• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shënimi i 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada e Kosovës në SHBA

February 19, 2024 by s p

16 year anniversary of Kosovo at the Library of Congress in Washington, DC Wednesday, February 14, 2024. (© 2024 Michael Connor / Connor Studios)

Washington, D.C., 17 Shkurt 2024/

Me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ambasada e Kosovës në SHBA ka organizuar një event gjithë ditor në objektin e ri të Ambasadës në Washington D.C., dedikuar bashkatdhetarëve në SHBA.

Në pritjen e organizuar morën pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve nga pjesë të ndryshme të SHBA-ve, duke shënuar së bashku shpalljen e pavarësisë Kosovës, 16 vjet më parë.

Të pranishmit me nga një fjalë rasti i përshëndetën Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli dhe miku i madh i Kosovës, Ambasadori William Walker.

Ndërkaq, më 14 shkurt, Ambasada e Kosovës në SHBA në partneritet me Kongresistin Nga Nju Jorku, Ritchie Torres, ka organizuar një pritje për bartësit e institucioneve të SHBA-së dhe për trupin diplomatik në Washington, D.C.

Në eventin e mbajtur në Librarinë e Kongresit, para të pranishmëve, nga një fjalë rasti kanë mbajtur Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, Kongresisti Ritchie Torres dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar.

Të pranishëm ishin edhe disa kongresistë të SHBA-së, duke përfshirë Kongresistin e Connecticut Jim Himes, Kongresistin nga Texas Nathaniel Moran si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të tjera, ambasadorë dhe diplomatë të shumë shteteve të akredituar në SHBA.

Filed Under: Mergata

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” nderohet me çmimin “Ambasador i Paqes”

February 19, 2024 by s p

Sot në ambientet e Forumit Politik Diplomatik të Ballkanit u organizua ceremonia e ndarjes së çmimit “Ambasador i Paqes” për kryetarin e VATRËS Dr. Elmi Berisha. Në praninë e një audience të respektuar, akademikë, intelektualë, personalitete nga qarku kulturor, universitar, veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë nga të gjitha trojet etnike, Presidenti i FPB- së Dr. Fadil Lekaj, pas ndarjes së çmimit vlerësoi lart angazhimin e kryetarit Dr.Berisha si veprimtar politik, në rrafshin diplomatik dhe afirmimin e vlerave tona kombëtare në SHBA.

Kryetari Dr. Berisha, falënderoi Forumin Politik Diplomatik Ballkanik për këtë çmim nderi dhe u zotua që si VATËR dhe si kryetar nuk do të ndalet së punuari në interes të afirmimit të vlerave kombëtare dhe prespektivës së shqiptarëve në të gjitha trojet etnike dhe se do jenë zë i fuqishëm në institucionet dhe forumet relevante në SHBA.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe Gjeneralët dhe Komandantët e shquar të UÇK-së Hisen Berisha dhe Nasim Haradinaj, të cilët folën me pietet dhe konsiderata të larta për punën e VATRËS e në veçanti për dinamikën e viteve të fundit udhëhequr nga kryetari Dr.Berisha. Të dy gjeneralët vlerësuan lart kontributin e kryetarit Berisha duke evokuar edhe ngjarje nga lufta çlirimtare dhe kontributin e Dr. Berishës në atë periudhë kritike për kombin tonë.

Filed Under: Opinion

Filmi dokumentar Bekim Fehmiu, legjenda shqiptare e artit hollivudian u shfaq në Manhattan, në zemer të botës

February 19, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Dokumentari artistik rreth jetës dhe veprës së jashtëzakonshme të aktorit hollivudian me regjisor Valmir Tertini u shfaq në Manhattan në “Producer Club” me pronar Alfred Tollja për të cilin më duhet të theksoj se vazhdimisht e ka mbështetur artin dhe kulturën shqiptare.

Shfaqja e filmit dokumentar në zemër të botës në Manhattan u bë në saje të bashkëpunimit të TV “Alba Life” me themelues dhe producent z. Qemal Zylo, Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. nën kujdesin e z. Fation Zogiani, Bashkim Shehu anëtarë të bordit me president të Shoqatës z. Mark Qehaja dhe kryetar z. Gëzim Lamcaj, organizator dhe moderator artistin dhe regjisorin Diar Xani anëtar i kryesisë, etj.

Në flyer ishin publikuar sponsorët si TV “Alba Life”, Shoaqata Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” Inc., gjeneral Asllan Bushati, Z. Agim Aliçkaj, BrightSide Adult Center, Sergios Restorante, Paesano of Mulberry Street etj.

Veprimtarë të çështjes kombëtare, artistë, biznesmenë, personalitete të larta, diplomatë, zunë vendet për të pare dokumentarin rreth Legjendës së artit shqiptarin e madh Bekim Fehmiu.

Në hyrje mirëprisnin artistët e njohur si Arens Leka etj. Para fillimit të shfaqjes së dokumentarit z. Diar Xani përshëndeti të pranishmit dhe iu uroi atyre: “Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës” dhe ndihej krenar që ky dokumentar shfaqej në këtë ditë të shenjtë të Kosovës. Diplomati dhe Konsulli i Kosovës në Manhattan z. Fatmir Zajmi në emër të Konsullatës së Përgjithshme përshëndeti të pranishmit, regjisorin Valmir Tartini dhe iu uroi Ditën e Pavarësisë. Regjisori Valmir Tertini ardhur enkas për këtë ditë nga Shqipëria së bashku me bashkëshorten e tij simpatike u mirëprit me duartrokitje nga artdashësit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen për të ndjekur së bashku dokumentarin Bekim Fehmiu me skenar nga gazetari Fahri Musliu. Ai falënderoi Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare për financimin për të realizuar këtë dokumentar artistik.

Në ekran u shaq Dokumentari i plotë i cili dhimbshëm dhe trishtueshëm nëpërmjet bashkëshortes së tij Branka Petriç Fehmiu solli përjetimet emocionale rreth vdekjes tragjike.

Tek sa shihja dhe dëgjoja Brankën në ekran kujtoja lajmet që u dhanë atë vit në mediet shqiptare dhe botërore se si Bekim Fehmiu u gjet i vdekur në banesën e tij në Zvezdar, Beograd, ndërsa Ministri i Brendshëm serb Ivica Dacic tha se dyshohet për vetëvrasje, pasi të shtënat kanë ardhur nga arma e zjarrit tip pistoletë e regjistruar në emër të tij, Ai vdiq ne moshen 74-vjeçare.

Vëllai i tij plot fisnikëri dhe kulturë, atdhetari Arsim Fehmiu tregoi për historinë e familjes, saga e familjes Fehmiu, një narrativë e shkëlqyer sjellë nga skenaristi Fahri Musliu.

Në ekran të rrëmbente magjia e roleve te tij me artistë të jashtëzakonshem nga rolet dramatike deri në rolet artistike intime me artisten botërore Klaudia Kardinale etj. si dhe vlerësimet nga artistë të mëdhenj të Kombit si Roza Anagnosit, Timo Flloko, Piro Milkani, Enver Petrovci, Goran Markoviç etj.

Ai mbeti ndër të vetmit aktorë shqiptar i cili arriti të luajë në filma dhe seritë më të njohura botërore, sikurse në serinë “Odiseu”, filmat: Aventurierët”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, etj.

Pas shfaqjes TV “Alba Life” me të drejtën ekzkluzive të këtij promovimi mori disa intervista si me regjisorin e dokumentarit Valmir Tertini i cili ndërmjet të tjerash tha: se ai ishte frymëzuar nga libri i Fahri Musliut, i cili është nje gazetar i mirënjohur, korrespondent shumëvjeçar i Rilindjes dhe medieve të tjera të Prishtinës nga Beogradi.

Ne punuam fort per ta sjelle këtëdokumentar në publikun shiqptar dhe botëror rreth jetës së ikonës së kinematografisë botërore Bekim Fehmiut. U takuam me bashkëshorten e tij Brankën, vëllain, hulumtuam nëpër arshiva të ndryshme. Ai luajti disa role të mëdha filmi “Mbledhësit e puplave”, i nominuar edhe për “Oskar”, mori famë të madhe, kurse seriali televiziv “Odiseu” (1968) e ngjiti në piedestal duke e quajtur Aktor Homerik dhe duke u vlerësuar nga personalitetet më të fuqishme të artit.

Regjisori Tertini me origjinë nga Kosova tregoi shkurtimisht dhe për jetën e tij dhe si eci drejt rrugës së artit. Valmir Tertini është fitues i disa çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare për filmat e tij. Ai ka lindur në Gjakovë, më 26 prill 1993.

Ai tha se ka projekte të tjera për të realizuar dhe po punon për t’i përfunduar.

Para kamerave të TV “Alba Life” u ftuan dhe artistët e shquar si Blerim Gjoci ardhur nga Los Angelo,s Hollivud, i cili tha se e kishte takuar ditë me radhë Bekim Fehmiun dhe kishte pirë kafe me të. Unë frymëzohesha nga madhështia e tij si shqiptar, nga idetë e tij, nga mësimet e tij. Jam krenar që e kam njohur nga afër dhe tejet krenar që shqiptari ynë nga Kosova arriti majat më të larta të artit botëror.

Aktori i mirënjohur Luan Bexheti falënderoi regjisorin Tertini për këtë dokumentar të arrirë dhe solli kujtime me Bekim Fehmiun dhe djalin e tij Uliskin. Ai kishte luajtur filma me të birin dhe tha se Uliski ishte shumë shqiptar në shpirt dhe zemër. Luan Bexheti është i vetmi aktor shqiptar që është përfshirë në antologjinë për aktorë “Actor`s Handbook”, shkruar nga Sherry Eaker.

Artisti tjetër plot perspektivë Shpend Xani solli kujtimet e tij dhe frymëzimin që ka marrë nga legjenda Bekim Fehmiu. Ne kemi mësuar për rolet e tij në Universitet dhe pohoj se Bekim Fehmiu në kinematografi dhe Aleksandër Moisiu në teatër janë dy gjenitë e artit shqiptar që deri më sot nuk ka arritur asnjë artist shqiptar.

Artsti dhe regjisori Diar Xani si organizator pohoi para kamerave se ndjehej krenar që ky film dokumentar u shfaq në “Producer Club” dhe do të vazhdojë më tej për projektet e tij të radhës.

Fation Zogejani si një ndër organizatorët tha për punën dhe përkushtimin që u bë për ta promovuar dokumentarin artistin e madh Bekim Fehmiu, në 16-të Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ai shprehu dhe keqardhjen e madhe, pengun e shqiptarëve që Bekim Fehmiut nuk i ishte dhënë mundësia për luajtjen në ndonjë film shqiptar.

Së shpejti TV “Alba Life” me kameraman anëtarin e stafit, gazetarin e mirënjohur nga Kosova Valon Gërbeshi do të sjellin kronikën e realizuar enkas për këtë ditë të shënuar të promovimit të dokumentarit Bekim Fehmiu për ta transmetuar në kanalet televizive.

Aktrimi nga legjenda Bekim Fehmiu

Rolet e tij sipas Wikipedias jane: në “Prova speciale”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, përmenden si kryevepra. Nga filmat e para ka qenë “Ko puca otvorice mu se”, “Vitet e nxehta”, “Protesta”, “Eskadrionet e partizanëve” dhe “Të kuq dhe të zinjë”. Ai ka bashkëpunuar me John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale etj. Ka interpretuar në shqip, sërbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht.

Bekim Fehmiu është një nga artistët më të mëdhenj shqiptarë. Nga viti 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në teatrin jugosllav të dramës, ai i dha lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Pas disa kohësh mori dhe vendimin për t’i dhënë fund karrierës edhe në aktivitetet artistike botërore. Pak kohė më parë në Jugosllavi është botuar libri me kujtime i Bekim Fehmiut, “Shkëlqim dhe frikë”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithëçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës.

17 shkurt, 2024

Manhattan, New York

Filed Under: Emigracion

Në Philadelphia valon flamuri i Republikës së Kosovës

February 19, 2024 by s p

Shqiptarët në Philadelphia organizuan ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës në bashki.

Nga dr. Sadik Elshani

Fotot: Eva Dori, gazetare

Pas shpalljes së pavarësisë së shqipërisë më 28 nëntor 1912, shpallja e pavarësisë së Kosovës është ngjarja më e rëndësishme në historinë e popullit tonë. Më 1912 shqiptarët fituan një shtet të cunguar, më shumë se gjysma e trojeve tona dhe të popullsisë sonë mbetën jashtë kufijve shtetëror. Por, ëndrrat, përpjekjet mbinjerëzore të brezave të tërë të shqiptarëve nuk u shuan kurrë. Për më shumë se një shekull Kosova kaloi një kalvar të mundimshëm, duke u kanosur edhe nga zhdukja e faqës së dheut. Prandaj, shpallja e Kosovës shtet i lirë e i pavarur, i njohur nga fuqitë e mëdha e demokracitë më të përparuara të botës, është një ngjarje madhështore, shumë e gëzueshme që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Shkurt, në Kosovë ka ndodhur nje mrekulli, një ringjallje. Një Feniks i vërtetë, është ringjallur Dardaniia e lashtë në një shtet të ri.

Shoqata jonë, “Bijtë e shqipes”, gumëzhonte nga gëzimi në ditën që u shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008. Pastaj ajo vazhdimisht me shumë veprimtari e ka shënuar çdo përvjetor të pavarësisë së saj. Nga viti i kaluar kemi filluar edhe me organizimin e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e qytetit të Philadelphias. Nuk ka vend më solemn për ta festuar pavarësinë e një vendi sesa në Philadelphia, vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin. Eshtë ky një nder i jashtëzakonshëm për komunitetin tonë, Kosovën, kombin tonë – është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, pavarësi, paqe, drejtësi e përparim.

Në sheshin e bashkisë ishin mbledhur bashkatdhetarët e gëzuar e të qeshur për të festuar këtë Ditë të Madhe për Kosovën e kombin tonë. Mbretëronte atmosferë festive, ngazëllyese: valonin flamujt e Kosovës, kuqezi e amerikanë; jehonte kënga e vallja shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive nga Kosova dhe ngjarjet e lavdishme të historisë së saj: “Po ku je Adem Jashari…” Në këtë ceremoni merrte pjesë edhe ambasadori i Kosovës në ShBA, z. Ilir Dugolli, i shoqëruar nga këshilltari i kësaj ambasade, z. Drilon Gashi, si dhe kapiteni Lulzim Krasniqi, atashe i Policisë së Kosovës. Merrnin pjesë ehde këshilltarët e Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, zotërinjtë: Michael Driscol, Mark Squilla dhe Curtis, Jones Jr. Nga Zyra për Çështjet e Emigrantëve merrte pjesë z. Alain Joinville, drejtor për Komunikime Strategjike e Programe. Ishte i pranishëm edhe z. Christopher Chaplin, kryetari i Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia.

Këtë ceremoni e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes”, i cili i përshëndet të pranishmit, duke ua uruar Festën e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ai i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve të cekur më lart. Pastaj u luajtën himnet kombëtare të Amerikës dhe Kosovës. Gjatë luajtjes së himnit të Kosovës ngrihej në shtizë edhe flamuri i saj. Flamuri u ngrit nga z. Avdi Osmanollaj, 81 vjeçari nga Hasi i Prizrenit, i shoqëruar nga çifti nga Kosova, Sahadete e Lumni Shurdhiqi. është ky një nderim që shoqata u ben anëtarëve të saj të dalluar. Në emër të shoqatës “Bijtë e shqipes” përshëndeti anëtari i Këshillit Drejtues, biznismeni i ri e i suksesshëm, z. Leotrim Osmanollaj. Në fjalën e tij të përgatitur bukur z. Osmanollaj foli për rëndësinë e kësaj ngjarje të shënuar të historisë sonë, përpjekjet e sakrificat e shqiptarëve ndër vite për liri e pavarësi: “Teksa sot festojmë 16 vjet pavarësi, ne përulemi përpara gjakut dhe sakrificës së qindra mijëra grave e burrave që ndër shekuj luftuan pa kursyer edhe jetën e tyre, vetëm më një qëllim, një qëllim madhor që një ditë në Kosovë të valvitet flamuri i lirisë; që të jetojmë të lirë e të pavarur në trojet tona të lashta ilire…Liria është e shtrenjtë dhe tepër e brishtë. Edhe sot, 16 vite pas shpalljes së pavarësisë, atdheu na kërkon të jemi vigjilentë e të kujdesshëm” – u shpreh ndër të tjera z. Osmanollaj. Ai për të pranishmit solli edhe një citat nga ish-presidenti amerikan, Roland Regan: “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes. Duhet të luftohet dhe të mbrohet.”

Këshilltarët Michael Driscoll e Mark Squilla u uruan të pranishmëve Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar përpjekjet dhe synimet e popujve për liri e pavarësi. U kujtuan atyre se një gjë e tillë kishte ndodhur më katër korrik 1776, vetëm disa blloqe më tutje nga ku po mbahej ceremonia e sotme. Ata cekën edhe 250 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së ShBA-ve që do të festohet në vitin 2026. Që të dy këshilltarët folën për rolin e emigrantëve në zhvillimin e Philadelphias. Ata posacërisht i vlerësuan emigrantët shqiptarë që në këtë qytet dhe anambanë Amerikës kanë sjellur talentet e tyre, vlerat familjare e njerëzore, etikën e lartë të punës e ndershmërisë. Nuk mungoi as porosia e tyre për ta ruajtur gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare.

Ambasadori Ilir Dugolli kishte përgatitur një fjalim të shkëlqyer, duke vlerësua lart simbolikën e mbajtjes së kësaj ceremonie pikërisht në qytetin e Philadelphias. Ai falenderoi komunitetin dhe qytetin për pritjen e ngrohtë që i ishte bërë vitin e kaluar, prandaj me shumë dëshirë kishte ardhur përsëri në mesin tonë. Zoti Dugolli në vazhdim foli për rëndësinë e kësaj dite në historinë e Kosovës, përpjekjet e shtetit e shoqërisë kosovare për t’u inkuadruar në organizata euroatlantike. Foli pastaj për vlerat e përbashkëta që ndajnë Amerika e Kosova. Gjithashtu ai shprehu mirënjohjen e falenderimet për ShBA-të dhe aleatët e saj për çlirimin e Kosovës, ruajtjen e lirisë e të pavarësisë së saj, ndihmesën e tyre të pakursyer për ndërtimin e institucioneve demokratike e zhvillimin ekonomik te shtetit të Kosovës.

Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Ai i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u përshtatur në jetën e qytetit të Philadelphias. Po ashtu, ai e ceku se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mire: të mirëpritur e të vlerësuar. Pastaj zoti Joinville lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiakja Cherelle Parker e shpallte 16 shkurtin e vitit 2024, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre.

Me një përshëndetje të shkurtër të pranishmit i përshëndeti edhe zonjusha Dzana Badnjeviq, koordinatore për Ngjarje (events) e Projekte Speciale në Zyrën e Përfaqësuesit të Qytetit. Dzana Ka bërë edhe një punë të palodhshme për organizimin sa më të mirë të kësaj ceremonie. Ky program i ngritjes së flamujve të vendeve të origjinës së komuniteteve në Philadelphia është një program që duhet vlerësuar, sepse me ngritjen e flamurit të vendit të origjinës tënde ndihesh mirë, ndihesh i vlerësuar, i mirëseardhur për të punuar e jetuar për të rritur familjen tënde. Shoqata “Bijtë e shqipes” dhe komuniteti shqiptaro – amerikan kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me bashkinë dhe me këtë rast ne i shprehim falenderimet tona për qytetin e Philadelphias, për Amerikën – vendin e mundësive të pa kufijshme.

Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!

Philadelphia, më 16 shkurt 2024.

Filed Under: Kronike

McGonigal dënohet me 28 muaj burg për marrjen e 225 mijë dollarëve, fshehjen e kontakteve me zyrtarët e Shqipërisë

February 19, 2024 by s p

Rafael Floqi/

Dy dënime me burg për ish-kreun e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, i dhanë një sy të zi FBI-së.

Ish-gjuetari kryesor i spiunëve të FBI-së në Nju Jork u dënua në Uashington të premten me 28 muaj burg për fshehjen e të paktën 225,000 dollarëve në pagesa që kishte marrë nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare ndërsa punonte për këtë byro.

Charles McGonigal do të duhet të vuajë dënimin e tij në krye të një dënimi prej 50 muajsh burg që ai mori veçmas në Nju Jork vitin e kaluar për komplot të paligjshëm me një oligark rus që donte të hiqej nga lista e sanksioneve të SHBA.

McGonigal, 55 vjeç, është një nga agjentët e rangut më të lartë të FBI-së i dënuar ndonjëherë për akuza penale dhe prokurorët federalë të premten i kërkuan gjykatëses së qarkut të SHBA-së, Colleen Kollar-Kotelly, të grumbullojë dënimet pasi veterani 22-vjeçar i byrosë pranoi se kishte kryer krimin. shkeljet që ai ishte betuar të hetonte.

McGonigal ishte agjent special i ngarkuar me divizionin e kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork nga viti 2016 deri në pensionimin e tij në shtator 2018. Ai pranoi se kishte fshehur nga FBI-ja marrjen e pagesave nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, një ish-oficer i inteligjencës shqiptare dhe takimet e tij me zyrtarë të huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. McGonigal tha se ai kërkoi të shmangte pyetjet në lidhje me një konflikt interesi midis detyrave të tij zyrtare dhe planeve private për të ndërtuar mundësitë e tij të biznesit pas daljes në pension në atë vend. McGonigal u akuzua veçmas për fshehjen e lidhjeve të tij me ish-zyrtarin shqiptar, një shtetas amerikan i natyralizuar që jetonte në Nju Xhersi. McGonigal ka thënë se ai mori hua 225,000 dollarë për të nisur një biznes konsulence sigurie pasi të pensionohej nga FBI. Ai nuk e ktheu kredinë. Në vitin 2017, McGonigal fluturoi në Shqipëri me bamirësin e tij dhe u takua me një ish-ministër shqiptar të energjisë dhe kryeministrin e vendit. Sipas prokurorëve, McGonigle paralajmëroi kryeministrin të shmangte dhënien e licencave për shpimin e fushës së naftës në Shqipëri për kompanitë ruse.

Ata thonë se shoqëruesi i udhëtimit të McGonigal dhe ministri i energjisë kishin aksione financiare në vendimet e qeverisë shqiptare për licencat e shpimit. McGonigal u deklarua fajtor shtatorin e kaluar për fshehjen e fakteve materiale, një akuzë e dënueshme me një dënim maksimal prej pesë vjetësh burg. Ai pranoi se nuk ka raportuar kredinë, udhëtimin e tij në Evropë me personin që i ka dhënë paratë hua apo kontaktet e tij me zyrtarë të huaj gjatë udhëtimeve. “Ai e vuri lakminë e tij mbi shërbimin ndaj vendit të tij,” tha të premten një prokurore, Elizabeth Aloi.

Në një ndjekje paralele federale në Manhattan, McGonigal pranoi më herët se kishte komplotuar për të pastruar para dhe për të shkelur sanksionet e SHBA-së që synonin të ndëshkonin miliarderin rus Oleg Deripaska, një oligark me lidhje me presidentin Vladimir Putin. Në rolin e tij në FBI, McGonigal ishte ngarkuar të hetonte Deripaska, aktakuza e të cilit për akuzat për shkelje të sanksioneve u zbulua disa muaj përpara asaj të McGonigal.

Akuzat kundër McGonigal tronditën botën e heshtur të kolegëve të tij zyrtarë të lartë të inteligjencës amerikane, duke pasur parasysh thellësinë e njohurive të tij për praktikat e spiunazhit të SHBA-së dhe aksesin e jashtëzakonshëm në informacione të ndjeshme. Shqetësues i veçantë ishte aksesi i tij në hetimet e spiunëve të huaj ose shtetasve amerikanë të dyshuar se punonin në emër të qeverive të huaja, si dhe humbja e agjentëve amerikanë jashtë shtetit.

Në dokumentet e dënimit, ndihmës avokatët amerikanë Elizabeth Aloi dhe Stuart D. Allen e quajtën fshehjen e pagesave nga McGonigal, “në thelb, korrupsion që minon transparencën dhe besimin në integritetin e Degës Ekzekutive të qeverisë”. Ata shtuan: “I pandehuri është betuar se do të hetojë dhe parandalojë krimet kundër Shteteve të Bashkuara, jo t’i kryejë ato”.

Sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë në rastin e tij të pagesave në Uashington, D.C., McGonigal pranoi një akuzë për fshehjen e provave materiale. Prokurorët hodhën poshtë tetë akuza të tjera: dy akuza për falsifikim të të dhënave ose dokumenteve në raportet e tij të zbulimit në FBI dhe gjashtë akuza të tjera për fshehjen e fakteve materiale ose dhënien e deklaratave të rreme për hetuesit.

Puna e McGonigal në emër të Deripaska filloi në vitin 2019, kur ai u punësua në mënyrë legjitime si konsulent dhe hetues nga një firmë ligjore që përpiqej të zhbënte listën e sanksioneve të SHBA-së të manjatit të aluminit. Por McGonigal pranoi se gjatë disa muajve në vitin 2021, ai mori detyra shtesë hetimore për të cilat ai mori ato që ai dinte se ishin pagesa të paligjshme nga një bankë e Qipros të filtruar përmes një kompanie të Nju Xhersit.

McGonigal kishte për detyrë të gërmonte papastërtitë mbi një oligark rival rus, Vladimir Potanin, me të cilin Deripaska kishte luftuar për kontrollin mbi kompanitë gjigante të metaleve industriale ruse, pasi ato u privatizuan në vitet 1990. Megjithatë, pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, Deripaska u ndalua të bënte biznes me bankat amerikane dhe entitete të tjera. Sidoqoftë, McGonigal negocioi me një bashkëpunëtor të Deripaska-s për pagesa mujore prej 25,000 dollarësh që do të dërgoheshin në një llogari të kontrolluar nga Sergey Shestakov, një përkthyes për qeverinë amerikane, i cili ishte një ish-diplomat rus. Shestakov u akuzua për McGonigal dhe u deklarua i pafajshëm dhe do të përballet me gjyqin në qershor në Manhattan me akuza për komplot, shkelje të ligjit të sanksioneve të SHBA-së, pastrim parash dhe deklarata të rreme.

McGonigal kaloi më shumë se dy dekada në FBI, duke punuar në disa nga çështjet kryesore të sigurisë kombëtare, nga ndalimi i një komploti për të bombarduar metronë e qytetit të Nju Jorkut e deri te publikimi i një grumbulli dokumentesh të klasifikuara nga WikiLeaks. Ai u ngrit në gradat për t’u bërë shefi i saj i kundërzbulimit në Nju Jork përpara se të tërhiqej në vitin 2018.

Rënia e tij nga hiri filloi në vitin 2017 teksa përgatitej për pension, sipas dokumenteve të gjykatës. McGonigal i kërkoi ish-oficerit shqiptar të inteligjencës, i cili ishte bërë shtetas i natyralizuar i SHBA-së, një hua ndërsa diskutonin për mundësitë e biznesit. Kredia nuk u shlye kurrë. Të dy udhëtuan drejt Shqipërisë dhe vendeve të tjera ku individi kishte interesa biznesi dhe u takua me shtetas të huaj në shumë raste. Në një nga ato udhëtime, McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë për ta paralajmëruar kundër dhënies së licencave fitimprurëse të shpimit të naftës për kompanitë ruse – një çështje në të cilën ish-oficeri i inteligjencës kishte një interes financiar.

Në shenjë vlerësimi, McGonigal i dha kryeministrit një kapelë të FBI-së. Më pas ai udhëtoi në Kosovë mer “qëllim të dyfishtë për të mbledhur informacione që ishin potencialisht të dobishme si për FBI-në” dhe “planin e zhvillimit të biznesit personal të pazbuluar” të McGonigal, thanë prokurorët. Gjatë atij udhëtimi, ai i dha një kapelë tjetër të FBI-së një politikani në Kosovë.

Rreth një muaj më vonë, në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork, ish-oficeri i inteligjencës i dorëzoi McGonigal rreth 80,000 dollarë para në dorë, si pjesë e kredisë që ai kishte kërkuar. Në vitin 2017, ai i dha McGonigal dy pagesa të tjera në shtëpinë e tij në New Jersey. Me nxitjen e McGonigal, byroja hapi një hetim për një lobist amerikan që punonte për një kundërshtar politik të kryeministrit shqiptar, në të cilin ish-oficeri i inteligjencës shërbeu si burim i FBI-së. Hetimi u mbyll menjëherë pasi McGonigal doli në pension, “pasi akuzat nuk u vërtetuan kurrë”, thanë prokurorët.

McGonigal shpreh keqardhje McGonigal kërkoi mëshirë në gjykatë të premten, duke i thënë gjykatësit se kishte një “ndjenjë të thellë pendimi dhe pikëllimi” për krimet e pranuara. “Po ju kërkoj me përulësi një shans të dytë”, tha ai, duke i kërkuar falje gruas së tij, dy fëmijëve të tyre dhe ish-kolegëve të tij të FBI-së. Në një deklaratë për gjykatësin përpara seancës dëgjimore të së premtes, McGonigal tha se veprimet e tij “të ndërmarra me qëllim të fitimit të parave pas daljes në pension nga FBI-ja mbizotëruan gjykimin dhe vlerat e mia të mira”.

Gruaja e tij Pamela, në një letër drejtuar gjykatësve federalë në Uashington dhe Nju Jork përpara dënimit të tij, tha se McGonigal “ishte ambicioz dhe po kërkonte të siguronte një jetë të mirë” për familjen e tij pas daljes në pension. “Unë besoj se kjo ambicie e la atë në rrugë të gabuar dhe e bëri atë të humbasë fokusin në realitetin e vendimmarrjes dhe veprimeve të tij,” shkroi ajo. McGonigal do të fillojë dënimin me burg më 18 mars.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1139
  • 1140
  • 1141
  • 1142
  • 1143
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT