• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT SHQIPTAR – KUSHTUAR VEPRIMTARISË PATRIOTIKE TË MEHMET PRISHTINËS

February 19, 2024 by s p

Nga: Hysen S. Dizdari

Studiues i historisë dhe i filatelisë shqiptare

Tiranë, më 29.01.2024

Patrioti dhe atdhetari Mehmet Prishtina lindi më 7 janar 1967, në fshatin Polacë, Drenicë, Komuna Skënderaj, të Kosovës, në një familje me tradita të mëdha patriotike.

Shkollën fillore e kreu po në fshatin e lindjes Polacë në vitet 1972–1975, më pas, duke qenë se babai i tij kishte emigruar në Gjermani, i mundësoi shkollimin atje në vitet 1975–1979.

Në vitin 1980 kthehet përsëri në Kosovë dhe përfundon shkollën e mesme me rezultate të larta, në vitet 1980–1984.

Një rol të madh në edukimin e Mehmetit luajti i ati, Feriz (Mehmet) Aliuka i fisit Berisha, i cili e merrte në odën e burrave që kur ishte fëmijë. Në këtë odë mbruhen ndjenjat e atdhedashurisë e të patriotizmit, duke dëgjuar si familja e tij kontribuonte me çdo formë në luftën çlirimtare, për lidhjen prej tre a katër brezash me patriotin Hasan Prishtina, pasardhëse e të cilit ishte familja e tij. Fshati i tij i lindjes Polacë dhe krahina e Drenicës janë të njohura për historinë qindravjeçare në organizimin e kryengritjeve dhe të luftës çlirimtare kundër pushtuesve serbë, duke filluar me Mirosh Kopilin (Kopiliq), Azem e Shote Galicën e duke vazhduar me heronjtë e Kosovës Hasan Prishtina, Shaban Polluzha. Aty luftoi dhe u vra gjyshi i Mehmet Prishtinës (Mehmet Ramadan Aliuka, 1900–1945) në janar të 1945-s nga forcat çetnike serbe në Drenicë, si luftëtar i brigadës së Shaban Polluzhës, në mbrojtje të popullatës civile, së bashku me të vëllanë Miftarin e deri te themeluesi i UÇK-së, heroi i Kosovës Adem Jashari.

Në vitin 1984, Kosova ndodhej nën okupimin serb, në kuadër të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe mundësitë e shkollimit të lartë në Kosovë ishin të pamundura, edhe për shkak se ai kishte prejardhjen nga një familje atdhetare e patriotike, të lidhura ngushtë me emrin e patriotit dhe atdhetarit Hasan Prishtina.

Duke qenë se babai i tij jetonte dhe punonte në Gjermani në atë kohë, zgjodhi që ta shkollonte në një nga universitetet më të mira, në universitetet e Heildelbergut dhe Paderbornit në Gjermani, të cilin e përfundoi me rezultate të larta në vitet 1986–1990, në degën Ekologji-Agronomi.

Patrioti Mehmet Prishtina, falë intelektit të tij shquhet edhe në njohjen e mirë të katër gjuhëve të huaja: gjermanisht, anglisht, turqisht, serbokroatisht. Në saje të dijeve të tij gjuhësore, filloi të punonte në Gjermaninë e viteve 1990–1999 si përkthyes dhe interpret gjyqësor në qytetin Munih të Bavarisë. Gjatë këtyre viteve u njoh dhe me veprimtarë të tjerë të shquar nga Kosova, që kishin emigruar në Gjermani. Këtu fillon edhe aktiviteti i tij patriotik dhe kontributi i tij për çështjen e Kosovës, ku ai u shqua dhe ndihmoi në organizimin e aktiviteteve politike, patriotike dhe humanitare, duke ndihmuar emigrantët shqiptarë të sistemoheshin me punë e me strehim.

Por, kontributi i tij kryesor është në organizimin e protestave masive të emigrantëve shqiptarë në qytetet më të mëdha të Gjermanisë, Zvicrës, Belgjikës, Holandës etj.

Në vitin 1996 themelon në qytetin e Munihut të Gjermanisë kompaninë “Arian Reisen und Handels” GmbH. Pikërisht në qytetin e Munihut fillon zhvillimi i aktiviteteve të rëndësishme humanitare dhe politike, duke i ndihmuar emigrantët nga Kosova e Shqipëria dhe trevat shqiptare me strehim dhe me punësimin e tyre.

Grupet e para të prira nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti e Salih Çeku, të cilat kishin mbaruar stërvitjet ushtarake në Shqipëri e të gatshëm për luftën për çlirim në Kosovë, fillimisht u detyruan që të strehohen në Gjermani, pasi sigurimi serb kishte rënë në gjurmë të tyre. Pasi kishin ardhur në Munih aty kontaktin dhe ndihmën e parë në kampin për strehim të refugjatëve që kërkonin azil politik në Munih e gjenin te Mehmet Prishtina. Vlen të ceken vetëm disa prej emrave të tyre, që edhe sot publikisht i janë mirënjohës Mehmetit, si: Bashkim Leci, Xhemajl Hoxha, Nazmi Kelmendi, Naim Gashi, ushtarakët Ruzhdi Alija-Rudi, Hasan Balidemaj, Musa Dobra, por edhe dhjetëra e mijëra të tjerë që vinin për t’u strehuar në Gjermani.

Patrioti Mehmet Prishtina, zyrat e kompanisë së tij i vuri në dispozicion të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke pritur dhe duke përkrahur politikanë, gazetarë, shkrimtarë nga Kosova e Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare, si: Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Sali Berisha, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhafer Shatri, Luan Malltezi, Thimi Nika, gazetari Bujar Muharremi, Afërdita Sokoli, Rustem Xhata, ambasadori i Shqipërisë atëherë në Gjermani Xhezair Zaganjori, avokatët Bajram dhe Nekibe Kelmendi, Fazli Bala, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Mahmut Bakalli, Pjetër Arbnori, Arbër Xhaferi, heronjtë dhe luftëtaret Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Ibrahim Kelmendi, Jonuz Trstena, ish-ministër i brendshëm etj.

Mehmeti ishte në dispozicion për të gjitha grupacionet dhe organizatat politike, klubet, shoqatat humanitare pa dallime ideologjie, sepse ai e kishte kuptuar me kohë misionin e doktrinës hasaniste, për të cilën më vonë veprimtari i njohur Adem Demaçi publikisht për herë të parë, në vitin 2009 në Vushtri tha: “Unë nuk jam simbol, por jam një ushtar i devotshëm i papërkulshëm i Hasan Prishtinës dhe aty ku e la Hasani, aty do ta vazhdojë, por së bashku do ta vazhdojmë. Kur ta krijojmë shtresën tonë të hasanistëve, atëherë nuk ka fuqi që do të na dalë përpara.”

Në vitin 1996 përkrah dhe ndihmon vëllezërit Kuzhnini, duke mbështetur iniciativën e tyre për themelimin e shoqatës “Lidhja Shqiptare në Botë (LBSH)”, të cilën e regjistron në Bashkinë e Munihut ku ishte i punësuar.

Në vitin 1997, në kohën më të vështirë për Shqipërinë, së bashku me një grup atdhetarësh nga diaspora, të kryesuar nga Nermin Vlora Falaski, vëllezërit Kuzhnini, gjeneral Tom Berishaj, Mehmet Prishtina, Toni Marku, Martin Berishaj, avokatët Bajram dhe Nekibe Kelmendi, Fazli Bala, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Mahmut Bakalli, Pjetër Arbnori, Arbër Xhaferi, Mark Krasniqi, Milazim Krasniqi etj. vizituan Shqipërinë dhe patën takime me drejtuesit e shtetit dhe partitë politike, duke dhënë kontributin e tyre në tejkalimin e situatës së vështirë politike në Shqipëri.

Në vitet 1998–1999, disa muaj përpara se forcat e NATO-s të nisnin luftën për çlirimin e Kosovës, babai i tij Feriz Aliuka, i fisit Berisha, i brumosur që në vogëli me dashurinë për atdheun, megjithëse i moshuar dhe në pension, la jetën e rehatshme në Gjermani dhe me ndërgjegje të flaktë patriotike e atdhetare mori një vendim për t’u kthyer në Kosovë dhe për t’u bashkuar e për të luftuar në krah të UÇK-së, për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë. Por, fati e kishte shkruar që ky burrë trim, fisnik dhe atdhetar të vritej gjatë luftimeve me pushtuesin serb, vetëm pak ditë para se Kosova të çlirohej. Akti i tij heroik e vendos emrin e tij në Panteonin e Dëshmorëve për Lirinë e Kosovës. Gjatë ceremonisë përcjellëse të të atit, që kishte organizuar Mehmeti në Hotelin Wolf në qendër të Munihut, erdhën për ngushëllime për 3 ditë me radhë disa mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat e Europës dhe aty në ballë i priste baca Rifat Jashari, duke e ngushëlluar Mehmetin me fjalët: “Të jesh krenar për babën! Edhe ai kishte mundësi të ishte këtu në mesin tonë në Gjermani, por ai zgjodhi luftën për liri, për të cilën se kurseu as jetën!” Këto fjalë Mehmetin e ngushëllonin shumë, sidomos kur kemi parasysh sakrificën e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, e cila u flijua në betejën për liri, me gjithsej 22 anëtarë të saj të ngushtë: nga Blerina Hamza Jashari, 6-vjeçare, e deri tek plaku 99-vjeçar.

Si i punësuar në Bashkinë e Munihut, Mehmeti arriti që të sigurojë një garanci të fortë për viza për të gjithë familjen Jashari, duke e siguruar këtë garanci edhe me kapitalin e vet. Një ditë, pas një bisede në banesën e bacës Rifat Jashari, këta së bashku shkojnë në Bashkinë e Munihut dhe marrin garancitë për viza dhe që të dy ishin të gëzuar se mund të shpëtonin jetën e fëmijëve të mitur të kësaj familjeje. Por, pas disa ditëve komunikimi në mes të bacës Rifat Jashari dhe vëllait të tij, komandantit legjendar Adem Jashari, ai ia thotë troç Mehmetit: “Faleminderit Bacës, por familja ka vendos që të mos braktisë Prekazin.” Sot baca Rifat është gjallë dhe e kujton edhe këtë rast: “Sikur ta dinin se gjaku i tyre do të na sillte lirinë që ne sot e gëzojmë.”

Akti heroik i babait të tij Ferizit me të vëllanë Idrizin dhe dy kushërinjtë Enverin dhe Avdylin që ranë dëshmorë për liri, u bë frymëzim për brezin e ri të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë për të birin Mehmet Prishtina. I frymëzuar nga kjo ngjarje, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ai u shqua, por dha një kontribut madhor në përkrahjen dhe organizimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke ndihmuar UÇK-në në mjete logjistike, armatim, veshmbathje, ushqime e çdo gjë tjetër që u duhej për organizimin dhe zhvillimin e luftës çlirimtare deri në çlirimin e Kosovës nga forcat e NATO-s, nga pushtuesi serb. Të gjitha strukturat e përfshira në luftën e UÇK-së kanë pasur nga kontributi i Mehmetit. E vërtetuar kjo edhe me dokumente, pasi Mehmetit i lindën shumë probleme në lidhje me furnizimin e UÇK-së në Gjermani. Ai i heshtur dhe me mençuri i kaloi të gjitha problemet dhe u kthye nga Gjermania pas luftës për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e Kosovës së çliruar me gjakun e dëshmorëve dhe të të rënëve për lirinë e Kosovës.

Në vitin 1999, pas çlirimit të Kosovës, ai fillon aktivitetin e tij filantropik të vullnetarizmit patriotik e atdhetar, ku shquhet duke dhënë një kontribut të veçantë për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke afruar dhe duke sjellë në Kosovë investitorë dhe kapital të huaj, si firmën e njohur “Calik Holding” Ltd. Ky investitor ka kryer investime kapitale në Kosovë, si hapjen e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe në privatizimin e rrjetit energjetik, KEK-KESCO, si dhe në ndërmjetësimin e investimeve në Aeroportin e Prishtinës etj.

Pas çlirimit të Kosovës, Mehmeti, i etur për kulturë dhe dije, vazhdon rrugën e shkollimit dhe në vitet 2001–2003 përfundon Universitetin e Hagenit në Gjermani, në Shkencat Politike-Juridike, studime master. Në vitet 2009–2011 kryen studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare – Diplomaci, Phd, në Shkenca Politike në Universitetin e Vjenës në Austri. Por, sukseset dhe arritjet e tij nuk ndalen këtu, sepse Mehmet Prishtina është dhe një biznesmen i suksesshëm.

Në vitin 2012, Mehmet Prishtina se bashku me bijtë e tij Arianin dhe Pleuratin, që të dy me studime master në ekonomi në universitetet prestigjioze të Munihut LMU dhe TU, themelon kompaninë e tij “New Prishtina Residence LLC” Real Estate, në Prishtinë: Kosovë.web.//www.newpr.biz

Ai ka fokusuar punën dhe biznesin e tij në zhvillimin e pasurive të patundshme (Real Estate) dhe deri më sot ka ndërtuar një lagje të re, me rreth 286 vila moderne në një nga zonat më të bukurat të qytetit të Prishtinës, të emërtuar lagjja dhe rruga “Hasan Prishtina”. Në hyrje të kësaj lagjeje, më 25.11.2023, ka vendosur edhe bustin e heroit kombëtar Hasan Prishtina, të derdhur në bronz. Gjatë këtyre viteve ka themeluar edhe disa kompani të tjera.

Në vitet 2007–2012 themeloi kompaninë “Swiss Kosova AG” Real Estate, Prishtinë, Kosovë.

Në vitet 2004–2007 themeloi EIC “Europe International Consulting LLC” dhe KS-Team Prishtinë, Kosovë, dhe në vitet 2003–2006 punoi si korrespondent i huaj për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në kompaninë “Presdok AG by Hans-Ulrich-Helfer”, Politikat e Sigurisë në Europë, me bazën e saj në Cyrih, Zvicër.

Kontributi madhor i patriotit e i atdhetarit Mehmet Prishtina fillon me themelimin e Fondacionit “Hasan Prishtina” në vitin 2012, ku i udhëhequr nga vlerat e larta morale, me qëllimin atdhetar e patriotik me mision historik për ringjalljen e historisë së lavdishme të Kosovës dhe heroit të saj Hasan Prishtina dhe Adem Jashari. Veprimtaria e tij filantropike, me qëllime bamirësie, mund të krahasohet pa frikë me veprimtarinë bamirëse të shqiptares së madhe Nëna Tereza.

Në këtë veprimtari ai u frymëzua edhe nga vepra e paraardhësit të fisit tij, patriotit dhe heroit të Kosovës Hasan Prishtina dhe nga akti heroik i babait tij Feriz Aliuka – Berisha, si dëshmor i luftës së fundit të Kosovës.

Por, patrioti Hasan Prishtina është një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar dhe së bashku me Ismail Qemalin e patriotë të tjerë arritën të shpallin Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Duke qenë se jeta dhe vepra patriotike e atdhetare e Hasan Prishtinës, fatkeqësisht është më pak e njohur në trojet shqiptare, jo vetëm për shkak të harresës qëllimkeqe e antishqiptare, por edhe nga neglizhenca e organeve të shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë, puna e patriotit Mehmet Prishtina dhe e Fondacionit të tij “Hasan Prishtina”, gjatë viteve 2012–2024 është përqendruar në ndriçimin e veprën e tij patriotike, me qëllime filantropike në bamirësinë kulturore, dhe ka si qëllim studimin, njohjen, ndriçimin dhe nxjerrjen nga pluhuri i harresës i jetës dhe i veprës së patriotit Hasan Prishtina.

Në saje të tij, të punës këmbëngulëse, me vullnetin e tij të hekurt, i frymëzuar nga veprimtaria patriotike dhe atdhetare e patriotit Hasan Prishtina, ai ka arritur që brenda një dekade të nxjerrë në dritë, punën madhore dhe veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të Hasan Prishtinës. Veprimtaria e patriotit Mehmet Prishtina dhe e Fondacionit të tij “Hasan Prishtina” janë unike në të gjitha trojet shqiptare, prandaj ai duhet përkrahur dhe duhet njohur nga të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Ai ka arritur që duke u udhëhequr nga idealet e larta njerëzore të bamirësisë kulturore e filantropisë të financojë shtatore madhore dhe buste të Hasan Prishtinës në qytetet kryesore shqiptare, si: Tiranë, Vlorë, Peshkopi, Kukës, Prishtinë dhe Shkup.

Disa nga arritjet e Fondacionit “Hasan Prishtina” gjatë viteve 2009–2024 janë:

Aktiviteteve të Fondacionit iu paraprin botimi i librit “Veprimtaria atdhetare Hasan Prishtina”, i autorit Bedri Tahiri nga Galica e Azem Bejt Galicës, i cili doli në dritë me ndihmën e Mehmet Prishtinës, pasi priti me vite të tëra në radhë për botim. Menjëherë, më 9 shtator 2009, me mbështetjen e Mehmet Prishtinës organizohen edhe ditët e Hasan Prishtinës nga Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë, ku në këtë manifestim të shndërruar në traditë do të spikatej fjalimi i bacës Adem Demaçi

1. Në vitin 2011, me iniciativë dhe sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

2. Më datë, 27.11.2012, në 100-vjetorin e Shpalljes Pavarësisë, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Tiranës.

3. Më 14.10.2012, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Shkupit.

4. Në vitin 2019 është ndare çmimi “Hasan Prishtina” për gazetarin e mirënjohur z. Marin Mema.

6. Në vitin 2021/22 me iniciativë dhe sponsorizim të tij është realizuar vepra “Muri i Kujtesës – Gjenocidi serb në Kosovë 99” në Parkun Hasan Prishtina në Han tw Elezit.

7. Më 7.5.2022, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Vlorës.

8. Më 28.11.2022 vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës dhe e Adem Jasharit në Mushetisht, të cilën Mehmet Prishtina e përkrahu. Vlen të theksohet se ky është projekti i parë i një monumenti pas atij në Vushtrri, që financohet me mjetet e shtetit të Kosovës dhe me angazhimin e Naim Sopit.

9. Më datë 25.11.2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset busti i Hasan Prishtinës në qytetin e Prishtinës.

10. Më datë 12.11.2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset busti i Hasan Prishtinës në qytetin e Kukësit.

11.Më datë 18.11.2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Peshkopisë.

12. Nga data 12–14 tetor 2012, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, mbahet në qytetin e Shkupit konferencë shkencore ndërkombëtare “Mbi veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës” dhe me 14.10.2012 bëhet inaugurimi i shtatores Hasan Prishtina në qendër të Shkupit, para qendrës Mavrovasja.

13. Më datë 7.10.2012, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, mbahet në qytetin e Shkupit promovimi i botimit të librit “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”, me autorë: Skender Asani, Mehmet Prishtina, Sefer Tahiri.

14. Më datë 12 gusht 2012, në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në 100-Vjetorin e Çlirimit të Shkupit, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, në bashkëpunim me ITSHKSH-në, Shkup, organizon Marshimin e Çlirimit të Shkupit, duke i bashkuar të gjitha familjet e lidhjes së 1912-s e që nga ajo datë kjo lidhje quhet “Lidhja e 1912-s është gjallë”.

15. Më datë 12.8.2013, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, në bashkëpunim me ITSHKSH-në, dr. Skender Asani, Bujar Dugolli, Ibrahim Gashi, Blerim Reka, Arben Sylejmani, organizon Akademinë Përkujtimore në qytetin e Selanikut dhe vizitë në vendin ku u vra Hasan Prishtina nga shqiptari Ibrahim Çelo.

16. Në vitin 2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, botohet libri për fëmijë me titull “Me quajnë Hasan Prishtina”.

17. Në vitin 2024 i drejton kërkesë Bashkisë Shkodër për konservimin e Komitetit Mbrojta Kombëtare e Kosovës (KMK), i cili u themelua në vitin 1918 nga patriotët Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi etj.

18. Në vitin 2024, në vazhdim të veprimtarisë tij filantropike dhe bamirësisë kulturore, ka planifikuar që më datë 7 mars 2024 të vendosë bustin e Hasan Prishtinës në oborrin e muzeut të Shkollës Normale në qytetin e Elbasanit. Pikërisht te kjo shkollë, patrioti Hasan Prishtina ka financuar shkollimin e nxënësve nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare.

19. Në vitin 2024, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, ka planifikuar vendosjen e bustit të patriotit Mehmet Pashë Derralla, në qytetin e Tetovës.

20. Në vitin 2024, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, ka planifikuar fillimin e punës së disa historianëve shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova, për të mbledhur, për të sistemuar, për të studiuar dhe për të botuar kolonën e plotë të veprës së patriotit Hasan Prishtina, kushtuar kombit shqiptar, dhe rolin e tij madhor në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, kolonë e cila nuk ka arritur të botohet as nga shteti i Shqipërisë dhe as nga shteti i Kosovës, megjithëse kanë kaluar 150 vjet nga lindja e tij.

Të lutemi për paqe dhe të radhitemi si shqiptarë në krijimin e shtresës hasaniste nën moton e fjalëve të tij në Parlamentin Shqiptar 1921:

“Atdheu prej nesh pret çlirimin, lirinë dhe bashkëpunimin! Rroftë Shqipëria!”

Filed Under: Komente

COPËZA JETE USHTARAKE ME DREJTUES TË DARDANISË

February 19, 2024 by s p

Gjeneral Asllan Bushati/

Kur po shërbeja si komandant divizioni në Vlorë (tetor1992) mora një telefonatë nga Gjeneral Adem Copani, ish Këshilltari Ushtarak i Presidentit Sali Berisha, i cili më tha se në një nga vilat qeveritare po pushonte Presidenti i Kosovës, Dr Ibrahim Rugaova. Do të ishte mirë për ju si autoritetit ushtarak numër një në Vlorë, të shkonit e ta takonit. Këtë paraprakisht e kam biseduar me Presidentin dhe me Ministrin e Mbrojtjes Zotin Safet Zhulali. Jeni i autorizuar të bisedoni me te, për cdo gjë që ai ju pyet dhe që ju e dini se është e nevojëshme të ja bëni me dije.

Kjo ishte një telefonatë shumë e rëndësishme dhe domethënëse për mu se do të më jepte mundësinë më pas, të bisedoja gjashtë herë (në gjykimin tim) me njerin nga njerzit më të mëdhej e më të rëndësihëm të Kombit tonë. Kisha dëgjuar e lexuar për te, shumë shkrime e artikuj shkencor në fushën e historisë letërsisë por edhe artikuj për diplomacinë e vecanërisht për Dardaninë. Tashmë zyrtarisht kisha lejen të takohem e të bisedoj me njeriun e madh të së ardhmes së Dardanisë Zotin Ibrahim Rugova.

Që në takimin e parë Presidenti Rugova, më pyeti se cfarë lidhje ka origjina juaj nga Mati dhe mbiemri Bushati i pashallëkut të Shkodrës? I thashë se unë jam brezi gjashtë i lindur në Mat, por i përkasim familjes Bushatlinjëve të Shkodrës. Kjo ka ndodhur se në luftën e Babunës ku ushtaraku numër një ishte Mustafa Pash Bushati dhe zëvëndësi tij ishte Zenel Pash Bushati (katra,katragjyshi im). Sic dihet luftën e fituan turqit, si rezultat edhe i tradhëtisë që bënë serbeve në betejë dhe Sulltani me dekret i shpalli të parët e mi armiq të perandorisë. Që nga ajo kohë, të parë e mi blenë toka, livadhe, kullota e kojrije në Midhë të Matit ku jetojmë edhe sot. Më pas biseduam për luftën që po zhvillohej në ish Jugosllavi. Në këtë takim isha i vetëm me Presidentin Rugova, ku tek dera takova vetëm Adnan Merovcin.

Takimin tjetër ma kërkoi Presidenti Rugova, ku pasi pimë nga një kafe në vilë, më njohu edhe me Mehmet Krajën, Skënder Zogaj, Adnan Merovcin. Më tha se sot ju jeni i ftuari ynë për drekë në një nga vilat qeveritare të Dhërmiut. E mirprita me kënaqësi ftesën dhe udhëtova në të njejtën makinë me Presidentin nga Vlora për në Dhërmi në të cilën ishin edhe shoferi e Adnan Merovci . Kur arritëm në destinacion, patëm kohë të bisedonim bashkërisht me shoqëruesit e Presidentit për probleme të historisë luftrave duke hequr paralele me kohën. Ishin biseda me të vërtetë intelektuale dhe të rëndësishe. Presidenti Rugova ndiqte bisedën tonë me vëmendje dhe ndërhynte fare pak në mënyrë që ne të flisnim më të pavarur. Nuk do ta harroj kurrë kur nga fundi duke ju drejtuar Mehmet Krajës e Skënder Zogajt tha ”shteti i formon dhe i trimërin specialistët e vet. E shikoni sa lirshëm me argument e kompetencë flet Asllani? Ne na duhet me doemos shteti ynë”.

Më 28 Nëntor 1992, Presidenti Rugova gjatë ceremonisë së 80 vjetoirit të pavarsisë së Shqipërisë në Vlorë, me prezantoi me disa personalitete të Dardanisë së asaj kohe si: Dr Bujar Bukoshi, Prof. Femi Agani, Prof. Mark Krasniqi, Prof. Zekeria Cana, Prof. Ali Aliu e shumë intelektualë të tjerë. Unë nuk bëja pjesë në protokollin zyrtar të Presidentit të Shqipërisë (si komandant divizioni që isha), por me kërkesën e Presidentit Rugova pata tri ftesa radhazi për pritjet e Presidentit Berisha në pallatin e Brigatave në Tiranë. Në njerën prej tyre në një qoshe vecmas pata një bisedë krejt ushtarake me Prof. Aganin. Ai më pyeti se cfarë dinim ne për arsenalin kimik të Serbisë? I thashë se është i madh dhe i frikshëm, ku përvec të dhënave tona, partnerët amerikanë na kanë dhënë edhe disa dokumenta që i disponojnë kroatët, dhe besohet se këta të fundit e dinë saktësisht sasinë, llojin dhe idetë e përdorimit të tyre nga serbët. Në vazhdim i thashë se në depot tona ushtarake kemi si rezervë të paprekëshme (me synim për ju) kundërgaze, paketa individuale kundërkimike, corape e doreza mbrojtëse.

Në një mbrëmje të shkurtit 1994, kur isha kthyer përsëri në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë si drejtues i Armkontrollit, Gjeneral Adem Copani më tha me porosi të Presidentit Sali Berisha jeni i lutur të takoheni për një kafe me dy personalitete të nderuara të Kosovës: Mark Krasniqi e Zekeria Cana. I thashë gjeneralit se janë të mirseardhur dhe se unë ndjehem shumë i nderuar ta pimë kafen në shtëpinë time. Nuk vonoi as një cerek ore dhe ata arritën. Duke u future në dhomën e pritjes i thashë duke qeshur Prof. Zekerias se biblikotekën personale akoma nuk e kam pastruar akoma nga “mbeturinat marksiste-leniniste”, prandaj po të paralalmëroj se ndoshta të merren mend që në një faqe e gjysëm të dhomës ka akoma shumë libra të kohës diktaturës. Prpfesori me shumë seriozitet ma këtheu:”librat janë pasuri shumë e madhe. Do të bësh krim intelektual në se i hedh në plehra. Edhe ato të Hitlerit e të Duces duhen ruajtur për efekt studimi”.

Në atë kohë ishim shumë të varfër dhe i prita intelektualët e nderuar me nga një gotë raki dhe pak sallatë, turshi, gjizë dhe nga dy qofte për person. Sot më vjen turp ta kujtoj, por kjo është e vërtetë se varfëria ishte e pranishme në cdo vatër shqipare të asaj që quhet londineze. Me profesorët e nderuar biseduam për gati pesë orë për problem të luftës, të mundësisë së zbritjes saj nga Bosnja në Dardani, rreziqet që bartëte për popullatën dhe cfarë mund të bënte Shqipëria në një situatë të tillë.

Me Kryetarin e Qeverisë Kosovës në mërgim Dr. Bujar Bukoshi , bisedova tek hotel Rogner dhe tek lokali i Ekrem Bardhës (përballë Muzeut Kombëtar në Tiranë) ditën e mbylljes veprimtarisë së rivarrimit të eshtrave të Faik Konicës.

Me Muhamet Shatrin, drejtues i fondmbledhjes Qeverisë Bukoshi me banim në Suedi, Pjetër Coli me banim në Gjermani, Gani Hoxha në Zvicër, Avdyl Ceka në Austri, e Skënder Zogaj (përgjegjës i zyrës Kosovës) u takuam në Tiranë në prillë 1994. Pas një vizite që bëmë së bashku tek familja e oficerit Fatmir Shehu dhe ushtarit Arsen Gjini të cilave ju dhuruan nga 5 mijë marka sejcilës famije në emër të qeverisë Kosovës sepse të dy këta ushtarakë (në vartësi të Ministrisë Brendëshme) u vranë nga një komando greke më 10 prill 1994. Pas vizitës u mblodhëm në shtëpinë time ku diskutuam për luftën e ardhëshme në Dardani.

Në prill 1997 në zyrën e Shefit Shtabit Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare u takuam dhe biseduam për tri orë me Ministrin e Mbrojtjes Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi. Ky takim ishte sekret dhe mbahej me porosi të Presidentit Sali Berisha në të cilën mori pjesë Gjeneral Adem Copani dhe unë. Në këtë takim Kolonel Krasniqit ju dorëzuan celsat e dy depove mbi tokësore e një depo tunel. Aty shkëmbyem shumë mendime të veprimtarisë luftarake të së ardhmes.

Pas largimit tim për në SHBA, përvec atyre që përmenden tek Batalioni Atllantiku, kam patur rastin të takoj si përfaqësues i Vatrës edhe ish Presidentët: Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga e Hashim Thaci. Kryeministrat Ramush Haradinaj e Avdulla Hoti si dhe shumë ministra të mbrojtjes, jashtëm e diasporës, me të cilët kam shkëmbyer mendime për problem të sigurisë së Dardanisë.

Filed Under: Interviste

Sot “Dita e Presidentëve Amerikanë” dhe betimi në mbrojtje të Kushtetutës

February 19, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot SHBA feston Ditën e Presidentëve, duke nderuar udhëheqësit e shquar që kanë formësuar historinë e kombit amerikan. Kjo ditë njihet gjerësisht si nderim për presidentët George Washington dhe Abraham Lincoln pasi që të dy kanë lindur gjatë muajit shkurt.

Në betimin e marrjes së detyrës, Presidenti i ShBA, betohet se “unë do e kryej detyrën e Presidentit me të gjithë forcën dhe aftësinë time” dhe se do mbrojë Kushtetutën e vendit.

E veçanta e këtij betimi është se në të janë përcaktuar tre fjalë: “preserve, protect and defend” (ruaj, t’i qëndroj besnik, të mbroj) të cilat në thelb kanë kuptimin “mbroj” por në fakt etërit amerikanë kanë përcaktuar qëllimisht tre fjalë të cilat parashikojnë tre skenarë të ndryshëm në lidhje me Kushtetutën ndaj të cilave Presidenti duhet të qëndrojë vigjilent dhe i vendosur në mbrojtje të saj.

1. “Të ruaj”

“Të ruaj” Kushtetutën siç na është votuar dhe mbështetur nga populli, zotohet Presidenti. Pushtetarët ikin e vijnë por ajo mbetet themeli i një shteti. Ajo është vetë shteti. “Të ruaj” Kushtetutën, zotohet ai, pa lejuar asnjë eksperiment por duke respektuar trashëgiminë e kombit dhe vullnetin e një populli.

Për më shumë se dy shekuj asnjë gërmë e tekstit bazë të Kushtetutës nuk është prekur, por janë shtuar vetëm 27 amandamente, 10 prej të cilave u shtuan në vitin 1791 – të njohura si Bill of Rights – e më pas u shtuan edhe 17 të tjera, e fundit në vitin 1992.

Kjo tregon rëndësinë dhe shenjtërinë e Kushtetutës: e ruajtur, e respektuar, e pandryshuar, e pa dhunuar. Ndaj edhe ShBA është lider i kombeve sepse sekretin e ka te Kushtetuta.

Nëse Shqipëria do t’i afrohet sado pak shtetit të së drejtës duhet të mbêshtetet edhe ajo vetëm tek Kushtetuta.

2. “T’i qëndroj besnik”

Kështu ai betohet se jo vetëm do ruajë Kushtetutën që kanë lënë trashëgimi etërit e kombit dhe vullneti i një populli por zotohet t’i qëndrojë besnik duke dhënē shembullin t’i bindet çdo gërme dhe frymës së Kushtetutës. Kështu ai do jetë shembull dhe shtysë si për qeveritarët ashtu edhe për çdo qytetar të thjeshtë.

Etërit amerikanē, përmes kësaj fjale përçuan mesazhin që Presidenti ka si detyrë të jetë garantues i Kushtetutës. Madje i pari në mbrojtje të saj!

3. “Ta mbroj”

“Ta mbroj” nga çdo përpjekje e brendshme apo e jashtme për ta cenuar atë. Fjala që kanë zgjedhur etërit amerikanë është “defend” që do të thotë t’i dalësh përballë me trupin, forcën, të gjithë qenien tënde çdo përpjekjeje për dhunim, shkelje, abuzim, sulm dhe kërcënim nga aktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Etërit amerikanë i kërkuan Presidentit të përdorë të gjithē fuqinë e tij dhe çdo mjet që disponon individualisht por edhe institucionalisht në mbrojtje të Kushtetutës.

Kjo është ShBA! Ky është “qyteti mbi kodër”, ai vizioni i pelegrinëve të parë që ia arritën të ndërtonin një shtet tek i cili do përqendroheshin prej shekuj sytë e të gjitha kombeve.

Ky është shembulli sublim i demokracisë, i shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Filed Under: ESSE

#SiSot, më 19 shkurt të vitit 1879, u lind në Shkodër poeti, nënshkruesi i Deklaratës së Pavarësisë dhe qeveritari, Luigj Gurakuqi

February 19, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në vitet 1901-1906, kreu studimet universitare në Napoli. Më tutje, debutoi me sukses si poet lirik, udhërrëfyer prej poetit të mallit, Filip Shiroka. Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frëngjisht n’marim” (Napoli, 1906), Gurakuqi bëri të parën orvatje për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Pak kohë më pas, botoi në Bukuresht veprën “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” (lexo dokumentet), që qendron si gurthemel i të gjithë përpjekeve të tij në drejtim të lëvizjes kombëtare, arsimore e kulturore në epilog të Rilindjes Kombëtare dhe në nisje të zhvillimeve të Pavarësisë.

Si rrallëkush, Gurakuqi mundi të përjetojë në pozitën e ndërvepruesit qendror disa prej ngjarjeve më kulmore të historisë së vendit tonë, në hyrje të shekullit të kaluar. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve të Shkodrës: Gjergj Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit. U zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Më 1909-n, në cilësinë e drejtorit të së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, kontribuoi në kristalizimin e arsimit mbi baza kombëtare.

Në 1912-n, u angazhua në mënyrë të intensifikuar në organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Mëvetësia, u komunikua në deklaratën e formuluar nga Ismail Qemali, të shkruar prej Gurakuqit. Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, u zgjodh ministër i Arsimit. Më 1913-n, mori pjesë në Konferencën e Londrës.

Në kabinetin disaditor të Hasan Prishtinës, iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Durrësit (1918), prej nga ku u vendos rikthimi i tij në krye të Ministrisë së Arsimit. Qe anëtar i delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris.

Udhëhoqi Revolucionin e Qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së Revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, ra viktimë e një atentati.

#LuigjGurakuqi

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

Filed Under: Histori

Disa mendime të hedhura mbi vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë – Në kërkim të një shpjegimi racional!

February 19, 2024 by s p

Frank Shkreli/

“U mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund. Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga Z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve.”

Ishte viti 1975. President këtu; në Amerikë ishte Gerald Ford, i cili si zëvendës president zuri vendin e ish presidentit Nikson që për arsye të skandalit Watergate është detyruar të jepte dorëheqjen.

Presidenti Ford ka mbajtur një fjalim atë vit me të cilin i ka mohuar qytetit të Nju Jorkut ndihmë financiare federale; megjithë thirrjet për ndihmë për të mënjanuar falimentimin financiar, me të cilin përballej qyteti. Ditën e nesërme gazeta e Nju Jorkut Daily News në faqen e parë kishte botuar artikullin: “Ford To City: Drop Dead.” Ford i thotë qytetit: Shko, vdis!

Në të vërtetë, presidenti Ford nuk i kishte shqiptuar këto fjalë në fjalimin e tij, por ky ishte interpretimi i gazetës Daily News i refuzimit të Fordit për të ndihmuar Nju Jorkun, financiarisht.

Presidenti Ford pranoi më vonë se këto fjalë botuar në gazetën e përditshme të Nju Jorkut megjithëse nuk i kishte thënë, i kushtuan atij presidencën, ndërkohë që Xhimi Carter u zgjodh president.

Ky rast m’u kujtua ndërkohë që po ndiqja vizitën 8 orëshe të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Mbeta i zhgënjyer nga mungesa e takimeve të Z. Blinken me përfaqësues të asaj, që ende quhet “opozitë” në Shqipëri , një subjekt në vetvete për gabimet e saja madhore, u mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund.

Që Sekretari i Shtetit, i vendit më demokratik në botë -Amerikës tonë të dashur – ku gëzojmë liri e demokraci të mos flasë për vlerat demokratike amerikane dhe universale në një vend si Shqipëria, është një sakrilegj. Sidomos gjatë një vizite miqësore në një Shqipëri, që është kaplluar nga një krizë grindjesh të brendshme politike dhe korrupsion në të gjitha nivelet, ndërkohë që vetë Departamenti i Shtetit dhe Freedom House, ndër të tjera ente ndërkombëtare, në raportet vjetore të Drejtave të Njeriut, vit pas viti, e kanë cilësuar Shqipërinë, si një vend pjesërisht i lirë – madje 34 vite pas shembjes së Murit të Berlinit. Shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të më kuptojnë se cili është realiteti i marrdhënieve shqiptaro-amerikane: Raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut, apo “Te Deum” që përfaqësuesit perëndimorë i akordojnë shpesh pushtetit aktual në Tiranë, ndërsa vendi zbrazet nga më të mirët dhe më të edukuarit e kombit.

M’u kujtua prap vizita e parë e një delegacioni amerikan në Tiranë në mars/prill 1991. Delegacioni kishte vendosur të takohej me të gjithë përfaqësuesit e shtresave të shoqërisë shqiptare. Kishim ftuar edhe përfaqësuesit e tre feve të posa dalur nga burgjet komuniste, në pritjen e parë në 50 vjet në të ashtuquajturin,“hotel” Dajti nga një delegacion amerikan në Shqipëri. Tre klerikët e shkretë ashtu të vuajtur nga burgu dhe me shëndet të dobët nuk i besonin vetes as rrethanat në të cilën gjendeshin atë natë: të ftuar në pritje nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, ndërsa përfaqësuesit e regjimit të atëhershëm komunist, të cilët kundërshtuan që të ftoheshin klerikët dhe personalitete të tjerë, përveç autoriteteve komuniste, dukej se i thonin njeri tjetrit, çka na gjeti me këta amerikanët?!

Idea ishte që përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm autoritetet e larta, për herë të parë në 50 vjet, të takoheshin me njeri tjetrin në të njejtën sallë, të persekutuarit e komunizmit, disa të liruar vetëm disa ditë më parë, me disa prej persekutorëve që mbanin në fuqi atë regjim komunist kriminal.

“Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike më duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit. Vendi është në prag të një monizmi autokrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s. Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare”

Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit. Pajtimi kombëtar midis shqiptarëve, Z. Blinken edhe aq i nevojshëm sot sa ç’ishte edhe më 1991.Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Kjo mungesë, siç duket e qëllimshme, për të parë realitetin aktual politik shqiptar ashtu siç është, nuk i shërben marrdhënieve të mira shqiptaro-amerikane, as stabilitetit politik në Shqipëri, as paqes në rajon e proceseve demokratike në Shqipëri, jo se jo. Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm. Krejt ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij demokratë e republikanë, që kanë vizituar Tiranën gjatë tre dekadave të fundit, e të cilët nuk kanë ngurruar aspak dhe asnjëherë të flasin në mbështetje të demokracisë, dhe të pajtimit e bashkpunimit aq i nevojshëm për shqiptarët e vuajtur nga komunizmi. Për demokracinë si një sistem i preferuar qeverisjeje, kundër korrupsionit, në favor të lirisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut. Sidomos në mbështetje të lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë, si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.

Për 2-3 dekada të tranzicionit pseudo- komunist në Shqipëri, jam munduar, modestësisht bazuar në përvojën time, të paralajmëroj shpeshherë se demokracia atje është në rrezik, se vlerat demokratike po shkeleshin haptas dhe qëllimimisht nga klasa politike shqiptare, se grindjet politike po i shkatonin vendit rreziqe të brendshme dhe të jashtme politike, qëllimi kryesor i të cilëve ishte dhe është ruajtja e pushtetit të tyre për më shumë se tre dekada tani. Se pa zgjedhje të lira dhe pa opozitë reale në Shqipëri nuk mund të kishte demokraci, as liri, as stabilitet në vend as në rajon dhe as ndarje “vlerash të përbashkëta”, as marrëdhënie “krah për krah” me Shtetet e Bashkuara, siç dëgjojmë shpesh nga persona të caktuar, nga të dy palët, të cilët e quajnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Përfaqësuesit amerikanë duhet që të mbrojnë, kudo në botë, vlerat dhe demokracinë amerikane, si garanci për zbatimin e të drejtave universale në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

“Vura re se kësaj here, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për të përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkjetesës fetare. Mos vallë ka pas droje se klerikët mund t’i kenë shprehur përfaqësuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre në lidhje me dukuritë komuniste të kohëve të fundit në Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri një deklaratë publike kohët e fundit.”

Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe opozitë”, si dhe mos takimi me faktorë të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga Z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve. Me simbolikat gjatë vizitës në Tiranë, sikur i dërgoi, mesazhin “Lamtumirë demokraci” për afër 50 për qind të votuesve shqiptarë, të anashkaluar dhe të përjashtuar gjatë tre dekadave të kaluara: “Drop dead”, ne jemi më të interesuar në stabilitet se për vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë tuaja.

Sa për dijeni tuajën Z. Sekretar Shteti, pothuaj nuk ka familje shqiptare nga këta 50 për qind të shqiptarëve që të mos ketë dikë në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre e kanë pësuar keq nga komunizmi veçse përmendnin emrin e Amerikës gjatë komunizmit. Ju me të drejtë përmëndet Zërin e Amerikës si të vetmin kontakt me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë regjimit komunist. Shumë shqiptarë janë dënuar vetëm e vetëm se dëgjonin Zërin e Amerikës gjatë dekadave të komunizmit diktatorial. Rrënjët e shpresës, besimit dhe dashurisë për Amerikën janë të thella tek shqiptarët pa dallim, Z. Blinken. Mos t’i zhgënjejmë të shkretët më shumë se tre dekada pas shëmbjes së Murit të Berlinit.

Tirana zyrtare, Z. Blinken ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit as nuk është distancuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Ne shqiptaro-amerikanëve, si shtetas të këtij vendi të bekuar, votues dhe taksa pagues të Amerikës tonë të dashur, na intereson shumë fati i familjeve tona atje, sepse me ta kemi gjakun e përzier Z. Blinken. Shumë prej tyre e kanë pësuar shumë keq nga komunizmi, vetëm e vetëm, se shumë nesh jetonim e vepronim në Amerikë. Për shumë shqiptarë, Z. Blinken, një mur i vogël i Berlinit ende ekziston. Prandaj, për mua dhe për shumë miq e kolegë të mi në Amerikë dhe në Shqipëri, vizita e juaj në Tiranë nevojit një shpjegim racional, por është e vështirë të shpjegohen deklaratat ose heshtjen ndaj disa çështjeve të tjera me rëndësi për atë vend dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Megjithkëtë, kam thënë shpesh se marrëdhëniet amerikano-shqiptare ishin dhe duhet të mbeten popull me popull dhe jo të favorizojnë një person ose një parti politike. Kështu i duan shqiptarët marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.

“Vizita e Sekretarit te Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Levdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështirë t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në Washington të çështjes korruptive “Mcgonigal”.

Për fat të keq, vizita e Sekretarit Blinken në Tiranë më la një shije të keqe se ndoshta në fakt dhe në realitet në sytë e Washingtonit zyrtar aktual, një krah politik, pasardhësit e familjeve komuniste në Shqipëri janë të preferuarit e politikës aktuale amerikane, disa të nënës e disa të njerkës. Vizita juaj Z. Blinken vetëm përforcoi këtë ndjenjë reale në radhët e shqiptarëve, në Shqipëri por edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Kjo është e dëmshme për marrëdhëniet mis dy kombeve tona.

Nuk është sekret se në Shqipëri flitet për të “favorizuarit” e Washingtonit. Nuk do të kishte gjë më të rrezikshme për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Washingtonit dhe Tiranës se mbështetja e njërës ose tjetrës palë politike shqiptare nga diplomacia amerikane. Shqiptarët kanë nevojë për pajtim dhe jo për nxitje të përçarjeve, si rezultat i animeve politike në favor të pushtetit në fuqi, ose personave të caktuar, nga diplomacitë perëndimore, sidomos nga Washingtoni zyrtar. Një gabim shumë i rëndë që është përsëritur dhe siç duket vazhdon të zbatohet nga miqtë e shqiptarëve perëndimorë, duke sjellur në atë vend rreziqe të brendshme të pa parashikueshme për stabilitetin e një jete politike normale në Shqipëri.

Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike në atë vend, përfshirë zhvillimet në parlament, me duket sikur ka skaduar ekperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam drojë se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit, me pasoja të pa parashikueshme për paqën dhe stabilitetin në atë vend dhe në rajon! Vendi është në prag të një monizmi autocrat, që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s.

“Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracisë shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të “stabilokracisë”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm.”

Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit Blinken të ngushëllojmë njëri tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare, si përfundim i mos përkrahjes së vendeve perëndimore të proceseve demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim i ndërhyrjeve të tyre të pakëshillueshme në zhvillimet e brendshme politike të marrëdhënieve midis dhe brenda partive shqiptare. Shqipëria ka nevojë për pozitë dhe opozitë!

Megjithë shqetësimet serioze të mia dhe të tjerëve, unë vazhdoj të besoj se nuk ka asnjë parti as ndonjë individ sado i plotfuqishëm të jetë, që mund të largojë ose të distancojë shqiptarët e të gjitha rrymave politike nga dashuria për Amerikën dhe amerikanët. Këtë nuk e bëri as Enver Hoxha megjithë propagandën e tij anti-amerikane prej gjysëm shekulli. Miqësia 100 vjeçare shqiptaro-amerikane, popull me popull, do jetojë ndër shekuj! Politikanët dhe diplomatët aktualë, nga të dy palët, janë të përkohshëm, ndërsa dy popujt tanë dhe marrëdhëniet midis tyre janë të përhershme.

I Madhi Zot e bekoftë Amerikën tonë të dashur dhe Kombin shqiptar të vuajtur në ditë të mira dhe të vështira!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1140
  • 1141
  • 1142
  • 1143
  • 1144
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT