• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

November 12, 2026 by s p

Primo Shllaku/

Me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në qytetin e Vlorës u vendos një kompleks skulpuror monumental i konceptuar dhe i zbatuar sipas parimeve të realizmit socialist mbi moinumentalitetin dhe narrativën historike të së ashtuquajturës teori e marksizëm-leninizmit.

Vepra është me autorësi kolektive dhe në të kanë punuar Mumtaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri. Më vonë, këto vitet e fundit, monomenti “është ngritur” edhe me tri këmbë shkallë që sipas Dhramit i ka bërë keq përceptimit kundrues dhe kjalimtar të këtij monumenti.

Por ajo që ka më tepër rëndësi është se lidhur me fazën përgatitore për derdhjen në bronx të këtij kompleksi kolosal, ekziston një narrativë shumë interesante që ka të bëjë me plotësinë apo paplotësinë e kësaj vepra, me mangësitë e realizimit përfundimtar dhe me modifikimin superideologjik të këtij monumenti, simba të dhënave gojore dhe indiskrecionit të vetrë autorëve. Kjo vepër u mbajt gjatë në dorë dhe u rishikua simbas Dhramit edhe me vërejtjet e vetë diktatorit Hoxha, i cili e priste që ky të mos ishte aq statik dhe të kishte nji dinamikë që i përshtatet ngjarjes më të rëndësishme të historisë shqiptare në kohët moderne. U tha se kompleksit iu shtua një apo më shumë figura, nominalisht ajo e luftëtarit verior.

Legjenda urbane e mbushur me prapaskena dhe shpikje të gjithfarë natyrave na sjell nji ngjarje që edhe nëse nuk është e vërtetë, në vetvete shpreh një shqetësim real dhe serioz të shoqërisë shqiptare, e cila asokohe shifte diskriminime dhe diferencime jo të shëndosha edhe pse lufta e dytë botërore kishte 30 e kusur vjet që kishte mbaruar. Tregohet se, kur vepra ishte përfunduar në baltë dhe autorët kishin arritur në përfundimin se ata e kishin realizuar idenë, formën dhe kompozimin e monumentit dhe po përgatiteshin për çuarjen e saj në fonderi për ta derdhiur në bronx sipas projektit, ata duhet të lajmëronin porositësin e monumentit që t’i idhte një sy të fundit dhe eventualisht t’i bëheshin prekjet përfundimtare.

Çuan fjalë në Komitetin qendror të PPSH dhe po rrinin në pritje se kush do të caktohej nga lart për ti bërë ekspertizën ideologjike nji monumenti kaq qendror dhe kaq të kushtueshëm edhe financiarisht. KQ dërgoi sekretarin ideoligjik, Ramiz Alinë. Ai erdhi, e pa, bëri pyetje rreth realizimit, mbase edhe rreth ripunimit të kësaj vepre “në dritën” e vërejtjeve të Enver Hoxhës dhe, si përfundim, i përgëzoi të tre skulptorët për veprë e realizuar me cilësi nga ana e tyre.

Por kur po e përcillnin që të largohej nga studioja e skulptorëve, Ramiz Alia i futi krahun Kristaq Ramës dhe në nji fragment të shpejtë dhe me tone intime e konfidenciale i tha Kristaq Ramës:

“Mirë e keni bërë, por po mendoj se figura e Luigj Gurakuqit sikur e zbeh monumentin. Gurakuqi ka qenë i lidhur me kishën katolike dhe m e planit të parë të monumentite Vatikanin dhe kjo sikur nuk shkon…”

Skulptori Rama kishteheshtur një moment, ndoshta nga habia e argumentit të ideologut të Partisë, aq më tepër se Luigj Gurakuqi ishte i shpallur po nga ai regjim si “Hero i Popullit”, titulli më i lartë që u jepej asokohe atyre që kishin humbur jetën për shpëtimin dhe lirinë e atdheut.

Ramiz Alia e kishte kuptuar heshtjen e skulptorit Rama dhe menjiherë kishte shtuar me të qeshur dhe me dashamirësi:

“Nejse, ju mos u ashtu… Shikojeni vetë me kolegët dhe vendosni ju se si duhet bërë monumenti…”

Dhe ishte larguar duke ua lënë skulptorëve një fjalë që duhej marrë jo si këshillë, por si direktivë.

Siç është edhe e pritshme skulptorët ishin mbledhur për ta diskutuar vërejtjen e “shokut Ramiz” dhe pa shumë ngurrime e kishin vendosur heqjen e figurës së Luigj Gurakuqit nga kompleksi i planit të parë për të mos e vënë asgjëkundi aty.

Por për ata që pavarësinë e shohin si rezultat i një klime luftarake me kryengritjet e Malësisë së Madhe dhe të luftarëve të Kosovës dhe si akt final rezultat i një ekipi të fortë negociatorësh shqiptarë me perandorinë austro-hungareze dhe me mbretërinë e Italisë mes të cilëve përveç figurës së Ismail Qemalit, rol mbështetës e negociator kishin pasë edhe dy figura të klasit të parë, Luigj Gurakuqi dhe imzot Nikollë Kaçorri, ky i fundit ndërmjetës i përherëshëm pranë autoriteteve austriake dhe pastaj edhe zv/kryeministër i qeverisë që doli nga 28 nëntori i 1912.

Për një sy të stërvitur dhe dikë që e ka marrë vesh këtë truk në çastet e fundit të krijimit të monumentit, bie në sy nji hapësirë e pajustifikuar menjëherë pas supit të Ismail Qemalit, por gjithsesi ajo hapësirë (e zvogëluar apo jo në çastin e zbatimit emergjent të direktivës partiake) bie një sy si një papërsosuri kompozicionale e veprës.

Historiografia shqiptare, gjithnjë e paçliruar nga determinizmi politik priret të mos e ballancojë aktin e shpalljes së pavarësisë si një kombinim fatlum të disa kryengritjeve me punën metikoloze të diplomatëve shqiptarë si vlonjati Ismail Qemali, shkodrani Luigj Gurakuqi dhe luraku, Nikollë Kaçorri, e cila u krye me sukses në mënyrën më optimale të mundshme. Pra kryengritjet kishin përfunduar më 1911 e pavarësia po gatuhej një vit ma vonë. Kjo tregon se diplomacia dhe intelektualizmi i shqiptarëve të kohës plotësuan gjysmën tjetër të punës dhe ia dolën me faqe të bardhë. Gurakuqi e Kaçorri mungojnë në monument dhe demokracia që ardhun ndër ne, ndër të tjera ka ardhur edhe për të ndrequr e plotësuar gollet e mëdha të diktaturës së mendimit estetik që ajo dirigjonte përmes metodës së realizmit socialist.

Monumenti nuk është as i vitit të parë e as i vitit të dytë mbas shpalljes së Pavarësisë. Është i një epoke tjetër të cilës mund t’i përkasë ruajtja e Pavarësisë, por jo shpallja e saj. Epokat vijnë njera pas tjetrës për t’u korrigjuar retrospektivisht në kahen e progresit dhe të përsosmërisë së mesazheve. Pra ne do të na duhej një monument ma me pak anonimë e ma me shumë përfaqësues territorialë të asaj që ma vonë u quajt Shqipëria londineze.

Foto: https://commons.wikimedia.org/…/Category:Independence…

Filed Under: Histori

NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK

November 12, 2026 by s p

Prof.dr. Pal Nikolli/

Ndryshimet klimatike nuk janë më një kërcënim i largët, një parashikim teorik apo një shqetësim që u përket vetëm studiuesve të atmosferës dhe ekologjisë. Ato janë shndërruar në një realitet që prek drejtpërdrejt jetën e miliarda njerëzve, duke vënë në pikëpyetje sigurinë ushqimore, stabilitetin ekonomik, ekuilibrat shoqërorë dhe, mbi të gjitha, të drejtën themelore të njeriut për të jetuar dhe për t’u ushqyer.

Një paralajmërim veçanërisht shqetësues vjen nga Programi Botëror i Ushqimit (World Food Programme – WFP), sipas të cilit një rritje prej vetëm 1°C e temperaturës, mbi mesataren afatgjatë lokale, mund të shtyjë deri në 276 milionë njerëz të tjerë drejt urisë. Kjo shifër nuk duhet parë thjesht si një statistikë alarmante. Ajo përfaqëson miliona jetë njerëzore, familje të ekspozuara ndaj pasigurisë, fëmijë të rrezikuar nga kequshqyerja dhe komunitete të tëra që mund të humbasin kushtet minimale të mbijetesës.

Në këtë kontekst, ndryshimi klimatik merr një dimension shumë më të gjerë sesa ai mjedisor. Ai bëhet një faktor përcaktues i së ardhmes demografike, ekonomike dhe gjeopolitike të botës.

I. Një gradë Celsius dhe pasojat e shumëfishta mbi sistemet natyrore.

Në vështrim të parë, një rritje prej 1°C mund të duket e papërfillshme. Megjithatë, në sistemin kompleks të klimës dhe të ekuilibrave ekologjikë, edhe një ndryshim relativisht i vogël i temperaturës mesatare mund të shkaktojë pasoja të konsiderueshme. Veçanërisht kur bëhet fjalë për rajone që ndodhen pranë kufijve kritikë të tolerancës termike dhe ujore të ekosistemeve.

Temperatura nuk është një tregues i izoluar meteorologjik. Ajo ndërvepron me reshjet atmosferike, avullimin, lagështinë e tokës, regjimin hidrologjik, qarkullimin atmosferik dhe proceset e zhvillimit të vegjetacionit. Ndryshimi i këtyre parametrave mund të shkaktojë një zinxhir pasojash që përfundimisht reflektohen në prodhimin bujqësor dhe në mundësinë e popullsisë për të siguruar ushqimin e nevojshëm.

Rritja e temperaturave favorizon intensifikimin dhe zgjatjen e valëve të të nxehtit, shton kërkesën për ujë në bujqësi, përshpejton avullimin dhe mund të përkeqësojë periudhat e thatësirës. Në disa rajone, ajo shoqërohet me ndryshime në shpërndarjen sezonale të reshjeve, ndërsa në të tjera rrit rrezikun e përmbytjeve dhe të ngjarjeve ekstreme atmosferike.

Kështu, ndryshimet klimatike nuk prodhojnë vetëm një rritje të temperaturës, por destabilizojnë marrëdhëniet ndërmjet tokës, ujit, atmosferës, bimësisë dhe veprimtarisë njerëzore.

II. Bujqësia përballë një krize të re ekologjike.

Bujqësia është një nga sektorët më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike, sepse prodhimi i saj varet drejtpërdrejt nga kushtet natyrore. Drithërat, misri, gruri, orizi, soja dhe kulturat e tjera ushqimore kanë kërkesa specifike termike dhe ujore, të cilat ndryshojnë sipas fazave të zhvillimit biologjik.

Temperaturat e larta gjatë periudhave kritike të lulëzimit dhe formimit të kokrrës mund të reduktojnë ndjeshëm rendimentin. Mungesa e lagështisë në tokë kufizon zhvillimin e sistemit rrënjor dhe përthithjen e lëndëve ushqyese, ndërsa thatësirat e zgjatura mund të shkaktojnë humbje të konsiderueshme të prodhimit.

Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike ndikojnë në shpërndarjen gjeografike të kulturave bujqësore, në ciklet e vegjetacionit, në përhapjen e dëmtuesve dhe sëmundjeve të bimëve, si dhe në degradimin e tokave bujqësore.

Në këtë mënyrë, ndryshon jo vetëm sasia e prodhimit, por edhe struktura territoriale e potencialit bujqësor. Zona që tradicionalisht kanë qenë të përshtatshme për kultivimin e disa produkteve mund të humbasin gradualisht avantazhet e tyre klimatike, ndërsa rajone të tjera mund të përballen me kushte të reja dhe të paparashikueshme.

Kjo e bën të domosdoshëm rishikimin e politikave bujqësore, të sistemeve të ujitjes, të përzgjedhjes së kulturave dhe të modeleve të menaxhimit të tokës.

III. Nga kriza klimatike te kriza ekonomike dhe sociale.

Një nga aspektet më të rrezikshme të ndryshimeve klimatike është fakti se pasojat e tyre nuk kufizohen në humbjen e prodhimit bujqësor. Ato përhapen në të gjithë zinxhirin ekonomik dhe shoqëror të furnizimit me ushqime.

Reduktimi i prodhimit vendas, dëmtimi i infrastrukturës së transportit, ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit dhe rritja e kostove të prodhimit mund të shkaktojnë luhatje të mëdha të çmimeve në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në këto kushte, ushqimi mund të vazhdojë të jetë fizikisht i pranishëm në treg, por të bëhet ekonomikisht i papërballueshëm për miliona njerëz. Këtu qëndron një nga dallimet themelore ndërmjet mungesës së ushqimit dhe pasigurisë ushqimore: problemi nuk është vetëm nëse ushqimi prodhohet, por edhe nëse njerëzit kanë mundësi ekonomike dhe fizike për ta siguruar atë.

Popullsitë me të ardhura të ulëta, familjet rurale që varen nga bujqësia për mbijetesë, komunitetet që jetojnë në rajone të thata dhe vendet me kapacitete të kufizuara ekonomike janë veçanërisht të cenueshme.

Për pasojë, ndryshimet klimatike mund të thellojnë pabarazitë ekzistuese, të shtojnë varfërinë, të nxisin migracionin e detyruar dhe të krijojnë tensione sociale e politike.

Ur​​ia, në këtë kuptim, nuk është vetëm rezultat i mungesës së burimeve natyrore. Ajo është edhe pasojë e pabarazisë në shpërndarjen e tyre, e dobësisë së institucioneve, e konflikteve dhe e pamundësisë së një pjese të popullsisë për të përballuar goditjet ekonomike e mjedisore.

IV. Gjeografia e urisë dhe pabarazia territoriale përballë klimës.

Kriza klimatike nuk shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme në sipërfaqen e Tokës. Përkundrazi, ajo krijon një gjeografi të diferencuar të rrezikut, ku disa territore përballen me ekspozim dhe cenueshmëri shumë më të lartë se të tjerat.

Rajonet e thata dhe gjysmë të thata, pjesë të Afrikës Subsahariane, zona të Azisë Jugore, rajone të Lindjes së Mesme dhe territore të caktuara të Amerikës Latine janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndërthurjes së temperaturave të larta, mungesës së ujit dhe varësisë ekonomike nga bujqësia.

Megjithatë, rreziku nuk përcaktohet vetëm nga intensiteti i dukurisë klimatike. Ai varet edhe nga ekspozimi i popullsisë, niveli i varfërisë, infrastruktura, kapacitetet teknologjike dhe aftësia institucionale për t’u përshtatur.

Kjo do të thotë se dy rajone që përjetojnë të njëjtën rritje të temperaturës mund të kenë pasoja krejtësisht të ndryshme. Njëri mund ta përballojë përmes teknologjisë, ujitjes dhe rezervave ushqimore, ndërsa tjetri mund të përballet me humbje të prodhimit, varfëri dhe uri.

Pikërisht këtu gjeografia merr një rol thelbësor në kuptimin dhe menaxhimin e krizës. Analiza hapësinore mundëson identifikimin e zonave më të ekspozuara, vlerësimin e shpërndarjes së burimeve ujore, monitorimin e ndryshimeve të përdorimit të tokës dhe përcaktimin e territoreve ku ndërhyrjet janë më urgjente.

Sistemet e Informacionit Gjeografik (GIS), telezhvillimi (Remote Sensing), imazhet satelitore, modelet klimatike dhe analizat gjeohapësinore krijojnë mundësi të reja për monitorimin dhe parashikimin e rrezikut. Integrimi i këtyre teknologjive me të dhënat demografike, bujqësore dhe ekonomike mund të ndihmojë në ndërtimin e hartave të cenueshmërisë dhe të rrezikut ushqimor.

Në këtë mënyrë, hartografia dhe gjeoinformacioni nuk janë thjesht mjete për paraqitjen e dukurive, por instrumente të rëndësishme për vendimmarrjen, planifikimin territorial dhe parandalimin e katastrofave humanitare.

V. COP31 dhe përgjegjësia e politikës ndërkombëtare.

Në këtë debat merr rëndësi të veçantë edhe Konferenca e Palëve për Ndryshimet Klimatike, COP31, si pjesë e procesit ndërkombëtar për përballimin e krizës klimatike.

Samitet klimatike nuk duhet të mbeten vetëm hapësira për deklarata politike, objektiva afatgjata dhe marrëveshje diplomatike. Ato duhet të shndërrohen në mekanizma realë për zbatimin e politikave të reduktimit të emetimeve të gazeve serrë, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e popullsive më të cenueshme.

Ekziston një kontradiktë e thellë në mënyrën se si shpërndahen përgjegjësitë dhe pasojat e krizës klimatike. Vendet dhe komunitetet që kanë kontribuar më pak në emetimet historike të gazeve serrë shpesh janë ndër më të ekspozuarit ndaj pasojave të tyre.

Kjo pabarazi e bën të domosdoshëm financimin klimatik, transferimin e teknologjisë, mbështetjen për bujqësinë e qëndrueshme dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në vendet në zhvillim.

Përshtatja klimatike nuk mund të realizohet vetëm përmes rekomandimeve teorike. Ajo kërkon investime konkrete në infrastrukturën ujore, sistemet e paralajmërimit të hershëm, mbrojtjen e tokave bujqësore, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e varieteteve bujqësore më rezistente ndaj stresit termik e hidrik.

Po aq e rëndësishme është që siguria ushqimore të trajtohet si pjesë integrale e politikave klimatike, dhe jo si një çështje dytësore që trajtohet vetëm kur ndodh një katastrofë.

VI. Shqipëria përballë sfidave të ndryshimeve klimatike.

Edhe Shqipëria nuk është jashtë kësaj problematike. Pozicioni gjeografik në rajonin e Mesdheut, karakteristikat e relievit, shpërndarja e pabarabartë e reshjeve dhe varësia e një pjese të konsiderueshme të ekonomisë rurale nga kushtet natyrore e bëjnë vendin të ekspozuar ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike.

Rritja e temperaturave, periudhat e zgjatura të thatësirës, ndryshimet në regjimin e reshjeve, valët e të nxehtit, përmbytjet dhe erozioni i tokës përbëjnë sfida që kërkojnë vëmendje të veçantë shkencore dhe institucionale.

Bujqësia shqiptare, e karakterizuar në shumë zona nga fragmentimi i pronësisë, infrastruktura jo gjithmonë e mjaftueshme e ujitjes dhe kapacitetet e kufizuara financiare të fermerëve, mund të përballet me vështirësi gjithnjë e më të mëdha.

Prandaj, është e domosdoshme që politikat bujqësore të mbështeten në studime të hollësishme gjeografike, klimatologjike, hidrologjike dhe agronomike. Hartimi i hartave të rrezikut klimatik, monitorimi i vazhdueshëm i tokave bujqësore, vlerësimi i potencialit ujitës dhe përcaktimi i zonave me cenueshmëri të lartë duhet të jenë pjesë e planifikimit kombëtar.

Universitetet, institucionet kërkimore dhe strukturat publike kanë përgjegjësinë të kontribuojnë në këtë proces përmes studimeve shkencore, teknologjive moderne dhe përgatitjes së specialistëve të aftë për të përballuar sfidat e reja.

VII.Mbrojtja e klimës është mbrojtje e jetës.

Paralajmërimi se një rritje prej vetëm 1°C e temperaturës mund të shtyjë deri në 276 milionë njerëz të tjerë drejt urisë është një mesazh që duhet të kapërcejë kufijtë e statistikave dhe të diplomacisë ndërkombëtare.

Ai na kujton se klima, ushqimi, uji, ekonomia dhe jeta njerëzore janë pjesë të një sistemi të vetëm, ku destabilizimi i një elementi mund të shkaktojë pasoja zinxhir në të gjithë sistemin.

Nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm kur miliona njerëz rrezikojnë të mbeten pa ushqim. Nuk mund të flitet për drejtësi globale kur komunitetet më pak përgjegjëse për ndotjen paguajnë çmimin më të lartë të krizës klimatike. Dhe nuk mund të konsiderohet e suksesshme politika mjedisore nëse ajo nuk arrin të mbrojë jetën, shëndetin dhe dinjitetin njerëzor.

Sfida e vërtetë e kohës sonë nuk është vetëm të parashikojmë se sa do të rritet temperatura e planetit, por të kuptojmë se sa jetë njerëzore mund të rrezikohen nga mosveprimi ynë.

Një gradë Celsius mund të duket pak në termometrin e një njeriu, por për një fermer që humbet të korrat, për një familje që nuk siguron dot bukën e përditshme apo për një fëmijë që përballet me kequshqyerjen, ajo mund të përfaqësojë kufirin tragjik ndërmjet mbijetesës dhe urisë.

Klima nuk njeh kufij politikë, uria nuk njeh kufij gjeografikë dhe përgjegjësia për të mbrojtur jetën nuk duhet të njohë kufij moralë.

Filed Under: Ekonomi

KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”

November 12, 2026 by s p

Taip Sulko/

Në 31 tetor, në një takim letrar, të organizuar nga Ambasada shqiptare në Otavë, isha ftuar të flisja për romanin tim “I arratisuri”. Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte të them se ka një rregull të pashkruar për shkrimtarët; ata nuk flasin shumë për veprat e tyre. Ka arsye të forta për këtë.

1. Ata mendojnë se çfarë kishin për ta thënë e kanë thënë, ajo është në vepër.

2. Veprat e mira artistike janë si kalejdoskopë. E rrotullon dhe ke pamje tjetër. Çdo lexues sjell shikimin dhe mendimet e veta. Aq e vërtetë është kjo saqë kritikët dhe eseistët thonë se lexuesi është pjesë e procesit krijues, ai krijon me ty… Shpesh ne ndeshemi me dy pikëpamje:

Në njërën anë thuhet se nuk ka “të fshehta”, në shkrimin e një romani, ka vetëm mjeshtëri të fjalës, përvojëshumët ndërthurin teknika që prodhojnë art. Në anën tjetër, ndërkaq, hamendësohet se krijimi i mirëfilltë, (edhe ai i romanit), mbart të fshehta, që tingëllojnë si prekje e jashtëtokësores. Nuk dëshiroj të futem në këto përplasje teorike që duket se nuk kanë fund. Thjesht dëshiroj të flas për procesin e ngjizjes dhe krijimit, tek romani “I arratisuri”. Shkrimtarët parapëlqejnë të krijojnë në vetmi. Ndaj rrugëtimi i veprës nga ngjizja deri tek botimi them se fsheh në vete shumë të pathëna…Ka gjëra që vetëm autori i di.

Romani “I arratisuri” është quajtur “libri i jetës së një autori”. Me të drejtë. Këtë mund ta them sepse:

1. Në këtë vepër ka ngjarje që janë të jetës sime – arratisjet. Këtë pak vetë e dinin. Shumë prej tyre tashmë nuk janë më. Në këtë libër ka po ashtu përjetime, ngjarje, vende, njerëz (vetje) që vijnë nga fëmijëria ime apo mosha e djalërisë së hershme.

2. Romani “I arratisuri” me të drejtë mund të quhet si “libër i jetës së një autori” sepse ideja për këtë libër ka ndenjur shumë gjatë brenda meje. Ëndërroja ta shkruaja këtë libër, që kur lexoja veprat e mëdha që kanë në qendër një fëmijë apo një të ri, që është vetë autori, si David Koperfildi i Dikensit, Universitet e mia të Gorkit, dhe, para së gjithash, Kronikë në gur e Kadaresë. Kam edhe një histori që e kam thënë edhe në ndonjë intervistë: ideja e arratisjeve më tërhiqte, më pëlqente shumë. Por ishte e vështirë që të shtjellohej në atë kohë. Vitet iknin dhe romani nuk shkruhej. Pas një farë kohe, idenë e kam hedhur shkurt në një copë letër dhe e mbaja gjithnjë me vete, në kuletë, për vite e vite. Ka ndodhur që kuletat vjetëroheshin dhe ndërroheshin ndërsa letra me shënimet për romanin kalonte tek kuleta e re…

3. Një kureshti tjetër që dua të ndaj me ju. Shënimet e para për romanin “I arratisuri” ose historitë e para i kam shkruar që kur isha student. Por në fillim shikimi im, dhe pse me tërheqje të fortë nga magjikja, për shumë arsye, ende qëndronte i ngujuar tek shikimi realist. Titulli i romanit në fillim ishte “Fëmija i fatit”. I gjetur në një kohë tjetër. Ky shikim të jepte dorë për të shkruar, duke patur parasysh jetën e vështirë në kohën e fëmijërisë time në një fshat shqiptar. Por kur arrita në 50 faqe, ndjeja se ngjarjet nuk kishin më fuqi tërheqëse, sidomos pas vitit 1990. Do ishte vetëm një roman i vuajteve dhe keqtrajtimit, shumë e njohur si temë. Nuk pata më dëshirë ta shkruaja. Për shumë kohë romani ndaloi, ngeli i paprekur. Ndryshimi i fortë për këtë roman, bashkimi i reales me magjiken (i provuar tashmë në disa tregime të botuara më parë tek Antologjia e shpirtërave) trokiti këtu në Kanada.

Dua ta them, në një kohë jo të mirë për mua. Ishin vitet 2014-2015 kur për ca kohë isha i papunë dhe kur kisha pasur një fatkeqësi, më kishte vdekur nëna. Isha i hidhëruar, i pikëlluar, si i varur në gremçin e pengjeve. Për tu harruar dilja në shetitje të gjata. Gjatë asaj kohe të vështirë erdhën edhe gjetjet më të mira për romanim “I arratisuri”. Po i rendis:

a. Ndryshimi i titullit nga “Fëmija i fatit” në “I arratisuri”. Në qendër do ishin arratisjet, lëvizja, veprimi i rrëmbyeshëm. Kjo edhe u vërtetua shumë shpejt. Posa hyra në këtë shteg, nuk i tërhiqja unë ngjarjet, por ngajrjet më tërhiqnin mua.

b. Ndryshimi i shikimit për botën. Njerëzit, ngjarjet, përjetimet, ngjyrat dhe dritat janë aty. Ato janë të njëjta për të gjithë, por jo për shkrimtarin dhe artistin. Shpirti artistik duhet t’ju japë atyre theksimin e fortë, t’ju japë gjyrën, atë fuqi jete që i ngjan flakës.

c. Shqipëria është vend i bukur, është një mrekulli, një univers më i vogël, në universin e madh të botës. (Kjo ndjesi bëhet e mprehtë kur je larg). Ti si shkrimtar, tashmë mendon se duhet ta kapësh atë që është edhe shqiptare, edhe pjesë e trashëgimisë së madhe të rruzullit. Dhe atëhere brenda vetes ti kërkon se si, atë që është e jotja, që është shqiptare, pjesë e atij universi më të vogël, ta shprehësh me mjetet universale të artit.

Më vjen mirë që shumë nga kritikët dhe shkrimtarët që kanë shkruar për romanin “I arratisuri” e kanë vënë re këtë- romani ka gjuhë universale të ndjesive dhe domethënies.

d. Kur shkrimtari fillon e shikon veprën e vet nga kjo lartësi, atëhere kapet fort pas mendimit se një vepër arti është një botë e re që krijohet. Dhe për të punon. Ajo duhet të jetë e përkryer në logjikën dhe dritëhijet e jetës, duhet të jetë e besueshme reale, por edhe fluturim dhe tërheqje lart tek imagjinata dhe shpirtërorja.

e. Kur fillon ta ndërlidhësh realen me fanazinë, magjiken, puna bëhet edhe më tërheqëse – këtë botë që po krijon, këtë univers të vogël që e ke gjetur në vendin tënd ti do që ta përmbushësh me mjetet që të jep gjuha jote, (për fat kemi një gjuhë që për mua është më e bukura e botës), të përfshish aty historinë, atë që na jep përjetësi dhe na bën krenarë, trashëgiminë e pasur, atë rrjedhë të jetës që duhet ta kapësh në tërësinë e vet, me të mirën dhe të keqen, me bukurën dhe vuajtjen, me ringjalljen e dashurisë dhe goditjen dërmuese të tragjikes.

f. Kjo mënyrë e shikimit do edhe stilin e vet, rrëfimi duhet të jetë i shpejtë, fjalitë të shkurtëra dhe të mbushura me veprim dhe mendim. Ajo që është kryesorja: në rrëfim duhet që patjetër një ngjarje të ndjek tjetrën, një vepim të ndjek tjetrin, me një gjuhë të shpejtë dhe poetike.

g. Sikurse e mendoj dhe e kam bërë tek “I arratisuri”: Rrokullisja e shpejtë e ngjarjeve të jep dorë edhe që personazhet të ndryshojnë të rriten, të zhvillohen më mirë, sipas prirjes së tyre, ata, secili prej tyre, në fund të librit kanë një fat, fatin e tyre, tashmë të plotësuar, të mirë apo të keq, sikurse ta mëson edhe jeta.

Për një shkrimtar, një jetë njerëzore është një përrallë e bukur që duhet rrëfyer. Kjo e bën jetën më të mirë. Nëse e kupton shkrimtari këtë, ai do bëjë gjëra të mira.

h. Dua të flas për gjuhën në romanin “I arratisuri”. Gjuha është fusha ku zhvillohet beteja e shkrimit, por ajo është edhe mjeti me anë të cilit vepra letrare kryhet, përmbushet. Kur ti e do gjuhën tënde, dhe je në ethe krijuese, fjalët të vijnë vetë në mendje. Shpesh ti nuk e di se fjalë të tilla ishin në thellësinë tënde dhe vijnë dhe shfaqen atëhere kur duhet, për ta bërë rrëfimin sa më tërheqës. Një nga ata që ka shkruar për këtë libër më tha se kishte gjetur në roman rreth 150 fjalë që nuk janë në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe… Kjo është njëpërkëdhelje e mirë për një shkrimtar…

Në fund të fjalës time, përmenda, fare shkurt, një pjesë të shkrimtarëve, kritikëve, poetëve, studiuesve që kanë shkruar për romanin “I arratisuri” edhe si një dëshmi se, secili lexues (aq më tepër kur bëhet fjalë për krijues) ka shikimin dhe leximin e tij.

Çerçiz Loloçi, shkrimtar, gazetar dhe botues flet për “ndihmesë të ndjeshme në letrat shqipe”, Naim Zoto botues, gazetar përmend “sagë myzeqare që të kujton Jakov Xoxen, por me këndvështrimi dhe stili tjetër”, Lazër Stani shkrimtar i shquar dhe kritik vë re një “fantazi magjepsëse” dhe “një dorë mjeshtri” ndërkohë që Nuri Plaku poet, shkrimtar flet për “prurje të re” dhe “talent të spikatur të autorit”.

Nga ana e tij, Ndue Dedaj poet, shkrimtar dhe gazetar i njohur përmend “libri i jetës së një autori”, “një ndër romanet e sukseshme bashkëkohorë” , Prof.Anila Omari, akademike, gjuhëtare shkruan se “I arratisuri”, “jep mesazhe universale” , Kujtim Dashi shkrimtar dhe gazetar shesh tek ky libër “humanitet të rrallë” dhe “trajtimi mjeshtëror i tharmit universal”, Spiro Kote, poet dhe kritik shprehet se “tri arratisjet janë poema të bukura, që ndrijnë nga fjala e pasur dhe rrëfimi i zhdërvjellët”, Drita Ademi, poete, shkrimtare dhe kritike e njohur nga Kosova nga ana e saj ve në dukje se Taip Sulko ndërthur realitetin me magjiken, tue e kthye arratisjen në metaforë universale” .

Më tej dua të përmend: Monika Stafa, gazetare dhe studiuese, Top Channel, e përcakton romanin “I Arratisuri” si “fate njerëzore në një sagë shqiptare”, Dhimitra Malo dhe Prof.Foto Malo (studiues i letërsisë): “Me këtë roman hapen shtigje estetike krejt të reja për letërsinë shqiptare”, Fatmir Terziu, poet, shkrimtar, kritik dhe botues, Londër, thotë “I arratisuri” “kontribuon në konsolidimin e një estetike bashkëkohore shqiptare”, Valbona Ahmeti, poete dhe shkrimtare nga Kosova, Montreal: “Romani përcjell idenë se liria është një nevojë themelore për njeriun”, Irena Dragoti, poete, shkrimtare dhe eseiste, SHBA: “shkrimtari Taip Sulko dialogon deri me letërsinë e përtej atdheut si një zë përfaqësues universal i njeriut modern”. Arben Iliazi, shkrimtar, poet dhe kritik: Tek “I arratisuri”, sheh “një roman ontogjenik” dhe një “shkrimtar të avangardës krijuese, që i jep vetes të drejtën për të diktuar rregullat kategorike të shpirtit…”

Kam edhe mjaft gjëra të tjera për të thënë, shkrimi i romanit “I arratisuri” ka zgjatur shumë. Ka edhe një lehtësi tjetër, kam vënë re se shkrimtarët shumë të mirë, sado që flasin, nuk bëhen të mërzitshëm. Ku ta dish, kam ende kohë për këtë…

Filed Under: LETERSI

NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS

November 12, 2026 by s p

Nga Pavarësia e vitit 1912 të kërkesat e shqiptarëve për demokraci, drejtësi dhe dinjitet qytetar, 2026.

Nga Frank Shkreli/

Nëntori është muaji më simbolik i historisë shqiptare. Është muaji i flamurit, i pavarësisë, i kujtesës kombëtare dhe i atyre ngjarjeve që përcaktuan fatin e Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar. Është muaji që na kujton sakrificat e brezave për liri, dinjitet, shtetësi dhe të drejtën e shqiptarëve për të vendosur vetë të ardhmen, si popull i pavarur. Por nëntori nuk duhet të jetë vetëm muaj festimesh, ceremonishë, fjalimesh zyrtare dhe përkujtimesh historike. Ai duhet të jetë edhe një muaj reflektimi serioz për gjendjen e sotme të shqiptarëve, për demokracinë, për liritë qytetare, për drejtësinë dhe për përgjegjësinë e institucioneve ndaj qytetarëve dhe të drejtave të tyre.

Është një ironi e historisë që, ndërsa shqiptarët kremtojnë pavarësinë e fituar më 28 Nëntor 1912, sot ata përballen me protesta studentore dhe qytetare, të cilat shprehin pakënaqësinë, shqetësimet dhe kërkesat e tyre për një të ardhme më të mirë. Pavarësia nuk është vetëm një akt historik i vitit 1912. Ajo është edhe një përgjegjësi e përditshme e shtetit ndaj qytetarëve të vet. Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me bashkëpunëtorët e tyre ngritën flamurin në Vlorë për t’i dhënë Kombit shqiptar një shtet të pavarur. Ata nuk luftuan vetëm për një territor dhe për një flamur, por edhe për dinjitetin e një populli, për të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe për të mos u sunduar nga të tjerët. Sot, më shumë se një shekull pas shpalljes së Pavarësisë, brezi i ri shqiptar ka të drejtë të kërkojë që këto ideale të mos mbeten vetëm në faqet e historisë.

Prandaj, protestat studentore dhe qytetare të shqiptarëve sot nepër rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë nuk duhen parë si shqetësim për pushtetin, por si shprehje e një të drejte themelore demokratike.

Studentët kanë të drejtë të kërkojnë arsim cilësor, kushte më të mira jetese, meritokraci dhe mundësi të barabarta. Po kështu, protestat qytetare janë pjesë e natyrshme e një shoqërie demokratike, kur qytetarët ndihen të papërfaqësuar, të zhgënjyer ose të papërfillur nga institucionet. Një demokraci nuk matet vetëm me zgjedhjet që organizon, por edhe me mënyrën se si dëgjon zërin e qytetarëve nepërmjet zgjedhjeve, përfshir zërin edhe të atyre që nuk e kanë votuar një qeveri të caktuar. Frank Shkreli: Nga paralajmërimi “Demokracia nuk pret”, te zgjimi qytetar dhe alarmi: Demokracia në rrezik! | Gazeta Telegraf

Nëntori 2026 duhet të na kujtojë rishtas se flamuri kombëtar nuk është pronë e asnjë partie, qeverie apo pushteti. Ai është simboli i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Prandaj, nuk ka asnjë kundërshti ndërmjet nderimit të pavarësisë, historisë kombëtare dhe protestës për të drejtat qytetare. Përkundrazi, ato janë pjesë e së njëjtës aspiratë historike për një Shqipëri e lirë, të drejtë dhe demokratike.

Ata që shpallën Pavarësinë më 1912 nuk mund ta kenë imagjinuar lirinë si një privilegj të pushtetarëve, atëherë as sot, por si një e drejtë popullit, pa dallime. Dhe kjo e drejtë përfshin edhe të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të kërkuar llogari nga ata që qeverisin. Nuk duhet të harruar se historia shqiptare është ndërtuar edhe nga breza të rinj që nuk janë pajtuar me padrejtësitë e kohës së tyre. Studentët dhe qytetarët që ngrihen sot për kërkesat e tyre nuk janë jashtë historisë kombëtare. Ata janë pjesë e saj. Në këtë Nëntor, ndërsa përulemi me respekt para Flamurit dhe kujtojmë 28 Nëntorin, duhet të pyesim veten: Çfarë kuptimi ka pavarësia nëse qytetari nuk ndihet i lirë të kërkojë të drejtat e tij? Çfarë kuptimi ka demokracia nëse zëri i studentëve dhe i qytetarëve nuk dëgjohet? Dhe çfarë vlere kanë ceremonitë përkujtimore nëse idealet e atyre burrave që shpallën Pavarësinë, nuk zbatohen në jetën e përditshme?

Nëntori pra, nuk është vetëm një muaj për të kujtuar të kaluarën historike. Është edhe një rast për të gjykuar të tashmen dhe për të menduar për të ardhmen. Pavarësia është shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, ndërsa demokracia, drejtësia dhe dinjiteti qytetar kërkojnë të mbrohen çdo ditë dhe nga çdo brey. Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf – Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan shpesh theksonte se demokracia nuk është diçka e garantuar – por që duhet të mbrohet dhe të ruhet, aktivisht, çdo ditë dhe nga çdo brez.

Ky është, ndoshta, mesazhi më i rëndësishëm i Nëntorit të shqiptarëve, 2026. Ta duan historinë e vet, ta nderojnë Flamurin kombëtar, por, njëkohsisht, të mos heshtin përballë problemeve dhe padrejtësive të së sotmes. Sepse patriotizmi nuk matet vetëm me mënyrën se si festohet Pavarësia, por edhe me përgjegjësinë që qytetarët kanë për vendin dhe për të ardhmen e tij. Nëntori është muaji i Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por pavarësia pa drejtësi, pa demokraci dhe pa dinjitet qytetar mbetet një ideal ende i papërmbushur.

Foto: (AI generated)

Filed Under: Komente

Plagët e heshtura të luftës…

November 12, 2026 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës në Kosovë, plagët e shkaktuara nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe vazhdojnë të mbeten të hapura, jo vetëm në kujtesën kolektive, por mbi të gjitha në trupat dhe shpirtrat e mijëra grave që u përdhunuan tragjikisht gjatë konfliktit në Kosovë.

Përpara se të detyroheshin të linin vatrat e tyre, mijëra gra dhe vajza u ballafaquan me tmerrin e përdhunimit, shpesh në sy të familjarëve të tyre. Dhunimet nuk ishin thjesht akte të izoluara, ato ishin pjesë e një strategjie të mirëfilltë ushtarake për të poshtëruar, thyer dhe shpërngulur popullsinë civile, kryesisht atë shqiptare, duke lënë pas viktima edhe në radhët e komuniteteve të tjera.

Por deri më sot, numri i krimeve të luftës për dhunë seksuale që kanë marrë ndëshkim gjyqësor për autorët në Kosovë apo përmes gjykatave ndërkombëtare është jashtëzakonisht i ulët. Dhuna seksuale e përdorur sistematikisht gjatë luftës, 1998-1999 mbetet një nga kapitujt më të errët të historisë, një e vërtetë që për vite me radhë u mbulua nga heshtja, turpi i imponuar shoqëror dhe frika nga paragjykimet.

Për një kohë të gjatë, ky krim lufte u shoqërua me një mbulesë heshtjeje. Për shkak të strukturës patriarkale të shoqërisë dhe frikës nga stigmatizimi, shumica e viktimave zgjodhën të vuajnë në vetmi, duke u përballur jo vetëm me traumën psikologjike, por edhe me rrezikun e braktisjes nga familja dhe rrethi.

Vitet e fundit, mbështetja institucionale dhe shoqërore ka shënuar hapa të rëndësishëm para, por rruga drejt drejtimit të plotë dhe rehabilitimit mbetet e gjatë dhe e dhimbshme. Një nga kthesat më të rëndësishme juridike ka qenë njohja zyrtare e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës, e cila u siguron atyre një pension mujor dhe lehtësi të caktuara.

Megjithatë, nga rreth 20,000 persona që llogaritet se janë prekur nga kjo dukuri, vetëm një pjesë e vogël, rreth dy mijë gra e burra kanë aplikuar dhe kanë fituar këtë status. E gjitha kjo vjen si pasojë e procedurave burokratike, frikës nga dekonspirimi dhe pengesave në dokumentimin e rasteve pas kaq shumë vitesh.

Pavarësisht ekzistencës së komisioneve qeveritare dhe qendrave të specializuara, si QKRMT e të tjera, mbështetja afatgjatë psikologjike dhe mjekësore shpesh ka hasur në pengesa të dukshme. Shpesh herë, nevojat e të mbijetuarave për barna për sëmundjet kronike të shkaktuara nga trauma mbeten të paplotësuara

Edhe pse ndërgjegjësimi publik është rritur përmes fushatave sensibilizuese, filmave dokumentarë, artit dhe zërit të vetë grave të guximshme që kanë thyer tabunë, stigma sociale nuk është zhdukur plotësisht. Të mbijetuarat nga komunitetet rome, ashkali apo egjiptiane, vazhdojnë të përballen me një izolim edhe më të madh dhe me mungesë të theksuar të mbështetjes institucionale.

Gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk janë thjesht statistika të një konflikti të kaluar, ato janë dëshmitë e gjalla të qëndresës njerëzore. Mbështetja ndaj tyre nuk duhet të jetë thjesht një detyrim burokratik apo ndihmë financiare periodike, por një angazhim kombëtar dhe moral. Shoqëria dhe shteti e kanë detyrim parësor që, përveç pensioneve, t’u kthejnë atyre dinjitetin e humbur, të luftojnë dhe të sigurojnë që drejtësia të mos mbetet thjesht një premtim.

Foto: https://storm-rks.com/sot-shenohet-dita-e-te-mbijetuarve…/

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 3336
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • E ardhmja “e siguruar”
  • PASQYRIME FILATELIKE TË DITËS SË FLAMURIT NË HAPËSIRËN SHQIPETARE
  • Firmëtarët e Pavarësisë: emrat pas firmave
  • Alkimia noliane e fjalës së shenjtë…
  • “Pishtari ndriçonjës” që ndezën motrat “Qiriazi”
  • Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare nga Prof. Bardhosh Gaçe – Studimi më i plotë mbi Delegatët dhe Firmëtarët
  • HOMAZH PËR FIRMËTARËT E PAVARËSISË
  • 28 Nëntori – dita kur një popull e shpalli vullnetin e tij për të jetuar i lirë
  • Festivali i librit shqip në New York, letërsi, kulturë e gjuhë shqipe te shqiptarët e Amerikës
  • Ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Kisha Zoja e Shkodrës në New York
  • “VATRA” MESAZH NGUSHËLLIMI DRITAN HAXHISË PËR HUMBJEN E NËNËS MRIKE HAXHIA (GEGA)
  • Festa e Pavarësisë së Shqipërisë te “Vatra” Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York
  • Pavarësia e Shqipërisë në faqet e gazetës së Grazit, Grazer Tagblatt
  • 29 Nëntor 2022: Xhubleta u regjistrua në UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale që kërkon mbrojtje urgjente
  • Nëntori i shqiptarëve…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT