
Një jetë në shërbim të komunitetit dhe një mik i çmuar i shqiptarëve.
Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Calvin “Cal” Lawrence, ish-Kryetar i Village of Wappingers Falls, shërbyes i devotshëm publik, patriot amerikan dhe, mbi të gjitha, një mik i madh dhe i sinqertë i komunitetit shqiptaro-amerikan.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, të strukturave dhe anëtarësisë së saj, si dhe në emrin tim personal, i shpreh familjes Lawrence, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të Wappingers Falls ngushëllimet tona më të sinqerta për këtë humbje të madhe.
Cal Lawrence ishte më shumë se një zyrtar publik. Ai ishte një burrë i fjalës, një qytetar fisnik, një udhëheqës me integritet dhe një njeri që e kuptonte shërbimin publik si përgjegjësi ndaj njerëzve dhe jo thjesht si detyrë institucionale.
Për dekada të tëra, ai dha kontribut të çmuar në jetën publike dhe qytetare të zonës së Wappingers Falls dhe Dutchess County, duke fituar respektin e njerëzve për përkushtimin, afërsinë dhe gatishmërinë e tij për t’i shërbyer komunitetit.
Për ne shqiptarët e Amerikës, Cal Lawrence do të kujtohet në mënyrë të veçantë si një mik i afërt, besnik dhe i respektuar i komunitetit shqiptar në këtë pjesë të shtetit të New York-ut. Ai qëndroi pranë shqiptarëve për shumë vite, i respektoi ata, i mirëpriti dhe e çmoi kontributin e tyre në shoqërinë amerikane.
Në kohë kur komuniteti ynë ndërtonte dhe forconte praninë e tij në jetën qytetare amerikane, miq si Cal Lawrence kishin një rëndësi të veçantë. Ai ndërtoi ura miqësie dhe mirëkuptimi dhe tregoi me veprat e tij se miqësia ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve nuk matet vetëm me fjalë, por me besnikëri, respekt dhe qëndrueshmëri ndër vite.
Prandaj, sot nuk po ndahemi vetëm nga një ish-kryetar dhe një personalitet i respektuar publik. Komuniteti shqiptaro-amerikan po humbet një mik të vjetër të shtëpisë së tij.
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”, e cila për më shumë se një shekull ka ruajtur dhe kultivuar miqësinë shqiptaro-amerikane, do ta kujtojë me respekt Calvin “Cal” Lawrence si një prej atyre amerikanëve të mirë që me miqësinë dhe dashamirësinë e tyre kanë qëndruar pranë shqiptarëve dhe kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve tona me komunitetin dhe institucionet amerikane.
Cal ishte udhëheqës, shërbyes i komunitetit, mik dhe patriot. Këto fjalë, të vendosura edhe në nderimin që i është bërë pas ndarjes nga jeta, përmbledhin denjësisht karakterin dhe trashëgiminë që ai lë pas.
Njerëzit e mirë largohen fizikisht, por gjurmët e tyre mbeten në jetën e atyre që patën fatin t’i njohin.
Cal Lawrence la gjurmë. Ai la pas respektin e një komuniteti të tërë, kujtimin e një shërbyesi të përkushtuar publik dhe mirënjohjen e shumë shqiptarëve që tek ai gjetën një mik të sinqertë të tyre dhe të kauzës së miqësisë shqiptaro-amerikane.
Në këto momente dhimbjeje, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Lawrence dhe me të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan.
Lamtumirë, miku ynë i çmuar Cal.
Komuniteti shqiptaro-amerikan do të të kujtojë me respekt dhe mirënjohje.
U prehsh në paqe!
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra jote!
Dr. Elmi Berisha
Kryetar
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”
New York, SHBA