• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Logu i bukurisë dhe i traditës në Kelmend

August 15, 2026 by s p

Ramazan Çeka/

Ditët e nxehta të korrikut i lamë pas në ultësirën e Shkodrës dhe, një mëngjes herët, morëm rrugën në drejtim të Alpeve Shqiptare. Lamë pas Koplikun e zhurmshëm, Bajzën e Vukpalajt dhe morëm rrugën e Kelmendit.

Rrugët që gjarpëronin mes maleve e luginave nisën të na shoqëronin me emocionet e këtij udhëtimi, ndërsa makina ngjitej në Brigjet e Hotit dhe hynte në luginën aq madhështore të Kelmendit.

Jemi mes Alpeve Shqiptare. Ecim në një rrugë që na drejton në Veri, përmes Tamarës e Selcës, për të dalë në Qafën e Predelecit, për të arritur në atë sofër të mrekullueshme e bujare që na priste me krahë hapur, për festën e madhe që ishte organizuar.

Rruga ishte e gjatë, por ne arritëm në kohë. Dhe tani, përpara nesh shtrihej madhështia e Alpeve Shqiptare, ajo botë e egër dhe e bukur, ku natyra, historia dhe jeta e malësorit janë ndërthurur ndër shekuj.

Në zemër të Gadishullit të Ballkanit ngrihet madhështor një masiv i madh malesh, që njihen në hartë me emërtimin Alpet e Shqipërisë, të cilat zënë rrënjë buzë Liqenit të Shkodrës dhe përfundojnë në Malësinë e Gjakovës.

Këto Alpe ngrihen “me kryet deri në qiell” dhe majat e tyre të mbuluara me borë shpesh është thënë se kanë qenë frymëzim që malësorët të vinin në kokë qeleshet e bardha.

Rapsodët, poetët dhe studiuesit e përdorin shpesh këtë paralelizëm, ashtu siç përdorin edhe krahasimin midis maleve dhe malësorëve viganë, apo midis çikave dhe çetinave të rritura në shkëmb.

Është kjo biografi, ky reliev madhështor, që ka frymëzuar rapsodët e lashtë për t’u kënduar bëmave dhe trimërive të Mujit e Halilit, të përjetësuara në eposin e lashtë shqiptar përmes një vegle të stërlashtë muzikore: lahutës.

Në gjithë këtë shtrirje alpine, një vend të veçantë zë Malësia e Madhe, e emërtuar kështu që në kohë të hershme, jo vetëm sepse zinte një sipërfaqe të gjerë, por edhe sepse ishte një kështjellë që, me kryetrimat e saj, i rezistoi të gjitha rrebesheve që historia i vuri në provë.

Mijëra vjet, qindra luftëra, dhjetëra pushtues kanë hyrë dhe kanë dalë në qafat, luginat, pyjet, lumenjtë e përrenjtë e këtyre maleve, por ata kanë qëndruar, ashtu siç thotë një këngë e vjetër:

“Malet s’i luan era.”

Ndoshta ishte pikërisht kjo frymë e Malësisë, kjo lidhje e pashkëputur mes vendit, njerëzve dhe traditës, që na shtyu edhe më tej në këtë udhëtim. Pak kohë më parë, isha frymëzuar nga emisioni i mëngjesit “Mirëmëngjes Shqipëri” në Radio Televizionin Shqiptar, i cili zgjon të gjithë shqiptarët në orën 06:30, me tri orë transmetim të drejtpërdrejtë, ku ishte e ftuar Kryetarja e Shoqatës Kulturore “Jehona e Kelmendit”, zonja Dila Vaçaj.

Ajo shpalosi në mënyrë brilante jo vetëm punën e shkëlqyer që bëhet në këtë zonë, por edhe vlerat e kulturës dhe të artit të mrekullueshëm të kësaj treve.

Ndër të tjera, u fol edhe për një aktivitet mjaft të rëndësishëm, siç është “Festa e Shna Pretes”, që ka marrë një vëmendje të madhe nga malësorët e kësaj zone dhe nga të gjithë ata që sot jetojnë në SHBA.

Në këtë aktivitet do të gjeni trashëgimtarë të denjë të banorëve alpinë shqiptarë, që mbajnë gjallë trashëgiminë e kësaj treve me këngë, me pasuri etnokulturore dhe, pse jo, edhe me studime bashkëkohore të djemve dhe vajzave që janë nderi dhe krenaria e kësaj krahine.

Artistët e spikatur popullorë të kësaj Malësie, me shpirtin e tyre krijues, po mbajnë gjallë dhe po trashëgojnë folklorin ndër breza. Këngët, vallet, veshjet dhe bujaria e kullave të Malësisë, të transformuara në bujtina mikpritëse, e bëjnë akoma më magjik aktivitetin e “Festës së Shna Pretes”, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e veçantë të zonjës Dila Vaçaj.

Në Predelec, u rikthye një traditë e bukur që kishte munguar prej shumë vitesh: një kthim në origjinë i Logut të Bjeshkës.

Në festën “Logu i Shna Pretes”, në peizazhin mahnitës natyror dhe në ambientet e jashtme të kishës, u mblodhën besimtarë, banorë e mysafirë për të festuar së bashku këtë ditë të veçantë.

Aty u shpalos bukuria e nuseve, veshjet e traditës, Vallja e Logut, këngët majekrahu dhe lojërat popullore, ndërsa grupe folklorike nga Plava, Gucia dhe troje të tjera etnike shqiptare e kthyen logun në një spektakël të bukur të demonstrimit të artit folklorik burimor.

Falë përkushtimit të At Vitor Demajt dhe Shoqatës Kulturore Artistike “Jehona e Kelmendit”, me Presidente zonjën Dila Vaçaj, si edhe mbështetjes financiare të kelmendasve në Amerikë, u rikthye atmosfera e dikurshme me këngë, valle dhe tingujt autentikë të artistëve kelmendas, duke i dhënë festës një jehonë të veçantë.

Mesha e celebruar nga Famullitari i Kelmendit, Pater Vitor Demaj, ishte e veçantë në një ditë të veçantë.

Si asnjëherë më parë, vajzat e bukura nga krahina ishin në meshë me xhubletën e Malcisë.

Kisha e Shna Pretes dukej më e bukur se kurrë. Ishte një rikthim në traditën e hershme, një pamje që dukej sikur lidhte të shkuarën me të sotmen.

Një rol të rëndësishëm në krijimin e atmosferës së kësaj feste pati edhe Studio Volaj, e cila u kujdes me profesionalizëm dhe me vëmendje në çdo detaj për anën e fonisë. Tingulli i pastër dhe i përshtatur me hapësirën bëri që këngët, vallet dhe instrumentet tradicionale të përcilleshin me gjithë bukurinë dhe forcën e tyre, duke e bërë edhe më të veçantë jehonën e kësaj dite në Predelec.

Festa e Shna Pretes në Qafën e Predelecit riktheu traditat e hershme të Kelmendit, duke bashkuar, pas Meshës së Shenjtë, banorët, diasporën dhe vizitorët në një festë me këngë, valle, veshje tradicionale dhe lojëra popullore.

Kjo ditë tregoi edhe një herë se traditat, besimi dhe kultura jonë mbeten të gjalla kur ka atdhetarë të përkushtuar, që punojnë me zemër dhe kontribuojnë për t’i ruajtur e përcjellë ato brez pas brezi.

Mirënjohje për të gjithë organizatorët, artistët, sponsorët dhe pjesëmarrësit që e bënë këtë festë një ngjarje të paharruar.

Realisht, ky ishte logu i bukurisë dhe i traditës në Kelmend.

“Logu i Shna Pretes.”

Suksese, e në festa e gëzime u mbledhshi gjithmonë, Bjeshkët e Malësisë!

Filed Under: Reportazh

“Udhëtim pa mbarim”

August 15, 2026 by s p

Agim Baçi/

Cilët kufij kapërcejmë kur udhëtojmë apo lexojmë? Çfarë mbetet më e mistershme në udhëtimet dhe leximet tona- vetja apo tjetri? Shkrimtari dhe essesisti italian, Claudio Magris, në librin e tij “Udhëtim pa mbarim”, thotë se, të udhëtosh do të thotë se mund të kesh fatin të kuptosh se ke qenë edhe “nga ana tjetër”, në anën ku s’ke shkuar më parë e nuk e njeh ende “tjetrin”. Por kthimi – ama vetëm kthimi- është rivendosja e një kufiri më të qartë mes asaj që ke dashur të shohësh, asaj që ke dashur të njohësh në jetë, dhe asaj që ja vlen gjithnjë ta mbash si pjesë të vetes tënde duke mos e ndryshuar kurrë.

“Nuk ka udhëtim pa kapërcim kufijsh – politikë, gjuhësorë, social, kulturorë, psikologjikë, qoftë edhe kufij të padukshëm që ndajnë një lagje nga një tjetër në po të njëjtin qytet, apo ato mes njerëzve, deri tek ata më të mundimshmit që mbijnë nga skëterrat tona e na zënë rrugën. T’i kapërcesh kufijtë; edhe t’i duash – gjersa përcaktojnë një realitet, një individualitet, i japin trajtë duke e shpëtuar kësisoj nga e padallueshmja – por pa i himnizuar, pa i kthyer në idhuj që kërkojnë therori gjaku. T’i kuptosh si të ndryshëm, si të përkohshëm e kalimtarë, si trupi i njeriut, e si të tillë të denjë për t’i dashur; të vdekshëm, në kuptimin që t’i nënshtrohen vdekjes, ashtu si udhëtarët, e jo të bëhen rast e shkak për vdekje, siç kanë qenë e janë shpeshherë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris).

Magris nis një udhëtim siç jemi të gjithë në udhëtimin ku parakalojmë me njerëz të ndryshëm, me tradita e histori ndryshe nga e jona. Ai niset për një dëshirë njohjeje mbi botën, madje pa fshehur bindjen si Don Kishot se do të arrijë atje ku duhet. Nuk e zbehin dyshimet e Sanço Panços, që vjen si rrëzim përditshëm i së menduarës mbi një vend, mbi një gjuhë, mbi një autor, mbi një histori. Jo, ai ka dëshirë të udhëtojë me njeriun, me atë që ka mbijetuar në shekuj, po ku moderniteti apo postmoderniteti prej kohësh tenton ta rrëzojë në tapetin e harresës.

“Besnik ndaj vlerave mbetet jo ai që ka mall për lashtësinë dhe ngatëron të përjetshmen me të shkuarën, as ai që struket në vetmi aristokratike e arkaike, shterpë e patetike, por ai që pranon me përulësi të zhytet në rrëmujën e përditshme gjithfarë, në ndryshimet e gjithçkaje relative, të zakoneve dhe hierarkive, sepse kështu mëson të njohë e të respektojë dinjitetin njerëzor edhe kur i paraqet në forma dhe mënyra me të cilat nuk është mësuar dhe që mund edhe ta përjashtojnë apo trubullojnë atë vetë”. (“Udhëtim pa mbarim”, Claudio Magris)

Më dëshirën për të njohur tjetrin, për të kaluar në lëkurën e tij, Magris ka udhëtuar përmes letërsisë, me historinë, dhe sjell pamje të gjithë llojeve të kufijve në Europën Qëndore, në Skandinavi, në Iran, në Kinë e Vietnam, e deri në pyjet në Kanada. Ka përshkruar ata që mbijetojnë si të jenë të vetmit- sorbët, istranët, çiçët e çiribirët.

Novalis, Josep Roth, Kundera, Jamek, Gunter Grass e poetët Shirazi e Sadiu janë pika ku shpesh ai kërkon të mbështesë “pamjen e dujur për njeriun”. Nuk mund të shmangë Niçen kur kërkon të kuptojë prej tij se “pas pisit është vetëm pis”, çka i vihet përballë asaj që vjen nga Ungjilli, ku citohet se “pas të pastrit vjen i pastri”.

Magris kalon kufij, ngre lart raportin e përkujdesjes ndaj atyre që kanë ditur të rrisin fëmijë e nipër dhe që vijojnë të mbajnë flamurin e njerëzores, e na fton si në përralla që pas një pylli pikëpyetjesh për mbijetesën, për tjetrin, të ktheheni te Njeriu. Magris sugjeron se është “qielli në lëvizje” ai që i jep udhëtarit një ndjesi sikur di t’i paraprijë vdekjes. Por cilës vdekje? Ajo fizike mundet të vijë herët ose vonë, nga një tjetër caktim. Ajo shpirtërore varer prej mesh. Dhe të shmangësh një vdekje të tillë është këmbëngulja se secili duhet të nisë që të udhëtojë, duke mos mbetur pjesë e një mosnjohjeje të kufijve me tjetrin dhe botën– e kufijve të dukshëm e të padukshëm.

Don Kishoti, Shvejku, Pinoku, Fausti nuk janë thjesht personazhe, por janë bashkëshoqërues të këtij rrugëtimi, për t’u ndalur më pas edhe me Hajdegerin, Kafkën, Niçen, Gëten, edhe me mjaft emra të tjerë, të cilët janë udhëtarë nëpër shumë kufinj.

Udhëtimi është pjesa ku bota rimerr përmasa të tjera. Mund të qëllojë të jesh Odise, Don Kishot apo Robinson Kruzo. Mund të duhet të sillesh si Xhepeto e të ndërtosh Pinokun tënd, ose të përgjigjesh, pasi ke vënë në dyshim gjithçka që ke menduar apo ëndërruar, si Don Kishoti Sanço Panços: “Edhe bën vaki”!

Udhëtimet shpesh kemi dëshirë t’i kujtojmë e t’i rikujtojmë. Na ndodh të hapim fotot. Kalojmë nëpër duar suveniret. Mendojmë edhe një herë rikthimin për ta shijuar edhe me dikë që kemi për zemër e që nuk e pa dot bashkë me ne atë pjesë të rrugës që deshëm ta bënim.

Magris, një nga shkrimtarët dhe esseistët ndër me të vlerësuarit për botën të cilën sugjeron, duket sikur përsërit përmes gjithë ndjesive të njëjtën moto: “udhëtimi nuk mbaron kurrë!”. I ardhur në shqip nga Mimoza Hysa, libri “Udhëtim pa mbarim” mbetet një kontakt i jashtëzakonshëm me të dëshirueshmen e përhershme – atë të botës që duam ta shohim, njohim e ta përshkruajmë vetë.

a.b

See less

May be an image of one or more people

See insights and ads

Boost post

All reactions:

11

Filed Under: ESSE

Shqipëria duhet të rindërtohet nga themelet

August 15, 2026 by s p

Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Nëse duam të flasim seriozisht për zhvillimin e Shqipërisë, duhet të ndryshojmë së pari mënyrën se si e përfytyrojmë zhvillimin. Për shumë vite kemi ngatërruar zhvillimin me ndërtimin, modernizimin me betonizimin, prosperitetin me konsumin dhe suksesin e shtetit me numrin e kullave, resorteve apo kilometrave të asfaltit.

Por një vend nuk bëhet i zhvilluar vetëm sepse ndërton më shumë. Një vend bëhet i zhvilluar kur prodhon më shumë, kur krijon më shumë vlerë, kur arsimon më mirë, kur përdor më me mençuri burimet e veta dhe kur u jep qytetarëve mundësi të barabarta për të ndërtuar jetën e tyre.

Prandaj, nëse duam një Shqipëri të qëndrueshme, duhet të kthehemi te themelet: te toka që prodhon dhe te fëmija që arsimohet.

I. Zhvillimi nuk fillon nga çatia.

Ka diçka paradoksale në mënyrën se si është konceptuar zhvillimi shqiptar gjatë dekadave të tranzicionit. Në vend që të fillonim nga themelet, shpesh kemi filluar nga çatia.

Kemi parë zhvillimin nëpërmjet kullave, komplekseve turistike, apartamenteve, qendrave tregtare dhe projekteve spektakolare urbane. Betonizimi është shndërruar shpesh në simbol të progresit. Sa më shumë ndërtime, aq më shumë përshtypja e një vendi që ecën përpara.

Por pyetja themelore është tjetër: çfarë prodhon kjo ekonomi?

Kush prodhon ushqimin? Kush krijon teknologjinë? Kush zhvillon industrinë përpunuese? Kush ndërton kapitalin njerëzor? Kush krijon produktet dhe shërbimet që mund të konkurrojnë në tregjet europiane?

Një ekonomi që ndërton shumë, por prodhon pak, mund të krijojë një fasadë të pasurisë, por jo domosdoshmërisht pasuri të qëndrueshme.

Ndërtimi është i nevojshëm. Turizmi është i nevojshëm. Infrastruktura është e domosdoshme. Por ato nuk mund të zëvendësojnë ekonominë prodhuese.

Një shtet nuk mund të jetojë vetëm duke shitur tokën, peizazhin dhe hapësirën urbane.

II. Bujqësia nuk është e shkuara.

Shpesh bujqësia trajtohet si një sektor tradicional, sikur t’i përkiste një Shqipërie të së kaluarës. Kjo është një nga keqkuptimet më të mëdha të politikës sonë ekonomike.

Bujqësia moderne nuk ka shumë të përbashkëta me bujqësinë primitive.

Ajo është teknologji, mekanizim, ujitje inteligjente, sensorë, të dhëna satelitore, parashikim klimatik, menaxhim të tokës, logjistikë, standarde europiane, agropërpunim, marketing dhe eksport.

Një hektar tokë i menaxhuar me teknologji dhe dije mund të prodhojë shumë më tepër vlerë sesa një hektar i braktisur. Por kjo kërkon shtet që mendon përtej mandatit katërvjeçar.

Shqipëria nuk mund të pranojë si normalitet një realitet ku toka lihet djerrë, fshatrat boshatisen dhe produktet ushqimore importohen edhe kur një pjesë e tyre mund të prodhohej në vend.

Kjo nuk është thjesht çështje ekonomike. Është çështje sovraniteti, sigurie kombëtare dhe dinjiteti ekonomik.

Një vend që nuk është në gjendje të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të ushqimit të vet është më i ekspozuar ndaj krizave ndërkombëtare, inflacionit, konflikteve, ndërprerjeve të zinxhirëve të furnizimit dhe ndryshimeve klimatike.

Prandaj bujqësia duhet parë si pjesë e strategjisë së sigurisë kombëtare.

III. Fshati nuk duhet të jetë periferia e Shqipërisë.

Braktisja e fshatit është një nga dramat më të mëdha të Shqipërisë moderne.

Kur një familje largohet nga fshati, nuk humbet vetëm një banor. Humbet një prodhues, një traditë, një kujtesë, një shkollë potenciale, një komunitet dhe një pjesë e territorit të administruar.

Kur toka mbetet pa punuar, humbet kapitali natyror.

Kur shkolla mbyllet, humbet e ardhmja.

Kur rruga nuk ekziston, tregu bëhet i paarritshëm.

Kur mungojnë shërbimet shëndetësore, interneti, arsimi dhe mundësitë ekonomike, migrimi bëhet jo zgjedhje, por detyrim.

Prandaj politika rurale nuk duhet të jetë politikë ndihmash sociale. Duhet të jetë politikë zhvillimi territorial.

Fshati duhet të lidhet me qytetin, prodhuesi me tregun, fermeri me teknologjinë, toka me universitetin dhe produkti me industrinë e përpunimit.

Vetëm atëherë mund të ndërtojmë një zinxhir të vërtetë ekonomik: tokë → prodhim → përpunim → treg → eksport → punësim.

IV. Dhe pastaj vjen arsimi.

Nëse bujqësia është një nga themelet e ekonomisë, arsimi është themeli i shoqërisë.

Sidomos arsimi i ulët.

Sepse aty fillon gjithçka.

Aty fëmija mëson të lexojë, të shkruajë, të arsyetojë, të bashkëpunojë, të respektojë tjetrin dhe të marrë përgjegjësi. Aty ndërtohet baza mbi të cilën më vonë ngrihen universiteti, profesioni, shkenca, teknologjia dhe qytetaria.

Një shoqëri që neglizhon arsimin fillor është një shoqëri që po konsumon të ardhmen e vet.

Nuk mjafton të kemi universitete. Nuk mjafton të hapim programe masteri e doktorature. Nuk mjafton të flasim për inteligjencën artificiale, transformimin digjital apo ekonominë e dijes.

Nëse fëmija në klasën e parë nuk merr arsimin cilësor që meriton, atëherë çdo strategji madhështore për të ardhmen është e ndërtuar mbi një themel të dobët.

V. Arsimi është edhe çështje drejtësie.

Arsimi nuk është vetëm instrument ekonomik. Është instrumenti më i fuqishëm i drejtësisë shoqërore.

Një fëmijë që lind në një familje të varfër nuk duhet të jetë i dënuar të mbetet i varfër.

Një fëmijë që lind në një fshat të largët nuk duhet të ketë më pak mundësi se një fëmijë që lind në qendër të Tiranës.

Një fëmijë nuk duhet të ketë nevojë për mbiemrin e duhur, lidhjen e duhur apo prindin e duhur për të pasur një arsim të mirë.

Këtu qëndron kuptimi i vërtetë i meritokracisë: jo të shpërblejmë vetëm ata që kanë nisur nga një pozitë e favorshme, por t’u japim të gjithëve një pikënisje sa më të drejtë.

Nëse pikënisjet janë thellësisht të pabarabarta, edhe rezultatet e quajtura “meritokratike” mund të jenë vetëm pasqyrim i privilegjit.

Prandaj investimi në arsimin e hershëm është njëkohësisht investim ekonomik, social, moral dhe demokratik.

VI. Një shtet që ndërton duhet të dijë çfarë po ndërton.

Politika publike nuk mund të matet vetëm me shumën e parave të shpenzuara.

Pyetja nuk është vetëm: sa kemi ndërtuar?

Pyetja është: çfarë vlere kemi krijuar?

Një shkollë nuk është vetëm një ndërtesë. Është një institucion që duhet të prodhojë dije.

Një rrugë nuk është vetëm asfalt. Është lidhje midis prodhuesit dhe tregut.

Një sistem ujitjeje nuk është vetëm infrastrukturë. Është potencial prodhimi.

Një universitet nuk është vetëm një ndërtesë me auditore. Është institucion që duhet të prodhojë dije, kërkim, inovacion dhe kapital njerëzor.

Një spital nuk është vetëm beton dhe pajisje. Është kapacitet për të mbrojtur jetën.

Prandaj, zhvillimi duhet të matet me rezultatet, jo me fasadat.

VII. Politika duhet të kthehet nga spektakli te strategjia.

Një nga problemet më të mëdha të politikës moderne është tundimi për të investuar në atë që duket.

Një kullë duket.

Një aeroport duket.

Një bulevard duket.

Një stadium duket.

Një resort duket.

Por një fëmijë që përmirëson aftësinë e të lexuarit nuk duket menjëherë.

Një fermer që rrit prodhimin me 30 për qind nuk bëhet domosdoshmërisht lajm.

Një mësues i mirë nuk ka gjithmonë fotografi spektakolare.

Një laborator shkencor nuk prodhon inaugurime aq të bujshme sa një ndërtesë e re.

Por pikërisht këto janë investimet që ndërtojnë një komb.

Politika serioze duhet të ketë guximin të investojë edhe në atë që nuk sjell menjëherë duartrokitje.

Sepse shteti nuk duhet të ndërtojë vetëm atë që mund të inaugurohet. Duhet të ndërtojë atë që mund të trashëgohet.

VIII. Nga ekonomia e betonit te ekonomia e vlerës.

Shqipëria ka nevojë për një paradigmë të re zhvillimi.

Jo ekonomi që mbështetet kryesisht te ndërtimi dhe konsumi, por ekonomi që krijon vlerë.

Jo vetëm apartamente, por industri.

Jo vetëm resorte, por produkte turistike të qëndrueshme.

Jo vetëm import ushqimesh, por agropërpunim dhe eksport.

Jo vetëm diploma, por dije.

Jo vetëm universitete, por kërkim shkencor.

Jo vetëm teknologji të blerë nga jashtë, por edhe teknologji të zhvilluar brenda vendit.

Jo vetëm konsumatorë, por prodhues.

Ky është ndryshimi midis një ekonomie që rritet dhe një ekonomie që zhvillohet.

IX. Shqipëria nuk ka mungesë vetëm parash; ka mungesë prioritetesh.

Shpesh dëgjojmë se Shqipërisë i mungojnë fondet.

Por pyetja më e rëndësishme është: ku shkojnë fondet që kemi?

Çdo buxhet është një deklaratë politike. Çdo investim është një zgjedhje morale.

Kur shteti zgjedh të investojë në një drejtim dhe jo në një tjetër, ai po përcakton se cilën Shqipëri dëshiron të ndërtojë.

Prandaj debati nuk duhet të jetë vetëm për shumën e buxhetit, por për cilësinë e prioriteteve.

Një vend i vogël nuk mund të bëjë gjithçka njëkohësisht. Por mund të zgjedhë me inteligjencë.

Dhe zgjedhja duhet të jetë e qartë: prodhim, dije, shëndet, infrastrukturë dhe institucione.

Këto janë themelet.

X. Një Shqipëri që prodhon dhe mendon.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një ekonomi më të madhe. Ka nevojë për një ekonomi më të zgjuar.

Nuk ka nevojë vetëm për më shumë njerëz me diploma, por për njerëz që dinë të mendojnë.

Nuk ka nevojë vetëm për më shumë hektarë të kultivuar, por për bujqësi produktive dhe konkurruese.

Nuk ka nevojë vetëm për më shumë turistë, por për turizëm që krijon vlerë për territorin dhe komunitetet lokale.

Nuk ka nevojë vetëm për më shumë investime, por për investime që rrisin produktivitetin.

Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një shtet që mendon në horizonte njëzetvjeçare, jo vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme.

XI. Themelimi është më i rëndësishëm se fasada.

Në fund, zhvillimi është një çështje filozofie politike.

Çfarë shteti duam të ndërtojmë?

Një shtet që u jep njerëzve spektakël apo mundësi?

Një shtet që ndërton fasada apo kapacitete?

Një shtet që mat suksesin me metra katrorë apo me mirëqenie?

Një shtet që prodhon konsumatorë apo qytetarë të arsimuar dhe prodhues?

Këtu qëndron zgjedhja e vërtetë.

Mund të ndërtojmë miliona metra katrorë. Mund të ndërtojmë kulla edhe më të larta, resorte edhe më luksoze dhe rrugë edhe më moderne.

Por nëse toka mbetet djerrë, fshati boshatiset, fëmijët marrin arsim të dobët, universitetet nuk prodhojnë dije dhe ekonomia mbetet e varur nga importi dhe konsumi, atëherë kemi ndërtuar një fasadë zhvillimi, jo zhvillim të vërtetë.

Prandaj Shqipëria duhet të ndryshojë drejtimin.

Nga çatia te themelet.

Nga betoni te prodhimi.

Nga konsumi te krijimi i vlerës.

Nga fasada te përmbajtja.

Nga privilegji te mundësia.

Nga arsimi si shpenzim te arsimi si investim kombëtar.

Nga toka e braktisur te toka që prodhon.

Sepse një komb nuk ndërtohet vetëm me atë që ngrihet mbi tokë.

Ndërtohet mbi atë që vendos nën të.

Dhe themelet e Shqipërisë së ardhshme janë dy:

toka që prodhon dhe fëmija që arsimohet.

Nëse i forcojmë këto dy themele, mund të ndërtojmë çdo gjë tjetër.

Nëse i neglizhojmë, edhe ndërtesat më madhështore do të mbeten vetëm fasada e një zhvillimi që nuk ka arritur ende të bëhet kombëtar.

Foto: ATSH

Filed Under: Sociale

Nga piramidat te betoni…

August 15, 2026 by s p

Shqiptarët janë tradhtuar shpesh nga qeveritë e tyre. Jo gjithmonë me gënjeshtra të mëdha. Shpesh me ëndrra të mëdha. Në vitin 1997, ëndrra ishte pasurimi i shpejtë pa punë. Shteti nuk e ndali mashtrimin. Nuk i mbrojti njerëzit. Shqiptarët paguan faturën. Me gjak. Me kaos. Me vite të humbura.

Sot po shitet një tjetër ëndërr. Ëndrra e mirëqenies së shpejtë përmes betonit. Kulla në vend të kodrës. Shkatërrim i bregdetit. Gërryerje e maleve dhe lumenjve. Çdo copë natyre që zhduket quhet “investim”. Çdo hapësirë që mbetet e lirë quhet mundësi e humbur.

Por zhvillimi nuk matet me atë që ndërtojmë. Matet me atë që na mbetet. Shqipëria po ndërton shumë. Por po humbet edhe më shumë. Çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme për shqiptarët.

Rritet çmimi i pronës dhe ulet cilësia e jetës. Shqipëria tërheq kapital dhe largon qytetarë. Ndërton hotele për turistët dhe e bën vendin të papërballueshëm për shqiptarët.

Paradoksi bëhet edhe më i madh kur shohim gjendjen e mjedisit. Ironia është se Shqipëria e ka shpallur turizmin motor të zhvillimit, ndërsa renditet e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave të plazheve. Ky është tregues i mungesës së një strategjie zhvillimi. Sepse nuk ndërtohet një ekonomi turistike duke shkatërruar pasurinë natyrore mbi të cilën ajo mbështetet.

Nuk mjafton të ndërtosh resorte buzë detit, nëse nuk e mbron detin. Nuk mjafton të numërosh turistët, nëse humbet pasurinë që i sjell ata. Zhvillimi nuk fillon me betonin. Ai fillon me ruajtjen e natyrës. Prandaj pyetja nuk është: çfarë po ndërtojmë? Pyetja është: për kë po e ndërtojmë? Këtu qëndron filli historik që lidh Shqipërinë e vitit 1997 me Shqipërinë e vitit 2026.

Vlora.

Në vitin 1997, një ekonomi e brishtë, institucionet e dobëta dhe skemat piramidale e çuan Shqipërinë drejt greminës. Sot, në të njëjtin qytet, një pushtet i degraduar, një model i gabuar zhvillimi, rrezikon që të gërryejë një tjetër pasuri: natyrën dhe të ardhmen.

Dje u rrezikua pasuria që shqiptarët kishin në duar. Sot rrezikohet pasuria që shqiptarët kanë nën këmbë. Në të dyja rastet, mungon diçka: një shtet që mendon përtej ditës së sotme.

Historia na mëson se ëndrrat e rreme kanë gjithmonë një faturë reale. Në vitin 1997, shqiptarët humbën paratë duke besuar një ëndërr me sy hapur. Sot rrezikojmë që të humbasim diçka që nuk blihet dot më: vendin ku jetojmë.

Prej muajsh, qindra mijëra shqiptarë po protestojnë. Ata nuk i besojnë më propagandës së pushtetit. Nuk i besojnë më as premtimeve të radhës.

Shqiptarët për herë të parë po i besojnë zërit të tyre. Ndoshta ky është ndryshimi më i madh. Kjo protestë nuk është vetëm për atë që po ndërtohet. Ajo është për atë që po humbasim.

Shqipëria mund të rindërtojë ekonominë. Mund të ndryshojë qeverinë. Mund të korrigjojë ligjet. Por shkatërrimi i natyrës, humbja e territorit dhe betonizimi i së ardhmes, nuk kthehen më pas.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për zhvillim. Ka nevojë për një model zhvillimi që nuk e sakrifikon të ardhmen për përfitimin e së tashmes.

Në 1997-ën, ideja e pasurimit të shpejtë e gjunjëzoi Shqipërinë. Në 2026-ën, pasurimi i shpejtë nëpërmjet betonizimit pa kriter nuk rrezikon vetëm peizazhin. Ai rrezikon të ardhmen e Shqipërisë.

Historia nuk mban mend sa kulla ndërtuam. Ajo mban mend se çfarë Shqipërie u lamë brezave që do të vijnë pas nesh. Atëherë do të shihet nëse e kuptuam dallimin mes zhvillimit dhe shkatërrimit, apo vetëm e pamë.

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Ekonomi

QUEEN TEUTA QUARTET BRINGS THE SOUNDS OF ALBANIA TO TRIBECA PERFORMING ARTS CENTER THIS FALL

August 15, 2026 by s p

An Evening Celebrating Albania’s Rich Musical Heritage Comes to New York on September 17.

NEW YORK, NY — Centuries of Albanian musical tradition will come to life at Tribeca Performing Arts Center on Thursday, September 17, as the Queen Teuta Quartet presents Sounds of Albania, an evening of chamber music that invites audiences on a journey through one of Europe’s richest and least familiar musical traditions.

Performed by an ensemble of Albanian and American musicians, Sounds of Albania journeys across the country’s diverse musical landscape, from the lyrical serenades of Korça and the pastoral melodies of the mountain villages to spirited wedding dances from Kosova and beloved songs from central and southern Albania. Named for the legendary Illyrian Queen Teuta, a symbol of strength, resilience, and cultural pride, the ensemble reimagines these traditions through newly created chamber arrangements by acclaimed music director Edmond Xhani and original compositions that invite new audiences to discover the richness of Albanian music.

Throughout the evening, audiences will encounter songs of love, longing, family, celebration, and home. Folk melodies passed from one generation to the next are reimagined through expressive chamber arrangements, while original works, including violinist and composer Megan Gould’s Teuta the Queen, create a dialogue between Albania’s musical past and its artistic future. The program also pays tribute to the Arbëresh people, descendants of Albanians who settled in southern Italy more than five centuries ago and continue to preserve their language, customs, and music today.

The concert was conceived by Kosovo-born artist and architectural photographer Ilir Rizaj, who has called New York home for nearly four decades. A lifelong advocate for Albanian arts and culture, Rizaj envisioned Sounds of Albania as a way to connect the place where he was born with the city he now calls home, bringing together Albanian and American musicians through a shared appreciation for music, history, and culture.

“I’ve spent nearly 40 years building a life in New York while never losing my connection to the place where I was born,” notes Rizaj. “With Sounds of Albania, I wanted to build a bridge between those two homes. My hope is that audiences experience not only the beauty of Albanian music, but also the stories, traditions, and spirit that have shaped our culture for generations. Music has the power to connect us long before we speak the same language.”

The ensemble brings together internationally acclaimed artists whose careers span Broadway, major orchestras, world music, and international touring, united by a shared commitment to celebrating Albania’s musical heritage. The program features Albanian violinist Margret Radovani of the National Opera and Ballet Theatre of Albania; violinist, composer, and ethnomusicologist Megan Gould; Juilliard-trained violist Entela Barçi; Broadway cellist Eleanor Norton, currently performing in Moulin Rouge!; percussionist with Yo-Yo Ma’s Silkroad Ensemble, Shane Shanahan; Albanian flutist Etnika Beqrama; Juilliard-trained clarinetistIsmail Lumanovski; and music director Edmond Xhani, one of the Albanian diaspora’s most respected arrangers and musicians. Radovani also lends her voice to the beloved Albanian song Your Curls.

Home to the largest Albanian-American community in the United States, New York provides a fitting setting for Sounds of Albania. The concert offers members of the Albanian diaspora an opportunity to reconnect with familiar traditions while inviting audiences of every background to discover a musical culture that continues to evolve across generations. Net proceeds from the concert will benefit the Albanian American Women’s Organization, Motrat Qiriazi, whose mission is to empower Albanian-American women through mentorship, education, cultural initiatives, and social support while preserving Albanian heritage.

TICKET AND VENUE DETAILS

Sounds of Albania performed by the Queen Teuta Quartet will take place on Thursday, September 17, 2026 at 7:30pm in Theater 2 at the Tribeca Performing Arts Center, located at 199 Chambers Street in lower Manhattan. The theater is accessible by the 1, 2, 3, A or C lines.

Tickets start at $55 and available at https://tribecapac.org/event/sounds-of-albania/

ABOUT QUEEN TEUTA QUARTET

The Queen Teuta Quartet is a New York-based chamber ensemble dedicated to sharing the richness of Albanian music through contemporary chamber performance. Named for the legendary Illyrian Queen Teuta, a symbol of strength, resilience, and cultural pride, the ensemble brings together Albanian and American musicians to reimagine traditional repertoire through original compositions and inventive arrangements. Led by music director Edmond Xhani, the ensemble celebrates the past while creating new opportunities for cultural connection through music.

Kimberly Giannelli

The PR Social

Public Relations and Marketing Specialist

kimberly@theprsocial.com

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT