• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

..heronj e mite

July 29, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Duke lexuar mitologjinë, atë klasike, njeriu njihet me karaktere a tipa të çuditshëm, si dhe me atë që në shikim të parë mund të duket konceptim i papërgjegjshëm, i gabuar i njeriut dhe fenomeneve.
Mite janë krijuar me “gjigantë” të tmerrshëm që hedhin gurë, përçmojnë e shembin male dhe shkaktojnë dallgë e tërmete që gllabërojnë anije e ushtri të tëra; që megjithatë, mund të llogariten si dridhje të tmerrshme të natyrës që ishin në veprim, si sot, edhe atëhere, në ato kohë të lashta historike.
Përsëri, fenomenet e përhershme të përditshme, rezultate të disa ligjeve të natyrës, janë aq të njohura sa nxisin vërejtje; por atëhere ishin çështje spekulimesh të shkaktuara nga frika dhe alarmimi.
Për shembull, kur dëgjonin zhurmën e tmerrshme të bubullimës dhe shihnin rrufe të ndezura, të shoqëruara me re të zeza dhe rrëke shiu, njerëzit besonin se Perëndia ishte zemëruar dhe ata terrorizoheshin nga zemërimi i tij. Nëse deti i qetë bëhej befas me dallgë të larta që përplaseshin fuqishëm ndaj shkëmbinjve, ata drejtonin fytyrat drejt qiellit të nxirë nga retë e shiu dhe pranonin çdo gabim që u shkonte në mendje se mund të kishin bërë. Kur herët shihnin qiellin me ngjyra të ndezura të ditës, mendonin se Perëndia e agimit, me gishtat e kuq, po tërhiqte velin e errët të natës, për të lejuar vëllanë, Perëndinë e diellit, të fillonte karierën e tij të shkëlqyer…
Kështu duke personifikiar të gjitha fuqitë e natyrës, njerëzit me shumë imagjinatë dhe shumë dell poetik, shihnin një Hyjni në çdo pemë që rritej, në çdo rrymë që derdhej, apo në rrezet si trarë të ndritshëm të diellit dhe në rrezet e bardha të ftohta të hënës së argjendtë; për ‘ta i gjithë universi jetonte dhe zgjerohej, populluar nga mijëra forma hiri dhe bukurie.
Më e rëndësishmja mund të ketë qenë se këto Hyjni ndoshta ishin më shumë sesa krijime të thjeshta të një imagjinate aktive; mund të kenë qenë qenie njerëzore që u dalluan në jetën e tyre me përparësinë e tyre mbi të afërmit e tyre; kur vdiqën ata u ndanë nga njerëzit në mesin e të cilëve kishin jetuar dhe poetët prekën si me shkop magjik detajet e jetës, të cilat, herë prozaike, u regjistruan thjesht si bëma të shquara.
Është shumë e mundshme që punët dhe emri i mirë i tyre u përkujtuan nga rapsodë, të cilët, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin, me këngë e tregime, përhapën lavdinë e tyre; prandaj është jashtëzakonisht e vështirë, madje pothuajse e pamundur, të ndash faktet nga ekzagjerimet që kurrë nuk dështojnë të shoqërojnë traditat gojore rreth tyre.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-heronj mite

Shaban Murati dhe libri i tij ‘Bosnja, një pikëpamje nga Tirana’

July 29, 2019 by dgreca

Shkruan: Duda Balje*/

Shaban Murati, mjeshtër i madh në diplomaci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe analist dilpomatik për mbi 5 dekada, ambasador i Shqipërisë në Suedi, Norvegji, Finlandë, Islandë dhe Maqedoni, autor i mbi dhjetë librave të spektrit ndërkombëtar, rivjen sërish para publikut me librin dygjuhësh, shqip dhe boshnjakisht, “Bosnja, një pikëpamje nga Tirana”, por edhe që mund të titullohej edhe “Bosnja, sipas pikëpamjes euroatlantike” pasi autori ka fundekrye një frymë properëndimore, si zgjidhje e vetme për këtë rajon ende të trazuar.

Në këtë libër, nëpërmjet një këndvështrimi origjinal, vijnë ngjarjet më të rëndësisishme që ka përjetuar ky vend ballkanik që prej agresionit të përgjakshëm të shtetit të Millosheviçit, marrëveshjen e Dejtonit, angazhimin e drejtpërdrejtë të protagonistëve kryesorë të SHBA dhe Bashkimit Europian dhe rolit që kanë luajtur përfaqësuesit lokalë politikë të Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës, etj.

Në libër janë përfshirë 38 analiza që ngërthejnë një periudhë kohore të tri dhjetëvjeçarëve të fundit, por që shkojnë edhe më herët në periudha të tjera që lidhen me problematikat e Ballkanit dhe në fokus të veçantë të Bosnjë-Hercegovinës. Secili nga artikujt kërkon një hulumtim më vete për densitetin e ngjarjeve, personazhet e lartë të përfshirë në këtë konflikt të stërgjatë, qëndrimet pro dhe kundër që janë mbajtur në zhvillime të caktuara në kohë dhe vende të ndryshme, samite të suksesshme dhe të dështuara dhe plot ngjarje të tjera që vazhdojnë ta preokuojnë aktualisht Ballkanin. Shumë herë autori mban qëndrim kritik ndaj segmenteve të caktuara të politikës europiane apo të OSBE, por në çdo rast ballafaqon pikëpamjet e kryeqendrave shtetvendosëse duke u rreshtuar vetë ta ato që janë më racionale dhe më të mundshme për t’u realizuar.

Libri ka vlera të shumëfishta dhe fare mirë ai mund të jetë pjesë e bibliotekave të ministrive të jashmte në vendet e Ballkanit dhe jo vetëm, madje shërben edhe si një maual se si mund të hartohet një libër diplomatik që ka në thelb, dashurinë, paqen dhe është kundër urrjetjes dhe diskriminimit.

Si pjestare e komuniteti boshnjak në parlamentit e shtetit më të ri të Europës, pra në Kosovë i jemi pafundësisht mirënjohës këtij autori për këtë ndihmesë jo vetëm për Bosnjën, por edhe për krej Ballkanin dhe bashkohem me vlerësimin e ish-kryeministrit shqiptar Meksi që thotë: “ambasador nga më të mirët e vendit…patriarku i analizës diplomatike dhe politikës së jashtme, sepse është e pashoqe krijimtaria e tij në këtë lëmë; krijues i mendimit diplomatik shqiptar, të përgjithësimit të përvojës diplomatike shqiptare, kontribues në shkencën e mendimit diplomatik, me guxim profesional dhe novacion mendimor të një niveli mjaft të lartë”.

*Autorja është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Filed Under: Analiza Tagged With: Shaban Murati-Bosnja-Duda Balje

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë

July 29, 2019 by dgreca

Qeveria të ndalojë “taksën e gjakut” për të përndjekurit politikë/

*Nga Nebil Çika */

Tiranë 29 Korrik 2019/Kalvarit të të ashtuquajturës hapje e dosjeve të Sigurimit të Shtetit i është shtuar edhe një tjetër pengesë serioze. “Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” ka vënë në zbatim një VKM që detyron të përndjekurit politike antikomunistë, familjarët e tyre, studiuesit, gazetarët e të tjerë të interesuar për këto dosje të paguajnë para në se duan të marrin informacionin që kërkojnë.

Kjo VKM është në vazhdën e përpjekjeve që qeveria Rama, në konflikt interesi, po bën për të mbuluar me çdo kusht krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

Ky akt është vazhdimësi e krimit komunist jo vetëm për faktin se po u kërkohet para nga shteti, viktimave për informacionin mbi krimet që vetë shteti ka kryer mbi ta dhe familjarët e tyre, por edhe për faktin se shumica e tyre nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë për të parë gjëmën e tyre.

Për ta bërë më të kuptueshme po ju sjell një shembull konkret. Familjarëve të Havzi Nelës poetit antikomunist të varur në 1988 ju duhen sot më shumë se 1 milionë lekë të vjetra rreth 1 mijë euro për të marrë dosjen e tij.

Bëhet fjalë për një dosje voluminoze rreth 4 mijë faqe pasi ka hetime për një arratisje, tre dënime politike, një internim; pra pesë dosje që përmbajnë brenda nga tre dosje secila. 1- dosje përpunimi. 2- dosje hetimore , 3-dosje gjyqësore, pra në total 15 dosje voluminoze. Për ti marrë të gjitha këto, përfshi edhe vendimin për varjen e tij të firmosur nga i ati i kryeministrit, Kristaq Rama, atyre do t’iu duhet ti paguajnë para shtetit shqiptar.

Aplikimi i kësaj praktike ka bërë që shumë nga të përndjekurit politike dhe studiuesit e krimeve të komunizmit të tërhiqen nga kërkesat e tyre për të marrë nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të dhëna mbi persekutimin dhe persekutorët komuniste, që ne besojmë se është edhe qëllimi kryesor i vendosjes së kësaj tarife kriminale nga qeveria.

Kjo sjellje e qeverisë me të përndjekurit politikë të komunizmit nuk është një risi, është vazhdimësi e qartë e politikave të luftës së klasave dhe përpjekjeve të persekutorëve komunistë në pushtet dhe pinjollëve të tyre politikë, juridikë e gjenetikë, për të bllokuar zbardhjen e krimeve dhe të autorëve të tyre.

Kjo VKM, praktikisht i jep fund çdo pretendimi se shteti shqiptar “po hap” dosjet e krimeve të komunizmit. Pas ligjit gjysmak të përgatitur nga kjo qeveri, po i shtohet edhe kjo “taksë gjaku” që xhelatët po ju vendosin viktimave të tyre duke i detyruar të blejnë informacionet për krimet, torturat, burgosjet, internimet, përndjekjet dhe autorët e tyre.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e indinjuar nga kjo VKM i kërkon qeverisë anulimin e menjëhershëm të saj. Ndërsa Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i kërkon pezullimin e menjëhershëm të “taksës së gjakut”.

Ne i kërkojmë opozitës, opinionit publik dhe përfaqësive diplomatike të institucioneve e vendeve perëndimore, të ushtrojnë gjithë influencën dhe presionin e mundshëm, në ndalimin e këtyre politikave e praktikave të zbatuara nga qeveria Rama, si vazhdimësi e politikave komuniste të luftës së klasave ndaj të përndjekurve politikë antikomunistë, duke bërë të pa mundur zbardhjen dhe ndëshkimin e krimeve që komunistët kryen ndaj tyre.

*Kryetar i Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë- DEKLARATE PËR SHTYP E SHOQATES

Filed Under: Politike Tagged With: Nebil Cika- taksa e Gjakut

DARSIA, GJURMËT ILIRE PËRMES GJETJEVE ARKEOLOGJIKE

July 29, 2019 by dgreca

Shfletime 2 – DARSIA-Autor Harun Greca-/

Studiuesi Harun Greca do të mbetet i pari që i ka hyrë me themel zbulimit të shtresave dhe nënshtresave të fjetura të historisë së Darsisë. Jo se të tjerët nuk kanë tentuar, por thjeshtë sa kanë gërvishur në koren e sipërme, pa shkuar në zgafellat e historisë, atje ku qëndron e rrinë fshehur mademet e darsiane. Siç shkruan autori, ai i vetëm ka ecur nëpër muzg me pishtarin ndezur për të ndriçuar sadopak atë që është konservuar që prej lashtësisë: Mijëra vjet më parë, afërsisht në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, Darsia, skalioni i dytë i kodrave, mendohet të ketë qenë më i rëndësishmi se kodrat e Karatoprakut, dhe mbante e ushqente një popullsi të shumtë e të dendur, që ushtronte një aktivitet ekonomik, tregtar e kulturor të zhvilluar.

HISTORIA “FLE” NËN TOKË

Gjetjet e vazhdushme të objekteve të kulturës material të përdorura prej popullsisë vendase, të zbuluara rastësisht gjatë punimeve me karakter bujqësor në kohën e plugimit të tokave, në tararcimin e kodrave, hapje themelesh për ndërtime banimi, ose prej ekspeditave arkologjike sporadike e sipërfaqësore, dëshmojnë për një zonë të pasur, interesante që përbën një arsye më tepër për studimin e historisë së saj të harruar.

  Në Darsi shihen rrjedhimet e kulturës së lashtë vendase, e cila duket si e heshtur, rri si e vdekur, me sytë e gojën mbyllur….Jeta dhe vetë historia” fle” nën tokë, pret të zgjohet e të dalë sheshit, të pastrojë dheun që e ka ngrënë….

Autori përmes të dhënave arkivore dhe shfletimeve të shumta, referencave të pafundme, përpiqet të tregojë se zona ka qenë e banuar që në kohën e ngulimeve të para, atherë kur akujt shkrinë e moti u ngroh, kur drejt saj vërshuan popujt e lindjes, kapërcyen male e detra për kushte jete më të mirë.

MJETET PREJ GURI TË GJETURA NË DARSI, DËSHMI TË JETËS NË EPOKËN NEOLITIKE

Fale përkujdesjes së mësuesëve të historisë së asaj zone është arritë zbulimi i mjeteve prej guri, pasuria më e madhe dhe më me vlerë e gjetur ndonjëherë në pjesë të ndryshme të krahinës, që tregojnë fillesën e jetës që i përket epokës neolitike(të gurit ose 3200 vjet para Krishtit). Kjo përbën risinë më interesantë të lashtësisë së saj.

  Studiuesi Harun Greca tregon se gjeografia e shtrirjes së këtyre gjetjeve nis me kodrat në lindje të qytetit të Lushnjës, ku u gjet një sëpatë guri e fortë, ngjyrë ulliri, me formë trapezoidale me gjatësi 13 cm, që i përkiste kohës së Neolitit të vonë.

Një e tillë u gjet edhe në Karbunarë të Vogël, në faqet e kodrave lindore të saj. Kjo sopatë është prej guri të fortë, ngjyrë gri, e errët, me gjatësi 4.2 cm, e përdorur si mjet pune gjatë kohës Neolitike.

Një gjetje tjetër interesante doli në dritë gjatë plugimit me traktor të tokave në fshatin Gjuzaj. Ajo ishte një sopatë prej guri të brimuar, e gjetur dhe e dorëzuar nga një traktorist. Guri i punuar është i fortë, ka ngjyrë jeshile, është me teh të mprehtë e tunj të sheshtë. Ajo ka gjatësi 21 cm, me vrimë tuni në qendër për vendosjen e bishtit, diametri i vrimës është 3 cm.

Në tri sëpata të gjetura në rrethin e Lushnjës, tri i përkasin Darsisë, ndërsa vetëm një, e gjetur në qytetin antik të Babunjës (Arnisa), i përket popullsisë së lashtë të vendosur në kodrat e Karatoprakut.Gjetja e veglave prej guri që datojnë në periudhën e antikitetit, dëshmojnë se krahina kishte filluar të banohej e popullohej shumë shekuj para lindjes së Krishtit. Vendbanimet e para kanë qenë guvat dhe më pas kasollet. Objektet e gjetura japin sinajle të besueshme se DARSIA ka folur që në lashtësi, në kohët prehistorike 3200-1500 vjet para Krishtit.

DËSHMITË QË VIJNË NGA GJETJET E QERAMIKËS ANTIKE

Libri “Darsia” sjell dëshmi të shumta dhe i jep vend të rëndësishëm në kulturën material prehistorike gjetjeve masive të qeramikës antike. Janë gjetur me shumicë fragmente të qeramikës antike, enë  të ushqyerjes, të ujit, si dhe ato me qëllime luksi e zbukurimi. Ndër to përmenden: lekita, skifose, amfora, pitosa, kana, kupa, pjata, kandila ndriçimi, enë e tuba uji. Shumica u gjetën në varre, zbuluar rastësisht nga plugimi i tokave me traktorë, gjatë hapjes së themeleve për ndërtim banesash. Zbulime të atilla datojnë në shekujt IV-III para Krishtit. Në shumatoren e objekteve prej qeramike dallohen tjegullat për mbulesën e çative të shtëpive dhe atyre që përdoreshin për varre. Ato janë të mëdha e me ullukë të përkulur, por edhe të sheshta. Të tilla janë gjetë në Hysgjokaj, Ballagat, Gramsh, Rrumbullakë, Dushk  e Shegas. Në kodrën pranë Rrumbullakës, bashkë me skeletin e njeriut, brenda u gjetën enë balte(amfora) të zakonshme sferike, të fryra, me qafë e fund të sheshtë.Ornamenti i përdorur prej mjeshtrave që i kanë punuar, duket se është rrëshqitja e gishtave mbi sipërfaqe të enës gjatë përpunimit . Paretet e tyre ishin të holla dhe me pjekje të mirë. Në vendbanimin e lashtë u gjet edhe një varkë.

          VARRET E LASHTË, NË DARSI SI DËSHMI TË KULTURËS DHE RITEVE ILIRE

       Vlen të përmendet dhe varreza e madhe që u gjet nën këmbët e faqes së kodrës të Gramitorit, gjatë tarracimeve. Studiuesit pasi i kaluan në proces studimi arritën në përfundim se varreza i përkiste periudhës së Shekullit të IV-II para Krishtit. Brenda varrezës u gjetën sasi të mëdha enësh prej balte të pjekur e prodhimit vendas si dhe të importuara nga përtej detit, një sasi armësh, kryesisht maja heshtash prej hekuri, si dhe një përkrenare bronxi e luftëtarit ilir. Objektet hedhin dritë për një qendër të madhe të dikurshme banimi me kulturë materiale, rite varrimi dhe armatime. Me këto gjetje është marrë edhe S. Anamali tek”Arkeologjia e Bujqësisë”, Tiranë 1980.

Në Mollagjeç, pranë fshatit Ballagat, u gjetën varre me konstruksion tjegulle, brenda të cilave janë gjetur amfora të madhësive të ndryshme që i takojnë shekullit IV-II para Krishtit. Mbeturian të qeramikës antike në siërfaqe gjenden me shumicë. Ato janë ndeshë në lartësinë maksimale, që zbresin e degëzohen në dy drejtime; njera vargon në perëndim dhe mbërrinë deri në Gjuzaj dhe tjetra zgjatet në jugë  e përfudon në fshatin Gjyshaj.

Autori arrinë në përfundim se shtrirja urbanistike e këtij vendbanimi të çon tek mendimi se në lashtësi, mbi lartësinë e kodrës ka qenë një qytezë e rëndësishme, e cila ka ndikuar në jetën politike, ekonomike e kulturore të krahinës.

Gjetje interesante janë konstatuar në Dushk dhe kodrat në Lindje të qytetit të Lushnjës. Gjatë punimeve bujqësore traktoristët kanë zbuluar tuba në formë cilindrike, të vjaskuar, me gjatësi të ndryshme që varion nga 25 deri në 50 cm, me diametër 10-14 cm, të destinuar për ujë të pishëm e ujitje, të cilat dëshmojnë jo vetëm për teknikën e përkryer të punimit të tyre, por edhe për teknikën e ndërtimit të ujësjellësave. Studiuesi S. Anamali është marrë gjersisht me studimin dhe interprimin e atyre gjetjeve.

 Mbeturina të shumta të qeramikës gjenden edhe në lartësinë e kodrës së Shkujkës, në veri dhe jug të saj. Në pjerrësinë veriore deri deri në rrugën këmbësore që vjen e ngjitet në qafë prej Shegasit, janë konstatuar në sasi të mëdha mbetje gurësh e tjegullash.Nën këtë rrugë, gjithnjë, në veri të saj, ndodhet vendbanimi”Varret e Vjetra”. Mbi sipërfaqjen prej 1-2 ha këto material gjenden sheshit. Përfund saj, kufi me teqenë e Matjanit, ndeshen gurë varresh të një periudhe të vjetër.

Autori sjell dëshmi: Në qafën e kodrës”Varret e Vjetra”, aty ku kryqzohen rrugët këmbësore që vijnë nga Shegasi, Allprenaj e Matjani, 30 m në lindje, del ujë që vjen e rrjedh prej ujësjellësit të ndërtuar me tuba qeramike që i takojnë një kohe shumë të lashtë dhe që është i ngjajshëm me ujësjellësin e  Dushkut. Në Jug, nën këmbët e Shkujkës ndodhet vendbanimi i lashtë”Dergina”. Në sipërfaqen e saj prej 2-3 ha nuk ka pëllëmbë pa mbeturina të qeramikës antike. Mes mbeturianve has: tjegulla, pjesë enësh prej balte, gurë dhe tuba qeramike të copëtuara të ujësjellësit. Në lashtësi i gjithë vendbanimi ka qenë mjaft i populluar e i urbanizuar, ai furnizohej  me ujë prej burimeve të shumta , që Shkujka i ka patur me shumicë dhe nuk i kanë munguar kurrë, dhe që shpërndahej përmes tubave qeramike. Vendbanimi ka qenë një qendër e madhe urbane. Ai plotësohej me vargun tjetër të ndërtimeve, të ndodhur në lindje të Derginës, pothuaj pranë saj. Ato shkonin paralen në drejtimin jugperëndim, që niste nga Sopi i Kozmait deri në Harbor, për të cilin legjendat dëshmojnë se ka pasë një numër të madh shtëpishë.

SHKUJKA, NJË VENDBANIM I HERSHËM?

Pyetjes se ka qenë Shkujka një vendbanim i shumë populluar, autori i përgjigje:PO për këto arsye: Pamja që ofron maja e Shkujkës(282m) është fantastike. Ajo ndodhet në pozita të favorshme gjeostrategjike. Mbi kupolën e saj të sheshtë , në perëndim zotërohet e gjithë Myzeqeja që nga Fieri deri tek Shkëmbi i Kavajës, po ashtu bregdeti i Adriatikut nga grykderdhja e Semanit, bregu I Divjakës, deri ën Durrës. Në lindje zotëron të gjitëh Darsinë, kalon përtej saj, vështrimi rrok mallet e Tiranës, të Elbasanit, të Beratit, madje dhe të Labërisë. Në lashtësi kishte përballë Karavastanë, Arnisën, Bishçukëzën, ndërsa në lindje Klodianën, në jug qytezën antike të Belshit. Ajo kontrollonte rrugët Egnatia që vinin nga Durrësi dhe Apolonia. Në Mesjetë kishte pranë Bashtovën e Pirgun, survejonte të gjitha rrugët që përshkonin Myzeqenë e Drasinë.Pra, që gjithçka në majën e Shkujkës duket si në pëllëmbë të dorës.

Një anonim venedikas që shëtiti Shqipërinë në vitin 1570, në relacionin dërgur qeverisë së tij, përshkruan qytete, lumenj, kodra, male e fusha. Për zonë e Darsisë e të Myzeqesë shkruan” ka dhe kodrina të banuara dhe të kultivuara, ka fusha shumë të bukura e të gjera, duke nisur nga fushat e hapëta të Savrës, e cila me emër tjetër quhet Myzeqe, dhe (këto fusha) janë ndërmjet Vlorës deri te qyteti I Beratit, kurse në veri deri tek lumi Shkumbin, deri tek kështjella e Daistit(Darsit ose Dorsit-sipas I. Zamputit, e cila lidhet me emrin e DARSISË.

Studiuesit mendojnë se në Shkujkë ka pasë edhe kështjellë. Këtë pikpamje e favorizon pozicioni gjeostrategjik; tri anët e saj  janë gati të pakapërcyeshme, dhe siguronin mbrojtje natyrore; në lindje, jugë e perëndim, janë shpate të pjerrët, të thepisur, me hyrje vetëm në anën veriore. Natyra i ka dhuruar kështjellës vendin më të bukur, të përshtatshëm e strategjik.

                       VARRI ILIR NË GARUNJAS

       Me interes paraqitet një zbulim i vonshëm i një varri ilir në fshatin Garunjas, jo shumë larg Shkujkës. Varri u zbulua më 1983. Gjatë gërmimit për hapjen e themeleve për ndërtimin e një magazine të madhe drithi, u gjet skeleti i një njeriu, të shtrirë në pozicionin perëndim –lindje.Trupi ndodhej brenda një arkëze të përgatitur me tjegulla të sheshta, i mbuluar sipër me dy copë tjegulla të harkuara e të trasha 4-5 cm. Mënyra e varrimit kishte  të bënte me kultin e besimit. Në periudhën e paganizmit ilirët e konsideronin Diellin-Perëndi.Vendosja e trupit me kokë në perëndim i jepte mundësi të vdekurit të ishte me fytyrë të kthyer nga Dielli, në lindje.Fetë që u përhapën pas paganizmit nuk e ndryshuan këtë mënyrë varrimi. Brenda me të vdekurin, në fund të këmbëve u gjetën dy objekte; një enë qeramike e fryrë, me pozicionin në këmbë, me grykë të gjatë, me buzë të dala jasht dhe të zgjeruara; me fund të sheshtë, njëlitroshe, pa vegjë, e veshur me llak gri, mbi sipërfaqe e pikëluar në ngjyrën e bardhë të vezës, paretet e punuara me material të hollë. Mesi i enës zbukurohej me dy vija të holla si unaza, të barazlarguara, në ngjyrë të njëjtë me atë të piklave.

 Ngjitur, e të vendosur përmbys, u gjet një gotë uji qelqi, e holluar prej shekujve, në madhësinë e gotës së sotme, zbukuruar në mes me ornamente zigzake, ngjyrë portokalli. Enët nga forma e jashtme ngjajnë me ato të zbukuara në shumë vende të Shqipërisë që i përkasin periudhës së hekurit të hershëm 1100-500 vjet para Krishtit, por më afër u qëndrojnë enëve të gjetura në Vajzë të Vlorës, të cilat i takojnë shekullit VI-V para Krishtit. Në kohën parakristiane mendohej se njeriu vazhdonte jetën edhe pas vdekjes duke u ushqyer si më parë, kur ishte i gjallë, prandaj në varr shoqërohej me enët e ushqimit.

 Një gjetje tjetër intersante e gjetur në Darsi i takon fshatit Konjat, afër Dushkut.Është një objekt prej qeramike e llojit terrakotë.Objekti përfaqëson truporen e një gruaje me një fëmijë të kapur për dore. Studiuesit mendojnë se përfaqëson kultin e një Perëndie që merr në mbrojtje fëmijët. Teknika, forma e dimensionet janë të njëjta me ato të gjetura në Durrës dhe Apoloni, që i takojnë shekullit VI para Krishtit.

 Janë zbuluar edhe objekte prej hekuri, kryesisht heshta të luftës dhe vegla bujqësore të cilat janë gjetur në kodrat e Dushkut.

Autori I librit DARSIA shpreh mendimin se kodra e Gramitorit, mbi Dushk, duhet të ketë pasur rëndësi jo vetëm kulturore, por dhe ekonomike e ushtarake. Ajo mund të mbajë fshehur jetën e shumë objekteve që presin të zgjohen.

   Në rajonin e fshatit Hajdaraj, në një varr të zbuluar aty, të vdekurin e kishin shoqërur me gjërat vetjake; një drapër, e një latushë prej hekuri(sqepar marangozi), që i përkasin antikitetit të vonë, shekullit IV pas Krishtit.

Të shekullit të II dhe të IV, pas Krishtit, i përket edhe iventari i gjetur në një varr pranë fshatit Hysgjokaj. Brenda varrit u gjetën vegla bujku: dy kosore e një sëpatë. Po ashtu u gjetën vegla pune edhe në një varr të zbuluar në Mollagjeç, që i përkisnin të njëjtës periudhe historike. Ato ngajsojnë me objekte të ngjashme të gjetura në Koman dhe në Krujë. Ç’ka përforcon vazhdimësinë e popullimit e të kulturës ilire në Darsi.

        ****

Në Darsi gjallonte një tregti e zhvilluar. Nëpër rrugët e saj lëviznin mallra të shumtë drusorë, bujqësorë, blegtoralë drejt tregjeve, brenda dhe jasht krahinës, si dhe përtej brigjeve të Adriatikut. Duke filluar që nga shekulli IV para Krishtit tregtia kryhej me monedha. Megjithëse disponohet pak, vetëm një e gjetur në Hysgjokaj, prerja e perandorir Romak, Aleksander Severit, 222-235 pas Krishtit, dëshmon për një lehtësi në këmbimet tregtare të përhapura gjerësisht jo vetëm në Iliri, por edhe në Darsi.

Përfundimi i autorit të librit”Darsia” për gjetjet arkologjike: Të marar së toku gjetjet arkeologjike, të përmenduara pak ose aspak prej studiuesve, ia ngrenë rëndësinë, rrisin vlerat e krahinës dhe të banorëve të saj, që e sollën stafetë pas stafete eksperiencën, kulturën, mjeshtrinë e paraardhësve ilirë. Ata i përkasin këtij trungu.(Përgatiti:Dalip Greca)

(VIJON- Fakte dhe Argumente për Darsinë ILIRE-Neser do te lexoni: Perse e mori emrin DARSIA? )

Filed Under: Histori Tagged With: Harun Greca- Darsia- Gjetjet arkeologjike

E megjithatë faleminderit Mehdi Malka!

July 29, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Dje mbrëma u bë virale në internet një monodramë e interpetuar nga Mehdi Malka. Titullohej “Marr guximin”, me autor Vangjel Kozma. Rezulton se është një dramë e shkruar disa vite më parë dhe që është interpretuar prej Mehdiut në një teatër tjetër. Një dramë me disa akte ku tema ishin tufëzimi i intelektualit apo interpordhacakët, derrat, kungujt, këlyshët, gomerët etj. Madje kjo e fundit rezulton me hori duartrokitjesh kur aktori tha se, gomerët janë krijuar për të punuar, pëllitur hedhur dhe ndonjë shqelm ndonjëherë, por kurrë për të drejtuar punët e shtetit. Megjithatë tërësia e këtyre figura më shumë se nxjerrja në pah e këtyre intelektualëve interpodhacalë etj., më shumë se fakti që e shkatërrojmë katin e parë të shtetit dhe vazhdojmë punimet në katin e katërt a të pestë të tij., më shumë se fakti që prej kaq vitesh na kanë drejtuar dhe po na drejtojnë derrat aq më mut do shkojnë punët e vendit tonë., më shumë se fakti që prej aq kaq vitesh na dhuntojnë gomerët, poshtë e më poshtë do bëjmë etj. Pra tërësia e këtyre krahasimeve nuk ka si qëllim faktin që të qeshim me derrat, gomerët apo intelktualë pordhacët, por na tregon me gisht ne si shoqëri, që i pranojmë derrat, gomerët dhe pordhacakët të na sundojnë, shtypin, përçajnë me të njëjta metoda otomane shekullore. Se 40 e kusur vite na i mori socializma e 30 vjet u bënë me këtë dëmdemokraci, ku ca tifozë të laros e ca balos, por kurrë respekt plotë të vetvetes. Pra tërësi e fjalës së interpretuesit dhe e horive të duarve është e gjitha një dhimbje sociale, mungesa e respektit për vetveten. Ndaj jo rastësisht sot shqiptarët janë tifozë me shumicë të palëve. Ngërthyer në një luftë palësh, aq sa është e trishtueshme të tejdebatohet një shembje teatri, të përçahet komuniteti kur mjetet e zgjedhjes janë aty dhe tërheqja është më shumë se respekt është virtyt i mendje ndriturit jo mendje mbushurit.

Eshtë e trishtueshme dhe jo rastësisht një shoqëri e tillë neglizhon deri verdiktin e saj, deri ekonimë e saj, deri drejtësinë. Shtyllat bazë dhe të munguara të këtij shteti që pretendon se ka kapur katin e shtatë pa ngritur akoma të dytin. E përgjithshmja është kjo që shqiptarë mjaft u lodhët për emrat, lodhuni një herë për vetveten se mbase e kuptoni pastaj se si u bënë Franca, Gjermania, Anglia, apo Amerika e madhe, vende ku ka fluturuar dhe po fluturon vitaliteti yt kombëtar. Dhe do ta shikoni se sa të thjeshta bëhen edhe të tjerat përmes jush se sa përmes gallofëve të tipit Edi Rama etj. E megjithatë faleminderit Mehdi Malka se na dhe mundësinë të na njomen sytë, prekëm teatrin e vertetë, atë të cilin duket sikur e ka mbytur teknologjia, babëzia për të mundur të tjerët duke i rrjepur nga gjithçka. Por jo, aty qenka idili shpirtëror, më i fortë se çdo pordhacak, se çdo dështak, çdo derr a turi derr. Faleminderit se është e vërtetë, erdhëm në demokraci me një uri nga uria e stomakut të diktaturës, uri që na ka transformuar duke na kthyer në qenie që gjithçka e shikojmë dhe gjykojmë me urinë e rrjepjes dhe përvetësimit, shkurt në kafshë të mirëfillta. Ndaj edhe po vdesim prej vetes dhe veç prej saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Marr guximin-Mehdi Malka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 932
  • 933
  • 934
  • 935
  • 936
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT