“Thinjat e Atdheut” në vështrimin kritik dhe të pavarur të Eugjen Merlikës /
Nga Prof. Dr. Albert Frashëri /*– Para një muaji në Tiranë u organizua një takim interesant për të mirëseardhur librin e fundit të autorit Eugjen Merlika. Ashtë fjala për librin “Thinjat e Atdheut” që përmbledh shkrime publicistike të autorit nga viti 2006 në 2014. Libri ashtë shtypur nga botuesi UETPRESS, Tiranë, maj 2019.Ndërmjet dy brigjeve të Adriatikut, 80 vite të shkuara, dy të rinj të dashuruar e të porsamartuar, shpresonin të kishin një të ardhme të lumtur e të qetë. Ai, një i ri i shkëlqyer, i porsa diplomuar inxhinier elektrik dhe hidraulik në Francë e në Zvicër. Ajo, një profesoreshë e historisë dhe e filozofisë në shkollat superiore të Italisë. Ai ishte i biri i një intelektuali patriot dhe politikani të shquar. Ajo, qytetare italiane e bukur dhe e kultivuar, ishte bija e adhuruar e një gazetari të shquar kolonjar, Sotir Gjikës, drejtor i gazetës “Kuvendi” të botuar në Romë në vitet 1918 – 1920.I bashkoi dashuria këta dy të rinj: Petrit Merlika dhe Elena Gjika. Bir i kësaj dashurie ashtë autori ynë i nderuar Eugjen Merlika. Do të mjaftonte kalvari i jetës së tij për të karakterizuar tragjedinë që i solli kombit një diktator i pashpirt thellësisht antikombëtar. Prindërit dhe vetë Eugjeni mbetën për 45 vite në burgje dhe në kampe internimi. Pra, ai nuk ishte vetëm krijesa e një dashurie të mirëfilltë; ai u shndërrua në një viktimë të regjimit totalitar duke filluar nga mosha dyvjeçare e një miturie të pafajshme.
Aftësia për të vrojtuar e medituar dhe përgatitja kulturore e shumanshme e Eugjen Merlikës, jo vetëm nga shkolla por edhe si autodidakt, i dhanë mundësinë të trasformojë vuajtjen personale të pafund në shkrime të vyera për shoqërinë. Ai ashtë përpjekur të kuptojë e t’i komunikojë brezit të ri njohjen e mirëfilltë të së Keqes Absolute të regjimit komunist të Hoxhës, sikundër pati bërë me veprën “Una vita in dittatura” (Lampi di stampa, Milano, 2005).
Libri “Thinjat e Atdheut” ka tre pjesë kryesore dhe mbyllet me disa ndjesi personale të autorit, të gjitha interesante për pamjet njerëzore dhe të vërtetat historike që shprehin. Tre pjesët kryesore janë: Kombi shqiptar dhe vlerat e tij madhore, Përsiatje letrare, Kujtesë dhe nderim për bashkëvuajtësit që janë larguar nga kjo jetë.
Ky konceptim i librit më sjell ndër mënd një rapsodi harqesh e instrumentesh frymorë ku, zakonisht, tre apo katër motive të ndryshme harmonizohen në një unitet muzikor emocionues. Pikërisht një strukturë e tillë i jep librit “Thinjat e Atdheut” një hir e kompaktësi që e shndërrojnë atë në një vepër të vyer të kohës sonë. E konsideroj si një koncert të muzikës klasike në të cilin shfaqen ndjesitë njerëzore të të gjitha frekuencave duke përfunduar me “Ndjesitë vetjake” që i ngjajnë një epilogu shumë origjinal.
Pa hyrë në detaje dhe në përmbajtjen e tyre, dua të shpreh disa mendime rreth librit në tërësi dhe sidomos mbi nevojën aktuale për vepra të tilla. Do përpiqem të anashkaloj konformizmin që shpesh herë karakterizon recensionet e librave. Ky konformizëm konsiston në refrenin: titulli, disa anë pozitive dhe pastaj kritika apo sugjerime për ndonjë version apo për ndonjë shtesë që vepra duhet të kishte (!!!). Personalisht mendoj që prezantimi i një vepre të re duhet të synojë njohjen e vlerave që ajo sjell në botën artistike apo letrare, nevojën dhe dobinë e saj. Do të jetë koha pastaj që konfirmon ose jo vlerën e librit dhe mendimet kritike që mund të jepen rreth tij.
Janë shkruar jo pak libra mbi gjysëmshekullin komunist dhe kjo në disa raste ka patur si autorë intelektualë me origjinë nga familjet e gjerarkëve që i patën shërbyer me zell e besnikëri diktatorit Hoxha. Familjet e tyre në terrorin e dy dekadave të fundit pësuan atë që njerëzit e thjeshtë patën vuajtur dhe vazhduan të vuajnë për një gjysmë shekulli. Theksoj që kam të njëjtën ndjeshmëri edhe kundrejt bijve të gjerarkëve të atij regjimi, por nuk mund te mos theksoj bindjen sipas së cilës “fëmijët e ofiqarëve partiakë janë viktima të veprës së prindërve të tyre edhe pse, për të njëjtën arsye, kishin lindur e jetuar si të privilegjuar”. Pikëpamjet e tyre mbi realitetin e shoqërisë shqiptare u lëkundën vetëm pas të vjelave. Megjithatë drama e tyre shpreh një tjetër pamje tragjike të krimeve enveriste, pamje të cilën kam patur rastin ta përjetoj që në vitet e herëshme të rinisë sime kur shoqe apo shokë të klasës zhdukeshin në kalvarin e internimeve që familjet e tyre pësonin.
Njoh jo pak njerëz nga viktimat e mirëfillta, si familja Merlika, që lindën në lager apo u syrgjynosën në moshë fare të njomë për gjysmë shekulli. Këta njerëz sot flasin dhe rrëfejnë duke harmonizuar arsyen me ndjenjat që burojnë nga ai kalvar tragjik që ishte jeta e tyre. Ata vuajtën fizikisht e psikologjikisht, por nuk i tradhtuan mendimet dhe bindjet për realitetin që jetuan; pra rrëfimi i tyre ashtë objektiv dhe absolutisht i nevojshëm për të kuptuar të kaluarën.
Nëse duam të kuptojmë historinë, të kaluarën e largët e të afërme, duhet të nisemi nga jeta e individit duke rrëfyer vuajtjen, emocionet, zhgënjimet dhe metamorfozën e tij. Rrëfimi që fokalizon vëmendjen te Njeriu e ndihmon kuptimin tërësor të historisë. Do të ishte kjo një nga funksionet themelore të letërsisë e të publicistikës në kohën tonë. Në këtë këndvështrim nevoja për të mbështetur dhe kultivuar letërsinë, rrëfimin e saj, bëhet imperative.
Përse imperative? Njeriu vrojton, mediton, kuvendon me të afërmit dhe vepron sipas ndërgjegjes së vet. Në të gjitha kohët dhe formacionet shoqërore ndërgjegjja dhe vetëdija janë formuar në familje, në shkollë, në ambientin shoqëror, përfshirë besimet fetare. Sot, përkundrazi, ambienti bëhet pre e formave të drejtpërdrejta, të mimetizuara apo të maskuara të propagandës, të ideologjisë dhe të publicitetit që po pushton të gjitha sferat e jetës individuale e kolektive. Bota e sotme ashtë aq frenetike sa nuk i jep kohë meditimit dhe i thjeshton marrëdhëniet njerëzore thjesht në raporte të interesit. Pra duhet të ngadalësojmë hapin e të reflektojmë për metamorfozën e njeriut modern, pre e një krize ekzistenciale të thellë.
Nga ana tjetër, nuk mund të kuptojmë të sotmen pa njohur mirë të shkuarën. Në këtë këndvështrim roli i letërsisë dhe i publicistikës bëhet themelor në dy drejtime që lidhen me momentin historik të kombit shqiptar. Këto drejtime mendoj të jenë: së pari, njohja e mirëfilltë e kombit, virtyteve, historisë dhe problemeve të tij; së dyti, njohja e thelluar e mizorive me të cilat regjimi komunist u zuri frymën shqiptarëve, i poshtëroi dhe i mjeroi në të gjitha pamjet e jetës. Kush mund të rrëfejë të kaluarën dhe historinë e shekullit të fundit? Regjimi totalitar e mjegulloi mësimin e historisë në shkollë, sepse ky komb në thelb gjatë ekzistencës së tij, ka kërkuar lirinë individuale dhe kolektive. Këtë të vërtetë historia dhe letërsia e 80 viteve të fundit e ka fshehur. Pra, studimi i obskurantizmit komunist duhet konsideruar si një detyrë e rëndësishme në njohjen e historisë së kombit. Kjo ndërlidhje apo vartësi reciproke na shtyn të vlerësojmë si ideale mundësinë që, në radhë të parë, ata që mund të shkruajnë mbi këto të vërteta të jenë viktimat maksimale të totalitarizmit komunist. Por, mjerisht, jo të gjitha këto viktima janë në gjendje të kuptojnë e të shkruajnë mbi thelbin e të Keqes Absolute.
Rrëfimi dhe publicistika, vepra të Eugjen Merlikës, burojnë nga zemra dhe mendja e viktimave maksimale të atij regjimi. Ky autor, që kam fatin të njoh, dallohet jo vetëm për kulturën, por edhe për urtësinë dhe objektivitetin e tij. Intelektualët si E.Merlika duhen admiruar për koherencën, qartësinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë përpara historisë. Shoqëria, klasa politike, editorët e shumtë duhet të mos humbasin kohë, por të kuptojnë e të vjelin nga këta qytetarë muzeun e gjallë të gjysmëshekullit të mynxyrës kombëtare.
Njohja e totalitarizmit komunist do të na ndihmonte të kuptonim edhe kohën tonë. Fjala vjen, mungesa aktuale e aftësisë për të kuvenduar edhe me kundërshtarin për zgjidhjen e problemeve kardinale në Shqipërinë e sotme, dhuna dhe mungesa e respektit reciprok më sjellin ndër mend arrogancën e diktatorit të urryer.
Publicistika e Merlikës, cilësia dhe karakteristikat e saj evidencojnë një konkluzion që dua ta shpreh qartë: që të shkruash për regjimin totalitar nuk ashtë e mundur pa njohjen direkte, përvojën personale dhe reflektime të thella nga ana e autorit. Reflektimi apo meditimi, në stilin e Eugjen Merlikës, marrin vlerën e një dialogu me lexuesin dhe, mendoj te jetë absolutisht i nevojshëm. Në rastin e letërsisë mbi periudhën e totalitarizmit komunist shembulli apo modeli i kontributeve të Merlikës, më bëjnë të mendoj që për të kuptuar të kaluarën, ajo letërsi duhet të rivlerësojë meditimin si një natyrë thelbësore të saj. Theksoj këto ide, sepse me rënien turpshme të regjimit enverian shume shkrimtarë apo artistë e shkencëtarë që i patën thurur lavde Hoxhës dhe regjimit, u shndërruan në demokratë të kulluar brenda njëzetekatër orëve, madje disa prej tyre, edhe pse integralistë fanatikë të ideologjisë komuniste, u vunë në krye të procesit të demokratizimit të vendit.
U përpoqa, deri këtu, të jap një profil të Eugjen Merlikës, sepse libri “Thinjat e Atdheut” në një farë kuptimi ashtë edhe shprehje e ndjeshmërive të autorit që burojnë natyrshëm nga jeta e tij. Por autori nuk ashtë kufizuar vetëm me gjysmëshekullin e diktaturës komuniste. Ai ashtë thelluar edhe në probleme delikate të historisë kombëtare. Esèja e Merlikës mbi figurën e Skënderbeut përbën një model origjinal të mundësive që ofron liria e autorit kur zhbiron në periudha të vështira të historisë. Me liri të autorit nënkuptoj faktin që ai nuk i përket sistemit, d.m.th. rangjeve akademike që kanë fiksuar një kuadër apo teori të historisë. Kjo paraqitet si historiografia zyrtare dhe mjerë kush guxon të verë në dyshim bindjet teorike formale. Pikërisht në këtë prizëm Merlika është i lirë të shprehë mendimet e tija i pakushtëzuar nga dija sistemike.
Esèja me titull “Skënderbeu dhe Arbëria e kohës së tij” e provon mendimin që shpreha më lart. Analiza e Merlikës, ndër të tjera, e sheh epopenë e Skënderbeut si një përpjekje për të mbrojtur identitetin jo thjesht të kombit shqiptar, por edhe të popujve europianë. Ndeshja e tij me otomanët ishte lufta e dy kulturave për të cilat discriminanti themelor në atë periudhë ishte besimi fetar: i krishterë për Europën dhe islamik për hordhitë otomane. Kjo tezë e përkrahur nga Merlika ka edhe pararendës si, fjala vjen, historianin Giorgio Otranto, sipas të cilit ” . . . Vepra e dyfishtë për të bashkuar vendin politikisht e ta lidhi atë në mënyrë të qëndrueshme me sistemin e shteteve europiane ishte një projekt i ndritur dhe modern, një lloj intuizioni largpamës, do të thosha dramatikisht modern, për të cilin Europa ende sot i detyrohet Skënderbeut dhe Shqipërisë.”
Shkrimtari dhe kandidati i çmimit Nobel, Pierfranco Bruni që prej dhjetë vitesh studion veprën e heroit shqiptar, shprehet me shumë qartësi: “Skënderbeu ashtë një nacionalist që shihte te Atdheu simbolin e përkatësisë dhe te krishtërimi shpëtimin e popullit. Pikërisht në këtë pikëpamje Skënderbeu mbetet një personazh që mbijeton në modernitetin tonë dhe në një kohë kur Europa, Perëndimi, Mesdheu dhe dy brigjet e Adriatikut janë një gërshetim procesesh që duhen kuptuar dhe thelluar jashtë logjikave ideologjike dhe larg fondamentalizmave që tashmë nuk i përkasin historisë moderne të kulturës kristiane.”
Këtë problem të një rëndësie tejkombëtare Merlika e trajton me urtësi, me argumente e referenca koherente dhe më se të qarta. Personalisht mendoj që historiografia shqiptare nuk e ka rrokur në tërësinë e vet studimin e mesazheve që vepra e Kastriotëve i sjell botës moderne shqiptare dhe europiane. A mundeshin historianët e sistemit enverist të flisnin për krishterimin si një tipar themelor të popujve europianë, mes të cilëve shqiptarët janë nga më të lashtët? Eugjen Merlika në rreth 18 faqe e shpalos me qartësi këtë ide. Duke e konsideruar krishterimin si një element identitar të kombit shqiptar, ai e interpreton realisht epopenë e Skënderbeut, jo me trajtat e një legjende, por si shprehje të Universit Kulturor kombëtar.
* * *
Të shkosh kah e ardhmja nuk ashtë e mundur pa iu referuar horizontit historiko kulturor të kombit. Do të ishte si të ecësh mbi ujë. Në këta dy dhjetëvjeçarët e fundit evolucioni i rendit shoqënor i ka zhgënjyer dashamirësit e demokracisë dhe, në një farë kuptimi e në mjaft raste, ka çuar në lindjen e nostalgjive për të kaluarën. Kjo dukuri përbën një problem edhe për shoqëritë demokratike perëndimore.
Në “Thinjat e Atdheut” lexuesi gjen të vërtetën mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, mbi lavdinë e kombit dhe rrënimin që diktatura komuniste solli. Mozaiku i argumenteve të shkrimeve të Merlikës të bën ta perceptosh atë libër si një enciklopedi. Esseja mbi nevojën e një të djathte serioze në Shqipëri trajton një nga problemet politike më të mprehta të ditëve tona. Ai jep ide mjaft konkrete kur flet për nevojën e një gazete mbarëkombëtare për probleme të trojeve të gjuhës shqipe. Shumë interesante janë edhe kontributet që sjell Merlika për figurat e Gjergj Fishtës e të Dom Nikollë Kaçorrit. Janë thellësisht prekëse shkrimet për Elena Mirakaj Luli dhe Princesha e Mirditës.
Shumë interesante janë bindjet e Fishtës për nevojat e rimëkëmbjes së vendit jo vetëm ekonomike, por edhe ato kulturore: “Fishta anonte nga simpatia për kulturën austriake e cila, nëpërmjet politikës, kishte qenë njëra nga mbështetjet kryesore të Shpalljes së Pavarësisë e nëpërmjet institucioneve të saja ndihmonte arsimimin e shqiptarëve.”
Në kohën tonë shkolla duhet të evidentojë e t’u këshillojë të rinjve leximin e veprave të tilla. Mendoj që shoqëria shqiptare nuk e ka bërë detyrën e saj për njohjen e thelluar historisë kombëtare dhe të diktaturës enveriane.
Nuk ashtë e lehtë të analizosh e të gjykosh një vepër letrare, sidomos kur ajo lidhet me periudha të ndryshme historike dhe me ndjeshmëritë e një kombi që jo gjithmonë konvergojnë në një qëndrim unitar. Nuk ashtë e lehtë të shkruhen e të përhapen libra të një rëndësie të tillë për formimin kulturor kombëtar të brezave të reja. Kjo vështirësi ashtë shprehje e problemeve komplekse me të cilat kombi po ballafaqohet në këto dekadat e fundit me një klasë politike që jo gjithmonë e ka në qendër të vëmendjes të kaluarën e të ardhmen e kombit. Këto rrethana e bëjnë akoma më të vyer veprën e Eugjen Merlikës, pra le t’i urojmë mirëseardhjen dhe mbarëvajtjen në botën e letrave shqiptare.(Kortezi-Gazeta Shqiptare)