• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“SKANDAL”!!!

August 17, 2019 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Tashmë,prej shumë vitesh nëpërmjet mjeteve të informimit, dita hapet me  “skandale” dhe mbyllet me të tillë… Skandal në një studio televizive…skandal në një gazetë…skandal në një institucion, në gjykatë, në prokuri, zyrë shërbimesh …etj…etj… Por  vallë, çfarë kuptojmë me një “Skandal”? 

Pa pretenduar të bëj një përkufizim shkencor apo filozofik të fenomenit, mendoj se skandali është një ngjarje e rrallë, e pazakontë, që shkakton tronditje të thellë në rrjedhën normale të jetës së secilit prej nesh. Një ngjarje e tillë pason me trauma të karakterit psiko-social, politik, ekonomik, etj…me rezultate të tmerrshme për të sotmen dhe të nesërmen e pjesës më të madhe e të pambrojtur të popullsisë. Si e tillë, ajo duhet të vijojë gjithashtu me një reagim të fuqishëm  qytetar opozitar për të kundërshtuar e minimizuar pasojat e saj.

Nëse në Shqipërinë tonë të vogël, tashmë ngjarje të tilla janë kthyer në bashkëudhëtare të përditshmërisë sonë , a mund të quhen më “Skandale”??? 

Vallë si duhet  t’i emërtojmë fenomenet që shoqërojnë dhunshëm dhe me arrogancë drejtimin banditesk, që na poshtëron çdo ditë, duke na grabitur, poshtëruar,  e duke na e bërë jetën të pamundur? 

-Po të drejtohem ty,  Kryeministër i 20% me TVSH!!!

Përpiqesh të legjitimosh vjedhjet galopante të pronave të qytetarëve shqiptarë, të fondeve publike që arrijnë në shifra astronomike për xhepin e varfër të shqiptarëve. Dhe këtë e bën pa skrupuj, pasi  së bashku me banditët trafikantë që ke grumbulluar  rreth vetes,  ja ke dalë të përqëndrosh të gjitha pushtetet në duart e tua prej diktatori mizor.

Përpiqesh të legjitimosh votimet pa zgjedhje të 30 Qershorit, duke na imponuar pa konkurim një pushtet vendor të pa votuar, të mbushur me trafikantë e kriminelë.

Përpiqesh të justifikosh krimet e dokumentuara e të dënuara nga një gjykatë e huaj, për përfaqësuesin tënd vendor në qytetin me antikomunist të Shqipërisë, atë të Shkodrës. Me arrogancën kriminale  që të karakterizon, kërkon t’i  imponosh atij qyteti një trafikant të votuar nga vetëm 6%  e qytetarëve të tij.  Ishte shumë i ri -sipas teje,- kur i kreu ato krime, vetëm 20 vjeç. Ti i plotpushtetshmi  “human”,  i  jep të drejtën vetes të amnistosh këtë të ri, ndërkohë që  legjislacioni  penal  i Shqipërisë dhe jo vetëm,  e konsideron  atë në moshë të rritur dhe me përgjegjësi të plotë penale!! 

Vërtet, kaq shumë të dhimbsen ata që ti i konsideron të parritur? Nëse vërtet do kishe minimumin e kësaj ndjeshmërie, do ndjeje keqardhje për ata të mitur të mbetur jetimë, të pangrohur e të uritur, që në pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike, ati i tyre vrau veten apo përfundoi në burg! 

Në vitet e gjata të sundimit tënd, do përpiqeshe të reflektoje e të kërkoje falje për krimet e regjimit të babait e gjyshit tënd, që dënuan mizorisht qindra mijëra të mitur që në bark të nënës. Foshnja të pafajshme që u lindën e u rritën internimeve, si të dënuar të përjetshëm. Qindra vogëlushë që humbën jetën në kampet e çfarosjes, dhe që ende nuk kanë asnjë varr.

Nëse vërtet do të ishe kaq i ndjeshëm e i përgjegjshëm, do të kërkoje falje për atin tënd gjakatar që firmosi pa asnjë mëshirë varjen e një poeti, për “për krimin” e vetëm se vargjet e tij nuk i thurnin lavde mrekullisë së sistemit çnjerëzor që ata kishin ngritur!! Por jo, ti nuk mund të jesh i tillë. Ti je bir e pasardhës i denjë i atyre diktatorëve që terrorizuan një popull të tërë për afro 50 vite.  

Për të përjetësuar pushtetin tënd të pakontrolluar, dhe herë pas here  në pamundësi për të mbrojtur kriminelët që të rrethojnë,  detyrohesh të lëshosh ndonjërin prej tyre.  Sigurisht,  kjo ndodh nëse ata kthehen në pengesë për vazhdimësinë e rregjimit që ke ngritur dhe rrugëtimin e pandalshëm të abuzimit e të krimit. 

Përpiqesh më kot Kryeministër i 20% me TVSH.  Ti nuk i përfaqëson më shqiptarët. As me numrin tejet të ulët  të votave  të vjedhura e grabitura që u shndërruan në  grushte kuptimplote ndaj pushtetit tënd. Tashmë koha jote ka skaduar. Orteku që po rrokulliset me shpejtësi do të të zerë poshtë, për të të degdisur më pas në një nga faqet më të errëta e të turpshme të historisë së tranzicionit të tejzgjatur e të lodhshëm të postkomunizmit shqiptar. 

Shqipëria, ky vend i mrekullueshëm dhe qytetaret e saj të shumëvuajtur, meritojnë të gëzojnë lirinë dhe të drejtat njerëzore, të njohura e respektuara në mbarë vendet demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma Liço- Skandal

SHUHET FATOS BAXHAKU

August 17, 2019 by dgreca

Shuhet mjeshtri i gazetarise shqiptare.Lajmi për ndarjen nga jeta të Fatos Baxhakut ne moshen 55 vjeçare, u publikua nga miqtë në rrjetet sociale. 

Zemra e tij pushoi së rrahuri pasditen e të premtes duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh.Një penë brilante në reportazh bërjen e më pas në realizimin e shumë dokumentarëve Fatos Baxhaku la gjumë si një kritik i fortë i tranzicionit shqiptar.Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe ” 20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”.

Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”.

Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkëautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpa e Vjetër” (Digitalb).si edhe i shumë dokumentareve televizive.

Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës.

Ka qene anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE..

Botime

  1. Die Stammmesgesellschaften Nordalbaniens – Wien 1996. (Bashkëautor Karl Kaser).
  2. Gur – 2008 
  3. Në Mirditë & rreth e rrotull – 2009
  4. -Roje – 2010

5-Çadra e kuqe : histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX -XXI – 2013 

6-Gra të përgjithshme – 2014 (me bashkëautore Klodiana Kapo)

Filed Under: Opinion Tagged With: SHUHET- FATOS BAXHAKU-Mjeshtri I gazetarise

DITËT PËRKUJTIMORE, LUSHNJE 18 GUSHT

August 17, 2019 by dgreca

…“Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”/

Në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Lushnjës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë dhe Kujto.al, të mbijetuar, institucione dhe shoqëri civile aktive, kthejnë vëmendjen në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, me aktivitetet “Dinjiteti përballë totalitarizmit, gusht 2019”. 

Në orën 10.00 bëhet takimi mes ish-të internuarve dhe pasardhësve të tyre pranë Memorialit kombëtar të internim-dëbimeve.
Në orën 11.00, në Pallatin e Kulturës “Vaçe Zela”, Lushnjë organizohet ekspozita fotografike e profileve të të internuarve në fshatrat e Lushnjës dhe ekspozita me materiale arkivore të AIDSSH mbi ta. 
Në vijim, në sallën e teatrit, ish-të internuarit dhe trashëgimtarët e tyre, qytetarë e të ftuar të tjerë, marrin pjesë në prezantimin e projektit të Autoritetit në bashkëpunim me IPP e SHAPP, për kthimin në vendkujtese të qendrave të internimit, bashkëbisedim i hapur ku pritet të shkëmbehen ide e sugjerime me të pranishmit.

(Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit,)

Filed Under: Kronike Tagged With: Ditet perkujtinore-Lushnje-Monumenti-Dinjiteti -Totalitarizmi

EDITORI I DIELLIT U TAKUA ME DR. SHPËTIM AXHAMI, KRYETAR I PARTISË LËVIZJA E LEGALITETIT

August 17, 2019 by dgreca

Sot, e Shtunë, 17 Gusht 2019,  editori i Gazetës Dielli u takua me Kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Dr. Shpëtim Axhami. Biseda u përqëndrua në krizën shqiptare dhe përpjekjet që bën Partia Lëvizja e Legalitetit për një opozicion të fortë dhe konstruktiv.




 Editori i Diellit e informoi Dr. Axhamin për marrëdhëniet e shkëlqyera të Legalistëve të Amerikës me Vatrën, marrëdhënie që nisën me insiativiën e Mbretit Zog 60 vite të shkuara, kur një përfaqësi e Vatrës me Anthony Athanas dhe Kristo Thanas, shkuan në Kanë të Francës në Rezidencën e Mbretit dhe kërkuan anëtarësimin e Legalistëve të Amerikës në Vatër. Një ide që Mbreti e përkrahu dhe urdhëroi Legalistët e Amerikës  t’i bashkoheshin Vatrës. Edhe sot Vatra ka në strukturat e saj Legalistë, që japin kontribut të rëndësishëm në veprimtaritë e Komunitetit.

Biseda ishte miqësore. Dr. Axhami shfaqi interesim për veprimtaritë e Vatrës dhe bashkëpunimin e Legalistëve me Vatrën, si dhe rolin e gazetës DIELLI, gazetë që përjeton Shekullin e dytë të jetës së saj.

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Shpetim Axhami-Editori I Dielli-Takim

EVROPA DHE ALEATI I DOMOSDOSHËM

August 17, 2019 by dgreca

ENga ANGELO PANEBIANCO/
Perktheu:EUGJEN MERLIKA/
            Është e paarsyeshme të përcaktohet si absurd mëtimi i “sovranistëve” për të rivendosur një sovranitet të plotë kombëtar duke ngushtuar këndin e hapjes së Vëndit të tyre ndikimeve të jashtëme e, në të njëjtën kohë, të lihen mbas dore pasojat e këtyre ndikimeve të jashtëme, të ndërlidhjeve ndërkombëtare, mbi të tashmen e mbi t’ardhmen e të njëjtit Vënd.I përkthyer dhe i vënë në lidhje me rastin italian, do të thotë se për të bërë çfarëdo hipotezë të mënçur mbi fatin e 5 Yjeve dhe të Legës, por edhe të kundërshtarëve të tyre të mbrendshëm, duhet para së gjithash të vërehet kuadri ndërkombëtar, bota që na rrethon. Mbi të gjitha duhet pyetur mbi t’ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Vlen për hegjemonitë (si ajo amerikane) ajo që vlen për perandoritë. Nuk kuptohet asgjë se çfarë ndodh në rrethinat nëse nuk kuptohet se çfarë po ndodh në “qendër” (perandorake apo hegjemonike). Në 2020 do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale amerikane. I favorizuar edhe nga ecja shumë e mirë e ekonomisë, Donald Trump-i a do të fitojë një mandat të dytë? Apo (por hamendja është më pak e mundëshmja e të gjithave) një kandidat i shprehur nga krahu më radikal i partisë demokratike do të arrijë emërimin e do të mundë Trump-in?
            Apo, së fundi, presidenti aktual mund të thyhet nga një demokrat më qëndrësor (Joseph Biden ose njëri si ai)? Si evropianë e si italianë argumenti na përket. E ardhmja jonë do të varet në shkallë të gjërë nga përfundimet e atyre zgjedhjeve.
            Si rastësia sot e gjykuar si më e mundëshme (rizgjedhja e Trumpit) aq edhe ajo më e pamundëshmja (fitorja e një demokrati radikal) do të ishin për Evropën, lajme shumë të këqia. Trump-i do të plotësonte veprën e tij të tronditjes së institucioneve bija dhe (shtylla) të sistemit të shumanshëm të dëshëruara nga Shtetet e Bashkuara mbas luftës së Dytë botërore. Nato do të dilte me eshtra përfundimisht të thyera. Evropianët, shumë më tepër konsumues se sa prodhues të sigurisë që nga fillimi i mbasluftës, do të gjindeshin të zbuluar, pa mbrojtje. Dhe Bashkimi evropian do të pësonte goditje shumë të forta: për të qëlluar “armikun” (tregtar), Gjermaninë, Administrata amerikane (e mbështetur edhe nga kryeministri i ri britanik, Boris Johnson) do të bënte gjithshka për t’i vënë evropianët njërin kundër tjetrit. Në mbarim të një mandati të dytë të Trump-it, shumë mundësisht shprehja “Perëndim” nuk do të kishte më asnjë kuptim politik.
            Por as edhe fitorja e një kandidati radikal nuk do të ishte një ogur i mirë për evropianët. Sepse e majta amerikane (flas , natyrisht, për radikalët, jo për traditën wilsoniane demokratike) është me prirje izolacioniste dhe po aq armiqësore sa Trump-i kundrejt shumanshmërisë.
            Rizgjedhja e Trump-it ose fitorja e një demokrati të krahut skajor do të ishin lajme shumë të mira për sovranistët evropianë. Sfilitja në rritje e lidhjeve ndëratllantike dhe shtimi i dasive në fushën evropiane janë kushte të rëndësishme për të fuqizuar besueshmërinë dhe peshën zgjedhore të sovranistëve në kontinentin e vjetër.
Një tjetër histori do të ishte si pasojë e fitores së Biden-it ose të një tjetër qëndërsori si ai. Evropa (përfshirë Gjermaninë) do të kthehej përsëri të quhej në ashington aleatja e zgjedhur, partnerja e domosdoshme. Do t’ishte përsëri e lejuar të mendohej se “Perëndimi” nuk është vetëm një vjetërsirë, një kategori politike e së shkuarës.
            Kush ka një koncept përcaktues të proçeseve historike mendon se nuk mund të bëhet asgjë: Amerika është futur pakthyeshmërisht në një fazë rënieje (relative), një fazë në të cilën fuqija e saj e hershme shkon drejt një zvogëlimi energjik. Kur fuqia hegjemone fillon të pakësohet, ajo pushon  së mbështeturi ende “shumanshmërinë”, më konkretisht t’i ofrojë aleatëve të saj “të mira publike” (siguri ushtarake, qëndrueshmëri monetare, liri të shkëmbimeve tregëtare, etj) në shkëmbim të pranimit të udhëheqjes së saj. Kombëtarizmi i Trump-it (“secili për vete”) do t’ishte një shprehje e kësaj prirjeje. Nëse ka arsye kush mbështet këtë tezë, atëherë nuk mbetet veçse të ndërgjegjësohemi se jemi të zhytur në telashe deri në grykë. Për më shumë se një shtatëdhjetëvjeçar  Evropa ka patur paqe, qëndrueshmëri demokratike, zhvillim ekonomik. Nuk qenë dhurata të zbritura nga qielli, qenë (dhe janë ende) pasojat e një tërësie të kushteve ndërkombëtare. Nëse nuk do të jenë më këta kushte çfarë do të ndodhë me paqen, qëndrueshmërinë demokratike, zhvillimin ekonomik?
            Është e drejtë të përfytyrohet që Evropa do të rifillonte të ndahej. Siç ka bërë gjithmonë para mbarimit të luftës së Dytë botërore. Do të rritej në kontinentin e vjetër ndikimi i fuqive autoritare (Rusia, Kina). Në krye të pak dhjetëvjeçarëve, do të mbetej fare pak nga Evropa që njohim.
            Për fat interpretimet përcaktuese të historisë nuk janë domosdoshmërisht më të pranueshmet. Rastësitë, rrethanat, shpejtojnë ose ngadalësojnë (e ndonjëherë madje prapësojnë) prirje të tilla në veprim. Në Washington, qoftë edhe për një frymë, për një grusht votash, mund të riformohet një udhëheqje përsëri në dobi të shumanshmërisë. Në një rast të tillë pasojat mbi Evropën do të ishin të rëndësishme, e ndoshta mjaft të shpejta. 
            Doli e gënjeshtërt teza e mbështetur gjatë në mjediset kundëramerikane evropiane, simbas së cilës pakësimi i “kapjes” së Shteteve të Bashkuara  mbi Evropën do t’i jepte evropianëve lirinë e dëshiruar për të përsosur integrimin e Kontinentit.Ka ndodhur krejt e kundërta: pakësimi i lidhjeve ndëratllantike ka ecur me të njëjtin hap me krizën e Bashkimit. Mund të mendohet se nëse ato lidhje mund të forcohen edhe Bashkimi do të ketë dobi. Salvini, Di Maio, Conte, Zingaretti, Berlusconi, etj.. Për domosdoshmëri profesionale kronistët politikë arsyetojnë “sikur” fati i Vëndit të ishte krejtësisht në duartë e aktorëve politikë lokalë, shumë (a pak) të rëndësishëm për çastin. Dijmë që është kështu vetëm në një pjesë shumë të vogël.
 
            “Corriere della Sera,  gusht 2019       E përktheu Eugjen Merlika

EVROPA DHE ALEATI I DOMOSDOSHËM

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Panebianco-Eugjen Merlika-Evropa-Aleati

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 909
  • 910
  • 911
  • 912
  • 913
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT