• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një vendim skandaloz…

September 17, 2026 by s p

Harry Bajraktari/

Sot është një ditë shumë e rëndë, jo vetëm për Kosovën dhe popullin e saj, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare ⚖️🇽🇰

Kjo e ashtuquajtur Gjykatë Speciale në Hagë dha një vendim skandaloz duke bërë një padrejtësi të rëndë me dënimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Ata u dënuan sepse qëndruan me popullin e tyre kundër shtypjes, brutalitetit, spastrimit etnik dhe mizorive të regjimit serb. Në anën tjetër, bota po e lejon Serbinë t’i ikë përgjegjësisë për më shumë se dhjetë mijë njerëz të vrarë e të masakruar, dhe për më shumë se 20 mijë gra të dhunuara. Kjo është një nga padrejtësitë më të mëdha në histori. Është absurde.

Tani pyetja është: ÇFARË DUHET TË BËJMË? 🇽🇰 Sot, udhëheqësit politikë të Kosovës dhe të gjithë ne duhet të reflektojmë.

Kosova duhet të jetë e përgatitur dhe e fortë që ta sfidojë këtë padrejtësi. Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë dhe as e shkurtër. Për ta fituar këtë betejë, përçarjet mes udhëheqësve politikë DUHET TË MARRIN FUND SOT.

Vetëvendosje, PDK, LDK dhe AAK duhet të bashkohen për ta mbrojtur popullin e Kosovës. Nuk përfitojmë asgjë nga urrejtja, përçarjet, fajësimet apo lojërat politike.

Tani, më shumë se kurrë, Kosovës i duhen institucione stabile, unitet, pjekuri politike, zhvillim ekonomik, ushtri më e fortë dhe angazhim serioz në 🇺🇸Washington, Bruksel, Londër, Paris, Berlin dhe kudo ku diskutohet e ardhmja e Kosovës.

Ne duhet të punojmë së bashku, ditë e natë, për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë të popullit të Kosovës dhe për ta mposhtur fushatën agresive të Serbisë kundër Kosovës.

Duke punuar për një Kosovë të zhvilluar e të suksesshme, ne nderojmë sakrificën e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ne nderojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit e saj që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Kjo është e vetmja mënyrë për ta fituar këtë betejë.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar

Filed Under: Komente

UÇK-ja në gjyq, Serbia jashtë sallës

September 17, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Ka aktgjykime që ndajnë drejtësi. Ka edhe aktgjykime që, duke u mbështetur në mandat të ngushtë juridik, prodhojnë pasoja të gjera historike.

Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara në Hagë është i tillë.

Nga viti 2016 deri në vitin 2027, sipas përllogaritjeve të financimeve të miratuara për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, janë shpenzuar dhe paraparë mbi 530 milionë euro. Mbi gjysmë miliardi euro për një mekanizëm që, përtej gjuhës juridike, ka prodhuar një pamje të rëndë: drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bankën e të akuzuarve, Serbia jashtë sallës.

Sipas vendimit të shpallur sot nga Trupi Gjykues, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë shpallur fajtorë për krime lufte. Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte. Kadri Veseli është dënuar me 18 vjet burgim për të njëjtat pika. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim.

Por Trupi Gjykues nuk i shpalli fajtorë për krime kundër njerëzimit. Akuzat për përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit nuk u provuan në standardin e kërkuar. Ky nuk është hollësi juridike. Është fakt me peshë politike dhe historike.

Këtu qëndron paradoksi i madh i këtij aktgjykimi: nuk u provuan krimet kundër njerëzimit, por u shqiptuan dënime tepër të rënda ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare. Juridikisht, dallimi ndërmjet krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të shpjegohet. Por historia nuk ruhet vetëm me nene. Kujtesa publike nuk mban mend vetëm arsyetime gjyqësore. Ajo mban mend skenën.

Dhe skena është e padrejtë në përmasën e saj historike.

Në qendër të gjykimit janë ish-drejtuesit e UÇK-së. Jashtë kësaj skene mbetet Serbia, shteti që kishte ushtrinë, policinë, aparatin administrativ, burgjet, dëbimet, masakrat dhe mekanizmin e dhunës mbi shqiptarët e Kosovës. Kjo mungesë nuk është çështje teknike. Është boshllëk moral.

Askush nuk duhet të kërkojë imunitet penal në emër të luftës. Përgjegjësia penale është individuale dhe çdo viktimë meriton të vërtetën e vet. Por asnjë përgjegjësi individuale nuk mund ta përmbysë të vërtetën kolektive të një lufte çlirimtare. UÇK-ja nuk lindi nga dëshira për konflikt. Ajo lindi nga një histori shtypjeje, nga heqja e autonomisë, nga përjashtimi institucional, nga dhuna policore, nga dëbimet dhe nga një regjim që lirinë e shqiptarëve e shihte si rrezik.

Prandaj një proces me mandat të ngushtë mund të bëhet i rrezikshëm kur fillon të prodhojë kujtesë të gjerë. Ai mund ta ngushtojë historinë deri aty sa skena e gjyqit të zëvendësojë skenën e luftës. Mund të krijojë përshtypjen se tragjedia filloi me UÇK-në, jo me shtetin që e detyroi Kosovën të mbrohej.

Ky është dëmi më i madh.

Dhomat e Specializuara mund të thonë se nuk gjykojnë historinë e Kosovës, por vetëm individë. Megjithatë, institucionet nuk jetojnë vetëm në tekstin e ligjit. Ato jetojnë edhe në perceptim, në arkiv, në fotografi, në mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë të kaluarën. Dhe në këtë kuptim, ky mekanizëm, i mbështetur dhe i financuar kryesisht nga Bashkimi Evropian, sot humbi shumë nga autoriteti moral që pretendonte ta kishte.

Përgjegjësi kanë edhe institucionet e Kosovës. Kjo gjykatë nuk u ngrit vetëm nga jashtë. Kuvendi i Kosovës ndryshoi Kushtetutën dhe miratoi ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Kosova mori pjesë në krijimin juridik të një mekanizmi që sot prodhon pasoja të rënda për kujtesën e saj kombëtare.

Prandaj pyetja nuk është vetëm për Evropën. Është edhe për ne. A e kuptuan institucionet tona se drejtësia nuk prodhon vetëm aktgjykime, por edhe histori? A e panë se një mekanizëm i tillë, me mandat të ngushtë dhe me efekt të gjerë publik, mund të prodhonte një pamje të shtrembëruar të luftës së Kosovës?

Kosova nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia. Por duhet të ketë kujdes nga drejtësia e pjesshme që, në kujtesë, mund të kthehet në padrejtësi të plotë.

Prandaj sot duhet të jemi të matur, por jo të heshtur. Të drejtë ndaj çdo viktime, por edhe të drejtë ndaj historisë sonë. Të gatshëm ta pranojmë çdo të vërtetë të provuar, por të vendosur të mos pranojmë që e vërteta e pjesshme të paraqitet si histori e plotë.

Drejtësia le të kërkojë përgjegjësi individuale. Por askush të mos kërkojë nga shqiptarët të harrojnë pse lindi lufta, kush e shkaktoi tragjedinë dhe cilës padrejtësi iu përgjigj Kosova me luftën e saj për liri.

UÇK-ja dhe Republika janë të përjetshme dhe të pandashme.

Filed Under: Analiza

NGA VARRIMI POMPOZ I MLADIÇIT TE DËNIMI VRASËS I KRERËVE TË UÇK-së

September 17, 2026 by s p

Prof. Luçiano Boçi/

Brenda vetëm nëntë ditësh, Europa na dha dy pamje që do të mbeten gjatë në kujtesën e Ballkanit.

Në Beograd, Ratko Mladić, njeriu i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, u përcoll si hero. Arkivoli i tij u mbajt me nderime ushtarake. Mijëra vetë u mblodhën për ta nderuar. Përfaqësues të shtetit serb, figura politike dhe diplomatike morën pjesë në ceremoninë që e shndërroi varrimin e një krimineli lufte në demonstrim krenarie kombëtare. Njeriu i Srebrenicës, i mbi tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë të masakruar, i rrethimit 43-mujor të Sarajevës dhe i mijëra viktimave, u fut në dhe nën uniforma, flamuj dhe lavde.

Nëntë ditë më vonë, në Hagë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Njëri u varros me nderimet e një shteti.

Të tjerët u dënuan me vitet e një jete.

Ky është kontrasti therës i një Europe që pretendon se ka mësuar nga historia, por që vazhdon ta lexojë atë me dy palë syze.

Nuk ka dhe nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për asnjë krim dhe për asnjë viktimë. Përgjegjësia penale është individuale dhe drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Por drejtësia pushon së qeni bindëse kur humbet përmasën historike, baraspeshën dhe masën.

UÇK-ja nuk shkoi në Serbi për të pushtuar territore. Serbia hyri në Kosovë me ushtri, polici, tanke, aparatin e saj shtetëror dhe projektin e spastrimit etnik. UÇK-ja nuk ngriti kampe shfarosjeje dhe nuk hartoi politika shtetërore deportimi. Ajo lindi nga dhuna, përndjekja dhe mohimi sistematik i një populli.

Në Kosovë nuk u përplasën dy ushtri të barabarta dhe as dy projekte pushtuese. Nga njëra anë ishte makineria ushtarake e një shteti; nga ana tjetër, rezistenca e një populli që luftonte për të mos u zhdukur nga toka e vet.

Asnjë gjykim individual nuk duhet ta fshijë këtë dallim themelor.

Gjykata deklaron se nuk po gjykon UÇK-në dhe luftën çlirimtare. Por kur dënon thuajse të gjithë drejtuesit kryesorë politikë e ushtarakë të saj me dënime të tilla, pasoja nuk mbetet individuale. Ajo prodhon një mesazh historik dhe politik shumë më të gjerë se dosja e katër të akuzuarve.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja që nuk mund të mbyllet me një vendim gjykate:

Si mundet që një aparat shtetëror që vrau, dogji, përdhunoi dhe dëboi qindra mijëra shqiptarë të mbetet në sfond, ndërsa udhëheqja e rezistencës shqiptare përfundon pothuajse e gjitha pas hekurave?

Si mundet që Serbia të nderojë publikisht autorin e një gjenocidi, ndërsa Kosova të detyrohet të shohë themeluesit e lirisë së saj të dënohen me dekada burg?

Drejtësia nuk mund ta trajtojë kontekstin historik si një rrethanë të parëndësishme. Nuk mund ta ndajë një episod nga shkaku që e prodhoi, luftën nga pushtimi dhe reagimin nga agresioni.

Në Beograd, varrimi i Mladiçit dëshmoi se Serbia nuk është ndarë ende nga kultura politike që prodhoi luftërat, varret masive dhe gjenocidin. Atje nuk u varros vetëm një gjeneral. U ringjall publikisht miti i tij. Një shtet kandidat për në Bashkimin Europian i tregoi botës se mund të nderojë një kriminel lufte dhe përsëri të pretendojë se ecën drejt Europës.

Ndërsa Kosova, viktima e fundit e projektit të tij, mori nga Haga një goditje që rrezikon të shndërrohet në rishkrim të historisë.

Vendimi është i shkallës së parë dhe do të apelohet. Prandaj beteja juridike nuk ka përfunduar. Por dëmi moral dhe politik është bërë. Historia mund të hetojë çdo njeri. Drejtësia mund të gjykojë çdo vepër. Por askush nuk ka të drejtë të barazojë çlirimtarin me pushtuesin, rezistencën me gjenocidin dhe viktimën me xhelatin.

Sepse, nëse Mladiçi përcillet me nderime dhe krerët e UÇK-së varrosen për së gjalli në burgje, atëherë nuk kemi vetëm një krizë të drejtësisë.

Kemi një atentat ndaj së vërtetës historike.

Filed Under: Emigracion

SHQIPTARËT E AMERIKËS PROTESTUAN NË TIMES SQUARE, NEW YORK, KUNDËR DËNIMIT TË LUFTËTARËVE TË LIRISË – FOTOREPORTAZH NGA ERVIN TORO

September 17, 2026 by s p

SHQIPTARËT E AMERIKËS PROTESTUAN NË TIMES SQUARE, NEW YORK, KUNDËR DËNIMIT TË LUFTËTARËVE TË LIRISË – FOTOREPORTAZH NGA ERVIN TORO

Filed Under: Komunitet

𝐃𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐭𝐞̈𝐬 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧𝐞

September 17, 2026 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)/

Sot SHBA feston Ditën e Kushtetutës. Më 17 shtator 1787 delegatët në Konventën e Filadelfias firmosën Kushtetutën e SHBA, dokumentin më jetëgjatë deri më sot, ndërkohë me tekstin më të shkurtër që ekziston nga të gjitha kushtetutat e vendeve të tjera, të cilat u bënë me një të tillë duke marrë shembull atë të SHBA.

SHBA është shembulli i republikës në veprim për mbarë globin. Por, eksporti më i rëndësishëm i Amerikës në botë ka qenë Kushtetuta e saj. Ajo u hartua si kushtetuta e parë në një dokument të vetëm. Është dokumenti me jetëgjatësinë më të madhe. Dhe gjatë dy shekujve të fundit çdo komb e ka pranuar nevojën dhe vlerën e të pasurit një kushtetutë. Dhe në rastet kur vendet kanë hartuar një të tyren, referenca ka qenë pikërisht Kushtetuta Amerikane. Madje ka pasur shumë përpjekje për të importuar Kushtetutën dhe sistemin e qeverisjes së SHBA-së dhe për t’i zbatuar ato në pjesë të tjera të botës, por ato kanë qenë të pasuksesshme. Kjo ka ardhur për faktin se Kushtetuta dhe sistemi i qeverisjes amerikane janë pasqyrim i mentalitetit, vlerave dhe identitetit amerikan. Shumë vende, veçanërisht ato në Amerikën Latine, u përpoqën të imitonin qeverinë dhe Kushtetutën e SHBA, por dështuan. Bolivia e provoi, dhe si rezultat pësoi gjashtëdhjetë revolta, dhjetë kushtetuta të rishkruara dhe gjashtë presidentë të vrarë midis viteve 1826 dhe 1898. Simon Bolivar (1783-1830), i njohur si George Washington i Amerikës së Jugut, vdiq një idealist i zhgënjyer nga dështimi për të zbatuar kushtetutën e vendit të tij, të modeluar sipas asaj amerikane. Arsyeja e dështimit nuk ishte gjë tjetër veçse fakti se Kushtetuta Amerikane u hartua për popullin dhe shoqërinë amerikane, e cila qëndron e bazuar mbi disa parime të caktuara.

Kushtetuta e SHBA-së ka një sërë amendamentesh specifike për të drejtat e njeriut të njohura si Bill of Rights. Hartuesit dhe ratifikuesit e Kushtetutës së SHBA-së i mësuan botës se nuk mund të ketë kushtetutë pa një seksion të veçantë që rendit të drejtat individuale.

Gjithashtu, në hartimin e Kushtetutës amerikane, u krijua një emër dhe ofiq i ri që nuk kish ekzistuar më parë: Presidenti. Për herë të parë në histori u krijua figura dhe detyra e Presidentit. Një shembull një u mor më pas nga shtete të tjera.

Kushtetuta i dha ofiqit të Presidentit kompetencën të ishte “Komandanti i Përgjithshëm i Forcava të Armatosura dhe Marinës, të bënte falje, të nënshkruante marrëveshje me kombe të tjera (nën këshillimin e Senatit), si edhe të caktonte ambasadorë, konsuj, gjyqtarë të Gjykatës Supreme.” Presidenti ishte drejtues lufte por nuk mund të shpallte luftë dhe as të paguante për luftën pasi këto pushtete i kishte legjislativi.

Kushtetuta i jepte legjislativit, pushtetit me shumë individë më shumë kompetenca, ndërsa ekzekutivit, pushtetit që drejtohej nga një njeri i vetëm shumë pak prej tyre.

Në këtë kushtetutë Presidenti i SHBA ka më pak pushtet se pushtetet e tjera. Në fakt, themeluesit e kushtetutës nuk lejuan që një njeri i vetëm, apo edhe një grup njerëzish të mernin në dorë fatet e një kombi. Kjo do ndryshonte më vonë në shekullin e njëzetë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të senatorëve dhe me pushtetet që do i kalonin presidentit, sidomos shpallja e luftës pa miratimin e Kongresit, të cilat do e bënin një individ të vetëm njeriun me pushtetin më të madh në SHBA dhe si rrjedhojë edhe në botë.

Kushtetuta amerikane ka një ndarje pushtetesh e cila funksionon në mënyrë të përkryer. E jo vetëm kaq, por qeverisja amerikane ka një dinamikë dhe një formulë rotacioni të paprecedentë.

Përpjekjet e etërve amerikanë për të mos lejuar asnjë individ të bëhej mbret apo Zot duken qartë në ekuacionin e rotacioneve të kongresmenëve, senatorëve, kolegjit elektoral, dhe mandatit të gjykatësve të Gjykatës Supreme.

Themeluesit e Kushtetutës caktuan që pushteti legjislativ, Kongresi, të përbëhej nga dy dhoma: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Në Dhomën e Përfaqësuesve çdo shtet do dërgonte një numër përfaqësuesish sipas numrit të popullatës së çdo shteti. Ndërsa në Senat, dy përfaqësues nga çdo shtet pavarësisht numrit të popullatës. Kjo u bë për të ruajtur balancën midis demokracisë popullore dhe drejtimit të elitave.

Për më tepër kushtetuta vendosi se zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve të bëhen çdo dy vjet, për President çdo katër vjet, për Senat çdo gjashtë vjet, ndërsa mandati i gjykatësve të Gjykatës Supreme të jetë i përjetshëm në mënyrë që gjykatësit të mos ndikoheshin nga rotacionet politike. Në këtë mënyrë kushtetuta siguron qarkullimin e elitave dhe rotacionin e pushtetit.

Por, sikur të mos mjaftonte kjo ndarje, edhe mënyra e zgjedhjes së senatorëve apo e presidentit kalonte përmes një procesi rotacioni edhe më filtrues. Neni 1, Pika 3, e Kushtetutës së SHBA thotë: “Senati do ndahet në tre Kategori. Karriget e Senatorëve të Kategorisë së Parë do jenë të lira në përfundim të vitit të dytë, dhe Kategoria e dytë do përfundojë në vitin e katërt, ndërsa Kategoria e tretë në vitin e gjashtë.” Ndërsa Presidenti, me mandat katër vjeçar, nuk do zgjidhej drejtpërdrejtë nga populli, por nga një grup përfaqësuesish, që njihet si Kolegji Elektoral, nga çdo shtet.

Etërit amerikanë krijuan një Republikë të bazuar mbi parimet më të shëndosha të qeverisjes.

Sistemi politik dhe qeverisës në SHBA është i balancuar dhe unik. Ndarja horizontale e pushtetit në Shtetet e Bashkuara është tërësisht e ndryshme nga vendet e tjera, sado demokratike qofshin ato. Asnjë shtet tjetër nuk është kaq i obsesuar me ndarjen e pushteteve si në Amerikë.

Në sisteme presidenciale dhe parlamentare të ngjashme përsa i përket ndarjes horizonatale të pushtetit është presidenti, parlamenti apo kryeministri ai që kanë pushtet mbi të tjerat. Edhe një institucion kolegjial si parlamenti mund të shndërrohet në absolutizëm pasi si kryeministri ashtu edhe ministrat e qeverisë dalin nga parlamenti për aq kohë sa ka një shumicë të thjeshtë. Një qeveri parlamentare nuk has aq shumë vështirësi sa presidentët amerikanë për të shndërruar në ligje propozimet e tyre. Qeveria paraqet direkt legjislaturën e vet në parlament. Zakonisht kontrollon kalendarin dhe agjendën legjislative. Situata është tërësisht ndryshe në sistemin amerikan. Agjenda legjislative nuk kontrollohet nga presidenti. Shumica e ligjeve që miratohen janë më shumë produkt i negociatave midis dy dhomave të Kongresit sesa Kongresit dhe Presidentit. Ky sistem balancash e ka bërë SHBA vendin më të zhvilluar dhe udhëheqës në botë.

E pluribus unum (Nga shumë, një). Kjo është motoja e Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara. 50 shtete në një.

Një vend me mbi 56 mijë qeveri. Me mijëra njësi qeverisje të ndara në 36 mijë qytete e qyteza, dhe 35 mijë distrikte të veçanta!

Vendi me diversitetin më të madh njerëzor por të gjithë të bashkuar në një qeveri, një komb dhe një flamur! “Nga shumë, një” është një markë unike amerikane e cila u arrit falë atij dokumenti që u firmos në Filadelfia më 17 shtator 1787, Kushtetutës, për të cilën Presidenti dhe zyrtarët e lartë të SHBA betohen në marrjen e detyrës se do ta respektojnë, ruajnë e mbrojnë me të gjithë forcën dhe aftësinë e tyre.

Filed Under: Wall Street

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 3226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale
  • VEPËR MONUMENTALE KUSHTUAR MBRETËRESHËS TEUTË
  • TEODOR LAÇO, RREFIMTARI E PROTAGONISTI I LETRAVE E POLITIKES SHQIPTARE
  • Dy pashallarë dhe njё president në Konferencën e Parisit
  • Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar – In Memoriam Mjeshtri i Madh Sali Shijaku
  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT