• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dy frontet e shqiptarëve të Kosovës: Mbijetesa përballë terrorit dhe drejtësia përballë BE-së

August 26, 2026 by s p

Fadil Ferizi/

Shqiptarët e Kosovës u përballën me dy beteja që nuk përfunduan në të njëjtën kohë. E para ishte beteja për të mbijetuar përballë një aparati shtetëror që përdori dëbimin, vrasjen dhe frikën si mjete politike. E dyta vazhdon ende: beteja që krimi të mos trajtohet vetëm si episod i së kaluarës, por të hetohen, izolohen dhe çmontohen edhe strukturat që e bënë të mundur.

Në Kosovë nuk u kryen vetëm shkelje të veçuara të ligjeve të luftës. Kundër popullsisë civile shqiptare u ushtrua dhunë e organizuar, me synimin për t’i detyruar njerëzit të braktisnin shtëpitë dhe për të ndryshuar me forcë përbërjen etnike të vendit. Masakrat, dëbimet, djegiet, dhuna seksuale, grabitjet dhe shkatërrimi i pronës nuk ishin pasoja të rastësishme të luftimeve. Ato përbënin një fushatë terrori.

Ky përfundim nuk mbështetet vetëm në kujtesën e viktimave ose në interpretimin politik shqiptar. Në çështjen kundër Nikola Šainovićit dhe zyrtarëve të tjerë të lartë jugosllavë e serbë, Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë konstatoi ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Qëllimi i saj ishte dëbimi me forcë i një pjese të popullsisë shqiptare të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, përmes një fushate të gjerë e sistematike terrori dhe dhune.

Brenda kësaj fushate vepruan edhe formacione që paraqiteshin si paramilitare, ndonëse lidhjet e tyre me institucionet shtetërore ishin në disa raste të dokumentuara. Emërtimi “paramilitar” krijonte përshtypjen e një force private, të pakontrolluar dhe të shkëputur nga hierarkia zyrtare. Por në terren kufiri ndërmjet shtetit, policisë speciale, sigurimit shtetëror dhe njësive të tilla shpesh ishte i mjegulluar.

Njësia “Akrepat” është një prej shembujve më të rëndë. Më 28 mars 1999, pjesëtarët e saj vranë në Podujevë katërmbëdhjetë civilë shqiptarë, shtatë gra dhe shtatë fëmijë. Pesë fëmijë të tjerë mbijetuan me plagë të rënda. Gjykatat në Serbi dënuan pesë pjesëtarë të njësisë në procese të ndryshme. Dokumentet gjyqësore dhe materialet e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se pjesëtarët e “Akrepave” vepruan në kuadër të forcave rezervë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Human Rights Watch dokumentoi gjithashtu veprimtarinë në Kosovë të Njësisë së Operacioneve Speciale, e njohur si “Beretat e Kuqe” ose “Djemtë e Frenkit”. Kjo njësi lidhej drejtpërdrejt me Sigurimin Shtetëror serb dhe veproi në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999. Këto të dhëna e dobësojnë rëndë pretendimin se dhuna paramilitare ishte vetëm vepër e bandave private, të cilat vepronin pa dijeninë e institucioneve.

Megjithatë, as “Akrepat”, as Njësia e Operacioneve Speciale dhe as formacione të tjera serbe të luftërave jugosllave nuk gjenden në listën terroriste të Bashkimit Evropian. Në rishikimin e 30 korrikut 2026, lista përfshinte trembëdhjetë persona dhe njëzet e tri grupe ose subjekte, ndër to Hamasi, PKK-ja, Krahu Ushtarak i Hezbollahut, Garda Revolucionare Islamike e Iranit dhe organizata “The Base”.

Kjo mungesë ngre një pyetje të ligjshme, por ajo duhet formuluar me saktësi. Lista terroriste e BE-së nuk është një tribunal ndërkombëtar dhe as një regjistër retrospektiv i të gjitha organizatave që kanë përdorur terrorin. Ajo u krijua më 27 dhjetor 2001, në zbatim të Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më shumë se dy vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Përfshirja në listë kërkon një bazë të përcaktuar juridike, zakonisht vendim, hetim ose ndjekje nga një autoritet kompetent për vepra terroriste. Listimet shqyrtohen periodikisht dhe synojnë kryesisht parandalimin e rreziqeve aktuale, ngrirjen e pasurive dhe ndërprerjen e financimit.

Prandaj, mungesa e formacioneve serbe nga lista nuk provon, në vetvete, se BE-ja favorizoi autorët e krimeve. Shumica e proceseve gjyqësore u zhvilluan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, jo për terrorizëm. Disa prej njësive u shpërndanë ose u riorganizuan përpara krijimit të mekanizmit evropian. Kjo është pjesa juridikisht e vlefshme e kundërargumentit dhe nuk duhet anashkaluar.

Por ky shpjegim nuk e shteron përgjegjësinë politike të Evropës. BE-ja nuk ishte e detyruar të mbështetej vetëm te lista terroriste. Ajo kishte dhe krijoi më vonë instrumente të tjera: bashkëpunimin policor dhe gjyqësor, kushtëzimin e procesit të integrimit të Serbisë, masat financiare, ndalimet e udhëtimit dhe, që nga viti 2020, regjimin global të sanksioneve për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë krimet kundër njerëzimit.

Pyetja më e qëndrueshme, rrjedhimisht, nuk është vetëm përse “Akrepat” nuk u vendosën në një listë të krijuar pas luftës. Pyetja është nëse institucionet evropiane hetuan seriozisht vazhdimësinë e njerëzve, financuesve, pasurive dhe lidhjeve që mbijetuan pas shpërndarjes formale të njësive. A u pengua riciklimi i tyre në polici, shërbime të sigurisë, politikë, biznes dhe krim të organizuar? A u përdorën ndaj tyre të njëjtat instrumente që BE-ja ka përdorur kundër rrjeteve të dhunshme në vende të tjera?

Pikërisht këtu kritika ndaj Bashkimit Evropian merr peshë. Turpi i Evropës nuk qëndron te fakti se një mekanizëm i vitit 2001 nuk u zbatua automatikisht për një njësi të vitit 1999. Ai qëndron te mungesa e një politike të plotë për çmontimin e infrastrukturës njerëzore, financiare dhe institucionale të dhunës. Krimet u dokumentuan, autorët u identifikuan pjesërisht, por drejtësia mbeti e përqendruar kryesisht te disa ekzekutorë dhe zyrtarë të dënuar.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë dëshmoi se ky problem nuk i përket vetëm së kaluarës. Parlamenti Evropian e cilësoi atë sulm terrorist, të kryer nga paramilitarë serbë të organizuar mirë. Në sulm u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy policë të tjerë. Milan Radoičići mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e grupit dhe pjesëmarrjen në sulm, por pranimi i përgjegjësisë nuk është i barabartë me një vendim gjyqësor.

Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre pjesëtarë të grupit: Blagoje Spasojevićin dhe Vladimir Tolićin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dušan Maksimovićin me tridhjetë vjet burgim. Këto dënime përbëjnë një hap të rëndësishëm, por organizatori i dyshuar dhe shumica e personave të akuzuar mbeten jashtë juridiksionit efektiv të Kosovës.

Banjska nuk provon se njësitë e vitit 1999 kanë mbetur të pandryshuara dhe as se ekziston një vijë e drejtpërdrejtë komanduese ndërmjet çdo formacioni të së kaluarës dhe grupit të vitit 2023. Por ajo tregon vazhdimësinë e një modeli: një grup i armatosur vepron për një qëllim territorial, përdor armatim të rëndë, sfidon rendin kushtetues të Kosovës dhe, pas sulmit, gjen strehim përtej kufirit.

Edhe përgjegjësia politike e Aleksandar Vučićit duhet trajtuar brenda asaj që është e dokumentuar. Biografia e tij zyrtare konfirmon se ai ishte sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe dhe ministër i Informacionit në qeverinë e kohës së Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Nuk ekziston vendim gjyqësor që e shpall atë pjesëtar të një formacioni paramilitar ose përgjegjës penal për krimet e kryera në Kosovë. Por si president i Serbisë ai mban përgjegjësi politike për mënyrën se si shteti i tij bashkëpunon me drejtësinë, trajton rastin e Banjskës dhe distancohet, ose nuk distancohet, nga trashëgimia e dhunës së viteve nëntëdhjetë.

Bashkimi Evropian nuk ishte autor i masakrave dhe nuk mund të barazohet juridikisht me formacionet që vranë civilët shqiptarë. Por as nuk mund të fshihet pas kufijve teknikë të listës terroriste. Kur një bashkësi politike ka prova, instrumente financiare, fuqi kushtëzuese dhe ndikim diplomatik, mosveprimi i saj bëhet zgjedhje politike.

Drejtësia nuk matet vetëm me dënimin e ekzekutorit. Ajo matet edhe me aftësinë për të zbuluar financuesin, mbrojtësin, drejtuesin dhe strukturën që e bëri krimin të mundur. Terrori kundër shqiptarëve të Kosovës nuk ishte më pak terror sepse Evropa nuk e vendosi emrin e autorëve të tij në një listë. Por përgjegjësia evropiane duhet kërkuar aty ku provat janë më të forta: te mosçmontimi i rrjeteve, tolerimi i vazhdimësisë së tyre dhe mungesa e drejtësisë së plotë për viktimat.

Filed Under: Analiza

NATO-ja dhe zhvillimi i shtetit

August 26, 2026 by s p

Shqiprim Pula/

Sa herë që Kosova përballet me sfida në arsim, drejtësi, shëndetësi, ekonomi apo emigrim, akterë të politikës rikthehen te e njëjta parullë: anëtarësimi në NATO është synimi ynë strategjik.

Por, a është vërtet ky prioriteti më urgjent i Kosovës sot, apo është një narrativë që shpërqendron vëmendjen nga dështimet e brendshme?

Akterët politikë duhet t’a kuptojnë se një shtet nuk bëhet i fortë vetëm sepse është pjesë e një aleance ushtarake. Shteti bëhet i fortë kur ndërton institucione funksionale, shkolla cilësore, universitete serioze, një shtet të së drejtës që garanton barazi para ligjit, një sistem shëndetësor që u shërben qytetarëve, dhe një ekonomi konkurruese që krijon vende pune. Pa këto themele, çdo sllogan për anëtarësime—integrime strategjike mbetet politikisht i dobishëm, por praktikisht i zbrazët.

Sigurisht, askush nuk mund ta mohojë rëndësinë e sigurisë. Për një shtet si Republika e Kosovës, me sfida të hapura në raportet me Serbinë, siguria është një interes jetik. Megjithatë, nuk duhet të krijohet përshtypja se anëtarësimi në NATO është zgjidhja për çdo problem të vendit. Asnjë aleancë ushtarake nuk mund të zëvendësojë një sistem arsimor të dobët, një ekonomi të pazhvilluar apo institucione që nuk funksionojnë.

Po aq e rëndësishme është të pranohet se zhvillimi i shtetit dhe anëtarësimi në NATO apo organizata ndërkombëtare, nuk janë objektiva që përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi, ato janë procese plotësuese dhe të domosdoshme për të ardhmen e Republikës.

Por, kur politikanët e paraqesin anëtarësimin si një objektiv të afërt, pa shpjeguar pengesat reale politike dhe diplomatike që ekzistojnë, lind pyetja nëse kemi të bëjmë me një strategji të mirëfilltë shtetërore apo me një premtim të përsëritur për konsum të brendshëm politik.

Po ashtu, është e gabuar të mendohet se zhvillimi ekonomik dhe siguria janë në kundërshtim me njëri—tjetrin. Përkundrazi, ato janë të ndërvarura. Një shtet me ekonomi të dobët, me arsim në krizë dhe me emigrim të vazhdueshëm të qytetarëve është një shtet i brishtë, pavarësisht aleancave ku bën pjesë.

Prandaj, narativi dhe debati publik duhet të ndryshojë. Pyetja nuk është nëse Republika e Kosovës duhet apo nuk duhet të synojë anëtarësimin në NATO-n. Sepse kjo është aspiratë legjitime. Pyetja është pse, pas më shumë se dy dekadash shtetndërtim, vazhdojmë të flasim më shumë për objektiva të jashtme sesa për dështimet që kemi brenda? Pse arsimi, sundimi i ligjit, shëndetësia dhe ekonomia nuk trajtohen me të njëjtin seriozitet si temat e sigurisë? Pse profesionistët vazhdojnë të largohen nga vendi, ndërsa politika u ofron vizione që nuk zgjidhin sfidat e përditshme?

Një shtet nuk matet vetëm me numrin e aleancave apo organizatave ndërkombëtare ku bën pjesë. Ai matet me cilësinë e jetës që u ofron qytetarëve të vet. Nëse Kosova nuk arrin të ndërtojë institucione të forta, një ekonomi konkurruese dhe një shoqëri që u jep njerëzve arsye për të qëndruar, atëherë edhe objektivat më ambicioze të politikës së jashtme do të mbeten të paplota.

Prandaj, synimi strategjik nuk duhet të reduktohet vetëm anëtarësimi në NATO apo organizata të tjera ndërkombëtare si parullë. Synimi strategjik duhet të jetë ndërtimi i një shteti që funksionon. Vetëm një shtet i tillë mund të jetë një partner i besueshëm dhe i respektuar në çdo aleancë ndërkombëtare.

Filed Under: Komente

NGA PUSTECI NË ULQIN – KUR SULMOHEN SIMBOLET, GJUHA DHE IDENTITETI SHQIPTAR

August 25, 2026 by s p

Frank Shkreli/

Fakte, reagime dhe një pyetje që nuk mund të shmanget: kush dhe si i mbron interesat kombëtare shqiptare në hapësirat ku shqiptarët kanë jetuar prej shekujsh? Ka raste kur një ngjarje e vetme mund të konsiderohet incident. Por kur, në një periudhë të shkurtër, në vende të ndryshme e vit pas viti, shfaqen debate që prekin simbolet, gjuhën dhe arsimin e shqiptarëve, është e natyrshme që opinioni publik të shtrojë pyetje më të gjera. Dy raste të fundit, njëri në Pustec të Shqipërisë dhe tjetri në Ulqin nën Mal të Zi, meritojnë të shihen me qetësi, me dokumente dhe pa ekzagjerime. Jo më larg se një javë më parë, një incident tjetër me flamurin shqiptar ndodhi në një festival muzikor në Guci –Frank Shkreli: Flamuri shqiptar në gjyq, ku janë vlerat evropiane të Malit të Zi? | Gazeta Telegraf

Në Pustec të Shqpërisë një himn që mungoi, një mungesë serioze protokolli. Më 20 gusht 2026, gjatë një aktiviteti kulturor në Pustec, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua Himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa nuk u ekzekutua Himni Kombëtar Shqiptar. Ngjarja u bë publike menjëherë dhe shkaktoi reagime. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ) reagoi zyrtarisht më 21 gusht, duke shprehur keqardhje për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar dhe duke e cilësuar atë si një mungesë serioze në respektimin e rregullave të mirësjelljes dhe protokollit midis shteteve. MEPJ theksoi se respektimi i simboleve kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi, raportoi media shqiptare. Kjo është pika e parë që duhet mbajtur shënim.

Pusteci është në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, komuniteti maqedonas i Pustecit ka të drejta të garantuara për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të veta. Kjo është pjesë e detyrimit të Shqipërisë si shtet demokratik dhe evropian. Por respektimi i të drejtave të minoritetit maqedonas nuk mund të vihet përballë respektit për simbolet e shtetit shqiptar. Të dyja mund dhe duhet të bashkëjetojnë. Prandaj, pa e cilësuar paraprakisht këtë incident si një akt të qëllimshëm politik, pyetja është legjitime: si mund të mos përfshihet simboli kombëtar i vendit pritës në një aktivitet zyrtar ku merr pjesë kryeministri i një shteti fqinj? Sa për shembull, çdo tubim me rëndësi i komunitetit shqiptaro-amerikan hapet me hymnin e Shteteve të Bashkuara dhe hymnin shqiptar. Ma merr mendja se kjo ndodhë edhe me diasporën shqiptare në vendet e normale në botën demokratike të Evropës Perendomore. Prandaj kjo është një pyetje legjitime për protokollin, për organizatorët dhe për institucionet përgjegjëse. Dhe mirë është që MEPJ reagoi. Por a mjafton?

Ulqini një rast tjetër i ditëve të fundit me një debat për arsimin dhe gjuhën. Në Ulqin çështja është tjetër, por prek një dimension po aq të ndjeshëm që ka të bëjë me arsimin dhe gjuhën shqipe. Më 29 korrik 2026, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi vendosi për emërimin e Snežana Živanović si drejtoreshë të Shkollës së Mesme të Përzier “Bratstvo-jedinstvo”, në Ulqin. Vendimi shkaktoi reagim nga zëvendës-kryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, i cili e kundërshtoi emërimin dhe deklaroi se ishte e papranueshme që një person që, sipas tij, nuk e flet shqipen, të drejtojë një shkollë ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Sipas medias vendore, Gjeloshaj e cilësoi këtë vendim si “provokim institucional” dhe “albanofobi”.

Por këtu faktet kërkojnë një saktësim për lexuesin. Ministria malazeze e Arsimit e ka kundërshtuar deklaratën se Živanović nuk flet shqip. Sipas Ministrisë, në dokumentacionin e konkursit ajo deklaron njohuri të gjuhës shqipe në nivelin B2, përfshirë të kuptuarit, leximin, të folurin, ndërveprimin në të folur dhe shkrimin.

Prandaj, nuk do të ishte korrekte të shkruanim se “drejtoresha nuk flet shqip” si një fakt të provuar, derisa të vërtetohet nëse ajo flete ose jo shqip. Por megjithëkëtë, kjo nuk e mbyll debatin. Përkundrazi, e bën pyetjen më të rëndësishme: Çfarë peshe duhet të ketë njohja e gjuhës shqipe në drejtimin e një shkolle të mesme në një qytet si Ulqini, ku shqipja është gjuhë e një pjese dërmuese të komunitetit dhe e arsimit? Kjo pyetje nuk është diskriminuese. As nuk duhet të lidhet automatikisht me kombësinë e një drejtuesi/je. Është një pyetje mbi kompetencën gjuhësore, komunikimin me nxënësit e prindërit dhe me respektimin praktik të karakterit shumëgjuhësh të institucionit.

Ndërkaq, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Minoriteteve e Malit të Zi, në reagimin e saj të 20 gushtit, ka theksuar se drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të zgjidhen mbi bazën e ekspertizës, përvojës dhe rezultateve, ndërsa njëkohësisht të drejtat e komunitetit shqiptar për barazi, përdorimin e gjuhës dhe ruajtjen e identitetit duhet të respektohen e mbrohen në mënyrë të vazhdueshme, sipas medias vendase. Ky është një parim me të cilin është vështirë të mos pajtohesh. Kështuqë, shqiptarët në Ulqin dhe në Malësi nuk kanë heshtur në lidhje me këtë emërim por as në raste të tjera. Një tjetër fakt duhet theksuar për hir të së vërtetës. Se nuk është e drejtë të krijohet përshtypja se shqiptarët e Malit të Zi janë pasivë ose se institucionet e tyre nuk reagojnë, ndaj kësaj dhe dukurive të tjera, si kjo.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) në Mal të Zi është një institucion i komunitetit shqiptar dhe ka struktura të posaçme për arsimin, kulturën, informimin dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Në çështjet e arsimit, Këshilli me të drejtë ka argumentuar, publikisht, se arsimi në gjuhën shqipe është një nga shtyllat kryesore të ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar. Ka ndërmarrë edhe nisma konkrete për pasurimin e materialeve mësimore në shqip dhe për forcimin e përmbajtjes së historisë kombëtare në arsim. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare

Madje, sipas raportimeve të fundit, KKSH ka ngritur edhe shqetësime lidhur me proceset e emërimit të drejtuesve të shkollave në gjuhën shqipe. (MALESIA.ORG – Tuz, Malësi). Pra, pyetja nuk është: “Pse shqiptarët heshtin?” Pyetja është: Sa dëgjohet zëri i tyre dhe sa efektiv është reagimi institucional kur ata ngrenë shqetësime? A janë këto raste të veçuara apo mund të jenë të koordinuara? Pa prova të mjaftueshme është vështirë të deklarohet se çdo rast është pjesë e një politike të koordinuar antishqiptare. As nuk është e drejtë të thuhet se “provokimet ndodhin vetëm kundër shqiptarëve”, pa një studim shumë më të gjerë dhe pa dokumentuar raste të krahasueshme ndaj komuniteteve të tjera.

Mirëpo, kjo nuk e bën pyetjen time të pavlefshme. Përkundrazi, pyetja është legjitime dhe e pa-evitueshme: Pse, në vende të ndryshme ku shqiptarët jetojnë prej brezash, herë pas here, dhe historikisht, shfaqen konflikte ose debate pikërisht rreth gjuhës, arsimit, simboleve dhe identitetit të tyre kombëtar? Kjo është një pyetje që meriton përgjigje. Jo përgjigje emocionale. Jo përgjigje nacionaliste. Por përgjigje institucionale. Dhe pyetja shkon përtej Pustecit dhe Ulqinit. Nëse këto dy raste duam t’i shohim si pjesë të një diskutimi më të gjerë, atëherë duhet të shikojmë edhe më tej — te Plava e Gucia, Malësia, Tivari, Prespa, Lugina e Preshevës dhe hapësirat shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Jo për të ndërtuar një hartë konfliktesh. Por për të parë nëse gjuha shqipe, arsimi shqip, përfaqësimi institucional dhe identiteti kulturor shqiptar gëzojnë, në praktikë, të njëjtin respekt që parashikojnë ligjet dhe marrëveshjet.

Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf – Për të siguruar këtë, përgjegjësia është e shumëfishtë. Është përgjegjësi e institucioneve lokale. Është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë shqiptarë. Është përgjegjësi e Këshillave Kombëtarë dhe organizatave të komunitetit. Por është edhe përgjegjësi e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që çështjet e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të mos trajtohen vetëm kur ndodh një incident dhe ai bëhet lajm. Duhet politikë e qëndrueshme. Duhet diplomaci. Duhet arsim. Duhet kulturë. Dhe mbi të gjitha, duhet vëmendje e vazhdueshme ndaj faktit se identiteti kombëtar ruhet, para së gjithash, përmes gjuhës dhe arsimit. Në fund të fundit, ajo që kërkohet nuk është konflikt me fqinjët. As nuk kërkohet privilegj për shqiptarët. Kërkohet barazi. Barazia nuk është kërkesë radikale. Por është parim elementar i një shoqërie që pretendon të jetë demokratike. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf

Prandaj, nga Pusteci në Ulqin, pyetja nuk duhet të jetë vetëm “kush ka faj?” Pyetja më e rëndësishme është: A po mbrohen në mënyrë të mjaftueshme gjuha, arsimi, kultura dhe identiteti shqiptar aty ku ato janë pjesë e pandashme e jetës së komunitetit? Dhe një pyetje tjetër, edhe më e drejtpërdrejtë: Kush i mbron interesat kombëtare shqiptare kur ato preken? Përgjigjja nuk duhet të jetë vetëm një deklaratë pas incidentit. Duhet të jetë një politikë e përhershme dhe konsekuente. Interesat kombëtare të shqiptarëve kudo mbrohen duke njohur, ruajtur dhe transmetuar të drejtat, gjuhën, kulturën dhe kujtesën kombëtare tek brezat që vijnë. Dhe ky nuk është nacionalizëm. Është përgjegjësi mbarë kombëtare e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta!

Filed Under: Analiza

Prof. Agim GJAKOVA – Mjeshtri i Rrëfimit dhe Vjershëtorit të Paepur, midis të Mundshmes dhe të Pamundshmes!

August 25, 2026 by s p

Nga Raimonda Moisiu-SADE  

-Agim Gjakova, një Krijimtari pa Kufi…

Në pranverën e këtij viti, ndodhesha në Tiranë, dhe një telefonatë nga mikja ime e ndritur e fisnike, Kozeta Mamaqi, e cila më ftonte në promovimin e një serie veprash, prozë e poezi të autorit dimensional, mikut të saj, Prof. Agim Gjakovës! 

“Takimi im i parë” me Prof. Agim Gjakovën e ka zanafillën në rininë time të hershme, kjo ndodhi krejt rastësisht, si një “bashkëbisedim intim” me poezinë dhe prozën e tij të shquar. Në atë kohë studioja në Gjuhët e Huaja, -në atë auditor ku vite më parë kishte kryer studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Angleze edhe Profesori i nderuar.

Sa herë gjendem në atdhe ftesat për të marrë pjesë në promovime libri, i mirëpres me ndjesinë e një kënaqësie të vecantë të fuqisë së librit, sepse bën jo vetëm bashkë shkrimtarë, poetë dhe dashamirës të artit e letërsisë, porse ndjen atë lidhjen njerëzore dhe empatinë e pastër, për të përjetuar dhe kuptuar botën krijuese të dijes dhe respektit për autorin, mendërisht dhe shpirtërisht, një moment vlerësimi dhe mirënjohje edhe për ata që e duan dhe e shkruajnë letërsinë. Ftesa për promovimin e veprës së Prof. Agim Gjakovës ishte një mundësi harmonie, besimi dhe e shkëlqyer për të kaluar disa orë të këndshme, produktive e plot kulturë. Aty gjendeshin, bashkëbiseduan dhe vlerësuan letërsinë e Prof. Gjakovës plot shkrimtarë, poetë, publicistë të njohur, miq e kolegë të kahershëm e të rinj të tij. Secili prej tyre shprehte fjalën e tij/saj, për këtë njeri fisnik, modest e fjalëndritur, për letërsinë e tij të pasur, jo vetëm në sasi – mbi dhjetra e dhjetra libra të botuar – por edhe të realizuar denjësisht, cilësisht e krejtësisht të veçantë. Madje për Profesor Gjakovën u theksua se; “letërsia e tij meriton shumë më tepër vlerësim dhe vëmendje!”

Prof. Agim Gjakova është një nga figurat më interesante dhe jetëgjatë të letërsisë shqipe, ka një histori njerëzore dhe krijimitari të jashtëzakonëshme. Të shkruash dhe të sjellësh në vëmendjen e audiencës së lexuesve dhe kombit shqiptar, biografinë krijuese dhe bukurinë e gjuhës shqipe të pasur të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit Agim Gjakova, do të thotë të hysh në një botë ku arti i fjalës gërshetohet me thellësinë e dijes universale, që reflekton shpirtin e pathyeshëm rebel, prek zemrat dhe lartëson ndjenjën e përkatësisë kombëtare.  

Udhëtimi krijues i shkrimtarit të shquar Prof. Agim Gjakova nis aty ku fillon kurreshtja jonë për letërsinë, që në bangat e shkollës, ai nuk u mbyll kurrë brenda një kornize të vetme, porse sfidoi veten dhe fjalën shqipe në çdo zhanër: Vjershëtor dhe Tregimtar, që preku shpirtin e lexuesit të ri dhe të rritur, Novelist dhe Romancier, ku ndërtoi struktura të ndërlikuara dhe personazhe të gjallë, Eseist dhe Studiues, që analizoi me mprehtësi shoqërinë dhe letërsinë, Folklorist i talentuar, ku mblodhi dhe ruajti thesaret e shpirtit popullor.

Prof. Agim Gjakova deri më tani ka botuar mbi 30-ë libra duke përfshirë dhjetra romane, romani i tij i fundit “I pabinduri”, dhe “E dashura e katër djemve”, e dhjetra e dhjetra përmbledhje me poezi, prozë, publicistikë, dhe vecmas në letërsinë dokumentare. 

Ajo që e bën të veçantë profilin e tij është guximi intelektual, dhe mjeshtri i rrëfimit të një shpirti rebel të paepur, në çdo rresht të shkruar, ai ecën në fillin e hollë midis të mundshmes dhe të pamundshmes; si një mjeshtër i vërtetë i rrëfimit, ai arriti të kthejë vështirësitë e kohës në art të qëndrueshëm. 

Prof. Agim Gjakova është një erudit, prozator profilik, dhe poet modernist, që nuk mjaftohet vecse me frymëzimin e castit dhe ndjenjat personale, ai ndërton urat mes epokave, lidh të shkuarën klasike me shqetësimet moderne të kohës që ai jeton, ndërton urat e komunikimit përherë “Në kërkim të së vërtetës”, mes poezisë, prozës, publicistikës, filozofisë, historisë, mitet e lashta dhe heronjtë. Ritmika dhe ngrohtësia e stilit të tij krijues, reflektojnë shpirtin e pathyeshëm dhe lidhjen e vecantë me Atdheun dhe Historinë, kompromisi që ai ka bërë me admiruesit e shumtë të veprës së tij. 

Në letrat shqipe, kombëtare, ballkanike dhe ato ndërkombëtare, figura të tilla emblematike si Prof. Agim Gjakova, përfaqësojnë panteonin e mendimit human, qytetari, dije dhe mëncuri, që shpalosin një erudicion të jashtëzakonshëm. Sinteza e lirizmit poetik dhe letërsisë dokumentare në veprat e Prof. Agim Gjakovës përfaqësojnë modelin unik në letërsinë bashkëkohore shqipe, që harmonizojë dy pole shpesh të largëta: lirizmin e thellë dhe saktësinë dokumentare.  Gjakova nuk mjaftohet me pasqyrimin e ftohtë të fakteve, ai i vesh ato me një ndjeshmëri të lartë njerëzore, që ngjarjet reale të mos mbeten thjesht kronika, por të kthehen në përjetime shpirtërore për lexuesin. Si një shkrimtar që dëshmoi dhe krijoi nëpër faza vendimtare historike, Gjakova shërben si urë lidhëse mes tri epokave: Historisë modern, ku vendoset baza e stilit të tij- realizmit socialist, prej nga trashëgon vëmendjen ndaj kontekstit social dhe letërsisë postkomuniste, ku fiton lirinë e plotë të shprehjes dhe analizës objektive. Kulmi i tij pubicistik dhe artistik identifikohet në fushën e letërsisë dokumentare, një “gërshetim hibrid” mes letërsisë artistike -fantazisë dhe ndjenjës- dhe asaj dokumentare -faktit dhe dëshmisë -mbrohet nga një aureolë e fortë integriteti professional. Prof. Agim Gjakova na dëshmon se e vërteta historike dhe bukuria estetike mund të bashkëjetojnë pa e cënuar njëra-tjetrën.

-Metafora e Shpirtit të Lirë dhe Rebel, që nuk u përkul kurrë në  “Vargje Gjakoviane”.

Të jesh poet apo vetë termi poezi në kuptimin thelbësor të fjalës, nënkupton atë që ta shohësh botën me ndjeshmërinë e bukurisë të një shpirti artistik, ku cdo përjetim apo emocion njerëzor buron nga ndjeshmëria impulsive e shpirtit të lirë, talentit dhe pjekurisë artistke, e cila ekziston brenda gjithckaje njerëzore dhe në akord me lirinë e të shprehurit shndërrohet në një poezi gjallëruese që shkon përtej vargjeve të shkruara. Mes dhjetra vëllimeve me poezi unë zgjodha të analizoj atë – i titulluar “Poezia 19”, të prozatorit, dramaturgut, skenaristit, publicistit, dhe poetit të shquar të kombit, Prof. Agim Gjakova, 

Struktura e këtij vëllimit poetik është ndërtuar në cikle të ndjeshme përmes emërtimeve metaforike dhe numerike, që mbartin një peshë të madhështisë simbolike dhe filozofike. Cikle poetike që përfaqësojnë një nga shtyllat më intime dhe më dramatike të lirikës së poetit, ato mbartin një peshë të rëndë biografike, duke pasur parasysh se poeti jetoi nën dy diktatura dhe u dëbua nga Kosova në Shqipëri, ku u përball me izolim dhe përndjekje. Vëllimi përmban poezi lirike, me ton qytetar, intelektual, patriotik, kujtime, mall, dhimbje, dashuri, të cilat shprehin ngazëllimin dhe enthusiazmin e një komuniteti të brishtë, në rastin tonë si te vëllimi poetik “Poezia 19”, një fitore e arritur në liri, progresin social, romantizmin, frymëzimin e frymëzuese, deklamimin e bukurisë shpirtërore e trupore në vjershërimin klasik. 

Çdo cikël poetik përfaqëson një temë të vetme në lidhje me Prof. Agim Gjakovën si individ dhe si poet i një shpirti të trazuar dhe kryengritës, i cili ka sfiduar regjimet dhe ka vuajtur përndjekjet, kjo eksperiencë jetësore reflektohet thellësisht në strukturimin e poezisë së tij.

Eksperiencat jetësore dhe përkushtimi krijues, si ciltërsia e ndjenjave, humbja, dhimbja, vetmija, dashuria, shpresa, intimiteti, ngazëllimi apo enthusiazmi- këto sentimente të jetës, -poeti e ndjen të nevojëshme t’u japë zë duke i hedhur në vargje e poezi. Poezia e Prof. Agim Gjakova është rrëfyese, -jo abstrakte-ajo del nga realiteti aktual i botës që jetojmë dhe thjeshtësia e jetës së përditshme. Gjenialiteti i ambicies së tij si poet balancohet nga një ndjenjë e ftohtë absurditeti, me shkëndija talljeje të butë me veten, nga muzat, meditimet dhe spekulimet rreth jetës, gjërat e përjetëshme të ekzistencës humane, – jetës e vdekjes. 

Veprat poetike të tij janë madhështore, pa hezitim po përdor termin “vargje gjakoviane”, ku përfshihen poezi lirike, erotike, poezia e dashurisë për atdheun, Shqipërinë e Kosovën, për vendlindjen dhe poezi me tematikë sociale, historike dhe refleksive që amplifikojnë stilin ekspresiv të dhimbjes së bukur –dashurisë! Poeti Gjakova blasfemon në emër të instiktit njerëzor, me konceptimin mistik të lexuesit për botëndijimin, botëperceptimin dhe arritjen e një poeti të shquar, duke e vendosur madhështinë e epikës reale, përmes integritetit të gjuhës së pastër, strukturës fizike dhe kulturës thellësisht poetike që dëshmohen prej secilit cikël në kontekstin e poezive.  

Libri nis me poezinë lirike e titulluar  “Gruas sime”, autori përshkruan karakterin e zgjuar, dhe të ngrohtë – por edhe të sertë, të një gruaje të bukur fizikisht, unike, vitale dhe shpirtbukur, -një grua e mrekullueshme për ta pasur pranë edhe në kohë të vështira; “shigjetim i agut nëpër këto vite të gjatë/ ndërsa qielli im ishte fytyra jote nëpër hekura/ hapësira më mbeteshin buzëqeshjet e tua të rreshkura”. 

Forca frymëzuese dhe shpërthyese e Gjakovës është e ndërthurur me kujtimet personale, dhe përfaqëson një nga simbolikat më intime dhe dramatike të lirikës së tij, për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit dhe gruas–dashurinë dhe frymëzimin! 

Në këtë cikël, figura e gruas ngrihet përtej një subjekti të thjeshtë lirik dhe romantik, ajo shndërrohet në një simbol të mbijetesës dhe besnikërisë. Gjakova shpërfaq një ton intim, të drejtëpërdrejtë dhe jashtëzakonisht të sinqertë, -të zhveshur nga patetizmi. Prof. Gjakova e di fare mirë se njerëzit fillojnë të mplaken kur heqin dorë nga dashuria, andaj ai i lutet bashkëshortes: “Buzëqesh edhe njëherë për mua”- me një gjuhë e ndjenjë të ngrohtë por të përzishme, ku dashuria shërben si e vetmja strehë përkundrejt egërsisë së botës së jashtme; sepse  “drita mbi fytyrë tremb terrin e egër në një skutë/ dhe vështrimin e luanit dalngadalë me zbutë”, – për të shprehur atë universalen, ekzistencën e burrit –dashurinë, vazhdimësinë e jetës.  

Kjo është edhe arësyeja pse Prof. Gjakova zhvendoset nga vargu në varg në cdo moment të ditës, sepse poeti dhe gruaja, dashuria e jetës së tij, aty gjejnë vetveten; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /si një karvan thneglash mendimet ma pickojnë trurin, / helmin ma thith si shpendi kokërr për kokërr gruri.”

Këto vargje të mirë-vendosura në strofë, i japin rrjedhë procesit të transformimit të dukshëm; mendimi e ndjek këtë proces-në fakt e nxjerr dhe e prezanton atë, – si një kompleks mamorfozash të imazhit që është treguar. Kursi logjik i këtij transformimi që ndihet shpesh si një ndjenjë faji të pafajshëm i poetit, i cili, për shkak të idealeve dhe fateve të tij politike, e ka ekspozuar edhe qënien e saj më të shtrenjtë ndaj stuhive të jetës, në përpjesëtim të vetë ndryshimit.

Në poezinë  “Gruas sime”, “buzëqeshja” shpreh optimizmin dhe forcën për t’i mbijetuar errësirës së jetës, është një metaforë e fuqishme që përcjell mesazhe shprese, intimiteti, dhimbje dhe trishtimi të përmbajtur dashurie. “Buzëqeshja” nuk është thjesht një shprehje fizike, por një dritare shpirtërore që zbulon kontrastin mes botës së brendshme të poetit dhe realitetit.  Për të sfiduar padrejtësitë, dhe fatin e tyre, Gjakova fsheh një plagë e dhimbje të madhe shpirtërore me një qetësi therrëse, ironie e revolte, ai shpreh ngrohtësi, afrimitet dhe magjinë e çasteve romantike; “buzëqesh edhe njëherë për mua, /le të më lëvizin ngjyrat përtej kohës më thellë, /ah cfarë ndjesish, vrullesh, shpërthimesh të valëta ndjell!”

Poezia “ Gruas sime” kontraston “për një buzëqeshje gjithkujt ja kam zili”, / -teksa gjen ngushëllim me bukurinë dhe ndjenjë përhershmërie në “buzëqeshjen dhe sytë e gruas së tij”, vend ku “vecse ai mund të hyjë”, ngaqë “ka vite zemra e ka harruar atë stoli!” Prof. Gjakova na sugjeron se kujtimet, vizionet dhe ëndërrimet, ofrojnë strehë nga kalimi i kohës dhe përkohshmëria e jetës, porse ato nuk do të vdesin kurrë! 

Secili cikël poetik si bosht strukturor ka simbolikën e numurit “Shtatë”, përdorimi i përsëritur i këtij numri nuk është i rastësishëm. Në letërsi dhe mitologji, ky numër përfaqëson plotësinë, ciklin e mbyllur kozmik (shtatë ditët e krijimit) dhe transformimin e plotë, ndërsa Poeti Gjakova, përmes këtij numri, ndërton një univers poetik të mbyllur dhe të vetë-mjaftueshëm. Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Gjakovës është një strukturë pothuajse ritualistike, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe pothuajse bisedor e lidhur me numrin “shtatë”-mitologjik dhe biblik që e con lexuesin në zbulimin e jetës së tij, përpjekjet me makthin e historisë e atdheut, që përfaqëson kulmin e tronditjes ekzistenciale dhe kombëtare të autorit. 

Përmes cikleve; “Shtatë Ditë”/ “Shtatë Net”/- numuri “shtatë” është ura lidhëse midis reales dhe mitikes, që Poeti Gjakova luan me dualitetin Ditë/ Natë/, kalimin nga errësira e natës, ku dhimbja dhe makthet gdhihen te zgjimi i ditës, dhe shpirti dërgohet sërish në frontin e përballjes me realitetin e vështirë. 

Në poezinë e titulluar “Nata e shtatë – (“Ëndërrimi i Shtatë”) –Nata dhe Ëndrra, janë hapësira ku poeti gjen lirinë absolute për të dëgjuar “të gjithë zërat” e shtypur nga realiteti. Andaj poeti përdor elemente të natyrës si “lumi” për të përshkruar zërat e brendshëm të njeriut; gurgullon, këndon, mallkon, grindet; “Disa thonë se lumi gjëmon, /se gurgullon, /se cicërinë, /se këndon/ se tallet, / se zemërohet/ se flet përcart, / se mallkon/ se grindet, /se përkëdhel, / bie në gjumë, / ku ta gjej atë lumë, /t’ia dëgjoj të gjitha zërat.” 

Cikli “natë-ditë” na tregon se krijimtaria e Prof. Gjakovës refuzon të mbetet statike; ajo është në lëvizje të përhershme, ashtu si vetë natyra. “Nata” lidhet me ëndërrimin, meditimin, kujtimet e hidhura të së shkuarës dhe zërat e brendshëm, ndërsa “Dita” sjell zgjimin, përballjen me realitetin e vrazhdë dhe dërgimin e shpirtit e të zjarrmisë drejt qiellit e botës së prekshme, një përballje ekzistenciale me të vërtetën. 

Ciklet poetike: “Shtatë Lule” / “Shtatë Puthje” paraqesin esencën e shpirtit të lirë dhe botës shpirtërore më lirike, më intime dhe më filozofike të Gjakovës. Ato shpërfaqen si një dialog me veteveten që merr formën e monologut intim – gërshetimin e ndjenjës së thellë mes dashurisë njerëzore; “puthjet” dhe bukurisë shpirtërore të natyrës;  “lulet” që paraqesin sinqeritetin emocional dhe një raport mbi strukturën e ciklit mitik dhe ritual, të numurit “shtatë”. Metafora të fuqishme që simbolizojnë bukurinë, rritjen shpresën, lidhjen njerëzore dhe rilindjen e natyrës së ndjenjave. “Shtatë Puthje”, një titull metaforik e lirik që kapërcen erotiken e thjeshtë, ato janë ura mes dy brigjeve (sipas Jakov Xoxes te “Lumi e vdekur” – “Një e puthur mbyll dy brigje e cel dy zemra”) -që nuk janë vecse akti fizik njerëzor, por një element mistik, që përfaqëson shtatë pika takimi midis shpirtit të poetit dhe botës, pajton shpirtin e Gjakovës me fatin, dhe njerëzit që e rrethojnë.  “Shtatë Puthje” këtu shndërrohen në një bekim ekzistencial, në kërkimin e dashurisë dhe të paqes pas një dëshpërimi apo traziatje të gjatë shoqërore e personale.

 Puthja është dashuri, dhe paqe që vjen pas stuhive të jetës; “Po puth tokën…/ Po puth detin e shkumëzuar. / Po puth pyllin, /Po puth pragun e shtëpisë, /Po puthë vreshtin, /Po puth shtegun e fëmijërisë, / Po puth fotografinë e nënës.”

“Shtatë Lulet” simbolizojnë zvetënimin, bukurinë, por edhe brishtësinë e jetës e të memories. Çdo “lule” është një stacion poetik që prek një dimension të veçantë të jetës: dashurinë, vendlindjen, vuajtjen, besnikërinë dhe qëndresën.

Ciklet poetike; “Shtatë Rrezatime” / “Shtatë Udhëtimet” mbartin një peshë të rëndësishme simbolike dhe filozofike, mëncurinë dhe shpirtin e poetit; rrezatimi nënkupton energji, dritë, zgjimin intelektual dhe filozofik si një strehë shpirtërore për të gjetur qetësinë dhe përfaqësojnë pastërtinë, rininë dhe mbijetesën e shpirtit njerëzor përballë dhunës, shtypjes dhe persekutimit; 

Vargjet e “Shtatë Rrezatime” janë simbole të dritës dhe dijes, rrezatime të mendimit të lirë, dhe shpresës që depërton përmes errësirës;  (Syzeza)… 

Kall pyllin, /copëton hënën, /ndrit yllin. / (Harkvetulla)…ma skizon një rrudhëz, / si zbulim marramendës. / (Buzëkuqja)… ma mpreh dëshirën, / m’i shti ethet, / …në vorbill ngacmimesh. / (Qafëgastarja)…e ma hedh tutje mugëtirën, /ma vërtitë tërë rruzullimin. /

Ndërsa te cikli “Shtatë Udhëtimet”- madje poeti e shoqëron edhe me nëntituj sikundër  – “Vesi im i parë/ dytë/ tretë/ katërt/ pestë/ gjashtë/ dhe shtatë në shpirt” – shpreh përshkallëzimin emocional të tij që mbart pjekurinë shpirtërore, sekretin dimensional të dashurisë dhe dhimbjes njerëzore. “Vesi” është dialogu unik dhe lirik i ndjenjës, rrugëtimit shpirtëror të vazhdueshëm i poetit mes udhëtimeve dhe endjes së tij; “në mbretërinë e amëshuar të ndjenjave”/… porse….”nuk ndalet së udhëtuari” derisa -“dhe gjej shëmbëllimin e dashurisë”-vargëzon poeti. 

“Vesi” nis nga i pari që shfaq pikënisjen e ndjenjës, pafajësinë, fëmijërinë ose shkëndijën e parë të vetëdijes, tek “i dyti” takimin me dashurinë apo botën që e rrethon, “i treti” kulmon me ndjenjat rinore, zjarrin e brendshëm dëshirat dhe energjinë krijuese, “I katërti” na rrëfen pikën e kthesës, “I pesti” reflekton; urtësi, vështrimin te vetvetja, pranimin e fatit të jetës ashtu sikundër vjen –ai fat i shkruar diku në “të tretat e lindjes, e ardhjes në këtë botë”, derisa arrin atë pjekurinë e stuhive emocionale te “Vesi i gjashtë” përtej reales, materiales, mistikes, artit dhe lirisë së plotë shpirtërore. 

Te “Vesi i shtatë” arrin paqen absolute, mes hyjnores, njerëzores dhe përjetësisë së kujtesës. 

Cikli “Shtatë Udhëtime” simbolizon vlerat njerëzore, që lidhen drejtpërdrejtë me kalvarin, persekutimin politik e social, sakrificat për të qenë i lirë, për të vërtetën e madhe, identitetin, kujtesën, integritetin dhe dinjitetin kombëtar. Poeti udhëton përmes krahëve dhe mëndjes së shëndetshmë, për t‘i gjetur kuptimin e jetës, drejtësinë e lirinë absolute në një botë të trazuar përtej mureve të censurës.  “Shtatë Fluturime” reflektojnë aftësinë e poetit Gjakova për t’i kthyer përvojat personale në përvoja universale, kombinimi i artit me filozofiken, artistiken, psikiken dhe shpirtëroren, lirinë e shtegëtimit të pandalshëm të shpirtit njerëzor drejt të panjohurës dhe të bukurës, ku fluturimi shihet si një mjet për të kapërcyer kufijtë dhe izolimin. Te cikli “Shtatë Tundime”, Prof. Gjakova shpërfaq dualitetin njerëzor midis rënies –tundimit- dhe ringritjes, përplasjet në jetë me dobësitë e veta, dëshirat, sfidat e brendshme, dilemat morale dhe vuajtjen ekzistenciale, përmes sprovave historike dhe politike që ka kaluar autori dhe populli që nga izolimi, përndjekja dhe mbijetesa. 

Te “Shtatë Ligjërime”, Prof. Agim Gjakova shquhet për ndjeshmërinë ndaj fateve historike, social-politike të atdheut që përbëjnë edhe një shtyllë kryesore të motiveve e përvojave të tij. Poeti komunikon me figurat historike dhe mitet historike për të gjetur forcë; mali, shqiponja dhe shkëmbi shërbejnë si simbole të paluajtshmërisë, të identitetit, kthimin tek rrënjët, për të kujtuar historinë, gjuhën dhe trashëgiminë etnike, cdo “ligjërim” është një akt rezistence intelektuale dhe qytetarie! 

Te  “Shtatë të Dhimbëshmë” -poeti Gjakova ndërton një monolog të brendshëm mbi dhimbjen e tokës, duke përdorur metafora të natyrës, lumi që gjëmon apo mallkon, malet, breshëri për të pasqyruar trazirat e shpirtit jo vecse të tij, por të cdo bashkëatdhetari. Cikli poetik i dhimbjes fillon me poezinë “Dhembja e parë” (NANA) -ja si vargëzon poeti; 

“…më dridhen buzët”, / më njomen sytë, / më shungullojnë veshët, / më meket goja.”

 Në mënyrë të ngjashme, stili i shkrimit të Prof. Gjakovës është informal, i thjeshtë, i shkruar në vetën e parë dhe bisedor; “të thërras e nuk më përgjigjesh, /drithërimë, zjarrmi, ftohtë akull, / ngarend, të të arrij, /por/ooo…/është hija jote bir.” 

Poeti Gjakova shpërfaq atë që kritikët e quajnë “poezi me këmbë në tokë, troç dhe pa doreza”, ai shpreh dhimbjen për fatin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke goditur hipokrizinë shoqërore, humbjen e vlerave njerëzore dhe deformimin e idealeve të lirisë nga udhëheqësit analfabetë apo tradhtarët, siç e thotë te “Dhimbjet nuk mashtrohen si njerëzit”.  

Përmes gërshetimit të dy cikleve; ”Shtatë Ligjërime“/ “Shtatë të dhimbëshme”, Gjakova vendos një ekuilibër me elementet mitike, dhe paktin e shpirtit intim, melankolik, reflektiv, herë-herë rebel, e i guximshëm, herë-herë provokues dhe reformator, i fenomeneve të jetës, plagët që mbart një popull, dhe duke shtrytëzuar verbin poetik, me energji shprehëse, intensitet të vrullshëm, shqipton me zërin e vet poetik, lirik dhe estetik; zërin dhe dinjitetin që nuk lejojnë tjetërsimin e tij. Kjo dyshe poetike mbetet një dëshmi e fuqishme e mbijetesës shpirtërore dhe kombëtare. 

Te cikli “Shtatë të Kundërta” simbolizon filozofinë e kontrasteve të mëdha të jetës dhe realitetit politik e shoqëror, mes të mirës e së keqes, dhe pavarësisht “të kundërtave”, cikli përçon mesazhin e nevojës për ekuilibër dhe zgjim shpirtëror të individit dhe kombit. 

Cikli  “Shtatë Vrragë”, vetë fjala “vrragë” nënkupton një shenjë, plagë të mbetur apo gjurmë vuajtjeje. Ato tregojnë se çdo sakrificë ka lënë një gjurmë të pashlyeshme te poeti dhe tek identiteti kombëtar, duke kujtuar burgjet, persekutimet dhe dhunën e genocidin etnik. 

Cikli “Shtatë Nostalgji” përfaqëson botën e ndjeshme, shpirtin e lënduar, dhe fyerjen e inteligjencës së poetit. 

Prof. Gjakova e kthen mallin (nostalgjinë) për tokën për shtëpinë, prindërit, rrugicat me kalldrëm të Çarshisë, shokët e rinisë, lirinë e humbur, dhe për njerëzit që e rrethonin, -në durim, kurajo dhe frymëzim, për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar. Nostalgjia këtu nuk është thjesht një ndjenjë passive, lirike, erotike apo romantike, por një formë rezistence shpirtërore, që poeti nuk mund ta shohë e prekë, andaj e sjell atë përmes vargjeve. 

Cikli “Shtatë cilësitë” – paraqet karakterin e fortë dhe qëndrestar para furtunave dhe stuhive të jetës; “Shpartalloj të gjitha shpikjet e së ligës, / me detin e përballimit”/ – dinjitetin e ndërgjegjes së poetit; “ a më thoni ku shitet ndërgjegja, /t’i shpenzoj edhe paratë e fundit, / t’ua dhuroj dykëmbëshve që u dridhet dora!”

 Krenaria alias (burrëria) është motiv tejet i fuqishëm që paraqet lidhjen me rrënjët, vendlindjen dhe identitetin, andaj poeti Gjakova vlerëson dhe mbron vlerat, traditat dhe historinë e popullit të tij: “ ta vështroj dreqin në sy, / ta dridh dheun si tërmet, /…”më falni njerëz, / që nuk linda nga balta”!

Prof. Gjakova është mjeshtër i artikulimit të integritetit emocional, moral dhe atij artistik që krijon një harmoni të plotë midis vlerave që vetë poeti ka në jetën reale dhe vlerave që ai mbron përmes vargjeve të tij.  Prof. Gjakova shkruan me vërtetësi, sinqeritet të plotë dhe pa kompromise, ai i qëndron besnik zërit të tij unik, përshkruan ndjenjat njerëzore, gëzimin, dhimbjen, vret frikën ashtu sic janë në të vërtetë, pa i zbukuruar apo ekzagjeruar ato në mënyrë të rreme. Bota poetike e Prof. Agim Gjakovës konsiston në vizionin, shpirtëror, real e virtual të ekzistencës humane, e arësyeshme brënda përmbajtjes gjenetike nga tradita e besimi, hapësira e koha, në të cilën krijon atë lidhjen e fortë të besimit midis vetë atij dhe lexuesit, duke e bërë poezinë të ndihet e gjallë, e fuqishme dhe e pavdekshme; “askush s’mund të ma lëvrojë qenien /…”më falni njerëz, / që nuk linda nga balta!”

Poezia e Prof. Agim Gjakovës funksionon përmes kodeve numerikë, dhe metaforave të shumta, -kur ai ndërthur jetën-lulet, ndjenjën-puthjet, dhe dritën –rrezatimet, -poeti me mjeshtëri artistike e filozofike ndërton një manifest të qëndresës shpirtërore, duke na rrëfyer se pavarësishit kalvarit të netëve të gjata të vuajtjeve e sakrificave, njeriun gjen forcë dhe energji të rilindë e të zgjohet…

Poeti Agim Gjakova flet qartshëm për kufirin midis artit dhe jetës, ku iluzioni bindës i artit lëkundet. Poezia e tij eksploron tensionin midis natyrës së përkohshme të ekzistencës fizike dhe cilësisë së qëndrueshme të ëndrrave, të cilat mund të ofrojnë ndjenjë përhershmërie dhe arratisjeje.

“Nuk gjej mënyrë si t’ua fshij fëlliqësitë,  – dhe na lejon të shohim diçka që lëviz rreth realitetit dhe imagjinatës;  “vec t’i përcoj në hapësirë, / t’i pranojë ndonjë planet i marrosur.” 

Vargjet e cituara më lart flasin për dëshirën e poetit për t’u shkëputur nga vuajtjet njerëzore dhe për të gjetur qetësi në natyrë. Kjo poezi pasqyron një melankoli të thellë për ikjen nga realiteti i lodhshëm. 

Titujt numerikë dhe metaforikë dëshmojnë se njeriu, pavarësisht copëtimit shpirtëror apo thyerjeve historike, kërkon gjithmonë një strukturë dhe një pikë zgjimi për të gjetur kuptimin e ekzistencës së tij.

-Prof. Agim Gjakova: Historia dhe Atdheu, –Një Trashëgimi që Vazhdon edhe Sot… 

Poeti i shquar Agim Gjakova i ka kushtuar një vëmendje të admirueshme gjuhës shqipe jashtëzakonisht të pasur, të pastër, të drejtpërdrejtë dhe të punuar mirë, “me këmbë në tokë”, por thellësisht figurative. Ai nuk përdor një thurrje klasike rime; ai preferon vargun e lirë por me një ritëm të brendshëm të diktuar nga anafora dhe paralelizmi strukturor. Ndarja në kapituj numerikë i jep librit karakterin e një obelisku letrar, ku çdo varg mbështet tjetrin.  Stili i tij i veçantë letrar ndërton një urë të natyrshme komunikimi midis dy dialekteve kryesore të shqipes. Struktura gramatikore, zhargoni dhe shtrirja gjuhësore, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe.  Origjina dhe jeta e tij mes Kosovës e Shqipërisë, arësimin e hershëm e kryen në vendlindje –Kosovë- dhe pas dëbimit të familjes së tij, ai mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës, për gjuhë e letërsi angleze, më pas ai punoi për dekada si redaktor e skenarist, që e bënë Prof. Gjakovën zotërues të shkëlqyer të toskërishtes dhe gjuhës standarde, dhe një mbrojtës të flaktë i pastërtisë së gjuhës shqipe, që shmangte fjalët e huaja të panevojshme duke shfrytëzuar burimet e brendshme të të dy dialekteve. 

Si në poezi e prozë, Prof. Gjakova nuk e braktis forcën, ritmin dhe leksikun e gegënishtes, porse ai e pasuron atë me strukturën dhe butësinë e toskërishtes. Romanet dhe poezitë e Prof. Gjakovës përherë hapin dyert, dhe përherë mbërrijnë te lexuesi. Ajo që shkëlqen në krijimtarinë dimensionale të tij, është pasioni i përjetshëm i Prof. Gjakovës për poezinë dhe letërsinë. Pasioni i tij i paepur dëshmon se letërsia e mirë i mbijeton çdo stuhie, një trashëgimi që vazhdon edhe sot, kur kthejmë kokën pas në udhëtimin e tij krijues, shohim një monument të pasur letrar. Për shumë breza lexuesish, emri i tij nuk është thjesht një emër në kopertinë, ai është një udhërrëfyes përmes botëve të ndryshme letrare. 

Figura e vlera kombëtare dhe historike të tilla si Poeti e Shkrimtari i Shquar Prof. Agim Gjakova, duhet të vlerësohen më krenari e dinjitet kombëtar, për artin dhe kulturën, letrat shqipe dhe brezat e ardhshëm, ai na mësoi se shkrimtari nuk është thjesht një vëzhgues, por një dëshmitar i epokave dhe kohës së vet.

I mencur, i matur, aktiv dhe me një shpirt të madh, edhe pse me nëntë dekada mbi supe, Prof. Agim Gjakova vazhdon të na japë vepra brilante nga shpirti, talenti dhe pasioni i tij krijues, – shpirtin e tij të lirë dhe rebel, që nuk u përkul kurrë, përherë në emër të humanes dhe dashurisë njerëzore. 

Prof. Agim Gjakova mbetet një personalitet shumëdimensional që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tone. 

Vepra e Trashëgimi e tij jeton e plotë, duke frymëzuar sot e kësaj dite brezat e ardhshëm, dhe studiuesit e historisë kombëtare.  

Raimonda Moisiu-SADE 

Author/Freelancer

Gusht, 2026

Jacksonville Florida USA 

Filed Under: LETERSI

Ç`po ndodh me bektashinjtë? Dhe ç`qëndrim duhet të mbajmë?

August 25, 2026 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Për arsye studimore, për vite me radhë më është dashur të merem me historikun e komuniteteve fetare; me raporet e tyre me shtetin shqiptar dhe me qëndrimet e tyre ndaj procesit të ndërtimit të institucioneve. Prandaj ndjej një lloj përgjegjësie profesionale për të thënë dy fjalë, lidhur me zhvillimet e fundit në Komunitetin Bektashian.

Pak histori…

Duke nisur që nga gjysma e shek.XIX kur sulltan Mahmudi II për arsye politike nisi një valë goditjesh ndaj korpusit të jeniçerëve, bektashinjtë përjetuan një valë persekutimi dhe denigrimi të padrejtë. Kjo u shtyu ata që gjithnjë e më shumë të gjenin strehë në teqetë shqiptare në pjesën jugore dhe juglindore të Shqipërisë. Me kalimin e viteve, pakënaqësia e tyre ndaj shtetit osman u mpleks me interesat e Lëvizjes Kombëtare, duke dhënë kështu një kontribut të çmuar për krijmin e shtetit shqiptar.

Kjo u vu re edhe pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur bektashinjtë me mbështetjen e politikanit dhe ministrit vizionar Ahmet Zogu organizuan Kongresin e Parë Bektashian (14-17 janar 1921), në teqenë e Prishtës në Skrapar.

Në fund të shek.XIX dhe në fillim të shek.XX drejtuesit e këtij komuniteti (më saktë bashkësie), nuk u bënë pjesë e projekteve formale ose informale të qarqeve të ndryshme, të cilat përpiqeshin që ta bënin bektashizmin “fe kombëtare” të shqiptarëve, si një hap më të zgjuar dhe më taktik për deislamizimin e tyre. Klerikët bektashinj ishin të ndërgjegjshëm se bektashizmi nuk ishte fe, por një derivat i fesë Islame. Prandaj ata qëndruan besnikë të harmonisë dhe ekuilibrave fetarë të vendosur me aq kujdes për shekuj me radhë…

Mbyllja e tarikateve të ndryshme në Turqi në vitin 1925 bëri që Kongresi III Bektashian (26 shtator 1929) i mbajtur në teqenë e Turanit në Korçë të vendoste që qendra e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane të zhvendosej në Shqipëri. Kjo ishte një arritje e madhe për shtetin e vogël shqiptar, i cili e shihte këtë si një instrument gjeopolitik për të rritur influencën e tij në rajon dhe në mbarë botën. Më 28 janar 1930, kryegjyshi Sali Niazi Dede, që për fat të mirë ishte shqiptarë mbërriti në Shqipëri. Në mars qeveria shqiptare e njohu atë si Kryegjysh Botëror të Bektashinjve. Fillimisht qendra u vendos në teqenë e Turanit në Korçë, ndërsa më 2 gusht me vendim nr.659 Selia Botërore Bektashiane u zhvendos në Tiranë.

Gjatë viteve të monarkisë komuniteti dhe drejtuesit e tij bashkëpunuan ngushtë me institucionet shtetërore për konsolidimin reciprok.

Pozita e bektashinjve u vështirësua me fillimin e LDB. Një pjesë dërrmuese e luftimeve u zhvilluan në zona ku ndodheshin shumica e teqeve dhe e besimtarëve bektashinj (Lufta Italo-Greke 1940-1941 etj). Prandaj dëmet karshi tyre ishin shumë të mëdha. Kjo shpjegon deri diku edhe solidarizimin e bektashinjve me lëvizjen “nacional-çlirimtare” dhe komunistët.

Kryetari i bektashinjve shqiptarë, Sali Njazi Dede, ashtu si të gjithë krerët e komuniteteve mbajti një qëndrim luajal ndaj regjimit fashist. Ai nuk zhvilloi propagandë aktive për Italinë, por me rastin e festave civile e fetare mbante gjithmonë një qëndrim admirimi ndaj Italisë, fashizmit dhe italianëve. Megjithatë, në raportet e shërbimit informativ ushtarak italian bektashinjtë konsideroheshin si nacionalistë konseguentë. Prandaj në radhët e tyre kishte individë që tregoheshin të rezervuar dhe mbanin qëndrime kundërshtare ndaj regjimit fashist.

Më 28 nëntor 1941, Sali Njazi Dede u vra në teqenë e vet. Me një urdhër verbal, qeveria mori përsipër të gjitha shpenzimet e ceremonisë së varrimit. Në muajt në vijim disa teqe bektashiane në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut do të bëheshin qendra të rezistencës kundër italianëve dhe pastaj kundër gjermanëve. Dy baballarë bektashinj me autoritet, Baba Fejzo dhe Baba Faja, do të organizonin guerile partizane, i pari në krahinën midis Gjirokastrës dhe Vlorës, i dyti në Shqipërinë e Mesme, rreth teqesë së tij të Martaneshit. Fejzo do të bëhej kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të Tepelenës dhe Faja arriti të bëhej madje edhe zëvendëskryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë.

Pas vendosjes së regjimit komunist marrëdhëniet midis shtetit dhe komuniteteve fetare u karakterizuan nga përpjekje të vazhdueshme për kontroll politik. Për Komunitetin Bektashian kjo situatë u vështirësua akoma dhe më shumë për shkak se dy baballarët e përmendur kërkuan me nxitejn e autoriteteve ndërmarrjen e disa reformave që binin ndesh me parimet e vendosura deri në këtë periudhë. Në mars të 1947, pas një debati me tone të larta, kryegjyshi nxorri armën dhe pasi ekzekutoi Baba Faje Martaneshin dhe Baba Fejzon, u vetëvra. Kjo tragjedi e tronditi të gjithë bashkësinë.

Në prapaskenë “operacioni” ndiqej nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, i cili i mbetur përpara një fakti të kryer kishte menduar një zgjidhje të pazakontë: në krye të Komunitetit Bektashian, ai kishte menduar të vendosej një klerik ortodoks. Kandidati ishte prifti me origjinë sllave Llazar Popoviq, që shërbente në Shkodër dhe që konsiderohej i afërt me strukturat e reja politike. Ky skenar nuk u realizua për shkak se ai nuk gëzonte një biografi të mirë. Por mbi të gjitha sepse do të shkaktonte një skandal dhe pakënaqësi të madhe te besimtarët. Gjithsesi kjo tregonte shkallën e ndërhyrjes së shtetit në punët e brendshme të një komuniteti.

Këto drama njëra pas tjetrës dhe burgosja e klerikëve shkatërruan strukturat tradicionale, duke bërë që pas rënies së komunizmit komuniteti në fjalë të gjendej pa kuadro, pa burime financiare dhe pa prona. Kjo situatë u shfrytëzua nga individë dhe qarqe, të cilat ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e institucionit dhe ndikimit që mund të ushtronin nëpërmjet anës shpirtërore.

Një nga këto ishte përpjekja për të ulur peshën specifike që Irani kishte në arenën botërore, duke përdorur fenë dhe rryma të ndryshme, ndërmjet tyre edhe bektashizmin. Pastaj rrugës secili shtet dhe koniukturë shikon interesat e veta personale. Nuk i intereson shumë pasoja mbi shtetin dhe shoqërinë shqiptare. Sekserë dhe mercenarë pastaj në çdo vend të botës gjen sa të duash.

Megjithatë në ADN e Komunitetit Bektashian dhe besimtarëve, nuk kanë munguar asnjëherë personalitete dhe individë që kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar. Prandaj në këto momente duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të shmangim përçarjen në mesin e shqiptarëve.

Shteti bektashi është një flluskë sapuni. Më “serioze” është ideja ime për krijimin e shtetit botëror të shqiptarve në internet! Kosto e tij është zero.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT