– Duke pritur 100 vjetorin e Lindjes të Prof. Arshi Pipa-/
Nga Anton Çefa/
Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.
Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.
Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme.
Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj.
Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin.
Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”.
Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.
Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.
Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”
Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”
Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.
Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.
* * *
Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).
Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.
Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.”
Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”
Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës.
Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit.
Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.
“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.
Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritikka letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”.
Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.
Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.
Historia e librit
Nga Nedrete Kalakula
Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.
Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.
Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.
Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.
Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.
Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.