• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Një koncept-ide mbi një statujë monumentale të Mbretit ilir, Genti, në Lezhë”

August 19, 2026 by s p

Paulin Zefi/

*Në vitin 169 p.K., mbreti Gent e përdori qytetin e Lisit (Lezhës) si rezidencë të përkohshme mbretërore, kryeqytet diplomatik dhe bazë kryesore të veprimtarisë së ushtrisë së tij. Në këtë kuadër, ai organizoi edhe vendosjen e 15.000 trupave mbretërore brenda hapësirës së fortifikuar të qytetit, duke ngritur kazermat ushtarake brenda mureve rrethuese. Koncept-ideja ime për statujën e Mbretit ilir Gent në Lezhë, e paraqet atë të ulur në fron, me qëndrim të drejtë, solemn dhe imponues, duke përcjellë njëkohësisht autoritetin e sovranit dhe forcën e një udhëheqësi ushtarak. E kam konceptuar figurën me trup të zhvilluar, të fuqishëm dhe me përmasa proporcionale, në një trajtim që synon të ndërthurë atributet e pushtetit politik me ato të traditës luftarake ilire. Për veshjen dhe pajisjet mbrojtëse jam mbështetur në elemente të ikonografisë së luftëtarit ilir. Mbi kokë e kam paraqitur Gentin me kapelën karakteristike të tipit “Kausia”, me të cilën paraqitet imazhi i tij në monedhat e Lisit (Lezhës). Në anën tjetër të këtyre monedhave paraqitet një anije ilire, e shoqëruar me legjendën LISSI-TAN [ΛΙΣΣI-ΤΑΝ], duke krijuar për mua një lidhje të drejtpërdrejtë simbolike ndërmjet mbretit, qytetit të Lezhës dhe fuqisë detare të Lisit.

Në dorën e djathtë e kam vendosur shpatën, si simbol të autoritetit ushtarak, fuqisë dhe vendosmërisë së Mbretit Gent për mbrojtjen e mbretërisë së tij. Shikimin e tij e kam konceptuar të drejtuar simbolikisht nga Roma, duke e vendosur figurën në prag të përballjes me fuqinë romake dhe duke evokuar një nga momentet më dramatike të historisë së Mbretërisë Ilire. Froni përbën një nga elementet qendrore të konceptit tim artistik dhe simbolik. Në pjesët anësore të tij kam vendosur koka luani, të cilat i kam përzgjedhur si simbole të fuqisë, autoritetit, guximit dhe sovranitetit. Pjesën më të madhe të fronit, njësoj si disa elemente të veshjes së mbretit, e kam dekoruar me motive të lules “Gentiana”, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë simbolike me vetë figurën e Mbretit Gent.

Kjo zgjedhje lidhet me një traditë të dokumentuar, sipas së cilës kjo bimë alpine, e njohur për vetitë e saj shëruese, lidhet posaçërisht me emrin e Mbretit Gent, të cilit i atribuohet zbulimi i përdorimit të saj medicinal. Në pjesën ballore të bazamentit të fronit kam vendosur paraqitjen e një anijeje ilire të tipit “Liburna”, si simbol të fuqisë detare dhe të traditës së ndërtimit e përdorimit të mjeteve lundruese luftarake në hapësirën ilire. Me këtë element kam synuar të krijoj një lidhje të drejtpërdrejtë me ikonografinë e monedhave të Lisit dhe me rolin strategjik që qyteti kishte në kontrollin e hapësirës bregdetare dhe të komunikimit detar. Në tërësi, përmes këtij koncepti kam synuar të ndërthur figurën e Mbretit Gent me historinë e Lisit, duke i dhënë statujës një karakter jo vetëm monumental, por edhe të pasur me referenca historike, arkeologjike dhe simbolike.

Çdo element i kompozimit, duke nisur nga qëndrimi i mbretit, kausia dhe shpata, te froni me kokat e luanit, motivet e Gentianës dhe anija ilire, është menduar si pjesë e një gjuhe të vetme simbolike, që synon të shprehë fuqinë e Mbretit Gent dhe lidhjen e tij të ngushtë me qytetin antik të Lisit. Lartësia e veprës duhet të jetë jo më pak se 2.5 m, e realizuar tërësisht në bronz. Statuja duhet të vendoset mbi një piedestal me lartësi rreth 2 m, i ndërtuar me blloqe të mëdha guri ciklopik, në analogji të drejtpërdrejtë me teknikën e ndërtimit dhe karakterin monumental të mureve antike ilire të Lisit. Në pjesën e pasme të monumentit, në të dyja anët, duhet të vendosen dy kolona cilindrike të larta prej mermeri, të cilat në pjesën e sipërme duhet të bashkohen me një arkitra të stilizuar, po prej mermeri. Ky element arkitektonik do të krijonte një sfond monumental dhe shumë impozant për figurën e Mbretit Gent, duke ndërthurur artin figurativ me gjuhën arkitektonike të traditës antike të Lisit.

“Pasi të nderojmë Mbretëreshën Teuta, herët a vonë, rradhën e ka Mbreti Gent!”

Filed Under: Kronike

Demokracia nuk mund të qeveriset nga zhurma

August 19, 2026 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti/

Jetojmë në një kohë të çuditshme. Kurrë më parë njerëzimi nuk ka pasur kaq shumë akses në informacion dhe, njëkohësisht, kurrë nuk ka qenë kaq e lehtë që mungesa e dijes të maskohet si ekspertizë. Rrjetet sociale kanë krijuar një figurë të re publike: pseudo-mendimtarin që di gjithçka, komenton për gjithçka dhe kritikon gjithçka.

Ai shfaqet në Facebook, TikTok, YouTube, Instagram apo platforma të tjera dhe, brenda pak minutash, mund të japë njëkohësisht opinion për një çështje kushtetuese, të diagnostikojë një sëmundje, të vlerësojë një projekt arkitektonik, të interpretojë një tekst teologjik, të analizojë ekonominë, të gjykojë një strategji ushtarake, të korrigjojë një diplomat dhe të shpjegojë se si duhet drejtuar shteti e të diktojë rrjedhën gjeopolitike në dekadën e ardhshme.

Problemi nuk është se flet. Problemi është se flet me autoritetin e ekspertit pa pasur përgjegjësinë e ekspertit. Dhe kjo po krijon një sallatë të rrezikshme spekulimesh, paragjykimesh, ironie dhe gjysmë të vërtetash, të gjitha të servirura në emër të “lirisë së fjalës”.

Liria e fjalës është një nga shtyllat themelore të demokracisë. Por liria e fjalës nuk e shndërron një opinion në fakt, një spekulim në ekspertizë apo një shpifje në argument. Të gjithë kanë të drejtë të flasin, por askush nuk fiton automatikisht të drejtën që fjala e tij të trajtohet si dije. Demokracia nuk kërkon që çdo njeri të jetë ekspert i çdo fushe. Demokracia kërkon që ne të dimë të dallojmë ekspertin nga komentatori.

Një jurist ka vite studimi për të interpretuar ligjin. Një mjek ka vite arsimimi dhe trajnimi për të kuptuar sëmundjet. Një arkitekt nuk e ndërton kompetencën e tij me një video në internet. Një teolog nuk e fiton autoritetin nga një citim i nxjerrë jashtë kontekstit. Një studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare nuk e ndërton analizën e tij vetëm nga një postim në Facebook. Dhe një politolog nuk mund të zëvendësohet nga dikush që ka parë tre intervista në YouTube.

Megjithatë, në hapësirën digjitale ndodh shpesh e kundërta. Njohuria e fituar përmes viteve zëvendësohet nga bindja e fituar brenda pesë minutash. Kjo është alarmante në ditët e sotme. Kjo është një nga sfidat më të mëdha të epokës sonë.

Një pjesë e këtyre komentatorëve kanë zhvilluar edhe një teknikë shumë efikase: nuk argumentojnë, por ironizojnë. Nuk analizojnë, por tallin. Nuk kundërshtojnë me fakte, por me një fjali tërheqëse. Nuk ndërtojnë alternativë, por shkatërrojnë çdo ide që propozohet. Një projekt qeveritar bëhet “absurd”, një reformë “katastrofë”, një marrëveshje “tradhti”, një investim “skandal”, një vendim “turp”, ndërsa çdo institucion përshkruhet si i paaftë ose i korruptuar, e madje pjesë e ndonjë komploti botëror.

Ironia funksionon shumë mirë në rrjetet sociale sepse kërkon më pak përgatitje se argumenti. Është shumë më e lehtë të thuash “çfarë marrëzie!” sesa të shpjegosh pse një politikë publike është e gabuar.
Është shumë më e lehtë të shkruash “kjo është diktaturë” sesa të analizosh një dispozitë kushtetuese. Është shumë më e lehtë të shpallësh një ndërtesë “katastrofë arkitekturore” sesa të analizosh urbanistikën, strukturën, funksionalitetin dhe kontekstin e saj. Është shumë më e lehtë të shpallësh një vend “armik”, një fe “të keqe” apo një komunitet “problematik” sesa të studiosh historinë, sociologjinë dhe faktet që lidhen me të.

Këtu kalojmë nga kritika në një territor tjetër: përgjithësimet, demonizimi dhe gjuha që mund të shkelë kufijtë ligjorë të lejueshëm të shprehjes. Liria e fjalës nuk është licencë për të nxitur urrejtje ndaj kombeve, feve apo grupeve shoqërore. Në Shqipëri ekzistojnë edhe dispozita konkrete të Kodit Penal, përfshirë nenin 265, krahas dispozitave të tjera që lidhen me nxitjen e urrejtjes dhe diskriminimit.
Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm: të kritikosh një ide është demokraci; të demonizosh një grup njerëzish është diçka tjetër.

Por këtu lind një pyetje edhe më e madhe: si duhet të reagojnë qeveritë dhe liderët e botës ndaj kësaj kulture të re të kritikës së vazhdueshme, ku çdo vendim mund të sulmohet menjëherë nga mijëra komentatorë, shpesh pa argument dhe pa kompetencë?

Përgjigjja nuk mund të jetë censura. As nuk mund të jetë frika. Dhe mbi të gjitha, nuk mund të jetë dorëzimi. Përgjigjja duhet të jetë lidershipi.

Një qeveri nuk duhet të ndryshojë një politikë të drejtë vetëm sepse ajo u tall në rrjetet sociale. Një lider nuk duhet të braktisë një vizion strategjik vetëm sepse një video virale e sulmoi. Një reformë nuk duhet të hidhet poshtë vetëm sepse dikush gjeti një formulim ironik për ta përqeshur.

Qeverisja nuk është konkurs popullariteti i përditshëm. Kjo vlen për çdo qeveri, opozitë, lider institucion, kompani, etj,.

Historia nuk është ndërtuar nga ata që kanë ndjekur çdo zë të momentit. Historia është ndërtuar nga njerëz që kanë pasur vizionin për të parë përtej zhurmës.

Winston Churchill e ka shprehur këtë ide në një mënyrë jashtëzakonisht të fuqishme: “Nëse ndalemi për t’iu përgjigjur çdo guri që na hidhet, nuk do të arrijmë kurrë destinacionin.” Ky duhet të jetë një parim i rëndësishëm për çdo lider.

Sepse vendimmarrjet historike quhen historike pikërisht për një arsye: shpesh janë marrë në momente kur askush nuk u besonte.
Kolombi nuk u nis drejt Perëndimit sepse të gjithë ishin dakord me të. Churchill nuk qëndroi përballë Hitlerit sepse sondazhet i garantonin sukses. Kennedy nuk shpalli objektivin për të çuar njeriun në Hënë sepse teknologjia ishte tashmë gati. Reformatorët, shtetarët dhe vizionarët e mëdhenj nuk kanë vepruar gjithmonë në kushtet e duartrokitjeve. Ata kanë vepruar sepse besonin se e ardhmja duhej ndërtuar, jo parashikuar nga turma.

Kjo nuk do të thotë se çdo qeveri ka të drejtë dhe çdo kritik gabon. Përkundrazi. Kritika është jetike. Media është jetike. Opozita është jetike. Akademia është jetike. Shoqëria civile është jetike. Por kritika duhet të jetë e informuar.

Një demokraci e shëndetshme nuk ka nevojë për më pak kritikë. Ka nevojë për kritikë më të mirë. Nuk kemi nevojë për më shumë zëra që thonë “jo”. Kemi nevojë për njerëz që janë në gjendje të shpjegojnë pse jo, çfarë alternative propozojnë dhe mbi çfarë provash mbështeten.
Kjo është diferenca midis kritikës dhe cinizmit.

Kritiku thotë: “Kjo politikë nuk funksionon dhe ja arsyet.” Ciniku thotë: “Asgjë nuk funksionon.” Kritiku propozon alternativë. Ciniku ushqehet nga dështimi. Kritiku kërkon përgjegjësi. Ciniku kërkon vetëm audiencë.

Dhe këtu qëndron edhe përgjegjësia e publikut. Mos i jepni autoritet një njeriu vetëm sepse flet bukur. Mos e konsideroni të vërtetë një deklaratë vetëm sepse është virale. Mos e ngatërroni vetëbesimin me kompetencën. Mos e ngatërroni ironinë me inteligjencën. Dhe mbi të gjitha, mos e ngatërroni numrin e ndjekësve me numrin e argumenteve. Një shoqëri që respekton dijen duhet të rikthejë një parim të thjeshtë: për çdo pyetje serioze, kërkohet kompetencë serioze.

Qeveritë dhe liderët nuk duhet t’i përgjigjen kësaj kulture të zhurmës duke u bërë më të zhurmshëm se zhurma. Duhet t’i përgjigjen me rezultate. Me institucione më të forta. Me reforma që funksionojnë. Me ekonomi më të qëndrueshme. Me kushte më të mira. Me diplomaci më të suksesshme. Me siguri, zhvillim dhe vizion. Sepse zhurma largohet. Rezultatet mbeten.

Postimi viral zgjat një ditë. Një reformë e suksesshme mund të ndryshojë një brez. Një koment ironik harrohet. Një vendim historik mund të ndryshojë një komb. Prandaj liderët nuk duhet të jetojnë me sytë nga komentet e ditës. Duhet të mbajnë sytë nga horizonti.

Sepse në fund të historisë, askush nuk do të pyesë sa herë u tallën me ta në Facebook. Do të pyesë: Çfarë ndërtuan? Çfarë ndryshuan? Çfarë lanë pas? Dhe kjo është prova e vërtetë e lidershipit: të vazhdosh përpara edhe kur turma të thotë të ndalosh, të mendosh përtej zhurmës dhe të kesh guximin të ndërtosh atë që koha do ta gjykojë.

Jo çdo zë meriton një përgjigje. Jo çdo kritikë meriton një tërheqje. Jo çdo kundërshtim është argument. Dhe jo çdo opinion është dije.

Historia nuk bëhet duke iu përgjigjur çdo guri që hidhet nga rruga. Historia bëhet duke vazhduar drejt destinacionit, drejt vendmbërritjes përtej horizontit, atje ku edhe zhurma hesht me turp.

Filed Under: ESSE

Sensi dhe nonsensi i parrullave: nga revolta te alternativa

August 19, 2026 by s p

Nga Rafael Floqi/

“Revolucion! Rama në burg! Berisha në burg!” Parrulla godet fort, por ngre edhe pyetjen që protesta nuk mund ta shtyjë pafund: mirë, ata ikën — po kush dhe çfarë vjen pas tyre? Sepse një protestë mund të rrëzojë autoritetin moral të një pushteti, por vetëm një alternativë politike mund të ndërtojë pushtetin që vjen më pas.

“Revolucion, Rama burg, Berisha burg.” Sipas reportazhit të gazetarit britanik Aris Roussinos, kjo është një nga parrullat më karakteristike të protestës që nisi në Zvërnec dhe më pas pushtoi bulevardin e Tiranës.

Parrulla ka forcë. Ka ritëm. Ka zemërim. Dhe, mbi të gjitha, ka një mesazh që shkon përtej ndarjes së vjetër PS-PD: mjaft me të njëjtët!

Por pikërisht këtu fillon edhe problemi.

Në bulevard dëgjon njëkohësisht: “Revolucion!”, “Rama në burg!”, “Berisha në burg!”, “Rama jep dorëheqjen!”. Ndërkohë kërkohet qeveri teknike dhe SPAK-ut i bëhet thirrje të arrestojë objektet e parrullave.

Mirëpo revolucioni, dorëheqja, drejtësia dhe qeveria teknike nuk janë e njëjta gjë.

Nëse kërkon revolucion, pretendon se sistemi duhet ndryshuar në themel. Nëse i drejtohesh SPAK-ut, kërkon që institucionet e këtij sistemi të funksionojnë. Nëse kërkon qeveri teknike, kërkon një zgjidhje politike brenda rendit kushtetues. Nëse kërkon dorëheqjen e Ramës, pret që vetë njeriu që zotëron pushtetin ta dorëzojë atë.

Dhe nëse i thua njëkohësisht “jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg”, lind pyetja më elementare: përse duhet të japë dorëheqjen?

Jep dorëheqjen që të shkosh në burg?

Cili politikan racional do të dorëzonte vullnetarisht pushtetin nëse mesazhi që merr është: “Lëre karrigen dhe pastaj do të të fusim në burg”?

Kjo nuk vlen vetëm për Edi Ramën. Do të vlente për cilindo politikan që e percepton pushtetin si mbrojtjen e tij të fundit. Aq më tepër për Ramën, i cili gjatë 13 viteve ka dëshmuar se di të manovrojë, të presë, të absorbojë goditjet dhe t’i mbijetojë krizave. Dhe reportazhi e kap bukur kontrastin.

Jashtë Kryeministrisë thërritet “Revolucion!”. Brenda, Rama e lë gazetarin të presë ndërsa merret me celularin. Pastaj ulet i mbështetur në karrige dhe e paraqet protestën pothuajse si dëshmi se Shqipëria është bërë një vend normal evropian: njerëzit dalin, protestojnë dhe kthehen në shtëpi.

Kur pyetet nëse protestat kërcënojnë trashëgiminë e tij, përgjigjet: “Më pëlqen presioni.” Për Zvërnecin është edhe më i prerë: nuk do të tërhiqet nga projekti.

Pra, bulevardi sillet sikur Rama ikën nesër. Rama sillet sikur do të ikë kur t’i mbarojë kalendari.

Kjo qetësi mund të jetë teatër politik. Por mund të tregojë edhe se kryeministri sheh përballë shumë zemërim, por ende jo një forcë të organizuar që mund ta zëvendësojë.

Revolucionin do ta bëjë SPAK-u?

Pastaj vjen paradoksi tjetër. “Revolucion!”, por revolucionin pritet ta bëjë SPAK-u.

Nëse besohet se sistemi është i kapur, si mund t’i thuash një institucioni të sistemit: na shpëto nga sistemi?

Nëse SPAK-u besohet se mund të veprojë në mënyrë të pavarur, atëherë kërkesa duhet të jetë e qartë: heto çdo dyshim, ndiq provat, akuzo këdo ndaj të cilit ka prova dhe lëre gjykatën të vendosë.

Por “Rama në burg” apo “Berisha në burg” nuk janë vendime juridike. Janë parrulla politike. Në demokraci, burgun nuk e cakton bulevardi.

Protesta që kërkon shtetin ligjor nuk mund të kërkojë njëkohësisht që ligji të zëvendësohet nga verdikti i turmës. 

Kjo është diferenca midis drejtësisë dhe hakmarrjes.

PD-ja kërkon ta bëjë protestën aleate

Edhe Sali Berisha dhe Partia Demokratike përpiqen ta lexojnë protestën si aleate objektive në betejën kundër Ramës. Berisha ka deklaruar mbështetje për kauzën e saj, duke këmbëngulur se nuk kërkon t’i marrë drejtimin.

Por këtu PD-ja përplaset me një realitet të pakëndshëm: një pjesë e protestës është kundër vetë Berishës.

Berisha pranon se një pjesë e sloganeve kërkon edhe burgosjen e tij. Dhe parrulla “Rama në burg, Berisha në burg” nuk e vendos Berishën në anën e revolucionit. E vendos, në perceptimin e atyre protestuesve, në anën e sistemit që duan të kapërcejnë.

Prandaj PD-ja mund ta konsiderojë protestën aleate kundër Ramës, por protesta nuk është automatikisht aleate e PD-së. Madje përpjekja për ta përvetësuar mund t’i japë Ramës dhuratën që i duhet: mundësinë për ta reduktuar një revoltë qytetare në filmin e vjetër Rama kundër Berishës.

Dhe atë film shqiptarët e kanë parë mjaft.

Nga flamingot te pyetja e pushtetit

Protesta nisi nga diçka shumë konkrete: Zvërneci, prona, mjedisi, ullishtet, bregdeti dhe projekti turistik. Flamingoja u bë simboli i rezistencës. Por brenda javësh kërkesat kaluan nga mbrojtja e territorit te ndryshimi i gjithë sistemit politik.

Kjo është njëkohësisht forca dhe rreziku i saj.

Sepse është shumë më e lehtë të thuash:

Rama ik!
Berisha ik!
SPAK vepro!
Qeveri teknike!
Revolucion!

sesa t’u përgjigjesh pyetjeve:

Kush vjen? Si vjen? Me çfarë programi? Me cilët njerëz? Me çfarë votash? Me çfarë institucionesh?

Këtu mbaron protesta.

Këtu duhet të fillojë politika.

Shqipërisë i duhet një lëvizje e re demokratike

Nëse gjithë kjo energji përfundon vetëm me largimin e një emri, Shqipëria mund të përfundojë me një emër tjetër dhe me të njëjtin sistem. Ky do të ishte dështimi më i madh.

Shqipërisë nuk i duhet një “Ramë tjetër” kundër Ramës. As rikthimi i së vjetrës si alternativë ndaj së sotmes. I duhet një lëvizje e re demokratike, që të lindë nga shoqëria dhe të mos bëhet pronë e një kryetari; që të bashkojë të rinjtë, profesionistët, diasporën, sipërmarrjen, universitetet dhe qytetarët që sot nuk e shohin veten as te PS-ja dhe as te PD-ja.

Një forcë që të mos premtojë “kur të vijmë ne, do t’i fusim ata në burg”, por diçka shumë më revolucionare: “Kur të vijmë ne, as ne nuk do të mund ta urdhërojmë prokurorin kë të hetojë dhe gjykatësin kë të dënojë.”

Ky është revolucioni demokratik që i duhet Shqipërisë. Jo një kryetar më i fortë. Institucione më të forta se kryetari. Jo një parti tjetër të ndërtuar rreth një njeriu. Një shtet ku askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Jo vetëm rotacion njerëzish.

Rotacion idesh, elitash dhe mënyre qeverisjeje.

Nga Migjeni te “bijtë e shekullit të ri”

Dhe këtu protesta mund të gjejë edhe një jehonë shumë më shqiptare sesa sloganet e importuara të revolucionit. Migjeni u drejtohej “të birtë e shekullit të ri” — brezit që kërkonte të thyente botën e vjetër dhe të ndërtonte një tjetër.

Sot kjo thirrje mund të marrë një kuptim të ri. Bijtë e shekullit të ri nuk kanë pse të bëhen fli për një udhëheqës të ri. Nuk duhet të sakrifikohen që një kryetar të zëvendësojë një kryetar tjetër. Sakrifica e tyre duhet të jetë qytetare: të organizohen, të marrin përgjegjësi, të hyjnë në politikë, të konkurrojnë, të votojnë dhe të ndërtojnë institucione që nesër mund t’i kontrollojnë edhe ata vetë.

Sepse kundërshtari më i rrezikshëm për një pushtet 13-vjeçar nuk është turma që bërtet çdo natë se ai ka mbaruar.

Është qytetari që, pasi fiket megafoni, nuk shkon në shtëpi për të pritur protestën tjetër. Por Organizohet. Bashkohet. Krijon alternativën. Dhe hyn në zgjedhje për të fituar.

Atëherë edhe pyetja e parrullës ndryshon. 

“Na të birtë e shekullit të ri — jo për një lider të ri, por për një Shqipëri.!”

Filed Under: Fejton

Regjisori Jani Tane – Nga TVSh-ja në Zemër të Italisë

August 19, 2026 by s p

Rafaela Prifti/

Çfarë ndodh kur një regjisor me karrierë 30-vjeçare në Televizionin Shqiptar (TVSh) zhvendoset në vitin 1998 në Assisi të Peruxhias pikërisht në zemër të Italisë? Ndodh që ai i fal qytezës me histori e kulturë mijëravjeçare një pjesë të shpirtit të tij përmes kamerës filmike. Si rrjedhojë, dokumentari “Vivaldi në Assisi – Katër Stinët” i regjisorit Jani Tane lindi “me lotin e emigrantit, pasionin e profesionistit dhe punë intensive njëvjeçare.” Mozaiku vizual i dokumentarit përfshin Kishën e madhe të San Francescos dhe Tempullin e Minervës, afreskot me famë dhe kishat e restauruara të Assisit. Xhirimet e muzeve dhe afreskeve të Giottos, Cimabue-s, Simone Martini-t e Cezaro Sermei-t në qytetin që pret pesë milionë turistë në vit janë ‘telajo’ për kryeveprën muzikore të Antonio Vivaldit prej nga regjisori Jani Tane na fton të adhurojmë bukurinë në natyrë dhe në arte si krijesa njerëzore pa asnjë dallim. Ndërsa po plotësohen gati tridhjetë vite jete dhe krijimtarie jashtë Shqipërisë, arti mbetet stina e gjithkohshme që mban gjallë shpirtin e tij.

“Vivaldi në Assisi” u shfaq në kanalin privat Enrico Fermi në Perugia në 2006. Në një bisedë shoqëruese me autorin e ftuar në studio, pronari dhe menaxherja e kanalit televiziv u shprehën me superlativa për këtë produksion “esecionale” nga një regjisor emigrant shqiptar. “Tranzicioni në Assisi” vendi ku Jani dhe bashkëshortja, Natasha, u shpërngulën për të mbështetur studimet e vajzës së vogël, nisi me një ndryshim radikal. “Nga komoditeti i studios, pulti i regjisorit dhe dritat e kontrolluara kalova te një kamera dore, në dritën e rrugës dhe një studio montazhi.” Nuk ishte teknika, as investimi i mundimshëm dhe as mungesa e kushteve që patën ndikimin më të madh. Ishte diçka tjetër, që ai e kujton kështu: “Në fund të viteve ‘90 mentaliteti i italianëve ishte shumë i ngarkuar nga dyndjet e emigrantëve. Në atë qytezë me 30 mijë banorë kishin mbërritur në atë kohë rreth 100 familje vetëm nga zona e Prezës…

“Disa herë bëra tentativa për të kërkuar punë në profesionin tim, dhe pastaj fillova t’i përshtatem realitetit si “qen tartufi” në sebepet e komunitetit si festa, dasma, ditëlindje.”

Por “kamera në dorë” i ndryshoi atij perspektivën përtej këndit të xhirimit. Prej saj, ai thotë se mësoi të rrëfej jetën pa filtra. “Vizioni im u zhvendos nga estetika e inskenuar te dokumentimi i gjallë i të vërtetës. Pashë sakrificat e bashkëkombëseve të mi për t’u integruar dhe vendosa ta përdor kamerën për të treguar dinjitetin e tyre. Dokumentimi i jetës sonë ishte terapia ime si edhe një mjet rrëfimi se shqiptarët mbartin vlera të mëdha.”

Korça – Afërsia e Assisit nga kryeqendra Perugia dhe nga Foligno, ku është shtypur “Komedia hyjnore “e Dante Aligerit në 1472 është frymëzim për të, siç ishte vendlindja e tij, Korça, prej nga i lindi pasioni për artin skenik. “Në vitet 1969 -1974 kursin tonë në Institutin e Lartë të Arteve e drejtonte regjisorja e parë dhe pedagogia plot kulturë moskovitë, Prof. Drita Agolli. Me plot nostalgji e quaj veten produkt të saj. Me idenë e regjisorit dhe pedagogut të madh Mihal Luarasi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të asaj kohe Todi Lubonja për të krijuar Teatrin në Ekran, trupa me aktorë të sapo-diplomuar si Eglantina Kume, Justina Aliaj, Esat Telit, Jani Tane, Vera Grabocka, Fatos Sela dhe Niko Kanxheri shkuan në televizion. Si pasojë e goditjes së Festivalit të 11 në TVSh në 1972, dhe të dy ideatorëve të projektit, programi dështoi. Atëherë iu dha mundësia të kalonim Asistent Regjisor.

Kujtoj me nostalgji regjisorin Mërkur Bozgo qe me përgatiti dhe operatorin e talentuar mjeshtrin Muharem Kondo. Redaksinë e fëmijëve dhe rinisë e konsideroj një pistë që ka formatuar shumë regjisorë, redaktorë dhe operatorë. Një redaksi krijuese e lidhur me shkrimtaret më të mirë si Shpresa Vreto, Naum Prifti, Adelina Mamaqi, Skënder Hasko, Elisabeta Kamberi, Fatmira Veisllari, Taqo Pecani, Luljeta Tabaku. Minerva Kume etj. Redaktorja veterane e Redaksisë e Fëmijëve në TVSh, Luljeta Tabaku e kujton Janin “me respektin më të madh si njeri dhe si regjisor i papërtuar dhe me pasion. Ai kishte krijimtari, fantazi dhe shije artistike, pa u ankuar për ngarkesën,” por duke punuar me bashkëpunim dhe mirëkuptim.” Tek bashkëpunimet e asaj kohe, Tane vlerëson instruktorët e ndjerë Suat Gega dhe Zysh Sandra që përgatisnin talentet e reja të Pallatit të Pionierëve.

Profili i tij në IMBD https://www.imdb.com/name/nm1115401/ ndjek karrierën e Jani Tanes si regjisor e producent në disa projekte në vitet ‘80 dhe ‘90. Në vitet 2000, begatia arkitekturale dhe historike e Assisit e frymëzoi atë për telereportazhe me temë të antikitetit dhe historisë Ilire-Etruske, produksione të studios së tij Nostalgjia. Një prej tyre është seria “Trokitje në Iliri” në qytetet Orvieto, Tarquinia dhe Spoleto e realizuar me studiuesin e kohës së antikitetit, Kol Marku, “Në një moment,” kujton ai, “ishte piktori Zamir Mati, që përmendi vendndodhjen të varrit monumental të mbretit tonë të Ilirisë Genti në Gubbio. Plot kureshtje dhe krenari ilire, pas disa tentativave e gjetëm këtë objekt si monument romak, ku gjendet një tabelë me mbishkrimin: Sipas dëshmitarëve të vjetër këtu prehet mbreti i Ilirëve Genti. Sipas kronikanit të shquar romak Tit Livi, Romakët, pas 200 vjet luftimesh, sulmuan me mercenarë perandorinë e Ilirisë në 168 p.k. Ata e pushtuan Ilirinë dhe më pas Maqedoninë e Greqinë e sotme.

Për të mos u shfarosur popullsia ilire, Mbreti Gent u dorëzua tek Romakët që e festuan me madhështi fitoren e rënies së Perandorisë së Ilirisë së mirëfilltë. Ai bashkë me bashkëshorten Etuta, vajzën e mbretit të Dardanisë, Monun me dy djemtë dhe me skortën e tij, u izoluan në Gubbion e sotme, nën mbikëqyrjen e Romakëve. Ky ishte thelbi i një dokumentari shumë të suksesshëm të studiueses së Antikitetit Eva Brinja.” “Bujtina e fundit” – bashkëpunim me shoqatën Acas Scanderbeg, studiuesin Kol Marku, kushtuar atit të pavarësisë imzot Ismail Qemali me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. “Artisti pa titull” – film kushtuar koreografit dhe studiuesit të folklorit shqiptar Bujar Aliaj. Gjatë viteve të pandemisë, së bashku me gazetarin dhe kolegun Gëzim Gjyrezi realizoi tri telereportazhe “Kandari i Fajit”, nisur nga pushtimi i trojeve tona nga perandoria Osmane deri në pavarësi, dhe më tej deri në periudhën e Zogut.

Në Kanada, ku jeton një komunitet intelektualësh dhe artistësh me emër, si edhe vajza e madhe e Taneve, regjisori ka krijuar disa dokumentarë, si “Mushti i një Romancieri” për veprimtarinë letrare të shkrimtarit Kristaq Turulli, Ambasador i Kombit, “Simfonia e Ngjyrës” produksion për piktorin e talentuar Bujar Asllani. Një pjesë të artistëve që qëmton, ai thotë se kanë qenë në transmetimet e TVSh-së dhe në rubrikën “Trokitje në mërgim” TV Korça dhe bashkëpunime të tjera.

Nga programacioni edukativ në podkastet politike – Regjisori i njohur bën një reflektim kritik mbi evolucionin e televizionit publik shqiptar. “Puna dhe pasioni i dikurshëm i sollën publikut programe ikonike që nga teletregimet për fëmijë dhe përrallat me “teta Marika Kallamatën dhe xhaxhi Ilia Shytin”, tek programet e Vitit të Ri dhe Konkurset e Fjalës artistike, të Letërsisë, të Fizikës për të rinjtë deri te filmat televizivë. Sot ekrani është pushtuar nga bisedat e thata, lajme dhe podkaste me politikanë, si pasojë e “mungesës së vullnetit dhe të buxhetit,” thotë ai. Përballë thashethemeve ose “shashkave” për mbylljen e kanalit publik, reagimi i tij është i prerë: “TVSh-ja i takon publikut shqiptar!” Ai e njeh mirë kohën e konkurrencës dhe lirisë mediale. Në rrugëtimin e tij regjisori veçon televizionin publik italian RAI “si një shkollë të madhe të eksperiencës sime të formatimit si regjisor.”

TVSh Trashëgimia dhe Teknologjia “Ne punuam në kushte të tjera, ku çdo kuadër dhe çdo fjalë peshohej me përgjegjësi të lartë artistike dhe etike. Sot teknologjia ka krijuar mundësi të jashtëzakonshme, por shpesh humbet thellësia. Brezat e rinj kanë ritëm dhe dinamikë të admirueshme. Megjithatë, ndonjëherë tregu dhe dëshira për audiencë të shpejtë i largon ata nga estetika e pastër televizive. Disa përpiqen të ruajnë atë dinjitet që kemi kultivuar ne në TVSH, të tjerë bien pre e komercializmit.”

Reflektimi mbi Jetën dhe Artin Pikëvështrimi i formësuar përgjatë dekadave mes Shqipërisë, Italisë dhe Kanadasë është se “arti nuk ka atdhe fiks, pasi aty jeton gjuha universale e shpirtit.” Pavarësisht se xhiron në studiot e Tiranës, në rrugët me histori të Assisit, apo në realitetin e mijëvjeçarit ri në Kanada, “njeriu mbetet qendra e gjithçkaje. Jeta më ka mësuar se vështirësitë e emigrimit mund të kthehen në lëndë të parë për art të madh. Nëse ke një familje që të mbështet dhe një pasion që të djeg përbrenda, asnjë distancë nuk të largon dot nga misioni yt. Arti të mban të ri, të mban lidhur me rrënjët dhe të bën qytetar të botës.”

Së shpejti, në Korçë dhe në Institutin e Arteve në Tiranë, regjisori Jani Tane do të prezantojë dokumentarin “Aktori pa maskë” mbi jetën e aktorit të shquar të karaktereve, Andrea Pepi. Për autorin e filmit dokumentar “Katër stinët e Assisit”, kushtuar qytetit që e adoptoi artistikisht, krijimtaria është hapësira ku ai i gjen dhe jeton intensivisht të gjitha stinët e jetës së tij.

Filed Under: Interviste Tagged With: Rafaela Prifti

“Kryetari i kelmendasve” Uc Turku, në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh

August 19, 2026 by s p

Uc Turku,Marubi 1915

Uc Turku, bashke me oficeret hollandezë, takim me grupin rebel ne Banje afër Beratit, tek Urra Hasan Bej, nëntor 1913. Foto eshte marre nga libri:Reisindrukken uit Albanië 1913. Autor Kolonel Williem de Veer.

Uc Turku, Prek Cali, Pader Cirili dhe grupi mbeshtetes i kelmendasve. Foto Koloneli britanik Giles.

Uc Turku dhe Prek Cali ne Vermosh. Foto koloneli Britanik Giles. Te dy fotot e Giles, jane marre nga nje muzeum ne Londer.

Gjovalin Gjeloshi/

“Uc Turku, vojvoda* i Klementit, një plak me kuptim të kthjellët e patriot.” – Mehdi Frashëri

“Uc Turku kishte një ndikim të madh tek prijësit e tjerë.” – Franc baron Nopça

Në prag të Pavarësisë

Veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Uc Turkut, një prej prijësve më të rëndësishëm të Kelmendit në fillim të shekullit XX, shfaqet qartë në vitet që paraprinë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në periudhën e vështirë që pasoi. Roli i tij si prijës i Kelmendit u bë veçanërisht i dukshëm në vitin 1912, kur qeveria osmane përpiqej të qetësonte situatën në Shqipërinë e Veriut, ndërkohë që lëvizja kryengritëse shqiptare po merrte përmasa të reja.

Në mars 1912, në Shkodër mbërriti i ashtuquajturi “Komisioni qeveritar i reformave”, i drejtuar nga ministri i Brendshëm, Haxhi Adil Beu.¹ Megjithë përpjekjet për të vendosur kontakte me malësorët, drejtpërdrejt ose përmes arqipeshkvit të Shkodrës, komisioni nuk arriti t’i bindte krerët e fiseve të Malësisë së Madhe të hynin në bisedime. Edhe kleriku i lartë nuk arriti të zhvillonte bisedime me krerët e fiseve. I vetmi prijës me të cilin mundi të kontaktonte në atë kohë ishte Uc Turku.

“Në kohën kur erdhi ky komision, në qytet ndodhej edhe kryetari i Selcës. Por ai i shpjegoi atij (klerikut të lartë) se i duheshin dy ditë për të dërguar mesazhin e thirrjes në Vukël e Nikç.”² Kjo dëshmi tregon se krerët e Malësisë nuk ishin të gatshëm të hynin në bisedime të shpejta me një komision, të cilin nuk e konsideronin si zgjidhje të problemeve të tyre. Uc Turku e kishte të qartë rolin e tij si prijës, por njëkohësisht respektonte hierarkinë tradicionale të krerëve të Malësisë së Madhe. Në këtë kuadër, “kryetari i Selcës” i bëri të qartë autoriteteve kishtare se, nëse kërkohej një marrëveshje e përgjithshme, duhej të thirrej fillimisht Hoti, si një nga fiset kryesore të Malësisë së Madhe.³

Kelmendi në kryengritjen e vitit 1912

Disa muaj pas largimit të komisionit, situata u përkeqësua. Në fund të korrikut 1912, banorët e Kelmendit rrethuan dy postblloqe osmane në rajonin e tyre. Garnizonet, që sipas vlerësimeve të kohës përbëheshin nga rreth 130 veta, u detyruan të dorëzoheshin për shkak të mungesës së ushqimeve. Pas marrjes së armëve, një pjesë e tyre u dërgua drejt Gucisë dhe pjesa tjetër drejt Tuzit.⁴

Sipas konsullit austro-hungarez në Cetinë, gjenerali Mitar Martinoviq e konsideronte këtë veprim si hakmarrje për të rënët në Bregmatje.⁵

Më 2 gusht 1912, malësorët e Selcës rrethuan karakollin që ndodhej në Selcë. Pas katër orë luftimesh, garnizoni u detyrua të dorëzohej. Malësorët morën 66 pushkë mauzer dhe rreth 10 mijë fishekë, ndërsa 70 pjesëtarë të garnizonit u çarmatosën dhe u dërguan drejt Gucisë.⁶

Këto zhvillime i përcillte konsulli austro-hungarez në Shkodër në Vjenë. Ato dëshmonin se marrëdhëniet ndërmjet malësorëve dhe autoriteteve osmane po shkonin drejt një përplasjeje të hapur. Në këtë situatë filloi të ndërhynte edhe Mali i Zi, duke u paraqitur si mbrojtës i interesave të malësorëve shqiptarë.

Konsulli austro-hungarez në Shkodër, Zambauer, e ndiqte me shqetësim politikën malazeze. Në mesin e shtatorit 1912, sipas informacionit që ai përcillte, dhjetë bajraktarë katolikë kishin qenë në audiencë te mbreti Nikollë në Cetinë dhe më pas kishin kremtuar me ministrat malazezë aneksimin e pritshëm të Malësisë.⁷

Situata politike ishte e paqëndrueshme. Malësorët nuk shihnin më rrugëdalje te premtimet osmane, ndërsa në zonat e tyre vazhdonin represionet. Mali i Zi përpiqej të shfrytëzonte këtë gjendje dhe, përmes kontakteve të ndryshme, të bindte krerët shqiptarë të veriut dhe klerin katolik për bashkimin e krahinave të tyre me të.⁸ Një muaj më pas, në Cetinë u paraqitën krerë të Grudës, Hotit, Kastratit dhe Shkrelit. Sipas raportimit të kohës, ata kishin dhënë pëlqimin për bashkimin me Malin e Zi.⁹ Por në këtë grup mungonte “shefi i Kelmendit”.

Mungesa e Uc Turkut është domethënëse. Kelmendasit e njihnin prej kohësh politikën malazeze dhe konfliktet e vazhdueshme me të. Ata nuk e konsideronin bashkimin me Malin e Zi si një zgjidhje të sigurt. Nuk është e nevojshme të paragjykojmë qëndrimin e krerëve të tjerë të Malësisë. Gjendja e tyre ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe presioni osman i shtynte të kërkonin një mbështetje të jashtme. Por për Kelmendin, përvoja historike me Malin e Zi ishte një paralajmërim i fortë.

Nga Pavarësia tek çështja e kufijve

Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe fillimit të veprimtarisë së Konferencës së Ambasadorëve në Londër, çështja e territorit të shtetit të ri shqiptar hyri në një fazë të re. Qysh përpara shpalljes së Pavarësisë, ambasadori austro-hungarez në Londër i përcillte Vjenës qëndrimin e ministrit të Jashtëm britanik, Edward Grey, sipas të cilit të gjithë ishin dakord që Shqipëria duhej të bëhej autonome, ndërsa problemi kryesor ishte se “ç’sipërfaqe do të ketë ky vend autonom”.¹⁰

Për të njëjtin problem, ministri i Jashtëm austro-hungarez deklaronte se Austro-Hungaria nuk mund të jepte votën për zgjerimin territorial të Serbisë në kurriz të Shqipërisë dhe as për ndryshimin e status quo-së në bregdetin e Adriatikut.¹¹

Në këtë kuadër duhet parë edhe lidhja historike e Kelmendit me hapësirat e Habsburgëve. Kelmendasit kishin luftuar në krah të ushtrive austriake kundër osmanëve dhe, pas traktatit të vitit 1699, një pjesë e tyre u vendos në territore nën sundimin e Habsburgëve, në Hërtkovce dhe Nikince të Sremit.¹²

Problemi i kufijve të Shqipërisë së Veriut ishte veçanërisht i ndërlikuar edhe për shkak të dobësisë së autoritetit shtetëror. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, që administronte Shkodrën, nuk ushtronte juridiksion përtej një rrezeje prej 10 kilometrash nga qyteti. Përfaqësuesi britanik e konsideronte këtë një rrezik serioz, pasi linte një territor të konsiderueshëm pa autoritet të konsoliduar.¹³ Në këto rrethana, jeta në zonën e largët të Vermoshit bëhej edhe më e vështirë.

Uc Turku dhe Komisioni Ndërkombëtar i Kufirit

Pas mesit të prillit 1914, Uc Turku, si një nga prijësit kryesorë të Kelmendit, pati takim me kolonelin Granet, përfaqësuesin britanik në Komisionin e Caktimit të Kufirit, të cilit i argumentoi përkatësinë shqiptare dhe kelmendase të Vermoshit.¹⁴ Granet, nga ana e tij, e informonte ministrin Grey për vështirësitë që haste komisioni dhe për pengesat që krijonin postat kufitare malazeze e serbe.

Komisioni i Kufirit të Veriut, i krijuar nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, përbëhej nga përfaqësues të Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Rusisë. Përfaqësuesit ishin majori von Laffert, koloneli Mietzl, nënkoloneli Fournier, koloneli Granet, koloneli Marafini dhe gjenerali Potapov, ky i fundit si president i komisionit.¹⁵

Punimet e komisionit u ndërprenë me afrimin e dimrit. Më 12 dhjetor 1913, Granet i shkruante Grey-t nga Prizreni se “asnjë marrëveshje nuk duket se është e mundur” dhe se komisioni po shpërndahej.¹⁶ Edhe dokumentet austro-hungareze dëshmojnë se kushtet e dimrit e bënin të pamundur përfundimin e punimeve.¹⁷

Punimet rifilluan në pranverën e vitit 1914, por komisioni nuk arriti të përfundonte përcaktimin e vijës së kufirit. Studimet historike mbi këtë proces dëshmojnë se mosmarrëveshjet midis anëtarëve të delegacionit ishin të thella, sidomos për Vermoshin dhe zona të tjera të kufirit shqiptaro-malazez. 

Kelmendasit përballë mungesës së shtetit

Në këtë periudhë, krerët e Kelmendit, ndër ta Uc Turku dhe Prek Cali, u gjendën përballë një situate të pazakontë: duhej të mbronin interesat e krahinës së tyre përballë një shteti fqinj të organizuar, ndërsa shteti shqiptar ishte ende në fazën e konsolidimit. Një nga autoritetet me të cilin ata komunikonin ishte koloneli Phillips, guvernatori i Shkodrës nën administrimin ndërkombëtar. Kompetencat e tij ishin të kufizuara, por dokumentet tregojnë se ai u interesua për gjendjen e banorëve të Vermoshit.

Në një telegram që konsulli i përgjithshëm britanik në Vlorë, Lamb, i dërgonte Grey-t, shprehej shqetësimi se përgjegjësia për mbrojtjen e malësorëve binte mbi Fuqitë e Mëdha, të cilat kishin lejuar që Mali i Zi të merrte një territor të banuar nga shqiptarë.¹⁸

Në mars 1914, Phillips kishte dërguar një korrier te banorët e Vermoshit për t’i qetësuar, por korrieri ishte ndaluar nga malazezët dhe ishte detyruar të merrte një rrugë tjetër. Krerët shqiptarë i kërkonin vazhdimisht udhëzime guvernatorit, ndonëse juridiksioni i tij nuk shtrihej përtej zonës ndërkombëtare.¹⁹

Kjo situatë tregon qartë konfuzionin administrativ të kohës.

Marafini, Pevency dhe dëshmitë ndërkombëtare

Sipas kolonelit Marafini, të drejtat e pronësisë së kelmendasve ishin të padiskutueshme. Ai mendonte gjithashtu se çështja e Vermoshit nuk duhej shtyrë dhe mbështeste propozimin austro-hungarez për vijën kufitare.²⁰

Një tjetër dëshmi vjen nga raporti i lejtnantit Jesse Pevency, i Royal Warwickshire Regiment, i cili, së bashku me lejtnantin Schneider të detashmentit gjerman, u dërgua në zonën kufitare për të vlerësuar situatën. Ata u takuan, ndër të tjerë, me Uc Turkun dhe Prek Calin.²¹

Këto dëshmi janë të rëndësishme sepse tregojnë se përballë komisionerëve ndërkombëtarë nuk ishin vetëm përfaqësuesit zyrtarë të shtetit shqiptar. Në terren ishin edhe vetë krerët e Kelmendit, të cilët mbronin të drejtat e popullsisë së tyre.

Presioni malazez

Gjendja e Kelmendit në vitet 1913–1914 pasqyrohet në relacionet britanike dhe austro-hungareze. Më 13 qershor 1914, ambasadori britanik në Cetinë, De Salis, i shkruante Grey-t se qeveria e Malit të Zi, duke mbyllur rrugën e Rapshës, po përpiqej ta detyronte popullsinë e Kelmendit të pranonte përfshirjen në Malin e Zi.²²

Granet kishte propozuar që kelmendasve t’u garantohej e drejta e kalimit përmes Hotit, por ministri malazez i Punëve të Jashtme e kundërshtoi këtë si kufizim të sovranitetit të Malit të Zi.²³ Më 19 qershor 1914, konsullata britanike në Cetinë njoftonte Grey-n se qeveria malazeze i kërkonte të udhëzonte kolonelin Granet që të mbështeste pikëpamjen e saj për çështjen e Vermoshit.²⁴

Por vetë Granet mbante një qëndrim tjetër. Më 1 maj 1914 ai i shkruante Grey-t se delegati francez i kishte propozuar krijimin e një aleance me delegatin rus kundër tri fuqive të tjera, por ai e kishte refuzuar. Sipas Granetit, propozimet ruso-franceze shpesh ishin, sipas gjykimit të tij, të padrejta ndaj Shqipërisë.²⁵

Uc Turku, një prijës në tryezën e diplomacisë

Takimet e Uc Turkut me përfaqësuesit e komisionit ishin të shpeshta. Një episod i transmetuar nga Dom Zef Gilaj, duke iu referuar Don Ndre Zadejës, tregon për një bisedë ndërmjet Uc Turkut dhe një komisioneri gjatë një pushimi në bjeshkët e Vermoshit.

Komisioneri, pasi kishte pirë një gotë ujë, e pyeti Ucin se si ishte e mundur që në majë të maleve kishte ujë, kur uji, sipas natyrës së tij, rridhte poshtë. Uc Turku iu përgjigj me një krahasim të thjeshtë e të mprehtë. Nëse komisionerit do t’i shpohej maja e kokës, tha ai, a nuk do t’i dilte gjak? Episodi, sipas dëshmisë së transmetuar, e impresionoi shumë oficerin dhe e krahasoi atë me burrat e zgjuar të Greqisë së lashtë.26

Këtë anekdotë duhet ta lexojmë si dëshmi të traditës së transmetuar, jo si dokument diplomatik. Por ajo përcjell një element që shfaqet edhe në burime të tjera: perceptimin e Uc Turkut si një njeri me gjykim të shpejtë, të kthjellët dhe me aftësi për të komunikuar me të huajt.

Nga ana tjetër, dokumentet britanike japin dëshmi shumë më të drejtpërdrejtë. Më 20 qershor 1914, Granet i shkruante Grey-t nga Gucia se kryetari i Kelmendit ankohej për pengimin e shqiptarëve për të shkuar në tregjet e Gucisë dhe për marrjen e shtëpive e pasurive të tyre nga malazezët.²⁷

Qeveria malazeze, përmes ministrit të Jashtëm Plamenac, deklaronte se, nëse Vermoshi do t’i jepej Malit të Zi, të drejtat ekzistuese të pronësisë dhe kullotave do të ruheshin dhe do të lejohej hyrja në tregje.²⁸

Por Granet e informonte Grey-n se kryetari i Kelmendit nuk njihte ndonjë kullotë alternative në Shqipëri.²⁹ Kjo ishte një pikë thelbësore. Për kelmendasit, Vermoshi nuk ishte thjesht një territor që mund të zëvendësohej me një tjetër. Ai ishte pjesë e ekonomisë, e jetës dhe e kujtesës së tyre.

Qëndresa në vitet e Luftës së Parë Botërore

Me largimin e komisionit, gjendja e banorëve të Vermoshit u bë edhe më e vështirë. Provokacionet, sulmet, plaçkitjet dhe marrja e pengjeve vazhduan gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore.

Në këtë kohë zhvilloi një veprimtari të rëndësishme edhe Franc baron Nopça. Ai kishte kontakte të drejtpërdrejta me krerët e Kelmendit dhe synonte të organizonte mbështetjen e zonave veriore shqiptare. Nopça shkruan se Uc Turku i kishte shpjeguar se, për sa kohë të afërmit e kelmendasve ndodheshin peng në Mal të Zi, fisi nuk mund të ndërmerrte veprime kundër tij.³⁰ 

Nopça u interesua për sigurimin e municionit, furnizimin me ushqime dhe organizimin e një kuvendi të Kelmendit.³¹ Ai përshkruan edhe sulmet malazeze dhe humbjet e banorëve të Selcës.³² Në vijim kërkoi që Kelmendi të mbështetej me armë dhe që edhe Shkreli të angazhohej në mbështetje të tij.³³

Këto dëshmi janë veçanërisht të rëndësishme për të kuptuar se Uc Turku nuk ishte thjesht një figurë lokale, por një nga njerëzit me të cilët Nopça diskutonte drejtpërdrejt mundësitë e veprimit në Kelmend.

Nga lufta tek Komisioni i ri i Kufirit

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, çështja e kufijve shqiptarë mbeti e pazgjidhur në disa pika. Vermoshi ishte ndër çështjet që vazhduan të trajtoheshin nga institucionet ndërkombëtare.

Në vitin 1922, puna e komisionit të kufirit hyri në një fazë të re. Për përbërjen e tij në këtë periudhë, burimi kryesor që kemi është kujtimi i kolonelit francez André Ordion, i cili më vonë u bë përfaqësues i Francës në Komisionin e Caktimit të Kufijve. Botimi shqip i kujtimeve të tij është Një oficer francez në Ballkan 1917–1925, përgatitur nga Dominique Danguy des Déserts dhe botuar nga Papirus më 2014. 

Sipas Ordionit, në vitin 1922 komisioni përbëhej nga përfaqësuesit e Italisë, Francës dhe Britanisë së Madhe: gjenerali Tellini, nënkoloneli Perret dhe nënkoloneli Giles. Në vitin 1923, Tellini (i cili u vra në pritë në kufirin grek), u zëvendësua nga gjenerali Gazzera, Perret nga koloneli André Ordion, ndërsa Giles vazhdoi të përfaqësonte Britaninë.³⁴

Në këtë fazë, krahas përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, në mbrojtjen e çështjes së Vermoshit u shfaqën sërish krerët e Kelmendit, po të njëjtët emra: Uc Turku dhe Prek Cali si dhe përfaqësuesi i Klerit, Padër Ciril Cani.

Uc Turku dhe Prek Cali përballë komisionerëve

Koloneli Ordion e përshkruan Vermoshin si luginën e sipërme të Cemit, për të cilën rivalizonin shqiptarët dhe jugosllavët. Ai theksonte pjellorinë e luginës dhe rëndësinë e kullotave.

Ajo që e impresiononte më shumë ishte mënyra se si kelmendasit mbronin vendin e tyre. Ordioni e lidh këtë qëndresë me kuptimin e vërtetë të “dashurisë së vendlindjes”.³⁵

Edhe një burim tjetër, Petrit Imami, duke iu referuar vizitës së komisionit në terren, thekson se udhëheqësit shqiptarë të fiseve, veçanërisht Uc Turku, u treguan bindës në paraqitjen e çështjes së tyre.³⁶

Megjithatë, këtu duhet të bëjmë një dallim të rëndësishëm. Nuk kemi bazë të mjaftueshme për të thënë se  urtësia e Uc Turkut ishte e vetmja ajo që përcaktoi vendimin për Vermoshin. Ajo që burimet na lejojnë të themi me siguri është se ai dhe Prek Cali ishin ndër përfaqësuesit më të dukshëm të popullsisë së Kelmendit, pra që bënin takim me Komisionin e Fuqive të Mëdha, dhe se dëshmia e tyre la përshtypje te komisionerët.

Këtë e thotë vetë Ordioni: “Kryetarët e fiseve Kelmendi, Uc Turku dhe Prek Cali ishin shumë energjikë dhe shumë të qartë në deponimet e tyre…”³⁷. Kjo është një nga dëshmitë më të rëndësishme për figurën e Uc Turkut, sepse vjen nga një komisioner ndërkombëtar që e kishte parë procesin nga afër.

Mehdi Frashëri dhe përfaqësimi shqiptar

Në këtë fazë Shqipëria tashmë kishte përfaqësuesit e saj shtetërorë. Ndër ta ishte Mehdi Frashëri, i ndihmuar nga toger Kosturi. Frashëri bashkëpunoi me Uc Turkun, Prek Calin dhe klerin katolik, P. Ciril Canin në përgatitjen e paraqitjes së argumenteve që do të relatoheshin përpara komisionit.³⁸ Frashëri e vlerësonte Uc Turkun, përveç urtësisë edhe për plagët që kishte marrë në luftë me shkjetë qysh në moshë të re dhe për këtë arsye kishte mbetur çalaman.

Ordioni, megjithatë, është kritik ndaj mënyrës së paraqitjes së çështjes nga Mehdi Frashëri. Sipas kujtimeve të tij, Frashëri nuk kishte dokumentacionin e mjaftueshëm dhe nuk e paraqiste çështjen me forcën që kërkohej.³⁹ Në të kundërt, përshtypje shumë më të fortë i lanë përfaqësuesit e Kelmendit.

Këtu duhet të jemi të kujdesshëm: ky është gjykimi personal i Ordionit, jo një vlerësim kolektiv i të gjithë komisionit. Por është pikërisht për këtë arsye një dëshmi e vlefshme për të kuptuar se si perceptohej Uc Turku nga një përfaqësues i huaj.

Ordioni dhe mbrojtja e Vermoshit

Në vitin 1923, koloneli Ordion u përball me qëndrime të ndryshme brenda komisionit. Sipas kujtimeve të tij, nënkoloneli britanik Giles favorizonte pretendimet jugosllave. Ordioni, përkundrazi, u tregua shumë më i hapur ndaj argumenteve të kelmendasve.⁴⁰

Në raportin përfundimtar, Giles shtoi një formulim që Ordioni e konsideronte të rëndësishëm: “Çdo ndryshim që mund t’i bëhet vijës së propozuar nga Komisioni i vitit 1922, do të duhet të bëhet në favor të Shqipërisë.”⁴¹

Ordioni nuk e fsheh simpatinë e tij personale për Serbinë dhe lidhjet historike franko-serbe, por kjo nuk e pengoi të mbronte argumentet që i konsideronte të drejta. Ai thekson se nuk kishte marrë udhëzime nga qeveria franceze për të mbështetur një qëndrim të caktuar dhe se kishte pasur liri veprimi.⁴²

Edhe gjenerali italian Gazzera, sipas kujtimeve të Ordionit, mbajti një qëndrim të paanshëm dhe ishte i prirur të mbronte Shqipërinë.⁴³

Por një ndikim të rëndësishëm në formimin e bindjes së Ordionit pati edhe kontakti i drejtpërdrejtë me krerët e Kelmendit. Ai shkruan: “Për mua në Vermosh, shihja gjithmonë kryetarët e fisit të Kelmendëve, Uc Turkun dhe Prek Calin, me të cilët kisha lidhur miqësi të vërtetë.”⁴⁴ Sipas Ordionit, ata ishin njerëz pa arsimim formal, por shumë patriotë, të cilët mbronin me këmbëngulje pronën e tyre dhe paraqisnin argumente që e kishin bërë atë të mendonte gjatë për çështjen.

Përballja e fundit

Sa më shumë afrohej përfundimi i punimeve, aq më shumë shtoheshin presionet jugosllave. Kur u shfaq nevoja për rikognicion të terrenit në bjeshkët e Vermoshit, Ordioni përshkruan kundërshtimet e Giles dhe presionet e përfaqësuesve jugosllavë.⁴⁵

Në kujtimet e tij, ai tregon edhe për marrëdhëniet me prijësit e Kelmendit. Sipas tij, Uc Turku kishte një autoritet të madh mbi fisin dhe pa miratimin e tij nuk ndërmerrej lehtë ndonjë veprim. Ordioni kujton se kelmendasit e pritën mirë dhe se ai u kishte premtuar se do të përpiqej që Vermoshi t’i mbetej Kelmendit.⁴⁶

Jugosllavët paraqitën edhe argumente strategjike, ndër to pretendimin se lugina e Vermoshit ishte e nevojshme për një lidhje hekurudhore ndërmjet Pejës dhe Podgoricës.⁴⁷

Nga mbrojtja e Vermoshit tek akti përfundimtar

Këtu duhet bërë një saktësim i rëndësishëm për titullin dhe përfundimin e këtij shkrimi: Procesi i Vermoshit nuk u mbyll juridikisht në vitin 1923. Komisioni i viteve 1922–1923 dha një bazë të rëndësishme për përcaktimin e vijës, por çështja vazhdoi të diskutohej edhe më pas.

Burimet historike tregojnë se në vitet 1925–1926 çështja e kufirit shqiptaro-jugosllav u rikthye në plan të parë dhe u lidh me negociatat shqiptaro-jugosllave për Shën Naumin dhe Vermoshin. Akti përfundimtar i përcaktimit të kufirit u nënshkrua në Paris më 30 korrik 1926, pas protokollit të demarkacionit të 26 korrikut. 

Prandaj, nëse artikulli botohet në vitin 2026, titulli “Në 100-vjetorin e përcaktimit përfundimtar të kufirit në Vermosh” është i saktë, sepse procesi kishte nisur shumë më herët dhe 1926 shënon aktin përfundimtar juridiko-ndërkombëtar të demarkacionit48. 

Një histori që nuk duhet harruar

Pretendimet mbi Kelmendin dhe Vermoshin nuk nisën me Komisionet e Kufirit. Ato lidhen me një histori shumë më të gjatë të përpjekjeve për të ndryshuar kufijtë dhe për të vënë nën kontroll territore shqiptare.

Edith Durham përmend përpjekjet e vitit 1907 për t’i dhënë Malit të Zi kullota të Kelmendit.⁴9 Në këtë histori dalin edhe emra të huaj që, sipas burimeve të përdorura, patën qëndrime të rëndësishme në mbrojtje të pretendimeve shqiptare: koloneli Marafini, gjenerali Gazzera dhe, mbi të gjithë në fazën e fundit, koloneli André Ordion.

Por në qendër të kësaj historie qëndrojnë Uc Turku dhe Prek Cali. Ata nuk kishin në dispozicion aparatin diplomatik të shtetit shqiptar, dokumentacionin e kancelarive europiane apo strukturat administrative të shteteve fqinje. Kishin njohjen e drejtpërdrejtë të territorit, kujtesën e të drejtave të trashëguara dhe vendosmërinë për t’i mbrojtur ato. Pikërisht për këtë arsye dëshmia e Ordionit ka një peshë të veçantë. Ai nuk i përshkruan thjesht si prijës lokalë, por si njerëz që, në kontaktin me komisionin, dinin të paraqisnin argumentet e tyre me qartësi dhe këmbëngulje.

Uc Turku, pra, nuk duhet parë vetëm si një Vojvoda apo Prijësi  i Kelmendit. Në periudhën e vështirë të formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, ai u shfaq edhe si një nga përfaqësuesit më të zëshëm të interesave të Kelmendit përpara përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Kjo nuk do të thotë se ai e përcaktoi i vetëm fatin e Vermoshit. Vendimi ishte rezultat i një procesi të gjatë diplomatik, ushtarak dhe juridik, në të cilin u përfshinë Fuqitë e Mëdha, qeveritë shqiptare dhe jugosllave, Komisionet Ndërkombëtare të Kufirit dhe më vonë Konferenca e Ambasadorëve dhe Lidhja e Kombeve.

Por pa qëndresën e banorëve të Kelmendit dhe pa zërin e krerëve të tyre, çështja e Vermoshit do të ishte paraqitur ndryshe përpara komisionerëve ndërkombëtarë. Në këtë histori, Uc Turku zë një vend të veçantë.

Vlerësimi i Mehdi Frashërit – “një plak me kuptim të kthjellët e patriot”; dëshmia e André Ordionit për energjinë, qartësinë dhe patriotizmin e tij, apo kategorizimi i Baron Nopçës, se Uc Turku kishte një ndikim të madh mbi të gjithë prijësit e tjerë, janë dëshmi të ardhura nga burime të ndryshme, por që takohen në një pikë: tek figura e një prijësi kelmendas që e kuptonte se mbrojtja e territorit të vendit të vet kërkonte jo vetëm trimëri, por edhe maturi, argument dhe aftësi për të komunikuar me botën e jashtme.

Në vitin e 100-vjetorit të aktit përfundimtar të demarkacionit, rikthimi i kësaj figure në kujtesën historike nuk është thjesht një akt nderimi për një prijës të vlerësuar pak, deri më tash. Është edhe një përpjekje për të kuptuar më mirë se si, në momente të caktuara të historisë, qëndresa lokale u bë pjesë e një çështjeje ndërkombëtare.

André Ordioni dhe mirënjohja shqiptare

Kontributi i kolonelit André Ordioni u vlerësua edhe nga shteti shqiptar. Në vitin 1928 ai u dekorua me “Urdhrin e Skënderbeut”. Një dokument i cituar në materialin tonë është edhe letra e ministrit të Jashtëm shqiptar, Iljaz Vrioni, drejtuar Ordionit më 13 prill 1928, me rastin e këtij vlerësimi. Burime të tjera konfirmojnë se autoritetet shqiptare e dekoruan Ordionin me “Urdhrin e Skënderbeut” në vitin 192851. 

T’u shmangemi folklorizmave në trajtimin e kufirit të Vermoshit.

Pas vitit 1990, çështja e kufirit të Vermoshit është diskutuar gjerësisht në artikuj gazetash, shkrime historike dhe deri në libra të veçantë. Në këtë periudhë, ngjarja është pasqyruar edhe në këngë popullore, ku shpesh si personazh kryesor është paraqitur Prek Cali, ndërsa Uc Turku dhe Atë Ciril Cani janë lënë në hije. Kjo lidhet, ndër të tjera, edhe me faktin se Prek Cali ishte i vetmi prej këtyre tre protagonistëve që u pushkatua nga regjimi komunist në vitin 1945, duke u shndërruar në vitet e para pas vitit 1990 në një figurë veçanërisht të ndjeshme në kujtesën publike.

Kënga, gojëdhëna dhe kujtesa popullore janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së një komuniteti. Por ato nuk mund të zëvendësojnë dokumentin historik. Kur një rrëfim popullor, një këngë apo një legjendë merret si burim i drejtpërdrejtë për të rindërtuar një ngjarje historike, studiuesi duhet të bëjë dallimin ndërmjet asaj që i përket kujtesës popullore dhe asaj që mbështetet në dokumente dhe dëshmi historike. Nuk po bëjmë këngë për Mujin e Halilin apo për kullat e krajlit; po përcjellim te lexuesi dhe dëgjuesi një ngjarje konkrete historike dhe, si të tillë, duhet ta transmetojmë sa më pranë mënyrës se si ka ndodhur.

Folklorizma e parë: “Prek Cali apo Uc Turku ka pasur vulën e shtatë krajlive”. Një pohim i tillë i përket legjendës dhe nuk mbështetet në ndonjë dokument që dëshmon ekzistencën e një “vule të shtatë krajlive”. Një vulë e tillë, në këtë kuptim legjendar, nuk mund të merret si fakt historik. Ndryshe qëndron çështja e Uc Turkut. Ai, si krahinar, kishte vërtet një vulë personale në trajtë unaze (myhyr), të cilën e mbante në gishtin e vogël të dorës së djathtë. Këtë e dëshmon edhe fotografia zyrtare e Uc Turkut, realizuar nga Marubi në vitin 1915, ku unaza është e dukshme dhe përbën një dëshmi konkrete për ekzistencën e saj.

Folklorizma e dytë: “Prek Cali, i vetmi shqiptar që ka qenë anëtar i Komisionit të Kufirit”. As Prek Cali, as Uc Turku, as Atë Ciril Cani dhe as ndonjë shqiptar tjetër nga Kelmendi nuk kanë qenë anëtarë të Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit në Vermosh. Ata nuk duhet të paraqiten si anëtarë të këtij Komisioni. Në kujtimet e tij, Mehdi Frashëri, përfaqësues i Qeverisë Shqiptare, shpjegon mënyrën e funksionimit të Komisionit të Fuqive të Mëdha. Komisioni dëgjonte dëshmitarë nga të dyja palët, të cilët paraqisnin fakte, dëshmi dhe dokumente për të argumentuar përkatësinë e territorit të diskutuar. Në rastin e Kelmendit dhe të Vermoshit, dëshmitarët e paraqitur ishin Uc Turku, Prek Cali dhe kleri katolik. (Mehdi Frashëri, Kujtime, 2005). 

Folklorizma e tretë: “Prek Cali apo Uc Turku u takuan me Kralicën e Inglizit në majën e Vermoshit”: Edhe ky është një rrëfim që i përket kujtesës popullore dhe nuk mund të merret si fakt historik pa dokumentim. Britania e Madhe ishte njëra prej Fuqive të Mëdha të përfaqësuara në Komision dhe kishte përfaqësuesin e saj në këtë proces. Nuk ka arsye historike që të mendohet se në Vermosh ka ardhur mbretëresha britanike. Ajo që mund të ketë ushqyer këtë gojëdhënë është një tjetër fakt interesant i kujtesës lokale: malësorët e kohës e kishin pagëzuar me nofkën “Kralica e Inglizit” shkrimtaren dhe udhëtaren angleze Edith Durham. Kështu, një personazh real i historisë së marrëdhënieve të saj me shqiptarët është shndërruar në kujtesën popullore në një figurë tjetër, duke krijuar një rrëfim që me kalimin e kohës mund të jetë shkëputur nga rrethanat reale të ngjarjes.

Folklorizma e katërt: “Prek Cali ka vu kufijtë e Shqipërisë”: Kufijtë e Shqipërisë nuk i ka vendosur as Prek Cali dhe as Uc Turku. Ata nuk kishin një kompetencë të tillë dhe nuk mund të merrnin vendime në emër të Komisionit Ndërkombëtar. Por kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë e rolit të tyre. Uc Turku, Prek Cali dhe Atë Ciril Cani, së bashku me banorë të tjerë të Kelmendit, dëshmuan, argumentuan dhe paraqitën prova për përkatësinë shqiptare të Vermoshit dhe të bjeshkëve përreth. Ata kontribuuan në mbrojtjen e kësaj çështjeje përpara Komisionit të Fuqive të Mëdha, në një moment kur territori i Kelmendit rrezikohej nga përfshirja në territorin e Malit të Zi dhe të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Prandaj, merita e tyre nuk qëndron në faktin se “vendosën kufijtë”, por në atë se dëshmuan dhe mbrojtën me këmbëngulje përkatësinë e trojeve të tyre. Kjo është një meritë historike e cila nuk ka nevojë të zmadhohet përmes legjendës, sepse vetë dokumentet dhe dëshmitë i japin asaj rëndësinë që meriton.

Do të ishte mirë që çdo autor apo kantautor që merr përsipër të publikojë diçka për çështjen e kufirit në Vermosh, të konsultohet paraprakisht me të dhënat dhe të vërtetat historike. Ata burra që luftuan dhe kontribuuan bashkë nuk duhet të ndahen në kujtesën tonë: as të glorifikohet njëri në kurriz të tjetrit dhe as të lihet në harresë i treti.

Dhe mbetet edhe një çështje tjetër që meriton vëmendje. Gjatë gjithë kohës që Komisioni ishte në terren, përveç Uc Turkut, Prek Calit dhe Atë Cirilit, kishte edhe mjaft kelmendas të tjerë që qëndronin në gatishmëri dhe në mbrojtje të tyre. Emrat e këtyre njerëzve nuk janë përmendur sa duhet dhe, me sa duket, nuk janë identifikuar në mënyrë të plotë, edhe pse prania e tyre dëshmohet në fotografi të kohës dhe në kujtesën lokale. Kjo është një pjesë tjetër e historisë së Vermoshit që meriton të hulumtohet.

Historia nuk duhet të mbetet vetëm historia e figurave më të njohura. Edhe ata që qëndruan pas tyre, në gatishmëri dhe në mbrojtje të trojeve të veta, janë pjesë e kësaj ngjarjeje.

“Trimi i mirë me shokë shumë.”

______________________

*Sipas At Giussepe (Zef) Valentinit: “Kelmendasit… në qeverisje civile kanë më tepër krerë, por në atë ushtarake i binden një të vetmi. Ata kishin një komandant absolut ushtarak dhe disa krerë civil…. Në asambletë e mëdha ndërfisnore figuron një bajraktar i vetëm i quajtur vojvoda i Kelmendit… ndërkohë që edhe në Gjykatën zyrtare të Xhibalit kishte një bylykbash dhe Kelmendi nga ana e vet kishte vetëm një përfaqësues për të gjithë fisin në Xhibal. (At Z. Valentini: E drejta e komuniteteve në traditën juridike shqiptare. Plejad, 2007. Faqe 213 dhe 322).

Burimet dhe referencat:

1. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911–1914, UET, Tiranë, 2012, f. 412.

2. Po aty, f. 413.

3. Po aty, f. 413.

4. A. Lalaj, E. Kambo, S. Boçi, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëll. IV, f. 185.

5. Për Mitar Martinoviqin, shih po aty. Në materialin e autorit ai paraqitet si kryeministër, ministër i Luftës dhe përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi në vitet 1912–1913.

6. A. Lalaj, E. Kambo, S. Boçi, Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze 1912, vëll. IV, f. 264.

7. Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, Fatmira Musaj, Dokumente Austro-Hungareze, vëll. V, f. 237.

8. B. Meta, M. Dezhgiu, F. Musai, po aty, f. 279.

9. Po aty.

10. Marenglen Verli, Ledia Dushku, Dokumente Austro-Hungareze, vëll. VI, f. 81.

11. Po aty, f. 82.

12. Eqrem Zenelaj, Çështja shqiptare nga këndvështrimi i diplomacisë dhe gjeopolitikës së Austro-Hungarisë (1699–1918), “Faik Konica”, Prishtinë, 2010, f. 44.

13. Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. II, Tiranë, 2012, f. 83–84.

14. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911–1914, UET, Tiranë, 2012, f. 757.

15. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 385; për përbërjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kufirit të Veriut. Për vetë veprimtarinë e Ordionit në Komisionin e Caktimit të Kufijve nga prilli 1923, shih të dhënat e botimit të tij. 

16. Valentina Duka, Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. I, f. 504.

17. Dokumente Austro-Hungareze, vëll. VI, f. 402.

18. Po aty, f. 296.

19. Po aty, f. 356.

20. Romeo Gurakuqi, Shqipëria 1911–1914, UET, Tiranë, 2012, f. 762.

21. Po aty, f. 767–768.

22. Valentina Duka, Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. II, janar–dhjetor 1914, f. 494.

23. Po aty.

24. Po aty, f. 519.

25. Po aty, f. 517.

26. Dom Zef Gilaj, Jeta dhe vepra, Shkodër, 1998, f. 17.

27. Valentina Duka, Dokumente britanike për Shqipërinë dhe shqiptarët, vëll. II, janar–dhjetor 1914, f. 520.

28. Po aty, f. 514.

29. Po aty.

30. Franc Baron Nopça, Udhëtime nëpër Ballkan, Plejad, 2007, f. 502–503.

31. Po aty, f. 507.

32. Po aty, f. 509.

33. Po aty, f. 510.

34. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 385 

35. Po aty, f. 134.

36. Petrit Imami, Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj, vëll. I, “Samizdat B92”, Beograd, 2016, f. 437.

37. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 439.

38. Mehdi Frashëri, Kujtime, 1913–1933, OMSCA-1, 2005.

39. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 415, 461.

40. Po aty, f. 417.

41. Po aty, f. 441.

42. Po aty, f. 416.

43. Po aty.

44. Po aty, f. 464.

45. Po aty, f. 391.

46. Po aty, f. 455–456.

47. Po aty, f. 391.

48. Azizi, Isamedin. “The Question of the State Borders of Albania (1913–1926).” Гласник, 59, nr. 1–2, 2015, f. 163–172.)

49. Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë, 1991, f. 131.

50. André Ordion, Një oficer francez në Ballkan, vëll. I, Papirus, Tiranë, 2014, f. 603.

51. Revista Mbrojtja, Nr. 11, 2014

Filed Under: Histori Tagged With: Gjovalin Gjeloshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT