• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtëpia nuk është burg

March 11, 2020 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ajo që po e kapërdijnë me vështirësi në Shqipëri, është vetizolimi. Megjithëse është një nga masat më të domosdoshme për faktin se mund të reduktojë ndjeshëm përhapjen e virusit, prapë hezitohet. Duhet të kishte filluar që në momentin kur u njollos me të kuqe Italia, sepse jemi të lidhur gjymtyrësh, jemi gati siamezë. Dhe mos eksperienca në të tilla epidemi që janë mes shekujsh dhe brezat nuk e kanë idenë, gjithçka kthehet në një gjendje sportive dhe shteti flet dokrra për të ruajtur karriken, pasi magazinat a shtretërit e karantinave janë shitur batjava. Por ka një nismë spektakolare të personave publik sidomos e atyre që jetojnë e kontribuojnë në Itali dhe kjo është për tu admiruar. Sado larg që ikim prapë koka na dhëmb aty dhe koha po e vërteton, mjafton të përmendim edhe fondacionin e marinsit shqiptaro amerikan9Presidentit te Rrenjeve Shqiptare ne SHBA) Marko Kepi në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Nga ana tjetër disa mediume shtrojnë ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet i izoluar në shtëpi? Shqiptarët nuk rrinë dot pa kafenet’. Duke qënë se jetoj prej vitesh në një vend tropikal ku stuhitë janë të përvitshme, izolimin e kemi gjymtyrë të jetës. Por në raport me izolimin e coronavirusit, stuhia të lë pa drita, pa ujë etj. Dhe mund të të humbësh gjithçka, mund të mbetesh në qiell të hapur sikur të mos kesh ekzistuar asnjëherë. Në rastin konkret nuk ju mungojnë aspak as dritat e as uji dhe për më tepër komunikimi virtual. Disa ditë a disa javë nuk janë asgjë, mjafton të mendosh se sa jetë mund t’i kursesh të së përditshmes. Mund të jetë një i njohur për ju, a një i largët.., por është prindi, babai a nëna, motra, vëllai i dikujt tjetër. Dhe ky dikushi që fati ua mbajti larg nesër mund të jeni edhe ju, ksisoj thuaje plot, Zot mbaje dorën. Në kuptimin e drejtë të fjalës kjo është luftë me natyrën, me fatin…, pavarësisht minuseve se, nuk ka asnjë diskutim që ne jemi nga vendet më të papërgatitura pasi kurrë nuk ndërtuam një shtet të vërtetë.

Nëse në studiot shqiptare do flitej ndonjëherë për emeregjencat, se si veprohet, se si një shtet mban në gatishmëri hallkat e tilla, pra nëse do flitej ndonjëherë, me pa diskutim do kishim filluar themelet e shtetit. Por shqyhemi me ligjëratat boshe të Ngjelës a ca kapterëve si Peza, me llogje duke mbetur gjithmonë vend i botës së tretë, jo new Hollandë apo Zvicër, asesi që jo. Ndaj sot shtrohen ca pyetje naive se çfarë mund të bëhet në shtëpi për 1 apo 2 javë. Kot që paskemi shtëpi, kot që shtrydhemi për familjen, gjithçka e jona qenka llogjet e kafeneve dhe ajo kureshtia prej provinciali se kush e hëngri sot? Përpara se të dali presidenti apo kryeministri, bëhuni vet të tillë, pasi ne kurrë nuk na ka munguar vitaliteti, pavarësisht se e kemi shtyrë tutje për hatër të politikës. Eshtë luftë për faktin e thjeshtë se është një epidemi globale, me një armik të padukshëm…, jo rastësisht janë vatrat të shpërndara si Iran, Itali, Seul. Eshtë vrasës sa i pa parashikueshëm, aq edhe i lexueshëm, vatrat e trafikut ajror, lidhjet e afërta si rasti ynë me Italinë etj. Por është edhe një situatë e tillë ku kupton se sa luftë bën qenia njerëzore për të mos u fikur jashtë radhe dhe sikur kurrë të mos kishim ekzistuar. Shkurt në shtëpi do shkoni, jo në burg, ndaj mblidhuni e lërjani vendin zbrazëtisë.

Filed Under: Analiza Tagged With: jo burg, Shtepia

KOSOVA, JO NË NJË “ZJARR TË KRYQËZUAR” HIPOTETIK

March 11, 2020 by dgreca

Reagim i Akademisë lidhur me situatën politike në Kosovë-

Prishtinë, 11 mars 2020- Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, si shumica e qytetarëve të vendit, është duke ndjekur me shqetësim zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, të nxitura nga një betejë e ashpër dhe e paparimtë midis subjekteve politike dhe institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Duke qenë një demokraci e re, me institucione të brishta dhe me një pozitë të luhatshme ndërkombëtare, ka qenë e ditur se Kosova nuk do ta kalojë aq lehtë këtë fazë të vështirë të transicionit. Mirëpo, pakkush ka besuar se klasa jonë politike me një lehtësi kaq të madhe do të shkel të gjitha parimet, do të kthejë përmbys çdo ideal dhe, për interesa meskine, do të jetë në gjendje që, herë pas here dhe gjithnjë e më shpesh, të vërë në dyshim të gjitha arritjet e Kosovës, duke e çuar atë në zgrip të ekzistencës, krejt afër zhbërjes.  Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha.

Opinioni i Kosovës, veçmas që nga zgjedhjet e fundit e këndej, që disa muaj, jeton një torturë të paparë të retorikave nxitëse dhe lënduese, një herë duke përçarë, herën tjetër duke krijuar perspektiva të zymta për Kosovën; herë duke përdorur Serbinë si “Hannibal ante portas” për të shkatërruar çdo iluzion dhe perspektivë; herën tjetër për ta vënë në dyshim të nesërmen dhe për t’ua bërë të pamundur jetën në Kosovë atyre që nuk mund ta përballojnë korrupsionin dhe sundimin e mendjeve të cekëta, duke bërë një jetë pa vlerë dhe pa dinjitet.

Me të gjitha makiavelizmat politike Kosova tashmë ka një përvojë dhe opinioni i gjerë mund ta pranojë të mirëqenë një betejë politike si garë opsionesh dhe idesh, por nuk mund të pranojë që në betejën politike të përfshihet vetë ekzistenca e shtetit të Kosovës. Ne nuk mund ta pranojmë që Kosova të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar, sikundër që nuk mund ta pranojmë që në betejën e brendshme politike ndërmjet presidentit dhe qeverisë të përdorën miqtë tanë tradicionalë dhe të pazëvendësueshëm. Ne nuk mund të pranojmë që për interesa të Serbisë, të mbijetesës së një klase politike nacionaliste në zgjedhjet që do të mbahen atje, Kosova të përfshihet në krizë dhe të bëjë koncesione deri në humbje të subjektivitetit shtetëror, të rregullimit të brendshëm kushtetues, apo të tërësisë territoriale dhe integritetit; sikundër që nuk mund të pranojmë që një klasë politike, e përfshirë në betejë të paparimtë për pushtet, ta vendos Kosovën në një “zjarr të kryqëzuar” hipotetik ndërmjet miqve tradicionalë dhe njësoj të rëndësishëm, SHBA-së dhe BE-së, duke shpallur së fundi Brukselin “armik të Kosovës”, po atë Bruksel ku kemi ngarendur deri së fundi për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për të bërë marrëveshje poshtëruese për Kosovën dhe ku synojmë një ditë të përfshihemi në integrimet euro-atlantike. Por ne njëkohësisht nuk mund të pranojmë që paqëndrueshmëria e koalicionit qeverisës të përdoret për t’i dhënë edhe më shumë dilemë qëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës, duke e bërë atë të luhatshëm dhe me një perspektivë të zymtë. Po kaq e papranueshme për qytetarët e vendit është kthimi i qeverisjes në kauzë populiste, duke vendosur kredot personale dhe partiake mbi interesat shtetërore të Kosovës dhe duke e mbajtur tendosjen politike si agjendë të përhershme institucionale.

Duke parë këtë rrethanë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ngre zërin fuqishëm për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës së tanishme të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, ndërmjet institucioneve dhe subjekteve politike, duke ua sjellë në vëmendje se nuk kanë asnjë të drejtë, as mandat të nëpërkëmbin shtetin e Kosovës, as të cenojnë interesat e tij, por të ndjekin agjendën shtetërore, në përputhje me përgjegjësitë për të cilat vetë janë zotuar. Njëkohësisht ftojmë bashkësinë ndërkombëtare, veçmas përkrahësit e fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, që të kenë mirëkuptim për mangësitë, mungesat dhe dështimet e klasës sonë politike dhe ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, si vullnet dhe ideal politik i popullit të saj.

Për Kryesinë e ASHAK
Akademik Mehmet Kraja

Filed Under: Politike Tagged With: reagim

Corona Virusi, Shqiperia shenon vdekjen e pare, Kosova, merr masa parandaluese

March 11, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës në mbrëmjen e sotme në Mbledhjen e 7-të: Aprovohen masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19/

-Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /

PRISHTINË, 11 Mars 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur sot në mbrëmje mbledhjen e shtatë, të jashtëzakonshme, në të cilën është marrë vendimi për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19.

Këto janë masat parandaluese të miratuara nga Qeveria e Kosovës:

1.      Ndërprerja e procesit edukativo arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri 27 mars 2020. Me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë dhe për punëtorët në sektorin e sigurisë);

2.      Pezullimi i përkohshëm i linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm (deri në një vendim tjetër).

3.      Kontroll i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrje daljet e Kosovës me mbështetjen e Policisë së Kosovës të të gjithë qytetarëve që vijnë nga zonat epidemike, për detektimin e rasteve me COVID-19 dhe ndërmarrjen e masave parandaluese.

4.      Vetëkarantinim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Republikën e Kosovës nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, në përputhje me udhëzimet e OBSH-së (moszbatimi i dënueshëm sipas Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse). Në rast se personat e caktuar nuk mund të vetëkarantinohen rekomandohen të vendosen në karantinat e përbashkëta të caktuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

5.      Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër.

6.      Të ndalohet veprimtaria e restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

7.      Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë.

8.      Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike.

9.      Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë private që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese.

10.  Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas.11.  Personat fizik dhe juridik të cilët nuk i respektojnë dhe i shkelin rekomandimet do të ndëshkohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shqipëri, shënohet vdekja e parë nga koronavirusi /

Në Shqipëri u rregjistrua me 11 Mars rasti i parë i një personi që humbet jetën pas infektimit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se zonja 73 vjeçare, që vuante nga disa patologji kronike, ishte kthyer para disa ditësh në Durrës, pas një udhëtimi në Itali në zonën e Bolonjës….

ministria konfirmoi zbulimin edhe të tre rasteve të reja, që i bashkohen dy të tjerave të konfirmuara po sot. Prej tyre 4 janë kontakte të rastit të parë të zbuluar mesnatën e së dielës, ndërsa një tjetër është një i moshuar në Lushnje (78 vjeçar) me histori udhëtimi me Italinë. Deri tani nga të 15 rastet, 4 janë persona që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, dhe të gjithë me histori udhëtimi në Itali, ndërsa 11 të tjerët rezultojnë të gjithë të jenë persona me lidhje të ngushta me 28 vjeçarin që u zbulua i pari.

Në total deri në mbrëmjen e së mërkurës, sipas njoftimit zyrtar “janë estuar 241 të dyshuar për COVID-19. Katër persona janë të shtruar në spitalin Infektiv në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa 10 prej personave të identifikuar COVID-19 pozitiv janë në vetëizolim pa shenja klinike të infeksionit respirator. 104 persona, kontakte të personave të identifikuar me COVID-19 janë në vetëkarantinim”.
Në dy ditët e fundit, Shqipëria ndërmori masa të forta shtrënguese, menjëherë pas zbulimit të rasteve të para. Autoritetet urdhëruan mbylljen për dy javë gjithë sistemin arsimor, stadiumet sportive dhe qendrat kulturore, ku mblidhen një numër i madh qytetarësh. Po ashtu në të gjithë vendin janë mbyllur dhe pub-et, klubet e natës, diskotekat, pishinat dhe palestrat.

Ditën e sotme autoritetet njoftuan për masa të reja shtrënguese. Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se ka propozuar “mbylljen deri në një njoftim të dytë, të të gjitha bareve, lokaleve restoranteve dhe klubeve, në Tiranë dhe Durrës fillimisht; caktimin e një gjobe në masën 5 mijë euro, për të gjithë ata qytetarë që vijnë nga zonat e prekura dhe nuk zbatojnë urdhrin e vetëkarantinimit të detyrueshëm apo ata qytetarë që nuk zbatojnë vetkarantinimin pas konfirmimit të diagnozës; caktimin e një gjobe në masën 20 milionë lekë të vjetra për të gjithë baret, restorantet, lokalet apo klubet që nuk e zbatojnë këtë Vendim dhe rihapen në shkelje të tij; vendosjen e distancës së sigurisë mes punonjësve, prej 1.5 metra, në të gjitha bizneset që nuk mund të mbyllen për arsye të zinxhirit ekonomik si dhe reduktimin në maksimum të personelit të call center-ave, dhe garantimin e distancave dhe të kushteve mbrojtëse për çdo punonjës”.

Në mbrëmje, siç kishte njoftuar dhe kryeministri Edi Rama, kanë nisur të paktën në Tiranë, kontrolle me postoblloqe në rrugët kryesore të kryeqytetit nga policia dhe njësitë e ushtrisë, për verifikimin e personave që mund të kenë shmangur vetkarantinimin.

Filed Under: Sociale Tagged With: Corono virusi, kosova, qeveria

NDËRRIMI I HAPIT QË ËSHTË I NEVOJSHËM

March 11, 2020 by dgreca

Nga Barbara Stefanelli/

  E përktheu Eugjen Merlika nga Corriera Della Sera-Eugjen Merlika/

            Në fillim të vitit e shihnim Kinën më shumë me mosbesim se sa meshqetësim. Virusi dukej një zjarr aziatik, i largët. Kush do të dinte të shënonte Wuhanin mbi një hartë? Nuk kishim arsye të trëmbeshim. Së paku jo si Vend: do t’ishte infektuar një grusht udhëtarësh të zellshëm mes dy kontinenteve, por asgjë që të kishte të bënte me “popullin italian”. Ishte paragjykimi i tjetërkundit, ka shkruar Paolo Giordano dje tek Corriere, duke vazhduar një arsyetim të nisur më 25 shkurt mbi evidencën matematike të infektimit. Në pika të ndryshme, por mjaft të afruara, Pekini dhe Milano janë gjendur në të njëjtën vijë kohore. Ai paragjykim, siç ndodh shpesh ishte një mashtrim. Mashtrimi I tjetërkundit.

            Të qëndrojmë atëherë mbi atë vijë e të lexojmë lajmet që vijnë sot nga Wuhani, kryeqendra e një province qëndrore të Republikës popullore, Hubeit, ku jeton një popullsi që përkon me numurat e asaj italiane (më shumë se 60 milion banorë). Dje të infektuarit e rinj në Wuhan ishin 36. Për të dytën ditë rradhazi, asnjë i infektuar i ri nuk është njoftuar në pjesën tjetër të Kinës. Me krenari, por dhe me dëshirën për të përmbysur me shpejtësi paraqitjen e Vendit nga fajtor në virtuoz, regjimi tregon fotografitë e spitaleve të masave të jashtzakonshme duke u zmontuar.

            Do të kuptojmë shpejt nëse epidemia po zbrapset përfundimisht në vendet ku ka lindur; ndërkaq të provojmë të shohim se si mund të fusim në Itali marshin përmbrapa që të vrapojë paralelisht. Pyetja që të gjithë bëjnë, madje  edhe vetes në këto orë është e drejtë dhe e thjeshtë: a mundet një demokraci klasike evropiane të durojë të njëjtën terapi që ka ndaluar shoqërinë dhe ekonominë kineze për rreth provincës së Hubeit? Mbyllje me breshëri të zyrave, dyqaneve e fabrikave; ndalesë e të gjitha zhvendosjeve të brëndëshme; kontroll në rrugë dhe masa ndëshkimore të ashpra; familje të bllokuara në shtëpi prej më shumë se një muaji me harxhet e dorzuara në portat e pallateve; deri edhe në ndërprerjen e kampionatit të futbollit pa asnjë farë diskutimi….

            Si mund të gjejmë një strategji, të jashtzakonshme e tonën, t’aftë të verë në të njëjtën vijë demokracinë dhe gjëndjen e jashtzakonshme, duke i u përgjigjur kështu edhe dyshimeve të New York Times sa i përket aftësisë / paaftësisë italiane të respektojë (e jo t’i bëjë dredha përjetësisht) rregullave?

            Në këto ditë – që e dijmë se janë të fundmet përcaktuese për të shmangur rënien e spitaleve – secili prej nesh ka qënë i pranishëm i tmerruar para ikjes kokëkrisur nga Veriu të mijra banorëve drejt krahinave jugore të origjinës (guvernatori Emiliano ka numuruar 9362 puliezë të kthyer). Kemi parë fotografitë e parqve milaneze plot djem e vajza në një të djelë me diell sikur të festonin fundin e dimrit. Jemi frikësuar para pamjeve dolomitike të turmës në rradhë para impianteve të skive. Kemi pushuar së buzëqeshuri për guximin e atij që thyen karantinën e vëndit të tij për të shpëtuar “së paku fëmijët”e për atë që nuk arrin të gëzohet së largu për një gol me porta mbyllur. Mbi të gjitha kemi pyetur (pa marrë asnjë shpjegim) si mundet që brënda “zonës së re të sigurisë” nuk ka mbetur zona e kuqe origjinale, për të lajmëruar një zonë edhe më shumë të ruajtur. Të dhënat e infektimeve a janë të njëjtat?

            E vërteta është se kemi arritur tani në mënyrë të paorganizuar në një udhëkryq që  na detyron zgjedhje të qarta e përfundimtare. E që kërkon tani vendosmërinë e atyre që na drejtojnë e na mbarështojnë të bëjnë të respektohen rregullat e veçimit e të mbrojtjes, të nevojshme për bashkësinë. Shteti që na përfaqëson duhet të gjejë masat e duhura në rastet e indisiplinimit. N’emër të këtij që është një objektiv kombëtar, e të vetëdijshëm për atë vijë të përkohëshme që ka bashkuar në një sërë të shpejtë Pekinin – Milanon – Romën – jugun – pjesën tjetër të botës, ka kuptim të shtrijmë te të gjithë krahinat masat e parashikuara nga nata e 8 marsit për zonën portokalli. Për italianët perimetri i “sigurisë” nuk mund të mos përkojë me kufijtë e gjithë Vendit. Nuk mund të ketë më as moskuptime ndërmjet qytetarëve dhe as kapërcime ndërmjet provincave. As shpërngulje në të kundërt as kushte të posaçme për Veneton që, për fat e meritë, ka numura në përmirësim.

            Ka ndonjë që këshillon në këtë kalim qënësor e pa kthim, përdorimin e ushtrisë. Nuk ka nevojë të ushtrizojmë Vendin, ushtarët mund të ndihmojnë policinë e karabinjerët në terren – dhe pjesërisht e bëjnë – siç ka ndodhur në raste të tjera spikamash, që nga fatkeqësitë natyrore tek terrorizmi.

            Frika e madhe, natyrisht, është ndalimi i ekonomisë kombëtare. Regjimi i Pekinit ka mundur t’i lejojë vetes ngrirjen e gjithshkaje e të gjithëve, ekonomi e shoqëri, duke siguruar që “dora e shtetit” do të përballojë kostot e krizës si edhe të gjallërimit. Përsëri do të kemi nevojë për të gjetur rrugën tonë, perëndimore e liberale, për të projektuar të pritmen e për të kufizuar që tani dëmet e spread-it. E përsëri përgjigja e jonë ekziston: është Evropa, e mbetur deri tani pothuajse pa zë në mes të të dhënave jo simetrike të Shteteve antarë.

            Ndërrimi i hapit që i kërkojmë atij që merr vendimet e vigjëlon mbi respektimin e normave rrënjësore na takon neve. Në mbrojtjen këmbëngulëse të një stili jetese mbiveprues, të themeluar mbi lëvizjen e sfidën, me gjasë ndihemi më të fuqishëm. Në të vërtetë jemi robër të një përtacie që bie në sy menjëherë: nuk arrijmë të konceptojmë më vështirësinë, nuk arrijmë të përballojmë mundimin e të ndërruarit të sistemit të jetesës, mundin e ngadalësimit, e të qëndruarit të ndalur për të mirën e të tjerëve. Dhe tonën.

            “Corriere della Sera”, 9 mars 2020         E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Barbara Stefanolli, Eugjen Merlika

Profili filozofik i Arshi Pipës

March 11, 2020 by dgreca

– Duke pritur 100 vjetorin e Lindjes të Prof. Arshi Pipa-/

Nga Anton Çefa/

Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.

Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.

Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme.

 Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin  Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj.

Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin.

Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”.

Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.

Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.

Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”

Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”

Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.

Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.

  *   *   *

          Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).

          Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.

Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.”

Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”

Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës.

Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit.

Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.

“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.

Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritikka letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”.

Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.

          Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.

Historia e librit

Nga  Nedrete Kalakula

Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.

Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.

Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.

Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.

Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.

Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.

Filed Under: ESSE Tagged With: Arshi Pipa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 694
  • 695
  • 696
  • 697
  • 698
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA, NJË SHEMBULL DEMOKRACIE– Mbështetja e popullit është çelësi për fitoren e zgjedhjeve
  • FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
  • Albanian Soul, Electric Heart – Rozita Fishta’s Music Explorations
  • Ukraina si poligon i armëve të vjetruara globale: Donacionet ushtarake, gjeopolitika e Fuqive të Mëdha dhe perspektiva e paqes së qëndrueshme
  • AT GJERGJ FISHTA, 85 VJETORI I KALIMIT NË AMSHIM
  • Me veprën dhe personalitetin e Martin Segonit plotësohet panteoni humanist shqiptar me një figurë nga më të hershmet
  • Bashkimi kombëtar fillon me bashkimin e Kosovës me shtetin amë
  • PRESIDENTI WILSON NË FILATELINË SHQIPTARE
  • “Çamëria… heshtja që vret”
  • SHQIPTARËT DHE PROJEKTI EVROPIAN PËR MAQEDONINË E VERIUT A MUND TË DEGRADOJË NË NJË NARRATIVË ILUZORE?
  • Brigitte Bardot: “seks bomba bionde” që revolucionarizoi kinemanë franceze
  • “Leksikoni i së drejtës publike – Nocione dhe institute të së drejtës publike”
  • Lugina e Preshevës dhe e drejta e munguar për shtetësi dhe votë në Kosovë
  • Vlora Nikçi: “Prindër, mbështesni ëndrrat e fëmijëve”
  • Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT