• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rubrika: Të shkruajmë arbërisht

February 24, 2024 by s p

Ornela Radovicka/

Në vijim  kemi paraqitur një rrëfim të arbëreshit Emanuele Rosanova. 

E. Rosanova është me prindër me origjinë arbëresh. Ai ka lindur në 1994. Ka mbaruar studimet për drejtësi, dhe Ai sot është me profesion avokat. 

Ai që na intereson të thesojmë  është se ky djalosh ka mësuar arbërisht vetëm rreth 5 vjet më parë, është shembull për rininë arbëreshe që duan të mësojnë arbërisht dhe Në kuadrin e  “ Të rrëfehemi në arbërisht” sjellim në arbërisht rrëfimin e Emanuele Rosanova.  

C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240223-WA0001.jpg

Farneta ku qielli perpiqet (takohet)me besen

Emanuele Rosanova *

Dihet se katundet tanë arbëreshë, të larguar ka otomanët turq ka vatrat e tire janë, të të shprishur si sparëngjë ndë malet e Kalavrisë e të Basilikatës.

U ngjitëtin ture kapërcier male me male atrat tanë mërgimtarë të shkret për t’rronjen në liri, mb’këmbë u ngjitëtin lartë me lotë e me shërtime në këta male të ashpra, ku ishen vet ulq, derra t’eger e kacamiqe.

U ngjitëtim në këto udha të shtrëmbura e si gjalpërueshe,të ngushta pjot me gur e me gjëmba, ture kapercier rehje dhe përrenje njera ç’arrivuan te çuka, e malit më t’lart. Kështu është edhe katundi arbëresh më i vogel dhe më i lart mëse 900 metra mbi Detin Jonë, çë thuhet Farneta dhe u vunë atje ku sot janë qitetet italiane Trebisacce dhe Amendolara. Atje ishen edhe disa kronje dhe disa gruta rreth e rrotull me arvure t’lert e t’hollë me fage e me lis.Ish një vend e bukur,pagëzuar nga perëndia. Ata Bënë një panatez me drunje e me dushqe dhe qindruan atje, në lartësi ata gjetëtin paq, pushim, qetësi, liri e mbi të gjitha ku mund të shihijen dhe dherat e tire, sepse  atej ka dil dielli ish Atdheu i tire.

Kurmi i tire ish këtu te dheu i huaj, po shpirti i tire ish te varret e prindëvet në Mëmëdhe.

Afer gjëndet vet qiteti italian Oriolo, ku vemi e bjemi shurbiset. Farnetizt e thërresen Hora.

Atej më poshtë gjëndet katundi arbëresh Pllatani.shtpitë e tij prej guri, me harqet e krrusura, me myshkun te pragu, me heshtjen që flasin.

Ka lehet dielli është katundi arbëresh Kastërnexhi me tre krojet e tij; Ka Klisha, ka Shën Rokthi, ka Lëmthi.

Ka ana ku hinë dielli është katundi Shën Pali Arbëresh dhe më mbatanë Shën Kostandiini Arbresh në Basilikata. Këta katunde arbëreshë këtu janë si gjishtë e dores. Duhen njeri me jetrin si vëllezer e motra dhe martohen trima dhe kopile dhe janë gjithë gjirì.

Kështu në këto dhera, të thepisura e të egra është një Arbëri, ku ndihen  tingujt antik arbëror, ku këndohet nëpër sheshe arbërisht e në gjitoni u rrëfehen legjenda e gojdhana për atdheun e të parëve të tyre që kurrë nuk e panë.

Kur bëjen vallet ndër Pashkë e ndë Karnivall gratë dhe vajzat të bukura si Dea e të shkrirë në ar, vallëzojnë nëpër rrugët e qtezës. Në Kastrorexhia  mbajen lartë Flamurin e tire, ç’është i bërë me nastre me shumë kullure,( me shumë ngjyra),  çdo kullurë( ngjyrë) mbajen mend origjinë e tire familjare dhe buljarinë e tire. Flamuritari venej përpara gjithëve kur martoheshin e i jip gjithëve hare e krenari kombëtare e na jemi krenar e në gjak kemi timprin arbëror.

Atrat tanë ishen të kërshterë me ritin bizantin e Kostantinopojes e me gjuhen arbëreshe. Mbajen fort te zëmra besen te Perendia, nderojen Virgjeren Mari, Odigjitrjen, dhe gjithë shënjtrat e  luten në gjuhën arbërore, në gjuhën e mëmës.

Festa më e madhe Farnetë është ajo e Shën Dhunatit,(Shën Donato) ç’bie çdo vit në diten 17 gushtit. Farnetiztë të emigruar në Evropë mbjidhen këtu ka gjithë anet dhe i japin jetë Farnetës.Ndihet një atmosferë vëllazërore.Ceremonia për besimtarët është komovente. Prifti këndon arbrisht liturgjinë te qisha në ritin tonë shekullor bizantin, e pranathin dalen ka qisha.Burrat dhe trimat qelljen mbi shpatullat statujen e Shjën Dhunait. Venë ture ecur në këto udha mali ture kënduar arbrisht këngen e Shëjtit.Te kjo lartësi kënga arbëreshe del ka zëmra  shekullore e atyre gjashtë shekijve që iu trasmetuan brezave të e tire gjuhën dhe besë e me një fuqi çë kapercen gjithë këta përrenje e male e vete me ajërin deri  në Mëmëdhe.

Rrugët e katundit shëndërrohen të zhurshme e shkojmë ndë shpi e hami tumac me mish e pim veren më t’mirë, ture bënur hare e ture luejtur e ture kërcier. Në mbrëmje kur dielli trakulonej e serposej dhe vinej nata, ahiera zënej fill shurbesi më i madh, çë na dil përpara neve atje te Sheshi katundit gjendet Vidhi gjigand.  Na shkomi  rreth e rrotul atij vidhi, të lartë e shëndosht, çë gjithë na e duami mirë si Prind dhe e nderomi si Tat-madhi jonë, çë na ruan ka e keqja dhe na  ndihen dimer e verë.

Tat-madhi Ljoshi, për gjithë ne, ish dhe është Vidhi. Ai ishte vend takimi, amorët e parë lindin tek vidhi ku vashat vini tek kroi e bularët prisnin fshehurazi. Vidhi ishte një dafragmë gjigande ku i jepte frymë çdo arbëreshë i Farnetës.

Në naten e 17 gushtit çdo vit me hilnarin e tij të magjepsur Tat-madhi mbjedh\ Vidhi, gjithë shpirtrat më të nderuar dhe më të shkelqier çë i dhanë nderë Farnetesë, Kastërnexhit, Pllatanit,e katundeve arbëresh për rreth. Ata janë në gjurmët e myshqeve të atij vidhi, janë në damarët e gjetheve, janë në horizontin ku lind dielli. Ata arbëresh që bënë për katundi  etyre, janë kudë në këto ato, sepse ata ishin njerez shumë t’urtë çë janë ende të gjallë. Vidhi është ai kontinuita brezash ku herë pas herë Të vdekur e të gjallë rrinë bashkë tek ajo natë kur del e shkepten Illi i Ditësë  Farnetë, atej mbi Detin Jonë. Çdo gjurmë në Farnetë është e përjetshme.

Kur zë e bëhet dita ata shpirtra kanë priren tek vendet e tire të përjetshme, pa çë i buthëtohen mosnjeriu.

Na kemi besë se shumë herë këta shpirtrat na duken se janë tek gjalprat, tek hardhlat, tek fluturat, tek lulelt e tek arvuret. Këta shpirtra çë Tat-madhi-vidhi na solli e na mbjodhi këtu sonde, janë gjiritë tanë  e gjakut tonë, e na i duami shumë mirë.

Nganjë rri qet qet, pa buzë e pa frimë, pse kam të gjegjmi ç’na thonë këta shpiirtra. Kanë folijen vet ata, pa i prer fjalen e pa i pietur mbi jeten e tire. Ata erdhëtin vet për të na folur neve. Një e një gjegjmi ç’na thonë te kjo natë, ku ilzit shkelqejen në qiell dhe hënza na ruan e na qeshen.

I pari ç’zu e foli, qe Pietro Camodeca de’ Coronei (1847-1918), kasterrnexhòt, na tha:“Kërkova ka papa e Romes autonominë e qishës tonë arbëreshe e Papa na e dha në 1919. Nanì ndihemi gjithë më bashkë me zëmer e me shpirt, e kam t’duhemi shumë mirë njeri me jetrin. Eparkia e Ungres është thezari i çmuar çë kemi”.

Pietro Scarpelli (1887-1973), farnetìz, shtoj dhe ai këto fjalë:“U leva Farnet e këtu bëra priftin, peshkopi m’dergoj në Shqipëri në 1928 për të ndihnja vëllezërit tanë atje dhe në 1945 më perzu rregjimi e u prora këtu. Na s’kam harromi rrënjat tona, gjuhen tonë dhe gjakun tonë, dhe te zëmra kam t’mbami Mëmen Shqipëri”.

Angelo Basile (1813-1848), pllatanjòt, nis e këndonj e shton:“U kam mbledhur ditë e natë këngat arbëreshe çë atrat tanë na këndojen në vallet si edhe në shpi. Ato na vijen ka Moti 1400 e na thonë si ish jeta e Skënderbeut. Na i kemi te zëmra. S’kem t’i harromi, se ato na mbajen t’gjallë edhe te varri” . Alessandro Smilari (1832-1905), shënpalòt,:“Gjithë ne këtu u ngrem  shtuera e vamë me Garibaldin kunder Borbonëvet për t’bëjem Italinë e për t’mbajem lirinë dhe vëllazërinë me zakonet e tona. Na edhe sot duami t’e mbami këtë liri, këtë dashuri t’fort me gjithë vëllezërit tanë”.

Nga një kënd dëgjonjë në zë. Ishte zio Michele Scutari (1762-1830), shënkostënjòt, na tha:“Na arbëreshë kam të studhjarmi ditë e natë storjen tonë, ritin tonë bizantinë, letërsinë tonë arbëreshe, gjuhen ashtu si bëra u te libri im i njohur. Sa më dini më mirë rrini”.

Zio Domenico Licursi (1926-2001), farnetìz, i cili dinte storjen time që xura autodidakt më tha:“Këtu u rrita dhe nëng isha skollet e u xura vet të shkrueja e te diovasja. Dhe bëra gazeten “Hordeolum-Rinascita-Sud” në vitin 1969 dhe gjithë dijen problemet tona. Gazeta ime bënej dritë kudò. E vamë përpara. Nëngjet ç’kemi na kam t’i zhidhmi vet me djers e me vullnèt”.Giovanbattista Mollo (1915-1971), kasternexhòt, ngrihet dhe thotë:“U bëra priftin Kasternexh. Studhjarta, mbjodha dokumende dhe shkruejta nj’liber mbi origjinen e katundit .

Alfredo Moratti (1920-1993) na tha:“U u leva në Trento dhe erdha e bëra priftin Farntetë në vitin 1944 por mbeta njera në 1971. Nd’at mot këtu s’ish faregjë por unë nuk ndjeva uri. Kurrë në jetë nuk njoha gjinda kaq gjeneroz. Shpia e arbëreshit ish shtpia ime ime,  ish haptë natë e ditë. M’dojen mirë. Ish si një familje e madhe këtu. Hajem atë çë gjëjem në dherat. Duart e arbëreshit e bën të lulëzuar.  Mbaj mend cje Nilen e Toshkut çë nga dita venej atire karrarrave e mbljidh lakra, çikorja, bathez-ulku, rrapista, kula mònaku, mëraj t’eger, kockolidhe.Në modestinë e tjetës së tyre gjendej edhe gjenialiteti i tyre. Kur u i folja arbrisht ata kishen shumë hare”.

Antonio Gulemì (1898-1965), shënkostënjòt, me zërin e tij të but u ngrit e tha: “Për disa vjet bëra dhe u priftin këtu Farnetë. Kam hare se sonde gjëndem me ju. Në këta male Atrat tanë mbajtin gjithë ato shurbise t’bukura çë na kemi ruajtur sot te familjet tona. Ka varret e tire të parët tanë ju bekojen pse  mbajtët gjuhën dhe ritin arbëreshë te zëmra. Arbëreshët  jini t’fort si timba malit.”

Atë mbrëmje renjante një qetësi kur gjithënjherje u gjegj si një vrundull me zogj ç’vijen ka deti dhe erdhëtin e u kumbistin mbi degat e Vidhit që gjendet te sheshi i fshatit. Ishim të gjithë bashkë. Ushqimi për ne arbëreshët është kënaqësi. Mbi tavolinë arrinë një  pjatë që në kastrorexhë i themi  Hullonjëra. Dikush ndërhyn dhe shton: Në Ungra i thonë Shëtridhla,e Dromësa ne San Costandino albanese. Si një jehonë e largët dëgjohet Kostandini e Juerendina. Hënza e plotë llambarisnej në qiell tek ajo natë gushti në katundin Farneta ishte njé mbrekulli ku besimtari dhe profani bëheshin një, me gjuhën e përbashkët arbërore, me besën e tyre, me dashurënë për Këtë Arbëri që edhe pse lëngon ka gjithmon shpirtin e ringjalljes, sepse është e destinuar për të qenë e përjetshme

Tek ajo natë gjithë ne ç’ishem rrotull te Vidhi u ngrëjtim shtuera e pruartim faqen dhe çeren atej ka del dielli, ku është Mëmëdheu, e me një vuxhë t’lartë e të fuqishëm u vumë e kënduam këngët e mergimit ku në tingujt e tyre si një një lëndinë e praruar lexoheshin ato notat e vuajtjes e sakrificës së këtij populli 6 shekullor. Unk në rruzull ku Besa, Ndera, Burrnia, Mikëpripritja dhe Vëllazëria ishin idealet e këtij populli  që mëmat e tyre në  gjitoni  iu mësuan gjuhën dhe ua trasmetuan kulturën.

Ndërsa largohem nga Farnet disa re të bardha më qëndrojnë mbi kokë, herë si si engjij herë herë si pëllumba, të cilat më kujtonin pikturat e Escer.

Isha i humbur në këtë botë sa reale aq edhe surrealistike, por edhe i ndërgjegjshëm se “Gjaku i shprishur” ësht akoma. Ai gjak spikon her si nje “rreze diademe” mbi kurorën e një çifti, her her si nje puhize e ngrohtë  nën tingujt e serenatave arbëreshe,her her ai “gjak i shprishur” mbërthehet në idealen e përjetësinë së zhurmës së qelqit të thyer gjatë kurorëzimit të dy arbëreshëve.  

Çdo gjë në këto male ishte pezull ashtu si është bota arbëreshe sot.Pezull me mënyrën e saj të të jetuarit, me zigzaket e saj problematike e në mënyrë të veçantë në përdorimin e gjuhës së të parëve të tyre.

I përhumbur vazhdoj udhëtimin tim në charmin e egër të këtij populli “Mbrekullie antropologjike” konsideruar prej Pasolinit.  

Fjalorth arbëresh – italisht

Ajër-i: aria, vento;

Arbrishtin: lingua arbëreshe;

Arvure: alberi;Pema

Azill-i: Asilo infantile;çerdhe

Bulari-a; nobiltà d’animo; bujar\ Fisnik

Buthëtonj: mostrare;

Çerzosimo: Cersosimo paese italiano limitrofo;Cersosimo-qytesë italtaljane

Çuka: vetta, cima;

Dushqe: fogliame;

E lez e lez: leggera, leggera;

Fage: faggi;

Farnetizë: abitante di Farneta;

Fasulete: fagioli;

Fineter: finestra;

Flutur-a; farfalla;

Firmë-a; respiro;

Grasta: vasi;

Gruta: grotta;

Gjiri: parenti;

Gjitghënjëherje: improvvisamente;

Hardhlat: lucertole;

Hare-a; gioia, allegria;

Hilnar-i; lanterna;

Horë-a: Oriolo, paese italiano a 8 km da Farneta;

Illi i dites: stella del giorno, Lucifero;

Jatrua: medico;

Karniball-i: Carnevale;

Kasternexhotë: abitante di Castroregio, dove si trova anche il municipio;

Kacamiqe: stanbecco;

Kopile: giovane;

Kockolidhe: erba selvatica;

Krapista: erba selvatica;

Kullure: colori;

Kumbisin; appoggiare;

Kurm-i: copro;

Kutjend: contento;

Kulamònaku: erba selvatica;

Lëti-ri: latino, italiano;

Liturgji-a; servizio sacro/liturgico;

Ljosh-i: nome, cognome, anziano;

Llurtmu: in ultimo;

Marroca: lumache;

Mbashatë-a: notizie;

Mbësova: apprendere, imparare;

Mëraj t’eger: finocchio selvatico;

Mbatanë: in lontananza;

Nastre: nastri di stoffa;

Mosnjeri: nessuno;

Nënëza: erbe servatiche;

Ndallandishe: rondinella;

Odigjitrja: condottiera;

Panatë: capanna;

perpiqet: incontrarsi

Pranathin: poi;

Parkalesin: pregare;

Pllatanjotë: abitante di Plataci;

Poçja: pignatta;

Predhikarje: predicavo;

Prirem: mi volto indietro;

Qirinj: candele;

Qironej (i -): pulire;

Qishë-a: chiesa:

Rehje: colline;

Serposet: imbrunire;

Skollet: scuole;

Sonde: stasera;

Sparëngjë: asparagi;

Shkretë (të-): miseri, poveri;

Shënkostënjotë: abitante di San Costantino Albanese,

Shënpalotë: abitante di San Paolo Albanese;

Shpatillat: le spalle;

Shprishur (i-): disperso;

Shurbes-i: avvenimento;

Trakulonej: tramontare;

Timba malit: il sasso della montagna;

Tumac: pasta di casa;

Vangjel-i: Vangelo;

Vidh-i: olmo;

Vrundull: ventoso;

Vuxh-a: voce;

Zienej (I -): bollire.

*Biografia Emanuele Rosanova

U le në diten 13 maj 1994, ka prindërit arbëresh ka Strigari, në Bitonto (Bari). Sot rri me shpi në Castrovillari ku shurben. Ai studjarti në Universitetit në Cosenza dhe muar diplomin si advokat në Catanzaro. Si gazetar shkruan mbi arbëreshët dhe mbi eparkinë e Ungres në revisten “Lajme”. Mësoi gjuhën arbëreshe pranë Qëndërs albanologjike themeluar nga  A  Bellusci në katundin arbërsh nëFrasnita dhe është Sekretar i kësaj Qëndre Albanologjike.  

Filed Under: Emigracion

Kryeministri Kurti takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë

February 24, 2024 by s p

Prishtinë, 23 shkurt 2024/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, takoi ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi për temat aktuale.

Fillimisht u diskutua mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kryeministri Kurti i falënderoi shtetet e QUINT-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe i informoi ata mbi hapat që po ndërmerr vendi ynë në këtë proces, duke i adresuar rekomandimet nga Raporti i Juristëve Eminent. Kryeministri deklaroi se presim avancim në procesin e anëtarësimit, si domosdoshmëri për forcimin e mëtutjeshëm të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Kryeministri theksoi dhe nevojën që BE-ja të heqë sa më shpejt masat ndëshkuese ndaj vendit tonë, pasi arsyet për të cilat janë vendosur kanë pushuar qysh në shtatorin e vitit të kaluar, kur qeveria ka bërë veprimet në krijimin e bazës ligjore për mundësimin e procesit të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Filed Under: Analiza

Kur invazioni turk binte si bresheri mbi vreshtat e kulturës shqiptare, Buzuku solli Mesharin e shpresës së tij

February 24, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Rryma humaniste e shekullit XV nuk mund të mungonte së krijuari një të tillë edhe në kulturën shqipe nëse do të kishte vazhduar ndikimin. Ishte sall invazioni turk ai qe veproi si breshëri për vreshtat, i cili duke goditur një nga një të gjitha rrënjët e tyre, jo vetëm i than e i zhvesh, duke i privuar nga prodhimi i atij viti, por edhe i bën të papërdorshme më, derisa të mos mbillen më vreshta të reja.

Gjithë çka ishte kulturë, u zhduk. Heshti organoja e katedrales së Shkodrës nga momenti që gjithë popullësia e saj, deri asokohe latine, emigroi duke u sistemuar e tëra në Venedik; mbetjet e mrekullueshme të monumenteve romane të Durrësit filluan t’u shërbenin si gurrore turkëve dhe ciganëve që nisën të vërshonin aty; lumenjtë, të lënë pas dore në rrjedhën e tyre, nisën të mbulonin me baltë e kallama Apolloninë e ndërtuar sipas stilit grek dhe Butrintin sipas atij roman. Kapitolet e katedraleve, kolegjet, manastiret e famshëm benedetë, bazilianë apo domenikanë u rrënuan gjithandej. Vetëm aty-këtu ndonjë prift i trembur mbeti bashkë me popullësinë, e ndonjë qelëz fretërish françeskanë vulosi në ndërgjegjje trashëgimninë e rrënimit të madh të institucioneve.

Po me të kaluar vrulli i stuhisë turke, u pa të rikthehej tek-tuk ndonjë famulltar e të rigjallërohej ndonjë kishë. Veçse, s’duhet të harrojmë se jemi, në shekullin XVI, kur kishin vdekur dhe të fundit priftërinj të mbetur gjallë, e ata që i kishin zëvendësuar, qenë njerëz të varfër e të paditur, që punonin gjithë ditën për të siguruar jetesën e që mezi arrinin t’i lexonin librat liturgjikë, pa i kuptuar fare.

Ja, në një ambjent të tillë e për t’i ardhur në ndihmë rimëkëmbjes, na shfaqet libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe, me autor një famulltar, Gjon Buzukun, i cili duket ta ketë përgatitur materialin, gati rrëmbimthi, currenti calamo, e ta ketë dhënë për shtyp brenda pak muajve. Po gjithësesi, nëse shohim përmbajtjen e librit, sigurisht të bazuar te liturgjia romane e në këtë pikëpamje një vademecum për një prift që nuk kuptonte latinisht, mund të pohojmë se bëhet fjalë për një vepër të konsiderueshme, për të qenë e para që njihet në lindjen e një literature.

Më tej, mbetet për t’u shpjeguar rallësia e mbijetesës së një vepre të tillë (një kopje e vetme), ku mundet të supozohet se rreptësia e njohur e Romës përballë zëvendësimit në gjuhën kombëtare të liturgjive latine, të ketë arritur deri aty sa ta ndalojë e t’i zhdukë nga qarkullimi kopjet e këtij libri.

Mirëpo nga ana tjetër, mbetet e pashpjegueshme me fakte, ende dhe sot, se si vallë një prift i varfër si Buzuku, apo një komunitet katolik njerëzish të varfër të detyruar të shpërngulen nëpër male, arritën të mendonin realizimin e një ndërmarrje të tillë kaq të kushtueshme, siç ishte asokohe botimi, e t’ia dilnin mbanë pa ndihmën e Selisë së Shenjë. Mund të aludohet edhe se ajo vetë mund ta ketë marrë përsipër iniciativën, ashtu siç do ta shohim shpesh më vonë për vepra të tilla.

Po gjithësesi, edhe nëse citojmë tezën tjerër, sipas së cilës libri u ndalua dhe kopjet e botimit u shkatëruan, përderisa sot në Bibliotekën e Vatikanit ruhet vetëm një kopje, përsëri mbetet i pakontensueshëm jo vetëm fakti se ishte liturgjia romane ajo që i shënoi zanafillën – qoftë edhe në mënyrë jo zyrtare – orvajtjes së parë të përpunimit të gjuhës shqipe, porse ishte ajo që arriti të ushtrojë një ndikim të madh edhe në vazhdim, për lartësimin dhe pasurimin e kësaj gjuhe nga pikëpamja letrare.

“Edhe gjetja e kopjes së vetme të librit, në një gjendje gati të shqyer, në Bibliotekën e Kolegjit të Propagandës, që në vitin 1740”, siç na rrëfen zbuluesi i saj i parë, monsinjor Kazazi, tregon se nxënësit shqiptarë të kolegjeve duhet ta kenë përdorur shpesh e të jenë formuar gjatë me të, përderisa gërmat dhe karakteret e veçanta të botimeve shqiptaro-katolike deri në fundin e shekullit XIX, madje deri më 1909, rrjedhin padyshim nga ato gërma e karaktere që pat sajuar Buzuku.

Filed Under: LETERSI

#SiSot, më 24 shkurt 1871, u lind në Manastir, atdhetarja që mëkoi për organizimin e arsimimit të vajzave në shqip, Sevasti Dako Qiriazi

February 24, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Së bashku me motrën e saj, veprimtaren e përkushtuar për arsimimin e vajzave, Parashqevi Qiriazin, edukoi në këtë shkollë brezat e parë të të rejave. Ka hartuar dhe redaktuar një sërë tekstesh shkollore bashkë me të shoqin, arsimtarin atdhetar Kristo Dako. Ka qenë pjesëmarrëse në të dy kongreset e rëndësishme që hodhën themelet e alfabetit dhe arsimit shqiptar, në Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit.

Në drejtim të çështjeve kombëtare, ka bashkëpunuar me kryeministrin e Pavarësisë, Ismail Qemalin, si edhe me grupet patriotike shqiptare që gjendeshin jashtë vendit. Në cilësinë e kryetares së Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, trumbetoi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ligjëratat e mbajtura në shumë forume ndërkombëtare. Përpjekjet e saj për zhvillimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të femrës shqiptare, vijuan edhe pas kthimit të saj në Shqipëri në vitin 1920, me hapjen e institutit femëror “Kyrias”.

Në dokumentet bashkëngjitur, paraqiten fragmente autobiografike nga shënimet e Qiriazit, të përmbledhura nën titullin “Lufta për emancipimin e bijave të shqipes”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#SevastiQiriazi

#DPA

#AQSH

#FototekaAQSH

Filed Under: Histori

POEZIA E ESAD MEKULIT NXITË KUJTESËN DHE SHPRISHË HARRESËN

February 24, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Rileximi kritik i poezisë së Esad Mekulit, pas dyzet vjetësh, sikundër e bëra për këtë rast, më pasuroi me një provokim të ri ndaj kujtesës dhe harresës, të cilat së bashku e konstituojnë lakoren e formimit intelektual dhe natyrës së tij. Duke i rilexuar disa nga poezitë, ato më ktheheshin në kujtesë si poezi që në fëmijëri i kam mësuar përmendësh, ngase kanë qenë në librat shkollor dhe i kemi recituar edhe në ditën e shkollës apo të festave shtetërore të asaj kohe. Të fashitura në kujtesë, sapo aktivizohen, ato sjellin në mendje emocione dhe përjetime të fëmijërisë dhe të mënyrës si propozohej njohja e vlerave dhe e botës brenda një formacioni konkret ideologjik. Të këtij grupimi janë poezitë ‘O vëlla me sharrë në krahë”, “Ramiz o vëlla”, ”Popullit tim”, “Shqiptari këndon”, etj.

Të ngarkuar ose të indoktrinuar me imazhet dhe mesazhet e këtyre poezive, ne kemi ecur në jetë duke bartë meszzhet e një ideologjie, që e ka pasur të mishëruar militiantizmin revolucionar, idenë e barazisë së njerëzve e të popujve dhe humanizmin. Por, duke e mësuar përmendësh në vargje poetike e duke mos i përjetuar në realitet ato vlera, ne e kemi përjetuar botën në një mënyrë jorealiste dhe agnostike, pa gjykim kritik e pa liri të vërtetë mendimi. Pra, prezenca e këtij bagazhi ideologjik, të paketuar si artistik në kujtesë, ka tagrin e vet në formimin tonë dhe në komunikimin tonë.

Ndërsa, duke i rilexuar poezitë jorevolucionare, joideologjike, më rizbulohen në kujtesë vargje brilante, mbresëlënëse estetikisht, të cilat e rizbulojnë Esad Mekulin mjeshtër të deskripcionit, të meditimit mirëfilli poetik. Të kësaj kategorie, estetikisht mbresëlënëse, janë pozitë: “Prej fëminisë”, “Mbramja”, “Andrra e vajzës”, “Malli për të pambërrijtshmen”, “Në mëngjes:, “Metohi”, “Në grykë”, etj. Të fisnikëruar me imazhet dhe mesazhet e poezive të kësaj kategorie, ne si gjenerata kemi marrë një edukim estetik të mirëfilltë, me çka na është rritur ndjenja për të bukurën në natyrë e në jetë dhe na është injektuar edhe atdhedashuria.

Duke i rilexuar me vëmendje të shtuar, në kontekstin e ri të dijes për artin letrar, në kontekstin e moshës dhe në relacion me përvojën personale poetike, shoh se Esad Mekuli ka qenë mjeshtër për të fiksuar imazhin, për të hetuar natyrën e fshehur të gjendjeve e të gjerave me anën e krahasimeve befasuese, gjë që më bind se këtë ia ka mundësuar jo vetëm prirja e poetit, po edhe intuita e shkencëtarit. Ja disa nga krahasimet, në të cilat e mbështes këtë hipotezë:

1. si tufa mëndafshi t’artë në të kaltren shami/ (Mbramja, 13)

2. Retë luejnë n’naltësi si qingjat n’kodrina.

3 Fushat erënjoma shtrihen/si trup’i gufuem femne

4.Qiella tash bëhet si çerep i zi

5. Bari asht i butë si mëndafshi.

Krahasimi si figurë stilistike në vargun e Esad Mekulit më duket si bisturia në dorën e kirurgut, e cila zbulon shtresat e padukshme të lëkurës, për të depërtuar deri në pikën ku mund të kërkohet diagnoza. Në studimet shkencore, metoda krahasuese llogaritet si njëra nga metodat kryesore të studimit, për të cilën një nga nga teoricienët mbi metodat, ka thënë se pa krahasimin as që mund të ketë një hulumtim shkencor. Duke qenë shkencëtar në plan të parë, Esad Mekuli e ka pasur të thekshme intuitën scientiste në të vërejturit e dukurive, gjendjeve, veçmas atyre natyrore dhe kjo e ka bërë kaq efektiv në përftimin e vargjeve me anën e krahasimit, po edhe të metaforës në shumë raste të tjera.

Konkludimi im nga ky rilexim kritik i poezisë se Esad Mekulit, pas një kohe kaq të gjatë, është se ky autor po edhe të tjerë të brezit të tij, duhet të rilexohen e të studiohen, në dritën e konteksteve të reja sociale dhe të metodave të reja të studimit të letërsisë.

Hans Rober Jausi në studimin e tij “Estetika receptive”, një rast ka thënë se: “historia e letërsisë është proces i receptimit dhe prodhimit të së estetikshmes, gjë që me aktualizimin e teksteve artistike e realizojnë lexuesi që e pranon, kritiku që mendon dhe shkrimtari që e prodhon.”(f.59) Ky citat i Jausit, të cilin unë e kërkova pas ndërtimit të hipotezës lidhur me kujtesën dhe harresën në raport me poezinë e Mekulit, sigurisht edhe këtë në bazë të kujtesës, tingëllon si i shkruar për këtë rast. Në fakt, është fjala për trekëndshin ndërmjet lexuesit, kritikut dhe autorit, kur ndodhë, si në këtë rast, aktualizimi i teksteve artistike.

Gjithsesi në procesin e aktualizimit dhe të rivlerësimit edhe të teksteve poetike të këtij autori, po edhe të autorëve të tjerë të asaj gjenerate, sociologjia e letërsisë do të na ndihmonte ta mirëkuptojmë pjesën e poezisë që ka ngarkesa ideologjike e motive revolucionare dhe që glorifikon edhe figura që tashmë dihet se janë figura mostruoze në raport me ne shqiptarët, siç janë fjala vjen Petar Petroviq Njegoshi e Josip Broz Tito. Në kohën tonë janë zbuluar dokumente e dëshmi figura të tilla por në kohën kur i ka shkruar poeti, ato nuk kanë qenë as të njohura e as e mundshme që të thuhej diçka jashtë klishesë së diskursit dominant.

Ndërsa, qasjet e reja në studimin e tekstit letrar, me dekonstruktimin e tekstit, na mundësojnë ta vlerësojmë edhe më mirë aftësinë e formësimit të mendimit e të figuracionit poetik nga poeti Esad Mekuli, afinitetin ndaj motiveve sociale, humanizmit, shqiptarizmit, si dhe dashurisë. Nga kjo perspektivë Esad Mekuli mund të rizbulohet si poet emancipues në poezinë shqipe të Kosovës.

Kur është fjala për rolin emancipues, roli i tillë i Mekulit në letërsinë shqipe të Kosovës është shumë më i gjerë se sa më poezinë e vet. Si kryeradaktor i revistës letrare “Jeta e re” Mekuli ishte redaktori-mësuesi i gjithë shkrimtarëve që filluan të shkruanin nga fillimet e viteve pesëdhjetëe këndej. Ishte avokati i tyre përballë pushtetit të rrezikshëm. Në një rast më ka treguar këtë përvojën të tijën me pushtetin: tekstet që zgjidhte për botim detyrohej t’i përkthente serbisht e ato i dërgoheshin për vlerësim ideologjik Stanoje Aksiqit, i cili dinte të bënte vërejtje ideologjike të cilta duhej të mirreshin në konsideratë. Pas kësaj pune të mundimshme, Esadi i finalizonte tekstet e autorëve dhe i botonte. Një punë kaq të mundimshme, ka mundur ta bënte vetëm një njeri që e donte shumë letërsinë dhe që i donte shumë shkrimtarët e rinj, të cilët i mbronte me sa mundej. Falë asaj pune të mundimshme e këmbëngulëse, nga revista “Jeta e re” u konsolidua një gjeneratë e tërë e shkrimtarëve të talentuar, që i dhanë ritmin mbarë e letërsisë shqipe në Kosovë.

Në këtë aspekt, mund të thuhet se Esad Mekuli me revistën “Jeta e re” ishte siç ishte Jeronim De Rada për arbëreshët me ‘Fiamurin e Arbnit” ose Faik Konica për shqiptarët me revistën “Albania.” Pa punën e tij këmbëngulëse dhe të guximshme, letërsia shqipe në Kosovë në vitet pesëdhjetë- tetëdhjetë, do të ishte më e zbehtë, më e zymtë, më pak artistike, më pak patriotike. Ma merr mendja se kjo revistë duhet të bëhet objekt studimi mirëfilli albanologjik, për ta kuptuar ecurinë e botimit të saj dhe formimin e shkrimtarëve të asaj periudhe, duke përfshirë edhe vlerësimin e vlerave artistike. Revista “Jeta e re”, vërtet mbetet kryevepra dhe përmendorja e përjetshme e Esad Mekulit.

Nga ana tjetër, siç shënohet në biografinë e tij të përfshirë në vëllimin “Brigjet”, botim i Rilindjes në vitin 19981, Esad Mekuli ka pasuruar fondin e veprave të përkthyera në gjuhën shqipe me rreth 110 tituj, që është një punë vërtet kolosale.

Në një vështrim rasti si ky nuk mund as të aktualizohen e lere më të zgjidhen disa cështje lidhur me kontesktin sociologjiko-letrar të poezisë së Mekulit, duke filluar nga gjuha në të cilën janë shkruar e në ndonjë rast edhe botuar ato në vitet tridhjetë, kur në Kosovë nuk kishte asnjë medie në gjuhën shqipe. Por, fakti që ato mbajnë data të viteve 1933, 1934, 1938, etj., ne na jep një alibi t’i konsiderojmë si origjinale, që nga ajo kohë, në rast se nuk ka ndonjë burim tjetër informacioni për këtë çështje. E dyta, Mekuli ka lindur në një zonë periferike albanofone, e cila në kohën e tij ka qenë albanofone, por sot nuk është, gjë që duhet të vështrohet e të vlerësohet në kontekstin e reduksionit të hapësirë shqiptare, po të shprehemi me ternin e Çabejt. Nëse një zonë e tillë ka prodhuar intelektualë të përmasës kombëtare sikundër ishte Esadi, po edhe Hasani, ndërsa sot është zonë e shuar, kjo dëshmon se shteti shqiptar i vitit 1912 dhe ky tjetri i vitit 2008, në planin e ruajtjes së hapësirës kulturore kombëtare, kanë dështuar. Kjo vërtetohet keqaz, jo vetëm në Plavë e Guci, po edhe në Rozhajë e Novi Pazar, të cilat një herë e një kohë kanë qenë qytete dhe hapësira shqiptare.

Për këtë problem, që sigurisht lidhet edhe me fatin e zi të vendlindjes së poetit tonë, e cila sot është tërësisht e dealbanizuar, një ditë do të detyrohemi të japim një përgjigje të sinqertë në pyetjen e thjeshtë: a kemi qenë më keq kur ato toka tonat kanë qenë të sunduara nga osmanët, por kanë qenë me shumicë dërrmuese shqiptare, apo në kohën kur ato toka kanë qenë e janë të sunduara nga sllavët, por me shqiptarë të çrrënjosur, ose të asimiluar? Deri sa ta japim përgjigjen dhe ajo që është më e rëndësishme, derisa ta gjejmë zgjidhjen për të ardhmen tonë kulturore e kombëtare, na mbetet të përjetojmë si shqiptare vendlindjen e Esad Mekulit dhe të kënaqemi me vargjet e tij për liqenin e Plavës. Kjo është aftësia e poetëve. Ata dinë t’i ruajnë kufijtë e atdheut, edhe kur politikanët e ushtarakët i kanë humbur dhe gjeneratat e reja i kanë harruar.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1126
  • 1127
  • 1128
  • 1129
  • 1130
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT