• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARTI QË BËHET DASHURI DHE NDIHMË

August 18, 2026 by s p

AFC/

Stilistja e mirenjohur Mirela Nurçe në bashkëpunim me organizatën tonë Albanians Fighting Cancer USA organizon nje “Fashion Show”, Sfilate Humanitare veshjesh për të na dhuruar talentin, punën dhe artin e saj. Ky event do te zhvillohet tek ambientet e studios të artistit me famë botërore Fadil Berisha Photography në New York.

🏥Me ketë iniciativë humane që ajo ka marrë, 100% e të ardhurave nga veshjet që do qepen nga Mirela, do t’i kalojnë organizates sonë Albanians Fighting Cancer USA, në mbështetje të Spitali ‘ihsan Çabej’ Lushnje, qytetit të saj të dashur të lindjes.

🎁Me këtë nismë, synojmë të dyfishojmë shumën prej $10,000 që kemi mbledhur nga 69 doatore që dhuruan bujarisht, për të siguruar një inkubator të RI për foshnjat e porsalindura.

Ky inkubator do të bëjë një ndryshim të madh: foshnjat e Lushnjës që kanë nevojë për kujdes në inkubator nuk do të kenë më nevojë të transferohen në Spitalin e Fierit, por do të mund të marrin kujdesin e nevojshëm pranë nenave të tyre, në Spitalin e Lushnjës.

🌐 Vizitoni website-in e Mirelës. www.tonni86couture.com

💃Nëse pëlqeni veshjet e koleksionit dhe dëshironi të porosisni, bëni pagesën përmes WhatsApp-it, duke përdorur ikonën në këtë postim dhe ne ju dërgojme adresën e emilit të Mirelës.

📸Fotografoni veshjen që ju pëlqen dhe dërgojeni në emailin e Mirelës per te komunikuar me tej për detaje.

Merrni pjesë në sfilatë dhe mbështesni këtë kauzë duke bërë porosinë direkt me artisten Mirela Nurçe.

📍 Fadil Berisha Studio, 603 W 44th St 3rd floor New York, NY 10036

📅 Saturday, September 26, 2026

🕔 5:00 PM

🧵✂️ART THAT BECOMES LOVE AND SUPPORT

Fashion designer Mirela Nurçe, in collaboration with our organization Albanians Fighting Cancer USA, is organizing a humanitarian Fashion Show, featuring a showcase of her designs, to share her talent, hard work, and art with all of us.

The event will take place at the studio of world-renowned photographer and artist Fadil Berisha Photography in New York.

🏥With this meaningful humanitarian initiative, 100% of the proceeds from the garments created by Mirela will be donated to our organization, Albanians Fighting Cancer USA, in support of Hospital in Lushnjë, her beloved hometown.

🎁Through your support, we aim to double the $10,000 already raised through the generosity of 69 donors, with the goal of purchasing a NEW incubator for newborn babies.

This incubator will make a BIG difference: babies in Lushnjë who require incubator care will no longer need to be transferred to Fier Hospital. They will be able to receive the care at Lushnjë Hospital, close to their moms.

Mirela’s art will become care, hope, and life for the most fragile newborns of her beloved hometown.

🌐Visit Mirela’s website: www.tonni86couture.com

💃 If you love a garment from the collection and would like to place an order, make your payment through WhatsApp using the icon on this post, and we will provide you with Mirela’s email address.

📸Take a photo of the garment you like and send it to Mirela’s email to communicate directly with her about the details.

Join us at the Fashion Show in person and support this cause by placing your order directly with artist Mirela Nurçe.

📍 Fadil Berisha Studio, 603 W 44th St 3rd floor New York, NY 10036

📅 Saturday, September 26, 2026

🕔 5:00 PM

Lushnje, Albania Lushnje underground

Filed Under: Komunitet

ÇFARË KA MBETUR SOT NGA MENDIMI POLITIK I ARBËN XHAFERIT?

August 18, 2026 by s p

Nga politika e ideve te politika e pushtetit – një vështrim mbi trashëgiminë e njërit prej mendjeve më të spikatura të politikës shqiptare.

Frank Shkreli

Ka figura politike që kujtohen për postet që kanë mbajtur, për partitë që kanë drejtuar apo për betejat elektorale që kanë fituar. Ka edhe të tjerë që, përtej karrierës politike, lënë pas një mënyrë të veçantë të menduari. Arbën Xhaferi i përkiste kësaj kategorie të dytë. Frank Shkreli: Në kujtim të Arbën Xhaferit | Gazeta Telegraf Në kujtim të ditës së kalimit të tij në amshim, kësaj radhe po kujtoj Arbën Xhaferin jo si figurë të së kaluarës, por si një mendimtar politik, idetë e të cilit mund të maten me realitetin shqiptar të sotëm.

Vitet që kanë kaluar nga ndarja e tij nga kjo jetë nuk e kanë zvogëluar rëndësinë e pyetjes: çfarë ka mbetur sot nga mendimi politik i Arbën Xhaferit? Përkundrazi, zhvillimet aktuale politike të hapësirës shqiptare e bëjnë këtë pyetje edhe më të nevojshme. Xhaferi nuk ishte vetëm një politikan shqiptar në Maqedoni. Ai ishte një intelektual që e shihte politikën si përballje idesh, si proces historik dhe si përgjegjësi ndaj së ardhmes. Në një kohë kur politika shpesh dominohet nga slogane, emocione dhe interes i ditës, ai përpiqej ta vendoste debatin në një plan më të gjerë historik, filozofik dhe institucional.

Një nga veçoritë më të spikatura të Xhaferit ishte bindja se çështjet kombëtare nuk mund të zgjidheshin vetëm përmes deklaratave patriotike. Ato kërkonin institucione, strategji politike dhe një vizion të qartë për shoqërinë. Për të, identiteti kombëtar dhe demokracia nuk ishin dy rrugë të kundërta. Përkundrazi, të drejtat kombëtare duhej të mbroheshin përmes mjeteve demokratike dhe institucionale. Kjo ishte një pikë e rëndësishme e filozofisë së tij politike. Xhaferi e kuptonte shumë mirë se shqiptarët në Maqedoni nuk mund të kërkonin vetëm njohje simbolike të identitetit të tyre. Çështja ishte shumë më e thellë: barazia politike, përfaqësimi institucional, përdorimi i gjuhës, arsimi, decentralizimi dhe pjesëmarrja reale në vendimmarrje.

Në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000, politika shqiptare në Maqedoni kaloi nëpër një periudhë të jashtëzakonshme tensioni. Konflikti i vitit 2001 dhe zhvillimet që çuan te Marrëveshja e Ohrit ndryshuan strukturën politike të vendit dhe marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Në këtë periudhë, Xhaferi ishte një prej aktorëve kryesorë të politikës shqiptare. Por trashëgimia e tij nuk duhet matur vetëm me marrëveshjet politike të kohës. Ajo duhet parë edhe në mënyrën se si ai përpiqej ta orientonte çështjen shqiptare drejt një zgjidhjeje politike dhe institucionale. Në këtë kuptim, Ohri nuk duhet parë vetëm si një dokument politik, por si pjesë e një procesi më të gjerë e një kalimi nga konflikti te kompromisi politik dhe nga kërkesat e komuniteteve te ndërtimi i mekanizmave institucionalë të bashkëjetesës. An Optimist in Panic: an interview with Arben Xhaferi | Institute for War and Peace Reporting — Megjithse Xhaferi nuk e konsideronte marrëveshjen e Ohrit si fundin e çeshtjes shqiptare në Maqedoni.

Një tjetër dimension i mendimit të Xhaferit ishte raporti midis çështjes kombëtare shqiptare dhe Evropës. Ai nuk e shihte Evropën thjesht si një destinacion gjeografik. Evropa ishte, mbi të gjitha, një model institucional: demokraci, shtet ligjor, të drejta të njeriut dhe respekt për diversitetin. Frank Shkreli: Në 10-vjetorin e shkuarjes në amshim të Arbën Xhaferit, kujtime nga takimi i vitit 2005, gazeta telegraf – Search — Kjo pikëpamje mbetet aktuale edhe sot. Shqiptarët në Ballkan nuk mund ta ndërtojnë të ardhmen vetëm duke u mbështetur te kujtesa historike apo te retorika nacionaliste. Por as integrimi evropian nuk mund të jetë një proces ku identiteti kombëtar lihet mënjanë. Sfida është pikërisht bashkimi i të dyjave: identitetit kombëtar dhe demokracisë, patriotizmit dhe Evropës, interesit mbarë-kombëtar dhe institucioneve demokratike. Çfarë do të mendonte Arbën Xhaferi për politikën shqiptare të sotme?

Kjo është ndoshta pyetja më interesante e ditës. Është e pamundur të flasim në emër të tij. Por, duke u nisur nga qëndrimet dhe disa nga shkrimet e tij, mund të hamendësojmë se ai do ta shihte me shqetësim dobësimin e debatit intelektual në politikën shqiptare. Ai ndoshta do të pyeste: Ku janë idetë? Ku janë projektet? Ku është vizioni për dhjetë apo njëzet vitet e ardhshme? Arbën Xhaferi është i rendësishëm për përgjigjet që jep, por edhe për pyetjet që le të hapura.

Politika shqiptare sot ka shumë komunikim, por jo gjithmonë shumë mendim. Ka shumë deklarata, por jo domosdoshmërisht strategji. Ka shumë beteja për pushtet, por më pak debate për modelin e shoqërisë që duan të ndërtojmë. Pikërisht këtu qëndron një prej mësimeve më të rëndësishme të Xhaferit: një kauzë kombëtare nuk mund të mbijetojë vetëm përmes emocioneve e sloganeve. Ajo ka nevojë për mendim, argument, institucione stabile demokratike dhe njerëz që janë në gjendje të shohin përtej ciklit të ardhshëm elektoral. Një trashëgimi kjo që kërkon të lexohet urgjentisht.

Megjithëkëtë, Arbën Xhaferi nuk ishte një figurë pa kundërshti. Si çdo politikan me ide të forta, ai pati mbështetës dhe kundërshtarë. U debatua me të, u kritikua dhe shpesh u keqkuptua. Por pikërisht kjo është një arsye më shumë për të rilexuar sot mendimet e tija. Trashëgimia e një intelektuali nuk matet me numrin e njerëzve që pajtohen me të. Matet edhe me aftësinë e ideve të tij për të provokuar pyetje të reja. Dhe pyetjet që Xhaferi ngriti për shqiptarët, identitetin kombëtar, demokracinë, shtetin, Evropën dhe bashkëjetesën, mbeten ende të hapura. Ndoshta kjo është trashëgimia e tij më e madhe që në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim tu kujtojë shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta se, politika shqiptare ka nevojë jo vetëm për politikanë, por edhe për mendimtarë politikë. A do të arrijë politika shqiptare të bëhet një poliikë idesh apo do të mbetet përgjithmonë peng i politikës së pushtetit të korruptuar?

Në një kohë kur politika rrezikon të shndërrohet në administrim të pushtetit dhe komunikimi publik në një garë sloganesh, rikthimi te mendimi i Arbën Xhaferit nuk është thjesht një akt kujtese. Është një ftesë për të menduar. Sepse, në fund të fundit, pyetja nuk është vetëm se çfarë ka mbetur nga mendimet e Arbën Xhaferit. Pyetja më e rëndësishme është: A ka sot një politikë shqiptare në Tiranë, Prishtinë apo Shkup që është në gjendje të prodhojë mendime të reja me të njëjtën peshë, vizion dhe guxim intelektual të Arbën Xhaferit?

Filed Under: Komente

Nga emigrimi masiv te humbja e kontrollit mbi pasuritë kombëtare

August 18, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

Nëse dikur kolonizimi bëhej me ushtri, sot ai mund të ndodhë edhe pa u dëgjuar asnjë e shtënë arme. Mjafton që një vend të humbasë njerëzit e tij, të humbasë kontrollin mbi pasuritë e veta dhe të mos jetë më zot në shtëpinë e vet.

Kjo është dilema që sot ngrihet për Shqipërinë.

Për më shumë se tri dekada, vendi ka përjetuar një emigrim të vazhdueshëm. Qindra mijëra shqiptarë, veçanërisht të rinj, mjekë, inxhinierë, mësues dhe profesionistë, kanë zgjedhur të ndërtojnë jetën e tyre jashtë vendit. Fshatra të tëra janë boshatisur, qytetet po plaken dhe lindjet bien nga viti në vit. Një komb nuk dobësohet vetëm kur humbet territor; ai dobësohet edhe kur humbet njerëzit e tij.

Në të njëjtën kohë, pasuritë natyrore, minierat, nafta, burimet ujore, bregdeti dhe toka, janë dhënë shpesh për shfrytëzim përmes koncesioneve ose investimeve të huaja. Investimet e huaja janë të mirëpritura kur respektojnë ligjin dhe krijojnë mirëqenie për vendin, por ato nuk duhet të zëvendësojnë interesin kombëtar. Kur fitimi largohet, ndërsa qytetarët largohen bashkë me të, lind pyetja se kush po përfiton realisht nga pasuritë e Shqipërisë.

Ndërkohë, vendi po bëhet gjithnjë e më tërheqës për shtetas të huaj që blejnë prona, investojnë ose vendosen për të jetuar. Ky është një fenomen normal në një ekonomi të hapur. Megjithatë, ai kërkon politika të mençura që të mos krijohen pabarazi, spekulime me pronat apo ndryshime të pakontrolluara demografike. Debati nuk duhet të jetë kundër të huajve, por në favor të mbrojtjes së interesit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Historia na mëson se kombet nuk zhduken vetëm nga luftërat. Ato mund të dobësohen edhe nga korrupsioni, keqqeverisja, varfëria, mungesa e shpresës dhe largimi i brezave të rinj. Kur qytetarët largohen sepse nuk shohin të ardhme në vendin e tyre, kjo është një kambanë alarmi për çdo shtet.

Prandaj, pyetja nuk është nëse duhet të kemi investitorë të huaj apo marrëdhënie me botën. Shqipëria ka nevojë për kapital, teknologji dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Pyetja është nëse shteti po mbron interesin kombëtar, po krijon kushte që shqiptarët të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre dhe po administron pasuritë publike në dobi të qytetarëve.

Një atdhe nuk humbet vetëm kur pushtohet. Ai mund të humbasë edhe kur boshatiset nga bijtë e vet.

Nëse një ditë Shqipëria do të ketë më shumë pasuri të administruara nga të tjerët sesa nga vetë shqiptarët, më shumë të rinj jashtë sesa brenda kufijve dhe më shumë shpresë në emigracion sesa në vendlindje, atëherë nuk do të kemi nevojë të pyesim nëse po kolonizohet. Përgjigjja do të jetë shkruar në realitetin që kemi lejuar të ndërtohet.

Ende nuk është vonë. Pasuritë mund të mbrohen, ekonomia mund të ringrihet dhe shqiptarët mund të gjejnë arsye për të qëndruar. Por kjo kërkon një shtet që vendos interesin kombëtar mbi çdo interes tjetër, sepse një vend nuk mbahet gjallë vetëm nga kufijtë e tij. Ai mbahet gjallë nga njerëzit që e quajnë atë Atdhe.

Foto: pine.al

Filed Under: Ekonomi

LEKSIKU I POEZISË SATIRIKE TË ALI ASLLANIT

August 18, 2026 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Në poezinë satirike të Ali Asllanit, leksiku është një nga mjetet kryesore për shprehjen e qëndrimit kritik dhe për ndarjen e qartë ndërmjet vlerave dhe antivlerave. Fjala nuk shërben si zbukurim, por si mjet denoncimi, karakterizimi dhe demaskimi shoqëror. Poeti përdor një fjalor kryesisht konkret, të drejtpërdrejtë dhe me ngarkesë të fortë vlerësuese. Fjalë si maskarenj, çakenj, batakçinj, bejlerë, agallarë, monopol, xhep, arkë, bankë, ujk, çakall, bujk, burrë, Atdhe dhe popull ndahen natyrshëm në dy grupe kuptimore. Në njërin qëndrojnë puna, ndershmëria, sakrifica dhe përkushtimi ndaj bashkësisë; në tjetrin, grabitja, korrupsioni, privilegji dhe parazitizmi shoqëror. Asllani vë kështu përballë njeriun që jeton me mundin e vet dhe atë që pasurohet me mundin e të tjerëve. Prej kësaj kundërvënieje merr forcë edhe karakteri etik i satirës së tij.

Një vend të rëndësishëm zënë emërtimet e marra nga bota shtazore. Fjalët çakenj, çakaj, ujq dhe bisha përdoren për njerëz dhe marrin kuptim shoqëror e politik. Në vargun “Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet”, fjala çakenj shenjon njerëzit që pushtetin e shohin si rast për grabitje dhe përfitim. Të njëjtën ngarkesë kanë edhe vargjet “Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’”, “Rroftë goja e çakallit” dhe “Më parë nga çakalli s’bënte gjum’ i gjalli”. Çakalli dhe ujku bëhen emra të lakmisë, pabesisë dhe dhunës. Në këtë mënyrë, poeti ua heq personazheve të satirës pamjen e respektueshme që mund t’ua japin posti, titulli ose pasuria dhe i paraqet sipas sjelljes së tyre. Krahasimi me grabitqarët e bën qortimin më të ashpër dhe më të kuptueshëm.

Po aq karakteristik është fjalori që lidhet me pasurinë dhe me shtresat sunduese: aga, agallarë, bej, bejlerë, ajanë, pashallarë, pasanikë, aksione, monopole, banka, arka dhe xhepe. Në poezinë satirike këto fjalë marrin zakonisht ngarkesë qortuese, sepse lidhen me pasurimin e padrejtë dhe me shpërdorimin e pushtetit. Vargjet “Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione monopole”, “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka”, “Nënshkrim’ i zotris suaj nëpër banka vlen milion” dhe “Mjafton bërja pasanik, pasanik dhe bej i ri” e bëjnë të dukshme këtë botë të interesit dhe të përfitimit. Xhepi, arka dhe banka nuk shënojnë vetëm vende ku mbahet pasuria; në vargjet e Asllanit ato lidhen me lakminë dhe me humbjen e përgjegjësisë ndaj shoqërisë. Satira, pra, nuk godet pasurinë si të tillë, por pasurinë e krijuar përmes privilegjit, grabitjes dhe shfrytëzimit.

Në satirën e Asllanit rëndësi kanë edhe emrat e njerëzve dhe të vendeve. Akcil Filani, Xha Begua, Musa Beu, Ali Pasha dhe Ceco Malua nuk mbeten vetëm emra personazhesh, por marrin tipare përfaqësuese. Përmes tyre poeti paraqet mënyra sjelljeje dhe mendësi të caktuara shoqërore. Edhe emrat Shqipëria, Vlora, Ballkani, Anadolli, Afrika dhe Azia marrin, sipas rastit, kuptime që tejkalojnë përcaktimin e thjeshtë gjeografik. Një peshë të veçantë ka fjala Atdhe. Ajo qëndron përballë fjalëve që lidhen me përfitimin vetjak: maskarenj, xhep, arkë, bankë. Në njërën anë është interesi i vendit dhe sakrifica për të; në tjetrën, lakmia dhe interesi personal. Kjo kundërvënie përshkon një pjesë të mirë të satirës së poetit.

Leksiku satirik i Ali Asllanit është, në fund, një pjesë thelbësore e mënyrës së tij të gjykimit të realitetit shoqëror. Fjalët fyese, emërtimet e kafshëve grabitqare, fjalori i pasurisë, titujt e shtresave sunduese, emrat e personazheve dhe fjalët me kuptim kombëtar ndërtojnë një gjuhë të drejtpërdrejtë, therëse dhe të dallueshme. Fjala poetike nuk mjaftohet me përshkrimin, por merr qëndrim. Çakenjtë qëndrojnë përballë shqiponjave, batakçinjtë përballë burrave, ndërsa Atdheu përballë arkës, bankës dhe xhepit. Pikërisht kjo qartësi e kundërvënieve i ka dhënë satirës së Asllanit jetëgjatësi. Rrethanat dhe njerëzit ndryshojnë, por lakmia, shpërdorimi i pushtetit dhe përfitimi në dëm të të tjerëve mbeten dukuri që vargu i tij vazhdon t’i godasë.

Filed Under: LETERSI

Çmësimi i shqiptarëve me shtetin

August 18, 2026 by s p

Ndue Ukaj/

Nuk di të ketë ndonjë libër që të ketë përshkruar më mirë paaftësinë e shqiptarëve për të bërë shtet sesa romani, “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë. Në këtë vepër, shkrimtari flet për çmësimin e shqiptarëve me shtet, një fenomen me të cilin po përballet Kosova e sotme.

“Viti i mbrapshtë” është një roman i bukur, i shkruar mjeshtërisht, plot pikëllim, humor e qesëndi, ku trajton pasojat që i mbarte mbi supe Shqipëria e porsadalur nga nata e zezë osmane.

Si duket – Viti i mbrapshtë i Kadaresë – është sintagmë pikëllimi dhe dhimbje që e përshkon historinë shqiptare në secilën stinë.

Shqiptarët, të paaftë për katharsis, nuk mësojnë asgjë nga historia dhe prej një gabim shkojnë e përplasën në një tjetër – më të madh dhe më tragjik.

Mjafton që të lexohen me vëmendje disa pasuese të mëposhtme dhe mund të kuptojmë shumëçka për dramën e Kosovës së sotme:

…

Ma ndjell zemra për keq, -thotë befas Doska. –

Shqipëria do prishet.

-T’u thaftë ajo gjuhë, -ia pret Alushi dhe kthen kryet nga Shestani. Me vete thotë: si i lëshon kështu, pa të keq, këto mynxyra ky njeri?

…

“Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qytet i kërcente sot të shpallej i tillë, e tjetri shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, por njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqet shenjat natën.”

…

“Doska trokiti pa pushin në njërën nga portat, gjersa më zë foli nga brenda:

-Me kënd jeni ju?

-Me Shqipërinë, -thirr Doksa, me kënd tjetër të s’ëmës do të jemi.

-Të gjithë ashtu thonë, por pastaj del që asnjëri nuk është me të.

-Mbylle atë gojë, more kërmill, dhe më thuaj a ka trupa të armatosur matanë fshatit.”

Heroi i këtij romani, Shestan Verdha, një i kryqëzuar për atdhe, me grupin e tij të sinqertë që lufton kundër prishjes së Shqipërisë, i pikëlluar e kupton se ai dhe shokët e tij, mezi bëheshin njëqind për të mbrojtë Shqipërinë, përballë bandës esadiste, që thërrisnin babën e që ishin rreth njëmijë.

Dy dekada e më shumë pas çlirimit të Kosovës dhe gati dy ë dekadë prej pavarësisë, në Kosovë, në vend se të flasim për zhvillim, dinjitet, mirëqeni, për arsim cilësorë, për shëndetësi normale, dhe, siguri ekonomike për të gjithë, ne flasim, nëse vendi ynë do t’ia dal të mbijetojë apo jo. Kudo dhe kurdo, dëgjon njerëz të shqetësuar, që thonë: Kosova po prishet.

Ndërkaq, në anën tjetër, sikur në romanin e Kadaresë, të gjithë bëhen sikur të jenë të Kosovës, të gjithë bëhen sikur po e ruajnë dhe duan atë, por në të vërtetë, punët janë ndryshe dhe pak duket të jenë vërtet me të.

“Dashurinë” tonë për Kosovën e përgënjeshtron fotografia e shtetit tonë, e shëmtiar dhe zymtë, aq shumë, sa që, ata që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë, kanë filluar të mos e njohin.

Kosova e ka humbë simpatinë e perëndimit dhe kjo ka ndodhë për shkak të qeverisjes bashibozuke, tipike orientale, të intrigave, mashtrimeve dhe budallaqeve të pashembullta që e kanë karakterizuar rritën e shtetit tonë.

Shteti i Kosovës sot është shndërruar në një mishmash ngatërresash, secila ma primitive se tjetra e ku valon flamuri i “çmësimit të shqiptarëve me shtet”.

“Viti i mbrapshtë” ndonëse flet për vitin 1914, dy vite pasi Shqipëria doli e pavarur- esencialisht trajton pasojat që la sundimi osman në psikologjinë shqiptare e që shtrihen në disa shekuj, aq sa zgjati ky sundim. Që domethënë, flet për një fenomen tejkohorë, prandaj, kjo vepër si e tillë, mund të lexohet për secilin vit të mbrapshtë historik e politik, që ka ndodhur apo mund të ndodhë në botën shqiptare, diku në Europë, Azi, ose, në një skaj tjetër të botës.

…

Për një popull të robëruar me shekuj, malli për shtetin dhe lirinë, do të duhej të ishte i madh, përvëlues, por kjo nuk ngjet me shqiptarët, të cilët, kur u zgjuan nga robëria e gjatë dhe u gjenden nën rrezet e dritës së lirisë, shfaqen të trullosur dhe të përçarë. Për këtë arsye, Ismail Kadareja ia paraqet lexuesit shkaqet e çmësimit të shqiptarëve me shtetin, temë kjo që në të vërtetë përbën boshtin themelor të romanit.

Gjatë gjithë shtjellimit të subjektit të kësaj ngjarje, duke e përcjellë konfliktin ndërmjet shqiptarëve, pastaj, duke e parë sfondin e tij historik, lexuesi pyet: munden apo s’munden shqiptarët të bëjnë shtet? Kjo dilemë e makthshme, e përshkon këtë vepër letrare, në strukturën e se cilës gdhendet golgota nëpër të cilën kaloi populli shqiptar. Kadareja, për të paraqitë sa më të plotë këtë dramë, atë e sheston në variante të ndryshme kuptimore, varësisht prej entitetit narrativ ku përshkruhet. Në këtë pikëpamje, vepra ndahet në tri kategori semantike: Fshatarët, të cilët ndonëse të keqkomanduar dhe të paktë, kanë mall për shtet dhe liri; bandat esadiste, të cilat nuk duan të shqiten nga robëria meqë janë të mësuar me të, dhe fuqitë e huaja, të përqendruara në Durrës, që dramën shqiptare e këqyrin nga një distancë tjetër, të mbështjellë me interesa dhe paqartësi.

Kadareja, duke i dhënë pamje të trefishtë historisë së krijimit të shtetit shqiptar, dhe, duke e tërheqë lexuesi nëpër situata e stile kontradiktore, e lë vetë të shestojë këtë kaos, që nuk është vetëm politik, por më shumë kulturor e shpirtëror. Në këtë plan, lexuesi e ndien se, horizonti i romanit, shkon përtej ngjarjes së rrëfyer, sepse imagjinata e shkrimtarit, përshkon historinë më thellë sesa që rezulton nga ky vit real historik.

Narratori, për t’ia paraqitë lexuesit këtë horizont të gjerë tematik, e zhvendosë prej kontekstit të kohës dhe e fut në lojën e përhershme historike. Kështu që, çmësimi i shqiptarëve me shtetin, rezulton të jetë pasojë e aksidentit historik, i pushtimit të gjatë otoman. Dhe, për ta bërë më të qartë këtë ide, shkrimtari e ndërton një dialog domethënës mes konsullit francez dhe famullitarit katolik të Dioqezë së Oroshit.

“Do të përpiqem t’jua shpjegoj, -tha famullitari. Ju e dini se shqiptarët pesëqind vjet ishin pa shtet.

-Pra aq më keq, -ndërhyri tjetri. –Pa shtet, domethënë të pamësuar me këtë mjeshtri ose këtë pasion, merreni si të doni. Ah, apo ju ndoshta deshët të thoshit se pas pesëqind vjetësh pa shtet, i ka marrë aq shumë malli për një gjë të tillë, saqë…”

Këto dialogje, sot, janë krejt aktuale, në Prishtinë, sepse, ajo çka tregojnë më së miri shqiptarët është çmësimi i tyre me shtetin.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT