• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reforma territoriale apo elektorale

August 14, 2026 by s p

Gjatë kësaj vere më vapë krahas protestës së qytetarëve në Tiranë në Shqipëri  kemi edhe një çështje tjetër e cila ka të bëjë organizimin administrativ  përkatësisht me Projektligjin për reformën territoriale, e cila është bërë temë dite për opinionin e gjerë, sepse parashihet që numri i bashkive nga 61 sa janë aktualisht të zvoglohët në 46, ku ka pasur reagime si nga opozita, shoqëria civile por edhe nga pjesëtarë të shumicës aktuale.

Nail  Draga

Në sajë të reformës territoriale  në Shqipëri në vitin 2014 numri i njësive të qeverisjes vendore u reduktua nga 373 komuna dhe bashki në 61 bashki; u ruajtën 12 qarqet si niveli i dytë i qeverisjes vendore; ish-komunat u shndërruan në njësi administrative brenda bashkive të reja. Duhet cekur se kjo reformë ishte  rezultat i Partisë Socialiste,  për të eliminuar  numrin e lartë të komunave dhe bashkive, por të punohet përseri në këtë drejtim pas 12 viteve hap dilema së cilët janë shkaqet për një ndarje të re territoriale në nivel vendi nga e njëjta forcë politike.

Reforma si çështje partiake

Opinioni i gjerë është informuar më herët se për  çështjet e reformës administrativo-territoriale(Reforma Territoriale 2.0), Kuvendi i Shqipërisë ka formuar komisionin përkatës i përbërë nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike me dy  bashkëkryetar, por nga mospajtimi i qendrimeve mazhoranca socialiste ka dalur  me propozimin e tyre, duke harruar se nuk kemi të bëjmë me çështje partiake, por të nivelit shtetëror. Ndonëse nga viti 2014 nuk janë shumë vite   mazhoranca socialiste  argumenton se  harta aktuale nuk i përgjigjet më realitetit demografik dhe ekonomik të vendit. Sipas tyre analiza bazohet në pesë tregues që janë në: funksionalitetin e bashkive, performancën ekonomike, masën urbane dhe demografike, distancën nga qendra më e afërt administrative dhe kohezionin social e kulturor.

Në sajë të tyre parametrave Raporti  i prezantuar konstaton se problemi nuk lidhet vetëm me numrin e bashkive, por me pabarazinë e madhe mes tyre. Kështu, Tirana përqendron rreth një të katërtën e popullsisë së vendit dhe afro 40 për qind të të ardhurave vendore, ndërkohë që 47 bashki gjenerojnë secila më pak se një për qind të të ardhurave. Gati gjysma e bashkive rezultojnë nën nivelin mesatar të funksionalitetit, ndërsa shumë njësi të vogla shpenzojnë pjesën dërrmuese të buxhetit për administratë dhe paga, duke lënë pak hapësirë për investime dhe zhvillim.

Demagogjia e shumicës

Por, cekim me këtë rast se hartuesit e kësaj reformë territoriale   në vitin 2014, kanë  thënë se si shkak është numri i lartë i administratës në qeverisjën vendore,  ku ajo  do shkurtohet  dhe do reduktohen buxhetet dhe shpenzimet e panevojshme. Por një konstatim i tillë është demagogji, sepse nga 17 mijë punonjës në vitin 2015, sot në njësitë e qeverisjes vendore  janë  rreth  37 mijë punonjës. Madje këto njësi janë kthyer në subjekte elektorale,  ndërsa  nuk janë të paktë ata të cilët deklarohen se kjo reformë territoriale më tepër është elektorale, sepse në maj të  vitit 2027 në Shqipëri do të mbahën zgjedhjet vendore.

Qendrimi arrogant i qeverisë 

Njohësit e rrethanave  në Shqipëri cekin se reforma e tillë është konceptuar në mënyrë të gabuar. Sepse njësitë e qeverisjës vendore u konceptuan  në mënyrë të gabuar si njësi vetëqeverisëse  në këndvështrimin financiar. Ato njësi që nuk gjeneronin të ardhura do të dështonin. Qeverisja qëndrore do të merrte përsipër vetëm garantimin e fondit të pagave dhe investimet në ndonjë projekt kombetar. Nga një qasje të tillë zonat pa të ardhura u braktisën. Qëndrat e ish komunave që mbanin akoma aktive disa banorë, disa shërbime sikurse arsimin, shëndetësinë dhe shërbimet e tjera të karakterit bujqësor, u braktisën. Popullsia ra në mënyrë drastike. Kjo rënie dhe ky dështim u përshpjetua nga qëndrimi arrogant i qeverisjes qëndrore.

Propozohet të shkrihen 15 bashki 

Si në vitin 2014, edhe tash Partia Socialiste ka dalur me propozim për të reduktuar numrin e bashkive, ku nga 61 bashki sa janë tash, ai numër do bie në 46, nga del se do të shkrihen 15 bashki, duke i bashkuar ata me bashkitë tjera që janë afër tyre.

Kështu drafti i tillë parashikon shkrirjen e Fushë-Arrëzit me Pukën; Klosin me Matin;Rrogozhinën me Kavajën; Dimalin dhe Poliçanin me Beratin; Patosit me Fierin; Divjakës me Lushnjën; Selenicës me Vlorën; Maliqit me Korçën; Këlcyrës me Përmetin; Memaliajt me Tepelenën; Libohovës me Gjirokastrën; Cërrikut  dhe Belshit me Elbasanin dhe Përrenjasit me Librazhdin.

Reagimi i qytetarëve

Ndaj këtij propozimi kanë reaguar nga opozita, shoqëria civile por edhe nga pjesëtarë të mazhorancës politike, duke refuzuar një propozim të tillë, sepse nuk është në favor të qytetarëve por të kalkulimeve politike të mazhorancës aktuale. Nga bashkitë aktuale që drejtohen nga Partia socialiste kundër këtij propozimi pakënaqësinë e tyre e kanë shprehur  duke protestuar, ndërsa e veçantë ishte  nga bashkia e Poliçanit ku qytetarët mbeshtetës së socialistëve në mënyrë publike i kanë djegur librezat e tyre partiake, dukuri e cila ka ndodhë për herë të parë në Shqipëri. Kundër  këtij propozimi janë deklaruar edhe nga bashkia e Memaliajt, Maliqit, Belshit, Përrenjasit, Selenicës etj. Bëhet me dije se protesta të tilla do të ketë ditëve në  vijim  madje duke përgatitur peticione kundër një propozimi  të tillë  drejtuar  insitucioneve shtetërore por edhe atyre ndërkombëtare(BE).

Fshatrat-  më të goditura

Të gjithë pjesëmarrësit në këto  protesta pa dallime partiake kanë  shprehur  zhgënjimin e tyre në mazhorancën aktuale sepse qytetarët e bashkive të tilla do të humbin funksionet e qytetit, sepse ata do të zhvendosën gjetiu, ndërsa procesi i shpopullimit të popullsisë do të jetë proces i pandalshëm. Në këtë aspekt me të goditur janë fshatrat të cilët pa investime në infrastrukturë  nuk mund të qendrojnë pasiv, por do të migrojnë në qendrat e ndryshme urbane,   ku përvoja e deritashme është dëshmi e një konstatimi të tillë. 

Përfundim

Çështja e organizimit territorial përkatësisht të hartës së re të bashkive e cila është në procedurë nuk duhet trajtuar si çështje eskluzive partiake, në rastin konkret nga shumica parlamentare, por si çështje kombëtare sepse kemi të bëjmë e organizimin e përgjithshëm administrativ të vendit. Kemi të bëjmë me një çështje shumëdimensionale  që meriton qasje analitike, duke respektuar mendimin e qytetarëve të cilët ballafaqohen  me realitetin qeverisës në nivelin vendor  në raport me ate qendror.

Por, pasi kemi të bëjmë me çështje hapësinore-territoriale krahasimet me vendet e ndryshme evropiane  janë të nevojshme, pa marrë parasysh se organizimi territorial është çështje autonome e çdo shteti.

Nuk ka dilemë se në këtë drejtim mund të paraqiten  propozime të reja, madje edhe për ta zvogluar numrin e bashkive  por asgjë nuk duhet të jetë definitive, pa konsultuar  qytetarët në formë të diskutimit publik, sepse duhet shmangur centralizimin por duhet shkuar nga decentralizimi i pushtetit, sipas standardëve demokratike evropiane.

Edhe reagimi i këtyre ditëve  nga ana e opozitës, shoqëria civile e sidomos nga ata bashki që janë të rrezikuara sepse humbin statusin  aktual dëshmon në mënyrë transparente se propozim ligji për organizimin e ri administrativ  me tepër i gjason një reformë  elektorale se sa asaj territoriale. Megjithate duhet të presim vjeshtën kur për këtë propozimligj do të diskutohet dhe do  të vendoset me vota në parlament. 

Filed Under: Komente

ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI – RETROSPEKTIVA E NJË DËSHTIMI

August 14, 2026 by s p

Platforma politike e hartuar nga BDI-ja, nga Rilindja me Besë (Lëvizja Besa) dhe nga Aleanca për Shqiptarët (LR-PDSH-ja) dëshmon se çështja shqiptare në Maqedoni, që nga viti 1991 deri më sot, nuk është zgjidhur.

Platforma politike e tre subjekteve të sipërthëna dëshmon se Partia për Prosperitet Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që nga viti 1991 deri më sot, ndonëse kanë qenë pjesë e qeverive dhe partnerë të bashkëqeverisjes, çështjen shqiptare në Maqedoni nuk e kanë zgjidhur.

Platforma politike e tre subjekteve të lartpërmendura tregon se çështja shqiptare në Maqedoni, nuk është zgjidhur, as në vitin 1991, e as në vitin 2001.

Platforma politike e tre subjekteve dëshmon se çështja shqiptare në Maqedoni nuk është zgjidhur as pas luftës së 2001-shit.

Platforma politike e tri partive shqiptare tregon se BDI-ja, edhe pse 12 vjet ishte pjesë e ekzekutivit, nuk ia doli ta zgjidhë çështjen shqiptare. Platforma politike vë në dyshim edhe Marrëveshjen e Ohrit.

Platforma politike e partive shqiptare të shtyn të konstatosh se:

– Marrëveshja e Ohrit nuk është implementuar; ose

– Marrëveshja e Ohrit nuk paraqet zgjidhje përkatëse për çështjen shqiptare në Maqedoni.

Platforma politike e faktorit politik shqiptar – të defaktorizuar – të shtyn të gjykosh edhe për luftën e 2001-shit. Lufta e 2001-shit nuk u bë për territore. As për çlirim territoresh dhe as për pushtim territoresh. Ajo u bë për barazinë e plotë të shqiptarëve.

Platforma politike e partive shqiptare dëshmon se shqiptarët në Maqedoni nuk qenkan të barabartë. Me fjalë të tjera, pas luftës së 2001-shit, shqiptarët nuk paskan fituar, as territor, e as barazi. Paskan mbetur pakicë kombëtare, sikurse pakicat e tjera – vllehtë, romët, turqit.

Me gjithë këtë dështim të faktorit politik shqiptar, askush nuk mban përgjegjësi. Protagonistët e politikës të dështuar, vazhdojnë të qëndrojnë në skenë, vazhdojnë të jenë mbartës të proceseve politike.

Përgjegjësia politike, në radhë të parë i takon pozitës politike – Bashkimit Demokratik për Integrim dhe opozitës politike – Partisë Demokratike Shqiptare. Përgjegjësia më e madhe politike bie mbi BDI-në, për arsye se ajo ka qenë pjesë e qeverisjes që nga viti 2002 deri më sot, me përjashtim të viteve 2006-2008.

Përkundër dështimit politik të BDI-së, shoqëria shqiptare e atrofizuar, nuk tregoi aftësi për të ndërtuar një faktor të ri politik, të denjë për t’u ballafaquar me sfidat e kohës. Me një fjalë, shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë pa një opozitë politike influente dhe respektabile.

Duke qenë se çështja shqiptare nuk është zgjidhur që nga viti 1991 deri më sot, atëherë s’ka sesi të mos shtrohet pyetja: Në ç’mënyrë partitë politike shqiptare kanë hyrë në qeveri?! Në ç’mënyrë janë bërë pjesë e ekzekutivit?! Në ç’mënyrë janë bërë pjesë e bashkëqeverisjes?!

Nga sa më sipër rezulton se:

– PPD-ja në vitet 1991-94 dhe 1994-98 paska hyrë në qeveri pa kurrfarë platforme;

– PDSH-ja në vitet 1998-2001/2002 dhe 2006-2008, paska hyrë në bashkëqeverisje pa ndonjë platformë politike;

– BDI-ja në vitet 2008-2016 paska hyrë në bashkëqeverisje me VMRO-në pa asnjëfarë platforme politike.

Rrjedhimisht, dy partitë shqiptare – PPD-ja dhe PDSH-ja, dolën nga skena politike dhe shkuan në histori. Po të lindte një opozitë, politikisht e mirëfilltë, këtë fat do ta kishte përjetuar edhe BDI-ja.

Në asnjë vend me shoqëri dhe me demokraci të konsoliduar nuk ka ndodhur që në të njëjtën kohë t’i humbin zgjedhjet apo të rrënohen politikisht – edhe pozita politike edhe opozita politike, siç ndodhi me BDI-në dhe me PDSH-në në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016. Për më tepër, nuk lindi as edhe një opozitë e re.

Prej vitit 1991 deri më sot, kanë kaluar 25 vjet, d.m.th. çerek shekulli. Gjatë kësaj periudhe, në zgjedhjet parlamentare, në ato vendore si dhe presidenciale pamë shumë fushata zgjedhore, mitingje dhe tubime. Pamë bilborde, posterë, spote televizive dhe reklama programesh parapolitike. Mitingje dhe tubime të përcjella me këngë epike. Dëgjuam një det premtimesh dhe atdhetarizëm folklorik. Fjalë të mëdha dhe vepra të vogla. Kishte vjedhje votash, mbushje kutish, blerje votash, fyerje, kanosje, shantazhe, diferencime si në kohën e bolshevikëve, rrahje, lëndime, plagosje dhe vrasje. Pamë ushtarë partish por edhe militantë partiakë.

Më e ashpër ishte beteja politike midis dy partive shqiptare, sesa faktorit politik shqiptar dhe atij sllavo-maqedonas. Madje në shumë raste, partitë shqiptare, ndaj padronëve sllavo-maqedonas tregoheshin të matur, të përmbajtur, manifestonin besnikëri dhe luajalitet.

Çerek shekulli, pamë një numër të madh ministrash, deputetë, zëvendësministra, shefa kabineti, këshilltarë qeverie, drejtorë të përgjithshëm, anëtarë komisionesh, anëtarë bordesh apo këshillash drejtues. Patëm edhe zëvendëskryeministra, kandidatë për kryetar shteti, Sekretariat për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Liderët e partive shqiptare dhe eksponentët e tjerë politikë, 25 vjet me radhë, pothuajse çdo natë, i pamë – në televizor, në ekran, në mediume, në intervista. Pamë zëdhënës partish dhe konferenca shtypi.

Pamë prijës autokrat, autoritar, despot dhe tiran – të etshëm për pushtet. Pamë edhe narcisoidë. Pamë veprime bizantine, totalitare, staliniste dhe bolshevike. Pamë kuaj Troje dhe kolonë të pestë.

Çerek shekulli – dreka, darka, mëditje, të ardhura mujore mbi mesatare, udhëtime zyrtare, makina zyrtare luksoze, drejtues makinash zyrtarësh dhe funksionarësh. Të gjitha këto, në kurriz të këtij populli të stërmunduar.

Dëgjuam edhe për skandale flirti.

Pamë deputetë që gjatë mandatit katërvjeçar nuk e çelën gojën, as në kuvend dhe as në komisionet e kuvendit. Pamë se faktori politik shqiptar nuk është në gjendje të ndërrojë katër emra shkollash, në të cilat mësojnë kryesisht nxënës shqiptarë. Në qytetin me shtatë shkolla të mesme në të cilat rreth 80% e nxënësve dhe e kuadrit arsimor janë shqiptarë, vetëm njëra sosh quhet “7 Marsi“ ndërsa gjashtë të tjerat mbajnë emërtime sllavo-maqedonase.

Ç’barazi është kjo?!

Pamë qytet rrëzë Sharrit që 25  vjet është në pritje të ujit të pijshëm; individë që karrierën e filluan me dy dhoma pa mobilie, të cilët pastaj u pasuruan brenda natës; qytete që sot e gjithë ditën nuk e kanë të zgjidhur çështjen e depozitimit të hedhurinave; persona që vite me radhë rrotullohen nëpër institucionet e shtetit, thua ti se janë të pazëvendësueshëm. Pamë që 50 % e popullit të mos dalë në votim; që mijëra shqiptarë të votojnë për parti sllavo-maqedonase.

Pamë aleancë, miqësi dhe koalicion me djallin, me gligorovistët që vranë në Gostivar si dhe në Tetovë – kur themelohej universiteti. Aleancë, miqësi dhe koalicion me VMRO-të, që kërkonin dhoma gazi për shqiptarët, e që u shpallën partnerë strategjikë.

Çerek shekulli – tenderë, blerje banesash, nga dy, tre e më tepër; ndërtime, përvetësime dhe tjetërsime ndërtesash; çelje pikësh karburanti; blerje dhe falje diplomash; punësime partiake dhe nepotizëm.

Privilegje të personave të caktuar – i njëjti person është emëruar në 5-6 komisione, borde dhe këshilla drejtues. Persona të njëjtë, nga dy a tri herë deputetë, nga dy a tri herë ministra, pandërprerë në poste dhe në pozita, në organet ekzekutive dhe ligjvënëse, në pushtetin qendror dhe vendor. Të gjitha këto, në kurriz të këtij populli të varfëruar.

Çerek shekulli – politizim i skajshëm i shoqërisë dhe nepotizëm.

Për punë partish, i prishën raportet – vëllai me vëllanë, shokët e vjetër, fqinjët, babë e bir, madje edhe burrë e grua. E pabesueshme! E tmerrshme! Përse?! Për kë?! Për çka?! Për ç’arsye?!

Për t’u pasuruar një kastë samurajësh dhe për t’u varfëruar qytetet shqiptare. Për t’u kthyer qytetet shqiptare në qyteza, në kasaba, në varosh. Për ta kthyer procesin pas. Për të filluar sërish nga e para, që të përkujton Sizifin e dënuar. Për të dëgjuar fyerje nga krerët më të lartë të shtetit dhe të VMRO-së. Për t’i dënuar shqiptarët me dënime drakonike.

Për të përjetuar tragjedinë e Sopotit, të Monstrës, të Brodecit, të Kumanovës. Për t’i politizuar dhe për t’i partizuar institucionet publike. Për të mos mundur të punësohesh as shërbëtor shkolle pa miratimin e degës së partisë! Për t’i sjellë në pushtet gjysmanalfabetët dhe për t’i mbajtur në pushtet injorantët. Për t’i avancuar poltronët, për ta lënë rininë pa perspektivë dhe për t’i detyruar të rinjtë e arsimuar të shpërngulen nga vendi. Për ta zhveshur kauzën shqiptare nga dimensioni i saj politik dhe për t’i dhënë asaj karakter infrastrukturor. Por as infrastruktura s’u bë dot!

Pjesë e këtij teatri absurd ishin edhe mediume të caktuara, shërbëtorë të devotshëm të një politike të dështuar. Pjesë e kësaj bote markeziane ishin edhe shumë analistë politikë – mercenarë, edhe këta, shërbëtorë të denjë të shtetit dhe të partive.

Pjesë e këtyre labirinteve kafkiane ishin edhe pseudointelektualët, demagogët, mashtruesit, tregtarët e flamujve, sahanlëpirësit, oportunistët, konfromistët, provincialët, meskinët, mediokrët, individët pa ideal dhe pa ideologji ose me ideologji antishqiptare dhe antihistorike.

*   *   *

Gjatë një çerek shekulli, pamë çmos, por nuk pamë asnjë dorëheqje të ndonjë ministri shqiptar, të ndonjë anëtari të strukturave të larta partiake – në shenjë akti politik, moral dhe kombëtar.

Që prej vitit 1991 deri më sot, asnjë parti shqiptare nuk e braktisi qeverinë për të shkaktuar krizë politike apo krizë qeveritare, përkundër faktit se nuk u sendërtuan kërkesat primordiale të shqiptarëve. Dalja nga qeveria është akt politik demokratik dhe jo veprim destruktiv apo destabilizues. Përkundrazi, gjatë periudhës së kaluar pamë një garë ndërpartiake brendashqiptare, që kush më parë të hyjë në qeveri, madje pa kurrfarë platforme politike dhe pa asnjëfarë kushti.

Gjatë këtyre 25 viteve, faktori politik shqiptar shpesh arsyetohej duke thënë: “Politika jonë konstruktive gëzon mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, mbështetjen e Tiranës dhe të Prishtinës. Miqtë tanë ndërkombëtarë dhe qendrat politike shqiptare të vendosjes na sugjerojnë të ndjekim politikë paqeruajtëse dhe stabilizuese. Destabilizimi i Maqedonisë mund ta destabilizojë rajonin. Çështja shqiptare në Maqedoni duhet të presë zgjidhjen e çështjes së Kosovës…“

Arsyetimet e sipërthëna janë të diskutueshme. Uashingtoni dhe Brukseli kurrë s’kanë thënë se faktori politik shqiptar duhet t’i mbyllë sytë para investimeve që janë bërë në Maqedoninë lindore dhe zero investimeve në pjesën veriperëndimore. Miqtë ndërkombëtarë kurrë s’kanë thënë: “Shqiptarë, mbyllni sytë para projektit grotesk dhe bizar Shkupi 2014.“

Askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët që t’i mbyllin sytë para fyerjeve degutante të kreut të VMRO-së, partnere e bashkëqeverisjes. Askush nuk mund t’i detyrojë shqiptarët t’i mbyllin sytë para dënimeve drakonike në rastet e Sopotit, të Monstrës, të Brodecit, të Kumanovës.

Që nga viti 1991 e këndej, gligorovistët dhe VMRO-të, në mënyrë permanente kanë ndërmarrë ndaj shqiptarëve ekspedita ushtarako-policore.

Edhe pas çerek shekulli politike konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese të faktorit politik shqiptar, Maqedonia vazhdon të jetë shtet unitar, monoetnik dhe centralist. Vazhdon të jetë shteti më i nacifikuar në Evropë. Denacifikimi i saj s’u bë dot as pas 2001-shit!

Në vitet 2002-2006, shqiptarët arritën të jetësojnë një pjesë të Marrëveshjes së Ohrit, si p,sh, krijimin e komunave me shumicë shqiptare, që nga Struga deri në Kumanovë; zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës …Pas kësaj faze të qeverisjes, e sidomos në periudhën e viteve 2006-2016, çështja shqiptare mori tatëpjetën. Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni nuk arrihen dot me zgjidhje paliative.

Edhe në zgjedhjet e radhës VMRO-ja do të insistojë për 61 deputetë. Por ajo duhet ta dijë se pa shqiptarët s’mund të ketë qeveri në këtë vend. Çfarëdo qeverie pa shqiptarët, mund të nxisë tendencat qendërikëse dhe secesioniste. Pa shqiptarët në qeverisje, Maqedonia mund të përballet me ndarjen.

Si është e mundur që një popull me identitet të diskutueshëm, siç janë sllavo-maqedonasit, të jetë trashëgues i vetëm i shtetësisë dhe mbartës i vetëm i shtetësisë?!

Faktori politik shqiptar, për çerek shekulli nuk ia doli t’ia bëjë me dije palës sllavo-maqedonase se shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton. Si të tillë, ata nuk do të pranojnë të jenë qiraxhinj në tokë të vet. Sllavo-maqedonasit ndërkaq, tentojnë të ndërtojnë shtet në tokë të huaj – në atë shqiptare.

A thua asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur? Estragoni vazhdon të presë Godonë. Deri kur vallë?!

Xhelal Zejneli

Foto: Java News

Filed Under: Emigracion

IGOR  STRAVINSKI NË VEPRËN FOTOGRAFIKE TË GJON MILIT

August 14, 2026 by s p

Kristaq Balli/

“Kërko muzikën në çdo gjë dhe jeta do të jetë një simfoni gëzimi” –  Stravinsky.

Nuk ështe rastësi  që Gjon Mili ka përfshirë në aktivitetin e tij të gjatë e të suksesshëm shumë personalitete botërorë, në të gjitha fushat e jetës, sidomos në ato të arteve. Talenti artistik, përkushtimi dhe puna e tij këmbëngulëse, aftësitë e tij humane si modestia, guximi, afrimiteti dhe lehtësia  për të qenë miqësor, me humor, shpirthapur  e zemërbardhë,  por edhe duke zbatuar   në jetë  disa prej parimeve e traditave të familjes shqiptare dhe, sidomos, falë prestigjit të  tij  si artist i përmasave ndërkombëtare, e vendosën atë në qendër  miqësive   të ngushta profesionale e personale, si ato me Jean Paul Sartre, Pablo Picasso, Alfred Hitchcock, Sean O’Casey, Arthur Miller, Pablo Casals, Edward Weston, Salvador Dali, Eugene Ionesko, George Balanchine, etj.  Në këtë rrugëtim miqësor, ka edhe një gur tjetër kilometrik,  ai me Igor Stravinskin.

Igor Fyodorovich Stravinsky (1882-1971) ishte  një kompozitor, pianist dhe dirigjent rus, i lindur në Oranienbaum, Rusi – një qytet rreth 50 kilometra larg  Shën Petersburgut – më 17 qershor 1882 në një familje muzikantësh,  krijimtaria novatore e të cilit e bëri atë një nga figurat më të famshme në muzikën e shek. XX. Kariera kompozicionale e tij shquhet  nga diversiteti stilistk.  Duke u bërë fillimisht i njohur me baletet me tematikë ruse “Firebird” (Zogu i Zjarrtë) – 1910 “Petrushka”, – 1911 dhe “The Rite of Spring” (Rituali i Pranverës) -1913, ai krijoi i frymëzuar nga folku rus (1913-1919). Krijimtaria e kësaj kohe u quajt “Periudha Ruse”, më  tej ai iu përvesh  rrymës së   neoklasicizmit të moderuar (1920-1951)  dhe, më vonë,  serializmit (dodecaphony) (1954-1968), duke lënë një trashëgimi që riformësoi në disa dimensione muzikën klasike. Me fillimin e Luftës I Botërore, deri në vitin 1920, së bashku me familjen, qëndroi në Zvicër, ku ai shkroi “Rrëfenja e ushtarit” dhe dha koncerte të shumta. Rruga e jetës dhe artit do ta çonin më tej në Francë. Më 1934 u bë nënshtetas francez. Aty i ndodhën një sërë fatkeqësish në familje si vdekja e gruas, nënës e vajzës, sidoqoftë ai krijoi marrëdhënie, veç të tjerësh,  me personalitete të rëndësishëm amerikanë dhe u tregua i gatshëm për të shkuar e kontribuar aty. 

Kështu, kapitulli i fundit i jetës së Stravinskit i takon Amerikës, Universitetit Harward e më tej West Hollywood-it në Los Anxheles, ku dhe mori nënshtetësinë amerikane në vitin 1945. Jeta artisike aty ishte një aventurë komplekse, pasi shoqëria kozmopolitane e ShBA ishte injektuar nga shumë rryma e stile muzikore kontemporane e avanguarde. Ai ndërroi jetë në Nju Jork më 1971. Për kontributet e tij madhore ai është vlerësuar me Medaljen e Artë të Shoqërisë Filarmonike Mbretërore (1954), Çmimin Muzikor “Léone Sonning”, 1959, Çmimin “Sibelius”, 1963 si dhe me 3 Çmime “Grammy” (1962) dhe, pas vdekjes, me 1987 me Medaljen e Artë të Shoqërisë Filarmonike Mbretërore; ai ka një Yll në Shëtitoren e Famës në Hollivud dhe, po ashtu, më 2004 u vendos në Hollin e Famës të Muzeut Kombëtar të Vallëzimit. Në vitin 1998, revista Time e renditi Stravinskin si një nga 100 njerëzit më me ndikim të shekullit.1)

Stravinsky është konsideruar si “një nga novatorët epokalë të muzikës”.

Gjon Mili është njohur me Stravinskin  gjatë periudhës amerikane (pas vitit 1945) nëpërmjet  fotografimit të shfaqjeve të veprave të tij  muzikore në sallat kryesore amerikane operistike, e më pas në Los Angelos, Boston, New York, Washington. 

Gjon Mili ishte  22 vjet më i ri se Stravinski dhe njohja me të ka  kaluar nëpërmjet revistës LIFE, për të cilën Mili punonte.

Ata e kthyen njohjen në një miqësi të qëndrueshme e të gjatë  deri sa Stravinski ndërroi jetë, më 1971,  madje Mili ka fotografuar e shkruar për të edhe më pas. Sigurisht arsyeja kryesore ishte arti që krijonte valenca të forta shoqërore e profesionale. Mili e ka fotografuar me elementë tejet artisikë e kompozicionalë shumë herë jo vetëm figurën e Stravinskit, por edhe të familjes dhe të veprave të tij gjatë interpretimit, mbasi dihet tërheqja e veçantë artistike e fotografit për muzikën, baletin, operën, teatrin 

Gjatë  një udhëtimi për revistën “LIFE” në Itali, në vitin 1957, Gjon Mili ka takuar Stravinskin në Venecia. Takimi ka ndodhur në një sallë vallzimi (kabare)  të lënë pas dore, ku, çdo ditë që herët në mëngjes,  ai  punonte i vetmuar mbi piano. Duke e gjetur në një gjendje e pozicion mjaft të përshtatshëm, Mili e ka fotografuar Stravinskin disa herë, të harruar nga bota e jashtme.  I ka bërë një seri fotosh në një ambient të mugët, ku ka krijuar një sërë improvizimesh e detajesh skenografike, kryesisht me anë të ndriçimit,  që i përshtaten karakterit të Stravinskit, të përqëndruar mbi tastierë  dhe të shpërfillur nga mjedisi fotografik përreth.  Stravinski ka dhjetra e dhjetra portrete nga fotografë të tjerë të njohur.  Por, nga fotot e Gjon Milit, disa   prej tyre përbëjnë vepra të spikatura artistike, për të cilat do të shprehim disa mendime: 

Fotoja e parë (1),  me disa detaje e objekte shumë të thjeshta pune, si lapsi i vendosur horizontalisht  midis buzëve, syzet  e ngritura mbi ballë, (madje, dendur Stravinski mbante gjatë punës dy palë syze për të kompensuar dioptrinë), drita dhe siluetat e  abazhurit, partitura, por edhe profili   i veçantë  në formë elipsoidi i kokës së kompozitorit, gjendja emocionale krijuese që shpërfillte çdo lloj  manovrash nga jashtë, këndi i fotografimit dhe ndriçimi me  vurrata të çrregullta dritë-hijesh, si  dhe gjendja emocionale e kompozitorit në frymëzim e sipër, pa përdorur  blicin gjatë shkrepjes së diafragmës, krijojnë një kompozim  artistik  shumë  karakterial, individual e intim gjatë procesit të krijimit muzikor të kompozitorit. Mendoj se profili është  zgjedhje e qëllimshme. Në vend të një portreti frontal, Mili zgjedh siluetën, duke i dhënë më shumë rëndësi vijës së mendimit sesa shprehjes emocionale. Lapsi në buzë është ndoshta elementi më domethënës. Nuk është një gjest i rastësishëm. Ai shpreh ndërprerjen e mendimit, atë sekondë kur ideja muzikore ende nuk është shkruar. Është një “heshtje krijuese”. Duart e shtrira mbi piano krijojnë një urë midis mendimit dhe tingullit. Ato nuk po luajnë; po presin urdhrin e nënvetëdijës krijuese.

Në fotografinë e dytë (2), ai është kthyer në profil dhe silueta e tij dominon përpara projeksionit. Tani nuk kemi më një portret psikologjik, por pothuajse një kompozim grafik.

Figura e tij duket sikur del nga errësira, ndërsa ngjyrat e sfondit krijojnë një kontrast shumë të fuqishëm.

Llamba është një simbol shumë domethënës. Praktikisht është burimi i vetëm i dritës dhe ndriçon fytyrën e kompozitorit dhe partiturën. Më duket sikur Mili e përdor dritën si metaforë të frymëzimit. Nuk është rastësi që gjithçka tjetër mbetet në errësirë.

Ndërkaq, foton 2, të realizuar  në të njëjtën seancë në Venecia dhe të botuar në revistën LIFE  menjëherë pas vdekjes, më 19712),  mund ta  vlerësojmë në  një kontekst më  abstragues dhe  figurativ: Në të  nuk i jepet shumë vëmendje portretit (fytyrës në hije), por  mendimit muzikor. Personazhi kryesor “mund të mos jetë Stravinski”, por  muzika.

Ai përpiqet të fotografojë procesin krijues.

Stravinski nuk duket se po pozon. Në pamje të parë syri të shkon te trekëndëshi i madh i zi i kapakut të pianos. Vetëm pas pak çastesh zbulojmë Stravinskin në një cep të fotografisë. Kjo përmbys rregullin klasik të portretit. Mili duket sikur na thotë: “Mos shikoni njeriun; shikoni universin që ai ka krijuar”. Është një mënyrë jashtëzakonisht moderne të menduari. Kjo foto është një portret filozofik;

Një nga tiparet që e dallojnë Gjon Milin është përdorimi i asaj që në art quhet hapësira negative. Pjesa më e madhe e fotografisë është pothuajse bosh, e nderur. Por ajo, në nënvetëdijë, nuk është bosh. Kjo figurë abstrakte gjeometrike krijon ndjesinë e stabilitetit dhe monumentalitetit. Ndërsa Stravinski, i vendosur në cep, duket i vogël fizikisht, por gjigant shpirtërisht. Është një kondrapunkt shumë i qëlluar.  Mili e përkthen këtë në gjuhën e fotografisë. Ajo është heshtje muzikore. Në muzikën e Stravinskit, po aq të rëndësishme sa tingujt janë edhe pushimet, intervalet, tensioni dhe pritja. Shumë portrete të kompozitorëve na tregojnë fytyrën e tyre; Gjon Mili përpiqet të tregojë mendimin muzikor. Kjo është shumë më domethënëse. “Kërko muzikën në çdo gjë dhe jeta do të jetë një simfoni gëzimi” (Stravinski)

Nga një pikëpamje tjetër, Mili nuk përdor një ndriçim spektakolar. Drita është e përmbajtur. Ajo modelon fytyrën pa teatralitet. Është një dritë intelektuale.

Në shumë portrete fotografët  përpiqen të “kapin karakterin”. Këtu Mili shkon më tej. Ai përpiqet të fotografojë procesin krijues. Stravinsky nuk duket sikur po pozon. Ai duket sikur sapo ka ndërprerë mendimin për disa sekonda. Ky është një ndryshim shumë i madh. Është një portret filozofik. Pianoja bëhet arkitekturë muzikore. Ndërsa Mili ka ndërtuar një monument fotografik.

Këto foto, në botim, Gjon Mili i ka shoqëruar me një postulat të Stravinskit: “Arti është energji e rregulluar: kaligrafi e shpirtit. Arti mund të kontrollohet, kufizohet, përpunohet, akoma ai është i lirë. Arti në kuptimin e vërtetë është një mënyrë e modelimit të punëve (veprave) sipas metodave të caktuara, dikush me amatorizëm e dikush me zbulimi krijues” 3) 

Këto foto mbeten nga veprat më të bukura e  simbolike  fotografike të bëra ndonjëherë këtij artisti brilant.

Po ato ditë Mili realizon për Stravinskin një tjetër foto emblematike me ngjyra të arta, spirituale e inspiruese, ku muzikanti qëndron para një galerie të Shën Markut në Venecia, sipër  rreshtit të artë të apostujve; …Vepra e tij ”Canticum Sacrum” u këndua për herë të parë me rastin e 1.000 Vjetorit të katedrales, vitin e kaluar.4) Fotografia nuk është më thjesht një portret. Ajo është një “portret mjedisi”(environmental portrait), ku figura e Stravinskit është bërë pjesë e një hapësire me domethënie  kulturore dhe historike. Stravinsky është vendosur shumë larg objektivit, pothuajse i “humbur” në madhështinë e bazilikës. Ky është një vendim kompozicional i vetëdijshëm midis raportit të njeriut dhe madhështirë mistike.

Ai duket aq i vogël përballë hapësirës monumentale, sa në shikim të parë mezi dallohet. Megjithatë, sapo e gjen me sy, ai bëhet qendra e kompozimit. Ky është një paradoks vizual karakteristik i Gjon Milit: ai e përdorte shkallën jo për ta zvogëluar njeriun, por për ta bërë praninë e tij edhe më domethënëse. 

Kjo foto ka edhe një kontekst tjetër: Duke refuzuar vazhdimisht të shkruajë  vepra të reja të modeluara  sipas triumfeve të tij të  vjetra teatrale, Stravinski i jep muzikës së tij një tingull të hollë dhe të ashpër dhe kohët e fundit ka kompozuar shumicën e saj me nuanca hyjnore. Në zemër të kësaj është një devotshmëri shumë personale. Sipas tij ‘…idetë e para janë shumë të rëndësishme; ato vijnë nga Zoti,’, ka thënë  ai,  pastaj shpjegon   se si ai vetë e provoi frymëzimin hyjnor. ‘Nëse, pasi të kem punuar, të kem punuar, të kem punuar…, kthehem tek ato ide, atëhere e di që ato janë të mira”5) 

Të tjera foto të Gjon Milit për  bëra rreth këtij viti janë ato me bashkëshorten e tij, Vera Stravinsky, në shtëpinë e tyre në Hollywood. (foto), si edhe disa portrete duke dirigjuar, apo në punë krijuese mbi partiturë,  të panjohura deri sot. 

Në vitin 1971, me rastin e ndarjes nga jeta të Igor Stravinskit, revista LIFE boton një rubrikë të posaçme mbi jetën dhe veprën e tij të bujshme, të diskutuar, por edhe  shumë  të vlerësuar. Fotografitë e Gjon Milit që shoqërojnë shkrimin rrezatojnë personalitetin e virtuozitetin e muzikantit nën titullin “The Last Rite of Spring”, ku midis të tjerash thuhet: “…Ai la pas vetes një korpus prej më shumë se 100 veprash – partitura të shkëlqyera baleti, vepra vokale neoklasike, pjesë të rrepta  atonale, aranzhime xhazi…, të cilat  kanë ndikuar në trendet artistike të këtij shekulli po aq me siguri sa edhe veprat e Xheims Xhois-it, ose Pikassos..:Unë kam jetuar tashmë përmes disa prej pasardhësve të mi”.  Indiferenca e tij  nuk përfshinte kurrë modesti të rreme. Pasi u pyet se cilët nga kompozitorët e shekullit të 20-të mendonte se kishte më shumë gjasa të mbijetonin, Stravinski, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të arsyeshme, e vendosi veten në krye të listës.6) Fotografi surprizuese Gjon Mili u ka bërë edhe  disa veprave skenike muzikore, baleteve e koncerteve të tjera të Stravinskit me metoda, konceptime, teknika e teknologji novatore, të cilat ai i aplikoi  nga fundi i jetës së tij, Ato janë kryesisht foto me ngjyra dhe quhen “imazhe (ose foto) pa formë”, një lloj inversi i fotove të shumëfishta stroboskopike,  që kombinojnë përvojën stroboskopike me lëvizjen e kamerës në mënyrë të ngadalshme në drejtim të kundërt të lëvizjes dhe që rezultojnë në një realitet të transformuar nga imagjinata, kujtesa dhe asociacionet e lira,  imazhe të çuditshme, shpesh enigmatike, atmosferë misterioze, shkrirje e reales me fantastiken, nostalgjike ose metafizike, një mister i ngjashëm me atë të ëndrrave. Gjon Mili ka shfrytëzur në mënyrë të përkryer novatore përmbajtjen dhe stilin krijues të kompozitorit me  interpretimin e trupës së baletit (të inskenuar nga koreografi  i famshëm botëror George Ballanchine,  edhe ky mik i Gjon Milit)

Rreth këtyre fotove të Milit  në revistën “LIFE” na udhëheq artikulli “An Artistic Explosion” (Një Shpërthim  Artistik), në të vërtetë një festival botëror i 21 baleteve të  reja të bazuara në  muzikën e Igor Stravinskit  ku, midis të tjerash, thuhet me konsiderata të merituara: “…Ky homazh për Stravinskin, i cili  ndërroi jetë një vit më parë, ishte gjithashtu një triumf për Balanchine-n, mjshtëria e të cilit në vallëzim nuk rresht edhe në moshën 68 vjeç. ‘Gjëja e rëndësishme në balet, thotë Balanchine, “është vetë lëvizja”, një mendim që fotografi Gjon Mili e shpreh gjallërisht në fotografitë e tij tek “Simfonia në Tre lëvizje” dhe “Dumbarton Oaks”…” 7) 8)

Çdo urë që lidh brigjet  artistike dhe humane midis Igor Stravinskit dhe  Gjon Milit mbetet një dëshmi e personalitetit të tyre rrezatues, që ndriçon edhe më shumë kujtimin ndaj  veprës që ata i lanë njerëzimit.

Referenca:

________________________

  1. Wikipedia Encycopledia
  2. Last Rite of the Spring, LIFE April 15, 1971
  3.  Gjon Mili, Photographs & Recollections, Boston, 1980, p. 163
  4.  A Life Time in His Art: LIFE November 25, 1957, p. 102   
  5.  Po aty, p.101
  6.  The Last Rite of Spring, LIFE, April 16, 1971,  pp, 50-51 
  7.  An Artistic Explosion, LIFE, June 30, 1972, pp. 6-9 
  8. Qemal Agaj: Igor Stravinsky, Gjon Mili,-Photographs & Recollection,  koment, f. 169

Filed Under: Kulture

Fahredin Kastrati, koleksionisti që e mban gjallë pasionin, dhe dashurinë për Dardaninë

August 13, 2026 by s p

Besnik Fishta/

Ka njerëz që një pasion e kanë pjesë të jetës, por ka edhe të tjerë për të cilët pasioni bëhet mënyrë e të menduarit, mënyrë e të jetuarit dhe, mbi të gjitha, një mision. Fahredin Kastrati, kolegu dhe miku im nga Peja, është një prej tyre. Filatelist, numizmat, koleksionist dhe krijues i një veprimtarie të çmuar kulturore, ai është mbi të gjitha një njeri me një ndjenjë të thellë atdhetare, për të cilin Dardania – Kosova, nuk është thjesht një vend në hartë, por një pjesë e pazëvendësueshme e identitetit dhe e shpirtit të tij.

Kjo dashuri për vendlindjen nuk është diçka e rastësishme. Ajo duket se është një trashëgimi e marrë nga paraardhësit dhe e ushqyer ndër vite me kulturë, kujtesë dhe respekt për historinë kombëtare. Bace Fahredini është një nga ata njerëz që e sheh koleksionin jo vetëm si një grumbull objektesh të rralla, por si një dëshmi të historisë. Për këtë arsye, në zemrën e koleksioneve të tij zënë një vend të veçantë pullat dhe monedhat shqiptare, si dhe ato të Republikës së Kosovës.

Rruga e tij në botën e koleksionimit ka qenë e gjatë dhe e pasionuar. Ai ka qenë anëtar i Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë me qendër në Tiranë që prej themelimit të saj, duke e ndërtuar kështu prej vitesh një urë miqësie e bashkëpunimi me koleksionistët shqiptarë ne Tirane dhe gjithe Shqiperine. Por ëndrra e tij më e madhe ishte që edhe Kosova të kishte një organizim të mirëfilltë filatelik. Pas përpjekjesh të vazhdueshme dhe me mbështetjen e Zyrës Filatelike të Kosovës, e cila meriton vlerësim për kontributin e saj në konsolidimin e filatelisë kosovare, kjo ëndërr u bë realitet: u themelua Klubi Filatelik i Kosovës, ku Fahredini është themelues dhe kryetar.

Ky është një kontribut që duhet vlerësuar veçanërisht. Kosova nuk kishte një traditë të gjatë e të konsoliduar të organizimit filatelik. Për shumë vite, në kushtet e represionit serb, zhvillimi i jetës kulturore shqiptare ishte penguar dhe shumë pasuri të trashëgimisë shqiptare ishin cenuar, dëmtuar apo grabitur. Në këtë kontekst, krijimi i një klubi filatelik në Kosovë merr një kuptim përtej një shoqate koleksionistësh, ai është një hap drejt ruajtjes së kujtesës, identitetit dhe trashëgimisë përmes pullës postare.

Kushdo që ka pasur rastin të hyjë në studion e Bace Fahredinit, e kupton menjëherë se ndodhet në një hapësirë të veçantë. Albumet janë vendosur me kujdes e finesë, me një rregull që të bën përshtypje. Dhjetëra albume me pulla nga vende të ndryshme dëshmojnë jo vetëm përmasat e koleksionit, por edhe përkushtimin e njeriut që i ka mbledhur dhe mirëmbajtur ato. Në këtë ambient, çdo album, çdo pullë dhe çdo monedhë duket sikur ka vendin e vet. Por, natyrisht, mes gjithë këtij koleksioni, vendin më të ngrohtë e zënë emetimet shqiptare dhe ato të Kosovës. Ato nuk janë thjesht pjesë të një koleksioni; janë pjesë të një historie që Fahredin Kastrati e ndien thellë.

Pasioni i tij nuk kufizohet vetëm te filatelia dhe numizmatika. Duart dhe mendja e tij janë të afta të krijojnë punime të mrekullueshme në filigran, një mjeshtëri që e ka bërë të kërkuar edhe përtej Pejës. Por filatelia dhe numizmatika mbeten dy dashuritë e tij të mëdha. Si njohës i mirë i këtyre fushave, ai ka dëshirë të shkëmbejë me kolegët mendime, ide, njohuri dhe përvoja. Për të, koleksionimi nuk është një veprimtari e mbyllur brenda mureve të studios; është një botë miqësie, komunikimi dhe bashkëpunimi.

Pjesëmarrja e Fahredinit në ekspozita filatelike ne konkurime jashte vendit, ka qenë një tjetër dëshmi e këtij përkushtimi. Veçanërisht domethënëse është arritja e tij për të paraqitur pullat dhe kartëmaximume të Kosovës edhe në ekspozita të zhvilluara në zemr te Serbise, ne Apatin me 2025, por dhe suksesi ne Ballkanfilen e 2026 ne Bullgari. Ishte një mënyrë për t’i treguar publikut, përmes një gjuhe universale siç është filatelia, se edhe Republika e Kosovës ka krijuar tashmë një trashëgimi të saj filatelike. Vlerësimi i këtyre paraqitjeve me tri medalje të niveleve të larta është një dëshmi e cilësisë së punës së tij dhe e seriozitetit me të cilin ai e përfaqëson koleksionimin kosovar.

Por, përtej pullave, monedhave, medaljeve dhe ekspozitave, ajo që e bën Fahredinin të veçantë është njeriu. Ai është njeri i kulturuar, mikpritës, bujar dhe me një zemër të madhe. E do shoqërinë dhe e çmon miqësinë. Gjatë vizitave të tij periodike në Tiranë, një nga gëzimet e veçanta janë takimet me miqtë dhe kolegët koleksionistë. Bisedat mund të zgjasin gjatë, sepse gjithmonë ka diçka për të treguar, për të diskutuar apo për të zbuluar në botën e pafund të filatelisë dhe numizmatikës.

Bace Fahredini është gjithashtu një njeri që nuk e pranon lehtë idenë se mosha duhet të vendosë kufij mbi pasionin. Përkundrazi, ai shpesh e shpreh me humor e bindje filozofinë e tij të jetës: “Pasioni më mban të ri.” Dhe vërtet, kur e sheh me sa energji merret me koleksionet, me ekspozitat, me klubin dhe me miqtë e tij, kupton se kjo nuk është vetëm një shprehje. Është mënyra e tij për ta jetuar jetën. Ëndrra e Fahredinit shkon edhe më larg. Ai dëshiron që pasioni për koleksionimin të kalojë te brezi i ri dhe që fëmijët e të rinjtë e Kosovës të njohin botën e bukur të filatelisë. Për këtë arsye, një nga synimet e tij është organizimi i aktiviteteve me shkollat, duke e afruar pullën postare me nxënësit dhe duke e kthyer atë në një mjet edukimi për historinë, kulturën, artin dhe identitetin.

Në zemrën e këtij pasioni qëndron edhe një ëndërr akoma më e madhe: afrimi dhe bashkimi shpirtëror i shqiptarëve dhe, një ditë, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Kjo ëndërr, e shprehur tek ai me natyrshmëri dhe pa bujë, është pjesë e bindjes së tij se historia, kultura dhe kujtesa kombëtare nuk njohin kufij artificialë.

Për mua, Bace Fahredini nuk është vetëm një koleg filatelist apo një mik me të cilin ndaj të njëjtin pasion. Ai është një shembull se si një njeri mund ta shndërrojë dashurinë për koleksionimin në një vlerë kulturore e kombëtare. Përmes pullave dhe monedhave ai ruan kujtesën; përmes Klubit Filatelik të Kosovës krijon të ardhmen; përmes miqësive që ndërton, e bën koleksionimin një hapësirë bashkimi.

Dhe ndoshta ky është portreti më i bukur i Fahredinit: një njeri i lidhur fort me vendin e tij, me kulturën shqiptare dhe me miqtë e tij; një koleksionist që ruan me përkushtim të kaluarën, por që mendon vazhdimisht për të ardhmen. Një njeri që, pavarësisht viteve, vazhdon të besojë se pasioni e mban shpirtin të ri. Për këtë arsye, meritat e tij nuk maten vetëm me albumet, ekspozitat apo medaljet e fituara, por me gjurmën që ai po lë në filatelinë e Kosovës dhe në jetën e atyre që kanë fatin ta njohin.

Filed Under: Sofra Poetike

NGA KONFLIKTI TE STABILITETI, 25-VJETORI I MARRËVESHJES SË OHRIT

August 13, 2026 by s p

Marrëveshja e Ohrit mund të avancohet, por nuk guxon të zhbëhet. Mund të ndryshohet për t’u përmirësuar, por jo për t’u zvogëluar. Mund të tejkalohet vetëm me më shumë demokraci, më shumë pjesëmarrje dhe më shumë barazi, kurrë me më pak. Sepse paqja nuk arkivohet. Paqja ruhet. Dhe çmimi politik i mbrojtjes së një kompromisi historik do të jetë gjithmonë shumë më i vogël se çmimi historik i rindërtimit të tij pasi të jetë humbur besimi.

Nga Prof.dr Skender Asani

Njëzet e pesë vjet pas 13 gushtit 2001, Maqedonia e Veriut nuk gjendet thjesht përpara një përvjetori, por përpara një prove historike, kushtetuese dhe diplomatike: a do ta trajtojë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si një dokument që e ka përmbushur misionin e vet dhe tashmë mund t’i dorëzohet historisë, apo si një nga themelet mbi të cilat, pas konfliktit të vitit 2001, u rindërtuan paqja, stabiliteti dhe legjitimiteti i shtetit? Kjo nuk është vetëm një çështje shqiptare dhe as vetëm një dilemë maqedonase. Është çështje e karakterit multietnik të shtetit, e kohezionit të tij të brendshëm, e kredibilitetit demokratik, e perspektivës evropiane dhe e stabilitetit të një rajoni ballkanik, historia e të cilit ka dëshmuar shumë herë çmimin e rëndë të pakënaqësive të akumuluara politike dhe etnike. Prandaj, 25-vjetori nuk mund të jetë vetëm një moment kujtese; ai duhet të shndërrohet në një moment vlerësimi, vigjilence dhe përgjegjësie strategjike.

Historia e konstitucionalizmit na mëson se dokumentet që ndryshojnë rrënjësisht marrëdhënien ndërmjet pushtetit dhe qytetarit rrallë lindin në kohë qetësie. Ato shfaqen kur rendi ekzistues nuk është më në gjendje t’i zgjidhë kundërthëniet që vetë i ka prodhuar. Magna Carta e vitit 1215 lindi nga rezistenca ndaj pushtetit arbitrar dhe artikuloi një nga parimet themelore të qytetërimit kushtetues: pushteti nuk qëndron mbi ligjin. Në vitin 1868, pas tragjedisë së Luftës Civile Amerikane, Amendamenti i Katërmbëdhjetë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara sanksionoi shtetësinë, procesin e rregullt ligjor dhe mbrojtjen e barabartë para ligjit si parime themelore. Marrëveshja Kornizë e Ohrit lindi nga kriza e vitit 2001 dhe, në një kontekst krejtësisht tjetër historik, gjeografik dhe politik, institucionalizoi një parim jetik për një shoqëri multietnike: shumica ka të drejtën demokratike të qeverisë, por epërsia numerike nuk mund të shndërrohet në dominim institucional. Nuk ekziston një vijë e drejtpërdrejtë juridike nga Magna Carta, te Amendamenti i Katërmbëdhjetë dhe deri te Marrëveshja e Ohrit; megjithatë, ato i lidh një fill i fuqishëm historik dhe filozofik: pushteti duhet të kufizohet nga ligji, sundimi i shumicës duhet të kufizohet nga barazia dhe demokracia duhet të jetë e lidhur pazgjidhshmërisht me respektimin e dinjitetit njerëzor.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia historike e Marrëveshjes së Ohrit. Ajo nuk ishte vetëm një mekanizëm për ndërprerjen e konfliktit; ishte një marrëveshje për reformimin e vetë shtetit. Ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që pasuan krijuan një arkitekturë të re politike, të mbështetur mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, decentralizimin, përdorimin e gjuhëve dhe mekanizmat e vendimmarrjes që kërkojnë legjitimitet edhe nga bashkësitë që nuk i përkasin shumicës. Shteti duhej të funksiononte jo vetëm përmes fuqisë së shumicës, por mbi bazën e legjitimitetit të përbashkët. Për këtë arsye, është historikisht dhe politikisht e gabuar që Marrëveshja e Ohrit të perceptohet si një paketë privilegjesh që maqedonasit ua dhanë shqiptarëve. Të drejtat nuk janë kompromis i përkohshëm. Barazia nuk është dhuratë e shumicës. Shqiptarët fituan mekanizma më efektivë të përfaqësimit dhe barazisë, ndërsa shteti fitoi paqen, stabilitetin, konsolidimin institucional dhe perspektivën euroatlantike. Ky ishte kompromisi historik i vitit 2001: jo fitorja e një bashkësie mbi tjetrën, por fitorja e kompromisit mbi konfliktin.

Pikërisht për këtë arsye, rreziku më serioz në vitin 2026 nuk qëndron domosdoshmërisht në shfuqizimin formal të Marrëveshjes. Historia institucionale njeh një rrezik tjetër, më të heshtur dhe për këtë arsye edhe më tinëzar: zbrazjen graduale të një marrëveshjeje nga përmbajtja, ndërkohë që forma e saj juridike mbetet në fuqi. Një kompromis historik mund të dobësohet përmes riinterpretimit, reduktimit të mekanizmave të zbatimit, ndryshimeve në procedurat institucionale ose vendosjes së standardeve të reja që gradualisht e zbehin qëllimin fillestar të marrëveshjes. Zhvillimet dhe debatet e dy viteve të fundit, të perceptuara nga një pjesë e opinionit shqiptar si relativizim, reduktim apo degradim gradual i disa mekanizmave që burojnë nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, duhet të trajtohen me seriozitetin më të madh institucional. Edhe nëse raste të veçanta mund t’u nënshtrohen interpretimeve të ndryshme juridike dhe politike, vetë ideja se arkitektura e krijuar në vitin 2001 mund të ndryshohet pa një konsensus të gjerë duhet të jetë sinjal alarmi. Besimi është kapitali më i çmuar i çdo rendi politik dhe, në një shtet multietnik, perceptimi i pabarazisë mund të jetë pothuajse po aq destabilizues sa vetë pabarazia.

Nëse komprometohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, nuk dobësohet vetëm pozita institucionale e shqiptarëve, por edhe besimi në institucionet e përbashkëta.

Nëse relativizohet përdorimi institucional i gjuhës, nuk preket vetëm një dispozitë juridike, por vetë ndjenja e barazisë qytetare dhe kolektive. Nëse mekanizmat e konsensusit ndërmjet bashkësive fillojnë të perceptohen jo si garanci demokratike kundër majorizimit, por si pengesa për sundimin efikas të shumicës, atëherë përmbyset vetë koncepti mbi të cilin u ndërtua rendi politik pas vitit 2001. Konfliktet nuk fillojnë në çastin kur shpërthen dhuna. Ato fillojnë shumë më herët, kur një pjesë e shoqërisë nis ta humbasë besimin se institucionet e përbashkëta mund ta dëgjojnë, përfaqësojnë dhe mbrojnë atë në mënyrë të barabartë. Prandaj, detyra e një shteti demokratik nuk është vetëm ta ndalojë konfliktin pasi ai të shfaqet, por t’i ruajë institucionet që e bëjnë konfliktin të panevojshëm.

Pikërisht këtu qëndron dimensioni alarmues i 25-vjetorit. Erozioni gradual i arkitekturës së Marrëveshjes së Ohrit mund të prodhojë pasoja të ndërlidhura: rënien e besimit të shqiptarëve në institucionet e përbashkëta, thellimin e polarizimit etnopolitik, rikthimin e retorikës nacionaliste, zhvendosjen e debatit publik nga zhvillimi dhe integrimi drejt çështjeve identitare që besohej se ishin stabilizuar, humbjen e legjitimitetit institucional dhe, në fund, dëmtimin e kredibilitetit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk mund të pretendojë bindshëm se po ecën drejt Evropës, ndërkohë që debaton për uljen e standardeve të barazisë mbi të cilat u ndërtua paqja e tij. Integrimi evropian nuk është vetëm proces teknik i hapjes dhe mbylljes së kapitujve negociues; ai është proces politik i konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit, pluralizmit dhe mbrojtjes së bashkësive.

Ekziston edhe një dimension i drejtpërdrejtë diplomatik.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit nuk ishte vetëm rezultat i forcave të brendshme politike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian luajtën rol të rëndësishëm në ndërmjetësimin, hartimin dhe mbështetjen politike të kompromisit të arritur në vitin 2001. Prandaj, Shkupi, Brukseli dhe Uashingtoni nuk duhet ta trajtojnë Marrëveshjen e Ohrit si një kapitull të mbyllur të historisë. Diplomacia parandaluese nuk matet vetëm me aftësinë për ta ndalur një konflikt, por edhe me jetëgjatësinë e rendit politik që ndërtohet pas tij. Njëzet e pesë vjet pa përsëritjen e konfliktit të vitit 2001 janë dëshmi e fuqishme se marrëveshja funksionoi. Pikërisht sepse funksionoi, ajo nuk duhet marrë si e mirëqenë.

Në këtë kontekst, rëndësi të veçantë merr iniciativa që Posta e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore, të emetojë një pullë postare kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Ky është më shumë se një gjest filatelik. Pulla postare është një dokument i vogël shtetëror me një mesazh të madh simbolik: ajo që shteti vendos në ikonografinë e tij publike bëhet pjesë e kujtesës së tij institucionale. Në këtë mënyrë, Marrëveshja e Ohrit nuk kujtohet vetëm si pjesë e historisë politike të shqiptarëve, por si pjesë e historisë politike të vetë shtetit. Por pikërisht këtu nuk duhet lejuar të lindë një paradoks historik: do të ishte absurde që shteti ta përjetësonte Marrëveshjen e Ohrit në një pullë postare, ndërkohë që lejon që fryma e saj të zbehet në praktikën institucionale. Marrëveshjet e paqes nuk ruhen duke i vendosur në albume, muze apo ceremoni përkujtimore. Ato nderohen duke u zbatuar.

Kjo nuk do të thotë se Marrëveshja e Ohrit duhet të fosilizohet.

Çdo arkitekturë kushtetuese duhet të ketë aftësinë të zhvillohet. Marrëveshja e Ohrit mund dhe duhet të evoluojë në përputhje me standardet evropiane dhe nevojën për një shtet më demokratik dhe funksional. Por ekziston një vijë e qartë konceptuale ndërmjet evolucionit dhe regresit. Evolucion është kur një standard përmirësohet dhe zëvendësohet me një garanci më të fuqishme; regres është kur një garanci hiqet ose dobësohet pa u zëvendësuar me një mekanizëm të barabartë apo më të fuqishëm. Prandaj, 25-vjetori duhet të prodhojë një doktrinë të qartë politike: Marrëveshja e Ohrit mund të avancohet, por jo të dekonstruktohet; mund të modernizohet, por jo të zvogëlohet; mund të tejkalohet vetëm përmes më shumë barazie, kurrë përmes më pak barazie.

Edhe faktori politik shqiptar duhet ta kuptojë këtë parim.

Marrëveshja e Ohrit nuk i përket një partie, një koalicioni, një qeverie apo një epoke politike. Ajo është pjesë e arkitekturës kushtetuese dhe politike mbi të cilën u ndërtua paqja pas vitit 2001. Çështjet e barazisë kushtetuese, gjuhës, përfaqësimit të drejtë dhe mekanizmave të konsensusit nuk duhet të reduktohen në instrumente të konkurrencës së përditshme partiake. Pluralizmi dhe rivaliteti ndërmjet partive shqiptare janë pjesë normale e demokracisë; fragmentimi strategjik për çështje që përcaktojnë pozitën kushtetuese të një bashkësie është një luks që historia mund ta bëjë tepër të kushtueshëm. Për këto çështje themelore nevojitet të paktën një minimum konsensusi dhe bashkërendimi strategjik që tejkalon mandatet zgjedhore, interesat partiake dhe kalkulimet politike afatshkurtra.

Por përgjegjësia nuk u takon vetëm shqiptarëve. Edhe bashkësia maqedonase duhet ta shohë Marrëveshjen e Ohrit jo si humbje historike, por si pjesë të suksesit të shtetit të vet. Marrëveshja parandaloi një konflikt shumë më të rëndë, ndihmoi në ruajtjen e integritetit territorial, konsolidoi institucionet dhe fuqizoi orientimin euroatlantik të vendit. Prandaj, shqiptarët dhe maqedonasit nuk duhet ta mbrojnë Marrëveshjen e Ohrit nga njëri-tjetri, por së bashku duhet ta mbrojnë atë nga tundimi për t’u rikthyer në një logjikë politike ku shumica parlamentare, vetëm sepse disponon numrat, mund ta ripërcaktojë në mënyrë të njëanshme arkitekturën e bashkëjetesës. Qeveritë vijnë dhe shkojnë. Shumicat parlamentare ndryshojnë. Koalicionet krijohen dhe shpërbëhen. Por marrëveshjet që rikthyen paqen dhe ekuilibrin kushtetues nuk mund të varen nga cikli i një mandati katërvjeçar.

Historia jep një paralajmërim të qartë. Në vitin 1215 pyetja ishte nëse pushteti mund të qëndronte mbi ligjin. Në vitin 1868 pyetja ishte nëse shtetësia kishte kuptim pa mbrojtje të barabartë. Në vitin 2001 Maqedonia u përball me pyetjen nëse një shtet multietnik mund të qëndrojë pa pjesëmarrjen reale, përfaqësimin dhe dinjitetin politik të bashkësive të tij. Në vitin 2026 pyetja bëhet alarmueshëm e thjeshtë: a kemi mësuar nga viti 2001, apo besojmë se mekanizmat e paqes mund të zhbëhen gradualisht pa rikrijuar shkaqet e mosbesimit që dikur i bënë ato të domosdoshme?

Përgjigjja duhet të jetë strategjike dhe kolektive. Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë të kthehet në vitin 2001; ajo duhet të sigurojë që viti 2001 të mos përsëritet kurrë. Marrëveshja e Ohrit nuk kërkon nostalgji, por vigjilencë demokratike. Ajo nuk kërkon privilegje, por barazi. Nuk synon ta ruajë të kaluarën të pandryshuar, por ta mbrojë të ardhmen. Njëzet e pesë vjet pa rikthim në konflikt nuk janë argument për dobësimin e Marrëveshjes së Ohrit; përkundrazi, janë prova më e fuqishme se kompromisi funksionoi.

Prandaj, mesazhi drejtuar Shkupit, Brukselit dhe Uashingtonit në 25-vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit duhet të jetë i qartë: mos e shndërroni marrëveshjen që prodhoi paqen në një dokument përkujtimor. Ruajeni atë si mekanizëm të gjallë të shtetit. Pushteti duhet t’i nënshtrohet ligjit, ky ishte mesazhi i Magna Carta-s; ligji duhet ta mbrojë barazinë, ky ishte mesazhi i Amendamentit të Katërmbëdhjetë; ndërsa mesazhi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të mbetet se paqja në një shoqëri multietnike mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse barazia nuk rinegociohet sa herë që ndryshon pushteti politik.

Marrëveshja e Ohrit mund të avancohet, por nuk guxon të zhbëhet. Mund të ndryshohet për t’u përmirësuar, por jo për t’u zvogëluar. Mund të tejkalohet vetëm me më shumë demokraci, më shumë pjesëmarrje dhe më shumë barazi, kurrë me më pak. Sepse paqja nuk arkivohet. Paqja ruhet. Dhe çmimi politik i mbrojtjes së një kompromisi historik do të jetë gjithmonë shumë më i vogël se çmimi historik i rindërtimit të tij pasi të jetë humbur besimi.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 3187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝐑𝐞𝐳𝐨𝐥𝐮𝐭𝐚 𝟓𝟐𝟐 – 𝐊𝐮𝐫 𝐊𝐨𝐧𝐠𝐫𝐞𝐬𝐢 𝐀𝐦𝐞𝐫𝐢𝐤𝐚𝐧 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐢 𝐒𝐤𝐞̈𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐮𝐧: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐤𝐮𝐣𝐭𝐞𝐬𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐧𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐄𝐯𝐫𝐨𝐩𝐞̈𝐧
  • KUR POLITIKA E DITËS E BLLOKON SHTETIN
  • Join us as we celebrate the 7th Anniversary of Albanians Fighting Cancer USA!
  • Përfaqësimi politik i shqiptarëve në Mal të Zi
  • 10 VITE NGA SHENJTËRIMI
  • AHMET GASHI – GJEOGRAFI QË E KTHEU HARTËN NË KUJTESË KOMBËTARE
  • Patriotë shqiptarë nga Zvicra vizituan Vatrën
  • Parandalimi i Gripit 2026 – Bashkëpunimi Rajonal, Global dhe Perspektiva e Shqipërisë
  • 𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟭𝟵𝟮𝟬-𝟯 𝗦𝗵𝘁𝗮𝘁𝗼𝗿 𝟮𝟬𝟮𝟲
  • Çamëria: Gjeografia historike, prania shqiptare, trashëgimia kulturore dhe rëndësia gjeopolitike
  • Shabani School of Music: nga Amerika e Kanadaja në Evropë – me prezantim në Konferencën YMTE 2026, Oslo, Norvegji
  • Prof.Muharrem Dezhgiu – një jetë në shërbim të historisë dhe kujtesës kombëtare
  • MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË
  • “KONGRESI ELBASANIT”
  • ZENI BALLAZHI – ARTISTI KËRÇOVAR ME VEPRIMTARI KOMBËTARE DHE NDËRKOMBËTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT