• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prof. as. dr. Albert Riska, in memoriam…

August 14, 2026 by s p

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan/

Më 13 gusht 2026, gjuhësia shqiptare humbi një nga studiuesit e saj të përkushtuar, Prof. as. dr. Albert Riskën, i cili u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare, duke lënë pas një vepër të çmuar në gjuhësinë historike, etimologji, onomastikë dhe studimet arumune.

Albert Riska lindi më 8 shtator 1963. Studimet për Gjuhë-Letërsi i kreu në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, me të cilin lidhi gjithë jetën e tij akademike. Pas një përvoje të shkurtër si mësues, nisi punën si pedagog dhe për më shumë se tri dekada dha mësim e zhvilloi kërkimin shkencor në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Në vitin 2004 fitoi gradën “Doktor i shkencave”, ndërsa në vitin 2013 titullin “Profesor i Asociuar”.

Për afro dy dhjetëvjeçarë mbajti edhe detyra drejtuese në Universitetin e Elbasanit, si përgjegjës seksioni e departamenti dhe, në vitet 2016–2022, si dekan i Fakultetit të Shkencave Humane. Ishte gjithashtu sekretar i Këshillit Botues dhe redaktor i Buletinit Shkencor UNIEL.

Në veprën e tij shkencore një vend të rëndësishëm zunë arumanishtja dhe marrëdhëniet arumuno-shqiptare, të trajtuara edhe në monografinë “Arumunët — shënime për gjuhën dhe kulturën” (2005). Me “Shqipja dhe krishterimi” (2012) iu kushtua historisë së leksikut të besimit dhe toponimisë, ndërsa studimet mbi apofoninë, të kurorëzuara me monografinë “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe” (2022), përbëjnë një nga kontributet më të veçanta të punës së tij shumëvjeçare.

Krahas veprimtarisë shkencore, ishte bashkautor tekstesh shkollore, përkthyes dhe redaktor. Me “Shqipja e qeshur” (2018) solli edhe një përmasë tjetër të marrëdhënies së tij me gjuhën: humorin e hollë dhe vështrimin e studiuesit që dinte ta afronte dijen me lexuesin pa ia zbehur seriozitetin shkencor.

Vepra e profesor A. Riskës mbetet një kontribut i çmuar për gjuhësinë shqiptare dhe një trashëgimi që meriton të lexohet, të studiohet dhe të çohet më tej.

Në këto çaste të dhimbshme, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve, studentëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me të.

I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e Prof. as. dr. Albert Riskës!

Filed Under: Sociale

DY ETNOGRAFË FRANCEZË NË MALET SHQIPTARE

August 14, 2026 by s p

Luan Rama/

Shumë vite më parë, kur sapo kisha filluar punën si diplomat në ambasadën shqiptare në Paris, një ditë më ra në duar zarfi i një etnografeje franceze i dorëzuar kohë më parë atje bashkë me një dorëshkrim : ishin mbresat e Jacqueline Bénézech gjatë një udhëtimi në malet e veriut shqiptar në vitin 1938, bashkë me të shoqin, René Bénézech (Rëne Benezesh), edhe ai etnograf, piktor dhe fotograf, i cili kishte bredhur nëpër Afrikë dhe qëndrat arkeologjike të Greqisë. Padyshim që më bëri përshtypje ky dorëshkrim i shtypur me një makinë shkrimi nga vet zonja Zhaklinë Benezesh, i cili mbante ende mes rreshtash disa korigjime me dorën e saj. Kjo studjuese kishte qenë një mike e vjetër e ambasadës, meqë jo vetëm ky vend por dhe një histori e veçantë gjatë atij udhëtimi disa dekada më parë e kishte mbajtur të lidhur me Shqipërinë. Pikërisht në malet e Vermoshit ajo ishte bërë nune e një foshnje shqiptare, Pashkës së vogël, të cilës, në mënyrë ceremoniale i kishte prerë flokët; nune e asaj fëmije, të cilën pas atij udhëtimi nuk do ta shikonte më. Sigurisht, ajo kishte dashur ta takonte një ditë por kjo dëshirë për ta vizituar edhe njëherë atë familje të mrekullueshme shqiptare dhe Pashkën e rritur, kishte mbetur një dëshirë hipotetike, e parealizuar. Një histori interesante për të cilën, në vitet ’90 do të shkruaja diçka dhe në shtypin shqiptar si dhe një kapitull në librin tim të botuar në Paris “Pont entre deux Rives” (Ura mes dy brigjeve).

Këtë dorëshkrim të Benezesh e gjeta përsëri kur u ktheva sërish në ambasadë në vitin 1997 dhe një dëshirë më shtynte ta përktheja, por kjo punë do të zgjaste shumë vite derisa më më së fundi u ula dhe e përktheva. Shpesh kur udhëtoja drejt veriut shqiptar, imazhet e imagjinuara të atij çifti etnografësh më shfaqeshin parreshtur, pasi ishin vende që i kisha shkelur kur si kineast xhironim filma dokumentarë në Nikaj-Mërtur, Ragam, Dragobi, Vermosh, Bjeshkët e Namuna, Kukës apo gjetkë. Madje një udhëtim pothuaj identik e kisha kryer bashkë me një operator të Kinostudios, Rakip Zeneli në vitet ’80, nga Shkodra, drejt Leqeve të Hotit, urës së Tamarës dhe rrugës që shkonte drejt Lëpushës e Vermoshit ku ne ndalëm të flinim dy netë, pikërisht aty ku fare pranë kalonte vija e kufirit që ndante Shqipërinë me Jugosllavin. E pra pikërisht aty, kishte kaluar netët dhe çifti Bénézech. Më pas ne kaluam nga Shala me ujët e kulluar dhe urën e varur në shkëmb, ku ata kishin gjetur kostumet e mrekullueshme të kësaj zone, pastaj nga Thethi, me kishën e bukur të dikurshme ku ata kishin kaluar një natë të këndshme me fratin Antonio dhe “suora-n” Rexhina, duke vazhduar pastaj drejt Bogës dhe më së fundi, në të njëjtin itinerar, ne zbritëm përfundimisht në Shkodër por padyshim me një ndryshim të madh: ne ktheheshim hipur në një makinë, ndërkohë që çifti Bénézech më shumë se gjysmë shekulli më parë kishte ecur herë në këmbë e herë mbi kuaj, mes furtunës, borës dhe të ftohtit të madh, gjersa pas njëzet ditëve ishin kthyer të dërmuar në hotelin e tyre në Shkodër.

Sigurisht ky dorëshkrim më zgjoi shumë kujtime por dhe mjaft kureshtje për të njohur jetën malsore të një epoke që unë nuk e kisha jetuar, atë të viteve ’30 të shekullit XX. Dhe kështu fillova të kërkoj akoma më shumë rreth jetës së dy etnografëve francezë René dhe Jacqueline Bénézech (Rëne dhe Zhaklinë Benezesh). Cilët ishin këta njerëz të pasionuar dhe cili kishte qenë fati i atyre shqiptarëve që i kishin pritur në vatrat e tyre të varfëra dhe u kishin hapur portat në ato netë të stuhishme, siç i përshkruan Zhaklinë në dorëshkrimin e saj, dorëshkrim që për dekada me rradhë mbeti i pabotuar në sirtaret e ambasadës?

Një nga shqiptarët që u kujdes për udhëtimin e tyre në Shqipëri ishte Rexhai Kosturi, drejtori i Zyrës së Turizmit shqiptar, një njeri shumë simpatik dhe me kulturë që fliste disa gjuhë të huaja dhe që kishte hijen e një aktori si Clark Gable. Më vonë, çifti Benezesh do ta kujtonte shpesh këtë njeri modern dhe europian si dhe gruan e tij të bukur, një studente soprano që studjonte në Romë e që më vonë do të bëhej një artiste e famshme : Gjyzepina Kosturi. Ishte ai që do ti ndihmonte në kërkimet e tyre etnografike, veçanërisht për studimin e kostumeve tradicionale dhe objekteve materiale të kulturës shqiptare por dhe në organizimin e udhëtimeve nëpër Shqipëri. Por ai që do ti shoqëronte për shumë kohë në malet shqiptare ishtë shefi i Park Automobil, zoti Bonati. Kujtimet e Zhaklinë Benezesh, edhe pse pa shumë përshkrime të gjata, shkruar gjatë udhëtimit në fletoret që nuk i ndante nga vetja, janë të mbushura me episode mjaft humane dhe detaje spikatëse që tregojnë për një vëzhguese të hollë e me humor. Ajo përshkruan vende, ngjarje, tipa dhe karaktere të ndryshme, histori shqiptare të këtyre maleve me ligje të ashpra por dhe me mikpritjen e madhe, besën dhe bujarinë shqiptare. Ishte një lloj kroniste e jetës së përditshme shqiptare gjer dhe në aspekte të kulinarisë, jetës së bektashinjve, pazaret popullore e po ashtu dhe e jetës diplomatike në Tiranën e viteve 1938-1939, etj.

Drejt veriut dhe vendeve mitike të jetës shqiptare

Një nga ngjarjet më spikatëse që ajo përshkruan është ajo në Vermosh në atë fillim dimri të vitit 1938, ngjarje të cilën do ta ruajë në zemër si një nga dashuritë më prekëse. Është ajo e prerjes së flokëve të Pashkës së vogël që më solli në mendje një histori të ngjashme që kishte ndodhur pothuaj gjysmë shekulli më parë se ata të ndërmerrnin udhëtimin e tyre nëpër veriun shqiptar, koha kur konsulli francez në Shkodër, Alexandre Degrand, autori i Souvenirs de la Haute Albanie (Kujtime nga Shqipëria e Epërme), priste flokët e një fëmije nga Drishti i Mbishkodrës të zbritur me prindërit e tij në konsullatën franceze, duke bërë kështu ritualin, pra të pranonte të bëhej kumbar për atë malsor të vogël gati një vjeçar. Madje atë foshnje, ai e kishte fotografuar ndërkohë që nëna e tij, me një shami të bardhë në kokë i jepte gji. Ashtu si konsulli francez Degrand, edhe Zhaklina i kishte dhënë asaj fëmije dhuratat e saj, një shami mëndafshi dhe monedha argjendi, ndërkohë që asaj i zgjasnin një pako llokumesh dhe Rënesë çorape leshi të punuara nga nëna e foshnjes, siç ishte tradita e këtyre maleve. Vallë a e kishte fotografuar Rëne këtë ritual me aparatin e tij?… Sidoqoftë, dëshira për ta kryer këtë përkthim më së fundi u realizua. Kjo histori më kishte ngacmuar së tepërmi, aq sa për shumë kohë u përpoqa të gjeja dhe gjurmët e Pashkës, por më kot, sepse nga veriu shqiptar pas viteve ’90 shumë njerëz ishin larguar drejt Tiranës dhe të tjerë kishin emigruar nëpër Europë dhe në Amerikë.

Rëne Benezesh kishte qenë një personazh mjaft interesant dhe me profesion piktor, një tip bohemi, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore kishte qenë interpret i gjuhës kineze dhe më pas kishte rrahur vendet e Magrebit në Afrikë, veçanërisht në Marok ku ishte njohur me Zhaklinën e ku kishte pikturuar shumë tablo për çka do e konsideronin si një “piktor orientalist”. Në vitin 1929, si etnograf, ai kishte udhëtuar nëpër Ballkan dhe në vitin 1938, bashkë me gruan e tij, etnografen e re Zhaklinë Benezesh, nga Bordeaux, ai ndërmori një mision për “Muzeun e Njeriut” në Paris (“Musée de l’Homme”) për të zbuluar jetën dhe botën shqiptare. Ndoshta ishte ndër misionet e para të etnografëve perëndimorë të ardhur me një mision të caktuar në Shqipëri. Në fakt çifti Benezesh e kishte vizituar Shqipërinë shkarazi në janarin e vitit 1931, në kohën kur ata ishin nisur të vizitonin Greqinë në një kohë të zymtë dimri dhe shiu të vazhdueshëm. Në gusht të vitit 1939 Rëne dhe Zhaklina ishin nisur për mision gjithashtu dhe në Jugosllavi. Në Siri ata i gjejmë në vitet 1940-1941. Pastaj Franca u pushtua dhe ata u kthyen. Pas Luftës së Dytë Botërore në prag të një misioni të ri, Rëne Benezesh kishte vdekur më 1945. Ndërkohë Zhaklina do të vazhdonte misionet e saj në Azi apo Indi, madje duke botuar dhe libra mbi kulturat popullore të popujve.

Një koleksion i jashtëzakonshëm fotografik

Rëne Benezesh ishte njëkohësisht fotograf dhe një mori fotografish gjenden sot në «Quai Branly» në Paris dhe në “Muzeun Mesdhetar të Natyrës” në Marseille ku janë fiksuar fotografi peizazhesh, veçanërisht kostumet, tipat malsorë, etj., ku siç e përshkruan në dorëshkrimin e saj Zhaklina, një nga shqetësimet kryesore të Rënesë ishte fotografimi i natyrës, veçanërisht i objekteve etnografike, i kostumeve, i tipologjisë së femrës shqiptare, tipit të malsorit të veriut, etj. Edhe kur kishte stuhi dhe rrebeshi i lagte qull në ato shtigje të humbura, ajo që do të ruhej më shumë ishte aparati i tij. Me të ai fiksoi imazhe jo vetëm në veriun shqiptar, por dhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, siç dëshmon dhe ai udhëtim i shpejtë që ata kishin bërë drejt jugut, çka e shohim përmes fotografive të tyre me gratë e veshura me kostumet e Dardhës, të Korçës, Elbasanit, me kostumet orientale të Shqipërisë së Mesme, etj. Pas një qëndrimi në Tiranë dhe takimet me ministrin francez në ambasadën e Francës, zotin Mercier, ata e kishin vazhuar aventurën e tyre shqiptare edhe drejt jugut. Sigurisht, këto fotografi përbëjnë një pasuri më vete të trashëgimisë sonë, ashtu siç janë dhe objektet e ndryshme që ata kanë blerë nëpër Shqipëri si figurina poçerie, punime druri, argjendi, bilbila e instrumenta muzikore, kostume si xhubleta, jelekë, etj.

Duke vështruar fotografitë e koleksionit Benezesh në muzeun e madh të Parisit në «Quai Branly», ndeshesh me fotografi mjaft interesante nga ana etnografike, imazhe të fiksuara në pllaka xhami me nitrat dhe autokrome, si ato që kishin përdorur më parë në Shqipëri gjatë vitit 1913 fotografi Auguste Léon e gjeografi Jean Bruhnes. Në këto fotografi, nga Tirana ata kanë fotografuar një burrë me jelek, shtëpi, pazarin e vjetër, dyqane stofrash, gra nëpër rrugë, gra tiranase me dimite apo me veshje katolike e shumë aspekte të tjera të jetës së përditëshme siç ishin artizanët, punonjësit e qelesheve, pazaret, pastiçierët, argjendarët etj. Shumë fotografi janë nga Berati, Konispoli, disa pamje peizazhi nga Zadrima, burrë me kostume popullore, ambjente pazari. Nga Shkodra janë një sërë fotografish ku spikasin veçanërisht ndërtesat e mëdha apo interioret siç janë dhe ato në familjen e Gjon Suma. Në disa fotografi duket «princesha» e familjes Bib Doda si dhe vajza e saj me kostume popullore; në Pukë, gra muslimane dhe katolike, si dhe fotografi nga Kosova (kostume popullore në mjedise familjare, oborre, etj.).

Po kështu dhe Malësia e Madhe, veçanërisht vajzat me xhubleta, në sfonde natyrore mjaft interesante, të gjitha këto me ngjyra. Por Rëne Benezesh kishte fotografuar dhe shumë imazhe qytetare në film bardh e zi, si në Tiranë ku duket pazari i shalqive, pazari i rrushit, i poçerive, bukëpjekësit, farkëtarët, këpucarët, dyqanet dhe punishtet e prodhimit të qelesheve, etj., (fotografi gjithashtu në pozitiv xhelatino-bromur argjenti në pllaka xhami). Të tilla janë dhe fotografi grash me kostume nga Dardha, Gjirokastra, Elbasani, etj. Por habia më e madhe ishte se kur u riktheva në Musée du Quai Branly për të seleksionuar fotografitë, pashë se tashmë kisha të bëja me një fond edhe më të madh, prej 706 fotografish dhe pikërisht aty gjeta dhe personazhet që Rëne dhe Zhaklinë kishin takuar dhe që ai kishte fotografuar gjatë atij udhëtimi: Preng Calin me gruan e tij të shtatvogël, Pashkon, Kol Petrushin me familjen e tij, Fran Zefi, pater Antonin e kishës së Thethit, malsorët e rinj që i kishin gjetur një natë stuhie dhe i kishin nxjerrë gjer në shtëpitë e tyre, Toma, Nikolla, Gjergji…

Të gjithë ishin aty. Ishte një koleksion i jashtzakonshëm që meritonte padyshim një ekspozitë të madhe, pasi nuk ishin vetëm personazhet e peizazhet e veriut, por ishin skena të jetës shqiptare në disa qytete të Shqipërisë së vitit 1938. Mjaftojnë këto fotografi për të kuptuar shumëçka nga bota shqiptare fiksuar në celuloidin e filmit, madje dhe shitësit e akulloreve me dëborën e maleve, adoleshentët me qirinj në “Natën e Kadrit”, artizanët e kadaifit, zadrimoret me flokët e lyera me një lloj llaku, bixhuteritë e kohës dhe objektet pagane apo vende kulti që nuk ekzistojnë prej kohësh si xhamia e Mustafa Pazarit, teqe të ndryshme, etj

Në disa fotografi të ekspozitës së parë etnografike të hapur në Paris dhe të inaguruar në 26 nëntor të vitit 1965 nga ambasadori shqiptar Kristaq Misha si dhe autoritetet franceze, janë dhe disa fotografi të koleksionit Benezesh, ku Zhaklinë, si një njohëse e hershme e etnografisë shqiptare, u prin gjithë të pranishmëve. Një ceremoni zyrtare dhe eksponante interesante, një pjesë të ardhura nga Shqipëria dhe pjesa tjetër e koleksionit të çiftit Benezesh dhënë «Muzeut të Njeriut» në Paris: pushkë të gjata, kostume kombëtare, jelekë e xhubleta, punime druri, dekoracione familjare, qilimet e bukura të Kukësit, manekinë me kostume dasme, etj.

Në vitet ’90, në fondet për Ballkanin të “Musée de l’Homme” kisha parë dhe një koleksion objektesh etnografike për Shqipërinë, disa të dhuruara nga senatori Justin Godart, para se ai të vdiste e po kështu dhe koleksionin e pasur të çiftit francez Benezesh, që i ishte dhuruar muzeut. Për më tepër aty ruhej edhe regjistrimi i emisioneve të tyre në “Radio-France” pas kthimit të tyre nga Shqipëria (1939), ku të intervistuar nga gazetarët francezë ata tregonin për eksperiencën e tyre shqiptare dhe jetën tradicionale në Shqipëri, për pasurinë e kostumeve, zakonet, për punimin e qelesheve, zbukurimin e armëve, historitë rreth Kanunit, etj, e ku mbi gjithçka shprehej një simpati e madhe për shqiptarët. Ja çfarë shkruante ai për kostumet e malsorëve: «… Sigurisht, vështirë të imagjinoja kostum më hijerëndë dhe njëkohësisht më të jashtëzakonshëm nga bukuria dhe me një prerje aq mjeshtërore, çka e bën xhubletën një përjashtim midis kostumeve më të habitshme fshatare, ku gjithçka duket se qëndron në valëzimin e ngjyrave. Prerja e kostumeve popullore shqiptare çka është një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje, është gjithnjë mjeshtëria e rrallë e punimit të tyre. Kjo të shtyn të mendosh për krijimet me një origjinalitet të madh, me silueta veshjesh që nuk e kemi zakon t’i gjejmë diku tjetër. Dhe nuk dyshoj se artistët tanë të modës parisiane do të gjenin aty një burim të madh frymëzimi…».

Shumë vite do të kalonin dhe në prill të vitit 2004, Zhaklinë Benezesh vdiq në moshën 101 vjeçare, pa e vizituar më Shqipërinë edhe pse një dëshirë e madhe e mbante të lidhur me atë vend. Sidoqoftë, ky libër, ky dorëshkrim i përkthyer tashmë në shqip, do të jetë një pikëtakim imagjinar i etnografes me malet e veriut shqiptar, ku udhëtimi i parë i përket vitit 1931 (10-18 janar) dhe udhëtimi i dytë që zgjati më shumë se 5 muaj, nga 26 korriku i vitit 1938 e deri në 15 janar të vitit 1939, dita kur morën anijen dhe përmes liqenit të Shkodrës iu drejtuan Malit të Zi, Dubrovnikut, Zagrebit e më pas Munihut të Gjermanisë për të mbërritur në Paris.

Në vitet ’20-’30 kishin udhëtuar gjithashtu dhe disa gazetare dhe antropologe siç ishin amerikania Rose Lane në vitin 1921, austriakja Margaret Hasluk apo gazetarja franceze Paule Fercoq de Leslay më 1936, e cila kishte botuar dhe një reportazh të gjatë me dy numra në revistën e njohur l’Illustration për udhëtimin e saj gjatë tetë muajve me rradhë në malet e veriut dhe të jugut shqiptar. Padyshim një udhëtim i rrezikshëm përmes maleve, në rrugë të panjohura dhe në një kohë kur dimri sapo kishte filluar, e megjithatë, dëshira për të zbuluar jetën shqiptare ishte më e madhe se frika që mund të rrezikonte në këtë peizazh madhështor, të rrezikshëm e plot të papritura. «Gjatë dy muajve, – ka shkruar Rëne Benezesh dhe në një letër drejtuar nga Shkodra drejtorit të Musée de l’Homme, Jean Soustelle, më 10 tetor 1938, «ne bëmë studimet etnografike në qytetin e Tiranës, i cili ka një pazar interesant, ku më tërhoqi në veçanti punimi i qelesheve. Në këtë vend, ku ka tri besime, sektet muslimane lulëzojnë ngado. Në sajë të miqësisë me disa dervishë ne mundëm të zbulojmë dhe botën e fshehtë të tyre. Siç e dini, interesi ynë më i madh është studimi i kostumeve… Shqipëria është një vend me shumë interes e ndoshta nga ana etnografike më pasionanti në Europë, pasi këtu janë gjurmët e një qytetërimi shumë të vjetër autokton…”

Sigurisht që udhëtimi i tyre në veriun shqiptar ishte nga më interesantët. Kështu, më 18 tetor të vitit 1938, çifti Benezesh i ishte drejtuar Hanit të Hotit e më pas Tamarës e Lëpushës në lartësitë e mbi 2000 metrave. Ata shoqëroheshin nga interpreti i tyre shkodran, Bonati një njeri i sprovuar në udhëtime të tilla dhe njohës i gjuhëve të huaja si dhe dy qeraxhinj, Asllani dhe Ismaili, bashkë me kuajt e tyre ku janë ngarkuar dhe bagazhet. Gjatë rrugës, midis shkëmbenjve, ata ndeshen me ngrehina të braktisura, meqë barinjtë janë larguar nga verimi i bagëtive, duke hequr dhe çatitë e vathëve, që ato të mos shkatërroheshin nga rrebeshet e stuhitë e dimrit. Natën, për të fjetur, shtrihen ku munden në dyshekë pneumatikë që kanë marrë nga Parisi dhe të nesërmen vazhdojnë udhën sërish. Një natë ndalojnë në shtëpinë e malsorit të quajtur Kol Petrushi, duke hyrë në një dhomë ku reja e tymit nderet mbi kokat e njerëzve, pasi në atë dhomë, si në shumë kulla malsore nuk ka oxhak. «Të varfër, por me një pritje bujare», shkruante Zhaklinë. Ndërkohë Rëne fotografon si Kol Petrushin ashtu dhe kullën e tyre, njerëzit e familjes, gruan apo nusen e djalit, atje në dekorin e maleve.

Të nesërmen ishte plaka e Petrushit që me shkop në dorë, nëpër dëborë, u printe përpara si një dhi e egër për tu treguar rrugën drejt Ranza e Shënikut. Shpesh plakës i duhet të ndalojë dhe të presë afrimin e karvanit që ngjitet ngadalë. Etnografes franceze ajo i dukej si «një personazh përralle», siç e shkruan ajo në ditarin e saj. Më pas, duke kapërcyer shkëmbenj e katarakte, karvani ndalon në një shtëpi tjetër ku jetojnë brenda një dhome të madhe e disi të ndarë 26 persona të së njëjtës familje. Atje pjekin patate dhe rreth zjarrit, siç është zakoni, i zoti i shtëpisë i bie lahutës dhe ia merr një kënge të gjatë nga eposi kreshnik, duke i kënduar një bote të largët e mitike, heronjve të këtyre maleve. Zhaklina kupton se gjithçka përreth asaj shtëpie, orenditë, veglat e punës, kostumet, instrumentat, objektet e përditshme e të kuzhinës, gjithçka atje ishte një muze i vërtetë etnografik. Dhe për më tepër në një vend që shpesh ata, për nga bukuria e peizazheve e krahasojnë me Zvicrën. Pikërisht atje, gjatë natës, të shtrirë midis turmës, ku disa janë ngjeshur anash zjarrit në mes të dhomës, gjatë natës. Rëne ndjen se një «kafshë» e habitshme i ngjeshej prapa veshit.

Por vetëm në mëngjes ata pikasën se nuk ishte gjë tjetër veçse gishtat e këmbëve të asaj plake të shtrirë më tej që ishte në agoninë e saj. Po kështu, gjatë natës, Zhaklina ishte habitur tek flinte me atë lloj «jastëku» të butë që merrte forma të ndryshme, por vetëm në mëngjes ajo konstatoi se ishte një plënc lope. Udhëtimi i tyre vazhdon, ditët ndjekin njëra-tjetrën dhe ja ku gjenden në një situatë dramatike, të humbur mes asaj humbëtire, ku kuajt rrezikojnë përsëri të bien në greminë, në mes të stuhisë dhe një të ftohti të jashtëzakonshëm pa ditur nga të shkojnë, gjithnjë në kërkim të Qafës së Pejës. «Situata po bëhej tragjike, – shkruan Zhaklina, – gjersa më së fundi lodhja do të na detyronte ta linim pa Zot fatin e jetës sonë.». Dhe ja, dy djem të rinj, fatmirësisht si të rënë nga qielli, u gjenden aty dhe i ftojnë në vatrën e tyre duke u prirë përpara.

Në këtë udhëtim një mbresë të veçantë çifti francez ka gjatë qëndrimit në kullën e Preng Calit, figura e të cilit duket se i tërheq në mënyrë të veçantë. «Preng Cali, – shënonte ajo, – erdhi drejt nesh duke zgjatur duart, me një fytyrë energjike dhe një buzëqeshje të mrekullueshme.

Që me shikimin e parë ishte shumë simpatik. Një gjigand i vërtetë. Ishte i gjatë të paktën 2 metra. Ishte i veshur shumë pastër, me kostumin e Malsisë së Madhe, një kostum me një elegancë të veçantë. Flokët i kishte të bardha dhe mustaqet të shkurtra që spikasnin në figurën e tij të gjatë e të dobët. Natyrish, brezi i tij ishte i zbukuruar me një revolver të madh, një tjetër me një dorezë fildishi apo prej kocke, një model si ato që mbreti u jepte atyre që donte t’i shpërblente e t’i nderonte…”

Preng Calin, ashtu si dhe Fran Zefin më pas, dy etnografët i shohin si personazhe që më shumë i afrohen mitit sesa realitetit të përditshëm të jetës në këto male. Prenga, ky malsor, që jepte dhe jetën për mbrojtjen e kufijve, në fillim ishte zemëruar me mbretin për shkak se ai ishte gati t’ia linte kufijtë e veriut Jugosllavisë, e madje e kishte internuar në kalanë e Gjirokastrës. Por më pas, vetë mbreti e kishte liruar dhe i kishte dhuruar edhe një kobure të zbukuruar në argjend, meqë mbretëria kishte nevojë për prijësat e bajraktarët e veriut. Por të veçanta për etnografët ishin dhe marrëdhëniet e tyre, veçanërisht të Zhaklinës me Pashkon, gruan e Prengës, e cila që kur francezja hyri në kullën e tyre e puthi drejt e në gojë. I habitshëm ky gjest për një grua që vinte nga Parisi midis këtyre maleve! Vallë a do ta mësonte kjo franceze historinë e mëpasme të kësaj familje fill pas mbarimit të luftës, kur Prenga do të rrethohej në një shpellë, do të kapej dhe do të varej?

A do ta mësonte ajo fatin e Pashkos pas Luftës së Dytë Botërore, të asaj gruaje të mirë që i shkonte mbrapa si e si ta kënaqte dhe që shpesh e godiste me dorën e saj mbi shpinë për t’i shprehur dashurinë? Pashko do të përjetonte një kalvar më vete në jetën e saj pas vrasjes së Prengës, ku disa njerëz të familjes u kujdesën për të deri sa ajo vdiq në vitin 1967. Jo, askush nuk do t’i tregonte francezes se çfarë kishte ndodhur me gruan e Prengës… Megjithatë Rëne nuk kishte harruar t’i fotografonte të dy, siç i shohim sot në disa fotografi para kullës së tyre në Vermosh: Prenga i gjatë, veshur me shajak dhe Pashka shtatvogël me kostumin e saj të Malësisë së Këlmendit. Një çift i çuditshëm, por me një zemër të madhe!

Pas thuajse një muaj nëpër malet dhe vatrat bujare të veriut, karvani me dy etnografët francezë u kthye në Shkodër. Qëndrimi i tyre i fundit kishte qenë te frati i kishës së Thethit, At Antonio. Njerëzit e Fran Zefit i shoqërojnë deri sa ata dalin në rrugë të madhe. Më së fundi mund të nisen drejt Koplikut e të zbresin poshtë drejt Shkodrës. Por djaloshi malësor u kërkon ta njoftojnë më parë kur të vijnë herës tjetër, pasi ai do t’i presë që në kufi e s’ka nevojë për shkresa qeverie sepse ata do të jenë në dorë të tyre, në mikpritjen bujare të malsorëve shqiptarë. Kur karvani mbërriti në Shkodër, siç shkruan Zhaklinë Benezesh, “njerëzit na shikonin me habi, ndërkohë që Asllani u thoshte: “Janë francezë!»… Në hotel, shërbyesja e dhomës nuk arriti të na njohë. E kuptuam këtë kur u shikuam në pasqyrë. Kopshtet që shikonim përreth ishin me lule dhe qielli ishte blu. E hënë, 7 nëntor 1938. Ka tre muaj që ne kemi lënë Parisin…”

Më 13 nëntor 1938, përmes një letre dërguar nga Shkodra, Rëne Benezesh i bën të njohur mikut të tij dhe përgjegjës në “Musée de l’Homme”, Jean Soustelle, se «bën një i ftohtë i madh në malet e veriut, ku kemi ardhur që prej një muaji për kërkimet e kostumeve, por për çastin s’kam me çfarë tu shkruaj gjatë… mos ma vini re se do tu shkruaj disa rreshta me dorën që më është ngrirë nga të ftohtit». Rëne e falenderon për lajmin që i ka dhënë se Instituti i Etnologjisë në Paris i ka dhënë një fond shtesë prej 10.000 frangash për vazhdimin e misionit dhe blerjen e kostumeve. «Jam i gëzuar dhe besomëni se do të bëj një punë të plotë, pasi këtë gjë e kam për zemër, – i shkruan ai. – Asgjë nuk më pengon në këtë drejtim, madje as koha e keqe. Ky vend është me një interes etnografik aq pasionant sa nuk më vjen keq që po lodhem…»

Një aromë europiane në malet shqiptare

Udhëtimi i tyre do të vazhdonte më tej nëpër veriun shqiptar, kësaj rradhe drejt Vaut të Dejës, Gomsiqes, Pukës, Mirditës, Burrelit e Martaneshit, për të zbritur më së fundi drejt Tiranës. Ngado që shkojnë e njëjta mikpritje. Është e habitshme që nëpër këto male pikëtakojnë njerëz që kanë jetuar nëpër Europë, që flasin gjuhë të huaja. E habitshme të gjejnë polakë nëpër ato gërxhe, kryetarë bashkie që flasin frëngjisht, komandant xhandarmërie me një grua gjermane që i dhuron Zhaklinës karafilë. E habitshme kjo aromë europiane nëpër malet e Mirditës apo Burrelit. Në Shkodër, një nga shqiptarët që i ndihmon është dhe zoti Ashik, i cili prej shumë vitesh kishte jetuar në Paris. Më 17 dhjetor 1938, në prag të përgatitjeve të tyre për tu nisur drejt Parisit, Rëne Benezesh i shkruante ndër të tjera Jean Soustelle-it: «Për dy javë do të nisem drejt Parisit. Kalova këtu më shumë se dy muaj nga parashikimi i mëparshëm në sajë të mbështetjes me fonde të Institutit të Etnologjisë dhe besimit që ata më dhanë.

Do të sjell shumë kostume e objekte, të cilat do më lejojnë pas kthimit tim atje të bëj një punë serioze grafike për kostumet shqiptare. Shumë nga kostumet janë të shtrenjta, por qeveria shqiptare vendosi t’i dërgojë disa kostume «Muzeut të Njeriut», si huazim për një kohë të papërcaktuar. Por dhe unë vetë me fonde të mia kam blerë kostume edhe pse nuk i kam vendosur ende në bagazhe. Së shpejti do lëmë Tiranën. Me valixhen diplomatike që niset sot, po dërgoj klishetë fotografike. Këto çaste po vazhdoj punën. Mendoj të shkoj në jug të Shqipërisë që të plotësoj dokumentacionet e mia e pastaj të nisem drejt Francës. Do të vij me tren nga Domodosola në Itali, por ju lutem kërkoni për mua dy leje-kalimi që më duhen për të përfunduar udhëtimin tim. M’i dërgoni në Legatën Franceze këtu…”

Të dashuruar fort pas shqiptarëve dhe Shqipërisë, ky çift e ka të vështirë ndarjen me miqtë e tyre të rinj. Para se të linin Tiranën, Rëne i shkruan përsëri mikut të tij në Musée de l’Homme: «Më së fundi, kësaj rradhe po marr rrugën e kthimit dhe padyshim që do të jem në Paris para fundit të muajit janar. Ne qëndruam pesë muaj në Shqipëri në vend të tre muajve dhe shpresojmë se e kemi shfrytëzuar mirë kohën tonë në interes të punës për të sotmen dhe të ardhmen. I vura vetë në arka dy kostume shumë të bukura dhe të plota që janë dërguar në emër të Ministrisë së Arësimit, për Muzeun e Njeriut “via” Legata shqiptare në Paris…”

Më 3 janar të vitit 1939, siç më tregonte Josiane Barbier gjatë takimeve tona në Paris, e cila Zhaklinën e kishte patur si nënën e saj, ata ishin takuar në Tiranë edhe me ministrin Musa Juka dhe kishin zgjedhur koleksionet e kostumeve. Pastaj ishin drejtuar drejt Kavajës bashkë me një shqiptar të quajtur Koria, edhe pse me një kohë të keqe.

Më 4 janar, sipas shënimeve të saj, ata ishin takuar me përfaqësuesin e Francës, zotin Mercier, i cili u ishte shprehur se “puna juaj është një ogur i mirë në marëdhëniet franko-shqiptare”. Më 15 janar 1939, më së fundi çifti Benezesh u nis me anije nga Shiroka përmes liqenit drejt Malit të Zi e më pas drejt Bosnjes, Kroacisë, Munih e në fund drejt Parisit. Këtu mbaronte dhe “aventura” e tyre shqiptare, një vend ku nuk do të ktheheshin më.

Pak muaj do të kalonin kur në shtypin francez ata do të dëgjonin lajmin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit. Në fakt, fill pas kthimit nga Shqipëria në janar të vitit 1939, në një emision të “Radio-France”, për udhëtimin e saj në Shqipëri (maj 1939, pra pas pushtimit te Shqipërisë nga ushtria musoliniane) para mikrofonit Zhaklina do të shprehej: “Gjatë qëndrimit tonë në malet e Shqipërisë së veriut, unë jetova gjatë në një familje barinjsh ku u krijuan lidhje shumë të fuqishme midis tyre dhe meje, aq sa ata më kërkuan të bëhesha «nuna» e fëmijës së tyre. Nuk e di, nëse në këtë jetë të thjeshtë e të ashpër do mendoja kaq shumë për këtë familje shqiptare. Që nga ajo kohë, kjo gjë ka qenë për mua një nga gëzimet dhe emocionet e mia më të sinqerta, dhe që atëherë unë ndjehem e lidhur me ata. Asgjë nuk mund ta trondisë këtë lidhje me ata malsorë aq krenarë e të mirë. Ngjarje të mjerueshme politike do më pengojnë padyshim t’i takoj edhe pas shumë vitesh të tjera… për aq kohë sa vendi i tyre i shtrenjtë nuk do të ketë fituar pavarësinë e vet.”

Kur mbarova përkthimin e dorëshkrimit, më kishte mbetur peng që s’kisha gjetur një pasardhës të familjes së Zhaklinë Benezesh, edhe pse kisha muaj me rradhë që telefonoja kudo që gjeja familje me mbiemrin Benezesh si në Paris, Lyon, Marseille, Bordeaux e gjetkë. Por ky mbiemër ishte mjaft i përhapur dhe e pamundur të gjeja gjurmët e të afërmve të saj.

Rastësisht një ditë, duke kërkuar rreth burrit të saj të dytë Gabriel-Monod Herzen, me të cilin ajo u martua shumë vite më vonë pas vdekjes së Rënesë, pashë që në një site-web flitej diçka dhe për Zhaklinën. Atëherë hyra në kontakt me Christel Barbier dhe menjëherë enigma ime u zgjidh. Kur ajo kishte lindur, Zhaklina ishte në kokën e nënës së saj, Josiane. Atëherë u takova menjëherë me Josiane në një kafene përballë Gare de Lyon, kur sapo vinte nga Cepoy, pranë Montargis, ku dhe banonte. Ishim të gëzuar të dy të flisnim rreth Zhaklinës dhe aventurës së saj shqiptare, edhe pse unë doja të dija më shumë për jetën e saj. «Ah, Zhaklina ishte një njeri i mrekullueshëm, ishte një grua me një humor të jashtëzakonshëm… Jetët tona u pikëtakuan në vitin 1978, atëherë kur do të lindja. U kujdes shumë për vajzën time si një nënë e madhe. Ne jetuam bashkë me të dhe Gabrielin, që ishte nje shkencëtar me emër. Jetonim në Boulogne-Billancourt, pranë Parisit, në «Place Marcel Sembat». Ata lexonin shumë, kishin udhëtuar shumë, ishin humanistë të mëdhenj dhe kishin një bibliotekë mjaft të madhe. Ishin njohur sëbashku kur Zhaklina punonte në Musée de l’Homme dhe Gabrieli merrej me studime.

Kështu një aventurë e re filloi për ata. Bashkë shkuan në Indi, botuan dy libra së bashku, ishin intelektualë të vërtetë. Deri vonë Zhaklina priste gazetën Le Figaro në shtëpi dhe jetonte me kujtimet e udhëtimeve të saj. Kishte dëshirë ta festonim sëbashku me miq 100 vjetorin e saj. Ishte e lumturuar. Një vit më vonë ajo vdiq dhe një zbrazëtirë të madhe la në jetën tonë. Unë tashmë po merrem me studimet e saj, pasi ajo ka lënë pas shumë shënime, fletore, fotografi…»

Atë ditë Josiane më tregoi se kishte ruajtur dhe një itinerar të udhëtimit të saj në Shqipërinë e veriut. Por një nga befasitë e mia gjatë atij takimi ishte kur Josiane më tha se ata kishin qenë në Shqipëri edhe më parë, në vitin 1931. Kishin udhëtuar me makinën e tyre për të njohur Ballkanin, duke zbritur nga Mali i Zi drejt Shkodrës. Ata kishin mbërritur në Shkodër në 10 janar të vitit 1931. Në shënimet e saj, Zhaklinë shkruante se ishin pritur mjaft mirë në konsullatën franceze dhe më 12 janar kishin zbritur drejt Durrësit ku kishin takuar agjentin tregëtar të Legatës Franceze atje, zotin Stendjopulos, pasi donin të merrnin korrespondencën që u kishte ardhur nga Franca. Ishte një kohë përmbytjesh dhe Zhaklina shkruante se rrugët ishin shumë të vështira, madje dy ditë ishin të bllokuar nga ato përmbytje të mëdha. Atëherë kishin menduar të merrnin anijen për të ikur në Korfuz por meqë i njoftuan se rruga sapo ishte liruar, kishin vazhduar itinerarin drejt Tiranës ku ishin takuar me përfaqësuesin e Francës dhe arkeologun Leon Rey. Më pas ata vazhduan drejt jugut, në rrugë të vështira, duke shkuar drejt Pogradecit. Madje Rey u kishte dhënë dhe një letër për një mikun e tij, profesorin Perel në Liceun e Korçës. Më së fundi pasi kishin vizituar dhe manastirin e Shën Naumit ata kishin kaluar kufirin midis Jugosllavisë e Greqisë.

Që me kthimin e tyre ata kishin premtuar të riktheheshin në malet shqiptare, veçanërisht në veri, tek banorët e fshatrave alpine ku nuk kishin arritur të shkonin dhe ku gjeografë, kartografë apo historianë të huaj nuk kishin shkelur. Tashmë i njihnin vështirësitë, rreziqet, por njihnin gjithashtu dhe atë zemër shqiptare aq bujare e të dashur, kujtime që nuk mund të shlyheshin. Por ky premtim bërë malsorëve nuk do të realizohej dot.

Kujtimet shqiptare të Zhaklinës kishin qenë shënime të mbajtura në udhëtim e sipër, plot emocione, por lufta e gjatë, pushtimi i Shqipërisë më pas nga Gjermania naziste, vdekja e papritur e Rënesë në vitin e parë të pasluftës do sillte që Zhaklinë të largohej dalëngadalë nga ajo botë mitike që kishte përjetuar dikur në Shqipëri. Vetëm ekspozita etnografike shqiptare në mesin e viteve ’60 në Paris i dha rastin që shpirtërisht të përjetonte sërish gjithë atë udhëtim të paharrueshëm të saj, duke u përpjekur më kot të dinte se ç’ishte bërë me ata malsorë epikë e të varfër e veçanërisht me Pashkën e saj të vogël…

Filed Under: LETERSI

FRANCESCO CRISPI – KRYEMINISTRI ARBËRESH I ITALISË

August 14, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

Duke kujtuar një nga arbëreshët më të famshëm të Italisë

Më 11 gusht 1901, në Napoli, mbylli sytë një prej figurave më të fuqishme, më të diskutueshme dhe më të rëndësishme të historisë politike të Italisë së shekullit XIX: Francesco Crispi.

Sot, 125 vjet pas vdekjes së tij, emri i Crispi-t vazhdon të mbetet i lidhur me historinë e bashkimit të Italisë, me Risorgimento-n, me Giuseppe Garibaldin dhe me ndërtimin e shtetit të ri italian. Por për ne shqiptarët ekziston edhe një arsye tjetër, shumë më e veçantë për ta kujtuar: Francesco Crispi ishte me origjinë arbëreshe.

Crispi lindi në Ribera të provincës së Agrigjentos më 4 tetor 1818. Babai i tij, Tommaso Crispi, ishte me prejardhje shqiptare dhe vinte nga Palazzo Adriano, një nga qendrat historike të arbëreshëve të Sicilisë. Pikërisht kjo lidhje familjare e vendos Francesco Crispi-n në historinë e diasporës shqiptare në Itali. Treccani e përshkruan familjen e tij si një familje arbëreshe, ndërsa thekson se i ati, Tommaso, ishte me origjinë shqiptare dhe nga Palazzo Adriano.

Pra, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Crispi nuk ishte i lindur në Palazzo Adriano, por rrënjët e linjës së tij atërore lidhen drejtpërdrejt me këtë vendbanim arbëresh.

Palazzo Adriano është një nga vendbanimet historike të arbëreshëve në Sicili. Qyteti u formua nga kolonë me origjinë shqiptare në shekullin XV dhe, për shekuj me radhë, komuniteti ruajti elemente të rëndësishme të identitetit të tij kulturor dhe fetar. Treccani e përshkruan Palazzo Adrianon si një qendër të themeluar në vitet e fundit të shekullit XV nga një koloni shqiptare.

Trashëgimia arbëreshe e këtij qyteti nuk është vetëm një kujtim historik. Palazzo Adriano është përfshirë në kuadrin e mbrojtjes së minoriteteve gjuhësore historike të Italisë, në bazë të Ligjit nr. 482 të vitit 1999, i cili mbron gjuhët dhe kulturat e minoriteteve historike.

Edhe pse gjuha arbëreshe në Palazzo Adriano është dobësuar ndjeshëm gjatë shekujve dhe nuk është më gjuha e përditshme e shumicës së banorëve, trashëgimia shqiptare vazhdon të jetë pjesë e identitetit historik, fetar dhe kulturor të vendit.

Dhe pikërisht nga kjo tokë dolën disa figura të rëndësishme të botës arbëreshe.

Një prej tyre ishte Gavril Dara i Riu, i lindur në Palazzo Adriano më 8 janar 1826, një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë arbëreshe dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ai është autori i njohur i poemës epiko-lirike “Kënga e sprasme e Balës”.

Kështu, në historinë e Palazzo Adrianos takohen dy dimensione të jashtëzakonshme të kulturës arbëreshe: politika italiane përmes Francesco Crispi-t dhe letërsia shqiptare përmes Gavril Dara i Riut.

Francesco Crispi – nga revolucionari i Risorgimento-s te kryeministri i Italisë

Crispi ishte një nga protagonistët e mëdhenj të Risorgimento-s, procesit që çoi në bashkimin e Italisë.

Në rininë e tij u lidh me qarqet liberale dhe republikane dhe u bë një bashkëpunëtor i rëndësishëm i Giuseppe Mazzinit. Më vonë u afrua me Giuseppe Garibaldin dhe luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen politike të ekspeditës së të famshmëve “Një mijë” të Garibaldit në vitin 1860. Pas bashkimit të Italisë, Crispi kaloi nga pozicionet republikane drejt mbështetjes së monarkisë së re italiane.

Kjo është një nga paradokset më interesante të jetës së tij: një njeri që në rini ishte republikan dhe revolucionar, më vonë u bë një prej mbështetësve më të fortë të monarkisë italiane dhe i një shteti të centralizuar e të fuqishëm.

Në vitin 1887 ai u bë President i Këshillit të Ministrave, pra kryeministër i Italisë. Shërbeu në këtë detyrë nga viti 1887 deri në vitin 1891 dhe përsëri nga viti 1893 deri në vitin 1896 – gjithsej rreth gjashtë vjet. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme italiane japin mandatet 4 prill 1887–6 shkurt 1891 dhe 15 dhjetor 1893–9 mars 1896.

Ai ishte kryeministri i parë i Italisë që vinte nga Italia e Jugut, një fakt me rëndësi të veçantë në historinë e një shteti ku elitat politike të periudhës së parë të bashkimit ishin të dominuara në masë të madhe nga veriu dhe qendra e vendit.

Crispi nuk ishte një politikan i zakonshëm. Ai ishte një figurë e fortë, energjike dhe shpesh autoritare.

Në historinë politike evropiane të kohës ai është krahasuar me figura të mëdha si Otto von Bismarck, kancelari i Perandorisë Gjermane, ndërsa pesha e tij politike e vendos atë në të njëjtën epokë me kryeministra dhe shtetarë të mëdhenj si William Gladstone në Britani.

Por krahasimi me Bismarckun nuk ishte vetëm një krahasim i fuqisë politike. Crispi e admironte modelin e shtetit të fortë dhe ndoqi një politikë të jashtme që synonte ta shndërronte Italinë në një fuqi të madhe evropiane. Studiuesit e historisë së tij e kanë përshkruar pikërisht këtë kalim nga revolucionari demokratik i viteve të para drejt një politikani gjithnjë e më autoritar dhe nacionalist.

Kjo anë e karakterit të tij ka bërë që, dekada më vonë, regjimi fashist italian ta paraqiste Crispi-n si një lloj pararendësi të Benito Mussolinit. Megjithatë, ky është një interpretim historik që duhet trajtuar me kujdes: Crispi i përkiste botës politike liberale të Italisë së shekullit XIX dhe nuk mund të identifikohet thjesht me fashizmin e shekullit XX. Ajo që krijon lidhjen është sidomos koncepti i shtetit të fortë, nacionalizmi dhe prirjet autoritare.

Crispi dhe Shqipëria

Për shqiptarët, megjithatë, pjesa më interesante e trashëgimisë së tij është mënyra se si Crispi e perceptonte prejardhjen e vet.

Në traditën historike dhe publicistike shqiptare i atribuohet Crispi-t shprehja e famshme se ai ishte shqiptar “nga gjaku dhe nga zemra”. Kjo shprehje është bërë pjesë e kujtesës arbëreshe dhe shqiptare për figurën e tij.

Por këtu duhet bërë një dallim mes thelbit historik të prejardhjes së tij arbëreshe, që është i dokumentuar, dhe citimeve konkrete që qarkullojnë në literaturën popullore, të cilat duhen kontrolluar gjithmonë në burimin e tyre origjinal. Pra, nuk është e nevojshme të mbështetemi vetëm te një telegram apo një citat i përcjellë nga autorë të mëvonshëm për të vërtetuar prejardhjen shqiptare të Crispi-t: ajo është e dokumentuar nga burime biografike italiane.

Kjo e bën edhe më interesante pyetjen se çfarë do të thoshte për një arbëresh i shekullit XIX të bëhej një nga njerëzit më të fuqishëm të Italisë.

Crispi ishte një njeri që jetoi në dy botë: ishte italian në projektin e tij politik dhe shtetëror, por mbante një prejardhje arbëreshe që ishte pjesë e historisë familjare. Pikërisht kjo përzierje e identiteteve është një nga tiparet më interesante të historisë së arbëreshëve.

Pse emri i Crispi-t u la në heshtje në Shqipërinë komuniste?

Kjo është një tjetër çështje që meriton trajtim të kujdesshëm.

Për shumë dekada, në Shqipërinë komuniste, figura të caktuara të diasporës shqiptare nuk u trajtuan sipas rëndësisë së tyre të plotë historike, sidomos kur jeta dhe veprimtaria e tyre nuk përputheshin me narrativën ideologjike të regjimit.

Crispi ishte një figurë komplekse: nacionalist italian, monarkist, politikan konservator në fazën e fundit të jetës së tij dhe shtetar me politika të forta koloniale e represive ndaj kundërshtarëve të brendshëm. Prandaj, portretizimi i tij si “arbëresh i madh” nuk ishte i përshtatshëm për narrativën zyrtare komuniste shqiptare.

Kjo nuk do të thotë se historia e tij duhet idealizuar. Përkundrazi, rëndësia e Crispi-t qëndron pikërisht në kompleksitetin e tij: ai mund të jetë njëkohësisht figurë e rëndësishme e bashkimit italian, arbëresh nga prejardhja, politikan i fuqishëm dhe njëkohësisht personazh me vendime e politika që mbeten të debatueshme.

Nga Crispi te “Nuovo Cinema Paradiso”

Dhe këtu historia merr një kthesë jashtëzakonisht interesante.

Palazzo Adriano, vendi nga i cili vinte familja atërore e Crispi-t, u bë më shumë se një shekull më vonë një nga vendet më të njohura të kinemasë botërore.

Në vitin 1988, regjisori sicilian Giuseppe Tornatore xhiroi në Palazzo Adriano pjesë të filmit të tij të famshëm “Nuovo Cinema Paradiso”. Sheshi qendror i qytetit, Piazza Umberto I, u shndërrua në një nga hapësirat më të paharrueshme të filmit. Edhe sot aty ndodhet muzeu kushtuar filmit dhe kujtesës së xhirimeve.

Filmi u bë një nga sukseset më të mëdha të kinemasë italiane dhe fitoi Oscar-in për filmin më të mirë ndërkombëtar. Palazzo Adriano u bë kështu i njohur në mbarë botën, jo vetëm si një qendër historike e arbëreshëve, por edhe si një nga “qytetet e kinemasë”.

Në film dhe në kujtesën e tij kinematografike, Palazzo Adriano është i lidhur me një Sicili të humbur: sheshin, kinemanë, fëmijërinë, kujtesën, dashurinë dhe kalimin e kohës.

Dhe është pikërisht këtu që lind një lidhje simbolike shumë e bukur.

Në Palazzo Adriano u ruajt kujtesa e një komuniteti shqiptar të ardhur në Sicili pesë shekuj më parë; më vonë, i njëjti vend u bë simbol i kujtesës së një Sicilie të tërë përmes kinemasë së Giuseppe Tornatores.

Po Giuseppe Tornatore? A ka lidhje familjare me Palazzo Adrianon?

Kjo është ndoshta pyetja më intriguese.

Giuseppe Tornatore ka lindur në Bagheria më 27 maj 1956 dhe është rritur në këtë qytet. Babai i tij, Peppino Tornatore, ishte sindikalist dhe figurë e njohur në jetën shoqërore të Bagherias. Tornatore e ka kthyer Bagherian dhe kujtesën e fëmijërisë së tij në një element qendror të krijimtarisë së vet; filmi “Baarìa”, për shembull, është drejtpërdrejt i lidhur me qytetin e tij të lindjes dhe me historinë e familjes së tij.

Por nuk ka një burim të besueshëm historik ose biografik që të dokumentojë se familja Tornatore ka prejardhje nga Palazzo Adriano apo se Giuseppe Tornatore ka një lidhje gjenealogjike me komunitetin arbëresh të atjeshëm.

Lidhja midis Tornatores dhe Palazzo Adrianos është e padiskutueshme në planin artistik dhe kinematografik, por një lidhje gjaku apo prejardhjeje familjare nuk mund të pohohet pa dokumente gjenealogjike.

Madje, kjo e bën historinë edhe më interesante. Tornatore është bir i Bagherias, ndërsa Palazzo Adriano u bë një nga hapësirat më të rëndësishme të imagjinatës së tij kinematografike. Të dy qytetet janë pjesë e të njëjtës hapësirë siciliane dhe të dy lidhen me historinë e pasur kulturore të ishullit.

Ka edhe një lidhje tjetër të bukur: Palazzo Adriano dhe Bagheria të dyja u bënë pjesë e “Nuovo Cinema Paradiso”. Burimet e xhirimeve dokumentojnë Palazzo Adrianon për skenat e sheshit dhe kinemasë, ndërsa Bagheria për disa prej skenave të tjera të filmit.

Historia e Francesco Crispi-t është, në një farë mënyre, historia e vetë diasporës arbëreshe.

Shqiptarë që u larguan nga trojet e tyre pas pushtimeve osmane u vendosën në zona të ndryshme të Italisë së Jugut dhe të Sicilisë. Ata krijuan fshatra, familje, tradita, rite fetare dhe një kulturë që, edhe pas pesë shekujsh, vazhdon të jetë e pranishme.

Nga kjo botë dolën poetë, studiues, priftërinj, politikanë dhe intelektualë.

Një prej tyre ishte Francesco Crispi.

Ai u bë një nga arkitektët politikë të Italisë së bashkuar dhe një nga kryeministrat më të fuqishëm të saj. Por rrënjët e tij familjare të çojnë te një qytet i vogël arbëresh i Sicilisë: Palazzo Adriano.

Dhe më shumë se një shekull pas Crispi-t, pikërisht ky qytet i vogël do të shfaqej në ekranet e botës përmes filmit të Giuseppe Tornatores.

Në këtë mënyrë, Palazzo Adriano duket sikur ka luajtur dy herë një rol të veçantë në kujtesën historike të Sicilisë: një herë përmes njerëzve që dolën prej tij dhe ndryshuan historinë, dhe një herë përmes një regjisori që e shndërroi pamjen e tij në kujtesë universale.

Francesco Crispi dhe “Nuovo Cinema Paradiso” duken në pamje të parë si dy histori krejt të ndryshme. Njëri i përket politikës së shekullit XIX, tjetri kinemasë së shekullit XX. Por në sfond qëndron i njëjti vend: Palazzo Adriano – një copëz e vogël e Sicilisë, me një histori të madhe arbëreshe.

Dhe ndoshta kjo është arsyeja më e bukur për ta kujtuar sot Francesco Crispi-n: jo për ta idealizuar dhe as për ta gjykuar vetëm nga një këndvështrim, por për të kuptuar se sa larg mund të shkojë gjurma e një komuniteti të vogël.

Nga një vendbanim arbëresh në zemër të Sicilisë, një familje shqiptare mundi të nxirrte një kryeministër të Italisë.

Dhe nga po ai qytet, shumë vite më vonë, një tjetër histori e Sicilisë do të udhëtonte nëpër botë përmes kinemasë.

Palazzo Adriano – vend i arbëreshëve, vend i Crispi-t, vend i Darës dhe vend i “Cinema Paradiso” – është një shembull i jashtëzakonshëm se si historia shqiptare, historia italiane dhe kultura siciliane mund të takohen në një pikë të vetme.

See less

No photo description available.

No photo description available.

Filed Under: Histori

Këngë labe, polifoni apo iso-polifoni

August 14, 2026 by s p

Nga Landi Guma/

Në bisedë e sipër me një nga këngëtarët ai ma ndërpreu pyetjen që po i bëja dhe më tha, “jo këngë labe, po iso-polifoni”. “Korrigjimi”  i tij më kapi befas – unë e dija që emri “iso-polifoni” kishte tashmë mëse 20 vjet që kishte hyrë në fjalorin shqiptar por deri në atë moment nuk e kisha përfshirë në pyetjet e mia që u bëja këngëtarët. Ky “incident” ndodhi gjatë intervistave e bisedave që bëra në 2023 dhe 2025 me këngëtarët më të njohur dhe “Mjeshtra të Mëdhenj” të polifonisë labe në Shqipëri. Këta përshin këngëtarë dhe këngëtare të grupeve polifonike mëse të njohura e ikonike për publikun shqiptar si Grupi i Pilurit, Grupi i Bënçës, Grupi i Lapardhasë, Grupi i Dukatit, Grupi i Vezhdanishtit, Grupi të Rinjve Gjirokastër, Grupi Kaonët e Delvinës, e të tjerë. Intervistat ishin pjesë e një studimi që kishte në qëndër të vëmendjes ndryshimin e këngës labe në këto 50 vjetët e fundit. Studimi kishte si fokus tre periudha të rëndësishme të këtyre pesë dekadave: vitet 70-të 80-të gjatë komunizmit, periudha e tranzicionit, dhe gjëndja e këngës labe sot (për me tej shih dhe dokumentarin “Këngët e atdheut tim” 2026, dhe linku i dokumentarit është këtu: https://www.youtube.com/watch?v=NEEk6a08pw4 Unë isha i intersuar të dija se si këto periudha të ndryshme kishin ndikuar tek kënga labe. Në veçanti, më intersonte ti shijkoja këto ndryshime nëpërmjet këndvështrimit të vetë këngëtarëve, si “Mjeshtra” dhe përjetues të këtyre ndryshimve, një këndvështrim që i mungon shkrimeve e analizave të polifonisë labe dhe folklorit shqiptar më në përgjithësi. 

Duke marë shkasë nga “korigjimi” i mësipërm, fillova ti pyesja të gjithë këngëtarët pastaj se çfarë mendimi kishin mbi këtë emërtim të ri. Përgjigjet që mora nuk ishin thjeshtë çështje preferencash mbi terminologjinë e këngës labe por ato nxorrëm në pah një “krizë identiteti” në të cilën gjendet kënga labe sot, duke dëshmuar se kjo këngë po kalon një peridhë varfërimi dhe vështirësie në historinë e saj.

Iso përpara

Njëri nga këngëtarët që e shikon emrin “iso-polifoni” si shumë problematik dhe një “gabim”  të madh ishte Golik Jaupi, Mjeshtër i Madh, marrës dhe drejtues i Grupit të Bënçës mbi 60 vjet. Ai u shpreh:

“Kënga labe nuk quhet iso-polifoni, ky këtu është  një gabim. Këtë e ka bërë… (ata) që nuk dinë për Labërinë. Ajo Labëri u fut në UNESCO. Jo iso polifoni, nuk vjen nga Greqia kënga labe, as nga grekët e lashtë e as nga grekët e largët… le ta marrë vesh gjithë Shqipëria, gjithë bota… Kënga labe ka lindur që kur lindi Labëria, që kur lindi Shqipëria, që kur lindi njerëzia… Ajo quhet polifoni, jo iso-polifoni.”

Në kritikën e tij, Goliku i referohet një debati të vazhdueshëm e të ashpër që ka lindur që nga hyrja e këngës labe në UNESCO në 2005 si pjesë e folklorit “iso-polifonik” shqiptar. Në thelb të këtij debati është lidhja që i është bërë origjinës së lashtë të këngë labe, apo më saktë isos, me muzikën kishtare greko bizantine. Në fakt, emri “iso-polifoni” iu fut fjalorit folklorik shqiptar pak më herët se 2005, në 1999, jo vetëm thjesht si një emërtim i ri por edhe si një koncept i ri studimi: “…kur në shumëzërëshin popullor zbulojmë tregues strukturorë të brendshëm identifikues, siç është koncepti i ‘iso-polifonisë’ në vend të ‘polifonisë popullore’, apo të ‘këngës shumëzërëshe polifonike’, sigurisht që kemi hapur një temë të re për diskutim dhe analizim të saj” (Tole cituar tek Ahmedaja 2011: 246). Thelbi i kësaj teme të re është “isua” që shikohet si një fenomen i “pa kontestueshëm i strukturës gjenetiko-muzikore” shqiptare (Tole 2007). (Duhet përmendur këtu që sipas studiuesve të tjerë isua gjendet edhe në muzikën polifonike Ballkanike, Evropiane dhe më tej atë Aziatike, përveç asaj shqiptare (Shituni 2006)).  

Një nga temat e reja të “diskutimit” që ka sjell ky lloj rikonceptualizimi është origjina e këngës labe, gjë që ka shkaktuar debate të ashpra, debate që me sa duket sa po vinë e më shumë po ashpërsohen. (Për një përmbledhje të tyre mund të shikoni dokumentarin “Projekt i Fshehtë? Dosja!” , 2023). Në studimin tim, siç e thashë më lartë, unë isha interesuar për ndryshimet e këngës labe në këto 50 vitet e fundit dhe jo tek origjina e saj. Megjithatë, është e mjaftueshme këtu ti referehemi këshillës së Prof Spiro Shitunit, një nga studiuesit më të mirëfilltë të polifonisë labe dhe muzikës popullore shqiptare më në përgjithësi kur thotë se “çështja e origjinës, kohëlindjes, moshës së muzikës popullore polifonike shqiptare, në kushtet e mungesës së plotë të dokumenteve historike …. paraqitet mjaft e ndërlikuar… dhe ajo s’ka gjetur ende një zgjidhje të plotë e përfundimtare” (Shituni 2006: 5). Në këto kushte, zbardhja e kësaj historie të ndërlikuar kërkon studime serioze, të vazhdueshme e të gjithëanshme, duke përfshirë këtu dhe këndvështrimet e vetë atyre që e këndojnë dhe ruajnë këtë këngë.

Duke qënë të preokupuar me “origjinën”, shpeshherë këto debate e kanë nënvlerësuar influencën apo ndikimin që koncepte të reja si “iso-polifonia” kanë mbi këngën labe sot. Megithëse “iso-polifonia” është një term gjithpërfshirës që mbulon gjithë folklorin polifonik (dhe monofonik sipar faqes së UNESCO-s) shqiptar, kënga labe përbën një pjesë kryesore e të rëndësishme të këtij folklori siç e dëshmojnë dhe materialet – duke përfshirë këtu dhe vidjeot – që gjenden në faqen e “iso-polifonisë” shqiptare në UNESCO. Pra, duke filluar nga 2005, në arenën ndërkombëtare kënga labe u bë pjesë e folklorit “iso-polifonik” shqiptar.

Syrja Hodoj, Mjeshtri i Madh i Grupit të Tërbaçit, ishte një tjetër këngëtar që gjatë intervistës shprehu kundështimin e tij ndaj emërtimit “iso-polifoni”:

“Ç’është kjo iso njëherë …s’bëhet fjalë fare. I bie sikur ne të gjithë… të vinim të gjithë (në festival) atje këto grupet sa vanë 20 e ca edhe ta fillojnë me ‘eeeeeee’ e pastaj të futej një marrës atje në mes. Ç’farë do bëhej? Patjetër qe do alarmohej gjëja… po se bejmë. Vazhdojmë prapë siç kemi vazhduar . Po ç’është kjo iso? Po ç’ështe dhe kjo polifoni?”  (Syrja Hodoj)

“Iso-polifoni quhet ‘eeeeeee’ [këndon këngë myzeqare]… shiko tani… dmth del Lushnja… ndërsa Labëria…[këndon ‘Labëri larë në hënë’]… shiko, direkt fillon këngëtari. Kush janë këta që e bëjnë iso-polifoni, isua del përpara?Jo! Del këngëtari (i pari), dhe këtu është gabimi që quhet iso-polifoni.” (Golik Jaupi)

Në përshkrimin e strukturës së këngës labe këngëtarët e rendisin ison të fundit duke filluar me marrësin, kthyesin, hedhësin dhe së fundi isua. Të fusësh ison të parën, për ta  do të thotë një farë “përmbysje” të kësaj renditje. Sipas Prof Spiro Shitunit, autori i të vetmit monografi me titull “Polifonia labe” (1988), një nga tiparet e këngës labe që e dallon dhe nga polifonitë e tjera si ajo toske është natyra recitative e saj. Pra kënga fillohet nga marrësi, gjë që shpjegon pse termi “iso-polifoni” shikohet si problematik nga këgnëtarët më lartë, pasi për ta i fut një tjetër perceptim këngës labe.

Nga ana tjetër, megjithëse një pakicë e vogël, kishte dhe këngëtarë për të cilët ky emërtim i ri ofron diçka pozitive pasi fjala “iso” i  jep një tingull shqiptar, siç u shpreh dhe njëri prej tyre:

“Në diskutimet që bëjnë këta akademikët shkencëtarët qe kemi, kanë diskutuar se kjo ‘polifonia’ është në gjuhën greke, shumëzërëshe në greqisht, dhe këta disi e kishin diskutuar edhe kishin thënë, kjo ka ngelur me këtë fjalën greke, që është polifoni. Po mirë kthejeni në fjalën tuaj i tha… dhe këta i vunë fjalën iso, p.sh. iso-polifoni. Sot ngrihen dhe diskutojnë se kë quajnë iso-polifoni. E kupton çfarë bëhet apo jo. Nuk duan fjalën që është ‘iso’ shqip po duan ‘polifoninë’ që është greke.” 

Ndryshe nga “polifonia”, fjala “iso” është pjesë e fjalorit të përditshëm shqiptar. Në këngë labe, shprehjet si “s’ka iso kënga”, “isua nuk vete” ose “rregulloni ison” janë të zakonshme dhe treguese për këtë përdorim të përditshëm. Siç u shpreh gjatë intervistës dhe një tjetër këngëtar: “Fjala iso është shqip, mbaj iso themi ne nuk i themi ndonjë fjalë të huaj.”

Megjithëse “isua” është tashmë pjesë e flajorit të përditshëm popullor dhe gjuhës shqipe, në bazë të studimeve ky term po ashtu ka origjinë të huaj, dhe vjen nga fjala Greke “ισον“ (Ahmedaja 2011: 245). Studimet ethnomuzikologjike kanë treguar një fakt të veçantë në lidhje me “ison”. Nëse në Labëri apo Shqipërinë e Jugut më në përgjithësi, kjo fjalë ishte shumë e shpërdarë në fjalorin popullor në gjysmën e dytë të shekullit to kaluar, studime të këngës polifonike të shqiptarëve në jugperëndim të Maqedonisë tregojnë se “isua” nuk figuron në fjalorin e përditshëm të shqiptarëve atje. Në disa fshtra kur banorëve iu përmend termi “këngë me iso”, ata nuk e kuptonin pyetjen. Në fshatra të tjerë si Frëngovë apo Ladorishtë afër Liqenit të Ohrit këngëtarët e këngës polifonike të këtyre trevave shqiptare i kishin dëgjuar fjalët “këngë me iso” madje dhe “iso-polifoni” ngaqë kishin marrë pjesë në festivale folklorike në Shqipëri, por ata vetë  nuk e përdornin asnjë nga këto terma por kishin atë të tyren dhe e quanin “këngë me të mbajtur” (Ahmedaja 2011: 247).

Tek këngëtarët që intervistova unë, “këngë me të mbajtur” nuk njihej si term por ishte interesante një fjalë tjetër që Ermioni Mërkuri, Mjeshtre e Madhe e Grupit të Pilurit, përdori në vend të isos, “mbushje”:

“Kënga e Naim Frashërit nuk është thjesht një këngë polifonike, kënga e Naim Frashërit për mua është një simfoni, edhe nuk ka [vetëm] 4 zëra, marrje, kthenje, hedhje edhe mbushje, po ka dhe një zë, ka dhe 2 zëra më tepër, ka dhe një zë koke, në qoftë se do ta dëgjosh me kujdes, ka dhe një prerje , nje prerje, ajo prerje bëhesh gjithmonë nga grupi i Pilurit… është zë midis kthenjes dhe hedhjes dhe quhet prerje, nuk është hedhje, tjetër hedhje, e pret….” (Ermioni Mërkuri)

Fjala “mbushje” është jo vetëm shqip por tregon edhe rolin e isos në këngën labe. Pra roli i saj është ai i “mbushjes”, plotësimit të këngës; jo kryesor por i rëndësishëm. Kjo shikohet siç e përmenda dhe më lartë tek mënyra se si këngëtarët e “radhitin” ison gjithmonë të fundit, pas marrjes, kthesës dhe hedhjes. Në qoftë se do të “përkëthejmë” iso-polifoninë në shqip atëherë ajo do të quhet “mbushje-shumëzërëshe”!

“Nga doli kjo polifonia?”

Një nga pasojat a futjes së këngës labe në UNESCO është jo vetëm kontestimi përreth termit “iso-polifoni”; vetë fjala “polifoni” tani ka filluar të vihet nën dyshim dhe nën syrin e kritikës. Kjo nuk ishte për të gjithë këngëtarët që intervistova. Disa nuk e shikonin si problem termin “polifoni” dhe përdornin të dy emrat si “polifoni labe” po ashtu dhe “këngë polifonike”. Siç u shpreh dhe Goliku, “ajo quhet polifoni, dhe jo iso-polifoni”. Por për disa, termi “polifoni” nuk duhet përdorur më, siç e tha dhe Syrja Hodoj: “Ç’është kjo iso? Po ç’është dhe kjo polifoni?”. Për Paro Ziflën, Mjeshtre e Madhe e Grupit të Bënçës, gjithë këto debate mbi emërtimin e këngës kanë sjellë veç konfuzione:

“Se nga na doli kjo polifonia, ne e dimë polifonia është shumëzërëshe po pse s’thua labe, labçe, jemi lebër të gjithë… s’di, pastaj fusin një prapashtesë një parashtesë, jo është timja thotë ai jo ësthë timja thotë kyja. Nuk më vjen aspak mirë, s’e quaj kurrë polifoni, kënga labe – ku do vesh, do vete të këndoj labçe do u them unë. Ku je Paro, do iki të këndoj labçe me grupin. Kështu e kemi nga të parët tanë, pse do ti kthejmë sipas qejfit të këtyre të sotshmit.” (Paro Ziflaj)

“Këta studiuesat e trajtojnë shumë keq… është UNESCO, arritëm tani në UNESCO. Kur ti më bën pyetjen, jemi me këtë grupin, i thua: “Oh çuna, mund të më këndoni një këngë labe apo një këngë polifonike?… mua do më drejtohesh: ‘Ajet, do ja marrësh një këngë labe të bukur?, jo ‘një këngë polifonike nga të tuat.’ (Ajet Duka)

Ndryshe nga “iso-polifonia”, fjala “polifoni” është më e hershme dhe ka hyrë në fjalorin shkencor muzikor shqiptar por dhe atë popullor  pas luftës së dytë botërore, në vitet 50-të dhe 60-të. Një nga emrat më të njohur në lidhje me këtë term është studiuesi i njohur i folklorit shqiptar, Ramadan Sokoli, dhe veçanërisht artikulli “Polifonia jonë popullore” botuar në 1959 si një nga përmendjet e para të termit “polifoni”.  Futja e tij shënoi një periudhë të rëndësishme në historinë e këngës labe dhe folklorit shqiptar më në përgjithësi; para viteve 1950-të studimet e këngës labe pothuasje nuk egzistonin. Evolimit dhe vrullit që mori kënga labe dhe folklori shqiptar në periudhën e komunizmit iu bashkuan dhe studimet shkencore të saj, këto të fundit jo vetëm të rendësishme brenda për brenda territorit shqiptar por i dhanë mundësi këtij folklori të njihej dhe në arenën ndërkombëtare. Në studime shkencore, është mëse normale përdorimi i fjalëve me origjinë Greke (sidomos Greqishtja e lashtë) apo dhe Latine në fjalore ndërkombëtare, dhe “polifonia” është një term që përdoret për të përshkruar dhe studiuar muzikën popullore në vende të ndryshme dhe jo vetëm në Shqipëri. (Një tjetër fjalë që përdoret në rang ndërkombëtar por që nuk ka origjinë Greke apo Latine and p.sh. “folklor”, që vjen nga fjala Gjermane “volk” dhe do të thotë “popull”.) Megjithatë,  fjalët me origjinë Greke kanë një peshë të veçantë për shqiptarët sepse kanë lidhje me historinë  dhe politikat asimetrike të fqinjësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, histori që ka pasur dhe vazdon të ketë episode të dhimbshme për popullin shqiptar (Heraclides & Kromidha 2024), gjë që shpjegon pse sot termi “polifoni” ngjall reagime dhe emocione të forta.

Merrja një kënge labe

Siç shihet dhe tek fjalët e Paros më lartë, kontestimi i termit “polifoni” ka rezultuar në njëfarë “soul-searching” tek këngëtarët, një lloj  vetë-reflektimi duke iu kthyer sytë tek “rrënjët”  e këngës, tek tradicionalja, ashtu siç i “thoshin nënat tona”. Për disa nga këngëtarët termat e ri “me parashtesa apo prapashtesa”  jo vetëm po krijojnë konfuzion por po e largojnë këngën nga “tabani” i saj. Në përpjekje për të rezistuar terminologjitë e reja apo të “huaja” si  “polifoni” apo “iso-polifoni”, ata thonë që kënga duhet quajtur thjesht “labçe”… Terma të tjerë që kanë hyrë në fjalorin popullor përfshin dhe “shumëzërëshi”, “këngë me iso”, “iso labe”, etj. Këto tre të fundit nuk u përmendën në intervista me këngëtarët por tashmë janë pjesë e fjalorit popullor po ashtu dhe akademik.  Ky “shpërthim” termash, kjo “krijimtari” terminologjike, dëshmon një lloj “krize identiteti” për këngën labe sot. Kjo krizë gjen pasqyrim jo vetëm tek emërtimet lloj e soj por dhe tek cilësia e saj; pothuasje të gjithë këngëtarët që unë intervistova ishin të një mendimi se cilësia e këngës labe sot është e dobët përsa i përket prurjeve të reja apo artit të saj.

Deri diku, emërtimet e ndryshme në lidhje me këngën labe nuk janë diçka e re; gjithmonë ka pasur dallime midis stileve të ndryshme dhe larmive të veçanta të polifonisë shqiptare të Jugut dhe gjeografia ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Për shembull, rapsodi dhe poeti i madh Lefter Çipa veçonte këngët polifonike sipas grupeve dhe trevave të ndryshme duke dalluar “këngën e Bregdetit” dhe “këngën Himariote” nga ajo e “Kurveleshit të Sipërm”, apo e “Lumi të Vlorës”, etj.  Në intervistat që bëra unë, Ermioni Mërkuri, Mjeshtra e Madhe e këngës Piluriote, nuk  përmendi fjalët “kënga labe” apo “polifonia labe” por thjeshtë iu referua si “kënga polifonike”. Megjithatë, dhe pse ajo nuk përdori “mbiemrin” labe, ajo e shikon tabanin e këngës Piluriote te kënga me katër zëra, apo siç iu shpreh dhe vetë, te kënga “që na kanë lënë të parët”. Kënga labe përfshin dhe këngë me dy apo tre vija melodike, pra dy- apo tre-zërëshe, por ajo çka e bën atë të veçantë nga polifonitë e tjera si ajo toske, është katërëzërëshi (Shituni 2011). Pra kjo ësthtë baza apo “tabani” i saj; dhe pse jo të gjithë e përdorin fjalën “këngë labe” kur i referehen polifonisë shqiptare të Jugut, është e njëjta bazë që nënkuptohet. Siç u shpreh në intervistë  një tjetër këngëtar, Vendim Zykaj –  këngëtar virtuoz i Grupit të Vezhdanishit –  këngët e bregut janë ndryshe por “dhe ato këngë labe janë”. Dmth çfarëdo lloj stili qoftë, p.sh., Himariot, Gjirokastrit, Piluriot, etj, tabani i këngës është i njëjtë. Tipikisht për poetikën e tij Lefter Çipa e quajti “unazë floriri” atë çka bashkon të gjitha stilet dhe variacionet e polifonisë së Jugut, duke iu referuar asaj si  “kënga e perëndive”.

Një nga arsyet pse “kënga labe” nuk përdoret nga të gjithë ka të bëj me identitetet e ndryshme që egzistojnë në Labëri dhe në krahinat rreth saj. Siç e tha dhe Parua më lartë, për ata që janë lebër apo jetojnë në Labëri është mëse e thjeshtë: “jemi lebër, thuaj këngë labçe”. Mirëpo jo të gjithë e shikojnë veten si lebër, pavarësisht shtrirjes së kufinjve të Labërisë në Shqipërinë e Jugut. Sipas Prof Shitunit, për shembull,  në zonën e Zagorisë, edhe pse gjendet në kufijtë apo pranë kufijve të Labërisë, njerëzit nuk e shikojnë veten si lebër edhe pse stili muzikor i kësaj krahine është lab. Ky lloj identiteti lokal (në krahasim me atë krahinor dhe më të gjerë si Lab) u duk dhe tek tek këngëtarët që bëra intervistë unë, siç u shpreh dhe njëri prej tyre: “Unë s’do e quaj kurrë këngë labe se unë e kam këngë Gjirokastrite… s’mund ta quaj, s’mund ta pranoj. S’është Piluri Labëri, s’është Himara Labëri, s’është Lunxhëria Labëri, s’është Gjirokastra…” Ky lloj perceptimi apo kjo lloj krenarie vjen edhe pse, sipas Shitunit, Gjirokastra, ashtu sikurse Zagoria, megjithëse përshin një stil të veçantë muzikor, kënga e saj është kryesisht po ashtu me katër vija melodike, pra e dialektit muzikor lab (Shituni 2011: 46). Dmth polifonia labe nuk është vetëm një kategori me bazë gjeografike, por edhe ethnomuzikologjike.

Shpallja e folklorit shqiptar para dy dekadash si “iso-polifoni” është tashmë pjesë e historisë së këtij folklori. Ky emërtim nuk është më thjeshtë një referencë për të huajt, por siç u tregua dhe më lartë është pjesë e fjalorit popullor dhe të përditshëm shqiptar. Me dashje apo pa dashje, siç u duk dhe tek “korrigjimi” që mu bë mua gjatë interistave me këngëtarët, këngës labe tani i thonë dhe “iso-polifoni” apo “polifoni me iso”. Intervistat me këngëtarët dëshmojnë se ky term nuk është pranuar nga të gjithë – shumë nga këngëtarët e kritikojnë për arsyet që u trajtuan më lartë. Në të njëjtën kohë, një pakicë e shikojnë “iso-polifoninë” si diçka të re, një identitet të ri për polifoninë ku theksi apo parashtesa e “isos” i jep një karakter shqiptar.  Në rrugëtimin e saj të gjatë, ashtu sikurse u fut termi “polifoni” në vitet 50-të apor 60-të, një emërtim i ri si “iso-polifonia” nuk mund të shikohet si ndonjë problem i madh; një emër ri për një kohë të re. Mirëpo, konkluzioni i intervistave që bëra me këngëtarët e mëdhenj të këngës labe dëshmon se pasojat e kësaj ardhje të re janë të shumta dhe jo pozitive. Pikë së pari, ky emërtim ka rezultuar në një lloj “krize identiteti”, kur kënga labe ka filluar të quhet me emra të ndyshëm e të rinj. Një nga pasojat e kësaj krize është jo thjeshtë një konfuzion termash por cënimi i vetë dialektit muzikor lab. Në vërshime për të akomoduar koncepte të reja si iso-polifonia, studiuesë të folklorit po fillojnë të “ulin nga kategoria” këngën labe duke e trajtuar atë jo si një dialekt kryesor e të veçantë të folklorit shqiptar por thjesthë si një nga “degët” e shumta të këngës polifonike të Jugut. Ky është një nga ndryshimet më shqetësuese; argumenti këtu nuk është një thirrje për ti “kthyer” këngës labe një status privilegjues në folklorin shqiptar. Por vendi i saj, siç e trajtova dhe më lart, është i veçantë – jo më kotë Lefter Çipa e quajti “këngë e perëndive” – në muzikën tradicionale shqiptare, prandaj duhet trajtuar dhe ruajtur si e tillë. Më tej, ruajtja  e identitetit të saj ka rëndësi të veçantë se ka të bëj jo vetëm me muzikën tradicionale shqiptare por dhe me vetë historinë dhe identitetin e popullit shqiptar, një popull i vogël dhe historikisht i vuajtur ku trashëgimia gojore ka luajtur një rol të veçantë e shumë të rëndësishëm jo vetëm në ruajtjen e traditës por dhe në vetë egzistencën e këtij populli.

Së dyti, pothuajse të gjithë këngëtarët që u intervistuan janë të një mendimi se kënga labe po kalon një varfëri artistike sot. Kuptohet që shkaqet e kësaj varfërie janë komplekse e të shumta. Por hyrja e këngës labe si pjesë e folklorit iso-polifonik shqiptar nga UNESCO-ja në këto dy dekadat e fundit me sa duket nuk ka ndihmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm. Së treti, riklasifikimi apo rikonceptualizimi i muzikës tradicionale shqiptare si “iso-polifoni” është aq i zgjeruar dhe i pa bazuar në realitetin empirik saqë humbet kutpimin e tij në përballjen më të vogël me këtë realitet, siç e dëshmojnë dhe intervistat me këngëtarët më lart ku shumica e tyre e kundërshtojnë këtë emërtim. Futja e folklorit shqiptar në UNESCO si “iso-polifoni” njeh dhe i jep mbrojte këtij folklori në çdo cep të Shqipërisë dhe më tej. Ky ishte padyshim një moment i rëndësishëm historik për muzikën tradicionale shqiptare duke e ngulitur atë në hartën botërore të trashëgimive kulturore më me vlerë. Mirëpo, duke bashkuar gjithë folklorin shqiptar që nga Veriu e deri në Jug nën “çadrën” e “iso-polifonisë” –  pra polifoninë e Jugut bashkë me monofoninë e Veriut – ky lloj riklasifikimi ka homogjenizuar apo thjesthtëzuar grupimet e ndryshme egzistuese të muzikës tradicionale shqiptare. Ky homgjenizim apo (super)grupim i të gjithë muzikës tradicionale shqiptare e bën më të vështirë njohjen dhe ruajtjen e dialekteve të veçanta të kësaj muzike. A mund të futet kënga labe apo toske në UNESCO tani që “iso-polifonia” është përfaqësuese kryesore? A ka Shqipëria mundësi si vend i vogël e i varfër ti tregojë botës për larmshmërinë e saj të trashëgimisë gojore, pa mbështetje ndërkombëtare? Si mund të ruhet larmshmëria e këngës labe, stilet e veçanta muzikore e krahinore të saj, nëse jashtë botës ato quhen të gjitha “iso-polifoni”? Këto pyetje janë me rëndësi jo thjesthtë se kanë të bëjnë me çështje emërtimesh; në këto kohë të vështira për folklorin shqiptar, origjinaliteti, individualiteti dhe larmshmëria e këtij folklori janë ato që po vuajnë dhe duan rishqyrtime e përpjekje urgjente e serioze. Ky shkrim dhe studimi në të cilin bazohet pëbëjnë një hap të vogël drejt këtij misioni të rëndësishëm.

Bibliografia

  • Ahmedaja, Adrian. 2011. “Approach to a ‘Lexicon of local terminology on multipart singing among Albanians in the Balkans’”. Në: Ahmedaja (ed.) European Voices II. Cultural Listening and Local Discourse in Multipart Singing Traditions in Europe, Böhlau Verlag, 237-263.
  • Heraclides, A dhe Y. Kromidha. 2024. Greek-Albanian entanglements since the nineteen century. Routledge.
  • Mërkuri, Timo. 2023. Origjina e këngës iso-polifonike dhe ballafaqimet rreth saj. Tiranë: ASD Studio.
  • Shituni, Spiro, 2011. Albanian tradiotional music. An introduction, with sheet music and lyrics for 48 songs. MacFarland and Company Publishers.
  • Shituni, Spiro. 2006. “Një popull i vogël mund të ketë një art të madh.” Iso-polifonia, f. 5.
  • Sokoli, Ramadan. 1959. “Polifonia jonë popullore .” Buletini i Institutit të Shkencave, 3. 117–144.
  • Tole, V. 2007. Enciklopedia e iso-polifonisë popullore shqiptare. UEGEN.
  • Top Channel, 2023. “Projekt i Fshehtë? Dosja!” Seriali dokumentar Gjurmë Shqiptare. https://www.youtube.com/watch?v=zFTkvZGolJc

Filed Under: Kronike

Kosova, bashkëpunimi rajonal dhe përgjegjësia euroatlantike për sigurinë

August 14, 2026 by s p

Isuf B.Bajrami/

Ballkani Perëndimor mbetet një hapësirë ku siguria evropiane kërkon vëmendje të vazhdueshme. Përvoja historike e rajonit, pozita e tij gjeostrategjike dhe ndryshimet e thella në mjedisin e sigurisë së Evropës e bëjnë të nevojshme ndjekjen e një qasjeje që ndërthur diplomacinë, kapacitetet mbrojtëse, bashkëpunimin rajonal dhe mekanizmat ndërkombëtarë të parandalimit. Pikërisht në këtë kuadër duhet parë edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Më 18 mars 2025, në Tiranë, ministrat përgjegjës për mbrojtjen e tri vendeve nënshkruan një Deklaratë të Përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe mbrojtje. Dokumenti synon rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore dhe në rajonin Adriatiko-Jonian, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, zhvillimin e trajnimeve dhe ushtrimeve, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përballimin e kërcënimeve të reja, përfshirë kërcënimet hibride.

Por një element i dokumentit duhet të theksohet që në fillim: deklarata nuk krijon detyrime të reja ndërkombëtare ose ndërqeveritare ndërmjet tri shteteve. Ky përcaktim është i rëndësishëm për ta kuptuar marrëveshjen ashtu siç është, dhe jo ashtu siç mund të interpretohet politikisht. Nuk bëhet fjalë për krijimin e një aleance të re ushtarake, por për një mekanizëm bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Dhe ky dallim është themelor. Siguria përmes bashkëpunimit. Siguria bashkëkohore nuk ndërtohet vetëm përmes numrit të ushtarëve, mjeteve të blinduara apo sistemeve të armatimit. Ajo ndërtohet përmes institucioneve profesionale, trajnimit, planifikimit, komunikimit, teknologjisë, logjistikës, mbrojtjes kibernetike, industrisë së mbrojtjes dhe aftësisë së forcave të armatosura për të vepruar së bashku në situata krize.

Në këtë kontekst, ndërveprueshmëria është një prej koncepteve themelore të sigurisë moderne. Një forcë e armatosur nuk vlerësohet vetëm nga ajo që posedon, por edhe nga aftësia e saj për të komunikuar, planifikuar dhe vepruar në mënyrë të koordinuar me partnerët. Deklarata Kosovë–Shqipëri–Kroaci e vendos pikërisht këtë logjikë në qendër të bashkëpunimit: zhvillimin e kapaciteteve, trajnimin, ushtrimet, industrinë e mbrojtjes dhe ndërveprueshmërinë, krahas përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera të sigurisë. Kjo nuk është një qasje e pazakontë në Evropën e sotme. Përkundrazi, është pjesë e mënyrës se si shtetet moderne ndërtojnë reziliencë dhe kapacitete parandaluese.

Kosova dhe orientimi euroatlantik

Për Kosovën, rëndësia e këtij bashkëpunimi është edhe më e madhe. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova nuk është ende anëtare e Aleancës. Për Prishtinën, orientimi euroatlantik përbën një prej shtyllave të politikës së saj të sigurisë. Deklarata e Tiranës e lidh drejtpërdrejt bashkëpunimin trepalësh me perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe me mbështetjen për përfshirjen e saj në iniciativat rajonale të sigurisë dhe mbrojtjes. Kjo duhet kuptuar në kuadër të integrimit dhe parandalimit, jo të konfrontimit. Një shtet që aspiron të integrohet në një sistem kolektiv sigurie duhet të ndërtojë institucione profesionale, kapacitete të besueshme, standarde të përshtatshme dhe aftësi për të bashkëpunuar me partnerët.

Pikërisht këtu qëndron një pjesë e rëndësishme e vlerës strategjike të bashkëpunimit të Kosovës me Shqipërinë dhe Kroacinë. Kosova nuk duhet të jetë vetëm objekt i arkitekturës së sigurisë. Ajo duhet të bëhet gjithnjë e më shumë pjesëmarrëse dhe kontribuuese në të.

KFOR-i dhe NATO-ja: shtylla ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë

Çdo analizë serioze e sigurisë së Kosovës duhet të marrë parasysh rolin e NATO-s. KFOR-i është i pranishëm në Kosovë që nga qershori i vitit 1999. Sipas NATO-s, mandati i tij bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe në Marrëveshjen Ushtarako-Teknike. Rezoluta 1244, e miratuar më 10 qershor 1999, autorizoi vendosjen e pranive ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë dhe përcaktoi përgjegjësitë e tyre. Këshilli i Sigurimit veproi në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB-së. NATO thekson se KFOR-i vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Në qershor 2026, NATO njoftoi gjithashtu se, duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë, do ta përshtaste gradualisht qëndrimin e KFOR-it gjatë vitit pasues.

Ky është një zhvillim që duhet lexuar me kujdes. Ai tregon se qëndrimi i KFOR-it nuk është statik, por përshtatet sipas vlerësimeve të situatës së sigurisë. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i kapaciteteve vendore të sigurisë nuk duhet të shihet si kundërvënie ndaj pranisë ndërkombëtare. Institucionet profesionale vendore dhe prania ndërkombëtare mund të jenë dy shtylla plotësuese të një sistemi parandalues të sigurisë. Njëra ndërton kapacitetin vendor. Tjetra ofron një mekanizëm ndërkombëtar për sigurinë dhe parandalimin. E drejta ndërkombëtare dhe kapacitetet mbrojtëse. Çdo politikë serioze e sigurisë duhet të mbështetet në të drejtën ndërkombëtare. Neni 2(4) i Kartës së Kombeve të Bashkuara përcakton se shtetet duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti, ose në çdo mënyrë tjetër të papajtueshme me qëllimet e Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, neni 51 njeh të drejtën e qenësishme të vetëmbrojtjes individuale dhe kolektive nëse ndodh një sulm i armatosur.

Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm:kapaciteti mbrojtës nuk është, në vetvete, provë e një qëllimi agresiv. Trajnimi ushtarak, zhvillimi i sistemeve të komunikimit, mbrojtja kibernetike, modernizimi i pajisjeve dhe bashkëpunimi ndërmjet forcave të armatosura mund të shërbejnë pikërisht për parandalimin e konfliktit. Në këtë kuptim, mbrojtja nuk ndërtohet duke pritur krizën. Ajo ndërtohet përpara krizës, në mënyrë që kriza të mos ndodhë. Një deklaratë bashkëpunimi nuk është aleancë ushtarake. Pikërisht për këtë arsye, duhet shmangur çdo ekzagjerim në përshkrimin e marrëveshjes Kosovë–Shqipëri–Kroaci.

Traktati i Atlantikut të Veriut është një traktat ndërkombëtar që krijon një sistem të posaçëm të mbrojtjes kolektive. Neni 3 përcakton se palët do të ruajnë dhe zhvillojnë aftësinë e tyre individuale dhe kolektive për t’i rezistuar sulmit të armatosur. Neni 4 parashikon konsultime ndërmjet aleatëve kur integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e cilitdo prej tyre kërcënohet. Neni 5 vendos parimin e mbrojtjes kolektive në rast të një sulmi të armatosur. Deklarata e Tiranës nuk e ka këtë karakter. Ajo nuk krijon një mekanizëm të barasvlershëm me nenin 5 dhe nuk vendos një detyrim automatik për mbrojtje të përbashkët. Përkundrazi, vetë dokumenti përcakton se nuk krijon detyrime të reja ndërkombëtare ose ndërqeveritare. Prandaj, nga këndvështrimi juridik, bëhet fjalë për bashkëpunim të strukturuar në mbrojtje dhe siguri, jo për krijimin e një aleance të re ushtarake.

Ky dallim duhet të ruhet në çdo debat serioz. Kërcënimet hibride dhe realiteti i ri i sigurisë

Siguria evropiane e shekullit XXI nuk përcaktohet vetëm nga fuqia ushtarake konvencionale. Një shtet mund të përballet me sulme kibernetike, sabotim të infrastrukturës kritike, ndërhyrje në proceset demokratike, manipulim informativ, fushata dezinformimi dhe forma të tjera ndikimi. Në Konceptin e saj Strategjik të vitit 2022, NATO e identifikoi Federatën Ruse si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë” ndaj sigurisë së aleatëve dhe paqes e stabilitetit në hapësirën euroatlantike. Ky është një vlerësim strategjik zyrtar i Aleancës, jo një formulim që duhet zëvendësuar me retorikë politike. Në dokumentet e saj të mëvonshme, NATO ka identifikuar gjithashtu kërcënime hibride që u atribuohen aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë, përfshirë propagandën, mashtrimin, sabotimin dhe metoda të tjera jo-ushtarake që mund të synojnë institucionet politike, opinionin publik dhe sigurinë e qytetarëve.

Për këtë arsye, përgjigjja e një shteti nuk mund të jetë vetëm ushtarake. Ajo duhet të jetë gjithashtu institucionale, teknologjike, kibernetike dhe informative. Një shtet i sigurt duhet të jetë në gjendje të mbrojë jo vetëm territorin e tij, por edhe infrastrukturën kritike, sistemet e komunikimit, institucionet publike dhe hapësirën informative. Kjo është pjesë e mbrojtjes moderne. Parandalimi nuk është militarizim. Një prej keqkuptimeve më të zakonshme në debatet e sigurisë është barazimi automatik i forcimit të mbrojtjes me militarizimin. Por parandalimi funksionon sipas një logjike tjetër. NATO e përshkruan veten si një aleancë mbrojtëse dhe e lidh sigurinë e saj me një qëndrim të besueshëm të parandalimit dhe mbrojtjes, të mbështetur nga kapacitete konvencionale, bërthamore dhe të mbrojtjes raketore, të plotësuara me kapacitete në hapësirë dhe në hapësirën kibernetike.

Brenda kësaj logjike, qëllimi i kapacitetit mbrojtës është t’i bindë kundërshtarët potencialë se përdorimi i forcës do të sillte kosto të papranueshme. Me fjalë të tjera, parandalimi synon ta bëjë luftën më pak të mundshme. Kjo është arsyeja pse zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse nuk duhet të analizohet vetëm përmes pyetjes “sa armë po blihen?”, por edhe përmes pyetjeve të tilla: A e rrit aftësinë për të parandaluar një krizë? A e rrit profesionalizmin institucional? A e përmirëson komunikimin? A e forcon reziliencën ndaj kërcënimeve hibride? A respektohet e drejta ndërkombëtare? A ekziston mbikëqyrja demokratike? A rritet transparenca? Këto janë pyetjet e një politike moderne të sigurisë.

Transparenca si instrument stabiliteti

Në një rajon me një histori komplekse sigurie, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse duhet të shoqërohet me transparencë. Ky është një parim i vendosur i sigurisë evropiane. Dokumenti i Vjenës i OSBE-së për Masat e Ndërtimit të Besimit dhe Sigurisë është një prej instrumenteve kryesore të kësaj qasjeje. Ai përmban masa që lidhen me shkëmbimin e informacionit ushtarak, aktivitetet ushtarake, njoftimet, vëzhgimin dhe mekanizma të tjerë që synojnë rritjen e besimit dhe parashikueshmërisë. OSBE-ja e konsideron transparencën ushtarake, hapjen dhe shkëmbimin e informacionit si mjete për rritjen e stabilitetit dhe parashikueshmërisë ushtarake.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Ballkanin.

Transparenca nuk e dobëson mbrojtjen. Në shumë raste, ajo e bën mbrojtjen më të besueshme. Përballë presionit politik: më shumë institucione, jo më shumë retorikë. Kur një fuqi e jashtme e interpreton bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes si faktor tensioni, përgjigjja më e qëndrueshme nuk duhet të jetë një garë deklaratash. Ajo duhet të mbështetet në dokumente.

Në të drejtën ndërkombëtare. Në fakte të verifikueshme. Dhe në parimet e sigurisë kolektive. Kosova ka interes të zhvillojë institucionet dhe kapacitetet e saj të sigurisë. Shqipëria dhe Kroacia kanë të drejtë të bashkëpunojnë me Kosovën në kuadër të marrëveshjeve dhe angazhimeve të tyre. NATO vazhdon të ketë rol qendror në sigurinë e Kosovës përmes KFOR-it. Dhe shtetet kanë të drejtë të bashkëpunojnë në fushën e mbrojtjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet e tyre. Këto nuk janë argumente që kërkojnë gjuhë të ashpër. Janë argumente që qëndrojnë mbi dokumente.

Kosova duhet të jetë pjesë e arkitekturës së sigurisë

Për Kosovën, sfida strategjike është më e madhe se një deklaratë e vetme. Ajo lidhet me ndërtimin e një shteti me institucione të afta për të garantuar sigurinë, për të menaxhuar krizat dhe për të kontribuar në sigurinë evropiane. Kjo kërkon investime në njerëz, profesionalizim ushtarak, arsimim, teknologji, mbrojtje kibernetike, inteligjencë, logjistikë, industri të mbrojtjes dhe mbikëqyrje demokratike.

Por kërkon edhe diplomaci. Sepse qëllimi i një politike të përgjegjshme të mbrojtjes nuk është krijimi i konfliktit. Është parandalimi i tij. Kjo është arsyeja pse përafrimi i Kosovës me standardet euroatlantike nuk duhet të shihet vetëm si projekt ushtarak. Është projekt institucional. Është projekt sigurie. Është projekt i qëndrueshmërisë shtetërore. Dhe, mbi të gjitha, është pjesë e përpjekjes për ta bërë Kosovën një partnere më të aftë, më të besueshme dhe më të përgatitur, të aftë për të kontribuar në sigurinë rajonale. Përfundim: siguria përmes përgjegjësisë. Ballkani nuk ka nevojë për një gjuhë të re përçarjeje. Ka nevojë për një kulturë më të pjekur të sigurisë. Kjo kulturë duhet të bazohet në disa parime themelore: respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, transparencën ushtarake, mbikëqyrjen demokratike, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik. Për Kosovën, kjo do të thotë të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të saj të sigurisë dhe të thellojë bashkëpunimin me partnerët.

Për Shqipërinë dhe Kroacinë, do të thotë të vazhdojnë të kontribuojnë në një mjedis më të qëndrueshëm sigurie dhe në mbështetjen e perspektivës euroatlantike të Kosovës. Për NATO-n, do të thotë të vazhdojë politikën e parandalimit, mbrojtjes dhe stabilitetit. Dhe për rajonin, do të thotë që siguria të mos matet me frikën që krijojmë te njëri-tjetri, por me aftësinë tonë për ta parandaluar një krizë përpara se ajo të shndërrohet në konflikt.

Në fund, një parim duhet të mbetet i qartë: Bashkëpunimi në mbrojtje nuk është, në vetvete, kërcënim. Pasiguria bëhet kërcënim kur mungojnë institucionet, transparenca dhe mekanizmat e parandalimit. Prandaj, forcimi i kapaciteteve të Kosovës, bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kroacinë dhe lidhja gjithnjë e më e fortë me arkitekturën euroatlantike të sigurisë duhet të shihen si pjesë e një politike të përgjegjshme të sigurisë. Jo si përgatitje për konflikt. Por si përgatitje për ta parandaluar atë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT