin tonë, duke na dhuruar këtë mirëqënie nga e cila kemi përfituar pa na hyrë ferrë në këmbë. Po ikën përvoja, mirëkuptimi, durimi, qëndrueshmëria, respekti, dhunti tashmë të harruara”

Fati i ka dhënë shumë burrave e grave të këtij brezi të mrekullueshëm dhe fatkeq, por edhe i ka hequr shumë. I përkisnin shërbimit më të gjërë të shekullit, i u ngjitën jetës me frymën e pafund të një çiklisti në shkëputje, por thithën frymëmarrjen e fundit pa mushkëri. Lindën shpesh në dhoma të prishura, të paajrosura, pak të ndriçuara, përdhese, shtëpi me parmakë, kasolle të varfëra, por gjithmonë të mbushura , të zëshme, të ngjeshura me jetë, por vdiqën të vetëm, të mbrojtur, të veçuar, në të njëjtën kohë të braktisur nga një protokoll shëndetësor i domosdoshëm dhe i pamëshirshëm.

Është e tmerrshme të shkosh pa një fytyrë të dashur pranë që të mund t’a kundrosh. Nuk mund të përfytyrohet vdekje më e keqe. E pra ky qe fati i tyre në një pranverë pa gëzime. Ka fjalë për të vajtuar të vdekurit e ka fjalë për të ngushulluar të gjallët. Të dytat nuk janë të mundëshme nëse nuk recitohen të parat. Për këtë arsye, për ata që po ikin, duhet të thërrasim në ndihmë me fuqi, me të gjithë mëshirën për të cilën jemi të aftë, shkëlqimin ogurzi të kësaj pranvere të rreme. Dhe përmbi ne, që mbetemi, bekimin e tyre.  

Asnjë “Fazë 2” nuk do t’arrijë nëse më parë nuk do të kemi gërmuar tokën, vendosur në të arkëmortet, mbrojtur varret me bordura lulesh. Tani është koha të vajtojmë të vdekurit tanë. T’i premtojmë vetes se fëmijët e viteve 40 nuk do të harrohen.  Qoftë i lehtë dheu mbi ta.

“Corriere della Sera”, 14 prill 2020    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 638
  • 639
  • 640
  • 641
  • 642
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT