• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PESË PAMJE TË URREJTJES KUNDËR VLERAVE TË DEMOKRACISË

July 14, 2019 by dgreca

Nga Shefqet DIBRANI/

Deformimi i demokracisë, është hakmarrje primitive kundër Jusuf Buxhovit që themeloi LDK-në, e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe arriti të bëjë miqësi e Aleancë me Amerikën, për t’iu gjetur në ditët më të vështira Luftës së Kosovës!  Me një fjalë, lufta kundër historianit Jusuf Buxhovi është hakmarrje kundër Lirisë së Kosovës dhe më shumë se kjo një hakmarrje “E SË MAJTËS”  kundër prezencës Amerikane dhe vendeve të BE-së në Kosovë!…

Shkruan: Shefqet DIBRANI/

Prolog:

Ende pa e mbushur njëvjetorin e themelimit të LDK-së, ka pas nisur një fushatë e egër linçuese kundër saj, në lojë e patën futur Demaçin, i cili nuk ra në grackë. Pra në vitin 1990 – 1992, pikërisht atëherë kur zyrtaret e tanishëm politik të LDK-së, ishin struktura udhëheqëse të LKJ-së, të tjerët ishin në pelena atëherë kur pshurreshin dhe qurraveshin neveritshëm, sidomos kur i lëpinin qurrat që iu shkonin zvarrë. Edhe tash këta qurranë janë bërë të neveritshëm, të gërditshëm dhe të padurueshëm, sidomos kur mbrojnë dr. Rugovën dhe kur flasin për Rugovizëm! E për ata që shkruajnë do të ishte mirë të mendojnë çka po i lënë pas historisë së tyre familjare, fëmijëve të cilët nuk janë fajtor pse i kanë baballarët kaq të qurravt?!

Duke kërkuar në arkivin tim kam gjetur shkrime të cilat flasin për LDK-në e idealeve të mëdha, (1990-1991). Pra për LDK-në e idealeve tjera, por janë edhe disa shkrime edhe për Demaçin… një personalitet i cili në korrikun e vitit të shkuar shkoi mëtanë ku nuk flitet më.

Nuk po merrem me Adem Demaçin, as me akuzat e tij deri në sharje kundër dr. Ibrahim Rugovës, pasi një pjesë të tyre vet Ibrahim Rugova ia ka falur sa ishte gjallë, por a do ta falte edhe tashti, nuk jam profet për t’ia qëlluar, por një gjë e di se ai ishte i Madh, kurse nesër do të bëhet edhe më i madh se sa po himnizohet sot.

Pamja 1 – Aanti-Rugovizmi

a). Po të ishte gjallë Rugova, kurrë Isa Mustafa nuk do të ishte zyrtar i LDK-së, e le më kryetar i saj. Të gjithë ata që e votuan, për kryetar të LDK-së, për Kryeministër, dhe të gjithë ata që i besuan aq shumë, në thelb janë Anit-Rugovista të papërmirësueshëm.

b). Po të ishte gjallë Rugova, kurrë Hashim Thaçi, nuk ishte bërë Kryeministër as President i Kosovës. Prandaj të gjithë ata që janë struktura të LDK-së dhe e kanë votuar, janë në thelb Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

c). Ibrahim Rugova, ka thënë kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Kullë dhe Çakorr, prandaj të gjithë ata që e kanë votuar për ti lënë këto Troje nën administrimin e Malit të Zi, le më se janë tradhtar, por janë  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

ç). Ibrahim Rugova, ishte për falje dhe nuk shau askënd, të gjithë ata që hakmerren dhe shajnë pa kriter janë  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

d). Ibrahim Rugova, ishte për gjithëpërfshirje dhe për Elitë Akademike dhe Intelektuale, ata që përjashtuan dhe janë kundër intelektualëve dhe kundër Themeluesve të LDK-së, janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

dh). Ibrahim Rugova, e dashti dhe e respektoi DIASPORËN, të gjithë ata që ndëshkuan Diasporën duke e përjashtuar nga proceset e brendshme në LDK, janë kundër zhvillimit të Kosovës, andaj janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

e). Ibrahim Rugova  ishte i madh, prandaj i respektonte të vegjlit, por të vegjlit e sotëm që po e udhëheqin LDK-në dhe Kosovën, i urrejnë të mëdhenjtë dhe nuk i shkelin të vegjlit, andaj nuk falin, ata hakmerren, ata vrasin, prandaj në thelb janë Anti-Rugovista të papërmirësueshëm.

ë). Ibrahim Rugova, dallonte për shprehjen e butë dhe elokuente, të gjithë “katunarhanja” e Facebook-ut që nuk dinë me shkruar dhe ata që kurrë në jetën e tyre nuk kanë lexuar një libër, por janë kapërthurur nëpër ministri e në Krye të LDK-së, janë në thelb  Anti-Rugovista të papërmirësueshëm!

Sepse: Rugovizmë është vlerë, është tolerancë, është dashuri për atdheun!

Pamja 2 – Urrejtja kundër Simbolit të Rezistencës

Në këto rrethana, ndryshe vepron qytetari i rëndomtë e ndryshe duhet të veproj intelektuali, e krejt ma ndryshe ata që udhëheqin parti politike dhe Shtetin e Kosovës. Por qëndrimi armiqësor, i ulët dhe primitiv i Kryesisë së LDK-së që u shpreh korrikun e vitit të shkuar, në Ditën e Vdekjes, Varrimit dhe Nderimit që iu bë Adem Demaçit, është koncepti ma antidemokratik që iu ka bërë LDK-së. Ky veprim është ideologjik e LKJ-së që udhëhiqet drejtpërdrejtë nga Isa Mustafa, i cili pas të gjitha shkatërrimeve, humbjeve dhe shëndetit të tij, ka detyrë për ta shkatërruar LDK-në, dhe për ta mbajtur LDK-në sa ma larg Popullit dhe halleve të tij.

Pamja 3 – Injorimi kundër Amerikës

Pamja/Fytyra e LDK-së që u shfaq si urrejtje, si hakmarrje, kundër Adem Demaçit, kur u bë refuzimi klasik në ditën e varrimit të tij,  na u rishfaq në ditën e Gëzimit të Kosovës, me rastin e 20-Vjetorit të Çlirimit të Kosovës, që iu gëza krejt Bota demokratike! Sivjet për këtë DITË të Gëzuar, vendin tonë e vizituan fytyrat më eminente të Amerikës siç ishin Presidenti Bill Clinton, Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright, gjenerali i ushtrisë amerikane Wesley Clark dhe shumë të tjerë. Me një fjalë klika titiste e LKJ-së që ka pushtuar LDK-në, (si duket për hatër të Serbisë), përbuzi gjithë përpjekjen dhe ndihmesën e Amerikës në Luftën dhe Paqen e Kosovës. Ata refuzuan të takoheshin me përfaqësuesit e Amerikës, por na shurdhuan duke brohoritur Rroftë Amerika dhe për miqësinë e tyre të përhershme me Amerikën?!

Pamja 4 – JUSUF BUXHOVI

Foli intelektuali Jusuf Buxhovi, Ideatori dhe Themeluesi i LDK-së, foli shkencëtari që bëri vepra shkencore të cilat nuk arriti t’i bëjë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, foli historiani që e shkroi Historinë e Kosovës, atë që nuk arriti ta shkruaj Instituti i Historisë së Kosovës e as Fakulteti i Historisë për më shumë se gjysmë shekulli  veprimtari. Foli shkrimtari më i frytshëm, autori i romaneve historike, që e tha të djeshmen dhe të tashmen në mënyrë artistike, të cilën nuk e ka thënë e as nuk e ka shkruar Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Andaj ky “pokretni juriš” kundër Jusuf Buxhovit jep alarm shqetësues se një “Lëvizje për sulm”, kundër Lirisë së Kosovës dhe vlerave të saj po nis marshin drejt shkatërrimit. 

Pamja 5 – “Pokretni juriš” ose “Lëvizja për Sulm”

Ky farë “Pokretni juriš”, në thelb përmban ideologjinë  “E majtë staliniste”, e cila përmbledh të gjitha llumproletariatin ideologjik dhe strukturat komanduese të krimit politik dhe ekonomik që nuk kanë gjë të përbashkët as me Luftën për Lirinë e Kosovës dhe as me Paqen dhe demokracinë në Kosovë. Kjo strukturë mbështet nga “E majta titiste”, e cila është edhe ma perfide dhe shumë më e rrezikshme se e para. “E majta titiste” përfaqësohet nga Isa Mustafa dhe strukturat e përgatitura në “Riinvest”, të cilët e kthyen frymën hakmarrëse dhe krijuan mosdurimin në LDK, (që tashmë njihet si luftë e karrigeve). Kjo logjikë shkatërruese është e mbështetur nga elementi Jugosllav që udhëheq mediat shqipe në Kosovë dhe i mban nën zapt Organizatat Jo Qeveritare të cilat janë shndërruar në struktura parapolice të krimit dhe bandave të kriminalizuara në Kosovë, andaj heshtin dhe nuk po mbrojnë asnjë vlerë qytetare.

Epilog: 

Urrejtja kundër fjalës së lirë, çuditërisht po bëhet edhe nga ata që mbllaçitin për lirinë e fjalës së lirë?! Në thelb ka urrejtjen kundër vlerave, kundër Elitës Intelektuale, kundër Rezistencës së Adem Demçit, Kundër Filozofisë Paqësore të dr. Ibrahim Rugovës, kundër Luftës së UÇK-së, Kundër Prezencës Amerikane në Luftën dhe Paqen e Kosovës, Kundër kthimit të turizmit në Kosovë, (turizëm të cilin e bënë dhe e zhvillon vetëm Diaspora e saj), dhe në fund  të fundi urrejtja kaq e  madhe kundër Jusuf Buxhovit është urrejtje kundër të gjitha vlerave intelektuale, kulturore, arsimore, pedagogjike, shkencore dhe akademike të një vendi.

Me një fjalë Bandat e Kriminalizuara të Komandantëve me koncepte të së majtës staliniste, të ndihmuar nga e majta titiste, po i qesin marren Luftës Heroike të UÇK-së dhe ia kanë shtrirë zullumin Lirisë së Kosovës.

Veçmas Isa Mustafa, me suitën e tij, ka arritur me ua fshirë trurin Kryesisë së LDK-së, për ta përjashtuar Elitën Intelektuale nga të gjitha proceset. Kjo ideologji e shkollës RIINVEST, (institucion që u themelua në vitet ma të Zeza që kalonte Kosova), nuk ka pasur për qëllim me zhvilluar demokracinë dhe me bërë aleanca me Amerikanët, por është themeluar nga një azilant në emigracion, siç ishte atëherë mr. Isa Mustafa, për t’i përgatitur Serbisë strukturat e besueshme që do ti shërbenin atij sistemi për ta bërë ma mirë zapt Kosovën, dhe për të dëshmuar se “E majta Titiste”  shëmbëllen në miqësinë e tyre me Serbet! 

Deformimi i demokracisë, është hakmarrje primitive kundër Jusuf Buxhovit që themeloi LDK-në, e cila e shkatërroi Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë dhe arriti të bëjë miqësi e Aleancë me Amerikën, për t’iu gjetur në ditët më të vështira Luftës së Kosovës!  Me një fjalë, lufta kundër historianit Jusuf Buxhovi është hakmarrje kundër Lirisë së Kosovës dhe më shumë se kjo një hakmarrje “E SË MAJTËS”  kundër prezencës Amerikane dhe vendeve të BE-së në Kosovë!…

Filed Under: Politike Tagged With: Shefqet Dibrani-Pese Pamje-Urrejtja- e majta

DHIMBJET E GJOKSIT …

July 14, 2019 by dgreca

NJË LETËR PËR DIELLIN NGA AUSTRALIA DHE NISJA RUBRIKËS “KËSHILLA MJEKSORE”-DHIMBJET E GJOKSIT/

NGA DR. ZEKRI PALUSHI(MD)-Gold Coast, Australi/

Të dashur bashkatdhetarë, lexues të gazetës ‘DIELLI’,

Falenderoj nga zemra Editorin dhe gazetarin e nderuar Dalip Greca që nëpërmjet rubrikës ‘Këshilla Mjeksore’ m’dha mundësinë e komunikimit me ju,  

Të gjithë e dimë, por unë po e theksoj edhe një herë se: Doktorat ma t’ mirë në botë janë: Dielli, Uji, Ajri, Ushqyerja e shëndetëshme, Pushimet dhe Ushtrimet fizike. 

Megjithatë, unë kam një admirim t’veçante për profesionin mjeksore,-vlerësoj nalt dhe rrespektoj shumë kontributin e jashtëzakonshëm të Mjekësisë Moderrne në zhdukjen e shumë sëmundjeve infektive, zgjatjen dhe përmirësimin e kualitetit jetsore në përgjithësi, dhe n’veçanti,  ruajtjen e dinjitetit njerëzor, dhe paksimin e vuajtjeve shpirtrore e fizike për ato që përballohen me sëmundje të rënda.

Ndryshe nga metodat standarte, -‘Keshilla Mjeksore’ që unë sot kam pregatitur për ju, bazohet në  raste konkretë që unë kam ndesh në praktikën time të përditeshme mjekësore, duke mendu se ndonji nga këto raste, mund të jetë i përngjaishëm me ndonjë nga rastet tuaja, kështu që shkrimet e mija mund të jenë ma tërheqëse si për t’u lexuar e po kështu, ma kollaj për t’i mbajtur mend e orjentuar në rast nevoje.

DHIMBJET E GJOKSIT(KRAHËRORIT)

Pacienti ZP, 49 vjeç, murator, erdhi për një konsultë mjeksore, ku tregoj se mbramë kishte pas dhimbje shumë të forta në mes të gjoksit, që e kishin zgjuar nga gjumi. Këto dhimbje pastaj ishin shpërndarë në të gjithë krahërorin, duke përfshirë edhe qafën,dhe ishin shoqëruar me djersitje, tendencë për të vjellur dhe pak vështiresi në frymëmarrje, por që nuk ndikohej nga frymëmarrja. Këto dhimbje kishin zgjat rreth 40 minuta, pastaj ishin qetësuar spontanisht.

Gjatë marrjes së historisë, pacjenti më tregoj se s’kishte pasë ndonjë problem të rëndësishëm shëndetësor të dokumentuar gjatë jetës së tij, me përjashtim të 3 muajve të fundit që kishte pasë dhimbje gjoksi, që fillimisht i vinin vetëm gjatë ndonjë sforcimi fizik dhe qetësoheshin pas një pushimi 10 minutësh. Ndërsa, gjatë 2 javëve të fundit këto dhimbje i shfaqeshin edhe pas një sforcimi të lehtë dhe vinin duke ju shtuar, dhe gjatë 4 ditëve të fundit, dhimbjet i kishte pas çdo ditë, dhe i kishin filluar në pushim. Pacjenti nuk vuante nga ndonjë sëmundje stomaku apo refluks aciditeti.

Gjatë pyetjeve për historinë familjare, pacienti më tregoj se baba i kishte  vdekur papritmas, në moshën 57 vjeçare, ndërsa nana e tij dhe 2 vëllezërit s’kishin ndonjë histori të veçantë për sëmundje zemre. Vetë pacienti kishte 30 vjet që pinte nga 20 cigare në ditë, dhe kurrë s’kishte pas rast për të kontrollu kolesterolin.

Gjatë kësaj konsulte, pacienti s’pati ndonjë dhimbje, ekzaminimet fizike dhe klinike rezultuan normal, po kështu edhe EKG qe normale, me rrahje të rregullta zemre, 78 për minutë. Presioni i gjakut ishte 126/69. 

Pamvarësisht gjendjes “normale”që konstatova, duke u bazu në historinë e dhimbjeve, mendova dhe gjykova se pacjenti ishte në zhvillim e sipër të një Sëmundje Ischemike të Zemrës  (mungesë e qarkullimit të gjakut dhe oksigjenit në musculin e zemrës), për të cilën thirra ambulancën. 

Pacienti u shtrua në kardiologji, ku iu fillu një mjekim urgjent me Aspirinë shkrirëse në uji 300mg, Metoprolol 50 mg, dy herë në ditë, Isosorbitde 10mg, tre herë në ditë. 

Pamvarësisht këtij mjekimi, rreth 12 orë më vonë, pacientit i filluan përsëri dhimbjet e gjoksit, ndërsa një EKG  urgjente tregoi ndryshime elektrike, që ishin konsistent me një Angine të Pa-Stabilizueme (nuk po hyj në detaj të shpjegimit të EKGs). Për këtë ju dha menjëherë nitrate sub-lingual(nën-gjuhë), Oksigjen (mund të jetë i dobishëm nëse niveli O2 në gjak figuron nën 94%), si dhe IV (Intra-Venoz) narcotic për të qetësuar urgjent dhimbjen e fortë. Ju banë analizat e gjakut, e veçanërisht Enzimat Cardiake që tregojnë pak-a-shumë për nivelin dhe kohën e damtimit të muskulit të zemrës. Ju ba edhe një radiografi e gjoksit për të përjashtu një zmadhim të zemrës. Duke qenë se pacienti ishte në një moshë relativisht të re, u vendos që të bahet urgjentisht një Angiografi e Arterieve Koronare (Coronary Angiography), për të  përcaktuar anatominë e këtyre arterieve. ANGIOGRAFIA asht një ekzaminim radiologjik i enve të gjakut ku më parë injektohet një lëndë radio- opake kontrasti, nëpermjet saj zbulohet nëse në koronare ka një lesion (bllokim) që mund të korrigjohet në të njëjtën kohë me angioplasty, apo kemi të bajmë me një sëmundje të avancuar të arterieve koronare, si  p.sh, stenoze të coronares kryesore të majtë apo të trija degët kryesore të koronareve (Triple Vessel Disease), e majta e përparshme zbritëse, koronaria e djathtë, dhe koronaria circumlexe, të cilat mund të korrigjohen herët dhe me shumë sukses me një BAIPAS KIRURGJIKAL (Bypass surgery).

Ekzaminimi angiografik i koronareve të pacjentit tim tregoj se në pjesën zbritëse të arteries koronare të majtë kishte një segment të ngushtuar (stenose) të gradës naltë, me mbi 90% bllokim, për të cilën ju ba zgjerim i segmentit të ngushtuar,(angioplasty) nëpërmjet një kateter-balone dhe menjëherë ju instalu një stent (një tub i hollë prej rrjeti metalik). 

Pas k’saj procedure, pacienti im s’pati ma dhimbje, dhe disa EKG të bame në seri rezultuan normal, po kështu edhe kolesteroli e glukoza në gjak ishin brenda limiteve normale. Kështu, pacienti doli nga spitali pa asnjë mjekim. Megjithatë, ai u këshillue që të marrë çdo ditë 100mg aspirinë, për efektin anti-platelet që zotron, (nuk lejon ngjitjen e trombociteve me njëra tjetrën për të formuar tromb/clot).

Në përfundim diskutuam me pacjentin dy shkaqe kryesore që mund të kene kontribu ne Semundjen Koronare të Zemrës së tij:- ‘Vdekjen e Papritur’ e babës së tij, që sigurisht duhet të ketë qenë nga një ç’rregullim vdekjeprurëse i ritmit të zemrës, me prejardhje nga ischaemia, e cila futet në rrisk-faktoret madhore, e që mund  të jetë trashëguese,  dhe PIRJA e DUHANIT, që po ashtu ban pjesë në rrisk-faktorët madhorë. Pacjenti u këshillue që të ndaloj pirjen e duhanit menjëherë, për të cilin ai më premtoj se s’do ta pinte ma kurrë.

 Po kështu, ju këshillua që të kontrollojë YNDYRNAT/KOLESTEROLIN, si dhe nivelin e GLUKOZES/sheqerit në gjak çdo 6 muaj për një vit dhe pastaj çdo vit.

 U kshillu që të paksojë marrjen e yndyrnave të ngopuna (saturated fats), gjalp, mish të dhjamosur, dhjam, vaj palme dhe vaj kokonati, që kanë tendencë që të rrisin nivelin e kolesterolit në gjak

Po kështu diskutuam që pacienti t’i vinte në dijeni dy vllezërit e tij, si dhe fëmijët e tij të rritur, për lidhjen e sëmundjeve koronare me historinë e tyre familjare, si një faktor madhor rrisku për to. Pra ato duhet të konsultohen me doktorrin e tyre, për të gjetur  masa prevenuese.

Në mbyllje të këtij rasti, unë do t’i këshilloja lexuesit e gazetës ‘DIELLI’ që të mos neglizhojnë as një dhimbje gjoksi, dhe të kenë parasysh se ‘Ç’do dhimbje që fillon midis kërthiza dhe majës  hundës, duhet të konsiderohet ‘DHIMBJE ZEMRE’ deri sa të provohet e kundërta’. 

Thirrja e AMBULANCËS, dhe arritja në spital brenda 90 minutavetë parë, asht JETIKE.

Dr Zekri Palushi (MD)

P.S

Në rubrikën tjetër do të diskutojmë një rast me Infarkt akut të zemrës.

Ndërkohë, nëse dëshironi të bani ndonjë pyetje shëndetësore personale, drejtohuni nëpërmjet  adresës elektronike (E-mail-i i redaksisë,gazetadielli@gmail.com që pastaj mund të përcillet në adresën time). 

Mund të komunikoj edhe në anglisht po qe se është më e përshtatëshme për personat që nuk e njohin mirë gjuhën shqipe..

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dr. Zekri Palushi- Keshilla mjeksore-Dhimbjet e gjoksit

XHEKI

July 14, 2019 by dgreca

Kujtimit të Zonjës Diane Jacqueline Belkiz Alizoti/

Nga Meri LALAJ/

Atë mëngjes mesjanari me qiell të ngrysur dhe me erën e akullt, që frynte nga deti, Xheki, zonja shtatlartë, me fytyrë të hijshme, me ata flokët e dendur me fije paksa të thinjura që i pati krehur e ngritur përpjetë si kurorë rrotull kokës ishte ulur në një kolltuk pranë dritares me qelqet e puthitura mirë, supeve kishte hedhur një shall të madh të leshtë. Pasi vuri syzet, ajo, me duart që i dridheshin, ato duar të bukura të bardha me gishtërinj të gjatë, me zemrën që i përpëlitej në gjoks dhe sytë e mbushur plot me lot, po lexonte copat e prera nga disa numra të gazetës “Daily Express”. Në krye të faqes 11, të datës 15 janar 1990, me gërma fare të vogla ishte botuar lajmërimi, që kishte bërë ajo vetë për të gjetur babain e saj. Një baba, të cilin thuajse nuk e mbante mend fare, ai e kishte lënë dy vjeçe dhe ishte zhdukur, e njihte të atin vetëm nga rrëfimet e nënës të saj, Merit. Një baba, të cilin ajo e kishte kërkuar gjatë gjithë jetës, e kërkonte edhe tani kur sapo kishte mbushur pesëdhjetë e tetë vjeçe. Aty ishte shkruar emri dhe mbiemri i tij, vendlindja: Shqipëri, viti i lindjes: 1908, vitet e shkollimit në Camborn: 1929-1933, anëtar i Institutit të Minierave nga 1932-1938. Dhe më tej emri i saj: Xheki Belkiz, numri i telefonit për ata persona, që dinin ndonjë të dhënë për të atin. Askush nuk i kish telefonuar. Poshtë njoftimit të saj me gërma shumë të mëdha ndodhej shkrimi i një gazetares, e cila informonte nga Vjena: “STUDENTËT VAREN NË RRUGË”, me nëntitull “Gjakderdhje, ja se si Shqipëria i shtyp rebelët”. Sytë e Xhekit mbetën për pak çaste ngulur tek fjala “varen”, nuk mund ta përfytyronte se si mund të varen njerëzit, aq më pak si mund të varen studentët këta djem e vajza të rinj në lulen e moshës. Ngjarja kishte të bënte me Shqipërinë, atje po ndodhte hataja siç njoftonin lajmet në radio e televizion, komunistët po terrorizonin studentët. Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, pas vrasjeve në Timishoarë të Rumanisë, ndryshimeve të mëdha të sistemeve në Europën Lindore, ja tani më së fundi edhe në Shqipëri, ndonëse me shumë vonesë krahasuar me vendet e tjera ku kishte sunduar komunizmi. Po kjo gazetë në datën 11 janar kishte botuar artikullin “Shqipëria në krizë, revolta rritet” ku shkruhej se në Shqipëri mund të ndodhte një plojë edhe më e madhe sesa ajo e Rumanisë, që kish ndodhur një vit e ca më parë. Në datën 12 janar ishte botuar shkrimi “Shqiptarët e kryqëzuar” shoqëruar me një foto të fytyrës të qeshur, dhelpërake dhe të ngrirë të Ramiz Alisë. Aty shkruhej se ishin qëlluar me armë tre të rinj teksa po përpiqeshin të kalonin kufirin nga ana e Jugosllavisë dhe pastaj forcat e Sigurimit i patën rrëmbyer trupat e tyre ashtu të vdekur, i kishin mbërthyer mbi copa dërrasash, i kishin hedhur mbi një qerre kuajsh dhe i kishin shëtitur nëpër rrugë për të tmerruar popullin, atë popull të terrorizuar e të masakruar që prej dyzetë e katër vjetësh prej komunistëve. Në datën 15 janar një shkrim tjetër, i po kësaj gazete shkruante, “Ushtria shqiptare godet frikën dhe protestat shtypen”. Mendja e Xhekit shkoi larg, atje në Shqipërinë e vogël mbushur me male. Ajo gjatë jetës të saj kishte parë vetëm disa kartolina të atij vendi me det, lumenj dhe male. Tani po përpiqej të përfytyronte rrugët e tij të përgjakura, ulërima të viktimave, ushtarë të frikshëm dhe të frikësuar, të cilët i detyrojnë që të vrasin bashkëmoshatarët e tyre të pafajshëm … Po babai i saj ku ndodhej? Vallë a jetonte? Duhej të ishte i martuar dhe të kishte fëmijë. Pra, atje diku ajo kishte një motër, një vëlla apo më tepër. Po vallë çfarë po ndodhte me ta? Po përse nuk bëheshin të gjallë? Xheki donte vetëm sa t’i njihte, kishte mall për ta, një mall i përjetshëm, i cili i pati kapluar krejt qelizat e shpirtit të saj. Ajo e kish krijuar familjen e vet prej shumë vitesh; me burrin, një vajzë dhe një djalë, madje ishte bërë edhe gjyshe. Veç ndihej keq sa herë që përmendej fjala baba. Ajo e dinte edhe në shqip këtë fjalë, ia kish mësuar e ëma, i shqiptonte bë-të si pëdhe fjala i dilte diçka si: “pbapba”. Ajo e dinte edhe përse emrin e dytë e kishte Belkiz, këtë emër mbante njëra nga motrat e të atit, pra, halla e saj dhe ashtu siç ia kish shpjeguar ai kuptimin—   

            Kurrë gjatë tërë jetës të saj nuk e kishte parë në ëndërr të atin, sepse nuk i pati mbetur në mendje asnjë shembëllim i fytyrës së tij. Një kujtim i largët i dilte shpesh para syve, në një kohë më të vonë, kur ishte katërmbëdhjetë vjeçe, një ditë ndërsa po shëtiste me nënën në parkun e qytetit papritmas nga një rrugicë anësore mbuluar nga të dy anët me shkurre të gjelbëra doli një burrë shtatmadh i veshur me uniformë ushtarake, e cila ndryshonte nga uniformat, që kishte parë Xheki. Ai me ta parë vajzën i thirri: “Belkiz!” dhe e përsëriti këtë fjalë edhe një herë tjetër: “Belkiz!” duke zgjatur dorën e djathtë veshur me dorashkë në të cilën mbante një kuti si të argjendtë. Xheki hodhi dy hapa drejt tij, por e ëma e ndali duke i thënë: “Xheki, eja këtu!” dhe ajo e bindur u kthye duke e kapur nënën përdore disi e frikësuar dhe me vështrimin nga pas tek ai ushtaraku i panjohur, që ngeli aty i hutuar pa ditur se çfarë të bënte. Xheki iu drejtua së ëmës me zë të lartë: “Si është e mundur që ai njeri e di emrin tim, emrin që e kam të shkruar në certifikatë, por që askush nuk ma di dhe nuk ma përmend?” Nëna e tronditur iu përgjigj se me të mbërritur në shtëpi do t’ia tregonte të gjitha. Atë ditë ajo i rrëfeu se nuk ishte bijë e Tomasit, i cili e kishte rritur si bijën e vet, por e një shqiptari me emrin Riza, për të cilin ajo, nëna e saj nuk dinte se ku ndodhej tani, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër, ishte ndarë prej tij dymbëdhjetë vite më parë. “Ai është babai yt, ndoshta ndonjë ditë do ta takosh….” përfundoi e ëma. Që nga kjo ditë Xhekit iu ngjall një dëshirë e papërmbajtur, një mall i parrëfyer për të njohur babain e saj të vërtetë, çdo natë para se të flinte sajonte biseda me të, i tregonte atij, babait të përfytyruar, gjithçka që i ndodhte në jetën e përditshme. Disa muaj pas takimit me atë ushtarakun e panjohur, ndodhi një mrekulli, një njeri, familja e të cilit jetonte fare pranë shtëpisë së tyre, atë njeriun shumë vetë e kishin qarë dhe i kishin bërë përshpirtje në kishë, por befas ai u kthye, kështu Xhekit iu ngjallën shpresat se edhe i ati i saj mund të vinte ashtu siç erdhi gjallë e shëndoshë nga lufta babai i Sarës, shoqes të saj, që e dinin të vdekur, të vrarë në llogore, lajmin e pati sjellë një shoku i tij, i cili e kishte parë tek e tërhiqnin zvarrë të plagosur nga fusha e betejës, megjithëse Lufta e Dytë Botërore kishte gati dy vjet që pati përfunduar, ai erdhi pasi ishte mjekuar e shëruar nëpër spitalet e Europës. 

            Po cili pati qenë ai burrë i veshur ushtarak që u shfaq atë ditë në park? Sigurisht nuk ishte i ati sepse këtë e vërtetonte e ëma, aq më shumë se babai i saj nuk kishte të bënte fare me uniformat ushtarake. Vallë mos ishte dikush i dërguar prej të atit për ta gjetur? Po çfarë kishte ai në atë kutinë që mbante në dorë? Tërë jetën ajo vriste mendjen për shfaqjen e papritur të atij oficerit dhe nuk e zgjidhte dot si të ishte një diçka që kishte të bënte me tjetërkënd dhe jo me atë vetë. Asgjë nuk i pati mbetur që t’i kujtonte të atin veç disa pullave shqiptare me fytyrën e mbretit të tyre, pulla të mbetura nga letrat, që ai i pati dërguar nënës të saj. (Xheki kurrë nuk do ta mirrte vesh se babai i pati dërguar me anën e atij ushtarakut, që ishte shqiptar, por me pasaportë angleze, një byzylyk me gurë të çmuar si për t’i thënë se ai nuk e harronte dhe nuk do ta harronte kurrë.)  

            Tërë jetën Xhekit i pati pikuar në shpirt e i dhembte zemra sa herë që shihte nëpër ceremonitë martesore baballarët tek shoqëronin për në altarin e kishës për t’u kurorëzuar bijat e tyre, apo tek vallëzonin me ato në hapje të dasmës. Erdhi dita. Në dasmën e saj e shoqëroi Tomasi, ky baba aq i përkujdesur, me të ajo vallëzoi e veshur nuse me të bardha e për pak çaste i ngriti sytë lart drejt qiellit sikur të donte ta kërkonte dhe ta gjente atje atin e saj të vërtetë. Më vonë tok me bashkëshortin nëpër udhëtimet e saj në Paris apo Nju Jork sa herë që i binte rasti të haste shqiptarë Xheki pyeste për babain e saj, Riza Alizotin. Njerëzit sapo dëgjonin emrin e tij ngrinin supet e mënjanonin sytë për të mos hasur vështrimin pyetës të syve të saj. Askush nuk e njihte, por hera herës ajo e ndiente sikur njerëzit diçka i fshihnin, sikur ngurronin të formonin fjalët teksa përgjigjeshin ashtu kuturu si të hutuar.    

Pas katër ditësh duke i lexuar edhe njëherë nga e para artikujt e këtyre ditëve dhe duke menduar se komunizmi do të gremisej edhe në Shqipëri siç pati ndodhur me vendet e tjera të Europës Lindore, Xheki vendosi që t’i shkruajë një letër dikujt, një shoqate shqiptare për ta ndihmuar që të gjente të atin. Data ishte 19 janar kur e shkroi letrën me lot në sy dhe zemërdridhur menjëherë u vesh dhe u nis për tek zyra e madhe e postës duke ecur me hapa të vendosur e postoi po atë ditë. Të gjitha shpresat i pati varur tek ajo letër duke i dërguar lutje Zotit, por ajo nuk mund ta dinte dhe asqë mund ta merrte me mend se letra e saj mbërriti tek një zyrë para tryezës të së cilës rrinte ulur serioz e i vrenjtur një zotëri pa flokë në kokë, shtatshkurtër e rondokop, veshur me një kostum të zi, këmishë të bardhë e kravatë të kuqe, tek jaka e xhaketës ai pati mbërthyer një distinktiv me gërmat e kuqe flakë: “PPSH” kurse para duarve mbante një libër me kujtime për diktatorin e Shqipërisë shkruar nga shoku i tij i ngushtë shqiptar. Ai e lexoi disi me plogështi letrën e Zonjës Xheki dhe aty për aty i ktheu një përgjigje zyrtare të rëndomtë. Në ditët e fundit të janarit përgjigjja mbërriti në duart e Xhekit, ajo letër qe pak a shumë e qartë, por e vakët përsa u përkiste shpresave të saj:             

24 janar 1990

E dashur Zonjë,

Ju faleminderit për letrën tuaj të 19 janarit. Ia kalova informacionin e letrës tuaj qeverisë shqiptare në Tiranë duke i kërkuar të përpiqen për të gjetur Z. Alizoti, megjithëse nuk ka të dhëna që ai të jetë kthyer në Shqipëri. Në të vërtetë, përderisa gjyshi juaj ishte deputet në regjimin e paraluftës, kuptohet mirë se familja ishte politikisht armiqësore me regjimin socialist të pasluftës.

Megjithatë, unë do t’ju shkruaj sa më parë që të marr vesh diçka, ju duhet ta kuptoni se do të më duhet kohë.

A keni bërë njoftim në shtypin britanik për t’u lidhur me babain tuaj? 

                                                Sinqerisht juaji

                                                W. B. Blandf   

            Në fytyrën e Xhekit kishte rënë një hije e zbehtë, e verdhë, hije vdekjeje. Ajo rrinte shtrirë me kokën mbështetur mbi nënkresën borë të bardhë me dantella anash. Buzët para se të hynte në operacion i pat lyer me një të kuq çiklamin të errët, lloj i kuqi që nuk fshihej për njëzet e katër orë. Ajo pati vendosur që të mos dukej e shëmtuar kur të dilte nga salla e operacionit. Sytë i mbante mbyllur dhe nuk i hapte dot sepse ende ndodhej nën ndikimin e anestezisë. Pëshpëriste me buzët e thara: “Kam dhimbje… kam shumë dhimbje…” Erdhi një infermiere e moshuar dhe i bëri një qetësues, pak më vonë i vendosën serumin tek vigoni i ngulur në venën e krahut.

            Për çudi ishte një ditë shumë e ngrohtë pranvere, dielli, që hynte nga dritaret e mëdha e ngrohte fort dhomën me dy shtretër. Xheki e kaloi natën keq midis gjendjes së vetëdijshme e të pavetëdijshme. E bija e kaloi natën aty bashkë me të ëmën.

Filed Under: LETERSI Tagged With: MERI LALAJ- XHEKI

Kadri Veseli në Washington, me ftesë të Kongresit Amerikan

July 14, 2019 by dgreca

-Me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në vizitën zyrtare pjesë e delegacionit janë edhe deputetët Avdulla Hoti e Mimoza Kusari-Lila/

-Në një ngjarje të veçantë, e cila do të organizohet në Kongresin Amerikan, kryeparlamentari Veseli do të mbajë fjalim para drejtuesve të shumtë të parlamenteve nga vende të ndryshme të botës/

PRISHTINË, 14 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me ftesë të Kongresit Amerikan, ka udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Gjatë kësaj vizite në Washington, kryeparlamentari Veseli do të zhvillojë takime me përfaqësues të rëndësishëm të shtetit amerikan, senatorë, kongresistë dhe akterë të tjerë të jetës publike në SHBA. 

Në këto takime do të flitet për bashkëpunimin dhe miqësinë midis dy shteteve dhe popujve tanë, për mbështetjen e mëtejme amerikane në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, por edhe të rritjes së kapaciteteve shtetërore të saj. 

Në një ngjarje të veçantë, e cila do të organizohet në Kongresin Amerikan, kryeparlamentari Veseli do të mbajë fjalim para drejtuesve të shumtë të parlamenteve nga vende të ndryshme të botës. 

Pjesë e delegacionit të Kryeparlamentarit Veseli në këtë vizitë zyrtare janë edhe deputetët Mimoza Kusari-Lila dhe Avdulla Hoti, bën të ditur njoftimi i dërguar Gazetës DIELLI./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Kadri Veseli- Washington- Ftesa e Kongresit

Thinjat e Atdheut…

July 13, 2019 by dgreca

“Thinjat e Atdheut” në vështrimin kritik dhe të pavarur të Eugjen Merlikës /

Nga Prof. Dr. Albert Frashëri /*– Para një muaji në Tiranë u organizua një takim interesant për të mirëseardhur librin e fundit të autorit Eugjen Merlika. Ashtë fjala për librin “Thinjat e Atdheut” që përmbledh shkrime publicistike të autorit nga viti 2006 në 2014. Libri ashtë shtypur nga botuesi UETPRESS, Tiranë, maj 2019.Ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut, 80 vite të shkuara, dy të rinj të dashuruar e të porsamartuar, shpresonin të kishin një të ardhme të lumtur e të qetë. Ai, një i ri i shkëlqyer, i porsa diplomuar inxhinier elektrik dhe hidraulik në Francë e në Zvicër. Ajo, një profesoreshë e historisë dhe e filozofisë në shkollat superiore të Italisë. Ai ishte i biri i një intelektuali patriot dhe politikani të shquar. Ajo, qytetare italiane e bukur dhe e kultivuar, ishte bija e adhuruar e një gazetari të shquar kolonjar, Sotir Gjikës, drejtor i gazetës “Kuvendi” të botuar në Romë në vitet 1918 – 1920.I bashkoi dashuria këta dy të rinj: Petrit Merlika dhe Elena Gjika. Bir i kësaj dashurie ashtë autori ynë i nderuar Eugjen Merlika. Do të mjaftonte kalvari i jetës së tij për të karakterizuar tragjedinë që i solli kombit një diktator i pashpirt thellësisht antikombëtar. Prindërit dhe vetë Eugjeni mbetën për 45 vite në burgje dhe në kampe internimi. Pra, ai nuk ishte vetëm krijesa e një dashurie të mirëfilltë; ai u shndërrua në një viktimë të regjimit totalitar duke filluar nga mosha dyvjeçare e një miturie të pafajshme.
Aftësia për të vrojtuar e medituar dhe përgatitja kulturore e shumanshme e Eugjen Merlikës, jo vetëm nga shkolla por edhe si autodidakt, i dhanë mundësinë të trasformojë vuajtjen personale të pafund në shkrime të vyera për shoqërinë. Ai ashtë përpjekur të kuptojë e t’i komunikojë brezit të ri njohjen e mirëfilltë të së Keqes Absolute të regjimit komunist të Hoxhës, sikundër pati bërë me veprën “Una vita in dittatura” (Lampi di stampa, Milano, 2005).

Libri “Thinjat e Atdheut” ka tre pjesë kryesore dhe mbyllet me disa ndjesi personale të autorit, të gjitha interesante për pamjet njerëzore dhe të vërtetat historike që shprehin. Tre pjesët kryesore janë: Kombi shqiptar dhe vlerat e tij madhore, Përsiatje letrare, Kujtesë dhe nderim për bashkëvuajtësit që janë larguar nga kjo jetë.

Ky konceptim i librit më sjell ndër mënd një rapsodi harqesh e instrumentesh frymorë ku, zakonisht, tre apo katër motive të ndryshme harmonizohen në një unitet muzikor emocionues. Pikërisht një strukturë e tillë i jep librit “Thinjat e Atdheut” një hir e kompaktësi që e shndërrojnë atë në një vepër të vyer të kohës sonë. E konsideroj si një koncert të muzikës klasike në të cilin shfaqen ndjesitë njerëzore të të gjitha frekuencave duke përfunduar me “Ndjesitë vetjake” që i ngjajnë një epilogu shumë origjinal.

Pa hyrë në detaje dhe në përmbajtjen e tyre, dua të shpreh disa mendime rreth librit në tërësi dhe sidomos mbi nevojën aktuale për vepra të tilla. Do përpiqem të anashkaloj konformizmin që shpesh herë karakterizon recensionet e librave. Ky konformizëm konsiston në refrenin: titulli, disa anë pozitive dhe pastaj kritika apo sugjerime për ndonjë version apo për ndonjë shtesë që vepra duhet të kishte (!!!). Personalisht mendoj që prezantimi i një vepre të re duhet të synojë njohjen e vlerave që ajo sjell në botën artistike apo letrare, nevojën dhe dobinë e saj. Do të jetë koha pastaj që konfirmon ose jo vlerën e librit dhe mendimet kritike që mund të jepen rreth tij.

Janë shkruar jo pak libra mbi gjysëmshekullin komunist dhe kjo në disa raste ka patur si autorë intelektualë me origjinë nga familjet e gjerarkëve që i patën shërbyer me zell e besnikëri diktatorit Hoxha. Familjet e tyre në terrorin e dy dekadave të fundit pësuan atë që njerëzit e thjeshtë patën vuajtur dhe vazhduan të vuajnë për një gjysmë shekulli. Theksoj që kam të njëjtën ndjeshmëri edhe kundrejt bijve të gjerarkëve të atij regjimi, por nuk mund te mos theksoj bindjen sipas së cilës “fëmijët e ofiqarëve partiakë janë viktima të veprës së prindërve të tyre edhe pse, për të njëjtën arsye, kishin lindur e jetuar si të privilegjuar”. Pikëpamjet e tyre mbi realitetin e shoqërisë shqiptare u lëkundën vetëm pas të vjelave. Megjithatë drama e tyre shpreh një tjetër pamje tragjike të krimeve enveriste, pamje të cilën kam patur rastin ta përjetoj që në vitet e herëshme të rinisë sime kur shoqe apo shokë të klasës zhdukeshin në kalvarin e internimeve që familjet e tyre pësonin.
Njoh jo pak njerëz nga viktimat e mirëfillta, si familja Merlika, që lindën në lager apo u syrgjynosën në moshë fare të njomë për gjysmë shekulli. Këta njerëz sot flasin dhe rrëfejnë duke harmonizuar arsyen me ndjenjat që burojnë nga ai kalvar tragjik që ishte jeta e tyre. Ata vuajtën fizikisht e psikologjikisht, por nuk i tradhtuan mendimet dhe bindjet për realitetin që jetuan; pra rrëfimi i tyre ashtë objektiv dhe absolutisht i nevojshëm për të kuptuar të kaluarën.
Nëse duam të kuptojmë historinë, të kaluarën e largët e të afërme, duhet të nisemi nga jeta e individit duke rrëfyer vuajtjen, emocionet, zhgënjimet dhe metamorfozën e tij. Rrëfimi që fokalizon vëmendjen te Njeriu e ndihmon kuptimin tërësor të historisë. Do të ishte kjo një nga funksionet themelore të letërsisë e të publicistikës në kohën tonë. Në këtë këndvështrim nevoja për të mbështetur dhe kultivuar letërsinë, rrëfimin e saj, bëhet imperative.
Përse imperative? Njeriu vrojton, mediton, kuvendon me të afërmit dhe vepron sipas ndërgjegjes së vet. Në të gjitha kohët dhe formacionet shoqërore ndërgjegjja dhe vetëdija janë formuar në familje, në shkollë, në ambientin shoqëror, përfshirë besimet fetare. Sot, përkundrazi, ambienti bëhet pre e formave të drejtpërdrejta, të mimetizuara apo të maskuara të propagandës, të ideologjisë dhe të publicitetit që po pushton të gjitha sferat e jetës individuale e kolektive. Bota e sotme ashtë aq frenetike sa nuk i jep kohë meditimit dhe i thjeshton marrëdhëniet njerëzore thjesht në raporte të interesit. Pra duhet të ngadalësojmë hapin e të reflektojmë për metamorfozën e njeriut modern, pre e një krize ekzistenciale të thellë.

Nga ana tjetër, nuk mund të kuptojmë të sotmen pa njohur mirë të shkuarën. Në këtë këndvështrim roli i letërsisë dhe i publicistikës bëhet themelor në dy drejtime që lidhen me momentin historik të kombit shqiptar. Këto drejtime mendoj të jenë: së pari, njohja e mirëfilltë e kombit, virtyteve, historisë dhe problemeve të tij; së dyti, njohja e thelluar e mizorive me të cilat regjimi komunist u zuri frymën shqiptarëve, i poshtëroi dhe i mjeroi në të gjitha pamjet e jetës. Kush mund të rrëfejë të kaluarën dhe historinë e shekullit të fundit? Regjimi totalitar e mjegulloi mësimin e historisë në shkollë, sepse ky komb në thelb gjatë ekzistencës së tij, ka kërkuar lirinë individuale dhe kolektive. Këtë të vërtetë historia dhe letërsia e 80 viteve të fundit e ka fshehur. Pra, studimi i obskurantizmit komunist duhet konsideruar si një detyrë e rëndësishme në njohjen e historisë së kombit. Kjo ndërlidhje apo vartësi reciproke na shtyn të vlerësojmë si ideale mundësinë që, në radhë të parë, ata që mund të shkruajnë mbi këto të vërteta të jenë viktimat maksimale të totalitarizmit komunist. Por, mjerisht, jo të gjitha këto viktima janë në gjendje të kuptojnë e të shkruajnë mbi thelbin e të Keqes Absolute.
Rrëfimi dhe publicistika, vepra të Eugjen Merlikës, burojnë nga zemra dhe mendja e viktimave maksimale të atij regjimi. Ky autor, që kam fatin të njoh, dallohet jo vetëm për kulturën, por edhe për urtësinë dhe objektivitetin e tij. Intelektualët si E.Merlika duhen admiruar për koherencën, qartësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë përpara historisë. Shoqëria, klasa politike, editorët e shumtë duhet të mos humbasin kohë, por të kuptojnë e të vjelin nga këta qytetarë muzeun e gjallë të gjysmëshekullit të mynxyrës kombëtare.

Njohja e totalitarizmit komunist do të na ndihmonte të kuptonim edhe kohën tonë. Fjala vjen, mungesa aktuale e aftësisë për të kuvenduar edhe me kundërshtarin për zgjidhjen e problemeve kardinale në Shqipërinë e sotme, dhuna dhe mungesa e respektit reciprok më sjellin ndër mend arrogancën e diktatorit të urryer.
Publicistika e Merlikës, cilësia dhe karakteristikat e saj evidencojnë një konkluzion që dua ta shpreh qartë: që të shkruash për regjimin totalitar nuk ashtë e mundur pa njohjen direkte, përvojën personale dhe reflektime të thella nga ana e autorit. Reflektimi apo meditimi, në stilin e Eugjen Merlikës, marrin vlerën e një dialogu me lexuesin dhe, mendoj te jetë absolutisht i nevojshëm. Në rastin e letërsisë mbi periudhën e totalitarizmit komunist shembulli apo modeli i kontributeve të Merlikës, më bëjnë të mendoj që për të kuptuar të kaluarën, ajo letërsi duhet të rivlerësojë meditimin si një natyrë thelbësore të saj. Theksoj këto ide, sepse me rënien turpshme të regjimit enverian shume shkrimtarë apo artistë e shkencëtarë që i patën thurur lavde Hoxhës dhe regjimit, u shndërruan në demokratë të kulluar brenda njëzetekatër orëve, madje disa prej tyre, edhe pse integralistë fanatikë të ideologjisë komuniste, u vunë në krye të procesit të demokratizimit të vendit.

U përpoqa, deri këtu, të jap një profil të Eugjen Merlikës, sepse libri “Thinjat e Atdheut” në një farë kuptimi ashtë edhe shprehje e ndjeshmërive të autorit që burojnë natyrshëm nga jeta e tij. Por autori nuk ashtë kufizuar vetëm me gjysmëshekullin e diktaturës komuniste. Ai ashtë thelluar edhe në probleme delikate të historisë kombëtare. Esèja e Merlikës mbi figurën e Skënderbeut përbën një model origjinal të mundësive që ofron liria e autorit kur zhbiron në periudha të vështira të historisë. Me liri të autorit nënkuptoj faktin që ai nuk i përket sistemit, d.m.th. rangjeve akademike që kanë fiksuar një kuadër apo teori të historisë. Kjo paraqitet si historiografia zyrtare dhe mjerë kush guxon të verë në dyshim bindjet teorike formale. Pikërisht në këtë prizëm Merlika është i lirë të shprehë mendimet e tija i pakushtëzuar nga dija sistemike.

Esèja me titull “Skënderbeu dhe Arbëria e kohës së tij” e provon mendimin që shpreha më lart. Analiza e Merlikës, ndër të tjera, e sheh epopenë e Skënderbeut si një përpjekje për të mbrojtur identitetin jo thjesht të kombit shqiptar, por edhe të popujve europianë. Ndeshja e tij me otomanët ishte lufta e dy kulturave për të cilat discriminanti themelor në atë periudhë ishte besimi fetar: i krishterë për Europën dhe islamik për hordhitë otomane. Kjo tezë e përkrahur nga Merlika ka edhe pararendës si, fjala vjen, historianin Giorgio Otranto, sipas të cilit ” . . . Vepra e dyfishtë për të bashkuar vendin politikisht e ta lidhi atë në mënyrë të qëndrueshme me sistemin e shteteve europiane ishte një projekt i ndritur dhe modern, një lloj intuizioni largpamës, do të thosha dramatikisht modern, për të cilin Europa ende sot i detyrohet Skënderbeut dhe Shqipërisë.”
Shkrimtari dhe kandidati i çmimit Nobel, Pierfranco Bruni që prej dhjetë vitesh studion veprën e heroit shqiptar, shprehet me shumë qartësi: “Skënderbeu ashtë një nacionalist që shihte te Atdheu simbolin e përkatësisë dhe te krishtërimi shpëtimin e popullit. Pikërisht në këtë pikëpamje Skënderbeu mbetet një personazh që mbijeton në modernitetin tonë dhe në një kohë kur Europa, Perëndimi, Mesdheu dhe dy brigjet e Adriatikut janë një gërshetim procesesh që duhen kuptuar dhe thelluar jashtë logjikave ideologjike dhe larg fondamentalizmave që tashmë nuk i përkasin historisë moderne të kulturës kristiane.”
Këtë problem të një rëndësie tejkombëtare Merlika e trajton me urtësi, me argumente e referenca koherente dhe më se të qarta. Personalisht mendoj që historiografia shqiptare nuk e ka rrokur në tërësinë e vet studimin e mesazheve që vepra e Kastriotëve i sjell botës moderne shqiptare dhe europiane. A mundeshin historianët e sistemit enverist të flisnin për krishterimin si një tipar themelor të popujve europianë, mes të cilëve shqiptarët janë nga më të lashtët? Eugjen Merlika në rreth 18 faqe e shpalos me qartësi këtë ide. Duke e konsideruar krishterimin si një element identitar të kombit shqiptar, ai e interpreton realisht epopenë e Skënderbeut, jo me trajtat e një legjende, por si shprehje të Universit Kulturor kombëtar.
* * *
Të shkosh kah e ardhmja nuk ashtë e mundur pa iu referuar horizontit historiko kulturor të kombit. Do të ishte si të ecësh mbi ujë. Në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit evolucioni i rendit shoqënor i ka zhgënjyer dashamirësit e demokracisë dhe, në një farë kuptimi e në mjaft raste, ka çuar në lindjen e nostalgjive për të kaluarën. Kjo dukuri përbën një problem edhe për shoqëritë demokratike perëndimore.
Në “Thinjat e Atdheut” lexuesi gjen të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, mbi lavdinë e kombit dhe rrënimin që diktatura komuniste solli. Mozaiku i argumenteve të shkrimeve të Merlikës të bën ta perceptosh atë libër si një enciklopedi. Esseja mbi nevojën e një të djathte serioze në Shqipëri trajton një nga problemet politike më të mprehta të ditëve tona. Ai jep ide mjaft konkrete kur flet për nevojën e një gazete mbarëkombëtare për probleme të trojeve të gjuhës shqipe. Shumë interesante janë edhe kontributet që sjell Merlika për figurat e Gjergj Fishtës e të Dom Nikollë Kaçorrit. Janë thellësisht prekëse shkrimet për Elena Mirakaj Luli dhe Princesha e Mirditës.

Shumë interesante janë bindjet e Fishtës për nevojat e rimëkëmbjes së vendit jo vetëm ekonomike, por edhe ato kulturore: “Fishta anonte nga simpatia për kulturën austriake e cila, nëpërmjet politikës, kishte qenë njëra nga mbështetjet kryesore të Shpalljes së Pavarësisë e nëpërmjet institucioneve të saja ndihmonte arsimimin e shqiptarëve.”
Në kohën tonë shkolla duhet të evidentojë e t’u këshillojë të rinjve leximin e veprave të tilla. Mendoj që shoqëria shqiptare nuk e ka bërë detyrën e saj për njohjen e thelluar historisë kombëtare dhe të diktaturës enveriane.

Nuk ashtë e lehtë të analizosh e të gjykosh një vepër letrare, sidomos kur ajo lidhet me periudha të ndryshme historike dhe me ndjeshmëritë e një kombi që jo gjithmonë konvergojnë në një qëndrim unitar. Nuk ashtë e lehtë të shkruhen e të përhapen libra të një rëndësie të tillë për formimin kulturor kombëtar të brezave të reja. Kjo vështirësi ashtë shprehje e problemeve komplekse me të cilat kombi po ballafaqohet në këto dekadat e fundit me një klasë politike që jo gjithmonë e ka në qendër të vëmendjes të kaluarën e të ardhmen e kombit. Këto rrethana e bëjnë akoma më të vyer veprën e Eugjen Merlikës, pra le t’i urojmë mirëseardhjen dhe mbarëvajtjen në botën e letrave shqiptare.(Kortezi-Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Histori Tagged With: Thinjat e Atdheut- Eugjen Merlika-Albert Frasheri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 948
  • 949
  • 950
  • 951
  • 952
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT