• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“HAPI IM I VOGËL POR I MADH PËR NJERËZIMIN “

July 19, 2019 by dgreca

NGA Prof. Dr. RUZHDI USHAKU/*
 
Para 50 viteve, saktësisht më 20 korrik, 1969, mu në ora 20 17 minuta, dy astronautët amerikanë, Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, për herë të parë , qëndruan në sipërfaqe të hënës më shumë se 21 orë, duke grumbulluar 21,5 kg material nga hëna, kurse komanduese i fliturakes Michael Collins, fluturonte rreth orbitën së hënës, gjer në momentin e bashkangjitjes se të dyve për kthim të suksesshëm në tokë.
Kështu përfundoi një mision i një shekulli që e lam pas. Tani , NASA, ka filluar programin e konstruksionit të një stacioni në hënë , i cili , do të realizohet gjer më 2024, dhe nga ky stacion, parashikohet që, për dy dekadat e ardhshme, të popullohet Marsi. Këtë do kenë mundësi ta përjetojnë gjeneratat e reja, ashtu siç në përjetuam zbritjen e njeriut në hënë.
Koha e zbritjes së astronautëve amerikanë në hënë, neve shqiptarëve, na kujton një ngjarje shumë të rëndësishme për shkencën e astronomisë. 
Në të vërtetë, pikërisht para 50 viteve, një profesor shqiptar nga Ulqini, me detyrë në gjimnazin e Gjilani në atë kohë, shumë pak i njohur, merr pjesë në një konkurs të shpallur në gazetën ” Vecernje Novosti ”  në Beograd, ku në mesin e 19.020 konkurentëve , propozon rermin e ri adekuat për fenomenin astrofizik të dritës së tokës, para se të zbriste njeriu në Hënë dhe ta përjetonte konkretisht.
Dhe, më 26 korrik të 2019, juria e kësaj gazete, e përbërë nga personalitete eminente të shkencës dhe kulturës për atë kohë, shpalli rezultatin e këtij konkursi, ku termi ” AZURINA”  propozuar nga prof. RUZHDI USHAKU, u pranua i term ndërkombëtar në këtë shkencë, dhe si i tillë hyri në fjalorin e fjalëve të huaja në Prishtinë, me rekomandim të hyrjes eventuale poashtu nëpër fjalorët dhe enciklopeditë e huaja.
Nga ky term, i cili në kuptimin e përditshëm ka domethënien: kaltrinë,a ose kaltërinë,a , prandaj edhe sot e kësaj dite kemi shumë emra të përveçëm të gjinisë femërore të quajtura : Kaltrina.
  ***
 
KUSH ËSHTË PROF. DR. USHAKU
 
Ushaku lindi në Ulqin, më 1938. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, normalen në Prishtinë. Fakultetin Filozofik – Degën e Gjuhës e Letërsisë Frënge dhe të Gjuhës Latine i kreu në Sarajevë, më 1964. Gjate sutdimeve nbe Sarajeve ishte nje vit kryetar i Klubit te Romanisteve. Në Paris më 1962/63 kreu shkallën e pestë të studimeve moderne frënge me c rast merr apsolve Diplôme Supérieur d’Études Françaises Modernes. Në vitin 1968/69 regjistrohet në studimet pasuniversitare në Fakultetin Fiologjik të Universiteti i Beogradit ku, më 1972 magjistron me temën “Shprehjet idiomatike në tekstet bashkëkohore të gjuhës frënge në serbokroatisht”. Në të njëjtin fakultet doktoron në vitin 1979. Nga viti 1971 punoi mesimedhenes i gjuhes frenge dhe te asaj latine ne Degen e Gjuhes dhe te Letersise Frenge prane Fakultetit Filozofik(tash atij te Filologjise) Nga viti 1985 ishte profesor ordinar i ketij Fakulteti. Kryetar i departamentit te Romanistikes,kryetar i Keshillit Mesimor Shkencor te Universitetit te Prishtines.Me 2006 u pranua anetar-akademik aktiv ne Akademine Evropiane te Arteve me seli ne Leuze te Belgjikes.
Merret me hulumtime shkencore. Më 1990 u propozua kandidat për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Eshtë autor i librave nga fusha e fillogjisë “Kërkime fiologjike”, “Fjalitë hipotetike me SI në gjuhën bashkëkohore frënge të teksteve letrare”, “Paralele të ligjërimit poetik”, monografia “Ulqini në gjurmë të shekujve”, “Hulumtime etnolinguistike”, “Veprimtaria shkencore e prof.dr. Ruzhdi Ushakut”, “Ndihmesa onomatologjike nga hapesira iliro-arberore” Ne koautoresi me Jusuf Liken “Ulqini nga dritaret e kohes” dhe libri me i ri qe doli ne gusht 2010 eshte “Ulqini ne permasa kerkimi dhe frymezimi”
Pervec veprave me larte,botoi rreth 100 punime-studime te vecanta shkencore dhe ne gjuhe te huaja(serbokroatisht,
frengjisht,anglisht,
gjermanisht)qofte ne versione integrale,qofte ne forme te permbledhjeve. paraqiti shume rezlutate shkencore,kumtesa ,referime,me karakter kombetar dhe nderkombetar brenda vendit dhe ne boten e jashtme. Per here te pare (1973) mbajti ligjerate shkencore ne Universitetin e Sorbones (École des Hautes Études),kurse ne vazhdim ligjerata te shumta ne seminare e tubime shkencore te karakterit vendor e nderkombetar,perfundimisht dy ligjeratat e fundit(2000) ne Universitetin e Parisit(INALCO- Sorbonne Nouvelle dhe Université Paris). Formuar, udhehequr kandidate per master dhedoktore te shkencave filologjike ne Prishtine, Beograd, Sarajeve, se fundi(2001) bashkementor per nje doktorant ne INALCO-Sorbonne Nouvelle te Parisit.
Ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe i ka botuar në revistë të ndryshme mbrenda dhe jashtë vendit. Ka botuar mbi 50 studime dhe afër 20 esse nepër libra të ndryshme dhe piktorë të njohur.
Studimet më të njohura janë :
– Gjurmëve të vazhdimësisë së BINDIT Ilir në mitologjinë e në gjuhën shqipe
– Mbi nji antroponim më të hershëm të shqipes së vitit 1188,
– Për nji rishikim të prejardhjes së hidronomit BUENA / BUNA /
– Prejardhja e huaj /Sllave/ apo auktoktone e prapashtesës –AK në emrin etnik ULQINAK
Eshtë një ndër themeluesit i Shoqëris kulturore artistike “Zana” dhe antarë i nderit i kësaj Shoqërije.
Merret me kompozime dhe është i njohur si njohës i pikturës çka e vërteton fakti se në katalogjet e ekspozitave personale Rudi Gogës, Bilal Nikeziqit dhe Naser Hasës, janë shkruar edhe essetë e Dr. Ruzhdi Ushakut për këto piktorë.( (Marrë nga Wikipedia)
 

Filed Under: Histori

Politika e aksionit afirmativ dhe pakicat kombëtare

July 17, 2019 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj/

Dominimi dhe hegjemonia, majorizimi dhe diskriminimi, privilegjet dhe margjinalizimi, si dhe imperializmi kulturor janë elementet më të rëndësishëm të interpretimit të padrejtësisë dhe janë në lidhje të ngushtë me pakicat kombëtare. Mirëpo, shoqëritë bashkëkohore njohin dukurinë e institucionalizimit, përkatësisht të formësimit juridik të masave të detyrueshme me anë të të cilave lehtësohet dhe sigurohet egaliteti dhe barazia e pakicave në sferat e ndryshme të jetës shoqërore. Masat e këtilla në kuptimin më të gjerë emërtohen si aksion afirmativ, por janë në përdorim edhe nocione të tjera: diskriminimi pozitiv,  diskriminimi i padëmshëm, trajtimi preferencial, sistemi i kuotave etj.

Aksioni afirmativ nga njëra anë shikohet si kompensim apo shpërblim për diskriminimin në të kaluarën, kurse nga ana tjetër ai u kundërvihet paragjykimeve të sotme dhe njëanshmërisë së dhënësve të vendimeve, si dhe padrejtësisë dhe diskriminimit të pakicave. Ndonëse politika diskriminuese sot është e kundërligjshme dhe e ndaluar, pakicat e veçanta janë edhe tutje viktima të stereotipeve dhe të njëanshmërisë së atyre që marrin vendime, të cilët i përkasin shumicës, përkatësisht nga grupimet e favorizuara. Kurse më e keqja ndodh atëherë dhe kur disa nga të ashtuquajturit funksionarë publikë nga pakica e veçantë diskriminojnë pjesëtarët e pakicës tjetër etnonacionale.

Së këndejmi, në institucionet e sistemit politik duhet të ekzistojnë programe të fuqishme të politikës së aksionit afirmativ, në mënyrë që të kenë efekt të caktuar në ndryshimin e strukturës themelore të grupimeve të favorizuara dhe të diskriminuara. Kjo është kërkesë për drejtësi sociale, përkatësisht për ndreqjen e padrejtësisë shoqërore për liri, vetëpërcaktim dhe dinjitet. Në përputhje me këtë, ithtarët e multikulturalizmit janë të orientuar kundër ideologjive shtypëse dhe praktikave shoqërore që i referohen objektivitetit të rrejshëm, universalitetit dhe shtetit qytetar, kurse në realitet u shërbejnë interesave të veçanta të grupeve dominuese të shoqërisë. Politika e multikulturalizmit njeh legjitimitetin e veçantisë kulturore dhe sociale të pakicave kombëtare. Modeli i multikulturalizmit nënkupton se individët dhe grupet e ndryshme kulturore mund të inkorporohen plotësisht në shoqëri, duke mos humbur veçantinë e vet apo mundësinë për participim të plotë në shoqërinë e gjerë. Pikërisht ky proces është proces i participimit të plotë i kuptuar si kyç për tejkalimin e kundërthënieve etnike, tendosjeve etnike dhe demokracisë jostabile. Për ta arritur këtë qëllim të participimit të plotë, institucionet shtetërore duhet të transformohen thellësisht në mënyrë që t’u sigurojnë pakicave kombëtare mundësi të barabarta të inkuadrimit në shërbime publike.

Multikulturalizmi është padyshim opozitë ndaj paragjykimeve etnike dhe bazohet mbi afilacione relativisht të qëndrueshme.

Në dallim nga neutraliteti i zakonshëm  i trajtimit jodiskriminues ndaj pakicave, aksioni afirmativ shquhet me ndërmarrjen e masave pozitive që kanë për qëllim të avancojnë pozitën e pakicave në shoqëri dhe në sistemin politik të vendit konkret. Bie fjala, përfaqësimi i pakicave në organet e pushtetit – në forumin legjislativ, në organet ekzekutive dhe administrative, në jurisprudencë dhe në shërbimet publike, në institucionin e Avokatit të Popullit si dhe në institucionet arsimore, kulturore dhe informative etj.

Pra, aksioni afirmativ mund të përfshijë një gamë të gjerë të masave të ndryshme në favor të të drejtave të pakicave. Masat e aksionit afirmativ kanë për qëllim vendosjen e barazisë reale, në dallim nga ajo formale, vetëm të proklamuar, të pakicës me shumicën. Realizimi i barazisë midis individëve dhe grupeve, pavarësisht nga dallimet përkitazi me prejardhjen, racën, besimin, gjuhën apo gjininë, është qëllim thelbësor i mbrojtjes së pakicave.

Në kohën e sotme, nje sërë aktesh me karakter juridik ndërkombëtar përmban norma për masat e aksionit afirmativ, i cili në realitet i autorizon shtetet për ndërmarrjen e masave të tilla. Është fjala për disa nga konventat më të rëndësishme në sferën e të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së tyre, siç janë:

Konventa ndërkombetare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racial, Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave nacionale dhe Konventa e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, nr. 107 mbi popujt autoktonë dhe fisnorë (1958) dhe nr. 111 kundër diskriminimit në lidhje me punësimin dhe profesionin (1958)etj.

Konventat e lartpërmendura të cilat përmbajnë norma mbi masat e aksionit afirmativ obligojne shtetet për t’i implementuar ato. Kësisoji, Konventa kuadër për mbrojtjen e pakicave nacionale, në nenin 4, paragrafi 2 përmban normën e cila obligon shtetet që në fushat e jetës ekonomike, sociale, politike dhe kulturore, aty ku është e nevojshme, të miratojë masat përkatëse për avancimin e barazisë së plotë dhe efektive të pakicave nacionale.

Është me rëndësi të ceken edhe Rekomandimet ndërkombëtare nga Lundi mbi pjesëmarrjen efektive të pakicave nacionale në jetën publike (1999), që janë shprehje e nevojës që problemi i pjesëmarrjes së pakicës nacionale në jetën publike të shprehet në formën e rekomandimeve për shtetet. Zbatimi në jetë i kësaj të drejte vlerësohet si pjesë thelbësore e shoqërisë paqëdashëse dhe demokratike. Ekzistojnë dy forma thelbësore të kësaj të drejtë: pjesëmarrja në marrjen e vendimeve dhe vetëqeverisja.

Sa i përket pjesëmarrjes në marrjen e vendimeve shteteve u rekomandohet që të sigurojnë përfaqësimin e posaçëm të pakicave në të gjitha institucionet e sistemit politik dhe juridik dhe që normat juridike të shërbimeve publike të jenë edhe në gjuhët e pakicave. Gjithashtu, shteteve u duhet që në procesin e zgjedhjeve të sigurojnë pjesëmarrjen e pakicave (të votojnë, të jenë të kandiduar) si dhe t’u mundësojnë themelimin e partive politike. Rekomandohet që sistemi elektoral të jetë i tillë që pakicave t’ua lehtësojë përfaqësimin dhe influencën (për shembull që të jepen disa forma të votimit preferencial). Rekomandohet edhe formimi i forumeve konsultative si kanale për dialog midis organeve qeveritare dhe pakicave nacionale.

Formë tjetër e pjesëmarrjes së pakicave kombëtare në jetën publike paraqet dhënia e vetëqeverisjes. Qoftë kur kemi të bëjmë me zgjidhjet territoriale apo jashtë territoriale, dhënia e vetëqeverisjes rekomandohet kur një gjë të tillë e kërkon pjesëmarrja frytëdhënëse e pakicave në jetën publike. 

Autonomitë janë formë e posaçme institucionale e sigurimit të participimit politik të pakicave kombëtare. Ato më së shpeshti janë territoriale, ashtu që një territor i caktuar në të cilin jetojnë pjesëtarët e pakicës kombëtare fiton status të veçantë. Në një pozicion të tillë ato fitojnë të drejtën për të rregulluar në mënyrë të pavarur çështje dhe raporte të shumta, sidomos ato që janë me rëndësi jetike për banorët e saj (të cilët në numrin më të madh dhe kryesisht janë nga përbërja e pakicave kombëtare). Formë e veçantë e autonomive janë të ashtuquajturat vetëqeverisje të pakicave, të cilat gëzojnë të drejtën e përfaqësimit të interesave të pjesëtarëve të pakicës së vet kombëtare, madje të kryejnë për ta edhe punë të caktuara publike, përfshirë edhe ato që janë në fushëveprimin e organeve të pushtetit ekzekutiv. Përveç kësaj, janë gjithnjë e më të shpeshta kërkesat që, krahas autonomive territoriale ekzistojnë edhe të ashtuquajturat autonomi funksionale, të cilat nuk do të lidheshin për ndonjë territor të caktuar, por do ta përbënin pjesëtarët e pakicës kombëtare të caktuar nga territori i gjithëmbarshëm i shtetit konkret. Si argument kryesor për këtë formë të autonomisë theksohet disperziteti i vendbanimit të tyre.

Formë e participimit politik të pakicave kombëtare i cili është tejet i pranishëm në praktikë dhe i cili jep rezultate të mira, janë të ashtuquajturat forume konsultative pranë organeve të shkallëve të ndryshme të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe administrativ. Ato në mënyra të ndryshme mund të përfshihen në procesin e marrjes së vendimeve, kurse qëndrimet e tyre mund të kenë shkallë të ndryshme të detyrueshrmërisë për organin i cili merr vendime. Zgjidhjet më të shpeshta janë se lidhur me çështjet e tilla nuk mund të merret vendim pa dhënien e mundësisë paraprake forumeve konsulatative që të deklarohen në lidhje me to, që qëndrimi i këtyre forumeve duhet të  merret parasysh me rastin e marrjes së vendimit dhe që organi i cili merr vendimin është i detyruar për ta informuara forumin konsultativ në lidhje me qëndrimin që ka marrë sipas propozimit, respektivisht kërkesës së tij. 

Aksioni afirmativ nuk është në kolizion me konceptin e shtetit qytetar. Përkundrazi, ato janë mjaft kompatibile. Për shembull, një shtet liberalist, si SHBA-ja, e cila për një kohë të gjatë do të na japë shembull dhe do të jetë model përkitazi me zhvillimin e demokracisë, të shoqërisë qytetare dhe të shtetit qytetar si dhe përkitazi me respektimin e parimit të profesionalizmit, qysh në vitin 1964 kanë shënuar në Amendamentin VII të Ligjit mbi të drejtat e qytetarëve: “Ai punëdhënës i cili në çfarëdo mënyre ka diskriminuar të punësuarit, duhet të zbatojë parimin e diskriminimit pozitiv në mënyrë që të korrigjojë praktikën e gabuar të mëparshme”.

Presidenti Lindon Xhonson më 1965 nxori Dekretligjin me të cilin i urdhëroi të gjitha organet federale që me rastin e plotësimit të vendeve të punës, me rastin e avancimit në detyrë, të zbatohet parimi i diskriminimit pozitiv, madje edhe në qoftë se nuk ka pasur kurrë raste të diskriminimit negativ. Nga fillimi i viteve të 70-ta të shekuilit të kaluar Komiteti për Mundësi të Barabarta të Punësimit shkoi edhe një hap më tej, duke përcaktuar në bazë të treguesve statistikorë kuotat e llogaritura të punësimit të grupeve të caktuara etnike dhe minoritare.

Në Kushtetutën e Malit të Zi, në nenin 79, ndër të tjera, përcaktohet që: Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera nacionale të pakicave u garantohet e drejta e përfaqësimit përpjesetimor në shërbimet publike, në organet e pushtetit qendror dhe të vetëqeverisjes lokale. Ndërkaq, kjo dispozitë e Kushtetutës zbatohet në mënyrë jokonsekuente në praktikën shoqërore konkrete, në radhë të parë kur është fjala për pjesëtarët e kombësisë shqiptare. Me fjalë të tjera, në vazhdimësi është i pranishëm problemi i nënpërfaqësimit të pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare në institucionet e sistemit, siç janë: gjyqësia, prokuroria, ministritë e veçanta, organet e veçanta të vetëqeverisjes lokale, shërbimet publike dhe institucionet e tjera shtetërore me rëndësi jetike për realizimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, që është juridikisht dhe politikisht e pabazuar dhe e papranueshme.

Mirëpo, në anën tjetër, për participimin në sistemin politik, në veçanti për vende me rëndësi kuadrovike, shqiptarët duhet të sigurojnë intelektualë të njohur dhe reprezentativë. Pra, kuadra me kompetenca të larta profesionale, respektivisht ekspertë të dëshmuar në fusha të ndryshme. Përkundrazi, zbatimi vetëm formal i aksionit afirmativ me kuadra joadekuat, pa kapacitete profesionale, nuk mund të jap efekte dhe rezultate të duhura e dëshiruese në praktikë.

                                                                                                         (Autori është politolog)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nike Gashaj-Politika e aksionit-pakicat Kombetare

VESELI, TAKIM ME NANCY PELOSI DHE ELIOT ENGEL

July 17, 2019 by dgreca

Kryetarja e Kongresit Amerikan ia konfirmon Veselit përkrahjen për Kosovën në të gjitha proceset/

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë vizitës që po zhvillon në SHBA, ka pasur një takim të veçantë me Kryetaren e Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi.Në këtë takim miqësor, Kryetarja e Kongresit Amerikan i ka konfirmuar Kryeparlamentarit Veseli përkrahjen e palëkundur amerikane për Kosovën.Ajo u zotua se do të jetë gjithmonë në përkrahje të Kosovës dhe theksoi se Kosova mund të llogaris në ndihmën e saj dhe të Kongresit Amerikan. “Amerika do të jetë përkrah Kosovës dhe do të ju mbështes gjithmonë”, i tha Zonja Pelosi Kryeparlamentarit Veseli.Nga ana e tij, kreu i Kuvendit të Kosovës e ka falënderuar kryetaren e Kongresit Amerikan për mbështetjen e parezervë që ajo, Kongresi Amerikan dhe SHBA-të i kanë dhënë Kosovës historikisht.Kryeparlamentari Veseli ka kërkuar nga kryetarja e Kongresit Amerikan që SHBA-ja të ketë involvim edhe më të madh dhe më të drejtpërdrejtë në proceset që po kalon Kosova.Gjatë këtij takimi, Veseli po ashtu ka kërkuar nga Zonja Pelosi përkrahje të Kongresit dhe institucioneve të SHBA-së për ushtrinë e Kosovës si dhe për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb dhe krimeve e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë.Kryeparlamentari Veseli e ka ftuar zonjën Pelosi që së shpejti ta vizitojë Kosovën.​

***

Veseli takon kongresmenin Engel: Serbia duhet ta njoh shtetin e Kosovës ​

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e takimeve me personalitete të njohura të politikës amerikane, është pritur sot në një takim të veçantë nga kongresmeni Eliot Engel.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë e miqësor, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA, për zhvillimet politike në vendin tonë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, mbështetjen amerikane në këtë proces dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi kongresmenin Engel për angazhimin e tij të gjatë prej disa dekadash në mbështetje të Kosovës dhe nëpërmjet tij, shtetin dhe popullin amerikan.

Kongresmeni Engel, nga ana e tij, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes.

Engel tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese.

Ai po ashtu tha se Serbia duhet ta njoh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe kongresmeni Engel folën edhe për nismën e kryeparlamentarit kosovar për dënimin e gjenocidit dhe krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë.

Engel tha se kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: TAKIM ME NANCY PELOSI DHE ELIOT ENGEL, Veseli

LIGJ PER NDALIMIN E STUDIMEVE TE KRIMEVE TE KOMUNIZMIT?

July 17, 2019 by dgreca

Deputetët në Shqipëri propozojnë ndalimin e studimit të krimeve komuniste të Luftës së Dytë Botërore/

-Deputetë nga Partia Socialiste në qeveri duan të parandalojnë studimin nga ana e një institucion të ngarkuar me hetimin e krimeve komuniste në Shqipërie të incidenteve që ndodhën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kuvendi i Shqipërisë po rishikon ligjin mbi studimet e komunizmit me një synim për të ndaluar në mënyrë eksplicite studimin e Luftës së Dytë Botërore si pjesë e periudhës komuniste të vendit ndërsa kërkohet që punonjësit e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit të pajisen me certifikatë sigurie, e cila zakonisht kërkohet për zyrtarët që kanë akses në të dhëna sekrete të shtetit.

Projektligji i propozuar nga dhjetë deputetë socialistë thotë në relacionin shoqërues që “Regjimi komunist nuk mund te lidhet me periudhën e luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare” sepse “eliminimi i kundërshtarëve politikë” nisi vetëm pas luftës.

Propozimet e ndryshuara synojnë gjithashtu që në institutin e studimeve të krimeve të komunizmit të punonjësit të “jenë persona që gëzojnë besueshmëri” dhe për këtë arsye, i punësuari në të “duhet të plotësojë edhe kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.” Për këtë arsye, kërkohet që punonjësit të marrin certifikatë sigurie, një dokument që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, një institucion në varësi të kryeministrit.

Agron Tufa, drejtori aktual i institutit, i tha BIRN se ndryshimet ishin “tipike për teknikat e sigurimit” dhe tregojnë “mentalitet të kohës së komunizmit” në shkrimin e historisë.

“Ne po trajtohemi si një strukturë shërbimesh sekrete dhe jo si një institucion për studimin e sigurisë,” i tha Tufa BIRN.

Ai dyshoi se një arsye se pse po kërkohet një certifikatë sigurie është një fushatë shpifjeje kundër tij, fillimisht e nisur në media nga socialistët, të cilët sugjerojnë se ai është një spiun rus. Tufa, 52, është shkrimtar i diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe në Institutin e Letërsisë Maksim Gorki në Moskë.

Instituti për Studimin e Krimeve të Komunizmit u krijua në vitin 2010 nga një ligj special dhe ka publikuar disa libra mbi sundimin komunist në vend. Megjithatë, pak muaj më parë, Spartak Braho, një deputet i Partisë Socialiste dhe ish gjyqtar në kohën e Komunizmit, akuzoi Tufën dhe po hidhte baltë mbi rezistencën antifashiste të luftës së Dytë Botërore përmes publikimit të librave që pretendojnë për krime lufte të kryera nga partizanët komunistë. Pas kësaj, Braho dhe deputetë të tjerë socialistë propozuan ndryshimet në ligj.

“Normalisht ata mundet thjeshtë të më shkarkojnë dhe të rrëmbejnë institutin,” tha Tufa.

“Por tregon mentalitet komunisti dhe teknika të Sigurimit fakti se ata duan të sugjerojnë se unë nuk do të marr certifikatë sigurie si shkak për shkarkimin tim krahas teorisë së komplotit të spiunit rus,” shtoi ai.

“Kjo tregon gjithashtu se si ata janë mësuar të shkruajnë histori, si diçka që i përket shërbimeve sekrete dhe jo historianëve,” tha Tufa.(Gjergj Erebara-Kortezi:  Balkan Insight)

Filed Under: Analiza Tagged With: Agron Tufa-Ligj-Krimet e komunizmit

VRITET PËR TË DYTËN HERË AT SHTJEFËN GJEÇOVI KU ËSHTË ZEMËRIMI?

July 17, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Para nja dy ditësh, në postën time elektronike më kishin arritur, pothuaj në të njëjtën kohë, dy njoftime nga Kosova:   Njëri kishte të bënte me vandalizimin e bustit të At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës dhe tjetra ishte një ftesë për të marrë pjesë në një organizim shkencor kushtuar At Gjeçovit, që po planifikohet të mbahet në nëntor, me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së tij barbare në Zym të Hasit, nga forcat fashiste serbe.   Lajmi për seminarin që po organizohet për të kujtuar këtë patriot dhe burrë të  të madh të Kombit– nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbërit” Prishtinë dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” në Zym — më gëzoi pa masë, por më trishtoi lajmi tjetër, për vandalizimin e bustit të tij në oborrin e shkollës në Klinë.

Ku eshte Shteti, qe nuk sheh e nuk denon kete krim?

At Shtjefën Gjeçovi, prift katolik, i Urdhërit të Fretënve, ashtu siç ishte edhe At Gjergj Fishta, është i njohur si autor i shumë veprave, siç janë “Dashnia e Atdheut”, drama “Agimi”, Përkrenarja e Skenderbeut”, Kanuni i Lek Dukagjinit, e shumë e shumë të tjera.   Ai konsiderohet edhe si babai i arkeologjisë shqiptare, etnograf i njohur, kontribues i madh në gjuhë e kulturë, mbledhës i këngëve, miteve, përrallave dhe dokeve, zakoneve dhe traditave shqiptare, e tjera.  Sipas historianëve të mirëfilltë shqiptarë, në shkrimet e tija Gjeçovi ka lënë një dëshmi të thellë të identitetit historik shumë shekullor të shqiptarëve dhe ka pasqyruar në to rrënjët e vjetra të Kombit shqiptar.   Në një prej shkrimeve të tija, “Trashëgime thrako-iliriane”, Gjeçovi të cilit, “I përkiste çdo mirësi”, siç është shprehur më vonë Fak Konica, At Gjeçovi i drejtohej lexuesit ndërsa shkruante sikur donte, të mos ofendonte askënd, por të dokumentonte identitetin e vjetër të shqiptarëve:   “Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë”.

TURP:KUJT IA VRET SYTE IMAZHI I HEROIT KOMBETAR?

Nuk jam i sigurt nëse këto dy  ngjarje — seminari i ardhëshëm kushtuar 90-vjetorit të vrasjes së Gjeçovit dhe vandalizimi I bustti të tij në Klinë — kanë lidhje me njëra tjetrën, por njoftimi nga disa media se “u vodh” busti i At Shtjefën Gjeçovit nga oborri i shkollës në Zllakuqan nuk më bindë.   A thua sikur busti i Gjeçovit na qenka prej floriri – me vlerë të veçantë për hajdutët, në krahasim me dhjetra në mos me qindra buste të tjera anë e mbanë Kosovës.   Ky akt vandal si dhe identiteti i aktorëve të këtij krimi në Zllakuqan, bëhen edhe më të dyshimtë kur të merret parasyshë se sipas lajmeve në media të Kosovës, ky nuk është rasti e vetëm i këtij lloji.   Edhe bustin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, gjithashtu i vendosur në një institucion shkollor në fshatin Treboviq, e paskan “vjedhur”, përfshir edhe heqjen e një tabele në një rrugë në Buqan të Pejës, të një prifti tjetër katolik, At Luigj Palaj, dhe të një heroi tjetër i harruar i shqiptarëve, i vrarë nga forcat serbe, për të cilin At Gjergj Fshta ishte shprehur, “Gjaku i këtij, o Zot, të qoftë falë për Komb të Shqiptarit”.Do të ishte diçka e pa përgjegjëshme për mua ose për këdo tjetër që të paragjykohen hetimet e autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për rastin e vandalizimit të bustit të At Shtjefën Gjeçovit dhe të rasteve të tjera të lartpërmendura.   Por është deri diku shqetësues fakti se përveç reagimit të Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, për këtë akt vandal, të cilin ai e quan “vjedhje”, por që cilëson gjithashtu edhe si një “akt të turpshëm”,   nuk kam parë, të pakën deri tani, ndonjë regim të autoriteteve qendërore të Kosovës ose të policisë së shtetit.   Ndërsa nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat janë gjithmonë gati të reagojnë ndajë ndonjë akti që nuk ka të bëjë me shqiptarët, nuk kam parë asnjë prononcim ndaj këtyre akteve vandale në Kosovë kundër disa prej figurave më të dalluara të historisë së Kombit shqiptar, përfshir edhe vandalizimin e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Por, Kryetari i Bashkisë së Klinës ka deklaruar se ky akt, “Duhet të zbardhët sa më shpejt nga organet e rendit dhe kryerësit e kësaj vepre të ulët, të dënohen sipas ligjit”.   Prof. Dr. Zenun Elezaj u bën thirrje gjithashtu organeve, “ligjzbatuese që këtë rast ta trajtojnë në mënyrë serioze” dhe njëkohësisht u kërkon, “organeve përgjegjëse që të shtohen masat e sigurisë në të gjitha objektet publike, në mënyrë që akte të tilla të shëmtuara të mos përsëriten”.

Nuk jam i sigurt se cila ishte përgjigja e organeve të sigurisë së Kosovës dhe e autoriteteve zyrtare të Prishtinës ndaj thirrjes së Kryetarit të Komunës së Klinës për hetime serioze ndaj këtij akti vandal, në oborrin e shkollës që mban emrin e At Shtjefën Gjeçovit.   Por ia vlenë të krahasojmë reagimin e autoriteteve të Kosovës, nepërmjet Ministrisë së Jashtme të Kosovës dhe sidomos  reagimin e shpejt të ndërkombëtarëve në Prishtinë ndaj dëmtimit, ditët e fundit, të disa varrezave ortodokse serbe në Lipjan.   Dënimet ndaj këtij akti, gjithashtu të shëmtuar, ishin nga ana e tyre, të shpejta dhe të forta.   Reagoi ashpër ambasadori amerikan në Kosovë, Z. Philip Kosnett, Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.   Ndërsa në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, në lidhje me dëmtimin e varrezave serbe në Lipjan, foli Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila u bëri thirrje organeve të policisë së shtetit që, “Të bëjnë gjithçka është e mundur për të zbuluar dhe nxjerrë përpara drejtësisë autorët e këtij incidenti kriminal.   Për Republikën e Kosovës, bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”.   Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se edhe incidenti tek varrezat serbe është kundër interesave të Kosovës dhe angazhohet se autoritetet shtetërore do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës.

            AT SHTJEFËN GJEÇOVI, VEPRIMTAR I SHQUAR I LËVIZJES   KOMBËTARE, ETNOGRF, SHKRIMTAR DHE ARKEOLOG I NJOHUR, I VRARË NGA FORCAT SERBE NË VITIN 1929

Edhe unë i dënojë dëmtimet ndaj varrezave kudo qofshin, përfshirë ato serbe në Lipjan.   Por e kam pak të vështirë të kuptoj se si vandalizimi i busteve të disa prej figurave më të njohura të Kombit shqiptar në Kosovë, siç janë Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe françeskanët shqiptarë, At Shtjefën Gjeçovi dhe At Luigj Palaj na qenkan disi akte  a po siç i cilësojnë disa, “vjedhje” të zakonshme që nuk shqetësojnë aq shumë autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës dhe përfaqsuesit më të lartë ndërkombëtarë në Prishtinë, hiç se hiç.   Veç të mos preket asgjë serbe sepse, sipas tyre, “bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta”,dhe të mos turbullohen – ndërsa figurat kombëtare, identiteti kombëtar, kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve janë plaçkë për tu vjedhur.

Me ose pa reagimet zyrtare ndaj akteve të tilla barbare, mbetet për tu parë nëse për këto veprime kriminale antikombëtare, fajtorë janë, “vjedhësit” e rendomtë, a po dikush tjetër, me qëllime më të djallëzuara me objektivin për të dëmtuar më shumë se një bust.   At Gjeçovi nuk e meritonte këtë akt kriminal ndaj tij, nuk meritonte të vritej për së dyti, sepse siç ka shkruar miku i tij Faik Konica, “At Gjeçovi është përmi çdo sharje.   Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shëntëruar të Shqipëtarësisë…. Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí”, ka shkruar Konica për Shtjefën Gjeçovin.   Fatkeqësisht, akti kriminal ndaj bustit të Gjeçovit në Klinë të Kosovës, nuk besoj se kishte për qëllim “rritjen” e emrit të At Gjeçovit, siç shpresonte Faik Konia dikur, por dëmtimin e reputacionit të tij personal dhe të trashëgimisë dhe identitetit të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore dardane.

Ndërsa, sa na përket ne, në këtë moment, para këtij akti të turpshëm në oborrin e shkollës në Klinë — siç është shprehur edhe Konica pas vrasjes së At Gjecovit nga forcat serbe më 1929, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, “Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë, që në gjallësí, për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”.   Para një akti të tillë vandalizmi dhe vrasës (për të dytën herë) të At Gjeçovit në Klinë, jemi të pafuqishëm të bëjmë gjë tjetër, veçse të vajtojmë me lotë fatin e tij të keq jo vetëm kur ishte gjallë – por edhe tani për së vdekuri, ashtu siç e shohim bustin e tij të dhunuar — të derdhim lotët tona me Konicën, për fatin e keq të mikut të tij At Shtjefën Gjeçovit, për atëherë dhe sot—por edhe për Kombin Shqiptar, i cili trajton në këtë mënyrë, bijtë e tij, ndër më të dalluarit patriotë, si At Shtjefën Gjeçovi.

Busti i At Shtjefën Gjeçovit në oborrin e shkollës fillore në Zllakuqan të Klinës, Kosovë është lënë pa kokë.

                                                 Busti pa kokë i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu në fshatin Treboviq të Kosovës

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-At Shtjefen Gjecovi-ridenohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 945
  • 946
  • 947
  • 948
  • 949
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT