• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT ZEF VALENTINI S.J. DHE SHQIPNIA

July 11, 2019 by dgreca

At ZEF VALENTINI S.J. (1900 – 1979)/

Përgatiti Fritz RADOVANI/

40 VJET perpara At Zef VALENTINI S.J., vdiq me Shqipninë në zemren e Tij…Ai ishte nder shkenctarët ma të mëdhaj italian, tri herë “Doktor Shkencash”, që gjithë jeten ja kushtoi Shqiptarëve të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut dhe Gegnishtes së tyne. Asht le me 1 Korrik 1900 në Padova Itali, dhe vdiq në Palermo me 16 Nandor 1979. Prof. Ernest Koliqi shkruen: “At Valentini mbrriti në Shqipní në shtatorin e vjetës 1922. N’at muej t’âmbël e të praruem vjeshtor, Shkodra e priti me heshtjen dhe nxehtësinë e rrugve të saj gjarpnuese, rrethue me gjethet e zverdhuna të lulevileve n’agoní e me aromat e fshehta që asokohe vërshonin prej s’mbrendshmi në rrugë, tue ardh’ prej matanë mureve të nalta t’oborreve të mbylluna”.

25 PRILL 1968 Papa Pali VI, në perkujtimin e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Gjergj Kastriotitnë Vatikan porositë: “Shqiptarë! Duenje At Zef Valentinin, se Ai ju don me zemër. Çmonje, se Ai punon pa nderpre për me u njoh përpara botës vlerat tueja shpirtnore e artistike. Ai asht i juej, sepse i ka vue çeshtjes suej mendjen e zemrën e vet”.

At Zef VALENTINI shkruen per Mikun e madh të Shkodres, Heroin Bajram CURRI: “Bajramit ia kish ânda, tue kujtuem emnin e gjinisë së vet, Curraj, me i thânë vedit: Un jam Curr! Në ndërtesën shpirtnore të Shqipnis, themelet do të vehen prej currash, prej virtytesh karakteristike të fisit; kur këta të qëndrojnë, edhe Shqipni ka; kur këta të hiqen, Shqipnis i luhet “carâni i votrës.”

At Valentini shkruen: “Shqiptart janë nji popull i çuditshëm. Të huejve u duket se kanë nji tânsí ligjesh e parimesh qi kundërshtojnë njena-tjetren, konflikte të pasherueshme, grindje të mbrendshme ku ndryshimet fetare, rajonale dhe kulturore, nxisin impulse të papërmbâjtshme shkatrruese, mirëpo mbas ksaj, kur bâhen gati të shprehin nji gjykim negativ mbî mundsitë e mbijeteses kombtare, vrejmë sesi shpërthen papritmas prej thellsive të shpirtit të tij nji ndjenjë e fortë vllaznimi qi të shtang e të mrekullon”.

At Zef Valentini S.J. ishte nder të huejt e paktë që vdiq me dy shtetsi: Italian e Shqiptar! 

                 Melbourne, 11 Korrik 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: At Zef Valentini-Fritz Radovani

BESUESHMËRIA E VRARË DHE PUSHTIMI NGA ILEGJITIMITETI

July 11, 2019 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/Në Shqipërinë tonë të  dashur, kohët e fundit  kanë ndodhur e po ndodhin  çdo ditë gjëra që na  çudisin,  na bëjnë të vemë duart në kokë, e të turpërohemi para botës. Dukshëm këto dukuri, janë  të papranueshme  për një shtet normal që synon BE-në, që  synon të bëhet modern  e europiano-perendimor,  që synon tju shërbejë  me devotshmëri qytetarëve të vet e në të njejtën kohë të jetë  i drejtë me to. Gjëja më kryesore në këtë rrëmujë  shqiptare, është fakti që besueshmëria (gati për çdo gjë ), ka shkuar në zero. Kështu, Institucioni i Presidentit parë nga këndshikimi i Qeverisë dhe shumicës  së atyre që ngrohin vezët në Parlament, jo vetëm që ka shkuar në zero, por është vrarë, është vënë në arkivol dhe po përgatitet ceremonia për ta çuar në varrezat politike. Pra besueshmëria është  vrarë nga vetë  PS-ja pasi  ajo zgjodhi  Ilir Metën President, me fuqinë e kartonave të deputetëve të saj. Por a e ka interesin e përgjithshëm  publik kjo gjë?

Për Qeverinë, rilindjen socialiste, pjesën e tyre parlamentare dhe militantët e PS-së , opozita shqiptare  është tradhëtare e interesave të Shqipërisë, kundërshtare e hapjes bisedimeve me BE-në, bllokuese e reformës në drejtësi, e lidhur me para të pista të firmave  ruse etj. Krerët e opozitës (sipas tyre), me të përfunduar reforma në drejtësi do të shkojnë shpejt prapa hekurave të burgut. Pra,me këtë qëndrim ata na tregojnë se janë vetë qeveri, vetë prokurori, vetë gjykatë e gjithçka  tjetër dhe se besueshmëria e tyre  tek opozita është zero. A është i përfshirë interesi i gjithë publikut  shqiptar në këtë qënrdim?

Parë nga këndshikimi i opozitës, veçanërisht  pas publikimit në media të përgjimeve të publikuar edhe prej “Bildit” gjerman, ku denoncohen hapur  vjedhjet e zgjedhjeve të  përgjithëshme të 2017-tës dhe ato lokale të Peshkopisë (2016), sipas tyre  Parlamenti aktual dhe Qeveria e Edi Ramës janë ilegjitime. Fakti që ata jo vetëm kanë vjedhur, por edhe  dukshëm  janë  të lidhura me bandat kriminale, besueshmëria ndaj tyre është zero. Sipas opozitës, pa daljen para drejtësisë të hajdutërisë së zgjedhjeve dhe pa largimin e Edi Ramës si Kryeministër (kryehajdut), nuk ka zgjedhje të lira , demokratike e të nderëshme dhe nuk do të ketë asnjë bashkpunim. Pra shkurt  pabesueshmëria e opozitës  për pozitën, është e dukëshme  edhe e tejskajshme, por pyetja shtrohet: a ka ndonjë derë hapur për komunikim dhe gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët?

Besueshmëria publike tek qeveria, drejtësi, prokuroria, policia, shërbimet ndaj qytetarit, zgjedhjet e lira , KQZ-ja, organizmat e funksionarët e shtetit etj, është afër zeros. Pyetja më e thjeshtë   dhe e një qytetari të theshtë në këto kushte është : pse erdhëm në këtë derexhe? Pse një luftë e re klasash, e urrejtjeje ndërshqiptare po ndodh  kaq shëmtuar tridhjetë vite pas shembjes së diktaturës? Kjo klasë politike a ka ndonjë përgjegjësi (pyet qytetari i thjeshtë) për këtë  situatë që mund ta emërtojmë si:” koha e besueshmërisë zero”?. Qeveria që me ligj është përgjegjëse për organizimin, drejtimin e mbarvajtjen e vendit a ka përgjegjesi për pushkatimin që ajo vetë  i ka bërë besueshmërisë? Unë mendoj se:” PO”me të madhe e kapitale dhe se ata që e kanë bërë zollumin mullarë, duhet të largohen nga politika  e drejtimi i punëve të shtetit sa më parë.

Pabesueshmëria , dukshëm  është  përzierë edhe me  megallomaninë, fodullëkun, pacipsinë, paditurinë, paturpësinë e karnavalitetin e Edi Ramës e të shpurës rreth tij,  duke sjellë si pasojë  iligjimitetin legal. Tashmë ai (ilegjimiteti), ka pushtuar gjithë aktivitetin shtetëror e shoqror dhe  është këthyer në një rreth vicioz  ku çdo gjë ilegjitime propagandohet si legjitime  dhe asasjelltas. Ku po shkojmë kështu pyet qytetari i thjeshtë e intelektuali i pa angazhuar në partitë politike?

Presidenti nisur nga shmangia e ndonjë përplasje civile, anulli  me dekret zgjedhjet e 30 qershorit duke dekretuar 31 tetorin. Kurse  Qeveria edhe  pas publikimit  të tij në fletoren zyrtare  nuk njeh dekretin. Madje shkon më tutje ku shtynë KQZ-në të veprojë sipas urdhrave partiak të PS-së duke zhvilluar zgjedhje  e duke e çuar për vlerësim dekretin e Presidentit në një gjykatë që ska asgjë lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Të ashtu quajturit  të zgjedhur të 30 qershorit  duan të shkojnë në zyrat e bashkive në gusht, ata legjitimët aktual thonë zgjedhjet janë më 31 tetor etj etj, një  rrëmujë e vërtetë ligjore në një vorbull  ilegjitimiteti spektakolarë për të qeshur e për të uluritur.

Besueshmëria zero dhe veprimtaria  e shumfishtë  ilegjitime, kanë  prodhuar edhe ndëshkueshmërin zero të politikanëve e drejtuesve të lartë shtetror. Për pasojë , pandëshkueshmëria ju ka dhënë shumë krah e mbështetje  grupeve kriminale  sepse ata  në këtë rrëmujë ligjore e shtetrore e ndiejnë  vehten më të qetë  e më të mbrojtur. Madje disa nga kjo sërë,  janë të prirur ti bëjmë presion Edi Ramës që të mos luaj nga posti i Kryeministrit (të mos jap dorheqjen) se ata do të  humbasin parat që kanë investuar për ta sjellë atë në këtë post.

Kur besueshmëria midis palëve është zero, kur është bërë rregull ilegjimiteti dhe kur pandëshkueshmëria e politikanëve  është bërë kult, çfarë shprese ka për ringritjen  dhe vendosjen e shtetit e të shoqërisë mbi baza të shëndosha kushtetuese, ligjore e institucionale?

Personalisht jam i prirur të besoj në tre faktorë. Më së pari pritshërinë e kam tek opozita ,duke menduar se ajo do të bëhet një forcë e thellë reformuese, më e besueshme  e më gjeneruese  e energjive kombëtare, për gjithë shoqërinë shqiptare dhe jo vetëm për antarët e militantët e saj. Shpresoj se ajo do të largohet nga disa qëndrime jashtë realitetit politik shqiptar dhe do të shpalos idetë e saj për reformën zgjedhore, në ekonomi, arsim, shëndetsi etj.

 Në radhë të dytë kam prirjen dhe dëshirën të besoj që intelektualët e pavarur, njerëz me vision të gjërë, të ndershëm e të pa kompromentuar, të çdo fushe  dhe studentët,  të bëhen nisëmtar dhe promotorë të një  lëvizjeje “alternativa atdhetare”(jo parti politike) për çuarjen e shoqërisë përpara. Kjo lëvizje të jetë flamurtarja e atdhetarisë  e çliruar nga dogmat komunisto-majtiste dhe nga ato djathtisto ekstremiste. Lëvizja intelektuale  shpresoj se do ta mbështes opozitarizmin që shtetit të bëhet funksional e në sherbim të njerzve.

Dhe më se fundi (gjë që nuk e dëshiroj shumë), kam mendimin se ndërkombëtarët (në radhë të parë amerikanët), duhet ta shohin realitetin shqiptar drejt në sy, të mbështesin forcat dhe individët e pakompromentuar dhe të përpiqen që kriza tw  kapërxehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Asllan Bushati-Kriza e Besimit-Iligjimiteti

SEIT TAFAJ, PEDAGOGU, VEPRIMTARI

July 11, 2019 by dgreca

NGA MURAT GECAJ/

1.Një njoftim të shkurtër dhe të papritur, lexova sot paradite në Internet: Është ndarë përgjithnjë nga jeta, duke lënë në pikëllim familjarët, kolegët e dashamirët e shumtë dhe anëtarët e Shoqatës “Tirana”, Seit Tafaj! Njëkohësisht, ai ishte dhe koleg e mik i mirë i imi, me të cilin njihesha që para viteve 90-të, të shekullit të kaluar.Lajmin e dhimbshëm e publikoi dhëndrri i tij, Adnan Mehmeti, me origjinë nga Lugina e Preshëvës dhe me banim familjarisht në Nju Jork. Bile, disa takime të kohëve të fundit i kam bërë me të ndjerin Seit, kur ai gëzonte shëndet të plotë edhe për shkak se Adi merret me veprimtari botuese e shoqërore. Prandaj, përmes Seitit, më ka dërguar botime të ndryshme. Adnani ka qenë, për disa vite, kryetar i Shoqatës së Shrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ndër të tjera, ka botuar një libër për jetën dhe veprimtaritë e kësaj Shoqate, si  dhe është kujdesur që të botohet libri për amerikanen e verbër, Carrie Hooper. Kjo e shkruan mjaft mirë gjuhën shqipe e ka lidhje, përmes Internetit, me disa krijues, në Shqipëri e më gjerë.

Ndër takimet më të fundit, me të ndjerin Seit, ishte ai që bëmë e pimë kafe bashkë, jo shumë ditë më parë, në Lokalin “Galxy-Bar”, aty ku fillon Bulevardhi i Ri i kryeqytetit. Ai më kishte sjellë një libër, të cilin e ka shkruar Dr.Besim Muhadri, me titullin “Poezia e Adnan Mehmetit-Vështrim”(Nga SHB “Bogdani, Prizren, 2019).

2.

Seit Tafaj, ka qenë një ndër arsimtarët më të përgatitur e të njohur të ish-Shkollës së Mesme Industriale të Tiranës. Aty i vazhdonte mësimet djali ynë i madh, Ariani e ai tregohej dashamirës dhe kujdesesj për çdo problem, që kishim. Fjalë të mira, që i meritonte plotësisht, shprehnin edhe kolegët e punës, drejtuesit e shkollës e prindërit.

Në vazhdimësi, ai shërbeu në detyra të ndryshme, arsimore e pedagogjike, si në Institutin e Studimeve Pedagogjike dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor etj.

Por edhe kur doli në pension, ashtu buzagas e i papërtuar, Seiti ishte i kudogjendur, në veprimtaritë arsimore-pedagogjike, kulturore-artistike e sportive, që zhvilloheshin në kryeqytet. Ishte një ndër veprimtarët e dalluar të Shoqatës “Tirana”, e cila vepron tash disa vite në kryeqytet.

Pa u zgjatur në këto pak radhë, në nderim e kujtim të kolegut e mikut të paharruar Seit Tafaj, kërkoj falje nga autori Bujar Qesja, që po riprodhoj një fragmnt, nga shkrimi “In memorium”, që e publikoi për atë, në “Gazetën e Durrësit”:

“Seit Tafaj është nga mbështetësit e fuqishëm, jo vetëm te ruajtjes së vlerave njerëzore të qytetarisë së njohur tironase, duke mbrojtur traditat dhe historinë e saj, por edhe i forcimit të veprimtarive të shoqatës së Shqipërise së Mesme, të përbërë nga: Tirona, Durresi, Elbasani dhe Kruja”.

…Në mbyllje, u dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta,të gjithë familjarëve të tij, kolegëve e miqëve dhe dashamirësve të tij të panumërt! I ndjeri Seit Tafaj do të mbetet përherë i paharruar, se këtë gjë e mëritoi me tërë jetën e tij të përkushtuar, për arsimin tonë kombëtar dhe atdhetarizmin shqiptar!

Këtë shënim timin modest, po e shoqëroj me një fotografi, që i kam bërë Seit Tafajt, kur pinim bashkë kafe, në datën 4 tetor 2018.

-I paharruar qoftë kujtimi i Seit Tafajt!

Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues

Tiranë, 11 korrik 2019

Filed Under: Komunitet Tagged With: Pedagogu-Veprimtari, Seit Tafaj

KAFSHIMI I QENIT

July 10, 2019 by dgreca

nga Albana M. Lifschin/*

Më kishte folur edhe gjyshja për vitet e internimit,
për fëmijët e rritur pas telave me gjemba. Atë kohë kisha
hyrë në gjimnaz. Një ditë, papritur, sytë më shkuan
te një shenjë në ije të gjyshes.
– Çfarë është kjo, nana?
Ajo tërhoqi bluzën poshtë dhe e futi nën fund.
– Mua po më shikon ti?
– Çfarë e ke atë shenjë? – pyeta unë përsëri. – Je vrarë
gjëkundi, nana?
– Eh, bijo… E kam kujtim nga internimi. Kemi qenë
në Bënçë të Tepelenës atë kohë. Pranë kalasë. Ah! Çfarë
kemi kalu në internim, mos e kaloftë kush! Na detyronin
të banim punë të randa e nuk na mbushej barku kurrë
me bukë. Na jepnin një supë, ashtu i thoshin, por
zor se të zinte gja luga në të, veç krimbave. Shkonim në
pyjoren pranë grykës së lumit,disa kilometra larg kampit.
Ishim rreth 100 gra që ngarkoheshim me dru në kurriz.
Një polic ishte në krye të kolonës e një në fund. Kisha
kohë që e baja këtë punë, por fuqitë erdhën duke më
lanë. Ishte një ditë shiu. Turra e druve erdhi duke m’u
rëndu. Më mundi lodhja dhe e pangrëna. M’u veshën
sytë. Nuk mbaj mend si u rrëzova në përrua dhe nuk
kisha fuqi të ngrihesha, kur ndjeva kafshimin e një qeni
këtu në ijë.
Mua më kishte ngrirë fytyra nga përfytyrimi i gjyshes
së rrëzuar në përrua dhe e një qeni të zi mbi të.
– Që atë ditë rashë e sëmurë e nuk shkova ma për
dru. Por kisha dy fëmijë të vegjël me vete dhe sido që të
vinte puna, nuk duhej t’u dorëzohesha mundimeve. Ata
s’kishin kërkend tjetër. Kemi kalu sëmundje të randa.
Askush nuk kujdesej për të sëmurët. Njerëzit i këpuste
vdekja. Uria na mundonte përditë. Njëherë, Leka
solli në kazermë një 20 lekëshe. Ishte e lagun. “Kush
ta dha këtë?” e pyeta. “Askush. E gjeta rrugës. E ka lag
shiu, por unë e fshiva pas pantallonave. Nanë, ne mund
blejmë një racion bukë me te.” – “Shko vene në vendin
ku e gjete. Dikujt i ka ranë nga xhepi dhe ai njeri
ka dëshpërim sot. Do të kthehet ta kërkojë rrugës nga
ka ecun”, i thashë, “dhe mos harro: veni një copë gur
përsipër që të mos e marrë era.” 
Edhe në ato kushte me bark thatë, fëmijët doja t’i edukoja mirë. Ata do të rriteshin një ditë me vullnet të Zotit.

– Një herë tjetër, im bir më tha se një shoku i tij i
klasës kish nevojë për fanellë, por nana e vet nuk dinte
të punonte me shtiza. Kështu, të nesërmen më sollën
leshin dhe tanë natën kam punu me shtiza fanellën e atij
djali. Të nesërmen, im bir e mori fanellën dhe ia çoi në
shtëpi. U kthye prej andej me një bukë gruri të mbështjellë.
Ishte haku i punës.
Unë s’ia ndaja sytë gjyshes.
– Do prapë?
Unë kisha harruar të merrja frymë…
– S’janë për ty këto, bijo.
– Më thuaj edhe një histori vetëm, vetëm edhe një, –
iu luta unë dhe u ngjesha pas saj në divanin e kuzhinës.
– Mirë pra, kjo do të jetë e fundit, ë?
Tunda kokën në shenjë pohimi.
– Një pasdite na urdhnun të dilnim jashtë kazermave
të tanë, pa përjashtim. Përpara nesh, disa metra më
tutje, qe vendosur një mitraloz i mbështetun në dy kambë.
Fëmijët u trembën. Disa filluan të qanin. Çfarë do
të banin me ne? Do të na vrisnin? U krijua panik. Komandanti
i kampit doli përpara dhe foli me zë të rreptë:
“Mungon një kandil i kazermës. Kush e ka vjedhur, të
dalë përpara!” Ra heshtje. Dikur, një djalë i ri bëri një
hap para e tha: “E kam unë.” – “Pse e ke vjedhur kandilin?
Ai është i komandës s’është i yti!” – “E pashë që
ishte prishur dhe mora ta rregulloja.” Nuk u duk se komandanti
i kampit e besoi. “Ju të tjerët shpërndahuni, ti
dil mënjanë”, tha ai. Pranë zyrave ishe një dhomë izolimi
për ata që dënoheshin. Atë djalin e futën atje. Mitralozi
dykambësh në mes të kazermave dhe tmerri që u
hyni të internuarve s’harrohen.
– Po sikur t’ju kishin vrarë? – e pyeta unë.
– Nuk kishim ba kurrgja që të na vrisnin.
Habitesha me gjyshen. As ajo s’kishte bërë asgjë që
ta meritonte internimin, por i kishte duruar të gjitha
dhimbje- dënimet në heshtje. Mos ishte pak dhimbja
për burrin e djalin e arratisur? Apo për djalin e madh që
ishte vrarë si tradhtar e nuk i dihej varri? E kishin quajtur
herë ‘nënë komunisti’ e herë ‘nënë tradhtari’. Më
ishte rrënjosur që nga fëmijëria një çast kur e kam pyetur
nënën time se sa vjet shkollë kishte gjyshja dhe ajo
mu përgjigj: “12 vjet”. Nuk m’u besua. Më pas e pata
pyetur edhe gjyshen dhe ajo më tha tekstualisht: “Kam
12 vjet shkollë e kurse”.Vonë, ime ëmë më ka shpjeguar
se gjyshja kishte parasysh 12 vitet e internimit. Ato ishin
shkolla e saj, prej ku ajo kishte mësuar shumë. Shkollë
jete. Vonë, kur dëgjoja të më thoshin se gjyshja jote flet
me ‘proverba’, e dija që nënkuptonin mençurinë e saj.
Besoja që më shumë se çdo gjë ishte përvoja e jetës si e
internuar, që e bënte të fliste shkurt dhe thellë.

*(Fragment nga libri “Yjet nuk jane te kuq”,botuar ne 2013)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kafshimi I Qenit-Albana M Lifshin-Yjet nuk jane te kuq

MESAZHE PËR TË MOS HARRUAR “RRËNJËT” NGA VIJMË

July 10, 2019 by dgreca


Mbresa nga vëllimi me tregime “Rrënjët” i shkrimtarit shqiptaro-amerikan, Resmi Çorbaxhi- /

NGA FUAT MEMELLI/

E kisha “takuar” krijuesin Resmi Çorbaxhiun  në faqet e shtypit qysh para viteve ’90, pasi ai ishte një firmë e njohur. U desh të kalonin vite dhe ta takoja nga afër në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës “Dielli” në Neë York. E ka lënë Maliqin nga është me origjinë dhe prej vitesh jeton në qytetin Albany afër Neë Yorkut. “Mikrobi” i krijuesit nuk e le rehat dhe ai vazhdon të shkruajë në faqet e gazetave shqiptare që dalin në Amerikë. Atë ditë që u takuam, më dhuroi edhe vëllimin e tij me tregime “Rrënjët”. I lexova  tregimet, ndërsa disa prej tyre edhe i rilexova. Nga kënaqësia që përjetova, po shkruaj  disa mbresa, thjesht si një lexuas, pasi nuk jam kritik letërsie. Vëllimi “Rrënjët”  nuk ka të bëjë aspak me rrënjët e ndonjë peme, por me “rrënjët” ku je lindur e  rritur e ku mjaft njerëz duan edhe të treten aty, siç ndodh me ndonjë nga personazhet e tregimeve. Është “magneti” i vendlindjes, është zëri i të parëve që i thërret aty, pasi këmbët shkojnë aty ku i urdhëron zemra. Në këto vite të tranzicionit, kur shumë familje u larguan nga fshati e shkuan në qytete e një pjesë në emigracion,  autori na sjell edhe peronazhe që tranzicioni nuk i shkuli dot nga “rrënjët”. Shumica e “brumit” të tregimeve, është marë nga atdheu ynë ku autori ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, por edhe nga Amerika ku jeton prej disa vjetësh. Personazhet e tregimeve janë njerëz të kategorive të ndryshme: fshatarë, mësues, nxënës ( autori ka punuar shumë vjet si mësues dhe e njeh deri në themel arsimin) specialistë të fushave të ndryshme, emigrantë, etj. Janë njerëz që autori i ka njohur në rrugën e jetës . Mbresat që i kanë lënë , i ka “arkivuar” në kujtesë e më pas i ka “zbrazur” në faqet e tregimeve. Janë personazhe realë e autori vetëm sa i ka ndruar emrat dhe i ka veshur me “gëzofin” artistik. Janë njerëz tokësorë, me të mirat e të këqiat e tyre. Tregimet e tij të thjeshtë e të bukur, mesazhet jetësore që ata përcjellin, më ngjajnë me poezitë e Dritëroit. Është kjo një vlerë e tregimeve të Resmi Çorbaxhiut. Plaku Baze, personazh kryesor i tregimit “Rrënjët”, nuk do të largohet nga fshati, nga “sarajet” e tij. “Këtu, vetëm këtu do të më dalë shpirti, qoftë edhe i vetëm” thotë ai. Tregimi ka një kolorit të pasur gjuhësor, veçanërisht të krahinës së Korçës, ka dialogje të bukur e retrospektiva, që të mbeten në kujtesë.

Një tregim jetësor, është edhe ai me titull “ Dëshira e fundit”, ku një çift fshatarësh, janë dashur e duhen deri në minutën e fundit. Siç thotë autori “ ata ishin bastun për njëri-tjetrin”. Krati, persoazhi kryesor i tregimit, nuk do të ligështojë pjesëtarët e familjes dhe do të japë shpirt në krahët e shokut të tij të vjetër. Dhe shkon më tej kur le amanetin: “dasma të bëhet sikur të isha gjallë”. Janë dëshira njerëzore këto që burojnë nga një shpirt i brishtë. 

Tronditës është tregimi “ Vetmia”, dramë e cila nuk ka fund në jetën e një gruaje, pas burgosjes së të shoqit, gjoja si agjent i të huajve. Ne që e kemi njohur atë sistem, dimë plot raste të ndarjes për së gjalli të njerëzve të afërt prej “njollave” në biografi. Njerzit u largoheshin atyre sikur të kishin zgjebe. Dhe ngriheshin mure mes shtëpive të tyre për mos komunikuar, por më të lartë se ata, ishin “muret” shpirtërore. Njerzit përçmoheshin nga pushteti i kohës. Te tregimi “Vetmia” brigadieri e dërgon gruan të punojnë vetëm, e përzenë nga mbledhja e frontit,  i kërkojnë të ndahet nga burri. Vetmia arin deri aty sa edhe i jati le amanet që “vajza mos vijë as në varrimin e tij”. I gjithë “mëkati” ishte se Besiani, i shoqi i Nëntores, kishte strehuar çifutë gjatë luftës. Duke lexuar këtë tregim, m’u kujtua familja e të ndjerit Hamit Qyteza, që e kam njohur pas viteve ‘90 në fshatin Rov të Korçës e përgatita një kronikë dhe një shkrim . Hamiti, ish student i liceut të Korçës dhe mjeshtër i ritjes së luleve, kishte patur “njolla” në biografi, dhe krahas ndëshkimeve të tjera, brigadieri e veçonte tok me gruan, duke i dërguar  edhe në punët më të rënda.

Puna e Resmiut si mësues por edhe si gazetar te “Koha jonë”, e ka bërë që të njohë një mori ngjarjesh e karakteresh.  Një ngjarje me një ish nxënëse , e ndodhur në vitin e mbrapshtë ’97, është bërë shkas për tregimin e bukur “Telefonata e papritur”. Atëhere vajza e urrente mësuesin, pasi nuk i jepte lejë për t’u takuar me të dashurin. Më pas doli që ai kishte qënë mashtrues dhe kish dashur ta trafikonte vajzën. Pas vitesh vjen një telefonatë e papritur nga jashtë ku tashmë jetonte vajza dhe falenderon mësuesin ( duket që është vetë mësues Resmiu) që e kishte shpëtuar nga prangat e trafikantit. Është një ngjarje bindëse, pasi të gjithë e dimë si lulëzoi ky fenomen në Shqipëri pas viteve ’90. 

Të mbetet në kujtesë edhe tregimi “Lalai”, një fshatar i zgjuar e hokatar, që “të jepte ujë në bisht të lugës” e që godet me “armën “ e humorit kryetarin e kooperativës, “një djalurçinë nga qyteti, që rinte me kollare edhe në majë të malit”, por që i kishte shpatullat e ngrohta nga pushteti. Kryetari shpif ndaj tij dhe Lalai arrestohet , por mësohet e vërteta, ai del shpejt nga biruca dhe kryetari shkarkohet. Kjo ngjarje na kujton disa kuadro të atij sistemi, që “shinin lëmë” pasi i kishin shpatullat e ngrohta.

 Me tregimet e bukur të këtij vëllimi, mund të vazhdonim por po i mbyll këto rradhë me urimin që Resmi Çorbaxhiu, i thjeshtë si vetë tregimet e tij, të na dhurojë vëlllime  të tjera të bukur.

Filed Under: Histori, LETERSI Tagged With: Resmi Çorbaxhiu-RRenjet-Fuat Memelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 952
  • 953
  • 954
  • 955
  • 956
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT