• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Mitrush Kuteli

September 14, 2026 by s p

Dhimitër Pasko, shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist, i njohur me pseudonimin letrar Mitrush Kuteli, lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec.

Familja e Mitrush Kutelit, rrjedh nga fisi shqiptar Kuteli, i shpërngulur në Mokër e pastaj në Pogradec nga qyteti i Artës, në fillim të shek. 19-të. I ati, Pandi, i biri i Pasko Kutelit, ishte rrobaqepës që kish jetuar 24 vjet në mërgim, në Rumani, duke punuar si murator e bojaxhi. U shqua për veprimtari patriotike, ku u burgos shpeshherë në periudhën osmane, si dhe gjatë pushtimit serb e atij bullgar. Pas shpalljes së Hyrrijetit hapi një librari, e para librari shqipe në Pogradec.

Kutelit i lanë shumë mbresa leximet në librarisë së vogël të të atit dhe që aty nisi pasioni për letërsinë. Ndërsa shfaqi talentin letrar me vjershat e tij të para, të cilat i botoi në kalendarin “Pogradeci”, priti që dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike familjes për shkollimin e tij. Në vitin 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune.

Më 1926-n, 19- vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri.

Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar “të jashtëm”, tek “Shqipëria e Re” dhe “Kosova” që dilnin në Kostancë të Rumanisë. Në këto vite Kuteli botoi dhe artikujt e parë në fushën e kritikës letrare – vlerësime, përshtypje, analiza, të dhëna për autorë e vepra, si dhe shkrime profesionale që i kushtoheshin monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike. Për shkak të kritikave që bënte për drejtimin e bankave në Shqipëri, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vijonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar.

Megjithatë ai ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj, ndërkohe që lexonte literaturë në frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte anëtar dhe më pas u zgjodh sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”. Gjatë qëndrimit në Rumani punoi dhe në ministrinë e Financave si nëpunës i lartë dhe drejtoi edhe bankën e Çernëucit. Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front, drejt Stalingradit. E ndihmuan miqtë që kish në Bukuresht, të cilët i rregulluan një leje për t’u larguar nga vargu i ushtarëve, se kishte nënën e sëmurë dhe më pas e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Mitrush Kuteli është mjeshtri i realizimit magjik, rrënimtar i shkëlqyer, përkthyes i majave të letërsisë botërore; njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare. Ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përralltar e kritik letrar, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar mbi 10 botime letrare, si dhe 16 libra e broshura rumanisht kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika.

Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967 në Tiranë. Për kontributin e tij të shquar, ai është shpallur “Nderi i Akademisë së Shkencave”.

www.akad.gov.al

Filed Under: Sofra Poetike

VATRA PROMOVOI VEPRËN KUSHTUAR SKULPTORIT TË SHQUAR SHQIPTARO-AMERIKAN VASIL RAKAJ

September 14, 2026 by s p

Sokol Paja/

New York, 13 shtator 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” promovoi veprën “Vasil Rakaj” të autores Suzana Varvarica Kuka, kushtuar skulptorit të shquar shqiptaro-amerikan. Me pjesëmarrjen e studiuesve të artit, historianëve, gazetarëve, diplomatëve, shkrimtarëve, drejtuesve të shoqatave e organizatave atdhetare në New York e më gjerë, promovimi u shndërrua në një festë të artit, në nderim e vlerësim të mjeshtrit Vasil Rakaj, një nga përfaqësuesit e shkëlqyer të skulpturës shqiptare në diasporë. Vasil Rakaj nëpërmjet punimeve të tij ka sjellë në jetë figura të historisë, kulturës, identitetit dhe humanizmit shqiptar e botëror. Krijimtaria e artistit Rakaj shquhet për realizmin e arrirë figurativ, fuqinë monumentale shprehëse, thellësinë emocionale dhe përkushtimin shpirtëror e artistik ndaj ruajtjes së kujtesës historike e kulturore kombëtare në realizimin e veprave artistike dedikuar Nënë Terezës, Skenderbeut, Norës së Kelmendit etj.

Famullitari i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në New York Dom Pjetër Popaj në fjalën e mirëseardhjes u shpreh me respekt dhe vlerësim ndaj skulptorit Vasil Rakaj, punës së tij artistike, vlerave të veprave të artit, procesit krijues dhe rolit të artit në shoqëri ku gjuha, komunikimi, arti, kultura nderojnë kombin. Puna e Vasilit për Nënë Terezën dhe vepra të tjera kulturore tha Dom Pjetër Popaj janë krijime që jetojnë me kohën si pasojë e realizimit të lartë artistik e shpirtëror të kolosit artist Vasil Rakaj. Vatrani historik Marjan Cubi përshëndeti në emër të kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha, duke vlerësuar jetën dhe veprën artistike të skulptorit Vasil Rakaj.

Gazetari i shquar i Zërit të Amerikës z.Frank Shkreli në fjalën e tij theksoi se Vasil Rakaj është një artist që, përmes artit të tij, ka krijuar një urë të veçantë midis Shqipërisë dhe Amerikës. Libri i studiueses Suzana Varvarica Kuka nuk është vetëm një vlerësim i një krijimtarie artistike. Ai është një dokumentim i një rrugëtimi njerëzor, artistik dhe kombëtar. Ajo që e bën, veçanërisht, të rëndësishëm rrugëtimin e Rakajt është fakti se, kur kaloi Atlantikun, ai nuk la pas vetes identitetin e tij shqiptar. Përkundrazi, e mori atë me vete dhe e shndërroi në një burim frymëzimi. Sipas Frank Shkrelit një artist i vërtetë nuk ndërton e krijon vetëm vepra. Ai ndërton ura midis popujve dhe Vasil Rakaj ka ndërtuar një urë që nis nga Boga e Malësisë së Madhe, kalon nëpër traditën artistike shqiptare dhe vazhdon deri në Amerikë, ku krijimtaria e tij është bërë pjesë, jo vetëm e komunitetit por edhe e jetës kulturore amerikane.

Artisti Gjergj Pali në fjalën e tij deklaroi se pozitiviteti i karakterit të Vasil Rakës manifestohet e përshkon gjithë qenien e tij dhe krijimtarinë, e gjithë trupi skulpturor i veprave të tij ka një mirësi të thjeshtë frymëzuese, lidhja e subjekteve me gojëdhënat, me figurat historike nga e kaluara e komplikuar e popullit shqiptar është prezent në veprat e skulptorit, heronjtë e figurat historike nuk janë vetëm ato të historisë e përpjekjeve shqiptare për egzistencën, vendosja e Vasos në USA hapi horizonte e mundësina të tjera me vlera e ndryshime në jetën e Artistit. Nuk ka se si të mos zënë vend po ashtu edhe figurat e historisë së US vend i cili ne kontribojmë bashkë me familjet e komunitetet tona, në jetën artistike ekonomike e politike. Martin Luther King Jr është një arritje me vlerë e kontribut i veçantë në Komunitetin që artisti bën pjesë, ne jemi tashmë pjesë e infrastrukturës artistike në USA, Luther Kingu është pjesë e historisë Amerikane dhe kontributi i tij në Human Rights Issues është gjithmonë koherent e i pranishëm. Biseda ime ka të bëjë me 10 vjeçarin e fundit që unë kam qenë prezent në krijimtarinë e Vasil Rakës, është një bashkëpunim i frutshëm dhe shumë dashamirës, përfundoi artisti Gjergj Pali.

Artisti Piro Asllani në kumtesën e tij theksoi se këtë krijimtari të pasur, plot art, të Vasilit, që përfshin edhe mjaft tematika të tjera lirike, por edhe filozofike, ndonjëherë profesor Gazmend Leka, miku ynë i përbashkët, gjithashtu në promovimin e këtij libri në Tiranë, e ka krahasuar me ndërtimin e një katedraleje gotike në Mesjetë, ku katedralja i jepte peshë dhe rëndësi jetës dhe vetë qytetit ku ngrihej. Po kështu, në të njëjtën mënyrë, thotë Leka, libri bëhet qendra rreth së cilës orientohet e gjithë qenia e një artisti. Ti, i dashur Vasil, ia arrite të ndërtosh katedralen tënde. Po kështu, unë them se Suzana ia ka dalë me shumë sukses të na dhurojë këtë libër-monografi shumë dinjitoz të krijimtarisë së Vasil Rakajt. Gjithashtu, unë, me shumë modesti, do të shtoja se mua krijimtaria e shokut tim, Vasil Rakaj, më shembëllen me bedenat e një kështjelle të bardhë që shkëlqejnë mes reve të lehta, të davaritura nga dielli dritëplotë në një ditë pranvere, tha në fjalën e tij skulptori Piro Asllani.

Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij u shpreh se skulptori Rakaj e trajton Skenderbeun si figurë kalorësiake siç jemi mësuar ta shohim mbi kalë mbështetur te skulptori Odhise Paskali por dhe bëri bashkë kështjellën dhe figurën e heroit, si dhe i vendosi në sipërfaqen e lahutës që është instrument i lashtë dhe i veçantë i trashëgimisë kombëtare. Në punimet e artistit Rakaj, shprehet studiuesi Dr. Marku, Nënë Tereza paraqitet sa më origjinale, një evidentim të profilit të lutjes dhe mëshirës, mirësisë e butësisë që karakterizonte Nënën Tereza, si dhe nëpërmjet ndërhyrjes stilistikore të ngjyrës blu mbi rubën e kostumit të shenjtores, skulptori arriti të bashkojë ndjesitë personale me personazhin real. Sipas Dr. Markut pjesë e rëndësishme e projekteve të realizuar mjeshtërisht prej Vasil Rakajt janë trimat malësorë të Veriut, vëllezërit, Gjeto e Ded Coku. Nëpërmjet skulpturës është përpjekur që të paraqes imazhin realist të vëllezërve Coku, si burra fisnik, luftarak dhe me veshje ceremoniali popullore të krahinës. Skulptura e tyre me impaktin e një luftëtari patriotik dhe me revole në brez, që u realizuar me sukses vetëm atëherë kur skulptori Rakaj kishte lexuar shumë për historinë e tyre dhe ishte njohur me portretin e tyre fizik fotografik nëpërmjet fotografive arkivore e familjare.

Autorja e librit Suzana Varvarica Kuka në fjalën përshëndetëse të lexuar nga Zef Volaj shprehet se në faqet e librit janë shënuar faktet e plota të familjes ku Vasil Rakaj u rrit, u edukua me dijen, u arsimua në shkollën e lartë të arteve në Tiranë dhe punoi si mësues dhe artist. Të gjitha këto fakte janë burimi bazë i formimit të personalitetit të tij, si njeri dhe artist, ku spikasin ndjenjat e forta të dashurisë për mëmëdheun dhe familjen; patriotizmi i përkushtuar për atdheun e tij të ri Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndjenjat e thella shpirërore ndaj besimit katolik. Vasil Rakaj është artist realist dhe si i tillë personazhet, subjektet dhe temat e krijimtarisë së tij i ka gjetur në mjediset e historisë dhe të jetës së përditshme. Në këtë arsye skulptura e tij është sa epike po aq lirike. Krijimtaria epike është frymëzuar fuqishëm nga akte dhe personalitete historike të heronjve shqiptarë dhe amerikanë. Dhe ajo lirike është pasqyrim i ndjesive emocionale ndaj imazheve të portreteve dhe figurave njerëzore të njohura, familjare dhe të koncepteve të imagjinuara.

Skulptori Vasil Rakaj në fjalën përmbyllëse shprehu falënderime dhe mirënjohje për Federatën Vatra, Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”, mediat dhe kumtuesit mbi veprën e tij artistike e kulturore. Artisti Rakaj u shpjegoi të pranishmëve qëllimin, rolin, mesazhin, detaje artistike dhe historinë e krijimit të veprave të tij kryesore artistike: Nënë Tereza, Skenderbeu e Nora e Kelmendit. Në përfundim të promovimit skulptori Vasil Rakaj dhuroi një shtatore të Nënë Terezës, për Sallën e Kishës dhe të ardhurat nga donacionet e librit iu dhuruan po Famullisë Zoja e Shkodrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha priti kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Akademike Justina Shiroka-Pula

September 14, 2026 by s p

Një takim shumë i përzemërt dhe i frytshëm mes kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha dhe kryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula. Temë e takimit ishte situata aktuale politike në Kosovë, si dhe zgjerimi e institucionalizimi i bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”. Gjatë takimit u diskutua për mundësinë e ndërtimit të një bashkëpunimi afatgjatë në fushën e hulumtimit dhe dokumentimit të figurave kombëtare, si dhe për projekte të përbashkëta që ndriçojnë rolin dhe kontributin historik të “Vatrës” në historinë kombëtare shqiptare. Kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha shprehu falënderime dhe mirënjohje për punën e jashtëzakonshme kërkimore-shkencore të institucionit më të lartë shkencor në Kosovë dhe çmoi lidershipin e vizionin e Akademikes Justina Shiroka-Pula.

Një vëmendje e veçantë në takim iu kushtua edhe rolit dhe kontributit të “Vatrës” në mbështetjen e çështjes së Kosovës dhe në rrugën drejt pavarësisë së saj, si pjesë e një trashëgimie të rëndësishme politike, kulturore dhe kombëtare. Bashkëpunimi mes Vatrës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të synojë gjithashtu forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, promovimin e vlerave kombëtare dhe kulturore, si dhe angazhimin e brezave të rinj në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie patriotike.

Takimi i përzëmërt shënoi një hap të rëndësishëm drejt krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike të Kosovës dhe “Vatrës”, në shërbim të dijes, kulturës, historisë dhe interesit kombëtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e trojet etnike.

Filed Under: Komente

Mirush Kabashi, korifeu i artit skenik, zëri që u bë mendim, shpirti që u shndërrua në altar

September 14, 2026 by s p

Në ditëlindjen e tij, Mirush Kabashi nuk kujtohet si një i munguar, por si një prani që vazhdon të jetojë në zërin, në skenën dhe në kujtesën e një publiku që e deshi; një publiku që përjetoi me të çdo moment dhe iu drithërua shpirti nga vibratot e thella, plot ndijim dhe shkulmim thirrjeje për zgjim. Sepse zëri i tij nuk fliste, por kushtronte, nuk kumtonte, po kumbonte. Sepse ai kishte ardhur jo me misionin e aktorit, por me atë të predikuesit të fesë së shqiptarisë, dhe do ta bënte këtë me devocionin e një apostulli e do ta mbronte me atë të një martiri. Sepse atë që ai e mëkonte me fjalë e kishte ndezur në zemër, e kishte ndritur në mendim dhe e kishte lartësuar në më të hyjshmin premtim për të bërë në skenë, dhe kudo ku ai ligjëronte si një korifej përpara njerëzve, misionarin e skenës së artit, sepse ai besonte se edhe artisti e kishte fjalën mjaftueshëm për të bërë shërbimin e tij ndaj atdheut, kombit dhe çështjes së shenjtë të lirisë.

Sot, në ditëlindjen e Mirush Kabashi, ai nuk është këtu për ta dëgjuar duartrokitjen. Nuk do të ngjitet në skenë, nuk do të recitojë një varg, nuk do ta mbushë hapësirën me atë zë të veçantë që dinte t’i jepte peshë edhe fjalës më të thjeshtë. Por arti ka një ligj më të madh se vdekja, artistin e madh mund ta marrë jeta, por nuk mund ta marrë nga kujtesa e njerëzve.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe u rrit në Durrës. Në vitin 1970 u diplomua për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe nisi një udhëtim artistik që do të zgjaste më shumë se gjysmë shekulli. Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Televizioni Shqiptar, Teatri Kombëtar, skenat shqiptare dhe ato ndërkombëtare do të bëheshin stacione të një karriere në të cilën ai la rreth njëqind personazhe.

Por numri i roleve nuk e tregon madhështinë e një aktori. Një aktor nuk matet me sa herë është shfaqur në skenë, por me sa herë ka arritur ta bëjë publikun të harrojë se përballë ka një aktor.

Dhe Mirush Kabashi e kishte këtë dhunti.

Ai nuk e interpretonte vetëm personazhin. Ai hynte brenda tij, e kërkonte në thellësitë e psikologjisë njerëzore dhe pastaj e sillte para nesh me një të vërtetë që shpesh ishte më e madhe se teksti. Kishte në lojën e tij humorin dhe tragjiken, ironinë dhe dhimbjen, revoltën dhe butësinë. Kishte mbi të gjitha njeriun.

Prandaj Mirush Kabashi nuk ishte vetëm aktor, ai ishte një zë. Një zë që recitonte poezi dhe i kthente vargjet në përjetim. Një zë që mund të mbushte një sallë pa pasur nevojë për asnjë dekor tjetër. Një zë që dinte të qeshte, të qante, të zemërohej, të ironizonte, të pyeste dhe, mbi të gjitha, të shqetësonte ndërgjegjen.

Në këtë kuptim, ai ishte një nga ata artistë që e kuptuan se skena nuk është vetëm vendi ku shfaqet arti. Skena është vendi ku njeriu gjykohet përballë vetvetes.

Dhe askund tjetër kjo nuk u bë më e fuqishme se te Sokrati i tij.

“Apologjia e vërtetë e Sokratit” nuk ishte thjesht një shfaqje që Mirush Kabashi interpretoi. Me kalimin e viteve, ajo u shndërrua në një lloj identiteti të tij artistik dhe moral.

Në vitin 1997, në një Shqipëri të tronditur nga kriza, pasiguritë dhe rrëzimi i shumë iluzioneve, Kabashi shkoi në Festivalin Eksperimental të Teatrit në Kajro dhe u vlerësua me “Sfinksin e Artë” si interpretuesi më i suksesshëm, mes aktorëve nga 46 vende të botës.

Ishte një prej atyre momenteve kur një aktor shqiptar nuk doli përpara botës vetëm për të treguar talentin e tij. Ai doli për të dëshmuar se një gjuhë e vogël mund të mbajë një të vërtetë të madhe.

Sokrati i Mirushit nuk ishte një figurë e largët e Greqisë së lashtë. Ishte Sokrati i kohës sonë.

Ishte njeriu që pyeste kur të tjerët bindeshin.

Ishte qytetari që nuk pranonte ta shiste ndërgjegjen për sigurinë.

Ishte artisti që e dinte se liria nuk fillon në shesh, por në mendjen e njeriut.

Dhe pikërisht këtu qëndron madhështia e atij interpretimi.

Kabashi nuk na sillte vetëm filozofin që mbrohej përpara gjykatës së Athinës. Ai na sillte gjyqin e përhershëm të ndërgjegjes njerëzore.

Sokrati i tij pyeste edhe Shqipërinë, pushtetin, politikën, qytetarin, intelektualin, artistin, dhe mbi të gjitha na pyeste ne: Çfarë vlere ka të shpëtosh jetën, nëse për ta shpëtuar atë ke humbur shpirtin?

Prandaj “Sokrati” i Mirush Kabashit nuk vdes bashkë me aktorin. Ai mbetet si një zë i ngritur mbi kohën. Një zë që do të vazhdojë të na akuzojë sa herë që drejtësinë e zëvendësojmë me interesin, të vërtetën me konformizmin dhe dinjitetin me frikën.

Mirush Kabashi i përkiste një brezi artistësh që kaluan nëpër një nga periudhat më të vështira të historisë shqiptare, diktaturën, tranzicionin, rrëzimin e një sistemi dhe përpjekjen e gjatë për të gjetur një vend të ri për artin dhe njeriun.

Por ai nuk mbeti peng i kohës, ai e kaloi kohën përmes artit.

Edhe në periudha kur skena shqiptare ishte e rrethuar nga kufizimet ideologjike, ai ruajti atë që është më e vështirë për një artist, individualitetin e zërit dhe integritetit të një dieshepulli shpirti që besonte te mishërimi i personazheve dhe karaktereve, personave dhe identiteteve.

Në vitet e tranzicionit, kur shumëçka u kthye në tregti, spektakël, protagonizëm të shpejtë dhe zhurmë, ai vazhdoi të besonte te profesioni, te puna, te skena, te publiku, jo pak herë edhe si prezantues, si imazhi i përçimit të dritës në të gjithë ngjyrat e prizmit.

Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Mirush Kabashi mbeti i dashur për njerëzit, sinonim i një mirësie që mëtonte njerëzoren, nga thjeshtësia e personazheve kontradiktore te lartësia e jetësimit të jetëve që drituan diellshëm në eterin e vetëdijes dhe përkatësisë.

Sepse përtej aktorit ishte njeriu. Dhe publiku e dallon gjithmonë këtë ndryshim.

Mund të mashtrohet nga fama, nga reklama, nga zhurma, por përballë një artisti të vërtetë, herët a vonë, ai e kupton se kush është duke interpretuar dhe kush është duke jetuar atë që thotë.

Mirush Kabashi ishte prej atyre që nuk kishin nevojë të shtirnin madhështinë. Ajo ishte në punën e tij. Zëri që i dha mall mërgimit

Ka edhe një Mirush tjetër që ndoshta nuk është përmendur sa duhet, Mirushi i poezisë, i fjalës së shqiptuar, i takimeve me shqiptarët jashtë atdheut.

Zëri i tij kishte një veçori të rrallë, ai nuk e lexonte poezinë, e jetonte.

Dhe kur fjala shqipe udhëtonte me të drejt diasporës, ajo merrte me vete diçka më shumë se artin. Merrte aromën e vendlindjes, kujtesën e fëmijërisë, rrugët e harruara, fytyrat e njerëzve të lënë pas.

Për shumë shqiptarë larg atdheut, një zë i tillë nuk ishte thjesht zë aktori, ishte një copë Shqipëri, ishte një copë shtëpi, ishte një kujtim, patjetër ishte dhe mbeti një mall që për pak çaste bëhej i prekshëm, i jetueshëm dhe inspirues.

Prandaj mungesa e tij nuk është vetëm mungesa e një aktori. Është edhe mungesa e njërit prej atyre zërave që dinin ta shqiptonin Shqipërinë me emocion.

Mirush Kabashi la pas rreth njëqind role në teatër e film dhe u konsiderua ndër interpretuesit më të rëndësishëm shqiptarë të poezisë. Ai ishte gjithashtu pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe kontribuoi në edukimin e brezave të rinj.

Por paradoksi i madh i aktorit është ky, ai jeton duke u bërë shumë njerëz, ndërsa në fund duhet të mbetet vetvetja.

Ai mund të ishte komik, tragjik, grotesk, i butë, i ashpër, i dëshpëruar apo i hareshëm. Mund të hynte në lëkurën e dhjetëra personazheve. Por pas të gjithave mbetej Mirushi. Ai njeri me buzëqeshjen e tij, me zërin e tij, me energjinë e tij, me atë mënyrë të veçantë të të qenët mes njerëzve.

Me atë bindjen se trupi është i përkohshëm, ndërsa shpirti është ajo që mbetet.

Ai e kishte thënë vetë në një nga ato fjali që marrin një kuptim tjetër pas vdekjes: “Trupin ç’e do, shpirti ka vlerë.”

Sot kjo fjali tingëllon si një testament.

Sepse trupi i aktorit u kthye në tokë, por shpirti i tij vazhdon të udhëtojë nëpër skenat ku ka luajtur, në filmat ku ka lënë gjurmë, në poezitë që ka recituar dhe në kujtesën e atyre që e kanë parë.

Mirush Kabashi u nda nga jeta më 5 dhjetor 2023, në moshën 75-vjeçare. Shqipëria humbi një prej figurave të saj më të rëndësishme të skenës. Në vitin 2014 ai ishte nderuar me titullin “Nderi i Kombit”, pas vlerësimeve si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Por sot, në ditëlindjen e tij, ndoshta nuk duhet të themi vetëm, na mungon, Mirush, na mbeti ajo që ai i blatori misionit të artistit, ajo që bëri ai, që e bëre skenën një vend ku Shqiptari mund të shihte veten, fjalën shqipe të tingëllonte me dinjitet. Po, ai që i dhe trup personazheve, por shpirt artit. Ai që përmes Sokratit, mëtoi si pakush, se një njeri mund të humbasë gjithçka dhe përsëri të mos humbasë veten.

Albert Vataj

Filed Under: Kulture

Si po e qëllon perëndimi krijesën e vet në Kosovë?

September 14, 2026 by s p

Altin Gjeta/

Ka njëlloj tabuje – të vetëkuptushme – në botën shqiptare kur diskutohet roli i perëndimit në Kosovë. Sipas narrativës dominuese, perëndimi u angazhua ushtarakisht, çliroi Kosovë, prandaj kritika në këtë drejtim nuk është e mirëpritur.

Kontributi i perëndimit, veçanërisht i Shteteve të Bashkura dhe Britanisë së Madhe ka qenë vendimtar në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Por, të thuash se Kosova qëndron sot e pavarur vetëm sepse ndërhyri perëndimi, e redukton rolin e shqiptarëve në spektator. Kosova u çlirua dhe u pavarësua së pari për shkak të përpjekjeve njëshekullore të shqiptarëve. Ata sakrifikuan, luftuan dhe derdhën gjak për liri nën një shtet ku nuk u pyetën kurrë për fatin e tyre politik. Asnjë proces i tillë nuk ndodhi në 1913, as në 1945 dhe sigurisht kurrë më vonë.

Shqiptarët u aneksuan nga Serbia dhe Jugosllavia kundër vullnetit të tyre.

Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, Këshilli Rajonal ku nga 140 antarë, vetëm 37 ishin shqiptarë vendosi qëndrimin nën Serbi. Historia mandej dihet: shqiptarët u trajtuan si popull i dorës së dytë. Në vitet 1960-70 edhe pse zyrtarisht Serbët dhe Malazezët përbënin 27% të popullsisë (me shumë gjasa shifër e fryrë sepse censusi organizohej nga Serbia), përsëri okuponin ma shumë se 50% të pozitave drejtuese në Kosovë. Këtu nuk po flas për dhunën që ushtrohej ndaj shqiptarëve për ta lëshuar Kosovën.

Megjithatë, shqiptarët rezistuan: organizuan protesta të fuqishme në vitet 1960, 1981, ndërtuan shtetin paralel dhe diplomacinë ndërkombëtare nën udhëheqjen e Rugovës dhe luftuan me armë kur çdo mjet tjetër dështoi. Pa këto përpjekje, perëndimi nuk do të kishte ndërhyrë në Kosovë. Përpos kundër gjithë gjasave ndërhyri dhe u angazhua në një projekt ambicioz shtetndërtimi.

Por, pas luftës diçka ndryshoi. Mbështetja për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës u ofrua me një çmim të lartë; akomodimin e interesave të Serbisë. Pushteti në Kosovë praktikisht u nda me Serbët. Siç edhe një diplomat evropian thotë fill pas shpalljes së pavarësisë ‘shqiptarët morën diçka për të cilën nuk ishin krejt entuziast, ndërsa evropianët dhanë pikërisht atë çka donin, jo një zgjidhje përfundimtare dhe jo një Kosovë shqiptare.’

Të kompleksuar se Serbia duhej të kompensohej për humbjen Kosovës, perëndimi mesa duket nuk u mjaftua me ndarjen e pushtetit me Serbët në Kosovë.

Duket se shkoi një hap ma larg: me prokurorinë dhe gjykatën speciale kërkon të ndajë edhe krimet e luftës në Kosovë. Sepse me shumë gjasë javën që vjen, udhëheqja politike e UÇK do të dënohet për eksese në luftë dhe fill pas luftës, duke vendosur kështu në sytë e opinionit ndërkombëtar shenjën e barazisë mes kriminelit – Serbisë së Millosheviqit – dhe viktimës – Kosovës.

Udhëheqësit e UÇK ka gjasa të dënohen dhe Kosova të damkoset në një proces i cili filloi me shtëpinë e verdhë dhe po përfundon me akuza krejt të tjera. EULEX hetoi për më shumë se katër vite akuzat e Dick Marty, dhe arriti në përfundimin se nuk ka prova për trafik organesh, por me një lëvizje skandaloze ndryshoi objektin e hetimit. Mesa duket prokurorët ishin nisur me paramendim për të gjetur patjetër diçka.

Në bazë të raportit të EULEX-it, Kosovës iu imponuan Dhomat e Specilizuara monoetnike. Pra, për 13 mijë të vrarë në Kosovë, ku UÇK ishte forcë mbrojtëse do të gjykoheshin vetëm shqiptarët të akuzuar për disa dhjetra krime. E gjitha kjo histori ndodh në sfondin e dialogut me Serbinë ku BE dhe SHBA kërkojnë tërheqjen e Beogradit në orbitën Evropiane.

Sot, pas shumë vitesh është e qartë se kjo strategji ka dështuar. Dialogu nuk ka normalizuar asgjë; as Serbinë me Kosovën, as Serbinë me perëndimin dhe as Serbinë me të shkuarën e vet. Funerali i Radko Mlladiq në Beograd dëshmon se Serbia mbetet peng i shovinizmit të sëmurë. Dhe krimet që nuk dënohen, përsëriten.

Ironike, por ndërsa në Kosovë nuk janë gjetur akoma mbi 1000 trupa, dhe zbulohen varre masive, perëndimi u angazhua në një sipërmarrje politike me pasoja katastrofike. Treni i gjykatës speciale është nisur për të mbërritur në Beograd, dhe tash askush nuk e ndalon dot.

Kosova dhe udhëheqja e UÇK po paguan një çmim të rëndë për ëndrrallat e perendimit me Serbinë e Vuqiçit. Kjo është si të qëllosh krijesën tënde për të kënaqur epshet e komshiut sadist. Sepse në një konflik ku mbi 95% e viktimave janë shqiptarë në trojet e tyre, nuk mund të ketë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtor.

Prandaj, shqiptarët dhe serbët nuk mund të ndajnë edhe krimet në Kosovë. Dhe tragjike është se epilogun katastrofik të Hagës nuk e kanë lexuar as në Prishtinë as në Tiranë. Të gjithë janë shëndeverë në lojrat e vogla politike.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 3226
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PJETËR MESHKALLA, NJË JETË QË NUK U PËRKUL
  • Kursi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare “Sevasti Qiriazi” në Katerini, gjuhë dhe identitet kombëtar te shqiptarët në Greqi
  • Kristo Dako, një jetë në shërbim të kombit (1876–1941)
  • Shqipëria në faqet e historisë: Kryengritja e vitit 1911 në pasqyrën e “The New York Times”
  • AMERIKA DHE SHQIPTARËT – NJË MIQËSI QË NUK NJEH KOHË
  • “Historia e operas Rozafa”
  • UÇK dhe trashëgimia institucionale
  • VEPËR MONUMENTALE KUSHTUAR MBRETËRESHËS TEUTË
  • TEODOR LAÇO, RREFIMTARI E PROTAGONISTI I LETRAVE E POLITIKES SHQIPTARE
  • Dy pashallarë dhe njё president në Konferencën e Parisit
  • Mjeshtri i skicimit të identitetit shqiptar – In Memoriam Mjeshtri i Madh Sali Shijaku
  • Koha për debat serioz, reflektim dhe zgjidhje
  • MJEKU KURON, NATYRA SHËRON…
  • Vitet parisiane të Hasan Tahsinit…
  • KONSULLATA SHQIPTARE NË MICHIGAN – NJË KËRKESË E VJETËR E DIASPORËS QË TANI PRET TË BËHET REALITET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT