• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gjuha amtare që fitoi flamurin e vet

November 17, 2026 by s p

E shtypshkruar në Boston, e shpallur në Vlorë.

Meditime nga një pedagog i Universitetit të Shqipërsisë së mesme për brezat shqiptaro-amerikanë me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Hektor Çiftja

Në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 2026

Posaçërisht për Gazetën “Dielli” (“The Sun”)

Përpara se Shqipëria të kishte shtetin e vet, gjuha shqipe kishte kohë që po merrte formën për të qenë gjuhë e shkruar dhe zyrtare që do t’i jepte vendin në jetën publike, jo vetëm përmes shkollave, aq të domosdoshme këto, por edhe fillesave të industrisë se shtypshkronjave, por mbi të gjitha, të bashkësive të besimtarëve në mërgim. Për pasardhësit e diasporës klasike, kjo histori e mundimshme dhe e sukseshme, ende e pambyllur, ofron diçka shumë më bujare dhe domethënëse, porsidomos edhe me një nevojë publike , sesa thjesht porosia për të mos harruar.

Le të kujtojme, si fillim, të Dielën e 22 marsit 1908. Mërgimtarë shqiptarë u mblodhën në sallën “Knights of Honor” të Bostonit për të dëgjuar një prift të ri që kremtonte Liturgjinë Hyjnore në gjuhën e tyre. Prifti ishte Fan Noli. Dekada më vonë, njëri prej të pranishmëve, Kostandin «Nini» Demo, do ta kujtonte atë çast me një fjali që ruhet në historikun e Katedrales së Shën Gjergjit: “Sytë na u mbushën me lot.” Kisha Ortodokse në Amerikë e njeh atë shërbesë si Liturgjinë e parë Hyjnore të kremtuar në shqip.⁠

Fjalët ishin të njohura; e re ishte pesha që merrnin në atë shërbesë. Ajo gjuhë e cila kishte kapërcyer nga Shqipëria e largët oqeanin Atlantik, ajo gjuhe e bisedave te përditshme, tani po dëgjohej në një mjedis ku breza të tërë ishin mësuar të dëgjonin një tjetër gjuhë. Ata lot, vërtet i përkasin historisë së një kishe, por për ne, sot, hedhin dritë edhe mbi formimin e një kombi: mbi habinë dhe ngazëllimin kur zbulon se Gjuha e Shtëpisë,gjuha e kuzhinës së nënës, drekave dhe gëzimeve familjare, gjuha e përditshmërisë, pikërisht ajo gjuhë qenkërka e denjë dhe u bë e denje të dëshmojë se ka potencialin dhe pasurinë shprehëse të zërë vend prej “Zonje të Madhe” edhe në atë që shumë-në atë kohë besonin se ishte e e paaftë-pikërisht në Jetën Publike.

Shqipja, natyrisht, ishte shkruar prej shekujsh. Formula e pagëzimit e Pal Engjëllit na ka mbërritur nga viti 1462; Meshari i Gjon Buzukut, i shtypurshkruar më 1555, është libri më i hershëm i njohur në gjuhën shqipe. Autorët katolikë e lëvruan me shkronja latine, shkrimtarët ortodoksë përdorën shkronja greke dhe alfabete të posaçme, ndërsa poetë myslimanë e shkruan me alfabet arab. Nuk pati ndonjë kalim të çudibërës nga heshtja publike tek fjala e shkruar. Kishte disa tradita shkrimore, të mbështetura në mënyrë të paorganizuar dhe të ndara sipas institucioneve nëpër të cilat qarkullonte fjala e shkruar.

Për shumicën e folësve, megjithatë, shqipja mbetej gjuha që mësohej shumë kohë përpara sesa mund ta shpjegonte një gramatikë: mësohej në oborre, bahçe, lëndina; mësohej pranë djepit të foshnjës, mësohej në urimet e gjyshërve, dhe pse jo, edhe në një grindje mes fqinjësh. Asaj nuk i mungonte as fuqia shprehëse, as lashtësia; Asaj i pat munguar një vend i sigurt në institucionet që i jepnin fjalës autoritet publik. Rilindja Kombëtare punoi pikërisht për t’ia hapur këto dyer: për të ngritur shkolla, për të shtuar lexuesit, për të njësuar alfabetin dhe për ta bërë të ardhmen e përbashkët publike dhe politike një objekt të një bisede në gjuhën e të parëve, në shqip.

Studies si Ursula K. Le Guin bënin dallimin dikur midis “gjuhës e së babai», me të cilën nëkuptonin atë të pushtetit publik, nga “gjuha e nënës”, ajo e marrëdhënieve të afërta, të ngrohat, me nuaca emocionale. Stuiuesit e kishin fjalën për regjistrat gjuhësore të anglishtes, jo për historinë e Shqipërisë; Sidoqoftë. metafora e saj na ndihmon këtu. Në botën shqiptare të Perandorisë Osmane, administrata, shërbesat fetare dhe veprimtaria diturore zhvilloheshin shpesh në osmanisht, greqisht apo latinisht, sipas vendit dhe institucionit. Shqipja përpiqej të hynte në këto fusha pa hequr dorë nga jeta që kishte tashmë.⁠

Edhe kjo përpjekje i përket kuptimit të 28 nëntorit 1912. Kujtojmë Ismail Qemalin, delegatët në Vlorë, shpalljen e Pavarësisë dhe shqiponjën dykrenore në fushën e kuqe të flamurit. Por domethënia e ceremonisë bëhet më e qartë kur vështrojmë përtej ballkonit të ngritjes së Flamurit. Njerëzit që kërkuan pavarësi politike kishin mësuar, përmes dekadash pune kulturore, t’i drejtoheshin njëri-tjetrit si pjesëtarë të së njëjtës bashkësi publike. (kutojmë Deklaratën bukurtingëlluese të Pavarësisë së gjetur për Elbasanin. Sovraniteti kishte historinë e vet përpara se të kishte qeverinë e vet.

Bashkimi si arritje e vështirë

Sami Frashëri e përmblodhi argumentin në një fjali që mbahet mend: “Shënj’ e kombërisë është gjuha”. Në programin e tij të vitit 1899 për të ardhmen e Shqipërisë, ai e vendoste përkatësinë shqiptare përpara dallimit mes myslimanit dhe të krishterit. Vargu i njohur i Pashko Vasës, «Feja e shqyptarit asht shqyptarija», bartte një thirrje të ngjashme. Të dyja formulimet kërkonin një themel bashkimi përtej kufijve fetarë.⁠

Është e lehtë ta shndërrosh këtë synim politik në një tipar të këndshëm e ngushëllues të karakterit kombëtar. Por vargu i Vasës nuk dëshmonte se feja ishte pa peshë, as bashkimi që kërkonte Rilindja nuk duhet ngatërruar me një gjendje që kishte ekzistuar përherë. Myslimanët, ortodoksët dhe katolikët u përkisnin institucioneve të ndryshme fetare dhe, shpesh, botëve të ndryshme arsimore. Gjuha mund të shërbente si mjet bashkëpunimi pikërisht sepse këto dallime ishin të vërteta.

Noel Malcolm ka shqyrtuar mënyrën se si shkrimtarë shqiptarë në Amerikën e fillimshekullit XX ndihmuan në përhapjen e idesë se feja nuk kishte qenë kurrë në qendër të identitetit shqiptar. Studimi i tij na fton të dallojmë të shkuarën nga përdorimet që i bëjnë asaj lëvizjet kombëtare. Saktësia historike nuk ia pakëson dashurinë një përvjetori. Përkundrazi, një bashkim që kërkon bindje, kompromis dhe punë të duruar organizative është arritje më e madhe se një bashkim i marrë si i pashmangshëm.⁠

Në Manastir, sot Bitola në Maqedoninë e Veriut, kjo punë mori trajtën e një kongresi të alfabetit në nëntor 1908. Në raportin e tij anglisht si dëshmitar i drejtpërdrejtë, Gjergj Qiriazi shënon se Gjergj Fishta u shpreh i gatshëm të pranonte atë alfabet që do t’i shërbente më mirë përparimit të popullit. Zgjidhja ishte një kompromis: kongresi mbajti në përdorim alfabetin e Stambollit krahas një alfabeti të ri, të mbështetur tërësisht në shkronjat latine. Ky i fundit mbizotëroi më pas. Alfabeti i përbashkët doli nga marrëveshja; ai nuk erdhi pasi ishin shuar të gjitha kundërshtitë.⁠

Ka diçka çarmatosëse kur përfytyron sot nga lartësia dhe distanca kohore imazhin e delegatëve, atyre burrave mendje-ndritur, të cilët diskutojnë me orë e ditë të tëra shkencërisht për detaje, për gj, nj, sh dhe th,. Përtej këtij imazhi, rikujtohesh se mbi punimet e tyre, mbi ato diskutime rëndon pesha madhështore e të ardhmes së një kombi.

Por pikërisht te kjo anë praktike, tek këto diskutime, qëndronte thelbi. Zgjedhja e një shkronje përcaktonte çfarë librash mund të shtypeshin, kush mund t’i lexonte dhe nëse një tekst nga një krahinë do të gjente lexues në një karhinë tjetër. Historiani do të kujtonte kongresin; shtypshkruesit i duheshin shkronjat.

Ideja e Benedict Anderson-it për kombin si «bashkësi e përfytyruar» ndihmon të kuptojmë çfarë vihej në lojë. Njerëz që nuk do të takoheshin kurrë mund ta shihnin veten si pjesëmarrës në të njëjtën bisedë, duke lexuar të njëjtat lajme e duke debatuar për të njëjtën të ardhme. Në rastin shqiptar, një pjesë e mirë e botimeve që e ushqenin këtë bisedë shtypeshin jashtë vendit. “Kombi”, në njëfarë kuptimi, u shtypshkrua përtej kufijve përpara se pavarësia të shpallej brenda tyre.⁠

Një gazetë më e vjetër se shteti

Prandaj, në një mesazh përgëzues për Ditën e Pavarësisë drejtuar Diellit, Amerika duhet të jetë në qendër të rrëfimit. E themeluar në Boston nga shoqëria «Besa-Besën», gazeta nxori numrin e parë më 15 shkurt 1909. Federata Panshqiptare e Amerikës «Vatra» u shpall e formuar më 28 prill 1912, shtatë muaj përpara Pavarësisë; gjatë atij viti, Dielli u bë gazeta e saj. Numrat e hershëm të botuar në Boston ruhen në koleksionet e Bibliotekës së Kongresit.⁠[8]

Lexuesi i Diellit mban, pra, një lidhje me një institucion më të vjetër se shteti i pavarur shqiptar. Ky fakt e përmbys përfytyrimin e zakonshëm të diasporës që e merr identitetin nga një atdhe tashmë i formuar dhe ia shlyen borxhin duke dërguar para. E kundërta po ndoshte. Mërgimtarët po ndihmonin të ndërtoheshin institucionet publike të vendit që kishin lënë pas. Bostoni ishte një vend ku identiteti shqiptar po krijohej, po aq sa dhe po ruhej.

Kombi i Sotir Pecit i kishte paraprirë Diellit; Peci përfaqësoi Amerikën në Manastir. Vepra fetare dhe letrare e Nolit zgjeroi fushat e përdorimit të shqipes, ndërsa Faik Konica e bëri publicistikën dhe kritikën pjesë të një bisede/ diskursi kombëtar i cili zhvillohej në të dyja anët e Atlantikut. “Vatra” bashkoi shoqëri mërgimtarësh në një kohë kur e ardhmja politike e atdheut ishte thellësisht e pasigurt. Mërgimi i kishte shpërndarë njerëzit, por kishte krijuar edhe mënyra të reja bashkimi.⁠

Për të rinjtë shqiptaro-amerikanë, kjo histori e lehtëson barrën e një aritmetike të njohur të humbjes: “brezi i parë paska pasur një identitet të plotë, i dyti paska ruajtur një pjesë, ndërsa të tretit i paska mbetur vetëm teprica”. Ky përfytyrim harron dhe lë pas dore sa shumë iu desh brezit të parë të vetë-mësonte në mënyrë pothuajse autodidakte. Të flisje shqip nuk do të thoshte medoemos të ishe shkolluar në shqip. Mundësitë e pakta për arsimim në gjuhën amtare bënin që pas mërgimit të vinte edhe mësimi i shkrimit e i leximit, mbështetja e një gazete apo ndihma për ngritjen e një shkolle. Edhe të parët tuaj kishin çfarë të mësonin.

Kjo nuk e bën të parëndësishme humbjen e gjuhës. Ndryshon frymën me të cilën i qasemi asaj. Një pasardhës që i afrohet shqipes me pasigurinë e fillestarit mund të jetë më pranë përvojës së themeluesve sesa na lë ta kuptojmë portreti i tyre përkujtimor.

Çfarë bëri të mundur përkthimi

Përkthimi e përshkon këtë histori që në fillimet e saj. Buzuku solli tekste fetare në shqip; Dorëshkrimi Ungjillor i Elbasanit i shekullit XVIII, i datuar zakonisht më 1761, përcolli pjesë dhe parafrazime të Ungjijve me një alfabet të veçantë. Në shekullin XIX, Kostandin Kristoforidhi ia kushtoi zotësinë e vet filologjike Shkrimit të Shenjtë në gegërisht e në toskërisht. Dhiata e Re në përkthimin e tij toskërisht doli më 1879. Ishin vepra përkushtimi fetar, ndikimi i të cilave shtrihej edhe në zhvillimin e gjuhës së shkruar.⁠

Përkthimi shqip i këngës së parë të Iliadës nga Naim Frashëri, botuar më 1896, çeli një bisedë/ diskurs tjetër. Homeri i përkiste trashëgimisë klasike ku Europa e shekullit XIX mbështeste një pjesë të madhe të autoritetit të saj kulturor. Përkthimi i tij i vinte lexuesit shqiptarë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me këtë trashëgimi. Otelloja e Nolit, e botuar nga Vatra më 1916, e zgjeroi këtë ndërmarrje; më 1926 pasuan përkthimet e Hamletit, Jul Cezarit dhe Makbethit.⁠

Datat kanë rëndësi. Këto arritje nuk i paraprinë të gjitha Pavarësisë dhe asnjë qëllimi atdhetar nuk i shërbehet duke i vendosur gabimisht përpara vitit 1912. Historia më interesante është ajo e një zgjerimi që vazhdon. Pavarësia politike nuk e përmbylli punën për pavarësinë kulturore. Çdo brez trashëgoi një gjuhë që e kishte tashmë aftësinë të shprehte ndërlikimet e përvojës njerëzore dhe u dha lexuesve mundësinë të njihnin forma të tjera të saj.

Studiuesi i përkthimit Itamar Even-Zohar ka argumentuar se letërsia e përkthyer mund të zërë vend qendror në një letërsi që zhvillohet ose riorganizohet. Historia shqiptare i jep kësaj teze një trajtë konkrete njerëzore. Përkthyesit e saj, teksa i bënin të arritshme veprat e huaja, formësonin fjalorin, pritshmëritë letrare dhe shprehitë e leximit. Ata ndihmonin të krijohej një publik që mund të kërkonte më shumë nga gjuha e vet.⁠

Edhe folja shqipëroj, që do të thotë të përkthesh në shqip, duket sikur e ka vendin e natyrshëm në këtë rrëfim. Ajo na sjell ndër mend fjalën shqip, me të cilën emërtojmë gjuhën tonë dhe mënyrën si e flasim. Brian Joseph, duke ndjekur Eric Hamp-in dhe studiues të mëhershëm, shqyrton një etimologji që e lidh shqip me të folurit e kuptueshëm dhe, në prejardhje, me forma latine të lidhura me excipere. Kemi të bëjmë me një rindërtim shkencor, jo me ndonjë zbulim për karakterin kombëtar. Lidhja e dashur përfytyrimore mes shqiptarit dhe shqiponjës i përket një tjetër rrëfimi, atij poetik të identitetit.⁠

Poezia nuk ka pse të heqë dorë nga shqiponja e vet. As publicistika nuk ka pse ta paraqesë metaforën si filologji. Lidhja më e përkorë me të qenët i kuptueshëm ka mjaft bukuri më vete: brez pas brezi, përkthyesit kanë marrë përsipër punën e vështirë për ta bërë një botë të kuptueshme brenda një bote tjetër.

Rilindja u ushqye nga romantizmi europian dhe kultivoi rrëfime të prejardhjes së lashtë, përfshirë origjinën ilire dhe gjenealogjitë më hamendësuese pellazgjike. Edhe përfytyrimi epik i Fishtës do ta bënte botën legjendare të malësisë pjesë të letërsisë kombëtare. Dija shkencore nuk mund t’i vërtetojë një për një të gjitha pretendimet për prejardhjen. Por pasiguria për origjinat e largëta nuk ua pakëson aspak vlerën arritjeve të dokumentuara të mësuesve, shkrimtarëve dhe shtypshkruesve.⁠

Këto arritje kishin një natyrë qartësisht moderne. Shkolla kërkonte organizim; alfabeti kërkonte marrëveshje; gazeta kërkonte para, lexues dhe shpërndarje. Dashuria për gjuhën mund ta frymëzonte këtë punë, por nuk mund ta zëvendësonte.

Vështrimi nga Elbasani

Historianët e nacionalizmit na kanë tërhequr vëmendjen të mos e përfytyrojmë kombin modern si të formuar përfundimisht përgjatë gjithë shekujve që i paraprinë shtetit të tij. Eric Hobsbawm këmbëngulte tek kushtet historike në të cilat marrin trajtë kombet; Miroslav Hroch dallonte, në disa lëvizje europiane, një kalim nga interesimi studimor te mobilizimi atdhetar e më pas te përfshirja më e gjerë popullore. Shqipëria nuk mund të futet mekanikisht në këtë rend. Megjithatë, krahasimi na e kthen vëmendjen te puna që mbetet në hije pas metaforës së rehatshme të zgjimit.⁠

Vitet pas 1912-s nxorën në pah sa të forta mbeteshin lidhjet dhe besnikëritë vendore, fetare, osmane e dinastike. Trazirat e vitit 1914 kujtuan se një shpallje nuk mund t’i zgjidhte të gjitha çështjet e përkatësisë. Ta pranosh këtë do të thotë të kuptosh përmasën e misionit. Shkollat duhej të përgatitnin mësues; librat duhej të gjenin lexues; njerëz me besnikëri që përplaseshin duhej të bindeshin se kishin një të ardhme të përbashkët politike. Ndonjëherë, klasa ku fëmijët mësonin shqip na tregon më shumë për formimin e një kombi sesa fusha e betejës.

I shkruaj këto radhë nga Elbasani, ku ky vëzhgim merr një peshë të veçantë. Dorëshkrimi ungjillor që lidhet me qytetin ruan një përpjekje të hershme për ta shkruar shqipen. Vepra e Kristoforidhit u dha zë teksteve fetare në të dyja traditat kryesore dialektore. Shkolla Normale ndihmoi të formoheshin mësuesit nga të cilët varej përhapja e arsimit në gjuhën shqipe në të gjitha trevat shqipfolëse duke filluar hedhur në proces e sipër edhe bazat e njehtësimit. Krahas Mësonjëtores së Korçës, Kongresit të Manastirit dhe Famullisë së Nolit në Boston, këto institucione i përkasin vetë historisë politike, jo thjesht përgatitjeve të saj kulturore.⁠

Lef Nosi na zbulon një tjetër anë të kësaj historie. Delegat i Elbasanit dhe firmëtar i Aktit të Pavarësisë, ai u bë një mbledhës dhe botues i rëndësishëm dokumentesh historike, aktivist i kulturës, shtypit dhe veprimatrive mbarëkombëtare në gjuhën shqipe.

Nga Elbasani në Boston mund të ndiqet, pra, një udhë që kalon jo vetëm përmes mërgimeve, por edhe përmes teksteve: dorëshkrime e Shkrim i Shenjtë, libra për mësues e gazeta, dokumente e përkthime. Lëvizja ishte e dyanshme. Amerika priti mërgimtarë shqiptarë dhe u bë një vend prej nga kultura publike shqiptare kthehej e pasuruar.

Një gjuhë e përbashkët dhe e drejta për të qenë ndryshe

Arshi Pipa përshkoi një pjesë të mëvonshme të kësaj udhe. I lindur në Shkodër, i shkolluar në Itali, i burgosur nën komunizëm dhe më pas profesor në Shtetet e Bashkuara, ai e vuri përvojën shqiptare në bashkëbisedim me një botë më të gjerë intelektuale. Në studimin tim për veprën e tij kam argumentuar se përmasat kombëtare dhe ndërkombëtare të këtij përkushtimi duhen parë së bashku. Studimet për Montalen dhe shkrimet anglisht mbi letërsinë, kulturën dhe politikën shqiptare shprehnin të njëjtën aftësi për të lëvizur mes botëve.⁠

Kundërshtimi i ashpër i Pipës ndaj shqipes standarde duhet të mbetet pjesë e kësaj bisede. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 konsolidoi një standard të mbështetur kryesisht në toskërishte. Autoriteti politik i shtetit komunist përcaktoi mënyrën e zbatimit të tij, dhe historia e standardizimit, zbatimit, abuzimit shtetëror me të përfshiu edhe trysninë mbi traditën letrare të gegërishtes.

Por ajo mund të na e zgjerojë kuptimin e dinjitetit gjuhësor. Standardi mundëson komunikimin me një publik të gjerë; Në diktatura dhe në shtete që kanë në themel poshtërimin e dinjitetit njerëzor, institucionet që e zbatojnë mund edhe t’ua ulin statusin varieteteve të tjera. Respekti për gjuhën e përbashkët nuk kërkon përçmimin e dialektit. Dhe një popull, historia kombëtare e të cilit përfshin përpjekjen për njohjen e gjuhës së vet, ka një arsye më shumë për t’i marrë seriozisht variantet, dialektet dhe të folmet.

Këtu ka rëndësi edhe dallimi mes bashkësisë kulturore dhe shtetësisë. Shqipëria dhe Kosova kanë institucione shtetërore të veçanta. Kushtetuta e Kosovës e përkufizon atë si shtet të qytetarëve të saj dhe njeh shqipen e serbishten si gjuhë zyrtare. Ndërkohë, letërsia shqipe, lidhjet familjare dhe jeta kulturore shtrihen përtej atij kufiri, në bashkësitë shqiptare të Maqedonisë së Veriut e të Malit të Zi dhe anembanë diasporës. Njohja e kësaj jete të përbashkët nuk kërkon fshirjen e realiteteve shtetërore brenda të cilave ajo zhvillohet.⁠

Emërtimi historik i Vatrës si federatë panshqiptare na kujton shtrirjen gjeografike të kësaj bisede. Ai nuk duhet marrë si një formulë e plotë për kufijtë e sotëm. Në një sallë dasmash në Amerikë, një familjeje nga Korça dhe një familjeje nga Peja nuk u duhet ndonjë marrëveshje kushtetuese përpara se të hyjnë në të njëjtën valle. Afërsia kulturore mund të lulëzojë mes njerëzve me shtetësi të ndryshme.

As gramatikës nuk duhet t’i kërkojmë të na dhurojë një portret politik e psikologjik që na përkëdhel sedrën. Kontakti i gjatë i shqipes me gjuhë të tjera apo mundësitë shprehëse të mënyrës habitore nuk provojnë se folësit e saj lindin më tolerantë, më të aftë të përshtaten ose më kozmopolitë. Edhe pretendimi më i përgjithshëm se dygjuhësia sjell një epërsi të përgjithshme në funksionet ekzekutive, aftësitë që drejtojnë vëmendjen dhe kontrollin e veprimeve, është vënë në pikëpyetje nga shqyrtime të rëndësishme kërkimore. Arsyet për të mësuar gjuhë janë të shumta edhe pa premtuar se ato prodhojnë mendje më të epërme.⁠

Historia ofron një mbështetje më të qëndrueshme për këtë nxitje. Friedman dhe Joseph e hapin librin e tyre të vitit 2025, The Balkan Languages, me thënie që i shohin gjuhët si pasuri. Varianti shqip thotë: “Sa më shumë gjuhë të dish, aq më tepër vlen”. Ai shpreh një dëshirë për dije, të ushqyer në një rajon ku kontakti mes gjuhëve ka qenë i vazhdueshëm. Vlera e tij qëndron te ajo që i nxit njerëzit të bëjnë.⁠

Brezat që mund t’ia nisin sërish

Pasardhësit e mërgimtarëve e dinë se jo çdo pjesë e trashëgimisë përcillet me të njëjtën forcë. Mbiemri mund të mbetet aty ku gjuha është tërhequr. Ushqimi, muzika, kisha apo xhamia, mbledhjet familjare dhe Dita e Pavarësisë mund ta ruajnë fuqinë emocionale shumë kohë pasi anglishtja është bërë gjuha e tryezës. Koncepti i “përkatësisë etnike simbolike” i Herbert Gans-it dhe puna e Mary Waters-it mbi zgjedhjet e identitetit etnik ndihmojnë të kuptojmë se si përkatësia mund të vazhdojë përmes formash që përzgjidhen dhe ndryshojnë. Gjuha amtare nuk është as pashaportë, as test ADN-je për të provuar identitetin. Këto mënyra nuk janë të njëjta për të gjitha grupet e mërgimtarëve dhe as të shkëputura nga pabarazitë, por e vënë në dyshim idenë se kultura mbijeton vetëm duke mbetur e pandryshuar.⁠

Një i ri shqiptaro-amerikan që di pesëdhjetë fjalë shqip nuk jeton në botën gjuhësore të stërgjyshit. Diçka me vlerë ka humbur dhe vetëm ndjenja nuk mjafton për ta rikthyer. Por kjo nuk e bën atë të rremë në përkatësinë e tij. Zotërimi i gjuhës është një arritje për t’u nxitur, jo një prag poshtë të cilit dashuria, kujtesa dhe pjesëmarrja shpallen të pavërteta.

Edhe përvoja e arvanitëve në Greqi na paralajmëron të mos e nxjerrim automatikisht kombësinë nga gjuha: trashëgimia gjuhësore shqiptare mund të bashkëjetojë me identifikimin kombëtar grek. Në të kundërt, një pasardhës që flet kryesisht anglisht mund t’i përkushtohet në mënyrë të qëndrueshme jetës kulturore shqiptare. Përkatësia ka historinë e vet, por përfshin edhe vendimet që merren në të tashmen.⁠

Një vendim i tillë u bë i dukshëm në Harvard, në pranverën e vitit 2023, kur, edhe falë këmbënguljes së studentëve, në programin mësimor u përfshi një kurs fillestar i shqipes. Harvard Magazine rrëfeu përvojën e Edona Cosovic-it, e cila ishte rritur duke folur shqip në shtëpi, ndërsa anglishtja zinte gjithnjë e më shumë vend në jetën e saj të përditshme. Eva Stathi Misho, e cila ndihmoi për hapjen e kursit, e shpjegoi rëndësinë e tij me një thjeshtësi të rrallë: “ne ekzistojmë [dhe] kemi një gjuhë”.⁠

Në këto fjalë ndihet një jehonë e Bostonit të vitit 1908. Rrethanat ndryshojnë, por dëshira që gjuha jote të njihet mbetet e afërt. Një kurs universitar nuk u jep përgjigje të gjitha vështirësive të përcjelljes së gjuhës. Ai dëshmon se gjuha mund edhe të mësohet e të rifitohet, jo vetëm të humbasë.

Këtë mundësi do të doja t’u sillja përpara lexuesve të rinj të Diellit në këtë 114-vjetor. Të parët tuaj ndihmuan të mbaheshin gjallë gazeta, bashkësi fetare dhe shoqëri përpara se Shqipëria të kishte një shtet të vetin të qëndrueshëm. Disa prej tyre ende po mësonin ta shkruanin e ta lexonin gjuhën, së ardhmes së të cilës po i shërbenin. Në atë që ju lanë bën pjesë edhe shembulli i njerëzve të gatshëm për t’u bashkuar e për të çuar më tej një punë ende të papërfunduar.

Nuk keni pse të shtireni sikur jetoni më 1912 për ta vazhduar atë punë. Jeni amerikanë; shumë prej jush mendoni, ëndërroni dhe dashuroni në anglisht. Disa keni prindër nga Kosova, disa vetëm një gjysh a gjyshe shqiptare, të tjerë i njihni vallet më mirë se gramatikën. Asgjë nga këto nuk ndreqet duke luajtur rolin e një vetveteje që historia nuk e lejon më. Pyetja e dobishme është çfarë zgjidhni të bëni të mundur sot.

Një gjuhë mund të mësohet në nëntëmbëdhjetë vjeç ose të rizbulohet në pesëdhjetë. Një histori familjare mund të regjistrohet sa kohë është ende dikush që e di. Një gazetë, e njohur fillimisht përmes përkthimit, mund të lexohet një ditë në shqip. Fëmija që i përgjigjet gjyshit në anglisht mund të vendosë më vonë t’ia japë një brezi tjetër fjalët që dikur i mungonin vetë. Zgjedhje të tilla kërkojnë kohë dhe mbështetje. Ato bëhen më të lehta kur institucionet të presin me mirëseardhje, në vend që të të marrin në provim.

Shembulli i themeluesve kërkon këtë bujari, të shoqëruar me përpjekje. Mësoni të tjerët, përktheni, mbështetni një kurs, mbani gjallë një gazetë.

Shpjegojani Shqipërinë një lexuesi anglishtfolës me aq ndershmëri sa në rrëfim të ketë vend edhe për mosmarrëveshjet e saj; shpjegojani jetën amerikane të afërmve shqiptarë pa e lënë ndryshimin të kthehet në largim nga njëri-tjetri. Trashëgimia mbetet e gjallë kur pranon pyetje, po aq sa shprehje besnikërie.

Studimet anglisht të Pipës, Shekspiri i Nolit dhe Shkrimi i Shenjtë i Kristoforidhit sugjerojnë forma të ndryshme të së njëjtës përgjegjësi: të përcjellësh diçka të çmuar përtej një kufiri pa u shtirur sikur ai kufi nuk ekziston. Arritja e tyre ofron një model më të mirë për një të ardhme shumëgjuhëshe sesa çdo përfytyrim i pastërtisë kulturore.

Kur flamuri i kuq të ngrihet këtë nëntor në Vlorë e Tiranë, në Prishtinë e Tetovë, në Boston, Nju-Jork e Detroit, le të na kujtojë edhe sendet më të heshtura që ndihmuan ta bënin të mundur: një abetare, një gazetë, një faqe të përkthyer të Shkrimit të Shenjtë, një bankë shkolle. Flamuri mblodhi rreth vetes kërkesën për liri politike; gjuha kishte ndihmuar të bashkoheshin njerëzit që mund ta shtronin së bashku atë kërkesë.

Të rinjve shqiptaro-amerikanë që lexojnë këtë letër nga Elbasani do t’u thosha: mund të më përgjigjeni në anglisht. Edhe për atë përgjigje ka vend brenda një historie të formësuar nga njerëz që jetuan mes gjuhëve. Por jepini bisedës një udhë ku të vazhdojë. Lexoni një faqe të Nolit a të Naimit. Pyetni pse kjo gazetë është më e vjetër se shteti i pavarur. Zbuloni pse një bashkësi besimtarësh në Boston e kujtonte me lot dëgjimin e gjuhës së vet.

Dhe ndaluni te folja shqipëroj. Kuptimi i saj i zakonshëm është të përkthesh në shqip; ftesa më e gjerë që mund të lexojmë tek ajo është ta bëjmë një trashëgimi të kuptueshme, ta përcjellim në një jetë tjetër pa ia zbrazur kuptimin. Nëse çdo brez merr përsipër një pjesë të kësaj pune, vatra e ruan ngrohtësinë. Dhe “Dielli” ka përpara edhe një mëngjes tjetër.

Filed Under: Mergata

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË KONFERENCËN E AMBASADORËVE NË LONDËR SHIKUAR NGA KËNDVËSHTRIMI I DIPLOMACISË BULLGARE

November 17, 2026 by s p

Mehmet Prishtina/

Diplomacia bullgare gjatë dy dekadave të fundit të shekullit XIX dhe sidomos dekadën e parë të shekullit XX, angazhimin e saj e kishte përqëndruar në dy drejtime: t’i luftojë dy projektet e mëdha të Serbisë dhe Greqisë (Serbia e Madhe dhe Megalo Idea). Ndërsa, angazhimi tjetër ishte kryesisht në objektivat e politikës shtetërore për të ndjekur zhvillimet e çështjes së pazgjidhur shqiptare, e cila drejtpërdrejt kishte të bënte me revidimin e vendimeve të Kongresit te Berlinit, të cilat e ndanë Bullgarine e Shën Stefanit në tri pjesë: në Bullgarinë vasale, në një autonomi lindore të Rumelisë dhe pjesa e Maqedonisë– Odrinit, e mbetur në jurisdikcionin e Perandorisë Osmane. Duke u nisur nga fakti se pjesa e Maqedonisë kishte të bënte edhe me trojet etnike shqiptare, ndërsa shqiptaret konsideroheshin si popull me i vjeter i Ballkanit, por njëkohësisht edhe palë më e dobët kundrejt Serbisë e Greqisë, pikërisht për këto arsye diplomacia bullgare ishte shumë e interesuar për të ndjekur zhvillimet diplomatike të Fuqive të Mëdha rreth çështjes shqiptare në Ballkan.

Nga qarqet diplomatike bullgare liferoheshin informacione për kalkulimet diplomatike të shteteve ballkanike rreth krizës së mundshme që do të sjellte shkatërrimin e Perandorisë Osmane. Në këtë drejtim më 28 tetor të vitit 1911 në Sofje u takuan ministrat e Punëve të Jashtme të Serbisë, Millovanoviç dhe ai i Bullgarisë, Geshov. Në mes tjerash në këtë takim u diskutua edhe propozimi i grof. Arentall i cili kishte humbur çdo shpresë për rimëkëmbjen e Perandorisë Osmane dhe sipas tij për këtë arsye për të qetësuar Ballkanin, i domosdoshëm ishte formimi i shtetit autonom shqiptar. Në këtë takim rreth propozimit të grof. Arental për një Shqipëri autonome, do të prononcohet ministri Millovanoviç, i cili këtë propozim e shihte si rrezik të madh për shkak se në të parashikoheshin të hynin vilajetet e Manastirit dhe Kosovës dhe do të paraqiste rrezik për sllavët e Ballkanit nëse shqiptarët në kufijtë e tyre i kanë fqinj.

Për këto arsye Milovanoviç do t’i propozojë kolegut të tij Geshov që territoret e banuara me shqiptarë të ndahen kësisoji: pjesët jugore të Shqipërisë dhe Maqedonisë t’i takojnë Greqisë; ndërsa pjesa veri – lindore në vijën tokësore Bregallnicë – Veles – Durrës t’i takojë Serbisë dhe pjesa e mbetur t’i takojë Bullgarisë. Ndaj këtij propozimi ministri Geshov i ishte përgjigjur me gjuhën diplomatike se për këto çështje duhet diskutim më i gjërë. Ndërsa në qarqet e ndryshme politike në Bullgari theksohej se nëse gjatë bisedave Shkupi i lëshohet serbëve, atëherë bullgarët do të humbin çelësin e Maqedonisë.

Diplomacia bullgare edhe gjatë krijimit të aleancës ballkanike edhe pas Luftës së Dytë Ballkanike dëshironte t’i impononte aleancës ballkanike jetësimin e vendimeve të Shën Stefanit. Ndërsa, diplomacia serbe dëshironte të impononte vendimet e Bukureshtit, ku asaj i ishin bërë koncesione të mëdha edhe për territoret të banuara me shqiptarë.

Në këtë drejtim shumë shpesh diplomacia bullgare liferonte nëpërmjet shtypit bullgar propozime konkrete për qetësimin e situatës në Ballkan dhe evitimin e një lufte të mundshme gjithëpërfshirëse. Ky objektiv do të arrihej vetëm nëse Maqedonia fitonte autonominë, por vihet në dukje se kjo mund të arrihet vetëm nëse edhe Shqipëria e fitonte këtë autonomi të plotë.

Gjatë periudhës së fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare shpesh herë politika zyrtare dhe ajo akademike u sugjeronte popullatës maqedonase që të solidarizohen me kërkesat e shqiptarëve për të fituar lirinë e dëshiruar dhe vetëqeverisjen kombëtare, se këto zhvillime ishin edhe në favor të politikës bullgare. Aktivitet të jashtëzakonshëm zhvilloi edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Mal të Zi. Kjo politikë pozitive e ndjekur ndaj popullit shqiptar, do të ndërojë me përfshirjen e Bullgarisë në alencën ballkanike.

Diplomacia bullgare kishte informacione të duhura për zgjerimin gjithnjë e më shumë të Lëvizjes kryengritëse në verën e vitit 1912 si dhe disponimin gjithëpopullor kundër regjimit xhonturk, gjë që ka ndikuar që çështja shqiptare të ngritet si problem evropian që dëshiron zgjidhjen përfundimtare.

Këto ngjarje në trojet etnike shqiptare i përcillte me interesim të madh diplomacia bullgare dhe i vlerësonte si shumë serioze, me një karakter të thellë revolucionar e gjithëpopullor. Për faktin se në krye të saj ishin vënë ish deputetët e Parlamentit osman dhe prijës të Lëvizjes Kombëtare: ish deputeti i Prishtinës, Hasan Prishtina, i cili në shtypin bullgar paraqitej me virtyte të larta kombëtare, i qëndrueshëm dhe intelegjent. Diplomacia bullgare ishte shqetësuar me hyrjen e kryengritësve shqiptarë në Shkup dhe i kishte kushtuar rëndësinë e veçantë duke theksduar se synimet e Shqipërisë Autonome kishin qenë që ajo të shtrihet që nga bregdeti Adriatik, deri te rrjedha e majtë e lumit Vardar, me Shkupin duke vazhduar më poshtë në Selanik. Me këto synime të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, cënoheshin interesat e shteteve ballkanike dhe sipas diplomacisë bullgare këtu qëndrojnë arsyet për përshpejtimin e vënies në funksion të alencës ballkanike.

Konferenca e paqës në Londër ishte thirur për të qetësuar shtetet e Aleancës Ballkanike dhe për të orientuar për lidhjen e një marrëveshje për kufijtë e Ballkanit pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Apetitet territoriale të shteteve Ballkanike ishin rritë pas ngadhënjimit në Luftën e Parë Ballkanike dhe ishin paraqitur mosmarrëveshjet për definimin e kufijve. Nga ana tjetër mosmarveshjet e shteteve ballkanike, kishin shqetësuar Fuqitë e Mëdha se konflikti mos po merte përmasa evropiane, këtu qëndronte arsyeja pse u thir Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Sepse Fuqit e Mëdha nuk ishin të përgatitura për një konfliktë me përmasa botërore.

Më 31 marsë 1913, qeveria bullgare i ishte përgjigjur notës serbe nga 1 shkurti, ku kategorishtë hedhi poshtë kërkesën serbe për revidimin e marrëveshjes ushtarake për formimin e Aleancës ballkanike. Dy ditë më herët ( 29 marsë ) autoritetet ruse, i propozuan Serbisë se me kërkesat e saja maksimale do të humbë mbështetjen e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.Nikolla Pashiqi i ishte përgjigjur autoriteteve ruse se “ Shteti i Serbisë nuk do të lejoi asnjëherë që Bullgaria të kufizohej me Shqipërisë edhe me çmimin e humbjes së simpative të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër “.

Në Konferencën e ambasadorëve në Londër, diplomacia ruse ishte shumë e shqetësuar për shkak se ajo kishte investuar në krijimin e aleancës sllave të Ballkanit për të ngadhënjyer ndaj Perandorisë Osmane dhe pas Luftës së Parë Ballkanike ndërmjet tyre kishin filluar përplasje të mëdha për territore. Bullgarët dhe grekët u zunë për shkak të Selanikut, serbët dhe bullgarët për shkak të vijës kufitare të Vardarit dhe kufijve të Shqipërisë. Diplomacia ruse shqetësohej për konfliktin ndërmjet shteteve ballkanike, sepse informacionet që dispononte ajo tregonin se Austro – Hungaria stimulonte përçarjen e aleancës ballkanike, si element kyç për të realizuar ndikimin e saj në Ballkan. Problemi do të kulmon për territorin e Maqedonisë që asaj kohe (pjesa dërmuse ishin territore që i përkisnin vilajeteve të Manastirit dhe Kosovës që ishin të banuara me shumicë shqiptare ) ishte mollë sherri ndërmjet Bullgarisë që i vlerësonte si territore të saj kundrejt Serbisë dhe kjo do të jetë arsyeja kryesore që në qershor të vitit 1913 të fillojë Lufta e Dytë Ballkanike.

Në fillimet e punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër diplomacia bullgare kishte për synim të realizojë qëllimet e saj territoriale në Vilajetin e Kosovës dhe Manastirit. Për realizimin e këtyre synimeve mbështetjen më të madhe e kishte tek diplomacia ruse. Me marrëveshjen e Bukureshtit më 10.gusht të vitit 1913, Serbia jo vetëm që e morri territorin kontestues që ishte pikë e marrëveshjes për lidhjen e Aleancës Ballkanike, por edhe Greqia morri një territor të madhë të Bullgarisë. Diplomacia bullgare pas Luftës së Dytë Ballkanike kërkonte nga shqiptarët një aleancë kundër Serbisë dhe Greqisë, duke lënë përshtypje se ata janë të gatshëm të bëjnë kompromis sa i përket kufijve me shqiptarët. Ndërsa, diplomacia serbe dëshironte të impononte vendimet e Bukureshtit, ku asaj i ishin bërë koncesione të mëdha edhe për territoret e banuara me shqiptarë.

Pasi Serbia kishte ngadhënjyer në Luftën e Dytë Ballkanike, përveç që forcohet pozicioni i saj në Konferencën e ambasadorëve në Londër, asaj i hapej rrugë për të realizuar synimet shekullore për të okupuar territorin e luginës së lumit Vardar dhe të kufizohej me Greqinë. Me këto synime drejtpërdrejt cenoheshin trevat lindore të banuara me shqiptarë, po ashtu dobësohej ndikimi Austro – Hungarez në Ballkan si dhe ngulfateshin edhe shpresat e Bullgarisë për të jetësuar projektin e Shën Stefanit. Për tu rikthyer në synimet e saj në Maqedoni, qeveria në Sofje mbështeste në mënyrë aktive lëvizjen nacionaliste maqedonase, që dëshironte bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë. Lufta kundër Serbisë ishte objektivi i parë i kësaj aleance. Por për ta bërë sa më të fuqishme këtë aleancë duheshin zgjeruar radhët e saj dhe shqiptarët ishin të prirur për tu bashkuar me të gjitha forcat që kundërshtonin Serbinë dhe u premtonin atyre rikthimin e territoreve etnike shqiptare të Vilajetit të Manastirit dhe atij të Kosovës.

Ngjarjet dhe veprimit të kryengritjes së shtatorit, e cila në çarçet diplomatike vlerësohej si Lufta e Tretë Ballkanike, e cila kishte për synim që të bëjë presion deri te Konferenca e Ambasadorëve në Londër për të rishiku vendimet e mëhershme për kufijtë, që ishin në dëm të çështjes shqiptare dhe bullgare. Situata do të ndryshonte, kurë ushtria serbe kishte shuar kryengritjen shqiptare në Maqedonin Perëndimore.

Zhvillimet në terren i shkonin përshtati Serbisë dhe Rusisë, por ishin tepër negative për Austro – Hungarinë dhe Italinë. Sishte i rastësishëm që në fundë të nëntorit 1913 përfaqësuesi i Vjenës në Sofje u autorizua që tu deklaronte autoriteteve bullgare se ishte në interesin e Bullgarisë që të mos u jepte përkrahje manovrave të drejtuara kundër personalitetit të Princ Vidit, se ajo kishte një interes të natyrshëm që Shqipëria të bëhej një faktor, i cili duhej të llogaritej në të ardhmen në Ballkan. Ndërsa në fillim të dhjetorit Vjena e Roma bënë demarshe edhe te kryeministri Radosllavov dhe te ministri i Jashtëm për të ndalur stimulimin e veprimeve të grupeve të armatosura shqiptaro – bullgare.

Filed Under: Histori

Prania historike ilire-arbërore-shqiptare në emisionet postare të Malit të Zi

November 17, 2026 by s p

Besnik Fishta

Pullat postare nuk përbëjnë thjesht mjete administrative për pagesën e dërgesave postare; ato funksionojnë si mikro-monumente të kujtesës kolektive, historiografisë zyrtare dhe identitetit shtetëror të një kombi. Nëpërmjet emetimeve të saj ndër vite (2006-2026), Posta e Malit të Zi ka ndërtuar një narrativë të pasur vizuale që synon të kristalizojë themelet e shtetësisë, trashëgiminë kulturore dhe vazhdimësinë historike të vendit.

Megjithatë, një vëzhgim i kujdesshëm dhe i paanshëm i kësaj pasurie filatelike zbulon një fenomen të dukshëm dhe domethënës: në asnjë rast, në tematikat, mbishkrimet apo imazhet e pullave të Malit të Zi, nuk përmenden drejtpërdrejt apo te nenkuptuar termat “Ilir” apo “Arbër”, edhe atëherë kur motivet e paraqitura i përkasin pikërisht këtyre periudhave apo figurave të lidhura ngushtë me to. Një qasje e tillë, që anashkalon emërtimin e substratit të lashtë ilir dhe të trashëgimisë arbërore, nuk është shkencërisht e ndershme. Në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, ku historia e popujve është e ndërthurur prej mijëvjeçarësh, egoizmi historiografik nuk i shërben së vërtetës; përkundrazi, njohja dhe nderimi i fqinjit , në këtë rast të Shqipërisë dhe të trashëgimisë shqiptare, është një akt pjekurie kulturore dhe shkencore.

Ky vështrim analitik, i ndërmarrë për herë të parë nga një perspektivë hulumtuese shqiptare, nuk synon të bjerë në grackën e një fryme nacionaliste apo ekskluziviste. Përkundrazi, qëllimi i tij është t’i japë publikut dhe studiuesve të filatelisë sqarimet e nevojshme historike, duke vënë në dukje me argumente të ftohta shkencore se pas shumë imazheve të emetuara nga Mali i Zi qëndrojnë pikërisht shqiptarët dhe paraardhësit e tyre iliro-arbërorë.

1. Nga Duklja te Kalaja e Medunit

Narrativa filatelike e Malit të Zi e ka mbështetur shpesh ndërtimin e identitetit të saj historik te shtresimet e lashta të qytetërimit, duke u përpjekur të lidhë antikitetin me themelet e shtetësisë moderne malazeze, por duke lënë në hije përkatësinë etnike ilire të këtyre qendrave.

                                              Qyteti antik i Duklës (Doclea) – Emetimi i vitit 2010 

Në këtë seri kushtuar trashëgimisë, paraqitet një reliev arkeologjik nga qyteti i lashtë i Duklës, i vendosur në bashkimin e lumenjve Zeta dhe Morača, pranë Podgoricës së sotme. Historiografia zyrtare e përdor Duklën, e cila në antikitetin e vonë ishte si pikënisje të gjenezës shtetërore të Zetas mesjetare. Megjithatë, publikut duhet sqaruar se vetë emri Doclea buron nga fisi i lashtë ilir i docletëve, të cilët e themeluan dhe e banuan këtë trevë shekuj përpara ardhjes së sllavëve. Të flasësh për Duklën duke fshirë emrin e ilirëve do të thotë të paraqesësh një godinë pa themelet e saj reale.

                                          Kalaja e Medunit ; Emetimi i 14 Nëntorit 2019 

Në kuadër të serisë “Trashëgimia Historike”, pulla paraqet kalanë e Medunit në rajonin e Kuçit. Ky monument ka një rëndësi kapitale për historinë e ilirëve dhe shqiptarëve: në antikitet ai njihej si qyteti ilir Meteon, një nga qendrat kryesore të fisit ilir të Labeateve dhe vendstrehim mbretëror i mbretit të fundit ilir, Genci. Edhe pse në pullë paraqitet thjesht si “trashëgimi historike”, rrënjët e tij janë tërësisht ilire. Për më tepër, vetë Meduni është i lidhur me figurën e Marko Miljanovit, i cili në veprat e tij dokumentoi me respekt besën, zakonet dhe virtytet e fiseve fqinje shqiptare të Malësisë (Kuçit, Kelmendit, Hotit), duke dëshmuar bashkëjetesën e ngushtë në këtë hapësirë.

                                     Edikti i Milanit dhe Kostandini i Madh : Emetimi i 21 Qershorit 2013

 Pulla  përkujton 1700-vjetorin e Ediktit të Milanit  me bustin e Perandorit Kostandin. Edhe këtu kemi të bëjmë me një trashëgimi të përbashkët të hapësirës ilirike-romake të Ballkanit (vetë Kostandini lindi në Nish të Dardanisë antike), e cila solli lirinë e besimit të krishterë në të gjithë provincat ilire, përfshirë Prevalitanën dhe Epirin.

 2. Rasti i Balshajve

Një nga pikat më të ndjeshme dhe më të debatueshme në emetimet filatelike të Malit të Zi lidhet me trajtimin e dinastisë mesjetare të Balshajve, të cilëve Posta e Malit të Zi u ka kushtuar disa emetime të rëndësishme:

                                    Emetimi i 15 Korrikut 2010 : Kushtuar 650-vjetorit të Dinastisë së Balshajve.

Emetimi i 27 Shkurtit 2012 : Kushtuar 650-vjetorit të fronëzimit të Gjergj I Balshës, ku spikat stema heraldike me përkrenaren dhe mburojën e kuqe, si dhe emri në cirilikën e vjetër (БАЛШИЋ).

Emetimi i 12 Nëntorit 2012 : Në pullën e serisë “Trashëgimia Historike” kushtuar Betejës së Tuđemilit (viti 1042), në cepin e poshtëm majtas vendoset sërish stema e Balshajve, duke krijuar një lidhje vizuale mes shtetit të hershëm të Duklës dhe sundimit të Balshajve.

Në këtë pikë lind domosdoshmëria për një sqarim të prerë shkencor: Interpretueshmëria e dyanshme e historiografisë: Historiografia shqiptare e ka ndërtuar me baza të shëndosha historikun e Balshajve, duke i konsideruar ata si një derë fisnike me origjinë arbërore. Këtë e vërtetojnë dokumentet e Republikës së Venedikut, zotërimet e tyre kryesore të shtrira në trojet shqiptare (Shkodra, Ulqini, Lezha, Prizreni, Peja, Berati, Vlora), si dhe lidhjet e ngushta të gjakut dhe aleancat martesore me familjet më të mëdha fisnike arbërore si Topiajt, Muzakajt, Dukagjinët dhe Kastriotët. Nga ana tjetër, historiografia malazeze dhe serbe i trajton ata si dinasti vendase të Zetës apo serbe, duke u mbështetur te donacionet e tyre për manastiret ortodokse dhe përdorimi i sllavishtes kishtare në dokumente.

E vërteta mesjetare dhe ndershmëria shkencore: Në shekujt XIV–XV (1360–1421), kombet në kuptimin modern nuk ekzistonin; Balshajt qeverisnin një popullsi të përzier arbërore, sllave dhe vllahe. Përpjekja e historiografisë malazeze për t’i paraqitur Balshajt në pullat postare ekskluzivisht si themelues të shtetësisë së tyre, duke fshirë plotësisht dimensionin e tyre arbëror, nuk është shkencërisht e ndershme. Faktet historike dhe gjeografia e pushtetit të tyre dëshmojnë se kjo dinasti është pjesë organike e historisë së Arbërisë dhe një urë lidhëse mes dy popujve. E njëjta lidhje dinastike vërehet edhe te pulla e vitit 2015 kushtuar kalasë së Soko Gradit dhe pulla e vitit 2022 kushtuar Manastirit të Praskvicës, i rimëkëmbur nga Balsha III), të cilat lidhen me familjen e Crnojević-ëve, që ishin të lidhur ngushtë me krushqi me familjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

 3. Gjurmët e Përbashkëta Kulturore, Fetare dhe Etnografike në Tematikat e tjera

Përtej antikitetit dhe dinastive mesjetare, një vështrim i zgjeruar në katalogun filatelik të Malit të Zi zbulon një sërë tematikash të tjera, nën tituj të përgjithshëm si “Trashëgimia Historike”, “Arti Malazez ndër Shekuj” apo “Mbrojtja e Mjedisit”, ku pas imazheve qëndrojnë drejtpërdrejt shqiptarët, trevat e tyre autoktone dhe kultura e tyre materiale:

                                                  Qyteti mesjetar i Shasit : Emetimi i 12 Nëntorit 2014 

Në serinë “Trashëgimia Historike”, pulla paraqet rrënojat madhështore të qytetit antik dhe mesjetar të Shasit, pranë Ulqinit. Shasi ndodhet në zemër të rajonit të Anës së Malit, një trevë me popullsi të pastër autoktone shqiptare. Në mesjetë, Shasi ishte një qendër e rëndësishme ipeshkvnore katolike e hapësirës arbërore bregdetare, e cila u shkatërrua nga pushtimet mongole e osmane. Paraqitja e tij në pullë është një dëshmi e gjallë e qytetërimit mesjetar shqiptar në bregdetin e Adriatikut.

                                                   Burimet e Ali Pashës : Emetimi i 27 Majit 2016 

Nën tematikën “Mbrojtja e Mjedisit”, kjo pullë paraqet peizazhin e mrekullueshëm të Burimeve të Ali Pashës pranë Gucisë, në rrëzë të Alpeve Shqiptare. Këtu lidhja me shqiptarët është e dyfishtë: gjeografikisht, Plava dhe Gucia janë treva historike shqiptare; ndërsa historikisht, vetë emri i burimeve mban emrin e Ali Pashë Gucisë, njërit prej figurave më të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe udhëheqësit të rezistencës shqiptare për mbrojtjen e trojeve etnike në shekullin XIX.

                                             Xhamia e Mbretit në Plavë : Emetimi i 2 Nëntorit 2022 

Në serinë “Arkitektura Historike”, pulla pasqyron Xhaminë e Sulltanit në Plavë, të ndërtuar në vitin 1471 me arkitekturë karakteristike prej druri. Ky monument përfaqëson trashëgiminë shpirtërore dhe arkitekturore të komunitetit autokton shqiptar të krahinës së Plavë-Gucisë.

                                     1000-vjetori i Vladimirit dhe Kosarës : Emetimi i 10 Nëntorit 2016 

Kjo pullë përkujton kultin e Shën Gjon Vladimirit dhe Kosarës. Në realitetin historik të rajonit, kulti i këtij shenjtori ka qenë një pikë takimi ndërfetare dhe ndëretnike; eshtrat e tij u ruajtën dhe u nderuan për shekuj në krahinën e Tivarit dhe në Shqipërinë e Mesme (Manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan), duke u mbrojtur nga familje fisnike shqiptare dhe duke dëshmuar një traditë të përbashkët shpirtërore.

Kultura Materiale dhe Etnografia : Qemeri dhe Veshjet Popullore (2013, 2015)

Në serinë “Arti në Malin e Zi ndër Shekuj” (5 Shkurt 2015), pulla paraqet Qemerin, brezin tradicional prej argjendi të punuar me filigran dhe gurë të çmuar. Po ashtu, në serinë e vitit 2013 paraqiten detaje të veshjes popullore. Ndonëse si vende fqinje është e natyrshme të kemi ngjashmëri në veshje dhe stoli, nuk mund të mohohet fakti se mjeshtëria e filigranit dhe e argjendarisë kishte si qendra kryesore qytetet shqiptare si Shkodra, Prizreni, Peja dhe Gjakova, të cilat furnizonin gjithë tregun e Ballkanit Perëndimor, përfshirë oborret dhe tregjet malazeze. Të pranosh këtë ndikim dhe shtrirjen e gjerë të elementit iliro-arbëror në veri nuk e zbeh kulturën fqinje, por e pasuron kuptimin e saj.

Përfundim: Domosdoshmëria e ndërtimit të urave miqësore nëpërmjet filatelisë

Vështrimi i hollësishëm i emetimeve filatelike të Malit të Zi dëshmon se historia e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndahet me thikë në ndarje sterile e të izoluara. Qoftë te rrënjët antike ilire të Duklës e Medunit, qoftë te dinastia arbërore-rajonalë e Balshajve, e deri te monumentet dhe peizazhet e Shasit, Tivarit, Plavës e Gucisë, prania e shqiptarëve dhe e paraardhësve të tyre iliro-arbërorë është e gdhendur në vetë themelet e kësaj trashëgimie.

Heshtja ose shmangia e qëllimshme e termave “Ilir” dhe “Arbër” në katalogët dhe mbishkrimet e pullave postare është një mangësi që kërkon reflektim. Historiografia dhe institucionet kulturore nuk duhet të veprojnë me egoizëm kombëtar, sepse e vërteta shkencore nuk cenohet duke nderuar fqinjin; përkundrazi, ajo fiton dinjitet dhe besueshmëri.

Në shekullin XXI, filatelia duhet të kapërcejë rolin e saj të vjetër si mjet i monopolizimit historik dhe të shndërrohet në një urë miqësore ndërmjet popujve. Një qasje e hapur, ku tematikat filatelike pasqyrojnë me ndershmëri kontributin e secilit popull, do të krijonte hapësira të reja për mirëkuptim, respekt reciprok dhe bashkëjetesë paqësore midis Malit të Zi dhe Shqipërisë. Emetimet e ardhshme, pse jo edhe emetime të përbashkëta filatelike midis dy administratave postare për figura, monumente apo vlera të përbashkëta, do të ishin dëshmia më e bukur se kultura dhe historia janë pasuri që na bashkojnë dhe jo kufij që na ndajnë.

Filed Under: Analiza

Refleksion për një libër tërheqës

November 17, 2026 by s p

Aristotel Mici/

Libri  “Porosia e Kullës”, i shkrimtarit  Pashko Camaj, që në fillim kish  titullin  “Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane”, më ka tërhequr dhe më ka  bërë aq shumë përshtypje, sa  e ndjeva  të nevojshme  ta rilexoja me laps në dorë për të shënuar episode  dhe detaje tepër mbresëlënëse. Në përmbajtjen e këtij libri lexuesi gjen pamje  origjinale nga jeta e përditshme rreth vëllezërve shqiptarë  të Malsisë së Madhe , të cilët padrejtësisht historia i ka ndarë nga atdheu, duke ua lënë ato vise  Malit të Zi.                                                   Ekspozicioi  i veprës shtrihet në trevën e Malësisë së Madhe, mbi Liqenin e Shkodrës, që përfshin  Hotin, Grudën, Trieshin, Tuzin  e deri në Dubravë. Edhe ndërtimi subjektor i librit ka specifikën e vet në llojin e shkrimeve letrare, se vepra është shkruar  dhe rrëfyer në vetë të parë. Pra, autori i veprës, Pashk Camaj, është bir i  krahinës  që rrëfen dhe për më tepër është jo vetëm shkruesi, po  edhe protagonisti në libër,  gjë që shton interesin tonë për të parë ngjarjet natyrshëm dhe  me origjinalitet.

Shkrimtari ka pëlqyer që topikun e veprës ta  vendos  në një kullë të  Malësisë së Veriut , si është ajo e gjysh Pjetrit dhe e babës se tij Rrokut . Kështu që “Kulla” imagjinare, që shkrimtari ka  hartuar me fantazi është pasqyrë e Kullës, ku është lindur dhe rritur  ai vetë, atje te trualli i quajtur “Spi”- (f.105). Dhe që duhet ta nënvizojmë se kjo tokë është  pjesë autentike e Malësisë  së Madhe, e banuar prej shekujsh prej shqiptarëve, të cilët shtëpitë e tyre i quanin “kulla”, duke i konsideruar ato si strehë të shenjta dhe që kurrë nuk duhej të braktiseshin. Ashtu mendojnë edhe familjarët e kullës së  Pjetrit, gjyshit të Camajve, i cili kish porositur  të bijtë se ”për kullën  nuk vdiset, për kullën jetohet” . Madje u kishte thënë se derisa ata po përballeshin me dilemën e madhe,  ajo kullë nuk guxon të  shuhet, se kjo kullë do  të japë burra që do t’ i njohë kombi. Kjo është porosia e ime, kjo është porosia e kullës, o bijtë e mi”. (f.220).   Pra bindja për të mos e  braktisur kullën ishte veti e ndjenjës së  shqiptarizmit të Malësisë  së Madhe. Rreth kësaj psikologjie atdhetare të malësorëve, shkrimtari Besnik Mustafaj shkruan në parathënie të këtij libri: “Në jetën e shqiptareve të  Veriut,  kulla është  njëherësh një simbol i rëndësisë së veçantë dhe i një realiteti konkret. E tillë shfaqet ajo edhe në jetën e Pashko R. Camajt”.

Po në vitet  ’60- 70 të shekullit të kaluar në trevat e malësisë së  Madhe u shfaq një  prirje  për t’u larguar nga trojet e të parëve, duke shpresuar një jetë më të mirë në dhe të huaj. Kësaj  fryme psikologjike i jepte shkas varfëria ekonomike, po edhe  synimi nacionalist i  regjimit  serbo-malazez, që synonte shpopullimin  e  banorëve  shqipfolës të zonës, që shoqërohej me diskriminimin gjuhësor edhe krahinor, që mbështetej edhe nga pikëpamjet shoveniste antishqiptare të studiuesit serb Çiubrilovic.                            

  Ndër kaq duhet të theksojmë se  dilema për largimin ose mos largimin nga kulla nuk doli si shtysë  e ndonjë romantiku të zbrazët ëndërrimtar. E vërteta është se popullata shqiptare e Malit të Zi shquhet për zellin në punën ngulmuese  për mbijetesë. Gjithë familjet e bashkësisë  etnike shqiptare, të mëdhenj e të vegjël, siç edhe përshkruhen në libër , i sheh në punë që kur lind dielli e deri sa perëndon, mirëpo jeta e banorëve të Malësisë për ditë bëhej më e vështirë. Ashtu edhe në kullën e Camajve, me gjithë përkushtimin dhe sakrificat për një jetë më të mirë, sundonte ndjenja e pasigurisë. Skenat e varfërisë me pamje të ndryshme i dallojmë edhe në jetën e përditshme të familjes së Rrok Pjetrit, duke nisur  që nga personazhi kryesor Pashku  dhe deri tek vëllezërit e motrat e tij, Shtjefni, Lezja, Hana, Nikolla, Frani  Drita, të cilët qysh në ditët e  tyre të miturisë  do të  kalonin  një fëmijëri  të ashpër në  kondita të vështira.   Ashtu edhe Pashku , fare i vogël do të vriste mendjen e do të përfshihej midis të tjerëve në punë sado të thjeshta. Një herë, kur po vraponte anës kopshtijeve, për të kapur gjinkallat, që këndonin, ai pa se të gjithë të tjerët punonin. Atëherë, pa i thënë askush, sado që ish çunak, la lodrat me gjinkallat dhe nisi të bënte punë  me  vlerë; të ujiste piperkat e  perimet e kopshtit, të kërkonte furriqet e pulave të fushës, për të mbledhur vezë për ditën e Pashkës, të mblidhte bostane që të ngarkohej karroca e shtëpisë, që do të shpinte prodhimet në qyet, si dhe t’i  shoqëronte vëllezërit tok me babën deri në tregun e Sarajevës. Qysh në fëmijëri, Pashku e  kuptoi  se për të çarë ne jetë duhej krahas punës dhe dituria; me zell të veçantë  bënte  tre kilometra rrugë për të ndjekur shkollën fillore, ku i jepte mësim  mësues Gjoka, që ishte  impozant dhe i ashpër.  “Sado që  shpesh na godiste me fshikull, ai dinte të jepte edhe lëvdata. Në mbledhjen e prindërve dhe të mësuesve, ai më lavdëroi, duke thënë se isha një nxënës i jashtëzakonshëm dhe se ishte kënaqësi të më kishte  një nga më të mirët e klasës. Shkëlqimi në fytyrën e babait tim, që tregonte se sa i lumtur ishte, më mbushi me krenari dhe gëzim…Një mësim që mora  nga ajo kohë ishte që të dalloja të mirën nga e keqja dhe të përpiqesha të mos mbaja mëri”.(f.25).

Pas shkollës fillore në fshat, Pashku do të ndiqte  edhe shkollën e mesme  ne gjuhën shqipe në Tuz. Dëshira për të mësuar edhe  shkollën e mesme në gjuhën amtare ka rëndësi të posaçme për ruajtjen e identitetit kombëtar për fëmijët e Malësisë së  Madhe; gjë që nuk ishte   e mundshme e njëjta gjë, kur ndiqje arsimin në klasë më të larta, siç do t’i ndodhte  Pashko Camait,  kur ish  student në shkollën e mjekësisë në Podgoricë. Si tregohet nga autori në libër, në lëndën e anatomisë profesoresha Maria e vlerësonte Pashkun me notat më të mira.   Po, ndryshe nga ajo u soll me djaloshin shqiptar pedagogu Çaviq, i cili e zëvendësoi  porf. Marien.  Qysh në orën e parë, tek po  lexonte emrat  e studentëve në faqen e regjistrit, ai vuri re se njëri  prej tyre, e kish mbiemrin pa prapashtesë sllave “-viq” në fund. “Atëherë profesori lexoi                                                     mbiemrin tim Camaj – shkrun në libër autori-  dhe më kërkoi me sy  teksa  u ngrita në këmbë.” “Ai ma përsëriti  edhe një herë  emrin, duke u përpjekur ta lidhte me notën ”5”, që kish vendosur Maria në kolonën e vlerësimit. Pastaj, kur nisi  të fliste për anatominë e kockave të kokës, m’u afrua tek isha ulur në bankë dhe më pyeti: “Si e ka emrin kjo kockë?” Dhe kur pa se  nuk po më kujtohej, më vlerësoi, duke thënë: “Ti ke një njësh” dhe e shënoi në regjistër pranë notës “5”    . 

Një sjellje e tillë  e profesor Caviqit  ndaj  një  studenti ishte e pazakontë, diskriminuese,  anti pedagogjike. Po Pashku qëndroi i palëkundur dhe u përpoq ta  fshihte poshtërimin, që iu bë. Ky ishte rasti i parë, që po ndeshej me realitetin tendencioz  të shkollës në Podgoricë  të Malit të  Zi. Kjo sjellje denigruese ishte fillimi i asaj  që do të shkaktonte marrjen e një vendimi disa kohë më vonë  në rrjedhën e jetës së këtij studenti shqiptar nga Malësia e Madhe, që ishte aq këmbëngulës dhe me synime të qarta për të fituar dije për vete, familjen dhe vendlindjen.

Rasti i dytë, i diskriminimit nacional do të ishte kur vetë  protagonisti librit do të gjendet  para shprehjeve ofenduese për kombin e tij shqiptar, siç është episodi në stacionin hekurudhor të Zagrebit, ku ndër të tjera  shkruhej: “Kosova dhe populli shqiptar në Jugosllavi janë zuzarët e fundit në atë vend .f. 152. “Për shumëkënd,  kjo mund ë mos ketë qenë surprizë,  por për mua ishte tronditëse. Mezi prita të kthehesha në tren dhe të ikja nga ajo urrejtje,” f.152, –  shkruan autori i lënduar  në subkoshiencën  e të riut student, që kërkon të gjejë veten në  atmosferën e trazuar të nacionalizmit pansllavist në ish Jugosllavinë e viteve  ’80 të shek. të kaluar. 

Zhgënjimin më të madh i riu student shqiptar, si banor i lindur në Mal të Zi, do ta përjetonte në përpjekjet e tij për të realizuar ëndrrën e vetë të rinisë, që të regjistrohej në fakultetin e mjekësisë. Si shumë të rinj Pashk Camaj dëshironte të bëhej mjek, t’u shërbente sa më mirë gjithë njerëzve të malësisë. Me mundësitë dhe sakrificat e tij  kishte dalë i shkëlqyer në shkollimin shqip si në fshat , po ashtu edhe në Tuz, ku kish kryer shkollën  e mesme në gjuhën amtare.  Ndër kohë  ai pat përfunduar edhe shkollën  mjekësore ne gjuhën  sërbe, me synimin që të konkurronte me dinjitet,  kur të aplikonte për të fituar të drejtën që të hynte në  fakultetin e mjekësisë. I sigurt dhe optimist për studimet e veta,  Pashku vendosi të nisej  drejt  universiteteve; fillimisht, preferoi  të shkonte në  universitetin e Prishtinës. Sapo shkeli atje, u  gëzua shumë se të gjithë flisnin shqip.  Pas përfundimit të testit,  i kish mbetur koha  për  të  pritur dhe parë  rezultatin. Studenti ish i bindur se  do të kish dalë mirë. Kaluan katër ditë të gjata- prit e prit.. Priste që  t’i të dilte  emri në lisën e radhës. Shikonte me ankth  e me padurim, po më kot. Emri i tij nuk dukej  gjëkundi, në asnjë nga listat që paraqiteshin.  Kur e kuptoi se nuk mori asnjë përgjigje, u dëshpëruar, dhe i mbushur me  një ndjenjë pesimizmi, u  largua me autobus nga Prishtina për në shtëpi. Ndjente kotësinë e jetës si njeri pa qëllim. Prandaj meditonte me vetvete: ”Duhet të kem qenë shumë i ri dhe naiv, për të kuptuar  se çfarë po ndodhte. Kuptimi i fjalës “nepotizëm“ ishte  për mua i panjohur atëherë, siç do të mësoja më vonë,  prej disa nga  baballarët, që lëviznin korridorit, për t’u dukur se ata ishin dikushi për bijtë e vetë, të cilët  kishin njohjet e tyre.”f.125. Pra studenti Pashk Cami, ende adoleshent, po përjetonte një gjendje shpirtërore më të trazuar dhe më të keqe se ajo që kishte kaluar me profesorin e anatomisë Çaviq në Podgoricë.                                                                                                                                         Nga këto qëndrime shpërfillëse studenti i ri po e ndjente veten  gjithnjë të lënduar.  Po, një ditë motra Drita, duke e parë të shqetësuar, e pyeti se pse ish aq  i dëshpëruar dhe atij iu ndesh t’i tregonte asaj arsyen  se pse ai as nuk qe regjistruar në universitet dhe as nuk po gjente dot punë.   Atëherë, motra i tha, me guxim   se ata  mund të shpëtonin nga papunësia, po të shkonin në Amerikë;  “dream of Amerika” – kështu thonë shumë të rinj sot… …Po atë çast atij iu kujtua  porosia e gjyshit për Kullën,  gjë që  e mundonte  në  subkoshiencë, duke ia shtua ndjenjën e dyzimit, të largohej a të mos largohej nga vendlindja. Po prej kësaj dileme psikologjike,  atë do ta çlironte shpirtërisht motra , me guximin e saj, e cila,  siç gjykonte ai, e “lexonte” vëllan pa folur, me faktin se ajo ishe  binjake me atë dhe ndoshta kishin lidhje telepatike.  Dhe kështu ata të dy, Pashku dhe Drita, të çliruar nga  ndjenja e “fajësisë” se po braktisnin kullën, vendosën të largoheshin drejt Amerikës, vendi ku kishte liri dhe ku mund t’i kthenin ëndrrat në realitet. Kur mbërritën në Amsterdam, u ndihmuan prej një të njohuri, kundrejt  një shume të mirë dollarësh, që të fluturonin në Meksiko Siti , që nga do të kalonin  pastaj kufirin, për në SHBA, pa dokumente, të fshehur brenda në bagazhin e një veture të madhe amerikane. Pas kalimit të kësaj “aventure” vërtet të rrezikshme, në kufi, ata të dy, Pashku dhe Drita  do të ndodheshin, në San Diego, në tokën e dëshiruar të Amerikës, qiellin e së cilës do ta përshkonin  me aeroplan  përmes shtetit të                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               Miçiganit, në zemër të Amerikës, ku po i priste Frani, vëllai i Pashkut me  gruan e tij Dusha.   

                       *    *   *

                                                                                                                                                   Ashtu, Pashk Camaj u fut në Amerikë që të përmbushte dëshirën e vetë  të  hershme,   pra që të bëhej  doktor,  kjo ishte një  ëndërr e madhe për një  imigrant fillestar. Mirëpo  Pashku nuk trembej para vështirësive.  Të nesërmen e ardhjes në Amerikë  ai u punësua te  kunati, që kishte një kompani për lyerje. Pa humbur kohë u regjistrua edhe në autoshkollë  për patentën e shoferit, pa vonesë vrapoi te kursi i gjuhës angleze  për të huaj.…Pas pesë vjetësh studenti  Pashk  Camaj kishte kryer studimet në  York-College, ku mori diplomën  bachelor, në shkencat e midisit. Me një herë pas  kësaj, u pranua në  Hunter College në Manhatan. Si shkruhet në libër, ai po ngjiste shkallët e suksesit; shumë universitete ofronin programe  për doktoranturë në fushën e shëndetit publik. ”Shkolla e Shëndetit Publik e Universitetit të Kolumbias ishte diçka që më dukej e përshtatshme në mënyrë të përkryer për mua, shkruhet në libër. Duke pasur parasysh rrethanat e mia, kjo ishte më e mira e mundshme . Zgjodha  të ndiqja studimet, që ishin të afërta  me të shkencave të shëndetit publik . Në vend që të trajtoja sëmundjet, do të luftoja me shkaqet, që i krijonin ato.  E pashë këtë si mundësi për të arritur gjëra që më dukeshin të paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.”f.201.  

Në mes të vitit 2006, pasi kish plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar, si diplomat, dëshmitë e provimeve dhe shkresat rekomanduese, dorëzoi në zyrën përkatëse  të  atij  universiteti, fletëparaqitjen.  Atëherë, për Pashkun fillonte nga ai çast etapa eprore e studimeve pasuniversitare. Ndër kohë atij i duhej të gjente një mentor, i cili do ta orientonte për studimet dhe kërkimet që do t’i kish bazë për disertacionin e vetë. Për fatinë tij të mirë ai pati rastin të njihej me një personalitet shkencor, që punonte brenda  departamentit të shëndetit në Columbia University, ai quhej  dr. Joseph Graziano. Hulumtimet  e këtij profesori i kushtoheshin  kryesisht  helmimit prej  ekspozimit të elementit kimik të plumbit. Nga biseda me  prof. Graziano, Pashku mori vesh se ky specialist i lartë me grupin e tij  kishte bërë një punë serioze rreth  efekteve negative të ekspozimit ndaj plumbit; kjo punë, në kuadrin e  Universitetit të Kolumbias, kishte filluar 10 vjet më parë dhe qe shtrirë edhe në  Kosovë.  Për Pashk Camajn  qe një moment i lumtur kur dr. Graziano e pranoi  atë si pjesë të  grupit studimor. I gëzuar nga kjo arritje, Pashku do të shkruante në libër se “synimi im pas kryerjes së këtij  hulumtimi nuk ishte thjesht të fitoja një diplomë doktoranture, por të më  kthente një pjesë të  atdheut tim, Kosovën, që  nga ish larguar  duke u ndjerë i refuzuar, në verën e vitit 1983”, i lënduar  se nuk  arriti  të merrte  përgjigjen  për t’u regjistruar ne Universitetin e Prishtinës.                                                                                                                                               Në universitetin e Kolombias Pashk Camaj do të mbronte tezën e tij të studimit dhe  si rezultat  atje mori gradën  Doktor i Shëndetit Publik. Ky graduim  shkencor i Pashkut ishte  më shumë se një diplomë, ishte  vërtetimi i të gjithë punës së tij të palodhur dhe i këmbënguljes në kërkim të një jete të re.  Më në fund  ai ishte i bindur se kjo arritje madhore qe edhe  një afirmim i asaj ëndrrës rinore, e cila u shfaq fillimisht me titullin “Dreaming  from the trunk of an American car” , dhe që  në fakt kish pas qenë qëllim i largët qysh me vendimin për t’u larguar nga “kulla”. Ky sukses  i madh ishte vërtetimi i të gjithë punës së tij  të palodhur dhe i këmbëngulëse në kërkim të një jete të re. Më në fund, ishte afirmimi i asaj ëndrre unike amerikane, që  filloi me vendimin e tij për t’u larguar nga vendlindja  .

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                               Joshja  dhe malli drejt vend lindjes duken në çdo  kapitull të veprës  si një prirje shpirtërore e autorit, që ka lidhje me ambicien e tij patriotike dhe intelektuale, për të pohuar se ai nuk qe larguar përgjithnjë nga Malësia .  Ndërsa analizon përpjekjet dhe angazhimin e tij mendor dhe fizik për të çarë  në mjedisin amerikan, duke kujtuar “Porosinë e Kullës” ,Pashku  shkruan se  në vend që të  arnoja  një rrugë që  përcakton brezat  para meje, unë hapa kufijtë, që ndajnë të kaluarën nga e ardhmja, gjë që më ndihmoi të  pranoja  se largimi ishte e vetmja mënyrë për t’u bërë, specialist i aftë,  duke mbajtur gjallë dashurinë  për vendlindjen dhe  trashëgimin e brezave pararendës . 

Libri Porosia e Kullës  përmbyllet me idenë e patriotike që pasardhësit tanë kudo të ndodhen në rrugët e mërgimit larg Atdheut, të mos harrojnë vendlindjen, ”folenë e magjishme nga kemi dalë.”  Për këtë dëshirë autori jep shembullin e tij të nderuar, që , pasi ka përmbushur idealin për t’u bërë një intelektual i lartë, duke fituar titullin  Doktor i Shkencave, kthehet në vendlindje, në Malësi të Madhe, ku shkon  e futet me mallëngjim në Kullën prindërore, që i kujton porositë e gjyshit dhe të brezave të parë.  Atje, ato çaste do t’i kenë shkuar në mendje edhe fjalët bekuese të  të ndjerës Nënës së  tij, e cila  i kish pas thënë: “Në se  nuk do të jesh i lumtur dhe aq  mirë sa ‘menon’ andej, mund të kthehesh. Shtëpia jote do të presë” (f.156) …  Dhe ja, pas dy dekadash, ai djali , atëherë, ende adoleshent, tani i burrëruar dhe i diplomuar doktorant, është  kthyer atje te “Kulla”, ku qe derdhur gjaku dhe djersa e gjysh Pjetrit dhe  sakrificat e babës së vetë, Rrokut.  

  • Kulla e librit të shkrimtarit Pashk Camaj na pasqyron  simbolikisht si një film në miniaturë tërë realitetin e malësoreve shqiptarë në Mal të Zi, siç nuk e kemi lexuar deri tani në ndonjë vepër letrare. Nëpër kapituj të ndryshëm të librit  gjejmë skena  dhe episode me përmbajtje epike, ku  duken burra djem dhe vajza gjithë gjallëri e guxim mahnitës si në legjenda, të përshkruara nga autori me detaje konkrete . Janë personazhe  real me temperament dinamik  dhe karakter të gdhendura si figura legjendare të dalë prej shkëmbinjsh  me pamje të rëndë . Dhe madhështia e këtyre njerëzve të thjeshtë është përshkruar me një shprehje të rrjedhshme si në gjuhën e autorit , si edhe në gojën e personazheve. Nga kjo anë bie në sy prirja e shkrimtarit për të gjellitur fjalë dhe shprehje të dialektit veriperëndimor të Malësisë, thënie të goditura bukur, qoftë për kuptimin leksikor, po edhe për pasurimin e fjalorit aktiv të gjuhës  kombëtare.                                                                                                                                                                                      Duke qenë se po komentojmë  gjuhën si mjet komunikimi, po edhe si mundësi shprehjeje figurative, duam  të theksojmë  dhe synimin e shkrimtarit për individualizimin e personazheve  përmes të folurit gjatë rrëfimit të kapitujve.  Tek shpreh këtë mendim kam para sysh  replikat  midis malësorëve hije-rëndë si  Rrok Pjetri,  babai  i autorit,  dhe  miqve të tij, Gjek Gjoni, Rrok  Gjoka,  Mixha Vuksan, vëllezërit e tij, Kola dhe Maku, të cilët në momente të caktuara  e rrëfejnë burrërinë e tyre jo vetëm me guxim dhe përdorimin e armës, po  edhe me ligjërimet e veta, që kanë fjalë dhe shprehje tipike  të  zonës së Malësisë. 

Për të qenë konkret  rreth kësaj prirje të autorit lidhur me kujdesin  e tij  për gjuhën e gjallë të  personazheve, po radhis disa  fjalë nga  goja e tyre  : si  “shpuzore  f.155, zdrypi(f.48), të perrish 156,   dvete 39, kish kamën e shmakët te  frenat f.162   , nesër nadje  41;    nadja e mirë 162,  spi -f.105”, ose trajta të veçanta  lokucionesh bisedore, që në fjalitë  nga janë marrë i japin ligjërimit një tingëllim të këndshëm dialektor të  Malësisë, si  janë edhe shprehjet : “Zoti ju dhashtë forcë f.109., për kullën nuk vdiset    220, A thue po perrijmë  në kohë f.50 ; ajo asht kën Dusha ( f.114)” . 

Vepra “Porosia e kullës” lexohet me interes  në radhë të parë  për pasqyrimin realist të jetës dhe për analizat psikologjike të karaktereve, që jepen në situata të veçanta mbresëlënëse, të shprehura bukur përmes  një rrëfimi  tërheqës. Kjo është  ana  joshëse e librit,  që autori e ka përmbushur qysh me kompozimin e subjektit, me  ligjërimin e rrjedhshëm, shprehjet e bukura metaforike, tregimet retrospektive dhe sintaksën  e goditur, që së bashku formojnë atë që në teorinë e letërsisë quhet stil, të cilin  autori Pashk Camaj  e ka  arrirë mjeshtërisht. Është kënaqësi e veçantë për çdo autor, që formon dhe konsolidon talentin  përmes  origjinaliteti të vet, pasi  siç na  mëson Seneka, lidhur me këtë anë të krijimtarisë “stili nuk është gjë tjetër veçse fytyra e shpirtit të autorit”. Në mbyllje dua të shtoj se pasi mbarova leximin e librit “Porosia e kullës”, mbeta me  përshtypjet më të mira. Dhe duke reflektuar  për autorin dhe veprën e tij, kuptova se letërsisë shqiptare i ka ardhur  një talent i kompletuar, një personalitet i letrave me kulturë akademike, që do të t’i bëjë lexuesit  surpriza të tjera me krijimet e veta. Këtë ide ma përforcoi më shumë një artikull studimor i shkrimtarit të mirënjohur ndërkombëtarisht, Visar Zhitit, i cili disa muaj  më parë e publikoi  atë  shkrim sintetik në gazetën Dielli, material që  analizon  romanin Brenga të shkruar po nga pena e Doktor Pashko R. Camaj,.  

Filed Under: Analiza

AMBASADA AMERIKANE – SIMBOL I MIQËSISË DHE SIGURISË PËR SHTETIN E KOSOVËS

November 16, 2026 by s p

Screenshot

– Nominimi i ambasadorit amerikan është lajm i mirë dhe mundësi për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nominimi i ambasadorit të ri amerikan në Kosovë nga presidenti Donald Trump është padyshim një zhvillim pozitiv për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve mike dhe aleate. Prania e një ambasadori të konfirmuar nga Senati amerikan e ngrit përfaqësimin diplomatik në nivelin e duhur dhe krijon mundësi më të mëdha për komunikim të drejtpërdrejtë me administratën amerikane.

Mungesa e ambasadorit amerikan në Prishtinë për gati dy vjet, pas përfundimit të mandatit të Jeff Hovenierit në dhjetor 2024, nuk ka qenë zhvillim i dëshirueshëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Amerika e ka zvogëluar rëndësinë strategjike të Kosovës.

E ngarkuara me punë e Ambasadës Amerikane, znj. Anu Prattipati, pavarësisht përpjekjeve dhe rezultateve pozitive gjatë shërbimit të saj, ka pasur edhe disa qëndrime të diskutueshme. Në veçanti, kritikat ndaj qeverisë Kurti lidhur me projektin e gazit amerikan, vetëm dy ditë para zgjedhjeve, dhe pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, më 12 shtator 2025, kanë shkaktuar shqetësime të arsyeshme. 

Personalisht, konsideroj se arsyetimet për këtë pezullim nuk kanë qenë bindëse dhe se vendimi nuk u ka shërbyer interesave afatgjata të asnjërës palë.

Në një pjesë të komunitetit shqiptaro-amerikan ekzistojnë dyshime se në këto qëndrime mund të ketë pasur ndikim edhe ish-diplomati amerikan Richard Grenell. Ndonëse nuk kam dëshmi për ndërhyrje të drejtpërdrejtë, qëndrimet e tij të vazhdueshme kundër kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së Kosovës kanë qenë publike dhe në përputhje me interesat politike të Beogradit.

Nga ana tjetër, gjatë mandatit të dytë të presidentit Trump kanë ndodhur edhe zhvillime të rëndësishme pozitive për Kosovën.

Një ndër më të rëndësishmet është miratimi nga Kongresi Amerikan dhe nënshkrimi nga presidenti Trump i Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) për vitin fiskal 2026, ku përfshihen dispozita në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë mbi bazën e njohjes reciproke.

Po ashtu, më 22 janar 2026, Republika e Kosovës, e përfaqësuar nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani, nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes, me ftesë të presidentit Trump, si një ndër shtetet themeluese. Pavarësisht zhvillimeve të ardhshme të kësaj iniciative, pjesëmarrja e Kosovës përbën një afirmim të rëndësishëm ndërkombëtar.

Edhe deklaratat e përsëritura të presidentit Trump për parandalimin e një konflikti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë rëndësinë e tyre. Qarqe të caktuara nacionaliste serbe kishin shpresuar se rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë do të krijonte rrethana më të favorshme për ambiciet e Beogradit ndaj Kosovës. Deri më tani, këto pritshmëri nuk janë realizuar.

Nominimi i Dr. Mikhail (Michael E.) Bogachek për ambasador në Kosovë është sinjal pozitiv se Uashingtoni dëshiron ta plotësojë përfaqësimin e tij diplomatik në vendin tonë.

Emërimi i tij duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Duke pasur parasysh kohën e kufizuar dhe zhvillimet politike në Uashington, mbetet e paqartë nëse procedura do të përfundojë brenda këtij viti.

Nëse konfirmohet, besoj se ardhja e tij përbën një mundësi të mirë për Kosovën. Megjithëse nuk ka një karrierë tradicionale diplomatike dhe nuk njihet për përvojë të drejtpërdrejtë me çështjet e Ballkanit, ai ka përvojë në udhëheqje dhe administrim institucional.

Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të angazhohen seriozisht që ta njohin ambasadorin e ri me historinë, realitetin politik, sfidat e sigurisë dhe interesat strategjike të shtetit tonë.

Ambasadori i ri duhet ta njohë të vërtetën historike për Kosovën, të mbështetur në fakte dhe argumente të pakontestueshme.

Ai duhet të informohet për represionin, masakrat dhe krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës, për vrasjen e tre shtetasve amerikanë, vëllezërve Bytyqi, pas përfundimit të luftës, si dhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici hero Afrim Bunjaku. Veçanërisht duhet të theksohet mungesa e drejtësisë për shumë prej këtyre krimeve dhe fakti se persona të dyshuar ose përgjegjës vazhdojnë të jetojnë të lirë në Serbi.

Pavarësisht se kush do ta përfaqësojë Amerikën në Prishtinë, diplomatët amerikanë dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë një realitet të pandryshueshëm: populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk do ta pranojnë kurrë rikthimin e sundimit serb, në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë.

Nga Kosova nuk duhet të kërkohen kompromise që cenojnë sovranitetin, rendin kushtetues apo integritetin territorial të shtetit. Miqësia dhe partneriteti strategjik kërkojnë mirëkuptim të ndërsjellë, respekt dhe trajtim të drejtë.

Interesimi i diplomatëve ndërkombëtarë për të drejtat e komuniteteve pakicë, veçanërisht të komunitetit serb, është plotësisht legjitim. Por ky interesim duhet të mbështetet në realitetin dhe standardet demokratike, jo në propagandën e strukturave ekstremiste të dirigjuara nga Beogradi.

Mjafton të krahasohen të drejtat kushtetuese, politike, gjuhësore dhe institucionale që gëzon komuniteti serb në Kosovë me gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak për të kuptuar më objektivisht realitetin.

Serbia vazhdon të mbajë lidhje të ngushta politike dhe strategjike me Rusinë, ndërsa Kosova është përcaktuar qartë dhe në mënyrë të pakthyeshme për orientimin euroatlantik, demokracinë dhe aleancën me Shtetet e Bashkuara.

Interesat strategjike të Kosovës dhe Amerikës janë të përbashkëta. Forcimi i shtetit të Kosovës, siguria e tij, integrimi në NATO dhe konsolidimi i paqes në Ballkan janë në interes të të dy vendeve.

Miqësia ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit amerikan është e sinqertë, historike dhe e qëndrueshme. Ajo është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, sakrifica dhe përkushtim për liri, demokraci dhe drejtësi.

Prandaj, pres që ambasadori i ri amerikan, nëse konfirmohet, të kontribuojë në forcimin e kësaj miqësie, në rifillimin e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA dhe në avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy shteteve.

Ambasada Amerikane në Prishtinë është simbol i miqësisë sonë të përhershme, burim sigurie për popullin e Kosovës dhe krenari për shtetin tonë.

Agim Aliçkaj
New York, 14 nëntor 2026

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 3333
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 114 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
  • FALENDERIM I VEÇANTË – GOLD SPONSOR PËR PATRIOTEN ERJOLA XHEKO, DHUROI 5 MIJË DOLLARË PËR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR
  • VLERËSIM HISTORIK I RAPORTIT DIPLOMATIKO-USHTARAK FRANCEZ MBI SITUATËN POLITIKE NË SHQIPËRI PAS PRANIMIT TË 14 KËRKESAVE TË HASAN PRISHTINËS
  • MARIE ALEKSANDRA IVEZAJ – KRENARIA E NJË VAJZE MALËSORE QË NGRITI SHQIPONJËN SHQIPTARE NË SKENËN E BOTËRORE
  • Nga qëndresa te qytetërimi: 28 Nëntori dhe përgjegjësia historike e shqiptarëve
  • Lef Nosi (1877–1946)
  • “Ditë e shenjtë” – Nëntorët e Pavarësisë
  • DEDË GJO’ LULI DHE FLAMURI I SKËNDERBEUT NË DEÇIQ
  • RRUGËTIMI I QYTETËRIMEVE BOTËRORE NË SHEKUJ
  • SOTIR PECI – PATRIOTI E PUBLICISTI, MESUESI E GJUHETARI, POLITIKANI E MINISTRI VIZIONAR
  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Anton Raja, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Artisti Flori Lloga dhuroi 2 mijë dollarë për Darkën e Flamurit Kombëtar
  • THANKSGIVING – NGA RRËNJËT E HISTORISË TE FESTA E MIRËNJOHJES AMERIKANE
  • NËNTORI – MUAJI I FESTAVE DHE KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE
  • Pse Ismail Qemali zgjodhi shqiponjën dykrenare heraldike?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT