Arsyetimi i majorit anglez Eden dhe figura e Qazim Koculit/
Komunizmi shqiptar nuk foli kurrë për këtë epope të fisnikërisë njerëzore, të shfaqur në tokën e tij, sepse ai e kishte përdhosur atë me krimet e tij brënda racës, brënda kombit, brënda popullit që pati meritën t’a prodhonte. Ata qindra jetë hebrenjsh që shqiptarët shpëtuan nga rreziku i asgjësimit nazist, u kompensuan nga njëqindfishi i krimeve mbi vetë shqiptarët, madje mbi pjesën më të vlefshme e më fisnike të saj. Atë kurajo, guxim e zemërgjërësi që treguan shqiptarët në mbrojtjen e hebrenjvet, bandat kriminale të Enver Hoxhës e Mehmet Shehut e të ngjajshmëve të tyre, u a zhdukën në pak ditë, në sajë të një terrori, para të cilit edhe ai i SS-ve gjermanë ishte një hije e zbehtë.
Por si u arrit në këtë gjëndje? Si i u dorëzua Shqipëria kësaj sprove fatale tmerri të historisë së saj? A ishte një fatalitet i pashmangshëm, apo një fatkeqësi që e gatuam me duart tona? A kemi kurajën sot, mbas 80 vjetësh t’i shohim e t’i analizojmë me gjakftohtësi ngjarjet e atyre viteve, tepër të vështira, e t’i afrohemi gjykimit të historisë që ende nuk e ka dhënë vendimin e saj?
Qeveria Mustafa Kruja lindi si pasojë e lindjes së PKSH, të organizuar e të pagëzuar nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të dërguarit e PK Jugosllave, të cilëve komunistët laramanë e folklorikë shqiptarë i u drejtuan për ndihmë, mbasi Baba Stalini u rrezikua nga sulmi i “pabesë” i mikut të tij, Hitlerit. Ajo i vuri vehtes dy synime kryesore : të konsolidonte Shqipërinë etnike me strukturat e saj administrative, arsimore, ligjore, kulturore e ekonomike e të ndalonte fuqizimin dhe ardhjen në pushtet të komunistëve sllavofilë shqiptarë. Kjo ishte vija e asaj pjese të nacionalizmit shqiptar që i besoi politikës së bashkëpunimit me Italinë, për të arritur synimin e Shqipërisë së bashkuar. Po të njëjtin synim kishte edhe pjesa tjetër e nacionalizmit shqiptar që nuk pranonte asnjë lloj bashkëpunimi me pushtuesit italianë e, më vonë, me ata gjermanë. Në parim kishin të drejtë këta të dytët, por në praktikë problemi reduktohej në një alternativë tepër të vështirë që i ngjante një nyje gordiane.
Në librin e fundit të Ali Këlcyrës “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” ka një pjesë që është tepër shprehëse e idesë së mësipërme. Majori britanik M.F. Eden, mik i shqiptarëve, që vjen në Gjenevë për të takuar Qazim Koculin dhe Ali Këlcyrën, bisedon me këtë të fundit pak ditë mbas 7 prillit 1939 :
“ Eden-i më tha : Lufta e përgjithshme, duket e shpejtë dhe e pandalshme. Në qoftë se do të fitojnë Demokracitë Shqipëria do të jetë indipendente, por e shumta do të ketë kufijtë e 1913-ës. Po të fitojë Boshti nuk do të ketë pavarësinë e duhur, por shqiptarët do të përmblidhen në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist.. Unë, si mik i shqiptarëve, për interesin e tyre kombëtar, do të pëlqeja më mirë një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë, qoftë dhe jo indipendente, në vend të një Shqipërie të gjymtuar të 1913-ës, e cila, në rast se del triumfuese në fund të luftës, nuk do të mund të sigurojë lehtë, përballë fqinjëve të saj ballkanikë, as dhe kufijtë e saj të sotëm. Unë, si patriot anglez po të kisha bindjen se populli shqiptar do të luante një rol me rëndësi në luftën botërore që po përgatitet, do t’ju këshilloja të vazhdonit përpjekjet tuaja. Por meqë një bindje të tillë nuk e kam dhe meqë ajo që kishit parathënë me kohë e me kaq insistim në të gjitha anët e botës për 14 vjet me rradhë u vërtetua plotësisht, pasi fashizmi e pushtoi me bajonetë të zbërthyer aleaten e tij të vogël, e duke qenë në nji mëndje me bashkatdhetarët e mi, miq të Shqipërisë, ju këshilloj nxehtësisht të ktheheni një orë e më parë në atdhe. Qëndrimi i juaj i mëtejshëm në mërgim, në gjëndjen e sotme, më duket jo vetëm i kotë, por edhe kundërprodhues. Kam besim se ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare, e ndoshta deri në njëfarë pike edhe çështjes së përgjithshme, po të vijë rasti, duke qëndruar të organizuar në malet e Shqipërisë dhe jo në vendet e lira të perëndimit. Aty duhet të prisni zhvillimin e ngjarjeve, pasi aty do t’ju paraqitet rasti të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj.”[1]
Koloneli anglez i ka bërë një diagnozë tepër të saktë s’ardhmes së Shqipërisë e, në ndershmërinë intelektuale të shpalosur në bisedë, merr qëndrim në dy rastet e mundëshme të zhvillimit të ngjarjeve. Si “mik i shqiptarëve” uron Shqipërinë e bashkuar e i paraprin mendimit të Mustafa Krujës që tre vjet më vonë, kur shqiptarët ishin përmbledhur “ në një grumbull të madh familjar, nën influencën e imperializmit fashist” do të deklaronte, në një fjalim të tij të rëndësishëm: “Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njânën dysh : a mâ mirë me humbun Kosovën a lirín, pëlqejmë mâ parë të humbasim lirín, mbasi këtê, të bashkuem me Kosovën, jemi të sigurtë se mund t’a fitojmë prap”
Hipoteza e dytë që profetizon koloneli anglez është alternative e asaj që ai do të parapëlqente në rrobat e një miku të Shqipërisë. Aty vështrimi shkon më larg dhe rrok interesat e Vendit të tij, që në një luftë të pritëshme, edhe se nuk parashikohet një rol i rëndësishëm për Shqipërinë, dëshiron të ketë dikë “të organizuar në malet e Shqipërisë”, për t’i shërbyer “çështjes së përgjithshme”. Me shumë mirësjellje e njerëzi koloneli anglez i paralajmëron mikut shqiptar fatin e tij dhe atë të Vendit të tij, duke uruar një bashkëpunim me Mbretërinë e bashkuar, që “të shpëtoni prapë lirinë e kombit tuaj”, por gjithmonë në kufijtë e 1913-ës, të cilët edhe “mund të rrezikohen”.
Hipoteza e parë, ajo e fitores së Boshtit me Shqipërinë etnike të bashkuar me Romën, shihej si rruga e vetme e zgjedhjes nga ata që e quanin problemin kombëtar si çështjen më me përparësi të jetës shqiptare. Pra, në këtë rast, ata që krijonin mundësinë e sendërtimit të tij, duheshin quajtur miq. Zgjedhja ishte bërë me shpresën se me kohë gjërat do të ndryshonin, se gjysëm liria e bashkimit me Romën do të kthehej në liri të plotë në kuadrin e një bashkimi më të gjërë. Në këtë drejtim ishte me interes një artikull i botuar në “Il Giornale d’Italia” të datës 9 janar 1942, me firmën e kontit Çiano e me titullin ngacmues “ Bashkimi i Shqipërisë me Italinë ishte i pari shëmbull i rendit të ri evropian”, në të cilin, mes tjerash, thuhet :
“Bashkimi italo-shqiptar ka kthyer në realitet parimin e bashkësisë së popujve, në të cilin, si nga pikpamja historike si nga ajo shoqërore, ripohohet, përsoset e kalohet parimi i kombësisë…
Për popullin italian bëhej fjalë për të futur në jetën e tij të përditëshme parimin e respektit të shenjtë dhe absolut të të drejtave e detyrave të popullit të ri e vëlla, që ishte pritur si i barabartë në familjen e tij politike dhe ekonomike…. Duhej të arrihej tek qytetari italian, veç një ndjenje të re mirëkuptimi, një ndjenjë të re përgjegjësie; të asaj përgjegjësie që binte mbi mbarë Italinë nga funksioni që merrte përkundrejt kombit vëlla.
Duhej mundur mosbesimi i natyrshëm, që edhe para nismash më të hapura e më bujare, përcaktohet në Vendet e vogla, kur ata krijojnë lidhje me Vendet më të mëdha. Së fundi, ishte e domosdoshme të përforcohej në shpirtërat dhe në hapësirë ideja e kombit shqiptar. Prandaj është e nevojshme të shpihej drejt origjinave të tij perëndimore struktura njerëzore dhe ekonomike shqiptare, për t’i dhënë mundësi të sigurojë zhvillimin e një jete në harmoni me atë italiane, kusht i domosdoshëm që bashkëpunimi vëllazëror të mund të vepronte, duke shfrytëzuar arsyeshëm energjitë e ndërsjellta…”[2]
A ishin këto mendime, pararendëse të një epoke që ne sot mund t’a njëjtësojmë me atë të Etërve themelues të Evropës së Bashkuar, apo ishin thjesht prodhim i një evolucioni të brëndshëm të ministrit Çiano, gjithënjë e më tepër i zhgënjyer e në kundërshtim me aleatët gjermanë? Konceptet e shprehura në atë shkrim, sigurisht kapërcenin mendësinë e Perandorisë e të Fuqisë së madhe. Nëse ishin të sinqerta e të pranuara nga regjimi do të kishin qenë me të vërtetë një bazë e sigurtë ku do të mbështetej “rendi i ri”, i kuptuar jo vetëm si një rivendosje drejtësie territoriale për të ndrequr padrejtësitë e së shkuarës, por edhe një projekt i ndërtimit të një bashkësie popujsh që nëpërmjet respektimit të vlerave themelore të solidaritetit, ndihmës së ndërsjelltë, lirive e të drejtave njerëzore, do të krijonte kushtet për një epokë të re në historinë e Evropës. Sikur bërthama e parë e këtij projekti të ishte bashkimi i Shqipërisë me Italinë, siç mëtonte autori i shkrimit, qoftë edhe teorikisht e si synim, meritonte një vëmëndje të veçantë, megjithëse pikëpyetjet që ngrinte trajtimi i tezës së Çianos nuk mungonin. Ajo më e thjeshta ishte : a mund të sendërtohej një projekt i tillë madhështor nga diktatura që imponoheshin me fuqinë e armëve, ku ligjin e bënte gjithënjë më i fuqishmi?
Sidoqoftë artikulli u botua edhe në Shqipëri e pati një kor përgëzimesh për Ministrin e Jashtëm, sepse i përgjigjej pozitivisht shpresave të atyre që besonin në një t’ardhme të përbashkët miqësie me Italinë.
Fillimi i vitit 1943 jepte sinjale të qarta se nga do të anonte fitorja e luftës. Dorëheqja e Qeverisë së Mustafa Krujës, si pasojë e vrasjes së Qazim Koculit dhe ngurimit të italianëve për të ndëshkuar fajtorët, ishte një paralajmërim i dështimit të projektit politik të tij, që synonte ndalimin e rritjes së forcës së komunistëve në vend. Ndaj luhatjes e premtimeve të pambajtura të politikës italiane, që nuk po i jepte mundësi të kishte një forcë milicie të organizuar shqiptare në vartësi të drejtpërdrejtë të Qeverisë që, në synimin e M.Krujës, do të ishte mjeti kryesor në përballimin e rrezikut komunist, por edhe bërthama e një fuqie që, në çastin e duhur do të kthehej në rolin e saj të çlirimit kombëtar, nëse rrethanat do t’a kërkonin, ai dërgoi në Vlorë Qazim Koculin. Zyrtarisht ai ishte Komisar i lartë i Qeverisë për Vlorën, në fakt misioni i tij ishte shumë i fshehtë : fillimi i organizimit të qëndresës kombëtare nacionaliste në krahinën ku lëvizja komuniste ishte më e fuqishme. Personaliteti i spikatur i Koculit në lëmën e shqiptarizmit jepte garancitë e nevojshme për një sukses të projektit. Italianët e nuhatën dhe, nëpërmjet Halil Alisë e Selim Gjetanit, e vranë heroin e Vlorës, duke i hequr mundësinë të përsëriste 1920-ën.
“Në nji ditë vere të vitit 1939, në Vlonë, në mes meje e Qazim Koculit, u zhvillue kjo bisedë : – Ty, Qazim, nuk të ka hije me hy në Partinë Fashiste e me u përzie kaq tepër me italianët.
– Na, Faik, nën maskën e bashkëpunumit, duhet të përgatitemi me i ra Italisë. Duhet të përsërisim Luftën e Vlonës.
– Ç’thue për mikun tand, Mustafa Krujën?
– Në rast të nji lufte në mes të Shqipnisë e Italisë, Mustafa asht me Shqipninë. Në nji luftë të tillë, Mustafën kërkoje prej meje. Atë do t’a marr unë për krahu.
Me të vërtetë, me gjithëthanat e thaçat, akuzat e shpifjet, Qazim Koculi, në krye të vitit 1943, u vra prej italianëve, si drejtues i çetave shqiptare kundër Italisë. Si nji hero, ai ra dëshmor, gjatë asaj rruge që përpiqej me ia mbërrijtë : luftës kundër pushtuesit.”[3]
Kështu shkruan në librin e tij të kujtimeve kolonel Faik Quku, ish antar i udhëheqjes së Ballit Kombëtar. Është një nga librat më objektivë në trajtimin e periudhës së luftës. Autori mbron pikëpamjet e tij dhe të forcës politike që përfaqëson, por i sheh me sy realist ngjarjet e gjykimet për to nuk i nënështrohen as miratimit të çdo ideje e veprimi të anës së tij politike, por gjithashtu, as dënimit e nxirjes së veprës së kundërshtarit. Njohës i mirë i gjithë harkut politik shqiptar, nga përvoja në vetë të parë, jep një tablo mjaft të paanshme e reale të Shqipërisë para komuniste.
Tezën e Qukut e pohon edhe një tjetër drejtues qëndror i Ballit Kombëtar, Ali Këlcyra, tepër kritik ndaj Mustafa Krujës dhe vijës së tij. Në shkrimin “Krijimi i Frontit të Rezistencës në Shqipëri” ai tregon një episod të marrredhënieve me Koculin e nxjerr përfundimin përkatës:
“Të gjithë shokët e mërgimit që ndodheshin aty pranuan të merrnin pjesë në rezistencën me përjashtim të Qazim Koculit, i cili më tha se i kishte dhënë fjalën Mustafa Krujës se nuk do të merrte pjesë në asnjë organizatë të fshehtë pa e vënë atë më parë në dijeni. Qëndrimi i Koculit na habiti e na hidhëroi të gjithëve, dhe me gjithë lutjet dhe këmbënguljen time ai mbeti i patundur në mendimin e tij. Kam bindjen se ai, nën mbrojtjen e Mustafa Krujës shpresonte që në momentin oportun të luante një ditë rolin e luajtur më 1920. Kjo i hëngri kokën…”[4]
Ali Këlcyra, si njohës i mirë i të dyve, ndoshta mund të ketë patur ndonjë sinjalizim prej tyre. Nëse nuk është kështu, tregon mprehtësinë politike për të lexuar përtej asaj që duket.(VIJ
[1] Ali Këlcyra “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” Onufri f. 166-167
[2] Francesco Jacomoni di San Savino “La politica dell’Italia in Albania” F. 284 – 285
[3] Faik Quku “Qëndresa shqiptare gjatë luftës së dytë botërore” Vëllimi I F. 185 – 186
[4] Ali Këlcyra “Shkrime për Historinë e Shqipërisë” F. 176