
Ermal Hasimja/
Protesta ishte e bukur që ditën e parë dhe vazhdon të jetë. Është më e rëndësishmja pas atyre që rrëzuan komunizmin. Nuk ka fare rëndësi sa vazhdon, sa vetë dalin. Qëllimi i saj u arrit. Çdo ditë që vazhdon e përforcon efektin dhe e gërryen mbështetjen e qeverisë. Protestuesit e rinj prishën imazhin e pathyeshmërisë së qeverisë, tërhoqën të gjithë prozhektorët vendas e të huaj mbi skandalet e qeverisë, i dhanë peshë dhe mbështetje hetimeve të SPAK-ut për Zvërnecin e më tej si dhe thyen frikën e protestimit. Protesta shërbeu dhe shërben si shkollë verore demokracie. Breza të painteresuar për politikën nisën të diskutojnë e të mësojnë nga njeri-tjetri për funksionimin e demokracisë dhe të vizualizojnë të drejtat e tyre qytetare.
Sot nuk ka asnjë dobësim apo dëmtim të protestës, sepse arsyet e saj janë të njëjtat, madje edhe më të forta tani. Forca e protestët nuk qëndron te numri i pjesëmarrësve, por te numri i atyre që mbështesin kërkesat e saj. Sondazhet tregojnë se protesta ka mbështetje gjigande.
Qeveria dhe mediat e saj mezi presin që protestuesit të mos sillen si akademi shkencash apo kuvend ëngjëjsh për t’i sulmuar. Por protestën e bëjnë shqiptarët normalë, ata që nuk janë dakord me njeri-tjetrin për shumëçka, që nuk janë të gjithë profesorë apo namusqarë kulture e ambjentalizmi, që nganjëherë edhe grinden, por që ama e kuptojnë plotësisht sesi po qeveriset ky vend. Protestuesit nuk bien dakord sesi duhet qeverisur vendi e ndoshta herë pas here as sesi duhet qeverisur vetë protesta, ama janë të gjithë dakord SESI NUK DUHET QEVERISUR VENDI. Pjesa tjetër zgjidhet ditën e votimit.