
Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në Connecticut.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Një mundësi e shkëlqyer për fëmijët shqiptarë në Connecticut.
by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/
Sadbera Gashi: “Të dëbuar”
Ky është libri i një vajze gjashtëmbëdhjetvjeçare nga Prishtina, e cila përjetoi drejtpërdrejt luftën në Kosovë, dëbimin e familjes së saj dhe eksodin masiv të shqiptarëve nga forcat ushtarake e policore serbe. Fillimisht fillimisht o botua italisht, më pas u botuar edhe në gjermanisht nga Wilhelm Heyne Verlag, Munchen, 1999.
Është një dëshmi tronditëse njerëzore dhe historike, e cila meriton të ekranizohet. Shpesh nxitemi të harrojmë ose të prodhojmë filma për tema që nuk lidhen me përvojën tonë historike. Mirëpo, Kosova ka shumë rrëfime të dhimbshme e të jashtëzakonshme, të cilat meritojnë të dokumentohen dhe t’u përcillen brezave përmes filmave dokumentarë dhe artistikë.Libri
Në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, Sadbera fillon të mbajë ditarin e saj, të cilin e quan me përkëdheli “Mimi”. Ajo shkruan në italisht, në mënyrë që askush të mos mund t’ia lexojë mendimet dhe ndjenjat më intime. Sadbera rrëfen për daljet në diskotekë me miqtë, për dashurinë e parë me shikim të parë, për grindjen me shoqen e saj më të mirë dhe për pushimet verore pranë detit. Ashtu si miliona vajza të tjera, edhe Sadbera është e magjepsur pas Leonardo DiCaprios.
Mirëpo, jeta në qytetin e saj të lindjes, Prishtinë, karakterizohet nga konflikte të ashpra ndërmjet popullsisë serbe dhe asaj shqiptare. Sadbera përshkruan urrejtjen dhe poshtërimet e serbëve. Më pas, ajo mëson edhe për masakra dhe përdhunime. I duhet të shohë se si milicia u vë zjarrin dyqaneve dhe shkatërron shtëpitë. Rreth saj zhduken pa gjurmë të njohur, miq dhe anëtarë të familjes.
Më në fund ndërhyn NATO-ja. Natë pas nate bien bomba. Më 31 mars 1999, “pas nëntë ditësh të kaluara në bodrum nën bombardime, policë serbë me maska në fytyrë hynë në shtëpinë tonë dhe na thanë se duhej të largoheshim, nëse nuk donim të vdisnim…”
Familja arratiset. E vetmja gjë që Sadbera mund të marrë me vete është ditari i saj. E dëbuar përmban përjetimet e shkruara thjesht dhe drejtpërdrejt të një vajze gjatë një lufte të tmerrshme, e cila e frikëson, e zemëron dhe e trishton, si dhe ia ndërpret befas rininë. Libri është gjithashtu dëshmia prekëse e një vajze që nuk e humb shpresën.
Prishtinë, 1999. Në Kosovë mbretëron lufta.
“Jemi të gjithë në bodrum. Unë jam ulur në dysheme, sepse nuk ka vend për të fjetur. Bombardimet ende nuk kanë përfunduar. Nuk ka drita. Po shkruaj nën dritën e një qiriu…”
Përjetimet prekëse dhe të përshkruara me gjallëri të një vajze që përjeton një luftë të tmerrshme.
“…një rrëfim shumë intim dhe i hollësishëm për ngjarjet në Prishtinë.”
Shkruan Sadberja në ditarin e saj:
Autorja
Sadbera Gashi ka lindur më 4 gusht 1980 në Prishtinë, Kosovë. Deri në dëbimin e saj në mars të vitit 1999, ajo jetoi në Prishtinë me prindërit dhe katër motrat e vëllezërit e saj; gjatë periudhlës së fundit të luftës jetoi në Shqipëri.
by s p

Prof. Dr. Begzad Baliu/
Çdo lexim i veprës Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Historia duhet të nisë nga një premisë metodologjike themelore: ky tekst nuk përfaqëson një burim historik autonom, por një konstrukt sekondar të ndërtuar mbi matricën historiografike të Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum principis të Marin Barleti. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një proces tipik intertekstual, i cili realizohet përmes tri mekanizmave themelorë: transmetimit të bërthamës narrative, transformimit stilistik dhe ideologjik të materialit të trashëguar, si dhe ri-semantizimit të figurës së Skënderbeut në një horizont të ri kulturor. Figura e heroit, për rrjedhojë, nuk riprodhohet thjesht si një kopje e modelit barletian, por rikodohet dhe riartikulohet në funksion të kërkesave të diskursit evropian të shekullit XVIII, ku historia fillon të shërbejë si mjet për artikulimin e ideve dhe vlerave universale.
Në nivelin e parë të analizës, Zanoviq ruan pothuajse të pandryshuar arkitekturën kronikale të modelit barletian, duke riprodhuar skeletin themelor të rrëfimit historik: origjinën fisnike të Kastriotëve, marrjen peng të Skënderbeut në oborrin osman, procesin e edukimit dhe formimit të tij, rikthimin në atdhe dhe marrjen e Krujës, si dhe ciklin e vazhdueshëm të luftërave kundër osmanëve. Një ilustrim i qartë i kësaj vazhdimësie strukturore gjendet në formulime të tilla si: “Gjergj Kastrioti ishte djali i Gjon Kastriotit dhe i Vojsavës… Gjergji nuk ishte më shumë se gjashtë vjeç… u bë synet… Murati… i kishte dhënë një edukim mjaft të mirë…” . Ky fragment riprodhon një nga skemat themelore të Barletit, sipas së cilës heroi formohet në mjedisin e armikut për ta mposhtur atë më pas. Megjithatë, nëse te Barleti kjo paraqitet si një paradoks providencial, i lidhur me një logjikë teologjike të historisë, te Zanoviq ajo interpretohet si një fazë e domosdoshme e formimit të karakterit heroik, duke i dhënë procesit një dimension më të racionalizuar dhe pedagogjik.
Një nga devijimet më të dukshme nga modeli barletian shfaqet në transformimin e hyrjes së veprës, ku prologu historik dhe retorik i traditës humaniste zëvendësohet me një prolog alegorik dhe filozofik. Episodi i Menandrit dhe CLEARC-ut – “Menander… bëri flijime… orakulli tha: CLEARC… më i dashuri për Perënditë… ai dorëzonte vetëm fruta… jetonte sipas ligjeve të natyrës…” – nuk ka analogji në strukturën e Barletit dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me historinë e Skënderbeut. Funksioni i tij është të vendosë një horizont etik, duke artikuluar një model të virtytit natyror, i cili do të mishërohet më pas në figurën e heroit. Në këtë mënyrë, Zanoviq realizon një zhvendosje të qartë nga historiografia humaniste drejt një filozofie morale të tipit iluminist, ku rrëfimi historik bëhet mjet për artikulimin e parimeve të përgjithshme etike.
Në karakterin e tij, transformimi bëhet edhe më i theksuar përmes rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, e cila kalon nga një hero historik në një model etik dhe antropologjik. Përshkrime të tilla si: “Ai ishte i kujdesshëm, fisnik, i sjellshëm… zotëronte dhunti shoqërore dhe njerëzore…” e zhvendosin fokusin nga aktet ushtarake drejt cilësive morale dhe shoqërore. Nëse te Barleti Skënderbeu paraqitet kryesisht si strateg dhe mbrojtës i fesë, te Zanoviq ai shndërrohet në një figurë që mishëron një sistem të tërë virtytesh: etikë personale, moral publik dhe virtyt politik. Ky zgjerim i dimensioneve karakterologjike prodhon një zhvendosje thelbësore nga heroi i historisë drejt një figure normative, e cila funksionon si model për shoqërinë dhe për individin.
Në të njëjtën kohë, transformimi i narrativës së luftës përbën një element kyç të rikonfigurimit estetik të tekstit. Ndryshe nga struktura relativisht e balancuar historiko-retorike e Barletit, Zanoviq e amplifikon përshkrimin e betejave përmes hiperbolizimit dhe dramatizimit, siç dëshmohet në formulime të tilla: “Ata lanë 20 000 ushtarë… Kastrioti humbi jo më shumë se 26 burra…” . Ky disproporcion ekstrem prodhon një efekt të fortë estetik dhe mitizues, duke e shndërruar luftën në një spektakël narrativ të madhështisë heroike. Më e rëndësishmja, vetë autori reflekton mbi këtë proces, duke pranuar se “kronikanët janë si poetë… zbukurojnë tiparet e heronjve…” . Kjo vetëdije për natyrën e mitizimit e dallon qartë Zanoviq-in nga Barleti, i cili, ndonëse përdor mjete retorike dhe hiperbolike, nuk e problematizon në mënyrë eksplicite raportin midis historisë dhe fabulës. Në këtë mënyrë, lufta nuk mbetet më thjesht një fakt historik, por bëhet një hapësirë ku ndërtohet dhe artikulohet miti i heroit në mënyrë të vetëdijshme dhe estetike.
Në vijim të rikonfigurimit të figurës së Skënderbeut, një nga shtesat më të rëndësishme që realizon Stefan Zanoviq është universalizimi i saj në hapësirën evropiane, përmes të cilit ajo shkëputet nga kufijtë e ngushtë etno-historikë dhe integrohet në një sistem më të gjerë simbolik dhe kulturor. Kjo vihet re në formulime të tilla si: “Ai u urua si Aleksandri i Dytë… nga princër dhe mbretër të Evropës…” , ku figura e Skënderbeut vendoset në një marrëdhënie analogjike me figura universale të historisë botërore. Në këtë mënyrë, ai nuk përfaqëson më vetëm një hero shqiptar apo ballkanik, siç ndodh në thelb te Marin Barleti, por shndërrohet në një figurë paradigmatike të kujtesës evropiane, e cila përvetësohet dhe riartikulohet nga një horizont më i gjerë kulturor. Ky proces i universalizimit nuk është një zgjerim i thjeshtë gjeografik, por një transformim i funksionit të figurës, e cila kalon nga një identitet historik lokal në një ikonë transkulturore me vlefshmëri universale.
Njëkohësisht, teksti i Zanoviq-it artikulon një diskurs politik të tipit iluminist, në të cilin figura e Skënderbeut funksionon si model i sovranitetit dhe i refuzimit të nënshtrimit. Në fragmente të tilla si: “Ai nuk do t’i paguajë askujt taksa… shpata e tij nuk ka paguar tjetër…” , shprehet një konceptim i qartë i pushtetit të pavarur, i bazuar në autonomi dhe në legjitimitet moral. Këtu kemi të bëjmë me një zhvendosje të rëndësishme nga logjika e mbijetesës dhe e mbrojtjes së fesë, që karakterizon diskursin e Barletit, drejt një konceptimi të luftës si afirmim i një parimi politik universal: sovranitetit. Në këtë kontekst, figura e Skënderbeut nuk interpretohet më vetëm si luftëtar kundër një armiku të jashtëm, por si përfaqësues i një etike të pushtetit që refuzon çdo formë varësie dhe që afirmon autonominë si vlerë themelore.
Paralelisht me këto zhvillime ideologjike, Zanoviq realizon edhe një estetizim të theksuar të jetës dhe të rrëfimit, duke futur elemente që mungojnë ose janë shumë më pak të zhvilluara te Barleti. Përshkrimet e martesës me Donikën, festimet, ceremonitë dhe episodet e jetës shoqërore nuk shërbejnë vetëm si zbukurim narrativ, por si mjete për të humanizuar figurën e heroit dhe për ta afruar atë me ndjeshmëritë e lexuesit. Këto elemente shoqërohen me një ndjeshmëri të shtuar narrative dhe me një tendencë drejt dramatizimit emocional, që e afrojnë tekstin me format e romanit historik dhe me letërsinë e ndjeshmërisë (sensibility literature) të shekullit XVIII. Në këtë mënyrë, rrëfimi largohet nga një kronikë e thatë historike dhe shndërrohet në një tekst me dimension të theksuar estetik dhe emocional.
Në përfundim të këtij kapitulli, analiza krahasimtare dëshmon qartë se Zanoviq ndërton figurën e Skënderbeut përmes një procesi të trefishtë: ai merr strukturën dhe bërthamën historike nga modeli i Marin Barleti, transformon diskursin humanist në një narrativë morale dhe estetike, dhe shton një dimension të ri, të karakterizuar nga universalizimi evropian, artikulimi filozofik dhe konceptimi politik i figurës. Si rezultat i këtij procesi, Skënderbeu kalon nga statusi i një heroi të kronikës historike në atë të një simboli universal të virtytit, sovranitetit dhe rezistencës, duke u bërë një figurë që tejkalon kontekstin e saj origjinal dhe që funksionon si model interpretativ në horizontin kulturor të Evropës së shekullit XVIII.
by s p

Viola Isufaj/
Mihal Hanxhari (1930-1999) autor i letrave të fundit të arkës, paraqet një rast të veçantë, si për nga forma e veçimit ashtu dhe estetika e tij: është i vetmi shkrimtar shqiptar që nuk botoi asgjë në të gjallë të tij, jo vetëm gjatë kohës të sitemit totalitar në Shqipëri, por as pas rënies së tij në vitin 1990, edhe pse jetoi deri në vitin 1999. Për shkrimet e tij nuk fliste me askënd, as me miqtë.
Kjo dukuri me paszgjatimet pas 90-ës, afërmendsh, këput lidhjet me karakterin politik, dhe bëhet një akt estetitik. Ka lidhje me ngurrimin e thellë, me skepticizmin (ashtu si Zorba trembej pa masë nga botimi por ndryshe nga Zorba, Hanxhari vendosi të mos botonte kurrë). Mihal Hanxhari, plot emocionalitet të brendshëm ka krijuar një univers letrar të thellë, meditaiv dhe estetikisht të përpunuar. Krijimtaria e Hanxharit shquhet për një ndjeshmëri të hollë, për një lidhje intime me natyrën, dashurinë, ekzistencën dhe historinë. Ai shkruan me finesë dhe përkushtim, duke ofruar një poezi që është përjetim dhe reflektim filozofik e estetik. Ai është një shembull i rrallë i atij tipi shkrimtari që shkruan jo për lavdi apo shpërblim, por për nevojë shpirtërore dhe përkushtim ndaj së bukurës; i tillë, e sheh artin si akt shpëtimi dhe dëshmi të shpirtit njerëzor. Vepra e tij, mbetur për dekada në heshtje, tani kërkon vendin e vet në kujtesën kolektive kombëtare dhe në historinë letrare. Nëse hyjmë në poetikën e tij:
Elegji për Kosovën është një poesis par exellance, një vepër e fuqishme nën një thurimë aq të hollë poetike, një himn i heshtur për dhimbjen, kujtesën dhe shpresën e një bashkësie të plagosur nga historia. Kjo poezi ngrihet si një lutje, britmë e qetë drejt qiellit, në përpjekje për të ruajtur shpirtin dhe rrënjët e një bashkësie të kërcënuar nga lufta, harresa dhe rrënimi. Akademik Ali Aliu, poetin Mihal Hanxhari e ka përfshirë në Antologjia e Poezisë Shqipe, gjysmë shekulli i artë ndërsa Ali Podrimja e vlerësoi poezinë nga si më të mirën për tragjedinë kosovare.
E gjithë struktura e poezisë ndërtohet mbi një apostrofë të fortë ndaj Zotit: Zot, nëse njerëzit s’dinë të shohin sot – si reagim ndaj një realiteti ku pamundësia për të parë dhe kuptuar tmerret që po ndodhin, bëhet barrë për të tashmen dhe kërcënim për të ardhmen. Thirrja e përsëritur krijon një ritëm të brendshëm që mbart tensionin dhe ankthin kolektiv, duke e bërë poezinë të ndjehet si një litani për shpëtimin e atyre që ende s’kanë humbur gjithçka. Ritmi i poezisë, shumë melodik dhe përsëritës, forcon emocionin e thirrjes dhe ndjenjës kolektive.
I gjithë sfondi ndihmon në vendosjen e një atmosfere të dëshpërimit dhe pasigurisë. Shpresa shfaqet si një vijë e hollë drite që kalon përmes elementësh natyrorë: peshqit blu, retë, qiparisat, rrapet… Shpëto o Zot vetëm sytë e fëmijve të Kosovës!
Sy të kaltërt përfaqësojnë natyrën, bukurinë dhe pafajësinë, dhe së paku, vetëm ato të shpëtohen, ndërsa “peshqit blu” simbolizojnë migrimin, teksa imazhi: që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu- krijon dhe përfaqësimin e një vendi sigurie dhe qetësie për fëmijët, ndërkohë, Engjëjt sjellin një notë shpirtërore, duke sugjeruar jetë dhe pafajësi por po aq, edhe mbrojtje e shpresë.
Këto simbole të mësipërme nuk janë thjesht dekor poetik, por bartës të memories dhe të qëndresës. Sy të kaltërt të peshqëve blu apo pylli i parë i Lirisë krijojnë një përfytyrim poetik ku natyra bëhet mbrojtësja e fundit e shpirtit njerëzor dhe të ardhmes.
Pjesët ku autori kërkon shpëtim për natyrën dhe fëmijët janë të ngarkuara me ndjenja të thella, ndërsa pasazhet që përshkruajnë zërat e çmendur dhe dhunën janë më dramatike dhe shqetësuese.
Poeti përdor një gamë të zgjedhur simbolesh lufte: tamtamet që përplasen në kupën e qiellit, klithmat e marra që qeshin, rruga e gjatë ku nuset e Kosovës… Ky kontrast midis dhimbjes dhe një shprese të bardhë, të butë e të brishtë gjeneron një tension poetik që përshkon të gjithë poezinë.
Në vargun Dhe tamtamet do përplasen në kupën e qiellit, duket se tamtamet janë një përfaqësim për tingujt e luftës, klithmat, dhe çmendurinë e saj. Përplasja në kupën e qiellit sugjeron një ndjesi dhe ngarkesë emocionale që arrin deri në qiell, mbi efektet e luftës që ndjehen në të gjitha nivelet e ekzistencës: Dhe klithmat e marra do qeshin e do thërrasin.
Zot nëse zërat e çmendur s’do pushojnë -Këtu bëhet fjalë për zëra të dhunës, konflikteve dhe trazirave. Përmendja e tyre thekson pasigurinë dhe frikën që përcjellin me vete. Shí në këtë klimë, Hanxhari na kujton se pa kujtesë nuk ka as identitet, as të ardhme. Heshtja e pleqve të Kosovës që flasin me brazdat e baltës është heshtje që ulërin me gjithë përvojën e përjetuar. Brazdat dhe uji i vjetër si metafora të tokës bartin në vetvete gjurmët e mijëra historive të pathëna.
Vargje si Gropë dhe gropa kodër mbill nëpër rrugët e Kosovës duke përdorur shpërbërjen sintaksore për të reflektuar traumën e një toke të plagosur, por që ende nuk ka pushuar së mbjelli, na e kujtojnë disi strukturën poetike të Ali Podrimjes. Kjo është sintaksa që përthyen traumën.
Kjo është një elegji që bëhet amanet poetik, një vizion, një premtim. Përsëritja në përshkallëzim rritës me progresion gjeometrik: Dyqind qiparisa, dy mijë qiparisa, dyqind mijë qiparisa… e më pas dhe dy milionë rrape, – krijon një frymëmarrje poetike që zgjerohet, një ndjenjë rritjeje me frymë profetike, një imazh përfaqësimi dhe ngulje rrënjësh. Këto pemë janë të ngjashme me pemët në varre, por njëherazi simbol i ringjalljes; përmes këtij marshi poetik në rritje, ato do të bëhen pemët e kujtesës dhe të qëndresës, që, të përngjalluara rishtas, bulojnë dendur e më forcë jetësore– një pyll i parë i Lirisë që rritet mbi dhimbjen. Dhe ai do jetë pylli i parë i Lirisë në botë është kthesa që poezia i jep vetes – shndrrimi nga elegji në një premtim. Është një shpresë që rritet nga toka, nga humbjet, nga foshnjat dhe nga nuset, të gjitha- simbole të vazhdimësisë së jetës.
Elegji për Kosovën është një ndërthurje e artit, e përjetimit personal me shpirtin kolektiv. Hanxhari ka krijuar një poezi ku fjala kthehet në lutje, natyra në kujtesë, dhe dhimbja bëhet kusht për shpresën. Nëpërmjet përdorimit të simboleve natyrore, figurave të pafajësisë përmes një tensioni shpirtëror që kurrnjëherë nuk mund të lehtësohet, po vetëm të shndërrohet, ai ndërton këtë poezi- testament për të ardhmen, dëshirim i gjallë për ta ruajtur Kosovën si tokë, si kujtesë dhe si frymë. Tirana është një poezi- si një letër letër dashurie, shkruar natën për shpirtin, kujtesën dhe frymën e qytetit; një refleksion emocional dhe estetik mes simbolesh, imazhesh dhe një verbi subtil që e shpie lexuesin në një nivel të thellë reflektimi. Këtu Hanxhari përdor simbolikën urbane dhe natyrore për të rrëfyer historinë intime të një qyteti. Tirana bëhet personifikimi i kujtesës kolektive, një entitet që përmbledh kohën, shpirtin dhe njeriun.
Tirana, përtej një hapësire gjeografike, është një qenie e gjallë me mure muzgjesh, çezma që derdhen në kopshte dhe nallane në oborre. Tirana përfaqëson një mikrokozmos njerëzor e historik, ku çdo rrugicë, çdo mur, është një kujtim, një zë, një ndjesi e pashlyeshme.
Poeti projekton Tiranën përmes një lloj kujtese urbane, me detaje të thjeshta, që mbajnë peshë emocionale të madhe: Mure të bardha / Ndërtuar vetëm për dritën e hënës / Rrugëza të Tiranës. Drita e hënës është një ndriçim i butë, jo imponues, që shpreh një dashuri të qetë dhe intime ndaj qytetit. Rrugëzat janë si damarët e një zemre që pulson kujtime.
Gjersa krahët e yjeve të Mjelmës / Zbrisnin e i merrnin me vete-Këtu poetika merr një trajtë metafizike. Mjelma, simbol i pastërtisë dhe elegancës, në bashkëdyzim me krahët e yjeve, krijon një imazh çlirimi shpirtëror, një ngritje nga realiteti i rëndë tokësor drejt një përmasë më të lartë të ndjesisë e të frymës. Hanxhari shkëlqen në përsëritje, duke forcuar ndjesinë e optimizmit dhe të energjisë së pastër: Zëra çesmash që derdhen në rrugica / Zëra që vijnë pas teje.
Këtu vjen një ndjesi e intimitetit dhe mundësisë për të përjetuar lidhjen me shpirtin e qytetit. Zërat që vijnë pas teje krijojnë një atmosferë pothuaj mistike, si të ishim duke u ndjekur nga një e kaluar që na thërret shpirtërisht pafundësisht. Ndërsa: Që nisin një kuvend me ty- sugjeron një bisedë, një dialog të dashur mes individit dhe natyrës ose historisë apo midis njeriut dhe hapësirës, midis qytetarit dhe qytetit. Kjo nënkupton se jemi pjesë e një narrative më të madhe se vetë ne, narrativë e cila bartet nga një ndjenjë e mundësisë që çdo gjë mund të bëhet më e bukur. Uji nuk është vetëm një element natyror, por një udhërrëfyes shpirtëror i kujtimeve, kohës, një ftesë për reflektim të qetë. Kur zërat e çesmave “vijnë pas teje”, poezia merr një dimension introspektiv – një dhënie e marrje me kujtesën, nostalgjinë dhe vetveten.
Kur poeti thërret: Zërin e nallaneve,/aromat e lashta që derdhin pjergullat,/shpirtërat e bardhë të stërgjyshërve tanë, ai po thërret, në fakt, kujtesën e gjallë jetësore. Këto janë elemente të jetës tradicionale, të përditshmërisë së dikurshme. Ato përfaqësojnë një jetë që ishte po që nuk është më, e, që, duhet ruajtur në kujtesën kolektive.
Kjo pjesë është përplot me nostalgji të shenjtë, një mall për normalitetin, ngrohtësinë dhe rrënjët.
Zot shpëtoje Tiranën-kjo thirrje për shpëtim dhe mbrojtje që shkon përtej lutjes fetare – bëhet një lutje qytetase, historike dhe shpirtërore. Është kërkesa për të ruajtur identitetin e qytetit nga shkatërrimi, zhdukja ose shpërfytyrimi urban. Tirana vjen si entitet shpirtëror, si strukturë e identitetit kulturor, e rrezikuar të zhbëhet.
Poezia Tirana e Mihal Hanxharit do të mbetet një manifest i një finese shpirtërore të lartë për trashëgiminë, identitetin dhe kujtesën. Përdorimi i gjuhës metaforike, simbolika e thellë, ndjeshmëria e imazheve dhe ritmi i butë krijojnë një atmosferë të qetë dhe të përmallshme, ku qyteti bëhet një pasqyrë e shpirtit dhe pjesë e përjetshme e rrjedhës së jetës së njeriut.
Aldebaran- një udhëtim poetik drejt përjetësisë dhe shpirtësisë yjore
Poezia Aldebaran është një krijim me përmasa të gjera shpirtërore dhe kozmike ku përmes simboleve të natyrës, dashurisë dhe universit, autori sjell një reflektim të thellë mbi ekzistencën, humbjen dhe përjetësinë. Si një simfoni galaktike, poezia mbart një tonalitet malli, një ndjeshmëri të pastër dhe një kërkim të pambarim për atë që mbetet e pavdekshme te njeriu: shpirti dhe ndjenja.
Poezia hapet me një natë të gjallëruar, ku muzika vjen zbathur, një metaforë që fton lexuesin në një botë të ndjesive autentike, intime. O natë erdh muzika zbathur nëpër erë / Deti nisi zërat me gjemit’e tia. Nata këtu nuk është errësirë, por një hapësirë shpirtërore paraqitur si një entitet aktiv, që sjell me vete muzikë, -konceptim i një atmosferë të gjallë. Deti, me zërat e vet, nga ana tjetër, bëhet rezonancë e emocioneve të thella. Ai nuk është thjesht natyrë: është ndjeshmëri, ndërgjegje.
Dashuria dhe dhembja do të dalin si forca duale: Këngë o këngë ku mbytet dashuria / Shpirti rri zgjuar dhembjen ve të flerë. Kënga bëhet vendi ku dashuria “mbytet”, por edhe ku shpirti zgjohet – krijon një cikël që shpreh dualitetin njerëzor: të duash do të thotë të përjetosh edhe dhembjen. Dhembja nuk mohohet; ajo vetëm vendoset për të fjetur – për të pushuar, jo për t’u harruar.
Deti, me zërat e gjemitë e tij, mbetet përfaqësim i ndjenjave të thella dhe turbullirave emocionale. Zërat e detit, përbashkuar me muzikën, krijojnë një simbiozë mes natyrës dhe shpirtit të njeriut.
“Këngë” si metaforë për dashurinë është e zakonshme, e këtu ajo shfaqet si një forcë që “mbytet” në një përvojë të thellë, duke përkëdhelur çështjet e natyrës njerëzore. Shpirti që “rrin zgjuar” tregon se edhe në përballje me dhembjen, jeta vazhdon të jetë e mbushur me përjetim dhe ndjenja.
Uni poetik e ka dhe një përballje me kohën. Mëngjesi këtu paraqet fundin e një kohe të veçantë, ku gjithçka që ishte magjike do të zhduket. Hëna, simbol i ndjenjave të vjetra dhe përjetësisë, duke u thyer, shenjon brishtësinë e përvojave tona: Kur të vijë mëngjesi, ah, çdo gjë do vdesë / Hëna e kapitur mbi urë do jetë thyer-Mëngjesi këtu nuk do të jetë më ngjallje, por fundi i magjisë së bukur. Poezia e Hanxharit shpesh i jep natës vlerën e përjetësisë, ndërsa mëngjesi sjell kthimin në një realitet ku hëna thyer nuk është më e pranishme si udhërrëfyes i shpirtit.
Zambaku i natës, me sensualitetin e vet të pastër, simbolizon përhapjen e dashurisë dhe përqafimin e ndjeshmërisë: O zambak‘ të natës me gjirin zbërthyer / Pini me ato buzë veç muzik’e vesë. Zambakët përfaqësojnë bukurinë dhe simbolikën e ndjeshmërisë. Gjiri zbërthyer na heq udhën drejt një hapjeje sensuale ndaj ndjenjave, dhe ky zambak që pi muzik’e vesë ndjell një ndjesi të freskët përkundrejt etjesh të vazhdueshme për atë që është përjetësisht e bukur dhe e natyrshme.
Natyraliteti dhe erotika dhe sensualiteti bashkohen si kurrënjëherë në këtë përjetim të butë, ku vesa dhe muzika shihen si substanca të shenjta që ushqejnë shpirtin.
Dashuria, sensualiteti është “sekreti” i përjetimit: O ti buza ime shi i ngadaltë i prillit -Buza e përdorur si simbol i dashurisë dhe i intimitetit, është shi i ngadaltë i prillit -që jep një ndjesi të thellë të muajit të përngjalljes, por po aq dhe të vështirë, mes të cilit, ky “shi i ngadaltë” sugjeron ëmbëlsi dhe sensualitet të jetës. Ndërsa: Po thuaje dhe një herë o buzë atë që di- është një ftesë për të përjetuar të kaluarën dhe atë esencë shpirtërore që na bën të njohim thellësisht vetveten.
Hanxhari dallon për stilin e konstruktin poetik, gjuhën muzikore, ritmin e brendshëm të vargut.
Poezia mbështetet fort mbi një imagjinatë kozmike dhe simbolikë të pasur. Yjet, nata, hëna, zambakët, çmendja e yjeve dhe putiri i nxirë përbëjnë një rrjet metaforash që ndërthurin ndjeshmërinë me reflektimin filozofik.
Ritmi i brendshëm i vargut është ai i një psalmi modern, një himn i të gjitha shpirtrave që duan të shpëtojnë nga e zakonshmja e të gjejnë kuptim në të përjetshmen,- përmes një diksioni poetik të qartë, një gjuhe thellësisht muzikore.
Poezia e Hanxharit është një vendtakim i kulturës shqiptare me atë evropiane. Ai këndon për urat reale dhe metafizike, për dashurinë e përjetshme dhe për tmerrin e luftës, për Parisin dhe Kosovën – duke e bërë artin e tij përfaqësues të denjë të përvojës universale në një gjuhë unike.
Është një krijues që i jep letërsisë shqipe një dimension të ri estetik, filozofik dhe emocional. Ai është jo vetëm poet i natyrës dhe i dashurisë, por edhe dëshmitar i ndërgjegjes kulturore dhe shpirtërore të kohës së tij. Me një poezi që vjen nga një koshiencë e lartë, një poezi e përpunuar dhe universale, mbetur në sirtarë deri në vitin 1999, mund të thuhet se Hanxharit, i mjafton poetika e tij për të merituar vendin e duhur në faqet e artit të pavdekshëm shqiptar.
Ngurrimi për botim vazhdoi të mbizotërojë mbi nevojën për të përcjellë kumte poetike. Ai përfaqëson atë autor që, edhe i çliruar nga censura politike, mbeti brenda një forme të thellë dhe intime autocensure. Botimi i tij erdhi vonë dhe njihet pak, si të jetë ende në pritje të një lexuesi që s’e kërkoi kurrë me zë të lartë.
by s p

Dr. Luan Topçiu/
![]()
Po përgatitemi për edicionin e VIII-të të „Ditëve të Kulturës Shqiptare“!
![]()
Këtë vit, veprimtaritë do të zhvillohen në periudhën 18 shtator – 15 tetor 2026, në Bukuresht dhe Krajovë. Në Krajovë, veprimtaritë do të zhvillohen në selinë e re të Qendrës Kulturore të Shoqatës „Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë“.
![]()
Programi i këtij edicioni përfshin pesë veprimtari kulturore, që do të mbledhin së bashku përfaqësues të Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, anëtarë dhe miq të komunitetit shqiptar, artistë, personalitete të kulturës dhe të ftuar të veçantë nga Rumania dhe Shqipëria.
![]()
Serinë e veprimtarive e çelim më 18 shtator, në Bukuresht, me koncertin e jashtëzakonshëm „Zëri i Miqësisë“, që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operetës dhe Muzikalit „Ion Dacian“. Më pas, deri në mesin e muajit tetor, do të vijojmë me veprimtari kushtuar letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare.
![]()
Hollësitë për secilën veprimtari do të publikohen në vijim në faqen e Facebook-ut të Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë.
![]()
Ju presim të jeni me ne në „Ditët e Kulturës Shqiptare“ – edicioni i VIII-të!