• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MOS E HUMBISNI KËTË MOMENT HISTORIK

October 7, 2026 by s p

Nga Washingtoni në Bruksel, Shqipëria ka përpara një mundësi që kërkon vendim, jo më shumë justifikime.

Nga Frank Shkreli

Vizita e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe mesazhi i saj për Shqipërinë nuk duhet të trajtohen si një tjetër episod diplomatik. Ato janë një sinjal politik: Evropa është më afër, por dera nuk hapet vetëm me deklarata.

“Objektivi është në horizont”, tha von der Leyen. Tani Shqipëria duhet të tregojë nëse ka vullnetin, kapacitetin dhe seriozitetin për ta arritur atë objektiv. Kohët e fundit, zyrtarja e lartë evropiane vizitoi Shqipërinë dhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor me synimin për të ndihmuar ato vende në rrugën drejt antarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Kjo, paraprakisht, dhe përball 6 tetorit, kur pritet të paraqitet rishikimi i politikës së para-anëtarësimit, si dhe 15-16 tetorit, kur liderët e Bashkimit Europian do të diskutojnë zgjërimin dhe reformat e brendshme.

Nuk besoj se fjalët e von der Leyen të jenë vetëm një frazë diplomatike, kësaj rradhe. Është një moment që duhet marrë seriozisht. Shqipëria është më pranë Evropës se kurrë më parë. Por, pikërisht, për këtë arsye nuk duhet të humbasim kohë. Tani nuk mjafton më të themi se jemi evropianë.

Shqiptarët e kanë deklaruar orientimin e tyre perëndimor në mënyra të ndryshme për më shumë se tri dekada. Shqiptarët, ndryshe nga elitat e tyre politike të këtyre 35-viteve tranzicion i pafund, kanë dëshmuar ndjenjat e tyre pro-perëndimore me votën, me sakrifica, me emigrimin, me lidhjet familjare e kulturore me Perëndimin, me mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Evropës dhe me dëshirën për të ndërtuar një shtet demokratik pro-perëndimor pas shëmbjes së komunizmit zyrtar. Por pas më shumë se tri dekada reformash, negociatash dhe pritjeje, retorika pro-evropiane e Tiranës zyrtare, nga të dy partitë kryesore, nuk mjafton më.

Nëse Shqipëria duhet të ndërtojë shtetin që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, kjo do të thotë drejtësi të pavarur, zgjedhje të besueshme dhe të pa kontestueshme, luftë të pakompromis kundër korrupsionit, media të lira, administratë profesionale dhe institucione që respektojnë qytetarin, pronën dhe ligjin. Këto nuk janë kërkesa të tepërta të Brukselit. Janë kushtet minimale që kërkohen nga një shtet normal funksional. Mesazhi evropian është i qartë. Përparimi i bërë deri tani, vlerësohet, por nuk mjafton. Reformat duhet të zbatohen, të maten dhe të prodhojnë rezultate. Nuk ka më vend për vetëkënaqësi, propagandë të flliqt apo përpjekje për ta shitur çdo hap procedural si sukses historik.

Integrimi nuk matet me flamuj, fotografi me udhëheqës perendimorë, madje edhe me pagesë, dhe konferenca shtypi. Integrimi i vërtetë matet me mënyrën se si funksionon drejtësia, si zhvillohen zgjedhjet, si kontrollohet pushteti dhe si mbrohet qytetari në Shqipëri. Sepse ndërsa kryeministri shqiptar flet në kancelaritë europiane për një Ballkan që duhet të afrohet sa më shpejt me Bashkimin Europian, në Tiranë për disa muaj, zhvillohen protesta të vazhdueshme kundër mënyrës së qeverisjes aktuale.

Ajo që nisi më 30 maj të këtij viti, me kundërshtimin ndaj projekteve të mëdha turistike është zgjeruar tani në një revoltë më të gjerë politike dhe qytetare. Protestuesit kërkojnë llogari, përgjegjësi, hetim të akuzave për korrupsion dhe, gjithnjë e më shumë, dorëheqjen e kryeministrit. Kjo është një pjesë e rëndësishme e zhvillimeve në Shqipëri që Europa nuk duhet ta shohë vetëm nga larg. Protestat tre-mujore qytetare janë një mesazh politik që duhet të dëgjohet nga klasa politike shqiptare dhe mos të injorohet nga Evropa dhe as nga Shreret e Bashkuara. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf

Evropa nuk është dekor politik as Bashkimi Evropian nuk është një organizatë e përsosur shtetesh. Megjithkëtë, ai ent evropain përfaqëson shtetin ligjor, përgjegjësinë institucionale, transparencën, kontrollin mbi pushtetin dhe demokracinë funksionale. Nëse këto standarde nuk bëhen realitet në jetën e përditshme në Shqipëri, “mbyllja e kapitujve të negociatave” do të mbetet një arritje teknike dhe jo një ndryshim i vërtetë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Prandaj, politika shqiptare duhet të heqë dorë njëherë e mirë, nga një keqkuptim i rrezikshëm se integrimi evropian nuk është projekti i një qeverie, partie apo lideri. Është dhe duhet të jetë një zgjedhje strategjike kombëtare. Asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta përvetësojë këtë proces as këtë projekt, por gjithashtu asnjë forcë politike nuk ka të drejtë ta pengojë procesin e integrimit për interesa të ngushta politike ose partiake. Por edhe Evropa duhet të jetë e vetdijshme se procesi i integrimt të Shqipërisë nuk mund të arrihet vetëm me një krah të politikës shqiptare.

Shtetet e Bashkuara mbeten partneri i Kombit shqiptar, i pa zëvendësueshëm, për sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ndërsa Bashkimi Evropian është hapi i radhës për ta shndërruar këtë orientim në standarde politike, ekonomike dhe institucionale. Nga Washingtoni në Bruksel, rruga është e qartë. Ajo që mungon nuk është drejtimi, por vendosmëria e klasës politike shqiptare për të ecur drejtë këtij objektivi të madh mbarë-kombëtar “në horizont”, sipas deklaratës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Tiranë.

Duke pasur parasysh gjëndjen kritike politike në Tiranë, ky moment historik kërkon arritjen e një marrëveshjeje të re politike ndërmjet partive politike të Shqipërisë rreth disa objektivave konkrete, për të hapur derën njëherë e mirë drejtë antarsimit përfundimtar të Shqipërisë në BE. Për një drejtësi pa ndërhyrje nga politika, për zgjedhje pa manipulim, për institucione të pavarura, për një administratë pa militantizëm, për një luftë reale kundër korrupsionit dhe transparencë në përdorimin e pushtetit dhee të financave publike. Kërkon gjithashtu diçka që politika shqiptare pozitë-opozitë, pa dallim, e ka shmangur vazhdimisht, e që është pranimi i rregullave që kufizojnë pushtetin. Standardet evropiane nuk janë të dobishme vetëm kur kritikojnë kundërshtarin. Ato vlejnë edhe kur kërkojnë llogari nga qeveria, kur mbrojnë të drejtat e opozitës, kur garantojnë kritikën dhe ndalojnë abuzimin me institucionet e shtetit. Shqipëria nuk mund të presë që Brukseli ta ndryshojë atë, për të bëlrë të mundur antarsimin. Janë shqiptarët ata që duhet t’a ndryshojnë Shqipërinë. Kjo do të thotë se qeveria duhet të zbatojë reformat e nevojshme, opozita të ofrojë alternativa dhe institucionet të veprojnë pa frikë nga pushteti politik. Do të thotë, gjithashtu, që shoqëria civile, media dhe qytetarët të mos mjaftohen me duartrokitje apo ankesa, por të kërkojnë afate, rezultate dhe përgjegjësi ng Kuvendi dhe nga politika në përgjithsi.

Mundësia është reale për antarësim, por nuk është e pakufishme. Ajo mund të humbasë në luftërat e vogla politike, në retorikën boshe dhe në protagonizmin e liderëve. Mund të humbasë edhe nga lodhja e një shoqërie që ka pritur gjatë dhe nga një klasë politike që është mësuar të premtojë më shumë sesa zbaton. Prandaj ky moment kërkon veprim të menjëhershëm, jo një tjetër cikël premtimesh boshe. Qeveria duhet të publikojë një plan të matshëm për reformat, me afate dhe përgjegjës konkretë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të miratojë ligje që forcojnë institucionet, jo pushtetin e radhës të një lideri ose partie politike. Opozita duhet ta trajtojë integrimin si interes kombëtar, jo si armë propagandistike. Institucionet e drejtësisë duhet të tregojnë rezultate të prekshme. Dhe qytetarët duhet të kërkojnë llogari për çdo premtim të pambajtur.

Siç thashë më lartë, orientimi perëndimor i shqiptarëve është prej kohësh një zgjedhje historike. Nga Frank Shkreli – Kur historia trokiti në derë: “Liria erdhi,po a u ndërtua shteti?” | Gazeta Telegraf. Tani orientimi i deritanishëm pro-perëndimor, duhet të bëhet realitet institucional dhe i përditshëm. Jo vetëm në dokumente e ligje që nuk zbatohen, por në vendimet e gjykatave, në administratë, në zgjedhje, në ekonomi, lirinë e shtypit dhe, sidomos, në marrëdhënien e shtetit me qytetarin. Nga Washingtoni — Frank Shkreli: Amerika dhe shqiptarët, një miqësi që nuk njeh kohë | Gazeta Telegraf — në Bruksel.

Nga aleanca te anëtarësimi, nga ëndrra te konkretizimi, Shqipëria ka përpara një rrugë të qartë, me një objektiv, “në horizont”. Por rruga nuk përshkohet vetëm me fjalë. Unë u garantoj se Evropa nuk do të vijë ta ndërtojë Shqipërinë. Shqipëria duhet të ndërtojë veten, për antarësim dhe integrim në Evropë. Dhe këtë duhet ta bëjë tani. Është koha që orientimi perëndimor i shqiptarëve, i shprehur dhe i dëshmuar për më së një shekull, më në fund, të konkretizohet, në një Shqipëri, anëtare e Bashkimit Evropian, me vlera evropiane. Ky nuk është vetëm një objektiv politik. Është një moment historik për Kombin shqiptar. Mos e humbisni!

Filed Under: Komente

Gjelosh Gjokaj – arti që kapërcen kufijtë

October 7, 2026 by s p

Shtëpia e Kulturës në Tuz organizoi ekspozitën **“Një dekadë, një gjurmë e përjetshme”**, në nderim të piktorit të njohur nga **Mileshi i Malësisë, Gjelosh Gjokaj**, me rastin e 10-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.

Ekspozitën e shpalli të hapur **Sead Gjokaj**, i cili theksoi se, ndonëse Gjelosh Gjokaj jetoi, krijoi dhe ekspozoi në vende të ndryshme të botës, **mendimi, arti dhe kujtimi i tij mbetën gjithmonë të lidhura me vendlindjen**. Në fund, ai iu kthye aty ku i kishin fillesat rrënjët e tij artistike dhe shpirtërore.

Pikturat e Gjelosh Gjokajt dallohen për **stilin e veçantë, ngjyrat, simbolikën dhe një ndjenjë të thellë misteri**. Në artin e tij, realiteti ndërthuret me imagjinatën, ndërsa figurat dhe format marrin kuptime përtej asaj që shihet në pamje të parë. Përmes vijës, ngjyrës, kontrastit dhe kompozimit, ai krijoi një gjuhë të tijën artistike, të dallueshme dhe universale.

Ekspozitat e veprave të tij në Tuz janë edhe një **rikthim simbolik i artistit te vendi i tij**, te Malësia që e frymëzoi dhe që mbeti një pjesë e rëndësishme e botës së tij krijuese. Në veprat e Gjokajt ndihet prania e vendlindjes, kujtesës, njeriut dhe shpirtit të Malësisë.

**Gjelosh Gjokaj, piktori i njohur në botë nga vendi i Bacë Kurtit, e ngriti emrin e vendlindjes përtej kufijve.** Arti i tij dëshmon se një artist mund të udhëtojë nëpër botë, por rrënjët dhe kujtimet e vendlindjes mbeten gjithmonë pjesë e tij.

**Mesazhi i artit të Gjelosh Gjokajt është i fuqishëm dhe i përjetshëm: të mos harrojmë rrënjët, identitetin dhe vendin prej nga vijmë. Pikturat e tij nuk janë vetëm vepra arti, por edhe një kujtesë e gjallë e Malësisë, e shndërruar në gjuhën universale të artit.**

**Valbona Gojçaj Gjokaj**

Filed Under: Rajon

Inteligjenca Artificiale (AI) dhe katastrofa sociale: kur teknologjia përparon më shpejt se shoqëria

October 7, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

Inteligjenca artificiale po hyn me shpejtësi pothuajse në çdo fushë të jetës: në arsim, shkencë, administratë, ekonomi, media, shëndetësi, drejtësi dhe në marrëdhëniet e përditshme njerëzore. Por pyetja më e rëndësishme nuk është më nëse AI do ta ndryshojë shoqërinë. Kjo tashmë po ndodh. Pyetja është nëse shoqëria do të jetë në gjendje ta përballojë këtë ndryshim pa krijuar një krizë të re sociale.

Rreziku kryesor nuk qëndron domosdoshmërisht te vetë inteligjenca artificiale. Ai qëndron te shpejtësia, përmasa dhe mënyra e përdorimit të saj.

Nëse një teknologji mund të kryejë brenda pak sekondash punë që më parë kërkonin orë ose ditë pune njerëzore, atëherë ajo nuk ndryshon vetëm produktivitetin. Ajo ndryshon edhe vlerën ekonomike të punës, strukturën e profesioneve dhe marrëdhënien e individit me dijen.

Këtu shfaqet paradoksi i madh i epokës së AI-së: teknologjia mund të prodhojë më shumë pasuri, ndërsa njëkohësisht mund të krijojë më shumë pasiguri sociale.

I. Nga automatizimi i punës te automatizimi i profesionit.

Revolucionet e mëparshme teknologjike automatizuan kryesisht punën fizike. Inteligjenca artificiale po hyn në një territor tjetër: punën intelektuale.

Ajo mund të shkruajë tekste, përkthejë, programojë, analizojë dokumente, përmbledhë studime, krijojë imazhe, interpretojë të dhëna dhe të ndihmojë në vendimmarrje.

Kjo prek jo vetëm punëtorin manual, por edhe juristin, gazetarin, përkthyesin, ekonomistin, programuesin, studiuesin, projektuesin, administratën dhe madje pjesë të punës akademike.

Problemi social lind kur shoqëria nuk arrin të krijojë vende të reja pune me të njëjtin ritëm me të cilin teknologjia transformon vendet ekzistuese. Atëherë mund të shfaqet një ndarje e re shoqërore: ata që zotërojnë teknologjinë dhe ata që zëvendësohen prej saj.

Nëse përfitimet e AI-së përqendrohen në pak kompani dhe pak individë, ndërsa kostot shpërndahen te miliona punonjës, teknologjia mund të rrisë ndjeshëm pabarazinë ekonomike.

II. Katastrofa nuk do të ishte vetëm papunësia.

Një nga gabimet më të zakonshme është ta reduktojmë problemin në pyetjen: Sa vende pune do të humbasin? Problemi është shumë më i thellë.bPuna nuk është vetëm burim të ardhurash. Ajo është gjithashtu identitet, dinjitet, status social, marrëdhënie njerëzore, disiplinë dhe pjesëmarrje në shoqëri.

Nëse një pjesë e madhe e popullsisë humbet jo vetëm të ardhurat, por edhe ndjenjën se është e nevojshme për shoqërinë, atëherë kemi një problem që nuk zgjidhet vetëm me kompensime financiare.

Mund të kemi një shoqëri ku prodhohet shumë më tepër me shumë më pak njerëz, por ku një pjesë e madhe e njerëzve ndihen të panevojshëm. Kjo do të ishte një prej formave më serioze të katastrofës sociale të epokës së AI-së.

III. Kriza e dijes dhe e arsimit.

Ekziston edhe një rrezik tjetër. Nëse nxënësi, studenti apo studiuesi ia delegon vazhdimisht AI-së leximin, analizën, shkrimin dhe arsyetimin, ekziston rreziku që të dobësohet pikërisht aftësia që arsimi duhet të zhvillojë: aftësia për të menduar në mënyrë të pavarur. Kështu mund të krijohet një paradoks: Shoqëria mund të ketë më shumë informacion se çdo epokë tjetër, por më pak njerëz që dinë ta gjykojnë atë në mënyrë kritike. Kjo është veçanërisht e rrezikshme në shkencë dhe universitet.

AI mund të ndihmojë studiuesin të gjejë literaturë, të analizojë të dhëna ose të formulojë hipoteza. Por nëse ajo përdoret për të zëvendësuar procesin intelektual, atëherë rrezikojmë të prodhojmë tekste pa autorësi reale, dije pa kuptim dhe diploma pa formim.

Prandaj universiteti i epokës së AI-së duhet të ndryshojë: më pak të vlerësojë aftësinë për të riprodhuar informacion dhe më shumë origjinalitetin, metodologjinë, verifikimin, argumentimin dhe kontributin personal.

IV. Një tjetër rrezik: zhdukja e kufirit mes së vërtetës dhe së rremes.

AI e ka bërë jashtëzakonisht të lehtë krijimin e teksteve, fotografive, videove dhe zërave bindës. Kjo mund të krijojë një krizë të re të besimit.

Nëse qytetari nuk është më në gjendje të dallojë lehtësisht një dokument autentik nga një dokument i gjeneruar, një fotografi reale nga një fotografi sintetike apo një deklaratë reale nga një deklaratë e fabrikuar, atëherë problemi nuk është vetëm teknologjik. Është demokratik dhe shoqëror.

Një shoqëri demokratike funksionon mbi një minimum besimi te faktet, dokumentet dhe institucionet. AI mund ta dobësojë këtë bazë nëse përdoret për manipulim masiv.

V. Dhe këtu shfaqet problemi i pushtetit.

Pyetja më e rëndësishme nuk është vetëm: Çfarë mund të bëjë AI? Por: Kush e kontrollon AI-në?

Nëse një numër shumë i vogël kompanish kontrollojnë modelet më të fuqishme, të dhënat, infrastrukturën kompjuterike dhe platformat e shpërndarjes, atëherë përqendrimi teknologjik mund të shndërrohet në përqendrim ekonomik, informativ dhe politik.

Kjo krijon një rrezik të veçantë: një teknologji që premton demokratizimin e dijes mund të prodhojë, në rrethana të caktuara, një përqendrim të jashtëzakonshëm të fuqisë.

VI. Por AI nuk është domosdoshmërisht katastrofë.

Është e rëndësishme të mos biem në ekstrem të kundërt. AI mund të sjellë përfitime të mëdha: diagnostikim më të shpejtë, kërkim shkencor më efikas, administratë më produktive, përkthim dhe komunikim më të lehtë, ndihmë për personat me aftësi të kufizuara, përpunim të sasive gjigante të të dhënave dhe mundësi të reja për arsimimin.

Prandaj problemi nuk është AI kundër njeriut. Problemi është AI pa rregulla kundër shoqërisë.bTeknologjia duhet të jetë në shërbim të njeriut, jo njeriu në shërbim të teknologjisë.

VII. Shqipëria ka një rrezik të veçantë.

Për vende si Shqipëria, çështja është edhe më komplekse. Një ekonomi me treg relativisht të vogël pune, emigracion të lartë, pabarazi, institucione që ende kanë nevojë për forcim dhe kapacitete të kufizuara kërkimore nuk mund ta trajtojë AI-në vetëm si një modë teknologjike. Duhet të mendohet që tani për arsimin e ri, profesionet e reja, rikualifikimin e punonjësve, mbrojtjen e të dhënave, transparencën algoritmike, autorësinë shkencore, etikën akademike dhe përgjegjësinë juridike. Në të kundërt, Shqipëria mund të përfundojë duke importuar teknologjinë, por duke eksportuar njerëzit. Dhe kjo do të ishte një nga paradokset më të dhimbshme të modernizimit: teknologjia mbetet këtu, ndërsa kapitali njerëzor largohet.

VIII. Sfida e vërtetë.

Në fund, pyetja e shekullit XXI nuk është nëse njeriu do të mundë AI-në. Është shumë më themelore: A do të arrijë njeriu të ndërtojë institucione që ta vendosin AI-në brenda një rendi ekonomik, juridik, etik dhe shoqëror ku përfitimet e saj të mos shndërrohen në katastrofë sociale? Nëse përgjigjja është po, AI mund të bëhet një nga instrumentet më të fuqishme të progresit njerëzor. Nëse përgjigjja është jo, atëherë rreziku nuk është se makinat do të bëhen shumë inteligjente. Rreziku është që shoqëria njerëzore të bëhet shumë e varur prej tyre, ndërkohë që institucionet mbeten shumë të dobëta për t’i kontrolluar. Kjo është arsyeja pse debati për inteligjencën artificiale nuk duhet të jetë vetëm debat për teknologjinë. Është, mbi të gjitha, debat për të ardhmen e shoqërisë njerëzore.

Foto: almakpress.com

Filed Under: ESSE

Festivali i Filmit Antikomunist në Washington, DC

October 7, 2026 by s p

Marilyn D. Anderson/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpritën këto ditë në Washington, D.C., Festivalin e Parë të Filmit Antikomunist, organizuar nga “Victims of Communism Memorial” Foundation. Ngjarje historike kjo e një rëndësie të veçantë për SHBA e botën mbarë, ku i gjithë programi synoi të sjellë kujtesën e viktimave të totalitarizmit nga Evropa Lindore deri në Azinë Lindore.

Iniciator ishte gazetari amerikan Mark Judge. Festivali ishte konceptuar si një ngjarje përkujtimore dhe edukative për të shfaqur vepra që pasqyrojnë luftën për liri dhe rreziqet e regjimeve totalitare. Programi i festivalit u mbajt nga datat 1 deri 4 Tetor 2026, dhe u ndoq nga një audiencë e gjerë e moshave dhe profileve të ndryshme.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Muzeut VOC, i cili ndodhet vetëm dy blloqe larg Shtëpisë së Bardhë, duke sjellë në vëmendje histori njerëzore, dokumentarë dhe vepra artistike që pasqyrojnë qëndresën ndaj regjimeve totalitare. Pas transmetimeve u hapën panele diskutimi me biseda analitike.

Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i “Victims of Communism Memorial Foundation”, Eric Patterson, PH.D., i cili pasi foli mbi misionin e Fondacionit, dhe Muzeut që është ngritur në nderim të viktimave të komunizmit në botë, ai tha se, “Brezat e rinj sot kanë më shumë njohuri rreth Holokaustit se sa mbi krimet e komunizmit në botë, ku më shumë se 100 milionë njerëz humbën jetën në mbarë botën nën regjimet komuniste përmes ekzekutimeve, internimeve, urisë së sforcuar dhe punës së detyruar në kampet e përqëndrimit”.

Sipas Dr. Patterson, “Ky Festival ishte një aktivitet unik pasi fokusi i tij ishte përqëndrur tek të vërtetat njerëzore mbuluar nga regjimet totalitare. Përzgjedhja e filmave mbulonte periudha të ndryshme historike dhe zhanre të shumta, duke ofruar një këndvështrim të gjithanshëm mbi përballjen me totalitarizmin, ku satira do të përmbyllte aktivitetin përmes një qasjeje me humor ndaj ideologjive të kohës.

Në një kohë kur kujtesa kolektive për krimet e totalitarizmit shpesh zbehet – tha ai – ky festival shërben si një kujtesë emocionalisht e fuqishme për miliona jetë të prekura nga regjimet shtypëse”. Perveç Presidentit të Fondacionit Eric Patterson, gjatë paneleve folën ideatori i festivalit gazetari Mark Judge, Drejtori për Komunikim i Muzeut, Michal Harmata etj…

Titujt e filmave kryesorë artistikë që u shfaqën gjatë ditëve të Festivalit ishin, “Pilecki’s Repot”, “Raporti i Pileskit”, “The Killing Fields”, “Fushat e vrasjeve”, “Red Dawn”, “Agimi i kuq”, “The Lives of Others”, “Jetët e të tjerëve”, “Hail, Caesar” etj. Pjesë të këtij programi u ndoqën edhe nga disa gra shqiptare që kanë përjetuar persekucionin e egër komunist në Shqipëri.

Filmi “Agimi i kuq”, ishte prodhim amerikan i vitit 1984, realizuar nga regjisori John Milius dhe artistë të njohur të Hollivudit. Ishte një dramë aksion luftarak i periudhës së Luftës së Ftohtë, ndërtuar mbi një histori hipotetike sikur SHBA-ja pushtohet nga forcat e bllokut komunist. Historia nis papritur në një qytet të vogël rural në Colorado, ku trupat parashutiste sovjetike dhe kubane zbarkojnë direkt mbi oborrin e një shkolle të mesme vendase dhe hapin zjarr, duke shënuar fillimin e Luftës së Tretë Botërore në tokën amerikane.

Çfarë tregon se historikisht SHBA, edhe nëpërmjet artit dhe kinematografisë amerikane, vazhdimisht ka bërë përpjekje për rrëzimin e komunizmit në Botë. Edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump i nderon viktimat e komunizmit dhe vazhdimisht ngre zërin me politikat e tij për rrëzimin e komunizmit në vendet totalitare në botë.

Duke u ndalur tek data 3 Tetor, ajo përkon me rënien e Murit të Berlinit dhe bashkimin e dy Gjermanive në vitin 1989. Kohë kur Ronald Regan i tha Gorbaçovit: “Shëmbeni këtë mur”. Me këtë rast mund të përmendim edhe Governatorin e Shtetit të Floridas, Ron DeSantis, i cili ka futur nëpër tekstet shkollore literaturë mbi krimet e komunizmin në botë.

Festivali synoi të përdorë fuqinë e ekranit të madh për të edukuar publikun mbi rreziqet e ideologjive totalitare dhe për të vleresuar sakrificat e lirive e të drejtave të njeriut. Përmes një përzgjedhjeje me filma nga periudha dhe gjini të ndryshme, aty u paraqiten filma dramë, histori reale, filma me aksion, satirë dhe është hera e parë që një institucion i këtij niveli në SHBA krijon një platformë dedikuar posaçërisht kinematografisë antikomuniste.

Zhvillimi i festivalit në zemër të Washington, D.C., i dha eventit një vizion ndërkombëtar, duke tërhequr diplomatë, historianë, ish të persekutuar politikë nga vende të ndryshme të botës, studentë dhe artdashës. Shfaqur në një nga sallat e Muzeut ku brenda tij ndodhet edhe një Galeri me foto dhe piktura të shumta. Përmbajtjen e pikturave, punime të artistit ukrahinas Nikolai Getman, i cili i mbijetoi kampeve të punës së detyruar në Gulag, të jepej mundësia t’i njihje nëpërmjet audio udhëzuese.

Filed Under: Kulture

Usta Laveri – Bariu i Popullit në Boston – Bisedë me Prof. Vasil S. Tole

October 7, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Distanca mes Bostonit dhe Tiranës gjeti harmoninë e saj në bisedën me Prof. Vasil S. Tole mbi monografinë ‘Laver Bariu: Ustai i Fundit’, (Onufri) në Qendrën Kulturore dhe Bibliotekën Fan Noli në Boston, përmes platformës Zoom, të shtunën, më 3 tetor, 2026. Muzika e ustallarëve nuk ka qenë kurrë një “performancë”, por pjesë e ADN-së sonë kulturore, që kërkon kujdes të përhershëm e përkushtim që të mos zbehet. Përmes këtij dialogu, synoj të zbuloj artin e një mjeshtri dhe mjeshtërinë e një tradite, që na ka ushqyer shpirtin dhe mendjen.

Rafaela Prifti: Ju shkruani se botimi erdhi si nevojë për të pasur kontributin e Usta Laverit në një libër të vetëm. Nisur nga një episod që tregoni në libër, që ngjau gjatë promovimit të librit për Usta Laverin në vitin 2008 në Përmet, kur mjeshtri, më çiltërsinë karakteristike, ju pyeti: “I fundit i të mëdhenjve apo i fundit për nga rëndësia?” Çfarë menduat se duhej të përfshihej në këtë botim të plotë? Përse ishte i nevojshëm dhe sa punë është dashur për realizimin e tij?

Prof. Vasil S. Tole: Më së pari, ju falenderoj për ftesën për këtë bisedë mbi muzikën popullore qytetare me saze, që ka në fokus usta Laver Bariun, drejtuar një auditori kaq me vlerë sa diaspora shqiptare në Boston e më gjerë në Amerikë. Po, është e vërtetë, usta Laveri më pyeti: I fundit nga të mëdhenjtë apo nga rëndësia? Por unë nuk kisha nevojë, t’i përgjigjesha pasi e gjithë salla, pothuajse si një kor i sprovuar tha: I fundit nga të mëdhenjtë, usta! Mendoj se ky botim është më i ploti deri më tani për një mjeshtër sazesh. Këtij subjekti i kam ardhur rreth e rrotull, siç thotë populli, prej kohës kur fillova punë në qytetin e lindjes, si Drejtues i Shtëpisë së Kulturës në Përmet, nga fundi i vitit 1987. Pas studimeve për kompozicion në Tiranë, kisha një qasje tjetër ndaj muzikës popullore, edhe për faktin që prof. Zadeja, i madhi Çesk Zadeja, na kishte orientuar drejt rrënjëve të muzikës sonë. “Zbulimi” i magjisë së sazeve ishte një proces i ngadalshëm dhe shumë përtëritës për mua si krijues dhe studiues. Këtij botimi i kanë paraprirë librat studimorë si “Sazet, muzika me saze e Shqipërisë së Jugut” 1999, ku natyrisht usta Laveri zinte vendin e tij, vëllimi “Usta Laver Bariu” 2008, studimi “Kabatë me gërnetë dhe violinë” 2023 ku ustai analizohet për kabatë e tij dhe pas vdekjes së tij, botimi i CD “Trashëgimia muzikore shpirtërore e Usta Laver Bariut një vit më vonë dhe më 2026 librin monografik “Laver Bariu, Ustai i Fundit”. Gjithsej mbi 35 vjet njohje dhe studime.

Rafaela Prifti: Keni shkruar një monografi që, siç thoni ju, është “jo vetëm për një mjeshtër të artit të tij, por për muzikën e sazeve si një mënyrë jetese, që ende na flet përmes zërit të tij”, çfarë përfshin kjo?

Prof. Tole: Do përgjigjem me fjalët e muzikologes Mikaela Minga, e cila e ka analizuar në detaje këtë libër. Ajo shkruan:… “libri bën bashkë biografinë e tipit historik me elemente të biografisë së tipit akademik, i pajisur me analiza të repertorit, materiale dokumentare, transkriptime muzikore, ilustrime audio, si dhe imazhe fotografike. Gjejmë edhe një përmasë tjetër, e cila ka të bëjë me faktin që autori i qaset kësaj teme edhe si kompozitor, çka krijon një “pikëprerje” specifike narrative mbi temën. Kjo mund të them se është karakteristikë e Vasil Toles dhe si e tillë na lidh edhe me kontekstin krijues dhe zgjedhje estetike të tijat si kompozitor, të cilat janë rrjedhojë edhe e punës së tij studimore, dhe, në rastin në fjalë, e bashkëpunimit dhe afrimitetit me një protagonist kaq fin të muzikës tradicionale shqiptare, si ishte Laver Bariu.”

Rafaela Prifti: “Tri gjërat e përhershme të Përmetit: Vjosa, Guri dhe Laveri.” Ju vëreni në libër se nuk janë bërë mjaft studime mbi ndikimin e lumit, peshkimit, shtëpisë së vjetër në Qoshk në dhuntinë e tij muzikore dhe procesin krijues. Si mund të realizohet kjo?

Prof. Tole: Ka një lidhje të fortë mes mjedisit gjeografik e kulturor dhe ndikimit që në personalitetin krijues të Usta Laverit. Dihet se ai lindi në vendin që njihet si “Lagja e lumit” dhe shtëpia e Nurkave ishte me pamje dhe në distancë rreth 50 metra nga lumi Vjosa. Në krah të majtë ishte Guri i Qytetit dhe pas shtëpisë qëndronte masivi i malit të Dhembelit dhe Nemërçkës. Vetë ustai thoshte që e merrte gërnetën me vete sa herë shkonte për peshkim pasi aty, më mirë se në çdo vend tjetër i vinte frymëzimi dhe motivet muzikore. “Vjosa më mban ison,” më thoshte. Dhe jo vetëm tek muzika që ai krijoi, sidomos tek kabatë, por edhe tek mjeshtrit përpara tij ndjehet një panoramim muzikor i mjedisit në tingujt e kabave që quhen ndryshe edhe kaba baritore. Të tilla ka shumë por më e njohura është ajo që quhet Kabaja e Medi Përmetit.

Rafaela Prifti: Të shkojmë tek fundi i shekullit XIX – fillimi i shekullit XX, koha e dinamikës interesante të hyrjes së instrumenteve të temperuara dhe migrimit në Evropë dhe Amerikë – rasti i Usta Riza Mekos, që në vitin 1916 vjen në SHBA, i bashkohet Bandës së Vatrës dhe kthehet në Shqipëri. A mund ta shtjelloni evolucionin e sazeve dhe lidhjen e tyre me formimin e qyteteve dhe kulturën urbane në përgjithësi?

Prof. Tole: Sazet u krijuan në një moment historik kur banorët e qyteteve shqiptare kishin nevojë për një kulturë të re muzikore që i lidhte ata me rrënjët e tyre. Qytetet përmes rikontakteve me perëndimin po përjetonin urbanizimin e tyre si dhe falë tregtisë mallra-sende, mes tyre gramafonë, veshje, biçikleta dhe vegla muzikore evropiane u mbivendosën në kulturën e tyre të vjetër. Pikërisht, me hyrjen e veglave të temperuara u krijua mundësia që përmes mjeshtrave popullorë të miksohej kultura muzikore popullore shumëzërëshe e fshatit “a capella” me tiparet muzikore të klarinetës, violinës dhe llahutës. Bashkimi i tyre krijoi sazet, këtë formacion unik të muzikës popullore qytetare.

Rafaela Prifti: Le të afrohemi tek portreti i sazexhiut dhe tek veçoritë dalluese të sazeve të Përmetit. Monografia jep një tablo të gjerë të pararendësve të këtij arti, por për këtë bisedë do veçojmë Usta Mediun (Përmeti) i cili krijoi arketipin e muzikantit të sazeve, që luan në instrumente dhe njëkohësisht këndon; dhe Usta Rizai (Meko), që e konsolidoi mjeshtërinë, me peshë të barabartë të klarinetës dhe violinës, model që e ndoqi më pas edhe Usta Laveri. Siç dihet, angazhimi i tij i parë ishte me llautë në formacionin e sazeve të Vangjel Leskovikut.

Prof. Tole: Po. Usta Laveri ndoqi modelet e mjeshtrave dhe sazeve pararendëse përmetare të Usta Mediut, të Riza Mekos dhe sidomos të Usta Vangjel Leskovikut, mjeshtra të viteve 1930-1950, portreti muzikor i të cilëve ishte ai i duhuri: pra edhe instrumentistë në vegël edhe këngëtarë, pra si të thuash shoqërues të vetvetes. Kjo ishte tradita, saze që krijoheshin brenda familjes dhe që artisti i tyre ishte edhe muziktar në vegël, edhe këngëtar, role që mbështesnin dhe pasuronin njëri tjetrin. Kështu veproi edhe usta Laveri, ai edhe interpretonte në vegël, edhe krijonte, edhe njëherazi këndonte. Këto tipare të muziktarit qendror të sazeve ndikuan ndjeshëm në unitetin e brendshëm të tyre. Kur artistët e sazeve u bënë vetëm instrumentistë që shoqëronin këngëtarë të ftuar, sazet pësuan ndryshimin e parë, që solli diçka ndryshe, për mirë ose jo.

Rafaela Prifti: Jemi tani në vitet 1950, kur Usta Laveri krijoi formalisht grupin e tij të parë të sazeve, art që e deshi dhe e ushtroi për gati gjysmë shekulli. Në këtë periudhë kemi regjistrime, transmetime në radio, TV, Festivale Folklorikë, turne. Në 1951, sazet bëhen pjesë e formacionit zyrtar të Filarmonisë së Tiranës. A ishte kjo epoka e artë e sazeve dhe pse funksionoi kaq mirë?

Prof. Tole: Po, në vitet 1950 u bë edhe një njohje zyrtare nga shteti shqiptar i disa formacioneve historike do t’i quaja të muzikës popullore mbarëshqiptare, të cilat kishin zënë fill si të tilla fillimisht në regjistrimet disko-grafike në vitet 1930-1940. Më pas, disa prej tyre si formacione muzikore pranë Radio-Tiranës pas vitit 1938, për të kulmuar me vendimin për përfshirjen e tyre si pjesë e Filarmonisë së Tiranës. Ishin formacione muzikore që praktikisht përhapen muzikën më të mirë popullore shqiptare nga jugu në veri, jashtë vendit dhe në diasporën shqiptare në Evropë dhe në Amerikë. Ato krijuan për herë të parë një njohje të këtyre vlerave në gjithë hapësirën tonë kombëtare falë mjeteve teknologjike të kohës si disqet apo radio. Formacione si Sazet e Radios kishin në përbërje muziktarë të shquar popullorë si Usta Jonuzi i Lamçes nga Përmeti me gërnetë, Sadik Caci po nga Përmeti me violinë Sabri Reka, vëllai i të madhes Hafize Leskoviku me llahutë e këngëtar etj. I të njëtës rëndësi ishte edhe formacioni shkodran i drejtuar nga Paulin Pali etj. Për fat të mirë, regjistrimet e tyre muzikore me vlerë unike ruhen pranë arkivit muzikor të Radio-Tiranës.

Rafaela Prifti: Në studimin tuaj shtjellohen sazet si formacion dhe si krijim muzikor. Ansamblet e sazeve të cilat ruajnë repertorin e këngëve popullore dhe krijojnë repertor të ri. A mund ta shtjelloni dukurinë e sazeve si polifoni dhe isopolifoni instrumentale; kabaja si zhanri thelbësor dhe karakteristike për Shqipërinë e Jugut?

Prof. Tole: Po, kjo është gjëja më e mrekullueshme që ka ndodhur në pikëpamje të ruajtjes së genotipit muzikor popullor shumëzërësh në kulturën e re muzikore urbane që po krijohej me formacionin e sazeve në qendër. Dihet që kultura bazë muzikore popullore në jug të Shqipërisë është e mbështetur mbi parimin e kombinimit të tipareve polifonike të zërave solistike, pra të marrësit, kthyesit me atë të korit të isos. Pjesa dërmuese e repertorit muzikor është ndërtuar mbi këtë parim. Kur në Shqipëri hynë veglat e temperuara europiane, si pjese e urbanizimit të jetës në vend, të tilla si klarineta, violina etj., këto vegla u përdorën jo vetëm në formacione muzikore klasike, si bandat muzikore apo orkestrat, por edhe në rrugë popullore, pra pa partitura muzikore dhe përgatitje klasike. Pikërisht, mjeshtrit e parë kuptuan se për të krijuar një simbiozë të re të muzikës urbane qytetare shqiptare do të duhej që formula tradicionale polifonike me zëra solistike dhe iso të transferohej në muzikën e re urbane e cila mori të njëjtin repertor të fshatit për ta sjellë tashmë me vegla të temperuara. Për këtë arsye, veglat muzikore dubluan rolet: gërneta u bë marrësi, violina prerësi dhe llahuta isoja. Kjo gjetje gjeniale siguroi origjinalitetin e muzikës së re qytetare, e cila nuk u krijua nga hiçi, por zgjeroi tiparet duke kombinuar veglat evropiane me traditën vokale vendase. Kjo përbën një meritë të padiskutueshme të sazeve.

Sazet i shtuan një përcjellëse instrumentale këngëve popullore me iso duke realizuar tashmë me vegla një lloj të ri të polifonisë me iso që është polifonia me instrumente të temperuara. Çdo këngë popullore vendos një përcjellëse instrumentale që frymëzohej dhe mbështetej tek tiparet melodike vokale, por që falë aftësive teknike të këtyre veglave fitonte hapësira të reja duke i zgjeruar mundësitë shprehëse. Mos të harrojmë që sazet e para edhe i binin veglave edhe vetë këndonin, pra në një lloj kuptimi, këtë proces e bënin shumë natyrshëm.

Rafaela Prifti: Ju keni qenë dëshmitar i procesit krijues të kalimit të këngës tradicionale popullore në këngë të kulturës qytetare. Dhe rasti i këngës së Dhimitraqit kënduar nga Hafize Leskoviku, e cila frymëzoi Kabanë e Usta Laverit në kolonën zanore të filmit “Gjeneral Gramafoni”.

Prof. Tole: Po, në më shumë se një rast. Kam parë se si një këngë fshatare me iso shndërrohej në një kryevepër qytetare me saze, falë mjeshtërisë së usta Laverit. Dhe jo çdo këngë mund të shndërrohej . Ishte vetëm ajo kategori që ishte ende në proces përsosjeje, proces që e kuptonte vetëm mjeshtri dhe që përmes shndërrimit i nxirrte në pah identitetin e ri. Këtu mund të përmend këngët “Se çna ra dëbora”, “A se ç’të bije erë floku”, “Mora rrugën për Janinë”, “Poshtë nga çairet” etj.

Rafaela Prifti: Në regjistrimet në UNESCO – Trashëgimia Botërore e Kulturës jomateriale, janë edhe Kabatë, krijimet e usta Laverit, iso-polifonia etj. Rëndësia dhe kuptimi i këtij regjistrimi. Cila është cilësia e sazeve në Shqipërinë e Jugut sot?

Prof. Tole: Regjistrimi i Polifonisë popullore me iso në UNESCO më 25 nëntor 2005 është një nga arritjet më të mëdha të konfirmimit ndërkombëtar të vlerave të trashëgimisë sonë shpirtërore, ose siç quhet “intangible heritage”. Pjesë e kësaj trashëgimie të madhe të njerëzimit është edhe ajo që lidhet me polifoninë popullore urbane, pra me muzikën popullore të qyteteve, e cila u krijua dhe u mbajt gjallë prej formacionit të sazeve. Vlera e këtij regjistrimi qëndron në faktin që UNESCO njohu dhe pranoi të gjithë format dhe gjinitë polifonike që gjenden në Shqipërinë e Jugut, ato te polifonisë labe, toske dhe çame, të fshatrave dhe të qyteteve, pra në një territor shumë të gjerë, duke përfshirë këtu, këngë, valle, kaba, e shumë gjini të tjera muzikore, të cilat praktikohen nga grup mosha të ndryshme. Sazet e Përmetit dhe vetë ustai janë pjesë e dokumentarit që shoqëroi dosjen e nominimit, krahas mjeshtërve të tjerë. Pesha e saj është shumë e madhe në trashëgiminë shpirtërore të shqiptareve, pasi janë gati 130 vjet që kjo kulturë me saze po kultivohet, janë shumë mjeshtra veglash dhe këngëtarë e këngëtare, që kanë regjistruar një repertor këngësh që zbukuron trashëgiminë e qyteteve, si Përmeti, Leskoviku, Kolonja, Korça, Vlora, Berati, Tepelena, Ohri etj. Formacione të reja sazesh ka, por ajo që duhet bërë me domosdo lidhet me faktin që sazet e reja, muziktarët dhe këngëtarët e tyre duhet të njohin më mirë dhe më thellë traditën para tyre. Kjo duhet bërë pasi tek kjo traditë janë shtresëzuar vlerat dhe kodet profesionale të kësaj muzike. Për këtë arsye, para disa vitesh, botova librin “Kabatë me Gërnetë dhe Violinë”, 100 vjet kulturë muzikore me saze. Ky libër është i shoqëruar me kabatë më të mira të mjeshtërve të sazeve të 100 viteve të fundit, pikërisht për të përcjellë tek brezat e sotëm këtë mjeshtëri të tyre. Këtij qëllimi i shërben edhe libri që po flasim, përveç ndriçimit në detaje të vlerave të usta Laverit.

Rafaela Prifti: Çfarë na ndodh kur dëgjojmë një kaba, i cilësuar në monografi si “zëri njerëzor i shndërruar në instrument.” (faqe 225) Çfarë gjendjeje emocionale të shumëfishtë përjetojmë në mënyrë të natyrshme?

Prof. Tole: Kabaja është me plot gojën koncerti instrumental i muzikës me saze. Në këtë gjini, mjeshtrit gërnetarë dhe violinistë bënë të mundur që duke përdorur veglat evropiane të çonin në një stad të ri tiparet e muzikës sonë popullore. Në thelb, Kabaja është një rrëfim, një tregim, që merr shkas ose buron nga frymëzime të bukurisë së mjedisit gjeografik ose nga dhimbje të cilat populli i shpreh përmes vajtimeve. Prandaj, të dyja llojet e kabave, që janë krijuar prej këtyre qasjeve janë shumë të pëlqyera nga populli. Madje, kur mjeshtrat e interpretojnë bukur kabanë, populli thotë “e qau”, pasi në imagjinatën e tyre, një gërnetist që luan kaba nuk është gjë tjetër veçse një njeri që gëzon ose që vajton. Sigurisht që për të realizuar kaba mjeshtërore, ustallarë si Selim Leskoviku, Vangjel Leskoviku, Bilbil Vlora, Jonuzi i Lamces, Medi Permeti, Riza Meko, Usta Laveri, Remzi Lela, Gaqo Lena, Lulushi etj, i çuan aftesitë e klarinetës në maksimum, duke e bërë kabanë popullore një kryepunë (siç do thoshte Konica), dhe për këtë arsye, kabatë më të mira mbajnë emrat e mjeshtrave të mëdhenj që i krijuan ato.

Mirënjohje për Prof. Vasil S. Tole që përmes këtij studimi na kthen një pjesë të shpirtit tonë muzikor, duke na treguar se sa e çmuar është mjeshtëria e një ustai që bëhet zë i një populli.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 3269
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • EDI RAMA, SHQIPËRIA NUK MUND TË MBAHET PENG PËR PUSHTETIN TËND!
  • “Ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues është absolut”
  • A PRIME MINISTER WHO IS BOTHERED BY THE VERY CONCEPT OF THE RULE OF LAW
  • Studentët dhe rinia që po protestojnë kundër qeverisë, nuk janë armiq të Shqipërisë
  • Shqipëria nuk do të jetë më e njëjtë!
  • KUSH PO E GJYKON SHKOLLËN, KUR SHOQËRIA KA HARRUAR TË DËGJOJË MËSUESIN?
  • TOM SHKRELI: FJALA E FUNDIT NË CILËSINË E KRYETARIT TË FONDACIONIT “DOM SIMON FILIPAJ”
  • Zgjidhja?
  • EDI RAMA, DIL PËRBALLË POPULLIT QË QEVERIS!
  • ALBANIAN CARDINAL ERNEST SIMONI-TROSHANI AT 98: A LIFE OF FAITH, RESISTANCE, AND HUMAN DIGNITY
  • Një shtet e një shoqëri pa rini është mallkim…
  • Grushti institucional
  • Dhuna ndaj studentëve, plagë mbi lirinë dhe dinjitetin e një kombi
  • KUR DURIMI I NJË POPULLI MBARON
  • Eminenca e Tij Ernest Simoni Troshani u nderua në New York në 98-vjetorin e lindjes dhe 10-vjetorin e emërimit si Kardinal

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT