

Rafaela Prifti/
Çfarë ndodh kur një regjisor me karrierë 30-vjeçare në Televizionin Shqiptar (TVSh) zhvendoset në vitin 1998 në Assisi të Peruxhias pikërisht në zemër të Italisë? Ndodh që ai i fal qytezës me histori e kulturë mijëravjeçare një pjesë të shpirtit të tij përmes kamerës filmike. Si rrjedhojë, dokumentari “Vivaldi në Assisi – Katër Stinët” i regjisorit Jani Tane lindi “me lotin e emigrantit, pasionin e profesionistit dhe punë intensive njëvjeçare.” Mozaiku vizual i dokumentarit përfshin Kishën e madhe të San Francescos dhe Tempullin e Minervës, afreskot me famë dhe kishat e restauruara të Assisit. Xhirimet e muzeve dhe afreskeve të Giottos, Cimabue-s, Simone Martini-t e Cezaro Sermei-t në qytetin që pret pesë milionë turistë në vit janë ‘telajo’ për kryeveprën muzikore të Antonio Vivaldit prej nga regjisori Jani Tane na fton të adhurojmë bukurinë në natyrë dhe në arte si krijesa njerëzore pa asnjë dallim. Ndërsa po plotësohen gati tridhjetë vite jete dhe krijimtarie jashtë Shqipërisë, arti mbetet stina e gjithkohshme që mban gjallë shpirtin e tij.
“Vivaldi në Assisi” u shfaq në kanalin privat Enrico Fermi në Perugia në 2006. Në një bisedë shoqëruese me autorin e ftuar në studio, pronari dhe menaxherja e kanalit televiziv u shprehën me superlativa për këtë produksion “esecionale” nga një regjisor emigrant shqiptar. “Tranzicioni në Assisi” vendi ku Jani dhe bashkëshortja, Natasha, u shpërngulën për të mbështetur studimet e vajzës së vogël, nisi me një ndryshim radikal. “Nga komoditeti i studios, pulti i regjisorit dhe dritat e kontrolluara kalova te një kamera dore, në dritën e rrugës dhe një studio montazhi.” Nuk ishte teknika, as investimi i mundimshëm dhe as mungesa e kushteve që patën ndikimin më të madh. Ishte diçka tjetër, që ai e kujton kështu: “Në fund të viteve ‘90 mentaliteti i italianëve ishte shumë i ngarkuar nga dyndjet e emigrantëve. Në atë qytezë me 30 mijë banorë kishin mbërritur në atë kohë rreth 100 familje vetëm nga zona e Prezës…
“Disa herë bëra tentativa për të kërkuar punë në profesionin tim, dhe pastaj fillova t’i përshtatem realitetit si “qen tartufi” në sebepet e komunitetit si festa, dasma, ditëlindje.”
Por “kamera në dorë” i ndryshoi atij perspektivën përtej këndit të xhirimit. Prej saj, ai thotë se mësoi të rrëfej jetën pa filtra. “Vizioni im u zhvendos nga estetika e inskenuar te dokumentimi i gjallë i të vërtetës. Pashë sakrificat e bashkëkombëseve të mi për t’u integruar dhe vendosa ta përdor kamerën për të treguar dinjitetin e tyre. Dokumentimi i jetës sonë ishte terapia ime si edhe një mjet rrëfimi se shqiptarët mbartin vlera të mëdha.”
Korça – Afërsia e Assisit nga kryeqendra Perugia dhe nga Foligno, ku është shtypur “Komedia hyjnore “e Dante Aligerit në 1472 është frymëzim për të, siç ishte vendlindja e tij, Korça, prej nga i lindi pasioni për artin skenik. “Në vitet 1969 -1974 kursin tonë në Institutin e Lartë të Arteve e drejtonte regjisorja e parë dhe pedagogia plot kulturë moskovitë, Prof. Drita Agolli. Me plot nostalgji e quaj veten produkt të saj. Me idenë e regjisorit dhe pedagogut të madh Mihal Luarasi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të asaj kohe Todi Lubonja për të krijuar Teatrin në Ekran, trupa me aktorë të sapo-diplomuar si Eglantina Kume, Justina Aliaj, Esat Telit, Jani Tane, Vera Grabocka, Fatos Sela dhe Niko Kanxheri shkuan në televizion. Si pasojë e goditjes së Festivalit të 11 në TVSh në 1972, dhe të dy ideatorëve të projektit, programi dështoi. Atëherë iu dha mundësia të kalonim Asistent Regjisor.
Kujtoj me nostalgji regjisorin Mërkur Bozgo qe me përgatiti dhe operatorin e talentuar mjeshtrin Muharem Kondo. Redaksinë e fëmijëve dhe rinisë e konsideroj një pistë që ka formatuar shumë regjisorë, redaktorë dhe operatorë. Një redaksi krijuese e lidhur me shkrimtaret më të mirë si Shpresa Vreto, Naum Prifti, Adelina Mamaqi, Skënder Hasko, Elisabeta Kamberi, Fatmira Veisllari, Taqo Pecani, Luljeta Tabaku. Minerva Kume etj. Redaktorja veterane e Redaksisë e Fëmijëve në TVSh, Luljeta Tabaku e kujton Janin “me respektin më të madh si njeri dhe si regjisor i papërtuar dhe me pasion. Ai kishte krijimtari, fantazi dhe shije artistike, pa u ankuar për ngarkesën,” por duke punuar me bashkëpunim dhe mirëkuptim.” Tek bashkëpunimet e asaj kohe, Tane vlerëson instruktorët e ndjerë Suat Gega dhe Zysh Sandra që përgatisnin talentet e reja të Pallatit të Pionierëve.
Profili i tij në IMBD https://www.imdb.com/name/nm1115401/ ndjek karrierën e Jani Tanes si regjisor e producent në disa projekte në vitet ‘80 dhe ‘90. Në vitet 2000, begatia arkitekturale dhe historike e Assisit e frymëzoi atë për telereportazhe me temë të antikitetit dhe historisë Ilire-Etruske, produksione të studios së tij Nostalgjia. Një prej tyre është seria “Trokitje në Iliri” në qytetet Orvieto, Tarquinia dhe Spoleto e realizuar me studiuesin e kohës së antikitetit, Kol Marku, “Në një moment,” kujton ai, “ishte piktori Zamir Mati, që përmendi vendndodhjen të varrit monumental të mbretit tonë të Ilirisë Genti në Gubbio. Plot kureshtje dhe krenari ilire, pas disa tentativave e gjetëm këtë objekt si monument romak, ku gjendet një tabelë me mbishkrimin: Sipas dëshmitarëve të vjetër këtu prehet mbreti i Ilirëve Genti. Sipas kronikanit të shquar romak Tit Livi, Romakët, pas 200 vjet luftimesh, sulmuan me mercenarë perandorinë e Ilirisë në 168 p.k. Ata e pushtuan Ilirinë dhe më pas Maqedoninë e Greqinë e sotme.
Për të mos u shfarosur popullsia ilire, Mbreti Gent u dorëzua tek Romakët që e festuan me madhështi fitoren e rënies së Perandorisë së Ilirisë së mirëfilltë. Ai bashkë me bashkëshorten Etuta, vajzën e mbretit të Dardanisë, Monun me dy djemtë dhe me skortën e tij, u izoluan në Gubbion e sotme, nën mbikëqyrjen e Romakëve. Ky ishte thelbi i një dokumentari shumë të suksesshëm të studiueses së Antikitetit Eva Brinja.” “Bujtina e fundit” – bashkëpunim me shoqatën Acas Scanderbeg, studiuesin Kol Marku, kushtuar atit të pavarësisë imzot Ismail Qemali me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. “Artisti pa titull” – film kushtuar koreografit dhe studiuesit të folklorit shqiptar Bujar Aliaj. Gjatë viteve të pandemisë, së bashku me gazetarin dhe kolegun Gëzim Gjyrezi realizoi tri telereportazhe “Kandari i Fajit”, nisur nga pushtimi i trojeve tona nga perandoria Osmane deri në pavarësi, dhe më tej deri në periudhën e Zogut.
Në Kanada, ku jeton një komunitet intelektualësh dhe artistësh me emër, si edhe vajza e madhe e Taneve, regjisori ka krijuar disa dokumentarë, si “Mushti i një Romancieri” për veprimtarinë letrare të shkrimtarit Kristaq Turulli, Ambasador i Kombit, “Simfonia e Ngjyrës” produksion për piktorin e talentuar Bujar Asllani. Një pjesë të artistëve që qëmton, ai thotë se kanë qenë në transmetimet e TVSh-së dhe në rubrikën “Trokitje në mërgim” TV Korça dhe bashkëpunime të tjera.
Nga programacioni edukativ në podkastet politike – Regjisori i njohur bën një reflektim kritik mbi evolucionin e televizionit publik shqiptar. “Puna dhe pasioni i dikurshëm i sollën publikut programe ikonike që nga teletregimet për fëmijë dhe përrallat me “teta Marika Kallamatën dhe xhaxhi Ilia Shytin”, tek programet e Vitit të Ri dhe Konkurset e Fjalës artistike, të Letërsisë, të Fizikës për të rinjtë deri te filmat televizivë. Sot ekrani është pushtuar nga bisedat e thata, lajme dhe podkaste me politikanë, si pasojë e “mungesës së vullnetit dhe të buxhetit,” thotë ai. Përballë thashethemeve ose “shashkave” për mbylljen e kanalit publik, reagimi i tij është i prerë: “TVSh-ja i takon publikut shqiptar!” Ai e njeh mirë kohën e konkurrencës dhe lirisë mediale. Në rrugëtimin e tij regjisori veçon televizionin publik italian RAI “si një shkollë të madhe të eksperiencës sime të formatimit si regjisor.”
TVSh Trashëgimia dhe Teknologjia “Ne punuam në kushte të tjera, ku çdo kuadër dhe çdo fjalë peshohej me përgjegjësi të lartë artistike dhe etike. Sot teknologjia ka krijuar mundësi të jashtëzakonshme, por shpesh humbet thellësia. Brezat e rinj kanë ritëm dhe dinamikë të admirueshme. Megjithatë, ndonjëherë tregu dhe dëshira për audiencë të shpejtë i largon ata nga estetika e pastër televizive. Disa përpiqen të ruajnë atë dinjitet që kemi kultivuar ne në TVSH, të tjerë bien pre e komercializmit.”
Reflektimi mbi Jetën dhe Artin Pikëvështrimi i formësuar përgjatë dekadave mes Shqipërisë, Italisë dhe Kanadasë është se “arti nuk ka atdhe fiks, pasi aty jeton gjuha universale e shpirtit.” Pavarësisht se xhiron në studiot e Tiranës, në rrugët me histori të Assisit, apo në realitetin e mijëvjeçarit ri në Kanada, “njeriu mbetet qendra e gjithçkaje. Jeta më ka mësuar se vështirësitë e emigrimit mund të kthehen në lëndë të parë për art të madh. Nëse ke një familje që të mbështet dhe një pasion që të djeg përbrenda, asnjë distancë nuk të largon dot nga misioni yt. Arti të mban të ri, të mban lidhur me rrënjët dhe të bën qytetar të botës.”
Së shpejti, në Korçë dhe në Institutin e Arteve në Tiranë, regjisori Jani Tane do të prezantojë dokumentarin “Aktori pa maskë” mbi jetën e aktorit të shquar të karaktereve, Andrea Pepi. Për autorin e filmit dokumentar “Katër stinët e Assisit”, kushtuar qytetit që e adoptoi artistikisht, krijimtaria është hapësira ku ai i gjen dhe jeton intensivisht të gjitha stinët e jetës së tij.