• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dëgjesë publike për ish Burgun e Spaçit

April 30, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Më 02 maj 2024 Qeveria Shqiptare do të mbajë një “Dëgjesë publike për plan menaxhimin e ish burgut të Spaçit”. Nuk e di nese do të zbatohen vendimet e saj, por qysh prej vitit 1990, kur burgu i Spaçit u kthye në Muze i Kategorisë së Dytë akoma nuk kemi parë investime të rëndësishme. Në vitin 2018 për herë të parë me gazetarët e TV – BBC vizitova ish Burgun famëkeq të Spaçit. Si një ndër autoret shqiptare që pas vitit 1992 kam pasqyruar me realitet jetën në diktaturë për gratë, burrat, fëmijët, internimet, vrasjet, burgosjet, zhdukjet në masë qysh pas rënies së komunizmit në Shqipëri 1992 dhe si mbesë e një ish të pushkatuari e të zhdukuri pa gjyq nga komunizmi në vitin 1944 u ftova për një bashkëpunim me BBC. 

Pra ishte përzgjedhur edhe emri im. U ndjeva mirë. Vjeshtën e 2018, u takova me ta në Tiranë. Nisur nga kjo gazetarët e BBC filluan hulumtimet rreth këtyre ngjarjeve dhe morën kontakte me të afërm të viktimave. U befasova, por ky bashkëpunim më ngjalli shpresën e fundit. Aq më tepër që është amaneti i tim eti, dhe obligimi im personal. E pashë si dritë jeshile në horizont, jo vetëm për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim që kemi shumë vite që po i kërkojmë, por edhe të shumë ushtarakëve të tjerë të lartë që u pushkatuan po atë natë të ftohtë dimri me xhaxhain tim nga forcat sllavo-komuniste me në krye Shefqet Peçin. Kjo masakër vëllavrasëse urdhëruar direkt nga diktatori Hoxha, si edhe shumë masakra të tjera që kanë ndodhur në Gjirokastër, Malësi e madhe, Tepelenë, rrëzë Malit të Dajtit, etj, ndodhi më 15 Nëntor të vitit 1944 në Prizren. Përpjekjet për gjetjen e eshtrave të xhaxhait tim nga ana ime dhe e babait tim nuk kanë reshtur kurrë. Ato kanë qenë të pandërprera e të vazhdueshme si me kontakte në Shqipëri, Kosovë, me kërkime nëpër institucionet përkatëse, gjykatë por pa sukses. Në librin me titull “Lidhja e Prizrenit” me autorë shkrimtarët Tom Mriaj e Klajd Kapinova, të pushkatuarit pa gjyq të masakrës – Nëntor 1944 në Prizren i kanë quajtur heronj, sepse kundërshtuan regjimin e nuk u bënë bashkëpunëtorë të tij. Emrat e tyre janë; Kolonel Fuat Dibra, Kolonel Asllan Vela, N/kryetar Sadik Shkupi, Major Hasha, Kapiten Hajdar Planeja, Kapiten Rasim Dajçi, Kapiten Hysni Rudi, Kapiten Gjon Destanishta, Kapiten Mark Thani, Toger Musli Dobruna, N/toger Qazim Gostivari e Aspirant Reshit Kacaniku. Emrin e Rasim Dajçit si i pushkatuar pa gjyq më 15 nëntor të vitit 1944 në Prizren nga forcat sllavo komuniste me në krye Shefqet Peçin e kam parë edhe tek botimet krijuese të shkrimtares së njohur Eglantina Mandia.
Arrestimi e pushkatimi i tyre pati jehonë të madhe, fotografitë e tyre si antikomunistë e armiq të popullit u vendosën në çdo cep e shtyllë elektriku në Prizren, por megjithë vrasjet që kryenin serbët e komunistët shqiptarë nuk mundën të arrinin qëllimin për të frikësuar popullin e Kosovës e për ta mposhtur atë. U arrestuan natën në të gdhirë të 15 nëntorit të vitit 1944, të dorëzuar për pushkatim nga rregjimi i Enver Hoxhës.
Rasimi Dajçi kishte kryer Shkollën Teknike Amerikane “Harry Fultz” në Tiranë dega arkitekturë, më pas Akademinë e Lartë Ushtarake dhe u caktua në detyrë, ruajtjen e rendit në Prizren. Ishte një i ri inteligjent, rogëtar i kohës, patriot, atdhetar i flaktë, e donte jetën, e lirinë e vendit. Nuk kishte as një vit që ishte martuar kur e arrestuan, natën vonë. Nuk la fëmijë, ne jemi për atë fëmijët e tij, e që personalisht ruaj për atë kujtimet më të mira nga im atë e gjyshërit e mi. Sipas bisedave të grumbullurara në momentin e pushkatimit skuadra e pushkatimit e pati pyetur Rasimin: “a do të bashkëpunosh me ne apo do të vritesh si antikomunist. Dhe ai prerazi i ishte përgjigjur: “Unë do të vdes si antikomunist e me ju nuk bashkëpunoj kurrë”.Mbi trupin e tij e ushtarakëve të tjerë të lartë vërshuan breshëritë e plumbave. Fillimisht i arrestuan, i torturuan në një shtëpi burg në Prizren, më pas i pushkatojnë pa gjyq. 

Gjatë qëndrimit tim të shkurtër në Shqipëri, pata rast që me grupin e gazetarëve të huaj të udhëtoja edhe drejt Burgut famëkeq të Spaçit. Aty pashë tmerret pa fund, që kanë përjetuar ish të burgosurit politikë të Shqipërisë, male të thepisura, shkëmborë e pa asnjë shans “arratisje” që andej. Minierën, galeri e kapanone torturash, varre masive. Ish burgu komunist i Shqipërisë, ku bie në sy izolimi gjeografik i zonës, rrethuar nga të katër anët me male të lartë. Ndërtuar në vitin 1968 rrotull një miniere të vjetër shfrytëzuar në vitet 30 nga italianët për nxjerrjen e bakrit e piritit. Burgu i Spaçit njihet si burgu i terrorit, frikës e shtypjes dhe si një metaforë e goditur e persekucionit komunist, sepse të dënuarit politikë që dërgoheshin aty, ishin khtyer në skllevër pune pranë asaj miniere e nuk gëzonin asnjë lloj etike jetese. Në vitet 70 kur burgu punote me kapacitet të plotë numri i të burgosurve arriti deri në 1400. Jeta, kushtet mizerabël të punës dhe torturat pa fund bënë që të linin jetën aty mijra djem nënash, të cilët hynin aty në moshë të re, e dilnin të moshuar të sëmurë rëndë apo nuk dilnin fare, e personeli i burgut nuk u jepte as trupat familjeve, sikur ata të mos ishin qënie njerëzore. Të afërmit e të burgosurve që vinin për ti vizituar e bënin rrugën në këmbë 7 km nga Repsi në Spaç sepse kamionet e minierës e kishin të ndaluar t’i mernin.
Një pjesë e mirë e të dënuarve politikë në burgun e Spaçit ishin intelektualë të klasit të parë, klerikë të nderuar, shkrimtarë, ekonomistë, fshatarë, qytatarë e djem të thjeshtë nënash e motrash të vuajtuara. Kishte edhe shumë shqiptarë nga Kosova. Në tynelet e nëndheshme gjetën vdekjen qindra njerëz, trupat e të cilëve nuk u jepeshin familjeve deri sa të vdekur të kryenin dënimin e plotë.
Më 21 Maj të vitit 1973 të burgosurit e Spaçit të lodhur nga puna e rëndë, ushqimi i pakët e dhuna fizike shpërthyen në një revoltë masive e cila zgjati tri ditë. Të burgosurit në kampin e braktisur nga policët dhe rojet brohorisnin kundër diktaturës komuniste, kundër ideollogjisë marksiste, e pro demokracisë. Nëpër dhomat e fjetjes e të torturave pashë e fotografova shumë vizatime e piktura nga vetë të dënuarit deri edhe në tavanet e mureve, si televizorë, libra, zogj, lule, simbole të paqes, jetës, të Amerikës etj…
Atje u artikulua për herë të pare shprehja; “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Një prej gjesteve simbolike e më domethënëse që shënoi edhe kulmin e revoltës ishte ngritja e flamurit kombëtar pa yllin e kuq komunist, mbi terracën e njërës prej fjetoreve. Flamuri u improvuzua me mjete rrethanore nga vetë të burgosurit. Revolta e 21 Majit 1973 u shtyp egërsisht nga autoritetet, duke përdorur trupa dhe mjete ushtarake. Mijra krime e kalvare vuajtjesh të gjatë kanë parë e dëgjuar malet e lartë të Spaçit, Oroshit, Mirditës, Repsit, Qafë Barit, Ballshit, Tepelenës, Lushnjës etj nga kamxhiku i hekurt i xhelatëve shqiptarë, prandaj i takon qeverisë të lëvrojë fonde e kineastëve tanë për të realizuar filma e dokumetarë për të njohur bota e brezat e ardhshëm të kaluarën e errët të vendit tonë. Mos të harrojmë Shqipërinë burg, ndarë nga bota e qytetëruar për afro gjysëm shekulli, izoluar e gjitha nën klonin e kuq. Ku “njeriu po hante njeriun” burri denonconte gruan, e gruaja burrin. Shumë fonde dalin aty nga qeveria apo biznese për show vallëzimi e humori, por le të kthehet paksa vëmendja tek kjo faqe e historisë që na i ka vënë “Detyrë Shtëpie” bota e huaj apo OKB, për të Drejtat e Mohuara të Njeriut.
Miniera e Spaçit atë kohë po shfrytëzohej nga një kompani turke, e cila e kishte marrë me konçesion për 10 vite për të ngritur aty fabrikën e pasurimit të bakrit. Unë aty takova nga afër banorët e zonës, dëgjova histori të tmerrshme per periudhën gjatë komunizmit. Takova edhe vajzën mirditore, ish studenten e Universitetit “LaSapinza” në Romë që kishte përfunduar studimet për dipllomaci, por punonte si menaxhere pranë firmës turke, Griselda Loku, e cila ka folur edhe në Parlamentin Shqiptar mbi fatin e të ardhmen e bujqësisë e blegtorisë së vendit.
Shumë fonde dalin aty nga qeveria apo biznese për show vallëzimi e humori, por le të kthehet paksa vëmendja tek kjo faqe e historisë që na i ka vënë “Detyrë Shtëpie” bota e huaj, OKB, për të Drejtat e Mohuara të Njeriut. Shqipëria është vendi që ka kaluar diktaturën më të egër në Europë, flitet se shumë dosje janë zhdukur, i ka prishur koha, shpresoj që dosjet e babait e xhaxhait tim të gjenden. Cilido, që ka vënë dorë mbi këto dokumenta tepër sekrete e serioze të popullit tonë, duke abuzuar apo i zhdukur duhet të dalë përpara drejtësisë si një krim i dytë që i bëhet vendit tonë. Pasi nëse krimi nuk ndëshkohet, ka mundësi të përsëritet.
Gjithashtu në Tiranë u takova edhe me miken time të mirë, ish të persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri Rozana Gjergji, i ati i saj patrioti, shkrimtari dhe dramaturku i njohur Kolec Cima, u dënua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e vuajti dënimin në burgun e Spaçit. Rozana, në fëmijërinë e saj si shahiste e arstiste e vogël ka interpretuar tek filmi “Dy herë mat”. Sot ajo është shahiste e trajnere me famë boterore, avokate e aftë, bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme për tre fëmijët e saj. Në ish Burgun e Spaçit po hapen edhe ekspozita interaktive, që i shërbejnë brezave, historisë, por përderisa të mbijetuarit e këtij Burgu, burgjeve të tjera politike dhe Kampeve të Përqëndrimit shqiptarë akoma nuk janë shlyer financiarisht nga Shteti mendoj se asgjë nuk po bëhet në këtë drejtim.

Filed Under: Analiza

A PO FSHIHET KUJTESA KOLEKTIVE E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI?          

April 30, 2024 by s p

Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Lexova në gazetën Telegraf të Tiranës një reportazh nga korrespondenti Gëzim Kabashi i entit mediatik ballkanik, BIRN se ndërtesa e ish-burgut të vjetër të qytetit bregdetar të Durrësit, “po rrënohet dhe me të rrezikon të zhduket një pikë reference e kujtesës kolektive për viktimat e regjimit komunist.” Ndërtesa ku u burgosën martirët e fesë në Durrës po rrënohet | Gazeta Telegraf

Në raportin e BIRN thuhet se “Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm.  Menjëherë pas përfundimit të luftës, qindra qytetarë u mbajtën të izoluar brenda mureve të këtij burgu, si të hetuar apo të burgosur politikë.  Mjaft prej tyre patën një fund të dhimbshëm, por e kaluara dramatike e kësaj ndërtese gjatë viteve të komunizmit duket se po fshihet nga kujtesa”, konstaton ndër të tjera, artikulli i BIRN.

Nëqoftse ky lajm vërtetohet për faktet që paraqet, atëherë ky akt është në vazhdimësinë e rasteve të tjera të turpshme e të shëmtuara të politikës së qëllimshme të tre dekadave të kaluara, në përpjekje për zhdukjen e gjurmëve të krimeve të komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipërinë e ashtuquajtur post-komuniste, në Shqipërinë — anëtare e NATO-s.  Çfarë hipokrizie! Turp të ketë Tirana zyrtare – pozitë dhe opozitë — që me masa të tilla siç është ky lajm për shembjen e godinës së ish-burgut të Durrësit, po vazhdojnë — për më shumë se tre dekada të ashtuquajur tranzicion, që disa e quajnë demokraci – me qëllim të fshijnë nga kujtesa krimet e komunizmit dhe të pëjetësojnë si diçka pozitive — trashëgiminë e regjimit më diktatorial sllavo-komunist në Evropë, e ndoshta në botë.

Në atë godinë të burgut të dikurshëm të Durrësit, me qindra shqiptarë kundërshtarë të regjimit kanë vuajtur dënimet dhe kanë ndërruar jetë nën torturat më çnjerëzore, disa prej më të shquarve të Shqipërisë së asaj kohe, si Myftiu i Durrësit, Mustafa Varoshi, i cili sipas shkrimit të BIRN ishte 50 vjeç, kur vdiq nga torturat dhe sëmundja në Burgun e Durrësit, ku për vite me radhë predikoi paqen dhe mirësinë.  Imzot Vinçenc Prenushi – “Bariu i katolikëve dhe engjëlli i myslimanëve” dhe poeti e shkrimtari Arshi Pipa i cili mundi t’i shpëtonte ferrit komunist të Enver Hoxhës duke u arratisur në Shtetet e Bashkuara, prej ku pastaj me shkrime dhe vepra dëshmoi vuajtjet dhe vdekjet nga torturat komuniste në atë burg dhe shumë individë të tjerë të ajkës së Kombit shqiptar. Frank Shkreli: 70-vjet më parë ndërroi jetë nën tortura – Bariu i katolikëve dhe Engjëlli i myslimanëve | Gazeta Telegraf

Në një ese të gjatë, “Kujtime Mbi Vinçenc Prendushin”, botuar në “Flije të Atdheut”, botim i aktivistit shqiptaro-amerikan, të ndjerit Gjon Sinishta, poeti e shkrimtari Arshi Pipa, i cili pas arratisjes nga Shqipëria komuniste kaloi pjesën tjetër të jetës duke dhënë mësim në universitete amerikane dhe duke shkruar për përvojën e tij në burgun e Durrësit, që sipas lajmeve do të rrënohet — dhe në burgje të tjera të regjimit komunist  — në shumë kujtime dhe dëshmi ka shkruar, ndër të tjerë, edhe për vuajtjet, torturat dhe vdekjen e klerikut të Kishës Katolike Shqiptare, tashti i shpallur i lumë si martir i Kishës Katolike Universale, Imzot Vinçenc Prendushit. Arshi Pipa shkruante, si pasqyrim, ndër të tjera, dëshminë e tij mbi kujtimet e vuajtjeve në burgun e Durrësit ku ka qëndruar për një kohë së bashku me Imzot Prendushin:

 “Nanduer, 1947. Hove, hove, të burgosunit janë nxjerrë përpara gjyqit ushtarak. Ashtë vala e terrorit ma të egër, Intelektualë, teknikë, klerikë por edhe zejtarë, fshatarë, të gjithë ata që mendohej se janë kundërshtarë, veprues ose jo, të partisë, janë fshi dhe rrasë nepër burgje. Gjykimi ashtë sa për sy e faqe: proceset kurdisen ma parë nga Ministria e Mbrendshme, gjyqi vetëm i ve në skenë…Njeriu pandeh se gjëndet në nji seancë hetuesie por mbasi e bien në burg merr vesh se ashtë para gjyqit ushtarak…Në sallën e vogël qendrojnë mbi banka rreth gjashtdhjetë të burgosun. E shumta nuk njohin njani tjetrin. Fytyra të nxime, të hjekuna, që kqyren me njëri tjetrin frikshëm, pabesueshëm…Përpara meje ashtë nji burr me flokë të bardhë, i mbledhun kuspull, i veshun me nji mantel të zi, të dalun boje. Nuk ka lëviz gjithë kohën. Lëviz tash në thirrje të nji emni: “Vinçenc Prendushi”. “Ngrihet ngadalë, mundshëm dhe ulet mandej pa thanë asnji fjalë.  Prokurori lexon pretencën e të pandehurit. Akuzat janë krejt gjenerike, pa asnji fakt konkret, “anmik i popullit”, “bashkpuntor i okupatorit”, “fashist”. Theksohet fakti se ka qenë peshkop i Kishës Katolike dhe me këtë rast, shtohen frazat: “klerik reaksionar”, “agjent i Vatikanit”. Në fund kërkimi i dënimit: 20 vjet”, dëshmon Arshi Pipa në shkrimin e tij, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”. Por Imzot Vinçenc Prendushi nuk e kryen dënimin sepse nga vuajtjet e torturat në burgun e Durrësit, ai aty ndërron jetë pas torturash të tmershme. 

Kështu i kujton minutat e fundit të jetës në këtë botë të Imzot Prendushit pas toruturave, bashkvuajtësi i tij Arshi Pipa në esenë e sipër-përmendur: “Imzot Prendushi u nda kso jete nji natë të Frorit, 1948.  Atë natë kishte zjarm në votër. Kur ja mbylla sytë, sytë e lodhun e të shterrun, që aq shumë kishin rektue për dritë, mu duk se pashë në fytyrën e tij, të hajthët, të shkrime, të paqtë mbas nji mundimi, nji ndriçim jo të zakonshëm. Ndofta mue më bajshin sytë e përlotun, ndofta nuk ishte veçse nji refleks i flakrimeve të kuqremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropëzat e syve. Por, ndofta ishte diçka tjetër. Shpirti që në rrethanat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj, kur dhimbja të prajë, si ujt prej lymit që e pat trazue.  Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit. Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin kur vërejmë qysh njerzit vdesin për ideale”, e përmbyll esenë e tij Profesori Arshi Pipa mbi vuajtjet, mundimet dhe më në fund vdekjen në duart e tij të Imzot Vinçenc Prendushit në burgun e Durrësit, pikërisht në atë godinën, ku sot po njoftohet se do të rrënohet duke zhdukur përgjithmonë gjurmët e krimeve të kryera në atë godinë nga regjimi sllavo-komunist. Por e vërteta, heret ose vonë, del në shesh, mbetet e gjallë nga dëshmitë sado që diktatorët dhe autokratët apologjetë të komunizmit sot duan të justifikojnë, të harrojnë dhe të zbukurojnë trashëgiminë kriminale të regjimit komunist. Një ndër këto dëshmi të gjalla “të kohës së robnisë” e të krimeve të regjimit të Enver Hoxhës në burgun e Durrësit, shënon 65-vjetorin e botimit (1959) – Libri i Burgut – i Profesor Arshi Pipës, njërit prej të dënuarve të regjimit në atë godinë burgu në rrënim e sipër sot. Sipas vet fjalëve të autorit në paraqitje: “Kështu qysh heret shestova me mbledhë në këtë libër përvojën time, por jo vetëm timen, të kohës së robnisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut e të kampit — e nji ane të jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithë kompleksin”, ka shkruar ish-i burgosuri në burgun e Durrësit, Profesor Arshi Pipa. 

Autoritetet shqiptare mund të rrafshojnë, paturpësisht, sot godinën e burgut të Sigurimit në Durrës, në përpjekjet e tyre për të fshirë gjurmët e krimit të regjimit sllavo-komunist aty dhe anë e mbanë Shqipërisë. Por, ama, ata nuk do mund të shlyejnë dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve dhe “monumentet” e dëshmitarëve siç është Libri i Burgut i Profesor Arshi Pipës, në 65-vjetorin e botimit, kushtuar “Deshmorëve të Kombit që ranë kundër komunizmit me nderim, Auktori kushton”.   

Frank Shkreli

Kanali. Arshi Pipa.

Sivjet është 65-vjetori i botimit të librit të Profesor Arshi Pipës (1959), një përmbledhje e vargjeve të shkruara në birucat e burgjeve të Enver Hoxhës, përfshir burgun e Durrësit – “Nji libër që u nis bash me qëllim që të dilte ai nga burgjet, nga të cilat unë ndofta nuk do delsha”, ka shkruar Arshi Pipa.

REPORTAZHI/ Ndërtesa ku u burgosën martirët e fesë në Durrës po rrënohet

“Godina e burgut të vjetër në Durrës po rrënohet dita-ditës, ndërsa banorët po e harrojnë funksionin e saj të dikurshëm”. (Gëzim Kabashi, BIRN) –Burgu ku Kleriku i madh Imzot Vinçenc Prendushi dha jetë nën torturat e xhelatëve komunistë në duartë e shkrimtarit e poetit Profesor Arshi Pipa me të cilin ndau qelinë –dëshmitar, siç ka shkruar edhe ai vet, “për të vërejtur se qysh njerzit vdesin për ideale.”

Filed Under: Histori

Përtej keqnjohjes e keqkuptimit të Kanunit

April 30, 2024 by s p

Frano Kulli/

Shënime rreth librit “Doke dhe tradita – një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër Kanunet Shqiptare” të dr.Gelanda Shkurtajt.

Qysh në fillesë të tekstit të saj, kur nënvizon se: Leka nuk është krijuesi i kanunit e se emërtimi vjen si influencë e fortë e princit në Lekët (krahinë në Malësinë e Madhe), autorja e librit “Doke dhe tradita- një histori e shkurtër e gjakmarrjes ndër kanunet shqiptare”, dr. Gelanda Shkurtaj na bën me dije një konstatim serioz për ta orientuar lexuesin e dëshiruar drejt kuptimit të saktë të thelbit të tij.

Kanuni, i Lek Dukagjinit është përmbledhja e normave zakonore, që ka rregulluar jetën e jetesën e popullit të maleve atje ku ka funksionuar. Me siguri , normat zakonore kanë ekzistuar edhe përpara se “princi i përfolur” Lekë Dukagjini [perifrazim sipas titullit të monografisë së T. Ç] të kishte arrit në atë stad të emrit të tij sa ti mveshej atij Kanuni i një krahine të të gjërë e të rëndësishme dhe administrimit të jetesës së banorëve arbër të atyre trojeve. Kurse etnografi e antropologu At Shtjefen Gjeçovi e përjetësoi si një vepër konstituive, me kodifikimin që i bëri. I botuar , pastaj në vitin 1933, 4 vjet mbasi ai kishte ndërruar jetë, nga bashkëvëllezërit e provincës françeskane shqiptare, nën përkujdesjen e mikut të afërt fort, Poetit Kombëtar Gjergj Fishta, ka përshkuar rrugën e diskursit publik me kuptime e moskuptime, a me keqkuptime e me anatema gjithashtu, çka e ka thirrë kurdoherë në nevojë hulumtimin e interpretimin e tij. Sidomos përreth dilemës: kanuni-normë zakonore apo normë ligjore. Apo të dyja bashkë. Dhe këtu futemi në thelbin e trajtesës që autorja Shkurtaj e ka si lajtmotivin e veprës së saj. Ndryshe prej studiuesve e hulumtuesve pararendës, të cilët qëndruan në rrafshin e sipërm , konstatues e pohues pa hyrë në interpretime të normave e nyjeve të Kanunit. Edhe vëzhgues seriozë të antropologjisë së shqiptarëve si Franc Nopça, Edith Durham, Giusseppe Valentini apo Ernesto Cozzi nuk u ndalën në interpretime juridike të nyjeve të Kanunit. Ata mblodhën të dhëna, i publikuan e i lanë ndër libra si dëshmitë studimore më të besueshme antropologjike, po nuk i interpretuan juridikisht ato. Ndërsa autorja Shkurtaj, shfaqet mjaft e interesuar në njohjen e thellë të këtyre normave të kanunit të Lekë Dukagjinit, në radhë të parë, po edhe të 6 kanuneve të tjera më pak, si ai i Skënderbeut, Pukës, Dibrës, Lumës, Bendës (Malësisë së Tiranës) dhe i Labërisë pak më tepër. Tek ky i fundit sidomos, ajo kërkon të gjejë modelin e qasjes në sipërmarrjen e vet studimore tek studiuesi i shquar, prof. Ismet Elezi, i cili, siç shprehet autorja:” jep një panoramë të përgjithëshme në lidhje me të drejtën penale të shqiptarëve, duke e vendosur Kanunin në dimensionin e një korpusi normash, të cilat kanë vlerë nga konteksti i një të drejte pozitive…si një grup normash juridike që kanë përbërë në njëfarë mënyre kushtetutën dhe përmbledhjen e të gjitha kodeve të malësorëve.Dhe qasja është interpretimi jo vetëm doksor, antropologjik, po, për më tepër juridik, çka i shkon më për shtat edhe formimit parësor të Dr. Shkurtajt dhe këtu ajo vendos piketat e studimit të saj. Autorja perdor konceptin e legjislatorit (popullit) për kanunin. E kjo është edhe risia e plotpërputhëshme me këndvështrimin që ajo zgjedh për trajtimin e çeshtjeve që parashtron. Gjithnjë në kërkim të zgjidhjes së dilemës, normë zakonore apo normë ligjore, duke iu referuar për këtë edhe prurjeve më të spikatura të teorive e shkollave europiane të antropologjisë e sociologjisë me përfaqësues si Max Ëeber apo Émile Durkheim e të tjerë.

Në këtë rrafsh logjik e shkencor ajo operon duke sjellë gjithnjë krahasime me korpuse ligjore e kushtetuese të vendeve të zhvilluara. Njëri nga shembujt e shumtë krahasues, është ai i shpikjes e përdorimit të gijotinës në Francën e fundshekullit 18, për ekzekutimin e dënimit me vdekje. Ajo erdhi si shpikje mbasi forcat kundërshtuese shfaqën ankesën se me vdekjen e menjëherëshme, që aplikohej deri atëhere, i dënuari nuk e vuante meritueshëm atë që duhej të vuante për krimin që kishte bërë. Dhe kështu u shpik makina ekzekutuese e vrasjes – gijotina që të dënurit ia sillte vdekjen disi më të ngadaltë e për pasojë vuajtjen më të madhe. Kurse në Kanù një formë dënimi e gjakmarrjes, është ngujimi. Një formë krejt e ndryshme por mjaft e përvuajtshme.

Sikundërse një veçori përbën respekti për kufomën e vrarë për këtë shkak (gjakmarrjes). Pas vrasjes, kufomën duhet ta kthesh me fytyrë nga qielli dhe në rast se dorasi (vrasësi) nuk e bën këtë për rrethana të rastit, të parit njeri, që takon në rrugë ia kërkon këtë gjë, si detyrim i tij, pra i vrasësit, në rrespekt të kufomës. Një rregull ky i pandeshur në raste e vende të tjera. Që bashkë me të tjerë rregulla të korpusit të gjakmarrjes synojnë pezullimin e parandalimin e fenomenit e jo cytjen e përsëritjen e pandalesë të tij. Ose si “rregullator i shoqërisë fisnore”, siç e konsideron Max Ëeber, i cituar në këtë libër.

Ndërmjet kuptimit dhe keqkuptimit (termi i huazuar nga titulli i librit të Nd. Dedajt) rëndesën më të madhe përgjatë kohëve e ka pasë zënë dhe e zë roli i gruas, sidomos në trajtesën e fenomenit të gjakmarrjes. Pikëndalesë ngërç është Nyja njizet e nandë e cila titullohet “Grueja asht shakull per me bájtë” dhe teksti i nyjës vijon: “Grueja njifet si calikë per me bajtë sa të jetë në derë të burrit, se prindja s’hjekin dore prej sojet, e ndalin per vedi e mbi vedi të përgjegjmen per té, por edhe me lypë arsye, me ba me e gjetë gjá”

Në libër ajo merret në mbrojtje duke e kundërshtuar qëndrimin abuziv që i është bërë e i bëhet ende sot si reminishencë e së shkuarës, (sidomos në kohën revolucionare të luftës kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare) trajtimit të gruas nga kanuni si një qenie pak mbi shtazën, se ajo nuk vleka më shumë, përveç se me bajtë. Ose, interpretimi edhe në kohët e reja e ende sot, si një mall në duart e mashkullit. Dhe këtu zë fill edhe kumti që autorja e ndesh si “shuplakë” diku në zyrat policore të Italisë europiane, kur shërbente si konsulente ligjore në ato zyra: “vajzat shqiptare na kanë thënë se shfrytëzimi i tyre në rrugët e Italisë bëhet, pasi ,sipas Kanunit tuaj, femra është një mall në duart e mashkullit dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë me të, ta shesë, ta blejë dhe ta vërë edhe si një mall në rrugë…” Dhe ky kumt, sa i pavërtetë aq edhe poshtnues, nuk ka mbërrijtë vetvetishëm atje. Atje e këtu e kemi përcjellë vetë ne shqiptarët , me keqkuptimin e madh e të paprerë që kemi shfaq e shfaqim për kanunin.

Shpesh , në mënyrë banale është barazuar bajta me mbartjen e një barre dru në mal a një barre dushk për bagëtitë. Pa njohur aspak jo kuptimin e figurshëm, jo e jo, po as kuptimin e drejtpërdrejt të fjalëve të përdorurë në këtë nye të Kanunit. Unë besoj se keqkuptimi i paragjykuar zë fill te mos njohja e kuptimit të këtyre dy fjalëve-emra sinonim: shakull, që në fjalorët e shqipes shpjegohet-lëkurë sqapi a dhie e punuar si thes, për të vënë brenda bulmet (djathë, gjalpë, gjizë) dhe calikë-kacek, rrëshek, rrëshiq, lëkurë dhie që përdoret për të mbajtur vaj, verë, gjalpë. Madje, e gjejmë të shpjeguar edhe në “Fjalorin e “Bashkimit”- (Fialuer i rii i Sheypes- Perbâam prei Shochniiet t’ Bashhkimit, 1908).

Siç shihet, edhe në kuptimin e parë emrat e përdorur në këtë nyje të kanunit, janë mjete që mbartin gjallësi, mbartin ushqimet bazë që mbarështojnë jetën e vijimësinë e saj. Pra, grueja, në derë të burrit është “shakulli” a “caliku” që mbart jetën (fëmijën), ripërtëritjen e saj e ndaj për këtë ajo është e paprekëshme prej gjakmarrjes. “Me e gjetë gjá gruen, per faj të burrit, prindja e kësaj lypin arsye me kanù”, dhe duke nënvizuar këtë nye nga Kanuni, dr. Shkurta, argumenton se: Fakti i dhënies llogari përpara familjes së gruas, parashikuar në kanun, edhe në rastin e mardhënies adultere (kurorëprishjes apo tradhëtisë bashkëshortore), që gjithsesi konsiderohej një turp i madh është tregues i interesit dhe rolit që ajo kishte në shoqëri”. Pra “Grueja s’bjen në gjak”- “Grueja l’shon në gjak prinden”, na fton të kuptojmë parekshmërinë e gruas. E në saje të kësaj paprekshmërie gati hyjnore, në rastin e gjakmarrjes, kur burrit i duhej me u ngujue, pra mos me mujtë me dalë jashtë shtëpie, atëhere gruas i binte kjo barra e rëndë e barrëve, e e të bajtunës. Unë, mendoj se më shumë se shenjë inferioritetit është sanksion preventivues, parandalues i vrasjes së gruas; më shumë se nënçmim është vlerësim që ligjëron me të gjitha mënyrat doksore mbrojtjen e gruas , të femrës, në përgjithësi. Jemi në lëmin e vlerësimit të gjakmarrjes jo si luftë, por si një mënyrë dhënie drejtësie, siç e çmon antropologu Nebi Bardhoshi i sjellë shpesh si referencë në libër. Në këtë qasje, mendoj vijnë edhe sanksionet që ka Kanuni në gjakmarrje kur në ndërmendje është gruaja.

Libri shtjellon, shpesh deri edhe në imtësi, elemente të Kanunit të Lek Dukagjinit, duke rrokur edhe plot trajtesa të të tjera fushave që janë objekt i tij, gjithnjë me ndalesë preferenciale te qasja juridike e nyjeve të tij, e ballafaqimi me të drejtën shtetnore ose “ecja në dy binarë paralelë” me të. Ballafaqjet (krahasimet) merren që nga koha e Turqisë apo më vonë me vendetta-n [hakmarrjen, gjakmarrjen] italiane dhe deduksionet që përftohen lënë gjurmë besimplote në shijen e lexuesit për rrokje e trajtimin me mjaft kompetencë të korpusit delikat të dokeve e traditave tona….

Theks e vëmendje në libër merr gjithashtu edhe ecuria vetëreformuese e tij. Si p.sh momenti që cilësohet edhe këtu se: në kanunin e vjetër , gjakmarrja mbyllej me vrasjen e dorasit “gjaku për gisht”, shënohet në Kanù dhe jo sikurse del më pas në variantin më të ri që çeshtja mbetet e pambyllur, se bishtnon në derivate të tjera. Imzot Ernesto Cozzi e ka një shpjegim për këtë ndryshim: “Dispozitat e herëshme të kanunit të maleve, shkruan ai në “Studime etnologjike të Shqipnisë së epërme” janë të ndikueme prej fesë e prej të përpjekunit me qytetin shumë ma tepër në Malësinë e Madhe se sa në të Voglen, [Dukagjini, Pulti, Shoshi; Shllaku] ku kanuni e ruejti me lehtësi formen e vet të herëshme, ndonëse edhe këtu paraqet shumë motërzime, që kanë ardhë me kalimin e kohës.” Ndaj edhe në ndihmë të tij (kanunit) vijnë edhe forma e mënyra të tjera, të mbinatyrëshme si Beja, p.sh një institut juridik, siç e konsideron autorja që gjindet në të shtatë kanunet. Ose shkuesia e dorzanía një tjetër institut juridik i gjakmarrjes (nye 134 e 136 i Kanunit të L.D), të cilat erdhën në nevojë atëherë kur mbyllja e gjakmarrjes e tejkaloi vrasjen e dorasit.

Në përfundim të këtyre radhëve po ritheksoj se libri është , sa një kontribut serioz në ndërmendjen e Kanunit të Lekë Dukagjinit, po aq edhe një ftesë e hapur për albanologë e juristë për t’u thelluar në të ardhmen në një aset kaq të çmuar të trashëgimisë sonë .

Filed Under: Kulture

“Plaku dhe deti”, Santiago dhe sfida për të kuptuar kohën

April 30, 2024 by s p

Agim Baçi/

Shumëkush mund ta ketë lexuar, dëgjuar apo parë film përpjekjen e Santiagos, personazhit të një prej romaneve më të rëndësishëm të letërsisë botërore, “Plaku dhe deti”, të Ernest Heminguejit. Gjithçka nis pas 84 ditësh ku heroi ynë vijon të mos fusë dot asnjë peshk në rrjetën e tij. Por i ka dhënë fjalën Manolinit, nxënësit të tij të ri, se do t’i japë fund sezonit të pafat dhe do të udhëtojë sërish drejt peshkimit.

Ai arrin me varkën e tij të vogël të kapë peshkun në mes të Golfstrimit. Është peshku që ai gjithnjë e ka ditur se ku është- peshku Marlin. Është peshku që ai e ka kapur lehtësisht në rini. Por gjërat nuk janë më si më parë për Santiagon, pasi as mosha e as mjetet që ka në dorë nuk janë në favorin e tij. Në tri ditë beteje ai flet me triumfin e tij, e vlerëson që ka qenë një peshk i fortë, por që tashmë atij do t’i duhet ta çojë në breg, pasi nuk vlen vetëm fakti që e ka në rrjetën e tij. Por nuk është e thjeshtë. Më së pari duhet të luftojë me peshkaqenin e madh Mako, të cilën Santiago, pas një beteje rraskapitëse e vret me fuzhnjën e tij.

Por kjo fitore me peshkaqenin Mako është edhe nisja e humbjes së gjithçkaje që ka kapur, pasi gjurmët e gjakut që ka lënë në betejën me Marlinin bëjnë që peshkaqenë të tjerë t’i afrohen dhe të gllabërojnë pothuajse tërë trupin e pajetë të Marlinit. Në fund Marlini përfundon thjesht në një skelet i përbërë kryesisht nga shtylla kurrizore, bishti dhe koka e tij. Kur Santiago e nxjerr në breg ai peshk i përket historisë, kuriozitetit, betejës, por jo vetë atij, e aq më pak Manolinit, për të cilin Santiago u nis t’i tregonte se ishte i zoti, se nuk ishte dorëzuar.

I trishtuar nga ky fund me peshkun që e kish kërkuar me aq ngulm, Santiago kthehet në shtëpi, shtrihet mbi shtratin e tij dhe bie në një gjumë të thellë.

Janë të shumtë ata që e lexojnë trishtimin e Santiagos si pasojë e një beteje të gabuar me krenarinë, e një beteje të nisur në kohën e gabuar, pa mjetet e duhura dhe i vetëm. Dhe beteja e tij për të shkuar në thellësi, i vetëm, i braktisur nga të gjithë, duke besuar se dikur kishte qenë i zoti në këtë betejë, është lexuar si një rrëfim për hapat që ne shpesh nisim atëherë kur nuk mundemi, kur koha mund të na nxjerrë në breg me një skelet, që i ka shërbyer vetëm peshkaqenëve, por jo atij që nisi betejën.

Edhe pse gjithçka nis si një betejë për dinjitetin e Santiagos, duket se humbja vjen nga ajo që ai nuk ka llogaritur- nuk është më i fuqishëm për një peshk të tillë, nuk fiton dot me varkën që ka, dhe për më tepër, është i braktisur në këtë betejë.

Çmimi “Nobel” për këtë vepër është ndoshta pikërisht për t’i kujtuar kujtdo prej nesh se disa beteja kanë kohën e vet. Askujt prej nesh nuk i duhet skeleti i një peshku që ka ushqyer vetëm peshkaqenët. Dhe i gjithë rrëfimi, që bart kujtime e dilema shpirtërore, duke sikur na fton të mendojmë dhe besojmë se për udhëtimet që duhet të bëjmë në jetët tona, për betejat tona, do na duhet të kuptojmë kohën tonë.

Në betejat tona, pa dyshim që Krenaria është e rëndësishme, por ajo nuk vlen kur përdoret për të na çuar me këmbëngulje drejt humbjes. Aq më pak na duhet që krenaria dhe dinjiteti ynë të kthehet në pengesë edhe për jetët e të tjerëve.

Kjo betejë kthehet në një trishtim më të madh sidomos kur përdoret në politikë, pasi ata që i hyjnë këtij “peshkimi” rrezikojmë që dëshirën e madhe për fitore ta kthejmë në një skelet që nuk i duhet askujt, përveç peshkaqenëve…!

Filed Under: LETERSI

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë diskuton projektligjin mbi shëndetin seksual dhe riprodhues

April 30, 2024 by s p

Më 29 prill 2024 në një mbledhje të veçantë Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë diskutoi mbi “projektligj për shëndetin seksual dhe riprodhues”.

Në mbledhjen e djeshme të Bordit të Presidencës së KNFSH-së, merrnin pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, në emër të Kryepeshkopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Hirësi Asti Bakallbashi, Ndihmës i Kryepeshkopit Anastas (kryetar i KNFSH-së për vitin 2024), Mon. Gjergj Meta, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, H. Dede Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Pastor Ergest Biti, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, Prof. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së, si dhe anëtarë të Grupit të Punës së KNFSH-së lidhur me projektligjin në fjalë, të cilët janë specialistë të fushave të ndryshme.

Komunitetet fetare të Shqipërisë prej disa ditësh të njohur nëpërmjet medias me një projektligj lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e përfshirjes së komuniteteve fetare në dëgjesën publike të këtij ligji, si palë e interesit dhe mungesa e një relacioni, që duhet ta shoqërojë këtë projektligj në faqen zyrtare. Kështu nëpërmjet Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Bordi i Presidencës së KNFSH-së, i cili përbëhet nga pesë liderët e pesë komuniteteve fetare në Shqipëri ka ngritur grupin e punës me përfaqësues nga të gjitha komunitetet fetare me specialistë të tillë si juristë, sociologë, teologë dhe mjekë.

Gjatë takimit të sotëm grupi i punës ka paraqitur para Bordit të Presidencës argumentet e tyre profesionale në lidhje me projektligjin në fjalë, duke shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me efektet negative, që mund të ketë projektligji për shëndetin e individit, familjes dhe shoqërisë përsa i përket disa ndryshimeve që parashikon në ligj në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues.

Nisur nga kjo, grupi i punës po punon fort për të nxjerrë një relacion me argumente shkencore, teologjike dhe profesionale në lidhje me këtë projektligj, dokument i cili do t’u dërgohet Komisionit të Ligjeve, Kuvendit të Shqipërisë dhe për dijeni institucioneve të tjera vendase dhe të huaja.

Në lidhje me projektligjin mund të klikoni:

https://www.konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/727

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1003
  • 1004
  • 1005
  • 1006
  • 1007
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT