• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA PËRBALLË SË VËRTETËS NDËRKOMBËTARE: PA NJOHJEN E KOSOVËS, SERBIA NUK MUND TA KAPËRCËJË MURIN E EVROPËS

August 17, 2026 by s p

(Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë realitet juridik e ndërkombëtar i pakthyeshëm)

Analizë politike, juridike dhe diplomatike.

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

Çështja e Kosovës nuk është më një problem i pazgjidhur i historisë ballkanike, por një realitet juridik, kushtetues dhe ndërkombëtar që ka prodhuar pasoja ( ka efekte juridike) të pakthyeshme. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, i krijuar dhe konsoliduar mbi një proces të gjatë politik, juridik e ndërkombëtar, ndërsa pavarësia e saj është njohur nga një numër i madh shtetesh të botës.

Prandaj, përpjekja e vazhdueshme e Serbisë për ta rikthyer Kosovën në statusin e dikurshëm nuk mund ta ndryshojë realitetin ekzistues. As retorika politike, as fushatat diplomatike dhe as refuzimi për ta pranuar realitetin nuk mund ta zhbëjnë atë që tashmë është konsoliduar në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, çështja e Kosovës nuk është më pyetje nëse Kosova do të ekzistojë si shtet, por se kur dhe si do të përmbyllet procesi i afirmimit të saj të plotë ndërkombëtar.

Serbia përballë murit të së vërtetës

Serbia ndodhet përballë një realiteti nga i cili nuk mund të shmanget pafundësisht: integrimi i saj i plotë në rendin juridik dhe politik evropian është i lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës.

Evropa nuk është vetëm një treg ekonomik dhe as vetëm një hapësirë gjeografike. Bashkimi Evropian është mbi të gjitha një bashkësi e ndërtuar mbi parime, norma dhe vlera të përbashkëta. Shtetet që synojnë integrimin evropian duhet të respektojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, demokracinë, sundimin e ligjit dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë kuadër, pretendimi se Serbia mund të ecë përpara drejt integrimit evropian duke e mbajtur Kosovën jashtë realitetit të saj politik e juridik është gjithnjë e më pak i qëndrueshëm.

Muri që Serbia duhet ta kapërcejë nuk është muri i Kosovës; është muri i realitetit.

Dhe ky realitet është i qartë: Kosova ekziston si shtet, ushtron sovranitetin e saj, ka institucionet e veta, kushtetutën e saj dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Njohja e kosovës nuk është koncesion politik

Një nga keqinterpretimet më të mëdha në diskursin politik serb është paraqitja e njohjes së Kosovës si një lëshim që Serbia mund t’ia bëjë ose jo Evropës.

Në të vërtetë, çështja është shumë më e thellë.Njohja e realitetit shtetëror të Kosovës nënkupton pranimin e një gjendjeje juridike dhe politike që tashmë ekziston. Ajo do të ishte një akt i përgjegjësisë shtetërore dhe i përshtatjes së politikës së jashtme serbe me realitetin ndërkombëtar.

Serbia mund ta vonojë këtë proces, mund ta kundërshtojë politikisht dhe mund të përpiqet të ndikojë në shtete të ndryshme që të mos e njohin Kosovën, por nuk mund ta kthejë historinë prapa.Historia nuk mund të negociohet pafundësisht kundër realitetit.

Njohja e kosovës nuk është koncesion politik

Pavarësia e Kosovës duhet të trajtohet në dritën e zhvillimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të proceseve konkrete që kanë përcaktuar statusin e saj.

Veçanërisht e rëndësishme është Opinioni Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010, i cili konstatoi se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.Ky fakt ka rëndësi të jashtëzakonshme juridike dhe politike.

Prandaj, çdo përpjekje për ta paraqitur pavarësinë e Kosovës si një akt të thjeshtë politik, pa bazë në zhvillimet juridike ndërkombëtare, është reduktim i një çështjeje komplekse në një narrativë propagandistike.

Kosova ka kaluar nëpër një proces të gjatë të transformimit politik dhe juridik, nga autonomia kushtetuese e periudhës së ish-Jugosllavisë, përmes ndryshimeve dramatike të viteve 1989–1990, rezistencës politike dhe institucionale shqiptare, luftës së Kosovës, administrimit ndërkombëtar dhe deri te shpallja e pavarësisë.

Ky proces nuk mund të shkëputet nga realiteti i sotëm.

Nga kosova e administruar te republika sovrane

Kosova nuk mund të kuptohet vetëm përmes fotografisë së vitit 1999 apo vetëm përmes fotografisë së vitit 2008.Ajo duhet parë si një proces historik.Institucionet e krijuara gjatë viteve të rezistencës shqiptare, lufta për liri, ndërhyrja ndërkombëtare, administrimi i përkohshëm ndërkombëtar, ndërtimi i institucioneve demokratike dhe procesi i përcaktimit të statusit kanë qenë hallka të një zinxhiri historik.

Në këtë proces, Kosova ka kaluar nga një territor i administruar ndërkombëtarisht në një shtet që ushtron funksionet e veta sovrane.

Kjo është arsyeja pse sot nuk mund të flitet për Kosovën sikur ajo të ishte ende në pikën zero të historisë.

Kosova e vitit 2026 nuk është Kosova e vitit 1999, as Kosova e vitit 2008.

Është një shtet që ka kaluar një proces të gjatë të konsolidimit institucional dhe ndërkombëtar.

Serbia dhe politika e mohimit

Politika e Beogradit ndaj Kosovës vazhdon të karakterizohet nga një kontradiktë themelore.

Nga njëra anë, Serbia pretendon se dëshiron integrim në Bashkimin Evropian; nga ana tjetër, ajo vazhdon ta trajtojë Kosovën si çështje të brendshme serbe.

Por këto dy qasje janë gjithnjë e më të vështira për t’u pajtuar.

Evropa e shekullit XXI nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e ndryshimit të kufijve përmes presionit, mohimit të realiteteve ekzistuese dhe mospranimit të subjektivitetit të një shteti tjetër.

Nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e plotë e arkitekturës evropiane, ajo duhet të ndërtojë një politikë të jashtme të bazuar në realitet, jo në nostalgji politike.

Evropa kërkon të ardhmen; Serbia nuk mund të mbetet peng i së kaluarës.

Dialogu nuk mund të zëvendësojë sovranitetin

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm.

Por dialogu nuk mund të përdoret si instrument për ta relativizuar ekzistencën e Republikës së Kosovës.

Dialogu duhet të shërbejë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve dhe për zgjidhjen e çështjeve konkrete që prekin jetën e qytetarëve.

Ai nuk mund të shndërrohet në një proces të pafundëm për të rihapur statusin e Kosovës.

Statusi i Kosovës nuk mund të jetë peng i çdo raundi të ri negociatash.

Kosova dhe Serbia duhet të negociojnë për të ardhmen, jo për të rikthyer të kaluarën.

Kosova nuk mund të jetë monedhë shkëmbimi

Në historinë diplomatike të Ballkanit ka pasur shumë tentativa për ta trajtuar Kosovën si instrument të interesave të ndryshme gjeopolitike.

Por Kosova nuk mund të jetë monedhë shkëmbimi.

As integrimi evropian, as marrëdhëniet me fuqitë e mëdha dhe as kalkulimet gjeopolitike nuk mund ta ndryshojnë parimin themelor se qytetarët e Kosovës kanë të drejtën të jetojnë në një shtet demokratik, sovran dhe të orientuar drejt Evropës.

Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të vazhdojë të insistojë në konsolidimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

Afirmimi i Kosovës nuk është projekt kundër Serbisë.

Është projekt për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe rendit juridik në Ballkan.

Europa duhet të jetë e qartë

Bashkimi Evropian ka një përgjegjësi të veçantë në raport me Kosovën dhe Serbinë.

Një politikë e paqartë dhe e pabalancuar vetëm e zgjat problemin.

Nëse synimi është një Ballkan Perëndimor i integruar në strukturat evropiane, atëherë duhet të ekzistojë një politikë e qartë: marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen mbi bazën e realitetit ekzistues dhe të parimeve evropiane.

Nuk mund të kërkohet nga Kosova të sillet sikur nuk është shtet, ndërsa Serbia të sillet sikur Kosova nuk ekziston.

Kjo do të ishte jo vetëm kontradiktore, por edhe juridikisht e politikisht e paqëndrueshme.

Kosova si shtet i fituar dhe shtet që duhet të afirmohet

Kosova e ka fituar një pjesë të madhe të betejës së saj historike.

Por shtetndërtimi nuk përfundon me shpalljen e pavarësisë.

Ai vazhdon përmes forcimit të institucioneve, sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik, demokracisë, diplomacisë dhe afirmimit ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, Kosova ka kaluar nga legjitimiteti moral i rezistencës te legjitimiteti politik dhe juridik i shtetit.

Ky transformim është ndër zhvillimet më të rëndësishme të historisë moderne politike të shqiptarëve.

Nga rezistenca paqësore te lufta për çlirim, nga ndërhyrja ndërkombëtare te administrimi ndërkombëtar, nga ndërtimi institucional te shpallja e pavarësisë dhe konsolidimi i shtetit—Kosova ka kaluar nëpër një rrugë historike të jashtëzakonshme.

E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi mohim

Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj evropiane nuk mund të ndërtohet duke mohuar të ardhmen e Kosovës.

Në fakt, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ishte në interes të të dyja vendeve.

Njohja reciproke do të hapte një kapitull të ri historik në Ballkan.

Ajo do t’i jepte fund një konflikti politik të zgjatur dhe do të krijonte kushte për bashkëpunim ekonomik, politik dhe njerëzor.

Serbia nuk humb nga njohja e Kosovës.

Ajo fiton mundësinë të çlirohet nga një konflikt i së kaluarës(nga vetëvetja) dhe të ndërtojë një politikë të re evropiane.

Kosova, nga ana tjetër, fiton mundësinë të fokusohet edhe më fuqishëm në zhvillimin e saj dhe integrimin ndërkombëtar.

Muri që duhet rrëzuar është muri i mohimit

Historia e Kosovës ka hyrë në një fazë ku kthimi prapa nuk është më alternativë reale.

Republika e Kosovës është realitet politik, juridik dhe institucional.

Ajo ka shpallur pavarësinë, ka ndërtuar institucionet e saj dhe ka konsoliduar subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Serbia mund të vazhdojë ta kundërshtojë këtë realitet për një kohë të caktuar, por nuk mund ta ndryshojë atë përmes deklaratave politike.

Muri që e ndan Serbinë nga e ardhmja evropiane nuk është Kosova. Muri është mohimi i realitetit,ky mur, herët a vonë, duhet të rrëzohet.

Evropa nuk mund të ndërtohet mbi mohimin.

Ballkani nuk mund të stabilizohet mbi konfliktet e ngrira.

E ardhmja nuk mund të ndërtohet mbi pretendimet e së kaluarës.

Prandaj, rruga e vetme racionale është normalizimi i plotë dhe juridikisht i qëndrueshëm i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, mbi bazën e realitetit ekzistues dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Kosova nuk është më një pyetje që pret përgjigje.

Kosova është një realitet që kërkon njohje.

Dhe Serbia, nëse dëshiron ta hapë përfundimisht derën e Evropës, duhet ta kuptojë se çelësi i asaj dere nuk gjendet në mohimin e Kosovës, por në pranimin e realitetit.

E ardhmja e Evropës në Ballkan nuk ndërtohet duke e kthyer Kosovën pas; ndërtohet duke e pranuar Kosovën përpara.

Filed Under: Rajon

Petro Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI

August 17, 2026 by s p

Nga Frank Shkreli/

PETRO NINI LUARASI: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”

“Shqiptarët nuk kanë shembuj për t’u ndjekur.” Kjo është një thënie që dëgjohet shpesh. Por nuk është e vërtetë. Nuk është historia e shqiptarëve që është e varfër me shembuj atdhetarësh. Shpesh është kujtesa jonë që është bërë më e varfër. Se shqiptarët kanë nxjerrë burra dhe gra që e deshën atdheun më shumë se veten. Kanë pasur luftëtarë që mbrojtën lirinë, mendimtarë që ndriçuan rrugën e kombit, shkrimtarë që ngritën gjuhën shqipe në majat e letërsisë dhe mësues që sakrifikuan gjithçka për dijen. Njëri prej tyre është Petro Nini Luarasi. Ai nuk u bë i pavdekshëm sepse mbajti pushtet, pasuri apo privilegje. U bë i pavdekshëm sepse i kushtoi jetën një ideali: gjuhës shqipe, arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare. Në një kohë kur të shkruaje e të mësoje shqip ishte akt guximi, ai zgjodhi rrugën e sakrificës dhe jo të heshtjes. Për këtë arsye, emri i tij mbetet i lidhur përgjithmonë me martirizimin për gjuhën amtare.

Por Petro Nini Luarasi nuk na la vetëm veprën e tij. Ai na la edhe një amanet që tingëllon sot po aq i fuqishëm sa më shumë se një shekull më parë: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Këto fjalë nuk janë vetëm një thirrje për qëndresë. Janë një program moral për çdo brez shqiptar. Ato na kujtojnë se rënia nuk është turp; turp është dorëzimi. Humbja nuk është fundi; fundi vjen vetëm kur humbet besimin!

Në një kohë kur shumë shqiptarë shohin largimin si rrugën e vetme drejt një jete më të mirë, kur zhgënjimi shpesh zë vendin e shpresës dhe kur përçarja zëvendëson bashkimin, Petro Nini Luarasi na kujton se asnjë komb nuk ndërton të ardhmen duke hequr dorë nga vetvetja. Prandaj, kur dikush thotë se shqiptarët nuk kanë shembuj për t’u ndjekur, përgjigjja nuk duhet kërkuar larg. Ajo gjendet në faqet e historisë sonë, te ata që nuk kërkuan lavdi për veten, por liri dhe dinjitet për kombin.

Petro Nini Luarasi është një prej atyre shembujve të shumtë. Ai nuk na kërkon të bëjmë gjëra të pamundura. Na kërkon vetëm të mos dorëzohemi. Sepse kombet nuk bëhen të mëdha nga mungesa e pengesave, por nga njerëzit që, edhe pasi rrëzohen shumë herë, gjejnë forcën të ngrihen përsëri. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Kjo thënie nga rilindasi i madh Petro Nini Luarasi nuk është thjesht një thënie e bukur. Është një filozofi mbijetese. Është testamenti moral dhe atdhetar i një njeriu që pa burgun, përndjekjen dhe flijimin, por nuk pa kurrë dorëzimin. Sot më shumë se një shekull më vonë, shqiptarët nuk përballen më me ndalimin e gjuhës shqipe. Ata nuk përballen me shkollat e mbyllura apo me ndalimin e alfabetit, si në kohën e Petro Nini Luarasai. Megjithatë, shqiptaria sot përballet me një rrezik tjetër, po aq të madh: humbjen e besimit. Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf.

Në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare, mijëra të rinj nuk e shohin më të ardhmen në vendin e tyre. Çdo ditë, avionët mbushen me djem e vajza që largohen jo sepse nuk e duan atdheun, por sepse nuk besojnë se mund të ndërtojnë një jetë me dinjitet në të. Emigrimi nuk është vetëm një zgjedhje ekonomike; shpesh ai është shprehje e një zhgënjimi të thellë ndaj institucioneve, politikës dhe mungesës së mundësive. Frank Shkreli: Zbrazja e trojeve shqiptare sot dhe rreziku i brendshëm aktual | Gazeta Telegraf

Ky është rrëzimi i kohës sonë. Por Petro Nini Luarasi do të pyeste: A është largimi zgjidhja e vetme, apo është shenja se kemi pushuar së besuari se vendi ynë mund të ndryshojë? Ai nuk do t’i gjykonte ata që largohen për të siguruar jetën e familjes. Edhe vetë ai njohu mërgimin dhe veproi për çështjen kombëtare nga Shtetet e Bashkuara. Por ai do të na kujtonte se mërgimi nuk duhet të kthehet në dorëzim dhe se lidhja me atdheun nuk mbaron në kufi.

Sot, shqiptarët nuk kanë aq nevojë vetëm për rrugë, ura apo pallate e ndërtesa, por kanë nevojë të rindërtojnë besimin në vetveten dhe në atdheun e vet. Sepse kur një popull humbet besimin, fillon të largohet jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht nga vendi i vet. Shqiptarët kanë kaluar pushtime, luftëra, diktaturën e egër komuniste, varfëri dhe mërgime të panumërta. Megjithatë, kanë mbijetuar sepse çdo brez ka gjetur forcën të ngrihet edhe një herë. Pikërisht, këtë na mëson Petro Nini Luarasi: rrëzimi nuk është fundi. Fundi vjen vetëm kur pranojmë të mos ngrihemi më. Prandaj thënia e tij është sot më aktuale se kurrë. Ajo sot u drejtohet sidomos qytetarëve, mësuesve, prindërve, të rinjve dhe diasporës. Ajo thënie na kujton se ndryshimi nuk lind nga dëshpërimi, por nga këmbëngulja dhe nga besimi për një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Nëse brezi i Petro Nini Luarasit do të ishte dorëzuar, Shqipëria ndoshta nuk do ta kishte fituar kurrë të drejtën për të shkruar e për të mësuar në gjuhën e saj. Nëse ky brez i shqiptarëve sot dorëzohet përballë korrupsionit, padrejtësisë, polarizimit politik apo varfërisë, rrezikojnë të humbasin jo gjuhën, por edhe shpresën. Dhe një komb që humbet shpresën, fillon të zbrazë vetveten. Sepse pa u distancuar nga e kaluara komuniste, nuk fitohet as besimi për të ardhmen. Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes | Gazeta Telegraf

Prandaj porosia e Petro Nini Luarasit mbetet një detyrë për çdo brez se edhe nëse rrëzohemi në përpjekjet për të ndërtuar një shtet më të drejtë, një shoqëri më të ndershme dhe një të ardhme që i mban të rinjtë pranë atdheut, shqiptarët duhet të ngrihen përsëri. Jo një herë, por nëntëdhjetë e nëntë herë, e nëse duhet, edhe të njëqindtën, citohet të ketë thenë Petro Nini Luarasi. Sepse kombet nuk maten me numrin e rrëzimeve, por me forcën për t’u ringritur. Ai do këshillonte se rënia nuk është humbje, por dorëzimi është! Shpesh thuhet se shqiptarët kanë kaluar shekuj të vështirë. Kjo është e vërtetë. Por ndoshta sfida më e madhe e kohës sonë nuk është varfëria, as emigrimi, as përçarja politike. Sfida më e madhe më duket se është është lodhja shpirtërore, lodhja me politikën e këtyre 35-viteve. Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf.

Një popull mund të përballojë shumë vuajtje, nëse beson se nesër do të jetë më mirë. Mirëpo, kur humbet besimin, ai fillon të largohet jo vetëm nga vendi, por edhe nga vetvetja. Kjo është drama që, fatkeqsisht, shohim sot në shumë vise shqiptare. Në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës, shumë shqiptarë ndajnë të njëjtën pyetje: A ia vlen të qëndrosh këtu? Përgjigjet janë të ndryshme, por vetë pyetja është një tregues i një shqetësimi të thellë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Ajo nuk lind vetëm nga vështirësitë ekonomike. Ajo lind edhe nga ndjenja, sidomos në radhët e të rinjve, se përpjekja personale shpesh nuk shpërblehet, se e mira ecën ngadalë dhe se shpresa vonon – siç provojnë protestat prej pothuaj dy muajsh në Tiranë.

Por historia shqiptare na mëson se brezat që ndërtuan kombin nuk jetuan në rrethana më të lehta. Ata nuk kishin shtet, nuk kishin universitete shqiptare, nuk kishin administratë kombëtare dhe, në shumë raste, nuk kishin as të drejtën të mësonin në gjuhën e tyre. Megjithatë nuk hoqën dorë nga ideja se Shqipëria dhe shqiptaria meritonin një të ardhme më të mirë. Petro Nini Luarasi nuk u ngrit vetëm kundër ndalimit të gjuhës shqipe. Ai u ngrit kundër dëshpërimit. Ai e kuptonte se pushtuesi më i rrezikshëm nuk është ai që merr tokën, por ai që të bind se nuk ia vlen më të luftosh për të. Ky është mesazhi që i flet edhe brezit të sotëm. Shqiptarët kanë ndërtuar komunitete të suksesshme në Amerikë, në Europë, në Australi e gjetkë. Ata kanë dëshmuar se me punë, dije dhe ndershmëri mund të arrijnë majat. Kjo tregon se problemi nuk është mungesa e aftësive. Sfida është si të krijohen kushte që kjo energji krijuese të ketë mundësi të lulëzojë edhe në trojet shqiptare.

Në këtë kuptim, diaspora nuk duhet parë si një kapitull i mbyllur i historisë sonë, por si një pjesë e gjallë e kombit. Mërgimtari nuk pushon së qeni shqiptar kur kalon kufirin. Ai mbetet bartës i gjuhës, kujtesës dhe kulturës sonë. Por asnjë diasporë, sado e suksesshme të jetë, nuk mund ta zëvendësojë jetën që zhvillohet në trojet shqiptare. Kombet kanë nevojë për rrënjë, jo vetëm për degë. Prandaj thënia e Petro Nini Luarasit merr sot një kuptim të ri. “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi”, nuk është një thirrje për optimizëm naiv. Është një detyrim moral për të mos e pranuar dëshpërimin si fat. Sepse historia nuk ecën gjithmonë në vijë të drejtë. Ka periudha kur duket se gjithçka ngec, kur idealet zbehen dhe kur largimi duket më i lehtë se qëndrimi. Por pikërisht në ato çaste provohet karakteri i një kombi.

Periudha në të cilën jetojmë mund të jetë një ng ato. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf — Janë pikërisht, periudha të tilla kur duhet të na kujtohen fjalët e Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.” Shqiptarët nuk kanë nevojë të bindin botën se dinë të mbijetojnë. Këtë e kanë dëshmuar prej shekujsh. Sfida e shekullit XXI është tjetër: të ndërtojnë një shoqëri ku të rinjtë të mos largohen vetëm nga nevoja, por të kenë edhe lirinë reale për të zgjedhur të qëndrojnë. Ky do të ishte, ndoshta, triumfi më i madh i amanetit të Petro Nini Luarasit. Jo vetëm ta ruajmë gjuhën shqipe, por ta bëjmë atë gjuhën e një shoqërie që u jep bijve dhe bijave të saj arsye për të jetuar, për të krijuar dhe për të ëndërruar në vendin e tyre. Sepse një komb ringrihet jo vetëm kur kujton heronjtë e tij, por edhe kur gjen guximin të bëhet i denjë për sakrificat e tyre.

Më 17 gusht 1911, Petro Nini Luarasi u nda nga jeta në rrethana që historiografia shqiptare i ka lidhur me helmimin e organizuar nga qarqe shoviniste greke, të cilat e konsideronin atë një pengesë për politikën e tyre të asimilimit të shqiptarëve ortodoksë. Për breza të tërë shqiptarësh, ai është nderuar si Martiri i gjuhës shqipe, sepse jetën e vuri në shërbim të shkollës, gjuhës dhe ndërgjegjes kombëtare.

Petro Nini Luarasin e helmuan sepse donte që shqiptarët të mos humbnin gjuhën e tyre. Një shekull më vonë, askush nuk na ndalon ta flasim shqipen. Por, lind pyetja: a po e lënë vetë shqiptarët pas dore atdheun, gjuhën dhe shpresën? Ky shkrim modest imi në kujtim të këtij rilindasi të madh nuk është një thirrje kundër dikujt, por një thirrje për ringritje për shqiptarët kudo, sidomos për shqiptarët në trojet shekullore iliro-arbërore — në 115-vjetorin e vdekjes së Petro Nini Luarasit (17 gusht 1911 – 17 gusht 2026). Besnikërisht, në frymën e porosisë së Petro Nini Luarasit: “Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi.”

Filed Under: Kulture

“MOS E CËNONI PAQEN, GARANTONI BARAZINË”

August 17, 2026 by s p

“Është thirrja që doli nga ky simpozium drejtuar klasës politike shqiptare ndaj të cilës kërkohet unitet, Qeverisë për respektim të Marrëveshjes dhe faktorit ndërkombëtar për mbështetje e monitorim të zbatimit të saj”.

– Me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Shoqëria “Lëvizja” organizoi Simpoziumin Shkencor kushtuar analizës së arritjeve, sfidave dhe perspektivave të Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të tij u paraqitën 15 teza shkencore, të cilat trajtuan kontekstin historik të Marreveshjes së Ohrit, transformimin kushtetues, politik e shoqëror të shtetit, si dhe sfidat aktuale që lidhen me zbatimin e kēsaj Marrëveshjeje.

Pas diskutimeve, pjesëmarrësit miratuan këtë:

DEKLARATË:

1. Marrëveshja e Ohrit mbetet dokument i rëndësishëm politik dhe kushtetues i Maqedonisë së Veriut pas pavarësisë së saj. Ajo krijoi themelet e paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe ndërtoi bazat për një barazi të plotë midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas.

2. Njëzet e pesë vjet pas nënshkrimit të saj, vlerësojmë se Marrëveshja ka prodhuar rezultate të rëndësishme në avancimin e të drejtave për shqiptarët dhe komunitetet më të vogla në përfaqësimin institucional, decentralizimin e pushtetit, përdorimin e gjuhëve dhe orientimin euroatlantik të shtetit. Megjithatë, zbatimi i saj mbetet ende i papërfunduar dhe kërkon përkushtim të vazhdueshëm institucional.

3. Shprehim shqetësimin tonë për tendencat që cenojnë frymën dhe parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë mosrespektimin e legjitimitetit politik e kombëtar në përfaqësim, dobësimin e mekanizmave të konsensusit, anashkalimin e parimit të Badinterit dhe të përfaqësimit të drejtë e të barabartë, si dhe zhvillimet që lidhen me statusin kushtetues dhe praktik të përdorimit të gjuhës shqipe.

4. Vlerësojmë se çdo përpjekje për relativizimin apo dobësimin e këtyre parimeve nuk përbën vetëm regres demokratik, por rrezikon të dëmtojë besimin ndërmjet dy popujve më të mëdhenj (atij maqedonas dhe atij shqiptar), si dhe të cenojë stabilitetin dhe kohezionin afatgjatë të shtetit.

5. I bëjmë thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të respektojë në mënyrë konsekuente Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, të garantojë zbatimin e plotë të parimeve kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar rendi demokratik dhe të mbështes barazinë e plotë midis dy popujve tanë.

6. U bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike shqiptare që, pavarësisht dallimeve partiake, ta bëjnë pjesë të programeve dhe platformave të tyre politike angazhimin për një zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme dhe afatgjate të çështjes së barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popuj shumicë në shtet. Populli shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë popull shtetformues – plotësisht i barabartë me popullin maqedonas. Kjo kauzë duhet të shndërrohet në një platformë të përbashkët të të gjitha forcave politike shqiptare dhe të mbarë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

7. Vlerësojmë se stagnimi i procesit të integrimit evropian, përkeqësimi i klimës politike dhe dobësimi i standardeve demokratike krijojnë hapësirë për ndikime gjeopolitike që bien ndesh me orientimin strategjik euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet alternativë që garanton stabilitet, zhvillim dhe siguri afatgjate.

8. U bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të mbështesin dhe monitorojnë zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të mbështesin të drejtën elementare të popullit shqiptar për barazi të plotë me popullin maqedonas, si garanci për paqen, demokracinë dhe stabilitetin në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon.

9. Shoqëria “Lëvizja” konsideron se respektimi i Kushtetutës, sundimi i ligjit, barazia qytetare dhe kombëtare, si dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit janë parakushtet themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike, funksionale dhe të integruar në familjen evropiane.

10. Në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ritheksojmë se paqja nuk është një e arritur e përhershme, por një përgjegjësi e përditshme. Prandaj, u bëjmë thirrje institucioneve shtetërore, klasës politike, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe partnerëve ndërkombëtarë që të veprojnë me përgjegjësi për të mbrojtur frymën e Marrëveshjes së Ohrit, për të parandaluar riciklimin e krizave politike dhe ndërnacionale dhe për të garantuar një të ardhme demokratike, të barabartë dhe evropiane për popullin shqiptar dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Kjo Deklaratë u hartua nga Komisioni Hartues mbi bazën e referimeve shkencore, diskutimeve dhe rekomandimeve të paraqitura gjatë Simpoziumit Shkencor me rastin e 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Pas shqyrtimit të saj, Deklarata u miratua me konsensus nga pjesëmarrësit e Simpoziumit, si qëndrim i përbashkët akademik, intelektual dhe qytetar.

Strugë – Gostivar 14 & 15 gusht 2026

Filed Under: ESSE

Themeluese e “Artistè Foundation” në Kanada, Arta Rexhepi: “Dokumentimi i luftës së Kosovës është përgjegjësi historike”

August 15, 2026 by s p

Intervistoi: Sokol Paja/

1. E nderuar Arta, si lindi ideja për krijimin e “Artistè Foundation” dhe cili është kontributi për komunitetin shqiptar në Kanada?

“Artistè Foundation” lindi nga një nevojë shumë personale, por që me kalimin e kohës e kuptova se ishte një nevojë e përbashkët për shumë gra dhe familje shqiptare, sidomos për gratë e ardhura si refugjate dhe emigrante. Unë vij nga një familje artistësh dhe për mua arti nuk ka qenë kurrë thjesht argëtim. Arti ka qenë mënyrë mbijetese, mënyrë për të ruajtur identitetin dhe mënyrë për të treguar histori. Pikërisht prej kësaj vjen edhe emri “Artistè” një nickname emër që familja ime ma ka dhënë që e vogël, nga halla ime e ndjera Zjavere e cila kaloj një jetë shumë të vështir. Me Artistè poashtu deshta ta ringjalli zërin qe ajo nuk e kishte kurrë, lirin që ajo nuk e shijoj kurrë.

“Artistè Foundation” është një organizatë Shqiptaro kanadeze që përdor artin, për të avokuar për të drejta njerzore, për tregimin dhe fuqizimin e komunitetit për t’u dhënë zë njerëzve, veçanërisht grave dhe të sapoardhurve. Ne duam që njerëzit të mos shihen vetëm përmes traumës së tyre, por edhe përmes talentit, punës, lidershipit dhe kontributit që japin në shoqëri.

2. Si lindi ideja e krijimit të 25 dëshmive të refugjatëve – 25@25 dhe si u prit nga publiku shqiptaro-kanadez dhe institucionet?

“25@25: Refugees Making a Difference” lindi nga një moment shumë konkret. Në vitin 2024, në Halifax, në kuadër të 25-vjetorit të ardhjes së refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Kanada, u shfaq një dokumentar për atë periudhë. Pas eventit, njerëzit filluan të më pyesnin:“Po çfarë ndodhi me këta njerëz më pas? Ku janë sot?” Dhe aty mendova:ne kemi treguar shumë për refugjatin që ikën, por jo mjaftueshëm për njeriun që ndërtoi një jetë të re.

Kështu lindi 25@25. Ideja ishte të dokumentonim 25 histori të njerëzve që erdhën në Kanada si refugjatë nga Kosova dhe që gjatë 25 viteve të ardhshme kontribuuan në shoqërinë kanadeze – në mjekësi, ligj, qeverisje, biznes, arsim, sport, art, aktivizëm dhe fusha të tjera. Nuk doja që këto të ishin thjesht histori “mbijetese”. Doja të tregonim çfarë ndodh kur një vend hap dyert për refugjatët dhe për mi thye stereotipet qe egzostojnë për refugjatet dhe për efektin pozitiv ndaj ndihmës humanitare nga Kanadaja. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse projekti u bë shumë më i madh sesa e kisha imagjinuar fillimisht. Më 25 mars 2026, këto histori u nderuan në Parlamentin e Kanadasë me partnership me deputetin Kyle Seeback.

3. Cili është roli i “storytelling” në dokumentimin e luftës në Kosovë dhe evidentimin e krimeve serbe mbi shqiptarët e Kosovës?

Për mua, dokumentimi i luftës së Kosovës është edhe çështje përgjegjësie historike. Kam qenë vetë pjesë e asaj historie. Prandaj e di se çfarë do të thotë të humbasësh shtëpinë, të largohesh si refugjat dhe të mos e dish se çfarë do të ndodhë me familjen tënde. Por kur tregojmë këto histori, duhet t’i tregojmë me përgjegjësi. Nuk bëhet fjalë vetëm për të treguar se “na ka ndodhur diçka e keqe”. Bëhet fjalë për të ruajtur dëshmitë e njerëzve që e kanë përjetuar luftën, dëbimin, dhunën dhe humbjen.

Rrëfimi personal është një pjesë shumë e rëndësishme e kujtesës kolektive. Kur një grua tregon se si e ka përjetuar dëbimin, kur një familje tregon se si ka humbur shtëpinë, kur një fëmijë tregon se si ka ardhur në Kanada si refugjat ato nuk janë thjesht kujtime personale. Janë pjesë e historisë.

Dhe ne nuk duhet të lejojmë që brezat e ardhshëm të njohin luftën e Kosovës vetëm përmes statistikave. Duhet të njohin fytyrat dhe zërat e njerëzve që e përjetuan atë. Pikërisht kjo është një nga arsyet pse Artistè e sheh storytelling-un si një formë të dokumentimit historik.

4. Cilat janë projektet e së ardhmes për “Fondacionin Artistè”?

Ne kemi shumë plane, por duam që Artistè të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe jo thjesht të bëjë një aktivitet pas tjetrit. Një nga drejtimet që po zhvillojmë është “HerStory Campaign”, një projekt dokumentues që do të mbledhë histori të grave jo vetëm Shqiptare në diasporë dhe do të trajtojë tema që shpesh janë heshtur brenda komuniteteve. Dua gjithashtu ta zgjerojmë punën tonë në film, storytelling, mentorim dhe zhvillim profesional, veçanërisht për gratë e reja dhe gratë emigrante që kanë histori, talent dhe ide, por nuk kanë pasur gjithmonë mundësinë t’i zhvillojnë.

Misioni i Artistè nuk është të jetë vetëm një fondacion që organizon evente. Grupi jonë me gra të jashtëzakonshme Shqiptare me përkushitim gjigant dhe pasion për ndryshim shohim se të jetë njështëpi kreative për shqiptarët në Kanada vend ku një grua mund të vijë me një histori, ide, film, pikturë apo një projekt dhe të gjejë mbështetje për ta çuar më tej.

5. Shqiptarët në Kanada – dëshmi e suksesit dhe shpirtit të pamposhtur shqiptar. Cili është bashkëpunimi dhe mbështetja nga shoqatat shqiptare?

Unë mendoj se historia e shqiptarëve të Kosovës në Kanada është një nga historitë më të bukura të integrimit dhe rezistencës. Shumë prej njerëzve që erdhën në vitin 1999 erdhën me shumë pak. Shumica nuk dinin gjuhen, shumë sidomos gra simbas numrat nga Kryqi Kuq kan ardh pa edukim nga Kosova dhe për gjeneraten e parë këtu, ajo ja vështirsoj jetën dhe integrimin të cilet shumë nga ata në mosh të mesem janë detyru të kthehen në shkollime, të ndërtojnë shumë herë edhe kariera të reja, nuk kishin para, nuk kishin profesionin e tyre të njohur në Kanada dhe nuk e dinin se çfarë do të ndodhte me ta.

Sot, 27 vite më vonë, kemi shqiptarë në mjekësi, drejtësi, biznes, qeveri, arsim, art dhe shumë fusha të tjera. Vetë 25@25 dokumenton pikërisht këtë transformim. Refugjatet e Kosovës sot njihen si “success story” i refugjateve në Kanada nga qeveria Kanadeze duke u dalluar nga refugjat që vijnë nga vende të tjera.

Por dua të theksoj edhe një gjë: suksesi nuk është vetëm individual. Shoqatat shqiptare kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Ato kanë ruajtur gjuhën, kulturën, muzikën, traditat dhe kanë krijuar një rrjet social për njerëzit që kanë ardhur këtu. Familjet shqiptare kanë shëruar njëri-tjetrin nga traumat kur kemi ardh duke kalu kohë së bashku, duke organizu mbledhje të ndryshme të komunitetit, valle etj duke treguar rrëfimet e tyre. Babi im piktoronte për fëmijët në kamp ku ishim këtu në Halifax për të shëruar fëmijët dhe kjo është një nga inspirimet kryesore e Artistè për të përdorur artin për shërim, duke marrë trashëgiminë familjare dhe duke e zhvilluar më tej për ndryshim shoqëror, mundësitë si emigrantë të rinj familja ime nuk ka pas në atë kohë.

Në vitin 1999, komuniteti shqiptar ishte shumë më i vogël. Sot kemi një brez të ri që është njëkohësisht shqiptar dhe kanadez. Dhe kjo është një pasuri. Mendoj se sfida jonë tani është të kalojmë nga një komunitet që vetëm ruan atë që ka trashëguar, në një komunitet që krijon diçka të re.

6. Cila ka qenë mbështetja nga institucionet kanadeze dhe marrëveshjet e bashkëpunimit?

Kanadaja ka një histori shumë të rëndësishme me shqiptarët e Kosovës. Në vitin 1999, Kanadaja mori pjesë në përgjigjen humanitare ndaj krizës së refugjatëve të Kosovës, përfshirë ardhjen e mijëra refugjatëve përmes Operation Parasol. Historitë e 25@25 e dokumentojnë edhe këtë kapitull.

Për “Artistè Foundation”, bashkëpunimi me institucionet kanadeze është shumë i rëndësishëm sepse ne duam që historia shqiptare të mos mbetet vetëm brenda komunitetit shqiptar.

Një moment shumë i rëndësishëm ishte prezantimi i 25@25 në Parlamentin e Kanadasë, ku refugjatët e Kosovës u nderuan për kontributin e tyre me mbështetjen e madhe nga deputeti Kyle Seeback i cili është edge dhëndërr i Kosovës. Kemi pasur gjithashtu bashkëpunime që lidhen me artin dhe refugjatët, dhe kemi mbeshtetje nga muzeu i emigracionit pier 21, UNHCR Canada e të tjerë. Për mua, ky bashkëpunim është shumë domethënës sepse tregon se historitë tona mund të bëhen pjesë e narrativës kanadeze, jo vetëm e narrativës shqiptare.

7. Kush është Arta Rexhepi?

Historia ime është e gjatë, por disa pika. Kam ardhur nga Kosova në Kanada si refugjate në moshën 13, dhe kjo përvojë ka ndikuar shumë në mënyrën se si e shoh botën dhe punën time. Kam ardhur nga një familje artistësh. Babai im është artist dhe arti ka qenë pjesë e jetës sime që në fëmijëri. Mami im në Kosovë po ashtu ishte aktore, por si shumë nana shqiptare u detyrua me ndërpre karrierën për rritjen e fëmijëve, kurse si zakonisht karriera e babit tim vazhdoi, edhe pse ishim një familje pothuajse përparimtare, janë disa trashëgimi shoqërore që na kanë prekur edhe ne, gjana që në atë kohë mami ka thye shumë tabu si aktore, por disa ishin shumë të mëdha për t’i thyer; edhe pse babi im është mendjehapur e nuk do ta ndalonte ai vetë si person kurrë. Pikërisht kjo është pjesë e misionit tonë, një grua mund të jetë edhe nanë edhe aktore, piktore etj. Për këtë arsye, gjithmonë kam pasur një lidhje shumë të fortë me storytelling-un, shkrimin dhe dokumentimin e historive njerëzore.

Në moshën 15 vjeç u zgjodha ta prezantoj Kanadanë edhe Kosovën në Hollywood, ku u botova në disa shkrime, mora pjesë në konferenca të ndryshme për të drejta të njeriut si vajzë e re. Integrimi profesional i imi dhe i familjes sime ishte i jashtëzakonshëm.

Por ajo personale ishte sfiduese. Si shumë vajza të reja emigrante, po ashtu edhe unë dhe familja ime kemi pasë vështirësitë tona, disa na kanë thye, disa na kanë mësuar dhe disa na dhanë shpresë të qëndrojmë të fortë. Vështirësia jonë ma e madhe ishte frika e humbjes së identitetit shqiptar, frika ta pranojmë kulturën kanadeze lehtë dhe si ta gjejmë një mesatare të shëndoshë, diçka që është një nga sfidat ma të mëdha që ka ndikuar jo vetëm familjen tonë, por edhe shumë të tjerë refugjatë që erdhën nga pastrimi etnik në Kanada edhe sot i ndikon kjo frikë. Largimi nga lufta ishte vetëm fillimi i vështirësive tona.

U martova shumë e re, besoj nga kjo frikë. Jeta ime profesionale ngeli mbrapa për një kohë të mjaftueshme, por u detyrova t’i kthehem aty ku Zoti gjithmonë e kishte krijuar në mua, pasionin tim për shkrim dhe çështje humanitare. Pastaj vazhdova karrierën time me mbështetje nga shumë njerëz si babi im, anëtarë të komunitetit shqiptar po edhe kanadez, duke mbështetur vizionin tim, kam ndërtuar në fushën e medias, storytelling-ut dhe advokimit. Kam punuar edhe me media kanadeze, CBC dhe CTV, duke marrë tema të vështira jo vetëm të Kosovës, ku mora pjesë edhe në festival të filmit për dokumentarin North Preston: A Look Past Stigma, i cili u bë viral në atë kohë, duke prezantuar publikut kanadez komunitetin e zinj në dritë pozitive.

Por themelimi i Artistè Foundation ishte një hap tjetër. E kuptova se nuk doja vetëm të tregoja historitë e njerëzve të tjerë. Doja të krijoja hapësirën ku ata vetë mund të tregojnë historinë e tyre. Prandaj Artistè për mua nuk është vetëm një organizat. Është vazhdim i asaj që kemi qenë gjithmonë si popull: njerëz që humbëm shumë, por prapë gjetëm mënyrën për të filluar nga e para.

Filed Under: Interviste

“Jemi që pa ardhur deti”

August 15, 2026 by s p

Qendra “Muzeu i Fjalës”/

Në ambientet e Bashkisë Himarë u promovua ditën e sotme libri “Jemi që pa ardhur deti”, një ese-intervistë me poetin Lefter Çipa nga autori Akri Çipa.

Botimi i ri i Akri Çipës, rezident në SHBA, vjen i pasuruar me një ese të re të autorit, si edhe me intervistën e zgjeruar me poetin Lefter Çipa, realizuar në vitin 2017, e cila rikthehet si një dëshmi me vlerë për jetën, krijimtarinë dhe mendimin e një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë dhe polifonisë shqiptare.

Për herë të parë, libri vjen edhe në anglisht me titullin “We Were Here Before the Sea”. Përmes këtij botimi, të sjellë nga enti botues B& M në Tiranë dhe Qendra Muzeu i Fjalës, lexuesit ndërkombëtarë do të kenë mundësinë të njihen më nga afër me pasurinë e traditave, të këngës, të fjalës dhe të kujtesës, si edhe me vlerat kulturore që përshkojnë veprën.

Ky botim u realizua me mbështetjen e Bashkisë Himarë dhe të Qendrës “Muzeu i Fjalës”, të cilat autori i falënderoi për kontributin dhe përkushtimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Në aktivitet folën gazetari i njohur nga Gjirokastra Ëngjëll Seriani, poetja Ledia Dushi, aktori i njohur Luftar Paja, politikani Petro Koçi si dhe redaktori i vëllimit, poeti dhe gazetari Aleksandër Çipa, njëherësh at i autorit dhe bir i poetit të paharruar Lefter Çipa.

Në aktivitet morën pjesë gazetarë, shkrimtarë, këngëtarë, intelektualë dhe përfaqësues të ndryshëm nga zona e Bregut, Labërisë dhe emigracioni.

Paraqitja e këtij botimi dy gjuhësh do të realizohet edhe në qytete të ndryshme të vendit dhe në diasporë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT