
Prof. Begzad Baliu/
Në poezinë satirike të Ali Asllanit, leksiku është një nga mjetet kryesore për shprehjen e qëndrimit kritik dhe për ndarjen e qartë ndërmjet vlerave dhe antivlerave. Fjala nuk shërben si zbukurim, por si mjet denoncimi, karakterizimi dhe demaskimi shoqëror. Poeti përdor një fjalor kryesisht konkret, të drejtpërdrejtë dhe me ngarkesë të fortë vlerësuese. Fjalë si maskarenj, çakenj, batakçinj, bejlerë, agallarë, monopol, xhep, arkë, bankë, ujk, çakall, bujk, burrë, Atdhe dhe popull ndahen natyrshëm në dy grupe kuptimore. Në njërin qëndrojnë puna, ndershmëria, sakrifica dhe përkushtimi ndaj bashkësisë; në tjetrin, grabitja, korrupsioni, privilegji dhe parazitizmi shoqëror. Asllani vë kështu përballë njeriun që jeton me mundin e vet dhe atë që pasurohet me mundin e të tjerëve. Prej kësaj kundërvënieje merr forcë edhe karakteri etik i satirës së tij.
Një vend të rëndësishëm zënë emërtimet e marra nga bota shtazore. Fjalët çakenj, çakaj, ujq dhe bisha përdoren për njerëz dhe marrin kuptim shoqëror e politik. Në vargun “Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet”, fjala çakenj shenjon njerëzit që pushtetin e shohin si rast për grabitje dhe përfitim. Të njëjtën ngarkesë kanë edhe vargjet “Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’”, “Rroftë goja e çakallit” dhe “Më parë nga çakalli s’bënte gjum’ i gjalli”. Çakalli dhe ujku bëhen emra të lakmisë, pabesisë dhe dhunës. Në këtë mënyrë, poeti ua heq personazheve të satirës pamjen e respektueshme që mund t’ua japin posti, titulli ose pasuria dhe i paraqet sipas sjelljes së tyre. Krahasimi me grabitqarët e bën qortimin më të ashpër dhe më të kuptueshëm.
Po aq karakteristik është fjalori që lidhet me pasurinë dhe me shtresat sunduese: aga, agallarë, bej, bejlerë, ajanë, pashallarë, pasanikë, aksione, monopole, banka, arka dhe xhepe. Në poezinë satirike këto fjalë marrin zakonisht ngarkesë qortuese, sepse lidhen me pasurimin e padrejtë dhe me shpërdorimin e pushtetit. Vargjet “Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione monopole”, “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka”, “Nënshkrim’ i zotris suaj nëpër banka vlen milion” dhe “Mjafton bërja pasanik, pasanik dhe bej i ri” e bëjnë të dukshme këtë botë të interesit dhe të përfitimit. Xhepi, arka dhe banka nuk shënojnë vetëm vende ku mbahet pasuria; në vargjet e Asllanit ato lidhen me lakminë dhe me humbjen e përgjegjësisë ndaj shoqërisë. Satira, pra, nuk godet pasurinë si të tillë, por pasurinë e krijuar përmes privilegjit, grabitjes dhe shfrytëzimit.
Në satirën e Asllanit rëndësi kanë edhe emrat e njerëzve dhe të vendeve. Akcil Filani, Xha Begua, Musa Beu, Ali Pasha dhe Ceco Malua nuk mbeten vetëm emra personazhesh, por marrin tipare përfaqësuese. Përmes tyre poeti paraqet mënyra sjelljeje dhe mendësi të caktuara shoqërore. Edhe emrat Shqipëria, Vlora, Ballkani, Anadolli, Afrika dhe Azia marrin, sipas rastit, kuptime që tejkalojnë përcaktimin e thjeshtë gjeografik. Një peshë të veçantë ka fjala Atdhe. Ajo qëndron përballë fjalëve që lidhen me përfitimin vetjak: maskarenj, xhep, arkë, bankë. Në njërën anë është interesi i vendit dhe sakrifica për të; në tjetrën, lakmia dhe interesi personal. Kjo kundërvënie përshkon një pjesë të mirë të satirës së poetit.
Leksiku satirik i Ali Asllanit është, në fund, një pjesë thelbësore e mënyrës së tij të gjykimit të realitetit shoqëror. Fjalët fyese, emërtimet e kafshëve grabitqare, fjalori i pasurisë, titujt e shtresave sunduese, emrat e personazheve dhe fjalët me kuptim kombëtar ndërtojnë një gjuhë të drejtpërdrejtë, therëse dhe të dallueshme. Fjala poetike nuk mjaftohet me përshkrimin, por merr qëndrim. Çakenjtë qëndrojnë përballë shqiponjave, batakçinjtë përballë burrave, ndërsa Atdheu përballë arkës, bankës dhe xhepit. Pikërisht kjo qartësi e kundërvënieve i ka dhënë satirës së Asllanit jetëgjatësi. Rrethanat dhe njerëzit ndryshojnë, por lakmia, shpërdorimi i pushtetit dhe përfitimi në dëm të të tjerëve mbeten dukuri që vargu i tij vazhdon t’i godasë.