• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

E ARDHMJA

June 30, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Vetmia është lloj izolimi…dhe mungesë miqsh. Është provuar se emocionet janë biologjikisht afatgjatë, ndërsa mendimet, afatshkurtër. Edhe marrëdhëniet në punë zgjasin për aq kohë sa puna ekziston, sepse lidhjet profesionale motivohen thjesht nga një interes i përbashkët. Kur ky interes përfundon, kështu edhe marrëdhëniet.
Statistika të tjera tregojnë se njerëzit pësojnë humbje në cilësinë dhe sasinë e miqëve. Përparimi teknologjik gjithashtu është fajësuar për rënien e miqëve. Orët e gjata të punës dhe komunikimi në internet i largojnë njerëzit nga komunikimi personal. Kjo vështirëson bërjen dhe mbajtjen e miqësive. Mediat sociale kanë çuar gjithashtu në një rënie të komunikimit të drejtpërdrejtë, duke e bërë më të vështirë vendosjen e lidhjeve emocionale.
Biseda ballë për ballë po i hap rrugën teksteve dhe mesazheve; njerëzit madje preferojnë këto shkëmbime elektronike dhe më pak të folurit në telefon. Rrethet e miqve janë duke u zëvendësuar me të njohur a miq në Facebook, që shkojnë në qindra e mijëra. Madje sugjerohet se njerëzimi mund të hyjë në një periudhë krize përsa i përket kuptimit të konceptit të miqësisë. E ardhme duket e errët, kur stimulet elektronike do të zëvendësojnë gëzimet e kontaktit njerëzor, kur njeriut do t’i duket se mund të jetojë më mirë i vetmuar.
Një efekt tjetër i mënyrës idealiste të jetës është tjetërsimi dhe mungesa e miqve; shkak kryesor i pakënaqësisë. Pavarësisht nga niveli në rritje i të ardhurave, niveli i lumturisë është në rënie, pasi njerëzit nuk janë të interesuar drejtpërdrejt në lumturi, por në arritjen e qëllimeve.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-E ardhmja

Ju nuk e keni njohur kurrë diktaturën

June 30, 2019 by dgreca

Në vend të  përgjigjes për zotin Palmer/

Nga Reshat KRIPA/

       Dëgjova intervistën e Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën Matthew Palmer, dhënë zotit Ilir Ikonomi, gazetar i medias së njohur “Zëri i Amerikës” dhe të them të vërtetën mbeta shumë i deziluzionuar, pasi nuk mendoja kurrë që një figurë e lartë e shtetit amerikan të dilte përkrah një qeverie të korruptuar që po organizon zgjedhje të paligjëshme në Shqipëri. Në këto çaste para syve më del një shprehje e studiuesit të njohur Giovani Sartori që në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë” shkruante:

       ”Njerëzit që kurrë  nuk e  kanë  njohur diktaturën  dhe  tiraninë e  kanë  të lehtë  të  jepen pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjimend“.              

       Unë mendoj se ju zoti Palmer jeni pikërisht një nga këta persona. Ju nuk e keni njohur kurrë diktaturën dhe si i tillë nuk jeni në gjemdje të gjykoni.Për të mësuar se kush ishte regjimi komunist dua t’ju tregoj  viktimat e    shkaktuara   nga   rregjimet  komuniste  në  botë. Për  këtë  po i referohem të dhënave të   librit  “Jashtë   kontrollit“      të     personalitetit të njohur    amerikan   Zbigniev Brzhezhinskij që shekullin e njëzetë e quan “Shekulli i megavdekjes“.

       Ja të dhënat e këtij personaliteti mbi viktimat e shekullit të XX-të:                                 Lufta e Parë Botërore                   13 milion                                            Lufta e Dytë Botërore                35 milion                                                   Viktima të holokaustit komunist       66 milion                                            Nga këto gjatë periudhës së:                                                                   Leninit                                         8 milion                                                 Stalinit                                25  milion                                                 Mao Ce Dunit                           29  milion                                                  Pol Potit                         1 milion                                                Diktatorët e Europës Lindorë         3 milion                                     Janë të njohura tashmë moritë e shumta të krimeve të komunizmit. Le të tregojmë disa shembuj të tjerë të nxjerra nga ky libër                                                           1 milion të ekzekutuar në fund të viteve 20-t                                              1 milion të ekzekutuar dhe 2 milion të vdekur në kampet e punë së detyruar vetëm gjatë viteve 1937-1938.                                                                                  7 milion fshatar të vdekur gjatë procesit të kolekivizimit                                    360.000 robër lufte të vdekur nga konditat e këqija                                         140.000 ushtarë polakë të ekzekutuar                                                      200.000 oficerë polakë të ekzekutuar afër Minskut, zbuluar në fundin e viteve 80-të.            14.736 oficerë polakë të ekzekutuar  më 5 mars 1940, me urdhër të Berias, shefit të KGVD-së dhe të miratuara nga vetë Stalini si  edhe 10.685  të  burgosur të tjerë politikë                 15.000  oficerë të  tjerë  polakë të  ekzekutuar  në pyllin e Katinit.                             Lezoni zoti Palmer këto të dhëna në librin  e  Brzhezhinskijt  dhe bëni  krahasimin.  Gjatë dy  luftrave botërore, numri i viktimave ishte  vetëm 48 milion, ndërsa gjatë holokaustit komunist ai arriti në 66 milion, shifër që sipas të dhënave të Këshillit të Europës arrin në 100 milion.      

       Më  lejoni  tani  t’ju  bëjë të   ditur   shifrat  zyrtare  të krimeve  të  regjimit komunist  të 

shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë. Sipas këtij komisioni rezultojnë këto të dhëna:

       1.   Të ekzekutuar                 6.023  persona

       2.   Të vdekur në burg                  1.065       “

       3.   Të burgosur                             17.300       “

       4.   Të sëmurë mendorë          260       “

       5.   Të internuar deri në vitin 1954   22.000      “

       6.   Të vdekur në internim            9.000       “

       Po t’i shtojmë kësaj shifre numrin e fëmijëve të internuar nën katërmbëdhjetë vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista,  atëhere rezulton  se numri i përgjithshëm i  atyre që  kanë  pësuar direkt  persekutimin  i kalon  të  100.000 personat. Duke marë parasysh  se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 personat, rezulton se mbi 10% e asaj popullsie është persekutuar direkt. Po t’i shtojmë kësaj edhe pjestarët e tjerë  të  familjeve të tyre, atëhere përqindja arrin përmasa rrënqethëse.

       E pra, zoti Palmer, të gjithë këta martirë të rënë për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, kishin si udhërrëfyes të tyre Shtetet e bashkuara të Amerikës, vendin e lirisë. Ndaj ne sot nuk mund të kuptojmë se si ka mundësi që Shtetet e Bashkuar të Amerikës të mbështesin një qeveri që në përbërjen e saj ka pikërisht lakejtë e ati regjimi që i solli vendit tonë kaq shumë viktima, madje ka në krye edhe një individ që ka qenë pjesëmarrës i këtyre krimeve. Ky është kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë. Lidhur me sa më sipër më lejoni t’ju bëjë të ditur shprehjen e zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:


       Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

       E pra lakejtë që mbajtën në këmbë regjimin komunist sot janë në krye të shtetit.

       Tani le të hyjmë në çështjet konkrete. Ju deklaruat se mbështesni zhvillimin e zgjedhjevë më 30 qershor 2019. Më lejoni t’ju bëjë disa disa të dhëna mbi zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin lokal më 2015 dhe atyre parlamentare në vitin 2017, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve:

       Duke hedhur një vështrim për rezultatet e zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2015 do të shohim se pjesëmarja në këto  ishte 47,5 %. Nga kjo përqindje 63,48 % e saj ose 30,15 % e votuesve dhanë  votën për koalicionin e majtë. Rekordin në këto zgjedhje e mban Bashkia Vlorë ku pjesëmarrja ishte 35 % dhe nga këto koalicioni i majtë fitoi  61,7 % të saj ose 21,59 të votuesve të bashkisë. 

       Gjithashtu në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 pjesëmarrja në votime ishte 46,77 %. Nga kjo përqindje koalicioni i majtë fitoi 48,34 % ose 22,6 % e votuesve të vendit.

       Duke u mbështetur në këto të dhëna rezulton se në rast se zhvillohen zgjedhjet më 30 qershor ku, natyrisht koalicioni i djathtë nuk do të marrë pjesë, pjesëmarrja në votime do të jetë nën 30 %. Atëhere a do t’i njihni ju zgjedhje të tilla? A do t’i njohin institucinet ndërkombëtare?  A do t’i konsiderojnë si të drejta dhe legjitime? A ka ndodhur në ndonjerin prej vendeve perëndimore një fenomen i ngjashëm me këtë që po ndodh në Shqipëri? Ne jemi në pritje të këtyre përgjigjeve.

       Pyetjes së bërë nga gazetari se si do ta interperetonit faktis se në në 35 bashki  votimi do të kryhet pa kundërshtarë politikë pasi kanë vetëm nga një kandidaturë, atë të partisë qeveritare, madje kryeministri ka deklaruar se do t’i fitojë të 61 bashkitë, ju iu përgjigjet se e shifkeni fare normale kur opoziat bojkoton zgjedhjet. A nuk është kjo kthim në sistemin monopartiak të shëmbur njëzetenëntë vite më parë? Më thoni zoti Palmer, a ka ndonjë vend tjetër në botën perëndimore që të zhvillojë zgjedhje të tilla? Po të ketë, ju lutem ma bëni të ditur.

       Në intervistën tuaj zoti Palmer u shprehët se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhet çdo gjë në vendin tonë, pasi vetëm kjo gjykatë ka kompetencat e deklarimit pro apo kundër të zgjedhjeve të zhvilluara. Por a e dini se cilët do të jenë anëtarët e ardhshëm të kësaj gjykate?

       Lidhur me sa më sipër më datën 20.06.2015, Dega e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokrate të Shqipërisë për Tiranën, në të cilën unë isha kryetar, i dërgoi Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe Komisionit Parlamentar për dekriminalizimin, si dhe për dijeni ish-Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Donald Lu, shkresën me Nr. Prot. 5,  me anën e së cilës i propozonte komisioneve të mësipërme që në ligjet përkatëse të shtohej edhe një nen ku të përjashtoheshin nga zgjedhja në organet e larta të Kuvendit të Shqipërisë, Pushtetit Ekzekutiv dhe atij të Drejtësisë, të gjithë ata ish-gjykatës, ish-prokurorë dhe ish-hetues pjesëmarrës në gjyqet e periudhës komuniste që kishin dhënë dënime të padrejta, si dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit dhe ish-punonjësit e organeve të diktaturës së proletariatit                                                          Prisnim një përgjigje prej tyre por jo vetëm komisionet në fjalë, por edhe ambasadori Lu, nuk denjuan të na kthenin një përgjigje. Një gjë e tillë na shkaktoi një dhimbje në ndërgjegjen tonë. Ishte shtresa e jonë ajo që u përndoq dhe u eliminua egërsisht nga sistemi komunist vetëm e vetëm sepse kishim  besim se zgjidhja do të vinte pikërisht nga Shtetet e Bashkuara  të  Amerikës. Por përgjigja nuk erdhi. Përse?

       Sot zhvillohet vetingu vetëm për sasinë e pasurive që ka deklaruar sejcili gjykatës i Këshillit të Lartë Gjyqësor,  Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të apelit dhe atyre të shkallës së parë, prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithëshme dhe prokurorive te rretheve, dhe pa u thelluar në të kaluarën e sejcilit prej tyre., siç parashikonte propozimi i më sipërm i shoqatës tone. Kjo ka sjellë që në krye të këtyre organeve të jenë ende shumë nga ata që na pushkatuan, na dënuan, na internuan dhe  na mohuan  çdo mjet jetese. Këta do të jenë edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese për të cilën ju thoni se keni besim se do t’i zgjidhë çështjet. Por a do të ketë dëshirë kjo gjykatë të veprojë ndershmërisht kur dihet përbërja e saj?

       Në atë këto çaste më kujtohet një film gjerman që kam parë në fëmininë time. Ishte një prodhim i pasluftës dhe titullohej ‘’Vrasësit janë midis nesh‘’. Në qendër të filmit ishte një mjek nazist që  ndonse në aparencë tregohej njerëzor, në të vërtetë ishte mishërimi i mizorisë. Në laboratorët e tij kryente eksperimente nga më monstruozet për torturimin dhe  shfarrosjen e njerëzve. Pas mbarimit të luftës edhe ai si  shumë të tjerë dolën në bangën e të akuzuarve.             

Kanë kaluar vite që atëherë. I kam harruar pothuajse të gjitha skenat e atij filmi. Vetëm njëra nuk më është shkulur nga kujtesa, finalja e tij. Mjeku i kapur me të dy duart pas hekurave të burgut duke thërritur:

– Jam i pafajshëm! Jam i pafajshëm!

Ndërsa në sfond prapa tij, si përgënjeshtrim i të gjithë kësaj, shfaqeshin torturat, pushkatimet, varrosjet për së gjalli, djegiet në dhomat e gazit që ai kishte projektuar. Një skenë e paharruar.  Një zgjidhje e përkryer regjizoriale.

Duke kujtuar këtë skenë pyes:

– A ka vrasës midis nesh? Cilët janë ata?

Pergjigja është një dhe e prerë. Po. Janë ish-hetuesit dhe ish-punonjësit  e sigurimit të shtetit. Janë ish-prokurorët dhe ish-gjykatësit e pashpirt, që mbartin në ndërgjegjen e tyre qindra dhe mijra të vrarë apo të vdekur nëpër burgje , të cilëve nuk u dihen as varret. Janë ish-spiunët e sistemit që presin rastin për të dalë përsëri në dritë dhe për të groposur përsëri njerës të tjerë. Përse nuk vepron drejtësia? Përse nuk dënohen si mjeku gjerman?

Por janë edhe një lloj tjetër vrasësish, më të rrezikshëm dhe më kriminelë se të parët. Janë ata që, ndonse sot janë të veshur me petkun e demokratit, presin ditën e nesërme për t’i ngulur thikën pas shpine demokracisë së brishtë që po ndërtohet. Po të shohësh mirë, ata mund t’i gjesh kudo. Mund ti gjesh në partitë politike, në shoqatat bile edhe në parlament. Në vend të ndëshkimit të merituar ata sot bredhin lirisht duke derdhur helm në ndërgjegjen e njerëzve. Ata ngjiren duke thërritur:

– Jemi te pafajshëm! Fajin e kishte sistemi i përmbysur!

Sikur  të mos ishin këta njerëz të pa princip që e mbajtën gjallë atë sistem për gati një gjysëm shekulli.. 

Po kush pra qenka fajtori për gjithë këtë katrahurë që ka mbuluar vendin? Kush është fajtori? Mos vallë qenkemi ne që e paguam me jetët tona???

Këto janë mendimet që unë doja t’jua parashtroja juve zoti Palmer. Në rast se do t’ju bjerë rasti t’i lexoni do t’ju lutesha të më kthenit një përgjigje. Ky do të ishte një xhest fisnikërie nga ana juaj.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Reshat Kripa-Pergjigje- Palmer-diktatura

Konsiderata rreth vëllimit shkruar nga miku personal i Monsinjor Zef Oroshit, analisti Tomë Mrijaj

June 30, 2019 by dgreca

Nga Mërgim Korça/

Për herë të parë i a kisha dëgjuar emrin shumë dhjetra vite të shkuara e pikërisht në verën e vitit 1953, kur zoti Loro Kovaçi na thotë, të birit Toninit si edhe mua, se … âsht arratis’e ka dalë në Jugosllavi Dom Zef Oroshi … aj âsht pênd’e fortë e ka me i a diftue botës të tâna krimet qi janë kah i përfton këtu te na kjo diktatur’e mallkueme komuniste.!   

Ne përjetonim vitet kur Shqipëria ishte i vetmi vend, i ashtuquajtur socialist, ku akoma vazhdonin e vepronin çetat e malit që luftonin për lirin’e vëndit!   

Me këtë rast marr lejen e lexuesit të ve në dukje një fakt tejet mjeran.  

Në Hungari, lëvizja kundradiktatoriale dhe kundrakomuniste zgjati veç dy vite derisa u shtyp me dhunë, zjarr’edhe gjak nga tanket hrushovjane. 

Megjithatë, quhet (me të drejtë), Revolucioni Hungarez i 1956-ës dhe emrat e të rënëve janë të shkruar me gërma kubitale si martirë të atdheut.  Kurse tek ne, ajo lëvizje kundrakomuniste e cila me çeta maleve zgjati për dhjetë vite, le që as i ka shkuar kujt në mëndje t’a emërtojë revolucion por as kryengritje jo.  

Sa u takon pastaj emrave të atyre martirëve duke filluar nga organizatori kryesor si edhe udhëheqësi i asaj rezistence Mark Gjomarkaj e vazhdo me gjithë të tjerët, historia si edhe historianët shqiptarë jo që nuk i zenë në gojë si heronj të lëvizjes kundërkomuniste por përkundrazi, i kanë njollosur me balt’e tradhëtíra të rreme!

Që nga pohimi i zotit Loro Kovaçi u desh të kalonin që atëhere jo pak, por pikërisht pesëdhjet’e pesë vite, derisa të më binte në dorë libri me titullin “Një jetë e shkrirë për Fé e Atdhé”, kushtuar Monsinjor Dr. Zef Oroshit, nga miku si edhe kumbara i monsinjorit, autori Tomë Mrijaj.  

Me kureshtje të madhe si edhe gjithë gëzim fillova t’a lexoja vëllimin. Ashtu si në pamjet që të paraqiten parasysh tek kundron brëndësín’e një kaleidoskopi, ashtu filluan të më duken, skenë mbas skene, rravijëzimet që paraqiste libri i tij.  

Që në faqet e para kuptohej se vëllimi ishte shkruar nga dora e një personi i cili Monsinjorin jo vetëm që e kish njohur mirë por edhe kishte qen’ i afërt me të aq sa vetë Monsinjori fij’ e për pé, i kishte treguar rreth ngjarjesh, ndjenjash edhe rrethanash të ndryshëme të jetës Tij.   

Doemos në vazhdim, dora dorës, autori sjell pastaj kujtime personale dhe i shtjellon ato për vite me radhë derisa vjen edhe çasti kur vetë autori përjeton pranë krevatit, kalimin n’Amëshim të Monsinjor Oroshi!  

Zoti Tomë Mrijaj është nga ana tjetër edhe mik i afërt i Kapidan Ndue Gjomarkut.  Ky i fundit, jo vetëm që është një personalitet i madh në vetvete, jo vetëm që ka luajtur rol të vyer si edhe aktiv si pjesëmarrës forumesh drejtuese të organizmave shqiptare në Perëndim përgjatë dhjetravjeçarëve që pasuan vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, por ka qenë shok’edhe mik i Monsinjor Oroshit që në rinín’e Tij të herëshme!  

Kësisoji kuptohet qartë se fati e desh që, autori i vëllimit lidhur me Imzot Zef Oroshin, të kish në dispozicion burime sa të larmishme e po aq krejtësisht të posaçme të cilat nuk ka arkiv që t’ua verë në dispozicion hulumtuesve të zakonshëm.  

Kush fillon t’a lexojë vëllimin në fjalë, që në fillim befasohet me një moment të cilin dua t’a nënvizoj.  

Autori i vëllimit citon … “Burrë është ai që fal dhe mbi fatkeqësínë shtrin dorën e pajtimit, vendos besën e paqës, mirëkuptimit, respektit ndaj njeriut”.  

Ky pohim është një konsideratë rreth trajtimit që i bën Kanuni i Maleve konceptit “besa e dhânun”, shprehur nga pinjolli i familjes së nderuar të Çokajve, Monsinjori i ardhshëm Dr. Zef Oroshi.  

Mirëpo me këtë koncept ësht’i lidhur ngusht’edhe Ndrec Çoku, pararendësi i nderuar i Monsinjorit. 

Që në hapat e para të jetës tij, Dom Zef Oroshi u mëkua me tharmin e etikës dhe moralit të Kanunit dhe në rastin konkret me paragrafin e tretë të nyjes njëqindenjëzet’e dytë (§856 i Kanunit) i cili thotë:
§856 – Shpija e t’vramit, po i dha besë dorërásit, ky edhe pse e vrau, ka me shkue në mort e në gjâmë m’e përcjellë t’vrámin deri n’vorrim e me ndêjë për drekë.  Kjo besë njatë 24 sahat. 

Ja pra me pak fjalë ngjarja të cilën na e sjell autori, zoti Tomë Mrijaj. Të parit të Çokajve i a kishin vrarë njerin nga djemtë. I gjithë fisi e ndiqte dorërásin.  Ky, duke mos i parë derman vetes e duke e ditur se ç’burrë ishte Ndrec Çoku, (i ati i të vrarit), vete para kullës tij duke thirrur se i kërkonte besë.  

Dhe malësori kreshnik mirditas i a dha besën e burrit 24 orëshe!  Të nesërmen, mbasi u a kishte marrë besën 30 ditore burrave të familjes Çoku, e përcolli vrasësin e të birit sipas zakonit.   

U ndala rreth kësaj ngjarjeje të jashtëzakontë, pikërisht për t’a theksuar momentin se si Dom Oroshi i ardhshëm, i cili si meshtár do t’a kish detyrë parësore të tijën “faljen e mëkateve”, ish i pregatitur që nga fëmijëria e tij për këtë rol njerëzor kulmor, që i u realizua me mbarimin e Seminarit Pontifikal të Shkodrës e pastaj duke u diplomuar në Universitetin e Urbinos në “Propaganda Fide” në Itali!

Në vazhdim autori i vëllimit, tek i a paraqit lexuesit rezistencën e armatosur të Mirditës si edhe të zonave të veriut mbas vendosjes diktaturës komuniste, si gurë themeli merr pohimin e Dom Zef Oroshit “… Mirdita prandej âsht masakrue dhe masakrohet gjithnji, posaçe të gjith krahinave të Shqipnis, sepse rezistencën qi ka gjetë dhe gjen aty qeverija e Enverit, nuk e ka gjetë aq të ashpër në asnji krahinë tjetër …”.  

Miqësia e zotit Tomë Mrijaj me Kapidan Ndue Gjomarkun, i a ka krijuar mundësinë autorit të na sjellë në librin e tij letrën e datës 3 shkurt 1953 me informacion autentik që Dom Zefi i dërgon nga Mitrovica, (ku u arratis sepse në prag arrestimi nga ana e kriminelit toger Baba), mikut të tij të rinisë Kapidanit, mbi gjëndjen në Shqipëri.  

Ai dokument nuk është një letër dërguar një miku, dhe aq, por është një analiz’e gjëndjes vajtueshme në të cilën ndodhej Shqipëria asokohe.  

Pa i a hequr kërshërinë lexuesit t’a lexojë në kopje të origjinalit dokumentin, (tek libri i z. Tomë Mrijaj – M.K.), nuk mundem mos të ndalem në nja dy pika kulmore që Dom Zefi i a ve në dukje Kapidanit.  

Në njerin nga kalimet ai pohon “… Me shum keqardhje, na duhet të thomi, qi kurrndonji herë nuk i âsht shtî popullit shqiptar sistematikisht nji përçamje aq e madhe, me parimin “divide et impera” (përçá e sundo – M.K.), sa ndër kohnat e sodit nga klika sunduese e Shqipnis; përçamje në familje, përçamje në fshatarsí, përçamje ndër qytetarë, shkaktue nga agjentat e “Sigurimit”, tue privilegjue të kqijt ose agjentat e tue e shtypë popullin me anën e tyne …”.  

Në vazhdim Dom Zefi i a ve theksin nënështrimit të verbër të udhëheqjes shqiptare ndaj B.Sovjetik si edhe Stalinit dhe   ndonëse brezat e moshuar e kanë përjetuar situatën që Dom Zefi i a përshkruan Kapidan Ndues, atyre jam i sigurtë se si edhe mua, tisi i harresës u a ka mbuluar atë.  

Prandaj këto të vërteta duhen kujtuar e rikujtuar papushim se ndryshe harrohen.  

Shkruan Dom Zefi ndër të tjera “… Për t’ia mbërrijtë kulmit të sovjetizimit, obskurantistët e Tiranës në gushtin e 1952 dekretuen nji ligj qi ndalon të gjithë librat qi janë shtypë para vjetit 1944, si në gjuhë shqipe edhe në gjuhë të hueja; marríja (çmenduría – M.K.) e shekullit të XX-të qi i u  imponue popullit shqiptar e sidomos asaj pjese të vogël intelektualësh, qi ka mbetë gjallë akoma, nga Moska imperialiste-shoviniste!”  

Kjo masë e qeverisë komuniste të cilën na e kujton zoti Tomë Mrijaj, nëpërmjet gojës Dom Zef Oroshit, duhet lexuar me vëmëndje nga brezat e rinj.   Po nuk i dijtën dhe t’i mbajnë mirë parasysh këta trille të diktaturës komuniste në drejtim të zvogëlimit me dhunë të horizontit kulturor të popullit, mund të vijë një ditë që trille edhe më të dhunshëm mund të zbatohen nga udhëheqës paranojakë!   

Dom Zef Oroshi ishte një intelektual i mirëfilltë dhe i formuar me kulturë të gjerë shumëplanëshe.  

Me 16 qershor 1962, formon Shoqatën Katholike Shqiptaro – Amerikane dhe më 1965 ai njihet si Meshtar i Dioqezës së New York-ut. Mons. Oroshi, që në vitin e largët tashmë 1966, themeloi dhe botoi revistën Jeta Katholike Shqiptare të cilën e drejtoi për 12 vite radhazi.  

Revista tematikën e saj e kishte në masën madhore natyre kishtare e gjithashtu kulturore.  Mbas ndërprerjes ajo rifillon të botohet së rishmi në vitin 1995, nën drejtimin e dom Pjetër Popajt dhe vazhdon e botohet  rregullisht.

Nuk ka se si të mos e mbushë me mallëngjim lexuesin shqiptar fakti se Dom Oroshi nga viti 1960 që u vendos në New York e deri në vitin 1969 meshat i ka ngritur në kisha amerikane derisa i mbështetur fuqimisht nga shqiptarët e diasporës ngriti kishën e parë shqiptare në Park Avenue të Bronx-it.  
E kësisoji dora dorës, duke i lexuar faqet e vëllimit të shkruar nga miku i Dom Oroshit, Tomë Mrijaj, shtjellohet para syve të lexuesit jeta e këtij klerikut të shquar, intelektualit të mirëfilltë si edhe atdhetarit të skajshëm.  

Viti 1970 shënon një pikë kulmore për Dom Zef Oroshin.   Ai pritet në Vatikan në audiencë të posaçme nga Shënjtëria e Tij Papa Pali i VI-të.  

Gjatë shkëmbimit të mendimeve të ndërsjella, Dom Zefi i dhuron Atit të Shënjtë botimin e shqipëruar prej tij të librit “Katër Ungjijt dhe punët e Apostujve”.  

Me këtë rast Ati i Shënjtë, duke e vlerësuar lart punën e madhe të tijën në fushën e kulturës fetare, e nderoi Dom Zef Oroshin me titullin e lartëMonsinjor(Imzot – M.K.).  

Çaste kulmore që duhen ndriçuar –  Duke i dhënë një goditje të lehtë kaleidoskopit që na paraqit autori rreth jetës dhe veprës Dom Zef Oroshit, riorganizohen kristalet e ngjyrosura dhe si nga fundi i oqeanit del në sipërfaqe një moment madhështor të cilin kleriku i a ka pasë shpjeguar me të gjitha nuancat autorit të librit:  bashkëpunimi ndërmjet Peshkopit Noli, Dom Zef Oroshit si edhe takimet e tyre me Arqipeshkvin e Bostonit, Eminencën e Tij Kardinal Cushing.  

Thelbi i bashkëbisedimeve kishte qenë afrimi i Kishës Katolike Shqiptare me atë Orthodoksen, shëmbull ky i një ndjenje ekumenike madhore!  

Në këtë vazhdë një shprehje e posaçme e konkretizimit të kësaj nisme ësht’edhe përshkrimi tejet i gjallë që i bëhet gjatë librit nga autori i tij, kremtimit madhështor që i u bë përvjetorit të 60-të të themelimit të Gazetës Dielli, ku moment tejet prekës është bashkëcelebrimi i meshës së Shënjtë nga Arqipeshkvi i New York-ut Terence Cardinal Cooke, tre dhespotët arbëreshë të ardhur nga Kalabria si edhe Dom Zef Oroshit!  

Një nismë kjo ekumenizmi të mirëfilltë ku shiheshin të gërshetuara veprimet e ndërsjella të barinjëve shpirtërorë katolikë në vëllazërim të plotë me udhëheqësit shpirtërorë të ritit të krishterë bizantin.  

Moment tjetër tejet kuptimplotë rreth pozicionimeve të Monsinjor Oroshit, i cili nuk ka se si të gjëndet në asnjë arkivë, por na sillet si dëshmí e gjallë dhe shum’e bukur nga i pranishmi në bisedë, zoti Tomë Mrijaj, është fragmenti i diskutimeve mes Monsinjorit dhe profesor Zef Nekës.   

Ky i fundit, duke i u referuar tregimit të Monsinjorit me titullin “Çohaja”, (Bariu – M.K.), i mallëngjyer nga përshkrimet e lexuara në tregim shprehet me lot në sy “... un kam kja si fëmi për atë vend qi po e dishrojmë së gjalli.  Ndoshta ai regjim i djallit nuk ka me na e dhanë mundësinë të kthehena e të çmallena me truellin t’onë, se çdo dit’e po plakena.”  

Monsinjori mbasi e dëgjoi i u përgjigj “… Fajin e kena vetë e ma s’shumti na klerikët qi qindruem pasivë e nuk e organizueme popullin të çohej në kambë i madh e i vogël, në Veri e Jug të Shqipnisë, si ortek i madh bore e t’a luftote at murtajë qi na zhgatrroi n’temel”!   

Sa prekës gjatë leximit të librit, përshkrimi që i bëhet çastit kur me nismën e Monsinjor Oroshit, ky i fundit si edhe zoti Tomë Mrijaj vajtën, qëndruan në heshtje në shënjë respekti, si edhe u lutën para varrit të patriotit të shquar Abas Kupit.   

Dhe çasti kulmor ësht’ai kur Monsinjori pohoi se si kishte thënë meshë për dy vite me radhë për shpirtin e të ndjerit gjeneral Abas Kupit, i cili vetë i a kishte lënë amanet (por për një vit – shënim M.K.)!  Moment vërtet madhor ky, ku mësohet se si një prelat i krishterë ngre meshë për një bektashí!   

Si mos të preket lexuesi tek e përshkruan autori me thjeshtësi por edhe me mjeshtërí pohimin që kish bërë Monsinjori në një rast kur, i shoqëruar nga zoti Tomë Mrijaj, kishin shkuar tek varri i Mit’hat Frashërit dhe atje takuan krejtë rastësisht para varrit profesor Luan Gashin.  

Mbas përshëndetjeve Monsinjori ishte shprehur “… Na jena krenarë sot para vorrit të Apostullit të Shqyptarizmës … gjithmon’e kam kujtue e kam m’e kujtue në lutjet e mija derisa të kemë frymë!”

Këto ishin disa nga çastet kulmore që desha t’ua vija në dukje lexuesve me shpresën se do t’u nxitet kërshëria t’a lexojnë të plotë vëllimin në përkujtim të kësaj figure të madhe që ka nxjerrë kombi ynë! 

Pak konsiderata shtesë

– Vëllimin, materialet e të cilit fluturimthi u mundova sadopak t’i prek, jo rastësisht e krahasova me një kaleidoskop.  

Dy fjalë tashti të shpjegoj cila qe shtysa t’a bëja një krahasim kësisoji.  Personalisht kam lexuar shumë libra përshkruese figurash të shquara.   

Padyshim që në mes lexuesve të këtyre radhëve do të ketë persona që kanë lexuar edhe më shumë se unë libra të kësaj gjiníje.  

Por mendoj, se e përbashkëta e jonë, dora dorës që përparonim në leximin e faqeve që autori i ka kushtuar Monsinjor Zef Oroshit, qëndron në faktin se ky libër ka një veçorí krejtësisht të posaçme i krahasuar me librat e tjerë:  leitmotivi padyshim që është figura e Monsinjorit. 

Mirëpo, gjatë kthimit të faqeve të librit lexuesi ndeshet fillimisht si pa e vënë re e pastaj dora dorës e sheh se ka të bëjë me një libër ku krahas figurës qëndrore, së cilës edhe i përkushtohet ky vëllim, mësohen ngjarje, botime si edhe njihet me hollësira rreth personalitetesh, të cilat të qëmtoheshin veç e veç do të kërkonin kohë të madhe të gjurmoheshin! 

Kështu, teksa autori zë në gojë se në personin e Monsinjor Oroshit shkriheshin në një Feja si edhe Atdheu, mësime këto që i a kishin mëkuar udhëheqësit shpirtërorë si edhe profesorët e tij Patër Gjergj Fishta si edhe Dom Ndré Mjeda, mësohet njëkohësisht se në Shkodrën e vitit 1891 funksjononte shtypshkronja me emrin “Shtypshkroja e Zojës së Papërlyeme”, (pronë e Kolegjit Saverian të Shkodrës – M.K.), e cila i filloi botimet me të përkohëshmen “Elçija e Zemrës së Krishtit”!   

E pastaj jepet një informacion rreth shtypshkronjave të ngritura në vazhdim si edhe emrat si edhe periudhat e botimeve të dhjetra e dhjetra gazetave, revistave si edhe të përkohëshmeve të ndryshëme! 

P.sh. mësohet se që më 1904 në Romë ka filluar botimi i revistës fetaro – patriotike “Lajmëtari i Shqipërisë” (L’Araldo d’Albania), ose në Napoli (1904-1906) botimi i revistës “Shqyptari”, e nuk mund t’a lemë pa e zënë në gojë faktin se mësohet që në Shkodër, në atë qytet të lashtë si dhe vatër kulture të herëshme fetare dhe kombëtare, qendër ku më hollësisht se askund tjetër në qytetet e trevave shqiptare njihej e analizohej me drejtpeshim Kanuni i Maleve, që më 1920-ën është botuar revista “Grueja Shqyptare”. 

Përse më la shumë mbresa tek e mësova këtë fakt? Sepse mund të duket e pabesueshme por gratë italiane e kanë fituar të drejtën e votës në vitin 1925!  

Por ka edhe më keq akoma:  grave zvicerane kjo e drejtë i u dha hiç më parë por në vitin 1972!

Prandaj informacionet anësore që jepen në vëllimin e zotit Tomë Mrijaj, krahas vetë temës qëndrore rreth personalitetit të Monsinjor Oroshit, janë aq të larmishme dhe të vyera sa që mua personalisht ky vëllim mu duk me vënd të krahasohet me një kaleidoskop për vetë larmín’e shtjellimeve që sjell para lexuesit!

Nga ana tjetër, paralelisht trajtimit të figurës qëndrore të librit, informacion hera herës edhe i gjerë, jepet për personalitete të shquara që historiografia komuniste jo që i ka përbaltur por edhe mohuar si p.sh. Atë Danjel Gjeçaj O.F.M., Tajar Zavalani, profesor Ernest Koliqi, Dom Ndré Zadeja, Atë Andrea Nargaj O.F.M., profesor, dr. Rexhep Krasniqi, etj., etj.  

E për t’a mbyllur me një informacion anësor por tejet interesant dhe të vyer, është përshkrimi që profesor Karl Gurakuqi i bën legjendës se si me vrasjen e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut si edhe dyndjes së ushtrive otomane në trevat shqiptare, fugura e Zojës së Këshillit të Mirë nga Kisha e Zojës rrëzë Kështjellës Rozafatit u ngjit në ré, kaloi mbrekullisht detin Adriatik dhe zuri vënd në Kishën e Genazzano-s në Itali ku gjëndet edhe një pllakatë përkujtimore e vendosur në vitin 1932, që përkujton pelegrinazhin e 340 shqiptarëve të kryesuar nga Arqipeshkvi i Shkodrës Monsinjor Lazër Mjeda si edhe gjashtë hierarkët e kishës së tij ku u lutën që Zoja e Këshillit të Mirë të kthehej nga Genazzano-ja në Kishën e Zojës në Kalan’e Shkodrës.  Pllakata ësht’e nënëshkruar nga Imzot Luigj Bumçi.

Në përmbyllje, dëshiroj t’i kujtoj lexuesit të këtyre radhëve se të shumtë janë njerëzit që kanë njohur njerëz të shquar e doemos kanë ruajtur edhe kujtime prej tyre.  

Një pjes’e atyre kujtimeve u është thënë të tjerëve ndërsa pjesa më e madhe … janë harruar së bashku me bartësit e tyre.  

Kësisoji shumë të pakët janë ata që kujtimet e tyre i kanë hedhur në letër.   Sado të varfra që të kenë qenë për nga stili i të shkruarit ato fletë të shkruara, ato janë si vera e ruajtur me kujdes e cila, sa më shumë kalon koha, aq m’e vyer bëhet.  

Doemos pastaj kur gërshetohet stili i përshkrimit me madhështin’edhe të personalitetit që përshkruhet, ato u përcillen pastaj brezave pasardhës si kryevepra.  

Prandaj, desha t’i mbyll këto radhëduke shprehur mbresat që më la vëllimi i shkruar nga zoti Tomë Mrijaj duke e cilësuar jetën e Monsinjor Zef Oroshit si një “Jetë e shkrirë për Fé e Atdhé”!  

Autori, nuk e kujton Monsinjorin vetëm si kumbarën e katër fëmijëve të tij.  Jo.  Ai nuk hedh në letër një profil të një djaloshi i cili i mëkuar me mësimet e fésë e të atdhedashurisë por edhe me etikën dhe moralin e mirëfilltë që përçonte me zbatimin e tij në popull Kanuni i Maleve (kur nuk kishte shtet ligjor), studjon, bëhet famullitar dhe i shërben me përvuajtje popullit të krahinës tij.  

Jo, as vetëm me përshkrimin e kësaj ane të Monsinjorit të ardhshëm nuk kufizohet autori.  

Nga leximi i vëllimit, dora dorës para lexuesit paraqitet një meshtár me karakter të fortë, një malësor mirditor me tipare si të gdhendura në granit i cili di, kur toger Baba i tmerrshëm i vinte qark t’a arrestonte, edhe t’i marrë leje vëllait të madh që të arratisej nga Shqipëria, por nga ana tjetër edhe shkrihet në lotë dhimbjeje tek mëson vuajtjet e familjarëve të tij nëpër kampet e internimit të diktaturës.  

Mirëpo edhe me kaq nuk merr fund përshkrimi i këtij kleriku shumëplanesh.  

Ky personazh i shquar përshkruhet edhe se ç’vepra madhore të shkruara la mbas vetes së tij si në fushën e predikimit katekizmit të përshkuar nga fryma ekumenike por gjithashtu edhe si njeri me nisma edhe largpamje praktike n’udhëheqje ku kishën e themeluar prej tij veç shërbimit themelor që ajo kishte e konceptoi edhe si çerdhe patriotike! 

Prandaj, nuk më mbetet gjë tjetër t’i them autorit të vëllimit, zotit Tomë Mrijaj, veçse:  

Ju falënderoj nga zemra për këtë dritë që hodhët mbi jetën dhe veprën madhore të Monsinjor Zef Oroshit e gjithashtu për kaleidoskopin e veçantë letrar, që na paraqitët nga i cili gjithsecili ka se çfarë të mësojë! (Michigan, USA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Mërgim Korça-Mons Oroshi- Konsiderata

Demokracia në Shqipëri është në buzë të humnerës

June 30, 2019 by dgreca

Nga Asllan Bushati/*

Kam njëzet e një vite që jetoj  në SHBA dhe  mbajë dy shtetësi, atë shqiptare dhe amerikane. Por fatkeqësisht nuk e paskam ditur se Shqipëria  qenkërka mbretëri dhe se mbreti quhet Matthews Palmer. Ai  që këtu nga  SHBA urdhëron që  ky dekret i Presidentit të Shqipërisë të zbatohet dhe ky tjetri të mos zbatohet. Cudi e madhe për mosdijen time, por cudi akoma  më e madhe për  politikanët e shtetarët shqiptarë që s’mund të bëjnë politikë për vendin e tyre dhe s’mund të qeverisin pa mbret?!!

Shkëlqesia juaj Palmer, me  intervistës që i dhatë VOA-së, na  treguat se keni njohuri fare të cekta për kauzën, veprimtarinë e opozitës shqiptare në këto gjashtë  vitet e fundit dhe shkaqet e lënies mandateve, daljes në demostrata dhe mos hyrjes ne zgjedhjet vendore më 30 qershor 2019 etj. Ju thatë se nuk ka asgjë jo normale në qoftë se nuk voton njera palë!  Po pse këtu në SHBA kritikohet Koreja e Veriut që voton me një kandidat? Ose, këtu në SHBA a ka ndodhur ndonjë herë  që të mund të bëhen zgjedhjet vendore me një kandidat? Nëse jo, pse një fars e tillë duhet të bëhet në vendlindjen time që e ka emrin Shqipëri  dhe që  ju  u bëtë  shtytësi e mbështetësi kryesor i këtij  neokomunizmi? Kjo është përgjegjësia juaj si shtetar në Administratën Amerikane, që me brutalizëm të merrni nëpërkëmbë dekretet e Presidentit të Shqipërisë dhe vullnetin e më shumë se gjysmës së popullatës shqiptare (opozitës)? Si taksapagues amerikan, unë protestoj ashpër kundër qëndrimeve tuaja të njëanëshme , të pa drejta, madje gjykoj edhe të pa nderëshme.

Nuk ju kam dëgjuar( Shkëlqesia Juaj Palmer), të flisni asnjë fjalë të vetme për kanabizimin e gjithë Shqipërisë, për sjelljen e kriminelëve në Parlament, në  institucionet shtetërore qëndrore e lokale, për lidhjet e qeverisë  së Edi Ramës me bandat kriminale, për korrupsionin galopant, për vjedhjen e vërtetuar të  zgjedhjeve në Peshkopi e ato qendërore të 2017-tës!? Apo e keni mik Edi Ramën dhe s’mund ti thoni këto gjëra që unë përmenda më lart?

 Por ju kam dëgjuar ( në 2017-tën)  ti thoni Lulzim Bashës: po vure edhe një presje në dokumentin bashklidhur do ta quaj refuzim dhe do të keni gjithë përgjegjësinë për të ardhmen. Ashtu sic  e trysnuat në intervistë (e sipër përmendur) se mund të shpallet non grata,organizatë e zezë apo edhe terroriste!!? 

A e shihni ju Palmer se demokracia në Shqipëri është në buzë të humnerës dhe përplasja civile  mund të bëhet realitet? A e shihni ju dhe vartësit tuaj në Tiranë se Shqipëria është kthyer në një shtet të tipit totalitar edhe me mbështetjen tuaj? A keni përgjegjesi edhe ju që Shqipëria për më shumë se një vit e gjysëm është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë dhe pa një Prokurori funksionale? Pse  ju e filluat reformën  në drejtësi nga lart duke krijuar këtë paralizë të përgjithëshme institucionale? A ishit ju ata që morët përsipër  drjetimin dhe menaxhimin e kësaj reforme? A e ndjeni vehten ndopak fajtorë për këtë katraurë  qe gatuat?

Këto që po ju a them juve publikisht në këtë shkrim, ju a kam bërë me dije  më parë edhe kolegëve të mi amerikan në Partinë Republikane. Në të njejtën kohë jam duke shpresuar që  ta shohim njeri-tjetrin në sy, në  një debat në Komisionin e Jashtëm  të Kongresit Amerikan duke ju treguar ligjvënësve se si  një shtetar amerikan transformohet në një “mbret” për një vend të vogël sic është Shqipëria. Por kjo Shqipëria e vogël nuk aq e “vogël” sa e imagjinon Palmeri, por është dashamiri më i madh i amerikanëve në botë. Palmer-at shkojnë e vijnë, por miqësia shqiptaro-amerikane i ka rrënjët larg që me Presidentin Willson njëqind vite më parë.

  • Titulli i shkrimit eshte i redaksise, opinioni eshte personal i autorit dhe nuk ka te beje me qendrimet e Vatres dhe te gazetes se saj Dielli.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asllan Bushati- Palmer-Zgjedhjet shqiptare

Palmer nuk di më shumë se ju…

June 29, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Matthews Palmer ka qënë këto ditë një nga njerëzit më prezent në diskursin shqiptar, sidomos në debatet e studiove televizive për votimet por edhe si njeriu që ia ”futi” këmbët në një këpucë Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit. Dhe kjo është është më se normale duke patur parasysh natyrën e përciptë shqiptare o burra Amerika, o burra Kina. Kemi një lloj ngutje për të përvetësuar sipas oreksit çdo deklaratë që na vjen për shtat, pasi të tjerët janë ata që vendosin vulën se kush ka të drejtë në grindjet tona të panevojshme dhe kryesisht të pafundme. Mirëpo po të dëgjosh me vëmendje intervistën e tij, Matthew Palmer dëshmon plot mangësi, së pari një imformim të përciptë mbi shkaqet e vendimeve radikale të opozitës për 1) heqjen dorë nga mandati i deputetit dhe 2) mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019. Eshtë vetë Palmer që thotë se akuzat për përgjimet janë tepër serioze dhe se duan hetime serioze. Por e pohon sikur ta dëgjoj për herë të parë, megjithëse opozita ka gati 5 muaj që proteston. Një diplomati karriere dhe autor i një sërë librash, si Wolf of Sarajevo (Ujku i Sarajevës)i thjeshtëson gjërat në nivelin e një nënpunësi administrate pa e kuptuar asnjëherë se qeveria shqiptare po demonstron forcë dhe dhunë sociale me argumentat e tij. Ashtu sikundër pohon se në një të ardhme të afërt është gjykata kushtetuese që do vendosi për këto zgjedhje. Dhe si një nënpunës administrate ai i shikon këto zgjedhje si zgjedhje të dorës së dytë, zgjedhje lokale dhe nuk ka asgjë anormale nëse voton vetëm njëra palë. Ky është një lapsus infantil pasi në vendin e Palmerit do ia shkulnin hallatet çdo shtetari që do guxonte të mbante një palë zgjedhje të tilla. Për më tepër një diplomati të Donald Trumpit i cili vazhdimisht pohon se socializmi nuk ka për ta prekur kurrë Amerikën. Shqipëria nuk po bën asgjë tjetër, votime moniste, madje duke rrezikuar edhe një përplasje civile. Dhe është më bajate për shqiptarët pasi kur kujton se këtë ditë të muajit qershor, nga ideatorët e votimeve moniste vetëm programet lokale nuk u shpalosën asnjëherë, por vendin e tyre e zuri lufta e ashpër midis Edi Ramës dhe Presidentit të Repubikës. Zgjedhësve monistë iu dha nga një karrike plastike dhe një flamur i kuq për ta valëvitur, ndërkohë që kryeministri e quante presidentin Haxho Qamili…, një kryengritës fshatar që rrëzoi dikur një qeveri pilot nga Europa, me qëllim rimëkëmbjen e vendit pas afro një vit pavarsie nga perandoria otomane. Ky fshatar rrebel e përzuri kabinetin pro europian me pretekstin se donte në krye të vendit babën e Bosforit, pra Turqinë. Më tutje e gjitha është një shesh me karrike të përmbysara dhe flamuj të hedhur duke dëshmuar dy gjëra, dëshirën dhe detyrimin në pjesëmarrje. Megjithatë akuzat që ai (Palmer) i quan serioze, ato të opozitës, për vjedhjen e votave, nuk ka kohë t’i dëgjoj, por arrin në një përfundim se kush pengon zgjedhjet është kundër Amerikës dhe se kjo do ta shpalli si non grata etj. Me një fjalë vazhdo se do e shohim më vonë këtë punë. Prandaj këto nuk janë asgjë tjetër po ca deklarata rutinë të një nënpunësi tepër të ngarkuar ndërkohë kur bota shqiptare është e mbytur katërçipërisht nga video përgjimet dhe një fushatë tejet propogandistike se kush ka të drejtë kryeministri, presidenti, apo opozita. Dhe nga ana tjetër janë shqiptarët ku sipas Palmerit u kërkohet të votohet, të shkojnë në zgjedhje edhe pse ato janë të anulluara me një dekret presidenti, pra në një apo tjetër mënyrë të anulluara me ligj. E gjitha kjo nuk përbën asgjë tjetër por vazhdën e logjikës së një administratori të ngarkuar, që përsërit go on, apo vazhdoni, vazhdoni se këtë do e zgjidh gjykata. Edhe pse Shqipëria aktualisht nuk e ka një të tillë… dhe zgjidhja më e mirë do ishte një akt xhentëlmenësh, dorëheqja e kryeministrit për t’i dhënë frymëmarrjen e nevojshme demokracisë sonë. Pra janë ca rutinizma që vetëm grafomanët e votimeve moniste i quajnë si të tilla, sikur Amerika ia ”futi” këmbët në një këpucë liderëve të opozitës. Apo ca peshkopë të propagandës si kryetari i bashkisë së Tiranës që quan arritje meremetimin e një çerdheje publike dhe televizionet kryesore e emetojnë si kryelajm për publikun. Në vendin e Palmerit një kryebashkiak të tillë e përbuzin vetëm për një fakt se nuk është duke bërë heroizëm vetëm e vetëm se kryen detyrën. Gjithsesi ata që mendojnë se Rama ka me vete Amerikën, gabohen. Ata që mendojnë se Amerika ia ”futi” dy këmbët në një këpucë Bashës, Metës, Kryemadhit dhe gjithë spektrit opozitar, gënjejnë veten. Dhe ju kujtoj se qe po kaq e prerë edhe në 21 janar 2011 kur protestonte Edi Rama. Zgjidhjet janë brenda shqiptarëve. Dhe zgjidhjet më fine janë ato me standarte që kaq mrekullisht i aplikon Greqia, Maqedonia e Veriut e plot vende të tjera në rajon. Por asesi tek ne, edhe pse po bëhen plot tre dekada. Në fakt nuk është asgjë tjetër po ai konstatimi i njërit nga gazetarët e panelit në mbylljen e fushatës së Edi Ramës mbrëmë në Vlorë, shkurt dështimi jonë si shoqëri.

Por këtë varet se si e perceptojnë shqiptarët në përgjithësi, sikur të jenë numra rendor apo qytetarë të integruar që duan mvi këdo vendin e tyre. E nesërmja do ta tregoj…

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Palmer nuk di -më shumë se ju

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 965
  • 966
  • 967
  • 968
  • 969
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT