• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MALL PER SHKODREN…

September 10, 2019 by dgreca

Mall për Shkodrën/

NGA ALFONS GRISHAJ*/

Fmi i ardhun nga …larg …larg,/

Lindun n’ nji vend  klasik ,  n’nji qytet t’ bekuem,/

Ku  harbohen  lulet dhe çilin mendjet e ndrituna,/

Ku marrin jet’  ndjesitë e  stërhollueme … /

Në rrathët e gjergjefeve t’vajzave t’bukura, /

Mistere t’ fshehuna  n’gjokset e shejtnueme./

Rrugve t’qytetit tem fola /

Me  mjegullat e siluetave t’shpirtnave, /

Sekrete  t’qytetit t’lashtë q’si sheh kush me sy…/

I msheha në nji kapak’  t’ krahnorit,/

Tue vuejt  mediumin , denuem n’ krye!

Dekor i Shiroks , Buns , Drinit , Rozafs e Taraboshit

M’ ban me hjell spirancën bash n’zemër t’Shkodrës

E me prit dritën e ngallnjyeme!

E qesha , e luejta me çdo rrug e gur,

Me çdo pem e lum,

Me çdo shkamb e ur,

Me çdo qen e llum!

Qava me skllavin popull

Që si skeletone t’mpakuna,

T’ plakuna  pa shijue rini

Shkokloheshin rrugs…

Tue u ngjit n’shtyllat e mortit si gjethe t’vrame.

Tash shpërnda n’alem… shoqe e shokë…

M’ qan shpirti me i pa si dikur

Që luejshim n’rrug e mur…

Me qesh e me qa,

Me dasht e me u sha!

M’ka marr malli

Për shiun e rrëmbyem me gjygyma…

Për çizmet që fusnin ujë,

Dhe për rrug’t që i mbushte rryma.

Me harrue dheun e huej!

Prap, un’ kam me shkue larg…larg,

Me Shkodren n’gji… rreliken teme,

Çdo qeliz t’saj kam me e ba rruza varg…

Rruzare  mbi tokat  e rreme!

Barnes and Nobles

Shtëpi me tulla librash.

Fletore këngësh , pullazi.

Listele flauti çdo dërras,

Pllaka ravijzim atllasi.

Aty pi kafen Neruda ,

Elioti një pëllëmb  më tej,

Kafkës pluhurin i shkunda…

Më drejtoi nga  Heminguej.

I menduar Wittgestein

Se ç’më thotë disa fjalë:

“Madhështia veç për Hegelin

Lëre  Marksin,  kalë i çalë!”

Jehonë  e fortë  pasthirrmë,

Rrathë  orkidesh  Konfuci,

Dallgë  kënge , jetë e rimë

Gjinj’ve  lirikës Carducci.

Ndrit mbi libra Akuini,

Çekan mbi injoranc Spinoza,

I fantaksur mbet’ Lenini,

“Endrra e Kelt”,  Llosa!

Ekuacion rri  Derrida,

Energji patern Nabukov,

Portret i thyer Frida…

Degë ulliri   Sakharov.

Dhe kështu s’kan të mbaruar…

Po shqiptarët ku janë ?

Ula sytë i trishtuar …

Ja , Tereza…shënjtja nanë!

Michigan me, 10 Shtator 2019

* Redaksia e DIELLIT, e falenderon z. Alfons Grishaj për kontributin cilësor që jep në Gazetën Dielli” dhe me rastin Ditës së Lindjes, i përcjell urimet më të ngrohta!

HAPPY BIRTHDAY, ALFONS!

Filed Under: Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Mall per Shkodren

KOHA E SHFAROSJES” PROMOVOHET NË VATËR

September 10, 2019 by dgreca

KOHA E SHFAROSJES” E GAZETARIT SOKOL PAJA PROMOVOHET NË VATËR/

Ftoheni të merrni pjesë në promovimin e librit që sapo është botuar në Nju Jork”KOHA E SHFAROSJES”. E SHTUNË, 14 SHTATOR 2019, ORA 11  e 30 . A.M.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës”VATRA” do të promovojë të Shtunën me 14 Shtator 2019, duke filluar nga ora 11 e 30 A.M librin e gazetarit dhe studiuesit Sokol Paja”KOHA E SHFAROSJES”, që fokusohet tek Genocidi komunist ndaj familjeve te persekutuara ne Shqiperi 1945-1990, konkretisht tek  Familja “Paja” ne Malesine e Madhe, por jo vetëm.

Libri”Koha e Shafrosjes” me parathënie nga Simon Mirakaj sapo është botuar në Nju Jork, dhe i është dedikuar persekutimit dhe jetës së humbur tragjikisht të familjarëve të autorit dhe veçanërisht gjyshit të tij, Pjetrush Paja, i cili u pushkatua dhe u la i tretur pa varr nga regjimi komunist…

Libri bazohet në materiale faktike të nxjerra nga Dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe ka në lupën e vëzhgimit dhunën, terrorin komunist, rrjetin e spiunëve dhe bashkëpunëtorëve, por jo vetëm kaq, libri merr përsipër të zbërthejë Genocidin e ushtruar nga diktatura mbi qytetarët e vet. Pjesa e dytë e librit fokusohet tek: Tiparet e totalitarizmit shqiptar ne vitet 1945-1990,  Aspekte te social-komunizmit shqiptar ne vitet 1945-1990 , Ndalimi i veprimtarive fetare ne Shqiperine komuniste, Lufta e klasave si instalim perfundimtar i diktatures , Sigurimi i shtetit si makineri frike, dhune e torture, Torturat ndaj te burgosurve ne regjimin komunist , Shoqeria shqiptare gjate diktatures komuniste, Media totalitare ne sherbim te pushtetit komunist, Aksionet e komunisteve ne shkaterrimin e familjes e traditave, Njeriu i ri komunist si frymezim per shoqerine socialiste etj.

Cfarë kishte ndodhë në Shqipëri? Në postballinën e librit vjen përgjigja si autopsi e diktaturës nga pena e At Zef Pllumit: Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerzit e ditun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerzit e paditun kishin në dorë gjithcka:atë që nuk dihej! Poshtërsia njerëzore kishte mbërritë kulmin, aq sa, të tërbuem prej inatit, nuk cajshin ma kryet për kurrnji ndjenjë njerëzore, as për të gjallët, as për të vdekunit. Masat e terrorit erdhën tue u randue: shtoheshin kontrollet, të burgosunit, të arrestuemit, shtoheshin pushkatimet!”….

Ejani të Shtunë në VATER, bëhuni pjesë e promovimit, ku do të jetë i pranishëm edhe vetë autori.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja-Koha e Sharosjes- VATRA

Komisioni i ri Evropian: 48 përqind janë femra

September 10, 2019 by dgreca

Ursula von der Leyen dëshiron thuajse aq komisionere të BE-së sa komisionerë: 13 femra dhe 14 meshkuj, përfshirë edhe veten. Komisioni ka këtë herë, për shkak të Brexit-it, një karrige më pak se Komisioni i mëparshëm./

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka paraqitur përbërjen e planifikuar të ekipit të saj. Von der Leyen planifikon që Komisioni i ardhshëm i BE-së të ketë më shumë femra se kurrë më parë: përveç saj, në të do të përfaqësohen dymbëdhjetë femra dhe katërmbëdhjetë meshkuj. Objektivin që kishte, që Komisioni Evropian të përbëhet nga 50 përqind femra, ajo nuk e arriti për pak. 

Sidoqoftë, Komisioni i ri është një hap i qartë përpara përballë Komisionit që po largohet, i cili përbëhej nga nëntë femra dhe 19 meshkuj. Për shkak të largimit të planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE më 31 tetor, Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqësohet më në Komisionin e ri. Komisioni i ri do të fillojë punën e tij në 1 nëntor.R

Rezerva ndaj personave të caktuar

Komisioni Evropian mund të krahasohet me një qeveri: çdo anëtar është përgjegjës për një dikaster të caktuar. Çdo shteti anëtar të BE zakonisht i jepet një post në Komision. Prandaj, gjermania von der Leyen duhej t’i kushtonte vëmendje veç kompetencës profesionale dhe ruajtjes së barazisë gjinore të premtuar, edhe caktimit të një komisioneri për çdo vend.

Megjithatë, në Parlamentin Evropian, i cili e ka fjalën e fundit në zënien e posteve, ka ende rezerva në lidhje me kandidatë të caktuar, për shembull për kandidatët nga Hungaria, Polonia dhe Rumania. Ish-ministri hungarez i Drejtësisë, Laszlo Trocsanyi është kritikuar për përfshirjen e tij në reformën juridike të diskutueshme dhe ndërkohë të frenuar. Kundër polakut, Janusz Wojciechowski po zhvillon hetime Agjensia Evropiane kundër mashtrimit për shkak të shpenzimeve të pasakta të udhëtimeve. Rumunia Rovana Plumb akuzohet për korrupsion.

Frankreich Wahl zur EU-Kommissionspräsidentin | Ursula von der Leyen (Reuters/V. Kessler)

Të martën (10.09.), von der Leyeni do të njoftojë shpërndarjen e detyrave në personelin e saj, në konferencën e saj të parë të madhe të shtypit në Bruksel. Pas dëgjimeve individuale në Parlamentin Evropian, eurodeputetët do të votojnë për të gjithë paketën.

Ajo vetë ishte një surprizë

Gjermanen von der Leyen e paraqitën papritur si kandidate konsensusi për postin e Presidentes së Komisionit Evropian, pas një samiti të tensionuar të BE-së në korrik. Më parë, krerët e shteteve nuk patën arritur të bien dakord për asnjë nga kandidatët kryesorë për presidentë të Komisionit, të cilët bënë fushatë para zgjedhjeve.

Zëvendësit e Ursula von der Leyenit do të jenë holandezi Frans Timmermans, kandidat kryesor i socialdemokratëve dhe ish-Komisionerja e Konkurrencës në BE Margarethe Vestager nga Danimarka, kandidatja kryesore e liberalëve. Deri tani, dihet vetëm se i Ngarkuari me Politikën e Jashtme të BE do të jetë Borrelli nga Spanja.(Kortezi-DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Ursula von der Leyen-Komisioni Evropian-

Palmer: SHBA-ja sërish e përqendruar në Ballkanin Perëndimor

September 10, 2019 by dgreca

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer (djathtas) dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq./

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

***

Lexo edhe: Palmer ka synim kthimin e Kosovës dhe Serbisë në negociata

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se synim i tij është që t’i kthejë Prishtinën dhe Beogradin sa më shpejt në tryezën e bisedimeve dhe të sigurojë një marrëveshje midis tyre.

Në një intervistë për mediat serbe, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Palmer tha se mendon se mund të arrihet marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila, sipas tij, do ta transformonte gjithë Ballkanin, do t’i hapte rrugën evropiane Serbisë dhe Kosovës dhe do të ishte “një gjë pozitive për rajonin, Evropën dhe SHHBA-në”.

Kthimi i Beogradit dhe Prishtinës në tryezën e bisedimeve, tha Palmer, është një qëllim afatshkurtër për Shtetet e Bashkuara.

Dy palët i kanë pezulluar bisedimet prejse Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, nëntorin e kaluar.

Përkundër kërkesave të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Kosova nuk ka vepruar.

Autoritetet serbe këmbëngulin se nuk do të vazhdojnë dialogun me Kosovën pa heqjen e taksës.(Kortezi-Evropa e lire)

Filed Under: Analiza Tagged With: Palmer-SHBA-Ballkani Perendimor

IMIGRANTËT SHQIPËTARË NË AMERIKË

September 10, 2019 by dgreca

NGA REFAT GURAZEZI/*

         Shqipëtarët filluan të vinë n’Amerikë kur po afrohej mbarimi i Shekullit të shkuar, besohet që në vitin 1890 e tëhu. Thuhet se i pari shqipëtar që dolli n’Ellis Island të New York-ut dhe hyri n’Amerikë, quhej Nikollë S. Kristofor nga  Katundi, një fshat i qarkut të Korçës. Njëzet e ca vjet më vonë, pioneri ynë Kristofori u-dorëzua prift dhe shërbeu tërë jetën e tij si famulltar kombëtar i kishës Shën – Trinia në South Boston, Mass.

         Kurse nga ana tjatër, janë ca njerës të tjerë që thonë për një Shqipëtar tjatër nga rrethet e Përmetit që hyri n’Amerikë i pari, po s’janë të sigurtë për emërin dhe fshatin e tij. Cilido prej tyre që në qoftë, kjo s’ka rëndësi sot se nukë munt të quhet dot si “Zbulonjës i Botë së Re,” këtë gjë e bëri Christopher Columbus-i më 1492 dhe nuk ja mer dot atij tjatër njeri këtë nder!

         Shqipëtarët erdhë me shumicë n’Amerikë si refugjatë pas luftës ballkanike më 1912, passi vendi i tyre u-prish dhe u-doq prej Grekëve dhe Serbëve. Thonë se në mbarim të Luftës së Parë të Perbotëshme ishin “nj’a 60,000 Shqipëtare n’Amerikë”, po mjerisht s’kemi një statistikë zyrtare që te na tregojë numërin e vërtetë. Fakti është se kur ish Fedërate Vatra në kulmin e saj më 1916-1919, s’kish më shumë se 5,000 anëtarë dhe pajtimtarë të gazetës. Me këtë numër te vogël anëtarësh Vatra bëri çudira për Shqipërinë! Dhe kur mori funt lufta, shumë Shqipëtarë u-kthyenë prapë në Shqipëri. 

         Kur erdhë Shqipëtarët n’Amerikë në fillim të Shekullit sotmë, punët në fabrikat ishin miaft të rënda, orët e punës të gjata, dhe rogët të vogëla: 5 gjer 7 dollarë në javë, dhe fare të pakë ishin ata që munt të merjin më tepër. Përvec të tjerave, punëtorët shqipëtarë i pengonte dhe mosditja e gjuhës së vëndit. Per t’i bërë ballë këtij problemi, imigrantët shqipëtarë vanë me shumicë në shkollat e natës që të mësojin gjuhën inglisht me qëllim për të përmirësuar veten e tyre q’ashtu munt të gjejin punëra më të mira dhe me rogë më shumë. 

         Për arësye ekonomike edhe shoqërore, në fillim punëtorët shqipëtarë t’Amerikës rojin më tepër tok nëpër shtëpira të ndryshme, 5 gjer 10 shokë në një shtëpi, sipas dhomave që të kish shtëpia. Këta “shokë” të panjohur më parë munt t’ishin nga 10 fshatra të ndryshme dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë, po bukuria është se rojin tok si vëllezër: sikur kishin lindur dhe ishin ritur në një fshat! Dhe ay që ish me i shkuar nga mosha, ish plaku i shtëpisë dhe fjala e tij dëgjohej nga të tjerët. 

         Dhe po t’ish e mundur, shtëpitë me qira i zijin në një mëhalle të qytetit q’ashtu t’ishin afër njëri me tjatërin. Mbrëmanet mblidheshin në një nga shtëpitë që kish vënt më tepër dhe bisedojin tok për çdo çështje, familjare dhe kombëtare. Kur nonjeri prej tyre mirte një gazetë shqip t’ardhur nga lark, për shëmbëll “Drita” e Shahin Teki Ypit (Kolonjes) që dilte në Sofie, thërriste gjithë shokët e mëhalles në shtëpi të tij që e këndojin së bashku. 

         Një nga karakteristikat e “imigrantëve” shqipëtarë që vazhduan udhën në gjurmat e Kristoforit, ish dhe kjo: Kur vinte n’Amerikë nonjë imigrant i ri nga Shqipëria, shokët që gjente këtu i zijin vënt për të rojtur, e bëjin të njohur me shokët e tjerë, e lijin pakë ditë në shtëpi që të clodhej nga udhetimi i gjatë, dhe pastaj i gjejin punë. Më në funt, që të lante borxhin dhe të shpëtonte nga fajdeja e rëndë, shokët e “konakut” i mbithjin imigrantit të ri një sumë të hollash hua në mes të tyre për të paguar navllon e vaporit, dhe të dërgonte të paktën 50 dollarë në shtëpi nga ajo sumë. 

         Me ato punë të rënda dhe rogë të vogela, punëtoret shqipëtare t’Amerikës ndihmuan familjet e tyre në Shqipëri, përmirësuan tepër ndodhjen ekonomike të vendit te lindjes së tyre, dhe bënë çudira duke ndihmuar me duar hapur për levizjen kombëtare. Shenuam me sipër se n’Amerike ka patur shume mijera Shqipetare, po fakti eshte se çudirat i bene vetëm Vatranet: ata 5,000 Shqipëtarë që ishin anëtarë të Federates Vatra, ndoshta dhe më pakë se aqë. Ndihmat e tyre e bënë të mundur që Vatra mbajti përfaqesonjës diplomatikë nëpër kryeqytetet e botës dhe dërgoj delegatë në Konferencën e Paqes në Paris me 1919 për të kërkuar të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. 

         Passi suallnë grat’e tyre n’Amerikë nga Shqipëria dhe u-bënë njerës me familje, “imigrantët analfabetë” (sikundër janë sharë nga ca njerës “intelektualë”!) e dijin vleftën e mesimit shkollar dhe i dërguan fëmijen e tyre në shkollë. Kështu, pra, bijat dhe bijt’ e tyre mbaruan mësimet e larta nëpër universitetet e vendit, të këtij Vëndi të lirë dhe demokratik, dhe shumë prej tyre u-graduan me nderime si doktorë, avukatë, inxhinerë, mesonjës, profesorë, etj.

Filed Under: Histori Tagged With: Refat Gurrazezi-IMIGRANTËT SHQIPËTARË- NË AMERIKË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 889
  • 890
  • 891
  • 892
  • 893
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT