• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOT, TETËMBËDHJETË VJET ME PARË KALOI NË AMSHIM I PËRNDRITSHMI IMZOT MARK SOPI, IPESHKV I IPESHKËVISË SË KOSOVËS

January 11, 2024 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Shkëlqesia e tij – i përndritshmi, Imzot Mark Sopi, vërtetë do të mbetet përgjithmonë në historinë e lavdishme kombëtare dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën pra edhe të grigjës së tij dioçeziane, famullitarëve të të gjitha famullive të Dioçezës së Kosovës. Ai, jetoi, interpretoi dhe dëshmoi në plotësi me shumë dashuri mesazhin e ungjillit, pra si një misionar i kompletuar me zemër të bardhë dhe me gëzim të pafund gjatë gjithë jetës së tij reflektoi dhe gjeti gëzim dhe entuziazëm në besimin e tij universal dhe kuptimin e vërtetë të jetës dhe misionit të tij qoft shpirtëror, kulturor dhe në atë kombëtar.

Mark Sopi, qysh si seminarist, e më vonë si meshtar dhe teolog në shërbesa të ndryshme shpirtërore e liturgjike, fillet e para të meshtarisë i ka nisur në famullinë e Ferizajt (si ish sekretar i imzot Nikë Prela, ipeshkv i Ipeshkëvisë Shkup Prizren) me pas si famullitar në famullinë e Kishës së Zllakuqanit (nga 1974 deri në vitin 1991), me vonë apo pas rënies së komunizmit në Shqipëri (në Milot dhe Durrës), me ç’rast edhe u emrua ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës nga Selia e Shenjt-Papa Gjon Pali II.

Imzot Mark Sopi, njihet edhe si një ndërmjetsues aktiv gjatë faljeve të gjaqeve në Zllakuqan dhe rrethinë, me konkret ishte bashkëpuntor i përafërt i prof. Anton Çettës dhe elitës së pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Qysh nga shugurimi i tij ipeshkvnor (me 23 nëntor 1995 deri kalimin në amshim 11 janar 2006), ishin momentet më historike të imz. Markut, i cili bëri kthese të ndryshimeve epokale karshi kombit, duke lobuar për kauzën kombëtare në senzibilizim të çështjes së Kosovës nëpër ambasadat e zyrët akredituara në Prishtinë, Evropë dhe në mbarë botën demokratike.

Në periudhën e luftës së Kosovës veproi si një ambasador shqiptarë dhe një bari i mirë, jo vetëm për katolikët shqiptarë, por për mbarë popullatën tonë (pa dallim feje) pra mbështetur nën moton e Pjetër Bogdanit: “Fati i popullit tim, është fati im”, te cilën moto e përcolli edhe atë në të gjitha ditët e luftës që do të thotë se e mbrojti fjalën e lirë, lirinë, demokracinë, qënien tonë njerëzore, kulturore dhe kombëtare nga dhuna, persekutimi dhe vrasjet mesjetare nga okupatori serbian.

Më 26 Gusht të vitit 2005, ishte projekti më kapital apo një vepër jetësore e ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopit, i cili veq tjerash projekte , ishte ai që e vendosi gurëthemelin e Katedrales që bartë emrin e Shën Nënë Terezës Shqiptare në Prishtinë. Imzot Markut, i mbahet mend fjalimi i tij monumental para senatorëve në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005 (ku kishin marrë pjesë edhe kongresmeni Joseph J. DioGuardi, vikari special dioçezian, dr. dom Shan Zefi, dr. mons. Lush Gjergji, Faton Bislimi etj.) i cili pati thënë se: “Pavarësia e Kosovës është zgjidhja që prodhon vetëm paqe e siguri dhe stabilitet jo vetëm për Kosovën, por për rajonin dhe mbarë Evropë e botën mbarë dhe se Evropa e ka të pamundur t’i jap paqe të qëndrueshme Kosovës pra është Amerika e cila i siguron stabilitet të qëndrueshëm Kosovës” kishte thanë imz. Marku para Kongresistëve Amerikan. Ishte një shembull i bukur i një mënyre shpirtërore për të jetuar ungjillin dhe për t’u dhënë plotësisht, pa orë pune, për t’u shërbyer njerëzve. Nuk kishte kohë të mendonte për veten e tij, ai ishte gjithmonë i gatshëm që përmes eukaristisë, devotshmërisë dhe katekizmit t’i ofronte njerëzit me çdo kusht tek Ati, Biri dhe Shpirti Shënjtë.

Vlen të potencohet se ai nga natyra ishte tejet i maturuar i sojit të një filozofi, madje edhe një dashamirës i drejtpërdrejtë, këmbëngulës dhe i afërt me çdo person i cili përherë sa ishte gjallë i shpërfaqi tiparet më të bukura të Jezu Krishtit, se nuk erdhi për t’u shërbyer nga të tjerët, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën për vëllezërit dhe motrat e tij.

Imzot Mark Sopi, përveq se ishte studiues e lexues i zellshëm, ai ishte edhe bashkëpunëtor i zellshëm i revistës fetaro-kulturore “Drita”pastaj në Durrës i revistës “Vegim Drite” siq thotë dr. don Shan Zefi ka botuar artikuj të ndryshëm, siç do të bashkëpunojë njëkohësisht edhe me revistën “Kumbona e se Dielës”, që botohej në Shkodër. Ka shkruar edhe artikuj tjerë të çmueshëm në “Lajmtarin Ipeshkvor”, gazetën zyrtare të Ordinariatit ipeshkvor që e drejtonim ne “ad usum internum” etj.

Botoi edhe këto vëllime: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilët ekumenike (2000), Shën Luçia (2001). Lavdi veprës së tij shpirtërore dhe kombëtare.

Pushoftë në paqe imzot Mark Sopi!

Filed Under: Rajon

STAMBOUL (1928) / ORGANIZIMI I XHANDARMËRISË SHQIPTARE – DEKLARATA NGA KOMANDANT KASEM SEJDINI, I CILI NDODHET AKTUALISHT NË KOSTANDINOPOJË PËR KËTË ARSYE

January 11, 2024 by s p


Kasem Sejdini (1873 – 1946)
Kasem Sejdini (1873 – 1946)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Janar 2024

“Stamboul ” ka botuar, të shunën e 11 gushtit 1928, në ballinë, deklaratat e komandant Kasem Sejdinit, i cili ndodhej askohe në Kostandinopojë, mbi organizimin e xhandarmërisë shqiptare, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria dhe fqinjët e saj

Deklarata nga Kasem Beu

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ne dimë se komandanti i xhandarmërisë shqiptare, Kasem Beu, ka mbërritur në Kostandinopojë para disa ditësh.

Kasem beu, i cili erdhi këtu për të studiuar organizimin e xhandarmërisë turke, i intervistuar nga një gazetar, bëri këto deklarata në lidhje me xhandarmërinë shqiptare :

“Sapo kam ndërmarrë një udhëtim për të studiuar organizimin e xhandarmërisë në Itali, Greqi dhe Turqi. Nuk kam kohë të mjaftueshme për të shkuar në Angora. Unë do t’i paraqes një raport qeverisë sime në lidhje me misionin tim.

Rendi dhe paqja mbretërojnë aktualisht në Shqipëri. Të gjitha raportimet telegrafike për atentate dhe krime politike të dyshuara të kryera në Shqipëri janë puro shpikje.

Nuk ka asnjë armiqësi të theksuar ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogut.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Arsimi publik po bën përparim të madh në vend. Numri i nxënësve në shkollat fillore dhe gjimnazet tona tashmë është 33.000. Kemi afro 700 shkolla dhe kemi adoptuar shkronjat latine për të gjitha degët e arsimit.

Popullsia shqiptare është afërsisht 900.000 frymë.

Ne ende nuk kemi themeluar një universitet. Në një kohë relativisht të shkurtër prej 4 vitesh do të ketë ndryshime të mëdha në Shqipëri.”

Marrëdhëniet turko-shqiptare-jugosllave

“Marrëdhëniet tona me Turqinë janë të përzemërta dhe miqësore. Sa i përket Jugosllavisë, edhe pse marrëdhëniet tona me këtë vend lënë disi për të dëshiruar, megjithatë nuk ka mosmarrëveshje të një rëndësie të madhe mes dy vendeve.

Për sa i përket Greqisë, mes dy vendeve ka çështje të diskutueshme, të cilat ende nuk janë qartësuar.”

Filed Under: Histori

Nga dyerët e ferrit komunist në Shqipëri që kaloi familja Berisha sot mbesa e tyre u bë kryetare e Bashkisë Fairview në shtetin New Jersey

January 10, 2024 by s p

“Sëbashku me miqtë dhe të afërmin e familjes sonë Tomë Mrijaj dhe Faik Pemaj udhëtuam drejt Nju Xhersit, për të takuar Kryetaren e Bashkisë së sapo emëruar pukjanen Violetta Berishën, në qytetin e Fairview, që ndodhet në shtetin New Jersey. Thjeshtësia e saj ishte e admirueshme dhe mbresëlenëse. Të njëjtën thjeshtësi e kam gjetur edhe tek shqiptarët e tjerë, që kanë arritur të ngrihen në pozita të larta shtetërore në SHBA. Mendova me vete, – ah sikur të njejtën thjeshtësi dhe përgjegjësi morale dhe qytetare të kishin edhe kryebashkiakët në Shqipëri dhe të kuptonin drejt pozicionin e tyre shtetërore, e të mos abuzonin me detyrat dhe pozitën shtetërore, vendlindja e jonë (Shqipëria), do të kishte përparuar shumë më tepër. Ajo me bujari tipike shqiptare, na priti buzagaz sëbashku me familjen e saj, djalin Valentini dhe motrën e saj Antonetën.” – Leonora Laçi, New York, studiuese

Klajd Kapinova

Talenti dhe meritokracia, bën që sot të kemi zj. Violetta Berishën si Kryetare të Bashkisë

Më 3 janar 2024, u zhvillua ceremonia 130-vjeçare klasike amerikane (1894-2024) e inagurimit të Kryetares së mini Bashkisë së qytetit Fairview, e cila për herë të parë në historinë e shtetit të New Jersey për 4 vjet do të drejtohet nga shqiptaro amerikanja zonja Violetta Berisha. 

Violetta, është gruaja e parë në historinë e qytetit në shtetin e New Jersey si Kryetare e mini Bashkisë.  Shteti piktoresk i New Jersey, ndryshe quhet Shteti i Kopshteve me gjelbërim dhe lule të bukura. 

Shqiptaro amerikanja Violetta Berisha, është me origjinë nga Puka, e lindur në Itali, e cila në moshën 3 muajshe ka ardhur në SHBA si emigrante, sëbashku me familjen e saj. Ajo është rritur në Amerikë, nën përkujdesin e vazhdueshëm të familjes fisnike, ku dhe ka përfunduar me sukses të gjithë ciklin e plotë mësimor të shkollës fillore, të mesme dhe universitetin.

Në shtëpinë e saj në New York dhe New Jersey ato gjithnjë kanë mësuar të flasin gjuhën amtare shqipe me dialekt të bukur geg nga prindërit shqiptarë, të cilët e mësuan vajzën e tyre Violettën të flasë në shtëpi vetëm gjuhën shqipe të prindërve, sikurse me nostalgji për vendlindjen ato si gjithmonë kanë ruajtur dhe përcjellur nder beza traditat dhe zakonet më të bukura të krahinës malore të Pukës etj.

Vitet kalojnë njera pas tjetrës shumë shpejt… dhe sot në muajin janar 2024 ne gjendemi në një gëzim të madh të familjes së madhe Berisha dhe gjithë shqiptaro amerikanëve të tjerë në shtetin e bukur të New Jersey, pranë Bashkisë së qytetit Fairview… 

Auditori i Bashkisë së qytetit, është sot në festë dhe i mbushur plot e përplot me shqiptaro amerikanë të grupmoshave të ndryshme, të cilët përbëjnë 80% të pjesëmarrësve të ardhur nga shtete dhe qytete të ndryshme në këtë eveniment të madh, për të marrë pjesë në gëzimin e përbashkët të fillimit të ceremonisë së inagurimit të postit të kryetares së Bashkisë zj. Violetta Berisha.

Këtu ne takojmë shumë miq të vjetër dhe të rinj të familjes Berisha, e cila gëzon prej disa dekadash respekt të madh në komunitetin tonë në New Jersey dhe disa shtete të tjera të SHBA-së. Ata urojnë njeri-tjetrit dhe më pas bëjnë foto me kryetaren shqiptare për detyrën e re, që erdhi nga votat e lira demokratike të qytetarëve këtu, të cilët ia kanë besuar asaj për katër vjet, që t’i drejtoj ato në postin më të lartë si kryetare e Bashkisë.

Familja Berisha në kujtimet e paharruara të shqiptaro amerikanëve veteranë të komunitetit tonë 

Gjatë një bashkëbisedimi të ngrohtë këtu në New Jersey me mikun dhe kolegun tim studiuesin Tomë Mrijaj, (që është njëkohsisht edhe mik dhe kumbara i familjes Berisha), mësova shumë episode interesnate të pazbardhura më parë mbi jetën dhe historinë e kësaj familje fisnike të Pukës dhe Shqipërisë, si një nga familjet më të nderuara dhe respektura.

Po ashtu gjatë një bashkëbisedimi në hollin e Bashkisë së qytetit Fairview me ish gazetarin veteran të radios “Zërit të Amerikës” (Voice Of America) në gjuhën shqipe Gjek Gjonlekaj, u njoha edhe me disa episode origjinale të jetës dhe kalvarit plot mundime, që ka kaluar kjo familje pukjane, gjatë viteve të para 1944 të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe deri sa ato familjarisht vendosin të hartojnë planin e suksesshëm të arratisjes (pa dëshirë, por të detyruar nga regjimi komunist) përfundimisht nga vendlindja dhe shteti i egër i diktaturës komuniste, të instaluar nga regjimi anti shqiptar i Enver Hoxhës.

Për familjen zëmadhe Berisha, me emër shumë të mirë në vendlindje (Pukë) dhe diasporën tonë këtu, mbi zemërgjerësinë dhe bujarinë karakteristike tipike tradicionale kreshnike malësore, disa vite më parë ka shkruar disa faqe me kujtime të paharruara dhe me shumë respekt kushtuar Familjes Berisha, në një libër autobiografik, me titull: “Shtegtimet e një njeriu drejt Lirisë” edhe personaliteti i shquar i komunitetit tonë në Detroit (Michigan) Genc Xhevat Korça (1924-2016), djali i mesuesit, historianit dhe Ministrit të Arsimit Xhevat Korça (1893-1959), që ishte gjithashtu një ndër miqët më të ngushtë të intelektualit brilant, martirit të Fesë dhe Atdheut pader Anton Harapi o.f.m. (1888-1946)…

Gjatë një bashkëbisedimi me një nga antarët e familjes zotin ose me saktë axhën e Violettës, aktivistin dhe bujarin fisnik Zef Berisha, mësojmë edhe detaje të tjera të reja nga udha e vështirë e mundimeve, që kaloi kjo derë e mirënjohur e Berishës në Pukë. 

Historiania më e re e komunitetit tonë zonjusha Leonora Laçi, ndër të tjera për këtë familje fisnike shkruan: “Familja e saj e madhe kishte lënë Shqipërinë ne fundin e dhjetorit të vitit 1952, për të mbërritur në fillim të janarit në vitin 1953 në Podujeve të Kosovës në ish Jugosllavinë e asaj kohe, të detyruar për shkak të regjimit komunist dhe për t’i shpëtuar persekucionit të pushtetit, që shumë të tjerëve u kishte ngrënë kokat. Arratisja e familjes Berisha nga Puka, ishte e domosdoshme dhe shpëtuese për ta. Arratisjes i priu Gjokë Ded Prelaj (Berisha), gjyshi i Violettës. Ky vendim ishte tepër i vështirë, por i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.”

Asokohe në vendlindje në Pukë, kjo familje të gjithë ishin antikomunistë të vendosur, sikurse mijëra familje të tjera shqiptare anti komuniste, të cilët kundërshtonin regjimin e hurit dhe litarit dhe gjithsesi nuk mund të pajtoheshin me diktaturën komuniste, të vendosur brutalisht në Shqipëri gjatë vitit të zi 1944 (pas Luftës së Dytë Botërore). 

Ata një ditë si familje u arratisën e u vendosën fillimisht në Kosovë, Belgjikë, Itali etj., dhe së fundi  mbërritën këtu në ëndrrën amerikane të lirisë dhe demokracisë në shtetet New York  dhe New Jersey të SHBA-së. 

Nëna e Violetës, Mili, është nga Malësia, fisi Camaj. Babai i saj Pal Berisha, ishte një punëtor i rregullt në SHBA, i cili kaloi në amshim herët… Ndërsa, ajo vet vazhdoi jetën, duke punuar, edukuar e shkolluar fëmijët e saj, deri sa arritën në sukseset, sipas drejtimeve të tyre këtu në SHBA.

Dhe sot

Zonja Violetta Berisha përfshihet në politikë. Ajo para se të bëhet Kryetare e Bashkisë së qytetit ajo ishte anëtare e Këshillit Bashkiak të mini Bashkisë së qytetit Fairview.

Sipas mediave, mësojmë se Violetta Berisha, përballjen më të fortë e kishte gjatë vitit të kaluar, në primaret që u zhvilluan brenda partisë demokrate amerikane, që u mbajtën në qershor të vitit 2023. Violetta, mundi të fitojë brenda garës së partisë së saj, me një tjetër ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, duke pasuar kështu ish kryetarin me mandat të kufizuar Vincent A. Bellucci, i cili për arsye moshe (31 vjet si kryetar Bashkie) u tërhoq nga gara për një mandat të ri si kryetar bashkie, duke ia lëshuar vendin e tij kandidatëve të tjerë në garë për këtë post…

Shqiptaro amerikanja Violetta Berisha, kandidoi gjatë zgjedhjeve paraprake dhe të përgjithshme si një kandidate e re e moderuar, duke e fokusuar në programin e saj në pjesën më të madhe në përpjekjet për të rritur mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve, trajtimin e sigurisë në qytet, kufizimin e krimit dhe rritjen e nivelit cilësor të arsimit.

Shtypi lokal zgjedhjen e kandidates së re Violeta Berishës e quajti një votim historik, si një grua e parë e zgjedhur në këtë detyrë në këtë mini bashki në shtetin e New Jersey.

Vazhdimisht kandidatja e re Violetta Berisha, ka bërë thirrje gjatë fushatës së saj për rritjen e fondeve publike, për punësimin e më shumë qytetarëve, mirëqenien e tyre, rritjen e nivelit cilësor të arsimit, sigurinë e lartë të rendit dhe qetësisë publike si dhe zhvillimin e qytetit. 

Kjo me sa duket ka qenë edhe arsyeja që ajo ka fituar simpati dhe zemrat e votuesve të shumtë, në mbështetje të kandidaturës së saj.

Kryetarja e re, mbajti një fjalim rasti, në natën e fitores, një fjalim entuziast, që u pëlqye shumë dhe u duartrokit gjatë disa herë nga të pranishmit, si dhe nga vetë ish kryetari veteran i bashkisë Belluci, dhe disa nga bashkëpuntorët e saj, që e ndoqën me vëmendje fjalimin e saj historik.

Ajo sot më 3 janar 2024, sërisht në ditën inaguruese mbajti një fjalim shumë të bukur me përgjegjësi të lart, duke premtuar vijimsinë në shërbim të popullit, që e besoi me votën e tyre.

Pjesë nga fjalimi inagurues i Kryetares së re të Bashkisë

Vëllezër dhe motra shqiptarë!

“Jam jashtëzakonisht krenare që mbaj statusin tim si shqiptaro amerikane, dhe u zgjodha për kryetare bashkie.

 Unë vetëm mund të shpresoj të vazhdoj punën e mire, që kemi bërë së bashku me kryetarin paraardhës, dhe këshillin bashkiak. 

Përkatësisht, atë që kemi bërë përgjatë viteve në Këshillin e Bashkisë së qytetit Fairview, duke vazhduar me ngritjen e standardeve të jetës së qytetarëve dhe në shërbimin e tyre si në shëndetësi, arsimim dhe sigurinë e qetësinë në këtë bashki”.

Duke folur për gazetën lokale “Daily Voice”, gazetarin veteran të komunitetit tonë Beqir Sina korrrespondent i gazetës “Bota Sot” dhe për kanalin televiziv të komunitetit tonë “Albanian Culture” New York e drejtuar nga Adem Belliu dhe gazetarin dhe studiuesin Klajd Kapinova editor i revistës kulturore “Jeta Katolike” (organ i kishës katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale New York), ajo tha se:

“Kjo është një nga nderimet më të mëdha të jetës sime. Mirëmbrëma të gjithëve! Jam e pushtuar nga emocioni dhe mirënjohja. Jam shumë e emocionuar që ulem si kryebashkiaku i parë shqiptaro-amerikan në Fairview si dhe në shtetin e New Jersey. Për më tepër, gratë e para që shërbyen në këtë zyrë në Borough of Fairview në ekzistencën e saj gati 130-vjeçare.

Jam jashtëzakonisht e nderuar për hyrjen sonte pas gardës së nderit të policisë së Fairview dhe përkrah guvernatorit Phil Murphy dhe kryebashkiakut Vincent Bellucci.

Guvernator, është një nder i jashtëzakonshëm që ju kam sot këtu për të administruar betimin për mua si kryetar bashkie.

Faleminderit, Guvernator, për gjithçka që keni bërë për bashkinë tonë, shkollat tona dhe shtetin e madh të New Jersey. Më e rëndësishmja për miqësinë tuaj të çmuar për mua dhe gjithë familjen time. Unë jam shumë mirënjohës për këtë.

Dua të falënderoj djalin tim Valentino dhe vajzën time Sophia, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Fairvieë dhe kanë ndjekur shkollat e Fairview, për të qenë fëmijët më të mirë që dikush mund të kërkojë ndonjëherë. Ju jeni bota ime dhe më bëni çdo ditë krenare. Nipërit e mi Victoria dhe Giovanni dhe dhëndri im Joe: Ju dua shumë të gjithëve.

Faleminderit familjes sime: Tony dhe Suzie, Rita dhe Paul, Antoinete dhe Besniku, që janë gjithmonë pranë meje dhe keni treguar dashuri dhe mbështetje. Ju dua të gjithëve.

Falenderim, për axhat e mi Zefin, Luigjin, Pashkun dhe dajat: Kolën dhe Frank, tezen Lula dhe kushërinjtë e mi dhe të gjithë të afërmit e tjerë që janë këtu sonte që më keni dhënë gjithmonë mbështetje të pakushtëzuar. Faleminderit, që jeni këtu. Ju dua të gjithëve.

Faleminderit komunitetit shqiptar, që erdhën këtu sonte nga afër dhe larg, për të më treguar mbështetje përtej çdo gjëje që do të kisha menduar ndonjëherë. Unë jam shumë mirënjohëse.

Faleminderit, ligjvënësve të qarkut dhe të shtetit për pjesëmarrjen në ceremoninë e sotme.

Kryebashkiaku Vinny Bellucci mandati juaj 31-vjeçar në zyrën e zgjedhur në Fairview duke shërbyer një mandat në këshill dhe 7 mandate si kryetar bashkie. Ju jeni deri tani kryebashkiaku me shërbimin më të gjatë në historinë e Fairview. Vizioni juaj ndër vite ka përqafuar një qeveri të madhe. Përfshirë por pa u kufizuar në restaurimin e parqeve dhe fushave. 

Një program për rishfaqjen e rrugëve në Borough që është dyfishuar në madhësi, gjatë gjithë mandatit tuaj. Gjatë 5 viteve të fundit ju keni stabilizuar taksat komunale të pronës dhe keni grumbulluar tepricën më të madhe ndonjëherë, gjithashtu keni avancuar iniciativën e sigurisë publike dhe keni kryesuar zhvillimin e zgjuar të Bashkisë.

Urime për gruan tuaj të bukur Joanne, fëmijët tuaj Vinny, Michael dhe Lisa, vjehrrat e tua, dhëndri dhe nipërit e mbesat, të cilët duhet të jenë shumë krenarë për arritjet e tua. 

Për sa më përket mua, mos shkoni larg, sepse kam ndërmend t’ju kontaktoj vazhdimisht, për udhëzimin dhe mençurinë tuaj, ndërsa ne lundrojmë nëpër këtë administratë. Në emër tim dhe të bashkisë ju uroj një pension të lumtur, të shëndetshëm dhe produktiv.

Paul Juliano, kunati im, nuk di as çfarë të them. Ke pasur besim tek unë, më ke mbështetur mua dhe fëmijët e mi gjithmonë, na ke qëndruar pranë, ke nisur karrierën time në politikë. Ju keni pasur gjithmonë një vizion për mua, që ndoshta nuk e kam parë gjithmonë. Paul faleminderit. Unë do të të bëj gjithmonë krenar.

Urime këshilltarit Steve Burke, Al Lukin dhe këshilltares Florencia Asto për zgjedhjen tuaj. Këshilltari Jhon Gomez dhe Russel Martin, kryetari ynë komunal, mezi pres të punojmë sëbashku për të çuar përpara objektivat, që kanë më shumë rëndësi për rezidencën e Fairview.

Një falenderim i veçantë për të gjithë ata që më ndihmuan në fushatën për këtë zyrë. Komiteti Demokratik i Fairview dhe vullnetarët që punuan sëbashku me Steve Russo.

Faleminderit Shefit tonë të Policisë dhe Departamentit të Policisë, Shefit të Zjarrfikësve dhe Zjarrfikësve, drejtuesve të departamenteve dhe DPW, për ruajtjen e qytetit tonë.

Administratorja jonë Diane Testa për udhëzimin dhe mbështetjen tuaj dhe për John Schettino avokatin tonë të bashkisë për udhëzimin tuaj. Falënderim i veçantë për Monique-n, që sigurohet që gjithçka të funksionojë pa probleme. Për të gjithë miqtë dhe kolegët e mi në Bordin e Arsimit të Fairview ju falënderoj për mbështetjen tuaj gjithmonë.

Unë zotohem të punoj shumë çdo ditë, për të ruajtur rrugë të sigurta dhe të pastra, taksa të qëndrueshme dhe vlera të larta të pronës, si dhe për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve të banorëve dhe për të punuar me vendbanimin ndërsa përmirësojmë cilësinë e jetës dhe miratojmë politika, që do të përqafojnë pozitivisht komunitetin tonë Fairview.

Sonte, është një nga nderimet më të mëdha të jetës sime dhe do të doja t’a ndaja me mamin që më ka qëndruar pranë, mirë e keq në çdo sekondë të jetës sime dhe babin tim, që më shikon nga lart me një buzëqeshje të madhe. 

Ata erdhën në Shtetet e Bashkuara kur unë isha 3 muajshe dhe tregonin historinë se si zbritën në aeroportin John F. Kennedy me 1 valixhe, 2 fëmijë dhe shumë pak para. Ata nuk ishin të sigurt se çfarë ndodhte përpara. Ata shpejt gjetën punë sindikale me 32B-J. 

Babai im në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara si larës dritaresh dhe nëna ime duke bërë mirëmbajtjen e ndërtesave në Manhatan. Në vitin 1986 ata arritën ëndrrën amerikane, kur blenë një shtëpi në Linda Lane në Fairview.

Si nënë e vetme e 2 fëmijëve nuk mund ta imagjinoja se si do të kishte shkuar jeta ime nëse nuk do të ishte forca, dashuria, mbështetja dhe vlerat që më dhanë prindërit. Unë të dua më shumë se sa mund ta dish ndonjëherë.

Do të doja të falenderoja Ambasadorin e Kosovës Blerim Reka, që ishte këtu sonte.

Përsëri, ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu dhe unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për t’ju bërë krenarë, për të punuar me integritet dhe përkushtim për të siguruar që ne të vazhdojmë përparimin e bërë ndër vite.

Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe Zoti e bekoftë Amerikën!

Ju uroj të gjithëve një Vit të Ri të lumtur dhe të shëndetshëm!”

Një urim zemre nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Një urim i veçantë i ka ardhur këto ditë Kryetares së Bashkisë Violetta Berisha nga U.S. Embassy in Tirana Congratulates Violeta Berisha on Historic Appointment as Mayor, ku ndër të tjera thuhet se: “Dita e sotme shënon një moment historik për komunitetin Shqiptar në Amerikë. Violetta Berisha, u betua si Kryetarja e Bashkisë e Fairview, New Jersey. Urime Violetta Berisha, e para grua dhe Kryebashkiake shqiptare që merr këtë detyrë. Mirënjohje dhe krenari për arritjet e saj dhe komunitetit. Suksese në rrugëtimin tuaj. Ne jemi krenarë, për arritjet e shqiptarëve kudo që janë.”

Presidenti i Shqipërisë uron kryetaren e Bashkisë Berisha

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Violetta Berishën për zgjedhjen e saj në krye të komunës Fairview në New Jersey. Begaj e konsideroi këtë një moment historik për komunitetin shqiptar në SHBA. 

 “Urime Violetta Berisha, për betimin si Kryetare e Bashkisë Fairview, New Jersey. Ky është një moment historik jo vetëm për të, por edhe për komunitetin shqiptar në SHBA. Suksesi i saj si gruaja e parë shqiptare, që ka marrë një detyrë të tillë është model frymëzimi dhe krenarie.”

Kryetari i Bashkisë së Mirditës në Shqipëri, zoti Albert Mëlyshi, ka uruar Violetta Berishën për zgjedhjen e saj në krye të komunës Fairview në New Jersey. Melyshi e konsideroi këtë një moment me vlerë historike për komunitetin shqiptar në SHBA. Në mesazh thuhet: “Zonja Violeta Berisha! Stafi drejtues i Komunës së Mirditës dhe personalisht kryetari i Bashkisë z. Albert Mëlyshi, ju urojnë gjithë të mirat në punën tuaj dhe suksese të vazhdueshme në detyrën tuaj të re, për të menaxhuar Komunën e Fairview. Ju lutemi pranoni sinqeritetin dhe urimet tona, duke shpresuar që shkëlqimi juaj si një bijë intelektuale dhe fisnike e vendit tonë do të bëhet shembull për të gjithë djemtë shqiptarë dhe vajza në çdo vend që janë. Shkëlqesi! Vendet tona gëzojnë gjithashtu histori të rralla njerëzore si natyrë e pastër plot burime, kështu që ne përcjellim Ju urimet tona të sinqerta dhe dëshirën tonë për bashkëpunim në të ardhmen, gjithmonë në interesin më të mirë të komuniteteve që na kanë besuar drejtimin. Përshëndetjet më të mira, Kryetari i Bashkisë Albert Mëlyshi.”

Historia e shkurtër e qytetit Fairview

Më 24 gusht të vitit 1876, Abraham Browning nga Camden, një politikan i shquar i shtetit Nju Xhersit (New Jersey), iu referua shtetit të tij si Shteti i Kopshtit, gjatë një fjalimi në ekspozitën Centennial të Filadelfisë në Ditën e Nju Xhersit.

Asokohe ai e përdori frazën teksa kritikonte shtetet fqinje për marrjen e burimeve nga shteti Nju Xhersit. Browning e krahasoi Nju Xhersin me një fuçi të madhe të mbushur me gjëra të mira, për të ngrënë dhe e hapur në të dy skajet, me Pensilvanianët që kapnin nga njëri skaj dhe njujorkezët nga ana tjetër.

Sipas burimeve historike mësohet se disa historianë pohojnë se ishte Ben Franklin ai që përdori për herë të parë analogjinë “fuçi e hapur në të dy skajet”. Pseudonimi (Shteti i Kopshteve) i qëndroi fort shtetit gjatë vitit 1954, kur legjislatura votoi për vendosjen e këtij slogani në targat e automobilave të Nju Xhersit.

Në vitin 1954, kur u miratua ligji për të përfshirë sloganin në targa, guvernatori i Nju Xhersit ishte Robert Meyner. Projekt-ligji goditi tavolinën e tij për nënshkrim dhe ai e shqyrtoi çështjen, duke përcaktuar se pseudonimi nuk ishte njohur kurrë zyrtarisht nga asnjë pjesë e qeverisë. Ai gjithashtu dyshoi në përshtatshmërinë e tij, duke pasur parasysh shumë gjëra të tjera që lidhen me shtetin.

Ai shkroi në letrën e tij, duke vënë veton ndaj projektligjit: “Unë nuk besoj se qytetari i zakonshëm i Nju Xhersit e konsideron shtetin e tij si më të identifikueshëm me kopshtarinë ose bujqësinë sesa me ndonjë nga industritë ose profesionet e tij të tjera”. Pavarësisht rezervave të Guvernatorit, legjislatura e ka tejkaluar veton e tij.

Fairview u formua në 19 dhjetor 1894, nga pjesë e Ridgefield Township, bazuar në rezultatet e një Referendumi të mbajtur një ditë më parë se të fitonte referendumin. Bashkia u formua gjatë fenomenit Boroughitis, më pas, duke përshkuar Qarkun Bergen, në të cilin e formuan me 26 bashki në qark në vitin 1894.

Ajo është një mini-bashki e vendosur në Bergen County, Nju Jersey, Shtetet e Bashkuara. Ndërsa në Regjistrimin e SHBA të vitit 2010, bashkia kishte një popullsi totale prej 13.835, duke reflektuar një rritje prej 580 (+4.4%) nga 13,255 të numëruara në Regjistrimin e vitit 2000, e cila nga ana e saj ishte rritur me 2.522 (+23.5%) nga 10.733 të numëruara në Regjistrimin e vitit 1990.

Regjistrimi i vitit 2010 në SHBA numëroi 13,835 njerëz, 4,853 familje dhe 3,256 familje në bashki. Dendësia e popullsisë ishte 16,421.8 për milje katror (6,340.5/km2). Hispanikët ose latinët e çdo race ishin 54,63% (7,558) të popullsisë. Popullsia hispanike e qytetit ishte përqindja e 12-të më e lartë midis komunave në Nju Xhersi që nga Regjistrimi i vitit 2010.

Të ardhurat mesatare për një familje në bashki ishin 40,393 dollarë dhe të ardhurat mesatare për një familje ishin 46,365 dollarë. Meshkujt kishin të ardhura mesatare prej 35,000 dollarë krahasuar me 29,905 dollarë për femrat.

Fairview, qeveriset nën formën e bashkisë së qeverisjes komunale të Nju Xhersit, e cila përdoret në 218 komuna (nga 564) në mbarë vendin, duke e bërë atë formën më të zakonshme të qeverisjes në Nju Xhersi. 

Organi drejtues përbëhet nga një kryetar bashkie dhe një këshill bashkie, të cilët të gjithë zgjidhen mbi baza partiake në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit. 

Kryetari zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit për një mandat 4-vjeçar. Këshilli i njësisë bashkiake përbëhet nga gjashtë anëtarë të zgjedhur për të shërbyer mandate trevjeçare në baza të shkallëzuara, me dy vende që dalin për zgjedhje çdo vit në një cikël 3-vjeçar. 

Pak histori mbi shtetin e kopshteve, New Jersey

New Jersey, është një shtet i vendosur në të dy rajonet e Atlantikut të mesëm dhe verilindor të Shteteve të Bashkuara. Është shteti më i denduri me popullsi në 50 shtetet e SHBA-së dhe ndodhet në qendër të metropolit verilindor. 

Me 7,354 milje katrore (19,050 km2), New Jersey është shteti i pestë më i vogël në sipërfaqen e tokës, por me afro 9.3 milionë banorë që nga regjistrimi i vitit 2020 në SHBA, ku radhitet i 11-ti në popullsinë e përgjithshme të vendit. 

Kryeqyteti i shtetit është Trenton, dhe qyteti më i populluar i shtetit është Newark, ku ndodhet edhe aeroporti international me të njëjtin emër.

Gjithashtu New Jersey është i vetmi shtet i SHBA, në të cilin çdo qark konsiderohet urban nga Byroja e Regjistrimit të SHBA me 13 qarqe, të përfshira në zonën metropolitane të Nju Jorkut, 7 qarqe në zonën metropolitane të Filadelfias dhe Warren County pjesë e zonës metropolitane shumë të industrializuar të Luginës së Lehigh.

Nju Xhersi u banua për herë të parë nga paleo-indianë që në vitin 13,000 p.e.s., me Lenape që ishte grupi dominues indigjen kur evropianët mbërritën në fillim të shekullit të 17-të. Kolonistët holandezë dhe suedezë themeluan vendbanimet e para evropiane në shtet, me britanikët që më vonë morën kontrollin e rajonit dhe krijuan Provincën e Nju Xhersit, të quajtur sipas më të madhit të ishujve të Kanalit. 

Tokat pjellore të kolonisë dhe toleranca relative fetare tërhoqën një popullsi të madhe dhe të larmishme. New Jersey ishte ndër trembëdhjetë kolonitë që mbështetën Revolucionin Amerikan, duke pritur disa beteja kryesore dhe komanda ushtarake në Luftën Revolucionare Amerikane. 

Më 18 dhjetor 1787, Nju Xhersi u bë shteti i tretë që ratifikoi Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, e cila i dha asaj pranimin në Bashkim, dhe ishte shteti i parë që ratifikoi Ligjin e të Drejtave të SHBA më 20 nëntor 1789.

New Jersey mbeti në Union gjatë Luftës Civile Amerikane dhe siguroi trupa, burime dhe udhëheqës ushtarakë në mbështetje të Ushtrisë së Unionit. Pas luftës, shteti u shfaq si një qendër e madhe prodhuese dhe një destinacion kryesor për emigrantët, duke ndihmuar në nxitjen e Revolucionit Industrial në SHBA, New Jersey ishte vendi i shumë inovacioneve industriale, teknologjike dhe tregtare, duke përfshirë qytetin e parë Roselle), që do të ndriçohet nga rryma elektrike, llampa e parë inkandeshente dhe lokomotiva e parë me avull. 

Që nga fillimi i shekullit 21, ekonomia e shtetit është bërë shumë e larmishme, me sektorë kryesorë, duke përfshirë bioteknologjinë, farmaceutikën, teknologjinë e informacionit, financat dhe turizmin, dhe është bërë një epiqendër bregdetare e Atlantikut, për logjistikën dhe shpërndarjen. 

New Jersey, mbetet një destinacion kryesor për emigrantët dhe është shtëpia e një prej popullsive më të ndryshme etnike dhe multikulturore në botë. Duke i bërë jehonë tendencave historike, shteti është ri-urbanizuar gjithnjë e më shumë, me rritjen e qyteteve që tejkalojnë periferitë që nga viti 2008.

Që nga viti 2022, New Jersey kishte të ardhurat mesatare vjetore të familjeve më të larta, me 96,346 dollarë, nga të gjitha 50 shtetet. Pothuajse një e dhjeta e të gjitha familjeve në shtet, ose mbi 323,000, janë milionerë, përfaqësimi më i lartë i milionerëve midis të gjitha shteteve. 

Sipas hulumtimit Sistemi shkollor publik i Nju Xhersit renditet vazhdimisht në ose në krye të të gjitha shteteve të SHBA-së. 

Filed Under: Analiza

Gjuha shqipe, pjesë e pandashme e misionit tonë të shenjtë

January 10, 2024 by s p

Imam Edin Gjoni/

Paqja e bekimet e Zotit qofshin mbi gjithë ju. Është një nder i jashtëzakonshëm të qëndroj para jush sot në inaugurimin madhështor të Shkollës, “Fol shqip”, një projekt i parashikuar dhe realizuar nga Shoqata atdhetare Besi. Kjo përpjekje qëndron si një dëshmi e përkushtimit kolektiv të antarëve të saj në rradhë të parë, por edhe më gjërë, për ruajtjen dhe kultivimin gjuhës shqipe dhe trashëgimisë sonë shqiptare. Shihni! Gjuha të cilën e flasim sikurse edhe populli/kombi të cilit i përkasim janë dhunti prej Zotit. Dhe si Imam që jam, unë nuk mund ti shmangem Librit bazë të cilit unë përherë i referohen. Prandaj unë në këtë rast solemn do t’i ndaj me juve dy vargje nga Kur’ani. Në të parin, ku i Madji i Zot thotë 

“O ju njerëz, ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe femre, dhe ju kemi ndarë në fise dhe kombe që të njiheni me njëri tjetri e më i miri nga është ai i cili është me virtyt me të mirë” 

Sikur Madhëria e tij të donte, neve do të ishim krejtë njerëzimi një fisi apo një komb, të globalizuar në një familje ose etni. Megjithatë, me urtësinë dhe vullnetin e Tij, Ai deshti që nga një mashkulli dhe femre të derivojë shumë kombe ku çdonjëri prej tyre do ti ketë tiparet e veta specifike me të cilat ai do të dallohet dhe njihet. Ashtu edhe kombi i jonë shqiptarë, deshti Zoti i Madhë të veçohemi me traditën e vet dhe gjuhën me të cilën do të dallohemi dhe njihemi në rrallën e kombëve të tjera. E pa dyshim, superioriteti i takon atyre që janë më të mirë në zemër, dhe më  fisnik në virtyte. 

E një prej këtyre tipare dhe veçorive është gjuha. Kur flet Zoti për gjuhën ai thotë “Nga shenjat e madhërisë së Tijë është llojllojshmëria e gjuhve tuaja që ju i flisni…” (pra ai sikur të donte, neve do të flisnim të gjithë një gjuhë, dhe do kishim një mjetë komunikimi, megjithatë Ai deshi që në përgjithësi njerëzimi të flasë në gjuhë të larmishme, me çfarë Ai shfaqë dhe dëshmon – neve besojmë – fuqinë e Tijë kreative). Rrjedhimisht, gjuha shqipe që e flasim duke qenë një prej dëshmive të Zotit me të cilën ai shfaq madhërinë është DHUNTI që vetë Zoti na e dha! E dhuntin e Zotit a duhet harruar, mohuar, injooruar? Kurrësesi, JO!

Dhe jo rastësisht poeti i jonë më madh, bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri, këndon gjuhës shqipe me fjalët që jehojnë në shpirtin dhe zemrën tonë edhe sot e kësaj dite,

“Pa shihni ç’gjuhë e mirë!

Sa shije ka e hije,

ç’e bukur dhe e lirë,

Si gjuhë prej Perëndie.”

Naimi, i cili njëkohësisht ishte njohës i mirë i teologjisë dhe misticizmit, me këto vargje përveç se na përkujton në bukurin, shijen, hijen, dhe mirësinë e gjuhës shqipe, si dhunti hyjnore, ai thua se do të na vetëdijësojë për se nevojen për ta ruajtur dhe jo harruar këtë gjiuhë, për ta mbajtur e kultivuar, e jo assesi neglizhuar dhe injoruar. 

Prandaj edhe institucionet tona fetare, në rastin konkret Xhamitë, që me themelimin tyre më të hershëm janë përpjekur që krahas fesë të përcjellim edhe traditën e popullit dhe gjuhën e vet. Si pjesë e pandashme e misionit tonë të shenjtë. 

Neve sot jemi më se të lumtur kur këtij misioni na jeni bashkangjitur edhe ju në ruajtjen, prezervimin, kultivimin e gjuhës tonë shqipe. Më besoni mirë se këtij misioni askush vetë nuk mund t’ia dalë. As neve në nivel familijar dhe shtëpiak, as neve si shoqatë, por as neve si xhami dhe institucione fetare. Së bashku –  dhashtë Zoti – do tia dalim dhe t’ia  arrijmë suksesit. 

Më në fund, gjuha në fjalor definohet si një mjet komunikimi. Mirëpo ajo është shumë më tëpër se kaq. Ajo është ena që mbart kujtesën tonë kolektive, traditat tona dhe identitetin tonë kulturor. Ajo përmbledh shpirtin e të parëve tanë dhe shërben si një urë lidhëse midis brezave. Neve definitivisht nuk jemi të parët të cilët e folëm këtë gjuhë. Kjo gjuhë është fol jo me dekada, as jo me shekoj, por me mileniume të tëra mijë vjeçare. Por neve sot do t’ia vëjmë vetës pyetjen: “A do të jemi ne ato të cilët të fundit do ta flasin gjuhën shqipe? A do të këputet kjo traditë mijëvjeçare me neve? A do të lejojmë të thonë fëmijët tonë prindërit tanë kanë folur Albanian por neve nuk dijmë? Jo nuk do të lejojmë kurrë e për jetë! Si familje ja japim besen Zotit se nuk do të lejojmë të ndodhë kjo.  Si Xhami ia japim besën se nuk da të lejojmë! 

Shoqata Besi sot, e përherë, jep BESËN e Zotit se nuk e lejon këtë kurrë e përherë! Por thotë FOL SHQIP! Ashtu na ndihmoftë Zoti, neve në shtëpia, në Xhami, në këtë Shkollë Fisnike! 

Prandaj, në emër të Qendrës tonë dhe kryetarit të saj zotni Ahmet Veles, në emër të Imam Jusufit dhe në emrin tim personal shoqatës Besi i uroj shumë sukses në veprimtarinë e tyre, në misionin që kanë ndërmarë për të “Fol Shqip”, të “vallëzu dhe këndu shqip”! Zoti ju priftë çdo mbarësi, sukses dhe begati në projektet dhe veprimtarit tuaja! E bëftë që shoqata dhe shkolla e juaj të jetë një fener i identiteti tonë kombëtarë dhe kulturor. I shprehi mirënjohje të gjithëve që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ëndrre. Së bashku, le të fillojmë këtë udhëtim për të siguruar që gjuha jonë të mbetet e gjallë dhe e dashur për brezat që do të vijnë. 

Filed Under: Komunitet

SALI  NIVICA

January 10, 2024 by s p

Nga Subi Çako/

Me rastin e 104 vjetorit të vrasjes së Sali Nivicës unë kam zgjedhur të sjell në vëmendjen e lexuesve një prej artikujve nga publicistika e tij e shumtë e titulluar “Për Memurët”(Për Nëpunësit). Shikoni se sa aktual e realist është akoma ky artikull që përshkruan memurët tanë të cilët nuk është se ngjasojnë vetëm këto tri dekada po kështu paskan qënë edhe gati një shekull më parë .E kur të jetë ndryshe edhe ne mund të jemi ndryshe, edhe vendi ynë do të jetë ndryshe e nuk do dallojë nga të tjeret.

Pak të dhëna nga jeta dhe vepra e Sali Nivicës.

Ai lindi më 15 maj 1890 në Rexhin të Kurveleshit të Sipërm rrethi Tepelenë, u vra nga dora e armiqve te Kombit më 10 janar 1920 në Shkodër. Ishte publicist, patriot, politikan e shkrimar. Ai është ‘Nderi i Kombit’.

Në vitin 1904 filloi studimet e shkollës së mesme në gjimnazin “Idadi Mylyqi” të Manastirit. Aty u lidh me atdhetarin Bajo Topulli, themelues i Komitetit të Parë Kryengritës për çlirimin e Shqipërisë, aktivist i të cilit u bë edhe djaloshi Sali Nivica, sidomos me shkrime me frymë të fuqishme atdhetare në shtypin e kohës. Dy vitet e fundit të shkollës së mesme Saliu i perfundoi, në vitin 1909, në gjimnazin Zosimea të Janinës.

Anetar i Komësise Letrare Në korrik 1912, i gjëndur në Durrës si mësues, për veprimtaritë e tij antiosmane, arrestohet dhe burgoset në Stamboll. Pasi u lirua nga burgu me ndërhyrjen e Ismail Qemalit, fillon punën e mësuesit të gjuhës shqipe në ‘Rober Kolezh’, në Stamboll, ku krijon edhe drejton shoqërinë Qarku letrar. Në vitet 1914-1915 bashkëpunoi me publicistin e atdhetarin Muço Qulli për nxjerrjen e gazetës Populli, dhe deri me 1916 punoi në fushen e arsimit. Ishte mbrojtës e përhapës i flaktë i arsimit dhe gjuhës shqipe. Motoja e tij ishte” Kombin e mban dhe difton komb nji atdhe homogjen, nji histori e kthjellët, nji besim i bashkët e nji gjuhë e livrueme.”Ai kërkonte të ngrihej një Akademi për studimin e një gjuhe të përbashkët dhe një fjalor të gjuhës shqipe.

Më pas veprimtaria shkencore, politike dhe atdhetare e Sali Nivicës përqëndrohet në Shkodër. Më 6 shkurt 1918 ftohet dhe bëhet anëtar i “Komisisë letrare”, të krijuar në Shkodër më1916, ku dha një kontribut të veçantë për probleme të lëvrimit të gjuhës shqipe   në Shkodër, asaj Vllaznia e Rozafa. Është ndër organizatorët e krijimit dhe zgjidhet anëtar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe anëtar i kryesisë së tij, prej 7 anëtarësh  ne 7 nëntor 1918. Aty bashkëpunoi me figura të ndritura kombëtare si Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçens Prenushi, Sejfi Vllamasi etj. Si anëtar i Kryesisë, ai vuri në dispozicion të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës gazetën e tij Populli, zyra e të cilës u zhvendos në oborrin e ndërtesës së Komitetit. Nga numri i parë e deri te ai nr.19 gazeta doli me moton ‘Për lavdinë e Atdheut’ dhe, gjatë punimeve të ‘Konferencës së Paqes në Paris’, deri te numri i fundit, Nr. 48, 10 janar 1920 duke ju përgjigjur zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit e për mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare, doli nën moton ‘Për indipendencën e plotë të Shqipërisë’. Gazeta Populli botohej kryesisht në dialektin gegërisht.

Gazeta, në vitin 1919, u shpërnda jo vetem brenda Shqipërisë, por edhe jashtë shtetit, në Francë, Itali, Zvicër dhe SHBA, Veprimtaria e tij atdhetare e publike ishte pengesë për planet aneksioniste serbo-sllave, italiane e greke. Ndaj më 10 janar 1920, në prag të ngjarjes së madhe kombëtare, të mbledhjes së Kongresit të Lushnjës, u vra në Shkodër nga Kolë Ashiku, njeri i vënë në shërbim të forcave pushtuese serbe e italiane, i paguar dhe i armatosur posaçërisht. Shkodra, ditën e varrosjes, i bëri Saliut të gjitha nderimet e rastit, duke e shpallur ditë zie. Ai është nderuar si “Mësues i Popullit”në 1961,”Dëshmor i vjetër i Atdheut”në 1971 dhe me Urdhërin “Nder I Kombit”në 2011. Artikulli “Per Memuret” është i botuar në Nr.19 ,Datë 6 Gusht 1914 te gazetës “Populli”në Vlorë. Ky është një nga shkrimet e shumtë të publicistikës së Sali Nivicës.Ne vazhdim po e sjellim atë me disa shkurtime:

PËR MEMURËT – Po i shkreti nëpunës? Lidhur e i penguar me një qint leq e ferra të kanunit; puna e tij e vëndosur, siellia e tij e shkurtuar, fjala e tij e caktuar….Jeta, jetë e zezë, nën shtyp e nënë shtrëngim, gjithë frikë se mos shkelë ligësht, se mos flasë keq, se mos e qërtoin, se mos e dënoin, se mos i presin ligësht,se mos i japin rrugën… Gjithë laika e pullatika, t’a ken në sy të mire t’a ken kuidesë, t’i shtoin meashin(rrogen,S.Ç.), t’i ngren rutbeen (pozitën në aparatin e shtetit,S.Ç.); shpesh herë shtrëngohet të gënjejë, gënjehet të viedhë… Me gjith këto lemeritë të shihte dobarem, pak hair, por, mierisht, as këtë jo! Unë s’njoha ndonjë nëpunës të jetë bër cirak, të ket bër tog e prokopië vetëm nga rroga që merr.

Dënuar të numërojë ditët e moit me gishtrinj: c’ditë hyri, c’ditë do të dalë, kaq do të mar, kaqë kam për të prishur, aqë do të më mbeten…Dhe ato të pesë kacidhet e shkreta, rrush e kumbulla si pare bixhozi; se varidat(të ardhurat.S.Ç) i prer, t’a di dhe miku dhe armiku; pra ndyr e pështyr i bukur dreq në të. Tërë jeta në brengë e në nevoje këtu borxh e aty veresie; me shtëpie në krahë, me fëmijë për dore; s’dihet nga fryn era, s’dihet ku të zë hera….ja, dhe memurieti, sa fat-keqesië!…

Nuk e mohoim dot shërbimet që mund t’i sjellë kombit e atdheut të vetë një nëpunës i dijtur e i zoti, as që duam të themi, me këtë shënim, s’na lypsen nëpunësit…

Se kanë dhe këta një detyrë më vete, zën një rend te posatshëm e të duhur në rregullimin e punërave njerëzore, janë mieshtrat, drejtonjësit e shortit t’ëne, janë, me një fjalë qeveria vetë. Pra na duhen nëpunësit. Na duhen është e vërtete, por, jo dhe si e bëim na, jo ti harroim burimet e tierë të ushqimit, jo t’i sulemi qeverriës si mizat e lisit, jo të mblidhemi që nga ana e anës në Durrës e në Vlorë, të qelbemi në strehë të dyqaneve, të na shqepin mizat mi tavlla e mi letra të kafeneve e, ditën e moit, të derdhemi si dhent më krypë në Hazine e të rrëmbeim, pa cipë syri, pa pikë hamijeti, nga 20 e 30 napolona, jo të mieroim, kështu kombin e të varfëroim qeverriën. Ne u pështuan vendet,në mos ka punë ja ku ësht fusha e luftës!

Për napolona e dashkemi Shqipëriën, po për punë jo! Le të kemi frikë nga perëndia, përse i marrim gjith këto te holla. Ç’shërbim i suallëm dhe mund ti sjellim kombit e atdheut! Le të na vrasë ndërgjegjia jonë se ka dhe qint- mijëra Shqiptarë vëllezërt t’onë, që desin për bukë rrugave dhe ullinjve dhe qeverria s’ka t’u ndihë me nga 20 e 30 para, jo napolona. Le të shohim se ka dhe burra që bëin detyrën e tyre,na ruain nderin ,na siguroin jetën,luftoin në këtë pisk vape e qeveria s’është e zonjat’u dërgoje bukë. Unë s’dëgjova nonjë memur që kish marrë pushkën në dorë a të kish dhënë një dhjetësh ndihmë, me gjithë kto myxyra, jo, por vec për të marrë, për të rrëmbyer;gjith me kast,si korbat në kërmë, si kur s’është gjaku i tyre, shpirti i tyre,atdheu i tyre po ndonjë vend i shkretë e i huaj, kush të ndukë pjesën më të madhe! Jam shigurse si ketu edhe në Durrës,numëri i memurëve hypën dhietë herë mi atë të burrave me armë në dorë.

Kudo të vesh, me kë do të bisedosh, çështia e memurëve të del përpara. Se ku jeshëm, një mik midis nesh u hoth e tha: “Më mbani vesh një fialë, o shokë , se belqita des e më mbetet peng:Turqiën e prishën Selaniklit e Shqipërien po e prishin mehmurët….”

Mirë këta memurët, që, të themi,këtë kanë zanat,kështu gjein e bëin, po ministri i financave, vallë , ç’menton, ku i del ky hesap që i paguan kaq shumë e kaq me rregulle?

Qeveria në brengë e në nevojë për ushtarë, i lypsen armë, i lypsen municione, i lypsen rroba, i lypset ngrënie, muhaxhirët një barrë e rëndë më vete e zoti ministër na jep urdhër të paguhen meashet.

Në të tilla rreziqe, në të tilla nevoja, mbretërit e botës u presin dhe nga-nje dhe nga-dy e tre meashe nëpunësve e shikoin punëra më të mëdha; sidomos ushtriën nuk e lën keq! Një nënpunës i ndershëm i kontabilities më tha se këtë muaj që dolli, c’qenë memurë dhe ca mytekaidë, u paguan me të vendit e me të ardhurit. Nashti kasa mbeti teneqe. Për ushtrien e gendarmërien e Viosës, ska as një dhietësh! Atëhere, na ruatë ministri i financave! – (Sali Nivica)

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1210
  • 1211
  • 1212
  • 1213
  • 1214
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT