• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DON NIKOLLE MAZREKU- JO VETEM I DIJTUN PO, EDHE TRIM…

July 24, 2019 by dgreca

37  VJET  BURG  E  INTERRNIM/

DON NIKOLL MAZRREKU-(Grafikë nga F.Radovani 1993)/

Nga Fritz RADOVANI/

Don Nikolli (1912 – 1996) asht le në Mazrrek. U shkollue në Romë dhe asht Shugurue Meshtar atje me 10 Shkurt 1939, plot 80 vjet perpara. Në 1940 asht Famullitar në Tiranë. Filloi aktivitetin Atdhetar në revisten e mbrojtjes së të drejtave kombtare kunder italianve dhe pushtuesve. Në vitin 1941 boton broshuren “Skandali Cordignano”, veper e cila asht edhe sot nder ma të njohunat antiitaliane, tue u rreshtue perkrah Don Ndre Zadejës…

Me pushtimin sllavokomunist të Shqipnisë, arrestohet në vitin 1946 e dënohet 5 vjet burg po, duhet cilsue se me 25 Dhjetor 1950, sigurimi i shtetit i pushkaton vllaun Rrokun, tue i veshë akuza fallco per Frano Mirakaj. Don Nikolli u dergue në kampe shfarosje deri në vitin 1956 në Tepelenë, Kurvelesh, Berat… Mbasi u lirue punoi puntor krahu derisa prap në 1967, një vit mbasi u lirue u interrnue persëri 7 vjet në Lushnje, dhe atje u dënue me 20 vjet burg e u dergue në Skrofotinë të Vlonës. U dergue në Burrel, Ballsh dhe Zejmen…

Asht lirue me 17 Mars 1987, dhe vjen tek e Motra Marija Gjoka. Aty ka jetue deri në 1996.

Don Nikolli asht kenë Autor i poemave me vlerë të madhe letrare dhe historike “Kangë per Gjergj Kastriotin”, “Me Flamujt e Kastriotve” dhe “Tek lisi i thamë”…

Ka edhe libra të pabotuem me vlerë të madhe me pseudonimin e njohun Nik Barcolla.

Don Nikolli asht kenë një Burrë i pergatitun me humor dhe një kandveshtrim të veçantë.

Kujtoj në 1966, erdhi në ekspoziten time personale me At Aleks Baqlin. Po bisedonim per mosmirmajtjen e Kishave nga shteti… U hap biseda per Xhaminë në qender të Tiranës, e kujdesin që duhet tregue per atë Xhami, mbasi Don Nikolli kishte mendim personal: “Ajo Xhami duhet ruejt dhe nuk duhet kursye asgja per kujdesin e mirmajtjes saj, mbasi çdo i huej porsa ven kamben në Tiranë, kupton menjëherë se me cilen qeveri ka punë, pa kenë nevoja prej kurrkujt me i tregue se kush asht Enveri, Mehmeti e Haxhi Lleshi!”.

Koha vertetoi se angazhimet me “Lindjen dhe Konferencat Islamike..,” ishin e mbeten si i parashikonte i Dijtuni e Trimi Don Nikoll Mazrreku: “Shqipninë nuk e ndriçon Dielli!”

            Melbourne, Korrik 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani-Don Nikolle Mazreku

LUFTA PER TEATRIN-PRESIDENTI:SHEMBJA ANTIKUSHTETUESE!

July 24, 2019 by dgreca

– Ehe President Meta ne Mbrojtje te Teatrit/

-Robert Budina: Kjo është kalaja e fundit e demokracisë, ata kanë marrë çdo gjë/

Meta depoziton kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e Teatrit/

Regjisori Robert Budina është një ndër artistët që vijojnë të bëjnë rezistencë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, dhe mëngjesin e sotëm ndaj tij u shtrua dhunë nga policia e cila po përpiqej të lironte hyrjen kryesore të Teatrit.

Disa orë më pas artistët tentuan të hyjnë në Teatër por nuk u lejuan nga policët. Pati tension dhe përplasje mes tyre dhe policisë.  Budina u shpreh i vendosur se do të vijojë rezistencën për të mos lejuar shembjen e Teatrit Kombëtar.

Robert Budina i drejtohet policit: Ti po mbron mafiozin, unë po mbroj vendin dhe fëmijët e tu

Polici: Të lutem vazhdo

Robert Budina: Unë po mbroj vendin dhe fëmijët e tu

Polici: Të lutem zotëri

Robert Budina: Ti po mbron bukën e gojës, por me ne do marrësh më shumë. Do marrësh edhe një dinjitet, nuk do marrësh vetëm bukën e gojës.

Ne duam vetëm të shohim çfarë po ndodh me Teatrin Kombetar (TK), asgjë më shumë. Keni ardhur këtu pa asnjë urdhër, pa asnjë dokument.

Budina u drejtohet gazetarëve: I kemi kërkuar dokumentat pse vjen policia. Sepse policia duhe të vijë këtu vetëm në objekte të rëndësisë së veçantë dhe ky nuk është objekt i rëndësisë së veçantë. Kanë ardhur të na provokojnë, kanë ardhur të mbrojnë ‘me demek’ punëtorët e TK.

Gazetarja: Ju i njihni personat që u futën brenda?

Robert Budina: Është vetëm drejtori organizativ i TK. Të gjithë të tjerët që janë futur brenda janë të paligjshëm, nuk janë punonjës të TK dhe nëse u futën ata punëtorët që i kanë marrë për bukën e gojës, ne duhet të futemi brenda. Jemi njëlloj si ata.

Pse këta punëtorët e tjerë u lejuan mor zoti polic dhe ne nuk u lejuam? Ata ishin si ne, nuk janë punëtorë të TK.

Pra, ju e shihni që nuk e kanë një përgjigje dhe ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër, përveçse të kuptojmë se çfarë po ndodh në TK. Çfarë po bëjnë zotërinjtë që janë futur brenda, që nuk janë punonjës të TK?

Po vënë bomba për ta djegur, siç dogjën atë tek Bashkia?

Do shkaktojnë ndonjë skandal? Çfarë është kjo punë?

Dhe kanë marrë njerëz që i përdorin si ‘mish për top’. Si ‘mish për top’ janë sot zotërinjtë policë, si ‘mish për top’ janë punëtorët e shkretë për ‘bukën e gojës’ dhe ne duam të kuptojmë se çfarë po ndodh. Këta nuk na lënë të futemi brenda.

Gazetarja: Z. Budina jeni pa këpucë dhe me bluze të grisur. U ushtrua dhunë?

Robert Budina: Jam pa këpucë, se m’i hoqën këpucët. U ushtrua dhunë, patjetër që u ushtrua dhunë. Është dikush që më vjen gjithmonë nga mbrapa dhe më ngre dhe ikën. Më thotë : “Nuk kam ikur” nja katër herë. Më grisës, më kapën, më shtynë…pak rëndësi ka, grisja nuk është asgjë para demokracisë, ia lejojmë vetes edhe ndonjë thyerje eshtrash, nuk ka problem.

Gazetarja: Z.Budina doni të hyni brenda?

Robert Budina: Duam të hyjmë brenda të shohim se çfarë po ndodh me TK, asgjë më shumë. Dhe kush janë njerëzit që janë futur? Janë sabotatorë sepse, duke patur parasys që këta duan ta shembin TK, këta mund të bëjnë edhe ndonjë ‘incident’. T’i vënë flakën nga brenda, sikur ra, sikur e dogjëm ne, kështu që, ne duam të kuptojmë kush janë këta njerëz, që nuk janë punonjës të TK që janë futur brenda.

Gazetarja: Sa kohë ka që nuk futeni në TK?

Robert Budina: Që kur është mbyllur vjet, ndërkohë që nuk ka një dokument që tregon se është jashtë funksioni TK. Është brenda funksionit, kanë ikur vetëm me urdhër. Drejtori i TK që ka ikur vetëm si rezultat i urdhrit të kryeministrit një ditë do të mbajë përgjegjësi pse e ka spostuar trupën atje sepse kjo nuk përbën rrezik. Nuk ka asnjë dokument nga Instituti i Ndërtimit që kjo nuk është në gjendje të mirë. Kjo është në gjendje të mirë.

Gazetarja: Ka materiale brenda që mund t’u nevojiten tek Art Turbina?

Robert Budina: U nevojiten vetëm skenografitë, rekuizitat. Pjesa tjetër: ndriçimi, karriget, janë aty dhe nëse lëvizin ato do të thotë që TK bëhet gati për t’u shembur.

Gazetarja: Ju shohim pa këpucë z.Budina

Robert Budina: Po m’i morën policët këpucët edhe më grisën policët edhe neve tani do grisim shtetin që ta shpëtojmë shqiptarin nga kjo dhunë, por janë të dorëzuar. Pavarësisht se na shtyjnë, janë të dorëzuar.

Ne po i ruajmë policët, janë vëllezërit tanë, por faktikisht shteti po i përdor për ‘mish për top’ dhe ju e shihni që ata janë jo me mjetet e nevojshme.

Gazetarja: Do bëni rezistencë?

Robert Budina: Patjetër që do bëjmë rezistencë dhe kjo nuk ka dyshim. Nuk ka dyshim, sepse kjo është kalaja e fundit e demokracisë. Ju e kuptoni që ata kanë marrë çdo gjë.

***

Presidenti i Republikës Meta depozitoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar kërkesën për shpalljen antikushtetuese të ligjit për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Presidenti e konsideroi vendimin për shembjen një proces kriminal dhe theksoi se është e nevojshme ndërpreja e këtij akti.

Në një deklaratë për mediat, Meta tha se do veproj drejtësia shqiptare ndaj rilindasve kombëtare dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendin pa gjykatë kushtetuese dhe morën vendimin për të shkatërruar teatrin.

Ilir Meta: “Në radhë të parë dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka akti im sot që është në koherencë me përpjekjet e mia të vazhdueshme ne raport me Kuvendin, qeverinë dhe institucionet e përfshira në këtë proces kriminal, në kundërshtim me rendin e vendit, akteve dhe marrëveshjeve kombëtare dhe njëkohësisht në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit. Ligji për shkatërrimin e teatrit është një kryevepër kryhet në një krim kushtetues, kombëtar dhe kulturor dhe vetëm në interes ‘rules of oligarks’.

Dua ti siguroj të gjithë se kam ardhur këtu për të garantuar që Republika e Shqipërisë do jetë një vend i sundimit të ligjit dhe popullit, boll me sundimin e oligarkëve. Është e domosdoshme ndërprerja e këtij akti që filloi sot në mëngjes, do veproj drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare ndaj rilindasve kombëtare dhe ndërkombëtare që e kanë lënë vendin pa gjykatë kushtetuese. 

Nuk jemi rastësisht pa gjykatë kushtetuese. Fajin nuk e ka reforma, ajo nuk e linte pa Gjykatë Kushtetuese vendin la ramaforma.

Drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare do veprojë një ditë për këtë krim që është shkatërrimi i teatrit kombëtar. Është përpjekje për të instaluar me dhunë ‘rules of oligarks’.

Nuk ka forcë në botë që më ndalon mua si president që të vë para drejtësisë rilindasve kombëtare.

Unë jam i lumtur për procesin dekorimit që ka filluar ndaj meje. Kam dy vite që jam betuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Asnjë president nuk ka ardhur këtu. Drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare do veprojë. Drejtësia kombëtare është më kryesore.”

Ora13:08 – Meta mbërrin në Kushtetuese i shoqëruar zëdhënës presidenti, Tedi Blushi.

Ne nje postim ne Facebook pak me pare, Presidenti e quajti te turpshme rrethimin me polici te Teatrit dhe përplasjet fizike të policisë me komunitetin e artistëve. 

“Rrethimi me policë i Teatrit Kombëtar dhe përplasjet fizike me komunitetin e artistëve, të cilët janë aty në mbrojtjen e një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike, kulturore e kombëtare, janë një ngjarje e shëmtuar dhe e turpshme.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të respektojë artistët dhe të mos i dhunojë ata fizikisht në ushtrimin e së drejtës së tyre për të protestuar ndaj një vendimi abuziv e korruptiv për prishjen e godinës së Teatrit, dhe as t’i lëndojë ata shpirtërisht, në respekt të dinjitetit njerëzor dhe kontributeve të vyera që kanë dhënë për artin e kulturën kombëtare. As sampistët e Ramiz Alisë nuk e kanë prekur me dorë Edmond Budinën në dhjetor ’90!

Shumë turp! Shumë turp! Shumë turp!” 

Kortezi TV Ora news Albania

Filed Under: Featured Tagged With: teatri

Ramush Haradinaj mbrohet në heshtje

July 24, 2019 by dgreca

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi të mërkurën paraqitjen para Prokurorisë së Posaçme në Hagë, që është një nga dy dhomat e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem për çka jam pyetur..”tha ai pasi doli nga prokuroria.

Ai u paraqit në Hagë pak ditë pasi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga ky post më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Të premten e kaluar ai paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme, meqë, siç tha, nuk dëshironte të çonte në Hagë shefin e qeverisë.

Të martën para se të arrinte në kryeqytetin holandez, ai shkroi në rrjetet sociale se “si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me SHBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje…”.

Zoti Haradinaj refuzoi thirrjet dhe trysninë edhe të diplomatëve evropian e amerikan për pezullimin e tarifave me të cilat Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Beogradi sërish e ka përsëritur kërkesën për heqjen e tarifave si kusht për fillimin e bisedimeve, ndërsa ka theksuar se dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarris edhe më tej procesin, meqë mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Vet zoti Haradinja ka bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe ka theksuar se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të jetë pjesë e asnjë ideje tjetër për daljen nga situata aktuale në Kosovë.

Edhe partitë tjera në pushtet, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, pohojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të cilët kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, i cilësoi të “pashmangshme”. Opozita pret që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fillojë këshillimet për të caktuar datën e tyre.

Por, presidenti Thaçi, i cili tha shkurt në një njoftim fundjavën që lamë pas se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë, nuk ka bërë asnjë veprim dhe asnjë koment rreth kësaj çështjeje.

Heshtja ka nxitur spekulime për ndonjë përpjekje tjetër për të tejkaluar situatën, ndonëse duket shumë e vështirë duke pasur parasysh qëndrimet e partive politike.

Thirrja në Hagë e zotit Haradinaj ndodhi në të njëjtën kohë kur thirrje të tilla morën edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të kësaj ushtrie, Bislim Zyrapi, ish anëtari i këtij shtabi Sokol Bashota, ish shefi i një zonë operative të UÇK-së, Shukri Buja, por edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj ushtrie.(Kortezi: Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Haradinaj Ramush

VLERA E PARIMEVE LIBERALE DHE INTERESAT E QYTETARËVE

July 24, 2019 by dgreca

Nga Alberto Alesina dhe Francesco Giavazzi/

Përktheu për Diellin-Eugjen MERLIKA/

            Institucionet e pavarura janë qenësore sepse detyrat e tyre kërkojnë koncepte që shohin në periudha afatmesme e afatgjata që nuk i përshtaten mirë horizonteve të politikës.

            Vladimir Putini pohon se, parimet liberale që deri tani kanë mbarështuar Perëndimin, sot janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve. Ndërmjet tyre Putin-i fut demokracinë përfaqësuese dhe liberizmin ekonomik. Lidhja ndërmjet udhëheqësit e popullit, në koceptin “populist” të tij, duhet të jetë i drejtpërdrejtë pa ndërhyrjen e një parlamenti që është themeli i demokracisë përfaqësuese. Kjo në fakt bazohet mbi një sistem të “checks and balances” që përfshijnë , përveç parlamentit, institucione të tjera të pavarura: ndërmjet këtyre drejtësinë e, në fushën ekonomike, bankat qëndrore dhe autoritetet e rregullimit të tregjeve. Peshat e kundërpeshat herë herë ngadalësojnë veprimin e qeverisë, po shmangin që drejtues të panënështruar asnjë kontrolli të bëhen në fakt diktatorë.

            Institucionet e pavarura janë qenësore edhe në një demokraci sepse detyrat e ngarkuara atyre (për shembull qëndrueshmëria e çmimeve dhe e ciklit ekonomik e konkurrencës) kërkojnë koncepte që shohin në periudha të mesme e të largëta që nuk i përshtaten mirë horizonteve të politikës, të ndikuar nga grupe të ndryshme trysnie dhe afatesh kohore zgjedhore të qeverive. Pavarësia duhet të ketë caqe të sakta, të përcaktuara nga ligje e statute e qeveria duhet të ketë pushtetin të emërojë, në ndërhapësirat e rregullta, drejtuesit e këtyre institucioneve me një proçedurë që të shohë bashkëpunimin e institucioneve të tjera, për shembull të vetë parlamentit.

            Një libër i bukur i Paul Tucker, ish zëvendësguvernator i bankës s’Anglisë, shtjellon rolin dhe organizimin më të mirë të institucioneve të pavarura në një sistem demokratik. Ndërsa në Moskë, banka qëndrore merr urdhëra drejtpërsëdrejti nga Putin-i dhe antitrasti rus është thjesht një ministri e qeverisë nën urdhërat e presidentit.

Në Perëndim janë dashur shumë dhjetravjeçarëpër të krijuar institucionet e pavarura dhe disa, populistët të parët, sot pyesin veten nëse pavarësia e tyre duhet ruajtur. Le të marrim në shqyrtim më parë konkurrencën. Disa muaj më parë Komisioni evropian, të cilit traktatet i kanë dhënë fuqi ekzekutive sa i përket konkurrencës, ndaloi shkrirjen e dy ndërmarrjeve të mëdha, njëra franceze e tjetra gjermane, Alstom dhe Siemens, duke gjykuar se do të lindëte një gjigand që do të kishte rrënuar konkurrencën  e çmimeve për konsumatorët. Franca e Gjermania protestuan , por nuk mundën të bënin asgjë sepse Komisioni është i pavarur. E njëjta gjë ndodhi njëzet vite më parë kur antitrasti i Brukselit, atëherë i drejtuar nga Mario Monti, detyroi Gjermaninë të shmangëte sigurinë publike për Arkat e kursimit gjermane, një formë e ndihmës së Shtetit. Edhe atherë qeveria gjermane sokëlliu por nuk mundi të bëjë asgjë.  

Ndërsa për sa i përket bankave qëndrore, pak më shumë se mbas një dhjetëvjeçari nga fillimi i krizës financiare mund të pyetet se si duhet gjykuar qëndrimi i tyre. Bankierët qëndrorë janë paditur me të drejtë se kanë kuptuar me vonesë se çfarë po ndodhte e si po zhvillohej një furtunë e rëndë financiare. Problemet ishin tre. I pari: vepruesit e tregjeve financiare ishin dehur nga ideja se çmimet e aksionevet dhe titujt e tjerë nuk mund veçse të ngriheshin dhe fitimet e tyre të vazhdonin në pafundësi pa rreziqe. Ishin mashtruar se veprime komplekse financiare të cilat kishin si pasojë fshehjen e rrezikut global do të mund t’a shmangnin atë. I dyti: bankat qëndrore nuk kuptuan se tregjet financiare kishin ndërmarrë një dinamikë të pambrojtëshme dhe nuk ndërhynë. I treti: shumë nga ekonomistët që në bankat qëndrore, por edhe në universitetet merreshin me makroekonomi e financë, ishin të verbuar nga ideja se tregjet ishin “të përsosur” e do të ndreqeshin vetë pa dhimbje. Dy ekonomistë, Nicola Gennaioli i Bocconit dhe Andrei Shleifer i Harvardit i përshkruajnë në mënyrë mjeshtërore këta gabime të rënda vlerësimi në një libër të tyre të kohëve të fundit.

Të mbajmë parasysh se gjërat nuk janë aq të thjeshta sa mund të duken. Të shmangej kriza financiare ishte një lojë fëmijësh: mjaftonte të viheshin kufizime shumë të shtrënguara për marrjen e rrezikut dhe për rezervat e bankave. Por kështu do të shtrëngohej borxhi për familjet e ndërmarrjet, duke penguar rritjen. Është pak a shumë si të thuash se është e lehtë të shmangeshin pothuajse të gjithë aksidentet rrugore duke bërë të detyrueshme  shpejtësinë më të lartë atë 50 km n’orë në autostrada. Ndërsa bashkërisht zgjedhim të pranojmë një numur të lartë aksidentesh vdekësorë për të mundur të ecet më shpejt. Si të mbahet në një drejtpeshim rritja dhe qëndrueshmëria financiare është pra një problem jo i thjeshtë.

Përgjigja e bankierëve qëndrorë mbas shpërthimit të krizës ka qënë veçanërisht e volitëshme. Para së gjithash kanë kuptuar se duhej t’a mbushnin me para sistemin financiar, duke shmangur gabimin e kryer gjatë krizës së vitit 1929. E bëri Ben Bernanke, guvernatori i Federal Reserve, një ekonomist akademik, fama e të cilit i detyrohej pikërisht studimeve të tij për krizën e 29-ës. Të njëjtën bënë edhe bankat qëndrore të Japonisë e të Anglisë dhe Bqe e Mario Draghit, mbasi që parardhësi i tij, Jean – Claude Trichet, më 2011, i kishte ngritur dy herë përqindjet e interesit, duke përsëritur gabimet e vitit 1929.  Veç asaj Fed kuptoi shpejt se duhej ndërhyrë për të mbështetur sistemin bankar e për të shmangur shëmbjen. Banka qëndrore dhe qeveria amerikane vepruan me shpejtësi e me sukses, aq sa depozituesit të mos humbnin as një dollar. Nëse ka qenë një gabim të lihej të falimentonte Lehman Brothers apo mund të bëhej ndryshe nuk është e padiskutueshme.

N’Evropë u desh shumë kohë për të ndërhyrë në stabilizimin e bankave, por për një arsye politike: “kapja” e qeverive nga ana e aksionistëve të bankave që donin të shmangnin pësimin e humbjeve.Ndërmjet të tjerash kjo ngadalësoi ndërtimin e një strukture financiare me kontroll evropian në zonën euro, i ashtuquajturi “bashkim bankar” që vetëm sot, mbas dhjetë vitesh të krizës, Evropa me shumë ngadalësi po mundohet t’a plotësojë.

Arsyeja tjetër për të cilën u shmang katastrofa është se u ndalua shtyrja populiste për mbylljen e tregjeve dhe luftën e tarifave, edhe në sajë të dhjetëvjeçarëve të studimeve ekonomike që kanë treguar se proteksionizmi është rrënues dhe se mbajtja e tregëtisë së lirë ndërkombëtare është jetike, edhe në çaste krizash në të cilat shfaqen kërkesa të fuqishme”Proteksioni”. Mbas krizës së 1929 u bë saktësisht e kundërta me përfundimin që PPB ra me 30% në SHBA e pak më pak n’Evropë. Së fundi qeveritë lejuan që borxhet e brëndëshme të shtoheshin, si për pasojën automatike të rënies ekonomike, si për efektet e politikave të stimujve tatimorë, duke ndjekur porositë e zhvilluara nga kërkimi ekonomik që në vite kishte përpunuar mendimin e Keynes-it. Raporti borxh PPB arriti në 6% në Shtetet e Bashkuara, 3 në Gjermani, 5 në Francë, 6 në Britaninë e Madhe, 2 në Suedi ( nga një tepricë prej 4% para krizës), të gjithë Vënde me bilance të qëndrueshme dhe një nam fiskal të padiskutueshëm, që mbrapa nuk kanë patur nevojë të marrin masa regjimi kursimi.

Ndërsa aty ku regjimi i rreptë i kursimit ka filluar shpejt, ose më parë se të mbaronte rënia ekonomike, qe në ata Vende që për një arsye apo një tjetër kishin një gjëndje tatimore të paqëndrueshme, megjithëse politika monetare e Bqe ishte fuqimisht espansive.Në Irlandë e në Spanjë për shkak të shpërthimit të një flluske spekulative  të ndërtimeve me pasojat e saj mbi bankat dhe defiçitin publik; në Portugali dhe Itali për peshën e borxhit të grumbulluar pa arsye në dhjetëvjeçarët e mëparshëm; në Greqi për shkak të politikave jashtzakonisht të pandërgjegjëshme të dhjetëvjeçarit para krizës. Kur në këta Vënde u bë e nevojshme të zbatohej rreptësia financiare më parë se të mbaronte rënia ekonomike, shumë ekonomistë këshilluan të shkurtohej harxhimi e jo të rriteshin taksat. Këto këshilla u vërtetuan të sakta; Vëndet që vepruan kështu kanë patur rënie ekonomike më të shkurtëra e më pak të thella.

Por Putinit e gjithë kjo i intereson pak. Mbështetja e tij për populizmin, edhe për atë italian, është vetëm një mënyrë për të ligjësuar diktaturën e tij “në fakt” e për të përforcuar partitë që në Be kërkojnë të çmontojnë ndërtesën evropiane. Kështu do të lirohej nga një konkurrent e do të kthehej tek dypolësia ShBA – Rusi me një tjetër më shumë sot, Kinën.

Corriere della Sera, 3 korrik 2019     E përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Alberto Alesina-Francesco Giavazzi-Eugjen Merlika

Alpinistja nga Kosova në 5 maja të botës mbi 8,000m

July 23, 2019 by dgreca

Uta ngjitë edhe Gasheburum 1 (8,058 m), bëhet e para vajzë në Ballkan me 5 maja mbi 8,000m/

Me 12 qershor, rreth orës08:00, alpinistja Uta Ibrahimi ngjiti edhe majen “Gashurburum 1” (8,058 metra lartësi mbidetare), majen e 11-të më të lartë në botë, pjesë e vargmalit Karakorum, në Pakistan.

Rruga deri në maje të tilla asnjëherë nuk është pa të papritura, për shkak të terrenit të egër, motit të paparashikueshëm, akullnajave dhe orteqeve. Për të arritur deri në kampin bazë (5,200m), është dashur të ecë 150-160 km nëpër kampe të ndryshme, një shteg i përzimë me gurë (morane) e akullnaja.

Ngjitja prej Kampit bazë deri në Kampin 2 (6500m) ka qenë ngjitje krejtesisht pa litardhe mjaft e rrezikshme sidomos per faktin e cravasasve – mirëpo ngjitjet janë bërë me litar në mes të ngjitësëve të ndryshëm.

Për në Kampin 3 (7,200m), ngjitja ka qenë kryesisht teknike, me pjerrtësi prej 50-65% dhe gurë e akull.

“Ngjitjet nga kampi në kamp janë përgatitje e rëndë për sulmin drejt majes, por janë edhe mundësi e mirë për të takuar dhe biseduar me alpinistë nga e gjithë bota dhe kuptohet, për të ju treguar për Kosovën tonë, për malet tona. Me shumë prej tyre e vazhdoj bisedimin edhe pas ekspeditës, dhe në raste të njejta, disa edhe e kanë vizituar Kosovën.” – shprehet Uta Ibrahimi.

Nga Kampi 3 fillon edhe sulmi drejt majes (11 qershor, ora 18:30). Pjerrtësia prej 60% dhe mungesa e litarit e ka bërë ngjitjen më të ngadalshme sesa ishte planifikuar. Në 150 metrat e fundit, së bashku me ekipet tjera (10 persona), është fiksuar litari dhe është vazhduar ngadale drejt majes. Gjatë sulmit drejt majes ishte një acar i madh dhe gjatë gjithë natës kishte rreshje të shumta bore, dhe si rezultat, Uta dhe një pjesë e ekipit marrin ftofje të mushkërive. Por, prap se prap, Uta ngjitet në majen Gasheburum 1 (8,058m) në ora 08:00. 

“Kjo është maja e 5-të 8,000 metërshe që e kam ngjitur, çka zyrtarisht më bën alpinisten e vetme në Ballkan që i ka ngjitur 5 maje mbi 8,000 metërshe – duke e kaluar alpinisten nga Sllovenia (e cila i ka 4 maje të ngjitura). Kam ende maje për ti ngjitur (edhe 9 tjera), por nuk do të ndalem. Jam shumë e lumtur që vazhdoj të promovoj Kosovën nëpër ngjitje, të vendosi flamurin tonë kudo që ngjitem, dhe të ju tregoj botës për bukuritë tona natyrore që vlenë të vizitohen” – ka thënë Uta nga Islamabadi, Pakistan.

Maja Gasheburum 1 (8,058 m)është ngjitë për herë të parë prej Amerikanëve në 1958 nga një rrugë tjetër, dhe me pas ne vitin 1980 nga një ekspeditë japoneze, kah faqja veriore, shteg të cilin e ka ndjekë edhe Uta Ibrahimi. 

Kjo ngjitje është pjesë e ekspedites “14 majet e Himalajeve”, e filluar nga Uta Ibrahimi për të ngjitur gjithsejt 14 majet më të larta të botës – një ekspeditë që shumë pak e kanë realizuar në botë (deri mëtani 3 gra te vetme nga e gjithë bota).

Kjo ekspeditë është përkrahur nga: Ministria e Kultures, Rinisë dhe Sportit te Kosovës, Red Bull, Park Hote- Shkup, Aeroporti i Prishtines-Limak, Turkish Airlines dhe Familja Begeja.

*Per me shume fotografi shihni ne facebook(Dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Alpinistja UTa-pushton maja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 939
  • 940
  • 941
  • 942
  • 943
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT