• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË ARDHTË NGA NUK E PRET…

December 11, 2019 by dgreca

NGA SHEFQET DOBRA*/

     Në Spaç ishte Islam Spahia; unë njihja disa nga spahinjtë e Kuksit,  kushërinj ishin me Islamin por:  të ndryshëm e të ndarë prej njëri- tjetrit sepse, sa ishin nëpër burgje dhe kampet e internimi, po aq ishin  tjerët të pëlqyer të partisë. Islami nuk kishte nga ata që njihja unë, kishte jetuar në Tiranë, prandaj e pyeta një ditë:- përse  të burgosur ty?

-Hëhë…! Përse më burgosën; ke dëgjuar ti që thonë:- “Të vjen nga s’e pandeh; të godet nga s’e pret” Kështu më ndodhi mua; shkova për të respektuar dhe mora goditjen  nga  nuk më shkonte mendja.

-Si qe puna, të hëngrën në besë?

-As bëra, as fola gjë që të më hanin në besë jo, se e njihja frikën- tha

-Po, si, atëherë?

– Djallit- thonë- i pëlqen ti bëjë njerëzit mos duan njëri-tjetrin; u mendua e u mendua dhe vendosi; ndërroi mënyrën e të sjellurit,, u bë mik e gojë ëmbël, u miqësua me njeriun; njeriu e vuri në qoshe dhe kënaqej për ato që thoshte, duke e quajtur fisnik e dashamirin e tyre. Shejtani, gojë ëmbël,  bëri çmos të këpuste atë fijen e padukshme që i lidhte shqiptarët sa, jepnin jetën për njeri tjetrin; me marifet, pak nga pak,  hyri në zemrat e tyre, duke qenë brenda tyre, si ai munafikçiu, i bëri të urrenin shoqi shoqin dhe kua ata dëmtonin njëri- tjetrit, ai kënaqej.  

Humbi besa, humbi burrëria; kemi frik të rrimë dy vet  bashkë se, nuk dimë: kush e ka shejtanin brenda vetes. Të vjen  miku a shoku, dhe pa gjë të keqe,  të pa thënën e të pa bërën, ta bën të thënë e të bërë, të shkatërron jetën, të merr lirinë, të bie në Spaç, kjo është më e mira se, të çon edhe në plumb; të shkatërron familjarisht dhe, në vend të pendohet për krimin që bënë; mburret- thotë: i shërbeva partisë!  Ky është morali i  njeriut të ri që krijoi koha;  për këtë njeriun e ri, mburremi, i thurim lavdi. Që  të mbijetosh ndaj së keqes, duhet pa tjetër, të dëmtosh dikë, pavarësisht ç’far e ke.  Kurrë, nuk ka qenë ky popull ,më keq.  

-Mirë kundër nesh, edhe ndërmjet jush …?- i thash

– Ku ka ndërmjet nesh e ndërmjet jush, shejtani është ndërmjet të gjithëve. Asnjë, nuk është i sigurt,  kot  mbahen pas biografisë a kontributit që gjoja kanë dhënë a postin që kanë; gënjejnë veten të gjithëve,  as gjë nuk të vlen- tha.  

-Po, si qe puna?

– Djali i një të afërmit tonë, nga fshatrat e Kuksit- tha- bëri ushtrinë në bllok, e quajnë  privilegj të madh, të bësh ushtrinë atje; zgjidheshin nga më të besuarit.  Kur u lirua, siç është zakon, shkojnë e urojnë: -Shyqyr që u ktheve shëndoshë e mirë po, fshatarët më tepër ishin kurjoz të dinin: si ishte atje- a e shikonit komandantin?- e pyetnin, etj. Djali tregonte me kënaqësi për të mirat që kishin: si i trajtonin, si i ushqenin, për më tepër kur shikonin udhëheqësit, sidomos – kur na përshëndeste me dorë udhëheqësi kryesor, nuk kishte kënaqësi më të madhe për ne, na dukej sikur na e hiqte me dorë lodhjen- thoshte. Unë- tha- isha shumë afër shtëpisë se sh, Enver, ç’do ditë e shikoja kur bënte xhiro- tregonte me krenari djali. Ndjehej vërtet, i kënaqur.

 Shumë të rinj e dëshironin ta bënin ushtrinë atje po, edhe shumë prindër, ishin po aq ziliqar, pse dhe djemtë e tyre, nuk e kishin atë fat, se, i gëzoheshin biografisë që më përmende, dikush –thoshte se kishte qenë në luftë, e kishte kryer….- secili prej tyre kur takoheshin në raste të tillë, flisnin për trimëritë e tyre në luftë. Edhe zilia, është pjellë e djallit.

Dy vjet më pas, më erdhi një letër:- Të paraqitesh më dt….. në orën 9, të mëngjesit në gjykatën e  Kuksit. Vrisja mendjen: ç’punë kam unë atje! Kur shkova, pash ca pleq mjekër bardhë që dukeshin esnaf nga paraqitja, u dhashë dorën, si të njohur.

Kur u futëm në sallë, pash djalin që: shumë ishte dobësuar, po ky, përse…. po mendoja.   “Esnafllëku” i këtyre pleqve  në pamje, shpejt e humbi vlerën, kur  deklaruan se djali kishe thënë:- Unë isha shumë pran, kur Enveri bënte xhiro, disa herë kam menduar  ta qëlloja, jo për heroizëm jo, po diçka nga brenda më shtynte ta bëja këtë;  do e merrja para sysh jetën time po, mendoja familjen, ndoshta gjithë  fisin, kjo më pengonte. Ne- tha njëri prej tyre- kur dëgjuam këto fjalë; si mund të rrinim more shoku kryetar pa  denoncuar?   Kështu thanë  pa e vrarë mendjen se, po groposnin një djalë të ri, në moshën e djemve tyre, pa u dridhur mustaqet fare.

– Ç’thonë këta? A janë prindër këta…..? -mendoja. Ç’i bënë këta, të humbasin jetën e një të riu?

    Esnafllëku i tyre në paraqitje, u shndërrua në paburrëri, i përdhosën ato mustaqe të bardhe deri te veshët, nga respekti që tregova kur i takova, fillova ti urrej.  Ç’i detyroi këta pleq ta bënin këtë, zilia apo, i kanë detyruar?

Sido të ishte puna,  për moshën që kishin, më nder do ishte për ta: të sakrifikonin veten për ndershmëri, sa të kapërdinin këtë turp, humbnin jetën e një të riu.

 Kjo ishte “besa” e këtyre pleqve që,  për pabesit që i bën këtij të riu,  humbën vlerën e vetes.

       Këta kishin thënë se: ka qenë edhe Islam Spahia, kur është bërë kjo bisedë.

-Po me ty ç’ patën ata?- i thash.

-E shikon ku është katandisur populli ynë, nuk të vlen: as kostum, brenda të cilit je mbështjellë, as mustaqet, si do ti kesh përdredhur, të bardha a të zeza, nëse për të fituar diçka, shet nderin. Iku koha e burrave të dikurshëm, me të cilët mburremi për ti dhënë vlerë njeriut të ri të kohës, të zhveshur nga të gjitha virtytet; këta: i vlerëson “drejtësia” këta mburren për ç’ bëjnë, kanë bindje se i shërbejnë më të “mirës”, djalli i qetë, kënaqet kur shikon se ato që do i bënte ai, i bëjnë vetë njerëzit.

 Djali nuk  pranonte po, nuk e dëgjonte njeri. Në fund më than mua:- çohu! Betohu se do i thuash të vërtetën drejtësisë dhe vetëm të vërtetë!

-Betohem – thash. -Na fol !- Më thanë.

-Po!  Deri sa më keni thirr, sigurisht që do flas.  Atë natë, kur isha unë, është e vërtetë që kanë qenë edhe këta pleq të nderuar- dhe ktheva kokën, i shikova pleqtë me një buzëqeshje që më shumë ishte zgërdheshje- njëri i kënaqur, më shikoi me buzëqeshje, kurse tjetri, si duket, e kuptoi, uli sytë duke e  shkuar pëllëmbën e dorës nga balli, e rrëshqiti mbi mustaqet dhe e mblodhi grusht në fund të mjekrës; nuk i ngriti sytë më:- më kujtohet – thash- që këta e pyetën- si ishte atje e…., dhe ky djali –tha:- udhëheqësi,  dilte pa problem, bënte xhiro në oborrin e shtëpisë, ose dhe kur shkonte te puna, ne e ruanim dhe ishim gati të jepnim jetën për të dhe, do ishte nder për ne, por… atë e donte gjithë populli.  Kaq kam dëgjuar- thash.

– U betove se do thuash të vërtetën- më tha gjykatësi.

 -Sigurisht! Se u betova, do të thotë:-  i dhashë besën partisë, në radhë të parë, dhe drejtësisë, kështu që, në ndërgjegje, jam  i detyruar  të them  vetëm për sa kam dëgjuar, kur kam qenë unë.

-Sipas teje, këta pleq të nderuar gënjejnë?! – M’u kërcënua prokurori.

– Joooo, sh Kryetar! Nuk e thash këtë. Edhe këta janë betuar ashtu si unë?

– Sigurisht që u  betuan, dhe thanë të vërtetën- tha gjykatës.

-Nuk thash gjë  por, meqë kanë thënë se kam qenë edhe unë, për këtë, të mendohen edhe një herë.

-Ti pranove që ke qenë…. ça të mendojnë tjetër ata?

 -Po! Pranova. Por, këta, i kanë shtëpitë afër, si komshinj që janë, besoj se kanë shkuar edhe herë tjera- apo jo?- u drejtova pleqve- Po! Pranuan, ata- për moshën që kanë dhe betimin që bënë, duhet të mendohen edhe një herë: nëse kam qen vërtetë un a jo, kur është bërë kjo bisedë? Se kur isha unë, nuk ka thënë këto fjalë djali.

 .Këta, e thanë atë që kishin për të thënë, kurse ti, po mbron një armik , një vrasës! – tha

-Nuk dëgjova  se ka vrarë njeri shoku gjykatës, nëse ka vrarë, dëshmia është e dukshme, të marr dënimin që meriton!- thash.

-Mjafton që ka menduar!

– Për ça a menduar, nuk di, unë përgjigjëm për atë që kam dëgjuar.  

-Ti nuk po thua të vërtetën, po mbron një kriminel, qëë…. po hëhëëë, nuk ja ka mbajtur të bëjë atë që ka menduar  se, shokët e tij do ja kishin përdredhur kokën.  Prandaj: thirri mendjes….

-Më kërkove të betohem; si mund të them atë që nuk e kam dëgjuar, pasi u betove?- thash. 

– Ulu!- më th- Do e shikojmë sa i vërtetë je!

 Kur u ula, pleqtë më shikuan- ai që fërkoi fytyrën- me thanë: -heu bre Islam, ty të lumtë mor djalë, na nuk mujtëm, e nximë faqen tash n’pleqni!

  -Pse more?- u thash- me gojën tuaj folët  a ….!

-Po ho pra….! –  tha njëri. 

-Nuk ka gjë; nxit faqen,  shpëtuan nga burgu.

-Po ma merë në burg more djalë, se me na ranu ton jetën,  ky turp  qi bom.

-Atë që e derdhët, nuk mund ta mbushni më; për kësaj here zgjodhët më të mirën për vete:  ju gëzojuni lirisë, unë burgut- u thash. Edhe ai djali, do u jetë mirënjohës për nderin që i bëtë. Po kujdes, mos e derdhni prapë që harrohet kjo e para. 

Pas një viti, ua pash sherrin edhe unë pleqve, më arrestuan, më “shpërblyen”  me dhjet vjet burg.

*Ish i burgosur politik

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shefqet Dobra-Tregim-Te ardhte nga se pret

ALBERT KAMY – SHKRIMTAR I ABSURDIT DHE I REVOLTËS

December 11, 2019 by dgreca

Sizifin duhet ta përfytyrojmë të lumtur.(Kamy)/

Ekziston e vërteta jote, por edhe e vërteta ime. (Kamy)/

Shkruan Xhelal Zenjeli/

Alber Kamy (Albert Camus) ka lindur në Mondovi të Algjerisë më 7 nëntor 1913. Vdiq në aksident rrugor në Villeblevin, afër Parisit, më 4 janar 1960. Është romancier, eseist, dramaturg dhe filozof francez. Rrjedh nga një familje e varfër punëtorësh. Babai i tij ishte francez, ndërsa nëna spanjolle. U shkollua në Algjeri. Ishte agjent tregtar, meteorolog, nëpunës në një agjenci anijesh si dhe nëpunës në prefekturë. Qysh si nxënës gjimnazi, sensibiliteti i tij përshkohej nga tre pasione të mëdha: nga letërsia, nga teatri (ishte dramaturg, regjisor dhe aktor), si dhe nga sporti, e sidomos futbolli. Gjatë gjithë jetës së tij, më së miri ndjehej në shoqërinë e aktorëve dhe të sportistëve. Teatri për të ishte një shkollë e pazëvendësueshme e moralit ekipor apo kolektiv dhe kundërpeshë e vetmisë gjatë të shkruarit. Kamy i takon filozofisë së ekzistencializmit.

*  *  *

Ekzistencializmi (fr. Existentialisme është drejtim dhe doktrinë filozofike që ka pasur jehonë të madhe në letërsi dhe në art. Filozofi francez Emanuel Munie(Emmanuel Mounier, 1905-1950) i cili është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të personalizmit francez, thotë se rrënjët e ekzistencializmit shkojnë thellë në të kaluarën, në antikë. Munie dhe Zhan Val, thonë se ekzistencialistë të pavetëdijshëm kanë qenë Sokratidhe Platoni, pastaj stoikët, Shën Augustini, Shën Bernari, Paskali dhe Men de Biran.Ekzistencializmi modern fillon me filozofin danez Seren Kjerkegor(Sören Kierkegaard, 1813-1855). Pas tij pasojnë filozofët gjermanë Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976) dhe Karl Jaspers (Karl Jaspers, 1883-1969). Në kuptim të plotë të fjalës, ekzistencialistë të vërtetë janë shkrimtarët, përkatësisht filozofët francezë Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), Merlo-Ponti(Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961), Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe bashkëjetuesja, përkatësisht ithtarja e filozofisë së Sartrit – Simon de Bovuar (Simone de Beavoir, 1908-1986). Ekzistencializmi niset nga këto pyetje: a i prin ekzistenca esencës, d.m.th. a i prin qenia thelbit apo anasjelltas?

*  *  *

Pikëpamjet e veta filozofike Kamy i paraqiti në veprat “Miti i Sizifit” (Le Mythe de Sisyphe, 1942) dhe “Njeriu i revoltuar” (L’Homme révolté, 1951). Tezat e përgjithshme të tij realizohen dhe eksplikohen edhe në një varg romanesh, në radhë të parë tek “I huaji” (L’Étranger, 1942) dhe te “Murtaja” (La Peste, 1947) si dhe në esenë “Vera” (L’Été, 1954).

Filozofia e Kamysë, krejt asaj që e quan “absurde”, ia kundërvë përvojën e revoltës, si i vetmi kuptim i absurdit. Sipas tij, “historinë e çojnë përpara pikërisht ata të cilët në çastin e duhur, dinë të protestojnë kundër saj”. Kjo nënkupton “tensionin e pandërprerë dhe qetësinë e tkurrur për të cilën flet poeti”. Mirëpo, jeta e vërtetë ndodhet pikërisht te thelbi i ndarjes së njeriut më dysh. Revolta vazhdimisht përplaset me të keqen, ndërsa arti dhe revolta do të vdesin vetëm kur të vdes njeriu i fundit. Madje, thelbi i artit qëndron në revoltë, për arsye se arti gjithmonë është protestë ndaj realitetit, flakërim ndaj ekzistencës. Përballë të menduarit, vepra artistike, në sferën e shqisave ruan absurden.

Detyrë kryesore e artit është të pasqyrojë absurditetin, për arsye se sikur ky absurditet të mos kishte qenë ekzistenciale dhe e papërsëritshme, përkatësisht e painterpretueshme, dhe sikur bota të ishte e qartë, as që do të kishte art.

Mirëpo, liria e artit, sipas Kamysë nuk vlen shumë po qe se nuk ka qëllim tjetër përveçse t’i sigurojë liri krijuesit artistik. E po qe se liria paraqet rrezik, atëherë është më se e qartë se ajo nuk do të  turpërohet.

Kamy me rreptësi e mohon teorinë e realizmit socialist, për arsye se ky art sa më tepër që është socialist, aq më pak është realist. Kjo estetikë që ka dashur të rrënjoset në realitet, është bërë idealizëm i ri, skemë e re, po aq e pafrytshme sa ka qenë edhe idealizmi borgjez.Dy estetikat – njëra që rekomandon refuzimin e plotë të së tashmes dhe tjetra që synon refuzimin e krejt asaj që nuk është e tashme, në fund bashkohen larg realitetit, në të njëjtën gënjeshtër dhe në eliminimin e artit. Akademizmi i së djathtës përbuz mjerimin, gjë të cilën akademizmi i së majtës e shfrytëzon, por në të dy rastet mjerimi sa vjen e shtohet, ndërsa arti gjithnjë më tepër pakësohet. Por, pa kulturë dhe pa liri relative me të cilën ka të bëjë arti, edhe një shoqëri e përsosur nuk është gjë tjetër veçse një xhungël. Kështu që, çdo krijim autentik si revoltë, është dhuratë për ardhmërinë.

Përballë spontanitetit të kësaj revolte, sipas Kamysë, revolucionet shoqërore konkrete nuk sjellin kurrfarë ndryshimesh të njëmendta dhe nuk ofrojnë perspektiva. Revolucioni Borgjez Francez, i vitit 1789, e solli në pushtet Napoleonin III. Revolucioni i Madh Socialist i Tetorit, i vitit 1917, e solli diktatorin Stalin. Revolucionarët italianë e sollën Musolinin, ndërsa Republika e Vajmarit – Adolf Hitlerin.

Pra, në këtë botë absurde, në të cilën njeriu është i huaj dhe i cili nuk e njeh as veten, padrejtësi dhe vuajtja do të ketëgjithmonë. Me fjalë të tjera, revolucioni mbështetet në ide dhe dëshiron t’i japë formë botës dhe ta ndryshojë atë sipas konceptit teorik të vet. Prandaj, revolucioni nuk i vret vetëm njerëzit, por edhe parimet. Megjithëkëtë, “revolucionari njëherazi është edhe revoltues, e kur pushon të jetë  revoltues, nuk është më as revolucionar, por polic dhe funksionar që kthehet kundër revoltës”.

Filozofia e absurdit,  sipas Kamysë, nuk do të thotë njëherazi edhe afirmim të irracionales. Te “Miti i Sizifit”Kamy shkruan: “…kur e vërej kufirin e arsyes, nuk e mohoj atë, ngase e pranoj fuqinë relative të saj”.

Revolta dhe protesta e Kamysë, përkundër  rrëfimit me pasion dhe talentit me të cilin janë pasqyruar, janë të pjesshme, jokonsekuente dhe të kufizuara nga pozicioni kundërthënës i tërë filozofisë së tij të absurdit – thotë kritiku francezGaetan Picon (Gaëtan Picon, 1915-1976). “Është për të ardhur keq që Kamy nuk shkon deri në fund të revoltës së tij dhe të pasioneve të tij. Na duket sikur kemi të bëjmë me një energji që qëndron pezull, me një forcë që është ndalur në gjysmë të rrugës” – thotë Pikon.

*   *   *

Kamy, sikurse edhe Sartri, librat e tij të parë i shkroi para Luftës së Dytë Botërore, për t’u bërë pas luftës, krahas Sartrit, autori francez më i lexuar dhe më me ndikim. Ndërmjet romanit “Neveria” (La Nausée, 1938) të Sartrit dhe romanit të parë të Kamysë “I huaji”,të botuar katër vjet më vonë,ka ngjashmëri të mëdha, por edhe dallime të mëdha. Ka pasur kritikë letrarë që kanë thënë se “I huaji” është kopjim i “Neverisë”. Heroi qendror i romanit “I huaji” – Merso (Meursault), i ballafaquar me konvencionet e shoqërisë qytetare si dhe me indiferencën e paimagjinueshme të botës, është i pushtuar nga ndjenja e absurditetit të jetës dhe nga nevoja për revoltë.

Letërsia e Kamysë është e afërt me rrethin e letërsisë ekzistencialiste të pasluftës, por, te Kamyja është shumë më i theksuar synimi nga artizmi, madje në të gjitha zhanret në të cilat u dëshmua: në roman, në novelë dhe në dramë si dhe në esenë lirike dhe në atë filozofike.

Letërsia për të është një përpjekje që të paraqitet absurditeti i jetës dhe i botës, përvojë e privilegjuar e luciditetit të njeriut, por edhe synim për ta përkufizuar dhe për të arritur të bukurën. Ekonomia rigoroze e shprehjes dhe e matjes së fjalës në përgjithësi, dozimi me maturi i emocioneve dhe i racionalitetit, respektimi i theksuar i traditës – në radhë të parë i traditës klasiciste franceze – janë karakteristika të frymës dhe të stilit të Kamysë.

Opusi i Kamysë nuk ofron një imagjinatë spektakulare të papërmbajtur, as edhe postulate të një sistemi filozofik të fortë. Vepra e tij kurrë nuk mbyllet në vete si një përfundim i padiskutueshëm i autorit. Përkundrazi, ajo rishqyrtohet dhe vihet në pikëpyetje. Prej entuziazmit rinor nga drita dhe nga klima e nxehtë e Mesdheut, duke u përshkuar nga ndjenja e absurditetit të jetës dhe të botës, në kontakt me përvojën e sëmundjes dhe të luftës, duke kërkuar humanizëm dhe  solidaritetit njerëzor mbi gërmadhat e vlerave të rrënuara, e deri te bilanci i ankthshëm i luciditetit dhe i pafuqisë së shkrimtarit të shekullit XX, vepra e Kamysë pasqyron me maturi lakoren subtile të dilemave të njeriut dhe të shkrimtarit të kohës sonë.

Fryti më i mirë i krijimtarisë rinore të Kamysë, pa dyshim është  “Gostia” (Noces, 1939), libër me katër ese lirike poetike për Mesdheun. Në faqet e këtij libri janë të pranishëm në mënyrë alternative poeti dhe moralisti: Kamy dëshiron që çështjet të cilat i shtron, t’i ndjejmë, por edhe t’i njohim. Metafora dhe refleksioni filozofik dhe moral ndërrohen radhazi dhe ndërthuren. Në to jehon besimi në mbretërinë e kësaj bote, si një rrugë e vetme dhe e arritshme për njeriun, e përbërë nga drita, nga kaltërsia e qetë e qiellit, nga aroma e detit dhe e luleve, nga nxehtësia e diellit dhe e plazhit, nga jeta e trupit, që e ka filozofinë e vet. Në esetë lirike “Gostia” dhe “Vera”, vërehet ndikimi i romancierit, eseistit, dramaturgut dhe poetit francez, Andre Zhid (André Gide, 1869-1951), më 1947 i laureuar me Çmimin Nobel. Vërehet edhe ndikimi i filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçes (Friedrich Nietzsche, 1844-1900).  

Në vitin 1942 del në dritë romani “I huaji”,një nga veprat fundamentale të letërsisë botërore pas luftës, si dhe eseja filozofike “Miti i Sizifit”. Në këta dy libra autori kërkon kuptimin e fatit njerëzor pas shkatërrimit të vlerave krishtere dhe të vlerave qytetare. Tek “I huaji” Kamy flet për një ndarje ndërmjet individit dhe universit. Mersoja është i përshkuar nga ndjenja se në botën ku jeton, është i rrethuar nga gënjeshtrat e mëdha të njerëzve dhe të institucioneve të shoqërisë, ndaji i dorëzohet botës së pafund të elementeve. 

*   *   *

Romani “Murtaja”dhe eseja filozofike “Njeriu i  revoltuar” synojnë të jenë udhërrëfyes të revoltës dhe të solidaritetit kolektiv pas përvojës së absurdit dhe të vetmisë.

Pjesët dramatike të Kamysë, “Kaligula” (Caligula, 1944) dhe “Mosmarrëveshja”, në një anë, si dhe “Shtetrrethimi” (L’État de siege, 1948) dhe “Të drejtët” (Les Justes, 1950), në anën tjetër, janë alegori dramatike të cilat po ashtu radhiten në polet e absurdit dhe të revoltës.

Kamy ishte i mllefosur nga agresiviteti i “progresistëve” të Parisit. Për këtë flet në romanin e tij të tretë “Rënia” (La Chute, 1956), vepër kjo tejet interesante dhe e ndërlikuar. Ai e quan roman për “heroin e kohës sonë”,e ky është intelektuali – akuzues i akuzuar, gjyqtar i penduar. Ky rrëfim përmban 170 faqe dialog, ose më saktë monolog, për arsye se bashkëbiseduesit të rrëfyesit nuk i ofrohet rasti që të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme. Protagonisti i tij, ndonëse i pajisur me një kulturë impozante, tregon sesi krejt ajo kulturë ia ka vrarë atij pastërtinë shpirtërore dhe njerëzoren. Përkundër kësaj, njeriu mund të bjerë në greminën e pashpresë. Me një ironi të madhe, me virtuozitet dhe stil të përkryer “Rënia” duket sikur dëshmon për ndjenjën e luciditetit dhe të pafuqisë së shkrimtarit të shekullit XX.

*   *   *

Një kohë, Sartri dhe Kamy kishin raporte të afërta. Autorin e “Neverisë” e quanin anije, ndërsa autorin e romanit “I huajit” – barkë të lidhur për këtë anije. Në vitin 1951 Kamy botoi librin “Njeriu i revoltuar”. Shumë studiues e konsiderojnë si një ese të rëndësishme të shekullit XX. Duket sikur kemi të bëjmë me historinë e dramatizuar dhe dramatike të ideve evropianeqë nga iluminizmi deri te mesi i shekullit XX. Në të vërtetë, ky libër është fryt i përvojave kryesore të Kamysë: i përvojës së fashizmit dhe i preokupimit të qarqeve të caktuara të parisienëve në periudhën e pasluftës me idenë e dhunës revolucionare në shërbim të komunizmit. Kamy në të jep analizën dhe kritikën, si të totalitarizmit të majtë, ashtu edhe atij të djathtë.

Ndërkaq, intelektualët e tubuar rreth Sartrit, i cili e pranonte vetëm kritikën e totalitarizmit të djathtë, pikëpamjet e sipërthëna të Kamysë i pritën me kritika të ashpra.

Midis këtyre dy viganëve të mendimit estetik evropian, në revistën Combat të Parisit u zhvillua një polemikë e ashpër që zgjati muaj të tërë. Kritika që Kamy ia bëri totalitarizmit të majtë, për qarqe të caktuara të Perëndimit ishte e mirëseardhur. Në vitin 1957 u  laureua me Çmimin Nobel për letërsi.  

*   *   *

Kamy lëngonte nga TBC-ja. Ishte duhanpirës i pasionuar, njësoj sikur Sartri. Nuk e përfillte institucionin e bashkëshortësisë konvencionale. Gjatë jetës, kishte disa lidhje dashurie. Në vitin 1937 u njoftua në Algjeri me Fransin For (Francine Faure, 1914-1979), matematikane dhe pianiste e specializuar për Johan Sebastian Bahun. Nga martesa e tyre e lidhur më 3 dhjetor 1940, më 1945 (pas çlirimit të qytetit ) lindën në Paris binjakët: vajza Katrin (Catherine) dhe djali Zhan (Jean).  Kjo ishte grua e dytë e Kamysë. Kamy vdiq më 1960, në moshën 47 vjeçare, në një aksident rrugor.

“Erdha t’ju tregoj se, po qe se nuk do të qani në varrimin e nënave tuaja, do të dënoheni me vdekje” – Kamy drejtuar studentëve dhe profesorëve të Harvardit.

*   *   *

Sartrit iu nda Çmimi Nobel më 1964, d.m.th. 7 vjet pasi iu dha Kamysë. Por, ai e shkagoi (e refuzoi) atë. Më 1945 e kishte refuzuar edhe çmimin “Legion d’Honneur” (Legjioni i Nderit).  Më 14 tetor 1964, Sartri i dërgoi Komiteti të Nobelit një letër në të cilën kërkonte që ta hiqnin emrin e tij nga lista e të nominuarve. Njëherazi i paralajmëronte anëtarët e jurisë se, po qe se do ta laureonin, ai nuk ka për ta pranuar Çmimin. Komiteti i Nobelit ndërkaq, nuk e mori parasysh kërkesën e Sartrit dhe më 22 tetor 1960 ia ndau Çmimin Nobel. Arsyet e refuzimit të Nobelit, Sartri i shpjegoi në një prononcim të botuar më 23 tetor 1964 në gazetën Le Figaro të Parisit. Midis tjerash, ai thotë se nuk dëshiron që një çmim i tillë të ndikojë që ai të “transformohet”, duke shtuar njëherazi se nuk dëshironte të merrte anë në konfliktin kulturor midis Perëndimit dhe Lindjes, duke pranuar një çmim nga një institucion kulturor prominent perëndimor.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Xhelal Zenjeli-Albert Kamy-shkrimtar i absurdit

PRESIDENTI THACI THERRET KUVENDIN E RI ME 24 DHJETOR

December 11, 2019 by dgreca

Presidenti Thaçi thërret Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit më 24 dhjetor/

Prishtinë, 11 dhjetor – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 66 (3) dhe nenit 84 pika (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47,  25 janar 2009), si dhe duke marrë parasysh Njoftimin e datës 27.11.2019, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Nr. Protokolli të KQZ-së: 1846-2019, 27.11.2019), për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 29.11.2019 (Nr. Prot.: 1608), sot më datën 11 dhjetor 2019, ka nxjerrë Vendimin Nr. 305/2019 për thirrjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet me datën 24 dhjetor 2019, në orën 9:00.

Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidenti Thaci-Kuvendi- legjislatura-24 Dhjetor

« Fëmijët martirë të Kosovës, 1981-1999 » promovohet në Strasburg

December 11, 2019 by dgreca

Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh promovoi librin « Fëmijët martirë të  Kosovës, 1981-1999 »/

Nga Fotaq Andrea/

Në mjedisin e Shoqatës Kulturore Shqiptare Strasburg-Kelh, zbukuruar me motive, simbole e objekte historike kombëtare, në prani të mjaft bashkatdhetarëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia etj., u bë këto ditë promovimi i librit « Fëmijët martirë të Kosovës » me autorë Hanëmshahe Iliazi e Nusret Pllana.

Fjalën e hapjes e mbajti anëtari i Kryesisë Shoqatës Z. Ilir Shqipnia i cili, pasi falënderoi të pranishmit, përfaqësuesit diplomatikë nga Konsullata e Kosovës dhe e Maqedonisë, si dhe autorin Pllanaj, ardhur posaçërisht nga Kosova për promovimin e librit, vuri në dukje se libri është një dëshmi tronditëse e rrënqethëse për masakrat serbe në Kosovë në vitet 1981-1999, kur humbën jetën e tyre të njomë qindra fëmijë nga mosha një muajshe deri në moshën 17 vjeçare, në lulen e tyre të rinisë. Po ashtu, Z. Ilir theksoi edhe bashkëpunimin e ngushtë të Shoqatës me diplomatin Gani Veseli dhe Kadri Dokën.

Të pranishmit u përshëndetën më pas nga Z. Fotaq Andrea i cili, tek përgëzoi autorët Iliazi e Pllana për botimin e librit “Fëmijët martirë të Kosovës”, ngriti lart vlerat e këtij libri madhor që sjell të freskët në kujtesë martirizimin e Kosovës dhe tragjedinë e rëndë që përjetoi brezi i saj i ri në vitet heroike të Luftës së Kosovës, e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së saj, një ngjarje kjo e shënuar dhe e paharruar në historinë e mbarë kombit shqiptar. Duke u ndalurmë pas, në punën e kryer për një vit me radhë nga kjo Shoqatë e re kur, para së gjithash, u është ndenjur pranë dhe u është gjindur konkretisht me ndihma e strehim emigrantëve shqiptarë, familjeve që kanë humbur të afërm të tyre për të dërguar në Kosovë trupat e pajetë,  autori i këtij shkrimi vlerësoi aktet humanitare e solidarizuese të Shoqatës si dhe theksoi objektivat e saj për të ardhmen, sidomos në fushën e kulturës, kur Shoqata synon të çelë më 15 shkurt 2020 Shkollën e parë shqipe në mjediset e saj, tek ka shpallur tashmë që në fillim të dhjetorit fushatën për regjistrimin e nxënësve. Në të njëjtën kohë, Z. Andrea nënvizoi se Shoqata kulturore shqiptare Strasburg-Kelh do të mbajë lart emrin e saj të nderuar “Skanderbeg-Nënë Teresa”, dy figurat madhore historike me të cilat nderohet e krenohet kombi shqiptar, Skënderbeu, si themeluesi i shtetit të parë të Arbrit dhe Babai i Kombit, dhe Nënë Teresa, Shenjtorja shqiptare që nderohet nga bota mbarë.

Në vijim të veprimtarisë së promovimit të librit “Fëmijët martirë të Kosovës” përshëndetën miq e të ftuar, si dhe vetë autori Pllana, i cili vuri në dukje vlerat e larta të kësaj vepre të rëndësishme që qëndron si monument përkujtimi e përjetësie për 1432 fëmijë kosovarë  të martirizuar dhe për rreth 20.000 nëna e gra kosovare që u dhunuan e u masakruan nga pushtuesi serb edhe shtatzëna e me foshnje në gji. “Është fjala për një genocid të ashpër, pa precedent, tepër tragjik në kohët moderne, genocid ndaj ardhmërisë, ushtruar sistematikisht e me vetëdije për të mbytur vetë të ardhmen e popullit kosovar nëpërmjet vrasjes e masakrimit të fëmijëve, nënave e grave të Kosovës”, theksoi ndër të tjera Dr. Nusret Pllana, i cili tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve me faktin se ky genocid është ende i padënuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe vazhdon të mbetet në Kosovë një plagë e hapur që kullon gjak.

Në vazhdim, u shfaq edhe një dokumentar i përgatitur me këtë rast, që trondit rëndë, që në fillim, sepektatorin, me simbolikën e qarjes së një foshnjeje, jo “qarje gëzimi” për ardhjen në jetë, por “qarje trishtimi, tragjizmi, martirizimi”, në një atmosferë plot lot të hidhur, si vetë realiteti i hidhur i Kosovës martire të fundshekullit XX-të.

Filed Under: Mergata Tagged With: Fotaq Qndrea- Femijet Martire te Kosoves- Strasburg-Nusret Pllana

KUJTESA- 13 DHJETOR 1990: SHKODRA SHKULI DIKTATORIN TIRAN

December 11, 2019 by dgreca

KUJTESA-Arkiv- Më 13 dhjetor 1990 nga ora 12.45 deri në orën 20.00 në qytetin e Shkodrës u zhvillua një demonstratë kundër regjimit komunist. Ndër të tjera, në këtë demonstratë u rrëzua busti i diktatorit që ndodhej në qendër të këtij qyteti. Rezulton se ky bust është i pari i hequr nga piedestalet e qyteteve tona. Për ngjarjen e 13 dhjetorit u ndaluan 78 persona, prej të cilëve 42 u arrestuan. Deri në datën 24.12.1990 u dërguan në gjyq 50 persona. Parullat e hedhura në këtë demonstratë ishin: “Liri, demokraci”, e me pas me parullat “Enver Hitler”, “Poshtë Enver Hoxha”, “Poshtë dhuna”,”Rroftë Amerika”, “Poshtë Policia”, “Ushtria është me ne!, “Ky pushtet mori fund”, etj.

“100  TIRANËT”, autor: NIGEL CAWTHORNE/

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne-Australi/

Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë të vërtetën historike t’ pashkrueme deri tashti për né Shqiptarët:

BOTA MODERNE

ENVER HOXHA (1908 – 1985) Udhëheqës i Shqipnisë

Stalini, modeli dhe idhulli i diktaorit shqiptar/

Jeta dhe Krimet e Enverit/

1908 – Lindi me 16 Tetor 1908 në Gjinokastër, nga një familje me fé myslimane në jug të Shqipnisë…

1930 – Shkoi në Francë për studime.

1934 – Ka shërbye si sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel.

1936 – Ktheu në Shqipni, ku u ba mësues.

1939 – U largue nga arësimi për refuzimin e bamë për pjesmarrje në Partinë Fashiste

Shqiptare; hapi dyqan cigareshitës.

1941 – U formue Partia Komuniste Shqiptare; U zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.

1944 – U formue Qeveria Provizore; Filluan gjyqet e ekzekutimet.

1948 – Zhduku grupin pro-Tito; mbylli Kishat dhe konfiskoi pronat private.

1961 – Ndërpreu marrëdhanjet me Bashkimin Sovjetik.

1978 – Ndërpreu marrëdhanjet me Kinën.

1981 – Seleksionoi partinë dhe drejtuesit e shtetit.

1985 – Vdiq me 11 prill 1985 në Tiranë.

Shenimi F.R.: Libri fillon nga viti 1353 para Krishtit, e vazhdon deri në vitin 2004.

■Në 100 TIRANËT ma barbar të historisë botnore asht edhe Enver Hoxha.

Dijetari i madh i shkencës së matematikës, Prof. Petro Fundo ka thanë:

“Diktatorë si Enver Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes së tyre!”

Ai prap asht mendja, mishi dhe zemra e kalbun e Presidentëve tanë, nga viti 1944…

Ai asht edhe sot udhëheqës i PPSh, Kuvendit Popullor, Qeverrisë dhe Gjykatave.., po dhe i të gjitha Bankave mbrenda e jashta “Shqipërisë”, sepse, “ay e bëri Shqipërinë…”, dyke mbajtur të varura në portofolet e tij “tituj dhe dekorata” per 70 vjetë tiran:

■Dekorata: “Hero i Popujve të Jugosllavisë”1946.Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të B.R.S.S…

HAPNI VARRIN E SHIKONI … Aty do ta gjeni dyke shkruar:

■“APROVOHET NDESHKIMI ME VDEKJE…

NA LAJMËRONI DATËN E EKZEKUTIMIT TË TYRE DHE  VULLNETIN E FUNDIT. Komandanti i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha d.v.”

■Dokumentat e Arkivave tregojnë: 45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre Shqiptare..!

■Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, (të riburgosur dy ose tre herë),  të internuar, të dëbuar, të zhdukur.., që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij të punës e terroriste, po kurrë, të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..!

■Mosprekja e titujve dhe dekoratave sot ka një vlerë të madhe, mbasi Bota kupton se nga presidentët, kryeministrat, kuvendi popullor, qeveritarët, sigurimi i shtetit, organet e “drejtësisë” etj…, ishin dhe vazhdojnë me kenë pasuesit besnikë të tiranisë pashoqe barbare e vrastare enveriste. Kjo pra, asht “Rilindja”!..

            Melbourne, 11 Dhjetor 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: 13 Dhjetori-shkulja e diktatorit- Fritz Radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 799
  • 800
  • 801
  • 802
  • 803
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT