• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fleksibiliteti financiar, ja si mund ta bëjë më të thjeshtë blerjen e një prone

September 17, 2026 by s p

9125c20b-c3db-41dc-ad2d-ea31f96e529c
f1f05f83-3c3d-4c75-becb-c49945c3f5cc

Kur flitet për investime në pasuri të paluajtshme, vëmendja përqendrohet kryesisht te vendndodhja, cilësia e zhvillimit, facilitetet dhe perspektiva afatgjatë e zonës. Megjithatë, një tjetër element që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në vendimmarrjen e investitorëve është fleksibiliteti i pagesës.

Ky faktor bëhet veçanërisht i rëndësishëm në projektet e mëdha që zhvillohen në disa faza, pasi mundësia për ta shpërndarë pagesën në kohë krijon më shumë hapësirë për planifikim dhe krijon lehtësira në procesin e investimit.

Në vend të një pagese të konsiderueshme që në fazat e para, struktura të tilla u mundësojnë investitorëve të sigurojnë pronën me një pagesë fillestare më të ulët, ndërsa pjesën e mbetur ta shlyejnë në një fazë të mëvonshme.

Këtë qasje po e aplikon edhe Vlora Marina, një prej zhvillimeve më të rëndësishme që po realizohet në qendër të qytetit të Vlorës.

Projekti ofron për një periudhë të limituar, deri në 31 tetor, mundësinë për të investuar në një apartament premium buzë detit ose në njësi komerciale, duke paguar 20% të vlerës në fillim dhe 80% në momentin e dorëzimit të pronës.

Kjo strukturë merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e afatit të zhvillimit të projektit, me ndërtesat e para që parashikohet të dorëzohen brenda vitit 2028. Për investitorin, kjo do të thotë një angazhim fillestar më i ulët dhe më shumë kohë për të planifikuar kapitalin e mbetur deri në dorëzimin e pronës.

Vlera e këtij avantazhi përforcohet më tej nga destinacioni ku ndërtohet, cilësia e zhvillimit dhe stili i jetesës që Vlora Marina ofron.

Vlora, një destinacion në transformim

Vlora Marina po zhvillohet në zemër të Vlorës, në një moment kur qyteti po kalon një transformim të rëndësishëm urban dhe turistik.

Pozicionimi mes Adriatikut dhe Jonit, zhvillimi i infrastrukturës, rritja e ofertës turistike dhe interesi në rritje për Rivierën Shqiptare po forcojnë profilin e Vlorës si një destinacion jo vetëm për pushime, por edhe për të jetuar dhe investuar.

Gjithashtu investimet e vazhdueshme dhe numri gjithnjë e në rritje i vizitorëve i kanë dhënë Vlorës një dinamikë të re, duke e shndërruar në një qytet aktiv dhe të gjallë përgjatë gjithë vitit.

Vlora Marina një zhvillim modern buzë detit 

Vetë projekti është një zhvillim urban miks që ofron çdo gjë në një destinacion të vetëm, nga marina e parë e klasit botëror në vend me mbi 400 vende ankorimi për jahte dhe megajahte,deri tek një shëtitore buzë detit me të gjitha njësitë e shërbimit.

Vlora Marina është gjithashtu i vetmi projekt në qytetin e Vlorës me një qendër të dedikuar për argëtim, ndërsa nuk mungojmë këndet sportive, hapësirat e gjelbërta, dyqane, butik, bare dhe restorante me emër. Pjesë e projektit është gjithashtu  dhe hoteli i parë Marriott në bregdetin shqiptar, bashkë me apartamentet e branduara, një koncept që sjell shërbimet e hotelit me 5 yje në shtëpinë tuaj. 

Në këtë panoramë, fleksibiliteti financiar për të investuar në një shtëpi buzë detit apo në një njësi komerciale në një projekt si Vlora Marina, konsiderohet një element më shumë në favor për këdo që e konsideron Rivierën Shqiptare si një treg potencial investimi.  

Për më shumë informacion mund të na vizitoni në zyrën tonë në New York

Adresa: 1151, Broadway, New York

Kontakt: +1 (347) 425-2033

Filed Under: Ekonomi

TANI DUHEN SHTETET, JO STATUSET

September 17, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, një gjë duhet thënë pa ekuivok: Kosova dhe Shqipëria duhet ta ndërpresin politikën e reagimeve në Facebook dhe ta kthejnë çështjen e krerëve të UÇK-së në një veprim serioz, institucional dhe juridik.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë dënuar në shkallë të parë për vepra penale të lidhura me vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. Por procesi juridik nuk përfundon me një aktgjykim të shkallës së parë. Ekziston procedura e apelit dhe pikërisht aty duhet të përqendrohet tani çdo përpjekje serioze për mbrojtjen juridike të të akuzuarve.

Kjo është arsyeja pse qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të kalojnë nga retorika te dokumenti, nga deklarata te eksperti, nga protesta te dosja juridike.

Nuk mjafton të thuhet se “UÇK-ja është e pastër”. Nuk mjafton as të shpërndahen fotografi të ish-komandantëve, të shkruhen mijëra statuse patriotike apo të organizohen tubime. Historia nuk ndryshohet me Facebook dhe një aktgjykim nuk rrëzohet me duartrokitje.

Shtetet shqiptare duhet të tregojnë ku qëndron gabimi juridik në vendimin e gjykatës.

Duhet të financohet dhe të mbështetet, në mënyrë transparente dhe brenda kufijve të ligjit, një ekip i fuqishëm ndërkombëtar juristësh e studiuesish që të analizojë:

– interpretimin e provave nga Trupi Gjykues;

– standardin e provës dhe mënyrën e vlerësimit të provave;

– përgjegjësinë individuale të secilit të akuzuar;

– lidhjen juridike midis të pandehurve dhe veprave konkrete;

– përdorimin dhe peshën e dëshmive të dëshmitarëve;

– çështjet që lidhen me dëshmitë konfidenciale dhe mbrojtjen e dëshmitarëve;

– interpretimin e dokumenteve dhe zinxhirit të komandimit;

– çdo çështje të juridiksionit, mandatit dhe interpretimit të kuadrit ligjor;

– çdo mospërputhje ndërmjet konstatimeve faktike dhe përfundimeve juridike të aktgjykimit.

Kjo nuk do të thotë ndërhyrje në pavarësinë e gjykatës. Përkundrazi: një shtet serioz nuk i kërkon gjykatës të japë një vendim të caktuar; ai siguron që mbrojtja juridike të ketë të gjitha mjetet profesionale për të kundërshtuar një vendim që e konsideron të gabuar.

Prandaj Shqipëria dhe Kosova duhet të mendojnë edhe për krijimin e një mekanizmi të përbashkët institucional për dokumentimin, studimin dhe analizën juridike të të gjitha çështjeve që lidhen me luftën e Kosovës, me historianë, juristë ndërkombëtarë, ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare, arkivistë dhe studiues të pavarur.

Sepse ekziston një dallim thelbësor midis mbrojtjes politike të një figure dhe mbrojtjes juridike të një personi të akuzuar. E para prodhon deklarata. E dyta prodhon prova, argumente, kundërshtime dhe mjete juridike. Dhe sot, pikërisht kjo e dyta është ajo që nevojitet.

Qeveritë shqiptare duhet gjithashtu të mbështesin sistematikisht kërkimin dhe publikimin e dokumenteve arkivore të luftës, dëshmive, hartave, dokumenteve ushtarake, diplomatike dhe ndërkombëtare, gjithmonë duke respektuar rregullat e provës, privatësinë dhe mbrojtjen e viktimave e dëshmitarëve.

Sepse lufta nuk mbrohet vetëm me kujtesë patriotike. Ajo duhet dokumentuar.

UÇK-ja nuk mund të mbrohet vetëm duke thënë se ishte një luftë çlirimtare. Kjo është një çështje historike dhe politike. Por përgjegjësia penale e individëve është një çështje tjetër: ajo duhet të provohet për secilin person, për secilën vepër dhe sipas standardeve të së drejtës penale. Pikërisht këtu duhet të përqendrohet beteja.

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të nxjerrin në dritë elementet juridike që mund të çojnë në rrëzimin ose ndryshimin e aktgjykimit. Le t’i financojnë studimet. Le t’i vënë në dispozicion arkivat. Le të mbështesin mbrojtjen profesionale. Le të kontaktojnë ekspertët më të mirë të së drejtës penale ndërkombëtare. Le të dokumentojnë çdo problem të mundshëm procedural dhe material.

Jo presion mbi gjykatën. Jo fushatë kundër gjykatës. Por një kundërshtim juridik i fuqishëm, profesional dhe i argumentuar. Kjo është rruga institucionale.

Sepse në fund të fundit, një çështje kaq e rëndë nuk mund të lihet në duart e Facebook-ut. Facebook-u mund të shprehë zemërimin. Mund të shprehë dhimbjen. Mund të shprehë solidaritetin. Por Facebook-u nuk apelon një aktgjykim. Apelimi bëhet me avokatë. Me dosje. Me prova. Me ekspertizë. Me argumente juridike. Me punë shumëvjeçare.

Bindja se krerët e UÇK-së janë dënuar padrejtësisht duhet të shndërrohet në një projekt institucional për ta provuar këtë në gjuhën e së drejtës. Kjo është detyra që qëndron përpara Prishtinës dhe Tiranës.

Filed Under: Rajon

Pas Hagës, Kosova duhet të flasë si shtet

September 17, 2026 by s p

Aktgjykimi ndaj drejtuesve të UÇK-së kërkon reagim institucional, diplomaci aktive dhe mbrojtje të argumentuar të luftës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

16 shtatori 2026 do të mbetet një datë e rëndë në kujtesën politike dhe institucionale të Kosovës. Në Hagë u shqiptua aktgjykimi i shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara i gjetën të katër të akuzuarit penalisht përgjegjës për disa krime lufte, ndërsa i shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara, aktgjykimi lidhet me përgjegjësi individuale penale për vepra konkrete dhe përfshin edhe lirime nga akuza për një numër incidentesh të veçanta.

Ky është një moment që kërkon nga Kosova shumë më tepër sesa reagime emocionale. Kërkon shtetësi, qartësi, përgjegjësi dhe diplomaci.

Kosova nuk duhet të heshtë.

Por as nuk duhet të reagojë me gjuhën e zemërimit. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, shteti nuk matet vetëm nga forca e dhimbjes së tij, por edhe nga aftësia për ta shndërruar atë dhimbje në argument, dokument, diplomaci dhe veprim institucional.

Kjo është sfida e sotme.

Një aktgjykim gjyqësor nuk është e gjithë historia e Kosovës

Duhet bërë një dallim themelor: një aktgjykim penal përcakton përgjegjësi penale individuale për persona dhe për vepra konkrete brenda një procesi gjyqësor. Ai nuk është, në vetvete, një gjykim mbi të gjithë historinë e Kosovës, mbi të drejtën e popullit të Kosovës për liri apo mbi të gjithë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vetë Dhomat e Specializuara e kanë përshkruar çështjen si një proces që lidhet me përgjegjësinë individuale penale të katër të akuzuarve për vepra të caktuara gjatë konfliktit të viteve 1998–1999.

Kjo ndarje është jashtëzakonisht e rëndësishme.

Kosova duhet ta respektojë procesin gjyqësor dhe, njëkohësisht, të mbrojë historinë e saj me mjete politike, juridike, diplomatike dhe akademike.

Të respektosh drejtësinë nuk do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për të argumentuar historinë.

Të pranosh ekzistencën e një vendimi gjyqësor nuk do të thotë që shteti duhet të heshtë përballë interpretimit politik që mund t’i bëhet atij.

Dhe pikërisht këtu fillon përgjegjësia e institucioneve të Kosovës.

Kosova duhet të reagojë si shtet, jo vetëm si shoqëri e prekur

Pas një ngjarjeje të tillë, reagimi institucional nuk mund të kufizohet në deklarata të rastit.

Duhet të ekzistojë një qëndrim i koordinuar i Presidencës, Qeverisë, Kuvendit dhe diplomacisë së Kosovës.

Duhet të flitet me gjuhën e së drejtës ndërkombëtare.

Duhet të komunikohet me aleatët.

Duhet t’u shpjegohet partnerëve ndërkombëtarë dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit të luftës së Kosovës.

Duhet të argumentohet historikisht dhe juridikisht se çfarë ishte konflikti i viteve 1998–1999, cilat ishin rrethanat që e prodhuan atë dhe cili ishte konteksti ndërkombëtar në të cilin ndërhyri NATO-ja.

Kjo nuk është ndërhyrje në drejtësinë e gjykatës.

Është diplomaci shtetërore.

Dhe diplomacia shtetërore nuk mund të lihet bosh.

Heshtja diplomatike krijon hapësirë për narrativa të tjera

Nëse Kosova nuk e shpjegon vetë historinë e saj, të tjerët do ta shpjegojnë atë në vend të saj.

Kjo është një nga mësimet më të rëndësishme të këtij momenti.

Serbia ka ndërtuar prej vitesh një politikë të jashtme aktive në raport me Kosovën. Beogradi e ka paraqitur konfliktin kryesisht përmes narrativës së vet politike dhe diplomatike.

Prandaj Prishtina nuk mund të mjaftohet me përgjigje pasive.

Një shtet që dëshiron të konsolidojë subjektivitetin e tij ndërkombëtar duhet të ketë diplomaci aktive, jo vetëm diplomaci reaguese.

Duhet të ketë ekipe që ndjekin vazhdimisht zhvillimet në organizatat ndërkombëtare, në parlamentet e shteteve aleate, në universitetet dhe qendrat kërkimore, në mediat ndërkombëtare dhe në institucionet juridike.

Duhet të ekzistojë një arkiv shtetëror i argumenteve.

Duhet të ekzistojë një strategji e komunikimit ndërkombëtar.

Duhet të ekzistojë një diplomaci që nuk zgjohet vetëm kur ndodh një krizë.

Lufta e Kosovës duhet të shpjegohet në tërësinë e saj

Historia nuk mund të ndërtohet vetëm mbi një aktgjykim.

Lufta e Kosovës duhet të studiohet dhe të shpjegohet në tërësinë e saj: represioni, shpërnguljet, dhuna ndaj popullsisë civile, rezistenca, UÇK-ja, ndërhyrja e NATO-s, administrimi ndërkombëtar dhe më pas ndërtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, edhe përgjegjësitë individuale për krime duhet të trajtohen me standardin e drejtësisë.

Por ato nuk mund të përdoren automatikisht për të përmbysur të gjithë kontekstin historik në të cilin u zhvillua lufta.

Ky është një dallim që Kosova duhet ta shpjegojë me qetësi dhe argumente.

Drejtësia dhe politika nuk duhet të ngatërrohen

Një nga çështjet më të ndjeshme është raporti ndërmjet drejtësisë dhe politikës.

Gjykata duhet të gjykojë mbi prova dhe standarde juridike.

Politika duhet të merret me pasojat politike, historike dhe ndërkombëtare të një zhvillimi të tillë.

Këto janë dy fusha të ndryshme.

Nëse politika përpiqet të zëvendësojë gjykatën, dëmtohet shteti i së drejtës.

Por nëse shteti hesht dhe e lë hapësirën publike ndërkombëtare vetëm për interpretimet e të tjerëve, dëmtohet diplomacia.

Prandaj Kosova duhet të bëjë atë që i takon një shteti: ta respektojë procesin juridik dhe, njëkohësisht, ta mbrojë me argumente interesin e saj shtetëror.

Katër emra, por një kapitull më i gjerë historik

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë sot në qendër të këtij procesi gjyqësor.

Por historia e Kosovës nuk fillon me ta dhe nuk përfundon me ta.

Ata kanë pasur role të rëndësishme politike dhe ushtarake gjatë periudhës së luftës dhe më pas kanë luajtur role të ndryshme në ndërtimin institucional të Kosovës. Megjithatë, një shtet nuk mund ta ndërtojë kujtesën e vet historike vetëm rreth individëve.

Institucionet duhet të ruajnë dokumentet.

Universitetet duhet të studiojnë historinë.

Arkivat duhet të jenë funksionale.

Diplomacia duhet të argumentojë.

Shoqëria civile duhet të debatojë.

Dhe shteti duhet të ketë një politikë të qartë të kujtesës historike.

Vetëm kështu një shoqëri e përballon një moment të vështirë pa u copëtuar politikisht.

Kosova nuk duhet të futet në konflikt me aleatët

Një gabim tjetër do të ishte që dhimbja e këtij momenti të shndërrohej në konflikt me aleatët ndërkombëtarë.

Kosova duhet të ruajë marrëdhëniet e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore evropiane.

Kjo nuk nënkupton heqje dorë nga argumentet e veta; përkundrazi.

Marrëdhëniet e forta me aleatët krijojnë hapësirë për dialog më serioz, për shpjegim më të mirë të qëndrimeve dhe për mbrojtjen e interesave shtetërore.

Kosova ka nevojë për më shumë diplomaci, jo për më pak.

Ka nevojë për më shumë komunikim me aleatët, jo për izolim.

Ka nevojë për argumente, jo për retorikë të pakontrolluar.

Çfarë duhet të bëjë Kosova tani?

Pas këtij aktgjykimi, institucionet e Kosovës mund të ndërtojnë një platformë të qartë veprimi.

Së pari, duhet të ketë një analizë juridike dhe institucionale të plotë të aktgjykimit.

Së dyti, duhet të shpjegohet publikisht dallimi ndërmjet përgjegjësisë individuale të të dënuarve dhe historisë së përgjithshme të konfliktit.

Së treti, diplomacia e Kosovës duhet të komunikojë sistematikisht me shtetet që e kanë njohur Kosovën.

Së katërti, duhet të fuqizohet diplomacia publike dhe akademike.

Së pesti, duhet të dokumentohet në mënyrë profesionale historia e luftës dhe e periudhës së represionit.

Së gjashti, duhet të krijohet një mekanizëm i përhershëm për monitorimin e narrativave ndërkombëtare që lidhen me Kosovën.

Dhe, mbi të gjitha, duhet të ndërpritet politika e reagimit vetëm pasi ngjarja ka ndodhur.

Kosova duhet të jetë një hap përpara.

Nga reagimi te diplomacia aktive

Ky është ndoshta momenti për të ndryshuar një kulturë të tërë të veprimit shtetëror.

Kosova nuk mund të jetë vetëm subjekt që reagon ndaj deklaratave të Beogradit, ndaj zhvillimeve në Bruksel, ndaj vendimeve të gjykatave apo ndaj deklaratave të aktorëve ndërkombëtarë.

Kosova duhet të prodhojë vetë diplomaci, duhet të krijojë iniciativa, duhet të zhvillojë argumente, duhet të ndërtojë aleanca dhe duhet të komunikojë me botën.

Një shtet nuk mbrohet vetëm në ditën kur sulmohet diplomatikisht.

Një shtet mbrohet çdo ditë: në ambasada, në universitete, në organizata ndërkombëtare, në media, në konferenca, në dialog politik, në dokumente juridike, në arkiva dhe në kujtesën kolektive.

Kosova duhet të flasë me gjuhën e shtetit

Aktgjykimi i Hagës është një ngjarje e rëndësishme dhe e dhimbshme për një pjesë të madhe të shoqërisë kosovare dhe të kombit shqiptar. Por përgjigjja e Kosovës nuk duhet të jetë vetëm dhimbja.

Duhet të jetë shtetësia.

Nuk duhet të jetë vetëm zemërimi.

Duhet të jetë argumenti.

Nuk duhet të jetë vetëm protesta.

Duhet të jetë diplomacia.

Nuk duhet të jetë vetëm mbrojtja emocionale e figurave të luftës.

Duhet të jetë mbrojtja e dokumentuar e historisë së Kosovës.

Dhe, mbi të gjitha, nuk duhet lejuar që një aktgjykim ndaj katër individëve të shndërrohet në një narrativë të përgjithshme mbi të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe shtetësi.

Ky dallim është thelbësor.

Kosova duhet ta respektojë drejtësinë, por Kosova duhet edhe të flasë; duhet të flasë me dokumente, me të drejtën ndërkombëtare, me historinë, me diplomaci, me maturi dhe me dinjitet.

Sepse shteti që hesht për historinë e vet ua lë të tjerëve mundësinë që ta shkruajnë atë në vend të tij.

Pas Hagës, Kosova nuk ka nevojë për më shumë zhurmë. Ka nevojë për më shumë shtet.

Filed Under: Analiza

FEDERATA VATRA KUNDËR DËNIMIT TË LUFTËTARËVE TË LIRISË: VENDIMI NDAJ KRERËVE TË UÇK I PADREJTË

September 16, 2026 by s p

New York, 16 shtator 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” shpreh revoltën dhe kundërshtimin e saj të fuqishëm ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj çlirimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për “Vatrën”, ky vendim është i turpshëm, i papranueshëm dhe i neveritshëm. Ky vendim është kundër dinjitetit, moralit, shpirtit dhe sakrificës së një populli që luftoi për liri, mbrojtje, çlirim e pavarësi.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës është pjesë e lavdishme e historisë së lirisë së Kosovës dhe e kujtesës kombëtare shqiptare. UÇK është krenari, identitet dhe dinjitet kombëtar.

Për “Vatrën”, lufta e UÇK-së ishte luftë e domosdoshme, e drejtë dhe çlirimtare kundër represionit, spastrimit etnik, gjenocidit dhe dhunës së regjimit të Millosheviçit, një luftë me bekimin e SHBA dhe NATO që i hapi rrugën çlirimit të Kosovës, lirisë së saj dhe ndali krimet e tmerrshme të Millosheviçit në Kosovë. “Vatra” beson se sakrifica e mijëra dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së nuk mund të njolloset dhe nuk mund të vendoset në të njëjtën peshore me krimet e gjenocidin e regjimit serb ndaj popullsisë civile shqiptare.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra i bën thirrje Shtëpisë së Bardhë, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta rishikojnë qëndrimin ndaj Gjykatës Speciale dhe të mbështesin një proces që garanton drejtësi të barabartë, të paanshme dhe të pandikuar politikisht.

Vatra e cilëson dënimin nga Gjykata Speciale, një turp në zemër të Europës, një dënim të padrejtë dhe diskriminues në raport me historinë dhe luftën çlirimtare të Kosovës kundër kriminelëve të Beogradit.

“Vatra” shpreh solidaritetin më të lartë shpirtëror me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, me familjet e tyre dhe çdo pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe garanton se do bëjë gjithçka që kjo padrejtësi të korrigjohet.

Me shqetësim

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Featured

Askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në

September 16, 2026 by s p

Bajram Begaj/

Trishtim i thellë për vendimin e sotëm.

Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie.

Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në!

Liria ka emër!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 3226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale
  • VEPËR MONUMENTALE KUSHTUAR MBRETËRESHËS TEUTË
  • TEODOR LAÇO, RREFIMTARI E PROTAGONISTI I LETRAVE E POLITIKES SHQIPTARE
  • Dy pashallarë dhe njё president në Konferencën e Parisit
  • Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar – In Memoriam Mjeshtri i Madh Sali Shijaku
  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT