• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ka filluar regjistrimi për vitin e ri akademik!

August 20, 2026 by s p

Me shumë risi, programe të pasuruara dhe një riorganizim të plotë, këtë vit synojmë të ofrojmë një përvojë edhe më cilësore, më produktive dhe më argëtuese për çdo nxënës.

Ju mirëpresim të bëheni pjesë e familjes sonë dhe të nisim së bashku një vit të ri plot mësim, zhvillim dhe aktivitete të veçanta!

Kliko linkun në Bio ⤵️

https://docs.google.com/…/1FAIpQLScYbGu5MZP…/viewform…

Filed Under: Analiza

Stefan Cvajg na tregon Balzakun e vërtetë, gjeniun që u hakmor ndaj realitetit me gjenialitetin e talentit

August 20, 2026 by s p

​”Suksesi i papritur është gjithmonë i rrezikshëm për një artist. Në vitin 1828, Balzaku ishte thjesht një shkrimtar me mëditje, i falimentuar, i zhytur deri në fyt në borxhe, një djalosh i varfër që rrëfente se qëndronte në shtëpi për të kursyer rrobat e tij. Dy ose tri vite më vonë, ai ishte një nga shkrimtarët më të famshëm në Evropë, me një publik adhurues në Rusi, Gjermani, Angli e në vendet skandinave, me revista e gazeta që përgjëroheshin për kontribute nga pena e tij, i ndjekur nga të gjithë botuesit e i mbuluar me letra nga lexues adhurues. Ambiciet e rinisë së tij ishin përmbushur: “la gloire”, fama verbuese që e bartte emrin e tij nëpër botë mbi krahë rrezatues.

​

Edhe një person me mendjen më të kthjellët se Balzaku nuk do të mund t’i rezistonte dehjes nga një sukses i tillë, e Balzaku ishte larg të qenit i matur. Ai kishte jetuar shumë vite në errësirë, i varfër dhe i uritur, i mbushur me një dëshpërim të padurueshëm, duke parë me zili kalimtare se ishin gjithmonë të tjerët, kurrë ai, që fitonin pasuri, gra, sukses, luks dhe të gjitha begatitë e jetës.

Me natyrën e tij sensuale, është e kuptueshme që ai do të dëshironte të shfrytëzonte bujën që kishte bërë dhe të shijonte kënaqësitë që bota i ofronte. ​Ai donte ta thithte me frymëmarrje famën që i kishte ardhur, ta shijonte në gjuhë, ta prekte me gishta, ta perceptonte me të gjitha shqisat, të ndjente ngrohtësinë komode të turmave duartrokitëse dhe frymën e ëmbël të lajkave.

Tani që bota ishte e vetëdijshme për talentin e tij, ai donte t’i shfaqej asaj. Ishte i lodhur nga poshtërimet dhe kundërshtimet, nga vitet e skllavërisë e të sikletit financiar, ndaj ishte gati t’i dorëzohej tundimeve joshëse që solli fama, kënaqësive të luksit dhe ekstravagancës. Ai e dinte se bota tani ishte skena e tij, prandaj vendosi të dilte para publikut e të luante një rol në shoqëri.

​Jo më pak e shquar se gjenialiteti i Balzakut si shkrimtar ishte edhe mungesa e aplitudës së tij për rolin e “luanit të shoqërisë”. Është një tipar i veçantë i mendjes njerëzore që edhe shkalla më e lartë e kapacitetit intelektual apo akumulimi më i larmishëm i përvojës nuk janë në gjendje të kapërcejnë paaftësinë e lindur të njeriut. Sado i qartë të jetë vështrimi i tij mbi defektet e veta të temperamentit, ai nuk ka fuqi t’i eliminojë ato.

Diagnoza nuk është e njëjtë me shërimin, dhe ne mund të shohim vazhdimisht se si njerëzit më të mençur nuk janë në gjendje të kontrollojnë marrëzitë e tyre të vogla, të cilat bëhen ushqim për talljen e të tjerëve. Ndonëse ishte i vetëdijshëm për fëmijërinë e snobizmit të tij, ai nuk ishte në gjendje ta shtypte këtë dobësi.

​Është një gjendje e mendjes që nuk mund të analizohet në mënyrë racionale. Jemi përballë një paradoksi të pakuptueshëm. Për t’u ngjitur në një “sferë më të lartë të shoqërisë”, ai i uroi vetes poshtërime gjatë gjithë jetës. Për të jetuar në luks, e dënoi veten me punë të detyruar. Për t’u dukur elegant, e bëri veten të dukej absurd. Pa e kuptuar, ai vetë është një provë e gjallë e ligjit që e demonstroi qindra herë në romanet e tij, se një mjeshtër në një sferë mund të jetë krejt i ngathët kur futet në një tjetër për të cilën nuk është i përshtatshëm.

​

​Mund t’u drejtohemi përshkrimeve të panumërta të bashkëkohësve mbi Balzakun e kësaj periudhe. Disa janë thjesht zbavitëse, të tjerat të mprehta, disa janë përbuzëse, e të tjera keqdashëse apo edhe helmuese. Mirëpo të gjitha e shohin atë në perspektivën e ngushtë e mashtruese të shoqërisë dhe gazetarisë pariziane. ​Na shfaqet Balzaku me pallton blu me butona ari të praruar, duke mbajtur shkopin e tij masiv të zbukuruar me gurë të çmuar (Balzac en pantoufles);

Balzaku që nget karrocën e tij tilbury me shërbëtorin e këmbësorin.

Balzaku duke shëtitur përgjatë bulevardit e duke lexuar të gjitha tabelat e dyqaneve për të gjetur emra për personazhet e tij. Balzaku koleksionist që gjuan nëpër dyqanet e antikitetit me shpresën për të blerë një Rembrandt për shtatë franga ose një tas nga Benvenuto Cellini për dymbëdhjetë sous. Balzaku tmerri i botuesve të tij dhe i radhitësve të shtypshkronjës.

Balzaku mburravec e mashtrues që predikon dëlirësinë si parakusht thelbësor për punën krijuese, e në të njëjtën kohë. Balzaku i dashuruar që ndërron gratë më shpesh se këmishën. Balzaku gustator që mund të gëlltisë tri duzina goca deti në një vakth, e t’i shoqërojë me biftek e shpendë. Balzaku vizionar që flet për milionat që do të nxjerrë nga minierat, serrat apo bizneset e tij, e megjithatë i duhet të fshihet nën një emër të rremë për javë të tëra sepse nuk është në gjendje të paguajë një faturë prej një mijë frangash.

​Nuk është rastësi që tri të katërtat e imazheve të Balzakut që na kanë mbërritur nuk janë portrete, por karikatura, ose që bashkëkohësit e tij kanë regjistruar anekdota të panumërta për të, por nuk na kanë lënë trashëgim asnjë biografi të vetme të saktë e me vlerë. Nga e gjithë kjo është e qartë se përshtypja që lini te parizianët personaliteti i Balzakut bëri që ta konsideronin atë jo si një gjeni, por si një ekscentrik, dhe në njëfarë kuptimi mund të kemi të drejtë. Ai ishte i detyruar të shfaqej i çuditshëm në publik sepse, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ai dilte nga orbita e tij sapo braktiste dhomën, tavolinën e shkrimit dhe punën e tij.

​Balzaku thelbësor ishte i padukshëm për Gozlanët, Werdetët dhe Janinët, për dembelët e endacakët e bulevardeve, sepse ata e njihnin vetëm gjatë asaj “një ore në ditë” që i jepej botës, e jo gjatë njëzet e tri orëve të tjera të vetmisë së tij krijuese.

​Kur dilte mes njerëzve, ishte si një pushim i shkurtër që i lejohej një të burgosuri kur ecën në oborrin e burgut për të marrë ajër të pastër. Ose, si fantazma që me goditjen e fundit të mesnatës duhet të zhduket përsëri në zonat e errëta nga erdhi, ashtu edhe Balzakut i duhej të kthehej te punët e tij pas këtij interludi me bollëk të pafrenuar. Asnjë nga ata që u kënaqën me ironinë në kurriz të tij nuk kishte as idenë më të vogël për madhështinë e veprës së tij apo për disiplinën e ashpër nën të cilën ajo u krye. Balzaku thelbësor ishte ai që për njëzet vjet, përveç dramave të shumta, tregimeve dhe eseve, shkroi shtatëdhjetë e katër romane, nga të cilat pothuajse secili është i rangut të parë. E këto shtatëdhjetë e katër romane përmbajnë një botë më vete, me të gjitha peizazhet, rrugët, shtëpitë dhe personazhet e ndryshme që kërkohen për ta populluar atë. Ky është i vetmi standard me të cilin mund të matet Balzaku. Vetëm në veprën e tij mund të njihet Balzaku i vërtetë.

​Njeriu që bashkëkohësit e tij e konsideronin si një ekscentrik marraskuq, zotëronte inteligjencën artistike më të disiplinuar të epokës. Ndërsa ata talleshin me të për ekstravagancën e tij, ai ishte një asket i zellshëm me durimin e palëkundur e këmbëngulës të një eremiti. Ata që zgjodhën rrugën e mesme dhe ishin të sigurt në vetëdijen e tyre se ishin qenie njerëzore normale, talleshin me të për prirjen ndaj ekzagjerimit; por ai prodhoi më shumë nga ajo mendje krijuese sesa të gjithë kolegët e tij së bashku.

​Ai ishte ndoshta i vetmi për të cilin mund të thuhet me të vërtetë se punoi deri në vdekje. Kalendari i tij ishte i ndryshëm nga ai i bashkëkohësve, dita e tyre ishte nata e tij, e nata e tyre ishte dita e tij. Jeta e tij e vërtetë jetohej në një botë të tijën, një botë që e kishte krijuar vetë, dhe Balzaku i vërtetë shihej e dëgjohej vetëm brenda katër mureve të dhomës ku shkruante. Asnjë bashkëkohës nuk mund ta kishte shkruar biografinë e tij, sepse ajo gjendet vetëm në librat e tij.”

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Kronike

Pandemia Digjitale e Përqeshjes

August 20, 2026 by s p

(Nga Murtaja e Kërcimit e vitit 1518 te turma që sot kërcen në ekranet e celularit)

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti

Në verën e vitit 1518, në Strasburg ndodhi një nga episodet më të çuditshme në historinë e botës. Kjo që do ju tregoj është një histori e vërtetë.

Një grua, Frau Troffea, doli në rrugë dhe filloi të kërcente. Nuk ishte festë. Nuk kishte muzikë. Nuk kishte ndonjë arsye të dukshme. Ajo thjesht kërcente. Dhe nuk ndaloi për ditë të tëra.

Pas saj filluan të kërcenin edhe të tjerë. Pastaj të tjerë. Brenda pak kohësh, fenomeni ishte përhapur në qytet. Qindra njerëz u përfshinë në atë që historia do ta njihte si “Murtaja e Kërcimit” e vitit 1518. Njerëzit kërcenin e kërcenin me ditë të tëra pa u ndalur dot. Derisa shumë prej tyre vdiqën.

Një njeri filloi. Të tjerët e panë. Dhe të tjerët filluan të bënin të njëjtën gjë. Kjo njihet si sëmundje psikogjenike e masës.

Pesë shekuj më vonë, nuk kemi më nevojë për sheshet e Strasburgut. Kemi ekranet e celularëve. Kemi algoritmet. Kemi rrjetet sociale. Dhe kemi atë që unë do ta quaja Pandemia Digjitale e Përqeshjes.

Sot, sa herë që ndodh një ngjarje politike, një nismë publike, një projekt, një vendim institucional apo një deklaratë e një figure publike, shpesh nuk kemi më një debat. Kemi një spektakël. Dikush publikon një koment ironik. Një tjetër e kopjon. Një tjetër e ekzagjeron. Një tjetër e shndërron në meme. Një tjetër e shoqëron me një fjalë përçmuese. Dhe brenda pak orësh krijohet një atmosferë kolektive ku të mos qeshësh, të mos tallesh dhe të mos përqeshësh duket sikur do të thotë se nuk je pjesë e turmës.

Këtu qëndron problemi.

Nuk po flas kundër humorit. Humori është i shëndetshëm. Nuk po flas as kundër kritikës. Kritika është oksigjeni i demokracisë. Problemi fillon atëherë kur përqeshja zëvendëson analizën. Kur ironia zë vendin e argumentit. Kur cinizmi shndërrohet në shenjë inteligjence. Kur një projekt nuk analizohet më për atë që është, por gjykohet nga sa mirë mund të bëhet objekt talljeje. Dhe kur pyetja nuk është më: “A është kjo e vërtetë?” por: “A është kjo qesharake?”

Algoritmi nuk kërkon të vërtetën. Algoritmi nuk është filozof. Nuk pyet: “A është ky argument i arsyeshëm?” Nuk pyet: “A e ka lexuar këtë person dokumentin?” Nuk pyet: “A është kjo ide e dobishme për shoqërinë?”

Ai mat ndërveprimin. Klikimet. Komentet. Shpërndarjet. Reagimet. Zemërimin. Talljen. Aftësinë e një përmbajtjeje për të na ndaluar gishtin ndërsa lëvizim ekranin e celularit. Kështu krijohet një nga paradokset më të mëdha të epokës sonë: Përmbajtja që kërkon më pak mendim mund të marrë më shumë vëmendje.

Një analizë prej një mijë fjalësh kërkon kohë. Një batutë kërkon dy sekonda. Një dokument kërkon lexim. Një meme kërkon vetëm një shikim. Një argument kërkon përqendrim. Një tallje kërkon vetëm një buzëqeshje. Dhe kështu, gradualisht, mund të kalojmë nga kultura e argumentit te kultura e reagimit.

Nuk është më e nevojshme të bindësh. Mjafton të përqeshësh. Kjo është një nga ndryshimet më shqetësuese në komunikimin publik. Për të rrëzuar një argument dikur duhej të sillje një argument tjetër. Sot mund të mjaftojë një meme. Për të kundërshtuar një projekt duhej të tregoje dobësitë e tij. Sot mund të mjaftojë një fotografi e manipuluar dhe një fjali ironike. Për të kritikuar një politikan duhej të analizoje vendimet e tij. Sot mjafton një pseudonim përçmues. Kjo është ekonomia e re e vëmendjes: Argumenti kërkon punë. Përqeshja kërkon vetëm audiencë. Dhe audienca është gjithmonë aty.

Nga Strasburgu në telefonin tonë është një paralelizëm i frikshëm. Në Strasburg, njerëzit shikonin njëri-tjetrin duke kërcyer. Dhe, në vend që të largoheshin, shumë prej tyre u bashkuan. Sot shohim mijëra njerëz që reagojnë në të njëjtën mënyrë ndaj një ngjarjeje. Dhe, në vend që të pyesim: “Pse po reagojnë kështu?” shpesh pyesim: “Çfarë po thonë të gjithë të tjerët?” Kjo është një ndryshim thelbësor.

Njeriu është qenie sociale. Ne marrim sinjale nga të tjerët për të kuptuar çfarë duhet të mendojmë, çfarë duhet të besojmë dhe, sidomos, çfarë duhet të ndiejmë. Rrjetet sociale e kanë përshpejtuar këtë mekanizëm në një shkallë të paprecedentë. Kërkimet mbi komunikimin digjital tregojnë se përmbajtja me ngarkesë morale dhe emocionale priret të marrë më shumë përhapje, ndërsa sjelljet negative mund të përhapen brenda komuniteteve online si modele sjelljeje. Pra, emocionet nuk janë vetëm produkt i debatit. Ato janë edhe karburanti i tij.

Pandemia e përqeshjes po pëhapet dita-ditës. Për këtë arsye, “pandemi” është një metaforë e dobishme. Jo sepse kemi një sëmundje mjekësore. Jo sepse çdo njeri që bën një shaka është pjesë e një turme histerike. Por sepse kemi një sjellje emocionale që mund të përhapet nga një individ te tjetri, duke u përforcuar nga përsëritja. Dikush qesh. Tjetri qesh sepse sheh të parin. I treti qesh sepse sheh qindra të tjerë. Pas pak, askush nuk e di më pse po qesh. Por të gjithë vazhdojnë.

Kjo është pika ku humbet individi dhe lind turma.

Cinizmi nuk është inteligjencë është histeri e masës. Kemi krijuar një keqkuptim të rrezikshëm: Se të tallësh gjithçka do të thotë se je më inteligjent se të tjerët. Nuk është kështu.

Është shumë e lehtë të thuash: “Çfarë budallallëku!” Është shumë më e vështirë të shpjegosh pse. Është e lehtë të thuash: “Sa qesharake!” Është më e vështirë të tregosh konkretisht se ku qëndron problemi. Është e lehtë të sulmosh personin. Është më e vështirë të rrëzosh argumentin. Këtu qëndron dallimi midis kritikës dhe cinizmit. Kritika thotë: “Ky është problemi dhe ja pse.” Cinizmi thotë: “Shikoni sa qesharakë janë.” Kritika kërkon mendim. Cinizmi kërkon vetëm distancë. Kritika mund ta përmirësojë shoqërinë. Cinizmi mund ta konsumojë atë.

Rreziku nuk është se njerëzit flasin shumë. Rreziku është se reagojnë shumë dhe mendojnë pak. Ky është një dallim i madh. Nuk kemi mungesë informacioni. Kemi një tepricë informacioni. Nuk kemi mungesë opinionesh. Kemi një tepricë opinionesh. Nuk kemi mungesë zërash. Kemi miliona zëra.

Por pikërisht për këtë arsye, aftësia më e çmuar e qytetarit modern mund të mos jetë aftësia për të folur. Mund të jetë aftësia për të ndaluar. Të mos reagosh menjëherë. Të lexosh. Të kontrollosh. Të krahasosh. Të dyshosh. Të mendosh. Dhe pastaj të flasësh.

Demokracia nuk mund të qeveriset nga një turmë që vetëm reagon e përqesh. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për qytetarë që dinë të thonë: “Jam kundër.” Ose “Jam dakord.” Por gjithashtu: “Le të kuptoj pse.” Ka nevojë për njerëz që dinë të kundërshtojnë një projekt pa e poshtëruar autorin. Të kritikojnë një qeveri apo opozitë pa e urryer çdo gjë që ajo bën. Të mbështesin një ide pa u shndërruar në tifozë. Të ndryshojnë mendim pa e konsideruar këtë humbje.

Por kultura e rrjeteve sociale e bën gjithnjë e më të vështirë këtë ekuilibër. Sepse algoritmi shpesh nuk shpërblen qetësinë. Shpërblen reagimin. Nuk shpërblen nuancën. Shpërblen polarizimin. Nuk shpërblen kompleksitetin. Shpërblen thjeshtimin. Dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë që ju të keni të drejtë. Mjafton që të jeni interesantë për t’u parë.

A po krijojmë një shoqëri që nuk di më të mendojë? Kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë. Sepse një shoqëri që e humbet aftësinë për të diskutuar seriozisht nuk bëhet më e lirë vetëm sepse ka miliona komente. Një mijë komente nuk janë një mijë argumente. Një milion klikime nuk janë një milion mendje të bindura. Një trend nuk është domosdoshmërisht e vërteta. Dhe shumica nuk ka gjithmonë të drejtë. Historia na e ka treguar këtë shumë herë. Turmat mund të jenë të fuqishme. Por fuqia e turmës nuk është e njëjtë me mençurinë e saj.

Duhet të mësojmë përsëri të ndalojmë. Ndoshta mësimi më i rëndësishëm i Strasburgut të vitit 1518 nuk është pse njerëzit kërcyen. Është pyetja: Pse nuk ndaluan? Edhe ne duhet të pyesim veten: Pse po reagoj? A e kam lexuar? A e kam kuptuar? A kam një argument? A po kritikoj një ide apo po ndjek turmën? A po them diçka sepse e besoj, apo sepse e shoh se të gjithë të tjerët po e thonë? A jam duke menduar? Apo thjesht duke reaguar?

Këto janë pyetje të vogla. Por në epokën e algoritmeve mund të jenë një akt i madh rezistence intelektuale. Sepse sot, ndoshta më shumë se kurrë, të mendosh para se të reagosh është një akt qytetarie.

Në Strasburg njerëzit kishin muzikën. Ne kemi algoritmin. Ata kishin sheshin. Ne kemi ekranin e celularit. Ata kishin turmën përballë tyre.

Ne kemi turmën brenda telefonit. Por mekanizmi njerëzor mund të jetë i ngjashëm: Dikush fillon. Të tjerët e shohin. Emocioni përhapet. Sjellja bëhet kolektive. Dhe individi harron të pyesë veten nëse duhet të kërcejë.

Prandaj sfida e demokracisë në epokën digjitale nuk është të mësojmë të flasim më shumë. Është të mësojmë të mos kërcejmë pas çdo ritmi që na jep algoritmi. Të lexojmë. Të analizojmë. Të kundërshtojmë me argument. Të dëgjojmë. Të ndryshojmë mendim kur faktet na detyrojnë. Dhe të kemi guximin të mos qeshim vetëm sepse të gjithë të tjerët po qeshin.

Sepse në vitin 1518 turma kërcente. Sot turma komenton. Atëherë njerëzit infektoheshin nga kërcimi i njëri-tjetrit. Sot rrezikojmë të infektohemi nga reagimi i njëri-tjetrit. Dallimi është se atëherë turma ishte në shesh. Sot turma është në ekran. Dhe ndoshta kjo është pandemia më e çuditshme e kohës sonë: Pandemia Digjitale e Përqeshjes: kur përqeshja bëhet më e shpejtë se mendimi dhe reagimi më i fuqishëm se arsyeja. Dhe një shoqëri pa arsye shkon në vetëshkatërrim.

Në vitin 1518, autoritetet menduan se mënyra për ta ndalur kërcimin ishte të luanin më shumë muzikë. Rezultoi një gabim i rëndë. Sot, përballë pandemisë digjitale të përqeshjes, përgjigjja nuk mund të jetë më shumë zhurmë, më shumë propagandë apo më shumë reagime emocionale. Ajo që duhet është më shumë arsye, më shumë qetësi dhe mbi të gjitha më shumë lidership. Lidershipi i vërtetë nuk ndjek ritmin e turmës dhe nuk përpiqet të kërcejë më bukur se ajo; ai apo ajo e di kur duhet ta ndalë muzikën, të fikë zhurmën dhe t’i rikthejë shoqërisë aftësinë për të dëgjuar, menduar dhe gjykuar. Sepse kur një shoqëri humbet ritmin e arsyes, detyra e lidershipit nuk është të shtojë muzikën, por të rikthejë arsyen. Ky është lidership historik kundrejt një përhumbjeje fatale të ditëve të sotme.

Filed Under: Interviste

FORCA DHE POEZIA E DASHURISË

August 20, 2026 by s p

Përkthyes: Luket Hasaj/

Autori italian Pietro Lombardo në librin e tij «Ta jetojmë jetën», sjell pjesën që vijon, e cila flet për një përjetim të thellë në një kamp përqendrimi nga Viktor Frankl psikolog, filozof austriak, themelues i logoterapisë dhe autor i shumë librave, i cili ishte një i mbijetuar i Holokaustit:

Do të doja të vazhdoja me një pjesë në gjendje të dëshmojë forcën dhe poezinë e dashurisë. Autori e ka përjetuar këtë çast në një kamp përqendrimi, gjatë një marshimi herët në mëngjes, në acarin e dimrit, nën kërcënimin e rojave naziste që çirren dhe shtyjnë para me kondakun e pushkëve. Si është e mundur në këto kushte të provosh një ndjenjë dashurie? Dëgjoni me kujdes këtë përshkrim prekës dhe do ta kuptoni:

«Pothuaj nuk flasim; era e akullt e agimit s’e këshillon këtë. Gojën e kam fshehur pas jakës së ngritur të xhaketës, ndërsa shoku që ecën pranë meje, pëshpërit në çast: ‘’Ej ti, po të na shihnin gratë tona tani…! Shpresoj që në kampet e tyre të jenë më mirë se ne. Do të doja që të mos dyshonin aspak se ç’po na ndodh këtu‘’.

Papritur, kam para meje imazhin e gruas sime. Kur pengohemi, shikojmë borën ose rrëshqasim mbi copa akulli, gjithnjë duke u mbështetur te njëri-tjetri, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke u tërhequr zvarrë përpara, asnjëri nuk flet më, por e dimë mirë se në këto çaste secili nga ne mendon për gruan e vet. Herë pas here kundroj qiellin, ku zbehen yjet ose atje, ku nis të zbardh dita, pas një pëlhure të errët resh: por shpirti im tani është krejt i rrëmbyer nga figura që ndryhet në fantazinë time tejet të ndezur, dhe të cilën s’e kam ndier kurrë më parë, në jetën normale. Flas me gruan time. E dëgjoj të më përgjigjet, e shoh të më buzëqesh ëmbël, shoh sytë e saj, dhe trupor ose jo, sytë e saj shndrisin më shumë se dielli që lind në këtë çast.

Përnjëherësh, një mendim më bën të drithërohem: për herë të parë në jetëm time provoj të vërtetën e asaj që për shumë mendimtarë ka qenë kulmi i urtësisë, të asaj që shumë poetë i kanë kënduar; përjetoj në vete të vërtetën se dashuria është, në njëfarë kuptimi, pika e fundit, më e larta, tek e cila krijesa njerëzore mund të ngrihet.

Tani e marr vesh kuptimin e sekretit më të madhërishëm që poezia, mendimi njerëzor si dhe feja mund të japin: shpëtimin e krijesave nëpërmjet dashurisë dhe në dashuri! Kuptoj se njeriu, edhe kur s’i mbetet gjë tjetër në këtë botë, mund të shijojë lumturinë më të lartë, qoftë vetëm për një çast, në soditjen shpirtërore të qenies së dashur. Në situatën e jashtme më të mjerueshme që mund të përfytyrohet… njeriu mund të realizojë veten në një soditje dashurie, në kundrimin e imazhit shpirtëror të personit të dashur që mbart me vete. Për herë të parë në jetën time, jam në gjendje të marr vesh cili është kuptimi i asaj, kur thuhet: ’’Engjëjt janë të lumtur në soditjen e dashur, të pambarim të një shkëlqimi të pafund…’’»112.

112 V. Frankl, Uno psicologo nei lager, Edizioni Ares, Milano 1995 pp. 73-74-75.

Filed Under: LETERSI

An Evening of Music and Friendship: Honoring the Friendship Between Kosovo, Switzerland, and the United States

August 20, 2026 by s p

https://www.state.gov/freedom-250-foreign-mission-events…

The Swiss Residence 2920 Cathedral Avenue, NW, Washington, DC 20008

The Embassy of the Republic of Kosovo and the Embassy of Switzerland hosted a memorable concert celebrating music, friendship, and shared values ahead of the United States’ 250th anniversary of independence. A highlight of the evening was a captivating performance by the internationally acclaimed ARIADITA Duo – pianists Ardita Statovci and Ariane Haering – whose program beautifully reflected the enduring friendship between Kosovo and Switzerland. The event brought together distinguished guests from government, academia, the arts, and civil society to celebrate the strong partnerships connecting Kosova, Switzerland, and the United States.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT