• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

O PAKT KOMBETAR PAQEJE, O DREJTESI SUBLIME

November 27, 2019 by dgreca

O pakt kombëtar paqe, o drejtësi sublime /

Nga Alfons Grishaj/

Kautilya, do të shkruante një qote të mprehtë arabe:“Armiku i armikut tim është miku im!” Kjo shprehje mori dhenë duke u përdorur nga mbretër,perandorë,politikanë deri në ditët e sotme. Amerikanët e përdorin aq shpesh sa duket si citat i tyre. Kautilya nuk e dinte atëherë se kjo thënie  filozofike e popujve arabë, e skalitur  në letër  nga ai, do ta bënte atë më të famshëm  se vepra e tij Arthashastra. 

Në politikën e mëse dy shekujve, kur ulen dy kundërshtarë  së bashku (armiq), dhe bëjnë aleancë kundër një kundërshtari më të rrezikshëm destruktiv, përdorin shprehjen e filozofit Indian, Kautilya: “armiku i armikut tim është miku im”. Sot mëtepër se kurrë, ky citim  është jetik në krizat që kalojnë kombet, por tek ne po forcohet përditë në tranzicionin e gjatë Shqiptar… 

Në Shqipëri, nga përplasja e ideve, interesave, xhelozive dhe bajraktarizmit, u shkërmoqën partitë kryesore, duke lindur ca parti të vogla, të cilat  nga  filozofia politike dhe zhvillimi social nuk kishin apo kanë ndonjë ndryshim thelbësor. Nga këta  konjuktura lindi dhe Partia LSI, një parti që  degët i kishte nga PS , por  gjethet i mori nga të zhgënjyerit e të djathtës dhe qendrës shqiptare, nga që rezulton  se përqindja e elektoratit socialist nuk ka ndryshuar. LSI manovroi në mënyrë perfekte ndaj tëzhgënjyerve, duke u shfaqur si parti e qendrës. Gjatë këtyre viteve, kjo forcë përshkoi disa etapa, herë djathtas e herë majtas, sipas interesave jetike dhe strategjisë së saj, por që nuk u nda përfundimisht nga historia e qendrës majtë. Pas ardhjes së Monika Kryemadhit në krye të partisë, duket se raportet kanë ndryshuar seriozisht, çfarë  tregon se  aleanca me të djathtën shqiptare të kryesuar nga PD dhe Lulëzim Basha është e konsoliduar si kurrë më parë. Në politikë, gratë janë më besnike se burrat, sepse burrat lurtojnë superioritetin egoist kalorsiak, kurse gratë janë brumë i përdheshëm, rregullator dhe zemrek i familjes dhe shtetit.

Në pakte afatmesme dhe afatgjatë, diferencat programore kalohen pa u vënë re, sepse çështja kardinale e atdheut i vë në gjumë interesat personale dhe partiake. Nëse flasim më dorë në zemër dhe jemi të sinqertë  me njeri-tjetrin, Shqipërisë i duhet njëpakt i tillë mbase dhe 25 vjeçar. për të dalë nga impakti i empirizmit dhe injorancës politike .

Dikush mund të thotë me të drejtë, po dhe këto janë përgjegjës për dekadencën e sotme politike. Unë u përgjigjem, po! Por ka një ndryshim thelbësor, midis LSI, PD, PR etj…, dhe,  “Rilindjes”, ku eufemiza nuk ia fsheh dot  emrin real: “PP”, trashigim i komunizmit çnjerëzor. Kjo ishte dhe arsyeja që disa demokratë të djathtë të diasporës së Michiganit dhe përfaqësues të Vatrës… pritën Kryetaren e LSI dhe  shoqërueset  e saj, Kejdi Mehmetaj, Elona Guri etj.  Zonja të çiltra pakomplekse dhe me një vizion të çliruar nga rëndesa e politikës amorfe. 

Vatra ka pritur dhe më parë Kryeministrin Rama, Presidentin Meta, Presidentin Nishani e të tjerë Presidentë të tokës arbnore. Eshtë në strategjinë e  Vatrës të mos bëjë dallime, sepse ajo vë interesat kombëtare  mbi ato partiake! Porse në momente të caktuara, ajo godet gabimet e çdo politike dritëshkurtë dhe militanteske që anashkalon interesat e përgjthshme ,duke vënë interesat e verbta partiake mbi ato të Shqipërisë etnike. Vatra nuk takon partiakë “strategë” me pushtet apo papushtet që vijnë për të krijuar seksionet  e partive për të  përçarë Diasporën, si në rastin  Majko.

Zonja Kryemadhi, nuk erdhi për një gjë të tillë. Ajo erdhi për të rrahur dhe vjelur mendime nga pjesa e mohuar e politikës qorre, pra duke respektuar diasporën si një  pasuri kombëtare që mund të japë frytet e veta në momente deçizive. Në fjalën që ajo mbajti  (në darkën me Vatranë, përfaqësues të Shoqatës “Malësia e Madhe” dhe disa përfaqësuesve me integritet, siç ishin Dom Ndue Gjergji, Dom Fred Kalaj, Kol. Dritan Demiraj,  etj…),  foli me sinqeritetin e nje nëne, e një gruaje shqiptare, e një politikaneje që ka gabuar, dhe që  jep shpresë për ndreqjen e gabimeve në të ardhmen. Mbi të gjitha, ajo vuri theksin se, gjetja e rrugës tek besimi në Zotin, ishte shtylla kryesore e ndryshimit shpirtëror e psikologjik të saj që e ndriçon në  rrugën  për t’i shërbyer të ardhmes së atdheut. 

Personalisht nuk e kam njohur kurrë frikën, por ndjej trishtim kur bisedoj me karaktere që nuk besojnë në Zot, se ata kulmojnë në më të keqen njerëzore! Kritika  e zonjës Kryemadhi, për Edi Ramën, ishte  therëse, por e goditur: “Që në kohën e Enver Hoxhës,  Shqipëria nuk ka pasur mbi krye njeri më negativ dhe anti-kombëtar  se Edi Rama”! 

Siç u pa në fjalën e saj, pakti i të Djathtës me LSI ishte një pakt vital për Shqipërinë. Unë besova (dhe 98% e të ftuarve ) se ishin fjalët e shpirtit të një shqiptareje që është lodhur me arrogancën e politikave të verbëta partiake.

Në fakt, filozofia ime është e ndryshme me pasqyrën e politikës sotme, por kam dëshirë që për hir të Shqipërisë të bekohet një pakt i tillë! Dhe për hir të Shqipërisë, guxoj të shkoj dhe më larg: le të bëhet një pakt i gjithë politikës shqiptare për një çerek shekulli (për të pastruar dhe shëndoshur e ngritur në nivelin europian, përfshi dhe Partinë Socialiste), por këta të fundit, duhet të ndahen njëherë e mirë nga e kaluara komuniste, duke dënuar komunizmin me vepra dhe jo me fjalë, ku të ndërtojëdhe një program dinjitoz në shërimin e plagëve të klasës persekutuar.

Kristian-demokrati De Gaspri, një nga etërit e Europës së Bashkuar do ta pranonte si zëvendësin e tij, komunistin idealist  Palmiro Toliati,  ku ai do shprehej për të: “Ai është shumë i zoti sa ta ndajë vendin në dysh, por përsëri meriton respekt!”. Pra,  interesat e shenjta të kombit bëjnë që gjatë dimrit të egër të  flejë  bashkë macja me miun.   

Për të kaluar krizat duhet bashkëpunim i sinqertë i të gjithëve. Sikur ta shohim nga ana filozofike , duhet ta marrim dhe më lehtë, se asnjeri nuk lindi demokrat apo komunist, po bëhen gjatë rrugës.

Jam i sigurtë se  disa miq dhe të persekutuar  nuk mund të jenë të një mendimi me mua, por shoqëria shqiptare  nuk ka asnjë rrugë tjetër paqësore, sepse  65%  e bijve  të së djathtës reale shqiptare kanë braktisur vendin  dhe  35%  të mbetur në atdhe nuk do ta  kenë të mundur që pa alenca  të rrëzojë qeverinë e krimit, e cila ka penalizuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe  paralizuar zhvillimin e vendit. Mjafton të shohësh vetëm një përgatitje të thjeshtë, siç ishte inaugurimi i stadiumit të Tiranës në ndeshjen Francë-Shqipëri dhe do shikosh defiçencën  e shumëanëshme. Koerografia dhe fillimi i muzikës ishin vjellur nga filmi indian “Taal”, që pasonte rreshtat e shformuar të valltarëve… pasqyrë e rutinës dhe amatorizmit të një qeverie injorante , dhe kulmimi i ushtimës :  “Rama Ik!”. Dhe kalbësimi  qeverisjes tij pasyrohet në fatkeqësinë natyrore që goditi Shqipërinë, i cili deri më sot  nuk shpalli gjendjen emergjente të shtetit …, kur në Amerikë pas çdo fatkeqësie natyrore , qoftë dhe për një borë të rëndë  shpallet State Emergency .

Tani, unë shoh dhe disa fjalë kritike super-antikomuniste, të cilat (sipas mendimit tim) janë irealizëm dhe anakronizëm, duke theksuar se dërdëllisja  është shprehje  e të dobëtit. Produktivitet real kombëtar nacional e anti-komunist është Dielli me kryeredaktor Dalip Greca, Gazeta  RD, Gazeta 55 etj . Janë veprat e Uran Butkës, At Zef Pëllumbit, Pjetër Pepës, Sami Rrepishtit, Elez Biberaj, Romeo Gurakuqi…, denoncimet e Nebil Çikës, Agostin Mirakës, Çezar Ndreut, Pëllumb Lamaj, Mërgim Korça, Uran Kostreci, etj… Sot është koha e veprave! 

Nëse nuk bëhet një pakt kombëtar, ku të dënohet komunizmi dhe të mbretërojë paqa, tallja dhe dhuna e neokomunistëve duhet ndalur me çdo çmim !!! Koha po troket në të gjitha familjet e persekutuara shqiptare për të nxjerrë Antonio Pallante! Sepse dhuna sistematike e krimit neokomunist nuk mposhtet me fjalë, por me drejtësi sublime.

Filed Under: Politike Tagged With: Alfons Grishaj-O Pakt Kombetar Paqeje- O drejtesi Sublime

RRETH FLAMURIT KOMBETAR…

November 26, 2019 by dgreca

Kur jam pranë Flamurit dhe komunitetit tim në Amerikë duket sikur kam gjithë botën me vehte.  M.Gjonaj/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Flamuri Kombëtar është i shenjtë kudo ku frymojnë shqiptarë.  Gjaku i derdhur lumë për ta mbajtur atë Flamur dhe valëvitur krenar në trojet amtare e bën historinë tonë shqiptare legjendare dhe të ndritur në përjetësi.  Para Flamurit përulet gjithë Kombi dhe kështu do të vazhdojë brez pas brezi derisa të ketë shqiptare mbi tokë. 

Në Marina Del Rey restorant në Bronx, z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit” dhe këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut së bashku me shoqatat e Diasporës mblodhën shqiptarët për të festuar 107- Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Shqiptarët me flamujt kuq e zi ne duar vinin grupe grupe me fytyrat e qeshura nga gezimi per të festuar këtë ditë të shenjtë të Kombit.  Salla e madhe dekoruar me shije dhe me simbolet kombëtare ndrinte në atë mbremje të bukur dhe natyrisht kjo i përkushtohet znj.Vera Mjeku së bashku me stafin që kishin punuar fort për të pritur sa më ngrohtë dhe me dashuri këtë aktivitet madhështor .  Tavolinat kuq e zi kishin për cdo person nga një plis të bardhë që shpesh më dukej sikur pranë kishim dhe flisnin me ne, të gjithë ata burra të ndritur që luftuan kundër perandorisë osmane dhe gjithë armiqve të Kombit për ta mbajtur lart atë Flamur. I morëm plisat e bardhë dhe i vumë në kokë, ku me këtë lloj veshje të ngjallet një lloj emocioni dhe kënaqësie që ngelet gjatë në kujtesë. 

Programi u prezantua nga vajza bukurane Miss New York USA 2019-të Florinda Kajtazi së bashku me oficerin e policisë amerikane djalin me origjinë shqiptare Valdrin Nikqi.

Të gjithë pjesëmarrësit e shumtë që mbushnin sallën plot e përplot u ngritën në këmbë për të kënduar Hymnet kombëtare shqiptare dhe amerikane, të cilat u interpretuan nga këngëtari legjendë Ilir Shaqir dhe Dea Elezaj.

Një qëndrim solemn dhe shumë prekës ishte kur në sallë hynë me uniformën e policisë, ushtarakët shqiptaro amerikanë të cilët kanë dhe shoqatën e tyre “Illyria”.  Në rreshtin e pare një ushtarak hyri me dy vajzat e tij të veshura me kostumet kombëtare shqiptare çka e bënte dhe më të bukur atmosferën. 

Mbrëmjen e hapi z.Mark Gjonaj këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut.  Fjalimi i tij u mirëprit me duartrokitje të fuqishme ku midis të tjerash tha se: “Kur jam pranë Flamurit dhe komunitetit tim në Amerikë duket sikur kam gjithë botën me vehte.  Mark Gjonaj është politikani më popullor dhe më i dashur për Diasporën shqiptare ngase gjithmonë e ka në qendër të vëmendjes komunitetin dhe çështjen kombëtare jo me fjalë, por me vepra konkrete.  Mark Gjonaj është një shembull frymëzimi.

Gjallëri dhe vitalitet i dhanë mbrëmjes grupi i valleve Freskia “Ana e Malit” dhe grupi “Rozafati” i qendës “Nëna Terezë” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”.

Në emër të shtetit shqiptar përshëndeti Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare.

Folësi kryesor ishte shefi i stafit të Federatës Pan Shqiptare “Vatra” Dr.Pashko Camaj i cili përshëndeti në emër të Komisionit organizativ si edhe në emër të kryesisë dhe kryetarit të Federatës Pan-shqiptare “Vatra” z.Dritan Mishto.

Dr.Camaj ndër të tjera tha: “Jemi tubuar sonte për të festuar 107-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar,dhe njëkohësisht të kujtojmë heronjt tanë dhe sakrificat e tyre për këtë ditë të madhe.

Ky tubim sonte, bëhet në frymën e bashkëpunimit ndër shqiptarë, gjë kjo që është dëshmuar si i vetmi çelës për suksesin dhe të mirën tonë të përbashkët. Uniteti dhe fryma e bashkimit, ishin shtytësit kryesorë edhe për formimin e Fedratës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, këtu e 107 vite më parë, kur grupacione të ndryshme, nga anembanë SHBA-të, vendosën të bashkohën dhe si të bashkuara, të japin konributin e vet, fillimisht për krijimin e shtetit shqiptar, por, po me aq rëndësi, edhe për vendosjen e shtetit në binarë, të cilët do ta çonin përpara kombin tonë.

107-Vjetorin e Pavaresise e përshëndetën dhe shumë politikanë të lartë amerikanë si Kongresisti, Adriano Espaillat, Senatorët Jamal Bailey, David Carlucci, Ansambleisti Benedetto and Assembleistja Nathalia Fernandez, Këshilltari Ritchie Torres, Nënkomisioner May Malik nga zyra e Kryetarit te Bashkise së Nju Jorkut, si dhe Emiljana Ulaj nga zyra e Asambleistes Shelley Mayers.

Krenari ishte për të gjithë se në këtë mbrëmje morën pjesë dhe politikanët e rinj të zgjedhur shqiptaro amerkan si Jetlir Kulla, anëtar i Këshillit në Waterbury, Vedat Gashi, në Westchester County ligjvënës. 

Nderoi me pjesëmarrjen dhe përshëndeti Kryetari i Komunës së Tuzit z.Nik Gjeloshaj.

Pjesëmarrësit u argëtuan me këngë e valle nën interpretimin e legjendës së muzikës Ilir Shaqiri, Arben Krasniqi, Mimoza Gjikola dhe Griselda Pepa.

Pas mbrëmjes njerëzit të gëzuar përshëndesnin njeri tjetrin dhe uronin se viti tjetër do t’i gjejë të bashkuar rreth Shqipërisë etnike. 

Së shpejti TV “Alba Life” me kameraman z.Elton Xhaferri do të sjellë kronikën rreth kësaj mbrëmje festive dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.

Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit

Marina del Rey, 23 nëntor, 2019

Bronx, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: keze Kozeta Zylo-Mark gjonaj-Rreth Flamurit

EDHE NJI HERË PO E KUJTOJ MARK GJOMARKAJN

November 26, 2019 by dgreca

“Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme”- MARK GJOMARKAJ/

Shkruar nga TAHIR KOLGJINI*/

            Në fletoren L’ALBANIE LIBRE, qi dikur ishte organi për faqe të bardhë i Blokut Kombtar Indipendent, ishte kujtue sa herë i ndjemi Mark Gjomarkaj, tue iu vumë në dukje cilsinat e tija si nji shqiptar me plot merita. Po kështu, disi âsht bâmë fjalë  për tê, në data të ndryshme, edhe në Lajmtarin e të Mërguemit.

            Të gjithë shqiptarët, qi kanë flîjue jetën e tyne për nji Shqipní të Lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtê mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..

            Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shum pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.

*****

                Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme.

            Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuq( qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942. Ishem ngarkue me detyrë në Kukës. E vizitova. Pashë se ishte shum i kujdesshëm për të ndigjue e shum i preftë në shprehje. Aspak nuk më kishte gënjyem parashikimi i em, qi pata për tê, atëherë kur ishte student.

            Mbas këtij takimi, qoftë për arsye detyre, qoftë për arsye miqsie, shifeshim mâ shpesh. Dhe, sa herë kur takoheshim, bisedonte përzemërsisht e me nji guxim të jashtëzakonshëm tue iu dhânun  rândësi në shkallë të parë problemeve dhe interesave kombtare. Synonte me mbajtun nalt autoritetin shqiptar, tue mos i përfillun asnji grimë rrethanat, qi mund t’i shkaktonte gjêndja delikate e kohës.

            Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja, nuk i bânte përshtypje. Ma vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej , me kapitullimin  e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem, me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.

            Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msŷmje, ose kërcnim . Në këtë mënyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje me punue me qetësi e me gjak të ftoftë.

***** 

            Aty tue u damë vera e vjeshta në vjetin 1944, brigadat komuniste, patën depërtue në disa lagje të Tiranës dhe pozicioni i qeverís pat fillue me u tronditun keqas. Un, ishem i ngarkuem me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policís. Po na duhet me u zmbrapsun për Shkodër me nji pjesë të personelit dhe të mjeteve, qi ende i kishim në dispozicion. Natën n’udhtim e sipër, të gjitha mjetet, na u shkatrruen nga bombardimet e fluturakëve anglo – amerikane dhe na mbetëm rrugës. Patëm edhe disa të vramë. Ata qi tepruen mbërritën në Shkodër. Un shkova fillë në shtëpinë e Kapidanit. Në kët kohë dhe Marku ishte në Shkodër.

            Si dihet, në Shkodër aso kohe, qe formue “Komiteti Kombtar i Shkodrës” nën kryesín e të ndiemve Sylçe Beg Bushatit dhe të Kapidan Gjon Marka Gjonit. Mark Gjomarkaj ishte ngarkue me detyrën e Komandantit të përgjithshëm të Forcave t’Armatosuna Kombtare. Ky Komitet, kishte për qëllim me ndalue hŷmjen e komunistëve në këtê pllâmbë të fundit të tokës shqiptare, për me mundë me lehtësue nji shkarkim eventual të ndonji force anglo – amerikane në Shqipní ose në ndonji vênd në zonën e Shkodrës.

            Kapidan Gjoni më njoftoi se mue më kishin ruejtun detyrën e Prefektit të Shkodrës dhe, si i tillë, më ngarkojshin dhe me detyrë antarësíe në Komitet. Iu falënderova, tue i thânun se jam drejtue për në Gjermaní dhe se mbrênda javës, bashkë me dy oficerë gjermanë, me nji aeroplan ushtarak nisemi për Vjenë.

            “Or Tahir,” më thotë Kapidani, “na o do të shpëtojmë bashkë, ose do të vdesim bashkë.” Mbi këtê dhe un e pranova këtê detyrë. Njeriu vdekjen e pranueka mâ tepër prej turpit se sa prej trimníe. E si u pashë edhe me Sylçe Beg Bushatin mora Prefekturën e Shkodrës në dorëzim.

*****

            Ndërsa lufta vazhdonte me vrull në Mirditë dhe aty këtu derdhas në malsinat e tjera të Shqipnís, Markut i bâj këtê propozim:

            “Thika ka hasun n’asht. Komunizmi nuk mund t’asgjâsohet me masa gjysmake. Prandej, me nji urdhënesë, duhet të rekuizojmë të hollat dhe pasunín e luejtshme të bankave dhe të tregtarëve të zonës s’onë, pa përjashtim. T’iau kërkojmë për kundrejt dëftesash, tue i u dhânun nji afat të shkurtën. Kush nuk e jep shumën e kërkueme mbrênda afatit të caktuem….. në litar!….. Armë ka. Me nga njimijë frank në muej të përbâjmë nji forcë prej 15.000 vetësh dhe t’a ndezim luftën në nji ballë të gjânë, tue i mobilizue edhe vendet e shlirueme. Si t’i fusim forcat komuniste në dana, të marshojmë deri në kufînin grek. Me krijimin e nji qeverie kombtare, ka gjasë qi të zbarkojë ndonji njisí anglo – amerikane. Dhe shteti, si të stabilizohet gjêndja, t’interesuemve i u paguen pasunín e rekuizueme.”

            “Fitimi âsht i yni, mbasi komunizmi jugosllav e grek nuk janë gjêndje  me i u ndihmue komunistave shqiptarë. Me gjithë këtê, të supozojmë se nuk mundëm me i a mbërrîmë këtij caku, atëherë me të tânë këtê fuqí po e çajmë me pushkë; po hŷjmë në Greqi dhe po i dorëzohemi gjeneral GOBI-t”.

            I ndjemi Mark, pa nji pa dy, e pranoi kët pikëpamje. I a hapëm Kapidan Gjonit. Dhe ai e pranoi. Mirëpo kur i a parashtruem Sylçe Begit, ai nuk u tregue d’akord mbasi natyra e tij nuk ishte e krijueme për me zbatue masa kësodore, qi sjellin përgjegjësina të rânda.

            Prandej edhe kjo masë, qi ishte e vetmja shpresë, mbeti pa u sendërgjue.

*****

            Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet e ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit.Në kët rasë Marku më drejtohet:

            “Or Tahir, duhet të përgatitesh se Ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”

            “Për ku or Mark?”

            “Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.

            “Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.

            “Baba âsht i vjetër; prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mund t’i lâ vetëm. N’atë minutë, qi un të largohem nga Shqipnía, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”

            Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:

            “E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnía dikur, në nji mënyrë ose në nji tjëtër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”

            Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.

            Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjon Marka Gjonin, lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo: Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.

*****

            Sigurisht, disa burra nacionalista do të kenë mbajtun shënime dhe do t’i përshkruejnë ndodhinat me imtësi. Un këtu, shkurtimisht po shënoj disa pika kryesore për hir të historís kombtare.

            Marku, më 26 Nandor e le Shkodrën, tue pasë me vehte nji fuqí të përbâme prej afër trimijë vetësh. Me qênë se shokët i kishte lanun të lirë me u dorëzue, ose me ndjekun rrugën e arratís me ushtrín gjermane, nji pjesë e kësaj fuqíe i dahet. Me fuqín qi i mbetet Ai vazhdon udhën nëpër vênde të ndryshme malore, tue kapërcyem lumej, gryka, kodra e suka të vështira dhe tue luftue e tue çamë me pushkë shum prita, të cilat ishin vûmë nga nji pjesë e popullit qi e kishte mashtrue komunizmi.. Lemisht në këto derdhet shumë gjak prej të dy palëve. Për këtë shkak Marku vendos qi forcat, aty për aty, të shpërndahen andej-këtej, ku t’a shikojnë me arsye, tue mbajtun ndërlidhjet rregullisht medis tyne. Dhe vetë me disa shokë kalon në Merditë.

            Gjatë kohës qi Marku qëndron n’arratí krijon nji organizatë kombtare, e cila shtrihet thuejse në krejt Shqipnín. Mirëpo edhe kjo, mjerisht dështon, për shkak se nji pjesë e kësaj organizate, veprimin e fillon para dtës së caktueme. Kësaj here Tirana vendos me e mnjanue kët rrezik dhe shton e shpeshton seriozisht ndjekjet. Dhe Mark Gjomarkaj, në nji ndeshje qi zhvillohet në vendin e quejtun Prosek të Merditës, më dattën 13-6-1946 plagoset rândë. Dhe më 14-6-1946, n’ora 7.00 vret vehten me revolverin e vet, për mos me i u dorëzue i gjallë komunistëve.

*****

            Mbas vetëvrasjes forcat komuniste trupin e Markut e ekspozojnë në Shpal, në Lesh e në Shkodër, tue e zvarritun e tue e shkelmue.

            Kjo sjellje banale në vetvehte tregon se komunizmi asht nji shfaqje kundërnjerzore.

            Nacionalizmi shqiptar nuk do t’i harrojë kurrë dëshmorët e vet.

            Hiri i Zotit qoftë me Mark Gjomarkajn dhe me shokët e idealit të tij të shênjtë.

            Marrë nga “Lajmëtari i të Mërguemit”, nr. 12, viti i 7, korrik 1976, fq. 11 – 15 (E dergoi per Diellin Eugjen Merlika)

Filed Under: Histori Tagged With: Mark Gjomarkaj-Shkrim-Tahir Kolgjini

KOSOVA NDIHMON SHQIPERINË E GODITUR MGA TËRMETI

November 26, 2019 by dgreca

-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme merr vendim për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në ndihmë Republikës së Shqipërisë dhe për ndarjen e mjeteve financiare prej 500 mijë eurosh për Shqipërinë/

– Në Shqipëri edhe njësia e kërkim-shpëtimit e Gardës Kombëtare të Kosovës / 

PRISHTINË, 26 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/Kontingjenti i FSK-së, Policisë së Kosovës, Ndërmarrjet Publike si TREPÇA – Një ekip të Çetës së Shpëtimit; Miniera e Artanës, një ekip të Çetës së Shpëtimit; Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Njësia e Zjarrfikësve; Kompanitë e Mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe të gjitha institucionet e tjera të sigurisë, janë mobilizuar dhe janë nisur për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë, kjo pas vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur pas tragjedisë dhe gjendjes emergjente, pasuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë.  

Me të nisur mbledhja e jashtëzakonshme, kabineti qeveritar ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën pas tërmetit në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, shprehu dhimbjen për jetët e humbura në Shqipëri dhe për të gjithë të prekurit e tjerë nga kjo tragjedi.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar për hapat që duhet ndërmarrë bazuar në ligjet në fuqi për tragjedi të kësaj natyre jashtë vendit.

“Sipas Ligjit nr.04/l-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, në 8 Operacionet humanitare përcaktohet se; Dërgimi i kontingjentit të FSK-së në operacionet humanitare bëhet mbi bazën e kërkesës për ndihmë nga shteti pranues, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, me ftesë të ndonjë organizate ndërkombëtare, apo me kërkesë të ndonjërit nga shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare të sigurisë si dhe me ndonjë Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së jashtë vendit për operacionet humanitare e merr Qeveria e Republikës së Kosovës, bazuar në propozimin e Ministrit të FSK-së apo cilido ministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, varësisht se kujt i drejtohet kërkesa. Presidenti i Republikës së Kosovës pas marrjes së vendimit nga Qeveria, autorizon dërgimin e kontingjentit të FSK-së dhe njofton Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në momentin e autorizimit nga Presidenti, Kryeministri autorizon Ministrin e FSK-së ta urdhëroj dërgimin e kontingjentit të FSK- së  jashtë vendit.

Pas vendimit të Kabinetit Qeveritar për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në ndihmë Shqipërisë, Kryeministri në detyrë Haradinaj, ka marrë vendim për dërgimin e kontingjentit të Policisë së Kosovës, të ekipeve të tjera të sigurisë nga Ndërmarrjet publike dhe vendimin për dërgimin e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë, për dhënien në shfrytëzim të makinerive të rënda, që t’u dalin në ndihmë ekipeve të kërkim shpëtimit në Shqipëri.

Po sot, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të ndajë shumën financiare prej 500 mijë eurosh, për Shqipërinë.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kërkuar gjithashtu që Institucionet e Kosovës, të plotësojnë të gjitha aspektet protokollare, të nevojshme, në rastet e tërmetit për Kosovën.

“Kërkoj nga institucionet publike, si spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera, që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshirë caktimin e personave përgjegjës, planet e evakuimit dhe personat përgjegjës ndaj këtyre emergjencave”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, lidhur me hapat dhe procedurat që duhet ndjekur në raste të tilla. 

Gjithashtu përkitazi me këtë fakt, duke e ditur që edhe Kosova mund të preket nga fatkeqësi të tilla, Kryeministri në detyrë Haradinaj ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, që menjëherë të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm që të jemi në gjendje gatishmërie.

“Në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve, nëse një gjendje e tillë ndodh në Kosovë, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme”, tha Kryeministri në detyrë Haradinaj, duke sqaruar se Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.

Në fund të takimit të jashtëzakonshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se ndjehet thellësisht i prekur nga tragjedia që ka prekur Shqipërinë dhe popullin e saj.

“Mendimet dhe lutjet e gjithë popullit tonë, në këto momente janë me qytetarët e Shqipërisë, bashkëkombësit tanë, të gjithë ata që humbën jetën, familjet e tyre, familjet e të lënduarve dhe të gjithë të prekurve të tjerë nga kjo fatkeqësi”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj./b.j/

 ***

Qeveria e Kosovës merr vendim për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në ndihmë Republikës së Shqipërisë dhe merr vendim për ndarjen e mjeteve financiare prej 500 mijë eurosh për Shqipërinë

Prishtinë, 26 nëntor 2019– Kontingjenti i FSK-së, Policisë së Kosovës, Ndërmarrjet Publike si TREPÇA – Një ekip të Çetës së Shpëtimit; Miniera e Artanës, një ekip të Çetës së Shpëtimit; Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Njësia e Zjarrfikësve; Kompanitë e Mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe të gjitha institucionet e tjera të sigurisë, janë mobilizuar dhe janë nisur për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë, kjo pas vendimit të sotëm të Qeverisë në detyrë të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur pas tragjedisë dhe gjendjes emergjente, pasuar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë.  

Me të nisur mbledhja e jashtëzakonshme, kabineti qeveritar ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave që humbën jetën pas tërmetit në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, shprehu dhimbjen për jetët e humbura në Shqipëri dhe për të gjithë të prekurit e tjerë nga kjo tragjedi.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj ka informuar kabinetin qeveritar për hapat që duhet ndërmarrë bazuar në ligjet në fuqi për tragjedi të kësaj natyre jashtë vendit.

“Sipas Ligjit nr.04/l-177 për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, në 8 Operacionet humanitare përcaktohet se; Dërgimi i kontingjentit të FSK-së në operacionet humanitare bëhet mbi bazën e kërkesës për ndihmë nga shteti pranues, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, me ftesë të ndonjë organizate ndërkombëtare, apo me kërkesë të ndonjërit nga shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare të sigurisë si dhe me ndonjë Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së jashtë vendit për operacionet humanitare e merr Qeveria e Republikës së Kosovës, bazuar në propozimin e Ministrit të FSK-së apo cilido ministër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, varësisht se kujt i drejtohet kërkesa. Presidenti i Republikës së Kosovës pas marrjes së vendimit nga Qeveria, autorizon dërgimin e kontingjentit të FSK-së dhe njofton Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në momentin e autorizimit nga Presidenti, Kryeministri autorizon Ministrin e FSK-së ta urdhëroj dërgimin e kontingjentit të FSK- së  jashtë vendit.

Pas vendimit të Kabinetit Qeveritar për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në ndihmë Shqipërisë, Kryeministri në detyrë Haradinaj, ka marrë vendim për dërgimin e kontingjentit të Policisë së Kosovës, të ekipeve të tjera të sigurisë nga Ndërmarrjet publike dhe vendimin për dërgimin e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë, për dhënien në shfrytëzim të makinerive të rënda, që t’u dalin në ndihmë ekipeve të kërkim shpëtimit në Shqipëri.

Po sot, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të ndajë shumën financiare prej 500 mijë eurosh, për Shqipërinë.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka kërkuar gjithashtu që Institucionet e Kosovës, të plotësojnë të gjitha aspektet protokollare, të nevojshme, në rastet e tërmetit për Kosovën.

“Kërkoj nga institucionet publike, si spitalet, shkollat dhe institucionet e tjera, që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshirë caktimin e personave përgjegjës, planet e evakuimit dhe personat përgjegjës ndaj këtyre emergjencave”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, lidhur me hapat dhe procedurat që duhet ndjekur në raste të tilla. 

Gjithashtu përkitazi me këtë fakt, duke e ditur që edhe Kosova mund të preket nga fatkeqësi të tilla, Kryeministri në detyrë Haradinaj ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, që menjëherë të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm që të jemi në gjendje gatishmërie.

“Në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve, nëse një gjendje e tillë ndodh në Kosovë, Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme”, tha Kryeministri në detyrë Haradinaj, duke sqaruar se Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës, vetëm gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, ushtron funksione ekzekutive që kufizohen në funksionet që ndërlidhen në veçanti me Gjendjen e Jashtëzakonshme. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të drejtohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, sikur rregullohet me ligj. Gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme, Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës do të bashkëpunojë ngushtësisht me Qeverinë, Kuvendin dhe autoritetet ndërkombëtare.

Në fund të takimit të jashtëzakonshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se ndjehet thellësisht i prekur nga tragjedia që ka prekur Shqipërinë dhe popullin e saj.

“Mendimet dhe lutjet e gjithë popullit tonë, në këto momente janë me qytetarët e Shqipërisë, bashkëkombësit tanë, të gjithë ata që humbën jetën, familjet e tyre, familjet e të lënduarve dhe të gjithë të prekurve të tjerë nga kjo fatkeqësi”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.

POLICIA E KOSOVËS MOBILIZOHET DREJT SHQIPËRISË

PRISHTINË, 26 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI/ Sot, në orët e hershme të mëngjesit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës, ka mobilizuar njësitet e saja policore të cilat i ka nisur në drejtim të Republikës së Shqipërisë, për t’iu asistuar njësiteve emergjente të cilat janë të inkuadruara në operacionin e kërkim-shpëtimit, si pasojë e tërmetit të fuqishëm të ndodhur në disa lokacione të Shqipërisë.

Njësitet policore të PK-së, në përbërje prej njëqind e dhjetë (110) operatorëve të njësiteve të specializuara, të pajisura me pajisje të ndryshme logjistike, të cilat tanimë kanë kaluar kufirin e Kosovës, do të jenë në shërbim të autoriteteve të Shqipërisë dhe sipas nevojës emergjente do të operojnë në kërkim-shpëtim të banorëve që dyshohet se kanë mbetur nën gërmadha të objekteve të rrënuara.

Policia e Kosovës shpreh gatishmërinë e saj që të vejë në funksion të gjitha kapacitetet policore dhe logjistike, në përkrahje dhe mbështetje të autoriteteve të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj, të prekur nga tërmeti i mëngjesit të sotëm.

Po ashtu Policia e Kosovës do të jetë në gjendje gatishmërie që sipas nevojës të angazhohet edhe në Kosovë, ku janë regjistruar disa tërmete të shkallës më të ulët.

Në Shqipëri edhe njësia e kërkim-shpëtimit e Gardës Kombëtare të Kosovës 

PRISHTINË, 26 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI/ Ministri i Mbrojtjes i Kosovës,  Rrustem Berisha, pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e njerëzve, dhe menjëherë ka dhënë urdhër për nisjen e një kontingjenti të FSK-së, për tu dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë.

Në mesazhin e Ministrit Berisha thuhet. “Sapo jam informuar edhe zyrtarisht nga autoritetet shqiptare për tërmetin dhe pasojat e tërmetit në Shqipëri. Fatkeqësisht, tërmeti ka shkaktuar edhe humbje jetësh dhe dëmtime të mëdha materiale. Ne shprehim ngushëllime dhe keqardhje familjarëve të viktimave dhe Qeverisë së Shqipërisë, duke treguar gatishmërinë tonë për dhënë ndihmë në këtë situatë. Si Ministri dhe FSK, kemi dhënë urdhër për nisjen e menjëhershme të njësisë së kërkim-shpëtimit të Gardës Kombëtare të Kosovës për në zonat e prekura nga tërmeti”.

Albin Kurti: Kosova e përjeton dridhjen e dhimbjen e Shqipërisë

PRISHTINË, 26 Nëntor 2019-Gazeta DIELLI/ Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kandidat për kryeministër të Qeverisë së re të Kosovës,  deklaroi sot gatishmërinë për të ndihmuar për çdo gjë Shqipërinë e goditur nga tërmetet.

“U ndje shumë edhe në Prishtinë. U zgjuam të gjithë. Por tash mendjen, sytë dhe veshët i kemi te Durrësi, te Kurbini e Thumana. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe shërim të plagosurve e të lënduarve. Lutemi e urojmë që të mos përsëritet tërmeti. Kosova e përjeton dridhjen e dhimbjen e Shqipërisë. Jemi të gatshëm t’iu ndihmojmë autoriteteve zyrtare për çdo gjë”, u shpreh Kurti.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kosova-ndihmon Shqiperine-Termeti

KA NDERRUAR JETE GJERGJ ZEF CAMAJ- SOT SHERBIMET FUNERALE

November 26, 2019 by dgreca

Familja Camaj ka njoftuar se me 23 nëntor 2019 është ndarë nga jeta në moshën 73 vjeç, Gjergj Camaj(5 shkurt 1946 – 23 nëntor 2019.)

Trupi i të ndjerit do të pushojë në shtëpinë mortore Funeral Home: Pleasant Manor Funeral Home, Inc. ‪575 Columbus Avenue Thornwood, New York 10594, sot, të martën me 26 Nëntor 2019, prej orës 2pm- 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të mërkuren me 27 nëntor 2019, në orën 11am, në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”. Pas meshës trupi i të ndjerit do të përcillet në varrezat Gate of Heaven,10 West Stevens Avenue- Hawthorne, NY 10532.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjergj Camaj-nderroi jete-23 nentor 2019

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 816
  • 817
  • 818
  • 819
  • 820
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT