• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ca parelele shtetarësh mes fqinjësh

July 12, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Në muajin maj 2019 u mbajtën zgjedhjet për në parlamentin europian. Në to mori pjesë dhe Greqia si vend anëtar i komunitetit europian. Kreu i qeverisë së majtë Aleksis Cipras pa pritur të dalin rezultatet paraprake, deklaroi se do i kërkonte presidentit zgjedhje të parakohëshme. Arsyeja qe se kandidatët e partisë së tij po humbnin ndjeshëm në votime. Dhe ashtu rezultoi. Syriza humbi thellë sepse qe zgjedhja e popullit e tillë. Kujtojmë se Syriza një e parti e majtë dhe me tendenca radikale qe themeluar në 2004. Krejt një prurje e re e cila theu traditën midis Pasokut të Pandreut dhe Demokracia e re të Karamalisit. Kjo e fundit qe edhe forca politike që bëri të mundur anëtarësimin e Greqisë në komunitetin e europian më 1981. Kjo ndodhi në 2015 dhe njeriu që e bëri të mundur quhej Aleksis Cipras, 41 vjeç me profesion inxhinjer. Pra nga viti 2015 deri para pak ditëve, 8 korrik 2019 Aleksis Cipras qeverisi me disa koalicione për plot 4 vjet. Erdhi, qeverisi dhe iku. Kaq! Dhe do mbahet mend si kryeministri që i dha rrugë borxhit publik dhe krizës ekonomike. Socialist revolucionar nuk ankua për manipulime, për vjedhje dhe as nuk doli gjëkundi në ndonjë përgjim telefonik në lidhje me grupe kriminale për shitblerje votash. Nga ana tjetër as nuk u ankua si gratë e liga se po i bënin padrejtësi, apo me preteksin e patriotit të sëmurë se e nxorri Greqinë nga recensioni i krizës ekonomike etj. Nuk rrahu gjoksin dhe tentoi zgjatjen sa të mundej të mandatit në karrigen e kryeministrit. E çoi disa herë qeverinë e tij në votëbesim përpara parlamentit, sa herë që kishte ndonjë një pakënaqësi opozita, sidomos gjatë marrëveshjes me Maqedoninë e veriut etj. Në harkun kohor të dy muajve me firmën e tij vendi shkoi në zgjedhje të përgjithshme. Zgjedhje që u mbajtën një javë pas votime lokale shqiptare, qetësisht, plot qytetari, ku sot Greqia ka një qeveri të re nga fronti opozitar. Dy shtetarët u takuan dhe ndërruan vendet ku humbësi i shtrëngoi dorën fituesit. E gjitha brenda një harku kohor prej dy muajsh, asgjë më shumë. Dy muaj dhe kaq. Një rrotacion kaq i kollajtë sa plot shqiptarë pyesin se kur i mbajti zgjedhjet Greqia? Kur i ndërroi kaq shpejt shefat etj. 

Megjithëse nuk na ndajnë as ca kilometra dhe kemi një ndërthurje gati prej një fryme, jetojmë dhe punojmë aty. Madje tashmë jemi pjesë e zgjedhjeve aty, jemi zgjedhës. Prapë nuk na afron asgjë kur vjen puna e ndërrimit të qeverive dhe klimës politike. E kundërta ndodh në vendin tonë, në vendin pa ekonomi fare, ku e gjithë shoqëria ka hyrë në një recçnsion studiosh dhe akoma nuk ka çertifikuar një rezultat votimesh lokale. Gërrvërre pa fund ku nuk e merr vesh i pari të dytin. Nuk e ndajnë Tiranën me Athinën ca qindra kilometra, por asgjë të përbashkët nuk kanë. Megjithëse frymojmë gati përditshëm, kjo nga reciproriteti njerëzor, për më tepër që qindra mijra shqiptarë jetojnë e punojnë atje. Portat e doganave kanë radhë thuajse përditë. Pra nuk jemi larg fare jemi krijesa brenda njëri-tjetrit. Si është e mundur që nuk ndodh edhe me qeverisjet tona e njëjta gjë. Si nuk ndërrohet edhe tek ne një herë të vetme qeveritë kështu? Tek ne patritotët e medhenjë që e duam Shqipërinë si gjithë e Europa, si Amerika. Dhe kjo është e thjesht, fare, fare e thjeshtë në Greqi ka burra shteti, hapin krahun, bëjnë zgjedhje. vijnë dhe ikin. Kurse tek ne vërini çfarë emri të doni veç të burrit a shtetarit as mos e çoni nëpër mend.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja-Ca parelele shtetarësh- mes fqinjësh

Shuhet shkrimtari Rexhep Hoxha

July 12, 2019 by dgreca

Rexhep Hoxha 1929-2019/

PRISHTINË, 12 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Shuhet shkrimtari Raxhep Hoxha, në moshën 90 vjeçare, i lindur në Gjakovë, në vitin 1929.Ishte një klasik i letrave shqipe dhe një prej kolosëve të letërsisë sonë për fëmijë, vlerësohet në mesazhet e ngushëllimit të krerëve të shtetit të Kosovës:

PRESIDENTI THAÇI: REXHEP HOXHA ISHTE NJË KLASIK I LETRAVE SHQIPE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan: Vdekja e shkrimtarit Rexhep Hoxha është një humbje për familjen Hoxha dhe tërë komunitetin e shkrimtarëve në Kosovë. Ishte një klasik i letrave shqipe, një shkrimtar i guximshëm, me librat e të cilit u rriten shumë breza. Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve të tij!

KRYEMINISTRI HARADINAJ: REXHEP HOXHA, NJË PREJ KOLOSËVE TË LETËRSISË SONË PËR FËMIJË

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruan:

I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e një prej kolosëve të letërsisë sonë për fëmijë, shkrimtarit dhe pedagogut Rexhep Hoxha. 
Hoxha ishte një ndër figurat më emblematike të letrave shqipe që shënuan shekullin e 20-të. Breza të tërë në hapësirat shqiptare u rritën dhe u edukuan në frymën atdhetare që ai barti përmes vepres së tij të çmuar, që la trashëgimi. 
Ngushëllime të sinqerta për familjen Hoxha, për miqtë dhe lexuesit e veprës së tij! 
U prehtë në paqen e përjetshme!
MEDIAT KOSOVARE BOTOJNË EDHE PJESË TË BIOGRAFISË DHE VARGJE TË SHKRIMTARIT REXHEP HOXHA:

Vdiq shkrimtari Rexhep Hoxha

Ka vdekur në moshën 90 vjeçare, shkrimtari i njohur kosovar, Rexhep Hoxha.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë publik, djemtë e shkrimtarit, Luani dhe Shpendi.

“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sonte në moshën 90 vjeçare pas një sëmundje të shkurtër ndërroi jetë baba im Rexhep Dervish Hoxha”, ka shkruar Shpendi.

Rexhep Hoxha u lind në Gjakovë, në vitin 1929. Ishte shkrimtar e profesor. Ai i takon brezit të parë të shkrimtarëve për fëmijë në Kosovë. Mbaroi shkollimin fillor dhe Normalen në Gjakovë, ndërsa studimet për gjuhën shqipe i kreu në Beograd. Një kohë punoi mësues në Pogragjë të Gjilanit e pastaj profesor në Normalen e Gjakovës dhe të Prishtinës dhe në gjimnazin e Mitrovicës.

Më vonë, deri në pensionim, ligjëroi lëndën letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Punoi edhe si redaktor në “Rilindjen për fëmijë” dhe në emisionet për fëmijë të Radio Prishtinës.

Është autor i librit të parë për fëmijë të botuar pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë (“Gjethe të reja”).

Botoi edhe libra të tjerë për fëmijë dhe për të rritur me poezi, tregime, romane për fëmijë, libra me poezi për të rritur, si dhe shkrime diskursive për letërsinë etj. Me librat e tij u rritën breza të tërë shkollarësh në Kosovë, sidomos atëherë kur kishte pak libra shqip.

Siç shkruan Xhevat Syla në Fjalorin Enciklopedik të ASHAK-ut, në poezinë tonë për fëmijë ai u bë i njohur me personazhin e tij Picimuli, një fëmijë simpatik, i cili lexuesve të vegjël u shërbeu si shembull i mirë në rritën dhe edukimin e tyre të shëndetshëm.

Romani “Lugjet e verdha” vjen si roman i parë i mirëfilltë në letërsinë shqipe për fëmijë në përgjithësi, i cili, si edhe disa romane të tjera të tij (“Verorja”, ”Lugjet e verdha” II) ndërtohet nëpërmjet gërshetimit të përrallës me motive reale. Hartoi edhe tekste shkollore. Veprat e botuara: “Gjethe të reja” (1953), “Picimuli” (1956), “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Pika vese” (1966), “Lugjet e verdha” (1967), “Vargu idhnak” (1971), “Micimiri” (1976), “Lulëzo, vendi im” (1973), “Zëri i pyllit” (1974), “Tokë trëndafilash” (1979), Terorja”, (1983), “Zogu i qiellit” (1984), “Kënga e Cupërliqes” (1989), “Picimuli në Poroj” (2000) etj.

Një kohë punoi redaktor i “Rilindjes për fëmijë” në emisionin për fëmijë të Radio Prishtinës, ndërkaq shumë vite e ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës.

Vepra të tij të njohura për fëmijë janë: “Gjethe të reja”, “Picimuli”, “Lugjet e verdha”, “Zëri i pyllit”, “Verorja”, “Ermali”, etj.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, në orën 17:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë./Koha/

“DIELL MOS PAFSHA ME SY N’LUAJSHA ME TY, KOSOVË”

Shirat bijnë

Poezi nga Rexhep Hoxha

Diell mos pafsha me sy
n’luajsha me ty,
Kosovë,
tokë trëndafilash,
ti lindja ime dhe varri,
ti dorë martine,
shqipe me krahë zjarri,
ti besë e përjetësuar,
që vdes vetëm atëherë
kur dielli
për herë të fundit perëndon,
kur jeta shkon,
s’ka njerëz,
kur s’ka stinë,
s’ka lule,
s’ka pranverë. /KultPlus/

Filed Under: Kronike Tagged With: Rexhep Hoxha-Nderroi Jete

Dy fjalë për fjalën

July 12, 2019 by dgreca

Nga Anton Çefa/
“Fjala e harmonizuar mund të pasqyrojë format e shpirtit, ashtu edhe fytyrën e madhërishme të botës, e cila u jep jetë atyre.”/

De Rada
“Fjala ka aq nji fuqi në vedvedi, sa mos me e ndalë as giatsija e kohës,
as gjansija e hapësinës, e si mundet me e permbledhë të gjith kohën në nji ças e hapësinën në nji pikë, kshtu ajo deperton qiellen, i vjen rrotull e okolle
rruzullimit, edhe na parashtron bukuri e madhni të reja, rysë e then
kryeneqsit e rrashtave ma të forta të njerzvet.”

At Gjergj Fishta

Hyji e krijoi botën me fjalën e Tij. Ai tha dhe u bë. Për Hyjin, fjala është
krijim. Krijim i çdo gjëje. Për njerëzimin, fjala është zbulim përmes emërtimit.
Fjala, si emërtim i sendeve e dukurive, është veprimi i parë krijues artistik i njeriut,
nëpërmjet të të cilit u shpikën format verbale dhe u përsosën në kalim të kohëve.
Dhjetëra-mija vjet më parë, të parët tanë, banorët e shpellave, në dramën e
përditshme të gjuetisë, u mësuan të veshnin mendimet e tyre me fjalë.
Me krijimin e fjalës, në procesin e komunikimit lindi gjuha, një nga
realizimet më të mëdha të njerëzimit. Pa aftësinë e të folurit, përdorimit të gjuhës,
nuk mund të jetësohej qytetërimi njerëzor. Nëpërmjet gjuhës si sistem i hapur e
krijues, jashtëzakonisht eptimore (fleksibël), realizohet komunikimi i ideve dhe
koncepteve abstrakte si dhe tejbartja (transmetimi) e tyre nga një brezni në tjetrën.
Nga fjala si kumt u kalua në fjalën si kuptim alternativ, të ndryshëm, dhe u
krijua fjala poetike dhe, me anën e saj, teksti letrar që mishëron shumëkuptimësinë,
çka është në natyrën e veprës letrare. Përpjekja për të njohur të bukurën dhe vlerat
e tjera estetike të gjërave e dukurive dhe, në rastin tonë, tek letërsia artistike, të çon
drejt mjetit me të cilin shfaqet ajo, tek fjala poetike. Në veprën letrare, është fjala
që end fillin e së bukurës në shtratin e tekstit gjuhësor, deri në sublimitetin e saj. A
nuk është dukuria e së bukurës, “forma” më e lartë, më e fisme, më e kulluar e
shpirtit të njeriut? Prandaj, letërsia artistike është në krye të arteve dhe në gjirin e
saj, poezia që zë kryet e vendit.
Poeti, tregimtari, e shprehin atë, fjalën, që është gjithnjë një kumt që bart një
vlerë estetike, duke na përcjellë një mesazh, d. m. th. një vlerë humane. Detyra e

kritikës është pikërisht ta zbulojë atë, vlerën estetike, që përmban fjala e endur në
një strukturë tekstore.
Për t’u pohuar është edhe pafuqishmëria e fjalës për të shprehur çdo
“dridhje” të shpirtit a për të hedhur dritë edhe në skutat më të errëta të vetëdijes
dhe sidomos të nënvetëdijes. Lasgushi, reformatori më i madh i gjuhës poetike
shqipe dhe mjeshtër i mbaruar i saj, e ka ndjerë veten “të huaj”, të paaftë për të
shprehur çdo gjë:
“O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot,
O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë,
O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot . . .
Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze t’uaj,
Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë,
Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj . . .”
Në dy vargjet e fundit të kësaj poezie, Lasgushi e ka qartësuar më tej këtë
situatë, duke iu drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”. Në këto dy
vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje,
informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë,
paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit:
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.
Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij
i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së
zjarrtë ? ”
Është detyrë e kritikës letrare t’i hapë “fjalës së palosur” “kindën e një pale”,
pra, të zbërthejë shumëkuptimësinë e fjalës. Estetika ka parashtruar dhe
argumentuar në vijimësi rrugë dhe metoda për të analizuar veprën artistike. Kështu
kemi, ndër të tjera, interpretime formaliste, ekzistencialiste, marksiste,
sociologjike, psikanalitike, strukturaliste, simboliste, semantike, etj. Nuk kemi
kurrë një përfundim të saktësuar, por kemi udhë ecjeje përpara plot rrugëza e
kthesa me zhvillime nga më të ndryshmet, në më të shumtën e rasteve
kontradiktore.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Defa- Dy faale per fjalen

Historia e natës

July 12, 2019 by dgreca

Historia e natës/
Jorge Luis Borges/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Përmes rrjedhës së brezave/
Njeriu solli në jetë natën./
Në fillim ishin verbëria dhe ëndrra,/
Gjembat që shponin këmbët/
Dhe frika nga egërsirat./
Kurrë nuk do të dimë se kush/
I dha botës këtë formë/
Dhe e zhyti në errësirë/
Duke përgjysmuar ditën.
Kurrë nuk do të dimë
Në cilin shekull njeriu tha
Për të kaluar në dritë.
Të tjerë krijuan mitin.
Bënë nënën e natës
Ku fati filloi të endet
Flijoi delet e zeza
Dhe gjelin që shpall fundin e saj.
I dha natës 12 orë;
Botë e pafundme, Portik stoik
Heksametri latin i dha formën
Dhe Blase Paskal frikën.
Luis de Leon pa në ‘të atdheun
Me shpirtin drithërues
Që ndiehet pashtershëm
Si një verë e vjetër
Askush s’mund të mendojë
Për ‘të pa marramendje,
Koha e ngarkoi me përjetësi.
Dhe të mendosh se nata
Nuk do të ekzistonte
Pa ato vegla të mprehta, sytë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Astrit Lulushi-Historia e natës

“Kush ma diti poezinë, dhembjet nuk m’i diti dot”

July 11, 2019 by dgreca

(Kuptimësia e dhembjes në poezinë e Lasgush Poradecit)/

Nga Anton Çefa/

Për njeriun jeta është një dhembje e gjatë, për poetin është dhembje që përpiqet të shërojë dhembjet e të tjerëve. Bjelinski ka thënë me të drejtë “Poetët kanë fuqinë të ngrenë dhembjet e veta në lartësira arti, ku ne të gjithë gjejmë dhembjet tona”.

Poeti ynë i madh, Lasgushi, jetoi gjatë i harruar në vendin e vet dhe i mërguar në vetvete, në dhembjet e veta. Ai diti të vuajë dhe vuajti madhërishëm. Në vargjet e tij të lartësive poetike më të epërme buçet dhembja. Dhembja e fjalës, dhembja e zemrës, dhembja e vendit, dhembja e popullit, dhembja e një bote.

Dhembja e fjalës – Gjuha, dallojë e kombit, shenja e parë, më e qenësishmja e identitetit të tij, për poetin tonë është një dhembje e fortë, e thekshme :

          Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë,

          Posi një kraharuar ti dhem, o Gjuhë e zjarrtë,

          Posi kullim i gjakut që rreh në zemër time

Poeti i njeh gjuhës atributin e komunikimit, e kumtit, e informacionit. Ajo ndriçon si drita dukuritë e jetës në thelbin e tyre, duke e nxjerrë botën nga errësira e së panjohurës në dritën e kuptimit, të dijes: “Ti ndrin në thelb të jetës, si dritë e përvëluar”, i drejtohet poeti gjuhës. Gjuha poetike është e shenjtëruar dhe e zjarrtë, është mall, vetëtimë e qiellit, diell i llaftaruar. Edhe pse mjeshtër i shqipes, që i njohu asaj lashtësinë e moshës, fuqinë e shprehjes, rrënjët e kuptimit, diapazonin e gjerë figurativ, larminë e ngjyrave, harmoninë e tingujve, tonalitetin e ritmeve, kadencën imitative; edhe pse është reformatori më i shquar i fjalës poetike shqipe dhe ndriçohet në dritën e saj, ai e ndjen veten “të huaj” dhe pikëllohet përballë kësaj paje të rrallë e të çmueshme:

          Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë

          Sepse prej botës suaj kam mbetur kaq i huaj

Fjala poetike, duke u thurur në inde tekstore, në dihotominë e saj kundërshtuese, nga një anë, sendërton shumëkuptimësinë, nga ana tjetër, paaftësinë për të hedhur dritë në të fshehtat më të hijesuara të shpirtit, në misteret e tij, që ndrydhen në vetëdijen dhe, më së tepërmi, në nënvetëdijen e njeriut. E gjithë kjo dukuri e ndërlikuar, sipas së cilës diçka mbetet gjithnjë e pashprehur, është dhënë nga poeti ynë me një sintagmë të tipit të tij fjalëformues: “O gjuh’-e-zemrës sime, o mos-e kuvenduar”. Në poezinë “Kënga pleqërishte”, Lasgushi e ka cilësuar gjuhën si “çudi e mosfjalosur”. Është ky “moskuvendim”, kjo mosfjalosje”, që bart në ndërgjegjen tonë dhembjet e pathëna.1).

Protestuese dhe plot impulse nevralgjike është vijëzuar gjuha, në poezinë kushtuar Naim Frashërit, dhembja e poetit ndaj realitetit gjuhësor të kohës së tij për dëmet që po ndodhnin në rrafshet e pastrisë, shprehësisë dhe ngjyrësisë së shqipes në vitet njëzetë:

          Po nër bijt’ e Memës s’ate, me gjyrmashë-e me stërnipër 2).

          Shkatërrim’ i shpejt’ i gjuhës sot qëndron në vepr’ e sipër;

          Sot po humb kuvënd’ i zogut ç’ gjithë bukuri që kishte,

Po lëngon e nis të shembet folja jonë pleqërishte . . .

Dhembja etnike – Shpirti njerëzor është universal dhe, në këtë hapësirë, edhe ajo hise e tij, shpirti lirik, është universal, por në këtë universalitet ka një substancë të qenësishme, të patjetërsueshme që i vë vulë origjinaliteti atij universaliteti, dhe ky është shpirti etnik. Edhe në këtë rrafsh përjetimi poetik i dhimbjes së poetit është domethënës. Në poezinë “Poradeci” përshkrimi piktoresk i një muzgu mbi liqenin e qytetit përkapet deri tek problemi më rëndësor i kombit, ai i trojeve. Kur janë shuar e kanë humbur edhe zhurmëritë më të fundit të ditës dhe të gjallimit, kur në liqen hesht lopata e fundit dhe shqiponja e arratisur fluturon në Mal të Thatë; pra, kur “kudo krahinë e gjerë më s’po qit as pipëlim” dhe “tërë fisi, tërë jeta ra u dergj, e zuri gjumi”, atëherë dëgjohet rrjedha e lumit Drin, që kalon mespërmes Shqipërisë, përmes trojeve të shpirtit shqiptar, të ndërgjegjes sonë kombëtare. E lexojmë dhe e rilexojmë këtë varg, mbasi e kemi stërlexuar më parë, dhe merr një shkëlqim të ri në vetëdijen tonë dhembja e poetit, dhembja e bashkimit të trojeve. E përjetuam dhe e përvajtuam bashkë me poetin dhembjen e këtij vargu, që ka për të mbetur i gdhendur në lapidarin e kujtesës kombëtare.

Lasgushi qe optimist për një çlirim të shpejtë të Kosovës dhe për bashkimin e saj me Shqipërinë. Këtë na e ka dëshmuar Petraq Kolevica në librin e tij “Lasgushi më ka thënë. . . .”: “Do të vijë një ditë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën! Dhe sytë i shkëlqenin dhe i përpiqnim gotën me filxhanin bosh e prapë përsëriste: “Do të vijë një kohë, kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë, në mos u bashkofshim me Kosovën!” 3).

          Dhembja shpirtërore, dhembja e njeriut përballë Zotit, pulson më së tepërmi në poezinë “Njeriu dhe Zoti”, të cilën e anashkaloi pena e analizës së diktaturës ose e trajtoi poetin si “vargëzues fjalësh e figurash abstrakte” 4) – Poezia fillon si papritmas me vargun lajmërues, me një dramatizëm që vjen duke u bërë gjithnjë e më i fuqishëm:

          Ndaj ty qëndron, po, Zoti – tha zemra shpesh vetiu, . . .

Është zëri i ndërgjegjes, i mbjellë në thellësitë e saj nga vetë Krijuesi, që i flet njeriut, duke i dëshmuar prezencën e tij. Dhe njeriu e ndjen në zemër, e kupton qenien e Tij dhe ndjehet i frikshëm dhe i mjerë ndaj Tij:

          Ahere thelb’ i zemrës m’u droth posi thërrime,

          Sepse në vetëveten të pata ndjerë, o Zot!

          Mjerush të pata ndjerë në vetëveten time.

Njeriu e ndjen Krijuesin me zemër, çka vjen si shkallë e parë e njohjes së Tij. Njeriu është gjithnjë “dyshimtar” në rrugën e koklavitur të njohjes (kur “me sy të vetëtimshëm dhe dyshimtar e tinës / që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas” . . .). Dhe sado që me mëdyshje, karakteristikë për Homo sapiens, sepse është pikërisht mëdyshja që e përforcon dhe i jep sigurinë besimit, dhe me mendje të turbulluar, njeriu sado me vështirësi, e kupton dhe e pranon Atë edhe me aftësitë e tij intelektuale (“nga shkëmb’ i vetes”), çka vjen si shkallë e dytë e njohjes dhe e pranimit të Tij. Soditja në vetëvete, që thellon “të fellat e greminës” dhe “fundet e llaftarisë”, të kujton pyetjen e Zarathustrës tek Niçe: “A nuk është vështrimi në vetëvete një shikim humnere?” Por ka një dallim të qenësishëm në rrafsh filozofik-teologjik mes Niçes dhe poetit: ndërsa i pari në fundet e humnerave sheh kufomën e Zotit, poeti ynë “ndaj fundesh llaftarie” sheh, kupton e pranon Krijuesin:

Kur që nga shkëmb’ i vetes qëndrova të sodas

Sa keq m’ju patnë hapur të fellat e greminës –

Ndaj fundesh llaftarije ku syr’ i im u mvrejt,

E mënt’ e turbulluar askurr s’u mund t’i matin:

Ta pata matur shtatin! T’a pata matur krejt!”

Ndaj fundesh llaftarije T’a pata matur shtatin!

Mjerush në vogëlsinë e tij njerëzore, ai (njeriu) kupton madhështinë dhe madhërinë e Zotit dhe qenësinë e Tij supreme si burim dhe shkak i të gjitha realiteteve, të cilat ai i shpjegon në saje të shprtit të tij, të cilin vetë Zoti e ka ngritur “në kulme lartësire” të shkencës, artit, teknikës, në të gjitha aspektet e veprimtarisë, në refleksionet filozofike, përvojat religjioze, krijimet artistike.

Shtërmadh në vete T’ënde – më dhe kaq vogëlsi…

          E si m’a ngrite shpirtin nër kulme lartësire –

          Sesa në fund ke zbritur, sesa në fund të tij ! ”

Në këtë poezi dhe në poezitë e tjera të ciklit “Vallja e përjetësisë”, është prania e Zotit krijues e të gjithpushtetshëm dhe jo “zoti që si në çdo gjë të natyrës është edhe në vetë njeriun”5), dhe as “një shkallë e lartë e përqëndrimit të qenies” 6), çka vlen për disa poezi të tjera të Lasgushit, si “Zog’ i qiejve”, “Shpirti”, etj., por është plotësisht Zoti teologjik i tri besimeve monoteiste botërore.

Edhe pse na duket e tepërt të dëshmojmë besimin e poetit, po sjellim këtu një citim: “Zoti krijoi edhe Ditën e lirimit të Shqipërisë nga sunduesit e huaj – 28 nëntorin 1912 – ku u shpall pavarësia e shtetit shqiptar. Kjo është Ditë e shenjtëruar, e krijuar nga vetë Hyji, prandaj, thotë poeti, Atij, në shenjë nderimi e përkushtimi, do t’i falemi pa pushuar:

Ardhi dit’ e shentëruar,

Dita e njëzetetetës

me flamur të kuq në duar.

Se kështu pat urdhëruar

goj’e artë-e Zotit-vetës:

do t’i falem pa pushuar.

(Poradeci, Dita e Njëzetetetës)” 7).

Më vjen mbarë të shënoj këtu që vlerat kuptimore të nocioneve zemër dhe shpirt në poezinë e Lasgushit ndryshojnë, siç ndryshojnë edhe nocione të tjera si Zot, mall, yll, dashuri, etj. Në poezinë “Poradeci” hasim vargun “Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit tim”, të komentuar dikur si përftesë figurative “kapriçioze”, që në të vërtetë s’ka të bëjë fare me ndonjë kapriçio poetike, por me nocionin e shpirtit si kuptimësi e veprimtarisë mendore dhe të zemrës si kuptimësi e veprimtarisë ndjenjësore, si vatër simbolike e ndjenjave, dëshirave dhe gjendjeve shpirtërore. Këtu, është ndjenja që vihet në bazë të arsyes; ndryshe: është poeti që gjykon me zemër. Një veçori e poezisë romantike evropiane. Po kështu, në poezinë “Që larg”, kemi një zemër që dridhet në fund të shpirtit:

          Hidhur del nga shpirt’ i zi / Breng’ që s’ka të ngjarë, /

          Dridhet mun në fund të ti / Zemerëz’ e vrarë.

Po në këtë poezi, Lasgushi i përdor dy leksemat në fjalë si sinonime :

          Dashuri! Që mbete pas / Luleja me erë!

          Pse kalon si yll me gas, / nëpër shpirt të mjerë?

Dhembja e ëmbël! – Lasgushi më mirë se çdo kush tjetër e ka shprehur qenësinë e dashurisë si një ndjenjë të ndërlikuar dypolesh të kundërta, dhe e ka poetizuar si të tillë me sintagmat gjuhësore dhe përftesat stilistike të veçanta për të si “këngë-e-vaj-bashkuar”, “fshetësi plot llaftari, / plot ëmbëlsi vërerore”, etj., që nuk janë manierë dhe as obsesion i poetit, por shprehin qenien dhe qenësinë e ndjenjës së dashurisë, substancën reale të natyrës së saj. Ai vetë na e ka shpjeguar: “ . . . ekziztimi i ‘magjisë dhembëse’, qenia e ‘gazit helmplot’, që fshihet domosdoshmërisht në gjirin e dashuronjësve, e ka mburimin e thellë. Ky rrjedh nga natyra e dashurisë”. 8).

Me trajtimin në nivele të larta artistike të “dhimbjes së ëmbël”, ai na ka pikëzuar me mjeshtëri të rrallë bukurinë e shpirtit të dashuruar dhe kuintesencën e ndjenjës së ndërlikuar e komplekse të dashurisë, të përjetuar si dhimbje e si kënaqësi, si helm e si gëzim, si gaz e si vaj. Dashuria e kënduar si moment i përjetimit aktual të saj, a e kënduar si gjurmë kujtimesh të momenteve të përjetuara kohë më parë, gjithnjë cilësohet nga “dhimbja e ëmbël”. Ndërlikueshmërinë e ndjenjës së dashurisë, poeti ynë e ka kënduar në disa rrafshe psikologjike të përjetimit të saj, që nga vuajtja e deri te ekstaza. E ka poetizuar si mall në kohë ndarjeje, si dëshirë e zjarrtë për ta takuar vashën, si durim i dhembjes që shkakton ajo (“Dhemb malli-i-djegur-durim-plot, / Gjer i tret zemrat fare”…). Për poetin, dashuria është një ndjenjë e tallazitur, e fuqishme, që e bën të vuajë, e turbullon. Këtë kompleksitet ai e ka emërtuar me fjalën llaftari, aq e pëlqyeshme e aq e përdorur dendur prej tij:

Kujtimi im që më s’më jep të qetë, / kujtimi im q’u llaftaris pas teje,

          Në qetësi ësht’ iskër prej rrufeje,/ në ças llaftari zjarr e flakë vetë.

I tillë qe Lasgushi, poeti i dhembjeve më të fisme, më sublime, i gatshëm gjithnjë për t’u bërë fli e tyre:

“E në dhembjet venë-e-vinë, / Jam gati të vuajë më:

          Kush ma njohu dhëmbshurinë, / S’ pati njohur kurrëgjë.”

Brezni pas breznie, bota shqiptare, duke lexuar vargjet lasgushiane me bukuri të rrallë, do të dritësohet në dhembjet e veta, dhe vetëm atëherë do të mund të thotë se kuptoi diçka nga madhështia e shpirtit të poetit, nga madhështia e dhimbjeve të tij të buruara e të përjetësuara nga dashuritë.

Sqarime dhe refernca :

1). Studiuesi Aurel Plasari dukurinë e pavetëdijes poetike të moskuvendimit, a siç e quan ai “gjendje e pashprehshme, e papërcaktueme e përjetimit poetik”, a gatishmëri “për një nivel tjetër jetësor”, Lasgushi e ka të përbashkët me poetin gjerman Rilke, i cili e emërton si “të pafolur”. (“Shih: Princi përballë princërve” në “Don Kishoti zbret në Shqipëri dhe ese të tjera”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f.249 dhe 245)

2). Gjyrmashë, pasardhës.

3). Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë. Shënime dhe biseda me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë, “Toena”, Tiranë 1999, f. 424.

4). Myzafer Xhaxhiu: “Lasgush Poradeci – Lirika”, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve, Tiranë, f.5.

5). Sabri Hamiti: “Lasgush Poradeci – Vdekja e Nositit”, Rilindja, Prishtinë, 1978, faqe 21.

6). Po aty, f. 8.

7). Anton Nikë Berisha: “Hyji dhe mbretëria hyjnore në poezinë shqipe”, në “Njëmendësia e fjalëve”, “Shpresa & Konica”, Prishtinë, 2006, f. 51-52.

8).Lasgush Poradeci: “Poezi et Coetera . . .”, tek: Sevdai Kastrati, “Lufta e penave – Zgjedhje antologjike e polemikës shqipe”, “Botimet Toena”, Tiranë, 2002, f. 424.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa- Kuptimesia e dhembjes- Poezia e Poradecit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 950
  • 951
  • 952
  • 953
  • 954
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT