• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)

September 19, 2019 by dgreca

VATRA & ” DIELLI”-SHQIPERIA E LIRË & “LIRIA”/

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)/

-Relacioni i Vitit 1953: Të mbështetet Gazeta”Liria” me 2 mijë dollarë, të demskohet gazeta”Dielli”  dhe të luftohet për heqjen e Editorit  Qerim Panariti!

– Relatori i Ministrisë së Brendshme, shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

– Sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi ka në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Nga Dalip Greca/

            Qeveria Komuniste e Tiranës ka luftuar që diasporën shqiptare të Amerikës ta mbante të përçarë. Një nga format e luftës përçarëse ka qenë largimi i vatranëve të lëkundur nga Vatra dhe anëtarësimi i tyre tek Shqipëria e Lirë, e cila ishte  në shërbim të Qeverisë së Enver Hoxhës.Një projekt tjetër ishte krijimi i një Vatre të dytë që të bashkëpunonte me Tiranën.

Mjafton të shfletojmë një prej relacioneve, të Dosjes së Vatrës dhe të bindemi për preferencat e Qeverisë komuniste ndaj Shqipërisë së Lirë dhe gazetës së saj”LIRIA” dhe luftë të ashpër kundër Vatrës dhe gazetës së saj DIELLI.

Le të shohim fillimisht se si e përshkruan përbërjen e diasporës shqiptare në Amerikën e Veriut Ministria e Brendshme:Kolonia Shqiptare e Amerikës është një nga kolonitë më të mëdha dhe më të pasura të shqiptarëve në Perëndim.

        Sipas relacionit në SHBA jetonin në fillim vitet ’50-të të shekullit të shkuar rreth 40 mijë shqiptarë, 20 për qind e të cilëve kishin tërheqë në SHBA edhe familjet e tyre.Shqiptarët ishin përqëndruar në qytetet: Boston, Uster,Nju Jork, Nju Xhersi, Michigan, Çikago, San Francisko, Uashington, Ohajo,Filadelfia etj. Konstatohej sipas tyre se nga niveli arsimor shumica ishin analfabetë ose dinin pak të lexonin, por ishin shumë fetarë.Emigrantët ekonomikë ishin të ndarë në dy shoqëri: VATRA dhe Gazeta DIELLI, si dhe SHQIPËRIA E LIRË dhe Gazeta”LIRIA”. Vatra kryesohej, sipas tyre, kishin prijës real Fan Nolin, Dielli udhëhiqej nga Qerim Panariti, Liria nga Dr.Xhon Nase, me origjinë nga Berati dhe Dhimiter Trebicka nga Korça.Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ishin të anëtarësuar në këto dy organizata, por shumë prej tyre merrnin gazetat Dielli dhe LIria. Vatra përbëhej në përgjithësi nga pjesa më e pasur e emigrantëve ekonomikë shqiptarë, nga që kjo ishte organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, ndërkohë(raportonte relatori) në krye të saj ishin vënë gjithmonë agjentë të amerikanëve.

Raporti nënvizon: ” Qëndrimi Vatrës dhe gazetës së saj Dielli ndaj nesh nuk është i mirë. Gazeta DIELLI dhe kryesisht editori i saj Qerim Panariti zhvillojnë një propogandë armiqsore kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen nga që në këtë organizatë ka njerëz jo të mirë, edhe pse në radhët e saj nuk mungojnë patriotët. Shqipëria e Lirë dhe Gazeta “Liria” mbajnë një qëndrim shumë të mirë ndaj Republikës sonë dhe janë patriotë të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë punëtorë.”

…Ndërmjet VATRËS dhe Shqipërisë së Lirë ka kundërshti parimore, më thelbsore është qëndrimi ndaj Republikës sonë Socialiste, këtu ndahen.Ka patur diskutime për bashkimin e dy organizatave, por Vatra këmbëngul që bashkimi të bëhet nën platformën e saj, Shqipëria e Lirë kërkon që ajo të diktojë.

Në Amerikë ka dhe organizata të tjera lokale me karakter filantropik, por aktiviteti i tyre nuk është i madh.

Konstatimi i dytë: Shqiptarët në Amerikë kanë edhe institucionet fetare; Kisha orthodokse me kryetar Fan S. Nolin është më e fuqishme. Po ashtu sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi me në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Organet e vendit ushtrojnë presion në koloninë shqiptare dhe përpiqen ti shkëpusin shqiptarët nga ne, duke shfrytëzuar edhe institucionet fetare dhe elementin reaksionar.Ka dhe organizata Vorio-Epirote, por aktiviteti i tyre është me hope.

Riatdhesimi ecen ngadalë. Ka vonesa në Ministrinë e Jashtme për dokumentet.Amnistia është bërë e ditur në koloni, por propoganda kundër saj është shumë e madhe dhe keqinterpretohet.

Pasi paraqet gjendjen e detajuar të kolonisë shqiptare, relatori i Ministrisë së Brendshme, arrin në këto përfundime:

-1- Pjesa dërmuse e kolonisë shqiptare vuan nga ndjenjat patriotike dhe është nën pushtetin tonë.

2- Të bëhen përpjekje nga ana jonë që të largohet si sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit Qerim Panariti.

3- Gazetës”Liria” t’i jepen 2 mijë dollarë që të marrë frymë lirisht.

4-Të demaskohet Gazeta “Dielli” me artikuj në shtypin tonë, pa përmendur direkt Qerim Panaritin me emër.

5-Të dërgohen letra nga familjarët e këtushëm të cilët kanë influencë  tek shqiptarët e Amerikës, veçanërisht atyre që janë anëtarë të Vatrës.

6- Me anë të shtypit të bëhet demaskimi i elemtit reaksionar, veçanërisht atij që nuk mbanë qëndrim të mirë ndaj nesh.

7- Të përshpejtohen procedurat e riatdhesimit.

8-Të organizohet shpejt grupi i vizitorëve në vendin tonë me qëllim që t’i shfrytëzojmë për interesat tona.

9-Të organziohet dërgimi i shtypit, filmave, dhe materialeve të tjera propogandistike në koloninë shqiptare të Amerikës dhe të shfrytëzohet në favorin tonë.

10-Emisionet që trasmeton Radio-Tirana të shfrytëzohen edhe për qëllimet tona(Ministrisë së Brendshme).

11-Të bëhet një punë e organizuar për interpretimin e drejtë të Aminsitisë dhe të goditen interpretimet e gabuara.

Punëtori operativ, Togeri S. Memetko,  që ka studiuar relacionin ka bërë edhe këtë shënim me shkrim dore: Të mbështetet Shqipëria e Lirë. Të shihet mundësia edhe e hapjes së shkollës shqipe në qytete ku ata kanë influencë ata të Shqipërisë së Lirë. Krahas mjeteve të tjera propogandistike të dërgojmë edhe libra.

Memetko konstaton se: Me ndihmën e amerikanëve në koloninë shqiptare kanë depërtuar shumë prej reaksionit.Relatori shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

Ministria e Brendshme përpiqet që të shfrytëzojë për informacione nga kolonia gazetën proqeveritare”Liria” madje dhe kundër Vatrës e Diellit.

Për t’i dhënë informacion Ministrisë së Brendshme gazeta LIRIA që po sponsorizohej nga Tirana, botonte në faqet e saj informacione rreth Vatrës dhe degëve të saj. Ndër të tjera nga ky raport marrim një informacion, që nuk e gjejmë në arkivin e Vatrës, emërtesat e degëve jo vetëm me numra, siç i kishte regjistruar vetë Vatra por me emra. Kështu psh Degat e Detroitit thirrej dega” Presidenti Wilson”, një degë në Boston ishte emërtuar”Themistokli Gërmenji”, dega në Manchester thirrej”Manastiri”, një degë në Kliveland kishte emrin” Petro Nini Luarasi”, dega e Nju Jorkut thirrej’Naim Frashëri” një degë në Akron- Ohajo thirrej “Vani Qiraxhi” etj.

Duke u ndalur në marrdhëniet e Vatrës me Shqipërinë e Lirë, Ministria e Brendshme konstatonte se: Vijonte procesi i bisedimeve mes dy organizatave, por dukej se nuk do të arrihej asnjë mirëkuptim.Mosmarrveshjet vazhdonin. Kur shkoi delegacioni ynë në Nju Jork dhe deshi të merrej me atë punë, kishte arritë më parë një letër nga Hysni Kapo, që udhëzonte të lihej njëherë ajo puna e bashkimit. Nga ana tjetër, në të dy organizatat kishte polemika të pafundme dhe mosmarrveshje e keqkuptime nga elementë brenda dy organizatave. Psh, Nini Luarasi,anëtar i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, demaskojë me 2-3 artikuj të botuar në Dielli Dr. Nase, përse ky i fundit paska bërë dy mbledhje për të diskutuar letrat e tradhëtarit Stavro Skëndi. Nga ana e saj edhe Vatra ka pësuar tronditje për arsye se disa nga anëtarët e Komitetit të saj si Qerim Panariti, Shefqet Bença, refuzuan të marrin pjesë në Komitetin për ndihmat e Shqipërisë, që u formua disa kohë më parë në Nju Jork. Kjo ka zemruar anëtarët e thjeshtë të Vatrës, madje kryetari i degës së Nju Jorkut , Halil Bozgo,(elemnt i ndershëm) ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit të Vatrës për të kërkuar llogari ndaj personave të mësipërm.

“Luani” raportonte: Shqiptarët e Amerikës kanë qenë gjithmonë të alarmuar për gjendjen e mjerushme ekonomike në Shqipëri.Dielli pat botuar e komentuar një frazë të Gjeneralit të U.N.R-as, Rooks, i cili thoshte: Në asnjë vend të Europës, nuk pashë më tepër uri se sa në Shqipëri.” Dhe më poshtë”duke parë këtë gjendje, Kryeministri Enver Hoxha më tha që jemi gati të bashkëpunojmë me çdo organizatë ndërkombëtare me karakter ekonomik”…

Relatori arrin në përfundimin se: Këto shprehje, shqiptarët i marrin kallëp. Pastaj, Vatra dhe Shqipëria e Lirë, për të patur më shumë sukses e alarmonin vetë çështjen. Këtu edhe kanë përfituar elementët e këqinj, si Qerim Panariti, që ta godisnin indirekt pushtetin tonë.Para disa muajësh bëhej më tepër propogandë për të grumbulluar miell, por me ndërhyrjen e delegacionit qeveritar, po u jepet më shumë rendësi sendeve të tjera.Për këtë punë me inisiativën e delegacionit të qeverisë  dhe me mbështetjen e shokëve jugosllavë, u krijua një komision i përbashkët për të gjitha ndihmat.U morëm vesh me shokët jugosllavë që vaporët jugosllavë të merrnin vetëm plaçka e këtij komiteti, që u aprovua nga qeveria e Tiranës, por Vatra e kundërshtoi dhe nuk mori pjesë.

Sigurimi, përmes relatorit me nënshkrimin”Luani” shfaqte shqeteësimin se në drejtimin e Vatrës kishin hyrë elementë reaksionarë, si:Peter Konja, që kish qenë Ministër i Zogut më 1943 në Washington.

Raporti: Petër Kolonja dhe Qerim Panariti shkojnë në harmoni të plotë mes tyre.Sa herë shkon në Washington Qerimi takohet me Peterin dhe Kostë Chekrezin dhe së bashku shkojnë në Departamentin e Shtetit, ku takojnë Shefin e Marrdhënieve për Ballkanin , një farë James Charls. Qerim Panariti dhe Peter Kolonja nuk e fshehin se kanë miq në departamentin e Shtetit. Sipas një bisede që bëri Sh. Duka me P.K. , ky i dyti i paska thënë se QP kishte shkuar në Departamentin e Shtetit me gjithë ambasadorin e Jugosllavisë dhe ka premtuar se do ta kthente politikën kundër Shqipërisë sapo të shihte rastin e volitshëm.(Vijon)

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Dalip Greca-Vatra-Shqiperia e Lire-Dielli-Liria

PRESIDENTI THAÇI NE SHBA

September 19, 2019 by dgreca

Kosovë-Presidenti Thaçi në SHBA,  në pritjen e Presidentit Trump/

-Takimi kryesor është pritja te Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump. Presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në darkën e shtruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, për liderët e Ballkanit Perëndimor/

PRISHTINË,-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është nisur për në Shtetet e Bashkuar të Amerikës, ku do të ketë takime zyrtare në Iowa dhe New York.

Në Des Moines, kryeqytetin e Iowa-s, me të cilin është binjakëzuar Kosova, presidenti Thaçi do të vizitojë pjesëtarët e FSK-së që janë duke ndjekur trajnime në Gardën Kombëtare të shtetit të Iowa-s.

Ai po ashtu do të takojë studentet kosovare që kanë shkuar të ndjekin studimet postdiplomike në kuadër të programit “Gratë në energji” të “MFK”.

Ndërsa, në New York, presidenti Thaçi do të ndjek punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Takimi kryesor është pritja te Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donald Trump.

Presidenti Thaçi do të marrë pjesë edhe në darkën e shtruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, për liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi pritet të takojë krerë shtetesh të vendeve nga bota dhe liderë të organizatave ndërkombëtare./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Thaci-ne SHBA-Takim me Trump

ARGUMENTI KUNDËR SOCIALIZMIT

September 18, 2019 by dgreca

   Socializmi si subjekt debatesh midis kandidatëve demokratë për president/ Nga Frank Shkreli/Socializmi, si një ideologji dhe si një sistem qeverisjeje është bërë sivjet subjekt debatesh, në fushatën paraprake për president, midis kandidatëve të Partisë Demokrate, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në debatin e fundit midis 10-kandidatëve të kësaj partie, tërhoqi vëmendjen shkëmbimi, për këtë çështje, midis ish-Zevëndës presidentit Xho Bajden(Joe Biden)  që konsiderohet si një demokrat i moderuar dhe Senatorit Bernie Sanders dhe Senatores Elizabeth Warren me prirje të majta socialiste.  Në të vërtetë, disa analistë komentuan pas debatit se socializmi ishte subjekti kryesor në shkëmbimet e kandidatëve demorkatë dhe se sipas tyre, nëqoftse vazhdon kjo prirje e kandidatëve kryesorë të Partisë Demokrate për president – sidomos e senatorëve Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren.  Kjo situatë, sipas vërejtjsve politikë, është një lajm i mirë për Presidentin Trump dhe për republikanët, sepse eskpertët politikë gjykojnë se amerikanët nuk janë gati për të zgjedhur një president që promovon vlerat socialiste.  Gjatë një shkëmbimi medimesh mbi planet e tyre për përkujdesjen shëndetësore, Zëvëndës Presidenti Biden, duke reaguar ndaj një propozimi të Senatorit Sanders iu drejtuar me këto fjalë, Senatorit Sanders:  “Si socialist që e konsideron veten, ti ke më shumë besim tek korporatat amerikane se ç’kam unë”, një kritikë me ironi e drejtë për drejtë ndaj platformës së kandadidatit demokrat për president, Bernie Sanders.

Duam s’duam, duket se si subjekt, socializmi, meritat dhe dështimet e tija si sistem ekonomik dhe qeverisës, tanimë është bërë, jo vetëm pjesë e debateve të fushatës paraprake, por ka giasë të mbizotërojë edhe fushatën për zgjedhjet e përgjithëshme për president të vitit të vjen, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Por, ky debat ideologjik mbi socializmin në kuptimin klasik të fjalës, ose socializmin demokratik siç preferojnë ta quajnë senatorët Bernie Sanders dhe Elizabeth Warren – ka filluar tanimë edhe në radhët e republikanëve, por me mënyra dhe mjete të tjera.  Ky debat, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht, kritikon idetë e socializmit, ndërkohë që disa demokratë dhe republikanë i konsiderojnë senatorët Sanders dhe Warren si bartësitë e këtyre ideve, sa të huaja aq edhe të papranueshme për shumicën dërmuese të amerikanëve, qofshin repubikanë, demokratë ose të pavarur.

Një prej këtyre komentuesve është Senatori i Shteteve të Bashkuara nga shteti Kentucky, Rand Paul, i cili përfaqëson atë shtet në Senatin Amerikan ç’prej vitit 2010.  Senatori Paul është i njohur në skenën politike amerikane për pikëpamjet e tija konservatore në mbrojtje të lirisë si dhe autor i disa librave dhe artikujve mbi këtë subjekt dhe subjekte të tjera, siç është roli i kufizuar i qeverisë në një demokraci funksionale.

Libri i tij i fundit — i cili mund të lexohet në “Kindle e-book” por që do të botohet muajin që vjen — mban titullin, “The Case Against Socialism” ose “Argumenti Kundër Socializmit”.   Senatori i njohur amerikan, Rand Paul, me këtë libër lëshon kushtrimin në mbrojtje të lirisë dhe kundër socializmit: “Nëqoftse socializmi hedhë rrënjët në Amerikë, kjo ideologji do të rrezikojë fatin e kombit më të lirë në botë, duke shkaktuar shtypje dhe kontrolle të pa imagjinueshme nga ana e qeverisë.”  Siç duket, libri me këtë titull është shkruar në përgjigje të një ankete publike të kohëve të fundit, sipas të cilës 43% e amerikanëve mendojnë se më shumë socializëm në këtë vend, mund të mos jetë një ide aq e keqe. Senatori Paul në librin e tij më të fundit, “Argumenti Kundër Socializmit”, i përgjigjet pyetjes se çfarë nuk dinë këta njerëz — që përgjigjen në këtë mënyrë positive për socializmin dhe për efektet dhe pasojat që, historikisht, ka pasur kjo ideologji në një shoqëri të lirë, siç është Amerika.  Libri i ligjvensit amerikan është një përgjigje aktuale ndaj kërcënimit që paraqet socializmi ndaj lirisë së këtij vendi dhe njëkohësisht, me të atë libër, autori bën thirrje për veprim kundër forcave që rrezikojnë themelet e lirisë amerikane.

Në paraqitjen e librit të senatorit amerikan, Rand Paul, theksohet se në emër të socializmit janë vrarë miliona njerëz anë e mbanë botës, ndërkohë që kritikon disa universitete amerikane dhe politikanë me prirje të majta politiko-ideolgjike, siç është kandidati për president, Senatori Bernie Sanders dhe kongresistja e re Alexandria-Ocasio-Cortez të cilët e deklarojnë këtë ideologji tani si diçka të pranueshme për Amerikën.

Në librin “ The Case Against Socialism” ose “Argumenti Kundër Socializmit” që pritet të botohet për publikun e gjërë në tetor, Senatori Paul përshkruan historinë e socializmit në botë, duke filluar nga gulagët e Stalinit e deri tek uria që ka pllakosur popullin e Venezuelës në ditët e sotëme – e gjithë kjo në emër të ideologjisë socialiste, sipas tij.  Senatori Paul shkruan për keqkuptimet dhe shtrembërimet historike të fakteve rreth utopisë socialiste në disa vende të Evropës.  Ai thotë se vendet skandinave e duan kapitalizmin aq sa e duan atë sistem edhe amerikanët, ndërkohë që gjatë dekadave të fundit janë detyruar të shkurtojnë mjaft nga programet që cilësoheshin si standarde socialiste, e të cilat tani mbështeten edhe nga disa politikanë amerikanë, si Senatori Bernie Sanders dhe Kongresistja Alexandria-Ocasio-Cortez.

Senatori Rand Paul shkruan se vendosja e socializmit në Shtetet e Bashkuara mund të bëhet e mundur vetëm nëqoftse shumica e amerikanëve harrojnë rreziqet e vërteta që ka sjellur mbi njerëzimin ideologjia komunisto-socialiste — më shkatërrimtarja dhe më vrastarja e shekullit të 20-tët.  Ai fletë konkretisht mbi të vëtetetat dhe pasojat e socializmit, ndërsa përmendë gjëndjen në disa vende socialiste sot.   Ndër të tjera, ai shkruan se për çdo student, në vendet me prirje socialiste, që vesh këmishën me një fotografi të Che Guevaras –marksistit revolucionar argjentinas — në Venezuelë vdesë një fëmi nga uria, por kjo nuk raporothet si pasojë negative e socializmit venezuelan.  Ai përmend edhe refugjatët e dëshpëruar me jetesën në Kubën komuniste, të cilët largohen në masë nga ai vend për në Shtetet e Bashkuara, për arsye të shtypjeve të lirive dhe të drejtave të njeriut, censurës, racionimit të ushqimeve, spitaleve të ndyra, ku gjoja ofrohet shëndetësia falas, e shembuj të tjerë.

Si për shembull, shtetet diktatoriale si Republika Popullore e Kinës, që e quajnë veten komunisto-socialiste, ndërkohë që shkelin të gjitha liritë e të shprehurit, një vend ku qeveria kontrollon çdo gjë, ndërkohë që ato paraqiten para botës si gjoja shtete moderne të emancipuara.

Mjafton të shikojmë se ç’po ndodhë në Hong Kong këto javët e fundit.   Shtetet socialisto-komuniste bëjnë premtime për liri ekonomike ndërkohë që skllavërojnë shtetasit e vet dek shkelur të drejtat e tyre bazë të njeriut, ndërsa ofrojnë iluzione për një siguri dhe barazi për të gjithë, ndërkohë që nepërmjet kontrollit të plotë, kufizojnë lirinë personale, duke fuqizuar pushtetin diktatorial, duke mbytur nismën individuale dhe duke i bërë kështu të gjithë njerëzit të varen nga shteti për çdo gjë që kanë nevojë.

46 vjetë më parë, në bankat e Kolegjit Lehman në Bronks të Nju Jorkut, kisha filluar të interesohesha për gazetari dhe vendosa të shkruaja ndonjë artikull, nga koha në kohë, kur më delte kohë, mbi subjekte që nuk trajtoheshin aq shumë nga studentët amerikanë të asaj kohe.  Ishte një periudhë konfliktesh dhe ndryshimesh të mëdha politike, shoqërore dhe kulturore anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, si pasojë, kryesisht e Luftës së Vjetnamit dhe kundërshtimeve të mëdha popullore ndaj saj, sidomos nga studentët.  Në atë kohë kishte, fatkeqësisht, jo vetëm studentë të pa informuar mirë për pasojat e socializmit dhe komunizmit, sidomos në Evropë, por kishte edhe profesorë amerikanë nepër universitetet e këtushme që haptas mbështesnin socializmin dhe komunizmin, duke i promovuar, dashtë e pa dashtë para studentëve, jo vetëm në klasat ku jepnin mësim, por edhe në shtypin e kolegjeve dhe universiteteve më të mëdha, anë e mbanë vendit.  As kolegji i vogël Lehman në lagjën Bronx të Nju Jorkut ku kisha filluar studimet universitare në fillim të 1970-ave, nuk bënte përjashtim në këtë drejtim.  Edhe aty dalloheshin të pakën dy tre profesorë të zellëshëm me bindje socialisto-komuniste që debatonin dhe shkruanin haptas në favor të rendit socialist-komunist dhe kundër kapitalizmit.  Duke venë re se pikëpamjet e tyre nuk po kundërshtoheshin nga askush, kështu fillova edhe unë të bëja polemikë më ta, pikërisht, mbi pasojat e komunizmit dhe në mbështetje të lirive bazë të njeriut, ashtu siç mbroheshin dhe zbatoheshin në Amerikë.   Një prej reagimeve të mia studentore qe botuar në gazetën “Meridian” të Kolegjit Lehman në tetor të vitit 1973, (Shiko shkrimin më poshtë).  Shkrimi i 46-viteve më parë në anglisht, “The Case against Socialism” – me të njëjtin titull ashtu si edhe i librit të ri të posa botuar të Senatorit amerikan Rand Paul – trajton pothuaj të njëjtat argumenta kundër socializmit, ndoshta në një mënyrë më pak të sofistikuar, pasi isha në një moshë shumë të re dhe pa përvojë.   Ndonëse sot do e shkruaja këtë artikull ndoshta me një anglishte pak më të sofistikuar, mendimet e mia të shprehuara 46 vjetë më parë në lidhje me socializmin dhe komunizmin, në të vërtetë, nuk kanë ndryshuar aspak. E kisha përfunduar artikullin modest duke thënë se nuk është Amerika ajo që më në fund lufton marksizmin dhe komunizmin, por është vet natyra njerëzore që bënë një gjë të tillë, pasi ky sistem për nga vet natyra e tij është një regjim anti-njerëzor.  Sot, si edhe 46-vjet më parë, besoj, ashtu siç është shprehur dikurë edhe ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan se, “Komunizmi ishte një kapitull tjetër, sa i tmershëm aq edhe i pabesueshëm në historinë e njerëzimit, faqet e fundit të të cilit janë shkruar tanimë.”  Pasi jemi të vetdijshëm të historisë së përgjakshme të shelkullit të kaluar, komunizmi si eksperiment i gabuar dhe aq i shtrenjtë për njerëzimin, duhet të ketë marrë fund njëherë e mirë dhe përgjithmonë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Argument-Kunder Socializmit

ASKUSH NUK FLET PER KRIMET E ENVER HOXHES, ASKUSH NUK DENOHET

September 18, 2019 by dgreca

Historiani gjerman: Enver Hoxha e shndërroi Shqipërinë në vend invalid, por për krimet e regjimit të tij s’flet askush, as nuk dënohet askush/

Historiani Christoph Dieckmann shkruan se pas një vizite në Shqipëri ka mbetur i tronditur nga mungesa e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizimit dhe dënuar kriminelët. Ai tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Në Shqipërinë diktatoriale u vranë 6000 njerëz.

Nga Enver Robelli

Së fundi kanë qëndruar për vizitë në Shqipëri 20 shkencëtarë gjermanë, të cilët merren me trajtimin e së kaluarës. Qëllimi i vizitës ka qenë që me palën shqiptare të krijohen kontakte për bashkëpunim. Shkencëtarët kanë vizituar kampet e internimit në Spaç dhe Tepelenë, kanë qëndruar në Shkodër dhe kanë diskutuar me të mbijetuar të diktaturës së Enver Hoxhës. Pas kësaj vizite historiani Christoph Dieckmann ka shkruar një tekst të gjatë në gazetën DIE ZEIT të Hamburgut mbi historinë e Shqipërisë në shekullin e XX dhe trajtimin e së kaluarës komuniste – ose thënë më mirë: mungesën e gatishmërisë për të trajtuar krimet e komunizimit.

Dieckmann përshkruan fillimisht një vizitë në Spaç, dikur minierë e bakrit dhe qendër e kampit më të tmerrshëm të shfarosjes të ndërtuar më 1968 nga regjimi i Enver Hoxhës. Dieckmann e quan Spaçin «kamp përqendrimi». Në minierën e Spaçit punonin 1400 të burgosur. Më 1973 dhe 1985 në Spaç u shtypën dy kryengritje të të burgosurve. Shtatë udhëheqës të revoltës u vranë. Në vitin 1990 kampi u mbyll, më 2009 qeveria vendosi që në Spaç të hapë një muze. As sot e kësaj dite ky muze nuk është hapur. Fabian Kati, njëri nga të burgosurit në Spaç, thotë se shoqëria shqiptare nuk e sheh të domosdoshme të merret me trajtimin e diktaturës komuniste. Përse ishte dërguar në burgun e Spaçit Fabian Kati? Sepse me një antenë «kundërrevolucionare kishte dëgjuar pop-muzikë», e cila nga regjimi konsiderohej armike e klasave. Kati kishte përkthyer edhe tekste të këngëve, ky ishte mëkati i tij i radhës.

Historiani gjerman Christoph Dieckmann citon ish të burgosur të cilët thonë se një e treta e shqiptarëve janë përndjekur nga regjimi, Spaçi ka qenë Auschwitzi ynë, thotë një tjetër, dhe njëri shton: Auschwitzi u çlirua pas tri vitesh, Spaçi tek pas disa dekadave. Dieckmann përshkruan me ton telegrafik vërtitjen e Shqipërisë komuniste nga aleanca me Bashkimin Sovjetik te thellimi i raporteve me Kinën. Më 22 nëntor 1967 Radio Tirana njoftoi se Shqipëria ishte shpallur shteti i parë ateist në botë. 2035 objekte kulti u shkatërruan apo iu ndërrua destinimi, dinjitarët fetarë u vranë apo internuan, lutjet dënoheshin me masa drakonike. Mes alpeve shqiptare dhe Detit Jon u ndërtuan 173 mijë bunkerë. Shërbimi sekret Sigurimi nuk ndalej së zbuluari armiqtë klasorë, më 17 dhjetor 1981 kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në shtratin e tij. «Kur vdiq Enver Hoxha më 1985, ai la pas vetes një vend invalid, krejtësisht të izoluar. Pas autokratit pushtetin e mori zëvendësi i tij Ramiz Alia, pas diktaturës personale erdhi oligarkia partiake», shkruan Dieckmann.

Pushkatimi i Nikolai Çausheskut dhe gruas së tij në Rumani më 1989 i frikësoi komunistët shqiptarë, të cilët lejuan themelimin e partive politike. Më 1990 u themelua Partia Demokratike. Dieckmann shkruan: «Demokratët e rinj nuk kishin një Havel apo një Valensë. Ata nuk rridhnin nga skena e disidentëve, as nga lëvizja sindikale, as nga kisha e distancuar nga regjimi, as nga grupi i kuadrove të ekzilit. Të gjithë vinin nga sistemi i mbyllur, të gjithë ishin edukuar në frymën komuniste. Ky është totalitarizëm. Sot të dy partitë funksionojnë si sisteme klanore dhe klienteliste. Në Shqipëri qarkullon një maksimë: të majtit janë më të djathtë se të djathtit dhe e kundërta».

Historiani gjerman Christoph Dieckmann tregon hollësisht vrasjen e murgeshës Marije Tuci. Ajo vdiq më 1950, ishte 22-vjeçare – vdiq për shkak se refuzoi të shtrihet në shtrat me shefin lokal të Sigurimit. Marije Tucin e futën në një thes, bashkë me një mace të egër, dhe e mbytën duke e goditur me shufra. Ajo sot është martire e kishës, martirë janë edhe 36 priftërinj dhe një imam. Vetëm në Shkodër regjimi burgosi 2890 njerëz, 601 i vrau, 136 vdiqën nga torturat. Në Shqipërinë diktatoriale u vranë 6000 njerëz. Pjerin Mirdita, i cili drejton një qendër memoriale në Shkodër, thotë se vrasësit e kohës së diktaturës as nuk përmenden, as nuk ndiqen penalisht. Nga vullneti i arsimtarëve varet nëse ata e tematizojnë diktaturën e Hoxhës në shkolla. Sipas Pjerin Mirditës shumë njerëz në Shqipëri kanë qejf të flasin për të arriturat e vendit në periudhën e Luftës së ftohtë. Pleqtë duan të harrojnë.

Rrugës për në Tepelenë, shkruan Dieckmann, shihen gra me shami të bardha duke punuar arat, burra me gomarë duke medituar, djem mbi mure duke përshëndetur me dorë, minare dhe një pikë karburanti, ku mes pastës së dhëmbëve dhe marmelatës së fikut gjenden CD me këngë që e lavdërojnë Enver Hoxhën. Tepelena, sipas historianit gjerman: para muzeut një përmendore e Ali Pashë Tepelenës, në muze kiç partizan, përfshirë një dhomë në kujtim të diktatorit Hoxha. Një pikturë revolucionare e paraqet atë duke e edukuar popullin, lart mbi luginë dhe lumë. Në Tepelenë Simon Mirakaj tregon historinë e tij: si u internua si fëmijë në kampin e Tepelenës, si pa dhe përjetoi vuajtje, vaj e vdekje – dhe Ilda Themeli, përkthyesja e shkencëtarëve gjermanë, kërkon një pauzë, sepse duhet të qajë.

Shumica e të internuarve në Tepelenë nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim, nuk ka dokumente për kampin e Tepelenës, s’ka as fotografi, ekzistojnë vetëm disa vizatime dhe tregime të të burgosurve. «Arkivi i diktaturës së Shqipërisë janë kujtimet e familjeve. Organizatat e viktimave punojnë të ndara në rajone, janë të fragmentuara, nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Nuk ka diskurs kombëtar mbi diktaturën ose konsenzus mbi historinë», shkruan Dieckmann.

Në fund të vizitës Dieckmann flet edhe në emër të kolegëve të tij gjermanë, kur thotë: jemi të tronditur kur shohim se deri më sot në Shqipëri autoriteti i dosjeve të Sigurimit ka përpunuar dhe miratuar vetëm 1500 kërkesa për zbardhjen e dosjeve. Ligjin përkatës e ka miratuar qeveria socialiste e Edi Ramës, opozita demokrate nuk ka votuar, shoqatat e viktimave e quajnë ligjin «demagogji». Shqipëria, shkruan Dieckmann, është planet tjetër, s’mund të krahasohet me Gjermaninë e cila pas bashkimit është ballafaquar me të kaluarën komuniste të Gjermanisë Lindore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver robelli-Historiani Gjerman- Enver Hoxha

“Blloku” i Isuf Kalos

September 18, 2019 by dgreca

Ky libër nuk doli kot dhe rastësisht. Me kohë kishin dale shumë fakte të reja për krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës dhe figura e tij kishte rënë mjaft. I duhej dhënë një impuls jetëdhënës dhe këtë u përpoq t’ia jepte Isufi….

                                                                                 SHKRUAN: ILIR HASHORVA/

 U bë më se një muaj që çdo ditë e çdo natë, nëpër faqet e gazetave dhe nëpër ekranet televizive gazetarët intervistojnë Isuf Kalon në lidhje me librin e tij  “Blloku”, në të cilin personazhi kryesor dhe më i rëndësishëm është Enver Hoxha. Tashti disa televizione kanë filluar ta intervistojnë për here të dytë, por është e kotë se ai ato që pati për të thënë dhe që mund t’i thoshte, i tha të tëra që në fillim. Ndërsa në emisionet e para gazetarët e të ftuarit nëpër studio televizive përpiqeshin t’i bënin vetëm elozhe Isuf Kalos dhe librit të tij, tashti kanë filluar edhe ta kritikojnë. Në emisionin e fundit të Blendi Fevziut pati vetëm kritika. Reklama shumë e tepruar për atë libër po luan tashti rol të kundërt dhe Isuf Kaloja bën mirë ta përfundojë misionin që pati dhe të largohet.

Ky libër nuk doli kot dhe rastësisht. Me kohë kishin dale shumë fakte të reja për krimet e komunizmit dhe të Enver Hoxhës dhe figura e tij kishte rënë mjaft. I duhej dhënë një impuls jetëdhënës dhe këtë u përpoq t’ia jepte Isufi.

Në libër vihet re shumë qartë shfaqja e admirimit të autorit për Enver Hoxhën, Nexhmie Hoxhën dhe familjen e tyre si dhe e denigrimit ndaj Ramiz Alisë dhe Mehmet Sheut dhe familjes së tij. Nga kjo pikëpamje autori nuk del i paanshëm dhe rrjedhimisht as i besueshëm për ato që thotë në përgjithësi. Por, nuk është kjo kryesorja, sepse nuk ka shumë rëndësi se cili është më i mirë dhe cili më i keq nga personat për të cilët ai bën fjalë. Kryesorja është se autori nuk merret me gjëra esenciale, me gjëra të rëndësishme, por merret kryesisht me gjërat banale të jetës së bllokut. Ato që tregon Isuf Kaloja në pjesën më të madhe të librit janë të përshtatshme për t’u treguar nga punonjësit e rëndomtë të bllokut si bahçevanë, hidraulikë, elektricistë, kuzhinierë, infermierë, shoferë e të tjerë dhe jo nga një mjek profesor si Isuf Kaloja. Prej atij, si mjek personal i Enver Hoxhës, që u gjend pranë tij më afër se çdo njeri tjetër dhe për një kohë mjaft të gjatë, priteshin të thuheshin të tjera gjëra, edhe prej atyre që shumë njerëz brenda bllokut mund t’i shihnin dhe të mos i kuptonin.

Dikur kam parë një film në të cilin policia japoneze po ndiqte një person. Policia kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe po kontrollonte kudo për materiale komprometuese. Ndërsa të tjerët nuk lanë mur pa çarë e dysheme pa shqepur, njëri prej agjentëve u përqendrua te biblioteka. Kur të tjerët i thanë që të merrte pjesë edhe ai në kërkimin ndonjë sendi komprometues, ai u tha se nëpërmjet librave që lexonte personi që kërkohej, ai kuptonte se me ç’njeri kishte të bënte. Ai në atë mënyrë njihte botën e tij të brendshme që ishte shumë më me vlerë se bota e tij  jashtme, se një revole që mund t’i gjendej në shtëpi. A ka bërë, për shembull, ndonjë vëzhgim Isuf Kaloja në bibliotekën e pasur të Enverit? Për shembull, a mendonte ai se Enveri ishte një lexues dhe studiues i pasionuar e serioz, apo ishte thjesht një bibliofil ekcibisionist? Ç’lloj librash lexonte më shumë ai?

Do ishte me shumë interes që Isuf Kaloja të na fliste pak për botën e brendshme, për botën shpirtërore, për botën e padukshme të Enver Hoxhës. Për shembull: a kishin ndonjë efekt mbi të vrasjet që kryente, a i ndryshonte natyra para vrasjeve apo pas vrasjeve të kundërshtarëve apo të shokëve të tij, a tronditej ai nga vrasjet apo vrasjet i kryente dhe i kalonte me gjakftohtësi të plotë e s’i bënin fare përshtypje, pra a bëhej Enver Hoxha kriminel jashtë natyrës së tij, a vriste ai nga halli, apo vriste i nxitur nga impulset brendshme? Isuf Kaloja nuk na thotë fare nëse ka vërejtur ndonjëherë tek Enver Hoxha shenja të paranojës, për të cilat flasin të gjithë e që janë të qarta edhe për ata që nuk e kanë njohur nga afër, paranojë që ka qenë shkak i shumë krimeve të kryera prej tij.

Në një intervistë që i dha së fundi Monika Stafës, Kaloja thotë: “Unë kam bërë thjesht një fotografim të Bllokut nga brenda. Një fotografim pa aparat. Fotografim me anë të ndjesive, me anë të shqisave. Fotografi psikologjike për të kuptuar pse ndodhnin ato që ndodhën dhe përtej atyre që ndodhnin”.

Ku i ka këto fotografime me anë të ndjesive Isuf Kaloja? Ai nuk jep asgjë prej tyre.

Nuk na ka folur kurrë për gjendjen e Enverit, kur në bllok apo në Shqipëri, me urdhër të tij ndodhnin gjëra të jashtëzakonshme që tronditnin të madh e të vogël, komunistë e antikomunistë. Ai thotë vetëm: “Mendërisht (“udhëheqësit”) ishin te zakonshëm, por kishin në dorë të bënin gjëra të pazakonta. Madje edhe disa gjëra të pajustifikuara, deri në vrasje njerëzish që për mendimin tim, ishte tejkalim i kodit moral… Por unë kam pasur kënaqësi të jetoja me ta. Kam udhëtuar me ta, kam ndenjur në ambiente me ta, i  kam shoqëruar…kudo thuajse”.

Për Isuf Kalon, vrasja e njerëzve si të ishin insekte ishte thjesht një “tejkalim i kodit moral”, jo më shumë, jo krim dhe prandaj kjo gjë atij nuk ia pengonte kënaqësinë që e bënte të ndiente jetesa me të e me shokët e tij!

Duket qartë se mendësia e Isuf Kalos është e njëjtë me atë që ka pasur në kohën kur i shërbente Enverit. Ajo nuk ndërroi as pas njëzetepesë vjetësh të ndenjes dhe punës në një nga vendet më humane e më të qytetëruara të botës, as pas tridhjetë vjetësh pas shkërmoqjes së komunizmit tek ne dhe zbulimit më mirë të fytyrës dhe veprimtarisë së Enverit dhe as pas tridhjetepesë vjetësh pas vdekjes së Enverit.                                 17.09.19         

Filed Under: Emigracion, Politike Tagged With: Ilir Hashorva-Isuf Kalo-Enveri-Libri-Blloku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 881
  • 882
  • 883
  • 884
  • 885
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT