• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbështesim Miss Blair Isufi

August 21, 2026 by s p

Le të bëhemi të gjithë bashkë për të mbështetur Miss World Kosovo, Blair Isufi, në këtë udhëtim fantastik!

Blair po përfaqëson me krenari bukurinë, elegancën, kulturën dhe rrënjët tona kosovare në këtë garë ndërkombëtare. 🇽🇰❤️

Çdo votë e juaja ka shumë rëndësi!

Ju lutem, votoni dhe, nëse mundeni, shpërndajeni edhe me familjen dhe miqtë tuaj.

Faleminderit nga zemra për kohën, mbështetjen dhe përkushtimin tuaj! ❤️

Bashkë për Blairin! Bashkë për Kosovën!

Filed Under: Emigracion

Shqipëria nuk ka nevojë për shtete fetare brenda shtetit

August 21, 2026 by s p

Gazi Aga/

Si shumë shqiptarë, kam ndjekur me shqetësim lajmet e fundit mbi avancimin e projektit për krijimin e të ashtuquajturit “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi” në Tiranë.

Dua ta them që në fillim shumë qartë: Bektashinjtë janë vëllezërit dhe motrat tona, pjesë e historisë, kulturës dhe jetës fetare shqiptare. Ata meritojnë respekt, liri të plotë fetare dhe të drejtën për të organizuar jeten e tyre fetare pa asnje pengese. Jeta fetare islame ne Shqiperi ka qene nje senteze e natyrshme tarikatesh me ngjyra vendase per shekuj me radhe.

Prandaj shqetesimi im nuk eshte ndaj Bektashizmit dhe as ndaj besimtareve bektashinj. Shqetesimi eshte ndaj krijimit te sovranitetit politik mbi baza fetare brenda territorit te Republikes se Shqiperise.

Per shekuj me radhe, myslimane, bektashinj, katolike, ortodokse, tashme edhe protestante kemi ndertuar nje model shqiptar ku komunitetet fetare jetojne prane njeri-tjetrit pa pasur nevoje per kufij, pasaporta apo sovranitete te vecanta. Kjo eshte pasuria jone. Kjo pasuri i ka rezistuar cdo perpjekje per percarje, apo instrumentalizim per interesa jo ne perkim me ato te vendit tone.

Toleranca fetare nuk ka nevoje per kufij te rinj. Dialogu nuk ka nevoje per shtete te reja. Bashkejetesa nuk forcohet duke i dhene nje komuniteti fetar status politik qe komunitetet e tjera nuk e kane.

Nese sot argumentohet se nje komuniteti fetar i nevojitet sovranitet per te ruajtur identitetin dhe qendren e tij boterore, atehere natyrshem lind pyetja: mbi cilin parim do t’u mohohej neser e njejta kerkese komuniteteve te tjera? Pse nje komuniteti fetar i nevojitet sovranitet shteteror per te ushtruar lirisht besimin e tij? A e forcon, apo dobeson harmonine fetare shqiptare krijimi i kufijve politike midis feve, apo rrezikon pikerisht modelin unik te bashkejeteses qe Shqiperia ka ndertuar prej brezash?

Shqiperia ka dicka shume me te vlefshme per t’i treguar: nje vend ku xhamia, teqeja dhe kishat ekzistojne ne te njejtin shtet, nen te njejtin ligj dhe me dinjitet te barabarte.

Kete model duhet ta ruajme.

Modestisht, i bej thirrje institucioneve shqiptare, drejtuesve fetare, akademikeve dhe shoqerise civile qe nje ceshtje me pasoja kaq afatgjata te mos trajtohet si nje projekt simbolik apo turistik, por permes nje debati serioz, transparent, kushtetues dhe gjitheperfshires.

Te mbrojme Bektashinjte.

Te mbrojme myslimanet.

Te mbrojme te krishteret.

Por mbi te gjitha, le te mbrojme barazine mes tyre dhe Shqiperine tone te perbashket.

Politikanet qe marrin vendime te perkohshme, nuk duhet te harrojne se Shqiperia do te jete ketu edhe pertej mandateve te tyre…

Filed Under: Sociale

PUSTECI, HIMNI DHE HESHTJA E TIRANES

August 21, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Ka gjeste që zgjasin më pak se një minutë, por peshojnë më shumë se një fjalim politik. Një himn i dëgjuar. Një himn i heshtur. Një flamur i ngritur. Një gjuhë e përdorur ose e lënë jashtë. Një ndërtesë historike që ruhet ose lihet të tretet në heshtjen e kohës. Në Ballkan, simboli nuk është kurrë vetëm simbol. Prandaj ajo që ndodhi në Pustec më 20 gusht 2026, gjatë vizitës së kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski, nuk duhet parë si një incident protokollar pa rëndësi.

Sipas raportimeve, në ceremoninë zyrtare u ekzekutua himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa himni shqiptar nuk u ekzekutua. Madje është raportuar se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në një vizitë të mëparshme të Mickoskit.

Pyetja nuk është vetëm: Pse nuk u dëgjua himni shqiptar?

Pyetja më e madhe është: Çfarë mesazhi prodhon kjo? Sepse Pusteci nuk është një fshat i zakonshëm kufitar. Është një vend ku jeton një komunitet shqiptar, në brigjet e Prespës, në një hapësirë ku kufijtë politikë janë më të rinj se kujtesa e njerëzve.

Dhe kur kryeministri i një shteti fqinj vjen në një territor shqiptar dhe në një ceremoni zyrtare dëgjohet vetëm himni i tij, ndërsa himni i vendit pritës mungon, simbolika bëhet politike edhe nëse autori i gjestit pretendon se nuk ka pasur qëllim politik.

Në diplomaci, edhe harresa ka gjuhë.

A është Shqipëria e dobët? Ndoshta kjo është pyetja më e pakëndshme. Jo. Shqipëria nuk është një shtet i dobët në kuptimin që ishte dikur. Është anëtare e NATO-s, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe një shtet që ka fituar peshë shumë më të madhe ndërkombëtare sesa kishte në fund të shekullit XX.

Por fuqia e një shteti nuk matet vetëm me numrin e ushtarëve apo me madhësinë e ekonomisë.

Ka edhe fuqi diplomatike, fuqi morale, fuqi kulturore dhe fuqi për të vendosur kufij ndaj sjelljes së fqinjëve.

Dhe këtu Shqipëria shpesh duket më e pasigurt.

Tirana ka zgjedhur, jo rrallë, të mos e acarojë Shkupin. Ka preferuar qetësinë e deklaratave diplomatike ndaj përplasjes publike. Ka menduar se çështjet shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhen zgjidhur kryesisht brenda atij shteti.

Është një qasje e kuptueshme.

Por ekziston një vijë e hollë midis mosndërhyrjes dhe mosreagimit.

Dhe nëse një shtet nuk reagon ndaj gjesteve simbolike që prekin identitetin e qytetarëve shqiptarë, pala tjetër mund ta lexojë heshtjen si mungesë vullneti.

Gjuha: fusha ku beteja bëhet më e thellë

Mickoski ka deklaruar disa herë se nuk është kundër gjuhës shqipe dhe se ajo nuk është e kërcënuar. Në mars 2026 ai përsëriti se maqedonishtja dhe alfabeti cirilik mbeten gjuha zyrtare e shtetit.

Por problemi nuk është vetëm ajo që thotë kryeministri. Problemi është raporti midis deklaratës dhe zbatimit institucional.

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, pas ndryshimeve të Marrëveshjes së Ohrit, përcakton se një gjuhë e folur nga të paktën 20 për qind e popullsisë është gjithashtu gjuhë zyrtare, me përdorimin e saj të përcaktuar në mënyrë kushtetuese dhe ligjore.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua në vitin 2018 dhe hyri në fuqi në janar 2019.

Pra, çështja shqiptare nuk është një kërkesë e re e ardhur nga Tirana.

Është pjesë e arkitekturës kushtetuese të shtetit maqedonas pas konfliktit të vitit 2001.

Prandaj çdo përpjekje për ta reduktuar përdorimin e shqipes në një “çështje emocionale shqiptare” është historikisht e gabuar.

Edhe në vitin 2026 çështja vazhdon të prodhojë probleme konkrete. Studentët shqiptarë të drejtësisë protestuan për të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Qeveria u detyrua të shqyrtojë një zgjidhje institucionale. Vetë Mickoski deklaroi se kërkesa duhet të lejohet, ndërsa Ministria e Drejtësisë kishte ngritur problemin e bazës ligjore.

Kjo tregon diçka të rëndësishme: edhe kur askush nuk e shpall zyrtarisht luftën ndaj shqipes, një e drejtë mund të dobësohet në praktikë përmes vonesave, interpretimeve, procedurave dhe institucioneve.

Dhe kjo është shumë më delikate se një deklaratë politike.

MANASTITI (BITOLA)i: aty ku kujtesa shqiptare ende pret respekt

Por ndoshta dhimbja më e madhe nuk është në Pustec.

Është në Manastir.

Bitola e sotme është qyteti ku, në nëntor 1908, shqiptarët u mblodhën në Kongresin e Manastirit për një nga aktet më të rëndësishme të historisë së tyre moderne: unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Kongresi u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor 1908 dhe në të morën pjesë personalitete si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Mid’hat Frashëri, Gjergj Qiriazi, Fehim Zavalani, Sotir Peci, Nikoll Kacorri, Shahin Kolonja, Grigor Cilka, Bajo Topulli, Mihal Grameno e shumë të tjerë.

Sot aty ekziston Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, institucion kombëtar i krijuar në vitin 2009 nga shteti maqedonas.

Dhe megjithatë ekziston një pamje që të dhemb.

Në atë ndërtesë të kujtesës shqiptare, ndërsa muzeu ruan dokumentet dhe historinë e Kongresit, pjesë të objektit dhe hapësirat përreth kanë marrë funksione krejt të tjera.

Nëse është e vërtetë se në katin e parë të ndërtesës ku lidhet Kongresi i Manastirit sot tregtohen pllaka, ky nuk është thjesht një problem estetik.

Është një metaforë e jashtëzakonshme e Ballkanit:

në një kat ruhet alfabeti i një kombi; në katin tjetër shitet materiali i dyshemeve.

Por këtu duhet edhe një drejtësi historike.

Nuk është e saktë të thuhet se shteti maqedonas nuk e njeh fare këtë trashëgimi. Përkundrazi, Muzeu i Alfabetit është institucion shtetëror maqedonas dhe vetë muzeu dokumenton Kongresin dhe objektet e tij.

Prandaj pyetja më interesante është tjetër:

A duhet Shqipëria të bëjë më shumë për ta siguruar, restauruar ose financuar atë trashëgimi?

Sigurisht që po.

Nëse ekziston mundësia juridike dhe ekonomike për të blerë një hapësirë të lidhur me këtë monument historik, pse Tirana nuk duhet ta shqyrtojë seriozisht?

A ka frikë se një blerje e tillë do të shihej si ndërhyrje?

Atëherë le të mos blihet në mënyrë politike. Le të blihet në mënyrë kulturore.

Parisi nuk ka nevojë të pushtojë Romën për të ruajtur një dorëshkrim italian. Roma nuk ka nevojë të pretendojë territor mbi një muze në Athinë për të ruajtur një dëshmi të historisë së vet.

Një shtet modern nuk e mbron kulturën duke ndryshuar kufijtë. E mbron duke financuar kujtesën.

Nga himni te gjuha, nga gjuha te simbolet

Historia e viteve të fundit tregon se tensionet nuk kanë qenë vetëm rreth një himni.

Ka pasur debate për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, për tabelat dhe komunikimet zyrtare, për simbolet kombëtare dhe për statusin që duhet të kenë shqiptarët në identitetin shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2024 u raportuan debate mbi heqjen e disa shenjave në shqip dhe mbi përdorimin e shqipes në komunikimet institucionale. Një raport monitorimi për rajonin i identifikonte pikërisht narrativat mbi “shtypjen e gjuhës shqipe” si një nga temat më të fuqishme të dezinformimit politik në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2025 u hap gjithashtu debat mbi simbolet shtetërore, përfshirë himnin dhe stemën, ku partitë shqiptare kërkuan përfaqësim më të madh simbolik.

Kjo është pika ku duhet të jemi të kujdesshëm.

Nuk është e drejtë të quhet çdo debat mbi gjuhën apo simbolet “anti-shqiptar”.

Por është po aq e gabuar të mendohet se gjuha, himni, flamuri dhe kujtesa historike nuk kanë rëndësi politike.

Në Ballkan ato janë pjesë e vetë arkitekturës së shtetit.

Dhe Shqipëria?

Këtu kthehemi tek Tirana.

Shqipëria nuk duhet të sillet si kujdestare e shqiptarëve jashtë kufijve.

Kjo do të ishte anakronike dhe e rrezikshme.

Por Shqipëria ka të drejtë dhe madje detyrim moral të mbrojë trashëgiminë kulturore shqiptare, ashtu siç bëjnë Italia për trashëgiminë italiane, Greqia për trashëgiminë greke, Franca për trashëgiminë franceze.

Dhe këtë mund ta bëjë pa provokuar askënd.

Të financosh një muze nuk është irredentizëm.

Të kërkosh respekt për një gjuhë nuk është nacionalizëm agresiv.

Të kërkosh që himni i vendit pritës të respektohet në një ceremoni zyrtare nuk është provokim.

Të ruash shtëpinë ku shqiptarët u mblodhën në vitin 1908 nuk do të thotë të kërkosh ndryshimin e kufirit.

Kufijtë janë një gjë. Kujtesa është tjetër.

Pse Mickoski e bën?

Mund të ketë disa shpjegime.

I pari është politika e brendshme maqedonase.

Mickoski drejton VMRO-DPMNE-në, një forcë politike me një traditë të fortë të nacionalizmit shtetëror maqedonas. Për një kryeministër të tillë, demonstrimi i primatit të identitetit maqedonas mund të jetë një mënyrë për të konsoliduar elektoratin.

I dyti është raporti me partitë shqiptare në koalicion.

Çështjet e gjuhës, simboleve dhe përfaqësimit janë edhe mjete negociimi brenda koalicionit qeverisës.

I treti është frika historike maqedonase nga çdo koncept që mund të perceptohet si “dy shtete brenda një shteti”.

Por ekziston edhe një faktor i katërt:

Ballkani ende jeton me hijet e vitit 2001.

Marrëveshja e Ohrit e transformoi arkitekturën politike të Maqedonisë së Veriut dhe vendosi mekanizma për përdorimin e gjuhëve dhe për përfaqësimin e komuniteteve. Për këtë arsye, çdo debat mbi shqipen prek drejtpërdrejt ekuilibrin e krijuar pas konfliktit.

Provokimi më i madh është heshtja

Ndoshta kjo është arsyeja pse Pusteci duhet të shqetësojë Tiranën.

Jo sepse një himn u harrua.

Por sepse një shtet mëson shumë nga mënyra se si reagon shteti tjetër ndaj gjesteve të vogla.

Nëse Shqipëria proteston qartë, por me qetësi, ajo nuk po shpall luftë.

Po vendos një standard.

Nëse nuk reagon fare, standardin e vendos pala tjetër.

Dhe kjo është ajo që duhet të mësojë Shqipëria nga Evropa:

forca nuk është të bërtasësh më fort; forca është të mos lejosh që të drejtat e tua të bëhen të padukshme.

Tirana nuk duhet të kërkojë privilegje për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Duhet të kërkojë vetëm zbatimin e atyre të drejtave që Kushtetuta dhe ligji i atij shteti ua njohin.

Nuk duhet të kërkojë ndryshimin e kufijve.

Duhet të kërkojë respekt për kujtesën.

Nuk duhet të luftojë me Shkupin për një himn.

Duhet të kërkojë respektin që një himn meriton.

Dhe mbi të gjitha, nuk duhet ta shohë Manastirin si një qytet të huaj.

Sepse Manastiri është pjesë e historisë së përbashkët të Ballkanit, por Kongresi i vitit 1908 është pjesë e pandashme e historisë së shqiptarëve.

Atje, 118 vjet më parë, shqiptarët nuk u mblodhën për të marrë tokë nga askush.

U mblodhën për të gjetur shkronjat me të cilat do të shkruanin të ardhmen e tyre.

Dhe ndoshta kjo është përgjigjja më e bukur ndaj çdo provokimi.

Jo të bërtasim më shumë. Jo të kërcënojmë.Jo të rikthehemi te nacionalizmi i shekullit XIX.

Por të dimë të ruajmë atë që kemi.

Të blejmë, nëse mundemi, atë që duhet ruajtur.

Të financojmë muzeun.Të botojmë dokumentet.Të mbështesim universitetet.Të forcojmë diplomacinë. Të kërkojmë respekt për gjuhën.

Dhe kur në Pustec të vijë përsëri një kryeministër fqinj, të jetë e qartë se Shqipëria është një vend mik, por jo një vend pa zë.

Sepse shtetet nuk humbin vetëm kur humbin luftërat.

Ndonjëherë fillojnë të humbin kur mësohen të heshtin.

Filed Under: Rajon

TRANZICIONI I GJATE: HIJA E NJE DIKTATURE 50 VJEÇARE

August 20, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

A ka lidhje tranzicioni i gjatë shqiptar me diktaturën gati pesëdhjetëvjeçare?

Dhe, më thellë akoma: a është ky tranzicion një pasojë e vonuar e atij sistemi, një çmim që shoqëria shqiptare vazhdon ta paguajë edhe dekada pas rrëzimit të tij?

Përgjigjja per mendimin është po, por vetëm nëse e kuptojmë diktaturën jo thjesht si një regjim politik që kontrollonte shtetin, por si një sistem që për gati gjysmë shekulli ndërhyri në ekonomi, në pronë, në arsim, në kulturë, në marrëdhëniet shoqërore dhe, mbi të gjitha, në mënyrën se si individi mendonte për veten, për shtetin dhe për të ardhmen.

Diktatura nuk rrëzohet plotësisht ditën kur rrëzohet monumenti i saj…

Një regjim politik mund të përmbyset brenda pak muajsh; një ekonomi mund të liberalizohet me ligje; një kushtetutë mund të ndryshohet brenda një viti. Por një shoqëri nuk e ndryshon menjëherë psikologjinë e saj historike. Ajo mbart gjatë në kohë frikërat, zakonet, mosbesimin, privilegjet, pabarazitë, mënyrat e sjelljes dhe kulturën institucionale të sistemit që ka lënë pas.

Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të tranzicionit shqiptar: demokracia filloi në vitin 1990, por shoqëria që duhej ta ndërtonte atë ishte formuar për gati pesëdhjetë vjet brenda një diktature.

Në planin ekonomik, trashëgimia ishte kolosale.

Shqipëria doli nga komunizmi me një ekonomi të centralizuar, me pronë kryesisht shtetërore, me treg të deformuar, me mungesë të kapitalit privat, me teknologji të prapambetur dhe me lidhje të dobëta me ekonominë botërore.

Ekonomia e tregut nuk është vetëm një sistem çmimesh dhe pronësie. Ajo kërkon institucione, kontrata, besim, konkurrencë, kulturë sipërmarrëse, sistem bankar, administratë profesionale dhe një kulturë të respektimit të pronës.

Në vitin 1990, Shqipëria duhej të ndërtonte pothuajse njëkohësisht të gjitha këto.

Prandaj tranzicioni ekonomik nuk ishte thjesht kalimi nga një model ekonomik në një tjetër. Ishte kalimi nga një qytetërim ekonomik në një tjetër.

Individi që për dekada kishte mësuar se shteti ishte pronari, punëdhënësi, garantuesi i të ardhurave dhe përcaktuesi i jetës ekonomike, duhej të mësonte brenda pak vitesh të mendonte si pronar, sipërmarrës, investitor dhe qytetar i një ekonomie konkurruese.

Kjo nuk mund të ndodhte pa dhimbje.

■ Ndoshta askund tjetër trashëgimia e komunizmit nuk është shfaqur aq qartë sa në çështjen e pronës.

Shtetëzimi i pronës private gjatë regjimit komunist krijoi një problem që demokracia e gjeti të gatshëm: kujt i përkiste prona?

Ish-pronarit? Atij që e kishte marrë nga shteti? Atij që e kishte blerë më pas? Shtetit? Komunitetit?

Kjo nuk ishte vetëm një pyetje juridike. Ishte një pyetje mbi drejtësinë historike.

Dhe kur një shoqëri nuk arrin të krijojë një konsensus të qëndrueshëm mbi pronën, ajo krijon pasiguri ekonomike. Pasiguria e pronës prodhon pasiguri të investimit; pasiguria e investimit pengon zhvillimin; dhe mungesa e zhvillimit ushqen zhgënjimin ndaj vetë demokracisë.

Kështu, një problem i lindur në vitet e para të diktaturës mund të shfaqë pasojat e tij edhe dekada më vonë.

■ Diktatura dhe shkatërrimi i kapitalit shoqëror

Por ekonomia nuk shpjegon gjithçka.

Një nga dëmet më të thella të diktaturës ishte shkatërrimi i besimit shoqëror.

Një shoqëri demokratike funksionon mbi një sasi të madhe besimi: besimi te institucionet, te ligji, te kontrata, te tjetri dhe te ideja se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.

Diktatura, përkundrazi, ndërton bindjen e kundërt: se pushteti është mbi ligjin, se lidhja me pushtetin mund të jetë më e rëndësishme se merita dhe se mbijetesa shpesh kërkon përshtatje, heshtje ose kompromis.

Kur një kulturë e tillë kalon nga një sistem në tjetrin, ajo nuk zhduket me dekret.

Prandaj një nga pyetjet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar nuk është vetëm: “A ndërtuam institucione demokratike?”

Por: “A ndërtuam kulturën shoqërore që i bën institucionet demokratike të funksionojnë?”

Janë dy gjëra të ndryshme.

Njeriu i ri dhe njeriu i tranzicionit

Komunizmi shqiptar synoi të krijonte atë që propaganda e quante “njeriun e ri”: individin e formuar sipas ideologjisë, kolektivit dhe bindjes ndaj sistemit.

Por paradoksi historik është se pas vitit 1990 nuk u shfaq menjëherë një “njeri i ri demokratik”.

U shfaq njeriu i tranzicionit.

Ai ishte një përzierje e së kaluarës dhe së ardhmes.

Ai kërkonte lirinë, por shpesh priste ende shumë nga shteti.

Dëshironte pasurinë, por nuk kishte gjithmonë kulturën e tregut.

Kërkonte demokracinë, por mund të mendonte ende në mënyrë klienteliste.

Dëshironte drejtësinë, por mund të kërkonte privilegj për veten.

Ky nuk është një paradoks shqiptar. Është një nga problemet klasike të shoqërive që dalin nga regjime autoritare.

Pse tranzicioni zgjat?

Sepse tranzicioni nuk është vetëm një periudhë kohore.

Është një proces transformimi institucional, ekonomik dhe psikologjik.

Një diktaturë pesëdhjetëvjeçare nuk prodhon vetëm pesëdhjetë vjet histori; ajo prodhon pasoja që mund të zgjasin shumë më tepër se vetë regjimi.

Nëse një brez lind dhe rritet në diktaturë, ai mëson të jetojë sipas rregullave të saj. Nëse një brez i dytë rritet në vitet e para të tranzicionit, ai mëson të jetojë në një shoqëri ku rregullat janë ende duke u krijuar. Vetëm brezat që rriten në institucione të qëndrueshme demokratike mund të kenë mundësinë ta përjetojnë demokracinë jo si një projekt, por si një normalitet.

Prandaj është e gabuar të matim tranzicionin vetëm me kalendar.

Njëzet, tridhjetë apo tridhjetë e pesë vjet nuk janë domosdoshmërisht shumë për transformimin e një shoqërie që ka kaluar nga një sistem totalitar në një demokraci liberale dhe ekonomi tregu.

Por kjo nuk do të thotë se çdo dështim duhet t’i atribuohet komunizmit.

Këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm.

Komunizmi shpjegon shumë nga problemet e tranzicionit, por nuk mund të shërbejë si alibi për të gjitha dështimet e tij.

Pas vitit 1990, përgjegjësia historike kaloi gradualisht nga e kaluara te brezat dhe institucionet e reja.

Korrupsioni nuk është thjesht trashëgimi e komunizmit.

Dobësia e shtetit ligjor nuk është vetëm trashëgimi e komunizmit.

Klientelizmi politik nuk është thjesht trashëgimi e komunizmit.

Dështimet e politikave ekonomike, keqadministrimi, abuzimi me pushtetin dhe mungesa e përgjegjshmërisë politike janë përgjegjësi e periudhës demokratike.

Historia mund të shpjegojë kushtet fillestare. Ajo nuk mund të justifikojë pafundësisht zgjedhjet e mëvonshme.

Një tranzicion midis dy kohëve

Ndoshta kjo është mënyra më filozofike për ta parë historinë shqiptare pas vitit 1990: Shqipëria nuk ka qenë thjesht duke kaluar nga një sistem politik në një tjetër; ajo ka qenë duke kaluar nga një kohë historike në një tjetër.

Diktatura ishte një botë e mbyllur. Demokracia është një botë e hapur.

Diktatura premtonte barazinë duke kufizuar lirinë.

Tregu premton mundësi përmes konkurrencës, por prodhon edhe pabarazi.

Diktatura i kërkonte individit bindje. Demokracia i kërkon përgjegjësi.

Diktatura i jepte shtetit pothuajse gjithçka. Demokracia kërkon që qytetari dhe institucionet të ndajnë përgjegjësinë.

Këto nuk janë ndryshime thjesht politike. Janë ndryshime në vetë filozofinë e jetës shoqërore.

A do të përfundojë ndonjëherë tranzicioni?

Ndoshta pyetja më interesante është nëse tranzicioni ka një datë përfundimi.

Një shoqëri nuk shpall një mëngjes: “Sot tranzicioni mbaroi.”

Tranzicioni përfundon kur institucionet nuk varen më nga individët; kur ligji është më i fortë se pushteti; kur prona është e sigurt; kur konkurrenca është më e rëndësishme se lidhja; kur qytetari nuk kërkon mbrojtës politik për të zgjidhur një problem që duhet ta zgjidhë institucioni; kur ndryshimi i qeverisë nuk shihet si kërcënim për mbijetesën ekonomike; dhe kur demokracia nuk perceptohet më si një ideal i importuar, por si mënyra normale e organizimit të shoqërisë.

Në këtë kuptim, tranzicioni shqiptar nuk është thjesht një histori e së shkuarës.

Është ende një proces i papërfunduar i ndërtimit të besimit, institucioneve dhe kulturës qytetare.

Dhe ndoshta paradoksi më i madh është ky: për të dalë përfundimisht nga hija e diktaturës, nuk mjafton të kujtojmë se ajo ka ekzistuar. Duhet të kuptojmë mekanizmat përmes të cilëve ajo vazhdon të jetojë në zakone, në institucione, në marrëdhënie dhe në mënyrën se si mendojmë për shtetin.

Sepse diktaturat mund të rrëzohen shpejt. Por historia e tyre largohet ngadalë.

Dhe sa më e gjatë të ketë qenë diktatura, aq më i gjatë mund të jetë udhëtimi drejt një shoqërie ku liria, ligji dhe përgjegjësia nuk janë më vetëm fjalë politike, por bëhen pjesë e natyrshme e jetës së përditshme.

Me pak fjale kemi akoma rruge per te bere…

PO JU SI MENDONI ?

Filed Under: Ekonomi

SHKOLLA SHQIPE “GJUHA JONE” PRET KRAHËHAPUR FËMIJËT

August 20, 2026 by s p

Më 13 Shtator 2026, në orën 10:00 të mëngjesit, nis dita e parë e shkollës, pranë Shoqatës Shqiptare Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.

Dita e parë e shkollës është gjithmonë një nga ditët më të bukura dhe më emocionuese të vitit për fëmijët, prindërit dhe mësuesit. Për Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, kjo ditë ka një kuptim edhe më të veçantë, sepse shënon vazhdimin e një misioni të shenjtë: mësimin, ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët e bashkatdhetarëve tanë.

Gjuha amtare është një pjesë e çmuar e identitetit tonë, një lidhje e fortë me atdheun, me prindërit, familjet dhe njerëzit tanë më të dashur. Duke mësuar gjuhën shqipe, fëmijët tanë ruajnë gjallë rrënjët, kulturën dhe traditat tona kombëtare.

Mirë se vini, të dashur fëmijë!

Ju presim krahëhapur, për t’ju dhuruar bukurinë e fjalës shqipe, kujdesin dhe dashurinë e mësueseve tona të përkushtuara, si dhe mbështetjen e drejtuesve të Shoqatës. Së bashku do të përpiqemi që çdo ditë mësimi të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe me vlerë, ku ju të mësoni, të rriteni dhe të ndiheni krenarë për gjuhën dhe prejardhjen tuaj shqiptare.

Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia

Filed Under: Sofra Poetike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT