• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Forca e protestës…

August 18, 2026 by s p

Ermal Hasimja/

Protesta ishte e bukur që ditën e parë dhe vazhdon të jetë. Është më e rëndësishmja pas atyre që rrëzuan komunizmin. Nuk ka fare rëndësi sa vazhdon, sa vetë dalin. Qëllimi i saj u arrit. Çdo ditë që vazhdon e përforcon efektin dhe e gërryen mbështetjen e qeverisë. Protestuesit e rinj prishën imazhin e pathyeshmërisë së qeverisë, tërhoqën të gjithë prozhektorët vendas e të huaj mbi skandalet e qeverisë, i dhanë peshë dhe mbështetje hetimeve të SPAK-ut për Zvërnecin e më tej si dhe thyen frikën e protestimit. Protesta shërbeu dhe shërben si shkollë verore demokracie. Breza të painteresuar për politikën nisën të diskutojnë e të mësojnë nga njeri-tjetri për funksionimin e demokracisë dhe të vizualizojnë të drejtat e tyre qytetare.

Sot nuk ka asnjë dobësim apo dëmtim të protestës, sepse arsyet e saj janë të njëjtat, madje edhe më të forta tani. Forca e protestët nuk qëndron te numri i pjesëmarrësve, por te numri i atyre që mbështesin kërkesat e saj. Sondazhet tregojnë se protesta ka mbështetje gjigande.

Qeveria dhe mediat e saj mezi presin që protestuesit të mos sillen si akademi shkencash apo kuvend ëngjëjsh për t’i sulmuar. Por protestën e bëjnë shqiptarët normalë, ata që nuk janë dakord me njeri-tjetrin për shumëçka, që nuk janë të gjithë profesorë apo namusqarë kulture e ambjentalizmi, që nganjëherë edhe grinden, por që ama e kuptojnë plotësisht sesi po qeveriset ky vend. Protestuesit nuk bien dakord sesi duhet qeverisur vendi e ndoshta herë pas here as sesi duhet qeverisur vetë protesta, ama janë të gjithë dakord SESI NUK DUHET QEVERISUR VENDI. Pjesa tjetër zgjidhet ditën e votimit.

Filed Under: ESSE

Frymëzim, energji pozitive e dashuri për jetën…

August 18, 2026 by s p

Deti – Nga Charles Trenet

Përktheu nga frëngjishtja: Dr. Sadik Elshani

Deti, që e shohim duke vallëzuar

Përgjatë gjireve të kthjellëta

Ka shkëlqimin e argjendtë

Deti, shkëlqimi i tij ndërron në shi.

Deti, në qiellin e verës i përzien

Delet e tij të bardha

Me engjujt aq të pastër, deti

Bariu i kaltërsisë së pafundme.

Shikoni, pranë këtyre lagunave

Këta kallama të mëdhenj të lagur

Shikoni, këta zogj të bardhë

Dhe këto shtëpi të ndryshkuara.

Deti i ka përkundur ato

Përgjatë gjireve të kthjellëta

Dhe me një këngë dashurie, deti

Zemrën time e ka qetësuar përjetë.

Vargjet e mësipërme janë teksti i këngës shumë të bukur e të njohur franceze, “La mer” (“Deti”), kompozuar nga kompozitori, kantautori e këngëtari i njohur, Charles Trenet (18 maj 1913 – 19 shkurt 2001). Kjo këngë (shansonë) është një homazh poetik, një himn për detin që me atë kaltërsinë e pafundme, me ato valët e lehta e qetëson shpirtin e njeriut, e mbush me plot frymëzim, energji pozitive e dashuri për jetën.

Vetë Treneti ka treguar se ai e ka shkruar verzionin fillestar të tekstit të kësaj kënge kur ka qenë 16 vjeçarë, shumë vite para se ta gjente melodinë. Melodia i ka ardhur gjatë një udhëtimi me tren në vitin 1943 në mes Montpellierit e Perpignanit, kur ai po vështronte nga dritarja Etang de Thau (Laguna e Thaut). Kënga së pari është inçizuar nga këngëtari francez, Roland Gerbeau në vitin 1945. Verzioni i Trenetit është lëshuar në qarkullim në vitin 1946, duke u bërë një këngë e suksesshme (hit) e papritur. Që nga ajo kohë ka ngelur një shansonë klasike, ikonë e muzikës franceze, si dhe një pjesë standarde e repertorit të muzikës jazz. Kënga fillon duke u kënduar qetë, si ato valët e qeta të detit dhe përsëritet dy herë, por në herën e dytë dy strofat e fundit këndohen të shoqëruara me grup këngëtarësh dhe me një zë të fuqishëm, duke kumbuar si një odë për detin, për jetën, që të sjell ndër mend atë pjesën korale, finale të simfonisë së nëntë të Betovenit. Kënga është mjaft e popullarizuar ne botë dhe këndohet në shumë gjuhë të huaja nga këngëtarë të njohur në vendet e tyre përkatëse. Po ashtu, shpesh paraqitet edhe nëpër filma e programe televizive. Pse te mos e shijojme edhe ne në këto ditë të nxehta të verës?! https://www.youtube.com/watch?v=ka–QM_tJ-s&list=RDka–QM_tJ-s&start_radio=1

Filed Under: ESSE Tagged With: Sadik Elshani

NË KUJTIM TË CALVIN “CAL” LAWRENCE

August 17, 2026 by s p

Një jetë në shërbim të komunitetit dhe një mik i çmuar i shqiptarëve.

Me dhimbje dhe pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Calvin “Cal” Lawrence, ish-Kryetar i Village of Wappingers Falls, shërbyes i devotshëm publik, patriot amerikan dhe, mbi të gjitha, një mik i madh dhe i sinqertë i komunitetit shqiptaro-amerikan.

Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, të strukturave dhe anëtarësisë së saj, si dhe në emrin tim personal, i shpreh familjes Lawrence, të afërmve, miqve dhe gjithë komunitetit të Wappingers Falls ngushëllimet tona më të sinqerta për këtë humbje të madhe.

Cal Lawrence ishte më shumë se një zyrtar publik. Ai ishte një burrë i fjalës, një qytetar fisnik, një udhëheqës me integritet dhe një njeri që e kuptonte shërbimin publik si përgjegjësi ndaj njerëzve dhe jo thjesht si detyrë institucionale.

Për dekada të tëra, ai dha kontribut të çmuar në jetën publike dhe qytetare të zonës së Wappingers Falls dhe Dutchess County, duke fituar respektin e njerëzve për përkushtimin, afërsinë dhe gatishmërinë e tij për t’i shërbyer komunitetit.

Për ne shqiptarët e Amerikës, Cal Lawrence do të kujtohet në mënyrë të veçantë si një mik i afërt, besnik dhe i respektuar i komunitetit shqiptar në këtë pjesë të shtetit të New York-ut. Ai qëndroi pranë shqiptarëve për shumë vite, i respektoi ata, i mirëpriti dhe e çmoi kontributin e tyre në shoqërinë amerikane.

Në kohë kur komuniteti ynë ndërtonte dhe forconte praninë e tij në jetën qytetare amerikane, miq si Cal Lawrence kishin një rëndësi të veçantë. Ai ndërtoi ura miqësie dhe mirëkuptimi dhe tregoi me veprat e tij se miqësia ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve nuk matet vetëm me fjalë, por me besnikëri, respekt dhe qëndrueshmëri ndër vite.

Prandaj, sot nuk po ndahemi vetëm nga një ish-kryetar dhe një personalitet i respektuar publik. Komuniteti shqiptaro-amerikan po humbet një mik të vjetër të shtëpisë së tij.

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”, e cila për më shumë se një shekull ka ruajtur dhe kultivuar miqësinë shqiptaro-amerikane, do ta kujtojë me respekt Calvin “Cal” Lawrence si një prej atyre amerikanëve të mirë që me miqësinë dhe dashamirësinë e tyre kanë qëndruar pranë shqiptarëve dhe kanë ndihmuar në forcimin e lidhjeve tona me komunitetin dhe institucionet amerikane.

Cal ishte udhëheqës, shërbyes i komunitetit, mik dhe patriot. Këto fjalë, të vendosura edhe në nderimin që i është bërë pas ndarjes nga jeta, përmbledhin denjësisht karakterin dhe trashëgiminë që ai lë pas.

Njerëzit e mirë largohen fizikisht, por gjurmët e tyre mbeten në jetën e atyre që patën fatin t’i njohin.

Cal Lawrence la gjurmë. Ai la pas respektin e një komuniteti të tërë, kujtimin e një shërbyesi të përkushtuar publik dhe mirënjohjen e shumë shqiptarëve që tek ai gjetën një mik të sinqertë të tyre dhe të kauzës së miqësisë shqiptaro-amerikane.

Në këto momente dhimbjeje, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Lawrence dhe me të gjithë ata që e deshën dhe e respektuan.

Lamtumirë, miku ynë i çmuar Cal.

Komuniteti shqiptaro-amerikan do të të kujtojë me respekt dhe mirënjohje.

U prehsh në paqe!

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra jote!

Dr. Elmi Berisha

Kryetar

Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”

New York, SHBA

Filed Under: Komunitet

NGA NJË IDE SHQIPTARE NË HARTËN BOTËRORE TË KARIKATURËS

August 17, 2026 by s p

Një bisedë me Flora Nikollën për 4th International Cartoon Biennale “Niko Nikolla”.

Bisedoi: Sokol Paja

Në një kohë kur bota komunikon gjithnjë e më shumë përmes imazhit, karikatura mbetet një nga gjuhët më të fuqishme të komunikimit njerëzor. Ajo mund të bëjë të qeshësh, por edhe të mendosh; mund të satirizojë një realitet dhe, në të njëjtën kohë, të ngrejë një pyetje serioze. Në këtë filozofi është ndërtuar gjatë gjashtë viteve, Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës “Niko Nikolla”, një projekt që ka sjellë artistë nga dhjetëra vende të botës në Shqipëri dhe ka krijuar një hapësirë ndërkombëtare të dialogut përmes artit të karikaturës.

Në prag të edicionit të katërt, që do të zhvillohet në Korçë, më 30 tetor – 1 nëntor 2026, Flora Nikolla, ideatorja e Bienales dhe Drejtore Ekzekutive e Albanian Excellence, rrëfen për “Dielli” historinë e këtij projekti, rolin e Agim Sulajt, rrugëtimin nga Pogradeci në Tiranë e më pas në Korçë dhe ambicien për ta kthyer Shqipërinë në një pikë të rëndësishme të hartës ndërkombëtare të karikaturës.

Flora, si lindi ideja për krijimin e Bienales “Niko Nikolla”?

Ideja për krijimin e Bienales, lindi gjashtë vite më parë kur mendova se Shqipëria kishte nevojë për një ngjarje ndërkombëtare të karikaturës, një platformë që të sillte artistë nga vende të ndryshme të botës dhe njëkohësisht të vendoste Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të këtij arti. Ishte një ide që lindi në një moment shumë të veçantë, kur në Pogradec, ne qytetin e lindjes së babait tim, Niko Nikolla. Në atë vit, bota hyri në periudhën e COVID-19. Kufijtë u mbyllën, njerëzit u izoluan dhe shumë aktivitete kulturore u ndërprenë. Por pikërisht kur bota po mbyllej, arti duhej të hapte një dritare. Dhe karikatura ishte gjuha që mund ta bënte këtë. Ajo nuk ka nevojë për përkthim. Një vizatim mund të udhëtojë nga Shqipëria në Japoni, nga Polonia në Spanjë, nga Amerika në Australi dhe të kuptohet pa pasur nevojë për një fjali.

Cili është roli dhe kontributi i artistit Agim Sulaj?

Po. Dhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së Bienales. Një ide mund të lindë nga një person, por për t’u kthyer në një projekt të qëndrueshëm ka nevojë për njerëzit e duhur.

Agim Sulaj ishte një nga njerëzit kyç në këtë rrugëtim. Ai u bë bashkëthemelues i Bienales dhe Drejtor i saj Artistik, duke sjellë përvojën, autoritetin dhe vizionin e tij si një artist i njohur i karikaturës. U bashkua e u ngjiz mirë, ideja dhe vizioni për krijimin e Bienales me në ndërtimin e identitetit të saj artistik e ndërkombëtar të sjellë nga Agim Sulaj. Mendoj se pikërisht ky kombinim e bëri të mundur që një ide e lindur në Shqipëri të mos mbetej një aktivitet i zakonshëm, por të merrte karakterin e një Bienaleje të vërtetë ndërkombëtare.

Çfarë e bëri kaq të veçantë fillimin e një Bienaleje të vërtetë ndërkombëtare?

Fakti që nisëm në një periudhë pandemie. Në atë kohë mund të ishte shumë e lehtë të thoshim: “Le ta shtyjmë.” Por vendosëm të mos e shtynim. Përkundrazi, besuam se artistët kishin nevojë të komunikonin dhe publiku kishte nevojë për një buzëqeshje. Kjo është edhe arsyeja pse karikatura është kaq e fuqishme. Ajo mund të flasë për një krizë, për politikën, për teknologjinë, për luftën, për marrëdhëniet njerëzore apo për jetën e përditshme dhe ta bëjë këtë në vetëm një imazh.

Si ka qenë rrugëtimi i Bienales gjatë këtyre gjashtë viteve?

Ka qenë një rrugëtim shumë i bukur dhe aspak i zakonshëm.Bienalja nisi në Pogradec. Më pas u zhvendos në Tiranë, ku u zhvilluan dy edicione.

Dhe tani, për edicionin e katërt, vjen në Korçë, një qytet me një traditë të jashtëzakonshme kulturore dhe artistike. Pra, Bienalja ka lëvizur brenda Shqipërisë, por në të njëjtën kohë ka zgjeruar gjithnjë e më shumë hartën e saj ndërkombëtare. Për mua është shumë domethënëse që një projekt i tillë të mos mbetet vetëm në Tiranë. Ne duam që qytete të ndryshme shqiptare të bëhen pjesë e këtij komunikimi ndërkombëtar.

Cilat kanë qenë temat e edicioneve të mëparshme artistike?

Temat kanë qenë gjithmonë të lidhura me realitetin në të cilin jetojmë. Kemi pasur “Buzëqeshje Ballkanike”, një temë që preku humorin, identitetin dhe realitetin ballkanik. Më pas, Ku shkon botë ? “Të jetosh në një botë dixhitale”, një temë që lidhej me ndryshimin e madh që teknologjia ka sjellë në jetën tonë.

Kemi pasur edhe temën e portretit, “Portret – Dritan Abazoviç”, duke e përdorur portretin si një formë artistike dhe satirike. Çdo edicion ka pasur karakterin e vet, por gjithmonë kemi dashur që tema t’u japë artistëve liri për interpretim.

Çfarë risie sjell edicioni i katërt?

Edicioni i katërt është shumë i rëndësishëm për ne. Këtë vit kemi dy tema: “Angel or Devil?” – “Engjëll apo Djall?” dhe “Portrait – Bujar Kapexhiu”.

“Engjëll apo Djall?” është një temë që mund të interpretohet në mënyra të pafundme. Mund të jetë një reflektim mbi njeriun, politikën, shoqërinë, pushtetin, teknologjinë apo kontradiktat e jetës moderne.

Ndërsa “Portrait – Bujar Kapexhiu” është një nderim për një figurë të rëndësishme të karikaturës shqiptare. Kemi dashur që tradita shqiptare e karikaturës të jetë pjesë e një Bienaleje që tashmë ka një dimension ndërkombëtar.

Sa i përket pjesëmarrjes së artistëve, sa ndërkombëtare është sot Bienalja “Niko Nikolla”?

Mjafton të shohësh listën e vendeve dhe flamujt e artistëve pjesëmarrës për ta kuptuar. Mesatarisht kemi pasur rreth 60 vende pjesëmarrëse për edicion.

Nëse e shohim në katër edicione, kemi një shtrirje të konsiderueshme ndërkombëtare dhe qindra pjesëmarrje nga vende të ndryshme të botës. Por për mua, rëndësi nuk ka vetëm numri. Pas çdo vendi është një artist. Dhe pas çdo artisti është një kulturë.

Kjo do të thotë se nëpërmjet Bienales, Shqipëria ka komunikuar me një pjesë shumë të madhe të komunitetit ndërkombëtar të karikaturës.

Kjo është ajo që dua të them kur them se Bienalja ka ndihmuar në vendosjen e Shqipërisë në hartën botërore të karikaturës.

Çfarë ndikimi ka pasur Agim Sulaj në këtë shtrirje ndërkombëtare?

Një rol shumë të rëndësishëm. Si bashkëthemelues dhe Drejtor Artistik, Agim Sulaj ka qenë një nga shtyllat e identitetit artistik të Bienales. Përvoja e tij ndërkombëtare, marrëdhëniet me komunitetin e karikaturës dhe njohja e këtij arti kanë ndihmuar shumë që Bienalja të krijojë një profil serioz.

Mendoj se një nga bukuritë e këtij projekti është pikërisht bashkëpunimi. Njëra anë është ideja dhe vizioni për ta krijuar një platformë të tillë në Shqipëri.

Ana tjetër është përvoja artistike dhe profesionale që e ndihmon atë platformë të fitojë autoritet. Dhe këto dy dimensione janë bërë bashkë.

A është kjo edhe një formë diplomacie kulturore shqiptare?

Pa dyshim. Unë e shoh Bienalen edhe si një formë të diplomacisë kulturore shqiptare. Kur një artist nga një vend tjetër vjen në Shqipëri, ekspozon këtu, njeh artistët shqiptarë dhe krijon marrëdhënie të reja, kemi krijuar një urë. Kur një artist shqiptar hyn në një rrjet ndërkombëtar, kemi krijuar një tjetër urë. Në fund, kultura bën atë që politika shpesh e ka të vështirë ta bëjë: i afron njerëzit.

Çfarë lidhjeje ka kjo Bienale me Albanian Excellence?

Bienalja është pjesë e vizionit të Albanian Excellence për ta promovuar Shqipërinë përmes njerëzve, artit, kulturës dhe vlerave të saj. Ne besojmë se “Excellence” nuk është vetëm një çmim apo një titull. Është një mënyrë për të ndërtuar ura. Dhe një Bienale ndërkombëtare është pikërisht një urë.

Ne duam që Shqipëria të mos shihet vetëm si një vend që pret turistë, por edhe si një vend që krijon, organizon dhe pret ngjarje me standard ndërkombëtar.

Pse emri “Niko Nikolla”?

Sepse emri i Niko Nikollës përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe të botës së humorit, publicistikës dhe krijimtarisë, si kryeredaktor i Revistës të vetme opozitare “Hosteni “ për 25 vite, atëhere kur u krijua edhe shkolla e karikaturës shqiptare. Kështu si një praktikë kjo e njohur edhe në notë, emri i tij i jep Bienales një lidhje me kujtesën dhe traditën, ndërsa vetë Bienalja është një mënyrë për ta çuar këtë trashëgimi drejt së ardhmes. Ne besojmë se emrat e njerëzve që kanë kontribuar në kulturën shqiptare duhet të vazhdojnë të jetojnë përmes projekteve të reja.

Çfarë prisni nga Korça?

Shumë. Korça ka një shpirt të veçantë. Është një qytet ku arti, kultura, tradita dhe historia janë pjesë e identitetit të përditshëm. Prandaj mendoj se është një vend shumë i bukur për ta çuar Bienalen në një fazë të re. Nga Pogradeci, në Tiranë, dhe tani në Korçë, Bienalja ka krijuar një itinerar të vetin. Por udhëtimi i vërtetë ka qenë ai nga Shqipëria drejt botës.

Cili është mesazhi juaj për artistët që marrin pjesë?

T’u themi faleminderit. Sepse pa artistët nuk do të kishte Bienale. Çdo artist që dërgon një vepër në Shqipëri bëhet pjesë e kësaj historie. Edhe nëse nuk vjen fizikisht në Korçë, vepra e tij udhëton. Dhe kjo është fuqia e artit.

Po mesazhi për publikun shqiptar?

Të mos e shohë karikaturën vetëm si diçka që na bën të qeshim. Ta shohë si një art që na bën të mendojmë. Pas një vizatimi të bukur mund të fshihet një pyetje shumë serioze. Pas një buzëqeshjeje mund të jetë një kritikë ndaj shoqërisë. Dhe pas një batute mund të fshihet një e vërtetë.

Ku e shihni Bienalen pas disa vitesh?

E shoh gjithnjë e më ndërkombëtare.Dua që “Niko Nikolla” të bëhet një emër i njohur në kalendarin botëror të karikaturës. Dua më shumë vende, më shumë artistë, më shumë bashkëpunime dhe më shumë të rinj që të afrohen me këtë art.

Por mbi të gjitha dua që të ruajmë atë që ishte në fillim: guximin për të besuar te një ide.

Sepse gjashtë vite më parë, kur bota ishte në mes të COVID-it, askush nuk mund ta dinte se ku do të arrinte kjo ide. Sot mund të themi se ajo ka bërë një rrugë të gjatë. Nga Pogradeci në Tiranë.Nga Tirana në Korçë. Nga Shqipëria drejt dhjetëra vendeve të botës. Dhe nëse ka një gjë që kjo Bienale ka dëshmuar, është kjo:

Nuk duhet të jesh një vend i madh për të pasur një ide të madhe. Mjafton të kesh guximin ta nisësh.

NJË IDE, DY FORCA KRIJUESE

Historia e Bienales “Niko Nikolla” është edhe historia e një bashkëpunimi.

Flora Nikolla – Ideatore dhe Drejtore Ekzekutive

Ideja për krijimin e Bienales dhe vizioni për ta kthyer Shqipërinë në një pikë takimi ndërkombëtar të karikaturës.

Agim Sulaj – Bashkëthemelues dhe Drejtor Artistik

Kontributi artistik, eksperienca ndërkombëtare dhe ndërtimi i identitetit artistik të Bienales.

Dy role të ndryshme, por një qëllim i përbashkët:

TË SJELLIN BOTËN E KARIKATURËS NË SHQIPËRI DHE SHQIPËRINË NË BOTË.

4th International Cartoon Biennale “Niko Nikolla”

Korçë, Albania | 30 October – 1 November 2026

Themes: “Angel or Devil?” & “Portrait – Bujar Kapexhiu”

Organized by: Albanian Excellence.

Filed Under: Fejton

Napoleon Bonaparti dhe trojet shqiptare…

August 17, 2026 by s p

Luan Rama/

“Shkova dhe e takova në kopësht ku qëndronte akoma. Mareshall Bertrande-it i tregoi për udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë…“

Las Casas, kronist i Napoleonit.

—-

Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe të Napoleonit vija buzën në gaz duke menduar se imagjinata e atyre që mbronin këtë tezë shkonte aq larg sa merrte përmasat e një legjende, apo trilli romanesk. Në fakt, ata që e kanë hedhur këtë tezë janë mbështetur në librin me kujtime të dukeshës d’Abrantes si dhe një thënie të presidentit francez Adolph Thiers se „Napoleoni ka qenë me origjinë arbëreshe“. Deri më sot biografët më të mëdhenj të Napoleonit e kanë lënë jashtë interesit këtë tezë, duke mos dashur të shkojnë gjer në rrënjë të largëta të shekullit XV-XVI-të. Për ata është e rëndësishme se ai ishte një korsikan që e deshi Francën dhe iu përkushtua asaj, duke u bërë heroi më i lavdishëm i të gjitha kohrave. Informacionet e historianëve shkojnë gjer në prejardhjen gjenoveze, atëhere kur Korsika varej nga Republika e Gjenovës (ku ishin dozhë disa shqiptarë të familjes Durazzo, për dy shekuj me rradhë), si dhe nga një dokument i vjetër që lidhet me përçapjet e babait të Napoleonit për të marrë një dëshmi titulli fisnikërie nga pushtetarët e atëhershëm të Toskanës, si fisnik i atyre trojeve. Pra historianët francezë asnjëherë nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur prejardhjes së largët të Napoleonit, pasi bëmat e tij ishin aq të mëdha, betejat ishin aq të lavdishme, dhe themelimi i një shteti të ri ishte aq vendimtar, saqë asnjë biograf deri më sot nuk ka arritur ta japë të plotë figurën e tij në gjithë dimensionin e vet. Si të thuash ky personazh është identifikuar me historinë e Francës që nga momentin kur ai shkoi në betejat e para e gjer në fundin e tij tragjik dhe enigmatik në ishullin e Shën Helenës ku mbahej rob nga anglezët, armiqtë e tij të përjetshëm.

Por a ka bazë ideja se Napoleoni kishte prejardhje nga gjaku i shqiptarëve? Personalisht nuk do ta hidhja poshtë si një pyetje që i bëhet historisë, por unë do ta formuloja ndryshe, në atë se „prejardhja e Napoleonit ka mbetur enigmë“. Edhe një nga biografët më të mëdhenj të Napoleonit, francezi André Castelot, duke i u referuar dëshmive të dukeshës d’Abrantes, nënvizon thëniet e saj se „nëna e Napoleonit, Laetizia Ramolino, kur binte fjala për prejardhjen e tyre humbiste në një mori emrash që s’kishin të sosur…“ Asnjë historian nuk e thotë me siguri se ai ishte korsikan, gjenovez, toskanas, apo nga Mani i Greqisë i banuar atëherë plotësisht nga arvanitas, siç e thotë dhe shkrimtari dhe historiani francez Michel de Grèce në librin e tij La Bouboulina. Natalie Petiteau, historiane franceze dhe mjeshtre konferencash, pohon se „Bonaparti kishte një prejardhje gjenoveze, familje e cila ishte shpërngulur dhe ishte vendosur në Ajaccio të Korsikës në shekullin e XV“. Memoires (Kujtimet) e dukeshës d’Abrantes janë pra në zanafillë të prejardhjes arvanitase të familjes së Napoleonit.

Po cila ishte kjo dukeshë dhe ç’lidhje kishte me Bonapartin. Historiani francez Gerard Walter, në një botim të „Pleiade“, thotë se Laure Permon, (1784-1838), – emri i saj i mëparshëm – ishte vajza e një tregtari ushqimesh që u pasurua nga tregëtia e mallrave ushtarake gjatë fushatës ushtarake të Amerikës. Në kthim ai iu fsheh terrorit që u vendos më vonë dhe shkoi të fshihej në Bordeaux, ku dhe vdiq. Zonja Permon mbeti e ve bashkë me vajzën e saj, Laure. Ato bënin një jetë mondane në Paris dhe shpejt, Laure do të njihej me një nga besnikët e Bonapartit, kolonelin Junot.“ Junot, i cili kishte luftuar me Bonapartin që në orët e para, e ndoqi gjeneralin dhe në „Fushatën e Egjiptit“. Në kthim ishte Bonaparti që firmosi martesën e tyre, duke u dhuruar një prikë prej 100 mijë franga, si dhe një shportë të mbushur me 40 mijë franga. Ajo ishte veçse 17 vjeçare dhe shpejt ishte bërë një nga femrat më spikatëse të Parisit: pra ajo arriti të bëhej gruaja e komandantit ushtarak të Parisit!

Disa historianë të tjerë flasin për marrëdhëniet intime që ajo kishte patur më parë me Napoleonin, i cili në atë kohë kalonte plot aventura të tilla. Bonaparti ishte një „xhentëllmen“ dhe dinte ti nderonte mikeshat e veta dhe madje edhe ti shpërblente ato. Por le të kthehemi te zonja Laure Permon, (e cila ishte nga familjet e njohura në trevat e Albanisë që në kohën e Bizancit, pra nga familja Comnene, siç e pranojnë të gjithë historianët) dhe koloneli Junot, i cili ishte një njeri mjaft trim dhe që në „Fushatën e Italisë“ kishte marrë gjashtë plagë shpatash. Pas martesës së tyre në vitin 1800, Junot filloi të bënte një jetë disi skandaloze. Pinte shumë dhe Bonaparti u detyrua ta largonte nga Parisi, duke e çuar ambasador në Lisbonë të Portugalisë. Kur perandori shkoi të luftonte në Austri, çuditërisht, Junot e la ambasadën e tij, ngjeshi shpatën dhe shkoi drejt shtabit të tij për të luftuar në krah të Perandorit. Për këtë shëmbull besnikërie, Napoleoni e bëri guvernator të Parisit. Meqë Napoleoni shkoi drejt luftrave të mëdha nëpër Europë, ai u bë personazhi më i rëndësishëm ushtarak i perandorisë, pas Napoleonit. Por ndërkohë pati lidhje me të motrën e Napoleonit, Karolinën, e cila ishte gruaja e gjeneralit të famshëm Marat. Kur Napoleoni u kthye dhe e mori vesh kete gjë, e largoi atë përsëri duke e çuar drejt frontit, siç kishte bërë dhe me një të dashur të gruas së tij, Zhozefinës, i cili dhe ai përfundoi në front. Junot shkoi të luftonte kundër portugezëve dhe e pushtoi Portugalinë.

Pas betejës në Abrante, Napoleoni i dha titullin “duk i Abrantes”. Për këtë fitore Napoleoni e caktoi komandant të armatës së Westfalisë, por ylli i ushtarakut trim filloi të zbehej dhe ai filloi të bënte përsëri një jetë të çthurur. Në kthim, Napoleoni ia ndaloi qëndrimin në Paris. Ai u detyrua të shkonte në shtepinë e të jatit, ku disa dite më vonë, nga dëshpërimi i madh u hodh nga dritarja dhe vdiq.

I shkruajtëm këto rradhë për të treguar se familja d’Abrantes ishte mjaft e lidhur me Napoleonin dhe familjen e tij. Madje dukesha d’Abrantes ishte nga më të afërtat e motrave të Napoleonit dhe e nënës së tij Laetizia, çka do të thotë se një dëshmi e saj nuk është një trill, por një realitet që e ka gjetur brënda familjes Buonaparte dhe në tregimet e tyre familjare, edhe pse Napoleoni nuk ka folur asnjëherë për një prejardhje të tillë. Historia njeh shumë personazhe që gjatë jetës së tyre nuk e kanë patur të nevojshme të pohojnë origjinën e tyre të vërtetë, duke u mjaftuar me atë që përjetonin për së gjalli. Në Memorialin e Shën Helenës të kronistit Las Casas, i cili e ndoqi perandorin në ishullin e Shën Helenës, ai shkruan dhe për fjalët që i kishte thënë Napoleoni mbi dukeshën d’Abrantes: «Zonja Junot ishte princeshë e familjes Comnene. Ishte nga Korsika dhe jetonte pranë nesh. Madje familja e saj kishte mjaft detyrime ndaj nënës sime. Në fakt ishin gjeneovezët që kishin sjellë nga Mani i Greqisë një familje maniotësh dhe i kishin vendosur në Ajaccio. Njëri nga ta, fermier, shkoi në Versajë dhe u lidh me gruan e ish ambasadorit francez në Konstantinopojë, zonjën de Vergennes. Pikërisht nga kjo familje rridhte zonjusha Junot…»

Vetë Napoleoni na jep një dëshmi mjaft interesante: që ajo rridhte nga arvanitasit e fshatit Mani, ç’ka duket se na vërteton dhe shkrimin e d’Abrantes për historinë e takimit të maniotëve të Peloponezit me Napoleonin. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë? Dukesha d’Abrantes në kujtimet e saj, duke folur për «Fushatën e Italisë» të Bonapartit, (ai ende nuk ishte bërë perandor), tregon se dy nga shefat luftëtarë të Manit, kishin ardhur të takonin Bonapartin. Beu i Manit i kujtonte Bonapartit prejardhjen e tij nga ato anë (pra Bonaparti kishte gjak maniot), duke i kërkuar ndihmë për të sulmuar turqit në trevën e Peloponezit. Njëkohësisht, Bonaparti do të gjente përkrahjen totale të tyre. Pas kësaj, Bonaparti, që ishte në Milano dha urdhër të niseshin drejt Manit dy vëllezërit Stefanopuli nga Korsika, Dimo dhe Nikola. Ata u nisën dhe u pritën nga prijësi i Manit të lirë, Zanet Beu». Se ç’ka ndodhur pas atij takimi nuk kemi ndonjë të dhënë, por dimë angazhimin e Napoleonit për të shtënë në dorë ishujt e Qefalonisë dhe Peloponezin, edhe pse atje ishin flotat ruse dhe angleze. Shtojmë se dhe zonja d’Abrantes ishte nga familja Stefanopuli (Josephine Laura Permon Stephanopuli De Comnene).

Askush nga historianët nuk ka shkruar për këtë takim, pasi askush nuk ka patur kohë të rrëmojë në morinë e arkivave të ushtrisë, të cilat janë të pafund dhe jeta e një njeriu nuk do të mjaftonte për ti parë të gjitha ato. Eshte historia e një epopeje legjendare dhe e krijimit të shtetit të vërtetë, të cilin e trashëgojnë sot francezët : Shtetin e së Drejtës!

Napoleoni dhe shqiptarët

——

Historia e regjimentit shqiptar nën flamurin e Napoleonit, të vendosur në Korfuz (Regiment des Albanais)është tashmë e njohur. Historiani Auguste Bopp në librin e tij Napoleoni dhe shqiptarët tregon dhe për marrëdhëniet e Napoleonit me Ali Pashën. Në një nga letrat dërguar kryegjeneralit Bonapart, në verën e vitit 1797 Ali Pasha i shkruante : «Vlerësimi dhe admirimi që ushqej për ju gjeneral, për kombin tuaj të madh e të fuqishëm më bëjnë që ta dua miqësinë tuaj, të cilën e kam ushqyer në takimet me ministrat dhe ambasadorët tuaj. I gëzohem kësaj kënaqësie që ndjej. Unë i kam dhënë gjithnjë provat e mëdha për këtë ndjesi para bashkëpatriotëve tuaj në pashallëkun tim si dhe tek zëvendës-konsulli Tozoni dhe agjenti juaj në Patra, zoti Dupré. Ata janë dëshmitarë të gëzimit që kam ndjerë per fitoret tuaja dhe urimet e mia për begatinë e republikës tuaj. Aksionet tuaja heroike gjeneral, çka i çmoj së tepërmi, më bëjnë ta dua këtë miqësi të veçantë, meqë kemi dhe të njëjtat prirje luftarake dhe unë jam i sigurtë se do ta kem këtë miqësi tuajën…»

Fakte të reja dhe të panjohura tregojnë se Napoleoni i vlerësonte shqiptarët dhe tregonte një interes të veçantë për pozicionin gjeografik e strategjik te Shqipërisë. Madje për një periudhë mjaft të shkurtër, vetëm në muajin qershor 1806, nga leximet që kam patur, jam informuar për shumë letra të Napoleonit rreth Shqiperisë. Sigurisht, atëherë Napoleoni, që kishte shtabin e tij në pallatin e Saint-Cloud, pranë Parisit, kërkonte të siguronte zotërimet në Adriatik. Eugene, birin e Zhozefinës, Napoleoni e kishte caktuar Mbret të Italisë. Më 11 qershor 1806, ai i shkruan të birit, princ Eugene, për organizimin e ushtrisë: «Jam i informuar se mjaft ushtarë në Dalmaci, në Istri dhe në Friul janë të pa armatosur. Veç tyre duhet të jenë dhe dy regjimente në Shqipëri si dhe një kompani artilierësh francezë dhe një tjetër me italianë… Forcat tona duhet të zënë pozicion në Kotorr… Gjenerali Lauriston është guvernator i Dalmacisë dhe i Shqipërisë. Ai do të lidhet drejtpërdrejt me ju. Ai do të ketë nën urdhërat e tij gjeneralin Bourbon, i cili do komandojë në Kotorr, dy gjeneralë të tjerë si dhe një shef batalioni. Meqë ka 18 oficerë, ai duhet të formojë 6 kompani me nga 100 ushtarë secilën të cilët do të rekrutohen në Shqipëri. Kështu do të kemi një trupë prej 600 ushtarësh. Drejt Shqipërisë dërgoni dhe një shef karpentier me dhjetë ndihmësa francezë e italianë…”

Një ditë më vonë po nga Saint-Cloud ai i shkruan gjeneralit Lemarois, ku i kërkon ndër të tjera t’i dërgojë gjeneralit Lauriston barut, të transportuar me barka të vogla, të cilat duhet të evitojnë kryqëzorët rusë. “Nëse mbreti i Napolit të kërkon ndihmë, dërgoi polakë e korsikanë. Vendosni postblloqe në Peskara dhe patrulloni nëpër Dalmaci e Shqipëri.” Më 19 qershor, ai i shkruan ministrit te tij të jashtëm Talleyrand: “Ja përgjigja që duhet t’i bëni letrës së Ali Pashës, ku duhet t’i thoni se: – Jam i informuar për dëshirat e tij të mira; – se e mora me shumë kënaqësi shpatën e tij; – se jam mik i Portës së Lartë dhe se e vlerësoj atë; – se duhet menduar se si ti bëjmë zap serbët dhe t’i përmbajmë grekët, të cilët janë ndihmës të vërtetë të Rusisë; – se ai mund të mbështetet në ndihmën time; – se duke qënë që një pjesë e Flotës është nisur drejt Amerikës dhe nga nevoja për të bërë një inkursion të mundshëm drejt Anglisë, aktualisht nuk mund të çojë para Korfuzit një flotë të barabartë me flotën ruse dhe angleze dhe se për këtë nuk duhet nxituar; – se Rusia ka vendosur të ma lërë Kotorrin dhe se në këtë mënyrë unë do t’i jap pashait gjithë ndihmën e duhur; – se anijet e tij janë të mirëpritura në portet e perandorisë dhe se urdhëroj t’i bëhen dhurata atij që i shërbeu anijes “Ylli i Bonapartit”.

Mbi dhuratat, për të cilat kam akorduar shumën prej 60 mijë franga, të bisedohet me Marescalshi. Për këtë i shkruani dhe Pukëvilit (Poucqueville) dhe i theksoni se nëse Korfuzi bie në duart e mia nuk mund t’i a besoj atë më mirë se sa Ali Pashës. Duhet që letra dhe instruksionet e mia të bëhen të tilla që të mos kuptohen qartë nëse bie në duart e agjentëve. Besoj se Ali Pasha shumë gjëra i bisedon dhe me Portën e Lartë».

Napoleoni e ndjente se sigurimi i Adriatikut ishte një nga kushtet për fitoren. Më 20 qershor ai i shkruante sulltanit Selim-it për tentativat e rusëve që ti shkëpusin nga perandoria Serbinë, Moldavinë dhe Valakinë dhe se për këtë duhet ti pengojë anijet ruse që të kalojnë nga Bosfori. “Ne do ta ndihmojmë hirësinë tuaj si shpërblim të zotërimeve dhe interesave tona në Dalmaci dhe Shqipëri”. Po atë ditë, ndër të tjera, ai i shkruante gjeneralit Lauriston: “Më dërgoni disa informacione rreth Dalmacisë dhe Shqipërisë”. Një ditë më vonë ai shtonte se “duhet të mbani lidhje me agjentët e mij pranë Ali Pashës dhe pashait të Shkodrës. Interesohuni që të kini të dhëna se ç’bëhet në Serbi dhe provincat rrotull…”

Napoleoni ndiqte në ethe edhe veprimet në zonën e Ballkanit. Më 28 qershor, ai i shkruan princit Eugene për veprime të ndryshme ushtarake. “Qëllimi im është që të shtyp malazezët që s’janë më shumë se 30 mijë frymë. Ata mund të kenë veç 4-5 mijë forca. Për këtë mund të merremi vesh me pashain e Shkodrës. Kur ta gjykojë të nevojshme, gjenerali Lauriston të dërgojë gjeneralin Guillet që të depërtojë në trevat malazeze, t’i çarmatosë ata dhe me katolikët e Kuvendit të mbushë rradhët e tij dhe të ngrejë një fortesë në pikën strategjike, duke bërë që territori të mbrohet nga pashai i Shkodrës… Paqja me malazezët është e pamundur, nëse nuk i shtypim dhe nuk mbjellim tmerr në shpirtin e tyre…”

Nga gjithë këto letra duket qartë lidhja dhe shpresa që mban Napoleoni me dy pashallarët shqiptarë. Madje faktet për pashain e Shkodrës janë mjaft interesante. Ai i kërkon të birit që të dërgojë në Shqipëri dhe një batalion tjetër prej 800 ushtarësh. “Do të jetë një përforcim i nevojshëm në Shqipëri, ku do të ketë 22.400 italianë, pa llogaritur topçinjtë dhe xhenjerët. Kërkoj ta mbështesësh Dalmacinë dhe Shqipërinë dhe t’u bësh luftë malazezëve…” Po atë ditë, ai i shkruan dhe mareshallit Berthier, mikut të Pukëvilit dhe njeriut që u morr me regjimentin e shqiptarëve në Korfuz. “Kushëriri im! Jepi urdhër zv/lietnantit Choiseul të shkojë në Shqipëri. Ky oficer edhe pse shumë i ri, ka marrë dekoratën e Legjionit të Nderit dhe këtë duhet ta meritojë gjithnjë duke luftuar. Nëse në armatat tona ka oficerë të tillë të rinj të dekoruar, dërgojini në Dalmaci dhe në Shqipëri”.

Sigurisht, shkrimet për Shqipërinë janë të shumta. Ato janë gjetur nga lexime të rastësishme, por një punë e vërtetë studimore meriton të bëhet në këtë drejtim. Një nga dëshmitë më interesante të Napoleonit për Shqipërinë është dhe letra e tij dërguar vëllait të Karamahmut Pashës, Ibrahimit, pas vrasjes së pashait të Shkodrës, Karamahmut Bushatliu, bashkë me shumë oficerë francezë në një pritë që u kishin bërë trupat malazeze. Napoleon i shkruante: “«E lexova me shumë kënaqësi letrën tuaj dhe shprehjet lavdëruese në fjalët e Shkëlqesisë suaj. Republika franceze është vërtetë një mike e Portës Sublime, por ajo vlerëson në mënyrë të veçantë kombin shqiptar që është nën pushtetin tuaj. Shkëlqesia juaj do të gjejë bashkangjitur kësaj letre urdhërat që kam dhënë që në të ardhmen, flamuri osman të respektohet në Atlantik. Turqit do të trajtohen jo vetëm si kombet e tjera, por në një mënyrë prioritare. Në çdo rast unë do t’i mbroj shqiptarët dhe do të kem kënaqësinë t’i jap Shkëlqesisë suaj një provë të vlerësimit që u bëj si dhe të konsideratës që kam për ju.

I lutem Shkëlqesisë suaj të pranojë si shprehje e miqësisë time këto katër arka me pushkë që ju dërgoj».

Napoleoni në Shqiperi

———

Deri më sot nuk dimë se Napoleoni ka qënë në Shqipëri. Por disa të dhëna historike të fundit vërtetojnë se kjo duket se është e vërtetë. Por data nuk është saktësuar. Madje as vëndi konkret se ku, në ç’vënd të Shqipërisë. Sigurisht, periudha njihet: është ajo e vitit 1796, si dhe më pas gjatë “Fushatës së Italisë” kur Bonaparti ishte komandant gjeneral. Por cilat janë këto fakte?

Në shkrimet e mia, dy janë faktet e deritanishme që flasin për këtë dhe që lidhen me botimin e kronistit Las Casas, Memoriali i Shën Helenës, i mbajtur nga ai gjatë kohës së burgimit të Napoleonit në Shën Helenë. Por së pari, cili është Las Casas, i cili i ka lënë historisë franceze një nga botimet më autentike dhe të treguar nga vetë Napoleoni? Në fakt ai nuk ishte një nga besnikët e tij më të mëdhenj, apo një nga gjeneralët e tij më trima. Madje ai u gjënd rastësisht në mjedisin e pushtetit dhe pikërisht atij i ra roli që të negocionte me anglezët (kapitenin Maitland) ikjen e Napoleonit nga Parisi për në portin francez Rochefort nga ku bashkë me 30 personalitete të tjerë, ai e shoqëroi atë më pas në anijen “Bellerophon” drejt Shën Helenës. Las Casas nuk kishte dhunti letrare. Ai veçse ka mbajtur shënim çka i thoshte Napoleoni. Por sidoqoftë, ai nuk mungon të shkruajë për gjëndjen e perandorit, marrëdhëniet e tij me anglezët dhe njerëzit e ishullit. Perandori lexonte Evangjilin dhe recitonte pjesë nga Corneille, të cilat i dinte përmëndësh.

Nga Racine çmonte Andromakën dhe Britanicus, nga Homeri “Odisenë”…. Kishte gjithnjë besim në Revolucionin francez për të cilin thoshte: ”Asgjë nuk mund ti shuajë principet e mëdha të Revolucionit”. Napoleoni kishte dëshirë të rinte me fëmijët dhe tu tregonte atyre përrallën Qëngji dhe ujku. Kur Las Casas i sillte me ceremoni supën që do të hante, ai i thoshte “Mjaft më me ceremony, pasi ne të dy jemi tashmë si ushtarët që hanë në të njëjtën gavetë”. Megjithatë nuk janë të pakta përshkrimet e dëshpërimit të madh të tij për Francën, familjen…

Ja çfarë shkruan Las Casas në kronikat e tij lidhur me Shqipërinë: „ E premte, 17, (1816). “Gjithë natën kam qënë sëmurë. Perandori hëngri në kopësht. Pastaj më thirri pranë. Kishte një pamje të trishtë dhe të dërmuar. Nuk ishte aspak mirë. Pas drekës ne shëtitëm rreth shtëpisë për një kohë të gjatë. Nuk fliste. Nga vapa e madhe nga ora një u detyrua të kthehej në shtëpi. I vinte keq që rrotull nuk kishte hije fare. Nga ora katër pasdite, dërgoi dikë që të më shihte, nëse isha ende sëmurë. Shkova dhe takova në kopësht, ku qëndronte akoma. Vazhdonte të ishte i trishtë, indiferent dhe disi i hutuar. Bertrandit (mareshallit) i tregoi për qëndrimin e tij në Kostantinopojë në vitin 1796, udhëtimin e tij në Athinë dhe kthimin e tij përmes Shqipërisë. Folën shumë për sulltanin Selim i III-të… “

Në një pasazh tjetër, Las Casas mban shënim historitë që tregon Napoleoni për jetën e tij dhe luftrat e shumta. Një të djelë, duke kujtuar me të Greqinë dhe ngjarjet rreth saj, Napoleoni i thotë: «Greqia priste një çlironjës. Dhe kjo do të ishte një kurorë e bukur lavdie…“ Las Casas shton: „Ai donte ta shkruante emrin e tij krah Homerit, Platonit dhe Epaminondës…Dhe nuk ishte larg kësaj. “ Napoleoni vazhdon: „Kur isha buzë Adriatikut gjatë „Fushatës së Italisë, i shkrova Direktoratit se para syve të mij shtrihej perandoria e dikurshme e Aleksandrit… Më pas krijova lidhje dhe me Ali Pashën. Përgatita kështu hartat e Maqedonisë, Serbisë dhe të Shqipërisë…“

Napoleoni ishte një strateg i madh dhe ai e dinte mirë se Adriatiku ishte një avant-post i fuqishëm kundër austriakëve dhe gjermanëve, prandaj dhe donte ta kishte nën komandën e tij. Por akoma më e jashtëzankonshme është një shkrim deri tashmë i panjohur i Napoleonit që lidhet me kohën kur ai ndërmori “Fushatën e Spanjës”, fushatë që reflektuar njëkohësisht në tablotë e Gojas. Në një moment kur sapo ka hyrë në tokën spanjolle, në fshatin Vergara, në rrugën që të çonte drejt Tolosa-s, ai kishte shkruar në ditarin e tij: “Rruga, është e keqe. Fshataret të kallin frikën dhe kanë në kokë nje kapuç të çuditshëm. Të gjithë janë të veshur me guna të errta dhe kanë kepucë si ato të shqiptarëve…“

Sigurisht, Napoleoni nuk mund ti njihte këpucët e shqiptarëve nëse nuk do të kishte qënë në Shqipëri, ku rruga e kthimit nga Athina nëpër Shqipëri i kishte dhënë mundësi të vizitonte viset e jugut shqiptar e të dilte në bregdet, nga ku me anije është larguar drejt brigjeve të jugut te Francës. Nuk ka veçse pak vjet që një botim i shtëpisë botuese franceze “Seuil” botoi ditarin e Napoleonit që pretendohet se është origjinal. Një specialiste e Mesjetës, Odette Dossios Pradat, e kishte gjetur atë dorëshkrim me shkrimin e Napoleonit në një antikuar, ku ishte mbyllur në një sunduk të “Kompanisë së Indisë” dhe për shumë e shumë vjet kishte qëndruar në errësirë dhe i panjohur. Dorëshkrimi nuk kishte emrin e Napoleonit por ai fliste në vetën e parë dhe tregonte bëmat e tij. Ajo mundi ta shkëpuste ditarin për pak ditë nga antikuari dhe të kopjonte me shpejtësi një pjesë të mirë të dorëshkrimit të vjetër, por antikeri ia kërkoi shpejt, pasi ai dyshoi se duhej të ishte diçka e vyer.

Sigurisht, i premtoi se do t’a lejonte ta studionte përsëri, por çuditërisht disa ditë më pas, ai vdiq dhe bashkë me të u zhduk dhe dorëshkrimi. Libri i botuar është mjaft interesant. Napoleoni ndjehet tejet i vetmuar dhe i fyer… Perandori shkruan: 2 maj 1816. Një ishull i humbur në mes të oqeanit nën një qiell pa fund. Një ishul i varfër dhe i xhveshur, i mbrojtur më mirë nga një kryqëzor anglez se sa nga përbindëshat e tmerrshëm të humbëtirave. Një ishull pa mure, pa hekura e zingjirë por që është një nga më të pathyeshmit. Një ishull ku robi duhet ta braktisë shpresën që mbajnë në zëmër të gjithë të burgosurit e botës: ajo për të shpëtuar. Një ishull që një ditë mund të jetë varri im: Shën Helena…“

Në vazhdë të këtij ditari, interesant është shënimi për birin e tij, ku ai shkruan: “Kur në gusht të viti 1810, Maria Walevska më njoftoi se priste një fëmijë, e falenderova atë nga thellësia e zëmrës. A do ta kisha më së fundi atë trashëgimtar, aq të dëshiruar? Më së fundi, më 20 mars 1811 lindi “mbreti i Romës”. Me lot në sy e falenderova gruan time të shtrenjtë. Edhe ajo qante nga dhimbja dhe gëzimi, pasi lindja e atij fëmije e kishte bërë të vuante shumë. 101 të shtëna topa i njoftuan parizianët për lindjen e Princit, atij që pas vdekjes sime do të bëhej perandori i tyre me emrin Napoleon…Tashmë vetëm im bir më ka mbetur. Ai është i vogël, por vitet do të bëjnë të vetën. Ai do të rritet dhe do të mësojë historinë; do të zbulojë fatin tim dhe atë të Francës, atdheut të tij. Ndoshta një ditë ai do të angazhohet ashtu siç bëra dhe unë në rrugët e nderit dhe të lavdisë. Atëherë uroj që Zoti ti japë atë pjesë të mënçurisë që mua më mungoi…”

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT