• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e Sheshit të Flamurit

November 23, 2025 by s p

Vildan Sharra/

Do na bëhet Shqipëria? Do na bëhet në e do!  Nuk janë vargje poetike, as këngë   patriotike.Trojet arbërore ishin në prag të rrezikut dhe shfarosjes prej fqinjëve të përhershëm grabitqarë. Për afro pesë shekuj nën robërinë e egër otomane, me gjithë përpjekjet e herë pas hershme nuk kishin mundur të krijonin një shtet të vetëm shqiptar.

Gjithë popujt , pjesë e perandorisë otomane, kishin kohë që kishin formuar shtetet e tyre, ishin forcuar ushtarakisht dhe herë pas here sulmonin dhe rrëmbenin tokat arbërore. Intelektualët shqiptarë ishin shumë të ngjitur me perandorinë otomane, nuk u mungonte dëshira për një  Shqipëri autoktone , por nuk kishin kurajo dhe besim te populli. Këtë e dëshmon më së miri Lidhja e Prizrenit. Edhe pse pati jehonë të madhe në histori, Lidhja e Prizrenit u themelua për të protestuar kundër vendimeve te Traktatit të Berlinit për copëtimin e tokave shqiptare dhe jo për pavarësi nga perandoria otomane. Fillimisht u mbështet nga Porta e Lartë.  Qellimi i udhëheqësve të saj ishte për një autonomi të popullit shqiptar në perandori. Lidhja nuk arriti të organizonte shqiptarët nën një komandë të vetme, nuk pati besim të plotë tek fshatarësia, dhe nuk pati përkrahjen e shteteve europiane.

Shëmbulli më i mirë në historinë tonë është lufta legjendare për pavarësi nga Turqia nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Ishin kërkesat e vazhdueshme, ishte gadishmëria  e popullit arbëror që e zgjuan ndërgjegjen kombëtare të tij. Eja Gjergj, eja trim i trimave, populli po të pret? Barleti na e bën të qartë në librin e historisë së lavdishme të Skënderbeut, fjalët e tija të pavdekshme dhe kuptimplote… Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta tek ju…Skënderbeu i bashkoi princat e për¢are shqiptare  në luftën fitimtare kundër ushtrive otomane. Por ¢farë ndodhi në vitet 1900-1912?

Perandoria otomane po jetonte momentet e fundit. Në vizitën e tij të dytë tek mbreti i Greqisë në v.1900 , Ismail Qemali takon një shqiptar, i cili i tha … Bej, mos u beso këtyre kokë-trashëve,bëj të pamundurën të krijosh një Shqipëri të lirë për ne, dhe të ribashkohemi të gjithë shqiptarët atje.(1) Më poshtë I.Q…u shpjegon gjithë shqiptarëve që kishin shkuar për t’a takuar, me shpresë se kishte ardhur koha për t’u shkëputur nga Turqia… arësyet që e detyruan të linte detyrën dhe shërbimin në perandori,…dhe shprehu dëshirën që t’i qëndrojmë besnik perandorisë ?!(2)  Shumë patriotë shqiptarë shpresuan se kishte ardhur momenti për një Shqipëri të Pavarur. Duhej një udhëheqës që t’i bashkonte shqiptarët në një kryengritje të përgjithshme në trojet e robëruara.

Hasan Prishtina në fillim të v. 1912, deklaron hapur në parlamentin turk dhe organizon një kryengritje të përgjithshme në trojet shqiptare. U mblodhën tek shtëpia  e Syrja bej Vlorës në Turqi. Hartuan planet, caktuan detyrat , fillimin e kryengritjes në tre drejtime, në Dardani, në Shqipërinë e jugut dhe Shqipërinë e mesme. Hasan Prishtina e fillon kryengritjen në pranvere, e ¢liron gjithë dardaninë dhe ngre flamurin shqiptar në të gjitha trevat. Po udheheqesit e tjere…? jo vetëm që nuk e ngritën popullin, por edhe premtimet për armë dhënë Hasan Prishtinës nuk i mbajtën.(3)

Ismail Qemali në Kuvendin e Pavarësisë, Hasan Sharra në rreshtin e dytë

8 Tetor 1912. Fqinjët kishin filluar luftën (lufta e parë ballkanike)  për copëtimin e trojeve shqiptare.Ismail Qemali nuk pranoi të takohet me krajlin e Malit të Zi, i cili e ftoi të merte pjesë ne luftën që po pregatitej kundër Perandorisë Otomane.  Nga të gjitha krahinat  , shkonin në Vlorë dhe bisedonin me Ismail Qemalin ,(Shtator 1912),më tregonin familjarët e mi që ishin të pranishëm në ato momente. Duhej vepruar sa më shpejt… atdheu ishte në rrezik…Nje telegram nga Qamil Pasha, i cili i propozoi postin e ministrit në kabinetin e ri. U nis menjëherë,(fund i shtatorit 1912) me shpresë se mund t’a shpëtonte atdheun me ndihmën e Portës së Lartë. Shpresë e kotë, perandoria kishte mbaruar prej kohësh. 

Në 27-28 tetor 1912 u mblodhën në shtëpinë e Sharrajve dhe biseduan për situatën tepër të rënduar në trojet shqiptare, Fazil Toptani,Urat Toptani, Nexhip Draga,Dervish Hima,Namik Delvina,Bektash Cakrani,Sali Nivica,Alem Mehmeti,Aziz Pashë Vrioni etj…(4) Të gjithë ishin të mendimit se duhej vepruar sa më parë, serbet kishin filluar sulmin, pushtimin e trojeve shqiptare. Turgut Pasha e kishte ¢armatosur popullsinë në 1911. Si rrjedhojë serbët përparonin lehtë, pa ndonjë pengesë seriose, e masakronin popullsinë. Hasan Sharra ishte më i besuari i Ismail Qemalit… i qetësonte të pranishmit… presim udhëzimet prej tij. Ismail bej Vlora e cakton mbajtësin e protokollit dhe e kishte të besuar per dërgimin e letrave dhe dokumenteve të patriotëve  të ndryshëm gjatë gjithë periudhës së pavarësisë.(5)

Në rrethana të tjera unë do ta pranoja postin e ministrit me kënaqësi, por një detyrë më lartë më detyroi të mos e pranoj… Qamil Pasha më në fund e kuptoi dhe pranoi arsyen time…dhe ne u ndame me respekt reciprok, shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tija,faqe 370. Domethënë, po të mos kishin sulmuar fqinjët nga veriu dhe jugu, nuk duhej të shkëputeshim nga Perandoria?! Unë u telegrafova, në të gjitha  krahinat e Shqiperisë, të lajmëronin arritjen time…momenti kishte ardhur per ne, të realizojmë aspiratat tona kombëtare. Unë u kërkova ,të gjithë delegatët të nisen nga të gjitha anët e vendit në Vlore, ku do të mbahej kuvendi kombëtar.(6) Shihet qartë, Ismail Qemali , pasi e diskutoi dhe mori aprovimin nga Qamil Pasha,më në fund dha kushtrimin dhe u nis per në Vlorë. Serbët,malezezët dhe grekët i kishin zaptuar më të shumtat e trojeve shqiptare!

Vlora në 1912

Shpallja e Pavarësisë është ngjarja më madhështore në historinë e popullit shqiptar.Shtëpia e Sharrajve u hap me gëzim të madh, shkruan Kristo Floqi në librin e tij.(7) Delegati Xhemal Karahasani në shkrimin “Një udhëtim historik nga Durrësi në Vlorë “ tregon:”Që të gjithë hymë në Vlorë dhe zbritëm në shtëpinë e Hasan Aga Sharrës e vellezer”. Mua ,Ismail beu më mbajti aty.(8)Ishte e hënë 25 Nëntor,1912. Pjesëmarrësit që kishin ardhur bën pushim, të martën dhe të mërkurën. Komisioni Përgatitor kishte kohë që i kishte marrë masat mbrojtëse, ekonomike dhe organizative. Të ënjten pasdreke të 83 delegatët(9) u drejtuan në anën tjetër të rrugës, përbri pallatit të Sharrajve, në Sarajet e Vlorajve,tek shtëpia e Xhemil Bej Vlorës. Atje ishte një sallon i madh në katin e tretë. .Në orën 2:00 pas dreke deri në orën 4:15 zhvilloi punimet Kuvendi Kombëtar, dhe të gjithë njëzëri e shpallën Shqipërinë Politikisht të Pavarur. Në përfundim të kuvendit , Murat bej Toptani shpalosi flamurin Kuq e Zi që e kishin sjellë grupi i atdhetarëve nga Rumania,na tregonte Xha Memdui që ishte i pranishëm në atë ditë.(Memdu Sharra ishte edukuar në disa universitete të njohura të kohës,edhe në universitetin prestigjoz të Kembrixhit, Londër)

Konsulli austriac Wenzel Lijhanec në relacionin(konfidential) dërguar qeverisë së tij midis të tjerave shkruan: “ Më 28 mbrëma,pasi na pat grishur Ismail Qemal beu,vajtëm unë dhe konsulli italjan në shtëpinë e tij (te kryetari i madh Hasan Sharra) na i shpjegoi se si kish rrjedh puna si asamble kombëtare dhe na u lut që vendimin e saj t”ia transmentojmë qeverive t´ona…”, përkthyer nga gjermanishtja prej Luan Malltezit.(10)

Brënda pak ditëve u pregatit një flamur i madh i cili u vendos në krahun e majtë të pallatit të Sharrajve, ku qëndroi Qeveria e Përkohshme , deri sa u pregatit godina në Skelë, me largimin e flotës greke,në prill 1913.Një atmosferë festive dhe mallëngjyese , e paparë ndonjëherë mbretëronte në rrugët e Vlorës. Sheshi përballë godinës së Qeverisë qëndronte i tejmbushur me popullin që brohoriste dhe valviste flamujt kuq e zi, Të na rrojë Shqipëria!  Rroftë!  Rroftë!  Rroftë Flamuri!

Entuziazmi popullor do të arrinte kulmin tre ditë më vonë. Isa Boletini me trimat e tij mbritën në Vlorë. Populli i kishte rrethuar dhe i përcillte drejt godinës qeveritare. Fëmijë dhe të rritur , i preknin , i përqafonin, i zbritën nga kuajt, u mernin armët , brohorisnin me të madhe Isa Boletinin. Ata mbetën të shastisur! Nuk e prisnin një gëzim kaq të madh, na tregonte xha Memdui.

i

Ku po shkon ? Tek Sheshi i Flamurit !- ishte përgjigja. Sheshi përpara ndërtesës ku ishte vendosur  Qeveria e Përkohshme dhe ku dukshëm nga të gjitha anët valvitej flamuri i madh ,ishin pronë e vëllezerve Sharra. Që ato ditë , ai vend u quajt “ Sheshi i Flamurit”, nuk pati emërim qeveritar, ishte populli që spontanisht e emëroi atë . Gjithshka ka ndryshuar dhe po ndryshon në atë shesh, nga njëra qeveri në tjetrën, por jo dashuria e popullit shqiptar për Sheshin e Flamurit.

Nga fundi i viteve 1700, aty ishte një fushë , më të shumtën e vitit ishte e mbushur me ujë. Sharrajt u vendosën per herë të parë në vitet 1780-90. Kohë më parë e kishin blerë atë vend prej familjes Vlora. Oxhaku i Sharrajve i kishte sarajet në Kavajë, të vendosur atje dy shekuj më parë nga Tirana, ku edhe kishin prona të shumta.Ndërtuan manastire dhe ¢ezma  me  ujë të pijshëm .Lagja Sharra, ¢ezma Sharra  egzistonin në Kavajë deri në vitet 1970 , ndoshta dhe më vonë. Hasmëria me fisin Alltuni i detyroi Sharrajt të vendoseshin në Vlorë.

Pasi ndërtuan shtëpitë e tyre provizore, menjëherë gërmuan një kanal të madh për kullimin e ujrave, që përkon nga stacioni i autobusave , pranë xhamise sot, dhe ujrat derdheshin në lagjen “Kume”. Në fëmijërinë time kujtoj nga shirat e shumta, rrugica ku jetoja përmbytej nga ujërat dhe balta prej kodrës së Budakut. Ardhja e Sharrajve në Vlorë e ndryshoi jetën shoqërore të qytetit dhe fshatrave perreth. Rendi i vjeter patriarkal, i mykur,  që e kishte pllakosur jetën shoqërore në Vlorë kishte filluar të shkërmoqej. Dal ngadalë filloi të ngrihej një klasë e re shoqërore,patriotike, e quajtur klasa e mesme,klasa e agallareve që disa dekada më vonë do të ndryshonte historinë e Vlorës dhe krejt Shqipërisë. Sharrajt do të quheshin “ndërtuesit e Vlorës”.

Duke parë këto ndryshime , fisi i Vlorajve e la kalanë e Kaninës ku jetonin dhe ndërtuan sarajet e tyre në v.1825. Ndërtesat luksoze të rrethuara me një mur 3.5 metra të lartë, me hyrje në drejtimin jugor, ku edhe ishte planifikuar qëndra e qytetit të Vlorës. Në anën lindore të sarajeve u ndërtua një rrugë 15-20 metra e gjerë. Nga ana tjeter Sharrajt filluan ndertimin e nje ndërtese të madhe me gurë të bardhë të sjellë nga Karaburuni. Kjo i acaroi marredhëniet e mira dhe miqesore midis tyre. Ndërtesa nuk duhej të ishte më e madhe, jo me shume se dy kate që ironikisht ,nuk duhej t’i bënte hije sarajeve të pashallarëve të Vlorës. Edhe pse e ndryshuan planin e ndërtesës, Porta e Lartë nuk e lejoi përfundimin e saj. Do të duheshin mbi 20 vjet të përfundohej, kur perandoria qe kalbëzuar, pikërisht,disa muaj perpara Shpalljes së Pavarësisë.

Trojet Shqiptare u shpallën të pavarura , por më të shumtat ishin te okupuara nga fqinjët. Në krahinën e lirë të Vlorës u grumbulluan mbi 250 mijë muhaxhirë dhe 30-35 mijë ushtarë të perandorisë. Menjëherë pas përfundimit të kuvendit , I.Q. diskutoi me konsujt Austro-Hungarez dhe Italjan për masat që duheshin marrë për t’a ndihmuar ushtrinë e braktisur perandorake. Gjest tepër fisnik dhe humanitar?!(11) Për muhaxhirët shqiptarë që kishin mbushur ullishtat dhe kodrat e Vlorës për t’i shpëtuar agresionit të fqinjëve,që barbarisht po shkatëronin shtëpitë dhe masakronin popullsinë e pambrojtur shqiptare… nuk u diskutua atë mbremje, dhe ditët në vijim …?!

Dasmen e Madhe të Pavarësisë në Vlorë e organizuan dhe e financuan klasa e mesme dhe fshataresia shqiptare,më tregonin familjarët e mij. Patriotizmi i zjarrtë i masave popullore nuk ishte shuar asnjëherë gjatë gjithë kohës nën robërinë otomane. Hera-heres shperthente fuqishëm, por mungonin udhëheqësit e denjë per t’a organizuar dhe kurorëzuar në fitore përfundimtare. Klasa feudale shqiptare ishte krejtësisht në shërbim të perandorisë.

Pinjolli i famijes së Vlorajve,Eqrem bej Vlora, e shpreh shumë qartë në kujtimet e tija të vitit 1962. Ai shkruan : “ Nje lojë mahnitëse e natyres! Një vegim, një dritë mashtruese , hije kobuese e prapseprapë një realitet i së kaluarës dhe i së tashmes. Shkëlqim dhe mjerim,lavdi dhe turp, ngjitje dhe rrëzim-një pleksje e ¢uditshme! Një tablo e kontrasteve mes të cilave jetojmë! Për ne të tre, Qemal Vrionin, Avni Delvinën dhe për mua, ngritja e familjeve tona kishte nisur me rrezet e lindjes së diellit të kësaj Perandorie”. Shumë e saktë. Shkëlqim,lavdi dhe ngjitje për shqiptarët dhe Shqipërinë, mjerim ,turp dhe rrëzim për “klasën feudale” dhe Perandorine.(12)

Propoganda që i bëjnë mediat e ndryshme periudhes së Shpalljes së Pavarësisë , përve¢ojnë si shpëtimtarë delegatët e ardhur në kuvend si perfaqësues të “parisë vendore”.( Quheshin në ato kohë sunduesit krahinorë në perandori). Në mbledhjen e Komisionit Përgatitor në 27 Nëntor 1912, Qazim Kokoshi, Ibrahim Avdullau, Osman Haxhiu, Jani Minga dhe Ceno Sharra , i kërkuan I.Qemalit që Shtetin e Ri Shqiptar duhet ta drejtojnë ata që janë përpjekur dhe kanë luftuar për krijimin e tij. ¨Përfaqësuesit më të denjë  në kuvend për krahinat jugore do të ishin ¢er¢iz Topulli, Mihal Grameno etj., armiq të Dovletit, aq të dashur për popullin¨i thanë I.Qemalit. Paaftësia dhe pakënaqsia e ministrave të zgjedhur në Qeverine e Përkohshme , rrethanat ndërkombëtare dhe kombëtare e detyruan  I.Qemalin të jap dorëheqjen. Shteti i Ri Shqiptar hyri në rrugën e një anarkie të pafund..

Sheshi i Flamurit u bë qëndra e të gjitha ngjarjeve të asaj kohe. Vendosja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit te ndërtesa e Sharrajve në 1914, pushtimi italian dhe nxjerrja  lashtë ligjit e Flamurit Shqiptar në 1916, vdekja , pritja dhe përcjellja e I.Qemalit për në Kaninë , janë disa nga ngjarjet kryesore në Sheshin e Flamurit . Në 3 Shtator 1920, Sheshi i Flamurit do të përjetonte një tjetër moment historik, hyrjen madhështore të luftëtarëve patriotë të Luftës për Vlorën ,që kishte befasuar gjthe boten,përballë një nga ushtrive me të forta të kohës.

Pas “Luftes se Vlorës”  drejtimin e qytetit  e morën nën kontrol të plotë patriotët e vërtetë, klasa e mesme dhe fshatarësia. Filloi rindërtimi i Sheshit të Flamurit. Sharrajt i dhuruan bashkisë së Vlorës pjesën përpara pallatit të tyre. Sarajet e Vlorajve kishin pësuar një dëmtim të madh ,si resultat i bombardimeve, shkruan E.Vlora. Të afërmit e mi tregojnë… ¨ato ishin të ndërtuara kryesisht me drurë, dhe ndërtesa të tilla nuk i kalojne të 100 -at¨. Duheshin 10 mije franga flori për t’i riparuar. Eqrem bej Vlora ia shiti bashkisë së qytetit për 10 mije franga flori, – shkruan në kujtimet e tija.Bashkia i prishi dhe ndërtoi një lulishte të madhe dhe të bukur.

Përcjellja e Avni Rustemit në Sheshin e Flamurit

Në 30 Prill 1924, populli vlonjat dhe të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, në Sheshin e Flamurit, të revoltuar përcollën për në banesën e përjetshme, atdhetarin, birin shpirtëror vlonjat Avni Rustemin. Në Qershor 1924, përsëri nga qëndra atdhetare e shqiptarëve, Sheshi i Flamurit, marshuan drejt Tiranës dhe e rrëzuan Qeverinë përgjegjëse për vrasjen e Avni Rustemit. Tashmë Sheshi i Flamurit ishte kthyer në një epiqëndër e zjartë  patriotizmi.

Pas Shpalljes së Pavarësisë , përpjekjet e Parisë vlonjate për rindërtimin e Sheshit të Flamuirt kishin hasur pengesa të shumta nga pushtuesit e huaj dhe qeveritë e ndryshme që erdhën në pushtet. Pushtuesit italiane nuk e lejuan trupin e Ismail Qemalit të prehej në Sheshin e Flamurit. Pas peripecish te shumta, nën presionin e madh të Parisë së Vlorës , mbreti i vetshpallur i Shqipërisë lejoi ngritjen e një monumenti simbolik në lulishten te Sheshi i Flamurit dhe rivarrimin e eshtrave të Ismail bej Qemalit në 28 Nëntor 1932. Planin për ndërtimin e një monumenti përkujtimor për autorët e Shpalljes së Pavarësisë nuk e përfilli.

Shatërvani u ndërtua në 1940-41

7 Prill 1939. Fashistët italiane pushtuan Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Në të gjithë                               vëndin ata ndërtuan ndërtesa dhe monumente të stilit italian. Edhe ne Vlorë, në Sheshin e Flamurit, vendin e “Shenjtërimit Kombëtar Shqiptar”, ndërtuan një shatërvan me katër topa. Historikisht i papërshtatshëm, do të shërbente si vend qetësimi në mbrëmje për qytetarët vlonjatë dhe një “kënd lojrash” per fëmijët, në vitet e diktaturës. Ka mendime

the histori të shumta për vitin e ndërtimit e shatërvanit. Po paraqes një dokument të prefekturës së asaj kohe, ku tregohet viti i ndërtimit dhe pronësia e Sheshit të Flamurit.   

Pas mbarimit të L2B , Shqipëria ra nën sundimin e egër diktatorial. Menjëherë filluan ndryshimet rënjësore të historisë. Shumicën e organizatorëve të Shpalljes së Pavarësisë i ekzekutuan, i futën nëpër burgje dhe i shpallën tradhtarë. Filluan të bëjnë ndryshime në Sheshin e Flamurit. Ndërtuan një podium në krah të kundër, ku dikur ishte biblioteka e qytetit, më vonë ngrinin podiume provizore midis dy lulishteve ose përpara Bar Lulishtes. Me historianët e tyre i fshinë nga historia autorët kryesorë të pavarësisë.

 Artistat e diktaturës ndërtuan(kopjuan) monumentin bolshevik në Sheshin e Flamurit

Në vitin 1972 ndërtuan monumentin e pavarësisë që është edhe sot në Sheshin e Flamurit. Ky monument është kopjuar nga monumentet bolshevike në Bashkimin Sovjetik. Edhe pse autoret e tij shprehin mendimet e tyre, ndoshta të diktuara apo imponuara nga Byroja Politike e Partisë së Punës në atë kohë, monumenti nuk pasqyron të vërtetën historike, sakrificat e mëdha të popullit të Vlorës dhe krahinave përreth.Bijtë e tyre, po e masakrojnë Sheshin e Flamurit dhe historinë e Pavarësisë 

Nëntor 2025.

  •  The Memoirs of Ismail Kemal Bey, f.296
  • The Memoirs of Ismail Kemal Bey , f.296
  • Libri i Kujtimeve të Hasan bej Prishtinës
  • Gazeta Telegraf, 30 Tetor 1912, f. 14-15
  • Isuf Luzi, Filozofia e Bukurise, f.38
  • The Memoirs of Ismail Kemal Bey, f.370
  • Libri i Kristo Floqit,botuar në Kor¢ë në v.1932, f.67
  • Instituti i Historisë,”Lufta për ¢lirimin Kombëtar në vitet 1878-1912,mbledhur nga Petraq Pepo, botuar në v.1962
  • The Memoirs of Ismail Kemal Bey, f.372
  • Luan Malltezi, Raport i Konsullit Wenzel Lijhanec, 29 Nëntor 1912, botuar në v.2012
  • Luan Malltezi,Raport i Konsullit Wenzel Lijhanec, 29 Nentor 1912, botuar në v.2012
  • Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi i dytë, f. 48-49

Filed Under: Histori

GJUHA STANDARDE SHQIPE DHE E ARDHMJA E SAJ

November 22, 2025 by s p

Prof. Dr. Shefkije Islamaj/

Në 53 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit

Në ditët e Kongresit të Drejtshkrimit (20-25 nëntor 1972)

Çdo gjuhë standarde ka historinë e saj, të tashmen e saj, por ka edhe të ardhmen e saj. (1)

Zhvillimi i gjuhës letrare shqipe është i shënuar me një histori të gjatë përpjekjesh, vështirësish, pengesash e veprimtarish të shumta e sakrifikuese të atdhetarëve, veprimtarëve e zelltarëve tanë gjuhësorë, letrarë e kulturorë edhe përmes një procesi të gjatë standardizues që u intensifikua sidomos në gjysmë e dytë të shekullit 19-të në kohën e Rilindjes Kombëtare për të vazhduar përgjatë shekullit 20 deri në vitin 1972 kur përfundimisht u ligjësua në pikëpamje shoqërore, politike, kulturore por në rend të parë shkencore Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe dhe i gjuhës së përbashkët letrare që po mbush 5 dhjetëvjetëshat e vet pikërisht këto ditë kur po mbahen edhe aktivitete të shumta shënuese në Tiranë, Prishtinë, Shkup e më gjerë. Jo vetëm në historinë tonë kulturore, por edhe në historitë kulturore të Ballkanit e përtej tij, proceset standardizuese gjuhësore, më herët ose më vonë ose shumë më vonë, gjithmonë janë nxitur nga idetë e ndërgjegjes kombëtare dhe nga ndjenjat e përkatësisë kombëtare. Dhe këto ide janë bërë forcë lëvizëse në historinë e një populli siç janë bërë edhe në historinë e popullit shqiptar.

Duke pasur parasysh historinë e gjuhës letrare shqipe, duke e njohur kontekstin e saj historik e politik e duke i ditur rrugën e ecejaket e saj në këtë histori si edhe proceset e saj standardizuese që sollën krijimin e saj, nuk mund të mos themi se kjo histori, ky rrugëtim, këto procese nuk kanë ecur lehtë e pa vështirësi llojesh të ndryshme, përkundrazi. Krijimi i një gjuhe letrare, procesi i normimit dhe i standardizimit të saj gjithmonë, pra gjithmonë, bart, pos përmasës kryesore gjuhësore e shkencore, edhe përmasat si këto: ideologjike, politike dhe simbolike që ndërlidhen ngushtë mes vete dhe shoqërohen me kritikën gjuhësore dhe me mendimin për gjuhën. Kështu është krijuar dinamizmi tipik i të arsyetuarit të hapur mbi gjuhën dhe mbi bazën mbi të cilën është ndërtuar ajo dhe rrjedhimisht edhe mbi bazën e drejtshkrimit të saj. Në këtë mënyrë u krijua një marrëdhënie e ndërsjellë midis përpjekjeve për standardizimin e gjuhës dhe ndryshimeve shoqërore e politike, sepse është e kuptueshme pse standardizimi i gjuhës shqipe është gjithmonë i lidhur edhe me botëkuptimin mbi gjuhën si simbol identiteti, i identitetit tonë kombëtar e jo vetëm si mjet a instrument i marrëveshjes mes nesh, që, natyrisht, është përbërësi themelor i saj.

Kritika shkencore, prandaj, duhet të jetë më objektive, më reale e më paanshme dhe të marrë parasysh shumë faktorë, faktorët historikë, politikë, shoqërorë, kulturorë dhe jo vetëm ata gjuhësorë, që kanë ndikuar në jetën tonë kombëtare dhe në krijimin standardit tonë gjuhësor, që do të thotë se duhet të marrë parasysh të shkuarën, të sotmen e sidomos të ardhmen e saj, të gjuhës standarde, por jo vetëm – duhet të marrë parasysh edhe të ardhmen e vetë kombit. Përthyerjet historike të shumë kombeve, siç po dëshmohet edhe sot, nuk kanë përfunduar, ato po përsëriten e përsëriten, prandaj kohezioni brendakombëtar vazhdon të mbetet fjalë kyçe në jetën tonë kombëtare. Sot për sot dhe kushedi sa kohë. Ne nuk jemi as francezë, as gjermanë, as anglezë dhe jeta jonë, historia jonë nuk shëmbëllejnë me të tyret. E as gjuha e historia e saj. Dhe arsyet dihen. Dhe referimi me to nuk na ndihmon shpesh.

Gjuha standarde shqipe vazhdon edhe sot të mbetet identifikuese dhe ruajtëse e identitetit shqiptar. Ndërkaq kritika negative ndaj gjuhës standarde dhe normës së saj shpesh jep përfytyrimin e dëshirës për një eksperiment ose eksperimentim pa farë strategjie a projektimi rrjedhojat largvajtëse të të cilit mund të parakuptohen e të mendohen. Një gjuhë standarde për të qenë e aftë të përmbushë funksionet e saj, funksionet e synuara me normimin e saj, e kjo do të thotë që të bëhet një mjet i përbashkët dhe i vlefshëm komunikimi, për një komunitet më të gjerë shoqëror, që ka një ndjenjë të zhvilluar përkatësie, që ka një identitet të përbashkët, që ka një ndjenjë të përbashkët ndjeshmërie gjuhësore, një mjet që mund të veprojë e të aktualizohet me sukses në shumë fusha të jetës së tij duhet të ketë një pranim të gjerë. Gjuha standarde shqipe këtu e 50 vjet e ka këtë pranim. Kundërshtimi i saj i përket një grupi individësh që shfrytëzon të drejtën e tij legjitime për t’u mos pajtuar me qëndrime a vendime të caktuara në rrethanat e sotme demokratike të shoqërisë shqiptare.

Dhe është e drejtë e tij siç është e drejtë edhe e shumicës të ngulmojë në vlefshmërinë e standardit dhe sidomos, pra sidomos në të drejtën e patjetërsueshme që shqiptarët kudo që janë të kenë një gjuhë të përbashkët, një gjuhë standarde të ligjësuar, të vlerësuar e të dëshmuar se ajo ka kryer e po i kryen të gjitha funksionet e një gjuhe standarde, të një gjuhe të pasur, moderne, të epshme për t’u modifikuar e për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja e të përshpejtuara shoqërore, ekonomike, teknologjike, shkencore, kulturore e të tjera.

Përcaktimi, krijimi dhe përdorimi i drejtë i një gjuhe standarde parakupton gatishmërinë e pjesëtarëve të një bashkësisë të gjerë etnike, shoqërore, që e pranon simbolikisht dhe objektivisht gjuhën standarde si sistem të përbashkët gjuhësor dhe që rrjedhimisht tregon gatishmëri edhe për ta mësuar dhe zbatuar në situatat komunikuese të përcaktuara me normën e saj. Në gjithë hapësirën e saj në fushat e përcaktuara të përdorimit të saj zbatohet norma e gjuhës standarde me sukses, me më pak kujdes ose me shkujdesje. Dhe kjo është plotësisht e kuptueshme për rrethanat dhe kontekstin tonë historik, shoqëror, politik, arsimor e kulturor. Cili është niveli i përvetësimit dhe i zbatimit të kësaj norme në këto 50 vjet është një çështje tjetër që do diskutim të gjerë dhe që do mobilizimin e të gjitha institucioneve të rëndësishme e përgjegjëse. Çdo normë gjuhësore duhet të mësohet, askush nuk lind me gjuhën standarde.

Se zotërimi i plotë i normës gjuhësore nga të gjitha shtresat e parapara të folësve dhe të shkruesve do të ndodhë shpejt dhe në mënyrë të lehtë, pa pasur parasysh as rrethanat tona historike, politike, shoqërore të shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete dhe pa komunikime e kontakte mes vete gjatë, si dhe faktorë të tjerë të shumtë ndikues e përdallues në këto pesëdhjetë vjet tona historie aspak të lehtë në gjithë hapësirën tonë të përbashkët gjuhësore, ka qenë dhe mbetet ide dhe parashikim utopist. Prandaj zotërimi a përvetësimi dhe zbatimi i normë gjuhësore të shqipes standarde ka marrë kohë e do të marrë kohë edhe më tej për arsyet që u theksuan dhe për të tjera që nuk u theksuan. Por, shtrohet pyetja kush e di e kush mund ta thotë saktë e me siguri se ç’ kohë u janë dashur popujve të tjerë të zhvilluar dhe dukshëm më të zhvilluar se ne, ose më të pazhvilluar, për ta zotëruar standardin e tyre? Gjuha standarde shqipe ka tashmë historinë e saj, po e jeton të tashmen e saj dhe po ndërton të ardhmen e saj dhe kjo e ardhme është shumë e besueshme:

– sepse arritjet 50 vjeçare gjuhësore e shkencore, arritjet në fushën e pranimit, të përvetësimit e të zbatimit të gjuhës standarde e të normës së saj të kodifikuar në këtë Kongres na lejojnë të themi se gjuha standarde shqipe përmbush të gjitha kriteret që janë përcaktuar nga studiuesit e krijimit të gjuhëve standarde: funksionin përbashkues – gjuha standarde shqipe bashkon të gjithë shqiptarët e të dyja dialekteve; funksionin veçues – gjuha standarde shqipe përfaqëson identitet të veçantë, simbol që identifikon bashkësinë shqipfolëse, shqiptarët, në raport me bashkësitë gjuhësore jo shqipe; funksionin simbolik – gjuha standarde për shqiptarët është simbol i identitetit kombëtar; funksionin e autoritetit – gjuha standarde, pasojisht zotërimi dhe zbatimi i saj, si për shqiptarin si subjekt shoqëror, ashtu edhe për shqiptarët si bashkësi etnike, do të thotë autoritet; funksionin qytetërues – me standardizimin e gjuhës shqiptarët janë bërë komb modern; funksionin komunikues dhe kulturor – gjuha standarde shqipe kultivon dhe zhvillon shprehjen gjuhësore dhe kulturën gjuhësore në përgjithësi përmes sistemit arsimor, administratës, medies, letërsisë, etj.; funksionin shoqëror-politik – gjuha standarde i siguron gjuhës shqipe statusin e gjuhës kombëtare, zyrtare dhe shtetërore por, për një status të tillë të gjuhës standarde është me rëndësi të madhe qëndrimi ynë ndaj saj, vetëdija jonë për rëndësinë e saj dhe qëndrimi ynë ndjenjor ndaj saj, të cilat ia sigurojnë asaj jo vetëm statusin shoqëror-kulturor por edhe statusin shoqëror-psikologjik.(2) Gjuha standarde shqipe i përmbush mirë këto funksione, prandaj ajo ka të ardhmen e saj.

-sepse gjuha standarde shqipe ka edhe treguesit e tjerë të rëndësishëm shoqërorë: historinë, që shprehet përmes vetëdijes për bashkekzistencën dhe vazhdimësinë e pashkëputshme të dialekteve të saj, të gegërishtes e të toskërishtes, përmes vlerave të përbashkëta kulturore që shprehin këto dy idioma të shtresëzuara e të mbrujtura në gjuhën standarde; gjallësinë – gjuha shqipe është standardizuar në një moment të historisë së saj, por ajo po tregon qëndrueshmëri dhe hapje ndaj ndryshimeve që ka sjellë e po sjell koha, që po sjell zhvillimi i shqiptarëve në gjithë hapësirën e tyre dhe që po sjellin zhvillimet në përgjithësi në gjithë botën; dhe përshtrirjen – gjuha shqipe është standardizuar dhe pranuar nga gjithë shqiptarët kudo janë, pra, edhe nga gegëfolësit.(3) Këta tregues janë përgjigjja më e mirë që i bëhet kritikës negative por janë edhe tregues projektues të së ardhmes së saj.

-sepse gjuha standarde ka kaluar tashmë disa dhjetëvjetësha dhe gjatë kësaj kohe ajo është studiuar gjerësisht si në rrafshin teorik ashtu edhe në rrafshin praktik. Mund të thuhet, prandaj se gjuha standarde shqipe sipas teorisë bazë për krijimin e gjuhëve standarde përmbush të gjithë treguesit që përbëjnë një gjuhë standarde: qëndrueshmërinë elastike të standardit të saj, si tendosje dinamike midis kodifikimit dhe normës reale, që do të thotë se ajo është stabilizuar me kodifikim përkatës, kurse norma e saj e përcaktuar me këtë kodifikim ka treguar elasticitetin e duhur për t’iu përshtatur ndryshimeve e zhvillimeve të kohës dhe të folësve të saj për të cilët u krijua, pra për shqiptarët kudo qofshin ata. Kjo dëshmon se ajo do të ketë të ardhmen e saj (4).

-sepse çdo kthim prapa do të thotë mohim i gjithë asaj pune të gjatë, të madhe dhe të kuptimshme të zelltarëve e të lëvruesve të shqipes pothuajse dy shekujsh, do të thotë mohim i pesë dhjetëvjetëshave jete të standardit të shqipes të realizuar e të dëshmuar në të gjitha funksionet e tij në gjithë hapësirën shqiptare, do të thotë mohim i aftësisë së shqiptarëve për të bërë një gjuhe letrare të përbashkët në shkallë kombëtare, do të thotë mohim i aftësisë për të pasur vetëdije se u duhet një gjuhë e përbashkët standarde, do të thotë mohim i aftësisë për të vlerësuar rëndësinë e të qenët bashkë nga pikëpamja gjuhësore, do të thotë mohim i aftësisë për t’u rreshtuar me të gjithë ata popuj, afër e larg gjeografisë shqiptare, që kanë zgjidhur historikisht, politikisht dhe kulturalisht çështjen e gjuhës së përbashkët gjuhësore me kohë, do të thotë në të vërtetë mohim i së vërtetës së madhe se shqiptarët kanë pasur e kanë vetëdije, aftësi e gatishmëri të kenë një gjuhë të përbashkët standarde, ta zhvillojnë gjuhën e tyre standarde dhe të mblidhen rreth një gjuhe të përbashkët standarde (5) siç janë mbledhur rreth një flamuri e rreth një kombi. Edhe për këtë arsye gjuha standarde ka të ardhmen e vet.

-sepse gjuha standarde është edhe gjuhë politike: po cila gjuhë standarde nuk është gjuhë politike përderisa krijimi i gjuhës standarde është pjesë e politikës gjuhësore të çdo shteti e të çdo shoqërie, sepse ajo është pjesë e politikës së përgjithshme kulturore, arsimore, kombëtare, është pjesë e politikës së jashtme dhe e politikës së brendshme që ndjek një shtet. Prandaj gjuha standarde shqipe ka të ardhmen e saj!

-sepse historia jonë kulturore dhe kombëtare ka dëshmuar prirjen e fuqishme përafruese e përbashkuese që ka karakterizuar proceset standardizuese në historinë e gjuhës shqipe dhe në historinë e shqiptarëve dhe faktet për këtë prirje janë shumë kokëforta sepse janë nxitur jo vetëm nga arsyet gjuhësore e kulturore, por edhe nga arsyet shoqërore, politike, ekonomike. E kjo i siguron gjuhës standarde shqipe të ardhmen e saj.

Dhe si përfundim:

Gjuha standarde shqipe sot me veçoritë e funksionet e një varianti standard të krijuar gjatë procesit të gjatë standardizues paraqet gjuhë të pranueshme dhe të autoritetshme për të gjithë shqiptarët kudo janë, ndërsa vëmendja e atyre që merren me planifikimin gjuhësor në gjithë hapësirën gjuhësore shqiptare, e atyre që studiojnë gjuhën shqipe dhe gjuhën standarde shqipe, duhet të drejtohet rreth kujdesit të munguar ndaj saj, kujdesit të munguar institucional, pra kujdesit shtetëror e shoqëror. Jo vetëm institucionet shkencore që merren me planifikimin gjuhësor, jo vetëm gjuhëtarët që studiojnë gjuhën, po edhe lëvruesit e gjuhës – shkrimtarët, përkthyesit, publicistët, gazetarët dhe të gjithë përdoruesit e saj duhet të ndërgjegjësohen për rëndësinë e madhe që ka përdorimi i drejtë i gjuhës standarde dhe i gjuhës në përgjithësi, i njërës prej vlerave më të mëdha kombëtare që kemi.(6)

Gjuha standarde ka të ardhmen e saj sepse këtë të ardhme do ta ndërtojmë bashkërisht siç kemi krijuar historinë e saj bashkërisht e siç po e jetojmë të tashmen bashkë.

FUSNOTAT

1.Kumtesë e lexuar në Konferencën shkencore “Një komb – një gjuhë”, kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, organizuar nga Instituti Albanologjik, Prishtinë, 23.11.2022.

2.Shih: Shefkije Islamaj, “Gjuha shqipe e standardizuar”, Gazeta “Dita”, 8 tetor 2022, f. 16-17, Tiranë.

3.Po aty, f. 16-17.

4. Po aty, f. 16-17.

5.Po aty, f. 16-17.

6.Po aty, f. 16-17.

Filed Under: Komente

Nëntori dhe shkrimtarët…

November 22, 2025 by s p

Skender Karaqica/

Në pullat postare të Kosovës,portreti i shkrimtarëve për fëmijë të Drenicës, Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani.

Në vegjilje të festës së Nëntorit të Flamurit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë zyrtare dhe Shqipërisë tjetër Kosovë, posta e Kosovës i nderoi dhe kujtoi në pullat postare, shkrimtarët për fëmijë të Drenicës, Rifat Kukaj dhe Ymer Elshani.

Në manifestimet për 28 Nëntorin e Flamurit të Pavarësisë, pullat postare të postës së Kosovës, e kanë begatuar programet kulturore të institucioneve të shtetit, të shkollave dhe të diasporës shqiptare nëpër botë dhe Amerikë. Përmes pullës postare,shkrimtarët dlo të udhëtojnë në të gjitha anët e atdheut, që të nisin lajmin apo shkresat tjera zyrtare me portretin e shkrimtarëve, që, përmes krijimtrisë letrare për fëmijë, ata ndërtuan një kala, një kopsht me lule, shumë libra në bibliotekë, udhë të lumtura të rritës në Kosovën e lirë.

Në nëntorin e Prishtinës së lirë të stolisur me flamujt kuq e zi të atdheut shqiptar dhe kujtesa për orën e madhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe portreti i shkrimtarëve në pullat postare, e ka gëzuar Dren Kukaj, i cili thotë me fjalën shend e verë se ai është nipi i shkrimtarit Rifat Kukaj.

Për shkrimtarin Ymer Elshani i masakruar në mënyrën më barbare deri në shkallë të gjenocidit nga regjimi fashist i Serbisë, në Masakrën e Paklekut të Vjetër në Drenicë, vajza e tij e vetme që i shpetoi shfarosjes së familjes, Teuta Elshani, falenderon postën e Kosovës për pullën postare me portretin e shkrimtarit dhe porosia artistike për Nëntorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Nëntori dhe shkrimtarët e ka thënë kritika letrare, janë ndërgjegjja e kombit, ndërsa gjuha dhe letërsia është atdheu!

Filed Under: Sofra Poetike

“Të gjithë kështu bëjnë” – kronika e një justifikimi kombëtar

November 22, 2025 by s p

Artan Nati/

Nëse Shqipëria do të kishte një moto jozyrtare, një slogan të stampuar mbi çdo zyrë shtetërore, çdo lokal lagjeje dhe çdo mendje të lodhur nga pritjet e gjata, ai do të ishte: “Të gjithë kështu bëjnë.” Një fjali e shkurtër, motorri i shoqërisë sonë: mbyll dyert për çdo faj, shemb çdo përgjegjësi, dhe shndërrohet në “certifikatë morali” për t’i shpëtuar çdo situate të pakëndshme.

Kjo fjali është, në fakt, kodi i heshtur gjenetik i shoqërisë shqiptare: e kemi trashëguar në shekuj dhe e mbajmë si vlerë. Sot e përdorim me krenari të çuditshme, si shirit ngjitës social që mban bashkë gjithë përgjegjshmërinë e munguar.

“Të gjithë kështu bëjnë” është bërë manuali shqiptar i justifikimit kombëtar. Në Shqipëri, nëse kërkon të kuptosh pse dikush parkon mbi trotuar, ndërton në mes të detit, jep tender për kushëririn ose shkel rregullin e radhës, përgjigjja është e thjeshtë, e shpejtë dhe e shenjtë: “Të gjithë kështu bëjnë.” Kjo frazë është aspiratori moral me të cilin marrim frymë çdo ditë, një lloj deodoranti etik që e përdorim kur realiteti fillon të marrë erë keqe.

Në Shqipëri, edukata fillon herët. Prindi, me një buzëqeshje të butë dhe një ton të stërngarkuar motivimi, i pëshpërit fëmijës: “Bëj si gjithë të tjerët, bëhu i gjallë dhe i zoti.” Në pamje të parë tingëllon si këshilla klasike për të arritur sukses. Por nën zë, mes rreshtave, dëgjohet formula e lashtë shqiptare: “Nëse sistemi është cirk, bëhu kloun më i mirë se të tjerët.”

I njëjti slogan përdoret edhe në politikë, vetëm se aty merr jehonë më burokratike. Partia i troket politikanit të ri në shpatull dhe i thotë: “Bëj si gjithë të tjerët.” Përkthimi: futu në lojë, mos pyet shumë, mëso rregullat e pashkruara. Kandidatët për deputet, përveç CV-së, duhet të kenë të zhvilluara aftësitë e akrobacisë morale: të hedhin ndonjë premtim në ajër, të flasin me siguri për premtimin fallco, dhe të dalin krenar për mashtrimin.

Biznesi? E njëjta muzikë, vetëm me ritëm më komercial. “Menaxho si gjithë të tjerët.” Kjo lexohet: “Bëj marifete, jep bakshish, fut ndonjë para nën dorë, mbyll njërin sy kur duhet. S’ka nevojë të bësh gjë mirë, vetëm bëje që të duket mirë. Në Shqipëri, koha e humbur për cilësi është luks, ndërsa koha e investuar për t’i rënë shkurt është vlerë e shtuar.

Ndërsa arti sidomos letërsia ka një sekret që të thuash s’e di kush: nuk lidhet me letërsinë, por me qokat. Manuali i padukshëm i industrisë është i thjeshtë: “Kështu bëjnë të gjithë.” Autori medioker nuk nis me shkrimin, por me pelegrinazhin e kafeve dhe përkuljeve diplomatike tek shkrimtarët qokatare. Pastaj vjen stacioni i dytë: qeveria. Nëse libri është i dobët, aq më mirë, financohet më shpejt. Dorëshkrimet pa vlerë shpallen “projekte kombëtare”, madje përkthehen edhe në gjuhë të huaja, se subvencioni s’ka kufij gjuhësor. Rrethi mbyllet me çmime të ndara mes miqsh, jurish të buta dhe ceremonish plot foto në Facebook. Kur dikush ankohet, përgjigjja vjen si psalm kulturor:”Pse ç’ke ti? Kështu bëjnë të gjithë.” Në fund, nuk ka rëndësi çfarë shkruan, rëndësi ka kujt ia çon kafen.

Morali i fabulës? Suksesi nuk matet më me punë, meritë apo etikë, por me aftësinë për të nuhatur sistemin. Sistemi është si një kafshë e çuditshme: nuk kërkon talent, kërkon përshtatje. Kush e kupton, ecën. Kush përpiqet ta ndryshojë, ngec.

Në fund, “bëj si gjithë të tjerët” nuk është thjesht një këshillë. Është një manual jete. Një kurs mbijetese. Një filozofi kombëtare e paketuar bukur si motivim, por që praktikisht të fton të adhurosh rrugën e shkurtër. Në një vend ku rregullat janë fakultative dhe rezultatet detyruese, mbetet vetëm një parim i shenjtë: “Mos u lodh duke bërë gjërat drejt, bëji ashtu si bëhen.”

Historikisht, kjo frazë ka qenë oksigjeni i klasave sunduese shqiptare. Në kohën e Perandorisë Osmane, shërbente si qetësues për çdo taksë të re dhe çdo shpikje administrative: “Mos u mërzit, bir, të gjithë kështu bëjnë, edhe Stambolli vetë.” Më pas, gjatë monizmit, u kthye në një lloj dogme leniniste–popullore: Nëse e vjedh shtetin, nuk je hajdut, je pjesë e kolektivit të përparuar që ‘të gjithë kështu bëjnë’.

Në tranzicion, fraza mori trajtën e saj perëndimore, moderne, europiane: Nuk jam unë problemi, sistemi është. Dhe sistemi? Epo, sistemi i di punët e veta… sepse të gjithë kështu bëjnë. Pra historikisht, kjo nuk është thjesht një frazë, por një mekanizëm mbijetese, një teknologji autoktone e shmangies së përgjegjësisë.

Nga ana psikologjike është vaksinë kundër fajit dhe ankthit kolektiv. Psikologjikisht, “Të gjithë kështu bëjnë” është një lloj lehtësimi moral, që përdoret për të mpirë ndërgjegjen. Kur ke bërë diçka që e di shumë mirë se nuk është në rregull, kjo fjali të shërben si një “tabletë pa recetë” që zhduk fajin dhe ngroh egon: “Nuk jam unë i keqi, të gjithë janë si unë.” Sipas psikologjisë sociale, kjo është forma më primitive e normalizimit të devijimit: sjellja jonë bëhet e pranueshme vetëm sepse e bën edhe dikush tjetër. Në thelb, është një mekanizëm për të shmangur reflektimin, përgjegjësinë dhe ndonjëherë edhe ndëshkimin. Me fjalë të tjera: Kjo frazë është psikologjia e turmës, vendosur në buzët e individit që do të shpëtojë vetveten.

“Të gjithë kështu bëjnë” kundër Perëndimit individualist: dy botë, dy psikologji

Në Shqipëri, fjalia magjike *“të gjithë kështu bëjnë”* është më shumë se zakon: është një filozofi kolektive që shndërron sjelljen e turmës në normë morale. Ajo zhduk fajin personal dhe e kthen individin në pjesë të një kori ku zëri i vet nuk ka peshë – mjafton të këndojë si shumica. Ndërsa në Perëndim, së paku në ide, njeriu është qendër e përgjegjësisë: zgjedhjet janë personale, faji personal, merita personale. Aty shoqëria ndërtohet nga individët që pranojnë të rregullohen nga ligji, jo nga zakonshmëria e turmës.

Dallimi është thelbësor: në Shqipëri, rregulli buron nga ajo që bën shumica, në Perëndim, shumica bashkohet rreth një rregulli. Ne ndiejmë siguri kur humbim në turmë, ata kërkojnë vlerë duke dalë prej saj. Dy botë, dy psikologji. Njëra kërkon mbrojtjen e kolektivit, tjetra kërkon lirinë e individit. Dhe prej kësaj ndarje lind mënyra jonë e të menduarit, e të vepruarit dhe, mbi të gjitha, e të justifikuarit.

Në Shqipëri, problemi nuk është slogani kombëtar “të gjithë kështu bëjnë”, por fakti i hidhur se ne hyjmë me qejf në këtë klub universal, pa pyetur as për rregullat, as për pasojat. Thua se është një festë e madhe ku ftesa vlen vetëm nëse dorëzon parimin tënd të parë moral te dera. Ne nuk habitemi pse dikush shkel radhën; habitemi pse ne vetë nuk e kapëm më shpejt rastin. Nuk revoltohemi që sistemi është i shtrembër; revoltohemi që s’na funksionoi edhe neve shtrembërimi. Në vend që të pyesim “pse ndodh kjo?”, shkëlqejmë me një pyetje tjetër, shumë më intime: “po unë pse të mbetem jashtë?”

E pra, drama shqiptare nuk është korrupsioni i madh, por solidariteti ynë i vogël me korrupsionin. Drama nuk është padrejtësia, por entuziazmi ynë për të qenë pjesë e turmës që e konsideron padrejtësinë një lloj aboneje shoqërore. Sepse në fund të fundit, siç e kemi bërë moto kombëtare: turp është të mos përfitosh, jo të mos ndreqësh. Dhe kështu, “të gjithë kështu bëjnë” nuk është justifikim, është ftesë. Dhe ne, me një buzëqeshje të lezetshme faji, futemi brenda dhe themi: “Hajt, edhe unë si të gjithë.” Në fund, pyetja e vërtetë nuk është pse “të gjithë kështu bëjnë”, por pse jemi aq të gatshëm të bëhemi pjesë e këtij “të gjithëve”.

Filed Under: Fejton

“Nga rrënjët në Manastir tek degët e gjuhës në diasporë: Njësimi, standardizimi dhe sfida e shqipes”

November 22, 2025 by s p

Besian Gjika/

Gjuha shqipe është shtylla kryesore e identitetit kombëtar shqiptar. Rruga e saj drejt njësimit ka qenë e mbushur me vështirësi, por edhe me përpjekje titanike që kulmuan në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku alfabeti latin u miratua si bazë e përbashkët (Demiraj, 1988). Ky akt emancipues i dha gjuhës një status mbarëkombëtar dhe e shndërroi në mjet të vetëdijes politike e kulturore. Më pas, standardizimi i vitit 1972 siguroi një normë të unifikuar për arsimin, administratën dhe letërsinë (Akademia e Shkencave, 1973), duke sjellë përfitime të mëdha, por edhe problematika lidhur me ruajtjen e pasurisë dialektore (Pipa, 1989). Sot, në epokën e globalizimit dhe migrimit masiv, shqipja pasurohet përmes teknologjisë dhe kulturës, por përballet me sfida të reja, veçanërisht në diasporë, ku ekspozimi ndaj gjuhëve vendase është i madh (Elsie, 2005).

I: Kongresi i Manastirit dhe njësimi i gjuhës

Kongresi i Manastirit, i mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908, përfaqëson një moment kulmor në historinë e gjuhës shqipe. Delegatë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora u mblodhën për të zgjidhur një problem madhor: mungesën e një alfabeti të unifikuar. Kryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa sekretare Parashqevi Qiriazi, duke treguar përfshirjen e gjerë të figurave të kulturës shqiptare. Në fjalën e tij, Frashëri theksonte: “Kombi ynë nuk mund të ecë përpara pa një gjuhë të përbashkët, pa një alfabet që të na bashkojë” (Demiraj, 1988, f. 112). Vendimi për miratimin e alfabetit latin ishte një akt emancipues, i cili i dha gjuhës një status mbarëkombëtar dhe e shndërroi në mjet komunikimi e vetëdije kombëtare. Siç vëren Buda (1968), ky ishte “një hap i domosdoshëm drejt modernizimit të kombit shqiptar”.

II: Standardizimi i vitit 1972

Pas më shumë se gjysmë shekulli, Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe u mbajt në Tiranë nga 20 deri më 25 nëntor 1972. Me pjesëmarrjen e 87 delegatëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe komuniteti arbëresh i Italisë, ky kongres vendosi normën e sotme të shqipes letrare (Akademia e Shkencave, 1973). Tema e kongresit ishte domethënëse: “Një komb, një gjuhë.” Ky hap solli përfitime të mëdha: një gjuhë e unifikuar për arsimin, administratën dhe letërsinë, duke lehtësuar komunikimin dhe prodhimin kulturor. Megjithatë, standardizimi nuk ishte pa problematika. Pipa (1989) e kritikoi standardin si kufizim të gegërishtes dhe si imponim politik, ndërkohë që Çabej (1976) e mbështeti, duke e parë si domosdoshmëri për unitetin kombëtar. Ky tension mes normës së përbashkët dhe trashëgimisë dialektore mbetet i gjallë edhe sot.

III: Pasurimi i gjuhës sot dhe sfidat në diasporë

Në ditët e sotme, shqipja pasurohet përmes teknologjisë, shkencës, letërsisë dhe kulturës popullore, por përballet edhe me sfida të reja. Globalizimi dhe ndikimi i anglishtes e bëjnë të nevojshme ruajtjen e identitetit gjuhësor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në diasporë, ku ekspozimi ndaj gjuhëve vendase është i madh dhe rreziku i humbjes së shqipes është real. Siç thekson Lafe (2002): “Standardi i gjuhës nuk është thjesht një rregull drejtshkrimor, por një mjet për të ruajtur identitetin kombëtar.” Ndërkohë, Elsie (2005) vëren se diaspora ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen e gjuhës përmes letërsisë dhe kulturës. Mësimi dhe përdorimi i saj në mërgatë përvçse është një akt i lartë kulturor, po ashtu është domosdoshmëri për ruajtjen e rrënjëve kombëtare dhe për bashkimin e brezave të rinj me historinë e tyre.

Përfundim

Nga përpjekja titanike e Manastirit, te standardizimi i vitit 1972 dhe pasurimi i sotëm, gjuha shqipe mbetet një pasuri e paçmuar dhe një simbol i bashkimit kombëtar. Në diasporë, ajo është ura që lidh të shkuarën me të ardhmen, duke garantuar që historia dhe identiteti i një populli të mos humbasin në dallgët e globalizimit.

Bibliografi

• Akademia e Shkencave e RPSH. (1973). Materialet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave.

• Buda, A. (1968). Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit. Tiranë: Universiteti i Tiranës.

• Çabej, E. (1976). Studime gjuhësore. Tiranë: Akademia e Shkencave.

• Demiraj, Sh. (1988). Gjuha shqipe dhe historia e saj. Tiranë: Akademia e Shkencave.

• Elsie, R. (2005). Albanian Literature: A Short History. London: I.B. Tauris.

• Lafe, E. (2002). Artikuj mbi drejtshkrimin dhe standardin e shqipes. Tiranë: Universiteti i Tiranës.

• Pipa, A. (1989). Politika e gjuhës në Shqipërinë socialiste. München: Otto Harrassowitz.

• Prifti, K. (2008). 100-vjetori i Kongresit të Manastirit. Tiranë: Akademia e Shkencave.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • …
  • 2860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi në një moment historik për t’i dalë zot Kosovës
  • THE CANBERRA TIMES (1971) / PRIMITIVIZMI DHE ZYMTËSIA E MBAJNË SHQIPËRINË TË MBËRTHYER
  • Nga Galeritë e Trepçës te Pavarësia e Kosovës – Shkurti 1989 si akti i parë i shtetësisë
  • Libra nga autorë të Kosovës, me banim në Londër, bëhen pjesë e projektit mësimdhënës nga mësuese Anila Kadija
  • Fundi i një procesi ku po gjykohet liria, që do mbetet plagë politike e Kosovës
  • NJË STUDIM ME VLERA PËR HISTORINË E KOSOVËS, FEDERATËS “VATRA” E GAZETËS “DIELLI”
  • Lef Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946), Monument i vlerave kombëtare
  • VATRA APEL PUBLIK DREJTUAR KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Please join the Albanian American community in celebrating the 18th Anniversary of Kosova’s Independence at New York City Hall
  • VATRA TELEGRAM URIMI QEVERISË DHE PARLAMENTIT TË KOSOVËS
  • Reçaku, një histori e dhembjes, sakrificës dhe ngadhënjimit mbi vdekjen
  • Një shqiptar kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut, Shpetim Qorraj: “Dua të jem zëri i fortë i qytetarëve të Distriktit 64”
  • Job-i biblik dhe romani « Brenga » e Pashko Camaj
  • Komuniteti shqiptaro-amerikan kërkon drejtësi
  • Urgjenca dhe Protesta si regjim. Pse ritmi i revoltës prodhon pushtet, jo ndryshim?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT