• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 

March 17, 2026 by s p

Luljeta Xhediku/

Në një ndër libraritë më të reja të Brooklyn-it “Ryder library”, të shtunën e 14 marsit, kryesia e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc., organizoi promovimin e romanit “Brenga” të autorit Dr.Pashko Camaj. Në këtë takim së bashku me autorin Dr. Pashko Camaj, morën pjesë anëtarë të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, simpatizantë të saj dhe dashamirës të librit. Ishte i pranishëm edhe drejtori dhe themeluesi i shtëpisë botuese “Onufri” z. Bujar Hudhri. Z.Hudhri ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të shkrimtarit tonë të madh, të ndjerit Ismail Kadare, dhe botues ekskluziv i veprave të tij. Z. Hudhri ka dhënë një kontribut të

pazëvendësueshëm jo vetëm në botimin e letërsisë shqipe, por edhe në forcimin e marrëdhënieve me letërsinë ndërkombëtare, përmes përkthimit dhe botimit në shqip të veprave të rëndësishme të autorëve të huaj. Një ndër kontributet më të rëndësishme i z.Bujar Hudhri është edhe krijimi i librarisë shqiptare online të emëruar “Alblibris”, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar dhe veçanërisht me Dr. Pashko Camaj. Kjo librari është krijuar posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe lexuesi shqiptar mund të gjejë aty libra të ndryshëm, në gjuhën shqipe dhe të huaj. Libraria u vu në përdorim më 28 janar 2026, në përvjetorin e nëntëdhjetë të lindjes së gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare.

 Romani “Brenga” vjen pas librit të parë autobiografik “Porosia e Kullës”. Autori Pashko Camaj sjell për lexuesin një roman të dedikuar të gjithë atyre që mbetën viktima të një regjimi të egër totalitar të komunizmit në Shqipëri. Romani “Brenga”, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, përshkruan historinë e dy të rinjve Markut dhe Toninit, ku Tonini arrin të arratiset nga Shqipëria gjatë sistemit të diktaturës dhe Marku për shkak se një natë më parë ishte takuar me shokun e tij, vuan pasojat, përndiqet, internohet dhe burgoset nga regjimi komunist i asaj kohe. Tonini arrin të vijë në tokën e ëndrrave, me një brengë që e shoqëron gjatë gjithë kohës. Autori edhe pse vetë me prejardhje nga Mali i Zi, nuk e ka jetuar plotësisht diktaturën komuniste ka arritur ta përshkruajë më së miri realitetin e asaj kohe. Grupi i punës e kishte ndarë romanin në 17 kapituj, dhe secili referues kishte zgjedhur kapitullin që e kishte tërhequr më shumë, dhe për të cilin do të fliste për përmbajtjen, idetë dhe qëllimin e autorit. Takimin e hapi znj. Alketa Veshi, e cila pasi i falënderoi pjesëmarrësit, i dha fjalën e rastit, kryetarit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. z.Imer Laçaj. Ai falënderoi të pranishmit dhe veçanërisht Dr. Pashko Camaj për pasqyrimin që i ka bërë realitetit të kohës komuniste dhe gjithashtu e përgëzoi për mesazhet që autori përcjell në këtë libër. Pas fjalës së rastit, fjalën e mori nënkryetari i shoqatës z. Lekë Preçi, i cili foli për kapitullin “Qetësi para stuhisë”, Arta Xhaferri diskutoi për kapitullin “Arrestimi i babait dhe internimi”. Z. Imer Laçaj u ndal për të folur rreth kapitullit  “Shërbimi në ushtri”. Z.Robert Dajlani foli për kapitullin “Fillimi i makthit”. Znj. Alketa Veshi komentoi rreth kapitullit “Dezertimi nga kampi”. Z. Elton Xhaferri foli për kapitullin “Kalimi drejt lirisë”. Znj. Adelina Laçaj kishte përgatitur një prezantim në Power Point rreth kapitullit “Në botën e lirisë”. Më e reja e këtij takimi ishte nxënësja Erla Lamçe, e cila u shpreh se ky libër e bëri të kuptonte më mirë historinë për sa i përket regjimit diktatorial në Shqipëri. Luljeta Xhediku diskutoi rreth kapitullit të fundit në “Pemën e Gështenjës”. Anëtarët e shoqatës “Skënderbej” Inc jo vetëm folën e diskutuan për vlerat dhe mesazhet që romani “Brenga” përcjell, të cilat po i lëmë që vetë lexuesi t’i zbulojë, por ata ndanë edhe dëshmi nga jeta e tyre për sa i përket periudhës së komunizmit në Shqipëri që do të thotë secili prej tyre gjeti një pjesë të së shkuarës në këtë roman të Dr. Camaj. Dr. Camaj u emocionua teksa dëgjoi me kujdes të gjitha komentet që u bënë dhe falënderoi me thjeshtësinë që e karakterizon pjesëmarrësit. Gjithashtu, drejtori i shtëpisë botuese “Onufri” përgëzoi jo vetëm autorin, por edhe të gjithë anëtarët që me gjithë vrullin që ka jeta amerikane gjejnë kohë të vijnë dhe të diskutojnë rreth librit dhe krijimtarisë së Dr. Pashko Camaj. Drejtori i shtëpisë botuese, Bujar Hurdhri, dhe Dr. Pashko Camaj prezantuan gjithashtu librarinë online “Alblibris”, ku të gjithë shqiptarët që jetojnë në SHBA mund të porosisin libra online dhe libri u vjen në shtëpi. Pasditja që anëtarët kaluan së bashku duke diskutuar rreth librit ishte një pasdite e këndshme dhe ndryshe nga të tjerat.  Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. i uron suksese më tej Dr. Pashko Camajt. 

Filed Under: Reportazh

ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË

March 17, 2026 by s p

Dy koncepte, dy rrugë – njëra drejt fragmentimit, tjetra drejt funksionalitetit të shtetit

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Në trajtimin e çështjeve që prekin arkitekturën kushtetuese dhe të ardhmen institucionale të Kosovës, kërkohet një qartësi konceptuale dhe një maturi politike që tejkalon diskursin e zakonshëm publik. Megjithatë, një nga temat ku kjo qartësi shpesh mungon mbetet dallimi ndërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe konceptit të vetëmenaxhimit.

Në vështrim të parë, këto dy koncepte mund të duken si alternativa të afërta. Por në analizë substanciale, ato përfaqësojnë dy vizione diametralisht të kundërta të shtetndërtimit: njëra që bart potencialin e fragmentimit institucional mbi baza etnike dhe tjetra që promovon integrimin funksional të diversitetit në kuadër të rendit kushtetues.

Asociacioni: Nga mekanizëm koordinues në potencial për entitet para-shtetëror

Asociacioni, i paraparë në Marrëveshja e Brukselit, u konceptua fillimisht si një mekanizëm bashkërendues për komunat me shumicë serbe. Megjithatë, përvoja ndërkombëtare dhe analiza juridike dëshmojnë se struktura të tilla nuk mbeten statike; ato evoluojnë në përputhje me kompetencat që u delegohen.

Në momentin kur një mekanizëm i tillë:fiton kompetenca ekzekutive,siguron autonomi financiare,dhe ndërton kapacitete të pavarura vendimmarrëse,ai tejkalon rolin koordinues dhe transformohet në një strukturë me tipare të qarta të autonomisë territoriale.

Në këtë drejtim, qëndrimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës është i qartë: çdo organizim i tillë duhet të respektojë në mënyrë rigoroze kufijtë e rendit kushtetues dhe nuk mund të prodhojë nivele të reja të pushtetit publik.

Përvoja evropiane ofron një leksion të rëndësishëm. Rasti i Republika Srpska, e krijuar pas Marrëveshja e Dejtonit, ilustron qartë se si një entitet me bazë etnike dhe kompetenca të zgjeruara mund të shndërrohet në faktor të përhershëm bllokues:një strukturë me kompetenca të gjera,një shtet me funksionalitet të kufizuar,një rend institucional i varur nga veto etnike.

Ky nuk është vetëm një precedent historik – është një sinjal paralajmërues për çdo model që cenon unitetin funksional të shtetit.

Vetëmenaxhimi: Integrim përmes funksionalitetit

Në kontrast, vetëmenaxhimi përfaqëson një qasje më të sofistikuar dhe më të harmonizuar me standardet evropiane të menaxhimit të diversitetit.

Ai nuk synon të krijojë pushtet paralel, por të mundësojë:organizimin e brendshëm të komunitetit,koordinimin e interesave legjitime,dhe menaxhimin efikas të shërbimeve në fusha si arsimi, kultura dhe zhvillimi lokal.

Në këtë kuptim, vetëmenaxhimi nuk prodhon autonomi politike, por kontribuon në konsolidimin e funksionalitetit institucional dhe kohezionit shoqëror.

Modelet evropiane e mbështesin këtë qasje.

Në Aland, garantimi i identitetit gjuhësor dhe kulturor realizohet pa cenuar integritetin shtetëror.

Në Tiroli Jugor, funksionaliteti i autonomisë është rezultat i një ekuilibri të ndërlikuar ndërmjet:garancive ndërkombëtare nga Austria,stabilitetit institucional,dhe një kulture politike të konsoliduar.

Megjithatë, këto modele nuk janë universale. Ato kërkojnë kushte që nuk mund të supozohen automatikisht: besim institucional, stabilitet politik dhe konsensus të gjerë shoqëror.

Analogjitë e rrezikshme dhe keqleximi i modeleve evropiane

Debati publik shpesh bie pre e analogjive të thjeshtuara, duke iu referuar modeleve si Belgjika apo Katalonia.

Megjithatë, këto referenca janë shpesh të pjesshme dhe të shkëputura nga konteksti:Belgjika është produkt i një evolucioni të gjatë historik dhe kompromisesh të thella strukturore;ndërsa Katalonia dëshmon se autonomia e zgjeruar mund të prodhojë tensione serioze kushtetuese dhe tendenca separatiste.

Për këtë arsye, transplantimi mekanik i këtyre modeleve në një realitet tjetër institucional nuk është vetëm i papërshtatshëm, por potencialisht i rrezikshëm.

Pushteti apo funksioni: dilema themelore

Në thelb, dilema reduktohet në një zgjedhje konceptuale të qartë:Asociacioni synon institucionalizimin e pushtetit mbi baza kolektive;Vetëmenaxhimi synon organizimin funksional të interesave brenda rendit ekzistues.Ky dallim përcakton drejtpërdrejt:nivelin e sovranitetit shtetëror,koherencën e rendit kushtetues,dhe stabilitetin afatgjatë të sistemit institucional.

Përtej terminologjisë: një zgjedhje për të ardhmen e shtetit

Çështja në fjalë nuk është thjesht një debat terminologjik apo teknik. Ajo është një zgjedhje strategjike për natyrën e shtetit.Ajo kërkon përgjigje të qartë ndaj një pyetjeje thelbësore:A do të ndërtohet një model që institucionalizon ndarjen, apo një model që integron diversitetin brenda një rendi të përbashkët kushtetues?

Përvoja evropiane është e qartë në këtë drejtim:autonomitë mbi baza etnike kanë prodhuar shpesh tensione dhe bllokada;ndërsa modelet e vetëmenaxhimit funksional kanë kontribuar në stabilitet dhe kohezion.

Në fund, zgjedhja ndërmjet Asociacionit dhe vetëmenaxhimit nuk është çështje formulimi politik.Është zgjedhje ndërmjet:një shteti të ekspozuar ndaj fragmentimit,dhe një shteti funksional, demokratik dhe të qëndrueshëm.

Filed Under: Komente

Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori

March 17, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Në një botë ku puthja është e ndaluar me ligj madje me vdekje, dhe “monedha” e transaksioneve janë shuplakat, filmi i shkurtër francez “Deux personnes échangeant de la salive” (Dy vetë që shkëmbejnë pështymë) ndërtohet mbi një premisë absurde pikërisht për të hedhur dritë tek tragjikomedia e diktatit mbi shoqërinë.

Filmi është produksion francez, me bashkë-skenaristë dhe bashkë-regjisorë Natalie Musteata, historiane arti dhe, Alexandre Singh, artist vizual, të cilët janë edhe partnerë në jetë.

Në komentet e tyre për skenarin, ata u ndalën tek ideja për subjektin e filmit të cilin e shkruajtën në 2023 “si reagim ndaj ngjarjeve alarmuese të asaj kohe. Në Shtetet e Bashkuara, intensifikimi i lëvizjeve ekstremiste dhe polarizimi i theksuar vunë në pah brishtësinë e normave demokratike. Në Iran gjetëm frymëzim tek lëvizja Femra, Jeta, Liria, ndërsa shokoheshim nga lajmet e dënimeve, rrëmbimeve dhe vrasjeve të grave që refuzonin të mbanin shaminë tradicionale (hijab). Kaq ekstreme dhe absurde ishin ngjarjet e llojit sureal, sa na dukej sikur ato ishin ndodhi në një botë filmi dhe jo në realitet. Qysh atëherë, absurditeti në jetën reale është bërë edhe më i egër,…të gjitha këto të japin një ndjenjë se bota po kthehet mbrapa në vend që të ecë përpara.”

Filmi 36 minutash dallohet për ngarkesën e gjuhës aluduese në temat e intimitetit dhe survejimit, konformizmit të shoqërisë ndaj kontrollit dhe dhunës. Qysh nga premiera e tij në Telluride Film Festival, në Colorado, filmi bardhezi ka fituar disa çmime.

Mbrëmë në edicionin 98 të Çmimeve të Akademisë në Hollywood, filmi “Dy vetë që shkëmbejnë pështymë” ishte fitues në kategorinë e Live Action të filmit të shkurtër. Ky ishte ndër rastet e rralla kur çmimi jepej edhe për një produksion tjetër, po ashtu fitues si komedi muzikore “The Singers” (Këngëtarët). Aktoret kryesore janë Zar Amir Ebrahimi, franko-iraniane (në rolin e gruas së dëshpëruar, Angine) Luana Bajrami nga Kosova (në rolin e vajzës shitëse 25 vjeçare, naive dhe syshkëndijë, Malaise). Në përshëndetjen e tij të pranimit të çmimit Oscar Alexandre Singh i falënderoi aktoret duke përmendur me krenari edhe vendet nga vijnë.

Për ne, momenti i ceremonisë që përcolli më shumë emocione ishte kur në sallë u tha: Luana Bajrami nga Kosova! Luana është e njohur për rolet në filmat Portrait of a Lady on Fire (Portreti i një Gruaje në Flakë) dhe School’s Out (Shkolla Mbaroi). Ajo ka pasur debutimin si regjisore në filmin The Hill Where Lionesses Roar (Luaneshat e Kodrës).

Bashkë me festimin e 25 vjetorit erdhi edhe suksesi madhor në karrierën e saj!

Filed Under: Politike

Çfarë e bën mashkullin burrë?

March 17, 2026 by s p

Alfons Grishaj/

Për mendimin tim, lufta e vlerës ndaj kundërvlerës afron një plus!

Termi mashkull, në kuptimin e përgjithshëm, i referohet seksit mashkullor. Megjithatë, në kulturën shqiptare dhe në traditat e shumë kombeve të tjera, të qenit burrë përfaqëson shumë më tepër sesa një përcaktim biologjik.

Për ne shqiptarët, qenësia e burrit lidhet me një sërë vlerash themelore si fuqia, kurajoja, nderi, përgjegjësia, mbajtja e fjalës, respekti, sjellja e mirë, vizioni dhe mbi të gjitha të qenit shtyllë e familjes. Një mashkull nuk quhet burrë vetëm për shkak të anatomisë apo fiziologjisë së tij, por për shkak të karakterit dhe mënyrës se si përballet me sfidat e jetës.

Në jetën publike dhe në shtet, një burrë quhet burrështetas kur ai shndërrohet në rregullator, udhëheqës dhe vizionar, duke u bërë një shembull që pasqyron zhvillimin, mirëqenien dhe përparimin e shoqërisë. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes burrështetasit dhe atij që nuk arrin të jetë kurrë i tillë.

Po a mund të quhen të gjithë meshkujt burra? Biologjikisht, po. Por nga ana mendore dhe shpirtërore, jo domosdoshmërisht.

Sipas mendimit tim, burrë është ai që di të bëjë zgjedhjen e drejtë. Ai është besnik ndaj vlerave humane dhe ndaj kodit të familjes e të shoqërisë. Ai ka kurajë, vendosmëri dhe integritet. Ai qëndron vigjilent dhe i fortë përballë problemeve, duke u përpjekur t’i përballojë ato me vendosmëri dhe me frymë pozitive. Dhe kur është e nevojshme, ai nuk heziton të marrë vendime të forta. Siç është thënë shpesh edhe nga Ronald Reagan, duke cituar një ide të vjetër që lidhet me Perandorin Hadrian: “Paqja ruhet përmes forcës.”

Karakteri dhe virtyti janë themeli i një burri të vërtetë. Një burrë i tillë di të ngrejë zërin kur rrethanat kërkojnë qëndresë dhe guxim, veçanërisht kur të tjerët heshtin nga dobësia ose plogështia. Heshtja, në shumë raste, nuk është shenjë mençurie, por shenjë inferioriteti. Filozofia e heshtjes së shtirë shpesh ushqen këtë inferioritet dhe e dobëson bazën e qëndrueshme të karakterit njerëzor.

Paburrëria i ngjan një balone që ngrihet në ajër vetëm për aq kohë sa ka brenda helium. Sapo ky të mbarojë, ajo bie përdhe ose zhduket në ujë. Nëse bie përdhe, gjithçka përfundon aty. Nëse bie në ujë, mbetet vetëm një mjegull e vakët shprese.

Sa larg mund të godasë një mashkull i paburrë? Ndoshta mund të konkurrojë me instinktin e kafshëve, madje edhe me shimpanzenë. Por ai kurrë nuk do të ketë goditjen e saktë dhe të fuqishme të Davidit kur përballi dhe rrëzoi Goliathin.

Burri i fortë di të godasë, por di edhe të falë. Ai di të pijë pa u bërë qesharak, di të këndojë me të tjerët, di të luftojë pa u dorëzuar dhe pa u ankuar për humbjet. Ai di të fitojë me dinjitet dhe të udhëheqë pa e poshtëruar të mundurin. Ai di të mbrojë fitoret dhe t’i zgjerojë ato pa rënë në vetëkënaqësi. Ai di të ndihmojë të tjerët dhe njëkohësisht të kërkojë ndihmë kur është e nevojshme.

Një burrë ndërton familje me ndihmën e një gruaje të virtytshme dhe krijon një traditë të qëndrueshme për brezat që vijnë. Por mbi të gjitha, ai njeh kufijtë e vet dhe respekton kodin e burrërisë. Ai nuk përpiqet të paraqitet si diçka që nuk është. Dhe kur gabon, ai ka guximin të kërkojë falje.

E kundërta është mashkulli i dobët, i cili nuk kërkon falje, por përpiqet të mburret me fitore imagjinare. Ai përpiqet të duket më i madh se ç’është në të vërtetë, ndërsa ankthi dhe pasiguria e tradhtojnë vazhdimisht. Sjellja e tij bëhet e lexueshme dhe shpesh qesharake, sepse kurajo civile mungon plotësisht.

Një mashkull i tillë ka vetëm një lloj kuraje: mohimin e çdo vlere që mund të vërë në pikëpyetje madhështinë e tij të rreme.

Frymëzimi i këtyre njerëzve i ngjan një shiu veror që, sapo prek tokën, avullon dhe zhduket pa lënë gjurmë.

Statistikat globale tregojnë se rreth 50.4 përqind e popullsisë janë meshkuj dhe 49.6 përqind femra. Por nëse do ta shihnim çështjen nga këndvështrimi i vlerave, mund të themi se jo të gjithë meshkujt janë burra. Nëse nga kjo përqindje do të hiqnim burrat e vërtetë, numri do të ishte ndoshta shumë më i vogël.

Shpesh hasim njerëz që përpiqen të fshehin inferioritetin e tyre duke krijuar iluzione madhështie. Por si mund t’u besohet njerëzve që janë të molepsur nga “mahnia e madhështisë”, mjerëz që humbin busullën, si mund të drejtojnë të tjerët në detin e hapur të përgjegjësive?

Këto figura i gjejmë shpesh në përditshmërinë tonë si një zhurmë e bezdisshme në vapën e verës, një zhurmë që ndonjëherë i tejkalon edhe vetë xhinkallat.

Zgjuarsia e një burri të ndershëm është të mos u japë shumë hapësirë këtyre figurave në komunikim, në media, në shtyp apo në jetën publike. Sa më shumë hapësirë u jepet, aq më shumë shtohen ata që bezdisin dhe turbullojnë rendin e vlerave.

Në fund, në një kohë paradoksesh dhe kontradiktash, shpesh duket sikur jetojmë në një epokë ku zërat më të fortë nuk janë gjithmonë ata më të mençurit.

Ndoshta është pikërisht kjo koha e paradokseve.

Koha e molusqeve.

Filed Under: Sofra Poetike

Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll

March 17, 2026 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Hoxhë Hasan Tahsini ka hyrë në historinë e Shqipërisë si profesor i rilindasve shqiptarë dhe projektues i pavarësisë. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm të paktën në dy drejtime, së pari si pjesëmarrës në mbledhjet e ndryshme që u bënë gjatë viteve 1867-1879 në Stamboll për çështjen e gjuhës shqipe dhe të drejtat e kombit shqiptar dhe së dyti, si hartues i një alfabeti të veçantë.

Në një shkrim të botuar në revistën “Minerva” në shtator-tetor 1934, Mehdi Frashëri shkruan se Hasan Tahsini nga pikëpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohej si mjeshtri i Sami Frashërit, Ismail Qemalit, Vaso Pashës, Daniel Oparakut e disa të tjerëve të rinj shqiptarë të cilët kishin marrë pjesë me fillimin e lëvizjes kulturore shqiptare në Stamboll.

Për kontributin dhe pikëpamjet e tij hedh dritë edhe një raport i konsullit britanik në Janinë B.Kyrioti drejtuar ambasadorit të tij në Stamboll, H.G.Elliot. Ai bën fjalë për arrestimin dhe dërgimin e Hoxhë Hasan Tahsinit nga Delvina dhe Shqipëria e Jugut ku ai kishte mbërritur për të sensibilizuar popullin për çështjen kombëtare në një kazermë të Janinës. Kjo, sepse nga valiu ai konsiderohej si një person i rrezikshëm.

Që pas Luftës së Krimesë (1853-1856) shteti osman ishte zhytur në borxhe të jashtme dhe de facto kishte marrë fund. Ai mbahej në këmbë nga Fuqitë e Mëdha derisa të binin dakord për mënyrën e ndarjes. Kjo kishte bërë që te patriotët dhe lobi shqiptarë që jetonte në Stamboll të fillonin përpjekjet e para për të shpëtuar aq sa mund të shpëtohej. Edhe pikëpamjet e Hoxha Hasan Tahsinit për pavarësinë e Shqipërisë duhen parë e lexuar në këtë kontekst.

***

Janinë, 24 prill 1874

Konsullata Britanike në Shqipëri

Kam nderin t’ju deklaroj se guvernatori i përgjithshëm i Janinës, i cili ishte në një udhëtim prej katër javësh në provincën e juridiksionit të tij, në Delvinë ka arrestuar një shqiptar mysliman të quajtur Hasan Tahsin Efendi dhe e ka dërguar, të shoqëruar me një roje të përbërë prej dymbëdhjetë vetash, në Janinë.

Më 17 të këtij muaji, qeveria e mbylli në burgun e një kazerme dhe jo në atë të zakonshmin, ku mbahet krejtësisht i izoluar dhe nuk lejohet as të shihet, as t’i flitet.

Ky njeri është nga një fshat i Filatit dhe më parë jepte mësime të gjuhës turke në Paris për të rinjtë që qeveria osmane kishte dërguar atje për studime. Ai kishte udhëtuar më pas në Itali dhe prej andej kishte ardhur në Shqipëri, ku predikonte për lirinë dhe pavarësinë.

Emrat e atyre që dëgjonin predikimet e tij dhe që do të luftonin për lirinë e vendit janë duke u hetuar nga autoritetet.

Thuhet se disa prej ndjekësve të tij në Shqipëri mund të kenë lidhje edhe në Stamboll.

Këto i kam mësuar nga burime të mirëinformuara.

Kam nderin t’ju shpreh nderimet e mia,

shërbëtori juaj i bindur dhe i përzemërt.

B. Kyrioti

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 2923
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
  • Tre vllazen, tre jetima…
  • Goditja ndaj objekteve të kultit fetar, pjesë e propagandës ateiste përgjatë diktaturës në Shqipëri
  • “Fjalimet që përgjakën Ballkanin”
  • Kur drejtësia hyn në oborrin e mbretit, parlamenti del roje te dera!
  • Ngërçi Presidencial në Kosovë zbulon një dobësi të Kushtetutës
  • Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949
  • ABIDIN DINO, ARTISTI MË I MADH TURK ME ORIGJINË SHQIPTARE I SHEKULLIT XX
  • Lufta e Vraninës (1862) – qëndresa heroike e Oso Kukës dhe mbrojtja e kufijve shqiptarë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT